Gjendet pas 121 vjetësh çokollata e ushtarit

Një çokollatë e vendosur në kuti të metaltë, e cila i ishte dhënë një ushtari në Luftën e Boerit më 1900, është gjetur e paprekur pas plot 121 vjetësh.

Çokollata, që ende ndodhej në kutinë origjinale, i ishte dhuruar një ushtari në vitin 1900 nga Mbretëresha Viktoria. Çokollata  u gjet në gjësendet që i përkisnin Sir Henry Edward Paston-Bedingfeld, që kishte shërbyer në konfliktin e Afrikës Jugore.

 “Ju nuk do ta dëshironit (çokollatën) si ushqim për Pashkë, por ende është e plotë dhe gjetje e rëndësishme”, tha Anna Forrest nga Trusti Kombëtar i Britanisë së Madhe.

Lufta e Dytë e Boerit, e njohur edhe si Lufta e Afrikës Jugore, ishte zhvilluar mes Perandorisë Britanike dhe dy shteteve të pavarura të Boerit rreth ndikimit të perandorisë së asaj kohe në Afrikën Jugore, shkruan Daily Mail.

Më shumë se 100 mijë kuti të metalta, secila me çokollatë brenda, ishin prodhuar në atë kohë me qëllim që secili ushtar të merrte nga një. Në kuti shkruhej “Ju uroj Vit të Ri të gëzuar” me dorëshkrimin e mbretëreshës dhe “Afrika Jugore 1900”./ KultPlus.com

‘Zana’ nga 2 prilli pranë publikut të Mbretërisë së Bashkuar

Filmi “Zana” i regjisores Antonela Kastrati nga data 2 prill do të shfaqet në platforma digjitale para publikut të Mbretërisë së Bashkuar.

Rolet kryesore në këtë film iu janë besuar Adriana Matoshit dhe Astrit Kabashit që janë një çift të cilët arrin t’i mbijetonin luftës së fund Kosovë, por  humbin vajzën e tyre të vogël, Zana.

Sukseset e filmit që u publikua në vitin 2019  ishin të shumta .“Zana”  u përzgjodh njërin ndër dhjetë filmat evropian nga regjisore femra, që do të shfaqen në kuadër të programit “Europe Voices of Women in Film” nga Festivali i Filmit në Sindey dhe “European Film Promotion” gjithashtu ishte pjesë e Haifa International Film Festival, festival ky që mbahet në Izrael. Personazhi kryesor i filmit Adriana Matoshi e ka fituar çmimin e aktores më të mirë në Festivalin e Filmit “Fantaspoa” në Brazil, duke u renditur kështu në mesin e shumë yjeve të Hollywood-it./ KultPlus.com

“Vulë” fiton çmim në Karnavati International Film Festival

Filmi artistik “Vulë” me skenar dhe regji nga Valmir Tertini ka fituar çmimin “Regjisori më i mirë – ndërkombëtar” në kategorinë e filmave të shkurtër në Karnavati International Film Festival 2021, shkruan KultPlus.

Ky film flet për Viktorian, një punonjëse e papërgjegjshme në Ambasadën Gjermane në Prishtinë. E varur nga alkooli, dhe me mungesë të një partneri, bën një jetë geto. Ndërsa punën për të cilën i është besuar posti nuk i intereson fare dhe le dosjet e hapura pa firmosur. Si një punonjëse e papërgjegjshme, ajo i dha një vizë njëvjeçare një djali nga Kosova vetëm për shkak se kishte marrëdhënie seksuale me të. Ajo u shkarkua nga ambasada, dhe rastësisht, ata e shohin njëri-tjetrin në aeroport kur udhëtojnë për në Gjermani.

Për realizimit e filmit “Vulë” në të cilin janë bërë bashkë aktorë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia ka dhënë mbështetjen e saj edhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri.

“Vulë” deri më sot ka pasur premierë në Tiranë dhe Podgoricë, si dhe ka fituar 11 çmime në festivale të ndryshme. / KultPlus.com

Shqiptarja nga Manastiri, inxhinierja e parë femër në Turqi

Gruaja e parë inxhiniere në Turqinë moderne ka qenë Sabiha Rifat Gurajman (Sabiha Rıfat Gürayman). Ajo ka lindur në vitin 1910 në Manastir të Maqedonisë së Veriut kurse ka ndërruar jetë në vitin 2003 në Izmir. (Po të ishte turke do të quhej Sabiha Rufat, kurse Rifat është formë e shqipëruar e emrit “Rufat”).

Nuk ka qenë lehtë të jesh inxhineria e parë në Turqi në atë kohë, por talenti i Sabihas ka qenë i jashtëzakonshëm.

Ajo ka lindur në Manastir në vitin 1910, babai i saj ka qenë oficer në ushtrinë turke dhe në moshë të re është shpërngulur në Stamboll. Shkollën fillore e ka kryer në Beshiktash. Më pas është regjistruar në shkollën e mesme të femrave Nishantashi në vitin 1925 dhe ka vazhduar në shkollë tjetër të mesme në Stamboll në vitin 1927.

Gjatë sundimit Qemal Ataturk ka inkurajuar vajzat të shkollohen. Me përkrahjen e mikut të saj dhe mësues të matematikës, Sabiha është regjistruar në fakultetin e inxhinierisë, i cili atë vit ka pranuar studentet e para femra.

Si një nga inxhinieret më të mira të ndërtimtarisë, asaj i është besuar ndërtimi i Mauzoleut të Ataturkut, kurse ka qenë edhe inxhiniere kryesore e kryeqytetit turk, Ankarasë. / INA/ KultPlus.com

Autoritet e Federatës Spanjolle te Futbollit kërkuan t’ia marrin flamurin e Kosovës përfaqësuesit të Dardanëve, por nuk ia arritën

Gazetarët dhe disa tifozë të ‘Dardanëve’ që janë të pranishëm në stadiumin La Cartuja të Sevillës, ka zbuluar se kanë pasur disa probleme të vogla para takimit.

Ai ka zbuluar se atyre iu afruan autoritet e Federatës Spanjolle te Futbollit duke kërkuar t’ia marrin flamurin e Kosovës.

Sipas videos së Klan Kosovës shihet që kërkesa e tyre për t’ia marrë flamurin e Kosovës nuk ishte armiqësore, me pretekstin se janë urdhëratë nga lart.

Mirëpo me insistimin e tyre, në veçanti të kryetarit të Dardanëve, Lulzim Berisha, flamuri ka qëndruar./ KultPlus.com

Unë, biri yt Kosovë

Poezi nga Ali Podrimja

Unë biri yt, Kosovë, t’i njoh dëshirat e heshtura, 
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj, 
t’i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet, 
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kallura;
ta di gjakun që të vlon në gji, 
dallgën kur të rrahë netëve të pagjumta, 
e të shpërthejë do si vullkan, 
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë, 
Unë, biri yt. / KultPlus.com

Kurti: Na bëni krenarë dhe kthehuni në shtëpi me fitore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur entuziazmin e tij për ndeshjen që do të zhvillohet sonte mes Kosovës e Spanjës, shkruan KultPlus.

Kurti përmes një postimi në twitter, i ka kërkuar përfaqësueses së Kosovës, që të mos e lejojë asgjë t’i shpërqendrojë dhe po ashtu që të kthehen në Kosovë me fitore.

“Dy shtetet, Kosova dhe Spanja, luajnë sonte për Kualifikuesit e Kupës së Botës dhe jam shumë i entuziazmuar me ekipin tonë, i cili përfaqëson Republikën e Kosovës. Mos lejoni asgjë që t’ju shpërqendrojë, na bëni krenarë dhe kthehuni në shtëpi me fitore”, ka shkruar Kurti./ KultPlus.com

Osmani për Përfaqësuesen e Kosovës: Çdo lëvizje e juaj do jetë një notë shtesë në himnin tonë

Teksa sonte pritet që të luajnë Kosova me Spanjën, Vjosa Osmani ka shprehut ngazëllimin dhe krenarinë e saj për kombëtaren e futbollit, shkruan KultPlus.

Në një postim në Facebook Osmani ka shkruar se kjo është më shumë se një lojë futbolli, e çdo herë krenari. Ajo ka shtuar se secila lëvizje e lojtarëve është veç një notë shtesë në himnin tonë.

Më poshtë gjeni postimin e saj të plotë:

Më shumë se lojë futbolli, gjithnjë krenari!

Dardanët po e shpiejnë Kosovën anë e mbanë botës. Me secilën paraqitje e lojë të tyre, Kosova frymon më lirshëm, shteti ynë përçon mesazhe të shtetësisë, punës së ndershme e progresit të vazhdueshëm me shtetndërtim.

Sonte, në përballje me Spanjen, zemrat e mendjet i kemi me ju.

Çdo lëvizje e juaj do jetë një notë shtesë në himnin tonë, një valvitje shtesë e flamurit tonë, e një brohoritje shtesë për emrin e Republikës sonë.

E gjithë Kosova sonte jemi një!/ KultPlus.com

‘The Guardian’ shkruan për filmin ‘Zana’: Kastrati tërheq thellë puset e tragjedisë së atdheut të saj në këtë histori shqetësuese dhe joshëse

Revista prestigjioze Guardian së fundmi ka publikuar shkrim dedikuar filmit kosovar ‘Zana’ me regji të Antoneta Kastratit, shkruan KultPlus.

Më poshtë gjeni artikullin e përkthyer:

Lumja (Adriana Matoshi) dhe burri i saj Ilir (Astrit Kabashi) arritën t’i mbijetonin luftës së fund viteve ‘90 në Kosovë, por pësuan humbjen e pamendueshme të vajzës së tyre të vogël, Zana, e cila mbeti e varë pasi gjendej në mes betejës së plumbave nga të gjitha anët.

Vitet kanë kaluar në fermën ku ata jetojnë me nënën e frikshme të Ilirit, Remzijen (Fatmire Sahiti), dhe ujërat e rutinës së përditshme janë derdhur përsëri në plagët. Por Lumja nuk mund ta lëshojë të kaluarën. Megjithëse në dukje është bashkëshortja e mirë dhe e nënshtruar e vogël që kjo shoqëri e ngushtë, jashtëzakonisht e modës së vjetër pret që ajo të jetë, ajo është tronditur nga pikëllimi dhe vuan nga makthe të vazhdueshme, duke shfaqur imazhe shqetësuese dhe të përgjakshme deri te David Lynchian i çiltër, plot me hijet dhe figurat e mbuluara me dritë të hënës.

Remzija po bën presion mbi Ilirin që të marrë në konsideratë marrjen e një gruaje të dytë në mënyrë që ai të mund të bëjë më shumë fëmijë tani që Lumja nuk duket se mund të mbetet shtatzënë. Në dëshpërim, Lumja pranon që të shkojë për shërim te predikuesit e besimit: e para, një grua magjistare, por e mençur në fshatin e tyre; e dyta, një karakter më i ligë që kërkon 500 euro për konsultë dhe është i prirur për të diagnostikuar pushtimin nga demonët.

Shkrimtarja-regjisorja kosovare Antoneta Kastrati tërheq thellë nga puset e tragjedisë së atdheut të saj në këtë histori shqetësuese dhe joshëse. Pamjet e tmerrit në mënyrën se si ajo trajton disa nga imazhet e makthit mund të nxisin disa shikues të presin një rezultat tjetër nga pija e thellë e zymtë që më në fund na shërbehet. Zana është një orë e vështirë, por performanca e imët e Matoshit është një bekim për t’u parë dhe ka kënaqësi të rastësishme, veçanërisht në mënyrën se si filmi lëngon në peisazhin e dobët, të egër të bekuar.

Në një nivel antropologjik, ka diçka veçanërisht magjepsëse në pikëpamjen e këtij personi të brendshëm për shoqërinë kosovare, ku besimet arkaike rreth zakoneve familjare ngrihen kundër njerëzve që shikojnë YouTube për të mësuar receta të reja për vaktet familjare. Filmi “Zana” është në platformat digjitale nga 2 prilli./ KultPlus.com

Lista e plotë e nominimeve ‘Brit Awards 2021’

Janë publikuar nominimet për mbrëmjen më të madhe vjetore të ndarjes së çmimeve në Mbretërinë e Bashkuar, “Brit Awards 2021”, shkruan KultPlus.

Ceremonia e këtij viti u shty tre muaj nga data e saj tradicionale e shkurtit për shkak të krizës së koronavirusit dhe tani do të zhvillohet në O2 Arena të Londrës më 11 maj.

Më poshtë gjeni listën e plotë:

Artistja më e mirë

Arlo Parks

Celeste

Dua Lipa

Jessie Ware

Lianne La Havas

Artisti më i mirë

AJ Tracey

Headie One

J Hus

Joel Corry

Yungblud

Grupi më i mirë

Bicep

Yungblud

Little Mix

The 1975

Young T & Bugsey

Artisti depërtues i vitit

Arlo Parks

Bicep

Celeste

Joel Corry

Young T & Bugsey

Kënga Britanike më e mirë e vitit

220 Kid with Gracey – Don’t Need Love

Aitch x AJ Tracey feat Tay Keith – Rain

Dua Lipa – Physical

Harry Styles – Watermelon Sugar

Headie One feat AJ Tracey and Stormzy – Ain’t It Different

Joel Corry x MNEK – Head and Heart

Nathan Dawe x KSI – Lighter

Regard and Raye – Secrets

S1mba feat DTG – Rover

Young T & Bugsey feat Headie One – Don’t Rush

Albumi më i mirë i vitit

Arlo Parks – Collapsed in Sunbeams

Celeste – Not Your Muse

Dua Lipa – Future Nostalgia

J Hus – Big Conspiracy

Jessie Ware – What’s Your Pleasure?

Artistja më e mirë ndërkombëtare

Ariana Grande

Billie Eilish

Cardi B

Miley Cyrus

Taylor Swift

Artisti më i mirë ndërkombëtar

Bruce Springsteen

Burna Boy

Childish Gambino

Tame Impala

The Weeknd

Grupi më i mirë ndërkombëtar

BTS

Fontaines DC

Foo Fighters

Haim

Run the Jewels

Ylli në rritje

Griff./ KultPlus.com

Regard, shqiptari i radhës që nominohet në ‘Brit Awards’

DJ shqiptar me prejardhje nga Ferizaj, Regard është nominuar në një kategori mjaft të rëndësishme në ‘Brit Awards’, shkruan KultPlus.

Regard ka arritur që më këngën e tij ‘Secrets’ në bashkëpunim me artisten RAYE të nominohet në kategorinë ‘Këngës më të mirë britanike të vitit’.

Ndërkaq lajmin e ka bërë të ditur nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook ku ka shkruar se nuk arrin ta besoj se ka arritur të nominohet në një nga kategoritë e eventit më të madh britanik

“Nuk mund ta besoj që ‘Secrets’ është nominuar për ‘Këngën Birtanike të vitit’ në këtë edicion të Brits. Unë vetëm dua të them faleminderit të gjithëve kaq shumë për mbështetjen time, kjo nuk do të ishte e mundur pa të gjithë ju dhe jam përgjithmonë mirënjohës për të gjithë fansat në të gjithë botën. Dashuri për Raye për vokalet mahnitëse”, shkroi ai./ KultPlus.com

Dokumentari ‘Reconciliation’ me premierë në CPH:DOX në Kopenhagë

Dokumentari ‘Reconciliation’ me regji dhe skenar nga Marija Zidar me producentë Danijel Hocevar dhe Latif Hasollin do ta shfaqë premierën në kuadër të programit Next:Wave të festivalit ndërkombëtar të Kopenhagës.

Në malet e largëta të Shqipërisë, një vajzë e re është qëlluar për vdekje, duke kapur një plumb i drejtuar babait të saj. Megjithëse vrasësi është në burg, babai tani pritet të falë gjakun e vajzës së saj familjes së vrasësit, të afërmve të tij fqinj, ose të hakmerret për vdekjen e saj duke marrë hak – sipas zakonit shekullor shqiptar të hakmarrjes së gjakut. Kur dy grupe ndërmjetësish kërkojnë pajtim dhe falje nga babai, ai vazhdimisht refuzon të falë pa pendim. Në historinë tragjike që nuk mund të zhbëhet, historia e ndërlikuar dhe motivet përplasëse të të gjitha palëve të përfshira në konflikt zbulohen ngadalë.
Dokumentari është xhiruar në stilin e filmit vëzhgues gjatë katër viteve.

‘Reconciliation’ i prodhuar nga Vertigo dhe Dera Film, është bashkëprodhim në mes Sllovenisë, Serbisë, Malit të Zi, dhe Kosovës.

Linku zyrtar i festivalit: https://cphdox.dk/film/reconciliation/ KultPlus.com

Ambasada Amerikane me flamur gjigant i uron Kosovës fat në ndeshjen me Spanjën

Kanë mbetur edhe pak orë para se të nis ndeshja futbollistike ndërmjet Kosovës dhe Spanjës.

Për shkak se Spanja nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, është diskutuar shumë nëse do t’u lejohet Dardanëve që të prezantohen me flamurin dhe himnin e Kosovës.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovës i ka uruar fat kombëtares së Kosovës duke postuar një flamur gjigant të Kosovës në llogarinë e saj në Facebook.

“I dëshirojmë Kosovës fat në ndeshjen kundër Spanjës. Gjithmonë një moment krenar kur mund të luash nën hijen e flamurit të vendit tënd në stadium”./ KultPlus.com

Kosnett për ndeshjen e Kosovës: Krenari të luash nën hijen e flamurit që valvitet në stadium

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett i ka uruar fat kombëtares së Kosovës në ndeshjen e sotme me Spanjën në Sevilla.

Kosnett ka shkruar se është gjithmonë moment krenar kur luan nën hijen e flamurit të shtetit tënd që valvitet në stadium

“I dëshiroj Kosovës fat në ndeshjen e saj kundër Spanjës. Gjithmonë një moment krenar kur mund të luash nën hijën e flamurit të shtetit tënd që valvitet në stadium”, ka shkruar Kosnett.

Kosova luan me Spanjën në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës “Katar 2022”.

Për Dardanët do të jetë ndeshja e dytë në grupin B pas humbjes së parë 3:0 në shtëpi nga Suedia./ KultPlus.com

Universiteti britanik, statujë në nder të Greta Thunberg

Nuk mund të mohet se Greta Thunberg ka bërë një rrugëtim të gjatë, drejt objektivave të saj. Vajza dikur adoleshente që me një pankartë të vogël manifestonte e vetme përballë ministrive duke braktisur shkollën, në mënyrë që institucionet të përkrahnin politikat mjedisore, duket sikur i përket një epoke tjetër.

Në fakt, bëhet fjalë për vitin 2018, ku nga e panjohur suedezja u bë simbol i qasjes ekologjiste të rinisë, duke arritur të bëhet edhe personazhi i vitit për revistën prestigjioze  “Time”.

Por tani Thunberg ka rritur një tjetër etapë, vërtet ngazëlluese dhe ndoshta e paprecedent për një vajze aq të re.

Një universitet britanik, ai i Winchester, ka porositur një statujë prej bronzi të aktivistes, që u ekspozua në ambientet e jashtme e institucionit arsimor, aty ku mendohet që do të mbetet si një nga monumentet e përhershme të atij universiteti.

Drejtuesit e Winchester University mendojnë se statuja përfaqëson një mesazh për të gjithë studentët, dhe një shembull për aktivizmin në moshat e reja.

“Greta është një e re që është përballur me vështirësi të ndryshme në jetë, dhe tashmë është një lidere botërore të aktivizmit mjedisor”, deklaroi zëvendës dekani Joe Carter për të justifikuar zgjedhjen.

Statuja, e realizuar nga skulptorja Christine Charlesworth, i ka kushtuar rreth 30 mijë euro universitetit, por fundja edhe një reklamë në gjithë mediat ndërkombëtare. /a2/ KultPlus.com

Dua Lipa nominohet për tre çmime në ‘Brit Awards 2021’

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa është nominuar në tri kategoritë më të rëndësishme në ‘Brit Awards’, shkruan KultPlus

Këtë e ka bërë të ditur vetë këngëtarja nëpërmjet një postimi në rrjetin social Twitter.

https://twitter.com/DUALIPA/status/1377284946885287943

Dua është nominuar në kategoritë, ‘Album of The Year’, ‘British Single’ dhe ‘Female Solo Artist’.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme ajo  tregoi se gjithashtu do të performoj në skenën e Brit Awards.

Dua së fundmi ka fituar çmimin Grammy në kategorinë ‘Best Pop Vocal Album’, ndërsa në Brits të vitit 2019 ajo ka fituar tri çmime. /KultPlus.com

Më 31 mars Zef Skiroi botonte në Napoli revistën “Arbri i Rii”

Më 31 mars të vitit 1887, Zef Skiroi së bashku me Françesko Stasi Peta nxori në qytetin e Napolit revistën jetëshkurtër “Arbri i Rii”.

Synimi i Skiroit dhe i bashkëpunëtorëve të tij ishte zgjimi i ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve, shfrytëzimi i gjuhës shqipe si faktor uniteti, propagandimi i çështjes shqiptare e të Shqipërisë. Revista vijoi vetëm për tre numra, por në të botuan emrat më të shquar të botës arbëreshe.

Në këtë revistë Skiroi i dha një rëndësi të madhe botimit të krijimeve letrare arbëreshe, sepse letërsia dhe në veçanti poezia ishte opusi kryesor i tij.

Zef Skiroi, u lind në Hora të Arbëreshëve më  10 gusht 1865 dhe vdiq  në Napoli me 17 shkurt të vitit 1927. Ai ishte poet, gjuhëtar, folklorist, etnograf, dhe publicist i shquar arbëresh. Atdhetar i madh shqiptar, dijetar dhe koleksionist i traditave poetike arbëreshe, profesor i parë dhe kryetarit i gjuhës shqipe dhe letërsisë në Institutin Oriental të Napolit, që marrin pjesë në mënyrë aktive në gjuhën shqipe. Ndër shkrimtarët më të mëdhenj shqiptar, ai është përfaqësuesi më i  shquar i traditave arbëreshe letrare dhe kulturore të Sicilisë, të cilët lënë një dalje të gjerë letrare.

Me vlerë madhore si për letërsinë arbëreshe, ashtu edhe për studimet letrare shqiptare janë veprat e Zef Skiroit, i cili shte poet neoklasik, prozator dhe studiues, veprat e të cilit mund të thuhet se shënojnë një pikë kalimi drejt letërsisë bashkëkohore shqiptare në Itali./ KultPlus.com

Nga Juniku në Gjermani, Shqipërim Kraki patentoi inovacionin e tij në botën e aviacionit (VIDEO)

Suada Qorraj

Sukseset jo çdo herë kufizohen brenda vendlindjes, ndonjëherë ato lindin dhe rriten jashtë saj, përmes rrugëve përplot me sfida. E tillë është dhe historia e Shqipërim Krakit, të cilin jeta tash e disa vite e ka lidhur ngushtë me botën e aviacionit, lidhje kjo që i ka mundësuar atij të lansoj produktet dhe biznesin e tij në Gjermani, shkruan KultPlus.

“Fillimi nuk ka qenë i lehtë as për mua, por fakti që unë i kisha dy vëllezër që jetonin këtu prej vitesh, ka ndikuar që të integrohem më shpejt. Pastaj nga sfida në sfidë, jeta morri drejtim dinamik, fiks ashtu siç e kisha shpresuar”, filloj rrëfimin e tij Kraki në intervistën e dhënë për KultPlus.

Shqipërim Kraki tashmë ka patentuar dhe regjistruar në Gjermani produktin e tij origjinal, të punuar me dorë, Torlley-t për shërbimin e pijeve në avion të cilat i ka emëruar ‘Lift Bar’ ndërkaq kompaninë e tij e ka emëruar ‘Flying Mode’. Tashmë janë lansuar tre lloje të Lift Barëve; Lift Bar Café, Lift Bar Cooling dhe Lift Bar Whiskey.

Për Shqipërim Krakin rruga deri tek arritja e qëllimit të tij ka qenë mjaft komplekse. Pas dhjetë viteve pune në Gjermani, ai filloj që të realizoj ëndrrën e tij që kishte lindur përgjatë periudhës kur bota e aviacionit u bë një me botën e tij.

Teksa flet se si ka lindur ideja e një produkti të tillë, Kraki pohon se puna e gjatë në botën e aviacionit kishte krijuar tek ai përshtypjen se gjërat mund të ndryshohen deri në perfeksion.

“Inovacioni dhe idetë e reja më kanë tërhequr gjithmonë. Duke punuar me vite në dhe për botën e aviacionit, gjithnjë e kisha përshtypjen se gjërat mund të perfeksionohen dhe t’u ndërrohet përdorimi apo destinimi. Sot në çdo vend privat apo profesional ka nevojë për hapësira relaksuese. Në shtëpi apo punë kemi shërbyes që janë kryesisht automatik, të palëvizshëm dhe jo multifunksional. Për anën elegante as që bëhet fjalë – zor të ketë stil një frigorifer gjigant apo një distributor kafesh. Duke i pas këto elemente parasysh, jam bindur që edhe pijet e freskëta por edhe kafet e ndryshme mund të shërbehen në mënyrë elegante, praktike dhe pa zënë shumë vend”, shprehet ai.

Tutje Kraki rrëfen se produktet e tij, por dhe kompaninë i ka emëruar si kujtesë për botën e fluturimit, prej nga vjen ai dhe baza mbi të cilën ndërtohet produkti. Kraki ‘Lift Bar’ e quan një shërbyes elegant dhe preciz.

“Emri i kompanisë e rikujton botën e fluturimit, nga vij unë dhe nga vjen baza e produktit. Dhe duke qenë se produktet tona do përdoren në tokë, atëherë zgjodhëm ta quajmë Flying Mode, në kuptimin, në formë apo mënyrë fluturimi. Do të thotë shërbehet gati si në fluturim, me shërbyesin me rrota. Emri i produkteve LiftBar është boshti i idesë inovative sepse i gjithë koncepti sillet rreth liftit mekanik që i nxjerr pijet jashtë në mënyrë elegante dhe precizion milimetrik. Shërbyesit tanë janë pra si mini bar me lift – Lift Bar”, deklaroi Shqipërimi për KultPlus.

I pyetur se sa e vështirë ka qenë për të që të depërtoj në një treg gjerman, Kraki pohon se ndonëse është një treg mikpritës për të depërtuar dhe për të arritur sukses duhet përkushtim i madh, por mbi të gjitha inovacion.

“Të depërtosh në një vend të huaj nuk është e lehtë, por Gjermania mbetet megjithatë vend mikpritës për shqiptarët në përgjithësi. Tregu gjerman është solid dhe i organizuar, prandaj për të depërtuar këtu duhet punë e përkushtim, por duhet sidomos inovacion. Produktet tona janë unike si nga koncepti ashtu edhe nga dizajni, kështu që besoj se do të gjejnë hapësire në tregun gjerman e evropian. Sot klientët apo përdoruesit duan gjëra kualitative por edhe unike. Këto veti janë baza e produkteve tona”, shton tutje ai.

Krejt në fund të intervistës Kraki tregon se planet janë që fillimisht të shtrihen në Gjermani me prodhim dhe me shitje, e më pas të kalojnë edhe në tregun evropian. Ai madje thekson se shumë shpejt do të jenë prezent edhe në Kosovë e Shqipëri, duke e konsideruar mundësinë e prodhimit të materialeve dhe aksesorëve në këto dy vende./ KultPlus.com

Himni dhe emri i Kosovës të ndaluara në televizionin shtetëror spanjoll sonte në ndeshjen Spanjë-Kosovë

Televizioni Publik i Spanjës, TVE, do ta ndërpresë transmetimin në çastin kur himni shtetëror i Kosovës të këndohet në Sevillë para takimit të Grupit B kualifikues për Kupën e Botës mes Spanjës dhe Kosovës.   

Për më tepër, komentatorët e televizionit shtetëror spanjoll e kanë të ndaluar ta përmendin fjalën Kosovë gjatë komentimit të ndeshjes, sipas mediave spanjolle, raporton Gazeta Express, përcjellë KultPlus.

Spanja dhe Kosova do të përballen sonte në orën 20:45, në rrethin e tretë të Grupit B kualifikues për Botërorin e Katarit në stadiumin “La Cartuja” në Sevillë.

Kjo ndeshje do të transmetohet nga TVE si televizion publik por me kufizime të dukshme, siç është mostransmetimi i himnit shtetëror të Kosovës dhe shmangia e fjalës Kosovë kur t’i drejtohen ekipit kombëtar të Kosovës.

E gjithë kjo për shkak se qeveria e Spanjës nuk e njeh pavarësinë e shtetit të Kosovës.

Sipas të përditshmes spanjolle, MARCA, komentatorët e TVE do t’i drejtohen ekipit të Kosovës si “Federata e Futbollit e Kosovës”.

Ndeshja e sotme është në qendër të polemikave diplomatike mes Kosovës dhe Spanjës.

Spanja është njëra prej tri kombëtareve në grupin e dardanëve, bashkë me Greqinë dhe Gjeorgjinë, që s’e njohin pavarësinë e Kosovës. Për më tepër vendi iberik është kundërshtar i zëshëm i pavarësisë se shtetit më të ri evropian, kryesisht për shkak të Katalonjës, rajonit të vet verilindor, e cila kishte votuar unanimisht në një referendum në vitin 2017 për t’u pavarësuar nga Spanja.

Polemikat nisën kur Federata e Futbollit e Spanjës e quajti territor Kosovën dhe mediat spanjolle pretenduan se Spanja nuk do të pranonte që himni shtetëror i Kosovës të luhej në stadium para ndeshjes e as flamuri i saj të valëviste gjatë ndeshjes.

Federata e Futbollit e Kosovës i reagoi duke e kërcënuar se nuk do të luante nëse simbolet e saj shtetërore nuk do të respektoheshin. Pas një bisede mes krerëve të dy federatave dhe UEFA-s, Spanja u detyrua të pranojë që ndeshja të zhvillohet në bazë të rregullave të UEFA-s e FIFA-s.

Por përveç mediave spanjolle që shpesh në shkrimet e tyre madje nuk ia shkruanin as emrin Kosovës, federata spanjolle ka bërë çmos t’i shmangët sa më shumë përmendjes së Kosovës në njoftimet e saj, sidomos në konferencë për media një ditë para ndeshjes.

Ajo i është drejtuar Kosovës si “ekipi kosovar”, ndërsa trajneri i furisë së kuqe Luis Enrique iu ka drejtuar Kosovës vetëm si “përfaqësuese”.

Qëllimi i federatës spanjolle dhe mediave në Madrid për ta mënjanuar emrin e Kosovës kanë qenë të dukshme.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, të martën e paralajmëroi Spanjën se do ta tërheqë ekipin dardan nga fusha në Sevillë nëse simbolet e shtetit të Kosovës nuk respektohen të mërkurën mbrëma. /GazetaExpress/ KultPlus.com

Sudani ia jep ShBA-së 335 milionë dollarë dëmshpërblim për rastin e 98-ës

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, njoftoi të mërkurën se Shtetet e Bashkuara kanë pranuar 335 milionë dollarë nga Sudani si dëmshpërblim për viktimat e bombardimeve të vitit 1998.

Në këtë vit, ambasadat e Shteteve të Bashkuara në Keni dhe Tanzani ishin bombarduar, duke lënë të vdekur disa persona. Një pjesë e këtyre mjeteve do të ndahen edhe për familjarët e amerikanit John Granville më 2008.

“Ne shpresojmë se kjo do t’i ndihmojë ata që të gjejnë ca qetësi për tragjeditë e tmerrshme që kanë ndodhur. Me këtë proces sfidues pas nesh, marrëdhëniet ShBA – Sudan mund ta fillojnë një kapitull të ri”, shtoi kryediplomati amerikan, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Nga bombardimet që kishin ndodhur në këto dy ambasada ishin vrarë 224 persona, prej tyre 213 në Nairobi të Kenisë dhe 11 në Dar es Salaam të Tanzanisë. Mbi 4.000 të tjerë kishin pësuar lëndime.

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kishte thënë se do ta largojë Sudanin nga lista e shteteve sponzorizuese të terrorizmit, nëse shteti afrikan e paguan dëmshpërblimin prej 335 milionë dollarëve për viktimat e bombardimeve. / KultPlus.com

Genc Prelvukaj sjell këngën “Hajde ti kthejmë”, shpalos një histori dashurie (VIDEO)

“Gentvs II” është albumi që këngëtari Genc Prelvukaj po e shpalos kohëve të fundit, shkruan KultPlus.

Vetëm një javë pas publikimit të këngës “Ditë e natë”, Prelvukaj sot ka sjell këngën “Hajde ti kthejmë” duke i shpalosur kështu publikut një histori dashurie.

Me tekst dhe muzikë të Prelvukajt, kënga vjen e shoqëruar me video ku na shfaqen pamje të një çifti në kohë të mira.

Për të dëgjuar këtë projekt të radhës të këngëtarit, po ju sjellim videon më poshtë. Përveç në YouTube, këngën e gjeni edhe në çdo platformë tjetër online. / KultPlus.com

Kjo aktore amerikane ishte e njohur për çdo familje shqiptare, Fadil Berisha i realizoi fotosesion

Fotografi i njohur shqiptar Fadil Berisha njihet për punën e tij të madhe në këtë fushë, duke vënë në fokus shumë figura të njohura botërore, por duke mos harruar edhe ato shqiptare, shkruan KultPlus.

Së fundi ai ka realizuar një fotosesion me aktoren e njohur Joan Collins, e cila, te audienca shqiptare ishte e njohur për rolin e sa në serialin e famshëm “Dynasty”.

Dynasty ishte një ndër serialet më të shikuara në vitet e 80-ta,  ku një ndër rolet kryesore kishte edhe kjo aktore amerikane e cila ishte e njohur me rolin e Aleksisës. /KultPlus.com

MASH merr vendim, publikon datat e pushimit pranveror

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se ka nënshkruar sot propozim-vendimin, për pushim pranveror për të gjitha shkollat në vend.

Sipas saj, pushimi pranveror realizohet me 6-8 prill, përfshirë ditët e pushimit, ku më pas mësimi do të rifillojë me 12 prill.

”Sot kam nënshkruar Vendimin që pushimi pranveror të realizohet me 6-8 prill, pra përfshirë ditët e pushimit, mësimi do të rifillojë me 12 prill.

Uroj që ky pushim të ndikojë në ruajtjen e shëndetit publik, uljen e rasteve të reja të infektimit me COVID/19, në mirëqenien fizike dhe mendore të nxënësve dhe prindërve të tyre, mësimdhënësve dhe stafit tjetër në shkolla.

Kjo periudhë do të shfrytëzohet për dezinfektimin e plotë të hapësirave shkollore.

Mësimdhënësit dhe udhëheqësit në shkolla do të reflektojnë dhe analizojnë punën e tyre në periudhën e parë dhe të dytë, ashtu si dhe do të pregatiten për përfundimin sa më të suksesshëm të vitit shkollor.

Në takimet që kam pasur këtyre ditëve me përfaqësues të të gjithë akterëve të përfshirë në arsim, kemi arritur një pajtueshmëri të plotë jo vetëm për këtë pushim, por edhe për zëvendësimin e ditëve të humbura në fillim të vitit shkollor.

Në takimet e punës shpreha dhe brengat e mia për cilësinë e mësimdhënies dhe mësimnxënies gjatë këtij viti të vështirë dhe sfidues shkollor, pabarazive që mund të jenë shtuar tek nxënësit dhe arritjes së rezultateve të pritura. Në këtë drejtim, shumë shpejtë do të nxjerrim dhe Vendimin për organizimin e mësimit plotësues dhe shtesë për nxënësit që mund të kenë pasur ngecje, sidomos për filloristët, për çfarë pat mbështetje të plotë nga të gjitha palët”./ KultPlus.com

Projekti për ndërtimin e muzeut përkujtimor në Francë, një shërim i plagëve të terrorizmit

Pas sulmeve të shumta terroriste që lanë pas një numër të madh vdekjesh, në mesin e tyre edhe plot fëmijë, Franca, njëra ndër shtetet që më së shumti ka hasur në sulme të cilat lanë të vdekur rreth 300 njerëz dhe 1000 të plagosur, po planifikon të ndërtojë një muze për të shëruar plagët e shtetit, shkruan The New York Times, përcjellë KultPlus.

Këto sulme që po konsiderohen si më të tmerrshmet në Evropë, krijuan mjaft trauma fizike dhe psikike, të cilat ende po vazhdojnë edhe sot duke lënë plagë të hapura, andaj Franca po planifikon të ndërtojë një muze i cili do të përndjekë zhvillimet e terrorizmit përgjatë viteve të fundit dhe e cila do të kontribuoj në përballjen me këto fatkeqësi.

Muzeu mendohet të inaugurohet në një vend të përzgjedhur në Paris në vitin 2027, e që për synim ka shfaqjen e eksperiencave të shteteve të cilat janë prekur nga terrorizmi përgjatë 50 viteve të fundit, pasi që edhe vetë Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në shtator të vitit 2018, u zotua për të krijuar një muze përkujtimor i cili vendos viktimat e sulmeve terroriste në zemër të kujtimeve të tyre.

Henry Rousso, një historian francez, i cili ndihmoi në krijimin e Muzeut Memorial të Caen dhe Memorialin e Shoah në Paris, duke përkujtuar viktimat e Holokaustit, po mbikëqyr këtë projekt të cilën ai e konsideron si një formë rezistence përmes kulturës, inteligjencës dhe transmetimit të eksperiencës dhe përmes së cilës edhe autorët e sulmeve do të paraqiten gjithashtu në muze.

“Fakti që ne jemi duke krijuar një muze përkujtimor përderisa fenomeni i terrorizmit nuk ka asnjë shans të zhduket në vitet që vijnë është një mënyrë për të treguar aftësinë tonë për të bërë një hap prapa”, tha Rousso në një intervistë.

Sipas Rousso, muzeu përkujtimor francez nuk do t’i kushtohet vetëm një sulmi në veçanti por do të shfaqë ekspozita, konferenca dhe filma mbi sulmet në të gjithë botën, dhe një retrospektivë historike mbi terrorizmin në Francë duke filluar nga viti 1974 kur Carlos Çakalli kreu bombardimin e një farmacie në Paris dhe kur Franca filloi të jepte “një medalje njohjeje” për viktimat e sulmeve terroriste.

Memoriali do të rendisë emrat e viktimave të sulmeve terroriste në Francë dhe viktimave franceze të sulmeve jashtë vendit, ndërkohë që vendndodhja e saktë e muzeut pritet të vendoset në pranverën e ardhshme. / KultPlus.com