“Mozarti i ri” promovon Shqipërinë duke përcjellur mesazhe kundër luftës (VIDEO)

Pianisti i talentuar 9-vjeçar grek Stelios Kerasidis, i cili po konsiderohet të jetë “Mozarti i ri”, përmes një videoje përcjell mesazhin kundër luftës, si dhe promovimin e monumenteve kulturore në Shqipëri, shkruan KultPlus.

Ministrja e Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti, shpërndau këtë video në rrjete sociale, duke e promovuar edhe djaloshin 9 vjeçar.

“Një mesazh kundër luftës dhe promovim i shkëlqyer i Shqipërisë sonë të bukur nga pianistit 9-vjeçar grek Stelios Kerasidis, që po fiton zemrat e publikut në gjithë botën si “Moxarti i ri””, shprehet Margariti.

Në videon e pianistit të talentuar grek shfaqen kalaja e Gjirokastrës, qyteti antik i Butrintit, Apolonia, etj.

Me një piano të vendosur në amfiteatrin antik të Butrintit, Kerasidis interpreton edhe një pjesë muzikore.

Pianisti 9-vjeçar Stelios Kerasidis dha një koncert në Tiranë dy ditë më parë, në kuadër të Javës së Kulturës së Greqisë. /KultPlus.com

‘Jetojmë në një botë ku dasmat janë më të rëndësishme se dashuria, ku dukja është më e rëndësishme se dituria’

Shkrimtari, gazetari dhe publicisti Eduardo Galeano i cili ishte i njohur me krijimet e tij fillimisht në Spanjë, e më pas i përkthyer edhe në shumë gjuhë të botës, shumë shpesh ka pasë deklarata të fuqishme, të cilat përkojnë edhe me ditët e sotme.

Ndërsa KultPlus ju sjell këtë deklaratë të famshme të Galeanos, që ka të bëjë me vdekjet, dasmat, dukjen e diturinë.

‘Jetojmë në një botë ku varrimi është më i rëndësishëm se i vdekuri, ku dasmat janë më të rëndësishme se dashuria, ku dukja është më e rëndësishme se dituria. Jetojmë në kulturën e ambalazhit, e cila e urren përmbajtjen.’/ KultPlus.com

Muharrem Elezi: Poezia e ndaluar e Agron Elezit

Më duhet të pranoj që, për ta kuptuar nga syri kritik poezinë e Agron Elezit, edhe pse në dukje mjaft e kapshme, mua si shkrimtar mu desh një kohë.

Ky poet, që fatkeqësisht në mënyrë të prerë dhe të domosdoshme ka qenë gjithmonë i censuruar përgjatë shekullit të XX-të, rrjedh nga fakti i gjendjes sonë të mjerë dhe të imponuar politike që vazhdimisht bënte dhe po bën trysni në ngufatjen e kulturës sonë në përgjithësi dhe zërit artistik të vërtetë shqiptar në nivel botëror në veçanti.

Poetët e paktë dhe të vërtetë shqiptar të shekullit të XX-të të Kosovës kanë mbetur nën hije, ashtu si ka mbetur nën hije edhe çështja e pazgjidhur dhe vazhdimisht e nëpërkëmbur shqiptare në Ballkan.

Gjersa poezia botërore e shekullit XX-të karakterizohet me një vetëdije të krizës shpirtërore që është ngushtë e lidhur dhe ndikuar nga rrjedhat e filozofisë, nga pasojat e revolucioneve industriale dhe rutina monotone e jetës, poezia shqiptare kosovare kryesisht karakterizohej me përsiatjet latente të vetëdijes së krizës ekzistenciale kombëtare duke kaluar më pastaj në përsiatje personale të prozës poetike moderne; që përmes vargut të lirë dhe teknikave të shekullit të XX merrnin kahjen, dhe përkonin në të njëjtën mjegullnajë me krizën e shpirtit modern të lartpërmendur.

Ndërkaq Agron Elezi, me një kulturë grandioze të gjerë, si njohës i thellë i filozofisë dhe artit botëror, aq më shumë si muzikant, dhe duke e kuptuar thellësisht mesazhin e krizës së shpirtit artistik modern si dhe rrugëtimin e shpirtit artistik njerëzor përgjatë epokave, për dallim prej poetëve tanë legjibil të gjysmës së fundit të shekullit të XX-të, ky i sintetizoi me mjeshtri, dhe mjaft guximshëm këta dy shpirtra të krizës në një të vetme, duke i dhënë kështu një madhështi dhe origjinalitet artit poetik.

Poezia “Dua…” e vitit 1989, e botuar më 23 maj 2022 në portalin e respektuar “KultPlus” nga dorëshkrimet e mbijetuara të tij, reflekton mrekullueshëm këtë ndjesi artistike. Aq më shumë, përdorimi mjaft përkatës i figurave stilistike në këtë dimension të dyfishtë, bën që edhe tani pas 33 viteve, në botimin e parë në mediat e teknologjisë së shekullit të XXI, kjo poezi të mbetet aktuale dhe t’i rezistoj kohës duke u mëshiruar me audicionin tonë tashmë shumë më të ngritur për nga niveli i absorbimit artistik.

Vëni re se me çfarë mjeshtërie dhe origjinaliteti këtu sintetizohet misteri i shpirtit universal artistik që kërkon shpëtim, me fatin e mjerimit shqiptar që mbeti i zhveshur dhe nëpërkëmbur përgjatë historisë që kërkon rilindje.

Pra, autori nuk kopjon modele të poezisë moderne nga shkrimtarët botëror që në mënyrë artistike paralajmërojnë për nevojën që kriza të kuptohet dhe të reflektohet, e që asesi nuk gjen zgjidhje, por përkundrazi krijon një model krejtësisht origjinal për një zgjidhje dhe shpëtim me përmasa të dyfishta, e që është specifike për një shqiptar me vetëdije të një artisti botëror.

Ai e fillon këtë krizë në vargjet e para, mandej e refuzon atë duke i fyer poetët modern si shizofrenë të krizave shpirtërore, mandej kalon në përqafimin e vlerave dionisiane jetësore që në mënyrë metaforike simbolizon një anë të mbinjeriut të Niçes.

Në fund, klimaksin e arrin duke udhëtuar në kohë prapa, që t’i vetëdijësoj paraardhësit e tij t’mos përçahen kurrë, por ta mbajnë perandorinë e lavdishme të tyre të bashkuar ashtu që t’i ndryshoj e sotmja e cenuar e vet poetit të censuruar.

Pra, shpëtimin poeti e arrin dhe orienton jo në vlerat humanitare të shprehura në mënyrë artistike qe asesi nuk po e shpëtojnë botën, por në forcën e gjakut të tij, bashkimin, vetëdijesimin dhe rilindjen e kombit të tij të lavdishëm.

Këtu po jua sjellim poezinë e tij të vitit 1998 “ Më trego ti, o hyjnesha ime e mençurisë”, ku edhe këtu në mënyrë të dyfishtë, shprehet artistikisht kriza dhe tendenca e çlirimit nga zgjedha: sa nga barbarët serb, që vazhdimisht në programin e tyre ka qenë përndjekja e shqiptarëve nga trojet e tyre, aq edhe nga përdhunuesi i njeriut industrial grabitqar të shekullit të XX-të që po e cenon ekologjinë dhe mbijetesën e planetit tonë. Nga vargjet “Derrat na kanë vërshu për shumë mote – E s’po mundemi me i largue” që aludon në pushtuesit, vazhdon në vargjet e radhës “Na kanë thye dyert dhe dritaret e gazetave – Na kanë bo pis miellin dhe ujin e kullum” që tani aludon më shumë në njeriun e shprishur të komercializuar industrial që reklamon ushqim dhe pije industriale në njëmijë ngjyra dalldisëse për të tërhequr njerëzimin në konsumimin e tyre, që në fakt janë ndyrësira të sheqerosura dhe mjaft të dëmshme për njeriun.   

Muharrem Elezi – Shkrimtar

M’trego ti, o hyjnesha ime e mençurisë

Agron Elezi (Qershor 1998)

Derrat na kanë vërshu për shumë mote

E s’po mundemi me i largue

Na kanë thye dyert dhe dritaret e gazetave

Na kanë bo pis miellin dhe ujin e kullum

E s’po mundemi me i largue

Na përlyen fytyrën dhe bardhësinë e trurit

Na i kanë coptue ardhmëritë dhe kufomat tona

Na i humbën edhe hijet e gurëve shekullor të zotërave

E s’po mundemi me i largue

M’trego ti, o hyjnesha ime e mençurisë

Se si të shpëtojmë ishullin tonë të virgjërisë

Se si ta shuajmë gjëmimin e borive apokaliptike

Se si ta largojmë kundërmimin e qelbësisë

Se si t ‘shpëtojmë kopshtin tonë dhe planetin e ardhmërisë./ KultPlus.com

Në Singapor, urina po shndërrohet në birrë të pijshme

Është një lloj i ri i birrës që shitet në një fabrikë në Singapor me një përbërës shumë unik.

NewBrew është bërë nga një lëng i cili riciklohet nga ujërat e zeza, filtrohet dhe pompohet në furnizimin me ujë të Singaporit.

Agjencia e ujit të Singaporit ka lansuar pijen, e cila është e disponueshme në dyqane dhe bare.

E gjitha kjo është bërë për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet e mungesës së ujit në vend dhe zgjidhjet inovative që ajo ka dalë për të zgjidhur këto probleme. /KultPlus.com

Dokumentari i BBC zbulon për herë të parë video private të mbretëreshës Elizabeth

Buckingham Palace dhe BBC kanë njoftuar detaje të një programi 75-minutësh që do të shfaqet në BBC One dhe iPlayer të dielën, më 29 maj, përcjell KultPlus.

Dokumentari zbulon për herë të parë video private familjare të paparë të mbretëreshës si një vajzë e re.

“Elizabeth: The Unseen Queen” përmban pamje unike të filmuara nga Familja Mbretërore. Ata mund të shihen duke pushuar në bordin e luftanijes HMS Vanguard të Marinës Mbretërore në vitin 1947, anija që i çoi në dhe nga Afrika e Jugut për turneun e tyre në atë kohë.

Në këtë pamje paraprake, ka fragmente të fjalimeve të Mbretëreshës nga transmetimi i saj i Krishtlindjeve i vitit 1996, si dhe adresa e saj në Guildhall më 11 qershor 1947.

Elizabeth: The Unseen Queen, do të transmetohet të dielën, 29 maj në orën 19:45 në BBC One/BBC iPlayer. /KultPlus.com

Rama krenar për mbresat fantastike që ka lënë Shqipëria në të gjithë Evropën

“Air Albania Stadium” ka hyrë në histori si stadiumi ku është zhvilluar për herë të parë finalja e Ligës së Konferencës, gara më e re nga shtëpia e futbollit UEFA, shkruan KultPlus.

Në takimin final mes Romës dhe Feyenoord, italianët arritën që të fitojnë minimalisht me rezultat 1-0.

Për këtë fitore të madhe ka reaguar edhe Kryeministri Edi Rama, i cili ka shprehur falënderime për të gjithë ata që i dhanë jetë eurombrëmjes së djeshme.

Rama u shpreh krenar për përshtypjet fantastike që Shqipëria la në sytë e mbarë Europës.

“Mirëmëngjes dhe me falënderimin e përzemërt për të gjithë ata që i dhanë jetë eurombrëmjes së djeshme të Shqipërisë, si edhe me krenarinë për përshtypjet fantastike që Shqipëria la në sytë e mbarë Europës, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në rrjetet sociale. /KultPlus.com

Kurti fton Greqinë të njohë pavarësinë e Kosovës

Kryeministri Albin Kurti është duke marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror, shkruan KultPlus.

Në një postim në “Twitter”, Kurti ka njoftuar se i ka bërë thirrje Greqisë që të njohë pavarësinë e Kosovës.

“Në Forumin Ekonomik Botëror, iu drejtova Shtëpisë Greke dhe ftova Greqinë të bashkohet me vendet e tjera të BE-së për të njohur pavarësinë tonë. Takimet tona, kulturore dhe diplomatike, bëhen më të shpeshta ndërsa shkëmbimi dhe bilanci ynë tregtar rritet”, shkruan Kurti.

Kurti pas vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka udhëtuar për në Zvicrës në një vizitë tjetër zyrtare. /KultPlus.com

New York Herald Tribune (1939) / Rrëfimi i Mbretëreshës Geraldinë në Versajë : Edukimi i djalit, simbolika e kurorës mbretërore, Skënderbeu, dhoma e preferuar në kështjellë…

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 26 Maj 2022

“New York Herald Tribune” ka botuar, të premten e 18 gushtit 1939, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me intervistën e mbretëreshës Geraldinë realizuar asokohe në kështjellën e La Maye në Versajë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Edukimi amerikan për Skënderbeun (Leka Zogun) i marrë në konsideratë nga mbretëresha Geraldinë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Mbretëresha shqiptare në mërgim në Versajë e intervistuar thotë se shqetësimi kryesor tani është rritja e djalit katërmuajsh; Planet e së ardhmes të pasigurta

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Mbretëresha Geraldinë e Shqipërisë, e cila tashmë jeton në Versajë, pas fluturimit (udhëtimit) dramatik nga Tirana kur italianët pushtuan Shqipërinë, tha dje në një intervistë ekskluzive për United Press se djali i saj prej katër muajsh, Princi Skënderbeu, mund të shkollohet në Shtetet e Bashkuara.

Sytë e saj duke buzëqeshur me miqësi ndërsa fliste, mbretëresha e re e gjatë dhe e bukur shpjegoi këtë mundësi duke thënë se “të gjithë e dinë se çfarë vendi i mrekullueshëm është.”

Nëse grushti i shtetit italian i së Premtes së Shenjtë merr fund, Princ Skënderbeu mund të vijë një ditë në fron në qytetin e sapomodernizuar të Tiranës. 

Të edukohet si njeri

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

“A do të arsimohej për të qenë një mbret demokratik?” u pyet mbretëresha.

“Ai do të edukohet para së gjithash për të qenë burrë,” u përgjigj ajo shpejt.

“Ai do të edukohet në të gjitha gjuhët e rëndësishme, duke përfshirë anglishten dhe frëngjishten.”

Çifti mbretëror, që tani jeton në kështjellën e La Maye në Versajë – shtëpia e banuar dikur nga Duka dhe Dukesha e Windsor-it – planifikojnë që më vonë djali i tyre të ketë shoqëruesë anglezë dhe francezë për t’i ardhur në ndihmë dados aktuale gjermane. 

Kurorëzuar me besim

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Por edhe nëse një ditë do të kishte fronin e tij, ai kurrë nuk do të mbajë një kurorë – pasi nuk ekziston. Mbretëresha Geraldinë e shpjegoi këtë situatë në këtë mënyrë: “Kurora e Shqipërisë është vetëm simbolike. Populli i Shqipërisë na kurorëzoi me vetë besimin në pavarësinë e vendit. Kjo është shumë më e qëndrueshme. Emblema e vendit tonë është helmeta e Skënderbeut.” Skënderbeu ishte heroi i madh kombëtar i Shqipërisë.

“Ai është aq i vogël sa nuk kemi bërë ende shumë plane për të ardhmen e tij,” tha Mbretëresha Geraldinë.

E qetë dhe e hijshme, mbretëresha e re më priti me një shtrëngim duarsh të fortë në dhomën e pritjes së vilës.

Mjaft e çuditshme, mbreti Zog dhe gruaja e tij e morën me qira kështjellën pa e ditur se më parë ajo ishte banuar nga Windsor-ët.

Nëna banon në kështjellë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Me mbretëreshën Geraldinë gjatë intervistës ishte nëna e saj, tashmë gruaja e një oficeri të ushtrisë franceze.

Mbretëresha e re kishte veshur një fustan të bardhë sportiv me një xhaketë me stampa bardh e zi, të cilët i bleu ndërsa ajo dhe mbreti Zog po udhëtonin nëpër Evropë gjatë rrugës nga Turqia në Francë.

Ajo hodhi poshtë çdo përmendje të modave dhe stileve duke thënë se tani i kushton pak rëndësi “elegancës”, duke pasur parasysh se ka çështje shumë më të rëndësishme për të vendosur. Ajo ende nuk i ka blerë rrobat e reja të vjeshtës, por planifikon t’a bëjë më vonë – ndonëse nuk e di se te cili stilist i Parisit do të shkojë.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Planet e ardhshme të familjes mbretërore duken të pasigurta. Tre motrat e Mbretit, të cilat kanë qenë me ta që nga fluturimi (udhëtimi) i ethshëm nëpër malet e Greqisë, do të qëndrojnë me shumë mundësi në kështjellë.

E pyeta mbretëreshën Geraldinë se cila pjesë e kështjellës madhështore i pëlqente më shumë. “Dhoma e bebit tim”, tha ajo me një sinqeritet simpatik. /KultPlus.com

Motive me diell

Poezi nga Ismail Kadare

Mbi liqenjte e Lures po bie mbrëmja
Muzgu rrjedh nga majat e pishave neper trungjet e kalbur
Grumbullohet ne pellgje te vegjël
Kullon pastaj neper furçen tende te dridhshme.

Shpejto.
be vone.

Kap ç’te kapesh nga ngjyrat qe dridhen
E fergellojne,
Duke ikur plot alarm nga mbremja qe i ndjek

Kap motive me diell…
Neper furçen tende kurre nata mos kullofte. /KultPlus.com

Sot hapet ekspozita “Thurrje Kosovare”, kushtuar grave krijuese kosovare brenda dhe jashtë Kosovës

Sot do të hapet ekspozita “Thurrje Kosovare”, kushtuar grave krijuese kosovare brenda dhe jashtë Kosovës, përcjell KultPlus.

Kjo ekspozitë vjen në Galerinë e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ndërkaq emrat e artisteve që do të iu paraqiten veprat e tyre, janë: Alije Vokshi, Alketa Xhafa-Mripa, Arta Agani, Argenita Fetahu, Arjeta Mala, Arlinda Hajrullahu, Blerta Syla-Surroi, Eliza Hoxha, Fitore Berisha, Haveit, Kaltrina Hoda, Lala Meredith-Vula, Laura Sllamniku-Kryeziu, Lyra-Zajmi, Magbule Xhemaili, Marigona Ademi, Mjellma Goranci-Firizi, Shqipe Kamberi, Teuta Alaj-Pula, Valdeta Veliu-Vuçitërna, Violeta Xhaferi, Zake Prelvukaj dhe Zana Ramadani.

Hapja e ekspozitës fillon nga ora 19:30. / KultPlus.com

Çeku takohet me djemtë e BNE-së, u premton mbështetje nga qeveria

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka pritur në takim djemtë e ekipit “Bad News Eagles”, të cilët patën një paraqitje madhështore në garat më të forta të e-Sports, shkruan KultPlus.

Çeku njoftoi se në takim është diskutuar pikërisht për potencialin e Esports në Kosovë, dhe sukseset e BNE-së.

Postimi i plotë:

“Me djemtë e ekipit Bad News Eagles, sot diskutuam për potencialin e Esports në vendin tonë dhe gjithashtu për sukseset që arritën dhe emocionet që na dhuruan me rezultatin e tyre historik në turneun më të madh në botë të CS:GO, PGL Major Antwerp 2022.

I përgëzova për rezultatin që shënuan dhe për përfaqësimin që na bënë si shtet, ndërsa u zotuam të punojmë bashkë që këto suksese të vazhdojnë.

Të rinjtë tanë të talentuar vazhdojnë të arrijnë majat e suksesit botëror, andaj edhe mbështetja e Qeverisë së Kosovës do të jetë e përhershme”, shkroi ai. /KultPlus.com

‘Ai është tërësisht i rrënuar nga poezia’

Poezi nga Niels Hav

Çfarë të bëjmë me poetët?
Jeta është e ashpër me ta,
duken kaq mëshirues te veshur në të zeza
lëkura e tyre e mavijosur nga stuhitë e brendshme.

Poezia është një sëmundje e keqe
rendje e shoqëruar me kokëçarje,
ulërimat e saj ndotin atmosferën si rrjedhjet
nga stacionet e energjisë atomike të mendjes, është psikopatike.

Poezia është nje tirane,
I mban njerëzit zgjuar natën dhe prish martesat
I tërheq njerëzit drejt kasolleve të shkretuara
në mesin e dimrit
ku ata ulen të dëshpëruar duke i mbështjellë veshët
me shall të trashë.
Imagjinoni ç’ torturë!

Poezia është flamë
Me e keqe se gonorréa , neveri e vërtetë
Por kuptoji poetët, është e zorshme për ta,
duroji poetët.
Ata bëhen histerikë sikur po presin binjakë
Ata skërmitin dhëmbët edhe kur flenë,
hanë ushqime bajate dhe bar.
Ata rrinë jashtë nën erën e acartë me orë të tëra
duke u torturuar për të gjetur metafora tronditëse.
Çdo ditë është e shenjtë për ta

Oh të lutem, ki mëshirë për poetët.
Ata janë të shurdhër dhe të verbër.
Ndihmoji kur i sheh të shtangur në trafik
në ato pengesat e tyre të padukshme
duke kujtuar çfarë u shkon ndër mend.
Herë pas herë ndonjë prej tyre ndalon,
të dëgjojë një sirenë të largët.
Trego konsideratë për ta

Poetët janë si fëmijët e prapë
të përzënë prej shtëpisë së tyre nga e tërë familja
Lutu për ta,
ata kanë lindur të palumtur.
Nënat e tyre kanë qarë për ta
kanë kërkuar ndihmën e mjekëve dhe avokatëve
derisa hoqën dorë
nga frika se po prishen mendsh edhe ato.

Oh, qaj për poetët.
Askush s’mund t’i shpëtojë ata
kërdisur me poezi si ata që fshehin lebrozën.
Ata janë të burgosur në botën e tyre të fantazisë,
një geto rrëqethëse plot me demonë
dhe fantazma hakmarrëse.

Kur dielli shkëlqen fort në një ditë të kthjellët vere
ju shihni një poet të mjerë
duke dalë nga shtëpia me këmbët që i kalamenden, i zbehtë
si i ngritur nga varri dhe i shfytyruar nga mejtimet.
Vrapo dhe ndihmoje atë.
Shtrëngoja lidhëset e këpucëve, çoje në park
ndihmoje të ulet në një stol
nën diell, këndo pak për të,
bleji një akullore dhe tregoja një histori
sepse ai ka shumë brenga
Ai është tërësisht i rrënuar nga poezia.

Përktheu: Kujtim Morina / KultPlus.com

Dritëro Agolli: Naim Frashëri është fëminia e poezisë sonë

Naimi është fëminia e poezisë sonë. Koha kalon, poezia rritet e maturohet, por për të mbetet e bukur fëminia. Dhe megjithatë Naimi nuk është vetëm fëminia e poezisë sonë, ai ishte nga ustallarët e vërtetë që vuri gurin e parë të sigurt në themelet e saj. Për këtë gjithë brezat poetikë i kanë hequr dhe i heqin kapelën, se nga ai kanë patur ç’të mësojnë.

Ai ka qenë, ndofta, punëtori zemërgjerë më i madh i gjithë poetëve shqiptarë. Me punën e tij të rëndë krijoi në Shqipërinë e kohës së vet poezinë moderne, vjershërimin modern që gjer atëherë mungonte. Hoqi nga fjalori poetik gjithë vjetërsirat që ia mernin frymën gjuhës së gjallë. Fjalën perlë e nxori nga pluhuri i kohës, e bëri të shkëlqejë me tërë bukurinë e saj dhe tregoi se ç’mundësi të pafundme kishte shqipja për të shprehur në art mendime të mëdha.  Fjalën ai nuk e mbajti për të qëndisur stolira më vete, por e nxori në udhë të gjërë për t’i shërbyer idealit të tij të lartë, idealit të Shqipërisë së lirë. E çfarë s’bëri ai me atë fjalë! Shkroi poema e vjersha, shkroi këndime e punime pedagogjike, shkroi fjalë të urta dhe esse! Naimi është një det i gjerë. Ky det ka ujra të kulluara e të turbullta, ka valë të mëdha e valë të vogla, ka shkumë të bardhë e shkumë të murrme. Te Naimi mund të futesh si në një labirinth, në të cilin  mund të ngatërrohesh po mos njohe kohën naimjane. Krahas vargjeve të shkëlqyera, do gjesh vargje naive gjer në bejte, krahas mendimeve më të përparuara të kohës së vet, do të gjesh edhe mendime qe nuk janë të denja për atë. Por i padiskutueshëm mbetet ideali i tij i madh: lufta për lirinë e Atdheut. Kësaj lufte ai i fali gjithçka: krijimin, mendjen, trupin. Unë gjithnjë e kam përfytyruar Naimin si një qiri që digjet për t’u ndritur të tjerëve. Shqipëria i thërriste: “ndrit”! dhe ai digjej e ndriste. Nuk kish kohë as të ruante veten, as të ruante përsosmërinë e artit të tij. Nuk kish kohë as të ruante veten. Shumë herë nga ky nxitim i madh, nga ky nxitim nën dorën e fuqishme të Shqipërisë që e shkundëte dhe i thoshte me ngut: “shkruaj”, Naimi sakrifikoi artin, gjënë më të shtrenjtë të tij. Ai ndofta linte përgjysmë një vjershë, që mund të bëhej e mrekullueshme, dhe shkruante një këndim për çunat analfabetë të Shqipërisë së robëruar. Vjershën e linte dhembje të madhe, por nuk kishte ç’të bënte. Vallë Naimi që ka bërë aq gjëra të mrekullueshme, nuk ishte i zoti të bënte lirika initme e peizazhe, e vjersha dashurie të përsosura, puro-art? Edhe këtë e bënte, por ai ishte militant dhe si militant kish një mision të lartë historik. Këtë militantizëm kanë mësuar poetët shqiptarë nga mësuesi i tyre  i nderuar. Brez pas brezi kështu e kanë quajtur krijimtarinë poetike poetët tanë: punë militante. Ata që e kanë shkëputur krijimtarinë poetike nga nga misioni militant, nga shërbimi ndaj popullit, kanë dështuar si poetë edhe në se kanë patur talent. Në kohën kur jetonte ai, krijonte në Francë edhe Sharl Bodleri. Njëmbëdhjetë vjeç ishte Naimi, kur Bodleri botonte “Lulet e së keqes”. Mund t’i shkruante edhe ai “ Lulet e së keqes”, por këtë s’e bëri, shkroi “Lulet e Verës”, se kjo i duhej Shqipërisë. Ne poetët kemi mësuar e mësojmë nga militantizmi i Naimit, po edhe nga ëmbëlsia e gjuhës së tij, nga tingulli i fjalës së pastër. Fjalën naimjane të duket sikur e prek me dorë, të duket sikur dëgjon jehonën e saj tek ecën nëpër male. Dhe ti duke vërshëllyer e përsërit me vete. Kudo të ndjek ajo fjalë, se ai me punën e tij, do të thosha prej bualli, e pastroi nga ndryshku i huaj, e pastroi siç pastrojnë ustallarët mermerin për të shkëlqyer. Më kujtohet një shprehje e Rafaelit, afërsisht kështu: “kur gjithë bota qan, ti nuk duhet të qeshësh”. Kur Shqipëria qante, Naimi nuk qeshi me artin e vet, nuk u muar me cikërima dhe bëlbëzime poetike, por e vuri artin në shërbim të shoqërisë. Prandaj ne i heqim kapelën dhe themi: “punove mirë, usta”! / KultPlus.com

Si e mori emrin çmimi Oscar?

Kinemaja lindi zyrtarisht më 28 dhjetor 1895, me shfaqjen e parë nga vëllezërit Lumière – në ”Grand Café” në bulevardin ”Des Capucines”, në Paris, ndërsa Oscar (Çmimi i Akademisë), çmimi më i rëndësishëm dhe më i vjetër kimematografik është rreth 30 vjet më i ri.

Xhaxhai im Oscar

Ishte viti 1927 kur eksponentët e industrisë së filmit amerikan – regjisorë, shkrimtarë, producentë, aktorë, themeluan Akademinë e Arteve dhe Shkencës së Kinemasë.

Në inaugurim, u propozua një çmim vjetor për filmin, regjisorin dhe aktorin më të mirë, i cili, megjithatë, nuk përbëhej nga kupa e zakonshme.

Kështu një drejtor i Akademisë, Cecil Gibbons, vizatoi në mbulesë tavoline një statujë që mbante një shpatë në gjoks dhe realizimi iu besua skulptorit George Stanley.

Legjenda thotë se në ceremoninë e parë të ndarjes së çmimeve në vitin 1929, duke parë statujën e artë, një sekretare e Akademisë, Margaret Herrik, bërtiti “ai duket si xhaxhai im Oscar!”. /focus.it/ KultPlus.com

39 orë rep pa ndalur, mësuesi Daniel Alcon hyn në librin e Guinness

Një britanik që punon si mësues shkolle në Spanjë, fitoi një rekord botëror Guinness kur bëri rep në stil të lirë për 39 orë, 37 minuta dhe 54 sekonda.

Daniel Alcon, 35 vjeç, i cili përdor emrin skenik DAlcon, arriti rekordin Guinness për maratonën më të gjatë të repit (individual) në Valencia, Spanjë.

Rekordi i mëparshëm prej 33 orë, 33 minuta dhe 16 sekonda u vendos nga reperi amerikan Watsky në vitin 2020.

Alcon transmetoi drejtpërdrejt maratonën e tij rep në YouTube.

“Faleminderit për të gjithë ekipin tim i cili kontribuoi aq shumë, dhe për njerëzit që harxhuan të paktën një sekondë për të më parë live”, shkroi Alcon në një postim në Facebook duke njoftuar për rekordin e tij.

Këtu mund ta dëgjoni paraqitjen e Alcon mevideo… /Express/ KultPlus.com

“Plak budalla”, nga Alberto Moravia

Përktheu Zija Vukaj

Duke pasur zakonin t’u vardisesh femrave, është e vështirë ta kuptosh, kur ajo kohë ka kaluar e gratë të shikojnë si një baba apo ndoshta edhe si gjysh. Është e vështirë mbi të gjitha, sepse çdo burrë i pjekur ka brenda kokës së tij një kokë tjetër: koka e jashtme ka rrudha, flokë gri, dhëmbë të brejtur, sy të mavijosur; përkundrazi, koka e brendshme i ka mbetur si atëherë kur ishte i ri, me flokë të zinj e të dendur, me fytyrë të sheshtë e sy të gjallë. Dhe është koka e brendshme që shikon me dëshirë gratë, duke menduar se është i shikuar prej tyre. Përkundrazi, gratë shohin kokën e jashtme dhe thonë: “Po ç’do, vallë ky karafil? S’e kupton që mund ta kisha gjysh?

Ta lëmë me kaq! Atë vit, salloni ku jam berber që prej gati tridhjetë vjetëve, u zmadhua: qenë ndërruar pasqyrat dhe lavamanët, qenë lyer muret e raftet dhe, së fundi, pronari mendoi mirë të merrte edhe një manikyriste që quhej Jola. Përveç pronarit, në sallon ishim tre vetë: një djalosh rreth të njëzet e pesave, Amato, i zeshkët e serioz, që kishte qenë polic; Xhuzepja, pesë vjet më i madh se unë, i shkurtër, trupngjeshur e i shogët dhe unë. Siç ndodh gjithmonë, kur në një ambjent vetëm burrash hyn një grua, vura re shumë shpejt se që të tre e shikonim me ngulm Jolën. Pastaj, ajo ishte tamam siç thuhet, një tip i zakonshëm, prej kartoline të ilustruar: e kolme, e ndezur, me një fytyrë që binte në sy dhe flokë të zinj; si ajo ka miliona. Duhet theksuar në këtë pikë që unë, pa u mburrur, mund t’i them vetes burrë i pashëm. Jam i hajthëm, i gjatë aq sa duhet, me një fytyrë të zbehtë e nevrike; dhe gratë thonë se kam një shprehje interesante. Vërtet, sidomos kur shikoj tërthorazi, sytë e mi godasin ëmbël, plot ndjenjë, gati- gati skeptikë. Por gjënë më të mirë kam flokët: gështenjë të çelët, të hollë, të pastër, të dallgëzuar, të prerë alla Naxaret, pra të ngritur si një flakadan, me basetat e gjata që zbresin deri në gjysmë të faqes. Veç kësaj, jam elegant: jashtë sallonit, gjithmonë i veshur me korrektësi, me kravatë, çorapet e shamitë e ujdisura; në sallon me një këmishë gati më shumë prej kirurgu se sa prej parukieri, shumë të bardhë. Me këtë cilësi, nuk është për t’u çuditur që unë jam fatlum me gratë. Dhe, meqë ky fat nuk më ka zhgënjyer kurrë, kam marrë zakonin që, po më pëlqyen, t’i vështroj në njëfarë mënyre të ngulët e magjepsëse që vlen qindra komplimente. Kështu, kur, pasi t’i kem vështruar mirë e mirë, u afrohem, vë re që fruti tashmë është pjekur: nuk më mbetet veç të shtrij dorën e ta këput.

Ai që më frikësonte më shumë në sallon, përsa i përket Jolës, ishte Amato. Nuk ishte i bukur, nuk ishte interesant, por ishte i ri. Xhuzepen nuk e vija fare në hesap: më i vjetër se unë, siç e kam thënë tashmë, dhe tamam i shëmtuar, pa derman. Jola rrinte përherë e ulur në tryezën e saj të manikyrës, në një qoshe, e shushatur nga mërzia dhe palëvizshmëria, e përhumbur në leximin dhe rileximin e dy a tri gazetave të sallonit apo në rregullimin e thonjve, në pritje për t’ua ndrequr klientëve. Pothuajse kundër dëshirës sime, instinktivisht, zura ta gjuaja me vështrime. Vinte një klient dhe ulej në poltronë: unë merrja peshqirët, e shtrija me një goditje të vetme, në mënyrë elegante dhe , ndërkaq, gjeja mënyrën t’i lëshoja një vështrim të gjatë. Ose laja flokët, duke fërkuar me të dy duart kokën e sapunosur dhe, sërish një shikim tjetër. Ose akoma, ushtrohesha në majën e gërshërëve mbi një ngjyrim: në çdo katër goditje gërshëre, një vështrim. Nëse pastaj lëvizte përtacisht për të marrë një hekur në raft, e ndiqja me sy në pasqyrë. Duhet thënë që Jola nuk ishte aspak e zgjuar apo lozonjare: madje kishte një shprehje të fjetur, shtinjake, e ngathët, si një dac i fryrë nga gjumi. Por me sot e me nesër, para se ta kuptonte se e shikoja; pastaj pranoi të ishte e shikuar; më në fund filloi edhe ajo të m’i shkëmbente shikimet. Pa ligësi, sepse nuk e kishte, në një mënyrë të ngathët e të rëndë, por të padyshimtë.

Mendova atëherë, siç i thonë fjalës, se dardha ishte pjekur; dhe një të shtunë e ftova të shkonim në banjat e Ostias, të dielën pasdite. Pranoi menjëherë, por duke vërejtur se nuk duhej ta kritikoja për kostumin e banjos: ishte shëndoshur dhe, i vetmi që kishte, i rrinte i ngushtë. Madje, pa ndonjë hije nazeje tha: “Jam dhjamosur pak, për shkak të qëndrimit ulur në sallon, pa bërë lëvizje”. Fjalët e një vajze pa djallëzi; edhe për këtë më pëlqente. E lamë të takoheshim të nesërmen në stacionin e San Paolos. Para se të shkoja, bëra një tualet të kujdesshëm. U rrova dhe pudrosa faqet. U kreha me një krehër të dendur për të hequr çdo dyshim zbokthi. Spërkata pakëz kokën dhe shaminë me një parfum manushaqeje. Këmishën e kisha alla robespier me grykë të hapur, xhaketën sahariane dhe pantallonat të bardha. Jola qe shumë e saktë: në dy, mes turmës së ekskursionistëve, e pashë të vinte drejt meje, e veshur krejt në të bardha, pak e shëndoshë dhe e shkurtër, por e re dhe e lakmueshme. Duke më përshëndetur, tha: “Çfarë turme…do të na takojë ta bëjmë udhëtimin në këmbë”. Si kavalier që jam, i thashë se do t’i gjeja një vend: të ma linte mua. Ndërkaq treni hyn nën strehë, turma mbi platformë ka një lëvizje paniku sikur është sulmuar nga një repart kavalerie, të gjithë bërtasin e thërrasin njëri- tjetrin, unë sulem, i ngjitem një sporteli, ngrihem mbi turmë, jam duke u ngjitur. Një djalosh zeshkan më jep një të shtyrë dhe bën të më kalojë përpara. Ia kthej të shtyrën, më tërheq për mënge, i jap një bërryl në stomak, çlirohem dhe sulem në vagon. Por kam humbur kohë me këtë harbut dhe vagoni është plot tashmë, përveç një vendi. Vrapoj drejt vendit, vrapon edhe ai; thuajse në të njëjtin çast, e kapim; për ta zënë, unë kostumin e banjos, ai xhaketën. Atëherë përballemi. I them: “Kam ardhur unë i pari”.”Kush e tha?”  “E them unë,”  i përgjigjem dhe i hedh xhaketën në fytyrë. Në këtë çast mbërrin Jola dhe ulet pa mëdyshje, duke thënë: “Faleminderit Luixhi”. Djaloshi mbledh xhaketën, heziton, pastaj e kupton që nuk mund ta përzërë Jolën dhe largohet duke shqiptuar me zë të lartë: “Plak budalla”.

Treni u nis thuajse menjëherë dhe mua më goditi një rrymë ajri duke qëndruar në këmbë pranë Jolës. Por tashmë kisha humbur çdo entusiazëm dhe do të doja të zbrisja e të ikja. Ato dy fjalë “plak budalla” më kishin befasuar pikërisht në çastin që nuk e prisja. Mendoja se djaloshi kishte thënë “plak budalla” me dy ndijesi të ndryshme. Fyerja qëndronte tek “budalla”; e deri këtu asgjë e keqe: kish dashur të më ofendonte, të më quante të marrë. Por “plak” nuk e kishte thënë për të më sharë. “Plak” e kishte thënë si një të vërtetë. Siç do të kishte thënë, ta zëmë, nëse në vend të të pesëdhjetave të isha gjashtëmbëdhjetë: “Kalama i marrë”. Me një fjalë, për të, si për të gjithë, përfshirë edhe Jolën, isha një plak; dhe pak rëndësi kishte se atij i dukesha budalla dhe Jolës, përkundrazi, inteligjent. Ndoshta s’do të kishte qenë aspak e nevojshme që Jola të zinte vend. Tekefundit, djaloshi do të më lëshonte pe njëlloj, për respekt moshe. Këtë e vërtetova prej njërit që po rrinte përballë Jolës, i cili kishte parë skenën dhe tha: “Djalë i keq… së paku duhej të lëshonte pe për hir të moshës”.

Ndihesha krejtësisht i ngrirë dhe i përhumbur. Dhe tasheparë çoja dorën në fytyrë gati duke kërkuar, në mungesë të një pasqyre, të kuptoja me gishta sa plak isha. Jola, natyrisht nuk e vriste mendjen fare. Në gjysmë të rrugës më tha: “Më vjen keq që mbete në këmbë”. S’munda të bëja tjetër, veç t’i përgjigjesha: “Jam plak, po, por jo aq sa të mos mund të rri një gjysmë ore në këmbë”. Gati duke shpresuar se ajo do të më përgjigjej: “Luixhi… ju i vjetër… ç’thua?” Përkundrazi, ajo torollake nuk tha asgjë; dhe kështu u binda që kisha të drejtë.

Në Ostia u zhvesh ajo e para, duke dalë, pastaj nga kabina në kostumin që po i pëlciste në trup, e bardhë, e freskët e ngjeshur dhe e re për të të tërbuar. Hyra edhe unë në kabinë dhe, gjëja e parë, shkova të vështrohesha në pasqyrën e thyer që varej në mur. Isha tamam plak: si nuk e kisha vënë re këtë gjë? Pashë me një shikim sytë e veshur e të humbur mes rrudhash, flokët plot fije të bardha, lëkurën e faqeve të fishkur dhe dhëmbët e verdhë. Këmisha alla robespiere,  aq rinore, më bëri të turpërohesha: zbulonte gjithë qafën me tërë ato rrudha të flegëruara në fyt. U zhvesha e, ndërsa po përkulesha të vishja mbathjet, barku më kërceu mbi stomak e pastaj ra sërish poshtë si një thes i fryrë. “Plak i marrë”, përsërita me zemërim. Mendoja se këto ishin të papriturat e jetës: para një ore besoja se isha i ri, se mund të bëja namin me Jolën; tani, falë atyre dy fjalëve, e shihja veten të plakur, që mund të bëja vetëm babain e saj. Dhe më vinte turp prej gjithë atyre shikimeve që kishte pasur prej meje në sallon e, pastaj, që e kisha ftuar: kushedi ç’mendonte për mua, kushedi si më shihte. 

E mësova më vonë se çfarë mendonte. Ndërsa, të kapur pas litarit të shpëtimit, po e linim veten të mbuloheshim nga dallgët, sepse deti ishte i trazuar dhe në çdo dallgë që na mbulonte unë mbetesha pa frymë dhe mendoja: “Mbetem pa frymë, sepse jam i vjetër”, ajo krejt e lumtur më thirri: “A e di, Luixhi, se nuk të mendoja kaq sportiv”. “Pse?” e pyeta. “Si më mendoje?” “Bah!” u përgjigj ajo, “një njeriu në moshën tuaj nuk i pëlqen më deti… këtu vijnë të rinjtë”. Në këtë çast një dallgë e lartë plot shkumë u thye sipër nesh dhe unë rashë mbi Jolën e, për t’u mbajtur, e kapa për njërin krah: i fortë, i rrumbullakët, mish vërtet i ri, që hidhej. I bërtita me gojën plot ujë të kripur: “Mund të isha yt atë”. Dhe ajo duke qeshur mes shkumës që i zjente përreth: “Baba, jo…të themi: xhaxha”. Pra dolëm prej ujit, mirëpo nga turpi dhe sikleti nuk kisha më as forcë të flisja. Më dukej se në gojë kisha një kurthë me sustë të shkrehur, që, për ta hapur, donte një lloz. Jola ecte para meje duke tërhequr mbi kofshë e mbi gjoks kostumin, i cili, i lagur, ishte bërë krejt i pahijshëm. Pastaj u hodh në rërë dhe mishi i saj ishte kaq i tendosur, sa rëra nuk i ngjitej dhe binte poshtë në copa të qullura. Qëndrova pranë saj, memec, i mpirë, i pazoti të lëvizja a të flisja. Ndoshta Jola, megjithëse ishte më e pandjeshme se një rinoceront, e kuptoi gjendjen time të dobët, sepse papritur më pyeti nëse ndihesha pak mirë. I thashë: “Po mendoja për ju. Kë pëlqen në sallon? Amaton, Xhuzepen apo mua?” Ajo, e përpiktë, m’u përgjigj, pasi u mendua pak: “Ua, ju jeni simpatikë që të tre”. Ngula këmbë: “Por Amato është i ri”. “Po” u përgjigj ajo, “është i ri”. “Besoj se është dashuruar pas jush”, e mora fjalën pas një çasti. Ajo u përgjigj: “Vërtet? Nuk e kisha vënë re një gjë të tillë”. Pra ishte e hutuar, si e merakosur. Në fund tha: “Luixhi, më ka gjetur një hall: më është shqepur kostumi prapa… ma jep peshqirin të shkoj të vishem”. Të them të drejtën qeshë i kënaqur nga ajo shqepje.  I dhashë peshqirin, ajo u kthye ijazi dhe vrapoi në kabinë. Gjysmë ore më vonë ishim në tren në një vagon të zbrazur. Unë kisha tërhequr jakën e këmishës alla robespiere  mbi qafë dhe mendoja se tashmë për mua kishte mbaruar dhe isha një plak.

Atë ditë u betova se nuk do ta vështroja kurrë më Jolën e asnjë grua tjetër; dhe ashtu bëra. M’u duk se ajo ishte pak e çuditur dhe nganjëherë m’i ngulte sytë me një shprehje qortuese, por mbase ishte një përshtypje. Kaloi një muaj, gjatë të cilit kisha folur katër pesë herë me të me po ose me jo. Ndërkaq, ajo kishte zënë miqësi të veçantë me Xhuzepen, por që e trajtonte tamam si një baba, pa asnjë hije joshjeje, pa të keq dhe me seriozitet. Unë ndihesha më i vjetër se kurrë, qethja flokë, rruaja mjekra, merrja bakshishe e nuk bëzaja. Por një nga ato ditë, në të mbyllur, ndërsa po hiqja këmishën në kthinën e rrobave, pronari, një goxha burrë, njoftoi: “Sonte, nëse nuk jeni të zënë, do të darkojmë së bashku… qeras unë… Jola është fejuar me Xhuzepen”. Nxora kokën: Jola buzëqeshte në qoshen e saj, në tryezën e manikyrës; Xhuzepja buzëqeshte nga ana tjetër, duke pastruar një brisk. Befas ndjeva një lehtësim tepër të madh: Xhuzepja ishte më i vjetër se unë, Xhuzepja ishte i shëmtuar, e megjithatë Jola kishte pëlqyer Xhuzepen dhe jo Amaton. Vrapova me duar të shtrira tek Xhuzepja, duke thirrur: “Përgëzime, përgëzime të forta”, pastaj përqafova Jolën dhe e putha në të dyja faqet. Pra në sallon, më i lumturi nga të tre isha unë.

Të nesërmen ishte e diel dhe pasdite dola shëtitje. Vura re, duke bredhur, se po filloja sërish t’i vështroja gratë, si në të kaluarën, një për një, para e mbrapa. /ExLibris/ KultPlus.com

Mbahet konceri në nderim të pianistes së parë shqiptare, Lola Gjoka

Pianistja e parë shqiptare Lola Gjoka, një nga figurat shumëdimensionale në historinë e artit tonë muzikor shqiptar, u përkujtua sot me një koncert.

Në koncert ishte e pranishme edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, artistë, artdashës etj.

Përmes zërave dhe interpretimit të bukur të sopranos Mariana Leka, tenorit Gerald Murrja dhe baritonit Antonio Zefi, shoqëruar në piano nga prof. Rudina Ciko dhe drejtimin e maestro Zhani Ciko u interpretuan këngë të mbledhura dhe të përpunuara të përfshira në dy CD, mundësuar nga dashamirësi i artit, av. Përparim Kalo.

“Ky aktivitet i sotëm është pjesë e homazhit që Ministria e Kulturës dhe bashkëpunëtorët tanë i bëjnë një brezi artistesh “të para”, që guxuan t’i dedikoheshin artit në kohëra të pazakonta”, shprehet ministrja Margariti në një postim në rrjetet sociale.

Margariti bëri të ditur se “disa muaj më parë kontribuuam në botimin e librit të aktores Tinka Kurti, ndër të parat aktore shqiptare; këtë vit çuam në Bienalen e Venecias të parën grua shqiptare me një ekspozitë vetjake, Lumturi Blloshmin; në datën 2 qershor do të përkujtojmë të parën regjisore shqiptare, Drita Agollin. Çdonjëra prej tyre ka vendosur një gur themeli në artin shqiptar”.

Pianistja Lola Gjoka, lindi më 22 maj të vitit 1910 në Sevastopol të Rusisë në një familje emigrantësh shqiptarë me origjinë nga Korça. Pasuria dhe dashuria për muzikën vokale e në veçanti për këngën popullore, ka ushqyer gjithmonë shpirtin e saj krijues.

Me elegancën dhe temperamentin që e karakterizonte, ajo krijoi dhe interpretoi Suitën për piano e orkestër harqesh për Koncertet e majit 1978. Por sigurisht që thesari më i çmuar që  ka lënë është libri “50 këngë të përpunuara”, botuar pas vdekjes. Vdiq më 6 tetor të vitit 1985 në Tiranë./atsh/ KultPlus.com

Nesër hapet ekspozita “Thurrje Kosovare”, kushtuar grave krijuese kosovare brenda dhe jashtë Kosovës

Nesër do të hapet ekspozita “Thurrje Kosovare”, kushtuar grave krijuese kosovare brenda dhe jashtë Kosovës, përcjell KultPlus.

Kjo ekspozitë vjen në Galerinë e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ndërkaq emrat e artisteve që do të iu paraqiten veprat e tyre, janë: Alije Vokshi, Alketa Xhafa-Mripa, Arta Agani, Argenita Fetahu, Arjeta Mala, Arlinda Hajrullahu, Blerta Syla-Surroi, Eliza Hoxha, Fitore Berisha, Haveit, Kaltrina Hoda, Lala Meredith-Vula, Laura Sllamniku-Kryeziu, Lyra-Zajmi, Magbule Xhemaili, Marigona Ademi, Mjellma Goranci-Firizi, Shqipe Kamberi, Teuta Alaj-Pula, Valdeta Veliu-Vuçitërna, Violeta Xhaferi, Zake Prelvukaj dhe Zana Ramadani.

Hapja e ekspozitës fillon nga ora 19:30. / KultPlus.com

Poezia e Andon Zako Çajupit për Naim Frashërin

Poezi nga Andon Zako Çajupi

Naim Frasheri

Vdiq Naimi, vdiq Naimi,
moj e mjera Shqiperi!
Mendjelarti, zemërtrimi,
vjershëtori si ai!

Vdiq Naimi, po vajtoni
shqipetarka, shqipetare!
Naimne kur ta kujtoni,
mos pushoni duke qare!

Vdiq Naimi, gjithè thone,
qani turq, qani kaure!
Bilbil’ i gjuhese tone
s’do te degjohet me kurre!

Vdiq Naimi, qe këndoi
trimërinë, Skënderbenë,
vdiq Naimi, qe lëvdoi
dhe nderoi mëmedhënë!

Vdiq Naimi, po ç’të gjeti,
o moj Shqipëri e mjerë!
Vdiq Naimi, po kush mbeti?
Si Naimi s’ka të tjeve.

Vdiq Naimi! Vdekj’ e shkrete,
pse more të tillë burrë?
I ndritë shpirti për jetë,
mos i vdektë nami kurrë! / KultPlus.com

‘Stranger Things’ rikthehet me më shumë situata të jashtëzakonshme

Drama e suksesshme fantastiko-shkencore e Netflix “Stranger Things” rikthehet këtë javë me pjesën e parë të sezonit të katërt të shumëpritur që premton më shumë situata të mbinatyrshme që rrethojnë qytetin imagjinar të Hawkins në Indiana, shkruan Reuters, transmeton KultPlus.

I vendosur gjashtë muaj pas përfundimit të sezonit të tretë me betejën e tmerrshme të qendrës Starcourt, sezoni i katërt sheh miqtë e rinj protagonistë të ndarë pasi Eleven, luajtur nga Millie Bobbi Brown, u zhvendos në Kaliforni me Joyce (Winona Ryder) dhe dy djemtë e saj, Will dhe Jonathan.

Duke i munguar fuqitë e saj telekinetike si dhe aftësitë sociale, Eleven shpejt e gjen veten të ngacmuar. Ndërkohë në Hawkins, pjesa tjetër e bandës së adoleshentëve po drejton jetën e shkollës së mesme ndërsa një kërcënim i ri del nga dimensioni alternativ Përmbys.

Një histori e tretë tregon kthimin e zbuluar më parë të ish-shefit të policisë Hawkins, Hopper, babai birësues i Eleven, tani një i burgosur në Rusi.

“Do t’u përgjigjet shumë pyetjeve,” tha për Reuters aktori Caleb McLaughlin, i cili luan Lucas.

“(Kjo me të vërtetë thjesht zhytet më thellë në disa nga pyetjet më të mëdha që unë mendoj se shumë nga fansat i kanë bërë. Mendoj se njerëzit do të jenë vërtet shumë të kënaqur me këtë sezon,” shtoi Sadie Sink, e cila luan Max./ KultPlus.com

Alban Ukaj viziton pavilionin e Kosovës në Kanë

Aktori i njohur nga Kosova, Alban Ukaj, njëherit ndër aktorët kryesor të filmit ‘Tori dhe Lokita’ që shfaqi premierën mbrëmë në Kanë, vizitoi sot pavilionin e Kosovës në tregun e filmit Marché du Film.

Albani ndau me pavilionin e Kosovës detaje nga eksperienca e tij dytë e punës me vëllezërit Dardenne.

QKK e njoftoi për punën që po bëjnë në promovimin e portfolios së filmave të Kosovës, marrëveshjet ndërshtetërore për bashkëprodhim, dhe reformimin e sektorit të kinematografisë./KultPlus.com

Aerosmith anulon koncertet për qershor e korrik në Las Vegas

Aerosmith anuloi një sërë datash për koncertet e paraopara në Las Vegas sot pasi njoftoi se këngëtari kryesor Steven Tyler është kthyer në rehabilitim, transmeton KultPlus.

“Siç e dini shumë prej jush, vëllai ynë i dashur Steven ka punuar në maturinë e tij për shumë vite,” thuhet në një deklaratë të grupit të shpërndarë në mediat sociale. “Pas operacionit në këmbë për t’u përgatitur për fazën dhe domosdoshmërisë së menaxhimit të dhimbjes gjatë procesit, ai së fundmi ka relapsuar dhe vullnetarisht ka hyrë në një program trajtimi për t’u përqëndruar në shëndetin dhe rikuperimin e tij.

“Na vjen vërtet keq t’i informojmë fansat dhe miqtë tanë se ne duhet të anulojmë setin tonë të parë të datave të Rezidencës në Las Vegas këtë qershor dhe korrik, ndërsa ai fokusohet në mirëqenien e tij,” vazhdon deklarata. “Ne do të vazhdojmë datat tona të vitit 2022 duke filluar nga shtatori dhe do t’ju njoftojmë çdo përditësim të mëtejshëm sa më shpejt që të mundemi. Jemi të dëshpëruar që kemi bezdisur kaq shumë prej jush, veçanërisht fansat tanë më besnikë, të cilët shpesh udhëtojnë distanca të mëdha për të përjetuar shfaqjet tona.”

“Faleminderit për mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj për Steven gjatë kësaj kohe”, përfundon ai./ KultPlus.com

Fotoja legjendare e fëmijës me ‘gishtin e mesit, rikrijohet pas 20 vitesh në Tiranë

Është një imazh që do të mbetet në historinë e kulturës së internetit.

Në mbrëmjen e 8 majit 2002, në qytetin plot zhurmë të Roterdamit, një goditje e mirë e realizuar nga specialisti Pierre van Hooijdonk e ndihmoi Feyenoord-in të mundte kampionin gjerman Borussia Dortmund në një finale të paharrueshme të Kupës UEFA.

Për meritë të tyre, skuadra e Bundesligës u kundërpërgjigj me golat e Marcio Amoroso dhe Jan Koller, por sulmuesi – Jon Dahl Tomasson vazhdoi serinë e tij të nxehtë para portës duke shënuar golin e fitores.

Ishte triumfi i parë evropian i futbollit holandez në shtatë vjet dhe një moment historik për shumë tifozë të pranishëm.

Një nga të pranishmit brenda stadiumit me kapacitet 45,611 atë ditë ishte Mikey Wilson.

Ai ishte vetëm pesë vjeç kur Jon Dahl Tomasson iu dha çmimi Man of the Match atë të mërkurë të ngrohtë në Roterdam, por në vend të rezultatit dhe festimeve që pasuan, ai priret ta kujtojë atë mbrëmje për arsye shumë të ndryshme.

Mikey u ul mbi shpatullat e babait të tij kur fotografi i Reuters – Jasper Juinen, e kapi atë duke ngritur “gishtin e mesit”, para fillimit të ndeshjes./ KultPlus.com

“Nuk mbaj mend shumë për të, për të qenë i sinqertë”, tha Wilson. “E vetmja gjë që më ka mbetur është se nuk kam dashur make-up në fytyrën time, por gjithsesi ka ndodhur”.

Por, 20 vjet pas fotos legjendare, Wilson dhe babai tij, e rikrijuan foton në qytetin e Tiranës.

‘Sa e dua gjithë jetën, se atje gjej të vërtetën’

Poezi nga Naim Frashëri

JETA

Sa e dua giithë jetën!
Se atje gienj të vërtetën,
Yjtë, hënën, hapësirën,
Te mugëtit, natën, ditën,
Mëngjeze, diellin, dritën,
Mbrëmjen dh’ atë errësirën;
Natën, kur ësht’ e qetuar
Edhe gjësendi s’dëgionet;
Qiellin kur ësht’ i edruar
E hapësira ndritonet,
A kur hapen herë-herë
Ret’ e zeza sten nd’ere;
Vapën, vjeshtën, dimrin, verën,
Retë, shinë dhe lumenjtë,
Gjëmim, mjergull, Përrenjtë,
Deoren,
bresherin’ e erën’
Malet, fushat edhe brigjet,
Grykat e gukat e shtigjet.
Oshetimën, Pyjet,
drurët’
Shkëmbenjtë, gërxhet’ e gurët,
Lulet, barërat qe mbijnë,
E shpestë që fluturojnë
Edhe këngëra këndojnë
E nëpër dega levrijnë.
Dhe njërin’ e bagëtinë
Dhe giithë E’është

jetë
I dua si Perëndinë,
Se ngado që kthenj sytë,
Shoh atje Zotn’ e vërtetë,
Q’është një e s’ka të dytë./ KultPlus.com