Bebe Rexha publikon këngën ‘Die For a Man’ (VIDEO)

Këngëtarja e famshme shqiptare, Bebe Rexha sot ka publikuar këngën e saj më të re. Kënga titullohet ”Die for a man” dhe është pjesë e albumit të saj të katërt me radhë që mban titullin ”Better Mistakes”, shkruan KultPlus.

”Die for a man” është në bashkëpunim me reperin Lil Ui Vert, ndërkaq videoklipi i këngës nuk është realizuar akoma dhe këngëtarja nuk ka bërë të ditur nëse pritet edhe videoklipi i këngës.

Ndërkaq, këngët e saj tjera të publikuara nga ky album janë ”Sacrifice” dhe ”Sabotage”. / KultPlus.com

Uh! Evropë, ti kurva e motit!

Poezi nga Gjergj Fishta

Uh! Europë, ti kurva e motit,
Qi i rae mohit besës e Zotit,
Po a ky â shêji i gjytetnís:
Me dá tokën e Shqypnís

Për me mbajtë klysht e Rusís?
Po ti a kshtû sod na i perligje
Njata burra qi m’ kto brigje
Për tý vehten bâne flije
Kur ti heshtshe prej ligshtije?

Át Gjergj Fishta, Lahuta e Malcís, Kanga XIII, vargjet 40–49 (Shkoder, 1933). / KultPlus.com

Saranda e mrekullueshme nën dritën e hënës (FOTO)

Qyteti bregdetar i Sarandës ka tërhequr gjithmonë turistë të shumtë, pasi posedon bukuri ndër më të rrallat natyrore, shkruan KultPlus.

Sonte, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar disa fotografi të këtij vendi përrallor.

Në fotografi shihen turistë e qytetarë të cilët kanë dalur e po shijojnë natën e sontme pranë bregdetit shqiptar.

Më poshtë gjeni fotografitë e publikuara nga Rama. / KultPlus.com

9-vjeçari autik boton librin ‘Lulëkuqja’

”Një fëmijë s’është i talentuar vetëm kur vlerësohet me nota të larta në shkollë, por dhe kur arrin të shikojë botën ndryshe”, ka thënë Chuck Grassley. Këtë arrin ta bëjë dhe Jamarbër Joxha,  9-vjeçari me probleme të spektrit autik, i cili ka zgjedh që ndjesitë e tij të fëmijërisë për lulet, prindërit edhe të tjerë të afërm i ka mbledh në librin “Lulëkuqja” (AuvernaMon), duke i hapur kështu rrugë një udhëtimi të munguar në letrat shqipe.  

“Unë i’u dua shumë, Tirana është bota më e madhe për mua. Dua që ky libër i sapobotuar të bëhet pjesë e botës poetike, siç janë bërë veprat e Martin Camajt, Ismail Kadares edhe Dritëro Agollit”, shprehet Jamarbër Hoxha.

“Botimet tona u kujdesën për këtë promovim, pasi në këtë muaj përkon dhe një ditë që përkujton autizmin. Jamarbëri është një fëmijë i talentuar që di të shkruaj shumë bukur, që flet disa gjuhë të huaja, por edhe ka një karakter të veçantë, që duhet të njihet edhe nga lexuesit”, shprehet botuesja Toçi.

Një fëmijë autik nuk duhet të ndryshohet, por duhet kuptuar dhe dëgjuar me zemër. Prandaj  kushdo nga ne duhet të dijë t’i përcjellë dashuri kurdoherë dhe kudo në shkollë, jetë edhe punë, rrëfen profesor Edmond Tupja, i cili ndal edhe tek eksperienca e tij personale, si prind i një fëmije ndryshe  

“Tërë ata prindër, familjarët që kanë dikë që e duan shumë me auztizëm janë heroina edhe heronj. Këtë e kam përjetuar nën lëkurë. Ime shoqe është një heroinë. Ka fëmijë që falë shkencës dhe teknologjisë ndryshojnë, siç është edhe Jamambri. Mua të dy krahët e politikës shqiptare kanë pas dëshirë të më çojnë që të shërohet fëmija. Por kjo nuk është çështje mjeku, se duhet që të maresh tërë shtëpinë, lagjen etj. Që ta çosh atje. Kjo është e pamundur, prandaj duhet që t’u falni dashuri, se nuk bëni dot aktorëllëk me ta”, shprehet Tupja.

Promovimi i librit të Jamarbër  Hoxha u promovua në kuadër të programit të festivalit “Ditëve të librit”.  /shqiptarja/ KultPlus.com

Në Portugali hapet ura më e gjatë në botë për këmbësorë

Portugalia sot ka hapur urën më të gjatë të këmbësorëve në botë. Një urë kjo e cila ka marrë plot tre vite për t’u ndërtuar, përcjell KultPlus.

Ura quhet “516 Arouca” dhe është e gjatë 516 metra, ndërkaq është e vendosur në qytetin e Aroucas, e cila lidh ujëvarën e Aguieriras dhe Paiva Gorges.

Ajo është bërë e njohur pasi do të krijojë mundësi për zhvillimin e sporteve ekstreme. Rruga nëpër urë mund t’ia marr secilit afërsisht 10 minuta, për ta kaluar.

Ura është e stilit Tibetin, ndërkohë që ajo është e ndërtuar në atë mënyrë, që mbahet nga kabllo të hekurit dhe dy kulla në formë të V-së. Ajo ndodhet afro 515 metra në lartësi prej tokës. / KultPlus.com

Rafet Rudi: Jokonvencionaliteti i Muharrem Qenës, burimi i origjinalitetit të tij krijues

Shkruan: Rafet Rudi

…pa asnjë mëdyshje, Muharrem Qena mbetet njëri prej figurave më unike bë botën tonë të artit dhe kulturës. Atë e njohim si regjisor, si aktor, si interpret (i muzikës së lehtë), si shkrimtar, kurse në biografinë e tij shkruan se ai punoi edhe si producent e skenaris! Të gjitha këto forma të shprehjes, sado të dallueshme që janë, ato dëshmojnë për një artist të kompletuar me kreativitet të jashtëzakonshëm, që nuk harron asnjëherë se vlerë e pakontestueshme në krijimtari është sinqeriteti.

Muzika- vokacioni sekundar?

Paraqitja e Muharrem Qenës në fushën e këngës bëhet në një mënyrë krejtësisht origjinale. Ai është interpret që këndimin (dhe fushën e këngës) nuk e ka “detyrim” të profesionit. Ai nuk këndon për të zhvilluar karrierë muzikore, për të bërë emër në muzikë. Në të vërtetë ai është shumë larg percepcionit të till. Përshtypja mbetet ndonjëherë se ai “terthorazi” është në futur në botën muzikore. Në kohën kur “Kaçurelja” e tij vërshonte radiostacionet tona, ai ishte një emër i madh në botën e teatrit dhe publiku e njihte, në rradhë të parë si regjisor. Ky ishte persepcioni themelor për të. Ne të rinjtë e asaj kohe, shpesh në qytet, i kemi ndeshur “dy artistë ikonik” të Prishtinës, boemë të pa epur (që i jepnin sharm Prishtinës së dikurshme), duke diskutuar për tema të mëdha, pa ndonjë shkas apo qëllim të veçantë. Ishin këta Rexhoja (Mulliqi) dhe Muharemi, dy personalitete me të cilat identifikoheshin bota e muzikës dhe ajo e teatrit.

Emrin e M. Qenës nuk e gjejmë në programet e festivaleve të kohës, në manifestimet e mëdhaja muzikore, e as në koncerte ambicioze të asaj periudhe etj. Në muzikë ai zgjodhi rolin e vetmitarit. Dukej se ai nuk u nështrohej kategorive të tilla vlerësuese. Në të vërtet, ai nuk i “nënshtrohej” asnjë konvencioni që do ta përcellnin karrierën e një këngëtari të zakonshëm, Në anën tjetër, aktiviteti i tij në fushën e muzikës nuk ishte konstant. Kjo nuk ndodhte për faktin se ai merrej me veprimtari të tjera, por për një arsye tjetër, shumë më thelbësore – ai shfaqej në muzikë vetëm kur kishte “për të thënë” diçka. Muzika për të nuk ishte kapërcim i një pengese për të arritur një qëllim apo shkallë më të lart. Përkundrazi, për të muzika ishte qëllim në vete, ishte si një prehje e çastit! Art që, si duket, e lironte nga telashet e jetës teatrore, që i shkaktonin aq shumë dhembje (sic kuptojmë nga biografia e tij).

Përshkrues i mrekullueshëm i ”situatave” të thjeshta jetësore

Këngët e tia janë të thjeshta dhe spontane, por, njëkohësisht janë të logjikshme, dhe të strukturuara mirë. M. Qena është një interpret që rrëfen bukur. Ai është interpret i mrekullueshëm i “situatave” të thjeshta jetësore. Përmes këngëve ai ka nevojë (në mënyrë të vet), “të spjegon” një ngjarje të veçantë, “të deklamon” një porosi të veçantë apo “të përshkruan” një emocion të veçantë. Nëse analizohen këngët e tij kulte “Kaçurrelja”, “Salepxhiu” etj., do të vërejmë se ai në mënyrë shumë precise e përshkruan një “situatë” të caktuar, me të gjitha detajet, me ngjyrime përcjellëse poetike, me ç’rast rëfimi bëhet një storie e gjallë dhe e besueshme. Së këndejmi muzika e tij është ‘‘vizuale”, meqë këngët e tija duken si një storie e shkurtër filmike apo është një fotografi e vetme, mirë e kadruar, e qartë, dhe e planifikuar më parë. Që në dëgjim të parë (ta zëmë të këtyre këngëve të përmendura), papritmaz para dëgjuesit shfaqet një pamje e qartë, ku në të do të vëreni ambientin ku zhvillohet ngjarja, personazhet mirë të profilizuar, mizaskenën precize që e pasqyron storien, deri në detaje më të vogla etj.

Rëndësia e fjalës në këngët e M. Qenës

M. Qena e ka kuptuar drejt thelbin e muzikës vokale. Ai është i vetëdijshëm se kënga si formë e thjeshtë e kësaj gjinie përbëhet prej dy komponenteve të rëndësisë së njejtë – prej tingullit (apo melodisë) dhe prej fjalës (tekstit). Derisa interpretët tjerë, shpeshëherë, thellohen vetëm në aspektin muzikor dhe shqajnë vetëm elementet vokale, ai, ndërkaq, i jep rëndësi të madhe fjalës. Në këtë drejtim, duhet thënë se, nga tërë gjenerata e interpretëve e vjetër e këngës sonë zbavitëse, është ai, bashkë me Jusuf Gërvallën të vetmit që kanë kujdes maksimal ndaj komponentës tekstuale (përmbajtësor) të këngës. Për M. Qenën, kjo (komponentë) është transmetuese direkte dhe esenciale e porosisë së këngës. Fjalën (tekstin) e shqipton me sugjestivitet të duhur, asaj i jep fuqinë e merituar, duke pasur kujdes në intonacionin adekuat, akcentimin me sugjestivitet të fjalëve kyçe në tekst, duke i dhënë vërtetësinë e duhur.

Pikërisht ky trajtim i kujdesshëm i tekstit e bën M. Qenën të afërt me casjen që kanë shansonjerët francez në muzikën e tyre, tek të cilët fjala poetike është thelbi i këngës. Nuk është çudi që, në shumtën e rasteve, interpretë të shansonave janë njëkohësisht edhe poetë. Psh., një Gi Beart apo Zhorzh Brasens, famën në muzikën franceze nuk e kanë arritur me cilësitë e vokalit të tyre, por me fuqinë e transmetimit të komponentës tekstuale, prandaj ata kanë arritur të ngjiten në majat e shansonës franceze. Publiku, në muzikën e tyre, pëlqejnë dhe adhurojnë (pos muzikalitetit të domosdoshëm), mënyrën e rëfimit dhe mënyrën e deklamimit poetik.

Virtuoziteti i Salepxhiut!

Për të parë se me sa kujdes ai i qaset tekstit, mjafton të analizohet interpretimi i këngës “Salepxhiu” Në këtë këngë, M. Qena është, njëkohësisht, dramaturg, regjisor, aktor dhe këngëtar! Ai bëhet një “interpret” i gjithanshëm i këngës. Duke e trajtuar tekstin e këngës si një dromcë të shkëputur nga një mjuzikël, ai përdor teknikën e shprehjes që e ndeshim në mjuzikël. Struktura e tekstit kushtëzon një trajtim të tillë. Ndonëse, në të parë kënga lë përshtypjen e një parodie të thjeshtë (meqë ka një tekst të shkurtër dhe jo pretencioz), ajo në esencë është mjaft komplekse, sidomos në planin interpretativ. Në këngë përshkruhet një parakalim i rëndomtë, në rrugë, i shitësit të salepit (salepxhiut), në një prej qyteteve tona, me ç’rast pikturohet bukur pamja idilike e një ambienti oriental-otoman, të cilat karakterizonin qytetet tona dikur. Ai, si individ (interpret) i vetëm në këtë storie, njëkohësisht pasqyron katër katër personazhe: perosnazhin e salepxhiut (personazhit kryesor), të naratoritqytetarit (plakës që proteston për zhurmën që bën salepxhiu) dhe në fund Finalja (që duket si skenë e “popullit”). Një element i zakonshëm në dramaturgjinë e mjuziklit, ku të gjithë personazhet bien dakord se “Salepi pastron gërmazin…se osht me xhanxhafil”. Ai këtë diferencim të saktë të personazheve arrinë ta bëj me modifikim të zërit dhe me ndryshim të intonacionit në deklamimin e tekstit. Këtë e bën me një sugjestivitet prej aktori të jashtëzakonshëm.

Qena, si interpret (aktor e këngëtar) me përpikëri i realizon porositë e Qenës regjisor.

Pa asnjë mëdyshje, Muharrem Qena mbetet njëri prej figurave më unike në botën tonë të artit dhe kulturës. Jokonvencionaliteti i personalitetit M. Qenës, që e ka karakterizuar atë si individ e si krijues, ka bërë që kontributi i tij “modest” në muzikë, të adhurohet sot e kësaj dite, madje edhe prej një gjenerate të re që nuk e ka njohur atë më parë.

Bredhovë (Brezovicë)

28/04/2021

  • Rafet Rudi në jetën muzikore të Kosovës , me veprimtarinë e tij si kompozitor, si dirigjent dhe si mendimtar shprehur në fushën e publisistikës dhe filozofisë së muzikës, si anëtar i Akademisë Europiane të Shkencës dhe Arteve, paraqet personalitetin më të spikatur dhe më aktiv në 2-3 dekadat e fundit në botën muzikore të Kosovës

https://www.facebook.com/rudirafet / KultPlus.com

Muzeu i Përmetit, destinacion i rëndësishëm arkeologjik dhe kulturor

Muzeu vendor i Përmetit po i rikthehet qytetit si një pasuri e çmuar dhe unikale.

Bashkia e Përmetit bën të ditur se “nuk është mbushur ende një vit dhe në ambientet e brendshme, ku objektet ishin të shpërndara në mënyrë kaotike dhe të patrajtuara, janë krijuar pavijone si pavijoni i Arkeologjisë, pavijoni i Artizanatit, pavijoni i Luftës, pavijoni i Vëllezërve Frashëri, pavijoni i Odhise Paskalit”.

Objektet, që tashmë janë koleksione muzeale dinjitoze, u pastruan dhe u trajtuan për t’i kataloguar, prezantuar dhe ekspozuar denjësisht.

Muzeu do të jetë një destinacion i rëndësishëm arkeologjik dhe kulturor, me program dhe aktivitete që do t’i shërbejnë një audience të gjerë dhe të larmishme përfshirë të gjithë vizitorët e qytetit tonë, duke u bërë destinacioni më i sugjeruar nga të gjithë operatorët turistikë.

Muzeu i ri, pasuria e të gjithë qytetarëve fillon të funksionojë me një vizion të ri për të vazhduar me hapjen e pavijoneve të tjerë. /atsh/ KultPlus.com

Rrojtja ime s’osht ma jetë, oh natë e ditë me lot po qaj (VIDEO)

Fitnete Rexha ishte një ndër këngëtaret më të shquara të muzikës popullore të Shqipërisë së mesme, kryesisht të muzikës popullore qytetare tiranase.

Rreth moshës 15 vjeçare këndoi dhe regjistroni këngët e para popullore në Radio-Tirana nën shoqërinë e grupit orkestral të Shqipërisë së mesme të drejtuar nga Muharrem Gura dhe Skënder Reka.

Ndër këngët më të bukura të kënduara prej Fitnete Rexhës përmendim: ”Te selvitë e Namazgjasë”, ”Qënke veshur me të bardha”, ”Mun aty tek shtatë zymbylat”, ”Dy të bukurat në nji derë” etj. Ka regjistruar rreth 200 këngë popullore të Shqipërisë së Mesme.

Sonte, KultPlus ju sjell këngën ”Dashuria si rrufe”, e cila kësaj radhe vjen nën zërin e mahnitshëm të Fitnete Rexhës.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.

Dashunia si rrufe
Ç’më goditi mu në kokë x2

Nuk kam gjuhë që t’ju rrëfej
O ç’më ka gjetur more shokë x2

Ç’më gremisi sevda e shkretë
Pleqënia s’mund ta mbajë x2

Rrojtja ime s’osht ma jetë
Oh natë e ditë me lot po qaj x2

Ku qëlloi kjo ditë e zezë
Me u taku o ne të dy x2

Unë kam ngelun krejt pa shpresë
O s’kam me t’pamun ma me sy x2
. / KultPlus.com

Prindërit e braktisën se ishte albine, sot ajo thyen rekorde në ‘Vogue’

Kur Xueli ishte foshnjë, prindërit e saj e lanë jashtë një jetimoreje, pasi në Kinë, albinizmi nga disa njerëz shihet si një mallkim.

Albinizmi është një çrregullim gjenetik, që karakterizohet nga mungesa e pigmentimit. Kështu, njerëzit albin kanë lëkurë dhe flokë më të zbehtë se të tjerët.

Por dukja ndryshe e çoi Xuelin në karrierën e saj të modelimit. Tani ajo është 16 vjeçe dhe po kryeson në revistën prestigjioze të modës “Vogue”, përcjell KultPlus.

Ajo tregon historinë e jetës së saj.

“Stafi në jetimore më vuri emrin Xue Li. Xue do të thotë borë dhe Li do të thotë e bukur. Unë u birësova kur isha tre vjeç dhe shkova të jetoja me nënën dhe motrën time në Holandë.

Në kohën kur unë linda në Kinë, qeveria zbatoi një politikë me një fëmijë mbi familjet. Disa fëmijë, si unë, u braktisën, të tjerët rrini të mbyllur ose nëse shkonin në shkollë pasi lyenin flokët.

Por, në disa vende në Afrikë, atyre mund t’u priten gjymtyrët ose të vriten. Mjekët magjistarë përdorin kockat e tyre për të bërë ilaçe pasi njerëzit besojnë se këto mund të shërojnë sëmundje por sigurisht që kjo nuk është e vërtetë, këto besime janë mite. Jam me fat që vetëm u braktisa.

Prindërit biologjikë nuk kanë lanë asnjë informacion për mua, kështu që nuk e di kur është ditëlindja ime. Por, bëra një radiografi të dorës për të marrë një ide më të saktë të moshës dhe mjekët menduan se 15 është data më e saktë”.

Xueli tregon se u përfshi në botën e modelingut kur ishte 11 vjeçe. “Një nga fotot që një agjenci shkrepi për mua u shfaq në edicionin e Vogue Italia, në qershor 2019 me Lana del Rey në kopertinë. Në atë kohë, nuk e dija se sa revistë e rëndësishme ishte dhe më duhej pak kohë për të kuptuar pse njerëzit u entuziazmuan kaq shumë”.

“Në modelim, të dukesh ndryshe është një bekim jo një mallkim dhe më jep një hapësirë për të rritur ndërgjegjësimin për albinizmin.
Modelet me albinizëm shpesh stereotipizohen dhe përdoren për të simbolizuar engjëjt ose fantazmat dhe kjo më trishton. Sidomos nëse përjetëson ato besime që rrezikojnë jetën e fëmijëve me albinizëm në vende të tilla si Tanzania dhe Malavi”, shton modelja. / KultPlus.com

Pellegrino Turri, italiani që për herë të parë prodhoi makinën e shkrimit

Më 30 prill 1808 u prodhua makina e parë e shkrimit nga italiani Pellegrino Turri. Dy vjet më parë, 1806, ai kishte shpikur edhe letrën e karbonit.

Makina e shkrimit filloi të prodhohej komercialisht vetëm pas vitit 1870, ndërsa modeli i tastierës që përdoret sot, u projektua nga Christopher Sholes në vitin 1874.

Në vitin 1873, E. Remington dhe Sons fituan dhe përmirsuan makinën dhe e vendosën në treg po të njejtin vit në muajon Korrik si Remington Nr.1.

Për industritë dhe bizneset e korporatave, veçanërisht në fund të shekullit të 19-të, kishte një kërkesë në rritje për makinat shtypëse për të cilat pajisja Sholes dhe Glidden ishte e përshtatshme për të.

Sidoqoftë, publiku fillimisht ishte skeptik ndaj pajisjes dhe e shikonte me dyshim. Për ta keqësuar, makina mund të shkruante vetëm shkronja të mëdha, të cilat disa njerëz i konsideronin fyese. Sidoqoftë, me prezantimin e Remington Nr.2, shumica e shqetësimeve u adresuan pasi makina ishte më miqësore dhe gjithashtu mund të shkruante në të dy rastet, shkronja të vogla dhe të mëdha. / KultPlus.com

20-vjeçarja nga Prishtina që jeton me 28-të qen

Dhunimi i kafshëve është një fenomen shqetësues në Shqipëri, pasi denoncime te tilla janë bërë nga qytetarët shpesh në rrjetet sociale edhe në qytetet e tjera në rrethe si Pogradeci, Bulqiza, Gjirokastra ku kanë qarkulluar foto dhe video të dhjeta qenve të ngordhur nga helmimi.

Kjo temë është komentuar sot në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ku në një lidhje live nga Kosova, ishte një 20-vjeçare e cila ka 28 qen, transmeton KultPlus.

Ajo është Artina Selimi nga Prishtina, familja e së cilës e ka kthyer në tradite familjare prej 39-vitesh përkujdesjen e kafshëve kryesisht të qenve. Ata kujdesen për kafshë të ndryshme si qen, mace shpezë.

Kafshët i shesin duke i zgjedhur me kujdes familjet në mënyrë që të jenë familje që janë në gjendje të kujdesen për ta. Së fundmi ata kanë strehuar një qen endacak nga Shqipëria,Tirana (Skubi) i cili nëse nuk do ishte strehuar nga familja do ishte vrarë nga Bashkia.

“Unë kam 28 qen që i kam marrë nga rrugët e Kosovës, e një ma kanë sjellë nga Shqipëria. Një aktiviste, nuk e mbaj mend se e ka marrë nëna ime.

Bashkia e Tiranës ka dashtë me e vra qenin dhe aktivistët e kanë marrë në arrati, ka qenë edhe kohë pandemie. E kanë gjetur transportin dhe e kanë sjellë te ne.

Unë me mamin jemi kultivuese. Mami ka 39 vite që merret me këtë punë. Me mundësitë që ne kemi, shpëtojmë qentë që të mos bien në duart e gabuara”, tha Artina Selimi.

Sipas saj nuk shkojnë shumë shpenzimet, pasi ushqimet i bëjnë vetë, nuk i marrin të gjitha të gatshme në dyqan.

“Nuk shkon shumë. 100-200 euro në një mua”, tha e reja, e cila shtoi: “Më mirë të rrish me një qen se sa me një njeri. Stresin që ta sjellin njerëzit, kurrë nuk ta sjellin kafshët”. / KultPlus.com

Japonia, disa nga gjërat që mund t’i shihni vetëm në këtë vend të çudirave (FOTO)

Japonia është një nga vendet më të veçanta në botë.

Ajo ka një kulturë të veçantë që i kushton vëmendje detajeve që e dallojnë nga vendet e tjera, transmeton KultPlus.

Këtu janë 17 shembujt që rrallë shihen në vendet e tjera të botës.

Në Japoni, ka restorante që shërbejnë vetëm ushqime të konservuara

Mund të ndodhë që pantofla të veçanta të presin kur të shkoni në tualet

Në shkallët lëvizëse, japonezët gjithmonë qëndrojnë majtas

Lënia e çadrave para dyqaneve është e zakonshme. Nuk ka asnjë mënyrë që dikush do t’i vjedhë

Kalimet diagonale të këmbësorëve janë normale në Tokio.

Në Japoni ka “letër higjienike të telefonit celular”. Telefonat celularë mund të mbajnë më shumë baktere sesa tasat e tualetit

Krejtësisht normale është të hasësh një shalqi në formë kubi

Në Japoni, ka 1 kioskë të tillë për çdo 25 banorë

Në bankomate shpesh do të gjeni një vend për të lënë një kafe ose ndonjë pije tjetër

Stafi i aeroportit gjithmonë përshëndet aeroplanin që niset

Disa tualete publike kanë një ekran që tregon vendet e lira të punës

Shumica e tualeteve publike kanë një vend për të vendosur foshnjat

Në Japoni, shpesh do të shihni kroje tualeti që kursejnë ujë si kjo

Kapakët e kanalizimeve shpesh janë në të vërtetë një vepër arti

Japonia është jashtëzakonisht e pastër, shumë vëmendje i kushtohet kësaj

Në rrugët e qytetit të Shimabaras mund të shihni kanalet me peshqit legjendar Koi

Fëmijët shpesh qëndrojnë për të pastruar korridoret e shkollës pas mësimit

Nga një piktor i dështuar në një diktator të tmerrshëm, faktet e padëgjuara rreth Hitlerit

Diktatori i njohur gjerman, Adolf Hitler ka vdekur më 30 prill të vitit 1945. Shpesh thuhet se ky i fundit ka bërë vetëvrajse, e shpesh herë edhe se ka mashtruar për vdekjen e tij.

Ishte përgjegjës për 60 deri në 85 milion vdekje gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Emri i tij sjell konotacione të vrasjes, mjerimit, luftës, holokaustit dhe përpjekjes së shfarosjes së çifutëve dhe minoriteteve tjera.Pavarësisht se Hitleri ishte një nga njerëzit më të dokumentuar në historinë njerëzore, ende ka pak fakt të njohura për të. Këto janë disa nga faktet e padëgjuara rreth tij.

Sot, në përvjetorin e vdekjes së tij, KultPlus ju sjell disa fakte të panjohura për diktatorin gjerman.

Hitleri duhej të jetonte në strehimore për të pastrehët për një kohë: Si shumë austriakë, edhe Hitleri filloi të tërhiqej nga idetë nacionaliste gjermane që nga mosha e re. Babai i tij vdiq kur ai ishte 14 vjeç, dhe më pas performance e Hitlerit në shkollë ra. 2 vite më vonë ai ndërroi shkollën dhe u regjistrua në një shkollë në Austrinë e Epërme.Nëna e tij vdiq nga kanceri I gjirit në moshën 47 vjeç. Ndërsa në moshën 18-19 vjeç, ai u refuzua nga Akademia e Arteve të Bukura, pasi u shpall  i papërshtatshëm për pikturë. Hitleri nisi të shiste piktura, por për shkak të mungesës së cilësisë dhe burimeve, ai dështoi. Ai vazhdonte të lëvizte nga një vend në tjetrin, pasi kursimet e tij gradualisht zvogëloheshin dhe stili i jetës u përkeqësua. Gjysëm i uritur dhe i ngrirë, i duhej të jetonte në strehimore në Vjenë, por pas 3 vitesh ai mori trashëgiminë e babait të tij dhe u transferua në Mynih.

Hitleri u verbua përkohësisht të paktën një herë nga sulmi me gaz: Gjatë sulmit në kampin e tij me 15 tetor 1918, gjaatë Luftës së Dytë Botërore u verbua përkohësisht dhe u shtrua në spital. Gjatë kohës sa ishte atje, ai mësoi për humbjen e Gjermanisë dhe armëpushimin me Britaninë e Francën. Thuhet se kur dëgjoi një lajm kaq të tmerrshëm për gjermanët, pësoi verbërim të përkohshë.

Vuante nga sëmundja e Parkinsonit: Studiuesit kanë sugjeruar që Hitleri vuante nga një numër sëmundjesh, përfshiirë edhe sëmundjen e Parkinsonit. Disa e përshkruanin atë si një psikopat neurotic. Sëmundja e Parkinsonit është një çrregullim degjenerues i sistemit nervor qendror, që ndikon në lëvizjen, kujtesë, në të menduarit dhe sjelljet e pacientit.

Hitleri nuk vizitoi kurrë një kamp përqendrimi: Shumica e 11 milion hebrenjve, dhe pakicave të tjera të vrarë gjatë Holokaustit nga forcat naziste të Hitlerit, u vranë në 1200 kampe të përqendrimit nazist. Kampi i parë u krijua në Gjermani me 1933, ato u ndërtuan për të mbajtur dhe torturuar organizatorët e sindikatave dhe kundërshtarët politikë. Hitleri nuk vizitoi kurrë një kamp të tillë, edhe pse këto kampe ishin të ndërtuara në lindje. Kjo distancë që mbajti Hitleri mes vetes dhe vendit të vrasjes, ka nxitur pretendimet e bëra nga mbështetësist neo-nazistë se Hitleri nuk ishte përgjegjës për atë që po ndodhte.

Hitleri dëshironte të bëhej prift kur ishte fëmijë: Ai lindi nga një nënë katolike dhe një baba antiklerik. Kur ishte 8 vjeç, ai këndonte në korin e kishave dhe mori mësime për të kënduar që të përmirësonte vokalin e tij. Ai madje aspironte të behej prift.

Hitleri merrte kokainë dhe koktej drogash në mënyrë të rregullt: Ai përdori një inhalator për të marrë rregullisht kokainë, për të ndihmuar problemet e fytit dhe sinusit, nga të cilat vuante. Gjithashtu përdori pikat e syve të përziera me 10% kokainë. Mjeku i Hitlerit, Dr Theodore Morel ishte përgjegjës për përshkrimin e këtyre ilaçeve dhe hetuesit amerikanë deshën ta dinin nëse  Morell, ishte një agjent i dyfishtë që përpiqej ta dëmtonte shëndetin e tij.

Hitleri u nominua për çmimin Nobel për paqe në 1939: Stalini dhe Hitleri, të dy personazhet u nominuuan për çmimin Nobel për paqe. Por nominimi i Hitlerit supozohej të ishte një ironi dhe shaka. Një anëtar i parlamentit suedez nominoi atë, me synimin që të kritikonte qeverinë suedeze. Kjo gjë nuk u prit mirë dhe ai u detyrua të tërhiqte këtë nominim.

Hitleri hoqi një pjesë të mustaqeve të tij, pasi ato gati e vranë atë: Mustaqet e Hitlerit nnuk ishin gjithmonë ashtu si duken. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai kishte mustaqe të plota. Por gjatë sulmeve me gaz, Hitleri nuk mund të hiqte maskën e tij të frymëmarrjes nga fytyra e tij për shkak të mustaqeve, kështu ai pothuajse vdiq për shkak të pranisë së gazit. Si rezultat, mbikëqyrësit e Hitlerit urdhëruan atë të hiqte mustaqet e tij, për të lehtësuar veshjen e maskave të gazit. / KultPlus.com

‘CMT Music Awards 2021’ publikon datat

”CMT Awards 2021”, ngjarje kjo e cila mbledhë yjet e mëdhenj të muzikës Country, këtë vit do të mbahet më 9 qershor, përcjell KultPlus.

CMT ka bërë të ditur se ngjarja do të mbahet për dy orë e gjysmë, mirëpo nuk ka dhënë detaje në lidhje me mënyrën e organizimit, duke marrë parasyshë situatën pandemike.

Ngjarja virtuale e vitit të kaluar, e cila u mbajt në tetor, po ashtu mirëpriti Maren Morris, Luke Bryan dhe Shania Tëain, gjersa interpretuan edhe yjet e muzikës pop si: Halsey dhe Noah Cyrus.

Fituesit e çmimeve janë të përcaktuar nga publiku, duke e bërë kështu “CMT Music Awards” shfaqjen e vetme të çmimeve muzikore që vendoset tërësisht nga votimi i fansave. / KultPlus.com

Pa filluar vikendi, kosovarët nisen masivisht për Shqipëri

Temperaturat e larta dhe Festa e 1 Majit, ka shkaktuar nisjen e shqiptarëve të Kosovës në bregdetin shqiptar.

Fundjava ka sjelur një fluks kosovarë në pikën kufitare të Morinës.

Dalja nga pika kufitare në Morinë(Vërmicë) sipas Qendrës për Menaxhimin e Kufirit zgjat 15-20 minuta, teksa kolona të veturave ka në një gjatësi deri në 70 metra.

Temperaturat e larta dhe Festa e 1 Majit, ka shkaktuar nisjen e shqiptarëve të Kosovës në bregdetin shqiptar.

Vetëm deri në mesditën e së premtes mbi 5600 qytetarë kanë kaluar pikën kufitare në drejtim të Shqipërisë.

Ndër të tjera mësohet se përveç qytetarëve që kanë zgjedhur Shqipërinë për pushime, ka dhe shumë të tjerë të cilët vijnë për arsye pune. /gazetaexpress/ KultPlus.com

Aktori Alban Ukaj një zë aktiv i shoqërisë në Bosnjë

Nëse nuk bisedojmë për ngjarjet pas viteve 90-të në ish-Jugosllavi dhe nuk jemi të gatshëm t`i pranojmë gabimet tona, kam frikë se do të na përsëriten gjërat e asaj periudhe – thotë për DW aktori Alban Ukaj.

Alban Ukaj e ka filluar karrierën e aktrimit në hapësirat e zyrave të minatorëve në Prishtinë. Aty gjendej Akademia pas luftës në Kosovë. Disa vite më vonë shkoi për herë të parë në Sarajevë. Ai nuk e dinte gjuhën, por kishte vendosur të shpërngulej dhe vazhdonte studimet në Sarajevë. Nga ajo kohë kanë kaluar 20 vite. Albani thotë se ka menduar se do të shkonte diku tjetër, apo do të kthehej në Prishtinë. Por vitin e tretë të studimeve nisi të punonte dhe nga ajo kohë jeton aty.

“Në njëfarë mënyrë kam ndërtuar një familje timen në Sarajevë dhe kur më pyet dikush pse Sarajeva, i kam disa personazhe që i përmend. E kam marrë edhe një vullnet më të madh që të bëj një vazhdimësi të asaj që kanë bërë ata gjatë luftës e shfaqje pasi kanë pasur mbi 120 e ca premiera gjatë atyre katër viteve të luftës këtu dhe jam emocionalisht disi i lidhur me qytetin.” – thotë Albani.  

Alban Ukaj, aktori me origjinë nga Kosova ka punuar në shumë teatro të rajonit. Ai është i punësuar në teatrin që nisi punën në kohën e shtetrrethimit të Sarajevës SARTR, por ka dhënë shfaqje edhe në Teatrin Kombëtar.

Ukaj është zë aktiv i shoqërisë në Bosnje dhe kritik i ashpër i fenomeneve në shoqëri. Është marrë me temën e luftës dhe është një nga artistët e angazhuar, kritik i nacionalizmit dhe debaton në vazhdimësi për të shkuarën.  

“Quo vadis, Aida?”

Në filmin boshnjak “Quo vadis, Aida?” që u nominua për Oscar në kategorinë e filmave të huaj, por që ndonëse favorit nuk fitoi, Albani luan rolin e njërit prej të punësuarve në bazën e atëhershme të OKB-së ku u vranë mbi 8 mijë myslimanë. Filmi tregon historinë e masakrës së Srebrenicës përmes përkthyesve dhe paraqet fatin e Aidës, që nuk e shpëtoi dot familjen e saj.

“Që të mos përsëritet diҫka e ngjashmë prapë, duhet ndoshta me qenë radikal në aspektin, të përmendet ajo periudhë, të bashkëjetohet me problemet që janë bërë dhe krimet që janë bërë gjatë viteve të ’90 në ish-Jugosllavi për ta pasur një lloj pastrimi personal secili prej nesh në këto shtetet që janë formuar pas shpartallimit të ish-Jugosllavisë.” – thotë aktori.

Ai tregon se ka njëfarë frike që brezat e rinj që po vijnë, sidomos në kryeqendrat e ish-Jugosllavisë “po bëhen më nacionalistë dhe më radikalë nga sa kanë qenë gjeneratat tona të viteve ’90.

Nëse vazhdojmë me përzgjedh fryma të djathta në qeveri, e kam një frikë që nëse mundohemi ta shtypim brenda atë frustrimin që e kemi prej viteve ’90 dhe nuk e lejojmë të dalë jashtë, nuk bisedojmë për atë punë, nuk jemi të gatshëm t’i pranojmë gabimet tona, nuk jemi të gatshëm t’i pranojmë krimet tona – atëherë frikësohem se do na përsëriten gjërat e asaj periudhe.” – thotë  Alban Ukaj. / KultPlus.com

Këngëtarja turke kopjon këngën e famshme të arbëreshëve “Lule-Lule” (VIDEO)

Këngëtarja e famshme turke Nukhet Duru ka kopjuar këngën simbol të arbëreshëve “Lule Lule Maca Maca”.

Me titullin turk “Kapildin Gitti”, artistja turke ka arritur të marrë më shumë se gjysmë milion klikime në YouTube , por edhe shitje të shumta në i Tunes duke siguruar shuma të mëdha parash nën siglen e shtëpisë diskografike muzikore Sony Music.

Në produksion emri Iiautorit konsiderohet anonim. /Diaspora Shqiptare/ KultPlus.com

RrGK kërkon përfshirjen e grave në dialogun me Serbinë

Rrjeti i Grave të Kosovës ka kërkuar përfshirjen e grave në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në reagimin e RrGK-së thuhet se është shqetësuese mospërfshirja e asnjë gruaje në ekipin e ekspertëve për këtë proces.

“Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) me shqetësim ka përcjellur zhvillimet e fundit rreth angazhimit të ekspertëve për dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, kjo sepse në këtë ekip ekspertësh figurojnë vetëm burra”, thuhet në reagimin e RrGK-së.

Reagimi i plotë:

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) me shqetësim ka përcjellur zhvillimet e fundit rreth angazhimit të ekspertëve për dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, kjo sepse në këtë ekip ekspertësh figurojnë vetëm burra.

Përmes kësaj letre publike, RrGK, si rrjet që përfaqëson interesat e 158 organizatave anëtare, zotohet se do të monitorojë të gjithë procesin e dialogut, duke kërkuar vazhdimisht që ekipi negociues të jetë gjithëpërfshirës dhe që prioritetet e grave të jenë pjesë e agjendës.  RrGK kërkon përfshirjen e grave në ekipin dialogues, si dhe përfshirjen e prioriteve të grave në temat që do të diskutohen. Po ashtu, kujtojmë se RrGK në të kaluarën ka kërkuar përfshirjen në dialog të së paku një gruaje me përvojë nga shoqëria civile, ashtu siç përcaktohet edhe nga Rezoluta 1325 për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. E po ashtu, edhe Ligji për Barazi Gjinore kërkon përfaqësim të barabartë të grave në pozita të tilla vendimmarrëse.

Kështu, RrGK rithekson se jemi të gatshëm të ofrojmë emra të grave të kualifikuara, si dhe mbështetje në organizimin e konsultimeve publike drejt arritjes së një procesi demokratik, transparent dhe gjithëpërfshirës, i cili është qenësor për arritjen e paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe rajon. 

Gjatë vitit që lamë pas, i cili shënoi 20 vjetorin e miratimit të Rezolutës 1325, RrGK u dërgoi letër të hapur Qeverisë së atëhershme të Kosovës dhe të dërguarit special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, z. Miroslav Lajčák. RrGK shprehu shqetësimin për mos përfshirje të grave në ekipe negociuese si dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar me Qeverinë e Kosovës për të propozuar emra të grave me përvojë në këtë fushë, duke listuar po ashtu nevojat e identifikuara në raportin tonë të fundit “Një ulëse në tryezë: Kontributi i grave në proceset e ndërtimit të paqes në Kosovë dhe pritjet e tyre nga këto procese”.

Ky raport ka identifikuar se nevojat e grave dhe vajzave ndaj këtij procesi mbesin të ngjashme me ato që gratë kanë ngritur që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Ky raport, poashtu theksoi faktin se një paqe e qëndrueshme arrihet vetëm atëherë kur ka përfshirje të barabartë të grave dhe burrave. Gjithashtu gratë nuk priren të nënshkruajnë marrëveshje të cilat ato nuk do të mund t’i zbatonin.

Si e tillë, ne kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që në agjendën e dialogut të përfshijë nevojat dhe prioritetet e grave dhe vajzave të ndryshme në Kosovë, të identifikuara rishtazi në këtë raport:

•       Të sigurojë pjesëmarrje përmbajtësore të grave në vendimmarrje në lidhje me negociatat dhe dialogun, si përmes përfshirjes në ekipin zyrtar të negociatave ashtu edhe në konsultime publike;

•       Të kërkojë njohje të Kosovës nga Serbia dhe kërkim falje publike nga shteti serb për krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë;

•       Të sigurojë kthimin e personave të pagjetur;

•       Të sigurojë ndjekjen penale ndaj personave që kanë kryer krime lufte në Kosovë, përfshirë dhunën seksuale të kryer gjatë luftës, duke arritur kështu drejtësinë; dhe

•       Të sigurojë kompensim dhe dëmshpërblim për shkatërrimet materiale, duke përfshirë kthimin e pensioneve.   

Që nga viti 2006, RrGK ka qenë aktiv duke përcjellur dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, duke përfshirë këtu temat dhe përbërjen e ekipit negociues, dhe do të vazhdojmë të jemi zë aktiv në këtë fushë, derisa gratë dhe nevojat e tyre të jenë të përfshira barabartë në dialog. / KultPlus.com

Ekspozita ‘Synime’ vjen në GKK, shpërfaq rrugëtimin 70 vjeçar të artisteve shqiptare

Suada Qorraj

Rrugëtimi i shfaqjes së artisteve shqiptare ndër vite, por dhe artit si njëra nga pikat ky kufijtë e dy vendeve shkrihen si një tersi e vetme, karakteri i së cilës ndërthuret me mendimin feminist, duke sjellë gruan si frymëzim artistik, por dhe një krijuese të artit, është pikërisht një nga themelet mbi të cilat ngritet ekspozita ‘Synime’, shkruan KultPlus.

Udhëtimit ndër vite të këtij arti që fillimisht u shfaq para publikut në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, sot i hapi dyert edhe Galeria Kombëtare e Kosovës, duke sjellë kështu një udhëtim në kohë, të veprave që kishin mbetur në harresë, por dhe të veprave që përfaqësojnë brezin bashkëkohor të artistëve.

Iniciativa e galerive të dy vendeve Shqipëri e Kosovë, si pjesë e kalendarit të tyre të përbashkëta iu besua dy kuratoreve, Adela Demetja dhe Erëmirë Krasniqi, të cilat deri në fillimin e këtij bashkëpunimi që zgjati më shumë se një vit, nuk e njihnin njëra tjetrën.

Teksa qëndronte përballë punës së gjatë dhe njëkohësisht po aq mahnitëse të cilën e kishte realizuar së bashku me Erëmirë Krasniqin, Adela Demetja rrëfeu për KultPlus se fillimet e gjithë këtij procesi kanë nisur nga shikimet e koleksioneve të dy galerive.

“Për këtë projekt kemi filluar punën rreth një vit më parë, sigurisht duke ditur që do të jetë mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe dy galerive, kemi filluar punën me koleksionet dhe veprat që kanë qenë në koleksion. Kjo iniciativë ka ardhur sepse duket nga koleksioni që veprat e artisteve femra janë shumë më të pakta në numër sesa ato të artistëve meshkuj”, ka pohuar ajo.

Pandemia sikurse në çdo fushë tjetër të jetës, kishte ndikuar edhe në punën e dy kuratoreve Demetja e Krasniqi të cilat pjesën më të madhe të procesit dhe hulumtimeve e kishin realizuar në formën online, duke zhvilluar biseda me artistet të cilat synonin ti bënin pjesë të ekspozitës. Tutje ajo ka shtuar se pavarësisht që ekspozita titullohet ‘Synime’, në fillimet e punës nuk kishin një synim të qartë për ekspozitën me qëllim që të mos ndikojnë në diktimin e saj.

“Ka qenë koha e pandemisë dhe i gjithë procesi është bërë online, pra me zoom jemi munduar të flasim me to, ti pyesim se çfarë mendojnë për një ekspozitë të tillë dhe të shikojmë edhe krijimtarinë e tyre. Pra në fillim nuk është se kemi pasur një synim më të qartë pavarësisht se ekspozita quhet synime me idenë  që mos të jemi ne ato që e diktojmë ekspozitën por të shohim se çfarë ka, çfarë temash trajtohen dhe nga pak të ngrihet koncepti kuratorial”, ka treguar Adela Demetja.

Por, krahas takimeve të shumta në platformat online, Demetja tregon se janë takuar fizikisht edhe me artiste e familjarë të atyre që nuk jetojnë, që ju ka ndihmuar edhe më shumë në kuptimin e tematikave të krijimtarisë së artisteve dhe ndërtimin e katër koncepteve kuatoriale.

“Nga fillimet e punës tonë kuptuam edhe disa prej tematikave që vetë krijimtaritë  e artisteve lëvronin dhe ndërtuam katër koncepte kuratoriale të cilat janë ‘Arkivat e trupit’, ‘Gramatika e kujtesës’, ‘Anakronizma të vullnetshëm’ dhe ‘Përmbledhje poetike’. Me anë të këtyre katër koncepteve bëmë si përfundim përzgjedhjen për ekspozitën’, shtoi tutje kuratorja.

Demetja ka theksuar se gjatë procesit të punës për realizimin e kësaj ekspozite është marrë parasysh edhe hapësira në Galerinë e Arteve në Tiranë dhe Galerinë Kombëtare në Prishtinë, por njëkohësisht dhe rëndësinë që ka në vete ‘Synime’ ngase një ekspozitë e tillë realizohet për herë të parë, nga dy vende me pothuajse 40 artiste dhe një shtrirje kohore 70 vjeçare.

Kuartorja Adela Demetja teksa ka treguar se nuk kanë hasur në refuzime nga ana e artisteve për të marrë pjesë në një ekspozitë të tillë, kanë hasur në pyetje të atilla që të bënë të kuptosh se shumica e artisteve tashmë kanë përvetësuar narrativen patriarkale.

“Nuk ka pasur artiste që kanë refuzuar, por ka pasur artiste që sigurisht kanë ngritur pyetje përse kjo ekspozitë, përse vetëm me artiste femra dhe këtu e kemi kuptuar që sigurisht duhet bërë ende shumë në këtë drejtim, pra në përfshirjen dhe në fizibilitetin e artisteve gra sepse vetë fakti që disa prej tyre mendojnë që nuk është e nevojshme që artistet gra të mbështeten në mënyrë të veçantë tregon që ka një problematikë brenda vetë sistemit ku ato e kanë përvetësuar narrativen patriarkale”, ka përfunduar kuartorja.

Gratë artiste veprat e të cilave pas Tiranës tashmë kanë pushtuar edhe muret e hapësirën së Galerisë Kombëtare, përfshijnë artistet e para të artit figurativ e deri tek emrat e njohur te ditëve të sotme si; Silva Agostini, Brigita Antoni, Alma Bakiaj, Lumturi Blloshmi, Lirije Buliqi, Liljana Çefa, Donika Çina, Flaka Haliti, Blerta Hoçia, Majlinda Hoxha, Shpresa Faqi, Fitore Isufi – Koja, Ledia Kostandini, Edona Kryeziu, Hyrije Krypa, Iva Lulashi, Diana Miziri, Silvi Naçi, Matilda Odobashi, Greta Pllana, Edit Pula, Nurhan Qehaja, Alketa Ramaj, Miradije Ramiqi, Anila Rubiku, Merita Selimi, Marina Sula, Eli Xoxa, Alije Vokshi, Alketa Xhafa Mripa, Rudina Xhaferi, Violeta Xhaferi, Sofia Zengo Papadhimitri, Androniqi Zengo Antoniu dhe Valbona Zherka.

Ekspozita ‘Synime’ do të qëndrojë e hapur deri më 30 qershor, 2021 duke ofruar kështu mundësinë për diskutimin e veprave të prodhuara nga gratë dhe duke marrë në konsideratë trajektore të ndryshme artistike që ato kanë thurur në kontekstin e pas Luftës së Dytë Botërore deri më sot./ KultPlus.com

22 vjetori i masakrës në Shtuticë, Osmani: U përkulem dëshmorëve, pa të cilët liria do të mbetej vetëm synim

Më 30 prill të vitit 1999, regjimi serb vuri nën rrethim Shtuticën, Vërbocin dhe fshatrat përreth, duke vrarë mizorisht 300 civil shqiptarë, shkruan KultPlus.

Sot, në 22 vjetorin e kësaj ngjarje të rëndë historike për popullin e Kosovës, presidentja e vendit, Vjosa Osmani vizitoi Kompleksin Memorial në Marinë dhe kujtoi veprën heroike të komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodrës dhe të dëshmorëve të rënë të kësaj zone.

Ky është postimi i plotë i Osmanit:

Tridhjetë prilli i vitit 1999 është ndër ditët më të rënda në historinë e re të Kosovës. Në këtë ditë, forca ushtarake, policore e paramilitare të regjimit serb vunë nën rrethim Shtuticën, Vërbocin dhe fshatrat përreth duke vrarë mizorisht afër 300 civilë shqiptarë.

Heroi Ilaz Kodra me bashkëluftëtarët e UÇK-së, qenë shndërruar në mburojë të popullatës civile në Vërboc e Shtuticë, kur forcat serbe me makineri luftarake mësynë kundër tyre.

Sot, në 22-vjetorin e rënies, e kujtuam veprën heroike të komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodrës dhe të dëshmorëve e të rënëve të kësaj zone.

Ilazi ishte ushtar i hershëm i lirisë, pjesëmarrës i shumë betejave në Drenicë dhe bashkëveprimtar i komandant Adem Jasharit. Ai e dha jetën e tij duke i mbrojtur jetët e të tjerëve, njerëzve të pambrojtur, që ishin bërë cak i vazhdueshëm i forcave serbe.

Duke vendosur lule pranë bustit të tij, ne e nderuam atdhetarizmin, heroizmin dhe përkushtimin e tij për lirinë, si dhe sakrificën e tij për mbrojtjen e popullatës së pambrojtur.

Në kullën e tij, e cila ruan dëshmitë e qëndresës së brezave të familjes Kodra, e rikujtuam qëndresën tonë historike.

Në Kompleksin Memorial në Marinë, ku komandant Ilazi prehet së bashku me shumë heronj të tjerë, u përkulëm në nderim të veprës së tij dhe të gjithë dëshmorëve, pa të cilët liria do të mbetej vetëm synim.

I përjetshëm kujtimi për të rënët! / KultPlus.com

Merret vendimi: Profesorët e zgjedhur deputetë duhet të pezullojnë punën në universitete

I gjithë stafi akademik dhe administrativ që janë zgjedhur deputetë duhet ta pezullojnë pozitën e mbajtur deri tash në Universitet.

Ky vendim vjen duke u bazuar në Ligjin për zyrtarët publikë, që ka hyrë në fuqi vitin e kaluar.

“Në rast se nën punësi i shërbimit publik zgjedhet Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, atëherë rastin e tij Ligji Nr.06/L-114 për Zyrtarët Publik në nenin 22, paragrafi 6 e ka përcaktuar kësisoji: “Në rastin e zgjedhjes në Kuvendin e Republikës së Kosovës, zyrtari publik, i cili pranon mandatin, pezullon marrëdhënien e punës prej datës së certifikimit të zgjedhjes së kandidatit deri në përfundim të mandatit përkatës, në pozitë ekuivalente”, thuhet në opinion ligjor. / KultPlus.com

Suela Jorgaqi, drejtuese në Blibliotekën Pestalozzi në Zvicër: Jam qytetare evropiane, me rrënjë të qëndrueshme shqiptare

Suela Jorgaqi pasi mbaroi Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë për gjermanisht, vendosi të vijoi më tej studimet në Zvicër. Pas përfundimit të studimeve vendosi që jetën e saj ta ndërtonte në Zvicër. Aty krijoi dhe familjen e saj të re me bashkëshortin zvicerian. Prej nentë vitesh Suela Jorgaqi është drejtuese e Blibliotekës Pestalozzi në Zvicër. Në një intervistë për “Diaspora Shqiptare” Jorgaqi tregon se ndihet shumë e lumtur kur institucioni që ajo drejton vizitohet nga fëmijë shqiptarë. Gjithashtu ajo flet edhe për programin e zhvillimit të gjuhës së nënës, duke e konsideruar këtë të fundit si gjuhë bazë formimi për çdo individ.

Ju jeni drejtuese e Bibliotekës Pestalozzi në Zvicër që nga themelimi i saj. Si nisi puna juaj në këtë pozicion dhe sa e realizuar ndiheni?

Tashmë u bënë 9 vite që jam në krye të këtij institucioni të rëndësishëm siç është biblioteka e Zyrihut ku kam përjetuar eksperienca nga më të ndryshmet, të cilat më kanë rritur profesionalisht, por edhe shpirtërisht. Në këto vite jam vënë në rolin e menaxheres, psikologes, mësueses, kontabilistes, përkthyeses, animatores, etj., sepse kjo është biblioteka, një vend ku i përjeton të gjitha këto. Biblioteka jonë është një vendndodhje për të gjitha evenimentet, aq më tepër në kohën e Koronës, ku njerëzit kanë nevojë për më shumë mbështetje si edhe një vend për t’u argëtuar. Kështu që ndihem e realizuar, megjithëse të realizuarit nuk ka fund. Por sfidat nuk më mungojnë dhe kur më mungojnë unë kërkoj të reja.

Të jesh çdo ditë në kontakt me librat dhe njerëz që e duan librin, çfarë ndjesie ju përcjell?

Ndjesi pozitive.  Si drejtuese e bibliotekës Pestalozzi Hardau të Zyrihut, një nga 14 bibliotekat e Zyrihut, bëj një punë shumë interesante dhe të larmishme nga pikëpamja profesionale, por edhe të dobishme për shoqërinë, sepse kam mundësinë t’i lidh librat me njerëzit. Dhe kështu përfitojnë të gjithë.

Pastaj përveç librave në 12 gjuhë të ndryshme, ne ofrojmë dhe oferta dixhitale, si ebooks, pressreader për revista online edhe streaming për filma dhe muzikë. Përveçse drejtuese e bibliotekës Hardau unë jam përgjegjese për të gjitha aktivitetet në të gjitha 14 bibliotekat Pestalozzi. Kemi edhe programe për nënat me fëmijë jo vetëm në gjermanisht, por edhe në shqip dhe gjuhët e tjera, për të zhvilluar gjuhën e nënës. Dhe sipas një studimi nga PISA thuhet se një fëmijë apo i rritur që nuk zotëron gjuhën e nënës, e ka të vështirë të mësojë me rrënjë një gjuhë të dytë. Sepse integrimi fillon nga gjuha dhe kjo është gjithashtu një detyrë e bibliotekës.

Në këtë bibliotekë gjenden gjithashtu mbi 2000 libra në gjuhën shqipe. Sa tërhiqen nga shqiptarët në Zvicër?

Shumica e shqiptarëve këtu janë nga Kosova. Brezi i parë nuk lexon shumë, por të rinjtë dhe fëmijët lexojnë, ndoshta më shumë gjermanisht sesa shqip, sepse është gjuha që mësojnë të shkruajnë. Ka shumë fëmijë shqiptarë që vijnë këtu, dhe kjo më gëzon.

Sigurisht që ka lexues të rregullt që e frekuentojnë shpesh bibliotekën, por unë do doja që të gjithë ta dinin për bibliotekën tonë. Kjo është edhe çështje marketingu. Jo te gjithë shqiptarët që jetojnë ne Zyrih e njohin ose kanë dëgjuar për ofertat tona. Prandaj shpresoj që portalin tuaj ta lexojnë sa më shumë njerëz dhe të afrohen sa më tepër lexues.

Kush janë autorët shqiptarë që preferohen më shumë?

Po Kadareja mbetet i kërkuar. Pastaj ka edhe njerëz që preferojnë autorët e rinj shqiptarë ose të përkthyer. Kongoli është gjithashtu në listën e blerjeve të mia, sepse e pëlqej edhe vetë.

Sa e përfshirë jeni në aktivitetet e Diasporës në Zvicër?

Jam në kontakt të ngushtë me ambasadën shqiptare në Bern. Edhe kur erdhi ministri Majko, isha e lumtur që e prita unë më parë këtu në bibliotekën tonë. Por mundohem t’u ofroj të gjitha shoqatave një vend në bibliotekë, sepse këtu kemi vend dhe hapësirë për të bërë çdo lloj aktiviteti. Edhe koncerte edhe mbrëmje kemi mbajtur në biblotekë. Madje edhe Inva Mula ka qenë e ftuara ime speciale, aktivitet që u shoqërua edhe nga TV Klan.

Cila është historia juaj e emigrimit dhe sa i vështirë ishte fillimi?

Identiteti i shqiptarëve është komplikuar vitet e fundit, jetojmë në katër anët e botës, flasim e ëndërrojmë në gjuhë e struktura të ndryshme. Unë ndihem qytetare evropiane, por me rrënjë të qëndrueshme shqiptare. Burri im është zviceran, djali im flet shumë bukur edhe shqip, mikeshat dhe miqtë e mi janë zvicerane, shqiptare, portugeze, italiane, spanjolle.

Personalisht isha e privilegjuar, sepse mbarova në Tiranë Fakultetin e Gjuhëve të Huaja për gjermanisht dhe direkt më pas erdha për t’u shkolluar në Zvicër. Diploma për “Shkencën e Informacionit dhe Dokumentacionit” që përfshin edhe bibliotekat, më hapi rrugën për të punuar në këtë institucion ku unë jam e vetmja drejtuese e huaj. Por puna ime e parë ishte në sindikatën me të madhe zvicerane, “Unia”, ku jo vetëm njoha më mirë Zvicrën nga ana politike dhe sociale, por krijova edhe disa nga kontaktet e mia më të mira, që i kam edhe sot. Aty pata mundësitë të perfeksionoj edhe gjuhët e tjera, si spanjisht dhe italisht, që janë pasioni im i hershëm.

Do kishit dashur që karrierën tuaj ta ndërtonit në vendlindje?

Mua nuk më pëlqen shumë t’i humb shanset, kështu që po, ia bëj vetes këtë pyetje. E mendoj shpesh çfarë do kisha bërë në Shqipëri, sidomos kur jam me shoqet e mia aty. Unë mendoj se në çdo vend të botës mund të ndihesh mirë, nëse ke rrethin e duhur afër vetes dhe bën diçka që të pëlqen. Por po të isha në Tiranë do kisha dëshirë të riorganizoja Piramidën për ta kthyer në një qendër interesante kulturore: edhe mund të ëndërrojmë, apo jo?

Çfarë ju mungon më shumë nga vendlindja?

Deti, peshku, familja, shoqet e mia, pastat tek pastiçeri Zagoria… / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

MAShT njofton se të hënën dhe të martën nuk do të mbahet mësim

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se të hënë me 3 maj dhe të martën me 4 maj nuk do të mbahet mësim.

Sipas njoftimit të MAShT-it këto ditë do të jenë pushim për nder të Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve dhe për nderë të Pashkëve Ortodokse.

Njoftimi i plotë:

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) njofton drejtoritë komunale të arsimit dhe të gjitha institucionet arsimore se, në pajtim me nenin 2 të Ligjit Nr.03/L-064 për Festat Zyrtare të Republikës së Kosovës, të hënën më 3 maj, për nderë të Ditës ndërkombëtare të punës dhe të martën më 4 maj, për nderë të Pashkëve Ortodokse do të jetë festë zyrtare.

Gjatë këtyre dy ditëve institucionet arsimore nuk do të punojnë dhe procesi mësimor do të vazhdojë të mërkurën nga data 5 maj. / KultPlus.com

Hiqet taksa kufitare prej 15 eurosh mes Kosovës dhe Malit të Zi

Mali i Zi mbrëmë ka marrë vendim që të largohet taksa kufitare me Kosovën.

Tashmë qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë në Mal të Zi, pa e paguar taksën në vlerë prej 15 eurosh.

Në njoftimin e bërë publik, u theksua se të parët që kaluan kufirin pa paguar taksë në kufi ishin mediat kosovare që vizituan Ulqinin për të promovuar vlerat Ulqinake tradicionale të organizuara nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK). / KultPlus.com