Udha e gjatë dhe e bukur e Gezim Belegut me violonçelin –tingullin e shpirtit të njeriut

Pogradec, 29 Maj/AE/. Kur ish i vogël, edukatoret në kopësht i thoshin se kish dorë për të qënë piktor, por gishtat  e tij  siç doli më vonë, kishin qënë më të përshtatshëm për violonçelin, se sa për të kapur penelin …!!!

Kështu , Gëzimi, një ditë, pasi kish mbaruar klasën e parë në shkollën  “Dëshmorët  e lirisë” në Tiranë, nisi udhën e gjatë  e të bukur me violonçelin. Nga ajo kohë, kurrësesi në asnjë ditë të jetës së tij, nuk është ndarë nga tingulli i violonçelit që ai e quan, “tingulli i shpirtit të  njeriut”.

“Nuk ka më bukur se lumturinë, brengën, dashurinë,  frymëzimin,trishtimin, ta shprehësh nëpërmjet tingullit të violonçelit”, rrëfen Gezim Belegu në këtë intervistë në prag të turit koncertor “Lule bore”, që organizohet në Pogradec, Korcë, Dibër e Madhe, nga data 6-10 qershor,  me kuintetin Albanian Excellence, mbi bazë të një ideje të saj, për të bashkuar suksesin shqiptar këtëj dhe andej kufirit, mishërim i krijimit të këtij kuinteti.

Sot me baza të forta muzikore, Gëzim Belegu, është një instrumentist që në CV e tij artistike ka një mori të pafund koncertesh, që mbajnë një emër të madh që është, Orkestra e Radio Televizionit Shqiptar një orkestër që mban titullin “Nder i Kombit”.

Koncertet të cilave ju është bashkuar dhe i ka dhënë zë edhe  tingulli i violoncelit të Gezim Belegut janë  të panumërta, nga  koncertet me solistë të kalibrit botëror, koncertet  me dirigjente të një niveli shumë të lartë ose dhe me këngëtare te famshëm etj.

Në memorien e tij,është skalitur koncerti në “Piazza Duomo” në Milano në vitin 2003 me të madhin Lucio Dalla në prani të 50 mijë spektatorëve, koncerti i realizuar në Tiranë me dirigjentin e madh rus NIKOLAJEV,  koncerti në Angli në qytetin Canterbury në Katedralen më të madhe anglikane. Dhe shumë  koncerte të ndryshme, si në San Peterburg, Lisbonë.

Çdo njëri prej tyre ka emocionin dhe bukurinë e tij, thotë Gëzim Belegu në këtë intervistë, duke e konsideruar të bërit  muzikë në jetën e tij artistike, me artistë të mëdhenj, një laborator artistik  ku është zhvilluar muzika serioze shqiptare.

Si një djalë më origjinë poradecare, turi koncertor  i organizuar nga Albanian Excellence me mbështetjen e qëndrës Kulturore Lasush Poradeci  dhe Bashkisë së qytetit, i shton Gëzimit, detyrimin që interpretimi i tij  dhe i kolegëve të jetë në majat më të larta, ndërsa idenë e Albanian Excellence një ide  perfekte, me  një kuintet profesionist kompetence do e thotë fjalën e tij jo vetëm në këngën pogradecare,  me të njëjtin përkushtim Albanian Excellence do ngrejë më lart  këngët qytetare të trevave në mbarë Shqiptarinë.

F.N: Kur dhe si e zbuluat pasionin tuaj për violoncelin ?

G.B : Fare rastësisht. Kur isha në kopësht mesueset e kopshtit menduan  që unë kisha dorë për pikturë…,  mblodhën të gjitha vizatimet e mia në një dosje dhe i sugjeruan tim eti për të më regjistruar në shkollë ne degën e pikturës. Shkuam të regjistrohemi në Lice. Vizatimet e mia u pelqyen por kjo degë fillon jo në klasë të parë por në vitin të parë të shkollës së mesme…Kështu u regjistrova në shkollën “Dëshmorët e lirisë”.  Pasi mbarova klasën e parë babai im më thotë: “Shkolla ku ti je është shkollë ku mësohen instrumenta muzikorë, pse nuk mëson dhe ti një instrument?”. Pyetëm dhe sygjerimi i mësuesve të muzikës ishte që unë duhet të vazhdoja për violonçel pasi gishtat e mi ishin të përshtatshëm për këtë vegël muzikore …!!!

Kështu  nisi, rruga e gjatë por shumë e bukur me violonçelin.

F.N: Cilat mendoni ju se kanë qënë momentet më të rëndësishme në karrierën tuaj  të gjatë muzikore ?

G.B: Çdo etapë në jetën time artistike ka patur rëndësinë e saj. Menjëherë, mbas diplomimit, emërimi im si mësues në liceun e Fierit ishte një emocion i veçantë . Eksperiencë e bukur ku ti e shikon veten  në rolin e bukur por dhe të vështirë  të mësimdhënësit dhe të atij që do të kontribuosh në zhvillimin e talenteve te reja, te atyre që duan t’i përkushtohen artit. Dhe kur shikon arritjet e tyre mbushesh me krenari.

Momenti më i bukur ishte kur unë mora emërimin në orkestrën e RTSH. Të bërit  muzikë me artistë të mëdhenj, të cilët si në një laborator artistik  zhvillonin me artin e tyre muzikën serioze shqiptare. Do isha prezent në këtë laborator artistik e do merrja pjesë aktive në historinë  e  interpretimit të muzikës serioze shqiptare.

F.N: Cila është forma juaj më e preferuar në  interpretim si:  solist në orkestër,  si violoncel  solo,  apo  në muzikë dhome ?

G.B: Çdo formë interpretimi ka bukurinë dhe emocionin e saj. E rëndësishme është që ti të dish të gjesh raportin më të arrirë midis vetes dhe formës që luan. Por çdo formë kërkon dhe përgatitjen profesionale,artistike dhe intelektuale, natyrisht dhe të dhëna individuale të  cilat me një studim sistematik shkojnë drejt së bukurës. Të luash në orkestër është kënaqësi e veçantë sepse ti duhet të thuash fjalën tëndë në mes të gjithë orkestrës me kompetencë  dhe duke ndihmuar në raportet e tingëllimit .Kurse muzika e dhomës që më pëlqen shumë i bashkon të gjitha.

F.N: Deri më tani në karrierën tuaj të gjatë si violoncellist, si do ta përcaktoni ju tingullin e violoncelit ? 

G.B: Po. Tingulli i violonçelit është tingulli i shpirtit të  njeriut. Nuk ka më bukur se lumturinë, brengën, dashurinë,  frymëzimin, trishtimin ta shprehësh nëpërmjet tingullit të violonçelit.

F.N: Cilat janë disa nga koncertet që ju kanë pëlqyer më shumë në interpretimin tuaj me Orkestrën e Radio-Televizionit Shqiptar ?

G.B: U bë një jetë në orkestrën e RTSH, orkestër që me shumë të drejtë është dekoruar me titullin “Nder i Kombit”. Koncertet janë të panumërta. Nga pikpamja profesionale normalisht do dalloja ato koncerte me solistë të kalibrit botëror, ato me dirigjente të një niveli shumë të lartë ose dhe me këngëtare te famshëm etj.  Në memorien time është skalitur koncerti në “Piazza Duomo” në Milano në vitin 2003 me të madhin Lucio Dalla në prani të 50 mijë spektatorëve, koncerti i realizuar në Tiranë me dirigjentin e madh rus NIKOLAJEV. Një  pikë kulmore e orkestrës ka qenë edhe koncerti në Angli në qytetin Canterbury në Katedralen më të madhe anglikane. Dhe shumë e shumë koncerte të ndryshme, si në San Peterburg, Lisbone etj, ku secili prej tyre ka emocionin dhe bukurinë e vet.

F.N Si do ta përcaktonit ju këtë orkestër ?

G.B: Orkestra sinfonike e RTSH është e vetmja në llojin e saj. Ajo me përgjegjësi dhe me shumë profesionalizem zhvillon jetën artistike në vend duke i dhënë jetë muzikës sinfonike  dhe   nëpërmjet një kalendari kocertesh ballafaqon me publikun shqiptar artiste në zë botërore. Njëkohësisht ajo interpreton këngën shqiptare në të gjitha festivalet live.  Muzika dhe interpretimi me instrument janë disiplina që kanë nevojë për shumë përkushtim…  Si e shpërndani ju kohën tuaj  për të qënë  gjithmonë koherent…?

Natyrisht të punosh si profesionist në orkestrën e RTSH kërkon një përkushtim të përditshëm, kërkon që ti të jesh koherent me gjithë të rejat e interpretimit botëror, por e gjitha kjo duhet të përfshihet nga një dashuri e madhe për instrumentin tënd.

F.N:Cili është sekreti sipas jush për të arritur në shpirtin e publikut ? 

G.B: Që të depërtosh në shpirtin e publikut duhet njohje deri në detaje të veprës, interpretim artisti e me kompetencë, e përcjelle kjo me dashuri për publikun.

F.N: Ju jepni mësim dhe në Akademinë e Arteve , çfarë do t’u thonit muzikantëve të rinj që kerkojnë një treg që nuk është e lehtë siç është muzika klasike.

G.B: Të dashurojnë profesionin e tyre, të përkushtohen tërësisht dhe kjo do të sjellë se patjeter  arritjen e duhur. Të mos presin të përfshihen se domosdoshmërisht në orkestër por, me kolegët e tyre të bëjnë sa më shume muzikë dhome, të luajnë bukur, bashkë, dhe të thonë fjalën e tyre nëpërmjet muzikës jo duke harxhuar kohën kot. Duhet vetëm përkushtim dhe dashuri, njësoj si do të silleshin me të dashurit e tyre…

F.N: Si ndiheni para turit të koncertit “Lule Borë”, ku ju do të interpretoni këngë mirëfilli qytetare te zonës juglindorë të vendit ?

G.B: Shumë i emocionuar. Unë jam me origjinë nga qyteti i Pogradecit dhe kjo ma shton më shumë detyrimin që interpretimi im dhe i kolegëve të jetë në majat më të larta.  Eshtë meritë dhe e juaja që me shumë dashuri përkushtoheni për ta ngritur në piedestal  çdo vlerë pogradecare.

F.N: Si e konsideroni  kuintetin e Albanian Excellence dhe si e shihni të ardhmen e këtij grupimi ?

G.B:  Ide perfekte, një kuintet profesionist që me shumë kompetence do e thotë fjalën e tij jo vetëm në këngën pogradecare, por kam bindjen që me të njëjtin përkushtim Albanian Excellence nëpërmjet kuintetit të saj do ngrejë më lart  këngët qytetare të trevave në mbarë Shqiptarinë.

F.N: Cili është mesazhi që doni të jepni për publikun shqiptar para këtij turi ?

G.B: Detyra jonë si artistë është të bëjmë të mundur edukimin e publikut me vlera të vërteta.Dhe ne do ta bëjmë këtë. Në koncert do të nxjerrim vlerat më të mira të këngës qytetare pogradecare. Jemi të nderuar të kemi prezencën tuaj./albanianexcellence/KultPlus.com

Finalja e Këngës Magjike sjell Gjon’s Tears dhe Anxhela Peristerin

Në natën finale të Këngës Magjike do të jenë prezent dy shqiptarët që morën pjesë në Eurovisionin e sivjetëm, Gjon’s Tears dhe Anxhela Peristeri, shkruan KultPlus.

Kjo është bërë nëpërmjet një postimi në Facebook nga faqja zyrtare e Eurovisionit në Shqipëri.

Dy artistë nga Eurovision-i i sivjetshëm do të jenë prezentë në finalen e Këngës Magjike. Ata janë Anxhela Peristeri dhe Gjon’s Tears.

Posted by Eurovision Albania on Saturday, May 29, 2021

Martina Sereqi, Andrea Vathaj, Kras, Urban Band dhe Niki, Josil, Stiv, Genti Disha, Genti, Kleoniki ishin artistët e rinj që arritën të merrnin votën e jurisë së përbërë nga Enkel Demi, Jonida Maliqi, Markelian Kapidani, Arben Skënderi dhe Kozeta Kurti.

Në finalen e sotme do të konkurrojnë jo vetëm artistë të njohur shqiptarë, si Soni Malaj, Eneda Tarifa, Fifi, Flor Mumajesi Klajdi Haruni, por edhe artistë të huaj dhe këngëtarë të rinj./ KultPlus.com

Ujëvara e Sinecit, një tjetër bukuri shqiptare

Një vend ende jo shumë i rrahur nga turistët por i mrekullueshëm për tu vizituar. Flasim për Ujëvarën e Sinecit në Berat, një perlë natyrore që gjendet rrëzë malit të Tomorrit me një lartësi prej 20 metrash.

Për të shkuar në Ujëvarë, do ju duhet të ndaloni në fshatin e Lumasit, e më pas do ju duhet të ecni në këmbë për më pak se 1 orë. Pasi të arrini në destinacion do të hasni në një oaz ku ujëvara bie poshtë në një pishinë të kaltër, të thellë rreth 12 metra.

Gjatë muajve të nxehtë të verës tundimi për t’u zhytur në pishinën natyrore është i madh, por vetëm më guximtarët ja dalin të përballojnë ujin e ftohtë.

Sineci është një vend plot surpriza duke mahnitur edhe turistin më skeptik. I gjendur mes maleve është një vend ku mund të befasohesh nga kultura dhe nga panoramat e saj natyrore. Peizazhe shumëngjyrëshe, ujëvara kanione të larta, male të larta, kjo është panorama që ofron zona e Sinecit për çdo turist të huaj që dëshiron të eksplorojë një vend të panjohur më parë./ KultPlus.com

“Prandverë me kangë”, koncerti i shumë munguar rikthehet në Shkodër

Koncerti “Prandverë me kangë” edhe këtë vit u rikthye si një buqetë me lule për Shkodrën e shkodranët.

Një traditë tashmë e konsoliduar, festivali nisi mbrëmjen e djeshme përballë godinës së teatrit “Migjeni”.

Ky koncert hapi siparin e aktiviteteve kulturore të shumë munguara në këtë qytet për shkak të pandemisë COVID-19 i cili ishte bërë shkak për mbylljen e jetës artistike jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën.

Në këtë koncert të organizuar nga bashkia e qytetit të Shkodrës dhe nën udhëheqjen artistike të muzikantit Ilir Zoga, i interpretua një repertor i përzgjedhur dhe i interpretuar nga artistët më në zë të qytetit.

Për rreth dy orë artistët interpretuan 18 këngë të njohura për publikun i cili edhe këtë herë ishte i detyruar të ishte i reduktuar dhe të zbatonte me kujdes normat e kufizimeve të vendosura nga autoritetet.

“Shpresojmë që edhe këtë herë te kemi sjell për publikun një mbrëmje të këndshme dhe t’a kemi kurorëzuar këtë mbrëmje ashtu sikurse edhe është emërtuar me titullin “Prandverë me kangë”. Këto kohë ka pasur një mungesë të ndërsjelltë si nga ana e publikut por edhe e artistëve”, u shpreh udhëheqësi artistik Ilir Zoga.

Ndërsa artistët shprehen se “kishim pasur vërtetë shumë nevojë për të qenë pranë publikut dhe këtë mungesë e kam ndjerë edhe ata vetë”.

“Është shumë i nevojshëm që të krijohet kontakti i drejtpërdrejtë midis artistit dhe spektatorit”, u shpreh njëra nga këngëtaret që përformoi live./atsh/ KultPlus.com

‘Shënime për një qytet’, Evis Cerga sjell librin e saj të ri me skica letrare për kujtime të parrëfyera më parë

Shkrimtarja  Evis Cerga, e apasionuar në rrëfimin e historisë së Tiranës dhe personazheve që jetuan e jetojnë në kryeqytetin tone ka botuar së fundmi librin “Shënime për një qytet”, me skica letrare që flasin për Tiranën por jo vetëm.

“Historitë janë të gjitha histori të krijuara por sigurisht një pikënisje e kanë domethënë kjo pikënisje mund të jetë një individ që kalon në rrugë, dikush që të bën përshtypje, mund të jetë një person që nuk e di se do të bëhet personazh por që në kokën time ashtu krijohet. Për mua çdo ecje në qytet është një burim informacioni, cdo rrugë e qytetit është një burim informacioni dhe mund të kthehet në një skicë letrare dhe çdo histori që dikush tregon padashje, histori personale apo histori e dikujt tjetër dhe që mendoj se duhet shpërndarë tek të tjerët unë e kthej në një skicë letrare” u shpreh shkrimtarja Evis Cerga.

“Shënime për një qytet në fakt nuk janë shënime vetëm për Tiranën, është shënime për shumë qytete. Një qytet ka mbetur i papërcaktuar për vet faktin që në vendet që ne shkojmë në qytetet që ne shkojmë të gjitha na sjellin një provojë dhe kjo provojë është unike për secilin nga ne. Unë kam zgjedhur këtë formë të skicave të shkurtra duke pasur parasysh që edhe njerëzit e kanë kohën shumë të shkurtër për të të ndjekur. Vëmendja është e shkurtër dhe preferojnë gjëra të vogla për të mbajtur vëmendjen e përqëndruar” vazhdon ajo më tej.

Me çfarë e lidh kafen turke shkrimtarja Evis Cerga në këtë libër plot me detaje për një qytet që nuk I ngjason asnjë tjetri?

“Kafen turke e lidh me gjyshet sidomos në ato kohët që nuk kishte kafe, ishte problem për kafe, sepse kafja kushtonte 6 qind lekë dhe 9 qind lekë. Ajo kafja 6 qind lekëshe ishte një kafe e tmerrshme thoshin atëherë se unë nuk është se e kam provuar kafen në atë kohë. Por ishte qejfi që kur gjyshja pinte kafe të fusje biskotën brenda në kafe. Njërës gjyshe i pëlqente kjo gjë, gjyshen tjetër e nervozonte se i binin biskotat brenda në kafe por nuk kam pirë më kafe turke pëlqej ekspresin” tha ajo.

Por a ka elementë nostalgjie ky libër?

“Që ti referohemi elementëve patjetër që duhet t’i referohem nostalgjisë por pa e sjellë atë, më shumë i referohemi antropologjisë  për të ruajtur atë që ka qenë pozitive dhe për të mos harruar në mënyrë që t’i shërbejë kujtesës së brezave dhe të ndërtohet mbi të, sepse duke u ndërtuar ne e mësojmë dhe brezin e ri me punën, me një dëshirë që qyteti të bëhet I tyre…”  rrëfen ajo.

Ndërsa flasim për librin, flasim për  detajet që Evis Cerga ka sjell në librin e saj, flasim për pjesëzat e kujtimeve. Një ndër to është për mamatë shqiptare por si i përshkruan ajo mamatë:

“Janë si mamatë greke, mamatë shqiptare pëlqejnë të ushqejnë fëmijët dhe të krenohen për fëmijët e tyre, duke thënë që fëmija i tyre nuk është aq i mirë, por fëmija i asaj shoqes tjetër është shumë I mirë por nndërkaq duke treguar historitë për fëmijët e tyre që I bëjnë  fëmijët më të mirë se fëmijët e shoqeve”

Ai tregoi edhe për gjërat e rralla që mungonin në atë kohë dhe kishte mundësi që ndryshe nga fëmijët e tjerë t’I kishte

“Një nga gjërat që unë kisha ishte cëmcakizi, sot është një gjë që njerëzit as e perceptojnë, por cëmcakizi ishte një nga gjërat që fëmijët donin më shumë se cdo gjë tjetër dhe kjo ishte gjëja që më bënte mua të lakmueshme përball fëmijëve të tjerë të pallatit, unë e përdorja madje edhe si për të komanduar madje” përfundoi shkrimtarja Evis Cerga.

Kjo ishte një pjesë e detajeve dhe  shënimeve për një qytet që nuk ka mbarim, që sjell përvoja unike dhe kujtime të parrëfyera më parë nga pena e një shkrimtareje që rrëfen përtej asaj që shohin të tjerët./Shqiptarja.com/ KultPlus.com

Kënga me tekst italisht të poetes Irma Kurti në të gjitha platformat muzikore

Come un triste sogno” (Si një ëndërr e trishtë) titullohet kënga e re në gjuhën italiane e botuar në të gjitha platformat muzikore me tekstin e poetes shqiptare Irma Kurti, me muzikë të kompozitorëve italianë Giovanni Lippolis e Raffaele FranKavilla kënduar nga Luciano Amante (në art) shoqëruar nga Marilena Palmisano; orkestrimi i këngës është bërë nga Moreno Ferrara, kompozitor dhe korist i Festivalit të Sanremos si dhe autor i këngëve të këngëtares së famshme Mina. Regjistrimi është bërë në Studion Midilandia në Milano.

“Kjo këngë nuk i kushtohet vetëm nënës sime – thotë Irma Kurti – por të gjitha nënave që s’jetojnë më. Jam e emocionuar të ndaj me dëgjuesit e muzikës së lehtë italiane përjetimet e saj. E kam pritur me padurim këtë çast, pasi kënga ishte planifikuar të dilte që vitin e kaluar, por për arsye të pandemisë dhe kufizimeve të shumta u arrit të realizohej vetëm tani.”

Irma Kurti ka filluar të shkruajë tekste këngësh qysh në moshë të re. “Nuk iu zemërova pranverës”, “Trokite te dera”, “Urimi yt”, “Mbrëmja që mban dashurinë time”, “Pranë të kaltrit det”, “Letër malli”, “Një çast në kujtesën tënde”, “Shikomë në sy”, “Të jem për ty number 1”, janë disa nga këngët me tekstet e saj, të kënduara në Festivale të Këngës në RTSH dhe në Koncerte pranvere, që janë kthyer në hite të muzikës së lehtë shqiptare.

Ka shkruar 150 tekste këngësh duke përfshirë dhe ato në gjuhën italiane dhe angleze./diasporashqiptare/ KultPlus.com

Fantazia ’98-’21”, ekspozita e veçantë e piktorit të talentuar Dastid Miluka

Artisti dhe piktori Dastid Miluka vjen me një tjetër ekspozitë të hapur në Tiranë të titulluar, “Fantazia ’98-’21” e cila përmban 17 piktura tejet të veçanta.

Piktori i talentuar Miluka është një artist që ka studiuar në vitet 2000 në Akademinë e Arteve të Bukura në specialitetin e artit figurativ. Pas studimeve për skenografi dhe kostumografi, ai emigroi jashtë Shqipërisë duke ju dedikuar pikturës prej afro 20 vjetësh ku edhe shprehet se kjo i ka sjell një të ardhme më të mirë në Belgjikë, vendi ku ai jeton prej vitesh.

Ekspozita e hapur prej tij këto ditë është e dyta pasi edhe më herët ka qenë prezent në Shqipëri me një tjetër ekspozitë dhe se interesi i njerëzve të cilët e pëlqejnë dhe vlerësojnë punët e tij si piktor, bëri që ai të vinte serish për publikun me këtë ekspozitë të dytë.

Piktori Dastid Miluka rrëfen për ATSH-në të gjithë rrugëtimin e tij si artist dhe për prezencën e tij tek publiku artdashës dhe që janë admirues të pikturave.

“Vërtetë që kam studiuar për kostumografi dhe skenografi, mirëpo piktura gjithmonë ka qenë diçka që më ka bërë mua që të ndihem shumë mirë. Është një rrugëtim interesant në kohë sepse më jep mundësinë edhe mua që të kthehem mbrapa në kohë dhe të zbuloj veten time. Evoluimin ndër vite. Ekspozita e tregon më së miri këtë gjë me 17 punimet që janë në këtë ekspozitë.  Hapësirat e ekspozimit janë të limituara këtu ndaj artistët duhet të gjejnë mundësi alternative siç kam bërë unë në ambientet e kësaj banke dhe ka pasur një interes shumë të madh”, shprehet më tej artisti.

Duke ndaluar në pjesën më të madhe të krijimeve të tij, Miluka na bën edhe një lloj ekspozeje të krijimeve të tij.

“ “Netët mediterane” quhet kjo pikturë e cila tregon shijimin e një nate mediterane dhe e kuqja që unë kam përdorur është paksa e rrezikshme në eksperimentim, por në të njëjtën kohë edhe e suksesshme kur ajo përdoret ashtu siç duhet. Piktura tjetër flet për një elefant i cili është i rrethuar me figura të tjera çka krijon edhe një histori duke ju bashkangjitur figurës së elefantit.  Piktura tjetër është paksa surrealiste sepse bëhet fjalë për figurën e një femre që me frymën e saj bën që të ndodh edhe lundrimi. Ky është edhe titulli që i përshtatet kësaj pikture që është emërtuar në shqip “Lundro Tutje”.  Tregon edhe për fuqinë e saj të mbi natyrshme dhe stilin surrealist të krijimit”.

Duke udhëtuar në kohë nëpërmjet pikturave të artistit ne arrijmë të kuptojmë edhe ndryshimin apo më saktë transformimin që ai ka pasur ndër vite. Ndalojmë tek puna e parë që artisti e ka bërë në periudhën e studimeve ne akademi, ku ai në pikturë përveç bojërave dhe imazheve tipike ka përfshirë edhe materie sikurse është rëra për të krijuar fraksione të ndryshme. Pra martesa e dy teknikave.

“Në pikturën “Histori Dimri” krijohet mundësia që gjithkush mund të krijojë një histori të vetën. Përse jo mund ta konsiderojmë edhe si Adami me Evën moderne shqiptare në një simbol dhe teknik komplet tjetër”, shprehet për ATSH piktori i talentuar.

Artisti na ndalon tek dy nga punët që ai i konsideron ndër më të rëndësishmet pasi në këto piktura ai ka sjell folklorin shqiptar nëpërmjet kostumeve tradicionale shqiptare.

“Kjo është edhe mbyllja e ekspozitës ku me dy vajzat e veshura me kostume tradicionale shqiptare kam sjell figurën e femrës shqiptare bashkë me veshjet, por shoqëruar me elemente dhe simbole të tjera shqiptare. Njëri nga kostumet është marrë nga zona e Brarit në Tiranë e cila më tërhoqi shumë për nga bukuria dhe nuk mund ta lija pa e sjell, madje dua të vazhdoj të punoj ende me këtë kostum dhe këtë pikturë”, tregon Dastid Miluka.

Ai gjithashtu na tregon edhe interesin e madh që ka pasur nga publiku në mënyrë që ti blejnë ato dhe kjo është shumë e rëndësishme sipas tij, pasi artin që ai krijon kërkon ta ndaj me të tjerët duke i parë ato të ekspozuara edhe në ambiente private të njerëzve që i blejnë pikturat e tij.

“Nuk jam aq egoist sa që artin tim ta mbaj vetëm për veten time, atë dua ta ndaj me të tjerët”, shprehet artisti Dastid Miluka për ATSH-në./atsh/ KultPlus.com

Kompozitori arbëresh Tomë Marcozzi dhe muzika e Rilindjes

Ndikimi i muzikës së Rilindjes Italiane, ka mbërritur shpejt në Shqipëri nëpërmjet priftërinjve dhe misionarëve arbëreshe.

Palokë Kurti, autori i këngës së njohur popullore qytetare shkodrane “Për mue paska kenë kismet”, ishte ndër të parët kompozitorë të Rilindjes tonë kombëtare. Krijimet e tij janë si tip ariesh të vogla operistike, të mirënjohura si jaret shkodrane.

Arsyeja që e lidhë Kurtin me Italinë, vendin e lindjes së operas ishte mësuesi i tij i parë i muzikës. Që në moshë të vogël Kurti u regjistrua në shkollën françeskane dhe At Tomë Marcozzi, një prift arbëresh, e mësoi rreth muzikës dhe të luajë instrumente muzikore.

Marcozzi, i përkushtuar në misionin e tij, jo vetëm që ka mësuar të vegjlit e kolegjit françeskan në Shkodër, por edhe ka siguruar që për mësimin e tyre, të vinin plot instrumente muzikore nga përtej detit. I frymëzuar nga mësuesi i tij dhe qyteti i lindjes, Palokë Kurti ka lënë shumë momunente të këngës popullore qytetare shkodrane, dhe rrugën e tij kanë ndjekur edhe të bijtë Lec e Zef Kurti./ KultPlus.com

“Rrugët natën nuk janë veç për burra”, protestohet në Deçan kundër dhunës seksuale

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka protestuar sot rrugëve të qytetit të Deçanit për të kundërshtuar dhunën seksuale ndaj vajzave dhe grave, shkruan KultPlus.

Në një postim të bërë në Facebook nga ky kolektiv theksohet se përmes thirrjeve të ndryshme qytetarët kanë denoncuar patriarkalizmin e institucionalizuar i cili po i dhunon vajzat e gratë në çdo hapësirë.

‘Rrugët natën nuk janë veç për burra’, ‘Mos ngacmo o tigër!’, ‘Donjeta ishte rrugës për në punë’, ‘Du me msu, jo m’u gacmu’, ‘Ngacmuesit seksual janë kriminel’, ishin vetëm disa nga thirrje të cilat u përdorën në këtë protestë.

Më poshtë gjeni njoftimin e tyre të plotë:

Sot, protestuam rrugëve të qytetit të Deçanit në kundërshtim të dhunës seksuale ndaj vajzave dhe grave.

Përmes thirrjeve të ndryshme, aktivste e aktivistë, nxënëse e nxënës. studente e studentë. qytetare e qytetarë denoncuan partriakalizmin e institucionalizuar i cili po i dhunon vajzat e gratë në çdo hapësirë.

Përderisa vajzat e gratë ndihen të pasigurta dhe vazhdojnë të dhunohen nga të gjitha institucionet, qofshin ato publike e private, nuk mund të ketë paqe e drejtësi shoqërore. Andaj dhe rezistenca jonë e përbashkët do të vazhdojë, deri në arritjen e drejtësisë për të gjitha vajzat e gratë e sigurimin e ambienteve të sigurta për to./ KultPlus.com

‘Mos pyet se ç’ka bërë atdheu për ty, por çfarë bën ti për atdheun tënd’

Më 29 maj të vitit 1917, ka lindur John Firtzgerald Kennedy, i njohur në mbarë botën si presidenti i 35-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shkruan KultPlus.

Kennedy ka shërbyer edhe si komandant në Ushtrinë Amerikane në Forcat Detare të Amerikës ne flotën detare dhe si komandant i anijes luftarake PT-190 dhe më vonë në atë PT-59 në Paqësorin e Jugut në Luftën e Dytë Botërore.

Sot, KultPlus ju sjell njërën nga thëniet më të njohura të Kennedyt që ka të bëjë me qeverisjen e vendit.

‘Mos pyet se ç’ka bërë atdheu për ty, por çfarë bën ti për atdheun tënd’

Kennedy vdiq më 22 nëntor të vitit 1963. / KultPlus.com

Sonte finalja e ‘Këngës Magjike’

Sezoni i 22-të i festivalit të ”Këngës Magjike”, këtë vit është zhvilluar ndryshe nga çdo herë tjetër për shkak të pandemisë dhe për shkak të situatës së krijuar nga pandemia. Ky kompeticion muzikor për herë të parë nuk u zhvillua në Pallatin e Kongreseve.

Gjithashtu pati një numër të kufizuar njerëzish të pranishëm në skenë, mes tyre edhe artistë që kanë kënduar në natën e parë gjysmëfinale të festivalit.

“Pandemia fiku dritat e botës”, tha ai duke shtuar se “Kënga Magjike” do të zhvillohet këtë herë në një tjetër shtëpi të ëmbël. Pas 22 vitesh sonte ndërrojmë destinacion. Është e trishtueshme të shohësh dritat e shtëpisë fikur sepse ky pallat ka qenë dhe është shtëpia jonë magjike, por pandemia fiku dritat e botës, por mbi ne rrjedhimisht na mbylli derën e kësaj shtëpie përkohësisht, por ne kemi tjetër shtëpi, të ëmblën shtëpi”, është shprehur Ardit Gjebrea, përcjell KultPlus.

Martina Sereqi, Andrea Vathaj, Kras, Urban Band dhe Niki, Josil, Stiv, Genti Disha, Genti, Kleoniki ishin artistët e rinj që arritën të merrnin votën e jurisë së përbërë nga Enkel Demi, Jonida Maliqi, Markelian Kapidani, Arben Skënderi dhe Kozeta Kurti.

Në finalen e sotme do të konkurrojnë jo vetëm artistë të njohur shqiptarë, si Soni Malaj, Eneda Tarifa, Fifi, Flor Mumajesi Klajdi Haruni, por edhe artistë të huaj dhe këngëtarë të rinj dhe ne jemi gjithë sy e veshë se kush do të triumfojë në këtë kompeticion muzikor. / KultPlus.com

Dyvjeçarja bëhet vazja më e re në Amerikë që hyn grupin e njerëzve me inteligjencë të lartë

Një vajzë e vogël nga Los Angelesi i Shteteve të Bashkuara është bërë anëtarja më e re në moshë nga ShBA-ja në organizatën më të madhe dhe më të vjetër në botë për njerëz me inteligjencë të jashtëzakonshme, Mensa, përcjell KultPlus.

Vogëlushja e quajtur Kashe Quest mund të jetë ende në hapat e parë të jetës, por ajo tashmë i njeh të gjitha elementet e sistemit periodik në kimi, mund t’i identifikojë 50 shtetet e ShBA-së vetëm përmes formës së hartës dhe vendndodhjes së tyre, është duke e mësuar gjuhën spanjolle dhe mund të zgjidhë detyra me deshifrime, sipas prindërve të saj.

Babai i saj, Devon, për televizionin CNN tha: Nëse ajo nuk di diçka, dëshiron të dijë se çfarë është dhe si funksionon. Posa ta mësojë këtë, e zbaton atë që ka mësuar, përcjell tutje KultPlus.

Familja thotë se posa vajza e mësoi fjalën e parë, shkathtësitë e saj u zhvilluan shpejt. Për një kohë të shkurtër, ajo filloi të përdorte fjali që kishin pesë a më shumë fjalë. Përmes vëzhgimit të përditshëm, familjarët vërejtën se vajza dukej shumë e zhvilluar për moshën e saj.

Kur pediatrja e kontrolloi në moshën 18-muajshe, ajo ishte mahnitur me aftësitë e fëmijës për t’i dalluar format dhe ngjyrat, prandaj tha se ia vlen që të hulumtohet më tej në këtë drejtim, thotë nëna e Kashes, Sukhjit.

Prandaj, prindërit vendosën ta dërgojnë fëmijën te psikologu, i cili ia bëri vajzën testin Mensa. Familjarët thonë se vajza shënoi koeficient të jashtëzakonshëm të inteligjencës – 146. Për t’u anëtarësuar në Mensa, aplikuesit duhet të përgjigjen saktë së paku në 98 për qind të detyrave në një test të standardizuar të inteligjencës. / KultPlus.com

‘Zanat e Luleve’, premierë në Teatrin Kombëtar, Llugiqi: Është shumë e rëndësishme që fëmijët të rriten me art

Xhemile Hysenaj

Baleti si mishërim i artit më të bukur skenik, kësaj radhe do të zë vend në skenën e Teatrit Kombëtar ku protagonistët kryesor do të jenë balerinët e studios ”Let’s Dance” të Vjollca Llugiqit. Bëhet fjalë për premierën e shfaqjes ”Zanat e Luleve”, shfaqje kjo e cila do të paraqet secilin balerinë si një lule që rritet, zhvillohet dhe freskinë e saj tenton t’ia falë botës. E veçanta e kësaj shfaqjeje qëndron në faktin se pjesë e kësaj trupe balerinësh do të jenë edhe disa fëmijë me aftësi të kufizuara, duke përçuar kështu direkt mesazhin se dallimet duhet të evitohen në secilën fushë, shkruan KultPlus.

Vjollca Llugiqi e cila ka 20-të vite që është bërë një me artin e bukur të baletit, nuk e ka pasur aspak të lehtë këtë rrugëtim. Ka realizuar diku rreth 60-të premiera dhe ndër to edhe shumë role kryesore. Llugiqi është ndër balerinat që asnjëherë nuk është dorëzuar dhe tash e dhjetë vite, talentin e saj e ndan dhe ua mëson edhe fëmijëve të tjerë.

”Ka shumë rëndësi që fëmijët të rriten me art, e sidomos me Baletin i cili kërkon shumë diciplinë. Sa i përket premierës së ”Zanat e Luleve”, tani jemi në pjesën finale dhe në emocionet e premierës. Mirëpo, të punosh me fëmijë është gjëja më e bukur që kam edhe pse është një punë që kërkon shumë kohë, përkushtim dhe durim”, është shprehur Llugiqi për KultPlus.

”Zanat e Luleve” do të ketë koreografinë nga baleti klasik dhe poashtu edhe disa pjesë të baletit modern, ndërkaq kostumet e balerinave të vogla do të jenë me ngjyra, duke përçuar kështu shumë gjallëri. Për sa i përket skenës, Llugiqi ka treguar se do të realizohet nga ”Anea”.

Për fëmijët e studios ”Let’s Dance”, Llugiqi tregon se janë frymëzim për të. ”Arti i baletit të jep mundësi që të kërcesh, aktrosh dhe të kesh një vesh të mirë muzikal dhe ky edhe është qëllimi im, që të kemi fëmijë me më shumë njohuri për artin. Të mësohen të dëgjojnë muzikë me vlerë dhe të krijojnë një diciplinë në jetën e përditshme”, potencon Llugiqi për KultPlus.

”Për fat të mirë kemi fëmijë me shumë potencial drejt një të ardhmeje të ndritur në balet. Dhe, sigurisht që secili që ka talent në këtë fushë, do të ketë përkrahjen time maksimale”, thekson tutje Llugiqi për KultPlus.

Sa i përket Baletit dhe të ardhmes së tij në Kosovës, Llugiqi ka potencuar për KultPlus se këtu edhe e ka frikën më të madhe, pasi mungesa e shkollës së ulët të baletit është një barrierë mjaft e madhe për këtë art. ”Uroj që të bëhet diçka në këtë drejtim, këta fëmijë nuk duhet ta shuajnë talentin e tyre. Arti i baletit mos të zhvillohet vetëm në studio arti, mirëpo të ketë shkollë që këta balerinë/a të kenë një vend adekuat ku do t’i nisin fillet e karrierës së tyre”, thekson Llugiqi.

Baleti i cili në Kosovë po shuhet çdo ditë e më shumë, si pasojë e kushteve që kërkon ky art e që deri tash nuk janë plotësuar as gjysma, ka bërë që shumica të hezitojnë drejt fillimit të një karriere si balerinë. Mirëpo, Llugiqi, për të cilën baleti është vetë jeta mendon se secili që ka sado një shkëndijë të vogël për baletin, të vazhdojë në atë drejtim. ”Të gjithë ata që kanë dëshirë të mirren me balet, ose ata prindër që shohin një shkëndijë të vogël tek fëmijët e tyre, të japin mbështetjen e tyre maksimale. Njerëzit japin shumë për të zbuluar një talent tek vetja, një talent të cilën disa nga ju veçse e kanë zbuluar. Mos hiqni dorë kurrë, pasi të mirresh me art është gjëja më e bukur në jetë”, përfundon Llugiqi për KultPlus.

”Zanat e Luleve”, do të ketë premierën më 20 qershor të këtij viti, në Teatrin Kombëtar. Ndërkaq, fëmijët pjesëmarrës të kësaj shfaqjeje, do të jenë të moshave të ndryshme, duke filluar nga 4 deri në 14 vjeçarë. / KultPlus.com

Ermonela Jaho, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Në Akademinë e Shkencave, dje janë pranuar 17-të personalitete të shquara si akademikë të jashtëm, pas Reformës së kryer në Akademinë e Shkencave në vitin 2019.

17-të personalitete të jashtme janë pranuar në Akademinë e Shkencave, të cilët do të kontribuojnë në cilësinë e ekspertëve në fushat e tyre. Mes tyre është edhe sopranoja e njohur shqiptarë me famë botërore, Ermonela Jaho.

Lajmi u bë i ditur nga vetë sopranoja, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, e cila theksoi se është e prekur nga kjo gjë.

”E prekur pa masë dhe e përulur për nderin e madh të pranimit si anëtare e jashtme e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ju faleminderit’‘, ka shkruar Jaho. / KultPlus.com

‘Hija e korbit’, vendi ku u zbulua thesari më i madh i në Shqipëri

Njihet si një prej thesareve më të mëdha, që janë zbuluar në Shqipëri. Banka e Shqipërisë bën të ditur se në janar të vitit 1982, në vendin e njohur sot me emrin “Hija e korbit” u zbulua thesari i monedhave antike, transmeton KultPlus.

Kodra ku është gjetur thesari ngrihet pranë qytetit të Maliqit, mbi bregun e majtë të lumit Devoll.

Nisur nga pozicioni strategjik dhe sipërfaqja, “Hija e korbit” mendohet t’i përkasë rrënojave të një qyteti të lashtë ilir të Desaretisë antike, por identifikimi i këtij qyteti të lashtë nuk është përcaktuar përfundimisht.

Thesari numëron 618 monedha argjendi, të prera në një periudhë kohore që shkon nga shek. IV p.e.s., përfaqësuar nga tetradrahmet e Athinës dhe përfundon me tetradrahmet e fundit të shekullit III p.e.s. të prera nga Antioh Hieraks, i mbretërisë seleukide.

Në përbërje të thesarit gjejmë dy vlera monedhash: tetradrahme dhe drahme, të prera nga qytete dhe mbretër si: Athina, Aleksandri i Madh dhe Filipi III, Lysimahut të Thrakisë, Eumenit I, mbreti i Pergamit, mbretërit Seleukidë, dhe mbreti i Maqedonisë, Antigon Gonatës.

Muzeu i Bankës së Shqipërisë ka të ekspozuar në katin numizmatik, një pjesë të këtij thesari, huazuar nga Instituti i Arkeologjisë.

Ilirët ishin popull i lashtë i Gadishullit Ballkanik dhe paraardhësit e popullit shqiptar. Sipas disa historianëve, ilirët ishin trashëgimtarët e vetëm të pellazgëve, banorët më të lashtë.

Në lashtësi u krijuan marrëdhënie mes fiseve ilire dhe grekëve.

Në vitin 342 p.e.s. Demosteni u përpoq të bënte për vete ilirët në luftë kundër maqedonasve. Në qindvjeçarin e II dhe III p.e.s. fisi ilir i Ardianëve krijuan një mbretëri me qendër Shkodrën.

Pas pushtimeve romake në fillim të shek.III, mbretëria ilire u kufizua me gjysmën e saj veriore. /konica/ KultPlus.com

QKLL dhe Ambasada e Francës, marrëveshje bashkëpunimi për përkthyesit e autorët

Programi i formimit për përkthyes të rinj shqiptarë, ishte një nga pikat e marrëveshjes që u nënshkrua nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Ambasada e Francës në Shqipëri, përcjell KultPlus.

QKLL dhe Ambasada e Francës lidhën një marrëveshje bashkëpunimi për t’i dhënë jetë projekteve të përbashkëta në fushën e librit. Marrëveshja u nënshkrua nga z. Jerome Spinoza, Këshilltar për Marrëdhëniet Kulturore dhe znj. Alda Bardhyli, drejtore e QKLL-së.

Në këtë marrëveshje që u nënshkrua së fundmi, të dyja palët do të bashkojnë përpjekjet e tyre për të bërë të mundur publikimin e autorëve shqiptarë në gjuhën frënge dhe reciprokisht, të autorëve francezë në gjuhën shqipe.

Ambasada mbështet realizimin nga ana e Qendrës të Programit të Mbështetjes së Publikimeve të dedikuar frankofonisë (PAP-FR). Ky i fundit do të jetë i koordinuar me Programin e Ndihmës së Publikimit të Qendrës (PAP-AL); QKLL-ja dhe ambasada do të nisin programin e formimit të përkthyesve të rinj shqiptarë.

Me këtë qëllim, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit do të organizojë nga data 30 qershor deri më 31 dhjetor 2021 një plan trajnimi me profesorë të Departamentit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës dhe ekspertët francezë.

Përgjatë vitit 2021, ambasada do të vërë në dispozicion të programeve të saj një shumë maksimale për të financuar përkthimet e veprave të përzgjedhura nga PAP-FR dhe për shpenzimet e ekspertëve francezë, që do të vijnë për të trajnuar përkthyesit e rinj shqiptarë. Në materialin për këtë marrëveshje, thuhet mes të tjerave se Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit do të vërë në dispozicion një shumë maksimale, për të financuar përkthimet e veprave të përzgjedhura në PAP-AL dhe do të marrë përsipër shpenzimet që lidhen me programin e trajnimit të përkthyesve të rinj.

Thirrja e përbashkët në mbështetje të botuesve që zgjedhin të sjellin në shqip autorë francezë do të hapet më 10 qershor 2021.

Në faqen e QKLL-së thuhet se misioni i saj është ndjekja dhe zbatimi i projekteve në fushën e librit, sipas programit qeverisës të ministrisë përgjegjëse për librin, duke synuar përhapjen e kulturës së leximit në të gjithë vendin, nxitjen e krijimtarisë, forcimin e rolit promovues dhe edukativ të bibliotekave dhe mbështetjen e projekteve për promovimin e letrave shqipe në tregun evropian dhe atë botëror. / KultPlus.com

Nana jem’

Poezi nga Rudyard Kipling
Përktheu: Agron Shala

Po t’isha i varun n’kodrën ma t’naltë
Nana jem’, o nana jem’
E di dashnija e kujt mu hala kish’ me m’ndjek
Nana jem’, o nana jem’

Po t’isha i fundosun n’detin ma t’thellë
Nana jem’, o nana jem’
E di lotët e kujt kishin me mbërri deri te unë
Nana jem’, o nana jem’

Po t’isha i mallkuem prej trupi e shpirti
E di lutjet e kujt kishin me m’ba t’plotë
Nana jem’, o nana jem’. / KultPlus.com

Dokumentari i ri për ‘The Beatles’ tregon dashurinë e tyre të gjatë me Indinë

Një dokumentar i ri për kohën e The Beatles në Indi do të lansohet në Mbretërinë e Bashkuar në qershor.

“The Beatles dhe India” do të lansohet në një kohë me një album të tyre i cili do të interpretohet nga artistë indianë.

Ajo është një kronikë historike e grupit mbi marrëdhënien e tyre të thellë dhe me ndikim në Indi, shkruan NME, transmeton KultPlus.

Publikimi i tij përkon me “The Beatles and India: Songs Inspired by the Film”, një bashkim këngësh i grupit të cilat do të interpretohen nga artistë bashkëkohorë indianë. Këngët e kënduara nga ta do të jenë ato që janë inspiruar nga koha kur ishin në Indi. / KultPlus.com

Orkestra Harkore e Filharmonisë së Kosovës u rikthye me koncert, Çupi: Ne morëm frymë përsëri

Era Berisha

Interpretimi i Orkestrës Harkore së Filharmonisë së Kosovës, mbrëmë erdhi përmes veprave të ndryshme nga kompozitorë botërorë e shqiptar dhe me inkuadrimin e melodive bujare të cilat konsiderohen një mbingarkesë e veçantë, mbizotëruan pa mëshirë atmosferën në një ylber emocionesh të cilat dolën nga kontrolli qysh në piklën e parë të lëshuar butësisht nga performimi e deri tek rrokullisja izoluese e vetmisë hyjnore së tingujve që goditnin vazhdimisht atmosferën, shkruan KultPlus. 

Ky koncert portretizoi një literaturë muzikore që mbrëmë Orkestra Harkore e solli në një mënyrë tejet të veçantë, duke filluar nga veprat e kompozitorëve botërorë si: Benjamin Britten, Jean Sibelius dhe Karl Jenkins, për ta përmbyllur këtë natë magjike me kompozitorin shqiptar Drinor Zymberi që solli veprën premierë të titulluar ‘Folk Suite’, një vepër kjo që shënoi fundin e një koncerti i cili vazhdimisht frymoi në një ndezje të brishtë nga instrumentet diversive të cilat tashmë krijojnë përshtypjen se janë një ekspozitë e gjallë e melodive unike dhe tingujve përrallor. 

Pasi të pranishmit kishin zënë vendin e tyre në një numër specifik të karrigeve dhe njëkohësisht ishin bërë pjesë e pandashme e qetësisë së përkryer që përcillte çdo anë të atmosferës, pasoi edhe pëshpëritja e ëmbël e cila shprehej përmes instrumenteve harkore të cilat mbrëmë shndrisnin nga performimi i instrumentistëve të cilët dëshmuan se talenti i tyre shkrihet tërësisht në një kulminacion që merrte flakë dhe së bashku me dritat e kuqe në sfond, u krijua përshtypja se pavarësisht se sa herë dëgjojmë një koncert nga Filharmonia e Kosovës, emocioni që dhurohet pamëshirshëm nga instrumentistët, nuk është i krahasueshëm me asnjë ndjenjë, për arsye se secili koncert sjell një magjepsje që bredh e zhveshur dhe fut publikun në një përhumbje hipnotizuese. 

Kësaj here, ajo se çka dallohej nga performanca e instrumentistëve ishte manovrimi i instrumenteve të posaçme harkore, jo nën interpretimin e harkut por të duarve të tyre, që sollën një hijeshi trazovaçe e cila e gëlltit plotësisht atmosferën me një thithje të vetme dhe pushton publikun me detajet e veçanta të cilat veçse janë pjesë e domosdoshme e performimit si: mbështetja e këmbëve në një pozitë të caktuar ndaj këmbës së karriges që shërben për të mbajtur instrumentin në vend dhe lëvizja e duarve së bashku me instrumentin, duke formuar kështu një imazh ku violina kishte kapluar shpirtin e performuesit dhe në vend të tij po frymonte e vetme, në një vetmi që ngjasonte me rrëfimin e fshehtësive të futura thellë brenda njeriut, të cilat do të mund të dilnin në pah vetëm nën dritën e hënës.  

E ndonëse, hëna e as ndriçimi i saj nuk ishin të pranishme fizikisht, në vend të saj aty pari dëgjoheshin cicërimet e zogjve që u bënë pjesë e interpretimit të veprave mahnitëse, duke sjell një egërsi të melodive që po i shoqëronte tingujt e Orkestrës Harkore që dirigjoheshin nga Agona Çupi, e cila dirigjonte jo vetëm veprat por edhe frymëmarrjen e instrumenteve e që nëse do të ekzistonte një emër për këtë emocion do të ishte: qetësia e vetmuar. Ky emocion që mbështjellë shikimin, trupin dhe lëviz të rrahurat e zemrës në një fluturim qetësie, erdhi pikërisht mbrëmë nga talenti unik i këtyre performuesve. 

Harmonia hyjnore e tyre erdhi në fund, me ç’rast u dallua edhe pa përmbajtja e duartrokitjeve dhe brohoritjeve të cilat dëgjoheshin sikur një trubullimë e valëve dinake por që nuk mungonin as për një sekondë të vetëm, duke vënë një kontrast dukshëm të ëmbël nga ajo se çfarë kishim dëgjuar deri më tani. 

Kurse, për të folur më shumë rreth natës së mbrëmshme dhe performancës së saj, për KultPlus foli vetë dirigjentja Agona Çupi. 

“Pjesëmarrja në koncert erdhi si ftesë nga bordi menaxhues i Filharmonisë së Kosovës ku programin e koncertit e kemi përpiluar së bashku dhe me orkestrën kemi krijuar një raport tejet të mirë duke bërë që gjërat të ecnin mirë sepse procesi i provave ka nisur qysh të hënën dhe së bashku me orkestrën kemi kaluar shumë mirë ku gjithçka ishte brenda suazave normale dhe performancës live”, thotë Çupi. 

Sipas saj, nata ishte me shumë emocion. Për të, Filharmonia e Kosovës gjithmonë ka qenë një vend ku ajo ka dashur të performojë e të jetë pjesë e një koncerti.

“Është një ëndërr e realizuar, sigurisht pas një pauze të gjatë me pandeminë dhe pa publik, ndjenja sonte ishte shumë e bukur sepse ishte njëra nga përjetimet më të bukura dhe u ndjeva sikur u rikthyem dhe morëm frymë përsëri”, thotë Çupi për KultPlus. 

Për Çupin, kjo natë do të ngelet si njëra nga ato netët e veçanta shkaku se publiku ishte prezent dhe mjaft i ngrohtë, instrumentistët ishin mbështetës duke e përkrahur atë dhe prandaj nuk ishte e vështirë puna me ta.  

“Unë u ndjeva shumë e mirëpritur dhe realisht uroj që në të ardhmen të përsëriten netë të tilla”, potencon Çupi. 

Ndërsa, ajo në fund thotë se si dirigjente duhet të jetë neutrale sa i përket preferencave të saj, por fakti që vepra e Drinor Zymberit ishte premierë, i dha asaj një emocion të veçantë. 

“Nuk është hera  e parë që i bëj premierë atij sepse stili i tij më përshtatet dhe prandaj do e veçoja sepse më dha një emocion të veçantë dhe përgjegjësi të veçantë shkaku se u performua për herë të parë”, përfundon Çupi për KultPlus. 

Orkestra Harkore e Filharmonisë së Kosovës zhvilloi këtë koncert në kuadër të sezonit 2020/2021, në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. / KultPlus.com

Filmat e Lorena Sopit me tri çmime në tri kontinente

Filmi ‘Rreze’ /Ray/ me regji të Lorena Sopit,  i realizuar sipas një flete të ditarit të famshëm të Rreze Abdullahut  i cili ka qenë pjesë zyrtare e më shumë se 50 festivaleve ndërkombëtare dhe i cili deri tani ka fituar 15 çmime ndërkombëtare është fitues i çmimit Filmi më i mirë i shkurtër / Best Short Film/ në festivalin  Liberty Film Awards ,  i cili është mbajtur nga data 25 deri më datën 28   maj 2021 në New York të SHBA-ve.

Po ashtu filmi i shkurtër ‘SCHAUERFILM’ ne skenar e regji të Lorena Sopit, i cili po ashtu ka fituar 10 çmime ndërkombëtare, mbrëmë ka fituar Çmimin e Filmit më të mirë të shkurtër /Best Short Film/ në Universal Film Festival i cili është mbajtur në Mumbai të Indisë.

Në të njetën ditë, ka përfunduar edhe Ivera Film Festival në Italy, në të cilin filmi tjetër i shkurtër ‘Përjetësisht Fëmijë’ /Eternally Child/, ka fituar Çmimin e Aktorit më të mirë /Best Actor/ Xhevat Qorraj. Filmi ‘Përjetësisht Fëmijë’ deri tani ka qenë pjesë e më shumë se 70 festivaleve dhe ka fituar më shumë se 20 çmime ndërkombëtare.

Këta tre filma të Lorena Sopit, në dy muajt e ardhshëm do të shfaqen edhe në mbi dhjetë festivale në Itali, Angli, USA, Spanjë, Indi, Francë, Turqi, etj.

Në ditëlindjen e nëntë, gjatë vitit të luftës 1999,  Rreze Avdullahu  kishte shkruar Ditarin e Frikës. Atë ditë të shënjuar, ajo nuk kishte pritur dhurata e as festë. Ajo kishte vetëm një dëshirë: Nuk donte të vdiste. Atë ditë, Rrezja shkon te ushtari serb që bënte roje dhe i thotë:  unë sot e kam ditëlindjen dhe nuk po due me vdekë! Veç po due me mbetë gjallë… Ushtari nis e qanë. Rrezja befasohet sepse kishte kujtuar që  ushtarët nuk qajnë kurr. Tetëmbëdhjetë vjet më vonë, mbi gërmadhat e së kaluarës, Rrezja shfaqet e dëshpëruar me botën që nuk është bërë më e mirë…Filmi ‘Rreze’ është realizuar sipas ditarit  të vërtet të Rreze Abdullahut.

Në rolet kryesore: Agron Shala, Glorioza Shala, Aurita Agushi. Në rolet tjera paraqiten: Selman Lokaj, Beslidhje Bytyqi, Uran Duli.

Drejtor fotografie: Besnik Hasolli. Zëri: Gëzim Rama. Kompozitor: Mendi Mengjiqi. Regjisore: Lorena Sopi. / KultPlus.com

Parashikimi i OBSH-së për fundin e pandemisë

Drejtori i OBSH për rajonin e Evropës, Hans Kluge, paralajmëroi se pandemia e Covid-19 nuk do të përfundojë derisa të paktën 70% e njerëzve të vaksinohen dhe kritikoi shpërndarjen e vaksinave në rajon duke e konsideruar shumë të ngadaltë.

“Mos mendoni se pandemia e Covid-19 ka përfunduar,” tha Kluge në një intervistë për Agence France-Presse (AFP) dhe shtoi se normat e vaksinimit duheshin rritur. “Pandemia do të mbarojë pasi të kemi arritur 70% mbulim minimal në vaksinimin,” tha ai, transmeton KultPlus.

Në 53 vendet dhe territoret që përbëjnë rajonin europian të OBSH-së – përfshirë disa rajone në Azinë Qendrore – 26% e popullsisë ka marrë dozën e parë të një vaksine për Covid. Në Bashkimin Europian, 36.6% e popullsisë ka marrë të paktën një dozë dhe 16.9% janë vaksinuar plotësisht, sipas një numërimi nga AFP.

Kluge tha se një nga shqetësimet e tij kryesore ishte rritja e transmetimit së varianteve të reja.

“Ne e dimë për shembull se B.1617 (varianti indian) është më i transmetueshëm se B.117 (variant britanik), i cili tashmë ishte më i transmetueshëm se lloji i mëparshëm.”

Ai nënvizoi gjithashtu se shpejtësia është “thelbësore” gjatë pandemisë.

“Miku ynë më i mirë është shpejtësia, koha po punon kundër nesh dhe zhvillimi i vaksinimit vazhdon ende shumë ngadalë. Nuk është e pranueshme që disa vende të fillojnë të vaksinojnë pjesën më të re, të shëndetshme të popullsisë, ndërsa vendet e tjera në rajonin tonë ende nuk mbulojnë të gjithë punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe njerëzit më të prekshëm.” / KultPlus.com

Sot, Ditëlindja e John Kennedy

John Firtzgerald Kennedy ka lindur më 29 maj 1917. I njohur mire si Jack ose me inicialet JFK ishte politikan amerikan dhe Presidenti i 35-të i Shteteve te Bashkuar të Amerikës ka shërbyer edhe si komandantë në Ushtrinë Amerikane në Forcat Detare të Amerikës ne flotën detare dhe si komandant i anijes luftarake PT-190 dhe më vonë në atë PT-59 në Paqësorin e Jugut në Luftën e Dytë Botërore.

Pas shërbimit ne flotën detare u përfshi ne politikë ne dhomën e 11 të kongresmenëve nga Partia Demokratike (SHBA) si kongresmen ne vitin 1946-1952 dhe si senator në Senatin Amerikan nga dhoma e përfaqësuesve nga shteti federal i Massachusetts ku në vitin 1960 ne 1960 Zgjedhjet presidenciale të SHBA-ve do te kandidohej per president ku do ta mposhte kandidatin nga radhët e republikanëve Richard Nixon i cili do të bëhej president ne vitin 1969 dhe do te jepte dorëheqje nga posti tij ne vitin 1972 pas skandalit te Watergate dhe në moshën 43 vjeçare Kennedy do të bëhej presidenti me i ri ne moshë se bashku me Theodore Roosevelt.

Kur ne vitin 1963 në Dallas, Texas prag të zgjedhjeve presidenciale kur po shkonte ti vizitonte ne trupat ushtarake dhe forcat ajrore të SHBA-ve kur makina e tij pa çati po kalonte në lagjen Dealey Plaza u vra nga Jack Ruby dhe u dërgua me urgjencë në spitalin me të afërt ku ne ora 1:00 do të ndërronte jetë në Parkland Memorial Hospital në Dallas dhe do të shpallej i vdekur ne ora 1:00 të mëngjesit ku doktorë nuk kishin arritur ta ndalin hemorragji në trurin e tij.

Administrata dhe presidenca e tij do te ishte protagoniste ne shumë ngjare historike në botë si Lufta e Vietnamit, Grush shtetin ne Gjirin e Derrave, Kriza e Raketave ne Kubë, Gara për Hapsirën, Programi Apollo, Lufta Per Drejta Civile të Zezakëve, Lufta e ftohtë etj… / KultPlus.com

Fisi i Shalës sipas Robert Elsie

Rajoni i fisit të Shalës ndodhet në trevën e Dukagjinit, në veri të lumit Drin, në qarkun e tanishëm të Shkodrës, në Shqipërinë e veriut. Shala jeton në pjesën më të epërme të luginës së lumit Shalë, afer fshatit Theth, ku përfundon lugina, që rrethohet me malet e larta nga të gjitha anët.

Shala kufizohet, sipas rajonit tradicional të fisit, në perëndim me Bogën, Shkrelin dhe Planin përtej maleve, në veri me Kelmendin matanë maleve, në lindje me Krasniqen dhe Nikajn përtej maleve dhe në jug me Shoshin. Ngulimet kryesore të Shalës janë: Abati, Bregluma, Gimaj, Lekaj, Lotaj, Ndërlysa, Nënmavriqi, Pecaj,Thethi dhe Vuksanaj.

Popullata

Emri Shala paraqitet në gjuhën italiane në raportin kishtar të Bonaventura di Palakolo nga Verçelli në Pied¬mont, më 1634. Ai e quante këtë rajon Sciala. Në raportin e tij kishtar, të vitit 1671, vizitori papnor në Shqipëri, Pjetro Stefano Gasparini, e përdori fjalën Sala dhe shënoi:

“Në këtë anë të malit Agri, në fund të Pulatit të Epërm, gjendet fshati i Shalës, që përbëhet nga 32 shtëpi dhe 20 frymë. Ata janë të fortë dhe të armatosur, si me kushtet fizike ashtu edhe me pozitën e tyre janë tërësisht të pavarur. Ata i sulmojnë pareshtur rajonet fqinje turke dhe pothuajse, gjithmonë kthehen si ngadhënjyes.

Në hartën e vitit 1688, të hartografit venedikas, Francesko Maria Koronelli, ky truall quhet Scialia. Ai, në hartën e vitit 1821, të diplomatit francez Ygë Pukvill, paraqitet edhe si Scialia. Thuhet se ky term ka të bëjë me fjalën shqipe shalë, shalësinë, që do të thotë “tokë jopjellore dhe e thatë“. Por ky shpjegim nuk është aq bindëse nga pikëpamja etimologjike, sepse Shala është një ndër vendet e pakta në malet e veriut që është e pëlleshme dhe nuk është e thatë.

Shala është një fis që përbëhet nga një bashkësi që është e vetëdijshme për lidhjet e përbashkëta të gjaku, të historisë dhe të stërgjyshit.

Shala ka lidhje të ngushta me fisin e Shoshit. Te dy fiset janë kryesisht katolike dhe nuk kanë lejuar që të vendoset asnjë mysliman në luginë. Mbrojtësi i shenjtë i Shalës është Shën Gjoni, Evangjelisti, festa e të cilit kremtohet më 27 dhjetor. Megjithatë, siç ishte edhe rasti me fisin Nikaj, shumë pjesëtarë të fisit u kanë dhënë fëmijëve emra myslimanë. Famullia katolike e Shalës është themeluar më 1763, ndonëse disa herë është braktisur gjatë historisë. Fisi Theth është bërë famulli e pavarur më 1892.2
Shala e kremton edhe festën e Shën Mikelit, më 29 shtator, me prerjen dhe pjekjen e një dashi në hell. Para darkës, në vigjilje të festës së Shën Mikelit, në meshë ndizet një kandil dhe pas lutjeve shtrohet darka për nder të të shenjtit. Dikush nga familja duhet të bëjë roje tërë natën deri të nesërmen, për të siguruar që kandili të mos shuhet.

Nëse shuhet kandili, atëherë fati i lig do ta njollosë tërë familjen. Në: “Informata të shkurtra për fiset e Shqipërisë së veriut, veçanërisht të Malësisë së pavarur“, të botuar më 1841, Nikollai, Princi i Vasojeviqëve, pohon se Shala ka një popullatë prej 4000 banorësh,prej të cilëve 1000janë burra të armatosur.3 Hajsint Hekardi, në gjysmën e parë të shekullit nëntëmbëdhjetë, raportonte se Shala kishte 275 shtëpi dhe 2500 banorë. Në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë, thuhet se kjo trevë kishte 3000 banorë.4

Inxhinieri austriak, Karl Shtainmetc, i cili në gushtin e vitit 1903, i ka bërë vizitë rajonit të Shalës, ka lënë këtë vërejtje:

“Shala është fisi më i fortë dhe më i njohur në Malësinë katolike. Përbëhet nga 500 shtëpi dhe afro 4500 frymë.
Anëtarët e këtij fisi u përmbahen me një saktësi të madhe gjakderdhjes dhe tokave të yjetra. Dëshmia më e mirë për këtë janë ndërtesat e shembura të cilat i pashë derisa po kaloja rrugën nëpër këtë territor. Ky fis i ka lidhjet e ngushta me fisin e Shoshit, i cili jeton në pjesën jugore të luginës. Në tërë këtë luginë ka tre misionarë: njëri është në Abat, tjetri në Shosh dhe i fundit, që nga viti i kaluar, në Theth. Bajraktari i Shalës jeton në Pecaj, në truallin e Abatit.“5

Tani në Kosovë, pjesëtarët e fisit të Shalës janë të përqendruar kryesisht në rrethinat e Mitrovicës dhe të Trepçës, në rajonin kodrinor që i thonë Shala e Bajgorës. Bajgora është ngulimi më i madh i tyre, meqë ka 37 vendbanime. Ata ndahen në 4 klane ose vllazni: Gima, Peci, Maleti (ka farefisni me fisin Lotaj në Shqipëri) dhe Lopçi. Po kështu ka një numër të konsiderueshëm të anëtarëve të fisit të Shalës në Isniq, te Lluka e Epërme dhe në Strellcin e Ulët afër Deçanit, në Ujëmirë në lindje të Klinës, në Kopiliqin e Epërm në Drenicë, në Rakosh dhe Çitak në Podgor dhe në disa fshatra të tjerë të luginës së epërme të Lepencit. Ç eshtë e vërteta, në numra më të vegjël, ata janë të pranishëm në mbarë Kosovën. Shumica e tyre e kanë ruajtur ndjenjën e përkatësisë fisnore.

Legjendat për fisin, stërgjyshërit dhe historia

Stërgjyshi legjendar i fisit të Shalës quhej Zog Diti, i biri i Dit Murrit dhe nipi i Murr Detit, i njohur po ashtu si Murr Dedi. Vëllai i Zog Ditit, Mark Diti, ishte stërgjyshi i fisit të afërm të Shoshit, ndërsa vëllai i tij, Mir Diti, konsiderohej si i pari i fisit të Mirditës.

Sipas një tradite tjetër orale, të ngjashme me këtë, stërgjyshi i parë i Shalës quhej Nik Gjeku, i biri i Gjek Murrësit dhe nipi i Murr Dedid. Nik Gjeku pati katër djem: Pec Nika, Lot Nika, Lek Nika, dhe Ded Nika. Tre të parët themeluan ngulimet në Pecaj, Lotaj dhe Lekaj. Pasardhësit e Pec Nikës, më vonë, themeluan disa vendbanime me emrin pak të ndryshuar, Nicaj.

Mirëpo, ndonëse kjo traditë nuk është aq e njohur, tradita orale e përshkruan Shalën me prejardhje nga një individ i quajtur Bal Shiroka.

Shala përbëhet prej katër bajraqeve: Thethi, Pecaj, Lothaj dhe Lekaj; tre bajraqet ishin ndarë rreth vitit 1530. Të tjerët e ndajnë Shalën në tre bajraqe: vet Shala në lindje të bregut të lumit Leshnica, Gimaj dhe Thethi; këto dy fise të fundit nganjëherë konsiderohen si fise të pavarura.12 Edith Durhami, bie fjala, shkruan se bajraku i Thethit përbëhet prej 180 shtëpive.13 Edhe bajraku i Gimajt, zakonisht, konsiderohej si pjesë e Shalës, por herë pas here e konsideronte vetën të pavarur.

Shaljanët njihen në mesin e fiseve malësore për dinakëri dhe dredhi, ashtu si thotë fjala popullore “Menja e Gashit, syni i Krasniqes, inati i Berishës, trimnia e Kelmenit, dredhia e Shaljanit, gjarpnia e Thaçit”./ KultPlus.com

Ekspozita në Paris zbulon detaje mbi jetën e ikonës franceze, Simone Veil

Një ekspozitë e hapur në Paris ka zbuluar dokumente të pabotuara më parë në lidhje me jetën e një prej grave më të jashtëzakonshme të Francës.

Simone Veil e lindur në Nicë në vitin 1927, ishte një e mbijetuar e Holokaustit, në të cilin ajo humbi prindërit e saj, shkruan Euronews, transmeton KultPlus.

Pas shumë vështirësive, ajo u bë ministre qeveritare dhe bëri fushatë që aborti të bëhet i ligjshëm – gjë që edhe u arrit në vitin 1974.

Constance de Gaulmyn, kuratore në Arkivat Kombëtare dhe përgjegjëse për koleksionin e Simone Veil, tha se ka shumë dokumente të pabotuara që do të paraqiten për herë të parë.

“Ka shumë dokumente të pabotuara që nuk janë nxjerrë kurrë nga arkivat dhe të cilat po i paraqiten publikut për herë të pare. Disa prej tyre janë prezantuar në formën e librave, riprodhime në libra që janë botuar së fundmi dhe këtu vizitori do të ketë mundësinë t’i shohë ato në formën e tyre origjinale, për të marrë koha për t’i lexuar ato, për të parë se si shkruan Simone Veil”.

Ekspozita në H detel de Ville, e titulluar “Të duam, zonjë”, mbledh së bashku gati 500 dokumente nga një jetë e zhytur në beteja dhe fitore për të drejtat e grave.

Simone u bë Presidentja e parë femër e Parlamentit Evropian në vitin 1979.

Ekspozita  do të mbahet e hapur deri më 21 gusht. / KultPlus.com