AIDSSH deklasifikon dosjen e ish sigurimit të Shtetit për Xhaferr Devën  

Në kuadër të kurimit të së shkuarës, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka deklasifikuar dosjen e Xhaferr Devës.

AIDSSH njofton se dosja e Xhaferr Deva hapur nga Sigurimi i Shtetit në kohë të diktaturës komuniste është e hapur për studiuesit.

Më 29.06.1973,  Drejtoria III e Sigurimit të Shtetit hapi dosjen formularë për shtetasin Xhaferr Deva dhe nisi përpunimin aktiv  në kategorinë 2/A, në të cilën përfshihen dokumente zyrtare që prej vitit 1943 e deri në vitin 1978, ku ai vdiq nga ataku në zemër.

Fashikulli nr. 1225 për shtetasin Xhaferr Deva është deklasifikuar dhe mund të vihet në dispozicion të familjarëve, studiuesve dhe medies./I.Vata/ KultPlus.com

Zbrazëtia jote qëndroi krah nesh si një dorë e këputur

Poezi nga Nazim Hikmet Ran
Shqipëroi: Alban Tartari

Mirëserdhe!
Zbrazëtia jote qëndroi
krah nesh si një dorë e këputur.
Mirëserdhe!
Ndarja zgjati shumë,
Malli na mori
sytë na mbetën nga oborri.
Mirëserdhe!
Ne,
jemi siç na le.
Vetëm se u bëmë më mjeshtra
gurë duke thërrmuar
mikun nga armiku duke shquar…
Mirëserdhe!
Kemi plot, për të thënë e dëgjuar
Por shumë gjatë, kohë s`kemi.
Le të ecim…
Burg, 1932./ KultPlus.com

‘Oscars 2022’, jo të gjitha prezantimet e çmimeve do të bëhen live

Gjatë ceremonisë së 94-të vjetore të ndarjes së çmimeve akademike ‘Oscars 2022’, jo të gjitha prezantimet e çmimeve do të bëhen live. Sipas kësaj akademie, në radhë të tyre hyjnë disa çmime kryesore.

Tetë kategori çmimesh nga 23 prej tyre sa janë në total, do të prezantohen në mënyrë digjitale të xhiruara paraprakisht, ka konfirmuar Variety.

Kjo do të ndodhë ngase shou është kritikuar për kohëzjatje, pasi që sipas përgjegjësve të Akademisë, ndjekësve të tij u humbet durimi.

Këtë e dëshmojnë shifrat e shikueshmërisë, që sipas përgjegjësve të saj kanë rënë disa vite të fundit.

Çmimet që do të dorëzohen live gjatë cermemonisë janë: për dokumentar të metrazhit të shkurtër, montazh, makijazh dhe stilim të flokëve, këngën më të mirë, disajn produksioni, film të animuar të metrazhit të shkurtër, aksion dhe zërim.

Klipet e fjalimeve të fitueseve do të transmetohen gjatë ngjarjes live.

Kjo do të ndodhë ngjashëm si në ceremoninë e Tony Awards dhe ceremoni të tjera.

Kur jemi te kjo, organzatorët janë nën presion nga ABC ku transmetohet kjo ngjarje. Kjo për shkak se vitin e kaluar, ceremonia doli të jetë më së paku e shikuar në historinë e Oscarëve, me 9.23 milionë shikues.

Kjo bëri që Akademia të marrë edhe vendimin për shtyrje të cermeonisë deri më 28 mars.

Plani i ri do t’u mundësojë ndjekësve të Oscarëve që të dëgjojnë më shumë humor, të shohin klipe filmash dhe dëgjojnë muzikë.

Oscarët 2022 do të mbahet në Dolby Theatre në Hollywood./ KultPlus.com

Buxhovi: Një studim i rëndësishëm për rolin e Britanisë në çështjen shqiptare

NJË STUDIM I RËNDËSISHËM PËR ROLIN E BRITANISË NË ÇËSHTJEN SHQIPTARE

Daut Dauti: “Britania dhe çështja shqiptare gjatë rënies së Perandorisë Osmane 1876-1914”, botoi Logos, 2020, faqe 456.

Nga Jusuf BUXHOVI

Roli dhe rëndësia e Britanisë së Madhe në çështjen shqiptare nga Kriza Lindore e deri te Pavarësia shqiptare, deri më tani, nuk ka gjetur trajtim të duhur në historiografinë shqiptare. Madje, edhe kur është prekur, kanë munguar faktorët meritorë, siç është pasqyrimi i dokumenteve autentike si dhe  vendit dhe rolit të politikës autentike britanike në rrethanat e kohës, veçmas në ato që përcollën procesin e shembjes së Perandorisë Osmane e deri te pavarësia e shtetit shqiptar. Në mungesë të tyre, kemi paraqitjen fragementare, të shumtën të ndërtuar mbi stereotipet e qëndrimeve që ka ofruar historiografia e njëanshme serbe, ruse dhe pjesërisht ajo gjermane, ose ato të klisheve të njohura ideologjike, të cilat rolin e veçantë të Britanisë në këto zhvillime, e kanë interpretuar njëanshëm, prej nga është krijuar përshtypja e gabuar për rolin e saj në përputhje “me interesat hegjemoniste”, të afërta me ato franceze-ruse në kuadër të Antantës.

Studimi i Daut Dautit paraqet përpjekjen e parë serioze të historiografisë sonë që pamja e politikës së Britanisë së madhe në raport me çështjen shqiptare gjatë rënies së Perandorisë Osmane e deri te fillimet e luftës së parë botërore, të shihet në një dritë tjetër, në përputhje me rolin e saj aktiv thuajse në të gjitha fazat e këtyre zhvillimeve, natyrisht në kuadër të interesave të veta, që kanë qenë edhe “të veçanta” në rrethanat e konfrontimeve midis interesave austro-gjermane dhe atyre ruso-franceze, por që atë e kanë përfillur si një realitet në kuadër të ristrukturimeve  të hartës së re politike dhe shtetërore  europiane që filloi të marrë fizionominë e vetë nga Kongresi i Berlinit e deri te Konferenca e Ambasadorëve. Merita e autorit, në këtë zhvillim, gjithsesi duhet parë te kompleksiteti i çështjes brenda për brenda përvijimeve politike britanike si dhe  të raporteve me fuqitë e kohës ku Britania ka ndjekur interesat e veta strategjike dhe  ekonomike në Lindje të Afërme dhe atë të Mesme. Problematika e parë trajtohet me një qasje serioze tek pasqyrimi i asaj që emërtohet si “Periudhë e Post-Berlinit”, pra te koncepti i “Liberalizimit britanik dhe Ballkani” e ku përfshihet edhe “Politika e jashtme britanike dhe çështja shqiptare 1883-1903”, me ç’rast, thuajse për herë të parë, hidhet dritë tek qasja liberale e Komitetit Ballkanik rreth autonomisë së Maqedonisë, me çka fillon edhe faza e implikimit të drejtpërdrejtë të politikës britanike në pjesën europiane të Perandorisë Osmane, mbi bazat e konceptit Gladstoneit  i njohur edhe si “Britannian Pacificatrix”, prej nga, në zhvillimet e mëvonshme, çështja shqiptare do të marrë një dimension politik me angazhimin e Auberty Herbertit në Komitetin për Shqipërinë dhe shtetin shqiptar, si një kauzë për çështjen kombëtare shqiptare ndër më të rëndësishme e kohës në radhën e fuqive të mëdha.

Natyrisht se dioptria e kundrimit të autorit përcjell me shumë vëmendje faktorët që ndikuan kapërcimin e politikës britanike  nga ajo e Komitetit ballkanik rreth Maqedonisë tek çështja shqiptare, që mori përsipër Komiteti Shqiptar i përbërë nga autoritete të rëndësishme politike dhe diplomatike britanike që shtroi ndikim të madh në Konferencën e Londrës për njohjen e shtetit të pavarur shqiptar, ndonëse të përgjysmuar.

E arritur e mirë e këtij studimi që përthekon rolin e politikës britanike për çështjen shqiptare nga vitet 1886-1914 gjithsesi janë edhe kapitujt (VII) për Edith Durhamin dhe angazhimin e saj të madh që mbi pikëpamjet gladstoniane për Ballkanin edhe shqiptarët të vihen në mesin e popujve të Ballkanit, paçka se ky koncept mohonte parimin e nacionalitetit. Si dhe kapitulli (VIII), për Abrey  Herbertin dhe rolin e tij të madh me Komitetin për Shqipërinë.

Pra, vepra si e tillë, duhet të përkthehet në gjuhën angleze, meqë plotëson boshllëkun e studimeve serioze të kësaj natyre, që ka lënë historiografia institucionale me ngarkesa ideologjike në Tiranë dhe Prishtinë.

…./ KultPlus.com

Margariti: Dom Ndre Zadeja, një nga martirët e Kishës Katolike

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti kujtoi sot shkrimtarin dhe dramaturgun Don Ndre Zadeja, në kuadër të “Muajit të Kujtesës”.

“Kujtojmë sot Dom Ndre Zadenë, shkrimtarin, dramaturgun, një nga martirët e Kishës Katolike”, u shpreh Margariti.

Don Ndre Zadeja lindi në Shkodër më 3 nëntor 1891. Ai kishte një formim të gjithanshëm: filozofik, teologjik, pedagogjik, letrar e artistik; ishte poet lirik, dramturg, publicist e orator i njohur. Shkroi artikuj e mbajti ligjërata për edukatën e edukimin; së bashku me Dom Mikel Koliqin hartoi muzikën e dy melodramave të tij të para “Ora e Shqypnís” e “Hije të zeza”, dha një ndihmesë të madhe për themelimin e bandës muzikore të shoqërisë “Bogdani”; qe mësues i solfezhit për të rinj që mësonin veglat e frymës.

Përpjekjet e para për botimin e veprës së Zadejës u bënë në vitet 1938-44 nga “Kumbona e së Dieles”, organ i famullive të Kryedioqezës të Shkodrës, ku panë dritën e shtypit një pjesë e vjershave dhe e melodramave të tij.

Por “Kumbona” nuk mundi ta nxjerrë në dritë veprën e plotë, sepse botimi i revistës u ndërpre. Pesëdhjetë vjet më vonë këtë detyrë të vështirë e mori mbi vete Lec Zadeja, i cili bëri përpjekjen për t’i dhënë letërsisë shqipe një Zadejë sa më të plotë, në veprën “Dom Ndré Zadeja, Veprat”, në dy vëllime(1994 -1996) botuar në Lezhë nga shtypshkronja “Gjergj Fishta”. Përmes kësaj vepre të punuar me dashuri, lexuesi njihet me Zadejën poet, prozator e dramaturg.

Poezitë e para të Zadejës janë: “Muzhika” e “Piktura”, përmes të cilave u këndon këtyre arteve që lartojnë e fisnikërojnë shpirtin e njeriut. Pastaj Meshtari poet, duke ecur në gjurmët e Etërve Xanoni, Fishta, Prenushi e të tjerëve, krijoi një cikël me poezi fetare, si “Natyra e Zojës”, “Falni”, “Të Kryqëzuemit”, “Shêjtnorja e Zojës” etj. Poezitë përshkohen nga fryma e filozofisë së krishterë, këndojnë mirësinë, dashurinë e faljen. Duke provuar ritme, metra e strofa të ndryshme, Zadeja solli një ndihmesë të madhe në pasurimin e prozodisë shqiptare.

Pas hyrjes së regjimit komunist, u arrestua më 4 shkurt 1945. U pushkatua te varrezat e Rrmajit më 25 mars 1945./atsh/ KultPlus.com

Letra e lamtumirës që Kurt Cobain i la gruas dhe vajzës përpara vetëvrasjes

Ish-solisti i grupit Nirvana i dha fund jetës së tij, në gjendje të rënduar psikologjike dhe emocionale, në vitin 1994. Përpara aktit final, la një letër për bashkëshorten dhe vajzën.

“Po ju flas nga këndvështrimi i një njeriu të thjeshtë disi me përvojë, i cili do të preferonte të ishte një fëmijë. Kjo letër duhet të jetë mjaft e thjeshtë për t’u kuptuar. Të gjitha paralajmërimet bazë të shkollës që më janë bërë ndër vite, që në fillimet e mia, si etika e pavarësisë dhe komunitetit, kanë rezultuar të sakta. Nuk ndjej më emocione në dëgjimin e muzikës apo edhe në krijimin e saj.

Kjo më bën të ndihem tmerrësisht fajtor. Për shembull, kur jam në prapaskenë dhe dritat fiken dhe dëgjoj të bërtiturën e publikut që ngrihet me zë të lartë, nuk e ndjej atë që ndjeu Freddie Mercury, i cili u ndje i dehur nga turma, ai merrte energji prej saj. E kam admiruar gjithmonë dhe e kisha zili për këtë. Fakti është se nuk mund ta gënjej asnjërin prej jush. Thjesht nuk do të ishte e drejtë. Krimi më i madh që mund të bëj është që të pretendoj dhe të besoj se po argëtohem 100%. Ndonjëherë më duket se e bëj këtë krim sa herë që ngjitem në skenë. Unë kam provuar gjithçka që kam në dorë, kam Zotin dëshmitar, por kaq mundem.

Unë jam shumë i ndjeshëm. Më duhet të trullos veten për të rifituar entuziazmin që kisha kur isha fëmijë. Gjatë tre turneve tona të fundit kam qenë në gjendje të vlerësoj shumë më tepër njerëzit që kam njohur personalisht dhe fansat e muzikës sonë, por ende nuk mund ta kapërcej zhgënjimin, fajin dhe ndjeshmërinë që kam për të gjithë. Pse nuk argëtohem? Nuk e di. Unë kam një grua hyjnore me ambicie dhe ndjeshmëri, dhe një vajzë që më kujton kohën kur isha si ajo, plot dashuri dhe gëzim…

Të puth të gjithë njerëzit që takoj, sepse të gjithë janë të mirë dhe askush nuk mund të bëjë keq, kjo më tmerron deri në atë pikë sa humbas funksionet e mia jetësore. Nuk e duroj dot idenë që Frances të bëhet një rokere e mjerë, vetëshkatërruese si unë. Më ka shkuar mirë, shumë mirë gjatë këtyre viteve dhe jam mirënjohës, por jam rritur me urrejtje për njerëzimin që në moshën shtatë vjeçare. Faleminderit të gjithëve nga fundi i stomakut tim të djegur e të sëmurë, për letrat dhe mbështetjen që më keni dhënë ndër vite. Unë jam një fëmijë i paqëndrueshëm! Dhe nuk kam më asnjë emocion, dhe më besoni është më mirë të digjem shpejt sesa të zbehem ngadalë!

Paqe, dashuri, ndjeshmëri. Kurt Cobain!

Frances dhe Courtney, unë do ju mbroj nga lart!.

Të lutem Courtney, ji e fortë, për Frances.

Do të jeni më të lumtura pa mua.

Ju dua! Ju dua!”./ KultPlus.com

Oh, lamtumirë, o letër

Poezi nga Aleksander Pushkin

Oh, lamtumirë, o letër! Ajo më porositi…..
Sa po më dridhet dora tani prej dhembshurisë!
Si mund t’i djeg gëzimet që më kish patur shpirti?!
Po mjaft, erdhi ora, digju, o letr’ e dashurisë!
Jam gati, nuk më tundet më zemra në gji.
O flakë, flak’ e etur, cdo fletë digje ti…
U ndezën…. flakëruan…..i heshtur tym’ i lehtë,
Përdridhet e me lutjet e mija larg humbet.
As vulëza mbi zarf tani s’dallohet dot.
Se dylli, ja po shkrin, po zjen….O Zot! O Zot!
U dogj se fundi letra, u nxi në të çdo fletë!
Te shtrenjtat shkronja zbardhin mbi shkrumbëzën e lehtë.
Dhe zemra më rreh brinjët me vrull. I shtrenjt’ o hi,
O ngushëllim i vetëm i fatit tim të shkretë,
Te paktën ti mos ik prej shpirtit tim të zi../ KultPlus.com

Propozimi për lejimin e martesave të gjinive të njëjta ka nxitë debat, bashkësitë fetare paralajmërojnë konferencë

Bashkësia Islame e Kosovës, Ipeshkëvia e Kosovës, Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës dhe Bashkësia Hebraike e Kosovës, së bashku sot do të dalin me qëndrim rreth kodit civil që pritet të hidhet në votim në Kuvendin e Kosovës.

Konferenca do të mbahet nga ora 17:00, në selinë e Bashkësisë Islame.

“Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, Ipeshkëvia e Kosovës, Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës dhe Bashkësia Hebraike e Kosovës, sot, më 23 shkurt 2022, në orën 17:00h, do të dalin me qëndrim të përbashkët për nismën e institucioneve të vendit për miratimin e projektligjit të Kodit civilit të Kosovës”.

“Bashkësitë fetare tradicionale të shqiptarëve do të përfaqësohen nga prijësit më të lartë ty tyre:

Naim ef. Tërnava, Myfti i Kosovës;

Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Kosovë;

Fehmi Cakolli, Pastor i Kishës Protestante Ungjillore;

Votim Demiri, Kryetar i Bashkësisë Hebraike të Kosovës”.

Takimi mbahet në selinë e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, ku pritet që të nënshkruhet edhe deklarata e përbashkët.

Një debat i madh është nxitur ditëve të fundit rreth këtij Projektkodit civil, sidomos tek pjesa e lejimit të martesës mes gjinive të njëjtë./ KultPlus.com

Vdes ikona e grupit ‘Screaming Trees’

Mark Lanegan, këngëtari i grupit “Screaming Trees”, ka vdekur në moshën 57-vjeçare. Muzikanti, gjithashtu një anëtar i Queens Of The Stone Age dhe The Gutter Twins, ndërroi jetë këtë mëngjes në shtëpinë e tij në Killarney, Irlandë. Njoftimi u bë përmes një deklarate në llogarinë e tij në Twitter.

“Miku ynë i dashur Mark Lanegan ndërroi jetë këtë mëngjes në shtëpinë e tij në Killarney, Irlandë. Këngëtar, kompozitor, autor dhe muzikant i dashur, ishte 57 vjeç dhe ka lënë pas gruan e tij Shelley. Asnjë informacion tjetër nuk disponohet për momentin. Familja i kërkon të gjithëve që të respektojnë privatësinë e tyre në këtë moment.”

Lanegan ishte frontmeni i The Screaming Trees nga 1985-2000 dhe ishte gjithashtu i njohur për punën e tij me grupe si Queens of the Stone Age, Mad Season, The Gutter Twins dhe për bashkëpunimet e tij të shumta./ KultPlus.com

BTS rikthehet me koncerte në Amerikë

Grupi koreano-jugor BTS do të kthehen në Shtetet e Bashkuara për një seri koncertesh në Las Vegas në prill, tha agjencia e tyre të mërkurën, transmeton KultPlus.

Koncertet, pjesë e turneut të tyre “Permission to Dance on Stage” që është ndërprerë nga pandemia, do të mbahen në datat 8-9 dhe 15-16 prill, me shfaqjen e fundit të transmetuar drejtpërdrejt.

Që nga debutimi në vitin 2013, BTS ka udhëhequr një mani globale të K-pop-it me muzikë dhe kërcime tërheqëse, optimiste, si dhe tekste dhe fushata sociale që synojnë fuqizimin e të rinjve, shumë prej të cilëve kanë krijuar baza masive fansash në internet.

Grupi prej shtatë anëtarësh luajti koncertet e tij të para personalisht që nga fillimi i pandemisë në nëntor, në Los Anxhelos dhe javën e kaluar njoftoi se do të organizonte shfaqjet e para për fansat e tyre në shtëpi që nga fillimi i pandemisë, me tre koncerte në kryeqyteti, Seul, muajin e ardhshëm. Lexo më shumë

Të martën, Big Hit tha se V, këngëtarja dhe kompozitori i grupit, emri i vërtetë i të cilit është Kim Tae-hyung, ishte shëruar nga një infeksion koronavirus.

Ai ishte anëtari i pestë i grupit që kontraktoi COVID-19, duke përfshirë tre që rezultuan pozitivë në dhjetor menjëherë pas kthimit të tyre nga shfaqjet në SHBA.

Ndërsa pandemia u përhap në vitin 2020, grupi e shtyu dhe më pas anuloi atë që duhej të ishte turneu i tyre më i madh ndërkombëtar që përfshin gati 40 koncerte. Në vend të kësaj ata mbajtën disa shfaqje në internet./ KultPlus.com

Ndahen mbi 13 milionë euro për Pakon e Ringjalljes Ekonomike, shtohet edhe një masë

Qeveria e Kosovës ia ka shtuar edhe një masë Pakos së Ringjalljes Ekonomike të korrikut të vitit të kaluar, duke ndarë 10 milionë euro të tjera si shtesë për rezervat shtetërore dhe 3.5 milionë të tjera për 5 masa nga kjo pako.

“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e ka sjellë propozim-vendimin për ta shtuar një masë të re në Pakon e Ringjalljes Ekonomike, përkatësisht propozimin për ndarjen e 10 milionë eurove për zbatimin e masës 3.8, rritja e rezervave shtetërore”, tha kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se ky vendim vjen pas situatës në tregjet globale dhe luhatjes së çmimeve.

“Në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë tashmë është programi për rezerva shtetërore, mirëpo marr parasysh ndyshimin e situatës dhe gjendjen në tregjet globale dhe çmimeve, luhatjes së tyre, e kemi pa të nevojshme që në kuadër të Ringjalljes Ekonomike ta shtojmë edhe masën 3.8 që ka të bëjë me rritjen e rezervave shtetërore, e për këtë pastaj do ta kemi edhe pikën e ndarjes së shumës, pra 10 milionë euro shtesë”, tha Murati.

Qeveria po ashtu ka ndarë 3.5 milionë euro edhe për pesë masa të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Këto mjete dedikohen për mbështetjen e rikthimit në punë të atyre që e kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë, mbështetjen për të punësuarit e formalizuar, mbështetjen e punësimit të grave dhe mbështetjen e familjeve që e kanë humbur kryefamiljarin./ KultPlus.com

‘Kur dikush ta fyen njerëzillëkun bija ime, prishi krejt urat, digji tërë anijet’

Poezi nga Shqiptar Oseku.

kur dikush të kërkon bukë
ndaje koren e fundit me të bija ime
më mirë të jeni bashkë pak të uritur
se të ngopesh vetëm

kur dikush ta lyp një pikë ujë në orë zori
shpije te pusi i oborrit nën man
ka vite që është prerë ajo pemë e vjetër
por hija i bën ende fllad

kur dikush ta fyen njerëzillëkun bija ime
prishi krejt urat digji tërë anijet
mos ji kurrë as grua as nënë as bijë e askujt
po s’qe së pari njeri. /KultPlus.com

Kurti urdhëron të hyjë sot në fuqi vendimi për punësimin e personave me aftësi të kufizuara

Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka njoftuar se e ka marrë një vendim për punësimin e personave me aftësi të kufizuara.

Kurti tha se me vendimin e tij, organet e administratës shtetërore obligohen ta zbatojnë këtë.

“Lidhur me punësimin, sot kam marrë vendim që i obligon organet e administratës shtetërore që gjatë vitit 2022 t’i plotësojnë kuotën për punësimin e personave me aftësi të kufizuar”, tha ai.

Kurti njoftoi se ky vendim ka hyrë në fuqi sot./ KultPlus.com

Kryeparlamentari Konjufca: Pa e ba si n’shkollë fillore me tri mungesa, s’funksionon ky Kuvend

Kryeparlamentari Glauk Konjufca është tallur dje me mungesat e deputetëve nëpër seanca.

Meqe në Kuvend s’kishte mjaftueshëm deputetë sa për ta bërë koorumin, Konjufca është tallur, duke thënë se duhet ta bëjnë punën e mungesave të deputetëve si në shkollë fillore.

“Po m’doket pa e ba si n’shkollë fillore me tri mungesa, nuk funksionon ky Kuvend. 61 me menxi”, ka thënë Konjufca.

Ndryshe, tash e tutje, deputetët që mungojnë në seanca do sanksionohen edhe financiarisht. Këtë e ka mundësuar votimi i Rregullorës së re të Kuvendit, shkruan Gazeta Express.

Adnan Rrustemi, kryetar i Komisionit për Legjislacion ka thënë se shuma e dënimit do të saktësohet nga Kryesia e Kuvendit.

Poashtu, Rrustemi tha se tash do formohet edhe Konferenca e Shefave të Grupeve Parlamentare, që bashkë me Kryesuesin e Kuvendit do mbajnë mbledhje të rregullta, për t’i përpiluar politikat e Kuvendit, e po ashtu edhe do t’i caktojë seancat./KultPlus.com

Burimësitë etike të të menduarit filozofik sipas Karl Jaspers          

Nga: Karl Jaspers
Përktheu: Arben Haxhiymeri

Historia e filozofisë, si një formë e të menduarit metodik, zuri fill këtu e dymijë e pesëqind vjet më parë, ndërkohë që si formë e të menduarit mitik, fillesat e saj i vërejmë shumë kohë më parë. Sidoqoftë, fillesa është diçka krejtësisht e ndryshme nga burimi: fillesa është historike dhe u ofron pasardhësve një sasi të caktuar të dhënash në lidhje me punën intelektuale të kryer më parë, ndërkohë që burimi është gurra prej nga e përfton ekzistencën për t’u dhënë pas të menduarit filozofik. Vetëm lidhja e drejtpërdrejtë me burimin është gjithë sa i jep të menduarit filozofik të kohëve tona një kuptim thelbësor, ndërkohë që, nga ana tjetër, është po kjo lidhje që na bën të mundur të kuptojmë të menduarit filozofik të së shkuarës. Ndërkaq, ky burim na shfaqet i llojeve të ndryshme. Më së pari, ndjesia e habisë shpie në lindjen e pyetjeve dhe në formimin e ideve dhe pikëpamjeve të ndryshme; ndjesia e pasigurisë dhe dyshimi që njeriu ushqen në lidhje me shkallën dhe vërtetësinë e njohurive që ka arritur të përftojë shpije në lindjen e analizës kritike dhe procesit të vërtetimit; frika dhe ndjesia e të qenit i veçantë e shpije njeriun drejt sipërmarrjes për të njohur vetveten. Le të përpiqemi ndërkaq që të qëmtojmë nga afër këto tre burime.

Së pari: Platoni pohon se të menduarit filozofik buron nga ndjesia e habisë. Falë syve, “kemi mundësinë të marrim pjesë në shfaqjen e mrekullueshme që ofrojnë yjet, dielli dhe kupa qiellore”. Kjo shfaqje “na shtyu që t’i hyjmë vrojtimit të kujdesshëm dhe të thelluar të mbarë gjithësisë; pikërisht prej këndejmi zuri fill dhe u zhvillua të menduarit filozofik, më e çmuara ndër tërë dhuntitë që hyjnitë u dhanë vdekatarëve”. Ndërkaq, Aristoteli pohon: “Në të tashmen, sikundërse edhe në të shkuarën, njerëzit filluan që të jepen pas të menduarit filozofik për shkak të ndjesisë së habisë: në fillim ndiheshin të habitur përballë gjërave të çuditshme me të cilat haseshin; më pas, dora-dorës që përparonin, filluan që të ngrinin pyetje në lidhje me probleme shumë herë më të thella dhe më të mëdha: për shembull, rreth problemeve që lidheshin me dukuritë e hënës, me dukuritë e diellit dhe të yjeve të tjerë, apo rreth problemeve në lidhje me zanafillën e mbarë gjithësisë”. Ndjesia e habisë e shtyn njeriun që të vihet në hulumtim të njohjes.

Gjatë kohës kur ndjejmë habi, në një formë apo tjetrën bëhemi të vetëdijshëm për mungesat që kemi në fushën e njohjes. Kështu që, pa një pa dy, vendosemi në hulumtim të njohjes, dhe fjala është për një hulumtim thjesht dhe vetëm për hir të njohjes, dhe jo “për të kënaqur apo për të përmbushur një nevojë të rëndomtë”. Gjatë kohës kur jepet pas të menduarit filozofikë, njeriu zgjohet, duke u çliruar nga pesha dhe vargonjtë e nevojave të përditshme. Ky zgjim zë fill në mënyrë krejt të natyrshme gjatë kohës kur njeriu sodit pa kurrfarë interesi gjësendet, qiellin, botën, dhe fillon që të pyesë veten: “Çfarë është vallë e gjithë kjo? Prej nga vjen vallë e gjithë kjo?”. Gjatë kohës kur përpiqet që t’i japë një përgjigje pyetjeve të kësaj natyre, njeriu nuk synon që të vjelë ndonjë përfitim material apo praktik, por thjesht që përgjigjet në fjalë të jenë sa më të kënaqshme dhe të qëndrueshme.

Së dyti: fill sapo arrijmë të davarisim ndjesinë e habisë dhe mahnitjes përmes njohjes së asaj çka është në vetvete objekti që shkakton vetë habinë, në një mënyrë apo tjetrën vërejmë të nxjerrë krye dyshimi. Natyrisht, tashmë kemi arritur që të kristalizojmë një mori idesh apo pikëpamjesh të caktuara, por ende nuk jemi në gjendje të themi nëse këto ide apo pikëpamje do të vijojnë të jenë të qëndrueshme dhe të vërteta edhe pas kalimit të tyre në sitën e analizës kritike. Perceptimet shqisore kufizohen dhe kushtëzohen nga shqisat tona, dhe pikërisht për këtë arsye mund të na shtyjnë në të shumtën e herëve drejt disa përfundimeve të gabuara; nga çdo këndvështrim që t’i shohim, këto perceptime nuk përkojnë me realitetin që ekziston në vetvete dhe jashtë nesh, në fund të fundit, me realitetin e pavarur nga perceptimet tona. Kategoritë që përdorim janë ato të të kuptuarit tonë njerëzor. Këto kategori i vërejmë shpeshherë të ngecin keqas në një rrjetë të dendur kontradiktash të pazgjidhshme. Kudo dhe kurdoherë një pohim i kundërvihet një pohimi tjetër. Gjatë përparimit që bëjmë brenda domenit të të menduarit filozofik, ne vendosemi vazhdimisht përballë dyshimit dhe përpiqemi që të vështrojmë, të trajtojmë dhe analizojmë në mënyrë rrënjësore gjithçka nën dritën e këtij dyshimi; gjatë këtij procesi analitik, dikush mund të ndalet dhe të kënaqet thjesht me një qëndrim skepticist, i cili e shtyn, nga njëra anë, që të mos pranojë asgjë dhe, nga ana tjetër, ia pret udhën në mes, duke i hequr çdo mundësi për të bërë qoftë edhe një hap të vetëm përpara; ndërkaq, një tjetër mund të mos kënaqet me një qëndrim të tillë, arsye për të cilën vendos që të vijojë hulumtimin e tij më tej dhe më në thellësi. Ndërkaq, pyetja që shtrohet krejt natyrshëm në këtë rast, është: a ekziston vallë një përftesë e sigurt dhe e qëndrueshme, një ide apo një pikëpamje përfundimtare, si të thuash, e cila të jetë në gjendje që të qëndrojë larg çdo dyshimi dhe t’i qëndrojë paepur çdo lloj qasjeje kritike?

Shprehja tashmë e njohur e Descartes-it “Mendoj, pra ekzistoj”, shfaqej për të një përftesë apo një përfundim më se i sigurt, pavarësisht se ai vetë u përpoq që ta vështronte gjithçka tjetër me dyshim. Arsyeja është më se e thjeshtë: edhe në rast se përpjekja jonë është e destinuar që të dështojë, edhe në rast se vetë dështimi shfaqet i një natyre të atillë, që i kapërcen paq të gjitha mundësitë dhe aftësitë e të kuptuarit tonë, sërishmi duhet thënë se e tërë kjo nuk na pengon aspak në të kuptuarit e të vërtetës së thellë që lëviz pas tij; më konkretisht këtu, të faktit se përpara se t’ia dalë apo të dështojë në një sipërmarrje të caktuar, njeriu lipset më së pari të ekzistojë. Dyshimi metodik na shtyn vetvetiu drejt analizimit kritik të mbarë njohurive, të ideve apo pikëpamjeve të përftuara; prej këndejmi, besojmë se del mjaft qartas në pah se të menduarit e mirëfilltë filozofik nuk mund të ekzistojë pa një qëndrim rrënjësisht dyshues. E megjithatë, gjithë sa shfaqet e nevojshme në këtë është përpjekja për të vëmë në pah se në ç’mënyrë dhe deri në ç’pikë na lejon kjo vënie-në-dyshim që të ndërtojmë një themel të sigurt në lidhje me njohjen.

Së treti: gjatë kohës që përpiqemi që t’i përqendrojmë të gjitha energjitë tona rreth njohjes së gjësendeve që gjenden në botën brenda të cilës jetojmë; gjatë kohës kur jepemi pas vëniesnë-dyshim si një mënyrë për të arritur tek njohja e sigurt dhe e përpiktë, në të vërtetë ne gjendemi dhe lëvizim në brendësi gjësendeve; aso çastesh nuk vramendemi rreth vetvetes, rreth qëllimeve, lumturisë apo shëlbimit tonë. Në këtë lënie-pas-dore apo harresë ndaj vetvetes, ne ndihemi të kënaqur me arritjen e kësaj njohjeje. Ndërkaq, kjo lloj sjelljeje ndryshon rrënjësisht në çastin kur ne bëhemi të vetëdijshëm apo ndërgjegjësohemi për ekzistencën e vetvetes brenda gjendjes në të cilën ndodhemi.

Epikteti, një mendimtar i shkollës së stoicizmit, pohon se “të menduarit filozofik lind dhe zhvillohet në çastin kur bëhemi të vetëdijshëm rreth dobësisë dhe pafuqisë sonë.”. Po si mund t’ia dalim vallë mbanë, nëse ndihemi dhe jemi vërtet të pafuqishëm? Përgjigjen që Epikteti dha në lidhje me këtë pyetje, mund ta përmbledhim me këto fjalë: gjithçka që gjendet jashtë mundësive dhe fuqive tona, është e nevojshme që ta vështrojmë si diçka që nuk ka kurrfarë lidhjeje me ne, dhe kjo për shkak të vetë natyrës që shfaq, ndërkohë që, nga ana tjetër, gjithçka që varet nga ne, shprehimisht këtu, përmbajtjen dhe formën e shtrimit të ideve, është e nevojshme që ta drejtojmë gjithnjë e më tepër për nga qartësia dhe liria përmes forcës së të menduarit. Dhe tani le të përpiqemi që të hedhim një vështrim të shpejtë rreth gjendjes ekzistenciale në të cilën ndodhemi ne, qeniet njerëzore. Njerëzit vërejmë të lëvizin gjithmonë brenda disa gjendjeve të caktuar ekzistenciale. Me ndryshimin e tyre, gjendjet ekzistenciale na vendosin vazhdimisht përballë një morie mundësish për të organizuar jetën tonë. Në rast se i lëmë të na rrëshqasin, mundësitë në fjalë humbasin, ikin dhe nuk kthehen më. Në jo pak raste, njeriu mund të përpiqet që të ndryshojë gjendjet ekzistenciale në të cilat ndodhet. Porse, nga ana tjetër, lipset që të themi, madje, edhe që t’i mëshojmë fort faktit, se ekzistojnë jo pak gjendje ekzistenciale të cilat në të vërtetë mbeten në thelb krejt të pandryshueshme, pavarësisht se mund të ndryshojnë në pamjet e tyre të përkohshme apo se forca tronditëse dhe ligjësitë e tyre të brendshme mund të qëndrojnë në errësirë: një ditë do të vdesim, apo se në këtë jetë është e pamundur që të mos hasemi me vështirësi apo vuajtje, apo se në këtë jetë na duhet shpeshherë që të përpiqemi dhe të ndeshemi me gjithfarë problemesh, apo se në të shumtën e herëve gjendemi në mëshirë të fatit, apo se në një formë apo tjetrën biem vazhdimisht në gabim etj. Të tilla gjendje themelore të ekzistencës sonë i cilësojmë si gjendje të fundme ekzistenciale. E shprehur paksa më ndryshe, fjala është për ato gjendje ekzistenciale të cilat jemi të pafuqishëm që t’i ndryshojmë apo t’u rrëshqasim, si me thënë.

Së bashku me habinë dhe dyshimin, vetëdija apo ndërgjegjësimi në lidhje me këto gjendje të fundme ekzistenciale është burimi më i thellë dhe më i pasur i të menduarit filozofik. Në jetën tonë të përditshme, shpeshherë mëtojmë t’u rrëshqasim, t’i anashkalojmë të tilla gjendje të fundme ekzistenciale, duke u përpjekur të mbyllim sytë dhe të jetojmë mend sikur syresh nuk ekzistojnë. Kështu, për shembull, shpeshherë përpiqemi të lëmë në harresë faktin se një ditë do të vdesim, apo faktin se kemi gabuar më se një herë, apo faktin se shpeshherë gjendemi në mëshirën e fatit. Në të shumtën e herëve mëtojmë që t’u bëjmë ballë vetëm atyre gjendjeve dhe situatave që shfaqen konkrete, të përditshme, duke u përpjekur t’i vëmë syresh nën “hyqmin” dhe “interesin” tonë; shpeshherë përpiqemi të reagojmë ndaj tyre duke thurur plane dhe duke vepruar sipas një mënyre a tjetre brenda botës në të cilën jetojmë, duke u shtyrë vazhdimisht nga interesat e jetës sonë të përditshme.

Ndërkaq, sa i përket gjendjeve të fundme ekzistenciale, ndaj syresh shpeshherë reagojmë ja përmes anashkalimit dhe lënies në harresë, ja përmes dëshpërimit dhe rilindjes, në ato raste kur arrijmë t’i ngërthejmë të tilla gjendje: arrijmë që të bëhemi vetvetja përmes një ndryshimi të brendshëm në vetëdijen apo ndërgjegjshmërinë tonë në lidhje me qenien si e tillë. Ndërkaq, gjendjen ekzistenciale të qenieve njerëzore mund ta përkufizojmë fare mirë duke ndjekur një drejtim tjetër; më konkretisht, duke e vështruar si një përftesë që mundësohet nga qëndrimi skepticist që shfaqim në lidhje me ekzistencën e botës materiale. Në të shumtën e herëve, dhe në mënyrë mjaft të mefshtë e të gabuar, botën materiale e vështrojmë si të ishte vetë qenia si e tillë. Gjatë kohës kur gjendemi në situata të këndshme, i gëzohemi jo pak fuqisë që vërejmë apo ndjejmë brenda vetes, tregojmë një lloj mospërfilljeje dhe një besim të verbër tek vetvetja, dhe nuk vështrojmë si të mirëqenë asgjë tjetër përpos se të tashmen në të cilën gjendemi. Ndërkaq, kur gjendemi në situata dhembjeje, dobësie dhe pafuqie, ndjejmë të mbërthehemi keqazi nga dëshpërimi. Porse, në rast se arrijmë të dalim gjallë nga një situatë e tillë, përpiqemi që ta hedhim pas krahëve apo që ta varrosim në harresë një situatë të tillë, për t’iu dhënë sërishmi një hedonizmi të shfrenuar. Një përvojë e tillë, pavarësisht kësaj ane negative, ka arritur të formësojë jo pak prirjet dhe mprehtësinë e qenies njerëzore. Jetesa nën trysninë e rrezikut dhe kanosjes e shtyn njeriun që të vihet në kërkim të sigurisë. Përmes nënshtrimit të natyrës dhe bashkëjetesës me qeniet e tjera njerëzore, njeriu përpiqet ta bëjë ekzistencën e vet sa më të sigurt. Njeriu vendos pushtetin e tij mbi natyrën me qëllim që kjo e fundit të kthehet një shërbëtore e tij; përmes shkencës dhe teknologjisë, njeriu përpiqet që ta shndërrojë natyrën në burim shfrytëzimi.

Sidoqoftë, pavarësisht kësaj, lipset të themi se ende gjallon një element i gjithë sa shfaqet e pallogaritshme dhe e paparashikueshme; një element i tillë gjallon deri edhe në vetë sundimin që njeriu ka vendosur mbi natyrën, arsye për të cilën vijon të shfaqet si një kanosje e vazhdueshme, përballë të cilës përfundimi na shfaqet gjithnjë një dështim i plotë: ligji i egër i jetesës përmes punës rraskapitëse, mplakja, sëmundja dhe vdekja janë disa dukuri krejtësisht të pashmangshme. Natyra që kemi arritur të nënshtrojmë nuk shfaqet e dobishme dhe e shfrytëzueshme përpos se në disa raste tejet të veçanta, duke na dhuruar një ndjesi të vagëllimtë të një sigurie të pjesshme dhe tejet të përkohshme; ndërkaq, lipset thënë se të tërë rastet e tjera sundohen egërsisht nga një pasiguri e mbrame. Sakaq, njerëzit përpiqen të krijojnë dhe organizojnë jetesën në bashkësi me qëllim që t’i presin hovin luftës së pafundme të të gjithëve kundër të gjithëve; në fund të fundit, përmes marrëdhënieve dhe ndihmesës së ndërsjellët, nuk mëtojnë përpos se të arrijnë një siguri për jetën. E megjithatë, pavarësisht këtij mëtimi, lipset të vëmë në dukje se edhe në këtë drejtim ekziston një kusht i pakapërcyeshëm: drejtësia dhe liria nuk mund të sigurohen dhe vihen në jetë përpos se në ato raste kur ekziston një shtet në të cilin çdo qytetar shpalos karshi qytetarëve të tjerë një prirje solidariteti të tërësishëm, absolut, si me thënë; vetëm në të tilla raste, në qoftë se një qytetar bëhet pre e një padrejtësie, të tërë qytetarët do të ngriheshin kundër saj si të ishin një trup i vetëm.

Një shtet i tillë, siç na mëson edhe historia, nuk është parë kurrë një herë në këtë botë brenda të cilës jetojmë. Një ndjenjë e tillë solidariteti, që i lidh njerëzit me njëri-tjetrin në çaste fatkeqësish apo nevojash, nuk është vërejtur deri më sot përpos se tek disa grupe tejet të kufizuar, madje, shpeshherë, thjesht dhe vetëm tek disa individë fare të pakët në numër. Asnjë shtet, asnjë institucion fetar, asnjë shoqëri nuk është në gjendje që të na ofrojë një siguri absolute për jetën dhe ekzistencën tonë mbi këtë planet që quhet tokë. Një siguri e kësaj natyre ka qenë për një kohë mjaft të gjatë një nga ndezullitë më trëndafilore të mbarë historisë së qenieve njerëzore; në të shumtën e herëve, gjendjet e fundme ekzistenciale ja u anashkaluan, ja u hodhën pas krahëve për t’u varrosur në heshtje dhe në harresë të mbrame. Ndërkaq, në lidhje me pasigurinë dhe luhatjen e përgjithshme që na shpërfaq bota brenda të cilës jetojmë, lipset thënë se ekziston një lloj kundërpeshe, apo një anë tjetër e medaljes, nëse mund të shprehemi kësisoj: në këtë botë ekzistojnë jo pak gjëra që meritojnë të vështrohen si të mirëqena, që meritojnë t’u zëmë besë se janë të tilla, si me thënë; kështu, për shembull, ekziston toka që na mban sipër, ekziston streha dhe atdheu, etërit dhe të parët tanë, vëllezërit, motrat dhe miqtë, bashkëshortët dhe bashkëshortet.

Po ashtu, ekziston një themelësi e kristalizuar dhe e çimentuar si e tillë nga tradita dhe zhvillimet historike të mbarë njerëzimit: gjuha amtare, besimi fetar dhe përvoja shpirtërore, puna, përpjekjet dhe lëvrimet apo përftesat e njerëzve të mendimit, e poetëve dhe e krijuesve dhe lëvruesve të sferave të artit. E megjithatë, pavarësisht vlerave dhe rëndësisë që mbart, lipset thënë se kjo traditë nuk është aspak në gjendje që të na dhurojë ndjesinë e sigurisë, apo të na sigurojë ekzistencën apo jetesën e përditshme mbi këtë planet, arsye për të cilën nuk mund ta vështrojmë assesi si një burim sigurie apo si një pikëmbështetje e qëndrueshme dhe e sigurt. Një nga arsyet e gjithë kësaj qëndron në faktin se kjo traditë shfaqet, më së pari, krijim i njeriut; Perëndia nuk gjendet në asnjë cep të botës dhe as përzihet me punët e saj. Për këtë arsye, tradita në fjalë, e vështruar në tërësinë dhe të tërësishmen e saj, qëndron krejt e hapur ndaj diskutueshmërisë, shfaqet fort e diskutueshme në tërë sa mbart dhe shpalos në vetvete. Prej këndejmi, nëse mbështetet tek kjo traditë, nëse i mban sytë e mbërthyer vetëm tek ajo, njeriut i shtrohet si detyrë që ta hulumtojë brenda vetes sigurinë për jetën, qenien, forcën tek e cila duhet të mbështetet etj. Në këtë drejtim, ekziston një paralajmërim, me fort gjasa, madje, nga një zë autoritar: nuk duhet ta vështrojmë si të mirëqenë asgjë që është pjesë e kësaj bote brenda të cilës jetojmë, e kemi të ndaluar, si me thënë, të kënaqemi dhe të mjaftohemi me të gjithë sa vërejmë brenda realitetit të dukshëm, brenda botës materiale.

Një paralajmërim i tillë na shpërhap drejt një realiteti apo çështjeje tjetër. Gjendjet e fundme ekzistenciale – vdekja, rastësia, ndjenja e fajësisë, pasiguria në lidhje me botën brenda të cilës jetojmë – na vendosin gjithnjë përpara një dështimi. Çfarë mund dhe duhet të bëjmë vallë përballë këtij dështimi të tërësishëm dhe të pashmangshëm, të cilin, nëse tregohemi të çiltër, e kemi të pamundur të mos e pranojmë si të tillë, apo ta mohojmë dhe ta hedhim pas krahëve? Këshilla që na jep stoicizmi, shprehimisht këtu, ideja sipas të cilës në të tilla raste është e nevojshme të tërhiqemi apo të strehohemi brenda lirisë sonë, e cila përkon me mendjen dhe të menduarit e pavarur, një këshillë e tillë, pra, personalisht mendojmë se tingëllon fort pak e përshtatshme dhe e pamjaftueshme. Parë nga ky drejtim, lipset thënë se stoicizmi thjesht gënjeu apo mashtroi vetveten, pasi nuk arriti që ta qëmtojë siç duhet dhe në mënyrë të tërësishme dhe rrënjësore dobësinë dhe pafuqinë njerëzore. Stoicizmi nuk ia doli mbanë që të kuptonte siç duhej faktin se të menduarit është një proces i varur, sikundërse nuk arriti të kuptonte, nga ana tjetër, se, e vështruar në vetvete, mendja e njeriut është e zbrazët, dhe se përmbajtja e saj qëndron në varësi të plotë nga gjithë sa vendosim ne brenda saj; po ashtu, stoicizmi nuk arriti të marrë parasysh ekzistencën e mendjeve të tjera, apo ekzistencën e asaj dukurie apo realiteti të mundshëm që njohim si çmenduri.

Kësisoj, stoicizmi nuk na jep asnjë lloj mbështetjeje apo ndjenje ngushëllimi; pamësia e të menduarit të pavarur është krejt e paqëndrueshme, për aq sa vetë mendja është e zbrazët, nuk mbart asnjë lloj lënde të mëvetësishme. Po ashtu, stoicizmi nuk na jep asnjë lloj shprese, për aq sa pamësitë dhe bindjet e tij botëkuptimore nuk i lënë asnjë shteg të lirë mundësisë për të mëtuar një shndërrim apo një revolucion të brendshëm, sikundërse nuk i lënë asnjë shteg të lirë mundësisë për të mëtuar plotinë e vetvetes me anë të dhurimit të kësaj vetveteje një vetveteje tjetër përmes forcës së dashurisë. Prej këndejmi, stoicizmi nuk i lë kurrfarë shtegu të lirë as pritshmërisë, as shpresës se mund të arrijmë ndonjë rrugëdalje fatlume nga gjendja në të cilën ndodhemi. E megjithatë, pavarësisht nga gjithë sa parashtruam më sipër, lipset thënë se, i vështruar në thelbin, natyrën dhe prirjet që shpërfaq, stoicizmi mëton vërtet që të depërtojë në suazat e të menduarit pastërtisht filozofik, forma e tij e të menduarit shpërfaqet filozofike në kuptimin më të pastër dhe më autentik të fjalës.

Çdo njeri që ka arritur të përjetojë në mënyrë sa parake, po aq edhe burimore, gjendjet e fundme ekzistenciale, ka arritur, më së pari, që të zbresë deri në thellësitë e honshme të vetvetes, për të kërkuar atyre zonave, përmes dështimit dhe pranimit të tij si i tillë, vetë udhën dhe përmasën e qenies si e tillë. Ndërkaq, lipset të themi se vetë forma e përjetimit të dështimit në fjalë ka qenë me të vërtetë vendimtare për mendimtarin skepticist: një dështim i tillë, falë natyrës rrëshqitëse që shpërfaq, mund të vijonte të qëndronte i fshehur, larg vetëdijes apo ndërgjegjes së mendimtarit, dhe një gjasë e tillë do ta kishte shtypur keqazi, do ta vithiste në shtjellat e një dëshpërimi të mbramë, ndërkohë që, në rastin kur arrin ta pikasë dhe ta kuptojë drejtë, njeriu mund ta vështrojë një dështim të tillë në sy dhe ta thadrojë mirë në mendje dhe në vetëdije si shenja e kufirit, e cakut të pakapërcyeshëm të jetës dhe ekzistencës së vet; ndaj këtij kufiri, apo caku ekzistencial, njeriu mund të mëtojë disa rrugëdalje apo zgjidhje imagjinare, siç mund të mëtojë që ta pranojë dhe ta njohë si të tillë, me çiltërsi dhe qetësi shpirtërore dhe mendore, duke mbyllur gojën dhe duke mëtuar të kultivojë artin e heshtjes përpara të pashpjegueshmes.

Prej këndejmi, lipset thënë se forma se si i qaset dhe e përjeton një dështim të kësaj natyre përcakton në thelb natyrën dhe prirjet e të gjithë sa njeriu do të jetë në vetvete, sikundërse edhe të gjithë sa do të mëtojë që të shpalosë tek të tjerët. Në rastet kur përballet me gjendjet e fundme ekzistenciale, njeriu haset ja me asgjënë, ja parandjen gjithë sa ekziston me të vërtetë dhe në të vërtetë, pavarësisht natyrës rrëshqitëse dhe të përkohshme që shpërfaq ekzistenca e vetë botës brenda të cilës jeton. Parë nga ky drejtim, lipset thënë se edhe vetë dëshpërimi, nisur nga fakti që shpërfaqet si një realitet i mundshëm dhe zë vend brenda botës sonë, në të vërtetë synon diçka tjetër dhe lëviz drejt një hapësire të përtejme, transcendentale, një hapësirë që gjendet përtej vetë botës. E shprehur me fjalë të tjera, qenia njerëzore mëton gjithnjë të vihet në kërkim të shëlbimit, të shpëtimit të vetvetes. Një shëlbim të tillë kanë rrahur të ofrojnë tërë besimet e mëdha universale (të mbarëhapësirshme dhe të mbarëkohshme), të cilat mbështeten fuqimisht tek realiteti i shëlbimit.

Tipari dallues i besimeve në fjalë qëndron tek prirja dhe misioni përkatës për t’i ofruar njeriut një siguri objektive në lidhje me të vërtetën dhe me realitetin e shëlbimit. Rruga drejt të cilës na shpërhapin besimet (fetë) e mëdha universale na shpijnë drejt një kthese vetjake në rrafshin etik dhe shpirtëror. Një kthesë të tillë të menduarit filozofik nuk është në gjendje të na e sigurojë. E megjithatë, pavarësisht kësaj, i vështruar në natyrën dhe thelbin e vet, të menduarit filozofik priret nga mëtimi për të shkuar përtej botës së gjësendeve, pothuajse njëlloj siç ndodh në rastin e hulumtimit të shëlbimit. Për të bërë një përmbledhje të gjithë sa jemi shprehur deri këtu: burimi i të menduarit filozofik lipset kërkuar tek habia, tek dyshimi, dhe tek ndërgjegjësimi në lidhje me pasigurinë që shpalos ekzistenca si e tillë. Sidoqoftë, lipset thënë se të menduarit filozofik zë fill me tronditjen e thellë që qenia njerëzore përjeton përsëbrendshmi, dhe është pikërisht një tronditje e tillë ajo që e shtyn njeriun të ndjejë nevojën për t’i vënë vetes një qëllim apo synim. Ndjenja e habisë ishte gjithë sa i shtyu Platonin dhe Aristotelin që të hulumtonin për natyrën e qenies si e tillë. Luhatshmëria dhe natyra e pasigurt që shfaqnin gjësendet e shtynë Descartes-in që të hulumtonte për gjithë sa shfaqet e sigurt dhe larg çdo mëdyshjeje. Vuajtjet dhe lëngatat që sillte jeta e përditshme i shtynë stoicistët që të hulumtonin për të gjetur rrugët që të shpinin drejt paqes dhe qetësisë së shpirtit dhe të mendjes.

Çdocili prej këtyre mëtimeve mbart të vërtetën përkatëse brenda vetes, të ndërveshur gjithnjë përmes pikëpamjesh dhe konceptesh historike dhe gjuhës. Ndërsa përpiqemi që t’i përvetësojmë të tilla forma të të menduarit filozofik, dora-dorës arrijmë të depërtojmë deri tek burimet dhe shtysat parake të të menduarit filozofik, syresh që vijojnë të gjallojnë ende brenda nesh. Të vështruar në natyrën dhe thelbin e tyre, këto burime dhe shtysa parake priren vazhdimisht të hulumtojnë për një themelësi të sigurt, të depërtojnë thellësive të qenies, për të rrokur kësisoj përjetësinë. E megjithatë, mund të ndodhë që, për ne, asnjë prej gjithë sa u shprehëm më sipër nuk është burimi më themelor, zanafilla më tërësore dhe më tërësuese. Kur qenia zbulon apo shpalos vetveten duke ngjallur brenda nesh ndjesinë e habisë, shpeshherë përballemi me një lloj frymëzimi apo gjallërimi, si të thuash, porse, nga ana tjetër, shpeshherë ndihemi të grishur të tërhiqemi nga bota e gjësendeve, për t’iu dhënë qashtërsisht një magjie metafizike. Ndërkaq, për të arritur gjithë sa shfaqet e sigurt dhe larg çdo mëdyshjeje është çështje e njohjes shkencore, pikërisht asaj njohjeje përmes të cilës përpiqemi t’i japim një drejtim të caktuar vetvetes dhe jetës sonë brenda botës në të cilën gjendemi.

Vështruar nga ky drejtim, sjellja dhe qëndrimi që stoicizmi shfaq ndaj botës që gjallon jashtë është thjesht kalimtar dhe nuk vlen përpos se në rastet kur përballemi me ndonjë fatkeqësi, apo kur përpiqemi që t’i shpëtojmë rrënimit të tërësishëm, porse, pavarësisht kësaj, stoicizmi vijon të shpërfaqet i zhveshur nga çdo lloj përmbajtjeje apo shenje jete. Sidoqoftë, lipset thënë se këto tre shtysa, habia që na shpie drejt njohjes, mëdyshja që na shpie drejt sigurisë, dhe ndërgjegjësimi në lidhje me pasigurinë që shpalos ekzistenca si e tillë, e cila na shpie drejt vetvetes, këto tre burime apo shtysa parake, pra, nuk përkojnë edhe aq me arsyet që na shtyjnë në kohët tona t’i jepemi të menduarit filozofik. Në kohët tona, që sa vijnë e po karakterizohen gjithnjë e më tepër nga një kthesë historike rrënjësore, në këtë epokë rrënimi të pashoq, kur rrugëdaljet fatlume mbeten ende të errëta, tre shtysat parake që trajtuam më lart vijojnë ende të mbeten të vlefshme, por të pamjaftueshme. Vlera dhe efikasiteti i tyre shfaqen të kushtëzuara, varen nga komunikimi mes njerëzve.

Në të kaluarën, mes njerëzve ekzistonin një mori lidhjesh të forta e të pamohueshme; ekzistonin bashkësi të qëndrueshme, institucione, ide dhe pikëpamje universale. Vështruar nga ky drejtim, madje, edhe njerëzit që jetonin të tërhequr, gëzonin deri diku mbështetjen e të tjerëve për këtë zgjedhje të tyre. Një nga simptomat më të dukshme të shpërbërjes nëpër të cilën po kalon mbarë shoqëria e kohëve tona vërehet qartazi në faktin se njerëzit sa vijnë dhe e kuptojnë gjithnjë e më pak njëri-tjetrin, takohen dhe ndahen me një lloj mospërfilljeje dhe pavramendjeje, aq sa mund të thuhet pa drojë se në kohët tona nuk ekziston më një bashkësi njerëzore e sigurt, një bashkësi që të mbështetet mbi ndjenjën e solidaritetit dhe ndershmërisë. Në kohët tona, gjendje në të cilën ndodhet mbarë njerëzimi, e cila ka ekzistuar përgjatë tërë historisë njerëzore dhe thuajse në çdo cep të lëmshit të dheut ku ka gjalluar jeta njerëzore, një gjendje e tillë universale, pra, sot duket se shpërfaqet e një rëndësie tejet të veçantë, madje, vendimtare. Më konkretisht, në kohët tona ndihen mjaft fuqishëm dilemat mes mundësisë dhe pamundësisë për t’u bërë njësh me Tjetrin në suazat e të vërtetës; besimi im, pikërisht në çastin kur ndihem i sigurt, fillon të bjerë ndesh dhe të përplaset egërsisht me besimin e njerëzve të tjerë; në kohët tona, në çdo vend dhe si kurrë më parë, vërejmë të gjallojnë një mori përpjekjesh të pashpresa për të arritur në një bashkim mes njerëzve, porse disa syresh shuhen shpejt, ndërkohë që disa të tjera synojnë ja nënshtrimin, ja asgjësimin e Tjetrit; ndërkaq, plogështia dhe kënaqësia pasive i shtyjnë njerëzit e zhveshur nga çdo lloj bindjeje ja drejt një bashkimi apo solidariteti të verbër, ja drejt sulmesh dhe fyerjesh po aq të verbra dhe të egra kundër njëri-tjetrit.

Një gjendje e tillë nuk mund të anashkalohet lehtë, pasi nuk është aspak e parëndësishme; do të kishte qenë e tillë vetëm në rast se do të kishte ekzistuar një e vërtetë që do të më bënte të ndihesha i plotë dhe i vetëmjaftueshëm brenda vetmisë apo jetës së tërhequr. Vuajtja që ndjej kur komunikimi me të tjerët është i papërsosur, apo kënaqësia e qashtër dhe autentike që më jep një komunikim i përsosur, nuk do të shfaqeshin aspak të tilla, në rast se në vetminë time do të ndihesha tërësisht i sigurt për të vërtetën. Porse, e vërteta është krejt ndryshe: në çdo vend dhe në çdo kohë, jam i shtrënguar të jem në një bashkëlidhje ekzistenciale me Tjetrin, pasi vetëm, në vetminë time, jam thjesht asgjë. Komunikimi i ndërsjellët që arrijmë të ngërthejmë, jo thjesht dhe vetëm nga të kuptuarit tek të kuptuarit, nga mendja tek mendja, por, më së pari dhe mbi të gjitha, nga ekzistenca tek ekzistenca, është e vetmja rrugë që na shpie drejt kuptimit dhe vlerave universale, në fund të fundit, drejt atij kuptimi dhe drejt atyre vlerave që nuk varen nga një njeri i vetëm, përkundrazi, janë të pavarura prej tij dhe gjallojnë përtej tij. Atëherë, nëse i vështrojmë nga ky drejtim, mëtimet për të gjetur përligjet e rastit, apo mëtimet për t’u hedhur në sulme dhe diskutime janë mjete jo për të fituar dhe vendosur pushtetin mbi Tjetrin, por për t’u afruar sa më tepër me Të. Fjala është për një debat, për një rrahje mendimesh që udhëhiqet nga parimet e dashurisë vëllazërore, ku çdo njeri ia dorëzon armët Tjetrit.

Siguria në lidhje me qenien e qashtër dhe autentike nuk qëndron tjetër përpos se në këtë formë komunikimi të hapur, ku liria qëndron ballë për ballë një tjetër lirie, lirisë së Tjetrit, duke u bashkuar lirisht me të në një formë diskutimi që nuk mbështetet në ide apo bindje të parafabrikuara, por, përkundrazi, vë në pikëpyetje gjithçka. Vetëm në këtë lloj komunikimi, dhe vetëm përmes tij, shpaloset me tërë vërtetësinë e vet e vërteta tjetër; vetëm në këtë lloj komunikimi, dhe vetëm përmes tij, arrijmë të jemi vetvetja; për më tepër, vetëm në këtë lloj komunikimi, dhe vetëm përmes tij, nga thjesht dhe vetëm gjallesa, shndërrohemi në formësues dhe përmbushës të jetës si e tillë. Perëndia nuk e zbulon vetveten përpos se në mënyra dhe forma të tërthorta dhe vetëm përmes dashurisë së njeriut për njeriun; siguria e tërësishme dhe tërësore është e veçantë dhe, mbi të gjitha, e varur, e kushtëzuar nga e Tërësishmja.

Parë nga ky këndvështrim, qëndrimi dhe pikëpamjet e shprehura nga stoicizmi shfaqen të zbrazëta dhe të ngrira, pa kurrfarë jete. Rrënjët e këtij qëndrimi filozofikisht themelor që mëtova të shtjelloj deri këtu qëndrojnë të ngulura fuqishëm dhe në thellësitë e vuajtjeve dhe tronditjeve që sjell mungesa e komunikimit, sikundërse edhe tek nevoja që ndjejmë për ngërthimin e një komunikimi të qashtër dhe autentik dhe për mundësitë që lipsen stisur për t’i lënë një hapësirë sa më të gjerë diskutimit vëllazëror, i cili i hap udhën e nevojshme bashkimit të qashtër dhe të njëmendtë të një vetveteje me një vetveteje tjetër. Një synim e tillë filozofik e pikasim të rrënjosur edhe tek tre burimet apo shtysat e të menduarit filozofik që përmendëm më lart, të cilat lipset të merren parasysh dhe të trajtohen gjithnjë dhe pashmangshëm nën dritën e kuptimit dhe kahjeve – paqësore apo armiqësore – që shpalosin në drejtim të komunikimit mes njerëzve.

Prej këndejmi, mund të pohojmë me plot gojë se habia, mëdyshja, dhe përjetimi i gjendjeve të fundme janë me të vërtetë burime dhe shtysa parake të të menduarit filozofik, por, megjithatë, burimi më zanafillor i të menduarit filozofik qëndron tek vullneti dhe tek prirja për të ngërthyer dhe për të qenë i hapur ndaj komunikimit të qashtër dhe autentik, i cili përfshin në vetvete gjithë sa shprehëm më lart. Një vullnet dhe një prirje të tillë e vërejmë mjaft qartazi në faktin se filozofia – të tërë format e të menduarit filozofik – mëton të shfaqet një formë komunikimi; në fund të fundit, ajo shpreh vetveten, idetë dhe pikëpamjet e saj, dhe kërkon që zëri i saj të dëgjohet dhe idetë dhe pikëpamjet e saj të përcillen nga një vend në tjetrin, nga një brez në tjetrin, deri edhe nga një njeri në tjetrin. Kjo kahje për të qenë e përcjellshme, e komunikueshme, përbën vetë thelbin e të menduarit filozofik, dhe shfaqet i pandashëm nga e vërteta. Kështu që, për t’i dhënë fund këtij kapitulli, lipset të vëmë edhe një herë tjetër në pah, dhe t’i mëshojmë fort faktit se komunikimi është qëllimi më thelbësor dhe më parësor i të menduarit filozofik, dhe se tek komunikimi gjallojnë tërë rrënjët e qëllimeve dhe kahjeve të tjera të filozofisë, të tilla si: ndërgjegjësimi në lidhje me qenien si e tillë, ndriçimi i shpirtit dhe i ekzistencës njerëzore përmes dashurisë, apo arritja e qetësisë dhe paqes shpirtërore. /VirtualSophists / KultPlus.com

174 vjet nga botimi në Itali i gazetës së parë në historinë e shtypit shqiptar

Si sot më 23 shkurt të vitit 1848, u botua në Napoli gazeta e parë në historinë e shtypit shqiptar, “L’albanese d’Italia”.

Ky botim periodik, që cilësohet si gur themeli i shtypit kombëtar, qe nën drejtimin e një prej figurave qendrore të periudhës së Rilindjes, shkrimtarit arbëresh Jeronim de Rada.

Gazeta, shkruar kryesisht në gjuhën italiane dhe pjesërisht në arbërisht, shërbeu si një tribunë e komunikimit të mesazheve politike, shoqërore e kulturore, në përpjekje për të krijuar dhe informuar opinionin publik të komunitetit arbëresh në Itali. Për këtë qëllim, në disa prej numrave të saj, janë publikuar lajme të shumta mbi zhvillimet në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit.

De Rada, i cili gëzon atributet e “babait” të gazetarisë shqiptare, përveç konceptimit të periodikut, kish marrë nën ngarkim të plotë kryerjen e çdo procesi të parashikuar deri tek shtypshkrimi i përmbajtjes. Në vijim, do t’i vinte në ndihmë një bashkëpunëtor, studenti Nicola Castagna. Personaliteti i botës arbëreshe, ndërmori në vitin 1883 edhe botimin e revistës së parë në gjuhën shqipe, “Flamuri i Arbërit”.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi sot dy fletë të numrit nëntë të revistës “L’albanese d’Italia”, publikuar më datë 22 mars, 1848./atsh/ KultPlus.com

Në rrugën e gjatë

Poezi nga Dritëro Agolli

U lodh dhe plaku Dritëro, u lodh!…
Me briskun “Astra” mirë e bukur rruhet
Dhe pi duhan dhe pret këtej ç’po ndodh,
Se loja politike nuk i luhet.

Sa keq që s’e besoi të madhin zot,
Sa keq që para tij nuk di të skuqet,
Se zoti mund t’ia mbushte hejbet plot,
Madje në varr t’i kishte plot sunduqet!

Eh, s’ke ç’t’i bësh!…I tillë u gdhend ky dreq
Dhe le të shkojë atje ku shkuan miqtë,
Atje ku prehin kockat shokët pleq…
Po varri kurrizdalin nuk e ndreq,
Në varr i mbledh të mirët dhe të liqtë,
Rakinë e gjen dhe vallen prapë e heq.

28 janar 1998./KultPlus.com

OBSH: Ulje e ndjeshme e rasteve të reja dhe viktimave nga koronavirusi

Numri global i rasteve të reja me Covid-19 u ul mesatarisht me 21% ndërsa ai i vdekjeve me 8% gjatë datës 14-20 shkurt, krahasuar me një javë më parë, shkruhet në raportin e fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Në nivel rajonal, vetëm rajoni i Paqësorit Perëndimor raportoi një rritje të lehtë të rasteve të reja, gjatë javës së fundit, ndërsa të gjitha rajonet e tjera raportuan ulje.

Rënia më e madhe e infektimeve të reja nga koronavirusi u regjistrua në rajonin e Mesdheut Lindor me 34% e ndjekur nga Amerika dhe Europa.

Përsa i përket fataliteteve, sërish më shumë vdekje nga Covid-19 u regjistruan në Paqësorin Perëndimor dhe Afrikë, ndërsa në Azinë Juglindore u ulën me 37%, në Amerikë me 9%, Europë me 5% dhe Mesdheun lindor me 4%./ KultPlus.com

“Me mujt me t’gjetë sërish, të vetme”

Poezi nga Ezra Pound

Françeska

Ti dole jashtë prej natës
dhe kishte lule n’duert e tua,
tash ke me dalë jashtë prej nji turme konfuze,
jashtë nji trazine fjalësh rreth teje.
Unë që t’kam pa mes gjanave ma t’randësishme
u zemërova kur ata e përmendën emnin tand
në vende të zakonshme.
Kisha dashtë që valët e ftohta në mendjen time t’lundronin,
dhe që bota të thahej si nji gjethe e vdekun,
ose t’ish si farat e asaj lules që t’zhdukej me nji t’fryme,
që me mujt me t’gjetë sërish,
të vetme.

Përktheu: Orjela Stafasani / KultPlus.com

‘Mbas tashit ti në dash më duej e në dash mos më duej, por lulet qi shperthejnë sivjet në ket shtëpi nuk çilin ma per ty, janë të tjeterkuej’

Kangët qi t’i  kndova, ka me i tretun era,/ Emni i yt në zêmer t’eme ka me u shlye,/ Ti duej ke të duesh tash qi ka dalë Prenvera,/ Së na lidhë mâ gjâ, u zgidh, u zgidh ky nye.

“Tingëllimë”, kështu titullohet soneta e dashurisë, e shkruar nga Ernest Koliqi në prill të vitit 1923. Ishte në moshën 20 vjeç kur e shkroi këtë poezi dhe kishte vetëm dy vite që ishte kthyer në Shqipëri. Pas katër vitesh studime në Itali, ku kishte botuar edhe krijimet e para poetike në italisht, Koliqi u kthye në Shkodër, ku Luigj Gurakuqi e shtyu të merrej seriozisht me krijimtari letrare. Dy vjet më vonë, së bashku me patër Anton Harapin themeloi gazetën “Ora e malevet” mjaft e sukseshme në fushën politike e letrare të kohës. 27.al publikon dorëshkrimin e kësaj tingëllimë dashurie të rinisë së hershme të Ernest Koliqit. Dorëshkrimi ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit ka në fund datën e krijimit 29 prill 1923.

Një variant i këtij soneti është botuar nga Koliqi në vëllimin poetik “Gjurmat e stinëve” në vitin 1933, por ka shumë ndryshime. Rezulton, pra të jetë botuar plot 10 vjet, pasi është shkruar.  Më poshtë botohet varianti original i tingëllimës së dashurisë së bashk u me variantin e ripunuar e i botuar bashkë me fotokopjen e dorëshkrimit original

Dorëshkrimit të vitit 1923

Tingllim

Hjek keq por së kthej te ti. Qe, lott i tera.

Mbas tashit nji pikë lodje së derdh për ty.

S’ke mbetë ti vetëm, ka edhe varza tjera

Por nuk më kan bâmun dritë der’ sot këta sy.

Kangët qi t’i  kndova, ka me i tretun era,

Emni i yt në zêmer t’eme ka me u shlye,

Ti duej ke të duesh tash qi ka dalë Prenvera,

Së na lidhë mâ gjâ, u zgidh, u zgidh ky nye.

Pertrihet në ket stinë të bukur marë natyra,

Dhe shpirti i em në kto dit ka m’u pertri,

E krejt jets’ s’eme do t’i ndrrojë, po, ftyra.

Mbas tashit ti në dash më duej e në dash mos më duej,

Por lulet qi shperthejnë sivjet në ket shtëpi

Nuk çilin ma per ty. Janë të tjeterkuej.

29 prill 1923

Varianti i botuar në vitin 1933 në vëllimin poetik “Gjurmat e stinëve”

***

Vuej por spajtohem mâ. Qe, lott I tera:

Pikën e lotit s’e qes mâ për tye.

Kâng’t qi t’i knova le t’i humbi era

Si emnin qi prej zêmret due me shlye.

Mallet e mija si ndër stina tjera

Pran’ teje mâ për t’gjall’ nuk kam me i shfrye:

Ti duej kê t’duesh tashti qi u çel prendvera

Pse kurgjâ mâ s’na lidhë: u zgjidh ky nye.

Si përtrihet kso stine mbar’ natyra

Ashtu edhe shpirti i im ka m’u përtri:

ty n’andrra t’mija mâ s’do t’ndrisi ftyra.

Kujtimin t’and me rrâjë un due m’e zhbi.

Flakën hyjnore, dashunis qi t’fala,

t’ia shuej heshtueshëm e harresës vala. / KultPlus.com

‘Nuk di si je dhe më mungon ta di’

Poezi nga Charles Bukowski

S’rreshta kurrë së menduari për ty,
do doja aq shumë të ta them.

Do doja të shkruaja se më pëlqen të kthehem,
Se më mungon dhe të mendoj.
Po s’të kërkoj.
Madje s’të shkruaj as njatjeta.
Nuk di si je.
Dhe më mungon ta di.

Ke projekte?
Buzëqeshe sot?
Ç’ëndërrove?
Do dalësh?
Ku do t’shkosh?
Ke ëndrra?
A hëngre?.

Do t’më pëlqente të mund të kërkoja.
Po s’kam forcë.
Dhe as ti nuk e ke.
Dhe at’herë rrimë e presim më kot.

Dhe mendojmë.
Dhe kujtomë.
Kujtohu se të mendoj, se ti nuk e di, por ty të jetoj çdo ditë, që shkruaj për ty.

Dhe kujtohu se të kërkosh e të mendosh, janë dy gjëra të ndryshme.
Dhe unë të mendoj, po s’të kërkoj./ KultPlus.com

Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës mbulohet me flamurin e Ukrainës, Kurti: Historia favorizon të drejtët

Objekti i Qeverisë së Kosovës sot është mbuluar me flamurin e Ukrainës, përcjell KultPlus.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar në rrjetin social Twitter një fotografi me të cilën ka shprehur mbështetjen ndaj popullit ukrainas.

Krah kësaj fotografie, ai ka thënë se edhe pse lufta mund të jetë e vështirë, historia favorizon të drejtët.

“Pavarësisht se sa të errëta janë kohët apo sa e vështirë të jetë lufta, historia favorizon të drejtët. Në këtë kohë kritike për popullin ukrainas, ne mbuluam ndërtesën e qeverisë për të treguar solidaritetin e popullit të Kosovës me popullin e Ukrainës”, ka shkruar Kurti. / KultPlus.com

‘Hapat ikacakë i fikin dashnitë si bisht cigaret me filtër të kafshume’

Poezi nga Rozafa Shpuza

Mbramjeve,
qyteti ka trajtën e nji gruaje
paksa të kërrusun nga pritja,
me shkulme thinjash ndër tamtha
e make-up të errët,
nergut me fashitë rrathët poshtë syve.
Hapat ikacakë i fikin dashnitë
si bisht cigaret me filtër të kafshume
prej buzkuqit 24-orësh.
Stacionet e periferive
zbrazen me ritmin e tradhtive
t’destinueme me plasaritë shpirtna,
sa herë thembrat e statujës,
atje n’sheshin ku flirtuem nen çader,
përmjerren prej qejve rrugaçë.

Në t’zbardhun,
qyteti ka trajtën e avullit
që ngutshëm shprazet prej flegrash
tue mjegullue andrrat që s’mbërritën
me pritë agun… / KultPlus.com

Së shpejti publikohet bashkëpunimi i Camila Cabello dhe Ed Sheeran

Camila Cabello dhe Ed Sheeran po bëhen gati ta publikojnë bashkëpunimin e radhës.

Ylli i hitit “Senorita” e shfrytëzoi rrjetin social Instagram për ti informuar fansat me hollësitë rreth këngës së saj të ardhshme, “Bam Bam”, e cila vjen në bashkëpunim me kantautorin e famshëm britanik, Ed Sheeran.

Kënga lansohet më 4 mars një ditë para ditëlindjes së 25-të të Cabellos.

“Bam Bam lansohet më 4 mars në bashkëpunim me Ed Sheeranin, një prej njerëzve dhe artistëve të mi të preferuar. Po ashtu, një ditë më herët e kam ditëlindjen kështu që do të jetë festë e dyfishtë” shkruhej në postimin e këngëtares.

“Bam Bam” është kënga e re e Camilas e cila vjen pas hiteve, “Don’t Go Yet” dhe “Oh Na Na”, të cilat janë pjesë e albumit të saj të tretë si solo këngëtare të titulluar, “Familia”. Ende nuk është bërë e ditur data e publikimit të këtij incizimi por fansat po e presin me padurim. / KultPlus.com