Gjon’s Tears: Eurovisioni, emocionues dhe i bukur, por s’do ta provoja më

Këngëtari shqiptar, Gjon’s Tears i cili përfaqësoi Zvicrën në edicionin e sivjetëm të Eurovision-it, duke i dhuruar shtetit zviceran vendin e tretë, sot ishte i ftuar në programin e mëngjesit ”Wake Up” në Top Chanel, ku shpalosi më shumë rreth ndjesisë pas këtij festivali të madh, shkruan KultPlus.

Gjon’s Tears theksoi se ka pranuar urime të shumëta nga fytyra publike e njerëz të ndryshëm, për të cilat tregoi se është ndjerë mjaft mirë. Ai poashtu potencoi se ka qenë shumë i ri kur për herë të parë ka përcjellur festivalin e Eurovisionit dhe duke bërë që edhe ai të ëndërroj të jetë pjesë e këtij festivali.

Ai, poashtu ka theksuar se me performancën në Eurovision, ka arritur të përmbushë një ëndërr të madhe e të kahmotshme të tij.

Më poshtë gjeni intervistën e plotë të këngëtarit. / KultPlus.com

Petrit Çeku me performancë në Moskë, interpreton krahas kitaristit të njohur rus

Kitaristi i njohur shqiptar Petrit Çeku ka performuar para audiencës ruse në Moskë, së bashku me kitaristin rus, Dimitri Illarionov, përcjell KultPlus.

Lajmi u bë i ditur nga Çeku përmes një statusi në rrjetin social Facebook, i cili theksoi se ka ndarë skenën me shokun e tij kitarist Dimitri Illarionov.

”Mbrëmjen e kaluar në Moskë kam ndarë skenën me shokun tim të dashur Dimitri Illarionov në Guitarmagfest, para një audience të mrekullueshme’‘, ka shkruar Çeku në postimin e tij. / KultPlus.com

Shqipe Kamberi me ekspozitë në Zagreb, 24 vepra do të shpërfaqin nusen shqiptare

Artistja Shqipe Kamberi do të prezantohet me ekspozitë personale në Zagreb të Kroacisë, shkruan KultPlus.

Shqipe Kamberi ka njoftuar për KultPlus se ekspozita me titullin “Nusja”, që përfshinë 24 vepra do të hapet më 1 qershor dhe artdashësit mund ta shohin nga afër deri më 6 qershor.

Ekspozita “Nusja” është organizuar nga Bashkësia Shqiptare dhe Prefektura e Zagrebit, e që ka ndihmuar edhe Ambasada e Kosovës në Kroaci dhe deputetja shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, Ermina Lekaj Perlaskaj.

Shqipe Kamberi me veprat e nuseve shqiptare është prezantuar edhe në vende të tjera, duke përshirë edhe ekspozitat ndërkombëtare.

“Nusja” në Zagreb do të hapet në Galerinë Forum dhe do të ketë shtrirje në dy katet e këtij institucioni. / KultPlus.com

Disa fakte interesante rreth jetës së Nënë Terezës

KultPlus ju sjell disa fakte mjaft interesante mbi jetën dhe veprën e Nënës Terezë,

1. Nënë Tereza ishte mike me princeshë Diana-n. Ato ndërruan jetë në të njëjtin vit.

Nënë Tereza dhe Lady Diana ishin mikesha që prej 1992-it deri në 1997ën. Gjatë takimeve të fundit, pak javë përpara se Diana të ndërronte jetë ato përqafonin njëra-tjetrën, luteshin bashkë dhe shëtisnin dorë për dore në rrugët e Bronx-it, në New York.

2.Ajo ishte kundër abortit dhe parandalimit të shtatzënisë përmes pilulave

Kur ajo mori çmimin Nobel në 1979, Nënë Tereza u shpreh: “Shkatërrimi më i madh i paqes sot është e qara e një fëmijë të pafajshëm që s’lindi kurrë. Nëse një nënë mund të vrasë fëmijën brenda barkut të saj, çfarë ka mbetur për ty dhe mua të vrasim njëri-tjetrin?”

8 fakte interesante rreth jetës së Nënë Terezës!

3. Fillimisht ajo punoi si mësuese

Nënë Tereza shqetësohej shumë nga varfëria që shihte në Kalkutë të Indisë, prandaj në 1946-n u zhvendos për të jetuar me ta dhe problemet e tyre.

8 fakte interesante rreth jetës së Nënë Terezës!

4. E niste çdo ditë me lutje!

Pas çdo lutje mëngjesi ajo dilte rrugëve të Kalkutës për të gjetur dhe për t’i dhënë të varfërve ushqim. Vizitonte familjet, kujdesej për fëmijët e sëmurë, të moshuarit dhe bënte infermieren për njerëz që po vdisnin nga tuberkuloza.

5. Ajo fliste rrjedhshëm 5 gjuhë!

Gjuhën amtare, shqipen, serbisht, gjuhën që flitej në Bangladesh dhe Indi, dhe anglisht.

Pas kërkimeve në arkivat e disa shteteve evropiane, një ditë para shenjtërimit të saj u gjet kjo letër, e shkruar prej saj për shqiptarët. Letra është shkruar në 10 dhjetor të 1979-ës gjatë qëndrimit të saj në Oslo.

“Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem Shqiptar. Shum luti Zotin që Paqja e Tij te vijë në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjith botën. Luti shumë për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Une lutem për juve. M. Teresa Bojaxhiu”


“Vllau jem dhe Maria e dashtun
Mbaj uzdaj (shpresë) se je mir dhe që operacioni asht marue.
Motrat dhe unë jemi tuj u lut shum për ty.
me shumë dashuni vëllau i jem, t’puthi fort

Motra jote Tereza”

8 fakte interesante rreth jetës së Nënë Terezës!

6. E la familjen e saj në moshën 18-vjeçare për të mos u kthyer më kurrë.

7. Nënë Tereza ishte vetëm 8 vjeç kur i ati vdiq. Besohet se ai u helmua nga kundërshtarët e tij politikë.

8. Plot 18 herë, Nënë Tereza ishte një prej 10 grave që adhurohej më shumë në botë. / KultPlus.com

Publikohen datat e sezonit të 5-të të ‘La Casa De Papel’

Sezoni i fundit i “La Casa De Papel” (Money Heist) do të publikohet në dy pjesë, pjesa e parë do të dalë më 3 shtator dhe e dyta më 3 dhjetor, tha Netflix.

“Kur filluam të shkruajmë pjesën e 5-të në mes të pandemisë, ne menduam se duhej të ndryshonim atë që pritej nga sezoni me 10 episode dhe përdorëm çdo mjet që mundëm për të krijuar ndjesinë e një finaleje të sezonit ose finaleje të serialit, ”tha (via Deadline) Álex Pina, krijuesi i “La Casa De Papel”. “Ne vendosëm të punojmë në një zhanër jashtëzakonisht agresiv.

Krijuesi u shpreh se në pjesën e dytë të sezonit të pestë, janë përqendruar më shumë te situata emocionale e personazheve. “Është një udhëtim në hartën e tyre emocionale që na lidh drejtpërdrejt me largimin e tyre,” tha ai.

“Banda është mbyllur në Bankën e Spanjës për mbi 100 orë. Ata kanë arritur të shpëtojnë Lisbonën, por momenti më i errët është mbi ta pasi kanë humbur njërin prej tyre. Profesori është kapur nga Sierra dhe, për herë të parë, nuk ka një plan arratisjeje.” – shkruan Netflix, transmeton KultPlus.

Sipas platformës, pikërisht kur duket se asgjë tjetër nuk mund të shkojë keq, një armik del në skenë që është shumë më i fuqishëm se kushdo që janë përballur: ushtria. Fundi i grabitjes më të madhe në histori po afron dhe ajo që filloi si një grabitje do të kthehet në luftë. / KultPlus.com

‘Merak tu bana’, mrekullia që vjen përmes Parashqevi Simaku (VIDEO)

KultPlus ju sjell këngën “Merak tu bana” nga këngëtarja Parashqevi Simaku e njohur për këngën “E duam lumturinë”.

Parashqevi Simaku është një këngëtare shumë e njohur dhe muzika ku identifikohet më shumë është ajo pop, e lehtë dhe popullore e Shqipërisë së mesme.

Parashqevi Simaku është një këngëtare shqiptare nga Shqipëria. Ajo lindi në Kavajë dhe më pas u shpërngul në Durrës. Ajo që e vogël filloi të këndojë, duke bashkëpunuar me kompozitor të talentuar. Këndoi shumë në festivale edhe koncerte e pranverës.

https://www.youtube.com/watch?v=84NbtWV7-J8&feature=emb_title&ab_channel=SelverRashiti

Në 1988 fiton çmimin e parë të Festivali i 27-të i Këngës në RTSH me këngën “ E duam lumturinë”, kompozuar nga Pirro Çako. Pas vitit 1991 ajo largohet edhe jeton në SHBA, duke u marr edhe atje me muzikë…

Po m’rreh zemra si val’ deti
qysh duron zemër, qysh duron dhe me gojë s’m’flet
më ngriu drapni, n’dor’ më t’shkretit
qysh duron, zemër, qysh duron dhe m’ikën shpejt

Marak t’u bona moj goce du me t’pa me sy
2x
Po vij qark si zog skifteri me u taku me ty

T’u skuq faqja porsi pjeshka
syrin si ulli, nuk duroj sa te vijë vjeshta
e me të marrë në shpi

Kush t’a freskon ballin ty
aman goce e re, të kom dashtë e fort të du
aman goce e re, eeeeee aman goc’ e re
Eeeee, sa e bukur je

Kjo dashnia asht për mu
të kom dasht’ e fort të du
aman goc’ e re, eeeeee aman goc’ e re
Eeeee, sa e bukur je
. / KultPlus.com

Samantha Cristoforetti, astronautja e parë evropiane në komandën e ISS

Italiania Samantha Cristoforetti do të jetë astronautja e parë europiane që do të marrë komandën e Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar (ISS), gjatë misionit të saj të planifikuar për në vitin 2022, njoftoi sot Agjencia Europiane e Hapësirës (ESA) në një deklaratë, përcjell KultPlus.

Cristoforetti, 44 vjeçe, një ish-pilote luftarake, është astronautja e parë italiane.

Ajo do të niset drejt ISS së bashku me astronautët e NASA-s, Kjell Lindgren dhe Bob Hines, nga Florida (SHBA).

Shefi ekzekutiv i saj, Josef Aschbacher, tha se emërimi “është një burim frymëzimi për një brez të tërë që aktualisht aplikon për t’u bashkuar me Korpusin e Astronautëve të ESA-s”.

Kjo do të jetë hera e dytë në ISS për astronauten, e cila ka vendosur rekordin për qëndrimin më të gjatë në hapësirë ​​për një grua në një mision: ajo kaloi 199 ditë në orbitë, në 2014 dhe 2015.

Në fund të marsit, ESA nisi një fushatë rekrutimi për klasën e saj të ardhshme të astronautëve.

Samantha Cristoforetti i përket asaj të vitit 2009, si francezi Thomas Pesquet.

Aktualisht në ISS, ky i fundit do të marrë komandën në fund të misionit të saj. / KultPlus.com

Vitia: Deri në fund të vitit pritet të arrijnë 1.2 milion vaksina Pfizer

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka bërë të ditur se deri në fund të vitit në Kosovë dotë arrijnë 1.2 milion dozë vaksina Pfizer.

“Duhet të kuptoni një gjë, për shkak të shumë termave të konfidencialitetit që i kemi me kompaninë Pfizer, nuk mund të ju japim më shumë informata, por deri në fund të vitit pritet të arrijnë mbi 1,2 milion vaksina Pfizer.”, ka thënë ai në konferencë për media, përcjell KultPlus.

Marrëveshjen me Pfizer e ka bërë të ditur edhe vet kryeministri Kurti në mbledhjen e qeverisë.

“Posa janë përmbyllur në mënyrë të suksesshme negociatat për ardhjen e vaksinave në Kosovë me ç’rast kemi blerë vaksina nga prodhuesi ‘Pfizer’ dhe tash duke iu falënderuar kësaj ne do të mund të bëjmë vaksinimin edhe përtej grupeve me prioritet dhe të shkojmë në mënyrë të sigurt drejt zotimit që të përmbyllim imunizimin e popullsisë sivjet, përkatësisht 60 për qind të qytetarëve”, ka thënë Kurti.

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen që pati para konferencës së Vitisë, ka miratuar me shumicë votash masat e reja antiCOVID.

Në kuadër të masave të reja do të heqet ora policore dhe do të zgjatet orari i punës për gastronominë deri në ora 23:00.

Shefi i dikasterit të Shëndetësisë ka thënë në mbledhjen e qeverisë se do të lejohet edhe lëvizja e qytetarëve pa maska kur janë vetëm dhe në ambiente të jashtme. /gazetaexpress/ KultPlus.com

Veshjet tradicionale të dasmave në vendet e ndryshme të botës (FOTO)

Nëse i lini mënjanë të gjitha gjërat e këqija, do të pranonit se bota është një vend i bukur për të jetuar. Ka kaq shumë dashuri.

Kur bëhet fjalë për dashurinë, kur ka qenë hera e fundit që keni marrë pjesë në një ceremoni martese? Çfarë kishin veshur nusja dhe dhëndri?

Ka kaq shumë lloje veshjesh martesore në botë. Ka diçka të ëmbël dhe të ngrohtë në kulturë dhe traditë.

Ne ua sjellim më poshtë disa nga veshjet më të veçanta të dasmës nga kultura të ndryshme në botë. / KultPlus.com

Kina

Indonezia

India

Gana

Nigeria

Norvegjia

Skocia

Etiopia

Pakistani

Hawaii

Malajzia

Korea e Jugut

Sri-Lanka

Rumania

Japonia

Sa më lëndon…

Poezi nga Jaime Sabines

Përktheu: Erion Karabolli

Butësisht, padurueshëm, ti më lëndon.
Merrma kokën. Këputma qafën.
Asgjë s’më mbetet pas kësaj dashurie.
Midis gërmadhave të shpirtit tim kërkomë, aty dëgjomë.
Diku aty ka mbetur zëri im dhe thërret,
kërkon mrekullinë tënde, heshtjen tënde që ndrit.
Duke kaptuar mure, mjedise, mosha,
fytyra jote (sa qartë duket fytyra jote!) prej vdekjes vjen,
prej dikurshëm, nga dita e parë që botën të zgjojë.
Ç’fytyrë e qartë, ç’dritë e butë, dritë e përhumbur,
ç’përvijim i ëmbël mbi gjethe uji!
I dua ata sy, i dua, i dua sytë e tu.
Si fëmija i atyre syve jam, jam si një pikë loti i syve të tu.
Ngremë. Te këmbët e tua kam rënë, ngremë nga toka,
nga hija ku ti shkel, nga cepi i dhomës tënde që kurrë, as në ëndërr nuk e sheh.
Ngremë. Në duart e tua kam rënë dhe dua të jetoj, të jetoj, të jetoj. / KultPlus.com

Qeveria miraton masat e reja, hiqet ora policore dhe ndryshon orari i punës për gastronominë

Qeveria e Kosovës ka miratuar me shumicë votash masat e reja AntiCovid, raporton Gazeta Express, përcjell KultPlus.

Në kuadër të masave të reja do të heqet ora policore dhe do të zgjatet orari i punës për gastronominë deri në ora 23:00.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë në mbledhjen e qeverisë se do të lejohet edhe lëvizja e qytetarëve pa maska kur janë vetëm dhe në ambiente të jashtme.

“Sipas raportit të IKSHPK-së situatat epidemiologjike në Kosovë paraqitet e qëndrueshme me vazhdimin e uljes së rasteve pozitive, duke shënuar rënie. Qeveria cakton masa më të lehtësuara. Masat kryesore do të jenë si në vijim: Kufizimi i qarkullimit do të hiqet, megjithatë nga ora 00:00 deri në ora 05:00 nuk lejohet grumbullimi i personave në hapësira të brendshme dhe të jashtme. Zgjatja e orarit të punës së gastronomisë do të jetë deri në orën 23:00. Lejimin e lëvizjes pa maska të qytetarëve gjatë ecjes kur ata janë vet dhe në ambientet e jashtme”, tha Vitia në fjalën e tij. / KultPlus.com

‘Defender Europe 2021’, vizitë në Muzeun e Krujës

Historia e Gjergj Kastrioti Skënderbeut vazhdon të frymëzojë dhe pas më shumë se pesë shekujsh.

Kalaja e Krujës është vizituar nga qindra ushatarakë amerikanë, pjesë e stërvitjes që po zhvillohet në vendin tonë “Defender Europe 2021”, transmeton KultPlus.

Në një foto të realizuar disa nga ushtarakët kanë mbajtur në duar dy flamujt, atë shqiptar dhe amerikan, duke treguar në këtë mënyrë miqësinë ndër vite të dy vendeve. / KultPlus.com

BBC liston momentet më të mira nga ribashkimi i ‘Friends’

Të enjten mbrëma u publikua emisioni ku kasti i serisë së famshme amerikane “Friends” u bashkuan për diskutim, 17 vjet që kur kjo seri ka përfunduar.

Në fillim të programit Matt LeBlanc thotë se gjithçka po i duket më e vogël tani në sheshxhirim, dhe më pas ata pohojnë se ka episode që as që iu kujtohen t’i kenë xhiruar.

Gjatë programit po ashtu pati edhe fragmente nga prapaskenat e serisë që publiku nuk i kishte parë më herët.

Moment prekës ishte rrëfimi i Mathew Perry-t kur tha se gjatë tërë kohës e ndiente presionin e vlerësimit nga audienca dhe nevojën që ata të qeshnin.

Gjatë programit pati edhe rrëfime te tjera, sikur ai kur LeBlanc e kishte lëvizur supin nga vendi gjatë një skene të serisë, apo kur e luajtën kuizin e famshëm që e luanin në seri.

Pikë interesante ishin edhe mysafirët specialë të serisë si Justin Bieber, James Corden, Malala Yousafzai.

Në program u mësua nga producentët që Matt LeBlanc krejt në fund kishte arritur pas një gare të ngushtë me Louis Mandylor, që ta siguronte rolin e Joey Tribbiani-t.

Te “Friends” pati mysafirë edhe nga ata që kishin luajtur personazhe dytësore por me të cilët ishin familjarizuar fansat e zjarrtë të “Friends”.

Për fund, filmi i përfolur i “Friends”, sipas atyre që u thanë, nuk do të realizohet kurrë pasi që seria ishte përfunduar, sipas tyre, ashtu si i kishte hije. /klankosova/ KultPlus.com

Shtyhet ceremonia e çmimeve ‘Oscars’

Ndarja e çmimeve ”Oscar” do të mbahet më 27 mars 2022, një muaj më vonë sesa ishte planifikuar, dhe do të kthehet në vendin e vet tradicional, në teatrin Dolby të Hollywood-it, njoftoi sot Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit, përcjell KultPlus

Pas vlerësimeve të bezdisshme për Oskarët e pazakontë të këtij viti, të prekur nga pandemia – të cilat u mbajtën në një stacion treni në Los Anxhelos – shtyrja shmang përplasjet e mundshme të kushtueshme me Super Bowl dhe Lojërat Olimpike Dimërore.

Ngjarja më e madhe e futbollit amerikan zhvillohet në Los Anxhelos vitin e ardhshëm më 13 shkurt, ndërsa ekstravaganca globale e sporteve dimërore do të mbahet në Pekin nga 4-20 shkurt.

Por ndikimi i COVID-19 – i cili transformoi sezonin e çmimeve të Hollywood-it vitin e kaluar, duke mbyllur kinematë, duke shtyrë dhjetëra filma të mëdhenj dhe duke detyruar shumë ceremoni të hynin në internet – gjithashtu vazhdon të ndihet.

Tradicionalisht Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit kërkon të paktën një ‘vrapim’ shtatë-ditor në teatrot e Los Anxhelos për filma që të jenë të ligjshëm për çmimin më të madh të Hollywood-it.

Me ekranet e mëdha të mbyllura, ato rregulla u relaksuan vitin e kaluar, në atë që u pa gjerësisht si një nxitje për filma në platforma streaming si Netflix dhe Prime Video Amazon.

“Ky vit, i cili është ende i ndikuar nga pandemia, kërkesat e kualifikimit për çmimet e 94-të të Akademisë do të jenë në përputhje me shtesat e bëra për sezonin e 93-të të Çmimeve”, thuhet në deklaratë, përcjell tutje KultPlus.

Filmat e lëshuar në kinematë në pesë qytete të mëdha jashtë Los Anxhelos do të mbeten të pranueshëm dhe ndryshimet janë vendosur të shtrihen në Oskarët e vitit pasardhës, dhe potencialisht më tej.

Sidoqoftë, me kinematë amerikane të rihapura tani dhe prodhimi i filmit duke përshpejtuar përsëri, vendimi i vitit të kaluar për të zgjatur dritaren e kalendarit në të cilin filmat mund të lëshohen dhe akoma të kualifikohen për Oskar nuk do të përsëritet.

Filmat që dëshirojnë të garojnë për Oskarin e vitit të ardhshëm duhet të dalin në treg deri më 31 dhjetor. / KultPlus.com

Hapet ekspozita ‘Ikonat e Diço Zografit’, 12-të ikona ekspozohen për herë të parë

Ikonat, që janë vepra të Diço Zografit u ekspozuan për publikun në Muzeun Historik Kombëtar.

“Dyert e Bukura” të ikonostasit të kishës së Shën Kollit në Elbasan, si edhe disa objekte prej ari dhe argjendi, një kryq, mbulesa ikonash, kapakë ungjilli, etj, ekspozohen për herë të parë në ekspozitën “Ikonat e Diço Zografit”.

Ekspozita me 12 ikona u çel të enjten paradite për publikun, në sallën e ekspozitave në Muzeun Historik Kombëtar. Në prezantimin saj të pranishmit folën për rëndësinë e veprave të piktorit Diço Zografi, ku ekspozita në Muzeun Historik Kombëtar është një hap i mirë drejt njohjes së trashëgimisë.

Në fjalën e tij drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, ndër të tjera tha se piktori Diço Zografi vitin e kaluar kishte 200- vjetorin e tij të lindjes, që u festua në Maqedoninë e Veriut, ku ka edhe pjesën e tij më të madhe të koleksioneve.

“Në një konferencë të organizuar nga Akademia e Shkencave në Maqedoninë e Veriut, ku morën pjesë edhe specialistë të Muzeut Historik Kombëtar ne zbuluam që kemi një trashëgimi jo të vogël, por mbi të gjitha duke e ditur se e bukura dhe arti janë dy eksponentë kryesor të Bashkimit Europian kuptojmë se kemi një të kaluar të përbashkët me të gjitha vendet tona fqinje, shkojmë drejt një solidariteti të përbashkët europian.

Do t’ju ftoja ta shikonit me interes ekspozitën, e cila është e kuruar nga stafi i Muzeut Historik Kombëtar”, tha dr. Dorian Koçi gjatë ekspozitës, që u hap dje në MHK. Në fjalën e tij në prani të ministres së Kulturës Elva Margariti, drejtori i MHK solli në vëmendje dhe punën që po bëhet së fundmi për restaurimin e mozaikut.

Ai tha se me rastin e 40 vjetorit të muzeut punimet do të përfundojnë. “Në bazë të programit “EU for Culture” u bë e mundur, që të nisin punimet për restaurimin e mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar, që me rastin e 40- vjetorit të institucionit do arrijmë ta përfundojmë”, tha dr. Koçi.

 Thesare, në muzetë tanë

E pranishme në muze, ministrja e Kulturës Elva Margariti vlerësoi ekspozitën me ikona. Në fjalën e saj mes të tjerave ministrja Margariti tha se kjo ekspozitë ka qenë e shumëpritur dhe e mirëpritur, sepse kemi një histori që patjetër duhet shpalosur dhe mbart në vetvete gjithë elementët që pasqyrohen. “Kemi thesare pa fund në të gjithë muzetë tanë dhe patjetër, që ky është një model ideal i Europës dedikuar jo vetëm njohjes së identitetit, por edhe të bukurës shqiptare. Kam ndjekur me vëmendje gjithë materialin e përmbledhur në këtë ekspozitë, dhe e them me krenari që janë copëza të historisë tonë, të cilat fatkeqësisht janë lënë në harresë, por këto vitet e fundit gjithmonë e më tepër i është kushtuar vëmendje”, u shpreh ministrja Margariti. Për ministren e Kulturës, mjafton të përmendim Muzeun e Artit Mesjetar, që ka hedhur kaq shumë dritë mbi këtë pjesë të historisë sonë dhe ka krijuar një jehonë tejet pozitive edhe jashtë kufijve tanë. “Mendojmë që kjo ekspozitë sado e vogël do të hedhë një hap drejt një bashkëpunimi edhe me ekspertë të huaj dhe do të jetë pjesë e një koleksioni, që do të fillojë me restaurimin e nevojshëm të ikonave në laboratorin e Muzeut të Artit Mesjetar. Ta katalogojmë edhe në aspektin digjital, pra të përfundojmë atë punë që e kemi filluar dhe nuk do të mbarojë asnjëherë, duke pasur parasysh të gjitha koleksionet që kemi. Uroj që ky të jetë një moment i parë me njohjen e kësaj figure, duke shkuar përtej mistikes që ai prezanton dhe mbi të gjitha për t’ua bërë të njohur të rinjve”, përfundoi ajo. Ekspozita me ikona vjen në vijim dhe të veprimtarive të tjera, që janë zhvilluar gjatë kësaj kohe në muze. /sot/ KultPlus.com

17-të anëtarë të rinj të jashtëm të Akademisë së Shkencave në Shqipëri, Gjinushi: Qëllimi kryesor i reformës, hapja ndaj studiuesve e krijuesve

Akademia e Shkencave ka zhvilluar sot mbledhjen për ndarjen e diplomave 17 anëtarëve të rinj të jashtëm të Akademisë, që e kanë fituar këtë titull gjatë vitit të kaluar e sivjet.

17 personalitet e jashtme të pranuar sot në Akademinë e Shkencave janë: Ermonela Jaho, Elton Prifti, Sokrat Sinaj, Fioralba Cakoni, Bardhyl Demiraj, Bajram Berisha, Mira Mezini, Ardian Ndreca, Ardian Vehbiu, Kujtim Shala, Eno Koço, Fetah Podvorica, Ali Aliu, Luan Starova, Matteo Mandalà, Francesco Altimari dhe Rexhep Ismajli.

Kryetari i Akademisë e të Asamblesë, Skënder Gjinushi në fjalën e tij tha se “është nder për mua që, në emër të Akademisë së Shkencave e të Kryesisë së saj, t’i uroj mirëseardhjen kësaj audience të zgjedhur, në sallën që mban emrin e kryetarit historik të saj, shkencëtarit të njohur prof. Aleks Budës. Prirë prej tij, një plejadë dijetarësh, një plejadë nga më të shquarit që ka pasur ndonjëherë Shqipëria, ku bënin pjesë edhe Çabej, Radovicka, Domi, Shuteriqi, Kostallari, Pilika, hodhi themelet e shkencës shqiptare, duke e ngritur atë në nivele të krahasueshme me ato të kohës, duke e vendosur madje në krye, me një rol përcaktues, për sa u takon shkencave albanologjike”.

“Janë kjo veprimtari e trashëgimi e vyer që treguan domosdoshmërinë dhe efikasitetin e ngritjes e të funksionimit të një Akademie të Shkencave në Shqipëri. Ky kontribut e kjo përvojë  treguan se investimi për shkencën është më i frytshmi e me efektivi për të ardhmen, se investimi për shkencën duhet të jetë parësor në çdo kohë e periudhë, madje edhe atëherë kur luftohej ende analfabetizmi. Kjo trashëgimi lehtësoi rrugën për ecurinë e mëtejshme të Akademisë e të shkencës  shqiptare në vendin tonë, por ndërkohë ajo rriti përgjegjësinë për pasurimin e çuarjen më tej të saj, duke e vështirësuar konkurrencën me vetveten, pasi në çdo kohë performanca jonë do të krahasohet me këtë trashëgimi. Aq më tepër kur prirja është që e shkuara të idealizohet ndërsa e tashmja të anatemohet, tendencë kjo më e theksuar në periudha tranzitore, gjatë të cilave debatin nuk e dominojnë opinionet e specialistëve, por specialistët e opinioneve. Në këto kushte, krahas nevojës për reformim të gjithë sistemit të arsimit të lartë e të atij të kërkimit shkencor, e ndërlidhur kjo me nevojën e vendosjes së zhvillimit ekonomik mbi dije e teknologji të reja shkencore, prej vitesh edhe para Akademisë së Shkencave shtrohej nevoja e reformimit të saj”, tha ai.

Në vijim, Gjinushi tha se “pas shumë debatesh e iniciativash, dy vjet më parë reformimi i Akademisë së Shkencave mori formë ligjore, dhe sot, në përmbyllje të realizimit të fazës së pare së ristrukturimit, është thirrur kjo mbledhje ceremoniale e Asamblesë, për të nderuar e kurorëzuar një prej elementeve kryesorë të reformës: pranimin si anëtarë të Akademisë me statusin e anëtarit të jashtëm të 17 shkencëtarëve e studiuesve ndër shqiptarët më të suksesshëm në fushën e shkencës e të dijes në Kosovë, në komunitetin arbëresh, në Maqedoninë e Veriut dhe kudo tjetër në Botë: në Shtetet e Bashkuara, në Gjermani, Itali e Austri”.

“Statusi i anëtarit të jashtëm është një status i ri, i parashikuar për të realizuar një nga qëllimet kryesore të reformës: hapjen e saj ndaj studiuesve, kërkuesve e krijuesve që e ushtrojnë veprimtarinë jashtë vendit, të cilët përfaqësojnë një potencial të madh intelektual, gjithnjë në rritje. Një hapje e veçantë bëhet ndaj akademive të ngjashme, që janë anëtare të ALLEA-s, e posaçërisht ndaj kolegëve tanë në Kosovë e në Maqedoninë e Veriut. Ky pasurim i Akademisë së Shkencave është kryer krahas rifreskimit të saj të brendshëm me anëtarë të rinj të Asamblesë në bazë të hapësirave e kritereve të reja ligjore. Kështu, gjatë kësaj faze janë pranuar e janë në proces 13 anëtarë të rinj.E rëndësishme është të theksojmë se pranimet e reja janë cilësore e të nivelit të kolegëve të tyre në rajon e Europë, duke përcjellë te brezat e rinj mesazhin se edhe në Shqipëri të aftët mund të jenë po aq të suksesshëm. Gjej rastin të falënderoj institucionet e arsimit të lartë, institutet e njësitë e tyre përbërëse për bashkëpunimin e treguar gjatë procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të rinj, si dhe për faktin që kanë formuar e kanë në gjirin e tyre profesorë që e meritojnë titullin akademik. Statuti i ri mundëson një përfaqësim më të mirë të gjinisë më pak të përfaqësuar pa cënuar cilësinë e kandidateve femra, por duke parandaluar ndonjë aleancë – produkt të mentalitetit burrëror; si dhe një hapje ndaj krijuesve e interpretuesve në fushën e letërsisë, artit e kulturës, duke i përforcuar kështu Akademisë edhe këtë komponente të rëndësishme të krijimtarisë kulturore.Hapja e Akademisë së Shkencave ndaj institucioneve të tjera të shkencës e arsimit; funksionimi e ndërveprimi i tyre si pjesë e të njëjtit sistem, sidomos me institucionet e arsimit të lartë, janë jetike për ne dhe për vetë ardhmërinë e shkencës  shqiptare. Për këtë arsye ligji i ri mundëson e rregullon ngritjen e funksionimin pranë Akademisë së Shkencave,  krahas seksioneve, edhe të komisioneve të përhershme në fushat kryesore të dijes, me përbërje në shumicë nga profesorati e personeli akademik i shkollave të larta e qendrave kryesore të kërkimit. Konkretisht, në to sot bëjnë pjesë 132 anëtarë dhe vetëm 47 janë anëtarë të kësaj Asambleje”, tha ai.

Po ashtu, Gjinushi shtoi se “kjo hapje ndaj komunitetit e mjedisit shkencor i jep Akademisë së Shkencave mundësinë të luajë rolin e qendrës kryesore të debatimit e përpunimit të mendimit shkencor për çdo çështje a problem me rëndësi që shtrohet para shoqërisë e shkencës shqiptare. Përvoja e derimëtanishme ka treguar efektshmërinë e vlerën e këtyre strukturave, ku kontributi i anëtarëve të jashtëm është për t’u përshëndetur.

“Një nga risitë e reformës është dhe parashikimi për ngritjen e funksionimin pranë Akademisë së Shkencave të njësive të kërkim- studimit, të përkohshme a të përhershme, me bindjen se ajo nuk mund ta kryejë misionin e saj pa pasur një rol aktiv në kërkimin shkencor. Shqipëria nuk ka luksin për të patur një akademi shkencash thjesht honorifike. Këto struktura u parashikuan në ligjin e ri, duke shmangur debatin shterp e krejt formal për një akademi me apo pa institute. Aktualisht pranë Akademisë së Shkencave ushtrojne aktivitetin katër njësi të tilla në fushat e shkencave natyrore-teknike dhe një qendër e botimeve enciklopedike e albanologjike në shkencat shoqërore. Ecuria e derimëtanishme e njësive të gjeo-sizmologjisë, nanoteknologjisë, bio-gjenetikës dhe inteligjencës artificiale është pa dyshim një përvojë e parë suksesi. Njësitë e reja tregojnë domosdoshmërinë e strukturave lidhëse midis Akademisë së Shkencave dhe qendrave kërkimore të shkollave të larta. Pranë tyre tashmë bashkëveprojnë mbi 70 njësi e grupe që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut; nëpërmjet tyre u mundësua që Akademia të jetë aktive edhe në ndjekjen e çështjeve akute si ato të shkaktuara nga tërmeti e virusi Covid-19, por mbi të gjitha këto njësi tashmë janë të gatshme të japin rekomandimet përkatëse për të ristrukturuar kërkimin në të ardhmen e afërt. Nëpërmjet tyre është vënë në pah fakti se edhe në ato fusha që konsiderohen si fushat e së ardhmes, tek ne e në mjedisin shqiptar ka një sërë kërkuesish të suksesshëm, të cilët duhen mbështetur e stimuluar më shumë, një realitet ky që përforcon sërishmi mesazhin se i afti e i përkushtuari ka të ardhme edhe në Shqipëri”, tha Gjinushi.

Ai shtoi se “zhvillimi e konsolidimi i shkencave albanologjike përbën detyrën e misionin sui generis të Akademisë së Shkencave edhe sipas ligjit të ri. Ngritja e qendrës për botimin e tri veprave madhore në albanologji siç janë: Enciklopedia Shqiptare, Fjalori i madh i shqipes, Historia e  shqiptarëve përbën pa dyshim efektin më të rëndësishëm të reformës për Akademinë e Shkencave, duke i dhënë asaj përgjegjësinë për të qenë ideatorja, organizatorja e realizuesja e botimeve madhore në albanologji. Kështu, duke huazuar një thënie të Çabejt, i cili në përmbyllje të konsolidimit të studimeve albanologjike të kryera tek ne deklaronte se tashmë albanologjia u kthye në shtëpinë e vet, ne do të thonim se tani këto vepra madhore u kthyen në shtëpinë e vet, tek Akademia e Shkencave. Ky krahasim ka shumë domethënie, pasi në çdo  kohë botime të tilla kanë qenë produkt i përbashkët i Akademisë së Shkencave, instituteve e shkollave të larta, dhe të tilla do të jenë edhe në të ardhmen. E reja është rivendosja e Akademisë, në pozicionin e duhur, marrja prej saj e përgjegjësisë kryesore në zhvillimin perspektiv të albanologjisë”.

“Akademia e Shkencave, sipas traditës tashmë të konsoliduar, ka një protokoll bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës; ka lidhur e është në proces të lidhjes së marrëveshjeve përkatëse me tërë shkollat e larta publike të vendit, duke filluar me UT, UPT, UB, UM e duke vijuar me universitetet e Korçës, Vlorës e Gjirokastrës, së afërmi edhe me ato të Shkodrës, Elbasanit e Durrësit,  si dhe me disa universitete jopublike. Bashkëpunimi me to do të kulmojë këtë vit me mbajtjen e kuvendit të albanologjisë, që do të organizohet në nëntor, pas dhjetëra veprimtarish të tjera të përbashkëta”, tha ai.

“Reforma jonë do të ishte e pamundur pa bashkëpunimin e mirëkuptimin me instancat politikëbërëse e vendimmarrëse: me Qeverinë, komisionin kuvendor përkatës dhe me vetë Kuvendin. Mirëkuptimi i parë e përcaktues në ecurinë e saj ishte pranimi i faktit se reforma duhej të ishte produkt i vetë Akademisë. Ishte ky mirëkuptim që vendosi ekuilibret e duhur midis Akademisë së Shkencave, si hartuese e propozuese e reformës, dhe Qeverisë e Kuvendit, si garantë të respektimit prej saj të normave e vizionit të kërkuar. Është rasti të falënderojmë edhe një herë këtu Kryeministrin e Kuvendin për këtë ndihmë e mbështetje. Reforma e re vendos një raport të vijueshëm komunikimi të domosdoshëm midis Akademisë dhe Qeverisë e Kuvendit, në saje të të cilit është arritur mbështetja e derimëtanishme sidomos per tre projektet madhore të albanologjisë. Gatishmëria e ekzekutivit për të mbështetur fazën e mëtejeshme të reformës së Akademisë së Shkencave dhe të shkencës shqiptare në tërësi, që ka në thelb ristrukturimin e kërkimit shkencor nëpërmjet ngritjes së qendrave të reja elitare të kërkimit, me përparësi në fushat e mbiquajtura  të së ardhmes, si dhe nëpërmjet riorganizimit të qendrave ekzistuese në fushat e tjera me ndikim kombëtar, me kusht që propozimet tona,  të jenë plotësisht të argumentuara, janë një garanci për suksesin e saj, me bindjen se çdo investim nëpërmjet Akademisë së Shkencave është investim i drejtpërdrejtë për shkencën e institucionet shkencore në tërësi, për gjithë kontribuesit e saj”, tha në fund Gjinushi. /atsh/ KultPlus.com

MASHTI: Rreth 26 mijë nxënës iu nënshtruan Testit të Arritshmërisë, nuk u shënuan parregullsi që ndikojnë në rezultate

Mbi 26 mijë nxënës të klasave të nënta, sot i janë nënshtruar Testit të Arritshmërisë, i organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI). Testi i Arritshmërisë është mbajtur në 156 qendra të testimit në gjithë vendin.

Kështu kanë bërë të ditur nga MASHTI përmes një postimi në rrjeti social në Facebook, duke shkruar se në këtë proces kanë qenë të angazhuar mbi 460 komisionerë dhe afër 2.200 administrues.

“Rreth 26 mijë nxënës të klasave të nënta, i janë nënshtruar sot Testit të Arritshmërisë të organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI). Testi i Arritshmërisë është mbajtur në 156 qendra të testimit në gjithë vendin. Në këtë proces kanë qenë të angazhuar mbi 460 komisionerë dhe afër 2.200 administrues. Procesi ka filluar në orën 10:00 në të gjitha qendrat ku është mbajtur testimi”, bëjnë të ditur nga MASHTI.

Sipas tyre, çdo gjë ka shkuar sipas planit dinamik të punës dhe nuk është shënuar ndonjë parregullsi e cila do të ndikonte në rezultatet e testit.

“Sipas informatave të para të Komisioneve, çdo gjë ka shkuar sipas planit dinamik të punës dhe nuk është shënuar ndonjë parregullsi e cila do të ndikonte në rezultatet e testit. Organizimi i testit është realizuar sipas kërkesave dhe standardeve më të larta, duke garantuar testim cilësor dhe të besueshëm. MAShTI falënderon të gjithë të përfshirët në procesin e Testit të Arritshmërisë, për kontributin dhe bashkëpunimin e tyre. Testimi i nxënësve të klasave të nënta ka për qëllim që të bëj orientimin e nxënësve për regjistrim në shkollat e mesme të larta. Rezultatet e këtij testi pritet të shpallen më 7 qershor”, thuhet në njoftimin e tyre. / KultPlus.com

Ministri Çeku në KultPlus: Nuk e kam guximin e ministrave të kaluar që mos t’i raportoj parregullsitë në ministri

Era Berisha

Ambienti i KultPlus Caffe Gallery është shndërruar në një vend ku gjithmonë zënë vend prezantimet nga më të ndryshme të artistëve, bashkëbisedimet për dhe rreth kulturës, shpalosjet e thella rreth çështjeve dhe kërkesave të rëndësishme të shtruara nga komuniteti artistik, si dhe shpalosjet e programeve për kulturë, si nga ana e qeverisë, ashtu edhe nga ajo e Ministrisë së Kulturës, shkruan KultPlus.

Mbrëmë, një ngjarje e tillë ka mbledhur rreth vetës një numër të madh artistësh e udhëheqës të institucioneve kulturore, ku të gjithë kishin ardhur për të dëgjuar nga afër programin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çekut, program ky që pritet ta zbatojë përgjatë mandatit katër vjeçar.

Përmes një diskutimi të përbashkët me komunitetin artistik, ministri fillimisht tregoi se fokusi i tij është në miratimin e programit për dy segmente ku përfshihet ndërtimi ndryshe i qasjes për nga mënyra se si funksionojnë institucionet kombëtare të kulturës dhe zhvillimi i një partneriteti strategjik me skemën kombëtare të pavarur. Këto dy drejtime janë pjesë kyçe të cilat do të përmbushin nevojën për reformën me një program më cilësor dhe më reprezentativ.

Skema e pavarur kulturore është menduar të bëhet aleat i shtetit për promovimin ndërkombëtar të artit, imazhit ndërkombëtar të shtetit dhe zhvillimit të mirëqenies së përgjithshme të qytetarëve të Kosovës. Kurse, për institucionet kombëtare të kulturës tashmë ka filluar një diskutim me Ministrinë e Financave për të siguruar një lloj autonomie financiare dhe administrative të këtyre institucioneve.

Pasi të pranishmit kishin zënë vendet e tyre, nën shoqërimin e shiut që po binte furishëm, po njëlloj ishin edhe diskutimet rreth çështjeve të ndryshme që pasuan përgjatë diskutimit, të cilat herë nisnin në një frymë humori por përfundonin në rrjedhën e seriozitetit.

Debati nisi nën moderimin e aktores Vlora Merovci e ku fillimisht, Ministri u kujdes të falënderoj gazetën KultPlus për angazhimin e vazhdueshëm dinamik.

“Faleminderit KultPlus për një angazhim që disa vite nuk po ndalet e po e mban një lloj dinamike të diskutimit mbi çështjet që lidhen me artin dhe kulturën, prandaj për mua është kënaqësi të jemi së bashku këtu”, tha Çeku.

Sipas tij, ekziston një kaos që duhet të rimendohet për një funksion efikas ndaj reformave dhe parimeve të përgjithshme të cilat në krye kanë këshilla drejtues, drejtorë dhe mënyra të ndryshme të organizimit strukturor të programeve. Andaj, puna për të fuqizuar pozitat e udhëheqësve si: menaxherët e përgjithshëm, drejtori i përgjithshëm dhe udhëheqësit artistik, do të duhej të ishte njëra ndër pikat kryesore që këto figura të jenë shumë të fuqishme.

“Qëllimi final është programi cilësor dhe zhvillimi i audiencës përmes krijimtarisë, prodhimtarisë dhe konsumit kulturor. Prandaj, ekziston diskutimi me një grup të organizatave ku modeli i financimit është më i mirë dhe më i gjallë, për arsye se Ministria e Kulturës që 20 vite është më shumë skemë sociale sesa një Ministri e zhvilluar’’, thotë Ceku.

Për Çekun, është një fatkeqësi që në kulturë të ekzistojë një logjikë e shpërndarjes së fondeve për të gjithë nga pak sepse kultura nuk duhet të funksionojë me këtë logjikë sepse siç po shihet nuk ka rezultate deri më tash. Ndërkohë, ekzistojnë edhe propozime nga organizatat për një model tjetër për fondin kulturor ku vendimmarrja për projektet të jetë e pavarur në mënyrë që kultura të financohet jo si skemë sociale por si fond zhvillimor.

Tutje, Çeku foli edhe rreth çështjes së vendimmarrjes finale sepse ai shpesh ishte sfiduar me pyetje që kërkojnë përgjigje përfundimtare e sipas tij nuk ka një përgjigje përfundimtare sepse ai beson se në art dhe kulturë nuk duhet të ekzistojnë të tilla, definitive por parime të përgjithshme dhe orientime të ndryshme ngase përgjigjet përfundimtare vijnë nga vetë komunitetet.

“Deri tash kemi humbur kohë me ndërtimin e strategjisë sektoriale prandaj duhet të gjejmë forma më kreative, më të shpejta dhe të lehta për t’i lëvizur disa gjëra që kanë mbetur të bllokuara për një kohë të gjatë. Andaj, rëndësi kanë për të marrë ato fusha ku kanë nevojë më së shumti, aty ku komuniteti më orienton mua, por kur bëhet fjalë për trashëgiminë, unë do ti dhuroj prioritet maksimal kohor dhe buxhetor, konsolidimit të rreth 200 monumenteve që janë në rrezik, në çdo moment”, tha Çeku.

Teksa ai u pyet edhe nga moderatorja Vlora Merovci rreth gjendjes të cilën ai e ka gjetur institucionin, ai është shprehur se në fakt është pjesa më e dhimbshme dhe pjesa të cilën ai më së paku ka dëshirë ta flas për arsye se nuk dëshiron të tingëllojë sikur një shfajësim apo vënie faji të dikujt tjetër ose edhe distancim nga përgjegjësia.

“Unë çdo ditë i kujtoj vetes shifrën e zgjedhjeve të fundit sepse kur dikush të voton me këtë nivel të besimit të paarritshëm në shumë vende të botës, është një përgjegjësi e madhe”, potencon ai.

Mënyra më e mirë për të racionalizuar legjislacionin, mendohet të jetë vendosja e vetëm një ligji të kulturës e për çka ai ka kërkuar ndihmën e artistëve. Gjithashtu ka bërë të ditur se shumë shpejt do të publikohen edhe parregullsitë e tjera që mediat nuk i dinë por që është një listë mjaft e madhe.

Teatri Kombëtar, Galeria e Arteve, Filharmonia e Kosovës, Muzeu i Kosovës dhe Ansambli Kombëtar i Shotës, janë vetëm disa institucione të cilat kanë nevojë për ndihmë emergjente dhe financiare, prandaj komuniteti artistik i pranishëm patën rastin të shtrojnë para Ministrit, jo vetëm problemet dhe shqetësimet e tyre por edhe kërkesat e shpresat, të cilat Çeku do të mundohet t’i realizoj.

Kërkesat dhe problemet e shtruara përfshinin: ndarjen e buxhetit, planet për vitet e ardhshme në kuptimin kapital, infrastruktura për të shfaqur punë dinjitoze, ndryshimi i administrimit politik të kulturës, mënyra e zgjedhjes së komisioneve, ndarja e subvencioneve, pajisja e institucioneve me kuadro të mirëfillta, mungesa e kritikave të mirëfillta në çdo fushë të artit, krijimi i vendeve të punës për gjeneratat e reja, drejtimi i kërkesave së klientëve në mënyrë të drejtë nga administratat, regjistrimi i projekteve në një vend ku shikohet progresi i tyre dhe vendi i saktë i tyre, planet për renovimin e Teatrit, takime me punëtorët e teatrit për çështje të ndryshme, ligji për të drejtat e autorit e shumë të tjera.

Pasi u deklarua se ai nuk e ka guximin e ministrave të kaluar që të mos raportoj parregullsitë që i detekton në ministri, Çeku, me një përgjegjësi të plotë u mundua t’i jap përgjigje secilës pyetje të artistëve.

Fillimisht tregoi se janë duke punuar fuqishëm për të themeluar institucionin e Operës për të pasur një program e aktivitet në një ambient të rregullt me premiera aktive.

Tutje u shpreh se do të punojë në minimizimin e Ministrisë së Kulturës për ta kthyer në rolin e saj që e ka realisht.

“Duhet të hiqet dominimi absurd që është vënë mbi sektorin sepse tash po e vërej që Ministri ka vendosur si të ndahen subvencionet e gjë që nuk duhet ndodhur. Do të tentoj të eliminoj logjikën për të marrë projekte me shuma të vogla sepse kjo qasje e vjetër është shfrytëzuar për të shprehur ndikim politik. Komisionet tashmë janë duke u monitoruar nga media dhe duhet të ndërrohen komplet”, tha Çeku duke treguar se tash e tutje do ta mbaj kabinetin e tij larg vendimmarrjes.

Gjatë këtij diskutimi u tregua se tashmë Ministria e Kulturës është duke i zhvilluar tre databaza për kulturë, trashëgimi dhe sport ku çështja e projekteve do të trajtohet në mënyrë online ku të mos ketë më burokraci.

Krejt për fund të këtij diskutimi u fol edhe për performancat e kulturës jashtë vendit dhe përpjekjet e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

“Ky diskutim rreth cilësisë artistike lidhet me prezantimin ndërkombëtar sepse kemi nevojë për të komunikuar përmes artit dhe artistëve ku fondi të ngritet në një nivel ndërkombëtar. Ndërsa në UNESCO duhet të aplikojmë vetëm atëherë kur e dimë se do të anëtarësohemi sepse dështimi i kaluar nuk do të duhej të shndërrohej në një ndëshkim afatgjatë për Kosovën”, tha Çeku.

Kështu, krejt në fund nuk munguan as edhe admirimet për KultPlus si një forum i rëndësishëm për të debatuar rreth kulturës në një strukturë të përgjithshme si dhe lumturia për atë se çka u dëgjua përgjatë natës së mbrëmshme. Kurse, pas debatit të pranishmit lanë anash shqetësimet e tyre për të shijuar nga një gotë verë e për tu kënaqur me muzikë shqiptare që po kulmonte në ambientin e KultPlus Caffe Gallery.

Eventi ishte i sponsorisuar nga Stone Castle dhe Fluidi. / KultPlus.com

‘Prizreni si Kryeqytet Kulturor Evropian’

Rrjeti i Organizatave të Kulturës në Prizren në bashkëpunim me Fondacionin Lumbardhi organizojnë prezantimin publik “Prizreni si Kryeqyteti Kulturor Evropian” më 1 qershor, duke filluar nga ora 11:00 në Kino Lumbardhi në Prizren.

Prezantimi publik “Prizreni si Kryeqytet Kulturor Evropian” nisë iniciativën e RrOK për të mundësuar aplikimin e qytetit të Prizrenit për titullin e Kryeqytetit Evropian të Kulturës në 2028, sipas vizionit të përcaktuar në Planin e Menaxhimit të Qendrës Historike të Prizrenit 2019-2028. Gjatë prezantimit Emina Višnič, ish-CEO dhe kryesuese e programit të Kryeqytetit Kulturor Evropian të Rijeka 2020 do të shtjellojë shtyllat kryesore të konceptit aktual të Kryeqytetit Kulturor Evropian (ECoC), mundësitë që një përcaktim i tillë ofron si dhe sfidat e procesit të kandidimit në këtë program. Përmbajtja e prezentimit së bashku me sesionet e pyetjeve dhe përgjigjeve do të trajtojnë standardet që duhet një qytet ti përmbushë që të përfshihet në rrugëtimin e ECoC. Prezantimi do të zhvillohet në gjuhën angleze me përkthim në gjuhën shqipe.

Kryeqyteti Evropian i Kulturës është nisma më prestigjoze evropiane në fushën e kulturës. Me t’u pëcaktuar ky titull nga Bashkimi Evropian, qyteti i përgjedhur organizon një numër ngjarjesh kulturore me një dimension pan-Evropian përgjatë një periudhe prej një viti kalendarik. E nisur në vitin 1985 nga Ministra e Kulturës së Greqisë Melina Mercouri dhe homologu i saj francez Jack Lang, kjo ngjarje feston larminë dhe pasurinë e kulturave evropiane, duke i vendosur qytetet në qendër të vëmendjes. Për më shumë se 35 vite, qytetet të ndryshme të Evropës kane qenë bartës krenarë të këtij titulli, përderisa koncepti i ECoC ka ndryshuar nga një festival i thjeshtë artistik drejt një projekti kompleks zhvillimor. Aplikimi i Prizrenit në ECoC është një mundësi për të gjeneruar përfitime kulturore, sociale dhe ekonomike, për të stimuluar rigjenerimin urban, si dhe për të rritur vizibilitetin dhe profilin ndërkombëtar.

Ky prezantim organizohet nga RrOK në partneritet me Fondacionin Lumbardhi, përkrahur nga European Endowment for Democracy dhe Komuna e Prizrenit. / KultPlus.com

Rileximi i letrës për “kritikuesit”

Nga Ibrahim Berisha

Ishte një letër dërguar ka vite që kish zënë vend në arkivin elektronik. E rilexova për të pasur arsye të mendoj sërish për të gjithë ne që shkruajmë…

Kjo ka të bëjë me të grushtuarit me përkëdhelje.

Ju që rrini nën hije dhe vështroni rrjedhën e ngjarjeve, ju që gjuani analiza kritike nga afërsia e oxhakut pa mos e sfiduar të ftohtit e akullt: qetësohuni.

Ne nuk kemi nevojë të na tregoni se në ç’pikë mjerimi kemi arritur, sepse këtë nuk e kuptojmë vetëm tash, e kemi kuptuar kaherë, kemi mbërri deri në këtë stad, sa nuk na duhen analiza.

Nuk na duhen analizat tuaja për ta kuptuar kur gjithçka është më shumë se e dukshme.

Mund ta ruani akoma më shumë dijen dhe energjinë tuaj pozitive, “për ditë të vështira” kur vendi të ketë vërtetë nevojë për ju që të hidhni mendime kritike.

Secila koha ka nevojë për mendime të veçanta dhe kjo më kujton diçka. Më kujton thënien e Max Weberit “nëse në dashuri thuhet mos i rezisto me dhunë të keqës, në politikë thuhet, rezistoji të keqes me dhunë”!

Mund të liroheni pra nga prangat e “ndershmerisë” për të ndershmit, sepse të qëndrosh larg mishërimit me politikën, për t’ mos i vënë vetes emrin politikan, epitet që është bërë sot sinonim i së keqes së pa kompromis, vërtetë është ruajtje e privilegjit,

Por ama, privilegji humbet atëherë kur të skenjohesh në qoshe dhe në emër të dëlirësisë intelektuale fokuson kontributin tëndë vetëm në një sferë që të krijon komoditet dhe emër, ndërkohë që energjia jote duhet të zhvendosë efektin e saj pozitiv atje ku çdo gjë përmbyset.

Neve po heshtim, sepse nuk na ka ngelur armë më e fuqishme se heshtja.

Aty po gjejmë ngushllim duke u strehuar mbrapa buzëqeshjeve të rreme që herë-herë i postojmë në rrjetet sociale, ama juve zoterinjë të nderuar, mos na e rikujtoni se në ç’vurbull të vluar trishtimi po jetojmë, sepse dhimbjes dhe ankthit tonë po i shtoni akoma më shumë aciditet.

“Vendet më përcëlluese në Ferr, u janë rezervuar atyre që në periudhat e krizës morale kanë ruajtur neutralitetin e tyre”, më jipet e drejta ta citoj Dante Aligerin

Mos na gjykoni ju lutem! Jemi njerëz edhe mund të gabojmë, por ama na lejoni të paktën të jetojmë me shpresën e rreme brenda vetës se dita tjetër do të zbardhë me plotë rreze dielli që ngrohin njësoj të gjithë banorët e pallatit, në gjithë botën, sepse mrekullitë ndodhin.

Kjo pra është lutja, mos na “bombardoni” ende më shumë me analiza, sepse ne i besojmë fjalës suaj dhe, kur brenda tyre shihet trishtimi, na shtohet edhe më shumë frika dhe nuk dimë si ta mendojmë të ardhmen tonë. / KultPlus.com

Enver Petrovci nderohet me Çmimin për Vepër Jetësore

Në kabinetin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, është mbajtur sot ceremonia e ndarjes së çmimeve vjetore për teatër, shkruan KultPlus.

Ministri Çeku, në fjalën e tij u shpreh se këtë herë çmimet për teatër po ndahen me pak vonesë me qëllimin që gjithçka të jetë profesionale dhe të realizohet në mënyrën më të mirë.

“Nuk kemi dashur që këtë punë ta kryejmë sa për sy e faqe, por ta realizojmë në mënyrën më të mirë të mundshme. Nuk ka qenë një proces i lehtë sepse ka pasur mjaft nominime cilësore por këto janë çmime tradicionale vjetore. Ky komunitet ka qenë një zhvillim kulturor sepse teatri është reflektimi më i saktë i gjendjes shpirtërore të një shoqërie”, tha Çeku duke potencuar që juria ka vendosur që t’i shpërblejë me këto çmime për një punë të mirë në një kohë të vështirë.

Juria profesionale e përbërë nga: regjisori Ilir Bokshi, aktori Astrit Kabashi, aktorja Shengyl Ismaili, regjisori Ben Apolloni dhe regjisori Kushtrim Koliqi, kishte vendosur që në mënyrë unanime çmimet vjetore për teatër të ndahen në këtë formë:

Çmimi për vepër jetësore t’i ndahet aktorit Enver Petrovci.

Ky çmim është ndarë për kontributin e tij të madh në zhvillimin e artit dramatik në Kosovë, kontribut i dhënë si aktor, profesor, dramaturg, regjisor dhe themelues i institucioneve teatrore në vend.

Çmimi për shfaqjen më të mirë shkoi për “Zgjimi i Pranverës” të regjisores Zana Hoxha.

Ky çmim është ndarë për trajtimin e guximshëm të problemeve të të rinjve, për harmonizimin e interpretimit aktoresk, klasik, dans teatër dhe këndim.

Çmimi regjisë më e mirë shkoi për shfaqjen ”Kthimi i Karl Majit” së regjisores Blerta Neziraj.

Ky çmim është ndarë për kombinimin e elementeve të ndryshëm shprehës medial duke kaluar nga një situatë dhe formë në tjetrën.

Çmimi aktori më i mirë për rolin në shfaqjen ”Kthimi i Karl Majit” shkoi për Armend Ismajli.

Ky çmim është ndarë për interpretimin e një personazhi kompleks, për ekspresivitet dinamik dhe bindës.

Çmimi për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar për AKT- Shtëpia Teatrore.

Ky çmim është ndarë për përfaqësimin e denjë të artit teatror dhe kulturës nëpër botë.

Pas pranimit të çmimit, aktori Enver Petrovci u shpreh se ky është çmimi i parë që e ka marrë nga Qeveria e Kosovës, e po ashtu ndau një moment të bukur nga kujtesa e tij.

“Çmimi më i madh që unë e ndjej është kur unë shkova në pazar në Tiranë për të blerë patate, dhe një vajzë e re 20 vjeçare që shiste lule, më tha se prindërit e saj më adhurojnë dhe më pyeti nëse mund të ma falte një buqetë të saj me lule. Ajo ishte njëra ndër ditët më të bukura të jetës time”, përfundon Petrovci.

Kështu, krejt në fund, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, u miratua edhe kërkesa e shtruar nga aktori Astrit Kabashi, rreth inkuadrimit të çmimit për aktoren më të mirë. / KultPlus.com

Veshjet më të bukura në tapetin e kuq të “iHeartRadio Music Awards 2021”

Dje (e enjte) u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimeve “iHeartRadio Music Awards 2021”.

E prezantuar nga Usher dhe me performancat e The Weeknd, Ariana Grande si dhe Doja Cat, “iHeartRadio Music Awards” ishte një natë emocionuese për muzikën.

Mirëpo, këta yje nuk dinë vetëm të  këndojnë, por edhe të vishen, me pamje inovative të garantuara për të kthyer kokën.

Yjet e stilit si Megan Thee Stallion, Billie Eilish, Dua Lipa dhe Taylor Swift midis të nominuarve, ishin vetëm disa nga pamjet mahnitëse në tapetin e kuq.

Më poshtë ua sjellim yjet e veshura më së miri gjatë mbrëmjes:

Ava Max
Megan Fox

Demi Lovato

Megan Thee Stallion

Doja Cat

H.E.R.

Charli D’Amelio

/Telegrafi/ KultPlus.com

Amerika i dhuron Kosovës teste Rapide Antigjen në vlerë rreth gjysmë milioni euro

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) i kanë dhuruar dje Asociacionit të Komunave të Kosovës, Teste Rapide Atigjen në vlerë prej 476 mijë dollar.

Lajmi është bërë i ditur nga AKK-ja, teksa në njoftim thuhet se këto teste do ta lehtësojnë testimin e shtuar në komuna të Kosovës.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara dje i ka dhuruar Asociacionit të Komunave të Kosovës Teste Rapide Atigjen në vlerë prej 476.000$  me përkrahjen e programit për Ndihmë Humanitare #EUCOM. Testet do të lehtësojnë testimin e shtuar në shumë komuna të ndryshme.  Koloneli Steve Rose dhe Majorja Courtney Olson ishin të pranishëm gjatë këtij dhurimi së bashku me Z.Sazan Ibrahimi nga Asociacioni i Komunave të Kosovës. #SëBashkuMëTëFuqishëm”, thuhet në njoftimin e tyre.

Njoftimi i plotë:

Ambasada e Shteteve të Bashkuara dje i ka dhuruar Asociacionit të Komunave të Kosovës Teste Rapide Atigjen në vlerë prej 476.000$  me përkrahjen e programit për Ndihmë Humanitare #EUCOM. Testet do të lehtësojnë testimin e shtuar në shumë komuna të ndryshme.

Koloneli Steve Rose dhe Majorja Courtney Olson ishin të pranishëm gjatë këtij dhurimi së bashku me Z.Sazan Ibrahimi nga Asociacioni i Komunave të Kosovës. #SëBashkuMëTëFuqishëm. / KultPlus.com

Një tjetër sukses për Duan, fiton çmimin e rëndësishëm

Dua Lipa është padyshim një ndër emrat më të përfolur të muajve të fundit.

Këngëtarja me origjinë shqiptare ka tejkaluar çdo parashikim me sukseset e saj të njëpasnjëshme falë albumit “Future Nostalgia”. Albumi u publikua gjatë periudhës së karantinës, por pavarësisht faktit se u publikua në një periudhë të vështirë, ishte një ogur i mirë për shumë arritje.

Së fundmi, Dua është vlerësuar me çmimin “Artistja e vitit” nga iHeartRadio Music Awards.

Këtë sukses Dua e ka ndarë me ndjekësit e saj në rrjetet sociale e ku nuk kanë munguar urimet e shumta./ KultPlus.com

LOS ANGELES, CALIFORNIA – NOVEMBER 24: Dua Lipa attends the 2019 American Music Awards at Microsoft Theater on November 24, 2019 in Los Angeles, California. (Photo by Emma McIntyre/Getty Images for dcp)