Nxënësit e tri shkollave të mesme “Sami Frashëri”, “Xhevdet Doda, dhe “Ahmet Gashi” në Prishtinë, kanë paralajmëruar protesta në lidhje me rastin e ngacmimit seksual ndaj një vajze të klasës së parë, me thirrjen ‘Traumë, jo lojë’, shkruan KultPlus
“Videoja e djeshme, shpërfaq nivelin e ulët në të cilin kemi rënë si shoqëri, dhe nevojën e lartë që shoqëria jonë e ka për ngritjen e vetëdijesimit ne raport me fenomenin e ngacmimeve seksuale”, thuhet në komunikatën e dërguar nga përfaqësuesit e nxënësve.
Protesta do të zhvillohet ditën e mërkurë duke filluar nga ora 14:30 me pikëtakim sheshin Zahir Pajaziti, për të vazhduar më pas marshimin deri tek sheshi i Përmendores dhe Komuna e Prishtinës.
“Të mërkurën, në 14:30, nxënes të dashur e gjimnazistë te Prishtinës, vajza e gra të qytetit tonë, qytetarë e media të nderuara, PROTESTOJMË SË BASHKU TE SHESHI “ZAHIR PAJAZITI”, me distancë dhe maska, duke respektuar rregullat e pandemisë. Protestojmë për vajzat dhe gratë tona, për motrat dhe nënat tona, protestojmë sepse është “TRAUME, JO LOJË”, thuhet tutje në komunikatë.
Më poshtë mund të lexoni komunikatën ë tyre të plotë:
Lexoni deklaratën e tyre të plotë më poshtë.
TRAUMË, JO LOJË
Të dashur gjimnazistë, filloristë, shokë e shoqe, media, qytetarë te Prishtinës.
Pas lajmit të djeshëm, që tronditi të gjithë prej nesh, për rastin e ngacmimit seksual të një të miture, nga dy të mitur të tjerë, të gjithë nxënës të shkollës “Faik Konica”, si nxënës të tri Gjimnazeve kryesore të qytetit, “Sami Frashëri”, “Xhevdet Doda, dhe “Ahmet Gashi”, kemi vendosur që te mërkurën të organizojmë marshin protestues “TRAUMË, JO LOJË”, me pikëtakim tek sheshi “Zahir Pajaziti – Grandi, dhe marshim deri tek sheshi i Përmendores, tek ndërtesa e Komunës se Prishtinës.
Videoja e djeshme, shpërfaq nivelin e ulët në të cilin kemi rënë si shoqëeri, dhe nevojën e lartë që shoqëria jonë e ka për ngritjen e vetdijësimit në raport me fenomenin e ngacmimeve seksuale.
Të mërkurën, në 14:30, nxënes të dashur e gjimnazistë të Prishtinës, vajza e gra të qytetit tonë, qytetarë e media të nderuara, PROTESTOJMË SË BASHKU TE SHESHI “ZAHIR PAJAZITI”, me distancë dhe maska, duke respektuar rregullat e pandemisë.
Protestojmë për vajzat dhe gratë tona, për motrat dhe nënat tona, protestojmë sepse është “TRAUME, JO LOJË”./ KultPlus.com
Një tjetër shqiptar i shtohet Marinës Amerikane. Jon Hoti është diplomuar në Houston dhe tashmë do të ushtrojë detyrën e tij si officer në Marinën Amerikane, njëkohësisht edhe inxhinier i Marinës.
Lajmin e ka bërë të ditur në rrjetin social Facebook, Ismet Kryeziu.
“Jon Hoti, një i ri Prizrenas pas diplomimit në Huoston, nga sot është Oficer i Marines Amerikane edhe inxhinier i Marines.
Të rejat dhe të rinjët tanë, për ditë e më shumë po bëhen historia e jonë e suksesit, para të cilëve duhet të përulemi”, shkruan Kryeziu./ KultPlus.com
Gjatë ditës së djeshme u raportua për ngacmimin seksual ndaj një të miture në një shkollë në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Ndërkaq për këtë ka reaguar edhe Sibel Halimi e cila ka thënë se një rast i tillë shpërfaq qartazi gjendjen reale me të cilin janë duke u ballafaquar fëmijët.
Më poshtë mund të lexoni reagimin e plotë të saj
Shkolla është vendi ku fëmijët duhet të edukohen për të drejtat e barabarta. Padrejtësitë, misogjenizmi, diskriminimi e abuzimi i shfaqur në shoqëri, në shkollë nxënësve duhet t`u jepet mundësia për t`i ndryshuar botëkuptimet patriarkale ndaj gjinisë.
Rasti i abuzimit seksual në oborrin e një shkolle në kryeqytet, incizimi i ngjarjes shpërfaq qartazi gjendjen reale me të cilin janë duke u ballafaquar fëmijët tanë. Në mungesë të informacionit dhe vetëdijes së nxënësve, aktet e tilla shndërrohen në akte “trimërie”. Andaj, ky rast, të jetë alarm, për shkollat dhe sistemin arsimor. Arsyetimi i shkollës, që kjo ngjarje ka ndodhur jashtë procesit mësimor, është vetëm vazhdimësia e problemit me të cilat ballafaqohet arsimi ynë. Derisa, publikimi i videos nga mediet është shkelje flagrante e të drejtave të fëmijëve./ KultPlus.com
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, nesër (17 maj 2021), duke filluar nga ora 12:00 do të mbajë protestë pranë Ministrisë së Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, shkruan KultPlus.
Në njoftimin e bërë nga ky kolektiv theksohet se po protestohet kundrejt neglizhimit të sigurisë së vajzave dhe mungesën e politikave të mirëfillta të edukimit, të cilat janë duke e mirëmbajtur patriarkalitetin i cili po rezulton të jetë i dhunshëm për vajzat brenda dhe jashtë institucioneve shkollore.
Protesta e nesërme do të ketë tre kërkesa kryesore që përfshijnë; futjen e edukatës seksuale në shkolla, ambientet e sigurta për nxënëset/it dhe punësimiin e punëtoreve/ëv socialë dhe psikologeve/ëve në të gjitha shkollat.
Më poshtë mund të lexoni njoftimin e tyre të plotë:
Gjeni më poshtë thirrjen e plotë:
Dje, në shkollën “Faik Konica” u bë publik rasti i një sulmi seksual ndaj një nxënëse në klasën e parë nga tre nxënës të klasës së shtatë. Ky rast, i cili nuk mund të lexohet si rast i izoluar, është duke e shpërfaqur edhe një herë, në mënyrë të frikshme realitetin e vajzave.
Vajzat janë duke u ballafaquar me dhunë e abuzim seksual në shkolla, pikërisht për shkak të dështimit shoqëror e institucional për ta trajtuar dhunën ndaj vajzave e grave si problem serioz dhe shqetësim për sigurinë publike.
Andaj, nesër, në ora 12:00, mblidhemi pranë Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, për të protestuar kundrejt neglizhimit të sigurisë së vajzave dhe mungesën e politikave të mirëfillta të edukimit, të cilat janë duke e mirëmbajtur patriarkalitetin i cili po rezulton të jetë i dhunshëm për vajzat brenda dhe jashtë institucioneve shkollore.
Protesta do t’i ketë tri kërkesa kryesore:
1. Futja e edukatës seksuale në shkolla;
2. Ambiente të sigurta për nxënëset/it;
3. Punësimi i punëtoreve/ëv socialë dhe psikologeve/ëve në të gjitha shkollat.
Protestueset/it duhet t’i respektojnë udhëzimet e IKShPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë për frenimin e përhapjes së COVID – 19 duke u pajisur me maska dhe mbajtur distancimin fizik./ KultPlus.com
Arkeologët kanë zbuluar eshtrat e nëntë Neandertalëve në një vend parahistorik pranë Romës, njoftoi Ministria Italiane e Kulturës.
Tetë mbetje datojnë nga 50,000 në 68,000 vjet më parë, ndërsa një, më i vjetri, daton nga 90,000 në 100,000 vjet më parë, tha ministria në një deklaratë.
Ky zbulim ndodhi në Grotto të Guatara, shpella prehistorike të zbuluara më shumë se 80 vjet më parë.
Ato ndodhen rreth 100 metra larg brigjeve të Detit Tirren në San Felice, në rajonin e Lazios.
Videot e publikuara nga ministria tregojnë eshtra, kafka dhe pjesë të tjera të trupit të gjetura në vend.
Neandertalët, të afërmit më të afërt antikë të njerëzve, u zhdukën rreth 40,000 vjet më parë.
Është e paqartë se çfarë i vrau ata posaçërisht, megjithëse teoritë përfshijnë pamundësinë për tu përshtatur me ndryshimet klimatike, si dhe qarkullimin e rritur të njerëzve modernë.
Duke marrë parasysh mbetjet e tjera që u gjetën më parë në të njëjtin vend, gjithsej 11 persona u gjetën në shpellë.
Tani klasifikohet si “një nga vendet më të rëndësishme në botë për historinë e Neandertalëve”.
“Të gjithë janë të rritur, përveç atij që mund të ketë qenë në adoleshencën e saj të hershme,” tha kreu i misionit të gërmimit, Francesco Di Mario.
Ndër të tjera, u gjetën mbetje kafshësh, duke përfshirë auroches – bagëti të mëdha të zhdukura./ KultPlus.com
Skënder Luarasi, ishte atdhetar dhe demokrat, shkrimtar dhe përkthyes, intelektual i shquar. Lindi në Luaras të Kolonjës më 18 janar 1900. Ishte i biri i patriotit të shquar Petro Nini Luarasit.
Skënder P. Luarasi e ka nisur aktivitetin letrar që në moshën 17-vjeçare. Brezi përparimtar i viteve ‘30 e dallon si arsimtar, publicist, gazetar, përkthyes, dramaturg dhe si drejtues e bashkëpunëtor i disa organeve të shtypit përparimtar.
Ai ka qenë editor-përgjegjës në revistat: “Student”i SHBA, 1920; “Djalëria”, Austri, 1927-1928 dhe kryeredaktor i revistës “Vullnetari i Lirisë”, Spanjë, 1937, organ i vullnetarëve shqiptarë në luftën antifashiste të Spanjës.
Mbas çlirimit të vendit, është nismëtar në themelimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe anëtar i Kryesisë deri në nëntor 1949, kur u përjashtua për disa vjet nga Lidhja për qëndrimin e tij antikonformist.
Për veprimtarinë e tij të shquar patriotike-antifashiste-demokratike, edukative e letrare është nderuar me urdhrat e lartë: ”Urdhri i Flamurit” 1960 dhe ”Nderi i Kombit” (1996).
I ati Petro Nini Luarasi kur lindi Skënderi ”lajmëroi autorin e poemës “Histori e Skënderbeut”, mikun e tij Naim Frashëri, se i kishte lindur një djalë të cilit ia vuri emrin Skënder. Naim Frashëri i gëzuar, iu përgjigj: “Skënderi u bëftë 100 vjet dhe i ngjaftë t’et”. Skënder Luarasi krenar për emrin dhe “kumbarin” e tij thoshte: “Kam bekimin e Naim Frashërit unë!
Në fillim të shekullit XX familja e Skënder Luarasit banonte në një shtëpi dykatëshe prej guri në ballë të sheshit të mëhallës Kostallarë, e themeluar nga Kosta, paraardhësi i 12-të i kreut të shtëpisë, Petro Nini Luarasi, i cili në fshat njihej edhe me mbiemrin Kostallari. Në familjen Kostallari emrat më të përsëritur brez pas brezi kanë qenë Kostandin (Nini) dhe Petro. Nga gojëdhënat, vetëm njëri nga djemtë e Kostës, Sotiri, qëndroi në shtëpinë e tij, ndërsa të tjerët u larguan në Stamboll, Volo e Athinë.
Petro N. Luarasit i jetuan më gjatë dy djem (Dhimitri e Skënderi) dhe dy vajza (Thomaidha e Shega). Sipas ritit ortodoks emrin e fëmijës duhej ta zgjidhnin dhe ta pagëzonin vetëm nuni e ndrikulla. Kur lindën dy fëmijët e parë, Petro Nini Luarasi gjendej në Bukuresht e Stamboll, ndërsa për të tjerët u gjend në atdhe dhe këmbënguli që tu vihen emra shqiptarë Skënder e Shega. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com
“Edhe nëse ky qe fati im, unë pajtohem me të, pavarësisht nga çmimi që mund ta paguaj, sepse fëmijët e mi dhe jo unë vetë, janë kuptimi i jetës sime. Atdheu e fiton kuptimin me ta dhe jo pa ta, pasi që për atdheun mund të luftohet vetëm në emër të njerëzores dhe kurrsesi ndryshe.”
“Historia e shqiptarëve nuk duhet të bëhet nga të tjerët, por duhet njohur nga të tjerët.”
“Populli duhet të jetë i kujdesshëm, të mos zgjedh për udhëheqje persona që sillen para të tjerëve në mënyrë inferiore, inferioriteti i liderëve i jep imazh inferior edhe vendit, shtetit e shoqërisë. Shtetet e liderët e fortë nuk i duan afër vetes lider e shtete që sillen në mënyrë inferiore.”
“Një Serbi që e mban të pushtuar Kosovën nuk është as vetë e lirë. Liria e vërtetë e Kosovës është një premisë themelore edhe për lirinë e vërtetë të Serbisë. Kosova për Serbinë është kulti i robërisë së vetvetes, nëse nuk bëhet shans i lirisë dhe i evropianizimit të saj të ardhshëm.” / KultPlus.com
Ekziston një lidhje mes Salentos dhe Ballkanit, e cila kalon përmes Nardò, kjo lidhje është krijuar nga shtëpia botuese “Besa”, e cila që nga fillimi i saj në 1991 ka qenë e angazhuar për të zbuluar dhe ndërgjegjësuar publikun italian për më të mirën e prodhimit letrar shqip.
“Besa”, një aventurë editoriale dhe kulturore që tërhoqi gjithashtu vëmendjen e programit “East West”, në Tg3. Këto ditë, trupa Rai ishte në Nardò për të intervistuar botuesin e “Besa”, Livio Muci. Një version ndryshe i Shqipërisë vjen përmes kësaj interviste në Rai3.
Si lindi kjo vëmendje për Ballkanin?
Në bazë ka një kuriozitet, një vështrim drejt “bashkatdhetarëve tanë që janë në anën tjetër”, siç shpjegon Muci: “Për një apulian i cili, si unë, lëvizte pothuajse çdo ditë në aksin Bari-Lecce, të mbetesha indiferent ndaj “Radio Zëri i Tiranës”, një zë që dukej se vinte nga përtej, por në të njëjtën kohë edhe perceptohej nga afër. Afër si malet e Shqipërisë që mund të shihen nga Otrantoja dhe të japin përshtypjen se ai det në mes është thjesht një liqen”.
Gjithçka filloi me një udhëtim në qershor 1989 në bordin e anijes motorike Roana, kur Muci shkoi në Shqipëri, në mes të regjimit komunist, së bashku me një grup njerëzish të Otrantos. Një udhëtim që shënoi takimin – konkret, të jetuar – me një popull shumë të ndryshëm në shumë aspekte nga ai italian: “Me atë rast zbuluam një botë tjetër, tjetërsinë absolute”, kujton Muçi, i cili u takua me Ismail Kadare në atë udhëtim. Kadare, një prej intelektualëve dhe autorëve më të mëdhenj shqiptarë, sot prezent me disa botime në katalogun e shtëpisë botuese Neretina.
Shqiptarët “jo vetëm refugjatë”
Nga ajo përvojë lindi “Besa”, e cila në mars 1991 botoi librin e parë: antologjinë e letërsisë shqipe të shekullit të 20-të “Nga toka e shqiponjave”, me nëntitullin emblematik “Jo vetëm refugjatë”. Është periudha e zbarkimit masiv të shqiptarëve në Itali dhe libri, së bashku me operacionin më të përgjithshëm kulturor që ishte në bazë, zgjon vëmendjen në nivelin kombëtar, me një përmbledhje gjithashtu në “La Stampa” të Torinos: “Besa” lindi së pari për të propozuar një qasje kulturore për botën shqiptare, për këta migrantë që mbërritën në brigjet italiane dhe për të cilët dihej pak ose asgjë, përtej stereotipave që ushqyen imagjinatën e italianëve.
Kush ishin dhe kush janë shqiptarët? Me të mbërritur në 1991 ata u pritën me shumë entuziazëm si “vëllezërit” tanë, pothuajse “binjakë”, ndërsa për disa muaj gjykimi do të përmbysej plotësisht dhe figura e shqiptarit u bë sinonim i “kriminelit”. Çfarë kishte ndodhur ndërkohë për të sjellë një përmbysje të tillë?
“Nxitja fillestare me të cilën italianët i pritën shqiptarët – shpjegon Muci – ishte vetëm një impuls ‘i zemrës’, kishte një mungesë të njohurive reale të këtij populli, të kulturës së tij, të mënyrës së tij të jetës. Personalisht u mërzita kur dëgjova shqiptarët të përkufizuar si ‘binjakë’, sepse ishte një stereotip, një etiketë që ne italianët kishim krijuar pa ditur vërtet asgjë për këtë popull. Për të pranuar një kulturë tjetër është e nevojshme ta njohësh atë, të kuptosh larminë e saj. Sidoqoftë, në ato vite, ne i shikonim shqiptarët si homologë të italianëve: kur kuptuam se realiteti ishte ndryshe, se populli shqiptar ishte vite drite larg ‘standardeve’ që ne italianët kishim imagjinuar, kishte refuzim. Ne nuk e kuptuam atë kulturë kaq të ndryshme nga e jona dhe e refuzuam atë”.
Mes dje dhe sot, rrugët dhe projektet e shtëpisë botuese
Nga këto premisa, “Besa” e nisi udhëtimin e saj me një zgjedhje të saktë kulturore: “Botimi i librave që bënë të njohur kulturën e popullit shqiptar (dhe më pas Ballkanin në përgjithësi) ishte për ne një lloj angazhimi moral për të shpenguar neglizhencën, sipërfaqësinë e cila Italia ishte fajtore në marrëdhëniet e saj me këtë popull – shpjegon Muci. – Një popull i cili, përkundër mohimit të lirisë së imponuar nga komunizmi, tashmë kishte një nivel të lartë arsimor dhe një kulturë të thellë pas tij”.
Për Muçin, ky është një angazhim që duhet të kryhet me atë “respekt për fjalën e dhënë” që është kuptimi i fjalës “Besa” (termi tregon një nga parimet kardinale të Kanunit, kodin më të rëndësishëm zakonor shqiptar).
Aventura editoriale dhe kulturore e “Besës” vazhdon edhe sot: nga ai 1991 i largët katalogu i shtëpisë botuese Neretina është zgjeruar, gjithnjë në emër të cilësisë. Përveç përkthimit të autorëve shqiptarë që shkruajnë, një hapësirë e rëndësishme përfaqësohet nga “migrantët”, autorë shqiptarë (por edhe nga Ballkani apo Evropa Lindore) që shkruajnë drejtpërdrejt në italisht. Midis këtyre të fundit, vetëm për të dhënë dy shembuj, Artur Spanjolli, i cili përveç se është shkrimtar është një artist dhe bën portrete në Piazza della Signoria në Firence; dhe Gëzim Hajdari, poeti më i madh bashkëkohor shqiptar i detyruar të jetojë në vështirësi në Itali për vite me radhë, pa hequr dorë kurrë nga dinjiteti i tij letrar. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com
Shefqet Dibrani, poet, publicist dhe kritik letrar, ka botuar pjesën e parë të studimit mbi romanin “Malësorja” të Nazmi Rrahmanit, me titull: “MALËSORJA, Romani monumental i Kosovës”.
Shikuar nga stafi akademik të cilët janë marrë me përgatitjen e librit si: Hamit Xheferi, ligjërues i letërsisë në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, i cili është redaktor, si dhe recensentët, Zejnullah Rrahmani, ligjërues i letërsisë në Universitein Publik “Hasan Prishtina”, në Prishtinë, dhe Gjekë Marinaj, ligjërues i lëndëve humane dhe letrare në Univeristetet e Dallasit në Amerikë, shihet se kemi të bëjmë me një studim të përgatitur mirë, në aspektin profesional.
Kjo vepër e Shefqet Dibranit, ndahet në katër kapituj, që i paraprin shënimi, “Në vend të parathënies për këtë studim”, në të cilin autori ka shpjeguar arsyet pse e ka marrë në shqyrtim romanin “Malësorja”, i cili si asnjë vepër tjetër në Kosovë, që kur është botuar (1965), e deri më sot, e ka bërë jetën e vet akademike në sistemin arsimor nga niveli fillor deri në atë universitar.
Në “Kreun e parë” të “MALËSORJA, Romani monumental i Kosovës”, autori kryesisht është marrë me: Subjektin dhe strukturën si dhe vlerat humane të romanit, duke e arsyetuar pse “Malësorja” është romani monumental i Letërsisë Shqipe në Kosovë. Po në këtë kapitull, autori i ka bërë një vështrim të zgjeruar kritik këtij romani. Kjo shihet edhe nga thyerja teknike, tejet e veçantë, me shënime përkatëse faqe për faqe.
Në “Kreu e dytë”, autori merret me: Kompozicionin e romanit, në të cilin janë trajtuar fillimi, zhvillimi dhe etapat kur është shkruar romani, deri te kompozicioni si formë artistike si dhe kategorizimi dhe fazat e kompozicionit. Pastaj merret me kohën kur është shkruar romani, me moshën e autorit, me rrethanat shoqërore e politike, me zhvillimet kulturore në Kosovë, pozitën e arsimit gjatë atyre viteve, duke e mbyllur këtë kapitull me “Natyralizmin”, si rrymë letrare në këtë roman.
Në “Kreun e tretë”, janë trajtuar kryesisht vlerat universale të romanit, ndikimi i tij, si dhe aspekte të tjera sociale, kulturore, arsimore e shëndetësore, duke i dhënë lexuesit një pasqyrë më të kompletuar për ato rrethana në të cilat mbijetoi romani “Malësorja” dhe letërsia shqipe në Kosovë. Pastaj, autori merret me procedeun e veprës, simbolikën dhe simbolizmin si dhe me aspekte të tjera letrare. Në një syth të tërë ai ka përshkruar “Zonën gjeografike në të cilën janë zhvilluar ngjarjet e romanit”, pastaj është marrë me vitet kur është ndërtuar kompozicioni i romanit, duke dhënë një kronologji interesante të ngjarjeve e cila provokon mendjen e lexuesit, për thellësinë dhe imagjinatën e qasjes së studimit sipas kohës dhe stinëve, sipas brendësisë së romanit.
Në “Kreun e katërt”, janë përfshirë tri përkushtime: “Letrar, jetësor e poetik”. 1. “Prof. dr. Sabri Hamiti, 2. Prof. dr. Zejnullah Rrahmani dhe 3. Poezia “Na-Rra-Tive”, e autorit, të gjitha kushtuar Nazmi Rrahmanit.
Në fund të veprës është dhënë: Bibliografia e botimit të romanit “Malësorja”, pastaj, bibliografia e shkrimeve kritike për romanin, literatura teorike, literatura shkollore, revistat si dhe burimet e internetit dhe rrjetave sociale, ku është mbështetur studimi, duke e bërë qasjen jo vetëm të kompletuar por edhe specifike për natyrën e studimeve letrare të kësaj fushe. Autori e ka në procesin e botimi edhe pjesën e dytë të këtij studimi, “KARAKTERI dhe ARKETIPI, në romanin Malësorja të Nazmi Rrahmanit”, në të cilën janë thelluar qasjet për figurat letrare e stilistike, karakteret dhe arketipet, që janë kundruar sipas teorisë së psikoanalistit zvicera Karl Gustav Jung.
Ky studim i Dibranit botohet “Me rastin e 80 Vjetorit të lindjes së Nazmi Rrahmanit dhe në 56 vjetorin e botimit të romanit “Malësorja”. E botoi Shtëpia Botuese “FAIK KONICA”, Prishtinë, maj 2021. / KultPlus.com
Janë bërë sot plotë 22 vite nga zhdukja e veprimtarit të Lëvizjes Kombëtare, profesorit dhe intelektualit Ukshin Hoti, shkruan KultPlus.
Më 16 maj të vitit 1999 në rrethana ende të pa ndriçuara është zhdukur Ukshin Hoti.
Atë e ka kujtuar sot edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani e cila është shprehur se Ukshin Hoti është pengu i shoqërisë dhe shtetit tonë, ndaj përpjekja këmbëngulëse për zbardhjen e fatit të tij nuk duhet të pushojë asnjë ditë.
Tutje Osmani ka thënë se çështja e bardhjes së fatit të të zhdukurve nga regjimi serb do të jetë prioritet i qeverisë.
Ky është postimi i plotë i Osmanit:
Më 16 maj të vitit 1999, atdhetari e mendimtari Ukshin Hoti u lirua nga Burgu i Dubravës. Që prej asaj dite asgjë për fatin e tij, përpos kujtimit të çdovitshëm dhe rëndimit të ndërgjegjes sonë për mendimtarin politik, i cili prej 22-vjetësh vazhdon të mbetet në listat e të pagjeturve, të cilët janë rrëmbyer dhunshëm nga regjimi gjenocidal serb.
Fati i Ukshin Hotit është pengu i shoqërisë dhe shtetit tonë, ndaj përpjekja këmbëngulëse për zbardhjen e fatit të tij nuk duhet të pushojë asnjë ditë.
Me një vepër të bukur politike mund të shpëtohet një popull, thoshte Ukshin Hoti. Ai e nisi idenë e “veprës së bukur politike”, për lirinë, republikën dhe demokracinë, porse synimi i mendimtarit politik e filozofik mbeti në gjysmë.
Republika e tij është bërë. Dy dekada në kërkim të tij, Republikës i duhet Ukshin Hoti.
Çështja e zbardhjes së fatit të të pagjeturve, të cilët u zhdukën dhunshëm nga regjimi serb, është prioritet i yni dhe parakusht për paqe të qëndrueshme në rajon! / KultPlus.com
ESCXTRA.com kanë qenë live për ditën e shtatë të provave përpara “Eurovision Song Contest 2021” që do të zhvillohet në Rotterdam Ahoy në Holandë.
Vendet që bënë prova këtë ditë në rend kronologjik ishin: Georgia, Shqipëria, Portugalia, Bullgaria, Finlanda, Letonia, Zvicra dhe Danimarka.
Artistja e njohur Anxhela Peristeri sivjet përfaqëson Shqipërinë në “Eurovision” me këngën e saj “Karma”.
Dhe më poshtë ju sjellim komentet për provën e dytë të sotme:
Ashtu si me Georgia, ne nuk e shohim me të vërtetë që Shqipëria ndryshon shumë gjatë provës së tyre të dytë. Anxhela Peristeri është duke befasuar absolutisht me vokalin e saj dhe kjo vlen për një meritë. Ishte vetëm 10:35 e mëngjesit dhe ajo po ‘shpërthente’ me paraqitjen sikurse nuk ka nesër prova të tjera. Ajo po ecën mjaft mirë.
Ngjyrat mbesin të njëjtat: e kuqja dhe e zeza janë ngjyrat mbizotëruese.
Ky është një interpretim shumë kompetent me një performuese shumë tërheqëse. Efektet janë vënë gjatë pjesëve më pak emocionuese të këngës për të mbajtur shikuesit të vëmendshëm. / KultPlus.com
Ekspozita “Origjina e botës” ju fton të zbuloni se si shkenca, kafshët, botanika apo biologjia frymëzuan artistët e shekullit XIX.
Në anijen e Muzeut të Orsayt, prania e elefantit Marguerite është intriguese.
Me më shumë se pesë muaj vonesë, kjo ekspozitë e jashtëzakonshme, fryt i tre viteve punë, hapet më në fund për publikun të mërkurën.
Ajo do të zgjasë deri më 18 korrik pas negociatave intensive me huadhënësit.
Ekspozita u realizua në bashkëpunim me ekipet shkencore të Muzeut të Historisë Natyrore.
Ai vijon nga ekspozitat e tjera tematike si “Modeli i Zi” vitin e kaluar, i cili hulumtoi një tjetër evolucion të madh të përfaqësimeve në art në shekullin e XIX.
Sa i përket “Modelit të Zi”, periudha e ruajtur është “shekulli i gjatë XIX”, deri në fund të luftës së 14-18.
Në mes të kësaj periudhe, u shfaq “Origjina e Specieve” (1859) nga Charles Darwin. Ky mendimtar kryesor i evolucionizmit do të dominojë në dëm të të tjerëve, të harruar padrejtësisht.
Tetëdhjetë vepra të mara hua pasuruan ekspozitën, me nëntitullin ndjellës: “shpikja e natyrës në shekullin XIX”. Kartelet e kapërcyer nga një siluetë elefanti vareshin posaçërisht në lartësinë e fëmijës.
Ekspozita rikrijon bashkëveprimet e shumëfishta midis shkencës dhe arteve në një kohë kur shkencëtarët imponojnë vizionin e tyre për botën, ndërsa rendi i vjetër i njohurive i bazuar në fe është duke u thyer./atsh / KultPlus.com
Me shkëlqimin dhe organizimin që të lë pa frymë, Eurovision është rikthyer. I detyruar të anulojë festivalin ekstravagant të këngës vitin e kaluar për shkak të pandemisë, Holanda po pret këtë javë një edicion me përmbajtje cilësore, me Francën favorite një herë për një herë.
Rreth 3 500 persona, me kushtin e prezantimit të një testi negativ, por pa maska, do të marrin pjesë në finalen e konkursit në qytetin portual të Roterdamit. Kandidatët do të mbyllen në një “flluskë të veçantë”.
Francezja, Barbara Pravi, shpesh e krahasuar me Edith Piaf, është klasifikuar në krye të parashikimeve me këngën e saj “Voila” dhe mund të mundësojë për “Hexagon”-in të marrë fitoren e parë në 44 vjet. Ajo ndiqet nga Italia dhe Malta.
Ndërkohë që vaksinimi ka mundësuar për vendet europiane lehtësimin e masave shëndetësore, holanda ka autoriuar zyrtarisht pjesëmarrjen e publikut në ngjarje në fund të prillit.
“Të presësh Eurovision-in në këtë periudhë të veçantë nuk është një përgjegjësi që e kemi marrë me lehtësi”, theksoi drejtori ekzekutiv i konkursit, Martin Oesterdahl.
Edicioni 2020 i Eurovision u anulua për herë të parë në historinë e kompeticioneve për shkak të pandemisë.
Për spektatorët e mësuar të shohin një valë flamujsh dhe artistë nga e gjithë bota duke përqafuar njëri-tjetrin në ekranet e tyre të vogla, edicioni 2021 premton të jetë disi ndryshe.
Ndërsa shumica e kandidatëve, nga 39 vende, do të udhëtojnë në Roterdam, të tjerët, si Austria do të marrin pjesë përmes videove të pararegjistruara.
Delegacionet kombëtare në vend janë gjithashtu subjekt i rregullave të rrepta, duke përfshirë ndarjen e rreptë nga publiku dhe detyrimin për t’u testuar për COVID-19 çdo 48 orë./ atsh / KultPlus.com
KOMF ka reaguar me shqetësim të madh për lajmin e publikuar në media, ku është raportuar për ngacmim seksual të një vajze të mitur, nga disa djem po ashtu të mitur, brenda mjediseve shkollore, përcjellë KultPlus.
KOMF bën thirrje dhe apelon tek të gjitha mediat që kanë publikuar pamje filmike dhe të dhëna që cenojnë identitetin e të miturës dhe të miturve tjerë, ti largojnë ato. Pamjet filmike, zbulimi i emrit të shkollës, zbulimi i klasës dhe të dhëna të tjera, çojnë në zbulim të identitetit të fëmijës, dëmtim të rëndë dhe riviktimizim të fëmijës, fëmijëve dhe familjeve të tyre. Për shkak të ndjeshmërisë së lartë të rastit dhe moshës shumë të vogël të fëmijëve të përfshirë në rast, KOMF bën thirrje që mediat në radhë të parë të mbrojnë konfidencialitetin e rastit duke pasur në fokus interesin më të mirë të fëmijës.
KOMF bën thirrje drejt Qendrës për Punë Sociale që me prioritet të ofrojë shërbimet për mbrojtje dhe rehabilitim për fëmijën dhe të ndërmerren të gjitha shërbimet e nevojshme për fëmijët e tjerë. Po ashtu, KOMF bën thirrje karshi të gjithë institucioneve të mandatuara dhe të përfshirë në këtë rast, që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme në përputhje me legjislacionin.
“Si KOMF përmes organizatave anëtare të cilat ofrojnë shërbime direkte sociale dhe psikologjike për fëmijët, ofrojmë mbështetjen tonë për këtë rast, nëse kjo kërkohet nga institucionet”, thuhet në komunikatë.
Tutje, KOMF ka njoftuar se do të monitorojë nga afër dhe intensivisht veprimet që do të ndërmerren nga institucionet përkatëse në lidhje me këtë rast dhe në të njëjtën kohë bën një apel ndaj gjithë organeve të përfshira në rast që të ndërmarrin veprime urgjente për trajtimin e tij. / KultPlus.com
Janë bërë sot plotë 22 vite nga zhdukja e veprimtarit të Lëvizjes Kombëtare, profesorit dhe intelektualit Ukshin Hoti, shkruan KultPlus.
Më 16 maj të vitit 1999 në rrethana ende të pa ndriçuara është zhdukur Ukshin Hoti.
Ukshin Hoti ka qenë edhe ligjërues ne disa universitete të Amerikës ku dhe kishte studiuar dhe diplomuar.
Në këtë datë, Hotin e ka kujtuar edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, duke u shprehur se përkundër që kanë kaluar 22 vite, fati i tij nuk është zbardhur, kurse drejtësia për të nuk ka nisur.
Tutje, Kurti ka potencuar që Hoti është në veprën që ka lënë pas e për çka shprehet se pasi t’i lexoni, nuk do të mendoni, studioni e veproni njësoj.
“22 vjet më vonë, fati i tij nuk është zbardhur kurse drejtësia për të nuk ka nisur. Të mungosh do të thotë të jesh. Diku tjetër, larg prej njerëzve që të duan. Ukshin Hoti është, edhe në veprën që ka lënë. “Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare”, “Bisedë përmes hekurash” dhe “Lufta e Ftohtë dhe Detanti” – tre libra, tri ditë lexim, pas të cilave nuk do të mendoni, studioni e veproni njësoj. Është më i madh se jeta”, shkruan Kurti.
Kujtojmë që Ukshin Hoti për aktivitetin e tij atdhetar ishte arrestuar disa herë nga regjimi serb i Titos dhe i Milosheviqit. Për herë të fundit ishte arrestuar në vitin 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të veprimtarisë armiqësore kundra Jugosllavisë dhe për pjesëmarrjen e tij në lëvizjen për Republikën e Kosovës, me ç’ rast ishte dënuar 5 vjet burg.
Më 16 Maj të vitit 1999 pas lirimit dhe pas daljes nga qelia e burgut të Dubravës, zhduket nga polica serbe pa lënë gjurmë.
Shokët e burgut, ata që kanë shpëtuar nga masakra e Dubravës, disa ditë më vonë, kanë treguar se Ukshini ishte liruar nga burgu më 16 maj, ditën e diel, ditë që nuk praktikohej lirimi i të burgosurve.
Prej asaj kohe e deri tani, veprimtari i madh i çështjes kombëtare shqiptare, magjistri, filozofi, shkrimtari, publicisti, atdhetari i përkushtuar, Ukshin Hoti edhe sot e kësaj dite konsiderohet ende i zhdukur. / KultPlus.com
Fotografia nga profesori i historisë Durim Abdullahu.
Çdo mëngjes si t’qohesh ki me u dhunu prej ktij vendi!!
Faturat që t’vijnë te dera si listë dëshirash për babadimrin t’duhet me i zgjedhë cilat me i pagu sot e cilat me i shty për mujin tjetër se rroga nuk të del me i përballu krejt shpenzimet, ti nënpaguhesh e të duhet me duru edhe të padinjitetshmen prej shefit, se s’ki zgjidhje tjetër mbijetese.
– Kur t’del prej dere takohesh me kojshinë që çdo natë i bërtet grusë t’vet pse s’ka gatu edhe ta përplas para kamve kesen e bërllogut tu e kru gjyksin me lesh e tu t’pa shtrembt pse po ja lshon sytë.
Rrugës i sheh dy polic tu ndalë çika për mos vendosje t’maskës ama kshtu’ ja’u lypin veç instagramin.
Pak ma tutje krejt çka ninë prej dy djemve t’ri 17-18 vjeç osht qysh e kishin “asish” njanën që asht kah gutet me nxanë 3-shin.
E pak pa mbrri n’punë nji nanë i bërtet çikës t’vet pse u rrxu se ajo ke shumë nxanë tu ba selfie n’shesh e krejt afër oborrit të shkollës i ninë nxansat’ tu u dertu para testit se mësusi ju ka thanë që ka me i ngelë se nuk ka vakt me i pytë ka 3 herë.
Këtu të dhunon prindi, të dhunon shefi, të dhunon kojshia, të dhunon nji i ri me lugë t’kafes n’gojë, t’dhunon mësusi e të dhunon krejt aparati i kalbun shtetnor që ndërrohet çdo dy vjet.
Ky vend, nuk t’jep kurrfarë ndjenje tjetër pos dëshirës me ikë prej ktuhi, me u zhdukë, se qëtu s’rritet as fmija, as shpresa, as vullneti, kurgja hiç.
I njëjti vend, ta vnon në dyshim secilën ndjenjë njerëzore që e ki përmrena teje se çka n’dreq mundesh me kriju këtu pos ndjenjës së neverisë n’secilin hap që e shkel se as jetesë të dinjitetshme s’të le me bo.
Ky vend, të përdhunon për ditë, pa pushim n’çdo lloj mënyre, ta fyen intelegjencën, të zh’burrënon e të bon me lujtë mendsh.
(Shkrimi është marrë i plotë nga Majkovci pa ndërhyrje nga redaksia.) / KultPlus.com
“Journal de Salonique” ka botuar, të martën e 19 janarit 1909,në faqen n°2, një shkrim në lidhje me daljen në qarkullim të revistës “Diturija” e drejtuar asokohe nga Mit’hat Frashëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Diturija
“Ky është emri i një reviste mujore të shquar, në gjuhën shqipe, botimi i së cilës sapo ka filluar.Drejtimi i kësaj reviste interesante i është besuar Mit’hat Beut, drejtorit të çështjeve politike.
Sot, mund të themi se Mit’hat Beu është një nga përkrahësit më të flaktë të gjuhës shqipe. Ishte ai që me pseudonimin “Loumo Skendo” botoi për një kohë të gjatë një seri të tërë shënimesh, pjesë vargjesh, studime dhe pjesë të tjera letrare të cilat u vlerësuan shumë nga njohësit.
Në varrezën e hebrenjve nuk ka bar të blertë sot, por flakët e luftës… Mbishkrimet aramaike mbi rrasat e gurta dridhen – mornica në lëkurën e ditës.
Digjen shtëpitë e Prishtinës përreth, bien trarët e nxirë mbi kokat e njerëzve si mallkimet, thyhen tjegullat, bashkë me xhamat copërlohet dhe frika. Digjet dhe e kaluara si fotot bardhë e zi të një albumi të trashëguar, të hedhur në oborr.
Tanket duan të futen në varrezën e hebrenjve, ta shembin… Zinxhirët mbi Yllin e Davidit… por shqiptarët u dalin përpara. Me luftë. Edhe të vdekur mikun ta mbrojmë… besën ia japim tjetrit, por është jona besa… Mbi trupat tanë le të shkelin më parë!
Shqiptarët e mi dhe në luftën e botës mbrojtën jetët e hebrenjve, kur dhe të tyret ishin në rrezik, tani po mbrojnë varret e hebrenjve – dhe vetë mund të mos kenë varre, është lufta e tyre… Ylli, ah, Ylli i Davidit, që i ka mbledhur cepat, si yni është, si i mëparshmi, i hershmi, Illyricum Sacrum e quanin, bashkojnë ujërat e jetës me zjarret prometeane.
Vazhdon lufta. Qielli rëndon si mermeri i varreve…
Mbrojeni Qiellin tonë ashtu si ne, ju, perënditë e reja!…
Besojmë ende tek njeriu. Kthehet ai dhe nga viset e vdekjes, Shpirt, që vendos drejtësinë hyjnore…
P.S.:
…në Romë isha, në Ambasadën tonë punoja… dhe ia treguam ambasadorit të Izraelit ngjarjen me varrezat e hebrenjve në Prishtinë. U prek ai, falënderoi dhe… na dërgoi ca shishe me verë. Dhe ne i përplasëm gotat me njëri-tjetrin duke uruar fitoren e Kosovës. Paqe popujve! Të vdekurit dalin nga varret, duan të shprehin mirënjohjen, shpesh më shumë se të gjallët. / KultPlus.com
Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës (SBAShK), po e konsideron si problem tejet të madh rekrutimin e punëtorëve arsimor, duke i quajtur konkurse burokratike.
Kryetari i kësaj Sindikate, Rrahman Jasharaj, në një intervistë ka thënë se zëvendësimi me kuadro jo-adekuatë do të sjell probleme në arsim.
“Rekrutimi i punëtorëve të arsimit gjithmonë ka qenë problematikë, ngase është një procedurë kogja burokratike, shpallen konkurse pastaj institucioneve i duhen diku dy muaj për ta realizuar sepse ligjet e kanë bërë shumë komplekse këtë dhe ajo çfarë duhet të arrihet, se marrëveshja është dhe nëse papritur mbet një vend i zbrazët pune për arsye të ndryshme të lejohet që të merren kuadro nga ai kuadër i cili është në pritje dhe që ka konkurruar në konkurse por nuk është pranuar sepse në Kosovë kemi që për një vend janë 30-50 e më shumë”, tha Jasharaj.
“Zëvendësimi me kuadro jo-adekuatë do të na sjellë probleme. Shteti ka siguruar mjete që ata të zëvendësohen me kuadrat që janë në pritje dhe falë Zotit në Kosovë ka mjaft kuadro të reja, të përgatitur dhe është mëkat që ata të lihen në pritje e pa punë e të bëhen zëvendësime të ashtuquajtura brenda shkollave”.
Sipas tij, për shkak të pandemisë do ishte e mjaftueshme nëse arrihet të realizohet plan-programi mësimore deri në 70%.
“Do të jetë fitore e madhe që secili shtet ta mbyll këtë vit shkollor me sa më pak pasoja, me sa më pak të prekur, të vetëdijshëm se viti shkollor nuk është kryer në tersi sa duhet. Kemi dhe manualin i cili parasheh se do të jetë i kompensuar materia që punohet në shkolla do të thotë se është thënë që do të realizohet plan-programi, nëse arrihet të realizohet 70%”, u shpreh tutje ai për EO.
Ai shton se pas tejkalimit me pandeminë, ekspertët arsimorë kanë një punë të gjatë për të bërë analiza dhe të shikojnë gjendjen dhe pasojat në këtë sektor.
“Unë po them uroj që ta tejkalojmë betejën me Covid, dhe pastaj ekspertët me kokat e ftohta duhet të ulen dhe të bëjnë analiza duke mos tentuar ta hedhin fajin herë andej e herë këndej. Ne kemi një komunikim të vazhdueshëm nga larg në takimet që mbahen në vazhdimësi në unionin e sindikatave të Evropës, dhe edhe ata kanë ngritur alarm mbi telashet e arsimit”, shtoi kryetari i SBAShK-ut.
Ligjet mbi arsimin, Jasharaj konsideron se duhet, duke ia pamundësuar politikës ndikimin në arsim.
“Unë mendoj që në të gjithë infrastrukturën që ka të bëjë me arsimin, qoftë atë parauniversitar, dhe atë universitar duhet bërë ndryshime dhe të ecet me kohën”.
“Ajo që mendoj që institucionet nëse vërtet siç po thonë se e duan arsimin dhe si prioritet duhet të bëjnë ligje për t’ia pamundësuar politikës përzierjen direkte në arsim dhe duhet që shkollave dhe universiteteve duhet t’ua kthejmë autonominë”, përfundoi ai, në një intervistë për Ekonomia Online. / KultPlus.com
Stërvitja “Defender Europe 2021” ka vijuar në një tjetër pikë të Shqipërisë.
Palombarë amerikanë dhe shqiptarë janë zhytur në Gjirin e Dukatit. Ministria e Mbrojtjes ka publikuar pamjet ku shihen se si palombarët amerikanë dhe shqiptarë zhyten në thellësinë e tabanit detar ku ndodhet anija spitalore “PO” e mbytur gjatë Luftës së Dytë Botërore, pasi u godit nga ushtria britanike.
Bashi (pjesa e përparme e anijes) ndodhet në 16 metra thellësi, ndërsa kiçi (pjesa e pasme) në 37 metra thellësi.
Shqipëria ka një rol të rëndësishëm në stërvitjen e këtij viti DEFENDER-21 të trupave ushtarake amerikane dhe aleatëve të NATO-s. Brigjet shqiptare shfrytëzohen për të parën herë për stërvitje që pas Luftës së Dytë Botërore për zhvillimin e aftësive të trupave aleate për zbarkimin nga deti./Top Chanel/ KultPlus.com