Ngjyrat e barokut europian” vijnë në Muzeun Historik Kombëtar

 “Ngjyrat e Barokut Evropian” titullohet eventi i organizuar paraditen e sotme në ambientet e “Muzeut Historik Kombëtar” në kuadër të Javës së Evropës.

Ky event është tejet i veçantë sikurse nga forma por edhe përmbajtja pasi në të u luajt muzikë elitare ose sikurse njihet ndryshe stili “muzikë baroke”. Koncerti u mbajt në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, duke respektuar në mënyrë shumë rigoroze protokollin e sigurisë së shëndetit të pjesëmarrësve ndaj pandemisë Covid -19.

Organizime dhe evente të tilla realizohen shumë rrallë për shkak edhe të cilësisë dhe profesionalizmit të lartë, por edhe prezencës së spektatorëve të përzgjedhur që janë admirues të këtij zhanri muzikor.

Koncerti i sotëm erdhi pas premierës së djeshme në ambientet e Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti” në qytetin e Krujës, ku edhe pati mjaft sukses dhe vlerësim.

Ishte me të vërtetë një përvojë unike pamore dhe muzikore, ku tingujt magjikë të instrumentistëve si Abigeila Voshtina, Kim Jung Min, një instrumentiste me origjinë nga Koreja e Veriut, Jusuf Beshiri, u ndërthurën me magjinë mesjetare të Muzeut të Krujës dhe Muzeut Historik Kombëtar.

Në këtë koncert ishin të pranishëm si të ftuar nderi ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Juri Kim, zëvendësambasadori i Italisë Alberto Petrangeli.

“Uroj të pranishmit dhe gjithë shqiptarët gjatë kësaj jave e cila është shumë e rëndësishme për Evropën por edhe të gjithë shqiptarët që asnjëherë nuk hoqën dorë nga ëndrra e tyre e përbashkët, që një ditë të jenë pjesë e familjes së madhe evropiane. Evropa dje ishte në qytetin e Krujës dhe sot ajo ka ardhur në Tiranë nëpërmjet artit ndaj edhe ju uroj të gjithëve që ta shijojmë”, tha Petrangeli në fjalën përshëndetëse.

Abigejla Voshtina, pjesë e organizatorëve, shtoi se “Evropa sot vjen tek ne me këtë muzike e cila është edhe një formë identiteti për kontinentin tonë sepse këtë traditë e kanë Italia, Franca, Gjermania edhe Spanja dhe vijmë me kompozitor të mirënjohur nga e gjithë Evropa. Dikur kjo muzikë bëhej për shumë pak spektatorë, ndërsa sot kjo muzikë bën bashkë shumë njerëz dhe shumë kombe ndaj dhe ju ftojmë që ta shijojmë”. /atsh/ KultPlus.com

Viti 1980, Arbëreshët e Zarës kremtojnë Zojën Loretska (FOTO)

Shoqata Zadar Arbanas e arbëreshëve të Zarës mban zakonisht më 10 maj aktivitete që lidhen me Naše Gospe (Zonja Jonë) dhe atë të 10 dhjetorit Zonjës Loretska. Këtë vit për arsye të Pandemisë këto ditë nuk u mbajtën.

Në fotot e publikuara nga arbëreshi i Zarës Dario Tikulin jane foto të viteve ’80 ku tregojnë faltoren Zadar Maria, Zonja e Mrekullisë Arbanase.

Në këto foto shfaqet dhe pastori arbanas Don Ivo Nikpalj, i cili prej gjashtë brezash i qëndroi besnik romës dhe Kishës në Kroaci./ KultPlus.com

‘Musée Grévin’ i figurave realiste të dyllit, rihapet në Paris

Pas disa muajsh mbylljeje nga pandemia e koronavirusit, muzeumi i dyllit Musee Grevin do të rihapet në Paris, me rihapjen e plotë të Francës më 19 maj 2021.

Muzeumi është duke riaktivizuar biletat e shitura gjatë izolimeve të koronavirusit dhe inkurajon dashamirësit të rezervojnë paraprakisht, teksa në disa foto të publikuara kujdestarët shfaqin fytyrat realiste të personave të famshëm që do të mund të takoni në sallat e tij.

Në fotogalerinë e mëposhtme të sjellë nga NYDailyNews shihen disa nga personat e njohur të risjellë në formë dylli, me efekte thuajse të frikshme ‘rimishërimi’./ KultPlus.com

Nagavci për rastin e abuzimit seksual me të miturën: Rasti do të trajtohet me prioritet

Pas raportimeve për ngacmimin seksual ndaj një të miture në një shkollë në Prishtinë ka reaguar edhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, shkruan KultPlus.

Në një postim në Facebook ajo ka thënë se ende s’kanë informata zyrtare, mirëpo do ta trajtojnë rastin me prioritet dhe kujdes të veçantë.

Nagavci tutje ka shkruar se është me rëndësi të ketë bashkëpunim të plotë mes shkollave, prindërve, shërbimeve profesionale dhe institucioneve të tjera.

Më poshtë mund ta lexoni statusin e saj të plotë:

Në lidhje me shkrime dhe statuse të shumta që janë publikuar sot rreth një rasti që dyshohet të ketë ndodhur në afërsi të një shkolle në kryeqytet, edhe pse nuk kemi ende informata zyrtare, ju siguroj se do ta trajtojmë me prioritet dhe kujdes të veçantë. Besoj se njejtë do të veprojnë të gjitha institucionet kompetente.

Është shumë me rëndësi që në vazhdimësi të ketë bashkëpunim të plotë në mes të shkollave, prindërve, shërbimeve profesionale e instucione tjera përgjegjëse. Të gjithë së bashku duhet të punojmë shumë për edukim dhe në mënyrë që t’i eleminojmë dukuritë  negative nga shkollat dhe shoqëria jonë.

Meqë bëhet fjalë për fëmijë të mitur, i ftoj të gjithë që të përmbahen nga çdo deklaratë dhe publikim që përmban të dhëna dhe detaje të cilat mund të dërgojnë në identifikimin e tyre./ KultPlus.com

Policia deklarohet për rastin e abuzimit seksual nga të miturit në oborr të shkollës në Prishtinë

Policia e Kosovës ka reaguar pas publikimit të një videoje në disa portale, sipas së cilës pretendohet se ka ndodhur një rast i abuzimit seksual në mes të nxënësve në oborrin e një shkolle në kryeqytet.

Në njoftimin e Policisë thuhet se nga zyrtarët e shkollës Policia ka pranuar një informacion me ndjeshmëri, i cili është trajtuar në koordinim me drejtuesit e shkollës, zyrtarët e Qendrës për punë dhe mirëqenie Sociale si dhe Prokurorin e shtetit.

“Për shkak të moshës së personave të përfshirë në këtë ngjarje dhe rrethanave specifike, me rekomandim të prokurorit, rasti po trajtohet nga Qendra për punë dhe mirëqenie sociale”, thuhet në njoftim.

Sot në media është raportuar për një rast të abuzimit seksual në një shkollë në Prishtinë. Për këtë rast është publikuar edhe një video./ KultPlus.com

Kina anulon ngjitjen pranverore në Everest për shkak të koronavirusit

Kina për shkak të shqetësimeve të pandemisë ka vendosur ta anulojë sezonin pranveror 2021 të ngjitjes nga ana tibetiane të Mount Everestit, e cila cilësohet si maja më e lartë në botë, ka thënë të shtunën agjencia zyrtare e lajmeve Xinhua,

Kjo agjenci ka cituar një njoftim të ditës së premte nga Administrata e Përgjithshme e Sportit, e cila vjen  pas një situate të rëndë pandemie, shkruan Reuters, transmeton Klan Kosova, përcjell KultPlus.

Kombi i Nepalit ka aq shumë mungesa të bombolave ​​të oksigjenit saqë u ka kërkuar malësorëve t’i kthejnë bombolat e boshatisura, teksa paraprakisht kishte lëshuar një leje për 408 alpinistë për të ngjitur Everestin në sezonin prill-maj, pas mbylljes së vitit të kaluar.

Ndërsa në të kundërtën, një total prej 21 alpinistësh kinezë kishin siguruar miratimin për ngjitjet e pranverës, ka shtuar kjo agjenci lajmesh.

Nga ana tjetër, të dielën e kaluar media shtetërore kineze ka thënë se Kina do të vendoste “një vijë ndarjeje” në samitin e Everestit, për të parandaluar përzierjen e alpinistëve nga Nepali dhe atyre që ngjiten nga ana e Tibetit, si një masë paraprake.

Përndryshe, Everesti  është ngjitur nga më shumë se 6,000 alpinistë që nga pushtimi i parë i tij nga Edmund Hillary dhe Sherpa Tenzing Norgay në vitin 1953, e ku të paktën 311 njerëz kanë vdekur në shpatet e këtij mali, i cili është i lartë 8,849 metra./ KultPlus.com

Gjeta një gazetë


Poezi nga Jehuda Amihai
Përktheu Edon Qesari


Gjeta një gazetë të njëzet viteve më parë
të javës në të cilën ne u ndamë. Shkruhej
për gjithçka, me përjashtim të ndarjes.

Ti më fut në dhé.
Je ti që më fut në dhé.
Ja pra, këto janë gjërat që kemi thënë atëbotë
lojërat e purpurosura që i rrinë larg vdekjes.

Me raste harroj dhe jepem pas rrugëve
që nuk na përkasin më, hap kanate
të ndonjë kthese të qetë. « Nuk të lë përshtypjen, por kam dalë thjesht
për të bërë vrap. » Apo hyj në ndonjë shtëpi
për të pyetur, si në kohët biblike: Atje është ajo ende?
Ajo do të qendrojë atje për shumë e shumë vite. Lus Zotin që ajo të jetë gjallë.

Mandej bëj një prapakthim që zgjat me vite e vite,
vë dorën në ballin tim të gjerë sa një brezni.

Marr flakë.
Marr flakë edhe unë.
Ja pra, këto janë gjërat që kemi thënë atëbotë.
Do të kish mjaftuar që veç njëri nga ne të merrte flakë
që me zjarrin e tij të ndriçonte tjetrin
dhe ditët që i mbeteshin. / KultPlus.com

Jaden Smith do të hapë një restorant ku më të pasurit paguajnë për të pastrehët

Jaden Smith, djali i Will Smith dhe Jada Pinkett Smith, do të hapë një restorant për t’u dhënë vakte falas njerëzve të pastrehë.

Restoranti “I Love You”, do të sigurojë ushqim vegan falas për ata që kanë nevojë në zonën Skid Row të Los Angeles.

Jaden thotë se dëshiron që ata që kanë mundësi të paguajnë për vaktin e tyre, të shpenzojnë pak më shumë, si një mjet për të paguar dhe vaktin e personit të pastrehë.

“Nëse nuk jeni i pastrehë, jo vetëm që duhet të paguani, por mund të paguani më shumë sesa vlera e ushqimit në mënyrë që të mund të paguani për personin që keni mbrapa jush,” shpjegoi 22-vjeçari./ KultPlus.com

Tre djem abuzojnë seksualisht me nxënësen e klasës së parë

Gjatë ditës së sotme në media është publikuar një video për një rast të ngacmimit seksual në një shkollë në Prishtinë, përcjell KultPlus.

Në këtë video shihen tre fëmijë të cilët abuzojnë seksualisht ndaj një vajze të vogël për të cilën raportohet se është në klasë të parë.

Njëri nga fëmijët i afrohet vajzës, ndërkaq tjetri e mbanë atë. Kurse fëmija i tretë xhiron ngacmimin që i bëhet fëmijës./ KultPlus.com

Si e morën emrin ‘Bjeshkët e Nemuna’

Nga Gani Mehmetaj

Bjeshkët e Nemuna, apo Alpet Shqiptare janë bukuria natyrore më e dëshiruara nga turistët, jo vetëm për shqiptarë por edhe nga të huajt, por jashtë madhështisë së tyre, ekziston një legjendë e trishtitë e një nëne me dy fëmijë e saj.

Bjeshkët e Nemuna sjellin histori të papërfunduar nga askush, e kësaj nëne  me fëmijët, të cilës turqit ia vranë burrin.

Më poshtë ju sjelllim një legjendë e cila qarkullon me dekada:

Legjenda thotë se një nënë me dy fëmijë), mori rrugën drejt Bjeshkëve sipër Rrafshit të Dukagjinit. Me fëmijët për dore, ajo nuk u kujtua për sende të tjera, pasi koha nuk priste, sepse ushtarët e armikut mund t’i kapnin.

E frikësuar nga ndjekësit dhe e pikëlluar për vrasjen e burrit, gruaja me dy fëmijët tashmë jetim, kthente vështimin nga fshati, ku dukej shtëpia e saj, e cila po digjej nga flakët.

E pikëlluar, asaj iu nxinë sytë nga mungesa e ujit. Sa më shumë që ecte, aq më shumë bjeshkët lartësoheshin, sa më shumë përpiqej i shmangej diellit, masa e zjarrtë bëhej më e pamëshirshme, skuqte e digjte si saç, por ata ecnin e ecnin, sa më larg ushtarëve turq.

Dielli i korrikut vazhdonte t’i përvëlonte, etja i kishte molisur si nënë e fëmijë. Vijat e ujit në këtë kohë, në të dy krahët sipër burimit të Drinit shterojnë dhe bora që dikur rrinte deri në fund të gushtit, për dreq, atë ditë korriku kur u duhej fëmijëve të nënës së ve, kishte shkrirë në luginat më të fshehura nga dielli përvëlues.

“Nanë, du ujë”, kërkonte më ngulm djali i vogël, sepse urinë e harruan nga vapa e madhe e lodhja akoma më e madhe.

Po ujë s’kishte askund. “Nanë, t’lutëm ni pikë uj”, e përgjëronte vogëlushi, pa e kuptuar se kjo gjë nuk ishte në vullnetin e nënës së gjorë. S’gjendej askund një pikë uji sa t’ua njomte buzët e përthara. Nëna e hutuar përpiqej ta ngushëllonte të voglin më fjalë kurse i madhi nuk nxirrte zë, megjithëse shkrumbi i buzëve iu bë një pëllëmbë mbi buzë, thotë legjenda.

“Tash e gjajmë ujit, drita e syve të mi, edhe pak. Gurrat e Bardha nuk janë larg”, përpiqej t’i jepte zemër nëna e shkrumbuar nga vapa e pikëllimi. Kaluan Gurrat e Bardha, por uji nuk rridhte askund dhe u ngjitën në Malit të Thatë.

Kopetë e deleve dhe barinjtë, ishin zhdukur si t’i kishte përpirë toka a ngrënë ujku dhe asnjë këmbanë nuk jehonte në tërë Bjeshkët e Nalta, siç quheshin dikur. S’kishte asnjë njeri të gjallë mbi faqen e dheut.

Fëmijët u lodhën, buzët iu bënë shkrumb, forcat iu shteruan e nuk mund të flisnin nga etja e nga lodhja, prandaj nisën të përpëliten dhe flisnin përçart. Nënën e mbërtheu kulmi i dëshpërimit

Lotët nuk i rridhnin që t’ua njomte buzët, shihte e dëshpëruar se si fëmijët po i shuheshin para syve. Por, para se fëmijët t’i kapte agonia, para se të ndodhte gjëma, ajo mall.koi në kulm të zemërimit: ” Hej, moj bjeshkë, kurrë mos paçi ujë! Flaka u daltë! U shitoftë reja!”.

Dhe ra shakull në tokë mbi kalamajtë që po kalonin çastet e fundit të agonisë.

Legjenda nuk e thotë ç’u bë më nënën e dy fëmijët. Nuk e thotë as a vdiqën apo i shpëtoi mrekullia, por legjenda vazhdon sikur qielli u mëshirua me fatkeqët që përpëliteshin në agoni. Dielli u fsheh prapa reve që nisën të qanin më ngashërim, duke lëshuar një shi të rrëmbyeshëm që vërshoi bjeshkëve.

Të tjerët prapë duke iu referuar legjendës thonë se mallkimi i nënës i zuri të gjitha bjeshkët sipër Dukagjinit, në të dy anët e Drinit të Bardhë. Bjeshkët e Namuna u dogjën nga zjarri i mallkimit, reja shkreptin ndonjëherë në qiell të kthjellët duke djegur pyje të tëra.

Gur mbi gur nuk mbetën, thotë legjenda. Të mbërthen angështia, kur i shikon mijëra hektarë të djegur, brinjë të bjeshkës që dalin në sipërfaqe, gërxha që shkëlqejnë në diell.

Mallkimi i ndjek këto bjeshkë edhe sot, zjarret përsëriten çdo vjet, në të njëjtën kohë, në të njëjtin rrugëtim të nënës: sa herë nisin të këndellen bimësia e filizat e hollë, bie një rrufe dhe i djegë filizat e bredhave e të çetinave.

Sipas kësaj legjende, kur ushtria serbe, pasi pësoi disfatë nga malësorët e Rugovës e burrave të Dukagjinit, duke ngjitur Bjeshkët,dielli i pamëshirshëm i dërmoi përfundimisht.

Ushtria e shkalafitur serbe, që i kishte zënë gjaku i të pafajshmeve, ranë shakull në gërxhe. Legjenda e tyre, e sajuar nga kronistët ushtarakë, thotë se gjenerali i tyre tha: “Qofsh e mallkuar!” (prokleta da si). Në gjuhën e tyre “Prokletije”, do me thënë “të mallkuarat”.

Në hartat gjeografike mbi pesëdhjetë vjet ishin të shënuara të dy emërtimet. Alpet Shqiptare, të quajtuar Bjeshkët e Nemuna, janë vazhdimësi e Maleve Dinarit që  shtrihen në veri të Shqipërisë, në perëndim të Kosovës dhe në jug-lindje të Malit të Zi./Metro/ KultPlus.com

E madhe do të jetë festa

Poezi nga Nerimane Kamberi

Këputa një krah jorgovana në oborrin e kojshisë
Do t’i mbushi vazot në gjithë shtëpinë.
Në qytet kanë filuar të vyshken
E te ne në katund sa kanë çelë.
« Këtu është ma ftohtë « më thotë burri
Normal, mali rreze shpisë , lumin e shoh nga dritarja e kuzhinës
Ku po e pjeki piten me hithra.
Lulet mbyllen atje e lulet çelin këtu,
Kam ndjenjën që po i jetoj dy pranvera
Sikur me i pas dy jeta,
Athua qysh e kisha jetuar të dytën
Me të njejtet gabime, me të njejtat dëshira?
E me shumë dashuri ? A me më pak ?
Se edhe dashuria është vuajtje,
E unë nuk jam kaq e fortë.
Vetëm një jetë e kemi,
E ti, eja ta pijmë një gotë, edhe një, edhe një,
Të dehemi e të sillemi në barin e njomë, këmbëzbathur,
Si dervishët rrotullues.
Një jetë e kemi, a nuk e morëm vesh që një vit ?
E ti kur do të dalësh nga ai vend ku po mundohesh ta shërosh shpirtin e trazuar
A po vjen ta pijmë një gotë,
Ti vetë më the që e do jetën shumë,
E mos gabo të bësh ndonjë budallallëk,
Eja, këtu më gjen.
E pastaj nisemi në udhëtimes tona rreth botës
Veç një jetë e kemi./ KultPlus.com

Shqiptaret pushtojnë industrinë e muzikës: Katër këngëtaret që dominojnë top listat

Media greke i ka kushtuar një artikull katër këngëtarëve me famë botërore dhe origjinë shqiptare, Dua Lipa, Rita Ora, Ava Max dhe Bebe Rexha.

“Nëse dikush do të na thoshte 10 vjet më parë se do të ishin katër vajza nga Kosova dhe Shqipëria në nivelet e larta të industrisë botërore të muzikës, do të çmendeshim. Jo sepse këto vende nuk kanë talent muzikor, por sepse është e vështirë për njerëz që vijnë nga këto vende për të kapërcyer pengesat që ekzistojnë në skenën britanike dhe amerikane. Kjo është arsyeja pse arritja e tyre është më e madhe. Dua Lipa, Bebe Rexha, Rita Ora dhe Ava Max vijojnë të jenë në krye të top listave”, e nis shkrimin e saj reader.gr.

Dua Lipa

Duke folur për Dua Lipën, media greke shkruan se në kohën e pandemisë ajo arriti suksese të mëdha me albumin “Future Nostaglia” dhe tani është në një nivel muzikor me Taylor Swift dhe Billie Elish.

“Emri i saj në shqip do të thotë “Dashuri” dhe ajo ka lindur në Angli. Babai i saj Dukagjin dhe nëna Anjeza jane nga Kosova. Pas lindjes së saj prindërit e saj u kthyen në Kosovë me vajzën e tyre dhe Dua shkoi serish në Londër në moshën 15-vjeçare, ku vuri themelet për të pushtuar majat që ka arritur sot”, shkruan më tej Reader.gr.

Bebe Rexha

Ndoshta ajo është më me fat nga të katër vajzat pasi ka lindur në SHBA, me prindërit që kanë emigruar në Brooklyn shumë më herët se ajo të lindte. Babai Flamuri dhe nëna Bukurije janë nga një qytet shqipfolës i Maqedonisë së Veriut. Emri i saj është Bleta, dhe për këtë arsye zgjodhi Bebe si emër artistik.

Media greke shkruan se ajo e nisi si tekstshkruese karrierën e saj 8-vjeçare por dy albumet e Bebes kanë pasur shitje të çmendura.

Rita Ora

Rita është mbesa e regjisorit të njohur kosovar Besim Sahatçiu, babai i saj Besniku dhe e ëma Vera lanë Kosovën në 1990 . Emrin asaj ia ka vendosur gjyshi. Ora ashtu si Dua Lipa pati rrugëtim të ngjashëm drejt suksesit. Ka qenë Jay Z që e zbuloi atë në 2011.

Ava Max

Ajo ka lindur në 1994 dhe publiku e njohu me këngën e saj Sweet but Psycho tre vjet më parë. Së shpejti Ava do të sjellë albumin e saj të parë. E ardhur nga Shqipëria, Amanda Koci zgjodhi emrin e artit Ava Max./ Diaspora shqiptare / KultPlus.com

Letër vetes tem t’re

twitter sharing button

Madeleine Albright këtë letër ja ka adresu vetes në moshë më të shtyme, 44 vjeçe, kur i asht shu martesa!

E dashtun Madeleine

Ki me e tejkalu këtë mjegull e pasiguri – edhe ata në mënyrën ma të mirë të mundshme. Nuk ki me u ba cinike, stoike apo e vrazhdë prej kësaj humbje që je tu e ndje. Gjatë dhjetë vjetëve në vazhdim ki me e rindërtu e rikriju veten, ki me pas sukses – dhe përmbushje të jashtëzakonshme.

E vërteta asht që ti e ki guximin me e gjet qëllimin tand edhe integritetin me e përmbush atë qëllim simbas standardeve tua. Prindërit të kanë mësu me e dhanë ma të mirën e me i arritë krejt ato që mundesh, me talentet që i ki. Ti ki me i vendos ato talente në shërbim të vetes, ki me e gjet zanin tand edhe ki me e përdor atë za për t’i shërby vendit në mënyra që kanë me të mahnit.

Kur të pyesin studentet se qysh ja ke dal me kanë e martume, me pas fëmijë edhe me punu në të njajtën kohë ki me u ndje si hipokrite sepse ti mendon që ke dështu aty.

Asht vështirë me u ndje e kualifikume si model. Por ti je.

Kanë me kalu shumë vjet derisa te kupton që je model i mirë. Por përfundimisht, ti ki me inspiru ma shumë gra sesa që kishe mujt ndonjiherë me paramendu. – Mbas njizet e tri vjetëve, kur gratë kanë me të tregu që kanë zgjedh të bajnë karrierë në marrëdhanie ndërkombëtare, ti ke me u ndje mirë kur ki me ju thanë se nuk ka formulë, ngase çdonjani duhet me e ndjek udhën e vet.

Me shumë besim, 
Madeleine Albright

©përkthim / VLORA KONUSHEVCI

Marrë prej librit: 
What I Know Now
LETTERS TO MY YOUNGER SELF
By ELLYN SPRAGINS / KultPlus.com

Sonila Salillari: Vështirësitë në emigrim nuk lidhen me faktin që je shqiptar

Sonila Salillari në këtë qershor mbush plot 22 vjet që jeton në Kanada. Përveç karrierës që ia zë një pjesë të madhe të kohës, asaj i pëlqen të udhëtojë e shijojë natyrën që të ofron Kanadaja. Ajo ka studiuar Inxhinierinë Elektronike në Tiranë dhe Inxhinierinë e Programimit në Toronto, për të filluar karrierën e saj në Menaxhim Projekti, ku prej vitit 2007 ka qenë drejtuese projektesh e licensuar, licensë që i vlen në çdo vend të botës.

Zonja Salillari, nëse mund të na prezentoheni për lexuesit tanë, dhe të na rrëfeni për rrugën e integrimit tuaj në Kanada…

Shumë më njohin si Sonila Qirjaku; në këtë qershor bëj plot 22 vjet që jetoj në Kanada së bashku me bashkëshortin dhe djalin. Përveç karrierës që më zë një pjesë të madhe të kohës, më pëlqen të udhëtoj e shijoj natyrën që të ofron Kanadaja; të gatuaj e përveç recetave tradicionale të provoj dhe shumë të reja; të lexoj si letërsi artistike ashtu dhe libra teknikë; të kuptoj politikat e vendit në të tre nivelet (lokal, provincial, federal) e të ndjek debatet politike; më pëlqen të organizoj aktivitete të ndryshme sociale e të ndaj me miqtë e mikeshat e mia momente të veçanta.
Çdo emigrant shqiptar kudo në botë do t’i pergjigjej kësaj pyetjeje që “rruga e integrimit nuk ka qenë e lehtë”. Ka patur sfidat e veta, por e rëndësishme është si pozicionohesh ndaj tyre e si punon për t’i kapërcyer ato; si t’i i përqasesh të ndryshuarit dhe sa pranon ndryshimin dhe sa i adaptueshem je duke ruajtur identitetin tënd si shqiptar. Të qenurit pozitiv, të punuarit fort, të paturit e një familje që të mbështet në planet tuaja janë disa nga përbërësit e suksesit. Nuk mund të fitosh asnjëherë nëse nuk merr përsipër rrezikun. Kanadaja është një vend i mrekullueshëm për të emigruar, ka shumë për të ofruar, për të ndërtuar jetën dhe karierën. Vlerësimi i aftësive, të qenurit të hapur ndaj kombeve, racave e gjinive të ndryshme, shërbimi mjekësor, sistemi i edukimit, mënyra se si i përafrohen problemeve janë çfarë gjetëm në Kanada. Nëse do kishte një vend ‘perfekt’ për të emigruar unë do ju rekomandoja Kanadanë, pavarësisht se shumë ankohen për motin e ftohtë. Por dhe për këtë ka një ‘kurë’, nëse fillon të merresh me sportet e aktivitet fizike të dimrit, më besoni, i ftohti nuk ndjehet.

Keni studiuar në Tiranë dhe Toronto për inxhinieri elektronike dhe programim. Sa ka ndikuar shkollimi në Kanada në punën tuaj profesionale sot?

Kjo është një nga pyetjet që e marr shumë shpesh. Përgjigja ime është pak e gjatë. M’u desh 5 vjet në Inxhinierinë Elektronike në Tirane të kuptoja se nuk doja të punoja në atë fushë; 1 vit në Inxhinierinë e Programimit në Toronto për të kuptuar se dhe kjo ishte diçka tjetër që nuk doja të bëja dhe 2 vite në Menaxhim Projekti poashtu në Toronto për të gjetur profesionin dhe karrierën që unë doja. Unë jam që prej vitit 2007 drejtuese projektesh e licensuar, licensë që më vlen në çdo vend të botës. Në secilën nga shkollat kam marrë aftësi që më kanë ndihmuar të bëj më mirë atë që bëj sot. Inxhinieria më ndihmoi të kem të menduarin e të punuarin metodik, programimi më ndihmoi të zbërthej problemet në pjesë të vogla e të menaxhueshme, ndërsa menaxhimi i projektit se si të komunikoj e merrem me grupet e ndryshme në projekt. Nga çdo edukim e eksperiencë ti fiton diçka, bëhet pjesë e jotja që me vite vazhdon ta përpunosh derisa bëhet pjesë e rëndësishme e karakterit dhe metodologjisë në punë.


Keni patur pozicione të rëndësishme menaxheriale në karrierë. Cila ka qenë arritja më e madhe profesionale për ju?

Karrierën këtu në Kanada e fillova si Menaxhuese e Projekteve, e shumë shpejt mora rolin e Drejtuesës së Grupit të zbatimit të projekteve, e që nga ajo kohë kam patur gjithmonë role drejtuese në 15 vitet e fundit. Përveç
roleve drejtuese ajo që unë e quaj arritje profesionale është marrja e dijeve dhe aftësive në menaxhimin e pasurive të paluajtshme korporative (“corporate real estate”) me fokus në planifikimin e investimeve kapitale. E ndërsa sot mund ta quaj veten një specialiste në këtë fushë mund të them që nuk kam bërë asnjë orë edukim formal në Inxhinierinë e Ndërtimeve, por kam lexuar e punuar orë pa fund për të transferuar njohuritë e një inxhinierie tek një tjetër. Aftësitë teknike të kombinuara me ato menaxheriale, të qenurit e drejtpërdrejtë në marrëdhëniet me kolegët e varësit, të qenurit e hapur ndaj ideve dhe ndryshimit, duke i kushtuar rëndësi punës në ekip, të menduarit e vepruarit jo vetëm për sot, por dhe për të ardhmen, kombinimi i të menduarit dhe vepruarit në mënyrë operacionale, taktike dhe strategjike janë disa nga pikat kryesore të suksesit tim sot.


Cili është roli i juaj në kompaninë  CBRE (CB Richard Ellis) si drejtore e saj?

CBRE është një organizatë ndërkombëtare që ka zyra në të gjithë botën, ku e menaxhojnë portofole të pasurive të paluajtshme të korporateve si qeveritare ashtu dhe private. Unë jam drejtuese e një nga portofoleve, që përfshin ndërtesat e qeverise provinciale në Ontario (rreth 5 000 ndërtesa dhe mbi 3.7 milion metër katror sipërfaqe) siç janë gjykatat, zyrat, burgjet, shkollat, qendrat e zjarrëfikësve, zyrat e policisë, laboratoret etj. Drejtoj një grup prej më shumë se 450 vetash përveç kontraktorëve e partnerëve që japin tërë shërbimet këtyre ndërtesave si: shërbimet elektrike dhe menaxhimi i energjisë, mbatjen e te gjitha pajisjeve te ngrohjes e ftohjes, sigurinë e ndërtesave, pastrimin e tyre brenda dhe jashtë, kopshtarinë, prokurimin publik të shërbimeve, zbatimi i projekteve të rinovimeve, shërbimet financiare, etj. Të gjitha shërbimet janë të integruara e raportohen regullisht nëpërmjet analizës së të dhënave duke shfrytëzuar aplikime e teknologji të ndryshme. Dita ime tipike është si një lavjerrës ore që prek të tëra anët e organizatës; më duhet të jem operacionale e strategjike në të njejtën kohë; më duhet të negocioj për rezultatet, cilësinë, buxhetin e kohën si me klientin ashtu dhe me grupin që drejtoj; më duhet të zgjidh konflikte dhe të propozoj zgjidhje; unë jam një drejtuese që përvesh mëngët dhe bëhem një me ekipin që punoj; motoja ime është mbështetja tek ekipi dhe fuqizimi i tij për të arritur rezultate. Nganjëherë më duket vetja si polic trafiku në një kryqëzim shumë të ngarkuar kur puna ime është që trafiku të levizë rrjedhshëm në të gjitha drejtimet.


Jeni ligjëruese e lëndës “Menaxhim Projekti” në College Boreal ne Toronto nga viti 2018. Cila është këshilla që e keni dhënë më së shpeshti për dikë që menaxhon projektin?

Dhënia e mësimit është një nga dashuritë e mia që e kam marrë që në vogëli nga prindërit e mi që kanë qenë të dy mësues. Êshtë një profesion sa i bukur dhe i vështirë për të cilin unë kam shumë respekt. E ndërsa kjo nuk është puna ime kryesore, unë gjithmonë i kthehem mësimdhënies si nëpermjet trajnimeve në korporatë ashtu edhe ligjëratave në kolegj. Në klasat e mia dua shumë ta bëj profesionin e Drejtueses së Projekteve të kapshme e të kuptueshme për të gjithë. Pyetja e parë që i bëj të tërëve është: “A keni organizuar ndonjë festë ditëlindjeje?” apo, “A keni bërë ndonjë projekt rinovimi shtëpie?”. Kush e ka bërë njërën apo tjetrën, apo dhe të dyja tregon se kanë në vetvete elemente të drejtimit të projekteve. Unë besoj se çdokush që ka aftësinë e menaxhimit të mirë të kohës, ka aftësi komunikuese (të dijë të dëgjojë se çfarë i thonë), ka aftësi për të vendosur prioritet e duhura mund të jetë një drejtues projektesh. Edukimi dhe eksperienca të japin mekanizma që ti e bën më mirë e më profesionalisht këtë punë.


Më shumë se një vit ka kaluar kur ju punoni vetëm online. Cilat kanë qenë sfidat fillestare të këtij ndryshimi?

Ky vit ka qenë i veçantë për mua ashtu sikurse ka qenë për të gjithë. Kur drejton një grup të madh e me interesa të ndryshme të duhet të kujdesesh për të tërë njësoj, ndërkohë që gjysma e grupit që unë drejtoj ka punuar e vazhdon të punojë nga shtëpia gjatë periudhes së pandemisë, ndërsa gjysma tjetër duhet të jetë në frontin e punës çdo ditë. Unë së bashku me grupin tim drejtues kemi punuar me orë të zgjatura për t’iu gjendur të dy grupeve pranë e për t’iu përshtatur situatës së re të krijuar. Orë të gjata të mbledhjeve në platformën “Zoom”, puna me grupet që jo vetëm të jenë të pranishëm (virtualisht apo fizikisht) por të jenë sa më efikas duke kapërcyer lodhjen e të qenurit para kamerës tërë kohën, të menduarit e vepruarit jashte kornizes, reagimi i shpejte dhe i sakte ndaj situatave të panjohura, balancimi midis punës e jetës personale, jane disa nga karakteristikat e kësaj periudhe. Kjo situatë na vuri të tërëve në provë e unë mund ta quaj veten me fat që m’u dha mundësia të drejtoj një grup që u bë partneri i vërtetë i Qeverisë së Ontarios gjatë pandemisë për të siguruar vazhdimësinë e punimeve dhe shërbimeve të nevojshme në provincë.


Ju njohim edhe si aktiviste dhe figurë publike në komunitetin shqiptar në Kanada. A mund të na tregoni sa njiheni me komunitetin tonë?

Unë nuk do të besoja se jam një aktiviste ashtu siç do të doja të isha, sepse e di shumë mirë çfarë përkushtimi e pune duhet për të mbështetur komunitetin. Eksperienca ime në Shqipëri për rreth 10 vite para se të vija në Kanada ishte me organizatat jo-qeveritare, fatkeqësisht këtu në Kanada midis edukimit, karrierës dhe familjes unë nuk u përfshiva aq sa do të dëshiroja në komunitet. Megjithatë, mendoj se kam dhënë kontributin tim të thjeshtë duke ndihmuar të rinjte, duke iu dhënë mundësi për të treguar veten në punëra të ndryshme e duke u bërë këshillues (“mentor”) për shumë nga ta. Dhënia e mundësive të shumë të rinjve nga komuniteti që të aplikojnë për vende pune në organizatën kur punoj, të tregojnë veten se sa të zotët janë, të respektohen e nderohen nga kolegët është një nga ato sukseset e vogla që unë ndjehem krenare për ta por dhe për mënyrë si ata prezentojnë komunitetin shqiptar në vendin e punës. Unë mendoj se çdo gjë e vogël ndihmon, fillon me rrethin tënd të ngushtë e fillon dalëngadalë ta zgjerosh atë më shumë. E nëse ky proces vazhdon zinxhir nga ato që ti ke mbështetur, tek ata që ata do mbështesin, rritet e forcohet grupi mbështetës në komunitet.


Para disa javësh ishe paneliste e Shoqatës së Eskelencës Shqiptaro- Kanadeze (Albanian- Canadian Excellence Society- ACE) në një takim virtual për gratë dhe lidershipin. Cila ka qenë ligjërata juaj dhe si u prit ajo?

Unë mora pjesë në të njejtin panel me disa gra e vajza që janë shembull në komunitet e kjo pyetje ndoshta do të ishte më mirë të përgjigjej nga pjesëmarrësit në takim. Unë mendoj që ndava thjesht e sinqerisht me to eksperiencën time e çfarë unë mendoj që mund t’i ndihmonte pjesëmarrësit për të qenë të sukseshem në karrierën e tyre. Takimin e mbylla me këshillën për të gjitha gratë dhe vajzat që të mos t’i thonin “jo” asnjëherë vetes, që të jenë vetvetja, që gjatë kësaj situate pandemie të ishin të përfshira, t’iu dëgjohej zëri i tyre, të ngrinin dorën për të marrë sfida të reja, të komunikonin rregullisht me grupet e ndryshme, të mos pushonin së bëri pyetje e të ofronin ndihmën e tyre. Mund të duken shumë, por nuk janë…

Përmendët më herët që keni një djalë. Çfarë do t’i këshilloje nënave të reja që duan të ndërtojnë familjen dhe karrierën?

Për çdo njeri familja e karriera janë dy pjesë së të tërës dhe gjetja e balancës të drejtë midis të dyjave është ‘sekreti’ për shumë gra e vajza. Për mua familja është shumë e rëndësishme dhe e shoh investimin tek ajo si një nga investimet më të rëndësishme që kam bërë në jetë; është një investim që nuk mbaron asnjëherë, i bërë me hapa të vegjël, që ndryshon formë vazhdimisht e ti i sheh rezultatet shumë vite më pas, dhe rezultati nuk varet vetëm nga çfarë ti investon por dhe si perceptohet e merret investimi nga pjesëtarët e familjes, e në rastin tim, im bir. Unë mund ta quaj veten me fat që djali im edhe pse u rrit larg gjyshërve e familjes së ngushtë, mori shumë dashuri e vëmendje, mori modelin se çdo të thotë të jesh një njeri me zemër të madhe, si të kesh integritet e si punohet fort drejt suksesit, ruajti gjuhën shqipe dhe identitetin e tij. Sot ai është një i ri që ka arritur sukseset e veta. Ai është shoku im më i mirë, më dëgjon e debaton idetë e mia dhe më bën që të mendoj më shumë si gjenerata që ai i përket. Po e mbyll me kaq këtë pyetje se si nënë mund të flas me orë të tëra ….


Aktualisht jeni edhe profesoreshë dhe nje nga menaxheret e kompanisë CBRE. Sa është vështirë për një shqiptare t’i realizojë ëndrrat e saj nëpër botë?

Vështirësitë nuk lidhen me faktin që je shqiptar, por vështirësitë vinë me njohjen e gjuhës, të kulturës së vendit dhe të organizatës, të mungesës ëe grupit mbështetës, të mungesës të besimit tek vetja, tek prezantimi që i bën vetes. Të gjitha këto kombinuar me sa i përqëndruar je për të arritur objektivin që i ke vënë vetes, hapat që bën për të shkuar drejt këtij objektivi, si mëson nga gabimet tuaja e si krijon profilin tënd profesional i bëjnë vështirësitë të jenë komplekse. Këshilla ime për të tërë është që të njohin veten, të kuptojnë çfarë kanë e çfarë ju mungon dhe dalëngadalë të punojnë për të arritur aty ku duan. Në Kanada tregu i punës është i ndarë 50/50 midis aftësive teknike dhe aftësive të buta (“soft skills”). Ajo që është e përbashkët nga të gjithë emigrantët është investimi në shtimin e aftësive teknike (emigrantët që vinë në Kanada i kanë këto aftësite teknike) ndërkohë që duhet të përqëndrohen më shumë në aftësitë e buta (“soft skills”) e ato nuk merren vetëm me edukimin, por dhe me përfshirjen aktive në të gjitha drejtimet në jetën e vendit. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

Instagrami më në fund po e bën gati opsionin e pritur qe një kohë të gjatë

Përdoruesit e rrjetit social, Instagram, mund t’i qasen lehtësisht platformës përmes një kompjuteri apo iPadi, megjithatë në uebfaqen për desktop s’ka një opsion për publikim të fotografive, videove apo edhe storieve, për përdoruesit e thjeshtë. Gjithsesi, kërkesa e kamotshme pritet të realizohet së shpejti, pasi që kompania po punon në përditësim të uebfaqes së vet për t’ua mundësuar përdoruesve postimin nga aty.

Siç ka postuar në Twitter, zhvilluesi dhe analisti i aplikacioneve, Alessandro Paluzzi, përditësimi do të sjellë krijuesin e postimeve edhe në uebfaqen e Instagramit – që më herët ishte në dispozicion vetëm përmes aplikacionit, percjell Koha.net

Përmes fotografive të publikuara, Paluzzi ka treguar se ka arritur ta përfshijë opsionin e ri përmes metodave të papublikuara, duke shpalosur si do të duket kur ajo të publikohet. Ndërfaqja shihet se shfaq disa opsione, me përdoruesit që do të mund të zgjedhin mes opsioneve për postim, e përdorim të filtrave dhe vendosje të përshkrimeve.

Nuk dihet ende se kur do të vijë një veçori e tillë, por kërkesa e përdoruesve është e kamotshme. / KultPlus.com

Rodin-Picasso ose përballja e dy gjigantëve që kanë thyer kodet

Për herë të parë, Auguste Rodin dhe Pablo Picasso, dy gjigantët e artit modern që secili kanë thyer kodet, do të përballen me njëri tjetrin në një ekspozitë në dy muzetë parizianë që iu janë kushtuar atyre.

Ekspozita e dyfishtë, e vonuar nga kufizimet, do të hapet të mërkurën deri në janar 2022.

Ajo përmbledh 500 vepra (skulptura, piktura, qeramikë, vizatime, fotografi) të dy artistëve, ardhur kryesisht nga koleksionet.

Sfida është e guximshme, Picasso (1881-1973) nuk është frymëzuar drejpërdrejt nga Rodin (1840-1917) dhe nuk ka mundur ta takojë kurrë ndoshta, edhe pse ata kishin miq të përbashkët.

“Shumë pika takimi, konvergjenca në raport me natyrën, erotizmin, vizionin e fatit njerëzor, na janë shfaqur mes Rodin dhe Picassos, ndërkohë që ata nuk kanë qenë në të njëjtën shkollë, nuk kanë qenë të një gjenerate”, nënvizon Virginie Perdriso-Cassan, kuratore përgjegjëse e ngarkuar me pjesën e ekspozuar në Muzeun Rodin.

I riu Picasso, ku shkoi në Paris në 1990, ai shkoi në Pavillon de l’Alma për të parë një ekspozitë nga skulptori, i cili në atë kohë ishte tashmë i njohur, i admiruar dhe i diskutueshëm.

Spanjolli do të magjepsej nga përfaqësimet e Balzac nga Rodin dhe do t’i kushtonte vepra autorit të ”Komedisë njerëzore”.

Në studion e tij në Barcelonë, ai kishte vendosur në murin e tij një foto të “Mendimtarit” të Rodin./ atsh / KultPlus.com

Dua Lipa me videoklip të ri

Dua Lipa është ende duke shijuar triumfin në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Brit Awards” ku rrëmbeu dy çmime, atë për “Këngëtaren më të mirë britanike” dhe “Albumin më të mirë”, për albumin “Future Nostalgia”.

Mirëpo, këngëtarja nga Kosova, nuk e ka ndërmend të pauzojë gjatë pas kësaj ngjarjeje. Burime të “The Sun”, kanë thënë se Dua është duke punuar për xhirimin e një klipi të ri.

“Dua është ende duke e shijuar suksesin e albumit të saj të fundit dhe fitoren e dyfishtë në “Brit Awards” mirëpo ajo nuk dëshiron të ndalet. Tashmë është duke punuar për videoklipin i cili do të jetë i mahnitshëm. Një numër i madh i njerëzve janë duke marrë pjesë në realizimin e tij, duke përfshirë këtu edhe një kali”, është shprehur burimi.

Ndërkaq, se kur pritet të publikohet videoklipi dhe për cilën këngë bëhet fjalë, nuk është bërë ende e ditur. / Koha.net/ KultPlus.com

Rugova i kishte kërkuar Albright-it që Kosova të bëhet shteti i 51-të amerikan

Adnan Merovci, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të presidentit historik, Ibrahim Rugova, kohë më parë pati publikuar një fotografi derisa po lexonte librin “Zonja sekretare” të Madeleine Albright, shkruan KultPlus.

Ai ka veçuar një pjesë të librit nga viti 1998 kur Albright e përshkruan atmosferën gjatë takimit me Rugovën, ku ai i kishte kërkuar me shaka që Kosova të bëhej shteti i 51-të amerikan.

“Ri lexim: Kosova shteti i 51-të amerikan! “Gjatë takimit u zhgënjeva kur pashë mimikën e kolegëve të RUGOVËS, të cilët rrinin si të ngrirë, madje bënin edhe gjeste mosmiratimi gjatë kohës sa ai fliste. Gjithsesi, RUGOVA foli hapur. Tha se kushtet në Kosovë po keqësoheshin çdo ditë e më shumë dhe kërkoi që NATO-ja të krijonte një zonë ndalimfluturimi, që të mos lejonte sulmet me helikopter të serbëve. Ai vuri në dukje se qëllimi i shqiptarëve ishte pavarësia, por se mund të pranonin të kishte një status të përkohshëm si protektorat ndërkombëtar apo madje, bëri shaka ai, të bëheshin shteti i pesëdhjetenjëtë amerikan”, shkruhet në librin e Albright./ KultPlus.com

Arbëreshja që kandidon për këshillin bashkiak

Maria Stefania Emmanuele nga Civita është një grua këmbëngulëse dhe e fortë, por njëkohësisht edhe e ëmbël dhe ëndërrimtare. Vajza e profesor Demetrio Emanuele, drejtor i muzeut Placco dhe revistës Katundy.

Stefania ka jetuar fëmijërinë e saj të lumtur midis Civita dhe Castrovillari dhe më pas ka studiuar në Romë, por thirrja e rrënjëve të origjinës është e fortë në fakt dhe ajo kthehet te Civita, qytezën e saj të dashur dhe i përkushtohet aktiviteteve administrative si vlerësuese e turizmit, kulturës dhe mjedisit përmes Pro loco dhe shoqatat e tjera të pranishme në territor.

Maria Stefania kërkon mbështetjen e kandidaturës saj, pasi synon të ulet në Këshillin Rajonal së bashku me De Magistris. / Gazeta Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

Madeleine Albright: Është një vend i posaçëm në ferr për gratë që nuk i ndihmojnë gratë

Madeleine Albright sot feston ditëlindjen. Ajo lindi më 15 maj 1937 dhe është një politikane dhe diplomate amerikane që shërbeu si sekretarja e parë femër e Shteteve të Bashkuara në historinë e SHBA nga 1997 në 2001, shkruan KultPlus.

Ajo ka kontribuar për lirinë e Kosovës gjate viteve te vështira të luftës dhe për ta shpërblyer shteti i Kosovës e ka nderuar me Medaljen e Artë të Lirisë.

Si një grua e fuqishme në botën diplomatike, ajo ka dhënë edhe një shembull të jashtëzakonshëm të fuqisë së gruas në botë.

KultPlus kujton një nga fjalitë e saj të fuqishme për fuqinë e grave së bashku dhe për solidaritetin që ato duhet ta kenë për njëra-tjetrën. “Është një vend i posaçëm në ferr për gratë që nuk i ndihmojnë gratë”, kishte thënë ish-sekretarja e SHBA-së Medeleine Albright./KultPlus.com

“Halili dhe Hajria”, botohet e plotë partitura e baletit të parë shqiptar

Partitura e baletit të parë shqiptar “Halili dhe Hajria” është botuar e plotë dhe e kompjuterizuar, plot 573 faqe.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Komisioni i përhershëm i artit dhe trashëgimisë kulturore, organizuan nё 95-vjetorin e lindjes sё akademikut Tish Daija (1926-2003) një veprimtari shkencore dhe pёruruese nё bashkёpunim me Fakultetin e Muzikёs (UA), pёr tё promovuar këtë partiturё, me muzikё tё kompozitorit Tish Daija dhe me libret dhe koreografi tё Panajot Kanaçit.

Veprimtaria me pjesëmarrje fizike dhe online u moderua nga dr. Mikaela Minga, anëtare e Akademisë së të rinjve.

Akad. Vasil S. Tole përshëndeti në emër të Kryesisë së ASH-së dhe tha se historia e këtij baleti është një histori suksesi.

BALETI “HALILI DHE HAJRIA”

Premiera e baletit u bë më 13 janar 1963 në Teatrin e Operës dhe Baletit (sot Akademia e Arteve). Në vitin 1983, me rastin e 20-vjetorit të vënies në skenë, janë riorkestruar disa numra nga baleti. Eshtë shfaqur afro 300 herë në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë. Kjo trupë e ka shfaqur baletin jashtë vendit në turnetë e Greqisë (1983), në Itali (1991) dhe në Festivalin “Vera e Ohrit” (2005).

Në Francë, ky balet është vënë në skenë me artistët e Teatrit të Operës dhe Baletit Clermond-Ferrand (1980), me koreograf Brice Leroux. Baleti është vënë në skenë gjithashtu edhe në Kosovë nga Ansambli i Baletit të Teatrit Krahinor të Prishtinës në vitin 1979, tha akad. Vasil Tole, i cili më tej foli për rëndësinë e botimit, ndërsa po rrezikohej degradimi i veprës origjinale. Ai tha se kjo vepёr këtё vit do tё pasohet edhe me 4 veprat pёr orkestёr simfonike tё Fan S. Nolit dhe vitin tjetёr do tё botohet e para simfoni shqiptare, ajo e Ҫesk Zadesё, nё kuadrin e 95-vjetorit tё lindjes sё tij. Botimi i partiturёs historike të baletit tё parё shqiptar do t’i shërbejë një larmie të madhe përdoruesish, nga dirigjentët brenda e jashtë vendit, kompozitorëve të rinj dhe muzikologëve, bibliotekave të specializuara ose jo, nxënësve dhe studentëve të muzikës, dashamirësve, koleksionistëve etj.

TISH DAIJA

Dr. Eno Koço, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave, foli për rëndësinë e baletit të parë shqiptar dhe rrëfeu kujtime nga puna me kompozitorin e shquar Tish Daija.

Tish Daija përfaqëson një nga ata pak kompozitorë, që mbeten në elitën e kompozitorëve më të shquar shqiptarë, tha dr. Eno Koço.

Prof. Dr. Isak Shehu, dekan i Fakultetit të Muzikës pasi foli për edukimin muzikor të Tish Daisë, që nis që në moshën parashkollore, me pjesëmarrjen në korin françeskan, ku merr mësimet e para nga padër Martin Gjoka e Filip Mazreku. Ai foli më tej për rolin si pedagog i kompozicionit dhe tha se “Tish Daija ka dhënë një kontribut të madh në krijimin dhe zhvillimin e muzikës instrumentale, vokale e simfonike shqiptare në të gjitha gjinitë, këngë të muzikës së lehtë, popullore, muzikë filmash etj., si: opereta “Lejlaja”, opera “Pranvera”, baleti i parë shqiptar “Halili dhe Hajria”, “Bijtë e peshkatarit” etj.

Vlerat e krijimtarisë së Tish Daisë ndikojnë në edukimin e kompozitorëve të rinj. Krijimtaria e tij flet shqip. Zgjedhja e materialit burimor, harmonizmi, orekstracioni, forma etj., flasin të gjitha vetëm shqip, tha prof.dr. Isak Shehu.

Prof. Rafet Rudi (Kosovë) foli për rëndësinë e botimeve muzikore. Ai e cilësoi Tish Dainë një nga bardët e muzikës shqiptare, të cilët i dhanë një start të ri kompozimit.

Djali i akad. Tish Daisë, kompozitori Gust Daija, në fjalën online (nga SHBA), pasi falënderoi dhe i shprehu mirënjohjen Kryesisë së ASH-së për botimin e partiturës, tha se “Halili dhe Hajrija” ishte vepra e katërt e kompozitorit Tish Daija në fillimet e punës së tij. Ai rrëfeu rrugën e Tish Daisë si autor i shumë veprave të mëdha muzikore si, opereta “Lejlaja”, opera “Pranvera”, baleti i parë shqiptar, “Bijtë e Peshkatarit” etj.

Gjithashtu veprimtarinë e përshëndeti edhe baletmaestri Albert Janku, i cili është një nga protagonistët e vetëm që ende jeton të baletit të parë shqiptar “Halili dhe Hajria”. Veprat e bukura i mbijetojnë kohës dhe janë pasuri e madhe e popullit, tha Albert Janku, duke kujtuar me nostalgji kohën e realizimit të kësaj vepre dhe punën e palodhur që u bë për ngjitjen e këtij baleti në skenë me mjeshtrin e baletit Panajot Kanaçi që solli risi në shprehjen harmonioze të gjuhës së trupit të kërcimtarëve me muzikën e Tish Daisë. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com

Muzeu Etnografik në Krujë drejt restaurimit

Muzeu Etnografik në Krujë, falë mbështetjes së Bashkimit Europian do të restaurohet dhe rijetëzohet për të dëshmuar vlerat më të mira shqiptare e europiane.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, bashkë me ambasadorin e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca vizituan sot Muzeun Etnografik të Krujës.

Margariti tha se “shqiptarët synojnë të bëhen pjesë e familjes europiane me identitetin tonë kombëtar”.

“Pikërisht, në këto ditë të Europës, u mblodhëm në oborrin e një godine të hijshme, në atë të Muzeut Etnografik në Krujë, që falë mbështetjes së Bashkimit Europian do të restaurohet, rijetëzohet për të dëshmuar vlerat më të mira shqiptare e europiane”, tha ajo.

Bashkë me përfaqësues institucionesh, specialistësh të trashëgimisë, Afërdita Onuzi, Iris Pojani, Mehdi Hafizi, zvkryetari i Bashkisë së Krujës, Florind Cerhozi dhe përfaqësues të komunitetit lokal në takim u diskutua mbi projektet dhe u shkëmbyen ide të reja.

Margariti falënderoi Ambasadorin e BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, për ndihmën e vazhdueshme për të çuar përpara programin e ringritjes, EU4CULTURE, por edhe përfaqësuesve të UNOPS-it, Pamela Lama  e Lejla Hadzic për bashkëpunimin për realizimin e projekteve të rindërtimit të monumenteve të kulturës./ atsh / KultPlus.com

OBSH-ja bën thirrje që të shpërndahen vaksina në vendet e varfra

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u ka kërkuar shteteve të pasura të dhurojnë vaksina për vendet e varfra dhe të rishikojnë planet për vaksinimin e fëmijëve.

Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha në një takim virtual në Gjenevë se ai e kupton faktin se disa vende duan të vaksinojnë fëmijët dhe adoleshentët, por ai ka sugjeruar që kjo të mos bëhet, por ato vaksina të dhurohen për vendet e varfra.

COVAX është një skemë globale e shpërndarjes së vaksinave në vendet e varfra. Deri më tani, përmes këtij programi janë shpërndarë rreth 60 milionë doza, por procesi ka hasur në vështirë pjesërisht për shkak të kufizimeve të eksportit indian të vaksinës AstraZeneca për shkak të gjendjes epidemiologjike në këtë vend.

OBSH shpreson që më shumë vende do të ndjekin shembullin e Francës dhe Suedisë në dhurimin e vaksinave për COVAX pas imunizimit të popullsisë së tyre prioritare.

Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara janë ndër vendet që kanë të autorizuara vaksinat për përdorim tek adoleshentët.

Deri më tani, rreth 1.26 miliardë doza të vaksinës COVID-19 janë injektuar në të gjithë botën, por shumica kanë shkuar te njerëzit në vendet e pasura.

Më shumë se 160 milionë njerëz në botë janë konfirmuar si të infektuar nga koronavirusi dhe gati 3.3 milionë kanë vdekur, sipas një vlerësimi nga Universiteti Johns Hopkins me bazë në SHBA. / KultPlus.com

“La Casa De Papel” përfundon xhirimet e sezonit të pestë dhe të fundit

“Money Heist”- La Casa De Papel, mban rekordin aktual të të qenurit titulli më i shikuar jo-anglez në Netflix, i cili pritet të shfaqet në pjesën e dytë të vitit 2021.

Katër sezonet e para të “La Casa De Papel”, mblodhën 65 milionë shikime. Pjesa katër e “Money Heist”, u publikua më 3 prill 2020, me gjithsej 8 episode.

Ndërkohë, Netflix ka bërë të ditur se ky do të jetë sezoni i fundit i serive më të pëlqyera. Kështu, regjisori i “La Casa De Papel”, Alexa Pina, tha se ka qenë shumë e vështirë të vijnë deri në këtë përfundim, por la për t’u kuptuar se ky sezon do të jetë më interesant nga të gjitha.

Pyetja e të gjithë shikuesëve të serisë së famshme, mund të jetë se pse po i vije fundi?

Regjisori Pina, në lidhje më këtë shtoi se kur një film, serial apo show bëhet shumë i shikuar, është e vështirë t’i mbash të gjithë nën kontroll dhe më e vështirë të të vijnë në kohë, e dijmë këtë nga seri të tjera, duke lënë për t’u kuptuar se ka edhe shumë arsye tjera pse këtij show i ka ardhur fundi. Sezoni i fundit do të ketë gjithsej 10 episode, gjithashtu i bashkëngjiten edhe dy aktorë të rinj. Ndër të tjera, disa zëra kanë thënë se “Nairobi” do të jetë pjesë e sezonit të 5-të, në episodin e parë.

Më së fundi në verë, do të shfaqet në Netflix për të gjithë ata që e kanë pritur me padurim sezonin e fundit të “La Casa de Papel”./21Media / KultPlus.com