Tenori kosovar Ramë Lahaj ka reaguar për shpërthimin e luftës në Ukrainë, i cili ka shkruar se Rusia nuk e meriton një përfaqësues si Putini, shkruan KultPlus.
Duke iu referuar edhe përvojës artistike në Rusi, Lahaj ka specifikuar se në botën e operës ka shumë miq rus, ku disa prej tyre edhe e kanë shprehë keqardhjen për zhvillimet e fundit.
KultPlus ju sjell të plotë reagimin e Ramë Lahaj.
Si artist kam qenë disa herë në Moskë të Rusisë për të performuar në “Bolshoi teatër”, teatër ky me një kulturë shumë vjeçare. Ata janë artistë e njerëz të mëdhenj. Në boten e operës kam shumë miq rus të cilët janë njerëz e artist të mrekullueshëm. Njerëz paqësor dhe të emancipuar. Këto ditë kam diskutuar me disa prej tyre, ku kam kuptuar keqardhjen që shprehnin ndaj situatës me Ukrainën. Përfundimisht Rusia nuk meriton një përfaqësues si Putini. E gjithë kjo psikopati për destabilizim i adresohet direkt atij. Si një fëmijë që ka përjetuar luftën, ndjej keqardhje për Ukrainën dhe qytetaret e saj. Dhe uroj që gjendja të stabilizohet shumë shpejt. Sikur nuk kaluam mjaftueshëm dy vjet trauma nga pandemia. Veç edhe lufta na mungonte. Poshtë Putini dhe psikopatët që e mbështesin destabilizimin e çfarëdo provokimi për luftë./ KultPlus.com
Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës ka filluar të merr përmasa të mëdha. Përderisa situata në Ukrainë po vjen duke u ashpërsuar nga minuti në minut, gjendja në Rusi është e qetë dhe nuk ndëgjohen shumë zhurma.
Pavarësisht se regjimi i presidentit Putin nuk lë shumë vend për kundershtime, një qytetare ruse ka dalur në rrugët e Moskës për të kundërshtuar sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës.
Por, kjo zgjati vetëm pak minuta sepse ajo është arrestuar menjëherë nga autoritetet ruse dhe është dërguar në stacionin policor./ KultPlus.com
Sot, enjte, 24 shkurt 2022, në orën 17:00, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë, PEN Qendra e Kosovës mban aktivitetin e vet të fundit kulturor e letrar paraparë me projektin “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie”.
Temë shqyrtimi e këtij aktiviteti është Letërsia e përkthyer.
Për këtë tematikë flasin Osman Gashi dhe Naim Kryeziu.
Aktivitetin e udhëheq Sali Bashota.
Ftoheni të merrni pjesë.
Ky është aktiviteti i dhjetë i dhe i fundit i PEN Qendrës së Kosovës zhvilluar në kuadër të projektit “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” të përkrahur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe e Sportit e Republikës së Kosovës./ KultPlus.com
Poezi nga Marina Cvetaeva Shqipëroi: Dritëro Agolli
E di të vërtetën. Në djall të vërtetat e thata! Njeriu me njerinë nuk duhet të vritet në jetë. Shikoni po ngryset, shikoni, vjen nata ç’po bëni dashnorë, strategë e poetë?./ KultPlus.com
Wilhelm Grimm, i njohur si njëri ndër vëllezërit Grimm, ishte autori gjerman i shekullit të XIX-të i cili së bashku me vëllain Jakob, botuan përrallat “Grimms” një koleksion i famshëm si Hirushja dhe Rapunzel.
I lindur më 24 shkurt 1786, në Hanau, Gjermani, ai dhe vëllai i madh Jakob studiuan folklorin gjerman dhe traditat gojore, duke botuar një koleksion tregimesh të njohura si përrallat e vëllezërve “Grimm”.
Të ndikuar nga romantizmi gjerman, një lëvizje e kohës, vëllezërit studiuan me forcë folklorin e rajonit të tyre, me një theks të veçantë tregimet gojore të fshatit të cilat kishin filluar të zhdukeshin për shkak të teknologjisë së re. Puna e Jakobit dhe Wilhelm-it arriti kulminacionin e saj me librin Kinder-und Hausmärchen (Përralla për fëmijë dhe ato shtëpiake), vëllimi i parë i të cilit u botua në 1812. Vëllimi i dytë pasoi në 1815. Kështu koleksioni do të ishte i njohur si përrallat e Grimms i përberë nga histori të famshme që përfshinin Borëbardhën, Hansel, Gretel, Goose Golden, Red Riding Hood dhe Hirushën.
Në traditat gojore të fshatit, këto tregime ishin në të vërtetë një bashkim i përrallave gojore të shtypura më parë, si dhe informacione të ndara nga miqtë, anëtarët e familjes dhe të njohurit.
Vëllezërit synuan ta bënin koleksionin më të këndshëm për fëmijët me botimin e tyre të dytë.
Përrallat e Grimms janë rrëfyer në një shumëllojshmëri të formateve mediatike gjatë disa dekadave të fundit, dhe si të tilla, skenarët e tregimeve shpesh janë shkëputur për të përshtatur atë që është e përshtatshme për fëmijët.
Si koleksionistë, studiues dhe redaktorë, vëllezërit ndihmuan në krijimin e metodologjisë së mbledhjes dhe dokumentimit të folklorit. Qasja e tyre shkencore ndryshoi rrjedhën e gjuhësisë historike, duke vendosur një standard të denjë. / KultPlus.com
“Stamboul” ka botuar, të premten e 30 tetorit 1931, në ballinë, telegramet e shkëmbyera midis Mustafa Kemal Ataturkut dhe Mbretit Zog me rastin e Konferencës së 2-të Ballkanike në Stamboll, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :
Turqia dhe Shqipëria
Ja teksti i telegramit që Gazi sapo i ka dërguar Mbretit të Shqipërisë, Zogut I :
“Ndjeva një kënaqësi të vërtetë kur prita në Ankara delegatët shqiptarë në Konferencën Ballkanike.
U preka thellë nga shprehjet e simpatisë së delegatëve ndaj meje dhe kombit turk.”
Nënshkruar : Mustafa Kemal
“Në formimin e urimeve për shëndetin e Madhërisë suaj, si dhe për prosperitetin e popullit shqiptar, besoj se jam njëkohësisht interpretuesi i ndjenjave të mia dhe të gjithë kombit turk.”
Mbreti Zog u përgjigj në këto terma :
“U preka thellësisht nga urimet e mira që Shkëlqesia Juaj shprehu me dashamirësi për mua si dhe për kombin shqiptar me rastin e takimit të Konferencës së 2-të Ballkanike në Stamboll.
Gjithashtu shpreh urimet për shëndetin e Shkëlqesisë suaj si dhe për prosperitetin e kombit turk.”
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës, përcjell KultPlus.
Presidentja Osmani ka rikthyer fjalimin e saj të datës 17 shkurt ku ajo shprehet se populli i Kosovës solidarizohet me atë ukrainas.
KultPlus ua sjell postimin e plotë:
Lufta në Ukrainë, si rezultat i akteve te agresionit dhe sulmeve të paprovokuara të Rusisë, na e përkujton se sa e vlefshme është liria. Në ditë si kjo, kur shohim horrorin e luftës me të cilin përballet ky shtet, qëndrojmë me popullin ukrainas dhe shprehim solidaritetin tonë të thellë. Imazhet e tmerrshme nga Ukraina na përkujtojnë sërish rëndësinë e aleancave mes popujve demokratik, si e vetmja mënyrë për t’i dalë ballë hegjemonisë së Rusisë dhe të satelitëve të saj.
Prandaj, jemi në koordinim të vazhdueshëm me aleatët tanë, për të mos lejuar destabilizimin e rajonit tonë.
Hegjemonia ruse do të dështojë sërish. Liria dhe demokracia do të triumfojnë!
Sot shënohet 67-vjetori i lindjes së njeriut që pati një ndikim të madh në zhvillimin e teknologjisë në botë, Steve Jobs.
Në 67-vjetorin e lindjes së Steve Jobs, KultPlus ua risjell letrën e fundit të tij:
“Në këtë moment, i shtrirë në shtrat i sëmurë, ndërsa reflektoj për jetën time, kuptoj se e gjithë fama dhe pasuria që i kushtova kaq shumë kohë, janë zbehur dhe duken të pakuptimta përballë vdekjes së afërt.
Në errësirë, shoh dritat jeshile që vijnë nga pajisjet dhe dëgjoj zërat e aparaturave, mund ta ndjej frymën e zotit të vdekjes që afrohet. Tani e di, kur kemi siguruar mjaftueshëm pasuri sa për të shtyrë gjithë jetën, duhet të merremi me të tjera çështje, që nuk lidhen me pasurinë. Duhet të merremi me diçka më të rëndësishme.
Mbase me marrëdhëniet me njerëzit, mbase me art, mbase me ëndrrat për ditët e rinisë.Ndjekja non-stop e pasurisë, do t’ju shndërrojë në një qenie të ndrydhur, ashtu si mua. Zoti na dha shqisat për të ndjerë dashurinë në zemrat e njerëzve, jo për të ndjerë iluzionet që sjell pasuria.
Pasurinë që kam fituar gjatë jetës time, nuk mund ta marr me vete. Çfarë mund të marr janë vetëm kujtimet e dashurisë. Ajo është pasuria e vërtetë që do t’ju ndjekë, do t’ju shoqërojë dhe do t’ju japë forcë e ndriçim për të vazhduar. Dashuria mund të udhëtojë mijëra kilometra. Jeta nuk ka limit. Shko ku të duash. Arriji lartësitë që do të arrish. Eshtë e gjitha në zemrat dhe duart tuaja. Cili është shtrati më i shtrenjtë në botë? – “Shtrati i vdekjes”.
Mund të punësosh dikë të ngasë makinën për ty, të fitojë para për ty, por s’mund të punësosh dikë që të përballojë sëmundjen tënde, për ty.
Të mirat materiale mund të gjenden sërish edhe pasi kanë humbur, por ekziston diçka që nuk mund ta gjesh kurrë pasi e ke humbur – “Jeta”… Kujdesu për veten. Vlerësoji të tjerët”. / KultPlus.com
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Vasfije Krasniqi, ka reaguar së fundmi në lidhje me Projektkodin Civil që parasheh lejimin e martesave mes gjinisë së njëjtë, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Twitter”, deputetja ka publikuar një fotografi në të cilën shkruhet “Dashuria është dashuri”.
Nga kjo foto, ajo ka lënë të nënkuptojë se është pro-votimit në ndryshimin e Kodit Civil, i cili është në rend të ditës nesër në Kuvend të Kosovës. /KultPlus.com
Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, dhe deputete e Parlamentit të Kosovës, Duda Balje, përmes një postimi në “Facebook” ka kundërshtar martesat e gjinisë së njëjtë, shkruan KultPlus.
Për këtë reagim të saj, Organizatat Jo-qeveritare kanë kërkuar dorëheqjen e Dude Baljes nga Grupi Parlamentar për të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Kosovës ku ajo është kryetare.
Platforma e cila shërben për informim dhe edukim queer në gjuhën shqipe, ka kërkuar shkarkimi i Baljes nga pozita e kryetarës së këtij komisioni të ndodhë urgjent dhe madje, sipas tyre, është tejet i nevojshëm.
Një gjë të tillë e kërkoi edhe drejtoresha e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, në studion televizive “Pressing” ku edhe po debatohet për për martesat mes gjinive të njëjta.
“Youth Initative for Human Rights – Kosovo” apo shkurt YIHR KS i është bashkuar gjithashtu kërkesës për shkarkimin e Dude Baljes.
Nesër në rend të ditës në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës është në shqyrtim dhe votim Kodi Civil. Pikë e rendit të ditës është që ky Kod Civil përmban edhe lejimin e martesave të gjinisë së njejtë. /KultPlus.com
Hermann Hesse është njëri nga shkrimtarët më të shquar gjermanë të shekullit të njëzet. Përveç shkrimeve në prozë, Hermann Hesse shquhet si poet me më shumë se 680 poezi të përmbledhura në 12 vëllime, shkruan KultPlus.
Hermann Hesse ishte djali i një pastori (prifti) dhe nipi i një misionari kalvinist. Ky ambient familjar ndikoi në formimin e personalitetit të tij. U dërgua të studionte për teologji, por mësimet fetare i braktisi shpejt! Punoi si mekanik dhe librar në Tübingen. Në botëkuptimin e tij moral e filozofik ishte natyralist, mistik, buddhist, aktivist faustian, por gjithmonë intimërisht fetar.
Lufta e Parë Botërore i shkaktoi një krizë të rëndë shpirtërore. Doli haptas publikisht kundër dallgës së barbarive që përshkoi Evropën dhe madje arriti ta ndiente veten fajtor për të këqiat e kohës. Edhe më vonë, nga vetë formimi i tij shpirtëror, ishte që në fillim kundër nazizmit dhe adhuronte kulturen angleze. Hermann Hesse është poet e prozator me prodhimtari me vlera artistike të larta e sasi të jashtëzakonshme. Librat e tij me romane, poezi shkrime kritike politike, kulturore dhe letrare, mesatarisht arrinë në 80 milion ekzemplarë në të gjithë botën, duke e bërë kështu njërin nga shkrimtarët evropianë më të lexuar të shekullit të njëzetë. Më 1921 u bë qytetar zviceran dhe 1946 iu dha çmimi Nobel në letërsi.
Sonte po e sjellim këtë thënie të vlefshme nga ky autor gjerman:
“Nëse për lumturinë tënde të duhet leja e dikujt tjetër, je vërtet i shkretë” /KultPlus.com
E mban mënd, moj Marë, dashurin’ e parë? Njeri nuk e gjegji, se jeshmë te vegji. Unë pa ty s’rrojë, vij’ e të kërkojë; tl pa mua s’rroje, vij’ e me kërkoje. Në lule me erë putheshim ngahere, dhe si burr’ e grua losnim nënë ftua. Një ditë, të dyza losnim mbylla-syza: U fshyem pa dukur Cinë të besoj taninë, perëndin’ a dashurinë? Perëndi në këte jetë është dashuria vetë. —— Bukuria jote, leshërat e tua posi pëndë korbi, të gjata mbi thua,ballëtë si diell, faqetë si mollë,qafa jot’ e gjatë, mesi yt i hollë,sisëtë si shegë, dhëmbët si thëlpënjë,buzët si burbuqe, sytë si gështënjë, dora si dëborë, fjala jote mjaltë, kurmi yt i derdhur, shtati yt i naltë; gjithë më kënaqin, të tëra t’i dua, po zëmëra jote u bë gur për mua! —– Pika-pika bie shiu dhe dëbora flokë-flokë, vetëtin e fryn veriu, breshëri kërcet mi tokë! Le të fryjë er’ e ftohtë, s’ka ç’më bën dimëri mua: Dashuria më mban ngrohtë, se pushtoj atë që dua. Kur fryn era me tallas, kur bie dëbor’ e shi, sa flë njeriu me gas, kur ka mikenë në gji! / KultPlus.com
Një hetim i kryer nga BBC News tregon se si disa aplikacione në metaversin e realitetit virtual janë të rrëzikshëm nga dizajni, transmeton KultPlus.
Studimi i BBC News përmes një aplikacioni përdori moshën minimale 13 vjeçare dhe pati çasje në lodra seksi dhe prezervativë, e madje aty edhe iu afruan shumë burra të rritur. Pra, Metaverse është një emër që u jepet lojërave dhe eksperiencave të cilat janë të qasura nga njerëzit të cilët mbajnë kufje të realitetit virtual.
Mark Zuckerberg mendon se kjo gjë mund të jetë e ardhmja e internetit – aq shumë, sa kohët e fundit ai e riemëroi “Facebook-un” si Meta, me kompaninë që investoi miliarda në zhvillimin e kufjeve të saj Oculus Quest.
Ajo kufje – tani e riemërtuar Meta Quest – mendohet të ketë deri në 75% të pjesës së tregut. Ishte një nga këto kufje që studimi i BBC News përdori për të eksploruar një aplikacion dhe një pjesë të metaverses. Aplikacioni, i quajtur VRChat, është një platformë virtuale në internet të cilën përdoruesit mund ta eksplorojnë me avatarë 3D.
Ndërsa nuk është bërë nga Facebook, ai mund të shkarkohet nga një dyqan aplikacionesh në kufjet Meta Quest të Facebook, pa kontrolle të verifikimit të moshës – kërkesa e vetme është një llogari në Facebook.
BBC News krijoi një profil të rremë për të krijuar llogarinë e saj – dhe identiteti i saj i vërtetë nuk u kontrollua.
Brenda VRChat, ka dhoma ku përdoruesit mund të takohen në një restorant siç është McDonald’s, për shembull – por ka edhe klube për kërcim. /KultPlus.com
Nesër në rend të ditës në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës është në shqyrtim dhe votim Kodi Civil. Pikë e rendit të ditës është që ky Kod Civil përmban edhe lejimin e martesave të gjinisë së njejtë, shkruan KultPlus.
Për këtë, Bashkësia Islame e Kosovës, Dioqeza Prizren-Prishtinë (Kisha Katolike), Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës dhe Bashkësia Hebraike e Kosovës kaë dalur me një konferencë të përbashkët dhe me ç’rast kanë paraqitur edhe deklaratën e tyre kundër këtij Kodi Civil.
“Bashkësitë fetare të Kosovës mbesin të bashkuara dhe me një zë të vetëm para ligjvënësve të Kuvendit të Kosovës, para qeverisë dhe institucioneve të tjera, që të heqin dorë prej çdo ndryshimi, prej çdo ripërkufizimi, prej çdo riinterpretimi të neneve për familjen, martesën dhe statusin e bashkëshortëve në vendin tonë”, thuhet ndër tjerash në deklaratën e përbashkët.
“Mendojmë se po cenohet vullneti i Zotit si dhe mbules e tij e shenjtë”, shkroi tutje në deklaratën e bashkësive fetare të Kosovës.
Më poshtë ua sjellim edhe deklaratën e plotë. /KultPlus.com
Për John Keats, poeti i mrekullueshëm romantik, të bëje poezi, do të thoshte “të përtërije shpirtin”.“Një klasik, është një libër që nuk ka përfunduar kurrë së thëni atë që ka për të thënë”, – shprehej Italo Calvino.
Por gjithnjë e më shpesh, kur flasim për klasikët, i referohemi prozës. Sigurisht, ndodh që listat e librave që nuk mungojnë të përfshijnë një ose dy vëllime vargjesh, ndoshta Dante Aligeri, por ato rrallë shkojnë më tej. Kjo është po ashtu e drejtë, duke pasur parasysh që shumica e lexuesve lexojnë kryesisht romane. Poezia duket më e vështirë, më kërkuese dhe për pjesën më të madhe të historisë së saj ka qenë e bllokuar në një rrjet rregullash, përjashtimesh, figurash retorike dhe modele rimash që na komunikojnë, në shumicën e rasteve, pak ose aspak. Për më tepër, poezia epike, sikurse ajo lirike, gjithmonë u referohen traditave dhe simboleve të përbashkëta nga shoqëria: ajo që ishte e qartë për një lexues të lashtësisë ose të shekullit të nëntëmbëdhjetë, nuk është domosdoshmërish e qartë për ne, kjo është arsyeja pse ajo poezi shfaqet shpesh e papajtueshme me botën moderne, me jetën e shekullit të 21-të.
Por a është vërtet kështu?
John Keats, djaloshi anglez, u nda nga jeta 201 vjet më parë, i cili shkroi vargje që arrijnë të na prekin edhe sot shpirtin (31 tetor 1795 – 23 shkurt 1821). Fëmijëria u shënua nga tragjedia, i vdiq i ati në 1804, duke u rrëzuar nga kali dhe nëna, e cila ia besoi fëmijët gjyshes për t’u rimartuar, vdiq nga tuberkulozi në 1810. Në pamundësi për të përballuar një shkollë prestigjioze si Eton, Keats fillimisht ndoqi shkollën e profesor Clarke-ut, duke iu afruar kështu studimit të letërsisë dhe muzikës italiane, më pas vazhdoi trajnimin mjekësor në spitalin “Guy”. Megjithatë, gati në përfundim të studimeve, ai vendosi të linte mënjanë bisturinë dhe të ndiqte profesionin e tij të vërtetë: poezinë. Megjithëse disa nga kolegët shkrimtarë e vlerësuan, karriera e Keats nuk qe aspak e lehtë, veçanërisht pas botimit të poemës së tij “Endymion”. Mori kritika të shumta. Mirëpo, shpirtin dhe trupin e poetit të ri nuk e munduan vetët kritikat, por edhe vështirësitë ekonomike, por edhe mos suksesi e penguan të martohej me të dashurën Fanny Brawne, kurse tuberkulozi e solli në Itali, me shpresën se do të mbijetonte.
Më kot, pasi ai vdiq më 23 shkurt 1821, vetëm 25-vjeç.
Po pse ky poet i lindur nën një yll fatkeq e meriton t’i bashkohet radhëve të autorëve klasikë?
Përse vazhdojmë, sot, ta lexojmë dhe rilexojmë? Keats pati një jetë dhe karrierë tepër të shkurtër. Në të vërtetë, krijimtaria e tij përqendrohet kryesisht në vitet 1819, një vit i lumturisë artistike dhe personale, të cilit i detyrohen të gjitha veprat e tij më të njohura, përfshi “Odë mbi një urnë greke”, “Odë për një bilbil” dhe “Yll i shndritshëm”. Duke zgjedhur elementë të botës greko-romake, Keats këqyr ndjenjat e shpirtit njerëzor: dëshira për të zotëruar dashurinë, bukurinë dhe lumturinë dhe në të njëjtën kohë frikën dhe vetëdijen për pashmangshmërinë e vdekjes. Ky konflikt tipik romantik mes ideales dhe reales përshkruhet nga autori në mënyrë sublime jo vetëm në vargje, por edhe në letrat private drejtuar Fanny Brawne: një koncentrim dashurie, përkushtimi, xhelozie, pafuqie përballë sëmundjes. Si rrjedhojë, pasuria emocionale e Keats ka një bazë personale, e cila përshtatet më së miri me konceptin e tij për poezinë: një art që duhet të lindë spontanisht si gjethet në pemë, ose të mos lindë fare. Në fund të fundit, çfarë na nxit më shumë se ndjenja e na bën spontan në të shkruar? Në të njëjtën kohë, poezia e Keats nuk duhet konsideruar si shpërthim i thjeshtë i pikëllimit personal. Si poet, ai ishte një krijesë jopoetike, një kameleon i aftë të dyshonte edhe tek vetja, për ta braktisur veten në mister dhe konfuzion intelektual, për të kapur një vizion të bukurisë artistike. Kjo aftësi është ajo që e bën atë një klasik. Kur ai flet për dashurinë, dhimbjen, vdekjen, shpresën, ai nuk është John Keats. Ai është një poet. Dhe si poet është një i urtë, një mjek për shpirtin e të gjithëve. Bashkëkohësit nuk ishin në gjendje të shkonin përtej naivitetit të veprave të tij të hershme, vepra që nganjëherë nuk ishin shumë organike, por me përflakje gjeniale delikate, ndërsa tanimë mund ta kuptojmë plotësisht universalitetin e vargjeve të tij.
Megjithëse, ai besonte se ishte vetëm një emri i të cilit ishte shkruar në ujë, pasi donte ta kishte të gdhendur në gurin e varrit të tij, tani mund të themi me siguri se ai shkroi diçka të bukur dhe se “diçka e bukur është gëzim i përjetshëm/ rritet me hijeshi, nuk do të kalojë kurrë në hiç”.
Fantazi
Lëreni përherë imagjinatën të bredhërijë,
Gjetiu është gjithmonë kënaqësia:
Dhe vetëm duke e prekur ëmbël shkrihet,
Si flluskat kur i godet shiu;
Pra lëreni të bredhërijë atë me krahë,
Për mendimin që shtrihet ende përpara saj
Çel derën e kafazit të mendjes
Dhe do ta shohësh,
Se do të niset fluturimthi drejt qiellit. /konica.al/ KultPlus.com
Këshilli i Bashkimit Europian i vendeve anëtare të unionit të heqin nga 1 Marsi, bllokimin e udhëtimeve jo-thelbësore për shtetasit nga vendet jo-anëtare.
Rekomandimi jepet vetëm për të vaksinuarit me dozat e vaksinave të njohura nga autoritetet europiane ose që janë rekomanduar nga OBSH.
Lihet në dorë të vendeve anëtare të kërkojnë teste shtesë për të huajt e vaksinuar me vaksina që njihen vetëm nga OBSH ose që kanë vetëm certifikatë shërimi.
Rekomandimi, që nuk përmend lehtësira për të pavaksinuarit, erdhi pasi në shumë vende jo-anëtare të unionit, kryesisht ato fqinje, po shtojnë mbulimin me vaksina të popullsive të tyre, që i përshtaten edhe standardeve dhe rregullave të vaksinimit të Bashkimit Europian.
Pjesa më e madhe e vendeve unionit kanë planifikuar lehtësimin e masave, ende pa marrë rekomandimin e Brukselit.
Ndër to është edhe Italia që prej 1 marsit do të zbusë rregullat për hyrjen e të huajve, duke hequr karantinën e duke kërkuar vetëm certifikatë vaksinimi apo test negativ./ KultPlus.com
Kryetari i Komunës së Lipjanit Imri Ahmeti, ka pritur sot në takim shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, me të cilin fokus të veçantë në diskutim kanë pasur marrëveshjen e gjelbër dhe mbrojtjen e mjedisit.
Në një konferencë për medie Ahmeti fillimisht vlerësoi lart bashkëpunimin dhe kontributin e Bashkimit Evropian për implementimin e disa projekteve në Komunën e Lipjanit.
“Natyrisht që ishte kënaqësi ta takojë ambasadorit e BE-së për vizitën që sot ka në Lipjan. E falënderoj shumë për kohën normalisht, për bashkëpunimin e deritanishëm. Kemi biseduar normalisht për punët e përbashkëta deri tanishme, për situatën që kemi në investimet tona si nga masat këto që kanë të bëjnë me marrëveshjen e gjelbër, për bashkëpunimin që na pret edhe në të ardhmen dhe për periudhën e deritanishme. Presim që shumë shpejt të fillohet në Janjevë, projekte të trashëgimisë kulturore dhe do të shohim në vazhdim për angazhimet tona në projektet e reja”, tha Ahmeti.
Shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog në një prononcim për KosovaPress tha se Komunën e Lipjanit e çmon për faktin se është komunë shumetnike, derisa theksoi se janë në zhvillim të një projekti për trashëgimi kulturore, në Janjevë.
“Po ashtu e çmoj shumë faktin që Komuna është shumetnike, është një numër i konsiderueshëm i etniteteve të ndryshme që jetojnë në komunë. Së bashku me UMBP, jemi duke e zhvilluar një projekt në Janjevë në aspektin e trashëgimisë kulturore, sepse siç e dimë një pakicë kroate jetojnë në Janjevë. Mirëpo, jemi të përqendruar po ashtu që të shohim një integrim më të madh të komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptianë”, thotë Szunyog.
Ai bëri të ditur se kanë diskutuar edhe për raportin e Asosacionit të kryetarëve të komunave mes vete si dhe me nivelin qendror. /atvlive.tv/ KultPlus.com
mbushni xhepat e pantollonave me vjershat e bëra shuk dhe gjuajeni çdo ndërtesë qeveritare, sulmoni me vargun e lirë, ndërtesën e organizatës së kombeve të bashkuara ta poshtëroni me fjalët më të ndyra, nuk ka kombe të bashkuara ka poet të bashkuar, ëndërrimtar të bashkuar që nuk i duhen askujt, futini vjershat e juaja të mjera brenda ndërtesës së Nato në Bruksel, rrini të hidhëruar para carit të tërbuar, çdo hidhërim është i nevojshëm, digjini të gjitha traktatet që i gjeni dhe me pas lexojeni Holderlinin si një kor antik dhe deklarojeni atë që është, nga lashtësia e deri tash sall lakmi, barbarizëm dhe gjak gjelash, kudo në sheshet e botës, poet, bashkohuni, para shtëpisë së bardhë ju jeni rus, para kremlinit jeni amerikan, para amerikanëve dhe rusëve jeni poet, para identiteteve kombëtare jeni njerëz, para njerëzve jeni fëmijë, luftoni me biberonet e juaj të përgjakur dhe akuzojeni me zë të lartë, atë që ka krijuar mendjen. / KultPlus.com
Kompania filmike “Paramount Pictures” i ka publikuar pamjet e para të filmit, “The Contractor”, i cili vjen me regji të Tarik Saleh dhe ku luajnë aktorët e famshëm të Hollywoodit: Chris Pine, Ben Foster, Kiefer Sutherland, Gillian Jacobs, Eddie Marsan, JD Pardo dhe Florian Munteanu.
Në trilerin e mbushur me skena aksion, Pine e luan rolin e rreshterit të Forcave Speciale, James Harper, i cili shkarkohet në mënyrë të pavullnetshme nga ushtria dhe e humb pensionin. I zhytur në borxhe, pa mundësi punësimi dhe i dëshpëruar për të siguruar para për familjen e tij, Harper nënshkruan kontratë me një forcë ushtarake private e cila funksionon në mënyrë të fshehtë. Kur detyra e parë i shkon keq, ushtari elitar e gjen veten të përndjekur dhe në arrati, i përfshirë në një komplot të rrezikshëm që e detyron të luftoj shumë për mbijetuar deri sa të kthehet në shtëpi dhe t’i zbulojë motivet e vërteta të atyre që e tradhtuan.
Filmi “The Contractor” do të lansohet nëpër kinema të limituara në të njëjtën kohë me platformën “Paramount+”, në fund të vitit 2022. / KultPlus.com
Sipas raportit më të fundit të Organizatës të Kombeve të Bashkura, ndryshimet klimatike do të bëjnë zjarret gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive, me një rritje globale të atyre ekstreme deri në 14% brenda 2030-ës, 30% brenda 2050-ës dhe 50% brenda këtij shekulli, shkruan The Guardian.
Analiza sugjeron një ndryshim radikal në shpenzimet publike për zjarret, duke zhvendosur investimet në parandalimin e tyre. Raporti i realizuar nga OKB vë në dukje se ndryshimi klimaterik dhe zjarret ushqehen nga njëri tjetri. Për këtë arsye qeveritë duhet të marrin masa për një formulë të re anti-zjarre.
Për parandalimin e zjarreve, autorët e raportit kërkojnë një kombinim të të dhënave dhe sistemeve të monitorimit të bazuar në shkencë, njohuri indigjene dhe një mbashkëpunim më të fortë rajonal dhe ndërkombëtar.
Sipas tyre, reagimet e qeverive shpesh i drejtojnë paratë në vendin e gabuar. Prioritet duhet të jenë operatorët e shërbimeve të emergjencës dhe zjarrfikësit që janë në linjë të parë dhe rrezikojnë jetën në shuarjen e zjarreve.
Duke parë se zjarret ndodhin më shpesh në zonat më të varfëra të botës, raporti sugjeron investime në rindërtimin e ekosistemeve dhe zonave me lagështirë. Raporti vë në dukje dhe një rrezik të lartë për Arktikun dhe rajonet e tjera që ende nuk janë prekur nga zjarret./abcnews.al/ KultPlus.com
Shahisti 16-vjeçar nga India, Rameshbabu Praggnanandhaa mposhti shahistin numër një në botë, Magnus Carlsen në një turne.
Që në moshën 10-vjeçare, ai kishte marrë titullin “mjeshtër”, duke thyer rekord në këtë sferë, ndërsa u përball me norvegjezin Carlsen, numër 1 në renditjen botërore, në një turne online Kampionati Meltwater me shpërblim prej 1.5 milionë dollarë.
Sportisti indian i cili në vitin 2018 u bë “mjeshtër i madh”, kundërshtarin 31-vjeçar me 5 kampionate botërore të fituara, e mundi me 39 lëvizje duke arritur një sukses të rëndësishëm.
Praggnanandhaa u bë sportisti më i ri që ka fituar Carlsen-in që nga viti 2013 kur u bë kampion botëror.
Sportisti norvegjez, më parë kishte humbur edhe ndaj mjeshtërve të mëdhenj indianë si Viswanathan Anand dhe Pentala Harikrishna. / KultPlus.com