Superyjet e muzikës k-pop thyen rekordin e tyre për shikueshmërinë më të lartë në 24 orë në Youtube me këngën e re në gjuhën angleze “Butter”, duke arritur në 113 milionë shikime 24 orët e para të publikimit.
Grupi BTS pati vënë rekord me këngën “Dynamite” më 2020, që ishte kënga e parë në anglisht. Ajo pati 101.1 milionë shikime për 24 orë, shkruan Variety.
“Butter” u publikua më 21 maj. Kënga vuri rekordin e të gjitha kohërave për premierën më të madhe të video-muzikës në Youtube me mbi 3.9 milionë shikues njëkohësisht. / KultPlus.com
Gjon’s Tears ishte në vendin e parë me 267 pikë mirëpo në fund votat e audiencës e shtynë Italinë në krye, megjithatë nuk ka arsye trishtimi për 22-vjeçarin nga Fribourg: “Jam shumë i lumtur që kam arritur vendin e tretë dhe kam marrë një vlerësim të tillë. Sidomos nga juria”, tha ai i lumtur pas finales në intervistën e SRF, transmeton KultPlus.
Gjon mori plot dymbëdhjetë pikët në votimin e jurisë. Jo gjithçka shkoi normalisht më parë, siç pranon ai: “Të them të drejtën, kishim probleme teknike më parë. Por ne ishim në gjendje ta zgjidhnim atë në mënyrë që të mund të jepnim në mënyrë perfektë në finale. Doja t’iu tregoja të gjithëve se mund ta bëj. Për mua, votimi i jurisë do të thotë që unë kam diçka të veçantë”.
Gjoni shënoi 437 pikë krenar me baladën e tij melankolike “Tout l’univers” – një nga rezultatet më të mira për Zvicrën në Eurovision.”
“Është e çmendur dhe jam mbingarkuar sepse nuk e prisja. Gjithmonë ishte një ëndërr e madhe , tani është realizuar”, ishin fjalët e para të Gjon pasi zuri vendin e tretë.
Para dhe pas performancës së tij, ai ndau ngazëllimin me pjesëmarrësit e tjerë, derisa ai pranon: “Unë brohorisja në çdo shfaqje sepse të gjithë kishin diçka shumë të veçantë” – dhe shton: “Është thjesht çështje shijeje. Të jesh fitues nuk do të thotë të jesh më i miri, por më i njohuri“. /albinfo/ KultPlus.com
Mbrëmë, në natën finale të Eurovisioni-t, Shqipëria e cila përfaëqsohej nga Anxhela Peristeri zuri vendin e 21-të, shkruan KultPlus.
Ndërkaq, sot, ka reaguar edhe Peristeri përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ku ka falenderuar të gjithë ata që e përkrahën, duke theksuar se është tejet mirënjohëse ndaj përkrahësëve të saj dhe se rezultati i mbrëmshëm nuk ka ndikuar asgjë tek ajo.
”Ju falenderoj nga thellësia e zemrës për çdo mesazh që më keni dërguar dhe për çdo cent që keni harxhuar për të votuar Shqipërinë në Eurovision! Ju jam shumë mirënjohëse dhe sinqerisht është ndjesia më e bukur që kam përjetuar gjatë gjithë krrierës sime! Ishte një supër eksperiencë që do e ribëja padiskutim shumë herë dhe do më mungojë shumë kjo ndjesi dhe ajo skenë! Ju dua shumë! ( Inboxi im është plot dhe të më falni nuk kam mundur t’ju kthej përgjigjë të gjithëve) Për të gjithë ju që më shkruani të mos mërzitem se është çdo gjë politike ju siguroj nuk jam mërzitur fare ! E shijova shumë natën e mbrëmshme dhe rezultati nuk është se më ndikoi. Unë e di se kush jam, me çfarë po paraqitem dhe çfarë po meritoj dhe atë që më shumë doja e mora pa kursim! Dashurinë tuaj, ju falenderoj që ishit krenarë për mua”, ka shkruar Peristeri. / KultPlus.com
Mbrëmë u mbajt nata finale e festivalit evropian të këngës “Eurovison 2021”, ku fitues u shpall Italia.
Shqipëria u përfaqësua nga Anxhela Peristeri me këngën “Karma”, e cila arriti të zë vendin e 21-të, ndërsa Zvicra e përfaqësua nga shqiptari, Gjon Muharremaj, përfundoi e treta.
Shqipëria arriti të jetë finaliste bashkë me 26 shtetet e tjera e cila përformoi e dyta më radhë mbrëmë.
Ndërsa, shtetet të cilat e votuan Shqipërinë, pra Anxhela Peristerin me projektin e saj muzikor ‘Karma’ ishin Holanda e cila i ka dhënë 1 pikë, San Marino 2 pikë, 7 pikë Danimarka, kurse Malta ka dhënë vlerësimin maksimal me 12 pikë, prej të cilave grumbulloi gjithsej 22 pikë.
Këngëtarja shqiptare, po ashtu ka marrë edhe 35 pikë nga votat e publikut duke arritur vlerësimin final me 57 pikë. / KultPlus.com
Korça është kthyer në një destinacion turistik të rëndësishëm, si dhe një nga shembujt më domethënës të qyteteve shqiptare që shfrytëzojnë turizmin vjetor, kryesisht atë malor dhe kulturor.
Me kapacitete të shtuara akomoduese dhe rritje të investimeve të brendshme, ky qytet po tenton që të tërheqë edhe më shumë vëmendjen e vizitorëve.
Resurset natyrore, trashëgimia e pasur kulturore dhe historike, por edhe fshatrat turistikë, kanë bërë që turizmi në këtë qytet të jetë një burim për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.Vizitorët vendas dhe të huaj që vizitojnë Korçën kanë mundësi të orientohen lehtësisht në muzeumet, institucionet publike, parqet dhe vendet e tjera të vizitueshme në qytet.Pesë muzeumet unike, janë një vlerë e shtuar në prurjet turistike, që tërheqin interesin e vizitorëve në çdo kohë të vitit.Bashkia e Korçës fton turistët, të kalojnë një fundjavë të bukur në Korçë dhe të mos ikin pa vizituar muzeumet.Muzeu i Fotografisë “Gjon Mili”, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, Muzeu Kombëtar i Arsimit, Muzeu Oriental “Bratko”, Muzeu Arkeologjik, janë pa diskutim muzeumet më unike në Shqipëri, të cilat ruajnë identitetin dhe kulturën brenda çdo vepre të ekspozuar. /atsh/ KultPlus.com
Shtëpia e Bardhë në Amerikë po rikthehet në jetën normale e njerëzit brenda saj shihen të buzëqeshur.
Falë rritjes së numrit të vaksinimit kundër COVID-it dhe lehtësimit të udhëzimeve për mbajtjen e distancës dhe bartjen e maskave, Administrata e Bidenit po përjeton ndjësinë e ditëve të para pandemisë.
Me rikthimin në punë të një numri të madh të punëtorëve, Shtëpia e Bardhë po tenton të përhap mesazhin e kthimit në normalitet, shkruan AP, transmeton KultPlus.
Pamjet nga atje, qëndrojnë në kontrast të jashtëzakonshëm me ditët kur COVID-i ishte në shpërthim e sipër, gjë që tregon se pandemia po tërhiqet nga SHBA-të.
Për muaj me radhë, Biden ishte ankuar se për shkak të pandemisë nuk kishte mundësi të zhvillonte takime ballë për ballë me ligjvënës dhe udhëheqës botëror.
Gjatë gjithë kësaj kohe ai u përpoq që proceset diplomatike t’i kryente përmes platformës Zoom.
Gjatë ditës së djeshme, Shtëpia e Bardhë shpalosi fizikisht të gjitha konkurset tradicionale, duke u ulur kështu njerëzit përballë njëri-tjetrit, madje pa maska.
Ky po konsiderohet si një hap i rëndësishëm për rikthim në normalitet. / KultPlus.com
Kostandin Kristoforidhi lindi në Elbasan më 22 maj të vitit 1827.
Ishte përkthyes i Biblës, studiues i gjuhës shqipe dhe njëri ndër personat më me ndikim në periudhën e Rilindjes Kombëtare, shkruan KultPlus.
Vepra themelore e Kostandin Kristoforidhit, për të cilën punoi gjithë jetën, është Fjalori i gjuhës shqipe me 11.675 leksema, i përpiluar në toskërishte me alfabet të mbështetur në shkronja greke dhe i botuar më 1904 në Athinë.
Ky fjalor është fryt i një pune njëzetvjeçare. Në të janë përjashtuar shumica e huazimeve, veçanërisht e orientalizmave dhe greqizmave dhe bëhen përpjekje për të shpjeguar etimologjinë e fjalëve.
Kristoforidhi gjithashtu ka lënë tregimin e parë prozaik origjinal në gjuhën shqipe e njëkohësisht tregimin e parë për fëmijë, Gjahu i Malësorëvet (Hieja e Tomorrit) në të dy kryedialektet. Shkruar më 1884 dhe botuar për herë të parë më 1902 nga “Albania” e Konicës në Londër.
Paraqiti disa nga idetë e rilindësve për njësinë e Shqipërisë autonome, për lashtësinë e virtytet e shqiptarëve, si edhe gjendjen e arsimit e të dialekteve të shqipes në punimin Shënime mbi Shqipërinë, gjuha dhe përkthimi i shkrimeve të shenjta (1860). U vendos mësues në Tunis deri më 1865, kur hyri në marrëdhënie me përfaqësuesin e Shoqërisë Biblike të Londrës në Stamboll. Botoi më 1866 përkthimin e parë gegërisht “Katër Ungjijtë dhe punët e Apostujve” dhe vijoi për shumë vjet përkthimet: Psallmet (1868 toskërisht, 1869 gegërisht), Dhiata e re (gegërisht 1869, toskërisht 1879), Të bërët dhe të dalët (toskërisht 1880), Bleni i dytë (toskërisht 1882) Fjalët e urta të Solomonit dhe Bibla e Isaisë (toskërisht 1884).
Ka lënë dorëshkrim Krijesa dhe të dalët gegërisht, si edhe disa shkrime të tjera që nuk janë gjetur. Udhëtoi disa herë nëpër Shqipëri që nga viti 1870 për të mbledhur fjalë e shprehje nga goja e popullit, për të përhapur librat e vet dhe për t’u mësuar bashkatdhetarëve shqipen letrare. Shoqëria Biblike i ndërpreu marrëdhëniet me të më 1874 pa paralajmërim, sepse u vërtetua që ai nuk besonte në frymëzimin hyjnor të Biblës.
U detyrua të shiste dru e qymyr e të hapte një pijetore në Tiranë, por jepte fshehurazi mësime të shqipes. Në vitin 1884 u vendos në Elbasan, ku vijoi të jepte shqipen fshehurazi derisa vdiq. / KultPlus.com
Natën e sotme u mbajt finalja e Eurovision-it në Rotterdam të Holandës, shkruan KultPlus.
Përgjatë kësaj nate kënduan dy shqiptarët Anxhela Peristeri që përfaqësoi Shqipërinë me këngën ‘Karma’ dhe Gjon’s Tears që përfaqësoi Zvicrën me këngën ‘Tout l’Univers’, që ofruan spektakël dhe emocione të shumta me performancat e tyre.
Tashmë ka përfunduar edhe votimi nga ana e jurisë dhe publikut ku vendin e parë e ka zënë Italia me 524 pikë, Franca me 499 pikë kurse në vendin tretë e Zvicra që këtë vit u përfaqësua nga shqiptari Gjon’s Tears.
Kurse Anxhela Peristeri është radhitur në vendin e 21-të me gjithsej 57 pikë të fituara.
Gjon Muharremaj i njohur sot me emrin artistik Gjon’s Tears, kur ishte 12 vjeçar kishte marrë pjesë në ‘Albanian’s Got Talent’ në Shqipëri ku krahas publikut ai kishe mahnitur edhe jurinë me performancën e tij, shkruan KultPlus.
Ai kishte kënduar në mënyrë të mahnitshme këngën ‘Je t’aime’ dhe kishte marrë komente të mira nga anëtarët e jurisë ku dhe kishte kaluar në fazën tjetër.
Një ndër komentet i cili thekson elemente më karakteristike të Gjon Muharremaj të cilat karakterizojnë edhe sot talantin e tij, ishte edhe ai i Armend Rexhepagiqit që në atë kohë ishte anëtar i jurisë.
“Nëse ndonjëherë më është dukur për ndonjë interpretim se i kam dëgjuar engjujt, kjo ishte sonte. Dhe pastaj ai shpërthim fantastik thuajse të gjitha koret e botës këndojnë. Jam aq i impresionuar edhe i mahnitur sa që vetëm dua të them diçka Gjoni që ndoshta ti je ende i vogël dhe nuk do e kuptosh por do e kuptojnë ata që e shikojnë spektaklin tonë pranë televizorëve të tyre dhe mbajnë votën në duart e tyre. Njeriu është i përbërë nga mishi dhe gjaku, janë këto materiale që dëmtohen shumë lehtë, por më së lehti dëmtohet ai shpirti i njomë artistik dhe romantik. Unë dëshiroj që në këtë botë të vrazhdë të shekullit njëzet e një askush të mos dëmtoj asnjë milimetër tëndin, mos të të thyej kurrë dhe ti të vazhdosh me krenari aty për ku je nisur”, ishin fjalët që i kishte thënë Rexhepagiqi në atë kohë Gjonit.
Ndërkaq sonte Gjon Muharremaj i njohur si Gjon’s Tears po përfaqëson Zvicrën në Eurovision./ KultPlus.com
Fotografi brazilian Sebastião Salgado ka sjellë mbi 200 foto bardh e zi të bëra gjatë qëndrimit të tij shtatë-vjeçar në pyllin e Amazonës.
Efekti i fotove të Salgado forcohet nga bashkëpunimi i tij me muzikantin Jean-Michel Jarre, i cili kompozoi një kolonë zanore origjinale posaçërisht për ekspozitën, shkruan euronews, përcjell KultPlus.
I quajtur “Amazônia”, Salgado beson se qëllimi i kësaj ekspozite nuk është estetik, por politik, veçanërisht në lidhje me qeverinë braziliane.
Salgado i referohet letrës së Presidentit Brazilian, Jair Bolsonaro, drejtuar Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, në të cilën ai premton të ndalojë shpyllëzimet ilegale në Amazonë.
“Qeveria e Bolsonaro thotë gënjeshtra pas gënjeshtrave,” tha ai. “Ai jep përshtypjen se po zgjidh problemet, por në fakt po thotë gënjeshtra për të vazhduar shkatërrimin.”
Ndërkaq muzikanti Jean-Michel Jarre, i cili ka siguruar kolonën zanore të fotove të kësaj ekspozite, ka shpjeguar se i është dashur shumë punë për ta krijuar një melodi që do t’i përshtatej fotografive.
“Të gjithë tingujt e një pylli janë tinguj krejtësisht të pavarur nga njëri-tjetri d.m.th. zogu që këndon i injoron plotësisht njerëzit që kalojnë aty, shiun që bie mbi gur, etj. Dhe megjithatë, për veshin e njeriut, kjo formon një harmoni të pyllit”, shton ai.
Salgado u takua me të paktën njëzet komunitete vendase teksa ishte në Amazonë për këtë projekt./ KultPlus.com
“Dje kam pasur një diskutim të gjatë, që ishte gati pothuajse një përplasje me kolegët e mi në Milano të cilët ankoheshin sepse në Palermo nuk mund të bësh përgjime, nuk mund të zbulosh gjëra. Unë u thashë: ka një ndryshim shumë të vogël këtu. Ju në Milano bëni përgjime, këtu tek ne, të vrasin për gjëra të tilla”.
Këto fjalë i thotë Giovanni Falcone, në një regjistrim të shtatorit 1989 në Palermo, i cili ka dalë në dritë vetëm tani.
Sipas mediave vendase, kjo ishte mënyra më e mirë për ta kujtuar simbolin e drejtësisë dhe luftës ndaj krimit të organizuar e mafias në vendin fqinj, e jo vetëm, në 29 vjetorin e sulmit në Capaci, kur gjatë kthimit nga Roma, u hodh në erë makina e tij, duke vrarë prokurorin e njohur, të shoqen dhe tre agjentë që e shoqëronin.
21 qershorin e vitit 1989, Falcone i kishte shpëtuar një sulmi, në vilën bregdetare të marrë me qira kur ishte me pushime në Addaura. Vdekja e tij, në 1992-shin erdhi prej një bombe me gati gjysmë tonë lënde shperthyese të vendosur nga klani Korleone.
Miku dhe kolegu i tij, Paolo Borsellino do të vritej më pak se dy muaj më vonë, duke e bërë atë vit, një pikë kthese në ndjekjen penale të mafias italiane./ KultPlus.com
Natën e sotme u mbajt finalja e Eurovision-it, ku performuan dy shqiptar që përfaqësuan Shqipërinë dhe Zvicrën, shkruan KultPlus.
Krahas Anxhela Peristerit që përfaqëson Shqipërinë me këngën ‘Karma’ dhe dhuroi një performancë të jashtëzakonshme, ishte edhe shqiptari tjetër Gjon’s Tears i cili përfaqësoi Zvicrën me këngën “Tout l’Univers” i cili përcolli përplot emocione tek publiku.
Që të dy arritën që edhe në finalen e Eurovisionit të mahnitin publikun dhe të marrin duartrokitje të shumta.
Gjon’s Tears mban kodin “11” për të gjithë ata që duan të votojnë (mund të votohet nga shqiptarët e të gjitha shteteve pjesëmarrëse në Eurovision, me përjashtim Zvicrën).
Më poshtë KultPlus sjell performancën e Gjon’s Tears. / KultPlus.com
Sonte në finalen e Eurovision-it, performoi edhe Anxhela Peristeri, e cila në këtë edicion përfaqëson Shqipërinë, shkruan KultPlus.
Peristeri me këngën e saj ”Karma” dhe performancën e jashtëzakonshme ka ngjallur emocione të mëdha sonte tek publiku, duke u bërë ndër këngëtaret më të përfolura të Eurovisionit.
Më poshtë, KultPlus ju sjell performancën e sontme të Peristerit, e cila sonte u rendit e 2-ta me radhë për të performuar. Gjithashtu ajo mban kodin “02” për të gjithë ata që duan të votojnë (mund të votohet nga shqiptarët e të gjitha shteteve pjesëmarrëse në Eurovision, me përjashtim Shqipërinë) / KultPlus.com
Guri i Kamjes është një monument i krijuar nga natyra që nga viti në vit po tërheq gjithnjë e më shumë turistë.
Ai ndodhet pranë fshatit Dardhë të Pogradecit, në afërsi të Qafës së Lipovës, 1.461 m mbi nivelin e detit.
Përfaqëson një formë interesante relievi në trajtën e “një anijeje, që lundron në det të hapur”. Eshtë i gjatë rreth 100 m, i gjërë rreth 80 m dhe i lartë rreth 70 m. Forma e tij lidhet me rezistencën më të madhe të konglomerateve që e përbëjnë, në krahasim me argjilat që ndërtojnë territorin përreth tij.
Mbi këtë formë relievi veprojnë proçeset e erozionit dhe era, që e kanë gdhendur në mikroforma të çuditshme. Ka vlera shkencore gjeomorfologjike e gjeologjike, por edhe kulturore, turistike e didaktike me rëndësi lokale. Mund të vizitohet sipas itenerarit Pogradec-Leshnicë-Trebinjë. Vlen si një destinacion për turizmin e natyrës./ KultPlus.com
Komuna Broc e Kantonit të Freiburgut do të organizojë një aheng këtë verë për heroin e saj, pjesëmarrësin në Eurovision, Gjon Tears që vjen nga ky lokalitet.
“Nuk do të ketë festë spontane dhe të menjëhershme të shtunën,” ka thënë kryebashkiaku i komunës Broc, Claude Cretton të premten për agjencinë e lajmeve Keystone-SDA.
“Ne jemi duke pritur që masat mbrojtëse të koronës të zbuten në mënyrë që të mund të kemi sa më shumë njerëz me vete”, transmeton albinfo.ch.
Sipas kryetarit të bashkisë, data do të varet shumë edhe nga fakti sa do të jetë i lirë këngëtari, i cili aktualisht është shumë i zënë. Gjon Tears, i cili në të vërtetë quhet Gjon Muharremaj, është me origjinë shqiptare-kosovare dhe jeton në Broc në rajonin Gruyère të Friburgut.
Të enjten në mbrëmje në Roterdam ai u kualifikua në finalen e konkursit të 65-të të këngës Eurovision me “Tout l’Univers”, pëercjell albinfo.ch. Është hera e dytë radhazi që një zviceran ka arritur fazën e fundit të konkursit, pas Luca Hänni nga Berna në vitin 2019.
22-vjeçari Gjon Tears madje një nga favoritët më serioz për titullin./albinfo/KultPlus.com
Sot u protestua në sheshet e qytetit të Mitrovicës kundër dhunës seksuale ndaj vajzave dhe grave.
Me brohoritje dhe parulla në duar, shumë qytetarë marshuan në rrugë nën thirrjet për siguri për vajzat dhe gratë dhe barazi gjinore, si parakushte të drejtësisë shoqërore.
Grupi organizativ “Unë jam zani yt” në komunikatën për media thanë se kjo protestë është kritikë ndaj institucioneve të vendit të cilat nuk po punojnë për të krijuar siguri për vajzat dhe gratë.
“Vajzave dhe grave, iu tha edhe një herë publikisht se ato nuk janë vetë dhe që lufta jonë e përbashkët nuk do të ndalet derisa të ketë drejtësi dhe barazi për të gjitha/ë”, thuhet në njoftim.
Të paktën tre raste dhunimi e ngacmimi seksual janë raportuar të kenë ndodhur në dy muajt e fundit në Mitrovicë./ KultPlus.com
Në majin e vitit 2000 u botua “Fjalori arbërisht – shqip” i autorit Kolë Kamsi. Ky fjalor renditet i dyti pas veprës me 19 mijë fjalë e njësi leksikore: “Fjalori e Arbëreshvet t‟Italisë” i Emanule Giordanos, botuar më 1963.
Fjalorët e këtyre dy autorëve kanë të përbashkët se paraqesin leksikun e arbërishtes. Por kanë edhe dallime. Emanuele Giordano-ja e ka hartuar fjalorin kryesisht për Arbëreshët dhe shpjegimet i ka dhënë italisht, në mënyrë që përdoruesit arbëreshë, në përgjithësi me kompetencë më të plotë në italishte sesa në gjuhën e vet të shtëpisë, ta kapin më mirë e më qartë kuptimin e fjalës.
Ndërsa Fjalori i Kolë Kamsit është hartuar për t’u përdorur nga Shqiptarët, prandaj ai përmban thuajse vetëm fjalë të dëshmuara te shkrimtarët arbëreshë e në botimet arbëreshe dhe shpjegimet e fjalëve jepen me sinonimet e shqipes. Kolë Kamsi ishte një veprimtar i arsimit kombëtar dhe fjalori i tij është një vepër gjuhësore, por edhe në shërbim të shkollës. Ai u drejtohet mësuesve të letërsisë dhe studentëve për t’i ndihmuar që të kapërcejnë vështirësitë gjuhësore në të kuptuarit e shkrimtarëve arbëreshë./ KultPlus.com
Shkrimtari i njohur francez Viktor Hygo vazhdon të mbetet ndër shkrimtarët më me rëndësi në letërsinë botërore, madje ka shumë prej kritikëve e studiueseve të letërsisë që e konsiderojnë edhe si ‘Babai i romantizmit’, shkruan KultPlus.
Në vijim, KultPlus ju sjell një fragment nga libri “Të mjerët” i Hygos.
“Për sa kohë që vete e vjen nëpër vendin tënd të lindjes, të duket se rrugët janë të rëndomta, se dritaret, pullazet e dyert nuk janë asgjë për ty, se muret janë të huaja, se pemët janë pemët e para që të zë syri, se shtëpitë ku ti nuk hyn, s’kanë të bëjnë me ty, se pllakat e rrugët ku ecën, janë gurë. Më vonë, kur nuk je më aty, atëherë e kupton se këto janë të dashurat e tua, se ke mall për këto pullaze, këto dritare e këto dyer, se këto mure janë bërë të domosdoshme, se këto pemë janë të dashurat e tua, se në këto shtëpi ku nuk hyje, në fakt kishe hyrë përditë, dhe se në këto pllaka të rrugës ke lënë një pjesë të trupit, të gjakut dhe të zemrës sate. Të gjitha këto vende, që njeriu s’i shikon më, që nuk do ti shikoj ndoshta kurrë ruan ninëzën në kujtesën e vet, marrin një hijeshi të dhimbshme, i rikthen ndërmend melankolinë e një fanitjeje; ia bënë tokën të shenjtë, të dukshme…”/ KultPlus.com
Korça është kthyer në një destinacion turistik të rëndësishëm, si dhe një nga shembujt më domethënës të qyteteve shqiptare që shfrytëzojnë turizmin vjetor, kryesisht atë malor dhe kulturor.
Me kapacitete të shtuara akomoduese dhe rritje të investimeve të brendshme, ky qytet po tenton që të tërheqë edhe më shumë vëmendjen e vizitorëve.
Resurset natyrore, trashëgimia e pasur kulturore dhe historike, por edhe fshatrat turistikë, kanë bërë që turizmi në këtë qytet të jetë një burim për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Vizitorët vendas dhe të huaj që vizitojnë Korçën kanë mundësi të orientohen lehtësisht në muzeumet, institucionet publike, parqet dhe vendet e tjera të vizitueshme në qytet.
Pesë muzeumet unike, janë një vlerë e shtuar në prurjet turistike, që tërheqin interesin e vizitorëve në çdo kohë të vitit.
Bashkia e Korçës fton turistët, të kalojnë një fundjavë të bukur në Korçë dhe të mos ikin pa vizituar muzeumet.
Muzeu i Fotografisë “Gjon Mili”, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, Muzeu Kombëtar i Arsimit, Muzeu Oriental “Bratko”, Muzeu Arkeologjik, janë pa diskutim muzeumet më unike në Shqipëri, të cilat ruajnë identitetin dhe kulturën brenda çdo vepre të ekspozuar. /atsh/ KultPlus.com
Sonte, siç tashmë është bërë e ditur, mbahet nata finale e Eurovision-t. Gjithsej 26 artistë do të ngjiten në skenën e madhe të këtij festivali, i cili këtë vit zë vend në ”Ahoy Arena” në Rotterdam të Holandës, përcjell KultPlus.
Në këtë natë, si finalistë do të performojnë edhe dy shqiptarë, Anxhela Peristeri e cila përfaqëson Shqipërinë dhe Gjon’s Tears i cili përfaqëson Zvicrën.
Të dy këngëtarët me origjinë shqiptare kënduan në natën e dytë gjysmëfinale të enjten, ku falë interpretimit fantastik, arritën që ta kualifikojnë secili shtetin e tyre reprezentues në finale.
Tani, Eurovision ka publikuar listën e plotë të 26 shteteve përkatëse me numrin rendor të paraqitjes, që njëherësh paraqet edhe numrin me të cilin ata do të votohen nga publiku.
Anxhela Peristeri do të interpretojë këngën e saj “Karma” e dyta në renditje, dhe mban kodin “02” për të gjithë ata që duan të votojnë (mund të votohet nga shqiptarët e të gjitha shteteve pjesëmarrëse në Eurovision, me përjashtim Shqipërinë).
Ndërkohë, Gjon Muharremaj i cili konkurron me këngën “Tout l’Univers” do të ngjitet në skenë i njëmbëdhjeti, dhe si rrjedhojë mban kodin “11” për të ata që duan ta votojnë (mund të votohet nga shqiptarët e të gjitha shteteve pjesëmarrëse në Eurovision, me përjashtim Zvicrën). / KultPlus.com
Përvojat diversive të njerëzve ku ëndrrat e tyre shtrihen në një horizont ku ekzistenca, realiteti, imagjinata, frymëzimi dhe krijimi gërshetohen në një proces që rëndom është deshifruar nga dikush, shfaqen në librin ‘Katalogu i Andrrave’ nga Iliriana Lira Blakaj dhe Bjeshkë Guri, libër ky i cili për herë të parë shpalos iniciativën për mbledhjen e simboleve të ëndrrave dhe praktikave të interpretimit të tyre sipas modelit tradicional në Kosovë, me ç’rast dje u promovua në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, shkruan KultPlus.
Në hapësirën ku edhe u promovua libri, të vendosura ishin edhe kopjet e librit të cilat rrëmbenin vëmendjen e të pranishmëve me dizajnin dhe afishet e realizuara, duke përgatitur kështu audiencën për një diskutim që ndonëse flet për botën e ëndrrave dhe jo vetëm, është ngjallur edhe një interesim për të hyrë thellësisht në kuptimin kyç të ëndrrave, përmbajtjes dhe interpretimit të tyre në kudër të individit apo kolektivit.
‘Katalogu i Andrrave’ sjell për herë të parë një indeks me kategori, simbole, interpretime, praktika, intervista, teori dhe përvoja të ndryshme lidhur më ëndrrat në një pikëpamje etnografike, antropologjike dhe psikanalitike, me ç’rast dëshmohet rëndësia e modelit tradicional që fillon qysh nga antikiteti e deri më sot, ku trashëgimia kulturore shpirtërore shqiptare përfaqësohet përmes simboleve dhe përfshirjes së dokeve, zakoneve dhe pikëpamjeve të shoqërisë sonë shqiptare.
Kështu nisi edhe diskutimi ku pjesë e panelit ishin dy autoret: Iliriana Lira Blakaj dhe Bjeshka Guri si dhe profesori Dr. Arsim Canolli dhe ilustratorja Urtina Hoxha.
Fillimisht, autorja Iliriana Blakaj tregoi se si ka lindur ideja për të krijuar një libër të një konteksti të tillë.
“Ideja ka lindur nga një zhvillim i punimit të temës së diplomës në master ku ëndrrat kanë qenë një temë periferike që janë mbledh përgjatë atij studimi ku vërejta që mungon një studim etnografik, antropologjik, detar e të tjera. Kështu, dola në terren për ti mbledhur një nga një këto simbole dhe interpretimet e tyre të njëjta”, ka theksuar Blakaj për të pranishmit.
Sipas saj, ky libër është një dokumentim i simboleve dhe interpretimeve të tyre, dhe një studim i vogël antropologjik sepse siç ka theksuar tutje ajo, ëndrrat dhe antropologjia shfaqen gjithmonë përmes një prizmi i cili ndërlidh ëndrrat me sensin e vetvetes ku shoqëria apo individi cilëson veten që pason në një pretendim jo gjithmonë të saktë.
“Ëndrrat nuk janë vetëm një akt imagjinativ ku personi mendon një simbol dhe e interpreton atë por është mbajtëse e një kulture, prandaj edhe mund të studiohet dhe kuptohet pozita, rolet dhe statuset shoqërore si dhe aktet imagjinative si: loja, ekzistenca, realiteti, jeta dhe vdekja”, theksoi tutje ajo.
Për Blakajn, ky katalog përmban një indeks apo listë të simboleve për të zbuluar diçka në lidhje me shqiptarët dhe përgjatë analizës së saj, siç ka treguar ajo, ka vërejtur se indeksi i përket një jehone antike ku interpretimi i ëndrrave i përngjan edhe kohës së lashtë si p.sh Egjipti, me ç’rast po përsëritet skema e njejtë qysh nga antikiteti.
“Simbolika e ëndrrave në kulturën shqiptare dhe përjetimi i tyre është trajtuar edhe nga Abdonat Kurti ku ai trajton ëndrrat në një mënyrë të shpejtë duke i cilësuar si të pa rëndësishme për tu trajtuar tutje por që puna e tij flet për komunitetin e Dukagjinit në Shqipëri. Kurse Revista Leka, dokumenton një trajtim të gjatë ku portretizohet kozmologjia e shoqërisë shqiptare”, përfundoi Blakaj.
Ndërsa, profesori Arsim Canolli foli rreth rëndësisë së një studimi të tillë ku tregoi për tre aspektet kryesore të këtij libri dhe punës etnografike që është vlerësuar si një hyrje studimore e veçantë që sjell freski në studimet etnologjike dhe antropologjike.
“Është një hyrje studimore që ëndrrat i sjell për herë të parë në interpretim, analizë, shqyrtim, krahasim dhe teori antropologjike. Ky libër pra ka një peshë si studim serioz antropologjik ku puna etnografike në terren ka qenë sfiduese sepse edhe pse ekziston një skemë e vogël pa njohuri të autorit, kjo punë e vërteton skemën në vitin 1937”, potencoi Canolli.
Sipas tij, simbolet në ëndrrat tona në kohërat e hershme janë pak a shumë të njëjta si sot. Prandaj, intervistat, puna në terren, bashkëbisedimet prej Medvegjës në Junik e prej Gjilanit në Istog deri në diasporë, Canolli tregoi të jenë pikërisht këto elementet kyçe në këtë katalog.
“Evidentimi i modelit tradicional të interpretimit të ëndrrave, bartja e modelit tradicional të intergjykimi si një mbijetesë qysh nga antika e deri më sot dhe guximi i autores në kuadër të teorive, janë pesha dhe fuqia e këtij studimi”, përfundoi Canolli.
Po ashtu, bashkë autorja e librit, Bjeshkë Guri shpalosi punën e terrenit të tyre dhe mendimeve të ndryshme të interpretimit të intervistuarve.
“Paslufta e ka sjell një valle të individualizimit pasi që para luftës ka mbizotëruar një mentalitet fisnor ku privatja nuk ka qenë e elaboruar. Puna jonë në terren ka shpalosur rrëfimin e të intervistuarve rreth përshkrimit të simboleve ndaj kohës së kaluar ku ata iu referoheshin si një model i ndodhive të kaluara”, thotë Guri.
Sipas saj, personat deri në moshën 25 vjeçare në kujtesën e tyre e kanë pasur kur gjyshërit e tyre janë referuar modelit tradicional. Prandaj, vegëza linguistike që shërben për të studiuar fenomenologjinë e përvojës së ëndrrave, theksoi ajo tutje se ka të bëjë me faktin që çdo ëndërr fillon me fjalët: ‘kom pa andërr’ ose ‘e pash një andërr’.
“Shumica e simboleve të kafshëve janë negative në një anë duke portretizuar të keqen prandaj na dhuron një përshtypje se ende jemi shumë të ndrojtur me njëri-tjetrin dhe e shpërfaqim këtë model kur bëhet fjalë për kafshët”, përfundoi Guri.
Për dizajnin dhe ilustrimet e kopertinës së këtij libri, kanë punuar Urtina Hoxha dhe Elvira Thaçi.
Kopertina e këtij libri portretizon minjt si model tradicional përfaqësues dhe kuptimin se brengat, humbja dhe e keqja janë trauma dhe konflikte të brendshme por që të cilat kanë një potencial të pa shtershëm dhe njerëzit mund të arrijnë të bëhen më të mirë duke zgjedhur pyetjet e brendshme ekzistenciale. Për autoren pa ‘miun’ brenda nesh, nuk ekziston një përgjigje në jetën tonë. Prandaj, rreth punës së ilustrimit dhe dizajnit foli edhe njëra nga ilustratoret, Urtina Hoxha.
“Së pari e kemi pasur një inspirim nga rikthimi i interpretimit të më të moshuarve për vizatimet dhe ilustrimet që ndodhen brenda. Pastaj, dizajni dhe faqosja është menduar të jetë më klasik që të ketë një ndjenjë të librave të asaj kohe ku prindërit ose gjyshërit tanë janë rritur”, thotë Hoxha.
Sipas saj, kur është filluar të punohet në ilustrime kemi marrë mendime nga njerëzit e tjerë se çfarë mendimi kanë ata rreth ilustrimeve tona ku secili ka pasur mendime të llojllojshme vizuale të interpretimeve. Prandaj, interpretimet e tyre rreth simboleve janë kthyer në realitet përmes këtyre ilustrimeve.
Kështu krejt në fund, ky libër solli një diskutim mbi studimin antropologjik të modelit tradicional të interpretimit të ëndrrave në Kosovë, ku dëgjuesi hyri në botën e brendshme dhe të jashtme të pikëpamjeve që dallonin nga njëra-tjetra por edhe vegëzat e tyre mbesin për po të njëjtën rrënjë; ëndrrën.
Ky projekt është realizuar në kuadër të platformës Heritage Space e cila implementohet nga CHWB Kosova dhe financohet nga Qeveria Suedeze. / KultPlus.com