Ukraina “duhet të mbijetojë” në luftën e saj kundër Rusisë dhe do të vazhdojë të “shtyjë” kundër Kremlinit, ka thënë deputetja ukrainase Ivanna Klympush-Tsintsadze, shkruan SkyNews.
Duke folur nga Kievi, ajo tha se luftimet dhe bombardimet ruse po vazhdonin në rajonet lindore, veriore dhe jugore të Ukrainës.
Gjithashtu shtoi se ishte e rëndësishme që kishte një “vrull të vazhdueshëm” mbështetjeje që vinte në Ukrainë, sepse “cilësia dhe sasia e armatimit” nga partnerët ishte “kritike”.
“Ne nuk kemi shumë opsione në tryezë, duhet të mbijetojmë. Në këtë luftë, agresori ka ardhur të na fshijë nga harta e botës dhe ne duam të jetojmë dhe të ndërtojmë vendin tonë për të ruajtur kombin tonë.
Ne duhet të fitojmë dhe kjo mund të kërkojë gjithë vendosmërinë, kjo mund të kërkojë të gjithë aftësinë tonë për të luftuar dhe për fat të keq tashmë duhen shumë jetë ukrainase nga ushtria dhe gjithashtu nga civilët”, tha ajo.
Deputeti ukrainas vazhdoi duke thënë se vizita e Boris Johnson në Kiev këtë javë ishte “jashtëzakonisht e vlerësuar” dhe se vendi ishte “mirënjohës për udhëheqjen e tij”. / KultPlus.com
Ish-diplomatit të Kosovës në Bruksel, Labinot Hoxhas i është vendosur flamuri serb në veturë.
Kjo i ka ndodhur gjatë këtij vikendi, në Greqi – teksa po pushonte.
Vetë Hoxha e ka treguar ngjarjen përmes një postimi në Twitter. Dyshon se aktin e ka kryer ndonjë huligan serb i futbollit.
”A nuk mund të pushojnë nga urrejtja të paktën për fundjavë”, ka shkruar ndër tjerash ai. /Express / KultPlus.com
Weekend in Greece with my parents. Their car plates vandalised by what seems to be a Serbian football hooligan. Takes away from relaxation… Can’t people take a break from hate at least on the weekend?!? pic.twitter.com/3vevxTfzTh
Ditën e nesërme në Prishtinë do të mbahet mbledhja e dy qeverive Shqipëri dhe Kosovë. Për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, policia e Kosovës ka hartuar një plan masash.
Policia e Kosovës ka njoftuar se do të ketë një ndërprerje me intervale të shkurtra kohore të qarkullimit të trafikut në zonat ku do të lëviznin dy delegacionet.
Për të mundësuar qarkullim e lirë janë menduar disa rrugë alternative në zonat ku do të devijohet trafiku.
Njoftimi i policisë së Kosovës
Angazhimet policore rreth mbledhjes së dy qeverive Kosovë-Shqipëri
Me datën 20 qershor 2022, në Republikën e Kosovës, në Prishtinë do të mbahet takimi i radhës mes dy qeverive, asaj të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Policia e Kosovës, do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mbajtjen e rendit e qetësisë publike, gjatë kohës së zhvillimit të mbledhjes dhe gjatë lëvizjes së kryeministrit dhe ministrave të Qeverise së Shqipërisë.
Në kohën e ardhjes së përfaqësuesve shtetërorë nga Shqipëria, për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim, Policia e Kosovës, sot në orët e pasdites (19.06.2022) dhe nesër (20.06.2022) sipas itinerarit të lëvizjes së personaliteteve/delegacioneve do të bëjë ndërprerje të përkohshme në intervale të shkurta kohore të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore ku pritet të kalojnë delegacionet.
Për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik. /KultPlus.com
Dhe nëse do që të më duash mos me duaj me asgjë tjetër, veçse me dashuri. Kurrë mos thuaj “E dua për buzëqeshjen, për vështrimin, për mënyrën fisnike të të folurit, për idetë e saj që përkojnë, me të mija të cilat një ditë më bënë të qetë.” Këto gjëra,i dashur, mund të ndryshojnë në vetvete ose të ndryshojnë për ty. Kështu një dashuri mund të zhduket. Dhe ti mos më duaj gjithashtu me keqardhje për të fshirë lotët në faqet e mia. Të qarat mund t’i harrojë kush e pati gjatë komfortin tënd, e të humbasë, kështu, dashurinë tënde. Por ti më duaj, vetëm me dashuri të dashurisë, që rritet në ty, me një dashuri eterne !/ KultPlus.com
Në ditën e gjashtë të Festivalit FemArt do të ketë një shfaqje teatrale nga Kosova dhe një performancënga Serbia, shkruan KultPlus.
Shfaqja teatrore “Burrneshat” me autor, Jeton Neziraj dhe regji të Erson Zymberit shfaqet sonte në Teatrin ODA nga ora 20:00, ndërsa performanca “25 gota verë” me tekst dhe koncept të Dijana Miloševic shfaqet në Shtëpinë e Kulturës, Gustericë (Graçanicë) nga ora 20:00.
Gjithashtu, artistja Valentina Medda vazhdon me aktivitetin e mbyllur për publikun.
Ndërkaq, këtu mund të shihni orarin e plotë për ditët e tjera të festivalit “FemArt”. /KultPlus.com
Pojani në Fier, i përfshirë në programin “100 fshatrat”, u kthye mbrëmjen e djeshme në qendër të festimeve dhe traditës myzeqare.
“Festa e grurit” mblodhi bashkë me qindra banorë, duke e kthyer Pojanin në epiqendër të festimeve dhe një vend atraktiv për vizitorët.
Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi e cilësoi fantastike atmosferën e krijuar në qytetin antik të Apolonisë.
“Kjo është një festë fantastike. Jo vetëm nga Fieri, por edhe nga gjithë trevat e tjera kanë ardhur këtu për të marrë pjesë së bashku dhe për të festuar ‘Festën e grurit’ ose festën e bukës së re. Është një ambient fantastik, një atmosferë fantastike. Njerëzit kanë ardhur me shumë dëshirë për të festuar së bashku dhe për të shijuar këto çaste të mrekullueshme. Jemi në zemër të Myzeqesë, në zemër të vendit ku prodhohet gruri, ndaj besoj se gjithë kjo festë që ne po bëjmë është në vazhdën e gjithë atyre festave që ne kemi organizuar edhe herë të tjera për të promovuar zakonet, traditat, doket, kulinarinë, gjërat e veçanta që ka çdo zonë dhe për të bërë atë që synojnë ta bëjmë të gjithë, që ta bëjmë qytetin tonë gjithmonë e më të jetueshëm e të këndshëm për gjithë njerëzit”, tha Subashi.
Vizitorët e Apolonisë shijuan mbrëmë këtë festë që erdhi si ndërthurje e folklorit me demonstrimet e mekanikes bujqësore, me panairet e prodhimeve të grurit dhe të bukës.
“Festa e grurit” në Myzeqe është një festë e përvitshme e konceptuar si një paradë e veshjeve, këngëve e valleve tradicionale, e bukurisë e mikpritjes myzeqare.
Me qindra njerëz u bënë pjesë të kësaj feste që bëri bashkë me dhjetëra fermerë, kultivues gruri dhe prodhues buke.
“Festa e grurit” është një nga festat më të mëdha që organizon Bashkia e Fierit në kuadër të promovimit të traditës myzeqare. E zhvilluar në muajin qershor të çdo viti dhe e shoqëruar me ritualet festive të krijuara gjatë shekujve, kjo festë vendore përbën tashmë një tjetër vlerë të shtuar të turizmit kulturor. /atsh /KultPlus.com
Qeveria e Kosovës së bashku me atë të Shqipërisë, do të mbajnë nesër në Prishtinë mbledhjen e tetë të përbashkët, shkruan KultPlus.
Një ditë përpara është bërë e ditur edhe agjenda e kësaj mbledhje, në të cilën pritet të nënshkruhen disa marrëveshje.
Sipas njoftimit zyrtar thuhet se delegacioni i Qeverisë së Shqipërisë do të arrij në orën 10:45 në vendin ku edhe do të mbahet mbledhja. Më pas, në orën 11:00 do të arrij kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Hapja e sesionit plenar të mbledhjes në mes dy Qeverive do të nis në orën 11:15, ku ministrave fillimisht do tu drejtohet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e pas tij edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Pas kësaj do të bëhet prezantim mbi infrastrukturën portuale dhe hekurudhore kombëtare në funksion të tregut të përbashkët kombëtar dhe katër lirive ekonomike: Projekti i Portit të ri tregtar në Porto Romano, integrimi me hekurudhën Durrës – Prishtinë, dhe Porti i Thatë në Kosovë.
Në orën 12:30 është paraparë të bëhet nënshkrimi i marrëveshjeve qeveritare, e ku më pas do të ketë edhe konferencë të përbashkët nga të dy kryeministrat.
Deri më tani janë mbajtur shtatë mbledhje të përbashkëta mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku janë nënshkruar mbi 100 marrëveshje mes dy shteteve. /KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, me të cilin zhvilluan një bisedë përmbajtësore dhe konfirmuam raportet e shkëlqyera ndërshtetërore.
Me ministrin Çavuşoğlu, Presidentja Osmani diskutoi për bashkëpunimin bilateral, në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes, tregtisë dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.
Presidentja Osmani dhe ministri Çavuşoğlu, disutuan edhe për zhvillimet aktuale në rajon dhe në Evropë, me ç`rast, Presidentja Osmani potencoi se integrimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike parandalon ndikimin rus në rajon dhe tendencën për destabilizim.
Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin se anëtarësimi i Kosovës dhe rajonit në strukturat euroatlantike është domosdoshmëri.
“E vlerësoj maksimalisht mbështetjen e qartë të presidentit Erdoğan ndaj anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Mbështetje të tillë nga Turqia na duhet edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka theksuar në takim Presidentja Osmani.
“Marrëdhëniet e Kosovës me Turqinë janë strategjike dhe se ky shtet është ndër partnerët tanë kryesor në NATO. Komuniteti turk në Kosovë dhe mërgata e madhe shqiptare në Turqi janë urë e fortë ndërmjet dy shteteve”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve, sipas Presidentes Osmani kanë potencial të thellohen edhe mëtej, posaçërisht në fushën e investimeve, si dhe duke rritur eksportin e Kosovës në Turqi. /KultPlus.com
Perëndimi duhet të përgatitet të vazhdojë të mbështesë Ukrainën në një luftë që mund të zgjat me vite, ka paralajmëruar shefi i NATO-s, transmeton KultPlus.
Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, tha se kostot e luftës janë të larta, por çmimi për ta lënë Moskën të arrijë qëllimet e saj ushtarake është edhe më i madh.
Komentet e tij erdhën pasi kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson paralajmëroi gjithashtu nevojën për t’u përgatitur për një konflikt afatgjatë.
Stoltenberg dhe Johnson thanë se dërgimi i më shumë armëve do ta bënte më të mundshme një fitore për Ukrainën.
“Ne duhet të përgatitemi për faktin se mund të duhen vite. Ne nuk duhet të heqim dorë nga mbështetja e Ukrainës,” tha shefi i NATO-s në një intervistë me gazetën gjermane Bild.
“Edhe nëse kostot janë të larta, jo vetëm për mbështetjen ushtarake, edhe për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve.”
Shefi i aleancës ushtarake perëndimore tha se furnizimi i Ukrainës me më shumë armë moderne do të rriste shanset e saj për të qenë në gjendje të çlironte rajonin lindor të vendit Donbas, shumica e të cilit aktualisht është nën kontrollin rus.
Gjatë muajve të fundit forcat ruse dhe ukrainase kanë luftuar për kontrollin e territorit në lindje të vendit – me Moskën që ka bërë përparime të ngadalta javët e fundit. /KultPlus.com
Gjysma e qiellit me re dhe gjysma tjeter e kalter Kete harmoni shkrepetima e prish Gjysma e shpirtit e ngrire dhe gjysma tjeter e vaket Dhe ne gjoks nje ankth si iriq.
Ndaj sot nuk do shkojme kurrkund, As ne koncert, as ne park, as ne varre; Ti shko ne dhomen tjeter dhe mbesen perkund Dhe une po ndez nje cigare.
Mbase kujtohet im bir arratisur ne bote Dhe prish heshtjen e dhjamur mbi telefon! Ah, kjo cigare qe pi eshte e forte, E ndiej kur ne gjoks me shtrengon. /KultPlus.com
Festivali i parë i Baballarëve në Kosovë po rikthehet me edicionin e tretë, përcjellë KultPlus.
SUPERDADS do pushtojnë Prishtinën, të dielën, më 19 qershor nga ora 16:00 te Platoja e “Zahir Pajaziti” – te Hotel Grandi.
Me muzikë, argëtim, lojëra interaktive, gara mes baballarëve, lexim, art, kuiz dhe plotë energji, këtë vit do shënohet Dita Ndërkombëtare e Baballarëve dhe do të frymëzohen baballarët dhe kujdestarët që të jenë të vëmendshëm dhe të përfshirë aktivisht në edukimin e fëmijëve, të fillojnë diskutime mbi rëndësinë e atësisë, me një fokus të veçantë në avokimin për lejen prindërore.
“Ejani me familje dhe tregoni se çfarë babai jeni! Është kënaqësi të shohësh fëmijët e tu duke u shoqëruar me fëmijët e shokut/shoqes tuaj. Ftoni edhe baballarët e tjerë bashkë me familje”, thuhet në njoftim.
Ky festival implementohet në kuadër të projektit “E Ardhmja për Rininë” nga SIT me mbështetje nga UNFPA, zyra në Kosovë, CARE International në Ballkan, Agjensioni Austriak për Zhvillim, Fondacioni Oak, Komuna e Prishtinës, QKSGj dhe D4D. / KultPlus.com
Kur flasim për fillet e arsimit shqip, na kujtohet mësonjëtorja e parë shqipe në Korçë që u hap në vitin 1887. Por, studiues vendorë e të huaj flasin për një shkollë shqipe më të hershme, që daton qysh prej shekullit XVI në Kosovë.
Bëhet fjalë për Kolegjin e Shën Llukës, që u themelua në vitin 1584 në fshatin Stubëll të Vitisë.
Ndërkaq, libri më i vjetër që ruhet në këtë shkollë, është një libër filozofik i autorit Heinrich Cornelius Agrippa, i botuar në vitin 1638, kurse libri më i vjetër në gjuhën shqipe që ka ky muze ka është “Doktrina e Krishterë”, botim i vitit 1877.
Ani pse aktualisht nuk ka ndonjë kopje të materialit të lartpërmendur në gjuhën shqipe të vitit 1584, rikujtojmë se në vitin 1555 veç se ishte zbuluar “Meshari” i Gjon Buzukut, që konsiderohet si libri më i vjetër në gjuhën shqipe.
Në vitin 1905, kjo shkollë filloi të udhëhiqej nga mësuesi Dom Mikel Tarabulluzi, busti i të cilit gjendet në oborrin e shkollës. E në vitin 1906, numri i nxënësve në këtë shkollë kishte arritur në 42, prej tyre 25 djem dhe 17 vajza.
Këtë e dëshmon letra e mësuesit Dom Mikel, drejtuar konsull gjeneralit të Austro-Hungarisë në po të njëjtin vit.
Pavarësisht se ishte themeluar nga klerikë fetarë, atë kohë mësoheshin edhe lëndë shoqërore e shkencore, këtë e dëshmojnë edhe një pjesë e librave që ruhen në muze.
Përveç “Doktrinës së Krishterë”, në shkollën e parë të Stubllës mësohej lexim, matematikë, histori, gjeografi e lëndë të tjera të ngjashme sikur sot.
Këtë e dëshmojnë edhe librat “Numeratore”, “Këndime për shkollat e para të Shqipërisë”, “Këndimet e çunave” por edhe abetarja shqipe e vitit 1886, e botuar në Bukuresht. /KultPlus.com
Mos u dorëzo, ende ke kohë t’ia dalësh mbanë e sërish të fillosh frikën ta groposësh, hijet t’i pranosh, ta zgjidhësh lakun, prapë të fluturosh.
Mos u dorëzo se kjo është jeta, të vazhdosh udhëtimin, ëndrrat pas t’i ndjekësh, ta shpengosh kohën të pastrosh rrënojat dhe të shohësh qiellin.
Mos u dorëzo, të lutem mos u lësho, edhe pse djeg acari, edhe pse kafshon tmerri, edhe pse hesht era dhe fshihet dielli, ka ende zjarr shpirti, dhe ëndrra gjallë ngeli, sepse jeta është e jotja e dëshirat janë të tuat, sepse e ke dashur dhe sepse të dua.
Sepse, njëmend, ekziston vera dhe dashuria, sepse koha plagët do t’i shëroj patjetër, thyeji drynat e dyert çeli, mos u mbyll, braktisi muret e vjetër.
Jetoje jetën dhe prano momentin, rikthe buzëqeshjen, këndoje tekstin, çliroje veten dhe duart jepi, hapi krahët dhe rinis fluturimin gëzoje jetën dhe pushtoje qiellin.
Mos u dorëzo të lutem mos u lësho edhe pse djeg acari, edhe pse kafshon tmerri, edhe pse hesht era dhe fshihet dielli, ka ende zjarr shpirti, dhe ëndrra gjallë ngeli,
sepse çdo ditë duhet filluar, sepse kjo është ora dhe ky momenti i çmuar sepse nuk je vetëm sepse unë të dua./ KultPlus.com
Për përmasat e saj në interpretim, ai aktore e filmit dhe teatrit është shkruar vazhdimisht dhe për këtë është nderuar me titujt më të lartë që jepen në Shqipëri. Por sot, në këtë përvjetor, ia vlen të kujtojmë kujdesin dhe dashurinë që kishte Maria për brezin e ri të aktorëve, bisedat saj të dobishme me artistët e rinj, studentët që e admironin dhe çmonin për talentin dhe interpretimin. Aty nga fundi viteve 70-të, plejada e shquar e Teatrit Kombëtar, ajo plejadë që krijoi teatrin profesionist në vend, pas 30 e ca vjetësh në skenë, suksese të njëpasnjëshme në kryevepra të dramaturgjisë vendase e të huaj, mendoi të jepte një ndihmë për aktorët e rinj të Akademisë së Arteve, diçka nga magjia e tyre. Jo të gjithë ata kishin pasur rast t’i shikonin në skenë këta yje si Sandër Prosi, Mihal Popi, Pjetër Gjoka, Gjon Karma etj. Me interes për lexuesin janë disa pjesë të shkëputura nga bisedat që kjo artiste e madhe ka bërë me studentët e ILA, biseda mbi mjeshtërinë e aktorit.
Të’ jesh aktor, së pari duhet mjeshtëri, por ajo mjeshtëri edhe fitohet nga përvojat e kolegëve. Shkolla nuk është gjitha, arti nuk është thjesht një lexim apo shqiptim teksti. Është më tepër se aq, është emocion, është besim. Nuk është as imitim i mjeshtërve të mëdhenj, është origjinalitet, është vëzhgim, është përvojë që aktori e fiton në jetën e përditshme, me të gjitha mënyrat. “Pyetja e parë që bën çdo aktor i ri, është edhe ajo që ka të bëjë me gjetjen e rrugës së drejtë për tek personazhi. Përgjigjja që do t’i jepte çdo aktor më i vjetër është se në krijimin e figurës në përgjithësi nuk ka receta. Kjo ka të bëjë me individualitetin krijues të çdo aktori”, nënvizon në një nga bisedat e saj aktorja e madhe Logoreci.
Marie Logoreci, fragmente nga biseda me studentët e ILA, 1982
…Studenti që bën vetëm atë që i demonstrohet, apo i thotë pedagogu nuk ka shumë vlera dhe po qe se kështu mësohet nga pedagogu, nuk ka më keq. Studenti duhet të mësohet që të japë vetveten, se si të bëhet objekt dhe subjekt. Ai nuk duhet të marrë diçka kështu ose ashtu se e ka thënë dikush, por pasi ta provojë, ta ndjejë se ashtu është. Edhe Stanislavski thoshte: “Mos më imitoni, mos bëni si e bëj unë, por si e ndjeni ju”. Metoda nuk është diçka abstrakte, teorike, në hava, ajo është përgjithësim i përvojës së shumë aktorëve të mëdhenj, të asaj që ata na kanë lënë, të asaj që ne kemi konstatuar vetë, të asaj që ne kemi parë në interpretimin e L.Kovaçit, M.Popit, P. Gjokës, Gj.Karmës, M.Stefës etj., të brezit më të ri N.Frashërit, P.Mimës, N.Lucës, S.Prosit, I.Shytitë (Këtu mund të mos përmend ndoshta shumë aktorë të mirë, mos ma merrni për keq).
Të gjithë aktorët e teatrit tonë kanë qenë e janë të mirë, ky është mendimi im, me tituj e pa tituj, të përmendur e të papërmendur nga kritika, dhe të tillë unë mund t’ju përmend shumë, të kthjelltën Liza Vorfi, të mrekullueshmin Mihal Stefa etj., etj. Kështu pra për të mos dalë nga tema, përvoja e aktorëve më të vjetër, të atij brezi të shokëve të mi që tashmë kanë dalë në pension dhe të atyre me të cilët ju do të luani do të jenë për ju shkolla praktike, pasurimi i mësimeve që keni marrë.
– A interpretohet pa njohur teorinë?
– Sigurisht. Kështu kemi interpretuar ne aktorët e parë të teatrit shqiptar. Dhe jo vetëm pa teorinë e interpretimit, por në ansamblin tonë, pak ishim me shkollë të mesme, pra nuk kishim as një formim të përgjithshëm. Për disa vjet bëmë një përpjekje të madhe për të plotësuar mangësitë në arsimim, më vonë u organizuan kurset e plota, ku mësuam teorinë me disa nga emrat e mëdhenj të regjisurës ruse. Kështu fillimi ynë ishte interpretim pa njohur Stanislavskin, Brehtin, etj., pa përvojën teorike e praktike, duke përjashtuar ata pak aktorë si Loroja, Gjoni, Pjetri që kishin luajtur në Shkodër.
Pra mund të interpretohet sepse mund të ndjesh dhe të shprehësh, kështu është interpretuar edhe pa u shkruar metodat. Por është teoria ajo që të bën të ndërgjegjshëm, të jep eksperiencën e brezave, të ndihmon të kërkosh e të ecësh përpara. Dhe tani mendoj se ka mjaft për të mësuar nga eksperienca jo vetëm e aktorëve të huaj, por edhe e aktorëve tanë.
– Ku janë vështirësitë në interpretim?
– Interpretimi është etapa përfundimtare e një pune të gjatë për zbërthimin e personazhit. Vështirësitë janë të ndryshme por unë po ndalem në vështirësitë që vijnë si rezultat i tekstit, sepse këto janë të shumta dhe të shpeshta dhe, është kjo që sjell edhe mosmarrëveshjet me autorët e dramave. Autori duke i dhënë rëndësi idesë, konfliktit etj., rëndon në kurriz të karakterit, botës së brendshme të personazhit. Aktori duke zbërthyer këtë personazh arrin t’i gjejë të meta edhe serioze atij. Dhe shpesh është tepër e vështirë t’i mbushësh mendjen autorëve, për fjalët e papërshtatshme, të vështira për t’u interpretuar e të pa motivuara që fusin në tekst. Ato janë fjalë boshe që nuk thonë asgjë, nuk ka art në to, janë më të rëndomta se në jetë dhe aktori kërkon më kot mendimet që duhet të dalin, nëntekstin. Sepse fjalët janë mendimi i shprehur dhe i pa shprehur, ato janë veprimi në dramë.
Problemet që lindin midis aktorit e autorit po edhe regjisorit e autorit bëhen seriozisht e të vështira kur autori është një personalitet në letërsi sidomos në dramaturgji, e, pretendon se e njeh dramën.
– Thuhet se momenti i hyrjes në skenë është i vështirë, kjo vështirësi qëndron vetëm për të rinjtë?
– Hyrja në skenë është momenti i vështirë, jo vetëm për të rinjtë. Çdo aktor nuk u shpëton emocioneve të fillimit. Të parën gjë që dua të theksoj është, ajo që ka ndodhur më parë në dramë të përjetohet para hyrjes në skenë dhe, kur hyn në skenë të mos shkëputet prej ngarkesës emocionale të mëparshme. Këtë proces aktori duhet të realizojë sa hyn në skenë. Kështu ai hyn plot, di se pse ka hyrë, ku është, çfarë do të bëjë e çfarë do të thotë. Shpërqendrimi më i vogël në këtë moment sjell shkëputje, sjell mendime të tjera, sjell frikën nga publiku që herë – herë kthehet në panik, pasiguri në vetvete, kontraktim, gjë që do të sillte pasoja të mëdha në interpretim. Aktorët me përvojë këto momente shpërqendrimi i kanë më të vogla sepse ata e zotërojnë veten në çdo çast dhe mund të arrijnë të përqendrohen menjëherë. Kjo ka të bëjë me përvojën skenike. Ushtrimet e “rrethit” të përqendrimit që ju i mësoni tani teorikisht do t’ju hyjnë në punë gjatë gjithë jetës suaj skenike. Dua të theksoj rëndësinë e madhe që ka momenti i hyrjes në skenë saqë mund të varet fati i mbarëvajtjes së gjithë skenës për aktorin dhe partnerët.
– Çfarë do t’u rekomandonit aktorëve të rinj, teknikën apo ndjenjën?
– Art i vërtetë është ai që nuk mashtron dhe kjo në punën tonë fillon nga leximi i tekstit, puna me rolin, e, deri tek grimi. Disa, më të shumtën të rinjtë, sidomos femrat mendojnë se duke bërë një makiazh të bukur dhe duke u veshur në mënyrë të veçantë do të tërheqin vemendjen e publikut. Nganjëherë të këtij mendimi bëhen edhe regjisorët e operatorët. Por kësaj, si çdo anë e jashtme, nuk i duhet dhënë më tepër rëndësi seç ka, ajo që tërheq vëmendjen është interpretimi brenda karakterit të personazhit, sigurisht edhe elementët e tjerë kanë rëndësinë e tyre kur vihen në funksion të rolit. Po kështu edhe në punën me rolin ose gjatë shfaqjeve. E kam thënë edhe herë tjetër se poqese në një moment gjatë interpretimit kam pasur lotë dhe kjo ka pasur reagim e sukses në publik, një natë tjetër mund të mos kem lotë dhe të kem po atë sukses. Atë moment emocional unë nuk e kërkoj teknikisht në kuptimin e artificeve, sepse dua që të jetë i vërtetë edhe për mua. Por kjo, jo duke iu dhënë krejtësisht ndjenjës. Aktori në skenë, sipas individualitetit të tij e shkollës së interpretimit që ndjek, vendos vetë disa raporte në interpretim, midis të qenit në rol, të qenit kritik dhe spektator i vetvetes njëkohësisht. Ai sigurisht nuk mund t’i jepet krejtësisht ndjenjës në interpretim, sepse duhet të jetë i vetëdijshëm në çdo moment për atë që bën e të mos humbasë për asnjë çast kontrollin e vetvetes. Për mua këto raporte janë në mbi 90 % interpretim dhe pjesa tjetër kritikë e spektator.
– Si veproni që emocioni të jetë i njëjtë në çdo shfaqje pavarësisht nga numri i tyre?
– Sigurisht që emocioni nuk mund të jetë i njëjtë nga një shfaqje në tjetrën, por nganjëherë rrezikon që të mos kesh emocionin e duhur në një fragment të caktuar. Eshtë gabim të mendohet se aktori sa më shumë të imitojë me besnikëri shfaqjet e mëparshme aq më mirë ka luajtur. Interpretimi është një gërshetim i të vetëdijshmes me të pavetëdijshmenë e vetë-dijshmja ka teknikën, e pavetëdijshmja ka akumulimin. Unë kam luajtur Loken shumë herë në teatër dhe një nga skenat e vështira ishte ajo ku Lokja vajton, fshehtas nga të tjerët, para trupit të të birit të vrarë. Kjo skenë në film nuk është. Ishte një skenë shumë emocionale për mua e që shkaktonte emocion edhe tek spektatorët. Fillimisht në interpretimet e para emocioni vjen natyrshëm, lehtësisht pa punë të ndërgjegjëshme vjen si një ndjenjë. Në skenë veç emocionit real përdoret edhe kujtesa emocionale e cila vjen në ndihmë kur emocioni zbehet. Pra në interpretim emocioni është emocion i momentit plus kujtesë emocionale dhe kjo duhet të jetë rrjedhë e shfaqjes, se sjellja me forcë e emocionit shkakton kontraktim, kurse kur aktori do ta shtyjë emocionin që e përfshin, atëherë mund të shpër qendrohet dhe emocioni të zhduket. Emocioni vjen me anën e përqendrimit. Varet shumë edhe nga gjendja shpirtërore personale. Duhet zotësi që emocionin ta përsërisësh. Kujtesa emocionale që është rrënjosur thellë në mendje është shumë e gjerë, jo të gjitha të hyjnë në punë atë moment, por ajo duhet ndjellë. Emocioni vjen duke ndjellë ndjenjën. Unë, siç ju thashë, momentin emocional nuk e kërkoj artificialisht, por e ndihmoj që të vijë në kohën e duhur me anë të kujtesës emocionale.
Aktori jo gjithmonë është në formë për të luajtur një rol, herë nuk është mirë fizikisht, herë është i lodhur, ka një dhimbje dhëmballe apo koke, por herë nuk është mirë psikologjikisht, një zënie, një sëmundje, një vdekje. Por atij i duhet të dalë në skenë dhe të interpretojë… Atëherë aktori kërkon të gjitha mjetet e arsenalit aktoresk t’i vërë në punë për të dalë nga situata.
– Në ç’raporte duhet parë logjika e personazhit dhe logjika e aktorit?
– Logjika e personazhit ka të bëjë me formimin, me botkuptimin e tij, me ngjarjet që i ndodhin, me epokën e vendin, me jetën që bën e klasës që i përket, mjedisin që e rrethon, me vetëdijen e cilësitë e tij. Ai vepron në dramë në përputhje me këto, pra me logjikë e sipas karakterit të tij. Në jetën skenike aktorit mund t’i qëllojë të interpretojë ndonjë personazh të ngjashëm me veten, por në të shumtën e rasteve do të ndodhi e kundërta. Ai nuk mund ti kanalizojë këta brenda karakterit të tij, se pastaj i thonë “të luash veten”. Ai mendon, vepron, e jeton në skenë si personazhi. Aktori duhet të besojë, t’i mbushë mendjen vetes se personazhi është ai, që, ka të drejtë dhe të mbrojë me forcë mendimin e tij. Aktori duhet të pyesë veten se çfarë do të bënte personazhi me atë botëkuptim në ato rrethana në atë periudhë historike! Pra logjika e aktorit udhëhiqet prej logjikës së personazhit.
– Në ç’raport është shkolla me talentin?
– Ashtu siç e kuptoj unë, shkolla, studentit nuk i jep talentin, por ia zgjon e zhvillon atë dhe i heq manierat, e mëson ta kontrollojë talentin, të ndërgjegjësohet për atë që bën, i mëson teknikën profesionale, i jep eksperiencën e brezave.
– Cili mendoni se duhet të jetë raporti regjisor-aktor?
– Aktorë të ndryshëm i japin rëndësi të ndryshme punës së një regjisori në një dramë a film. Unë mendoj se nuk është fjala regjisor që përmban rëndësinë, por se çfarë regjisori është. Për raportin regjisor-aktor, unë besoj nuk do t’ju them ndonjë gjë që nuk e dini, dikur dramat janë vënë në skenë pa regjisorë, më vonë ky doli i nevojshëm. Nganjëherë mendon të bësh diçka dhe del jo ajo që mendon. Këtë e ndjen ndoshta edhe vetë, por nuk e ke aq të qartë sa ç’e ka regjisori. Ai është një lloj dirigjenti që drejton një orkestër me disa solistë. Ai është një mjek që duhet të diagnostikojë. Ai analizon e zbërthen, kontrollon në përgjithësi e në detaje, diskuton e parashtron, tregon çfarë mungon që të realizohet si duhet. Aktori me eksperiencë është si të thuash mjek i vetvetes, atij i duhet pasqyra për t’u parë, e këtë e bëjnë edhe partnerët kur edhe këta janë me eksperiencë. Sigurisht më e mira është kur regjisori dhe aktorët janë me eksperiencë, por ndodh që një ansambël me aktorë me përvojë të drejtohet nga një regjisor pa eksperiencë e nganjëherë këta qëllojnë edhe mendjemëdhenj e fodullë, të cilët nuk dinë se ç’kërkojnë e mbërrijnë deri aty sa t’i monstrojnë aktorit, duke i treguar si duhet interpretuar. Rezultati shihet praktikisht në disa drama e në mjaft filma të dobët.
– A ju pëlqen kinematografia, e ç’vend zë tek ju?
– Unë jam aktore e teatrit dhe si të gjithë aktorët jam aktivizuar edhe në film, bile që në filmin e parë shqiptar me metrazh të shkurtër “Fëmijët e saj” e pastaj tek “Tana”, së bashku me Loro Kovaçin, Tinka Kurtin, Naim Frashërin etj. Filmi për mua është një gjini tjetër me specifikat e veta edhe në interpretimin aktorial. Aty nuk ke një spektator të radhës së fundit si në shfaqje që të sheh e dëgjon, kamera është spektatori yt. Mungon edhe rrjedhshmëria e kronologjizmi, mungon dhe spektatori me reagimin e tij, me pëshpëritjen e heshtjen e tij, me duartrokitjen. Për një aktor të teatrit filmi është i bukur por skena është shtëpia e tij.
Më 19 qershor 1921, në Korçë u krijua shoqëria e vajzave “Zhvillimi”, që synonte emancipimin dhe intergrimin e grave të reja në jetën e qytetit. Në foto, mbërritja e aeroplanit të parë në Korçë, në vitin 1924. / KultPlus.com
Marie Logoreci ishte aktore shqiptare e teatrit dhe filmit, pioniere e kinematografisë shqiptare. Paraqitja për herë të parë në film ishte tek Skënderbeu, më pas në filmin e parë shqiptar me metrazh te shkurtër ‘Fëmijët e saj’, dhe me pas në filmin e parë shqiptar ‘Tana dhe Toka jonë’ etj. Ajo luajti në filmin televiziv, ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’. Ajo ngriti në art karaktere të ndryshme të nënave shqiptare, duke u kthyer vetë në simbol të nënës shqiptare, shkruan KultPlus.
Maria e filloi aktivitetin e saj artistik që në shkollë, ku luante në teatrin e shkollës, vizatonte dhe këndonte. Në vitin 1945 ajo filloi të këndoje në Radio Tirana dhe në koncerte që jepeshin në qytete të Shqipërisë, si dhe shkoi turne jashtë shtetit si soliste e Korit të Përgjithshëm të Shtetit. Në repertorin e saj ishin rreth 100 këngë. Në 1947 filloi punën në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar). Interpretimi i parë i saj në skenën e teatrit ishte Elmira në komedinë Tartufi të Molierit. Filmi i parë ku mori pjesë ishte bashkëpunimi sovjeto-shqiptar Skënderbeu.
Maria mbeti një aktore e madhe e skenës. Ajo krijoi artin e saj. Duke qenë vrojtuese e mprehtë e jetës së popullit arriti të mbledhë polenin jetësor e ta hedhë në veprën e saj artistike duke i dhënë spektatorit shpirtin e njeriut, dhembjen, protestën, revoltën, urrejtjen, cinizmin, hipokrizinë, dinakërinë, etj… atë që është esenca e rolit, atë magji që shkakton një art të vërtetë. Gjuha e saj artistike është ekspresive dhe me kolor, mjetet skenike që ka aplikuar Maria, janë realizuar prej saj me mjeshtëri duke vënë vulën e vet të interpretimit, atë që ishte personale të Maria.
Rolet më të suksesshëm të saj janë: Xhesi te Çështja ruse, Alisa Lengton te Rrënjë të thella, Kristina Padera tek Komploti i të dënuarve, Fatimja te Halili dhe Hajrija, Aljona Patrovna te Gjashtë dashnorët, Lokja te Toka jonë, Ledi Milford te Intrigë e dashuri, Tringa te Shtatë shaljanët, Gertruda te Hamleti, Bernarda Alba te Shtëpia e Bernarda Albës, Tadrahova te Morali i zonjës Dulska, nëna Xhun te Muri i madh pakapërcyeshëm’, Mara te Përkolgjinajt, plaka te Çatia e të gjithëve, nëna te Cuca e maleve, Gjela te Përmbytja e madhe.
Marie Logoreci vdiq në Tiranë në vilën e saj nga një atak kardiak më 19 qershor 1988.
Marie Logoreci përveç urdhrave dhe medaljeve te ndryshme mban edhe titullin e larte Artiste e Popullit dhe Nderi i Kombit. /KultPlus.com
Shpirti i mbyllur brenda burgut, i lirë më shpresë nga trupi, i ngopur me errësirë njeriu. Trupi i njeriut i shpërbërë përmes imazheve, rrudhat e tyre që reflektojnë vuajtje dhe ankth. Shputa të këmbëve, detaje të shuplakave të duarve, shprehin burgosjen, torturat, ankthin psikologjik të njerëzve gjatë kohës së komunizmit në Shqipëri. Artisti Oltsen Gripshi në ekspozitën e tij personale “Errësirë” të hapur te Muzeu Kombëtar i Përgjimeve të Sigurimit të Shtetit “Shtëpia me Gjethe’’ ditë më parë, prezantoi vepra shumë interesante. Në tunelin e panjohur para viteve ’90, aty ku përgjoheshin dhe shkruheshin fatet e gjithkujt dhe për gjithçka, aty ku personalja e artistit bëhet univerzale me dhimbjen kolektive e cila si magmë ka shkoqur lëkura të shumë njerëzve, dhe më e veçanta është se artisti prezanton të afërmit e tij në këtë ekspozitë që ka kuratore Etleva Demollari.
Piktura, fotografia, video intalacione përmbajnë imazhe të dhimbshme por edhe të thella. Fotografitë janë konceptuale të reduktuara në ide e pastaj në imazh, fragment, kronologji dhe si një mozaik i shkapërderdhur. Shihet një autoportet i grisur në një fotografi bardhë e zi që përçon te spekatatori emocion estetik dhe ky është qëllim i artit konceptual. Pastaj vazhdon të të gëryej mendjen duke vendosur theksin logjik te tortura fizike, por edhe psikologjike. Vet arti koncpetual është art i revoltës, kohës, subjektit, analizës si dhe përfaqësim historik përmes shprehjeve postmoderne duke klithur e zhurmuar nga një errësirë e zymtë, vërtetë me një fasadë të pashpresë, ngjyrë gri , që shpirtin ta trazon dhe të bën të solidarizohesh me ato vuajtje dhe klithma që i kishin përjetuar familjarët e Gripshit.
Teksa përhumbem brenda thellësisë së tunelit, dhe lundroj nëpër intalacionet e varura që ta pengojnë ecjen, ndjejë një ankth përbrenda, një kthim nga vdekja, shijoj një liri, por shpirti im bredh nëpër këtë errësirë e cila duket boshe, por nuk është boshe. Qenia ime endet si siluetë nëpër muret gri, më shfaqen portretet e familijarëve të artistit të cilët ulërijnë, kërkojnë të rrëfejnë gjithçka, dhe duken si fantazma hijesh. Ata nuk janë vetëm siluetë e ruajtur e kohës, por materie e cila gjithmonë na përcjellë, sepse kush mund ta mohon të vdekurin, atëher mohon edhe jetën e tij. Në fillim ishte jeta, pastaj vdekja, ose të dyja kanë prapë raporte ndërmjet vete.
Kuptimi psikologjik i portreteve që i shpall front errësirës, mbetjeve që lë pas dhe nguliti në kujtesë regjimi komunist, duken të deformuara, jo të përqendruara, janë në lëvizje, ose nuk mund t’ia kapesh lëvizjen, e kjo lidhet me tramuën psikologjike që ja shkaktoi regjimi i asaj kohe. Një kërmill qëndron sipër. Kjo ma kujton dramën “Menaxheria e qelqtë” e Tenese Willimas, ku personazhi kryesor shpreh brishtësinë shpirtërore përmes figurave të vogla të qelqit që duken shumë të ndjeshme. E Ky kërmill prej qelqi krijon një kontrast, kontrapunkt shpirtëror ndaj gjithë kësaj stuhie dhe shtrëngate shpirtërore. “Për pasojë, vendosja e qenies njerëzore përballë errësirës (përballë gërmadhës që la pas regjimi komunist), do të zbulonte portrete njerëzore “të deformuara” nga një jetë e jetuar plot dhimbje fizike, trauma psikike, intriga dhe përgjime gjatë regjimit komunist në Shqipëri.
Nëse dëshira është monoliti i kënaqësisë, errësira është ngjyra e persekutimit dhe dhimbjes. Ndjesitë njerëzore janë pjesë përbërëse e mjedisit që i rrethon dhe si të tilla ato janë të pacaktuara, veçanërisht në lidhje me statusin e tyre ontologjik. Nuk dihet nëse ato duhet t’u atribuohen vetëm objekteve a mjedisit në të cilin gjenden, apo edhe subjekteve që i përjetojnë ato.” Shkruan në tekstin e ekspozitës vetë autori.
Albert Camus shkruan: “Lutja, thotë Alani, bëhet kur errësira zapton mendjen. Por duhet që mendja të takojë errësirën”. Kjo përgjigje më shumë do t’i shkonte mistikëve dhe ekzistencialistëve. Nuk është fjala për atë erresirën që krijohet kur mbyllim sytë. Errësira është më e vërtetë se vet mendja, por ballafaqimi ose kontakti ndërmjet të dyjave kërkon tejkalimin nga terri. Unë në këto punime shohë edhe natë polare, agim të mendjes, nga ku ndoshta ngrihet ajo ndritë e bardhë përmes 70 kanotiereve të papërlyer që vizaton çdo objekt në dritën e intelegjencës. Ky hop i errësirës për publikun intelegjentë është një kronologji historike që vetëm arti bën punën më të mirë, e jo historianët.
Përfshirja e vetes në errësirë, lundrimi nëpër arkivin e së kaluarës, vetëgjymtimi i autorit në këtë teatër absurd, bërja e vetportretit i prerë në fashë, i gjymtuar, marrjen e dhimbjes për vete, ai akomodohet me të, pastaj mbyllë sytë, lundron poshtë membranës së trurit aty te kujtesa, aty ku fle gjithçka dhe vepron asgjë.
Nga kjo histori, nga kjo errësirë, ai nxjerrë revolten personale, lirinë e tij dhe pasionin. Mirëpo, ndërgjegja ishte subjekti kryesor i kësaj ngjarje sepse vetë nostalgjia për ftesën e vdekjes dhe mundimeve shihet që e ngufatnin autorin. Gjithë ajo jetë, ajo traumë, ai fat, ajo përvojë nuk zëvendësohen kurrë.
“Në fund të fundit, e zeza është ngjyra më e ndritshme.” Shënon Gripshi. Kjo mund të jetë ngjyra e përjetësisë sonë… /KultPlus.com
KultPlus ju sjell këtë poezi të shkruar nga Nezir Kraki, ku e njëjta poezi është lexuar nga Rudina Papajani.
S’dua gjumë…
Gjumit i druhem, Më duket sikur më mashtron, M’imponohet si opsion i vetëm, E unë s’i dua gjërat pa alternativë, Aq më pak ato që ma cënojnë lirinë.
Gjumi është kafaz, Kafaz ëndrrash që s’jetohen. Shpesh s’i mbyll hiç sytë, Si ushtar bëj rojë n’thellësitë e natës, Me hënën n’puthje kozmike, N’kërkim t’dy syve me i shiku, N’kërkim t’buzës që dridhet, N’luftë me ligjin e kohës që s’ndalon, N’luftë me ligjin e trupit që lyp pushim.
Dhe kur rrezja e parë zbret nga qiejt e përgjumur, Unë veç jam n’t’shtatin… Pa zë përshpëris: « Fitova disa orë jetë, disa orë liri… Jetova! »
Kam edhe arsye tjera pse gjumin s’e dua… Më duket i largët mëngjesi, e largët dita, Me u përmallu për ata që më mungojnë, Me u çmall mendimeve për ta. Duke u magjeps me ditën që vjen pa pyet, Me mistiken e gjithësisë, Kur jeta nis… /KultPlus.com
Sikurse ‘Aventurat e Lizës në Botën e Çudirave’, ku përmes hyrjes në shpella, tunele, spirale dhe pasqyra të ndryshme mund të transportoheshin njerëzit në botë të çuditshme ku çdo gjë është e mundur, edhe në shfaqjen “Në prag të thyerjes”, shikuesit u futën në një portal ku kaluan nga bota e vetëdijshme dhe fizike, në një realitet tjetër shpirëtor dhe hyjnor, shkruan KultPlus.
Besimi, dashuria dhe fati, si pjesë kryesore të jetës, të përmbledhura nga Dekadenca dhe Makriza de Sad, sipërfaqën të qeshura të shumta te publiku, i cili ishte mbledhur në masë për të parë nga afër dhe në të njëjtën kohë për të shijuar performancat “Në prag të thyerjes” dhe “Nata e Divave” nga Serbia, në kuadër të FemArt, i cili shënon edicionin e 10-të këtë vit me moton nga ‘Revolucioni në Evolucion”.
Në shfaqjen “Në prag të thyerjes”, realiteti ynë i përditshëm u shfaq edhe përmes spiritualitetit, besimit, dashurisë dhe reklamës, të cilat janë bërë pjesë e pandashme e secilit prej nesh.
Pas shfaqjes, Markiza de Sad, tha për KultPlus se nuk jeton në Serbi, por vjen nga bota e largët për të performuar në Kosovë.
Jeta mes udhëtimeve
“Unë nuk jam nga Serbia, por kam ardhur nga bota e largët, nuk jetoj në Serbi por jam vetëm për një kohë të shkurtër aty. Unë bëj punë korrespodente dhe më pëlqen të kaloj kohën duke ndjerë energjinë time aty. Por, Kosova është shumë e mirë dhe po na trajton në mënyrën më të mirë të mundshme, prandaj jam e lumtur për mundësinë që më është dhënë këtu”.
E pyetur se sa e kënaqur ishte me publikun, Markiza tregon se kishin pak frikë se çfarë do të thoshte publiku përpara performancës së tyre. “Ne kishim frikë fillimisht, por në fund u ndamë shumë të kënaqur. Unë do të vijë sa herë që të më ftojnë të performoj në Kosovë, ndoshta edhe Presidentja mund të më jap një unazë të veçantë.
Interpretimi i dy roleve brenda 15 minutave
Decadence u përgjigj se kjo vjen nga përvoja e madhe. “Kemi kohë që punojmë bashkë, mund të bëjmë shfaqje dhe shumë gjëra të tjera tw punws profesionale ë mes të natës. Unë kam qenë në të kaluarën në një bashkëpunim me FemArt, por sot ishte një kënaqësi e pastër”, deklaroi ajo për KultPlus.
Ajo shpjegon se ndryshimi midis dy roleve të saj është se personazhi i saj qëndron i njëjtë, por ato janë padyshim dy shfaqje të ndryshme. E para ka të bëjë me epokën shpirtërore bashkëkohore dhe të re dhe e përbërë nga gjëra të tjera. E dyta ka të bëjë me një bashkëpunim që ju bën të relaksoheni, të çlodheni dhe të argëtoheni me muzikë.
“Unë kam folur shumë për spiritualitetin dhe sigurisht nga ky këndvështrim ironik vendosëm të trajtojmë shumë gjëra që janë në jetën tonë të përditshme”, shpjegon ajo, duke treguar edhe rolin e saj në këtë shfaqje.
“Nata e Divave”
Nën tingujt e muzikës, Lady K dhe Decadence, u shfaqën dikur copa magjie, për t’i dhënë mbrëmjes hijeshinë e duhur dhe për ta mbyllur me spektaklin sa më të madh. Gjatë kësaj shfaqje, një vajzë e quajtur Lorika iu bashkua skenës për të treguar se pikërisht interaktiviteti i bëri këto dy netë më interesante.
Lady K, e cila performoi në piano gjatë shfaqjes së dytë me titull “Nata e Divave”, në të cilën argëtimi u ndërthuren mes veti me muzikën dhe sipërfaqën atë që njerëzit dëshirojnë shumë në çdo moment, pra, përjetimin e kënaqësisë përmes kërcimit me muzikë.
“Energji shumë e mirë, njerëz shumë të mirë dhe kudo ku performojmë është gjithmonë kënaqësi. Për mua është hera e parë që performoj këtu dhe patjetër që dua të vij edhe herë të tjera për të performuar këtu me këta njerëz siç ishin sonte. Ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme”, thotë ajo për KultPlus.
Ajo shton se të rinjtë po tregojnë shpirtin e tyre kulturor dhe po mblidhen për të shijuar këto ngjarje.
“Festivale të tilla të mbushura me të rinj tregojnë se kjo lloj kulture po përparon gjithnjë e më shumë nga e gjithë bota dhe veçanërisht në Ballkan”.
Sa i përket muzikës, Lady K thotë se është muzikë që ata e dëgjojnë privatisht dhe e zgjedhin. Nuk është vetëm se ulemi dhe këndojmë, por ushtrohemi gjatë gjithë kohës dhe sigurisht kënaqemi me atë që bëmë atë natë. Nuk ka koncert të mirë pa energji “ping-pong” mes publikut dhe interpretuesit.
Të dyja u shprehën shumë të lumtura me publikun dhe sigurisht dhanë përpjekjet e tyre më të mëdha në skenë dhe dashurinë më autentike.
Ndërkaq, këtu mund të shihni orarin e plotë për ditët e tjera të festivalit “FemArt”. /KultPlus.com
Balerinat e Kosovës nga “Studio Baletit Angels” kanë fituar disa çmime në një festival garues në Beograd, shkruan KultPlus.
Eliza Vitja me variacionin e Raymonda ka zënë vendin e parë, Erisa Ahmeti gjithashtu pjesë e kësaj shkolle ka zënë vendin e 3-të me balet klasik, ndërsa Olsa Drnogllava zuri vendin e 3-të me balet neoklasik.
Pjesëmarrës nga e gjithë Evropa kanë qenë të pranishëm aty, derisa fëmijët nga Kosova kanë qenë të përcjellur nga mësuesja Vlora Prizreni.
Balerini Sead Vuniqi ka thënë për KultPlus se ky është një sukses shumë i madh për ata si shkollë, por edhe për gjithë Kosovën.
“Ky është një sukses shumë i madh për ne si shkollë, por edhe për shtetin tonë pasi vajzat tona prezentuan Kosovën me dinjitet në këto gara. Kjo ishte një eksperiencë me shumë emocion për ne dhe jashtëzakonisht shpërblyese pasi na u bë zemra mal me arritjet e tri nxënësve tona”, tha ai.
Kjo është edhe mirënjohja të cilën e kanë marrë, ku shihet edhe emri “Republika e Kosovës”. /KultPlus.com
DokuFest ka shpërndarë një fotografi në rrjetin social “Twitter”, duke treguar se janë duke punuar për programin e edicionit të ri, shkruan KultPlus.
“Po punojmë programin e edicionit tonë të radhës dhe po bëjmë një pushim për të shijuar pamjen plot ngjyra të muzgut të Prizrenit nga zyra jonë”, shkruhet aty.
Filmat e prodhuar do të kenë premierë në edicionin e 21-të të DokuFest, në datat 5-13 gusht 2022. /KultPlus.com