Teatri i Prizrenit në përvjetorin e vdekjes së Bekim Fehmiut hedh lule në Lumbardh

Sot, në 11 vjetorin e kalimit në amshim të aktorit kombëtar me përmasa ndërkombëtare, Bekim Fehmiut, stafi i teatrit të qytetit të Prizrenit, “Bekim Fehmiu” nderoi figurën e këtij kolosi duke hedhur lule në Lumbardh në shenjë kujtimi e nderimi të figurës madhështore të tij, përcjell KultPlus.

Ndër të tjera, drejtori i këtij teatri, Fetah Paçarizi, potencoi se më 1 qershor, në ditën e lindjes së Fehmiut dhe njëherësh ditën ndërkombëtare të fëmijëve, teatri për nder të aktorit ka realizuar premierën e shfaqjes për fëmijë ‘Ok natyrë’.

Poashtu, ai u pohoi se teatri i Prizrenit ka nderin dhe privilegjin që mban këtë emër./ KultPlus.com

Ngordh luani më i famshëm i Afrikës

Kenia është në zi pasi një nga simbolet e viteve të fundit të këtij vendi ka ngordhur në moshën 14-vjeçare. Bëhet fjalë për luanin Scarface, më i famshmi i vendit afrikan.

“Scarface nuk është më. Ngordhi në paqe, pa hiena rreth tij. Masai Mara humbi një nga ikonat e saj. Legjenda e tij rroftë përjetë”, lexohet në postimin e Programit të Ruajtjes së Grabitqarëve në Mara (MPCP).

Ky luan dominonte 400 km katrorë në Masai Mara, ku mendohet se jetojnë 850-900 luanë, dhe ishte më i vjetri mes tyre.

Fotografi Randall Ball, i specializuar në botën e egër afrikane, u shpreh: “Njerëzit vinin në Kenia vetëm për të parë Scarface. Është një nga luanët më të fotografuar në botë”./ KultPlus.com

Gjesti i Ronaldos ia humbi Coca Colas 4 miliardë dollarë në aksione

Ylli portugez Cristiano Ronaldo, të hënën mbrëma mbajti konferencë për media para ndeshjes Portugali – Hungari, që ka nisur në orën 18:00.

Ronaldo me t’u ulur në tavolinë, kishte para vetes dy shishe të pijes së gazuar Coca Cola dhe i largoi ato, duke ngritur lart shihen me ujë të thjeshtë dhe duke porositur: ”Pini ujë”.

Gjesti i tij nuk ishte vetëm simbolik. Me këtë ai ndikoi që aksionet e kompanisë amerikane të bien në bursë, nga 56.10 dollarë në 55.22 dollarë, përkatësisht 1.6 për qind.

Ronaldo njihet për jetë të shëndetshme. Por jo të gjithë në shtëpinë e tij e ndjekin shembullin e tij, sidomos jo djali i tij i madh.

“Do të shohim nëse do të bëhet futbollist i madh. Nganjëherë pinë Coca Cola dhe ha patatina, kjo më nervozon së tepërmi”, pati thënë Ronaldo./kohanet/ KultPlus.com

“Rrugë në Venecia” skica e vitit 1992 nga piktori Vangjush Mio, në fondin e GKA

“Rrugë në Venecia” është një punë e piktorit Vangjush Mio, që i takon vitit 1922. Vepra është pjesë e koleksionit të Galerisë Kombëtare të Arteve. GKA ka publikuar në faqen e saj një foto të veprës, që është punuar laps në letër.

Vangjush Mio gjatë gjithë jetës mori pjesë në shumë ekspozita në mbarë vendin, madje në vitin 1942 edhe në Bari të Italisë. Ekspozita e fundit e organizuar prej tij, ishte një retrospektivë e punimeve e cila u zhvillua në nëntor të vitit 1957 në Tiranë. Pak ditë më vonë, më 30 dhjetor 1957, Mio vdiq në Tiranë.

Vangjush Mio (3 mars 1891 -30 dhjetor 1957) “Piktor i Popullit”, ishte një piktor impresionist shqiptar. Mio lindi më 3 mars 1891 në Korçë. Në vitin 1908 për shkaqe ekonomike ai u detyrua që bashkë me vëllanë të largohet për në Bukuresht. Ishte anëtar aktiv i kolonisë së artistëve shqiptarë në kryeqytetin e Rumanisë dhe në vitin 1915 filloi studimet për Arte të Bukura në Universiteti Kombëtar të Arteve në Bukuresht.

Në vitin 1919 mbaron studimet me sukses dhe në të njëjtin vit hap ekspozitën e parë personale në Bukuresht. Në vitin 1920, ai u kthye për disa muaj në vendlindjen e tij ku ekspozoi edhe punimet e tij. Kjo ishte ekspozita e parë artistike për publikun në gjithë Shqipërinë. Në shtator të po të njëjtit vit ai u largua për në Romë.

Si admirues i madh i impresionizmit italian të shekullit XIX dhe fillim shekullit XX, ai u regjistrua në Akademinë mbretërore të Shën Llukës (San Luca). Sidoqoftë, problemet ekonomike e shtrënguan atë të ndërpresë studimet dhe të rikthehet në Korçë. Falë një burse shtetërore, ai mundi të rivazhdojë studimet në Romë të cilat i përfundoi më 1924. Temat e tij të parapëlqyera i merrte nga Korça, Pogradeci dhe rrethinat, por ai përjetësoi në punimet e tij edhe qytete të tjera si Tirana, Elbasani, Himara, Berati dhe Gjirokastra. Përveç peizazheve, Mio ishte brilant edhe në pikturimin e portreteve./ KultPlus.com

Rikthehet pas 5 vitesh shkëputje festivali i kukullave në Pogradec

Festivali i famshëm i kukullave në Pogradec “Xinxifilo” rikthehet sërish pas 5 vitesh shkëputje për spektatorët dhe sidomos fëmijët.

Qendra Kulturore Lasgush Poradeci tashmë ka çdo gjë gati për të vënë në skenë të gjitha shfaqjet që do të jenë pjesë e festivalit 4 ditor në qytetin liqenor.

Por ndryshe nga vitet e kaluara këtë vit pjesë e festivalit do të jenë vetëm trupat teatrore të Shqipërisë.

Eritan Kamolli, drejtor i Qendrës Kulturore “Lasgush Poradeci”, tha se “festivali ka krijuar tashmë një traditë. Këtë vit do të ketë një pjesëmarrje kombëtare nga trupa e Tiranës, Elbasanit, Korçës, Vlorës, Beratit e Gjirokastrës”.

Sipas tij, festivali e çel siparin me trupën e Pogradecit dhe fëmijët do të kenë mundësi të ndjekin shfaqet çdo ditë gjatë katër ditëve të këtij eventi, nga ora 10:00 e paradites dhe ora 17:00 e pasdites.

“Shfaqet janë me tematika të ndryshme me aspekte edhe nga jeta e përditshme, që do të tërheqin vëmendjen dhe kureshtjen e vogëlushëve”, – tha Kamolli.

Ndërsa Burinilda Shkurti, një nga aktoret e cila ka qenë pjesë e festivalit në 15 edicione dhe rikthimi i këtij festivali është një emocion i veçantë.

Shkurti tha se ndihej e emocionuar dhe njëherazi e gëzuar që rikthehen në skenë me shfaqje kushtuar fëmijëve.

“Xinxifilo” është një festival kukullash i cili ndër vite ka bërë bashkë trupat e aktorëve jo vetëm nga Shqipëria, por edhe Ballkani, këtë vit për shkak edhe të pandemisë nuk u arrit që këto trupa të ribashkoheshin.

Festivali starton mbrëmjen e 16 qershorit./atsh/ KultPlus.com

Bekim Fehmiu e kishte lënë testament që kjo poezi të recitohej në mbledhjen komemorative

“Njeriu këndon pas luftës” nga Dushan Vasiljev, për të cilën Bekim Fehmiu e kishte lënë testament që të recitohej në mbledhjen komemorative në Prishtinë.

Unë kam shkelur në gjak deri në gju
Dhe ëndrra më nuk kam.
Motra ime është shitur, nënës flokët e thinjur ia kanë prerë
Unë nuk kërkoj hise në këtë botë lavire dhe të baltosur.
Unë jam i etshëm për ajër, qumësht
Dhe për këtë vesë të bardhë mëngjesi.
Unë kam shkelur në gjak deri në gjunjë
Dhe nuk kam ditur pse?
Vëllanë armik të madh e kam quajtur
Dhe jam sulur në errësirë përpara duke klithur
Dhe atëherë edhe Zoti, edhe njeriu, edhe istikami
Fluturojnë në ferr.
Dhe sot i qetë shikoj se si cikërrimtari zgjeban
Të dashurën grua ma përqafon
Se si vërshima pullazin ma shpartallon
Dhe nuk kam dëshirë e as fuqi që t’i hakmirrem.
Oh, më jepni vetëm një grusht ajër dhe qumësht
Dhe pakëz vesë,
Vesë të bardhë mëngjesi
Të tjerat i paqit për nder. / KultPlus.com

‘Tri mendje në ankand’, me premierë në teatrin e Mitrovicës

Në teatrin ‘Muharrem Qena’, në qytetin e Mitrovicës, do të jepet premiera e komedisë ‘Tri mendje në ankand’, shkruan KultPlus.

Me autor Ferdinand Hysin dhe me regji të Marigona Bekteshi Ferati, ‘Tri mendje në ankand’, do të jap premierën këtë të enjte me fillim nga ora 19:30.

Në këtë shfaqje luajnë aktorët; Mirsad Ferati – Inxhinier, Fatmir Haliti – Historian Artan Hetemi Snupa TC – Fizikant,  Blerina Veseli – Popi/Populli, Rabije Kryeziu – Infermiere e Çmendinës, Mehmet Preteni – I huaji dhe Mirsad Ferati.

Tre intelektual, profesor, politikan, përfaqësues të shoqërisë civile dhe shtetërore, të mbyllur në çmendinë se bashku me Popin, që përfaqëson ‘Popullin’.

Një tranzicion i cili nuk ndodhë kurrë.

Në anën tjetër, një infermiere e rrethuar me të ‘çmendur’.

Më vonë ‘Çmendinën’ e vizitojnë të ‘Huajt’ dhe i mësojnë ‘Intelektualët’ dhe ‘Popullin’ se si të përdorin ‘oturaket’ ” e tyre për ti mbyllur vrimat e çmendinës, nga të cilat  i’u vijnë të këqijat.

Situata komike dhe personazhe të jashtëzakonshme që do vijnë nga ‘Dhoma nr.13’, në teatrin e Mitrovicës./ KultPlus.com

Selvije Sylejmani i dhuron Muzeut Etnologjik ‘Janin’ 60 vjeçar, historia e të cilit fillon në Kumanovë

Muzeut Etnologjik në Prishtinë ka pasuruar koleksionin e tekstilit dhe fondin muzeor me ‘Janin’ e dhuruar nga Selvije Sylejmani, shkruan KultPlus.

Këtë e ka bërë të ditur Ministra e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nëpërmjet një postimi në Facebook.

“Tani eksponateve që gjenden këtu, i është shtuar edhe një e tillë, e dhuruar në mënyrë vullnetare nga Selvije Sylejmani”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës.

Historia interesante e ‘Janit’ mbi 60 vjeçar fillon në Kumanovë, vazhdon në Luginën e Preshevës dhe përfundon rrugëtimin në Prishtinë, duke zënë vend në dhomën e shtëpisë së shek. XVIII të Muzeut Etnologjik.

“Jani tashmë është pjesë e ekspozitës, dhe do të vazhdojë tregimin bashkë me eksponatet tjera të Muzeut, gjithnjë duke i shërbyer shoqërisë dhe edukimit të brezave të ardhshëm”, thuhet tutje në njoftim.

Muzeu Etnologjik që ngelet nga nga vendet më të veçanta për të u vizituar, për vizitorët është i hapur që nga e marta e deri të shtunave, prej orës 10 deri në 16:30./ KultPlus.com

May be an image of indoor
May be an image of indoor

Makina e Bekim Fehmiut që gjendet në Prizren, ka mbetur në mëshirën e fatit

Burim Myftiu nga Prizreni vite më parë pati zbuluar se posedon makinën PEZHO 404 të cilën më 1968, aktori kosovarë me famë botërore, Bekim Fehmiu nga honorari i serialit “Tv Odiseja” ia kishte blerë nënës së vet Hedijes, që të mund ta vizitojë Bekimin kudo që ai xhiron, përcjellë KultPlus.

Myftiu thotë se makinën që nga vëllezërit e Bekimit e ka marrë më 1996 e ka shfrytëzuar disa vite por që nga përfundimi i luftës, ajo është në gjendje të mjerueshme dhe kërkon riparim të jashtëm. Makina gjendet në oborrin e shtëpisë së tij në Prizren dhe shpreh gatishmërinë që atë dhuroj për ekspozim në ndonjë hapësirë në qendër të Prizrenit apo në kuadër të Muzeut kushtuar Bekim Fehmiut, që do të duhej të hapej në këtë qytet, si shenjë kujtimi të aktorit të madh.

“Për riparimin do të duhej të shfaq interesim Komuna e Prizrenit apo edhe firmat private e individ. Të interesuarit le të lajmërohen personalisht mua në Messenger”, pati shkruar Myftiu me shpresë se makina do të merrte trajtimin e duhur e do të zinte vendin e merituar.

Edhe sot, Burim Myftiu ka konfirmuar për KultPlus se situata është e njëjtë edhe më tej, dhe se për ruajtjen dhe investimin në këtë makinë të aktorit të madh Bekim Fehmiu, është duke pritur nga institucionet kulturore në nivel qëndror, por edhe nga Komuna e Prizrenit.

Por, kjo makinë e Bekimit deri më tani ka mbetur në mëshirën e kohës. Nga Komuna e Prizrenit është premtuar se makina do të riparohet e do të ekspozohet në qendër të qytetit, por kjo ende nuk ka ndodhur! / KultPlus.com

Antikuarë të rrallë nga Arkiva e Shtetit ekspozohen tek Kalaja e Tiranës

Në mjediset e Kalasë së Tiranës është çelur sot ekspozita “Thesare nga Biblioteka e Arkivit”.

Të pranishëm në këtë ekspozitë të organizuar nga Drejtoria e Arkivave të Shqipërisë ishin edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe drejtori i Arkivit Qendror, Ardit Bido.

Interesant nga kjo ekspozitë vjen fakti që materialet e ekspozuara deri para një viti ndodheshin të magazinuara në thasët e Arkivës megjithëse vlera e tyre si letrare, por edhe historike është e rrallë. Tashmë ato jo vetëm që kanë dalë në dritë por edhe janë bërë pjesë e projektit të digjitalizimit të materialeve me vlerë të arkivit. Tashmë ato mund të aksesohen nga të gjithë nxënësit, qytetarët apo edhe studiuesit e ndryshëm vetëm duke klikuar në faqen e internetit të Arkivit.

Në këto materiale gjenden botime të vjetra që lidhen me historinë, shkencën, botime fetare, letërsinë, fjalori i Sami Frashërit etj., që janë të shkruara në përgjithësi në “Osmanishte” por edhe në “Greqishte”. Këto materiale janë klasifikuar edhe si shumë të rëndësishme, ndaj edhe ndodhen këtu në këtë ekspozitë. Këtu do të gjenden të ekspozuara edhe antikuarë që i përkasin vitit 1600.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për dy ditë ku mund të shihen thesare që nuk mund të shihen herë tjetër.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se e kishte pranuar me shumë kënaqësi ftesën, pasi jo vetëm që kalaja e Tiranës kthehet edhe njëherë si një ambient argëtimi, por edhe hapësirë që flet për artin dhe historinë.

“Gjithashtu edhe për faktin që këto thesare përçojnë vlera të rralla dhe dëshira që kemi ne për t’i parë. Zbulova që nga Arkiva e Shqipërisë është bërë një punë kolosale gjatë vitit të pandemisë duke nxjerrë në pah një bibliotekë të fjetur prej 30 vjetësh. Tashmë janë të digjitalizuar një numër prej 15 mijë titujsh. Arkiva është kthyer si një hapësirë e hapur dhe jo vetëm ku ruhen vlera dhe kjo është bërë duke afruar sa më shumë kategori të ndryshme për ta vizituar. Edhe ne në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare gjatë pandemisë kemi nxjerrë në dritë thesare të rralla të fshehura dhe që na përkasin të gjithëve ne. Nëse nuk do ta bënim këtë gjë, ne nuk do të kishim bërë punën tonë”, theksoi ajo.

Ndërsa drejtori i Arkivave, Ardit Bido falënderoi Ministren e Kulturës, e cila, siç tha ai, ”gjendet gjithmonë krahë ekipit tonë, pavarësisht se ne nuk kemi lidhje administrative”.

“Gjysma e punës së arkivit lidhet me kulturën, kështu që bashkëpunimin  dhe mbështetjen e vlerësoj. Edhe “Kalaja e Tiranës” na ka dhënë një ndihmë për hapësirën që na siguron për punën tonë. Këto antikuarë janë vlerë e kombit tonë e cila ka qenë e fshehur dhe tashmë është e aksesueshme prej të gjithëve. Këto ekspozita kanë vlera të rralla, sepse të magjepsin dhe sjellin sa më afër publikun. Po përpiqemi që t’iu ofrojmë të interesuarve të gjitha materialet të cilat ata kanë interes dhe t’i kenë të disponueshme të gjitha si një “One stop shop”. Ne këtu kemi kopje të cilat janë unike në vendin tonë duke datuar nga shekulli XVI dhe janë pasuri e veçantë. Jam i sigurt që do të mahniteni, sikurse kemi bërë ne kur i kemi parë për herë të parë”, tha Bido./atsh/ KultPlus.com

Merret vendimi, me këtë datë përfundon viti shkollor

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka ndryshuar datat e përfundimit të vitit shkollor për këtë vit.

Sipas një vendimi të MASHT-it, që e ka nënshkruar sot ministrja Arbërie Nagavci, parashkollorët, klasat e para dhe të teta do të përfundojnë mësimin më 2 korrik.

Ndërsa klasat e 9,10,11 e përfundojnë mësimin me 21 qershor.

Në ndërkohë sipas vendimit paraprak, pushimi veror për nxënësit maturantë pushimi do të fillonte me 03.06.2021, për klasat 9,10,11 me 25.06.2021 ndërsa për klasat parafillor dhe 1-8 pushimi  me 08.07.2021.

“Bazuar në Udhëzimin Administrativ, “Kalendari Shkollor 2020-2021” dhe vendimin 01B/02 të datës 31.03.2021, “Për ndryshimin e Kalendarit të vitit Shkollor 2020-2021 në Arsimin Parauniversitar”, pushimi veror për nxënësit maturantë ka filluar me 03.06.2021, për klasat 9,10,11 pushimi fillon me 25.06.2021 ndërsa për klasat parafillor dhe 1-8 pushimi fillon me 08.07.2021”, thuhet për përgjigjen e MASh-it./Express / KultPlus.com

Vendimi i plotë:

Të enjten përurohet libri “Pikturë me fjalë” nga Lumnije Berisha, në fokus komunitetin e personave me aftësi të kufizuara

Libri ‘’Pikturë me fjalë’’ nga Lumnije Berisha vjen në zhanrin publicistik dhe përmban gjithsej 18 intervista me personalitete të ndryshme dhe tematikat që trajtohen në këtë libër në qendër kanë komunitetin e personave me aftësi të kufizuara, me ç’rast përurimi i tij bëhet të enjten në KultPlus Caffe Gallery duke filluar nga ora 19:00, shkruan KultPlus.

Ky libër është cilësuar si mjaft produktiv me të cilin do të shërbeheshin studentët, familjarët e këtyre personave, por pse jo edhe përgjegjësit e institucioneve përkatëse. Ndërsa, ndër të intervistuarit janë: Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Arbërie Nagavci, eksperti i arsimit gjithëpërfshirës Gëzim Rexha, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi, psikologja klinike Mimoza Shahini, ish Avokati i Popullit Hilmi Jashari, dy nëna të cilat kanë fëmijë me aftësi të kufizuara, etj.  

Lumnije Berisha u lind në Dardanë. Studimet për Gazetari i mbaroi në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kurse studimet Master në drejtimin “Komunikim Masiv dhe Gazetari”, i përfundoi në Kolegjin AAB, ku mori titullin MA me temën “Qasja e institucioneve dhe e mediave ndaj personave me aftësi të kufizuara në Kosovë”, e cila më pas u bë libri i saj i parë.

Që nga viti 2013 është autore e emisionit me tematikë sociale “Për një botë më të mirë”, në Radio Kosovë. Gjithashtu, një periudhë kohore e ka drejtuar edhe emisionin “Kaleidoskop”, po në Radio Kosovë, në të cilin ka trajtuar tema të ndryshme me personalitete të shquara shqiptare.

“Pikturë me fjalë”, është libri i saj i dytë. / KultPlus.com

Ndërlidhja e muzikës instrumentale me atë vokale mbrëmë solli një natë sublime në Chopin Piano Fest

Era Berisha

Depërtimi i thellë në emocione të papërshkrueshme të cilat janë të vendosura pikërisht në brendësinë shpirtërore, erdhi pikërisht nga mbizotërimi i dy zërave të njohur shqiptar si: sopranoja Marjana Leka dhe tenori Armaldo Kllogjeri ku së bashku me pianisten kosovare Lejla Pula, mbrëmë atmosfera në Chopin Piano Fest u lëkund në madhështinë hyjnore të melodive dhe kompleksitetin e magjishëm të ndërlidhjes së interpretimit instrumental dhe vokal me ç’rast performimi në romancat, ariet, duetet operistike si dhe këngët e bukura shqipe përcollën ndjenja të fuqishme, energjia e së cilave la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e të pranishmëve, shkruan KultPlus.

Tash e katër net, Salla e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare ka mbledhur rreth vetes një numër të madh artdashës të muzikës klasike. Skena që veçse është e njohur për publikun, dje erdhi me disa ndryshime të vogla. Njëra nga dritat e ngrohta që zakonisht është e vendosur në skajin e majtë të sallës tani qëndronte mbi skenë për të vënë në pah ende më shumë lojën mjeshtërore të pianistes Lejla Pula. Kurse, dritat ngjyrë vjollcë dhe lulet shumëngjyrëshe në skenë ishin dy veçanti që i shtonin një hijeshi unike ambientit.

Po ashtu, për të pranishmit prezent ishte edhe një libër që përmbante fakte dhe informacione tejet të veçanta për pjesëmarrësit në edicionin e 11-të të Chopin Piano Fest. Andaj, para se koncerti të fillonte, publiku pati rastin që të informohet rreth atyre që pas pak do të dilnin në skenë për ta pushtuar atë pa mëshirë me zëra që ngërthenin në vete talentin e mirënjohur të tyre.

Hapjen e festivalit Chopin Piano Fest e nisi drejtoresha organizative e festivalit Besa Luzha e cila u shpreh se ndjehet mjaft e kënaqur që mbrëmë atmosfera po ndërronte pak me inkuadrimin e dy zërave që vinin mysafirë nga Shqipëria e bashkë me profesoreshën Lejla Pula. Ajo tutje theksoi se ngjarja është njëra nga eventet që shënon 22 vjetorin e Ditës së Çlirimit të Prishtinës.

Në skenë me një hijeshi të pakrahasueshme doli pianistja Lejla Pula e cila nisi koncertin me një interpretim pianistik  të veprës ‘Vocalise op.34 nr.14’ nga kompozitori i njohur rus Sergei Rachmaninoff. Ky interpretim erdhi si homazh për viktimat e pandemisë dhe dëshmorëve për Çlirimin e Prishtinës e të Kosovës dhe u shoqërua me një heshtje absolute të publikut ku pianistja e gjallëroi kompozimin e shkruar duke i dhënë jetë në skenë. Performimi i saj bëri që të gjitha njohuritë muzikore, vizionin personal të muzikës dhe imagjinatën e njeriut ta rrotullojë vazhdimisht nën zgavrën e melodive dhe tingujve që buronin nga gishtërinjtë e saj.

Luhatjet e vogla të kokës, ritmi dhe dinamika e trupit të pianistes bënin që edhe flokët e saj që ngjasonin me valët e detit të dilnin nga kontrolli dhe së bashku me shpirtin e saj, mbrëmë shpërthyen melodi e tinguj nga ato më të butat e deri tek ato të vrazhdat që vazhdimisht buronin nga çelësat bardh e zi të pianos të cilat për 1 orë e gjysmë u mbizotëruan nga talenti i saj. Përvoja e saj e gjatë në interpretimin pianistik ka kaluar edhe nevojën për hapësirë të nevojshme të frymëmarrjes ku në fakt tërë qenia e saj ishte shndërruar në një frymëmarrje të vetme që i dhuronte frymë secilit nga ne.

Në ndërkohë, ndryshe nga çdo natë tjetër ku tingujt e pianos kanë dominuar netët e festivalit, mbrëmë në skenë për t’iu bashkangjitur pianistes Lejla Pula, doli tenori Armaldo Kllogjeri i cili fillimisht vendosi dorën mbi piano për të krijuar një kombinim ende më të veçantë. Ai solli vepra nga më të ndryshmet që i përkasin kompozitorëve botërorë dhe shqiptarë duke dëshmuar kështu vlera të larta artistike. Zëri i tij i lartë ishte një zë që këndonte midis baritonit dhe alto dhe që nga fillimi e deri në fund, futi publikun në një lojë vokale ku ai në njëfarë mënyre po shprehte një hidhërim verbalisht dhe njëkohësisht edhe emocione aspiruese.

Notat e tij të larta posedonin një timbër të shkëlqyeshëm dhe e futnin publikun në një drithërimë të papërshkruar. Aftësitë e tij të interpretimit vinin në dy aspekte magjike: tmerruese e të ëmbël dhe gërshetimi i tyre arrinte në një tingëllimë ku emocionet e ftohta therrëse që pasonin nga thellësia e shprehjeve të fytyrës të tij jepnin një iluzion se me zërin e tij të fortë ai mashtronte rrëqethet e trupit të publikut duke i manipuluar ato me meloditë që befas kaplonin atmosferën si një vetëtimë e zhurmshme që vazhdimisht bubullonte në ajër.

Pastaj, eleganca e natës së mbrëmshme erdhi në formë tjetër, ku sopranoja Marjana Leka me një delikatesë të lezetshme hedhte hapat në drejtim të dy talenteve tashmë të pranishëm në skenë. Leka magjepsi dhe joshi publikun me një zë që pothuajse shpoi daullet e veshit të të pranishmëve me mprehtësinë e zërit të lartë që u shpalos jashtëzakonisht bukur. Vokali i saj që herë lëvizte nën butësinë fisnike e herë në një fuqi voluminoze ku karakteristika e veçantë e saj ishte zëri i kristaltë që tërë kohën gozhdoi publikun në vend duke rrëmbyer vëmendjen e tyre për mos ta lëshuar atë gjatë gjithë natës.

Kryevepra e natës së mbrëmshme ishte ndjesia që furishëm depërtoi te publiku i cili nuk pati kohë të rikuperonte veten deri në fund të natës. Kjo ndjesi erdhi nga kënga ‘’Lule borë” nga kompozitori shqiptar Simon Gjoni, një vepër kjo që papritur mahniti rrahjet e zemrave të pranishme duke i futur ato në grackën e melodive të cilat krijuan gulçime tek publiku. Zëri i kombinuar i tenorit dhe sopranos që u shoqërua nga interpretimi pianistik përnjëherë la gjurmë të virtytshme në atmosferë duke sjell duartrokitjet e publikut ende pa mbaruar vepra.

Inkuadrimi i publikut në pjesën e dytë të koncertit ishte një sheqerkë e domosdoshme që u shkri tërësisht në interpretimin e tri talenteve në skenë. Duartrokitjet e publikut në koordinim me rimtin sollën emocione dhe ndjenja që kishim kohë pa i ndjerë thellësisht e për të cilat çdo herë malli rritet e rritet për t’i dëgjuar e përjetuar secilën herë më ndryshe.

Kështu, krejt në fund, vepra e cila përmbylli natën në mënyrë fenomenale ishte kënga ‘’Po t’jemi bashkë ne të dy’’. Kjo këngë e dëgjuar sa e sa herë përmes zërave më të njohur shqiptar, mbrëmë erdhi nga dueti i Kllogjerit dhe Lekës, të cilët portretizuan pikërisht kuptimin e këngës e cila shpalos dialogun mes dy të dashuruarve që ëndërrojnë për bashkim. Interpretimi i tyre i ngrohtë dhe aq i afërt erdhi në një nivel që nuk kishte vend për definim. Emocionet dhe ndjenjat që u ngjallën tek dëgjuesit ishin me të vërtetë madhështore duke verbuar kështu dritën e syve tanë në errësirën shumëngjyrëshe të melodive e tingujve që buronin nga brendësia shpirtërore e tenorit, sopranos dhe pianistes në skenë.

Krahas veprave të kompozitorëve shqiptarë, në skenë u interpretuan edhe disa nga vepra që rrallë dëgjohen nga publiku shqiptar e që janë në kuadrin e nivelit botëror si: ‘’Torno a Surriento’’, ‘’Dicitencello vui’’, ‘’Granada’’, ‘’Sogno’’, ‘’Vorrei morire’’, ‘’E lucevan le stelle”, ‘’Song to the moon’’, ‘’Nessun Dorma’’, ‘’Tace il labbro’’ dhe ‘’Brindisi’’, duke dëshmuar kështu se ndërlidhja e muzikës instrumentale me atë vokale krijuan një natë sublime që vështirë se harrohet dot.

Pas këtyre performancave të shumta ku secila erdhi në një frymë të shquar e ëmbëlsisht trullosëse, duartrokitjet dhe brohoritjet që tashmë ishin pjesë kyçe e atmosferës që nga fillimi i interpretimit të veprave shqiptare erdhën nga publiku i cili në fund u ngrit në këmbë për pesë minuta rresht dhe nuk pushuan së ndaluri interpretimin që u shoqërua me buzëqeshjet e ngulitura në fytyrat e tyre e që ishin të njëjta me ato të tre performuesve të cilët skenën e mbushën me buqeta lulesh të shumta.

Për të folur më shumë rreth natës së mbrëmshme, për KultPlus foli sopranoja Marjana Leka, e cila e cilësoi atë shumë të bukur sepse vjen pas një shkëputje jo të shkurtër prej pandemisë.

“Ishte një kënaqësi e vërtetë sepse publiku na priti shumë mirë dhe ne u munduam të japim maksimumin e emocioneve për këtë natë që na kishte munguar kaq kohë. Mua posaçërisht më pëlqeu Rusalka ‘’Song to the moon’’ nga Dvorak por edhe veprat shqiptare”, thotë Leka.

Sipas saj, atmosfera dhe komunikimi me publikun ishte shumë i bukur kurse ajo tashmë numëron disa bashkëpunime me po të njëjtit performues.

“Është gjithmonë bukur të këndosh këtu sepse merr shumë kënaqësi nga publiku”, thekson Leka për KultPlus.

Ndërsa, tenori Armaldo Kllogjeri për KultPlus është shprehur se për të është gjithmonë kënaqësi e veçantë dhe shumë e madhe që të jetë pjesë e aktiviteteve në Kosovë.

“Ishte një publik i këndshëm dhe unë sa herë vij në Prishtinë për të performuar muzikë klasike ndjehem gjithmonë i vlerësuar nga publiku që është shumë entuziast dhe nuk pushon me duartrokitje”, thotë Kllogjeri.

Sipas tij, programi është ndërtuar nga disa pjesë të cilat janë këngë napoletane por ka edhe arie të operave të ndryshme. Andaj, ai i pëlqen të gjitha por ariet janë më të bukura dhe janë më të rëndësishme.

‘’Gjëja më e rëndësishme në këtë aktivitet është që publiku vjen dhe na dëgjon’’, thekson ai.

“Unë në këtë aktivitet do veçoja kultivimin e muzikës klasike dhe për vet faktin e festivalit që neve na bënë pjesë sepse kjo muzikë në Kosovë sa vjen dhe e rigjallëron rininë duke e bërë atë për vete”, përfundon Kllogjeri për KultPlus.

Po ashtu, pianistja Lejla Pula është shprehur se për të kjo natë është një rikthim në skenë pas një periudhe disa vjeçare.

‘’Për mua është një rikthim në skenë pas një periudhe disa vjeçare, përpos pandemisë. Unë për herë të parë performova në këtë sallë dhe jam jashtëzakonisht e lumtur dhe ndjehem shumë e kënaqur që sonte i përjetuam së bashku interpretimet e disa arieve më të bukura dhe më të vështira të literaturës operistike’’, thotë Pula.

Sipas saj, është e vështirë ti ndajë veprat mirëpo ajo i veçoi veprat si: ‘’E lucevan le stelle’’ nga Puccini dhe ‘’Nessun Dorma’’ nga Puccini sepse këto janë thjesht arie aq të njohura dhe më të vështirat që ekzistojnë.

“Për mua personalisht është gjithmonë kënaqësi që të shoqëroj nivelin e lartë të dy artistëve në skenë dhe gjithashtu e kisha një ngarkesë sepse qysh vitin e kaluar unë dëshiroja që ta shënoj 250 vjetorin e kompozitorit Beethoven me interpretimin e një pjese të tij”, përfundon Pula për KultPlus.

Chopin Piano Fest gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 12 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e pestë e këtij festivali, vjen më datë 16 qershor ku do të interpretojë pianisti francez Jerome Granjon në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare. / KultPlus.com

Queen Latifah do të nderohet për arritje jetësore në ngjarjen “BET Awards”


Ylli i hollywoodit, Queen Latifah, do të bëhet artistja e tretë më e re në moshë që do ta pranojë shpërblimin special “BET Award”, për arritje jetësore.

Queen Latifah është 51-vjeçare, por kjo konsiderohet një moshë relativisht e re për t’u nderuar me çmim për arritje jetësore. Sërish, një gjë e tillë do të ndodhë për artisten e njohur amerikane.

Të hënën më 14 qershor, organizatorët e ceremonisë “BET Awards” e bënë të ditur lajmin se, Queen Latifah, do të pranojë këtë shpërblim special që e vlerëson kontributin e saj si performuese, në edicionin e ri të kësaj ngjarjeje e cila zë vend më 27 qershor.

Kështu, Latifah e cila e kishte prezantuar këtë ceremoni në vitin 2010, bëhet solo artistja e tretë më e re në moshë që e pranon këtë trofe.

Këngëtarja më e re e nderuar në të kaluarën ishte, Whitney Houston, e cila ishte vetëm 37-vjeçare kur iu nda ky çmim në vitin 2001. E dyta është, Mary J. Blige, e cila u nderua për arritje jetësore para dy vjetësh, kur ajo ishte 48-vjeçare.

Solo artisti më i moshuar i nderuar me këtë shpërblim ishte, Smokey Robinson, i cili ishte 75-vjeçar kur e pranoi çmimin në vitin 2015. Pas tij vjen James Brown, i cili u nderua në vitin 2003, kur ishte 70-vjeçar.

Samuel L. Jackson është ylli i vetëm i cili nuk i takon muzikës, që është nderuar për arritje jetësore në këtë ceremoni. Ai u nderua në të njëjtin vit kur vdiq këngëtari, Prince, dhe organizatorët menduan se asnjë artist nuk do të dëshironte apo mundte të garojë me muzikantin e ndjerë, prandaj vendosën që shpërblimin t’ia dhurojnë një ylli të kinematografisë.

Disa prej artistëve ikonik që janë nderuar me shpërblim për arritje jetësore nga “BET”, janë: James Brown, Chaka Khan, Diana Ross, Prince, Patti LaBelle, Charlie Wilson, Lionel Richie dhe të tjerë.

“BET Awards” është një ceremoni shpërblyese e themeluar në vitin 2001 nga televizioni “Black Entertainment Television”, dhe ka për qëllim t’i festojë arritjet e afrikano-amerikanëve në muzikë, aktrim, sport dhe fusha tjera të showbizit. Edicioni i sivjetmë i kësaj ngjarjeje që vjen e organizuar nën tematikën, “Viti i grave afrikano-amerikane”, do të prezantohet nga aktorja, Taraji P. Henson. / Koha.net / KultPlus.com

I ati i Bekim Fehmiut u kujdes t’i linte të birit emër shqiptar e me kuptim: Bekim – bekim për popullin

Uliks Fehmiu, në një tekst të botuar në ‘Filozofskimagazin.wordpress.com’, rrëfen shkurt dhe bukur historinë e të atit, aktorit të madh, Bekim Fehmiu e të cilin ju sjellim sot në njëmbëdhjetë vjetorin e vdekjes së aktorit.

Nga: Uliks Fehmiu

Për të folur për të atin tim, Bekim Fehmiun, më duhet së pari të flas pak për gjyshin tim Ibrahimin. I lindur në vitin 1982, në Gjakovë, në një familje tregtarësh dhe intelektualësh, ai ka përfunduar shkollën për mësues dhe medresen në Shkup. Biografia e gjyshit tim më shkurt mund të rrëfehet në shembujt e emrave të fëmijëve të tij të cilët i kishte emëruar personalisht, duke u munduar që këta emra të jenë shqiptar (në vend të emrave turqisht dhe arabisht, që ishin të zakonshëm), emra që në mënyrë simbolike flasin për idealet të cilat i kishte ndjekur.

E bija më e vjetër, Besa – fjalë e nderuar, betim dhe një lloj shenje mbrojtëse te shqiptarët; Shpresa – shpresa për ditë më të mira për popullin shqiptar; Bashkim – i biri i parë – bashkimi i popullit shqiptar; Arsim – edukimi i popullit; Fatmir – fati i mirë për popullin; im atë Bekim – bekim për popullin; Afërdita – mëngjesi është afër popullit shqiptar; Luljeta – lulja e jetës.

Me libër dhe me pushkë në dorë, ka qenë dora e djathtë e Bajram Currit, udhëheqësit të kryengritjes se shqiptarëve kundër turkut, në vitin 1912. Si njeri ndër mësuesit e parë shqiptar, i dedikohet edukimit të popullit dhe hapjes se shkollave si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri. Për këtë pushteti serbo – malazez e dënon me vdekje. Në kohën e Mbretërisë se Jugosllavisë, e ndjekin si mbështetës i Bajram Currit dhe i Fan Stilian Nolit. Gjyshin e ndjek edhe kryetari i Shqipërisë Ahmet Zogu, kërkon peng për kokën e tij mija dukat. Në vitin 1929 është arrestuar dhe izoluar në Valevë. Për këtë kohë, familja e tij jeton në Gjakovë, për t’u depërtuar të gjithë së bashku në Sarajevë, në vitin 1931, ku përveç tre fëmijëve të lindur, vijnë në jetë djemtë Arsimi, Fatmiri dhe, në vitin 1936, i ati im Bekimi.

Në vitin 1939, pas okupimit të Shqipërisë nga italianet, kalojnë në Shkodër ku gjyshi bëhet drejtor didaktik i shkollave fillore, ku edhe i lind e bija Afërdita. Pas rënies se Mbretërisë se Jugosllavisë në vitin 1941 familja kthehet në Kosovë, në Prizren, ku ai vazhdon punën edukative dhe patriotike. E arrestojnë edhe gjermanët. As në kohën e re të Jugosllavisë Socialiste nuk ndalet rrethi i golgotës ndaj familjes Fehmiu. Gjyshin e arrestojnë dhe pas një procesi të montuar dënohet. Pas lirimit nga burgu vdes shpejt në vitin 1951.

Gjyshja ime Hedija, e lindur në Gjakovë në vitin 1908, ka ndjekur rrugën e gjyshit dhe të gjitha problemet. I ati im mendon se nuk ka gjetur mjaft fjalë adekuate për të përshkruar e gjithë atë që ka duruar dhe ka bërë nëna e tij. Gjenerata e babait tim Bekimit është gjenerata e parë në historinë e Prizrenit e cila tërë shkollimin e ka kryer në gjuhën shqipe – nga shkolla fillore deri te gjimnazi. Pas gjimnazit babai bëhet anëtar i dramës shqipe në teatrin kombëtar rajonal – teatri i vetëm profesional në Prishtinë (përkatësisht në Kosovë). Akademinë e teatrit në Beograd e regjistron në vitin 1956, në klasën e profesorit dhe drejtorit të njohur Mate Milosheviq. Kalon provimin dhe pranohet me kushtin që të mësojë gjuhën serbo-kroate. Teatri i Prishtinës i ndan bursë, por mallkimi të cilin e kanë shënuar “zotërat” politik në familjen Fehmiu e ka kapluar edhe babanë tim. Pas dy muajve ia ndërpresin bursën. Fal rektorit të Akademisë Dushan Matiq fiton shkollimin deri në fund të studimeve.

Shpejt e mëson gjuhën serbo-kroate, që në vitin 1960 të bëhet anëtari i rregullt i teatrit më të mirë – i teatrit të dramës jugosllave. Edhe në ditët e sotme profesorët në akademinë e teatrit (Fakulteti i arteve dramatike) e përmendin babanë tim si shembull i talentit të jashtëzakonshëm dhe pas gjithash student i çmuar, dhe unë si student i po të njëjtit fakultet i kam dëgjuar këto. Deri në vitin 1967, kur jep dorëheqje në teatrin e dramës jugosllave për shkak të trajtimit të keq, bëhet artist i lirë, ka luajtur më shumë se 40 episode, role dytësore dhe disa kryesore, duke përfshirë edhe rolet në Atelje 212. Dy herë ka qenë asistent i regjisë te profesori Milosheviq në Rikardin III dhe Otkriću Dobrice Ćosića. Xhiron edhe filmat Roj, Put, Tople godine, Protest, Deps, Pavle Pavloviq etj.

Pas suksesit të madh të filmit ‘Skupljači perja’ (Mbledhësi i puplave) me regji të Aleksander Petroviqit, ku luan rolin kryesor – Beli Bor (filmi është lauruar me dy çmime në festivalin e filmit Cannes në vitin 1967 dhe është nominuar për Oskar në vitin 1968), fillon karriera e tij ndërkombëtare dhe bëhet ylli i parë botëror nga ky rajon dhe nënshkruan marrëveshjen shumëvjeçare me producentin italian Dino de Laurentis. Bëhet krenaria e ish Jugosllavisë. Kryesisht xhiron në Evropë, SHBA, Amerikën Jugore, Afrikë dhe Azi. Ka luajtur në gjuhën shqipe, serbo-kroatisht, maqedonisht, rome, turqisht, spanjisht, anglisht, frëngjisht dhe në gjuhën italiane.

Edhe sot shikohen filmat e njohur dhe serialet televizive në të cilat ka luajtur, siç janë Odiseja e Homerit me Irena Papas, Avanturistët me Candice Bergen dhe Olivia de Havilland, ku ka luajtur rolin kryesor – pleibojin Porfirija Rubiros, Dezerter me John Huston, me Richard Crenn, Chuck Connorsom; Licenca për të vrarë me Avom Gardner, Dirko Bogard, Timothyje Dalton…, Java e zezë e John Frankenheimera me Martheo Keller, Libera, dashuria ime me Claudio Cardinale, Salon Kitty me Ingrid Thulin, Helmut Berger…dhe shumë tjerë.

Për të fituar rolin kryesor në produksionin e filmit multibuxhetor të Paramountoves Avanturistët (The Adventurers, 1969), me regji të Lewis Gilbert i është dashur të mësoj gjuhën angleze për 10 javë. Rolin e ka fituar në vitin 1968, kur kam lindur unë. Në nder të babait tim është organizuar pritje e madhe në hotelin Pierre në New York ku është ai, në shoqërinë e yjeve tjerë të filmit Avanturistët (Me Olivia de Havilland, Candice Bergen, Anna Moffo, Ernest Borgine, Ferndando Reyom, Rossano Brazzije, Charles Aznavouro…), me ftesa të veçanta të zgjedhura është prezantuar si ylli i ri i filmit. Në këtë rast babai im ka mbajtur të stilizuar kostumin kombëtar shqiptar.

Ka xhiruar më shumë se pesëdhjetë filma në shumicën e tyre ka luajtur rolet kryesore. Në shenj proteste për shkak të propagandës antishqiptare dhe përhapjen e urrejtjes ndaj popullit shqiptar, babai im në vitin 1987 demonstrativisht lëshon shfaqjen në Beograd Madam Kollontaj(Agnete Pleijel) ku demonstron rolin e Leninit dhe Stalinit dhe përshëndetët publikisht me aktivitetet artistike në ish Jugosllavi.

Roli i fundit të cilin e ka luajtur për televizionin italian ka qenë Josipi i shenjt në filmin Djali me emrin Isus (Un bambino di nome Gesù, 1987.) me regji të Franc Rossi, i cili është shfaqur edhe në televizionin amerikan. Skenaristi dhe producenti Francesco Saardamagli ka thënë : “Bekim Fehmiu është i vetmi aktor internacional nga vendet komuniste lindore i cili ka xhiruar në perëndim, përreth 20 vite, duke gdhendur perden e hekurt, deri te shfaqja e Gorbaçovit dhe rënia e murit të Berlinit.”

Filmi i fundit të cilin e ka xhiruar është Gjingis Kan(Gengis Khan, 1992.) me regji të Kena Annakin në të cilin ka luajtur edhe Charlton Heston.

Pas Aleksandër Moisiut, aktorit nga gjysma e parë e shekullit XX, babai im aktori i parë internacional shqiptar në gjysmën e dytë të shek XX.

Shpërbërja e Jugosllavisë, luftë e tmerrshme vëllavrasëse, shkatërrimi i Vukovarit, bombardimi i Dubrovnikut, rrethimi disavjeçar i Sarajevës, lufta në Kosovë, bombardimi i Republikës Federale të Jugosllavisë kanë bërë më shumë që babai im të tërhiqet. Është tërhequr nga skena, çka për aktorin është agjenti më i fuqishëm dhe më i bukur. Është tërhequr në heshtje – në protestë, Hamleti kishte thënë “…ka mbetur heshtja”./ Përktheu: Saranda Rugova / KultPlus.com

Bekim Fehmiu me Uliksin

Bashkim Fehmiu, arkitekti që ka projektuar kampusin e UP-së, lagjet “Dardania”, “Ulpiana” dhe “Bregu i Diellit”

Kuadrot e para profesionale të shumë fushave në Kosovë janë formuar vetëm pas Luftës së Dytë Botërore.

Kjo vlen edhe për arkitekturën, meqë arkitekti i parë i shkolluar në Kosovë erdhi si i diplomuar nga Universiteti i Beogradit, vetëm në vitin 1958. Ai ishte Bashkim Fehmiu, vëllai i aktorit të mirënjohur Bekim Fehmiu.

Me t’u kthyer në Prishtinë, Bashkim Fehmiu do të bëhej themeltar i disa prej institucioneve kyçe që lidhen me arkitekturën në Kosovë, si Enti i Urbanizmit të Prishtinës, para se të përfshihej si ligjërues në Universitetin e Prishtinës derisa u pensionua më 1991.

Bashkim Fehmiu ka projektuar kampusin e Universitetit të Prishtinës, lagjet “Dardania”, “Ulpiana” dhe “Bregu i Diellit” të Prishtinës, hotelin “Grand” dhe të tjera projekte arkitekturore e urbanistike në Kosovë. Ai ka vdekur në vitin 2008, por Bashkim Fehmiu vazhdon të kujtohet si një prej arkitektëve më të shquar që ka pasur Kosova./ KultPlus.com

Kim Mehmeti nderohet me Çmimin Ndërkombëtar Letrar “Azem Shkreli”

Janë mbajtur Takimeve Ndërkombëtare Letrare “Azem Shkreli” ku marrin pjesë poet, shkrimtarë, historian, studiues e artistë të shumtë, shkruan KultPlus.

Datat 13 dhe 14 qershor ishin rezervuar për të shpalosur këtë edicion i cili si gjithherë u mbajt në qytetin e Pejës.

Në këtë festival ndahen edhe çmimet për kontribut në letrat shqipe.

Në këtë edicion, i 19-ti me radhë, Kim Mehmeti u nderua me çmimin ndërkombëtar letrar “Azem Shkreli” për kontributin në letrat shqipe.

Në arsyetimin e Këshillit organizativ të Takimeve Letrare Ndërkombëtare Azem Shkreli, në përbërje të Aver Husaj-përgjegjës i departamentit kulturës, Ilire Zajmi-Rugova, Entela Kasi, Vjollca Dibra dhe drejtoreshës së bibliotekës së qytetit të Pejës Shengyl Kelmendi, thuhet se “Ky çmim i jepet Kim Mehmetit, pasi ai është rrëfimtar i lindur, i cili nuk u nënshtrohet shablloneve, por i dorëzohet qëndismës së lëndës së vet rrëfyese. Proza e tij është  vlerësuar e  veçantë dhe tërheqëse. Fati, si peshore e jetës, është ai që përcakton krijimtarinë e këtij autori”.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimit, drejtoresha e kulturës në komunën e Pejës , Xhenet Syka, tha se Peja vazhdon të nderojë figurën e bardit të poezisë Azem Shkreli, përmes organizimit të takimeve letrare ndërkombëtare duke sjellur emra e vlera të cilët krijojnë ura përmes letërsisë e fjalës së bukur poetike.   

Çmimi për poezinë më të mirë të lexuar gjatë takimeve, iu nda  Abdullah Zenelit për poezinë “Azemin nuk e pashë më ”.  

Çmimi “Lirika e Azem Shkrelit “ iu nda poetit turk Mesut Shenoll.

Poetja Vlora Konushevci, mori çmimin “Kalorësi i poezisë” ndërsa çmimi “Pajtimi “  iu nda poetes boshnjake Mirsada Bibic Shabotic .

Me Çmimin për kontribut kombëtar u nderua ambasadori i parë i Kosovës  në SHBA, Avni Spahiu, dhe Pen Qendra e Shqipërisë.

Gjatë këtyre dy ditëve Peja u shndërrua në epiqendër të ngjarjeve kulturore, me promovime librash, lexime poetike e promovime vlerash.

Fituesi i çmimit europian  Enkel Demi, promovoi romanin “Flama”, i cili tashmë është përkthyer në disa gjuhë të huaja. Në këtë vazhdë ishte edhe promovimi i romanit  “Shënimet e  Gjon Nikollë Kazazit” i Jusuf Buxhovit, i cili u prit me interesim nga të pranishmit. 

Libri “Misioni i parë “ i ambasadorit të parë të Kosovës në Uashington, Avni Spahiu u prit me vëmendje nga libërdashësit. Ashtu si dhe promovimi i librit  “Peja” të profesorit Gazmend Rizaj.  

Gjatë dy ditëve të takimeve, u promovuan  edhe dy përmbledhje me poezi, të autorëve Nikolin Gurakuqi e Bukurie Buçpapaj. 

Poet pjesëmarrës nga Kosova, Maqedonia e veriut, Shqipëria morën pjesë në këto takime. Përveç poetit turk Mesut Shenol, poetetet e huaj nuk arritën të vijnë për shkak të pandemisë, por dërguan poezitë e tyre përmes videove. Sheng Xue, Osman Ozturk, Chathrine Graham, Chen Hsiu –chen, Kurt Gostentschnig, Polly Munkova , Marina Pratici dhe Eva Petropoulou ishin ftuar të jenë pjesë e këtyre takimeve.  / KultPlus.com

“Festivali i Resë” në edicionin e pestë sjell ritmin latin në Tiranë

Mbrëmjen e djeshme tek Reja e Tiranës ka vijuar “Festivali i Resë” i cili vjen në këtë mjedis me edicionin e radhës.

Kjo mbrëmje u hap me koncertin e kuartetit të harqeve të RTSH i cili është i përbërë nga Gëzim Bulçari, Blerta Jakova, Albana Axha dhe Gëzim Belegu. Në programin e performancës që ka pasur mbrëmjen e djeshme ky kuartet, kanë qenë kompozitorët më të mirë të muzikës klasike shqiptare ndër vite.

Ndërsa më pas, mbrëmja ka vijuar me “Latin Dance”, zumba me Nikon dhe ka qenë vërtetë një moment i jashtëzakonshëm pasi të gjithë të pranishmit janë bërë pjesë e ritmeve muzikore.

Ky aktivitet përgjatë këtyre netëve, ka rikthyer gjallërinë dhe jetën artistike e dëfrimin në kryeqytet. /atsh / KultPlus.com

Sot për Ditën e Kinemasë në Cineplexx, super-aksionin Fast and Furious 9 mund ta shikoni me çmim special prej 3,60€

Në Cineplexx dita e martë shënon Ditën e Kinemasë, e cila është ditë e rezervuar për çmime më të ulëta të biletave.

Dita e martë është dita që kinemaja më e madhe në vend, Cineplexx, ka rezervuar për filmdashësit, duke ofruar çmime më të lira të biletave, duke filluar nga 2,80€ për filmat 2D, dhe 3,60€ për filmat 3D. Me zbritje në të dy kinematë, në Prizren dhe Prishtinë, sot mund t’i shikoni 8 filma të ndryshëm, të cilët shfaqen në orare të ndryshme nga ora 15:00 deri në ora 22:00.

Filmi kryesor që do të mund ta shikoni sot me çmim të zbritur bilete është padyshim super-aksioni Fast and Furious 9. Ky film sot do të shfaqet në 9 orare të ndryshme në kinemanë në Prishtinë, dhe në 5 orare të ndryshme në kinemanë në Prizren. Biletat e filmit mund të blihen edhe online, përmes Aplikacionit Cineplexx KS, që mund të shkarkohet në të dy platformat – IOS dhe Android.

Filmi i gjen protagonistët sërish në aksion kur Cipher, personazh i luajtur nga Charlize Theron, e rekruton vëllaun më të ri të Dom në ekipin e saj që të marrë hakmarrje ndaj Dom dhe miqve të tij. Filmi rikthen në regji Justin Lin, ndërsa në rolet kryesore vijnë super-yjet Vin Diesel, Charlize Theron, Tyrese Gibson, Michelle Rodriguez, si dhe kastit të aktorëve do ti bashkangjitet edhe ylli tjetër i filmave aksion, John Cena.

Përveç këtyre tre filmave, në të dy kinematë po shfaqen super-horrorat A Quiet Place Part II, The Conjuring 3, pastaj aksioni Wrath of Man, Boss Level, Cruella, ndërsa nga filmat e animuar, The Croods 2 dhe Kinemaja në Prishtinë dhe Prizren, nis punën nga ora 14:30, ndërsa për të gjithë filmat që po shfaqen dhe oraret e shfaqjeve mund t’i gjeni në linkun këtu.

Njëmbëdhjetë vjet nga vdekja e Bekim Fehmiut, ikonën e papërsëritshme të artit shqiptar


Aktori Bekim Fehmiu lindi në Sarajevë më 1 Qershor 1936. Rrjedh nga një familje e njohur gjakovare. Babai i tij, Ibrahim Fehmiu, ishte patriot i shquar, njëri ndër mësuesit e gjeneratës së parë në Kosovë dhe propagandues i madh i arsimit në gjuhën shqipe, shkruan KultPlus.

Gjurmët e tij në kinematografinë e huaj dhe atë shqiptare nuk janë të vogla dhe sot në njëmbëdhjetë vjetorin e vdekjes së tij ai vazhdon të kujtohet si një prej aktorëve më të mëdhenjë shqiptarë me famë botërore.

Fehmiu u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966. Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë.

Është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit që ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ndër rolet më të njohura janë “Prova speciale”, “Odissea”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, të cilat përmenden si kryevepra.

Fehmiu ka bashkëpunuar me emra të njohur të kinematografisë botërore si John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Shou, Dirk Bogart, Irene Papas e të tjerë. Në rolet e tij, Fehmiu ka interpretuar në disa gjuhë.

Në vitin 1972 e ka vizituar Shqipërinë dhe nuk e ka fshehur kurrë mallin që kishte për të.

Nga viti 1987, kur në mënyrë demonstrative braktisi shfaqjen “Madame Kolontine” të Anete Playel, ku luante Leninin dhe Stalinin, në teatrin jugosllav të dramës, ai i dha lamtumirën aktivitetit artistik në Jugosllavi.

Pas disa kohësh mori dhe vendimin për t’i dhënë fund karrierës edhe në aktivitetet artistike botërore.

Kohë më parë në Jugosllavi është botuar edhe libri me kujtime i Bekim Fehmiut, “Shkëlqim dhe frikë”, në të cilin përshkruhet periudha që nga lindja e tij në Sarajevë, duke përfshirë gjithëçka deri në vitin 1955, kur u pranua në teatrin e dramës së Prishtinës.

“Njeriu nuk duhet të fajësojë për diçka që i ndodhë as babanë as vëllezërit, as fqinjën, as perënditë, por vetëm veten. Njëra nga tragjeditë tona lidhet me atë, që duke jetuar për shekuj së bashku nuk kemi mësuar nga njëri-tjetri, por dhe kur e kemi bërë këtë, kemi mësuar vetëm të keqen” – shprehet ai.

Fehmiu u gjet i vdekur në apartamentin e tij në Beograd më 15 qershor 2010. Sipas deklaratave të para, u njoftua se ai kishte kryer vetëvrasje. Në atë kohë ai ishte 74 vjeçar. / KultPlus.com

The Yugoslav actor Bekim Fehmiu acting in ‘Salon Kitty’. Rome, 1975 (Photo by Mondadori Portfolio via Getty Images)

Itali: Kërkohet dëmshpërblim prej 10 mijë eurove për personat që kanë marrë vaksinën e AstraZenecas

Italia ka vendosur të mos lejoj vaksinimin e personave nën moshën 60 vjeç me vaksinën Anti-Covid AstraZeneca.

Ky vendim u mor pas dy rasteve fatale të një 54 vjeçari e një vajze 18 vjeç të cilët pas marrjes së kësaj vaksine humbën jetën për shkak të trombozës.

Problemi aktual mbetet se janë një numër i madh i personave nën moshën 60 vjeç, që kanë marrë dozën e parë të AstraZeneca e janë në pritje të dozës së dytë, e vendimi i marrë nga Ministria Italiane e Shëndetësisë ka krijuar konfuzion e preokupim tek qytetarët

Agjencia Italiane e Barnave pak orë më parë ka marrë vendimin se personat e vaksinuar me dozën e parë të Astrazenecas e nën moshën 60 vjeçe, dozën e dytë do ta kenë me vaksinën Pfizer ose Moderna e në një afat kohor nga 8 në 12 javë nga marrja me dozën e parë të vaksinës AstraZeneca.

Mbi këtë vendim të Komitetit tekniko shkencor pranë Qeverisë Draghi e të Ministrisë së Shëndetësisë ka reaguar Shoqata Kombëtare për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit.

Në një notë publike e përmes avokatëve të saj, kjo shoqatë ka informuar për një aksion kolektiv dëmshpërblimi për të gjithë ata qytetarë që kanë marrë dozën e parë të vaksinës AstraZeneca. Ata kërkojnë 10 mijë euro dëmshpërblim për secilin prej tyre për shkak të kaosit e panikut që ka shkaktuar ky vendim.

Sipas kësaj Agjencie. të vaksinuarit me dozën e parë jetojnë me frikën e efekteve që ajo mund t’ju shkaktoj e dëmi i dytë është se janë të detyruar të vaksinohen me një vaksinë ndryshe nga doza e parë Anti-Covid, raporton oranews.

Marco Romadori, presidenti i Codacons, thotë se “ky aksion kolektiv, nuk është një fushatë no-vax, përkundrazi. Qytetarët kanë të drejtë të kenë qartësi e siguri në vaksinat që kryejnë. Ka një paqartësi totale.”

Në Itali ekziston një ligj i cili mbron të gjithë ata persona që pësojnë efekte kolaterale të përhershme pas vaksinimit. / KultPlus.com

Presidentja Osmani i shpallë zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës për 17 tetor

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas përfundimit të konsultimit me subjektet politike më 2 qershor 2021 dhe në mbështetje të Ligjit për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës ka caktuar 17 tetorin 2021, datë të mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

Me të njëjtin vendim, Presidentja Osmani ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale në përputhje me këtë vendim dhe legjislacionin në fuqi. / KultPlus.com

Vetëm edhe dy ditë për thirrjen e hapur për fëmijët: Letër për presidenten Vjosa Osmani

Fëmijët e Kosovës do të kenë mundësi që ti drejtohen me një letër presidentes së Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, shkruan KultPlus.

KultPlus fton të gjithë fëmijët prej 10 deri 15 vjet që ti drejtohen me një letër presidentes së vendit, të cilët, nëpërmjet letrave, ata mund të shprehin kërkesat dhe dëshirat e tyre, të cilat edhe do ti nënshtrohen një jurie profesionale prej tre shkrimtarëve për fëmijë.

Ardianë Pajaziti, kryeredaktore e KultPlus ka njoftuar se kjo thirrje ka për qëllim që fëmijët ti ofrojë sa më afër institucioneve të Kosovës, por në të njëjtën kohë, edhe presidentja e vendit të kuptojë se çfarë dëshira dhe kërkesa kanë këta fëmijë të këtyre moshave.

Me qëllim që letrat të jenë sa më origjinale, fëmijët duhet të shkruajnë me dorë (jo me kompjuter), më së shumti një faqe të fletores, dhe të njëjtat të fotografohen në mënyrë të qartë, të shkruhet emri dhe mbiemri i fëmiut, kontakti dhe të dërgohen në [email protected] dhe [email protected], deri më datë 17 qershor.

Juria do të përzgjedhë dhjetë letrat më të mira të kësaj gare, të cilat edhe do të certifikohen, kurse tri letrat më të mira edhe do të shpërblehen.

Për këtë thirrje për fëmijët, krejt në fund do të organizohet edhe një ceremoni, ku do të jetë e pranishme edhe presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani./ KultPlus.com

‘Life’: Suveniret e Geraldinës, fotografia ekskluzive e Mbretëreshës së shqiptarëve në Norvegji

Nga Aurenc Bebja

“Life” ka botuar, në muajin korrik 1939, një fotografi të rrallë të mbretëreshës Geraldinë duke bërë pazar në Norvegji, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

 Suveniret e Geraldinës

 Zotërinj:

Gjatë qëndrimit të tyre të fundit në Norvegji, ish-mbreti dhe mbretëresha Geraldinë e Shqipërisë janë parë shpesh në publik.

 Ish-Mbretëresha Geraldinë është shumë e dhënë për të bërë pazar. Megjithë bagazhet e shumta që ajo solli nga Tirana, iu deshën 25 të tjera për të marrë suveniret që ajo bleu në Suedi dhe Norvegji.

 Gjatë një udhëtimi me motor në Norvegji, ajo u ndal buzë rrugës për blerë disa pantofla të bëra prej lëkure fokash, të zbukuruara me lepur të bardhë.

 Unë shkrepa këtë fotografi të saj duke bërë pazar.

Henning Sinding-Larsen
Oslo, Norvegji

https://www.darsiani.com/la-gazette/life-1939-suveniret-e-geraldines-fotografia-ekskluzive-e-mbretereshes-se-shqiptareve-ne-norvegji/