Selena Gomez ka nisur kampanjën “Mental Health 101” për shëndetin mendor përmes kompanisë së saj të kozmetikës Rare Beauty.
Këngëtarja Selena Gomez ka folur së fundmi rreth luftës së saj me ankthin dhe shëndetin e mendor.
Përmes rrjetit të saj social Instagram, Selena ka zbuluar se përmes kompanisë së saj ‘Rare Beauty’ ka nisur një fushatë lidhur më ndërgjegjësimin për shëndetin mendor.
Këngëtarja u shpreh se e mori këtë vendim bazuar në eksperiencën e saj me ankthin dhe sa e nevojshme është që njerëzit të kurohen dhe të kenë më shumë informacion, informacion që nëse ajo do e kishte mjaftueshëm do ta kalonte çdo gjë më lehtë.
“Unë e di shumë mirë se sa e frikshme dhe e vetmuar mund të ndihet të përballesh me ankthin dhe depresionin vetë në një moshë të re. Nëse do të kisha mësuar më parë për shëndetin tim mendor, të isha mësuar në lidhje me gjendjen time në shkollë, në mënyrën si u mësova për lëndët e tjera, udhëtimi im mund të dukej shumë ndryshe”, rrëfeu Gomez.
Gjithashtu ajo këshilloi të gjithë ndjekësit e saj të kërkojnë ndihmë dhe të mësojnë më shumë rreth problemeve me shëndetin mendor./ KultPlus.com
Në fshatin Klinafc të Komunës së Klinës janë gjetur disa mbetje mortore që po dyshohet se mund të jenë viktima të varrosura gjatë luftës së fundit në Kosovë.
ATV ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes ku shihet një rrugë e hapur nga një kompani që po kryente punime në atë zonë.
Vendi tashmë është rrethuar nga shiritat e Policisë së Kosovës, të cilët janë njoftuar nga vet punëkryesit.
Kjo nuk është hera e parë që në kohën kur kryhen punime nëpër rrugë të gjenden mbetje mortore. ATV do t’u mbajë të informuar për më të rejat nga kjo ngjarje./atv/ KultPlus.com
Historitë e suksesit të shqiptarëve nëpër botë na bëjnë krenar të gjithëve. Eris Bleta prej gjashtë vitesh jeton në SHBA, ku la pas në Shqipëri punën e tij si graphic desing në gazetat më në zë në zë të vendit dhe më pas në fushën e IT-së.
Pati fatin të përzgjidhej në lotarinë amerikane ku me shaka e ngacmojmë në këtë intervistë për “Diaspora Shqiptare” se u zgjodh si korçar që është. E ka nisur historinë e tij të emigrimit nga punët më pak të paguara dhe që nuk kishin lidhje me profesionin e tij, ndërsa sot është përzgjedhur nga CISCO, lider në fushën e Network, botës së internetit. Ai e konsideron një “dream job” dhe që i është dashur shumë punë për të arritur këtu.
Eris prej gjashtë vitesh tashmë jetoni në SHBA. Na tregoni pak historinë tuaj të emigrimit. Çfarë latë pas në Shqipëri, profesionin dhe punën tuaj, dhe sa i vështirë ishte ndryshimi për ju?
Në radhë të parë faleminderit për intervistën, ju vlerësoj. Vendimi për të emigruar edhe kur bëhet fjalë për SHBA ishte shumë i vështirë, sepse ti heq dorë nga gjithçka, familja, miqësia, shoqëria, karriera, kolegët dhe çdo pjesë tjetër të përditshmërisë tënde. Duke pasur parasysh që unë kisha ndërtuar një karrierë të kënaqshme në fillim si Graphic Design në disa nga gazetat më në zë në Shqipëri dhe me pas në fushën e IT në një kompani në Tiranë e bënë këtë vendim akoma edhe më të vështirë. Ndryshimi ishte i madh, ti përballesh me një botë, kulturë, mënyrë të jetuari krejt ndryshe. Ti e fillon nga 0 në gjithë kuptimin e fjalës, ke vetëm ca rroba trupi dhe shumë pak para që mund të kesh sjellë nga Shqipëria. Që ditën e dytë duhet të mendosh dhe të fillosh përgatitjet për jetën e re për të cilën s’ke as më të voglën ide se ç’të pret. Di vetëm çfarë të tregojnë personat që të presin dhe për punët e para nuk ke shumë zgjedhje do fillosh në ato vende ku të orientojnë miqtë që të presin në SHBA.
Si korçar që jeni ishit me fat që mundët të fitonin lotarinë amerikane (siç me shaka thuhet në Shqipëri). Ishte një synim i juaji të provonit Amerikën, kishit një objektiv të qartë, apo si shumë të tjerë që e tentojnë lotarinë çdo vit?
Kam përshtypjen se kjo është një legjende urbane, se këtu kam parë komunitete shumë të madh nga Fieri, Kukësi, Dibra, Berati dhe Vlora, por jam i bindur që ka edhe qytete të tjera. Nuk kisha ndonjë qëllim në vetvete për Amerikën, ishte hera e dytë që i plotësoja dokumentat për llotarinë, e para pas martesës me Geltën. Nuk ka rëndësi sa e dëshiron llotarinë është thjesht çështje fati dhe në këtë pikë e pranoj që jam me goxha fat.
Ka shumë që mendojnë pse t’ia nisësh nga fillimi në një vend të huaj duke bërë dhe punë të rëndomta. Por sa e vështirë është për një shqiptar të ecë para në profesionin e tij në një vend të huaj?
Këtu do jem pak i drejtpërdrejtë, këto janë thjesht justifikime të njerëzve që se duan punën, njoh shumë njerëz në Shqipëri që thonë “po pse o për 5 mijë lekë do punoj unë”. Unë jam rritur me shprehjen puna është nder nuk është turp, gjyshi im ma thoshte shpesh këtë. Punët e mia të para këtu në SHBA nuk mund t’i quaj të rëndomta por që paguheshin pak, por kjo s’më ka penguar aspak të përqendrohem në synimet dhe profesionin tim. Shumë shpejt e kuptova që kontaktet janë shumë të rëndësishme këtu, kështu që fillova t’i ndërtoja ato, punoja, ndërroja punët në mundësinë e parë që e shikoja që puna tjetër më afronte më shumë me profesionin tim. Por edhe kam studiuar shumë, falë Zotit jetojmë në një kohë teknologjie ku informacioni është falas në të shumtën e rasteve dhe shumë i lehtë për t’u aksesuar. Me dhimbje mund ta them që në Shqipëri është më e vështirë të ecësh përpara në profesionin që do kjo për shumë arsye.
Tani jeni pjesë e CISCO, një nga kompanitë më të rëndësishme e një gjigant teknologjik në botë. Një synim i realizuar për ju e një mund i shpërblyer. Çfarë do të thotë kjo për ju dhe cili është mesazhi për rininë shqiptare?
Po, Cisco është lider në fushën e Network, për thjeshtësi po them në botën e Internetit. Të jesh pjesë e kësaj kompanie është nder e privilegj dhe megjithëse kam punuar shumë për t’iu bashkuar Cisco-s përsëri e ndiej veten shumë me fat pasi edhe konkurrenca është e madhe. Ishte një “Dream Job” për mua dhe shumë shpesh mendoja se do ngelej thjesht një ëndërr. Ky pesimizëm shpesh ushqehej edhe nga njerëzit që asnjëherë s’kanë fjalë inkurajuese, por vetëm shprehje të tipit “Po pse u mbaruar profesionistët këtu, por ty nga Shqipëria do të të marrin?” Mbase këto fjalë më dhanë më shumë forcë të realizoja ëndrrën time. Të rinjve të vendit tim dua t’ju them, edhe pse puna që po bëni për momentin mund të mos jetë ajo që dëshiron apo akoma nuk iu është dhënë mundësia për një pune mos hiqni dorë nga ëndrrat tuaja. Mos ndaloni së punuari fort për t’ia arritur qëllimit tuaj, mundohuni të përfitoni dhe mësoni nga çdo njohje, eksperiencë, situatë dhe mos u dekurajoni nga njerëz që mund t’ju demoralizojnë dhe pretendojnë se dinë se çfarë parashikon e ardhmja për ju. Ja u them këtë me përulësi si një njeri që ka punuar në gazeta, IT, fabrikë, magazinë, shpërndarës picash, teknik i thjeshtë interneti dhe inxhinier network-u në disa kompani prestigjioze këtu në SHBA. Dua ta mbyll me diçka që mua më ka inspiruar shumë. Nëse mendoni që dështuat në një projekt kujtohu që FAIL means First Attempt in Learning. Nëse ju refuzohet një pozicion pune kujtohu që NO means Next Opportunity. Faleminderit dhe suksese në punën tuaj shumë fisnike./ Diaspora Shqiptare / KultPlus.com
NASA ka udhëzuar kompaninë Nokia të krijojë një rrjet të besueshëm 4G në sipërfaqen e Hënës.
Nga lidhja e platformave të naftës në det të hapur dhe minierave nëntokësore, tek transmetimi i drejtpërdrejtë i ngjitjeve në 5,200 metra mbi nivelin e detit në malin Everest, rrjetet 4G janë tashmë të afta të arrijnë disa nga vendet më të largëta në planet.
Tani teknologjia po përgatitet për sfidën e saj të ardhshme, jashtëtokësore – lidhjen e Hënës, shkruan Zdnet, transmeton KultPlus.
NASA ka në plan të krijojë një prani të qëndrueshme njerëzore në Hënë deri në fund të dekadës si pjesë e programit të saj Artemis, dhe me një projekt të tillë vijnë në mënyrë të pashmangshme një mori problemesh logjistike.
Por megjithëse ushqimi, gjumi ose dizajni i një kostumi hapësinor duhet të vijnë në mendje së pari, komunikimi i duhur është po aq i rëndësishëm për jetën në hapësirë.
Kjo është arsyeja pse vitin e kaluar NASA iu drejtua furnizuesit kryesor të telekomunikacionit Nokia me një kërkesë të pazakontë: të hartonte një sistem që do të krijonte një rrjet 4G për përdorimin e astronautëve të ardhshëm të hënës.
Rrjetet 4G – dhe teknologjia LTE që i mbështet ato – kanë provuar rezistencën e tyre përsëri në Tokë.
Ideja e një hapësire të pajisur me internet nuk është e re.
Për shembull, astronautët në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS) kanë përdorur Wi-Fi që nga viti 2008, dhe tani ata madje mund të lidhin kostumet e tyre hapësinore me një rrjet për të transmetuar video nga hapësira, për të komunikuar me automjete të tjera ose për të lehtësuar procedurat e ankorimit.
Edhe pse tani për tani NASA po konsideron kryesisht përdorimin e hënës 4G për eksperimente të tilla si udhëtimi me distancë nga distanca, në të ardhmen e afërt, megjithatë, fokusi mbetet në bërjen e teknologjisë të funksionojë me besueshmëri si pjesë e misionit të parë të planifikuar për vitin 2022.
Për të transportuar teknologjinë 4G në Hënë, Nokia po bashkëpunon me kompaninë autonome të anijeve kozmike Intuitive Machines, e cila po ndërton një zbarkues hënor për të transmetuar një sistem komunikimi LTE përmes hapësirës dhe duke dërguar në mënyrë të sigurt pajisjet e rrjetit në sipërfaqen e Hënës.
Sidoqoftë, kufizimet e hapësirës nënkuptojnë që çdo detaj duhet të planifikohet me kujdes. E para është nisja dhe ulja. Sistemi duhet të jetë i fortë mekanikisht për lëshimin dhe uljen, për t’i bërë ballë goditjeve, dridhjeve, nxitimit dhe të gjitha sforcimeve mekanike që vijnë nga vendosja e tij në hapësirë.
Për më tepër, sistemi duhet të përgatitet për ndryshime ekstreme të temperaturës në hapësirë, si dhe karakteristikat e terrenit që janë specifike për Hënën.
Duket se, në vitet e ardhshme, edhe Hëna do të kalojë nëpër transformimin e saj digjital. / KultPlus.com
Presidenti Ilir Meta përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, shprehet se Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit gjen shumicën e medias shqiptare nën censurën e qeverisë dhe oligarkisë.
“Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit i gjen shumicën e mediave shqiptare nën censurën e Qeverisë dhe kontrollin e oligarkisë.”
Presidenti akuzon se fondet publike përdoren gjerësisht për të censuruar lirinë e medias duke fshehur kështu të vërtetën.
“Fondet publike dhe burimet e dyshimta financiare vazhdojnë të përdoren gjerësisht për të cenuar lirinë e shprehjes, për të fshehur të vërtetat dhe për të shmangur llogaridhënien.”
Meta thekson se krahas mohimit të së drejtës për të thënë të vërtetën gazetarët gjithashtu dhunohen dhe kërcënohen.
“Dhuna dhe kërcënimet ndaj gazetarëve janë shpeshtuar, së bashku me censurën dhe autocensurën.”
Presidenti e mbyll shkrimin e tij duke thënë se gazetarët dhe puna e tyre duhen mbrojtur si një e drejtë thelbësore për demokracinë.
“Liria e medias është thelbësore për demokracinë. Ne duhet të mbrojmë dhe inkurajojmë çdo ditë gazetarët kurajozë në punën e tyre. Ata duhet të ndihen të sigurtë dhe të kenë qasje të plotë në informacionin që i shërben interesit publik, pa pritur që lirinë e shprehjes t’ua servirë politika apo grupet e saj klienteliste. Pseudo-liritë prodhojnë vetëm regjime me pseudo-demokraci!” / KultPlus.com
Qeveria italiane ka miratuar planin për t’i shtuar Koloseut një “parket”, në mënyrë që vizitorët të kenë mundësi të qëndrojnë në vendin ku dikur luftonin gladiatorët.
Ministri i Kulturës, Dario Franceschini, shpalli projektin për ndërtimin e dyshemesë së drunjtë, e cila do të kushtojë 18,5 milionë euro dhe do të ndërtohet nga kompania “Milano Ingegneria”. Projekti mendohet të përfundojë në vitin 2023, transmeton KultPlus.
Godina 2000-vjeçare nuk e ka pistën me sipërfaqe 3000 metra katrorë, pasi u hoq në shekullin XIX për të ekspozuar rrjetin e nëndheshëm të tuneleve ku mbaheshin gladiatorët dhe kafshët para se të ndesheshin në arenë. Franceschini tha se ky modifikim do t’i lejonte turistët që ta shihnin nga brenda madhështinë e Koloseut.
Dyshemeja do të jetë e gjitha prej druri. Ato do të jenë të lëvizshme dhe pjesët do të rrotullohen për të lejuar dritën e diellit që të hyjë në dhomat e nëndheshme.
Koloseu ka qenë amfiteatri më i madh i Perandorisë Romake, ku luftimet mes gladiatorëve ndiqeshin nga të paktën 50 mijë persona. Para pandemisë, godina antike vizitohej nga miliona vetë çdo vit. / KultPlus.com
Filozofi gjerman Jurgen Habermas ka refuzuar një çmim letrar nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) mbi shqetësimet e të drejtave të njeriut në vendin e Gjirit.
Më herët, Habermas pranoi çmimin e Librit Sheikh Zayed, një nga çmimet më prestigjioze dhe të financuar mirë të Botës Arabe, por pastaj ndryshoi vendimin pas reagimeve nga mediat gjermane.
“Njoftoj se nuk do ta pranoj çmimin e Librit Sheikh Zayed të këtij viti. Ishte një vendim i gabuar, të cilin unë e korrigjoj me anë të kësaj”, ka thënë ai në një deklaratë të shfaqur në Spiegel Online.
“Nuk ia bëra të qartë vetes mjaftueshëm lidhjen e ngushtë të institucionit, i cili jep këto çmime në Abu Dhabi, me sistemin ekzistues politik atje”, shtoi ai.
Habermas kishte marrë çmimin për “Personalitet Kulturor të Vitit” për vitin 2021.
Pas vendimit të filozofit gjerman, institucioni reagoi përmes një deklarate në faqen zyrtare.
“Çmimi i Librit Sheikh Zayed shpreh keqardhjen për vendimin e Jurgen Habermas për të tërhequr pranimin e tij të çmimit, por e respekton atë. Çmimi mishëron vlerat e tolerancës, njohurive dhe krijimtarisë, ndërsa ndërton ura midis kulturave dhe do të vazhdojë të përmbushë këtë mision”, thuhet në deklaratë. / KultPlus.com
Pak kohë më parë, ndërsa po flisja para Akademisë së Spanjës në Romë, një zonjë duke ujdisur telekamerën ma përplasi në fytyrë një dritë verbuese e s’po më linte të lexoja dot shënimet. Iu ktheva shumë i lënduar, sikurse më ka ndodhur edhe me fotografë të tjerë të pasjellshëm, duke i thënë se rregullat e ndarjes së punëve na mësojnë se kur unë jam duke punuar të tjerët duhet ta lënë punën.
Dhe zonja e fiku telekamerën, por mori pamjen e njeriut që i bien më qafë kot. Në San Leo, bash javën që shkoi, ndërsa po shpallej një nismë shumë e bukur e komunës për rivlerësimin e peizazheve të vendit në pikturat e Piero della Franceskës, tre veta po më verbonin me flash-et e tyre, ndaj m’u desh t’u kujtoja rregullat e edukatës së mirë. Dukej se në të dy rastet verbuesit nuk ishin tipa nga ata që futen në “Big Brother”, por, me gjasë, njerëz të mësuar dhe që vijnë me dëshirë në veprimtari të tilla për të ndjekur diskutime në një fushë të dijes.
Gjithsesi, është e qartë se sindroma e syrit elektronik i uli ata nën nivelin që mbase aspironin ngaqë, praktikisht të çinteresuar për çka po thuhej, donin vetëm ta regjistronin ngjarjen, qoftë edhe për ta vënë pastaj në YouTube. Nuk donin të kuptonin për çfarë po flitej, ngase atë që mund ta kishin rrokur përmes shqisave, mëtonin vetëm ta ruanin në kujtesën e telefonit celular. Gjithëprania e syrit mekanik në vend të trurit më ngjan se ka ndryshuar mendërisht edhe njerëz përndryshe të qytetëruar.
Nga veprimtaria ku qëllon të marrin pjesë, ata largohen duke marrë me vete ndonjë imazh, por pa kuptuar asgjë se ç’u tha e se ç’u bë (dhe do t’i kisha mirëkuptuar nëse do të isha ndonjë kërcimtar nudist). Sikundër e marr me mend, teksa i bien botës rrotull duke fotografuar çfarë u sheh syri, ata janë të dënuar që të nesërmen ta harrojnë ç’mundën të shohin një ditë më parë. Në disa raste kam rrëfyer se ç’më ndodhi në Francë më 1960-n, kur pasi fotografova si i marrë një mori katedralesh, hoqa dorë përfundimisht nga bërja e fotografive. Sepse kur u ktheva në shtëpi nuk rikujtoja dot çfarë kisha parë, ndërsa nga udhëtimi më mbetën si kujtim vetëm disa foto pa vlerë.
Prandaj e flaka aparatin dhe gjatë udhëtimeve të mëvonshme atë që shihja mundohesha vetëm ta regjistroja në mendje. Si kujtim për më vonë, më shumë për të tjerët sesa për vete, blija kartolina shumë të mira. Dikur, isha vetëm njëmbëdhjetë vjeç, më tërhoqi vëmendjen poterja e pazakonshme në unazën e qytetit, ku më pati marrë osh turma e njerëzve. Pashë nga larg sesi kamioni pati përplasur një qerre që e ngiste një fshatar; kishte pasur edhe gruan me vete. Gruaja ishte plandosur përtokë me kafkën e çarë dhe dergjej mbi një grumbull gjaku dhe lënde trunore, ndërsa i shoqi e shtrëngonte në kraharor duke klithur nga dëshpërimi (në kujtimet e mia, ende të llahtarshme, skena më fanepsej si një tortë me pana e luleshtrydhe, e shkelur me këmbë).
I terrorizuar nuk u avita më tepër, jo vetëm pse ishte hera e parë (fatmirësisht, edhe e fundit) që shihja tru të shpërndarë mbi asfalt, por sepse për herë të parë u gjenda përballë vdekjes. Dhe përballë dhimbjes, dëshpërimit. Çfarë do të kishte ngjarë sikur të kisha pasur një celular me telekamera, sikurse e kanë sot të gjithë fëmijët? Mbase do ta kisha regjistruar skenën për t’u treguar miqve se unë isha aty, pastaj ndoshta këtë pasuri do ta hidhja në YouTube për të kënaqur ithtarët e tjerë të “schadenfreude”, ndryshe, të gazit që ndien nga gjëma e tjetrit.
Pastaj, ku i dihet, duke regjistruar fatkeqësi të tjera, dhimbja e tjetrit s’do më bënte më përshtypje. Përkundrazi, unë ngjarjen e regjistrova në kujtesë dhe ato pamje, edhe tash pas shtatëdhjetë vjetësh s’më hiqen nga mendja dhe vazhdojnë të më edukojnë: po, ato më bëjnë ta ndiej në shpirt dhimbjen e tjetrit. Nuk e di nëse djelmoshat e sotëm e kanë ende këtë mundësi për t’u ndjerë të rritur. Sot, kjo racë të rriturish ka humbur përgjithmonë, ngaqë fëmijët gjithë ditën e ditës i mbajnë sytë ngulur te telefonat celularë. / KultPlus.com
Këngëtarja Elvana Gjata ka sjell këngën e re të titulluar “Vendi im” në bashkëpunim me motrës e saj, sopranon Migena Gjata, shkruan KultPlus.
Kënga vjen e shoqëruar me një vide ku dy motrat shfaqen me një performancë të ndjeshme të shoqëruara nga një orkestër profesionistësh.
“Për ju qe jeni larg vendit dhe njerëzve tuaj te zemrës. Ndoshta rrugët e jetës na ndajnë, por kurrë mos harro nga vjen. Ne vendin tim, fle ky shpirti im”, ka shkruar Elvana në Instagram. / KultPlus.com
Një prej këngëve erotike popullore të dashurisë, mbledhur në Kaçanik nga Instituti Albanologjik.
Daton në vitin 1951.
Pasha mujin e Ramazanit, M’ka zanë gjumi n’gu t’jaranit, N’gu t’jaranit, gjalit të ri, Ma ka falë ni mixhdi.
Mixhidin’ e Turkis’. Kish jazin’ e ashikis?
N’kofsh i zoti, luje thikën! S’a kollaj me grabit’ çikën! N’kofsh i zoti, luj pishtolën, S’a kollaj me grabit’ zojën! N’kofsh i zoti, luje pushkën, S’a kollaj me grabit’ nusën!
Libri “KËNGË DASHURIE I”, i botuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës; Prishtinë 1979. / KultPlus.com
Para se ta martosh bijën tënde, ulu dhe tregoji zotëriut, bile gjithë familjes, se sa me mund që e ke rritur dhe sa vështirë qenka të ia japësh dikujt tjetër.
Tregoju se e ke edukuar dhe e ke shkolluar ndoshta me mish e me shpirt për të ia pasuru mendjen, që të jetojë një të nesërme më të mirë.
Tregoju se derisa ajo ka studiuar ti ke pas stres si prind se a do ia del mbanë.
Tregoju se kur ka pasë provim bija yte dhe se nëse se ka kaluar provimin, ti ke qarë bashkë me te!
Tregoju që s’kanë aspak të drejtë ta urdhërojnë me gisht dhe ta komandojnë me punë që asaj nuk i takojnë si grua.
Tregoju se ajo nesër edhe tek ju do flasë do shpreh mendimin e saj të lirë.
Tregoju se nuk do të dijë të heshtë nëse i bëhet padrejtësi në çfarëdo aspekti qoftë.
Tregoju se ajo ka frikë Zotin dhe jo njerëzit.
Tregoju se ajo nuk është roje e shtëpisë, e burri të i bredhë natën rrugëve e kafeneve me shokë.
Tregoju se ajo nuk është kuzhiniere dhe pastruese por është një zonjë e cila duhet të gëzojë shumë respekt si grua.
Tregoju se ti si prind ndjenë dhembje dhe nuk lejon që vajzës tënde të i dëmtohet asnjë fije floku!
Tregoju duke ua përkujtuar se ti e rrite, e shkollove e edukove.
Tregoju se nëse ajo nënçmohet, ngacmohet me fjalë, ofendohet, ose shtypet dhe torturohet, ti si prind je i gjallë dhe reagon, ndërhyn dhe shpëton jetën e vajzës tënde, e nuk hesht duke anashkaluar gjoja se ndërhyrja familjare përkeqëson punën, ose nga turpi se na qeshin hallku ( siç e kemi zakon).
Tregoju dhe përsëriti këto fjalë shpesh herë me ato, jo se nuk i dinë por se “përkujtimi bën dobi”. / KultPlus.com
“Tempo” ka botuar, me 30 prill 1942,në faqet 20-21, shkrimin e gjuhëtarit italian Carlo Tagliavini mbi origjinën e shqiptarëve të Kosovës, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Shqiptarët e Kosovës
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France – Komenti i fotografisë : Shqipëria e Madhe e ëndërruar nga patriotë dhe poetë nuk është më një ëndërr. Megjithëse kufijtë e rinj nuk janë vendosur përfundimisht, pjesa më e madhe e Kosovës, ose Fusha e Mullenjave, u ribashkua me Mbretërinë e Shqipërisë. Prandaj është me vend në këtë kohë të merremi me këtë provincë, në pritje të thellojmë studimet që qeveria jugosllave parandaloi të ndiqnim, të paktën italianëve dhe shqiptarëve.
Është jashtëzakonisht e vështirë të gjurmosh saktësisht kufijtë etnikë të popullit shqiptar. Kufijtë shqiptarë të viteve 1913 dhe 1919 lanë një numër shumë të madh të shqiptarëve nën dominimin e huaj, megjithëse vlerësimi i këtij numri ka ndryshuar mjaft. Disa po flisnin për rreth gjysmë milioni apo më shumë, të tjerët për më shumë se një milion subjekte. Në këto rajone, është e vështirë të ndiqet kufiri etnik i shqiptarëve, jo vetëm për shkak të elasticitetit të statistikave në dispozicion, por edhe për shkak të ndryshimeve të shpejta në kushtet etnike, modifikime të cilat nuk kanë të gjitha shkaqe natyrore.
Në një libër të çmuar, por tani e tutje shumë i rrallë dhe pak i konsultuar nga gjeografët aktualë, – botuar në Memorjet e Akadamisë së Vjenës të vitit 1861, – duke përshkruar një udhëtim nga Selaniku në Beograd i ndërmarrë në 1858, G. de Hahn, njohës i thellë i Shqipërisë dhe popullsisë së rajonit, na tregon se ka gjetur koloni mjaft të dendura të shqiptarëve në rajonin e Urkupit (në Serbisht Prokuplje), pak në jug-perëndim të Nishit dhe në të gjithë territorin e Toplicës deri në Kurshumli.Këta shqiptarë, të cilët kishin përparuar në zemër të Serbisë, nuk janë më sot në këtë rajon sepse ata u tërhoqën kryesisht, pas vitit 1878, jashtë kufijve të Mbretërisë së re të Serbisë, duke kaluar nëpër Kosovë ndërsa ata që mbetën në Serbi u sllavëruan.Në drejtim të Lindjes, G. von Hahn gjeti vendbanime të dendura shqiptare në rajonin e Masuricës, përtej Moravës. Edhe sot, shqiptarët shtyhen me vendosmëri drejt veri-lindjes, në distanca të mëdha nga kufijtë e Shqipërisë para luftës, në Vranja dhe Leskovac, ndërsa në veri gjejmë rrënjë shqiptare deri në sanxhakun e vjetër të Novi-Bazarit.
Në Kosovë, nëse duam të përcaktojmë me këtë emër një territor pak përtej kufijve rreptësisht gjeografikë të fushës së Kosovës, i quajtur ndryshe Fusha e Mullenjave, shqiptarët përfaqësojnë elementin më të rëndësishëm etnik, gjatë këtyre dhjetëra viteve të fundit me popullatat sllave. Folklori i Kosovës është shumë i pasur, si në mesin e shqiptarëve dhe serbëve, por duhet të pranohet, ashtu siç e bën një vëzhgues i paanshëm, profesori gjerman A. Schaus, që traditat historike të betejës së famshme të Kosovës të 1389, e cila vuri përballë njëri-tjetrit Muratin I dhe Mbretin Lazar, ruhen më mirë në poezitë epike të shqiptarëve sesa në ato të serbëve.
Prania e një popullsie të madhe shqiptare në Kosovë dhe zonat përreth nuk është vënë në dyshim, madje edhe nga ata që do të kishin një interes politik ta mohonin dhe që nuk do të mungonin një rast për ta nënvlerësuar numrin dhe rëndësinë e saj.Sidoqoftë, bazuar në disa tradita lokale të shqiptarëve në pjesë të Kosovës, shumica e historianëve dhe etnografëve sllavë, të imituar nga disa kolegë të tyre perëndimorë, kanë argumentuar se shqiptarët nga rajonet e Kosovës janë emigrantë të zhvendosur kohët e fundit nga Shqipëria e Veriut. Ata shkuan atje nga fundi i shek. XVII-të dhe fillimi i shek. XVIII-të për të ripopulluar tokat e braktisura nga serbët e krishterë të cilët, drejt fundit të shek. XVII-të emigruan masivisht në veri.
Kjo tezë, e mbështetur në traditat e thjeshta lokale, të cilat madje nuk janë të zakonshme për të gjithë rajonin (shqiptarët e Prishtinës, Prizrenit, Dibrës, etj., e konsiderojnë veten autokton) hidhet poshtë nga të dhënat historike dhe gjuhësore që përmbahen në libër: “I dialetti albanesi di tipo ghego-orientale, Dardania e Macedonia nord-occidentale”që së shpejti do të botohet nga Qendra për Studime Shqiptare e Akademisë së Italisë.Unë do të përmbledh, këtu në një përshkrim të gjerë, pa hyrë në detaje teknike, përfundimet në të cilat arrita në bazë të të dhënave historike, etnografike dhe veçanërisht gjuhësore.
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France – Komenti fotografive :(Sipër) Një fshatar nga rajoni i Kosovës që qëndron në gatishmëri gjatë parakalimit të trupave tona. Pas tij shtrihet fusha e pasur shqiptare. Në sfondin e artë të grurit që po piqet, kostumi piktoresk i vendit, të cilin të rinjtë e veshin me të njëjtën dashuri dhe krenari si të moshuarit, formon një njollë (kontrast) me ngjyra të ndezura. (Poshtë)Ja një nga aspektet e Prizrenit, qyteti më qendror në rajonin e Kosovës. Ai është ndërtuar në anë të një kodre me pjerrësi të butë, që të kujton Toskanën. Pikërisht këtu u themelua Lidhja e famshme për adoptimin e alfabetit latin, shenja e parë e zgjimit nacionalist « skipetar » kundër sundimit Osman.
Shqiptarët janë regjistruar në rajonin e Shkupit (Skopje, Skoplje) nga shek. i XII, në atë të Tetovës nga shek. i XIV deri në të XV-tin.Janë dokumentet serbe që dëshmojnë për praninë në këto rajone të blegtorëve, tregtarëve dhe fermerëve shqiptarë.Prandaj nuk ka shumë të ngjarë që shqiptarët që ishin atje të emigronin masivisht në Shqipëri për t’u kthyer në këto rajone nga fundi i shek. të XVII-të dhe fillimi i shek. të XVIII-të.Prania e një folklori të pasur shqiptar me karakter kosovar, që lidhet me luftrat epike në Kosovë, sugjeron që, të paktën nga shekujt XIII deri në XIV, shqiptarët qëndruan në Kosovë dhe zonat përreth.
Por ka edhe më shumë. Shqiptarët, prania e të cilëve në këto rajone raportohet në shekujt XIII dhe XIV, nuk ka gjasa të jenë emigrantë nga Shqipëria, siç argumentojnë disa autorë. Toponimia e rajonit të Kosovës dhe e një pjese të Maqedonisë sugjeron që elementi shqiptar – ose të paktën një element prehistorik i lidhur etnikisht me paraardhësit thrako-ilirë të shqiptarëve; por fqinj në një kuptim më të ngushtë se elementi i thjeshtë ilir, më i përhapur në një zonë që mund të përcaktohet vetëm me vështirësi dhe pasiguri, – është autokton në këto zona.
Vetë emri i qytetit të Shkupit, në latinisht Scupi, i përgjigjet në mënyrë të përkryer ligjeve fonetike të gjuhës shqipe, gjë që tregon se ajo ka lindur « in loco ». Shkencëtarët e shquar, të cilët kanë studiuar këto pyetje si profesori Jokl, mendojnë se duhet kërkuar qendra e parë e formimit të popullit shqiptar në zonat që korrespondojnë me Dardaninë antike – emri i së cilës sigurisht që lidhet me fjalën shqiptare « dardhë » – deri në rrethinat e Nishit, një rajon i cili nuk duhet të ishte shumë larg nga ai që, sipas të gjitha gjasave, ishte atdheu origjinal i rumunëve me të cilët shqiptarët kanë aq shumë afinitet gjuhësor.
Në një studim të fundit, profesori Stadtmüller pranon si qendër (zemër) të popullit shqiptar rajonin e Matit, ndërsa nuk përjashton zonat e tjera veriore; por teza dardane ka më shumë themel nga pikëpamja gjuhësore.
Sidoqoftë, bazuar në argumente të ndryshme historike dhe gjuhësore, të cilat janë tepër teknike për të qenë në gjendje të përmblidhen këtu, unë pohova se shqiptarët e raportuar në shekujt XIII dhe XIV në Kosovë dhe Maqedoni, nuk janë emigrantë, por pasardhës të popullatave antike shqiptare të Dardanisë dhe rajoneve fqinje, dhe unë u përpoqa të demonstroj vazhdimësinë e popullit shqiptar në Dardani dhe në Maqedoninë Veri-Perëndimore nga kohët më të largëta deri në ditët e sotme.
Studimi i dialekteve gego-lindore të këtyre rajoneve tregon, edhe në shumëllojshmërinë e idiomave të ndryshme, një unitet që nuk mund të shpjegohet nga imigrimet e ndryshme të kohëve të fundit, dhe zbulon karakteristikat e përgjithshme që i dallojnë këto idioma nga dialekti gego-perendimor. Bashkësia e ekzistencës me elemente sllave ka ndikuar pak në gjuhën shqipe të Kosovës, e cila, edhe në fjalorin e saj, vuajti pak nga ndikimet serbe dhe bullgare, ndërsa elementët shqiptarë janë mjaft të shumtë në dialektet serbe dhe bullgare të rajonit, dhe sidomos në zhargonet e ndryshme profesionale të zanatçinjve sllavë.
3 Maji është Dita Botërore e Lirisë së Shtypit. Kjo ditë shënohet që nga viti 1993 e vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e cila shërben për t’ua përkujtuar qeverive nevojën e respektimit të përkushtimit të tyre për lirinë e shtypit dhe po ashtu është një ditë reflektimi në mesin e profesionistëve të mediave për lirinë e shtypit dhe etikën profesionale, shkruan KultPlus.
Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka shkruar se liria është atribut i gjendjes së natyrshme, siç duhet të jetë edhe Liria e Shtypit.
Ajo tutje inkurajon mediat që të vazhdojnë përpjekjen e tyre për raportim të drejtë e të paanshëm, duke u shprehur se e vërteta duhet të jetë kauzë e përhershme e të gjithëve.
Postimi i plotë i Osmanit:
Liria është atribut i gjendjes së natyrshme, siç duhet të jetë edhe Liria e Shtypit.
Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, dua ta shprehë konsideratën time për mediat profesionale e të guximshme. Dua t’i inkurajoj ta vazhdojnë përpjekjen e tyre për raportim të drejtë e të paanshëm, ngase liria e shtypit është parakusht themelor për funksionimin demokratik të shoqërisë. Të një shoqërie ku çdo ditë krijojmë hapësirë për ta dëgjuar mendimin ndryshe dhe ku secili ndihet i lirë ta thotë atë që e mendon.
Media/gazetarë të nderuar, urime dita juaj! Hulumtoni, siguroni prova, nxirrni konkluzione në bazë të tyre. E vërteta duhet të jetë kauzë e përhershme e të gjithëve. / KultPlus.com
Më datën 13 dhjetor të vitit të kaluar ka diplomuar piloti i parë kosovar, Afrim Zabeli.
Në një intervistë për mediumin gjermane “Nex24”, ai rrëfen për përgatitjen e tij profesionale, familjen dhe mungesën e babait dhe vëllait që humbën jetën në luftën e fundit në Kosovë si dhe shumë gjëra tjera, transmeton KultPlus.
Piloti i parë i këtyre forcave i kishte vetëm 8 vjet kur për lirinë e Republikës së Kosovës u flijuan babai dhe vëllai i tij.
Nëntoger Zabeli, Ju jeni piloti i parë i FAK-ut, me këtë ju jeni bërë pjesë e historisë, çfarë do të thotë kjo për ju?
Nëntoger Zabeli: Së pari jam shumë me fat që kam pas mundësinë ta kryej shkollën për Pilot të Helikopterit. Është mundësi që nuk i vjen çdokujt dhe që kërkon përkushtim të madh. Ndihem shumë krenar që jam piloti i parë i Forcës së Sigurisë të Kosovës. Po ashtu diplomimi im një ditë para formimit të Ushtrisë së Kosovës më bën të ndihem shumë mirë. Kam pasur përkushtim të plotë në këtë drejtim, dhe në fund ia arrita qëllimit, dhe kjo arritje padyshim që do të thotë shumë për mua.
Ku i keni përfunduar studimet për aviacion dhe sa kanë zgjatur ato?
Nëntoger Zabeli: Studimet për aviacion i kam përfunduar në Republikën e Turqisë, gjegjësisht në shkollën ushtarake të Aviacionit Tokësor për Helikopter. Kam filluar më datën 13.11.2017 në kryeqytetin e Turqisë, në Ankara, dhe i kam përfunduar më datë 13.12.2018, në qytetin Isparta. Ka qenë e planifikuar që kursi të zgjas 11 muaj, mirëpo për arsye që shkolla ka ndërruar vendin nga Ankaraja për në Isparta, dhe për shkak të kushteve meteorologjike dhe teknike është zgjatur në 13 muaj.
A ishit ju vetëm aty, apo keni udhëtuar si grup?
Nëntoger Zabeli: Shkollën e kemi filluar dy pjesëtarë të FSK-së. Fatkeqësisht, kolegu im për shkaqe shëndetësore nuk ka arritur të përfundojë shkollimin.
Cilat fusha të tjera përveç si Pilot i Helikopterit, keni mbaruar për ushtrinë e planifikuar të Kosovës dhe ku?
Nëntoger Zabeli: Kam përfunduar Akademinë Ushtarake Tokësore në Ankara, që ka zgjatur pesë vite; një vit kam mësuar gjuhën, ndërsa katër vite kam studiuar në Akademinë e Përgjithshme Ushtarake.
Gjatë kësaj periudhe kohore, kemi pasur mundësi të marrim trajnime në fusha të ndryshme. Në vitin e fundit të Akademisë, kam kryer Kursin Bazik për Komando, që ka zgjatur nëntë javë, kurs i fokusuar me aktivitete të shumta fizike dhe teorike. Akademinë Ushtarake e kam përfunduar më 30.08.2018.
A keni qenë pjesë e ceremonisë solemne të kalimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës?
Nëntoger Zabeli: Jo, sepse unë kam diplomuar më datë 13 dhjetor 2018, ndërsa ceremonia është bërë me datë 14 dhjetor 2018, dhe nuk kam pasur mundësi teorike, të kthehem në Kosovë, më 14 dhjetor. Por, tërë ceremoninë e kam përcjellë përmes televizionit, dhe ka qenë një ndjenë shumë e veçantë dhe me plot emocione.
Nga kush keni pasur përkrahjen në rrugën tuaj si piloti i parë kosovar?
Nëntoger Zabeli: Përkrahjen më të madhe e kam pasur nga familja e ngushtë. Pasi që pas përfundimit të Luftës në Kosovë, ne mbetem pa babin dhe vëllain e madh, dhe të gjithë kemi qenë fëmijë, më e rritura prej nesh ka qenë motra 12 vjeçare, kushtet ekonomike nuk i kemi pasur të mira, një ndihmë që kemi pasur nga familja e gjerë, që gjendeshin ne diasporë, dhe nga djali i axhës, që tash është pjesë e Policisë së Kosovës, Avni Zabeli, i cili na ka ndihmuar në shkollimin tonë, dhe asnjëherë nuk e kanë ndërprerë përkrahjen ndaj nesh, por kjo është mëritë e tyre, të jem edhe Piloti i parë i Ushtrisë së Kosovës.E falënderoj Forcën e Sigurisë së Kosovës që tani është Ushtria e Kosovës, që më ka mundësuar që unë ta përfundojë me sukses të lartë Shkollën për Aviacion Tokësor të Helikopterëve.
Cilat ishin reagimet e familjes suaj kur ju keni treguar se synoni të bëheni pilot?
Nëntoger Zabeli: Si çdo fëmijë, që ka një ëndërr fëmijërore, se çka do të behet në të ardhmen, edhe unë kisha ëndrrën time që së pari të jem pjesë e uniformes në shërbim të atdheut. Dëshira apo ëndrra për të qenë pilot, më ka lindur gjatë kohës së Akademisë Ushtarake, pasi që kemi pasur edhe konferenca për drejtime të ndryshme ushtarake, e një ndër to ka qenë edhe për Pilot të Helikopterit. Dhe nga ai moment kam filluar të interesohem dhe të lexoj më shumë për këtë drejtim. Lajmin për synimin tim që të bëhem pilot e kanë pritur shumë mirë, edhe pse ishte një rrugëtim i vështirë dhe më shumë sfida. Ëndrra më në fund, mu realizua. Tani jam pilot i helikopterit në FSK.
Gjatë luftës së Kosovës ju keni humbur babin dhe vëllain, megjithatë ju nuk jeni dorëzuar dhe keni vazhduar shkollimin tuaj. Cili është mesazhi juaj për rininë kosovare?
Nëntoger Zabeli: Së pari ndihem krenar që jam fëmijë dhe vëlla i martirëve; që për Lirinë e Kosovës dhanë edhe më të shtrenjtën jetën e tyre. Sa herë kam pasur vështirësi apo pengesë për ndonjë gjë gjithmonë i kam kujtuar babin, vëllain dhe të gjithë dëshmorët e renë për lirinë e Kosovës, dhe çdo herë e kam ndier vetën më të fuqishëm dhe më krenar, kurrë nuk jam dorëzuar, por kam vazhduar përpara deri këtu ku jam sot. Për rininë e Kosovës, kam një porosi, në çfarëdo vështirësi që hasni mos dorëzoheni, mos e humbni vetëbesimin, gjithmonë të jeni në dijeni se çka po bëni dhe për çfarë po e bëni, dhe çdo synim që keni, mendoni se si do të jetë përfundimi dhe çdo herë do të jeni më të suksesshëm. Rinia e Kosovës le të vazhdojë shkollimin duke synuar që në të ardhmen të jenë pjesëmarrës të vendimeve të rëndësishme për Kosovën, të ngritën profesionalisht në profesione të ndryshme e sigurisht që janë shumë të mirëseardhur që të jenë edhe pjesë e Ushtrisë së Kosovës.
A keni fluturuar me Helikopter mbi qiellin e Kosovës?
Nëntoger Zabeli: Jo, ende nuk kam fluturuar, por e pres me padurim ditën që të fillojë me fluturime mbi qiellin e Kosovës dhe t’i shërbej vendit tim si pilot. Fluturimin e parë kisha pas dëshirë ta bëj në qiellin e vendlindjes time.Çfarë ndjenje keni kur jeni në qiell?Nëntoger Zabeli: Është ndjenjë shumë e mirë me plotë emocione të papërshkueshme! Të gjitha bukuritë natyrore apo ato të ndërtuara nga dora e njeriut, që ne i shohim nga toka, t’i shikosh nga qielli, është sikur të jesh në boten e çudirave, pasi që fluturimet që bëhen me Helikopter nuk bëhen në lartësi shumë të madhe, andaj edhe bukuritë natyrore vërehen në detaje, që një njeri që nuk është pilot mundet vetëm me i imagjinua.
Ndjenja më e mirë dhe me plot adrenalinë është kur bën lëvizje taktike në një lartësi të vogël nga Toka. Të gjitha këto ndjenja janë të përcjella me një përgjegjësi shumë të madhe, për personelin që gjendet në helikopter, me një fjalë fati i jetës së tyre është në duart e pilotit, prandaj ne jemi edhe të përgatitur që në çdo rast emergjent që mund të ndodh gjatë fluturimit ta kemi çdo herë një vend në mendjen tonë që në rast se ndodh një prishje ta bëjmë uljen emergjente dhe që është shumë e vështirë.
Qeveria e Kosovës thekson se ushtria e planifikuar është një forcë multietnike, a keni ju miq të afërme të cilët nuk janë shqiptarë dhe si janë raportet ndërmjet jush?
Nëntoger Zabeli: Kam pasur rastin që të kem kolegë të minoriteteve që janë pjesë e ushtrisë, raportet mes nesh kanë qenë shumë të mira si në aspektin profesional po edhe në përditshmëri, janë familjarizuar me ambientin ushtarak, asnjëherë nuk e ndien veten të shkelur nga dikush apo nuk mendon që ju bëhet ndonjë padrejtësi, vetëm pse nuk është shqiptar, të gjithë pa dallim çdo herë janë të gatshëm për çdo detyrë që ju jepet dhe e bëjnë punën ashtu si kërkohet. Mandej edhe yjet në flamurin e Kosovës paraqesin etnitë të shumta që jetojnë në Kosovë. /gazetaexpress/ KultPlus.com
Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett ka thënë se kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve janë sulme ndaj vetë demokracisë.
Ai deklaron se një shtyp i gjallë dhe i lirë që e informon publikun, fuqizon zërat e ndryshëm dhe mban përgjegjës zyrtarët publikë.
Kjo sipas tij, është edhe përbërësi themelor në çdo demokraci të qëndrueshme.
“Një shtyp i gjallë, i lirë – që e informon publikun, fuqizon zërat e ndryshëm dhe mban përgjegjës zyrtarët publikë – është përbërësi themelor në çdo demokraci të qëndrueshme. Gazetarët e meritojnë respektin dhe mbrojtjen tonë. Kërcënimet dhe sulmet ndaj tyre janë sulme ndaj vetë demokracisë”, ka thënë ai. / KultPlus.com
A vibrant, free press – one that informs the public, empowers diverse voices, & holds officials accountable – is an…
Ylli i muzikës, Billie Eilish, debutoi me një pamje krejtësisht tranformuese në ballinën e revistës “British Vogue”.
Në fotosesionin për numrin e muajit qershor të revistës prestigjioze të modës, Eilish e cila tani është bionde, i veshi disa korsetë, funde prej materialit latex dhe veshje të tejdukshme, që janë një ndryshim drastik nga stili i saj i zakonshëm. Fotografitë mjaft unike dhe artistike u realizuan nga fotografi i njohur, Craig McDean.
Revista do të dal në shitje më 7 maj, edhe pse intervista e plotë e këngëtares tashmë është publikuar në ueb faqen zyrtare të “British Vogue”.
“I adhuroj këto fotografi dhe jam kënaqur shumë gjatë fotosesionit. Bëni çfarë të doni, kur të doni. Mos u preokuponi për gjërat tjera”, kishte shkruar Eilish në llogarinë e saj në Instagram, ku edhe i ndau fotografitë me ndjekësit e saj në këtë rrjet social.
Gjatë intervistës ekskluzive për revistën prestigjioze, të realizuar nga Laura Snapes, Billie Eilish tha se dukja e re si biondinë po e bënë atë të ndihet më shumë sikur grua. Ajo gjithashtu tha që derisa ishte intriguar nga dizajnet e korsetëve, ajo e urren barkun e saj, prandaj ishte kurioze ta shoh sa kufizues mund të jenë dhe si do t’ia përmirësonin dukjen e trupit. Tutje këngëtarja tregoi se kjo pasiguri për veten njëkohësisht e bënte të ndihej e cekët.
Por, përfundimisht Eilish qëndron prapa besimit se moda dhe bukuria duhet të bazohen në ato gjëra që të bëjnë të ndihesh mirë.
“Nëse dëshiron të bësh ndërhyrje kirurgjike, bëje atë. Nëse dëshiron ta veshësh një fustan për të cilin njerëzit të thonë se nuk të përshtatet për trupi, bëje këtë, përderisa ndihesh mirë me veten dhe mendon se dukesh mirë, vetëm kjo ka rëndësi. Papritmas ti je hipokrit nëse dëshiron ta tregosh lëkurën, dhe je grua e lehtë apo lavire për shkak të rrobave që zgjedh t’i veshësh. Nëse jam një lavire, atëherë jam krenare me veten time. Unë dhe të gjitha vajzat tjera jemi të tilla, dhe nuk ka rëndësi çfarë mendojnë të tjerët. Le ta shfrytëzojmë çdo mundësi për ta fuqizuar njëra-tjetrën. Ekspozimi i trupit apo lëkurës suaj përmes veshjeve, nuk duhet t’iu bëjë të ndiheni të parespektuara”.
Në të kaluarën, Eilish ka thënë se bërja e rrobave të gjera identifikuese për stilin e saj, nuk ishte domosdoshmërisht një vendim i planifikuar por thjeshtë ishte diçka që e kishte bërë ngase e urrente trupin e saj./ Koha.net / KultPlus.com
Përkthimi dhe përshtatja nga turqishtja: Edis Galushi
Këto janë duart e tua, këto këmbët. Këto janë aq të bukura sa që ska më. Këto janë flokët e tua, që u shprëndanë brenda natës. Shiko, ky je ti fëmija im. Me të pasur gjithë këtë shtrat përfundi nesh, ti, deri në mëngjes, fjete mbi krahun tim. Unë s’të gënjëj. Vallah-Bil-lah. Ti je aq i bukur sa që s`ka më.
Shih ti, edhe sytë e tu janë këtu, edhe maja e syve që tani u mësua të jetoj. Mirë që është këtu, se çka do të bëja unë?. Shiko zemër, krahët e tu, tërësisht të zhveshur. Shiko, nuk ka mbetur asnjë sekret mes nesh. Sytë e tu shtatë në ora tetë të mëngjesit, po më shikojnë mua. Çfarëdo gjynahi (mëkati) që kemi bërë 50:50.
Ti, në fakt, shikoji këto. Këto janë buzët e tua. Ato mund të flasin, të puthin. Fort të putha kur të pash herën e parë. Ishim në varkë, dhe varka po shkonte nga bregu. Tri hapa më largë, shihej Stambolli. I shtrirë, të putha butë. Menjëherë, aty pranë nesh, kalonin peshqit.
Rreth autorit: Cemalettin Seber ose i njohur si Cemal Süreya (1931, Erzincan – 9 janar 1990, Stamboll), poet, shkrimtar dhe përkthyes turk. Një nga poetët kryesorë të poemës së Dytë të Re – një lëvizje moderniste në poezinë turke. Megjithëse eksperimentet e para i bëri me poezi me skica, studimet e tij kryesore për poezi filluan gjatë viteve të universitetit.
Poezinë “Güzelleme” (përkth. Bukuri) e ka shkruar në vitin 1954. / KultPlus.com
Sot, heroi i kombit tonë, Agim Ramadani do të festonte ditëlindjen e tij të 58-të, apo siç ka theksuar bashkëshortja e tij, ditëlindjen e 22-të si heroi i atdheut, shkruan KultPlus.
Shkukrije Ramadani, bashkëshortja e heroit Agim Ramadani, sot për herë të parë ka publikuar hartimin e fundit të heroit nga shkolla e mesme.
”Sot është ditëlindja jote e 58, Gimi jem, apo e 22 si hero i atdheut! Në gjurmim kujtimesh nga ato pak dokumente e foto të rinisë që kanë shpëtuar nga dora barbare kam gjetur hartimin e fundit nga shkolla e mesme, ku profesoresha Shejnaze Elezi te noton me 5 plus. Sot do ta ndajë me ju miq të nderuar, me ju që çmoni Agimin dhe vlerat e lirisë!”, ka shkruar Shukrije Ramadani në Facebook. / KultPlus.com
KultPlus ju sjell disa nga thëniet më të famshme të William Shakespeare.
“Duaj vajzë, duaj marrësisht, dhe nëse të thonë që dashuria është mëkat, duaje mëkatin dhe do jesh e pafajshme.”
“Njeriu shpesh është Zot i fatit të vetë. Faji, i dashur Brutus, nuk është yjet tanë, por në vetën tonë.”
“Shpresa është rrënja e secilit dëshpërim.”
“Mos u zoto në Hënë, sepse ajo ndryshon vazhdimisht, e pastaj do të ndryshojë gjithashtu edhe dashuria juaj.”
“Ndonjëherë ne e urrejmë atë që më së shumti i frikësohemi.”
“A nuk e di se unë jam grua? Kur unë mendoj, më duhet patjetër të flasë.”
“Këto kënaqësi të dhunshme i kanë edhe përfundimet e dhunshme.”
“Duaji të gjithë, besoju disave, mos i bëjë keq askujt.”
“Mos keni frikë nga madhështia. Disa lindin të mëdhenjë, disa e arrijnë atë, ndërsa të tjerët madhështin e kanë të ngulur mbi vete.”
“Do të sfidoja në një betejë të mençurisë, por e shoh se je i paarmatosur.”
“Ferri është i zbrazët. Të gjithë djajtë janë këtu.”
“Mos e humbisni dashurinë tek dikush që nuk e vlerëson atë.”
“Dyshimet tona janë tradhëtare, sepse na bëjnë ta humbasim atë që shpesh mund ta fitojmë, duke na frikësuar të tentojmë.”
“Nuk dashurojnë ata që nuk e shfaqin dashurinë e tyre.”
“Mos keni frikë nga madhështia. Disa lindin të mëdhenjë, e disa e arrijnë, ndërsa të tjerët e kanë madhështin të ngulur mes tyre.”
“Ferri është i zbrazët. Të gjithë djajt janë këtu.”
“Ne e dim çka jemi, por nuk e dim çka mund të bëhemi.”
“Frikacakët vdesin mijëra herë para vdekjes; guximtari vdekjen e shijon vetëm njëherë.”
“Mos e humb dashurinë tënde aty ku ajo nuk vlerësohet.”
“Të lindësh është sikur të rrëmbehesh. Dhe pastaj të shitesh në skllavëri.”
“Për tu ngjitur kodrave të rrëpira nevojiten hapa të ngadalshëm në fillim.”
“Se e vërteta duhet të jetë e heshtur thuajse kisha harruar.”
“Heshtja shpesh e pafajësisë së pastër bind kur të folurit dështon.”
“Asgjë nuk është aq e shpeshtë sa dëshira për të qenë i mrekullueshëm.”
“Dashuria që nuk mund të e kemi është ajo që zgjat më së shumti, dhemb më së thelli, por ndihet më së forti.”
“Dashuria është e rëndë dhe e lehtë, e errët dhe ndriçuese, e nxehtë dhe e ftohtë, e shëndetshme dhe e sëmurë, e përgjumur dhe e zgjuar – dashuria është gjithçka përveç asaj që është.” / KultPlus.com
Më 3 maj të vitit 1877, në Janinë, nën kryesinë e Abdyl bej Frashërit, u formua Komiteti i Janinës.
Qëllimi i komitetit ishte mbrojtja e tokave shqiptare nga rreziku i copëtimit nga shtetet fqinje.
Komiteti i Janinës vendosi lidhje edhe me qarqet politike që vepronin në viset e tjera të atdheut, me të cilat shqyrtoi çështjen e përgatitjes së kryengritjes së armatosur. Në të njëjtën kohë ai ra në kontakt me oficerët shqiptarë që shërbenin në garnizonet osmane të vendit dhe që treguan gatishmëri për të marrë pjesë në kryengritjen e armatosur. Pas kësaj, shqetësimi kryesor i Komitetit u përqendrua në aspektin diplomatik të çështjes shqiptare.
Udhëheqësit e Komitetit të Janinës ishin të ndërgjegjshëm se qeveria greke nuk do të hiqte dorë aq lehtë nga qëndrimi i saj i vjetër, nuk ishte e prirur që të pranonte kërkesën e shqiptarëve për të përfshirë në shtetin e tyre krejt Shqipërinë e Jugut deri në Prevezë, sepse ishte pushtuar nga lakmia për të aneksuar krejt vilajetin e Janinës, deri te lumi Seman. Megjithatë ata shpresonin se përballë gjendjes kritike që ishte krijuar për Greqinë nga përparimi i ushtrive ruse, Athina mund të hiqte dorë nga platforma që kishte parashtruar vitin e kaluar dhe do ta shikonte me një sy realist propozimin e shqiptarëve. / KultPlus.com
3 Maji është Dita Botërore e Lirisë së Shtypit. Kjo ditë shënohet që nga viti 1993 e vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e cila shërben për t’ua përkujtuar qeverive nevojën e respektimit të përkushtimit të tyre për lirinë e shtypit dhe po ashtu është një ditë reflektimi në mesin e profesionistëve të mediave për lirinë e shtypit dhe etikën profesionale.
Sipas organizatës “Reporterët pa Kufij” mbi gjendjen e lirisë së mediave për 2020, Kosova renditet në vendin e 70-të në botë dhe qëndron më mirë krahasuar me disa vende të rajonit.
Me rastin e shënimit të kësaj dite, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) do të mbajë një konferencë për media dhe një tryezë diskutimi.
Ndryshe, tema e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit këtë vit është “Blackout May”, që shërben si përkujtues se si do të dukej një ditë pa media.
3 maji është po ashtu dita e përkujtimit të atyre gazetarëve që e kanë humbur jetën në ndjekje të së vërtetës dhe raportimit profesional. / KultPlus.com
Vjollca Robelli- Mripa për më shumë se një dekadë është larguar nga Kosova për në Londër, por zëri i saj është mishëruar me gjithë publikun këtu përmes këngës “Ajo”, me të cilën vazhdon të identifikohet personaliteti i saj artistik.
Para disa vitesh, ajo u kthye me një koncert në Prishtinë në kuadër të festivalit ‘Femart’, përmes së cili kishte bindur publikun se Robelli kishte lenë një zbrazëti në skenën muzikore shqiptare.
Këngëtarja Vjollca Robelli-Mripa po vazhdon karrierën e saj në Londër duke bashkëpunuar me instrumentistë ndërkombëtarë ndërsa në krijimet e saj gjithnjë ka gjetur lidhjen mes muzikës jazz me muzikën folklorike shqiptare. Ajo pritet që këtë vit të publikojë albumin e saj më të ri.
KultPlus ju rikujton sot këtë këngë të krijuar në vitin 2002 dhe që atëherë arriti të prek majat e top-listave shqiptare.
Më 2 maj 1908 një grup atdhetarësh formuan në Elbasan shoqërinë “Afërdita”, e cila krijoi edhe grupin e bandës së qytetit, ndërsa kish synim të ngrinte një palestër sportive, dhe të merrej me botimin e librave shkollorë.
Shoqata e cila pati mjaft rëndësi kulturore kremton këtë vit 113-vjetorin e themelimit.
“Kjo shoqëri ka për qëllim të përhapunit e dashurisë, vllaznisë e njisisë ndërmjet vendësve të qytetit e fshatrave rreth, që të marrin rrugën e qytetërimit”, thuhet në rregulloren e themelimit të saj.
Nga drejtuesit e saj përmendim patriotët dhe intelektualët si Lef Nosi, Fot Papajani, Dhimitër Papajani, Petër Dodbiba, Hysen Ceka, Myrteza Demeti e të tjerë. Ajo dha një ndihmesë të veçantë në realizimin e Kongresit të Elbasanit, me hapjen e Shkollës Normale për përhapjen e gjuhës shqipe etj.
Që në dokumentin e saj themelues gjejmë vendimin për ngritjen e bandës muzikore “Afërdita”, dhe jehona e tij shkoi shumë larg në qarqet patriotike,.
Sot në Muzeun e qytetit të Elbasanit ruhet një numër i gazetës Dielli i datës 13 gusht 1909 që botohej në SHBA. Në të shkruhej: Ska shumë kohë që u ngrej këtu një badë buzikore me emrin “Afërdita” ka më shumë se nji qind antarë… qëllimi i kësaj bande nuk është të përhape muzikën…”/ KultPlus.com