Nis hartëzimi i banesave “Monument Kulture” në Shkodër

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Shkodër ka nisur punën për konceptimin e emërtimeve dhe hartëzimin e të gjithë banesave me status “Monument Kulture”.

Nëpërmjet aplikimit të punimit artizanal të pllakatave të mermerit, do mundësohet evidentimi i këtyre monumenteve të kulturës dhe trashëgimisë.

Petrit Bilali, skulptor pranë DRTK Shkodër, do të realizojë prerjen, gdhendjen, skalitjen dhe më pas vendosjen e pllakateve që do të shërbejnë si elementë orientues dhe dekorativë për të evidentuar veçansinë e këtyre banesave për publikun.

Kjo punë do të sjellë lehtësi si për vendasit, ashtu dhe për turistët në orientimin e tyre në qytet, si dhe për identifikimin e objekteve që përbëjnë interes për ta./atsh/ KultPlus.com

Jackie Chan nis xhirimet e filmit të ri në ish-bastionin e ISIS-it në Siri

Një qytet i braktisur që nga një operacion i vitit 2018 për të larguar xhihadistët, Hajar al-Aswad po rikthehet në jetë, por tashmë si një mjedis për një film aksion të prodhuar nga Jackie Chan.

“Home operation” është frymëzuar nga evakuimi i shtetasve kinezë dhe të tjerë të huaj nga lufta në Jemen, një operacion që u pa si një pikë referimi për Pekinin.

Rrënojat e Hajar al-Aswad të enjten u mbushën me një grup aktorësh me veshje fisnore jemenase, shkruan France.24.

“Sot filluam xhirimet e ‘Home operation’. Filmi nuk tregon historinë e luftës, por më tepër flet për dashurinë dhe paqen. Ai nuk prek dhunën. Filmi është prodhuar nga Jackie Chan, dhe regjisor nga Yinxi Song, një regjisor i ri kinez”, tha Ziad Ali.

Regjisorët thonë se ndërtimi i studiove të ngjashme me këto zona është shumë i shtrenjtë, por këtu studioja tashmë është gati./koha/ KultPlus.com

83 vjet më parë ndërtohej ujësjellësi i Tiranës

Më 18 korrik 1939, qyteti i Tiranës ndërmori një hap të rëndësishëm urbanistik me fillimin e ndërtimit të sistemit të ujësjellësit.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton këtë fakt, të 83 vjetëve më parë, nëpërmjet dokumenteve e fotove arkivore, sipas të cilave Ministria e Punëve Publike ia besoi planin e kësaj sipërmarrjeje studios së inxhinierëve Angelo Omodeo-s dhe Claudio Marchello-s, me qendër në Milano. Plani i propozuar nga inxhinierët që më 1937-ën, kishte si objektiv ndërmarrjen e hapave për furnizimin me ujë të qytetit të populluar deri në 62.000 banorë, dendësi kjo që parashikohej të arrihej deri në 1970-ën.

Ky hap vinte paraprakisht edhe me nevojën e urbanizimit të Tiranës, si edhe me shtimin e popullatës kryeqytetase. Uji që do të furnizonte Tiranën do të vinte nga Selita dhe do të shtrihej në tubacione drejt një hapësire prej 5250 metrash, duke mundësuar një prurje prej 1,5 litrash në sekondë.

Krahas fotove, pasqyrohet edhe një pjesë e planit të ndërtimit të këtij ujësjellësi./atsh/ KultPlus.com

Universiteti i Prishtinës dhe Komuna e Gjakovës nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Në rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” u nënshkrua sot marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet UP-së dhe Komunës së Gjakovës.

Marrëveshja u nënshkrua nga prijësit e të dyja institucioneve, rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, dhe kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.

Në fjalën e tij, rektori Sahiti tha se ky është memorandumi i tretë që UP-ja po e arrin me komunat e Kosovës dhe se përmes marrëveshjeve të nënshkruara së fundmi, institucioni që ai udhëheq po punon edhe më tej për avancimin tutje të veprimtarive shërbyese ndaj komunitetit.

“Kemi studentë nga Gjakova, të cilët është e rëndësishme të kryejnë praktika nëpër institucione të ndryshme, dhe ndërkohë edhe ju si komunë, por edhe studentët, do të përfitojnë nga ky partneritet. Mirëpo, interesi i këtij bashkëpunimi do të jetë edhe në kryerjen e analizave të ndryshme, studimeve apo dokumenteve, të cilat mund të shërbejë si ekspertizë për të dyja institucionet”, ka deklaruar rektori.

Këtë memorandum e mirëpriti edhe kryetari Gjini, teksa theksoi se e vlerëson lart profesionalizmin e UP-së.

“Jemi shumë të lumtur që po e firmosim një bashkëpunim të tillë me Universitetin e Prishtinës, sepse jam i bindur se implementimi i kësaj marrëveshjeje do të ndikojë në thellimin e bashkëpunimit dhe ngritjen e performancës për të dyja palët nënshkruese”, tha Gjini.

Ujdia e arritur parasheh hartimin dhe zbatimin e përbashkët të projekteve, organizimin e forumeve profesionale në fushat relevante për palët, realizimin e këshillimeve profesionale reciproke, ofrimin e mundësive për realizimin e praktikës profesionale për studentët, harmonizimin e përmbajtjeve mësimore me nevojat e tregut të punës si dhe funksionalizimin e institucioneve të përbashkëta profesionale dhe shkencore. / KultPlus.com

Mbrëmë në Mitrovicë u hap edicioni i 12-të i festivalit Green Fest

Në fjalimin hyrës të mbajtur nga kryetari i Komunës së Mitrovicës Bedri Hamza, u vlerësua lartë dhe u konfirmua mbështetja e mëtutjeshme për organizimin e festivalit tashmë tradicional Green Fest në komunën e Mitrovicës, duke e parë si potencial për zhvillimin e jetës kulturore, turizmit si dhe rritjes së vetëdijes mbi çështjet mjedisore.

Ndërkaq, drejtori i festivalit Lulzim Hoti, ritheksoi se tema e sivjetme “Tfillo” vije si thirrje për të kryer punët me sa më përgjegjshmëri, si në nivelin lokal poashtu edhe atë nacional. Një fjalim rasti dhe mbajti edhe Valdete Idrizi, drejtore e DKRS-së e cila u zotua se ky festival do vazhdoj të ketë mbështetjen institucionale edhe gjatë viteve në vijim.

Për të pranishmit dhe atmosferën festive e plot emocion u kujdes këngëtarja e mirënjohur Rona Nishliu, nën tingujt e kitarës përcjellur nga Driton Bejta.

Tema e edicionit të sivjetmë të ”Green Fest” është motivuar nga Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, “Prodhim dhe Konsumim i Përgjegjshëm (SDG12), që njëherit vije si praktikë e vazhdueshme e në sinkronizim me numrin  12-të të edicionit, të festivalit.

Programi i “Green Fest XII” parasheh organizimin e aktiviteteve të larmishme si: fjalime ,punëtori, aktivitete rekreative e gjithëpërfshirëse, shfaqje filmi, aksione mjedisore, si dhe dy nete muzikore. / KultPlus.com

Të entjen vjen “Një Arkiv në Nënçati: Informator mbi Galerinë Kombëtare të Kosovës”, kuruar nga Hana Halilaj

Ekspozita “Një Arkiv në Nënçati: Informator mbi Galerinë Kombëtare të Kosovës” kuruar nga Hana Halilaj vjen në Galerinë Kombëtare të Kosovës këtë të enjte, duke filluar nga ora 10:00, përcjell KultPlus.

E themeluar më 2 shkurt 1979, Galeria Kombëtare e Kosovës (GKK) është institucioni kulturor më i shquar në vend. Shqyrtimi i arkivave dhe historive të ekspozitave të galerisë është hap thelbësor për identifikimin e lëvizjeve të artit, praktikave artistike dhe të veprimtarëve e organizatave të ndryshme kulturore që kontribuan në historitë e artit të Kosovës. Fondet arkivore të GKK-së pasqyrojnë jo vetëm zhvillimet artistike dhe kulturore në vend dhe rajon por shërbejnë edhe si pikënisje për të rimenduar narrativat ekzistuese të fragmentuara, si dhe për të gjeneruar diskurse të reja historike.

Materialet që datojnë nga vitet 1960 e deri më sot–– katalogje, shtojca të shtypit, dokumente, letra, dorëshkrime, fotografi–– tregojnë historitë kolektive dhe individuale të anashkaluara të cilat gjenden në këtë arkiv. Një seri e punimeve në letër të artistes Violeta Xhaferi nga koleksioni i GKK-së janë të ekspozuara së bashku me shënime rreth zhvillimit të koleksionit. Këto materiale shoqërohen nga një rrëfim i ish-arkivistës së GKK-së Lirije Buliqi, e cila diskuton proceset e mundimshme që ende vazhdojnë të ndikojnë në arkivat e këtij institucioni.

Edhe pse arkivat akoma mbeten të pa indeksuara, kjo ekspozitë është një qasje e pjesshme në materialet arkivore me potencial për të rikonfiguruar, rishkruar dhe vënë në pyetje në mënyrë kritike historitë e artit të Kosovës brenda kontekstit lokal dhe global. / KultPlus.com

Projektet e organizatave dhe individëve që kanë aplikuar në thirrjen publike të MKRS, do t’i nënshtrohen rivlerësimit

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporti ka dalur me një njoftim për organizatat dhe individët që kanë aplikuar në thirrjen publike të MKRS për subvencionim në art dhe trashëgimi kulturore, të shpallur në prill 2022:

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke u mbështetur në vlerësimet e njësive organizative dhe në bazë të diskutimeve me përfaqësuesit e komunitetit kulturor, ka identifikuar mangësi sistematike në mënyrën e shpërndarjes së fondeve për projektet kulturore dhe artistike gjatë viteve.

Nisur nga kjo, ne kemi ndërmarrë hapa konkret për të reformuar skemën e shpërndarjes së fondeve, bazuar mbi principet e llogaridhënies dhe transparencës së plotë. Këta hapa janë ndërmarrë në dy drejtime: përmirësimet në rregullimin aktual juridik dhe krijimin e bazës ligjore për transformimin e tërësishëm të këtij procesi, përmes instrumenteve rregullative që jemi duke i zhvilluar.

Procesi i aplikimit online është dizajnuar me qëllimin primar që të sigurohet një proces me transparencë të plotë në shpërndarjen e fondeve. Një vullnet dhe përcaktim primar i yni, por njëkohësisht edhe kërkesë legjitime e pranuar gjatë viteve të fundit nga komuniteti artistik.

Jemi të vetëdijshëm se ndërrimi i formave konvencionale të operimit, me një proces të tillë të rëndësishëm për skenën e pavarur kulturore të vendit, mund të shoqërohet me vështirësi objektive deri në konsolidim të procesit. Vështirësitë janë identifikuar qoftë nga ana e realizimit të tij, si përgjegjësi e MKRS –së apo edhe e gjatë procesit të aplikimit nga ana e komunitetit.

Duke u bazuar në vështirësitë teknike që janë paraqitur në raport me sistemin dixhital të aplikimit, dhe duke synuar arritjen e rezultateve të pranueshme për komunitetin por edhe për politikat publike në fushën e kulturës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka vendosur të bëjë rivlerësimin e të gjitha aplikimeve nga thirrja publike për subvencionim.

Ministria ka mobilizuar të gjitha kapacitetet e nevojshme që rivlerësimi të kryhet brenda një afati të shkurtë. Të gjitha projektet e organizatave dhe individëve që kanë aplikuar në këtë thirrje do t’i nënshtrohen rivlerësimit që si qëllim primar, ka kryesisht eliminimin e shkaqeve e defekteve që janë paraqitur në raportin ndërmjet kërkesave të thirrjes publike dhe kërkesave që ka parashtruar platforma.

Ndërsa për organizatat dhe individët që nuk kanë arritur të aplikojnë në thirrjen e fundit, ju njoftojmë që pas shpalljes së rezultateve të thirrjes paraprake, do të shpallet thirrja e re publike për subvencionim në art dhe trashëgimi kulturore. Në thirrjen e re, të drejtë aplikimi do të kenë edhe organizatat për projekte të cilat afatin e realizimit e kanë brenda harkut kohor të vitit fiskal aktual.

Ne i kemi marr të gjitha masat e nevojshme për të siguruar aplikim më të qartë e më të kuptueshëm në thirrjen e re publike përmes sistemit dixhital. Duke ju falënderuar për mirëkuptimin, ju sigurojmë që MKRS do të vazhdojë të punojë në rritjen e mbështetjes financiare për skenën e pavarur kulturore. / KultPlus.com

‘Ëndërrat e Hamletit’ në Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës, “Cairo” në Egjipt

‘Ëndërrat e Hamletit’ në Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës, “Cairo” në Egjipt prezanton Kosovën në mesin e shumë shfaqjeve teatrore ndërkombëtare, përcjell KultPlus.

“Ëndërrat e Hamletit” është realizuar në kuadër të Shtëpisë Teatrore Filmike ‘AKT; dhe ITI-Qendra në Kosovë.

Regjinë dhe interpretimin e shfaqjes e ka realizuar aktori dhe regjisori, Mentor Zymberaj. Ndërsa tekstin e ka shkruar artistja Nina Mazur.

Skenografia vjen nga Zeni Ballazhi, kompozitor i muzikës është Andin Randobrava, dizajnues i dritave është Skender Latifi dhe asistent regjie është Mirak Zymberaj.

Ndërkaq, lajmin e ka bërë të ditur vetë aktori Mentor Zymberaj i cili thotë se shfaqja po thyen rekordet e sukseseve në arenën ndërkombëtare.

“ËNDËRRAT E HAMLETIT vazhdon suksesin në rrugëtimin e saj artistik. Ftohet në Festivali – CAIRO INTERNATIONAL MONODRAMA FESTIVAL, në EGJIPT.
Shfaqje që po thyen rekordet e sukseseve në Arenën Ndërkombëtare”, ka shkruar ai. / KultPlus.com

Rrahman Jasharaj paralajmëron grevë të përgjithshme

Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), me anë të një letre drejtuar mediave ka parlajmëruar reagime të forta sindikale, karshi siç thotë qasjes së Qeverisë Kurti. Në letër paralajmërohet grevë e përgjithshme para muajit shtator.

Siç thuhet në letër, greva e përgjithshme do të zhvillohet qerisa Qeveria ta ndërrojë qasjen ndaj sindikateve dhe të gjejë zgjdhje.

Letra e plotë pa ndërhyrje:

Qeveri gishtin në kokë se çmimet në qiell e pagat përtokë

Qeveria Kurti është e vetmja që jeton jashtë realitetit sepse ka krijuar me rrjete sociale një realitet për veti dhe nuk i ndal lëvdatat për arritjet që nuk ekzistojnë , për ngritjen ekonomike që nuk është dhe për buxhetin më të latë në gjithë vitet e pasluftës, që bazuar në sjelljet  e veprimet e shefit të kuletës, Hekuran Murati , nuk është.

Qeverisë Kurti sindikatat i dërguan letra për takime. I dërguan mesazhe me protesta e greva se janë shumë të pakënaqur dhe  se kanë kërkesa të anëtarësisë që duhet realizuar . I dërguan edhe ndërmjetësuesin ligjor për dialog, që i ngjason atij  plakut pleqnar në kohët e Kanunit kur përplaseshin dy fise dhe ata, edhe pse nuk kishin shumë shkollë e nuk kishin lexuar shumë libra sa Albini, pranonin pleqnarët dhe uleshin për të gjetur zgjidhje. Kurtit, Muratit e disa qeveritarëve të tjerë nuk u kanë lënë përshtypje gjithë këto angazhime të sindikatave  e as ky pleqnari bashkëkohor e ligjor  dhe në këtë mënyrë ata duke mos ndjerë nevojë as të deklarohen sepse vota e madhe e popullit ua ka trullosur  kokën dhe mendjen, po thonë se nuk japim as pesë para për sindikatat dhe të tjerët .

Kjo qeveri  nuk është duke jetuar me realitetin dhe as nuk po e ndjen sfidën që të punësuarit në sektorin publik e në atë privat po përballën me ngritjen  e vazhdueshme të çmimeve të artikujve elementar dhe se ata ishin të varfër e po bëhen gjithnjë e më skamnorë.

Qeveria Kurti pa shkuar nëpër pushime duhet t’i vë  gishtin kokës  sepse çmimet kanë shkuar deri në qiell e pagat kanë mbetur në tokë. Qeveria as nuk po ngrit pagat , as nuk po  fton në takime sindikatat për të bashkëbiseduar, as nuk po i fton ato për t’u marrë vesh për Ligjin e pagave. Qeveria po sillet se vetëm Kurti e Murati ekzistojnë në këtë nënqiellin e Kosovës. Mirëpo le ta dinë  deputetët e pozitës, të opozitës dhe i gjithë populli i Kosovës së angazhimit të sindikata për dialog u ka ardhur fundi. Ata pasi  dërguan edhe plakun, pra ndërmjetësuesin ligjor për dialog , e qeveria nuk u lodh as për këtë angazhim të sindikatave për dialog, atëherë  para shtatorit do të shohim reagimet e forta të sindikatave, kurse populli le ta di se në shtator çerdhet, shkollat, pastaj edhe Universitetet dhe administrata në komuna , por edhe të punësuarit në sektorë të tjerë  do të jenë në grevë të përgjithshme e cila do të jetë deri sa Qeveria Kurti të ndërrojë qasjen e të kuptoj se duhet të ulet me sindikatat të gjej zgjedhje. E zgjedhja është e munduar sepse Kurti  Muarati kanë thënë me plot gojën se ka ngritje të latë ekonomike, ka rritje të lartë të të hyrave dhe se buxheti është më i larti në 22 vitet e lirisë së  Kosovës.

Prishtinë, 18 korrik 2022,

Rrahman Jasharaj

Kryetari i SBSHK-ut / KultPlus.com

Shpallen kampionët e FISU, Kupës Botërore Universitare në Hendboll 2022

Pas një jave adrenalinë, brohoritje, humbje dhe fitore, FISU Kupa Botërore Universitare në Hendboll u kurorëzua me ekipet fituese. Kjo kupë u organizua nga Federata e Sporteve Universitare e Kosovës (FSUNK), nën ombrellën e Federatës Ndërkombëtare të Sportit Universitar (FISU).

Të dielën, në një atmosferë brilante, u shpallën kampionë të kësaj ngjarjeje botërore ekipi i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në kategorinë e meshkujve dhe ekipi i Universitetit Kombëtar Korean të Sporteve (KNSU), në kategorinë e femrave.

Medaljet e argjendta i takuan ekipit të Universitetit të Castillas – La Mancha, të Spanjës (UCLM), në kategorinë e meshkujve dhe ekipit të Universitetit Kombëtar Kangwon të Koreas, në kategorinë e femrave,

Vendet e treta në këtë kompeticion i fituan ekipi i Universitetit Prishtinës (F), të cilët mposhtën ekipin e Universitetit Palacký në Olomuc dhe ekipit të UCLM-së nga Spanja (M), të cilët fituan kundër Universitetit të Malit të Zi.  

Organizimin e suksesshëm të kësaj Kupe e përshëndeti z. Musa Selimi, drejtor ekzekutiv i FISU Kupës Botërore Universitare në Hendboll. “Ëndrra jonë për këtë kupë ka nisur para dy vitesh. Ëndrra u bë realitet dhe gjatë këtyre shtatë ditëve patëm rastin, jo vetëm të jemi nikoqir të kësaj kupe, por të ia shfaqim botës kulturën, traditën dhe vlerat e popullit tonë” theksoi Selimi. Ai falënderoi partnerët, lojtarët, ekipin organizativ dhe vullnetarët që e bënë të mundur këtë ngjarje.

I lumtur për arritje u shpreh edhe u.d. presidenti i Federatës së Sporteve Universitare të Kosovës, z. Gani Ibrahimi. “Jemi te privilegjuar për besimin që na e ka dhënë Federata Ndërkombëtare e Sportit Universitar. Studentë, ndjehuni krenarë për lojën e shfaqur dhe vlerat që keni treguar” theksoi Ibrahimi.

FISU Kupa Botërore Universitare në Hendboll 2022 u mbyll me fjalimin e z. Gabriel Kotchofa, anëtar i bordit ekzekutiv të FISU. “Jam shumë i lumtur që ju na e keni dhuruar profesionalizmin tuaj si dhuratë, kulturën tuaj sportive, dëshirën për fitore dhe besimin në vetën dhe në kombin tuaj”, theksoi Kotchofa.

Gjatë ceremonisë u ndanë edhe medaljet për femrat:

·        Portierja më e mirë: Miriam Rodriguez – Madridejos, UCLM;

·        Golashënuesja më e mirë: Elisa Mulaj, UPHP;

·        Lojtarja më e mirë e Kupës u shpall Eunbeen JO, KNSU.

Ndërkaq, tek meshkujt:

·        Çmimi për portierin më të mirë i është ndarë studentit Arti Luzha nga UP-ja;

·        Çmimi për golashënuesin me të mirë e ka fituar studenti Kazım Emre Biçic, nga Universiteti i Gazi-t, Turqi;

·        Ndërkaq, lojtari më i mirë e Kupës u shpall studenti i Universitetit të Prishtinës, Drenit Tahirukaj.  

Kupa Botërore Universitare në Hendboll solli në Kosovë 14 ekipe nga universitete të ndryshme botërore. Kjo ngjarje u përkrah nga: Qeveria e Kosovës, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, Komuna e Prishtinës, Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Federata e Hendbollit e Kosovës.

Kontribut të veçantë në këtë ngjarje dhanë edhe 120 studentët vullnetarë, të cilët u kujdesën që studentët atletë ta shijojnë këtë ngjarje dhe të ndjehen si në shtëpinë e tyre gjatë qëndrimit në Kosovë. / KultPlus.com

“Kohët keq të mësuan kur zotat i munda”

Poezi e shkruar nga Ali Podrimja.

Ti s’di asgjë miku im
pse unë këndoj
kur ti ma shkel hijen
pse kurrë dorë nuk ngrita në ty
Kohët keq të mësuan
Kam parë njerëz duke blerë litar
Pas fishkëllimës së plumbit duke vrapuar planetit
dhe kam pyetur: për cilën kokë ai lak
për cilin gjak ai hak
Tinëz vetes tinëz dreqit dola në kunavikë
me gurin e shqetësuar në behe
hijena gjuajta mbi botë
në zjarr vura dorën për ty
Ti s’di asgjë miku im
pse pikon vetmi
nën strehë
pse sytë më zmadhohen
Kohët keq të mësuan
kur zotat i munda /KultPlus.com

Kosova i kërkon Serbisë t’ia kthejë një unazë martese të arit nga periudha romake

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) është duke vazhduar me publikimin e artefakteve të cilat janë marrë nga Serbia.

MKRS-ja, këtë herë  ka kërkuar që në Kosovë të vjen një unazë e arit, për të cilën ka bërë me dije se është gjetur në Gllamnik.

“Unaza e artë e martesës me gur, e cila tregon bashkimin e duarve të djathta, nënkupton një marrëveshje, por gjithashtu simbolizon besnikërinë dhe miqësinë. Është gjetur në lokacionin e periudhës romake në Vindenis, Gllamnik, Kosovë”.

“Unaza është një nga artefaktet 1247 të Kosovës, të cilat ende mbahen ilegalisht dhe padrejtësisht nga Serbia. Kosova kërkon kthimin e tyre në shtëpi”, ka shkruar MKRS-ja në faqen zyrtare në “Twitter”. /KultPlus.com

Albin Kurti uron sportistët për arritjet e tyre në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”

Medalistët e Lojërave Mesdhetare Oran 2022, në krye me presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, janë pritur të hënën nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili shoqërohet nga ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrullah Çeku dhe zëvendësministrja e MKRS, Daulina Osmani.

Të pranishëm në takim ishin edhe drejtuesit e Federatave të Xhudos së Kosovës (FXHK) dhe Federatës së Boksit të Kosovës (FBOXK), Agron Kuka dhe Enver Krasniqi, trajneri i xhudos, Driton Kuka, dhe ai i boksit, Besim Brahimi, kampionia olimpike Rio 2016, Majlinda Kelmendi, si dhe sekretari i përgjithshëm i FBOXK, Latif Demolli.

Ekipi ynë fitoi gjashtë medalje në Oran 2022, pesë nga xhudo dhe një nga boksi. Të artat i fituan xhudistet Distria Krasniqi, Loriana Kuka e Laura Fazliu, ndërsa të bronztat xhudistët Akil Gjakova e Flaka Loxha dhe boksieri Shpejtim Bajoku.

Kryeministri Kurti përgëzoi ekipin për suksesin e arritur, duke thënë se sportistët vazhdojnë ta bëjnë krenarë vendin tonë me paraqitjet e tyre në garat ndërkombëtare, derisa vlerësoi lartë rritjen e numrit të medaljeve nga katër vjet më parë, kur numri i medaljeve të fituara në Lojërat Mesdhetare Tarragona 2018 ishte katër.

Presidenti Ismet Krasniqi theksoi se përkundër që Algjeria nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, mikpritja e tyre ishte tejet e ngrohtë, ndërsa simbolet tona shtetëtore ishin kudo, duke mos hasur as në më të voglin problem.  Tutje, i pari i KOK-ut, shtoi se numri i rritur i medaljeve nga Tarragona 2018, jep shpresë se edhe në Lojërat Olimpike Paris 2024 numri i medalistëve do të rritet nga Tokio 2020.

Për paraqitjen e ekipit tonë dhe suksesin e arritur folën edhe ministri Çeku, kryetarët e federatave, trajnerët, por edhe sportistët, të cilët janë optimistë për suksese të reja në arenën ndërkombëtare. /KultPlus.com

Lajm bombastik: Profesori me PhD nga MIT, shef i ri i Shkencave Kompjuterike në Kolegjin Universum

Kolegji Universum ka bërë një nga “transferet” akademike më të rëndësishme në Kosovën e pasluftës, duke sjellur si shef të departamentit të shkencave kompjuterike, Prof. Asoc. Dr. Selim Temizer, i cili për 9 vite ka punuar si Profesor në Middle East Technical University, universitetin më të mirë në Turqi, dhe ka doktoruar nga universiteti numër 1 në botë për shkenca kompjuterike dhe një nga 5 universitetet më të mira në botë, Massachusetts Institute of Technology, aty ku ka përfunduar edhe studimet Master në Shkenca Kompjuterike. Kjo e bën Profesorin Temizer si të vetmin akademik në Kosovë i cili ka doktoratë nga MIT. 

Profesor Temizer i cili interesin kërkimor dhe mësimdhënës e ka në Inteligjencë Artificiale, Robotikë, Machine Learning dhe Data Mining, do të udhëheq programet Bachelor Shkenca Kompjuterike, Bachelor në Siguri Kibernetike dhe MSc në Data Science and Analytics dhe do të ligjëroj  në këto tri programe. Gjithashtu, si pjesë e programit të punës së Prof. Temizer do të jetë edhe themelimi i Laboratorit për Vetura Autonome, i cili pritet ta bëj Kosovën destinacion të talenteve për këtë fushë tepër të kërkuar në botë.

“Me sjelljen e Profesor Temizer në Kosovë, Kolegji Universum po vendos një standard të ri në ofrimin e studimeve në shkenca kompjuterike por edhe në nivelin akademik në përgjithësi”, u shpreh Alejtin Berisha, drejtor i Kolegjit Universum.

Me 152 universitete partnere dhe mbi 600 bursa për studim jashtë vendit për vit, dhe 7 programe me diplomë të dyfishtë me universitete evropiane dhe Northern Iowa University nga SHBA, Kolegji Universum është institucioni me mundësitë më të mëdha pët studime cilësore në Ballkan.

Për informata shtesë kontakto Kolegjin Universum[email protected], ndiqni faqen në facebook & instagram apo telefononi në +383 44 144 062. /KultPlus.com

Dua Lipa do të kryesojë samitin e Vogue Magazine “Forces of Fashion”

Dua Lipa do të kryesojë këtë vit samitin e Vogue Magazine “Forces of Fashion” në Londër.

Në vitin e tij të gjashtë, samiti i Forcave të Modës të Vogue do të rikthehet si një ngjarje fizike në New York dhe Londër më 14 tetor.

Gjatë eventit audienca do t’i shoh nga afër redaktorët e Vogue nga e gjithë bota duke folur me stilistë, influencues dhe drejtuesit e industrisë në një seri panelesh dhe diskutimesh të sinqerta.

Ndër të tjera në New York do të jenë kryeredaktorja e Vogue, Anna Wintour, supermodelja Gigi Hadid, stilisti Christopher John Rogers dhe drejtori artistik i Fendi dhe Dior Men’s Kim Jones, kryesues i ngjarjes në New York në Spring Studios në Nju Jork, .

Ndërkohë në Londër, do të takohen me kryeredaktorin britanik të Vogue dhe drejtorit të redaksisë evropiane, Edward Enninful, ku atij do t’i bashkohen Dua Lipa, grimierja Charlotte Tilbury dhe fotografja Nadine Ijewere.

Ngjarja do të zhvillohet më 14 tetor. /KultPlus.com

‘Vera andrron detin’ pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “New Horizons”

Skena e filmit në Kosovë ka pasur një dekadë të mrekullueshme.

Shumë tregime nga kinematografa, veçanërisht nga regjisoret gra, kanë debutuar me sukses me vepra që ofrojnë një vështrim tjetër të vendit të Kosovës në krijim.

Jemi shumë të kënaqur që “Vera Dreams of the Sea” do të prezantohet në një program të kuruar me përpikëri që fokusohet në Kosovë në edicionin e 22-të të festivalit të filmit New Horizons këtë korrik.

Disa prej çmimeve që “Vera Dreams of the Sea” ka fituar deri tani:

Gothenburg IFF 2022 – debutimi më i mirë
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tokio 2021 – Çmimi i madh i Jurisë
Selanik IFF 2021 – Çmimi Special i Jurisë /KultPlus.com

Nga data 31 korrik fillon ”Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Ambient të Hapur”

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit të Hapur, i themeluar në mars të këtij viti, do të mbahet për herë të parë nga 31 korriku deri më 4 gusht, shkruan KultPlus.

Ky event kulturor pritet të sjellë artistë nga vende të ndryshme të rajonit dhe Europës si: Shqipëria, Maqedonia, Bosnja, Turqia, Italia, Rumania dhe Franca.

Sipas njoftimit, në natën e hapjes së festivalit më 31 korrik, prej orës 21:00, në Kalanë e Prizrenit, do të  prezantohet teatri nacional i Bosnjes me shfaqjen e regjisorit të njohur Dino Mustafiq.

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Ambient të Hapur është i themeluar nga artistët: Shkelzen Veseli, Adrian Morina dhe Zana Duraku. /KultPlus.com

Nelson Mandela: Mësimi nga babai që nuk e harrova kurrë

Nelson Mandela

Respekti është një rrugë me dy korsi.

Përgjatë gjithë jetës keni për të dëgjuar këshillën dashamirëse të atyre që kujdesen për ty, të të afërmëve, apo të atyre që ta duan të mirën se duhet të mësosh të dëgjosh, dhe të dëgjosh nuk do të thotë të bluash në mendje gjënë e radhës që do thuash ndërkohë që tjetri po flet, POR dëgjimi është një formë e thellë vëmendjeje ndaj tjetrit pikërisht në kuptimin që e shpreh Stephen Covey tek 7 Zakonet e Njerëzve të Suksesshëm.

Por sot do të kapërcejmë në një nivel krejt tjetër të mjeshtrisë së të dëgjuarit, dhe rregulli i artë është ky:

Të mësosh të dëgjosh do të thotë të jesh i fundit që flet.

Merr një lasp dhe një copë letër dhe shënoje këtë, (ose tek Notes në smartphone) pasi vështirë se ke për të lexuar gjë tjetër më të rëndësishme për sot:

Të mësosh të dëgjosh do të thotë të jesh i fundit që flet.

Nuk ka rëndësi sesa njerëzve të tjerë ua tregon këtë ide nëse ti nuk e shkruan diku që ta ngulitësh mirë në mendje për veten tënde.

Nelson Mandela është rasti tipik i personit që merret në studim kur flitet për lidershipin, artin e prijësit, pasi ai është botërisht i njohur si një prijës i madh.

Çdo vend e çdo komb kanë personalitetet e tyre që i frymëzojnë u prijnë dhe u japin guxim por Nelson Mandela në mbarë botën njihet si etaloni i asaj me të cilën një prijës i madh duhet të matet.

Ai në fakt ishte djali i një prej burrave më të rëndësishëm të një grupi tribal, dhe një ditë atë e patën pyetur: si mësove të bëhesh një prijës i madh?

Dhe Mandela u përgjigj:

Kur isha një fëmijë i vogël, shkoja me babain tim në mbledhje të grupeve tribale, dhe unë kujtoj dy gjëra kur babai im takohej me të urtët e tjerë të grupit…

E para: ata uleshin gjithmonë në rreth, dhe e dyta: babai im ishte gjithmonë i fundit që fliste.

Kanë për t’ju thënë gjithë jetën se duhet të mësoni të dëgjoni, por sot ne ju themi se duhet të mësoni të jeni i fundit që flisni, pasi kjo e përfshin rregullin e parë dhe shkon përtej tij.

Ne e vërejmë këtë gjë çdo ditë në takimet e bordeve apo të bizneseve apo të punës apo kudo tjetër, edhe nga njerëz që e konsiderojnë veten prijës të mirë, të cilët në fakt mund të jenë prijës të zotë, të cilët futen në mbledhje shprehin problemin për të cilin do flasin dhe pastaj thonë opinioni im është ky, tani le të dëgjojmë çfarë ka për të thënë secili prej jush, merreni fjalën me radhë.

Aftësia për ta mbajtuar brenda vetes opinionin tënd derisa edhe më i fundit të ketë folur bën dy gjëra për ju:

1. U jep të gjithëve ndjesinë se ata po dëgjohen, dhe u jep të gjithëve ndjesinë e përplotshme brenda vetes se ata kanë kontribuuar.

2. Ju merrni benefitin e njohjes me të gjitha këndvështrimet që secili shpalos dhe kështu i hapni rrugën mendjes që të përftojnë versionin më të drejtpeshuar të çështjes.

Aftësia këtu është një dhe vetëm një: mbajtja e opinionit tënd për vete derisa gjithë të tjerët të kenë përfunduar.

Nëse gjatë kohës që tjetri po flet kurrsesi mos ia jepni atë miratimin me lëvizjen e kokës që do të thotë “Po”, e nëse nuk jeni dakord me dikë ndërsa ai po flet kurrsesi mos e tund kokën me lëvizjen që do të thotë “Jo”.

Qëndro aty, dëgjo me kujdes dhe e vetmja gjë që të lejohet të bësh përpara se të gjithë të kenë përfunduar është që të bëni pyetje, në mënyrë që të kuptoni në rrënjë atë çfarë të tjetri po thotë, dhe cila trajektore e të menduarit i ka çuar ata deri në atë konkluzion.

Dhe në fund, do të vijë radha jote për të folur. Kini parasysh se kjo nuk është aspak diçka e thjeshtë, po flasim këtu për zbutjen e bishës më të egër në trupin e njeriut: gjuhës.

Praktikoni artin e të qënit i fundit që flisni, kjo është ajo që Nelson Mandela bënte. / KultPlus.com

Nelson Mandela ishte një hero – simbol i guximit, i bindjes dhe i vizionit

Ish-presidenti i Afrikës së Jugut Nelson Mandela vdiq në moshën 95-vjeçare. Në vijim një profil i njeriut që ndihmoi për ta çliruar Afrikën e Jugut nga dhuna dhe urrejtja.

Për shumëkënd, Nelson Mandela ishte një hero – simbol i guximit, i bindjes dhe i vizionit. Ai cilësohej shpesh si njeriu i thjeshtë, karizmatik dhe besnik, si njeriu që kujdesej për të tjerët.

Nelson Mandela u lind më 18 korrik, 1918, dhe u rrit në Transkei – një ish-territor zezak afrikanojugor. Që në moshë të re ai u bë aktiv në lëvizjen e anti-aparteidit dhe iu bashkua Kongresit Kombëtar Afrikan. Në vitin 1940, Mandela u bë kreu i krahut rinor të kësaj lëvizjeje.

Nelson Mandela ndoqi universitetin dhe fakultetin e drejtësisë dhe me kolegun e tij Oliver Tambo themeluan firmën e parë zezake të avokatisë në Afrikën e Jugut, me zyra në Johanesburg. Ata i jepnin këshilla juridike falas ose me çmim të ulët zezakëve.

Qeveria e ndaloi organizatën në vitin 1960, por ajo vazhdoi të veprojë fshehurazi. Nelson Mandela vazhdimisht i shmangej policisë dhe detyrohej të jetonte larg gruas së tij të dytë, Winnie, e cila më vonë u bë gjithashtu aktive në lëvizjen e anti-aparteidit.

Kur Kongresi Kombëtar Afrikan vendosi të ndërmerrte veprime të forta për t’i dhënë fund aparteidit, zoti Mandela u bë drejtues i krahut ushtarak të organizatës, duke ndërmarrë një fushatë sabotimesh kundër ushtrisë së Afrikës së Jugut dhe objekteve qeveritare.

Në vitin 1962, 44 vjeçari Mandela u arrestua dhe doli në gjyq për aktivitetin kundër qeverisë. Ai i mbrojti veprimet e tij si pjesë e “luftës së popullit afrikan për një shoqëri të lirë.”

Dy vjet më vonë ai u dënua me burgim të përjetshëm në ishullin Robben pranë brigjeve të Kejptaunit. Mandela kaloi 18 vjet në këtë burg famëkeq, duke refuzuar një ofertë të qeverisë për lirimin e tij, nëse hiqte dorë nga lufta e armatosur e Kongresit Kombëtar Afrikan. Ai doli nga burgu më 1990, pasi qëndroi gjithsej 27 vjet, kur qeveria e bardhë e presidentit Frederik de Klerk legalizoi të gjitha partitë politike dhe liroi shumicën e të burgosurve politikë.

Në vitin 1991, zoti Mandela u zgjodh kryetar i Kongresit Kombëtar Afrikan, ndërsa më1994, kur Kongresi fitoi zgjedhjet e para shumëracore, ai u bë presidenti i parë zezak i vendit, në moshën 75-vjeçare.

“Kurrë, kurrë dhe kurrë më kjo tokë e bukur nuk do të përjetojë shtypjen e njeriut nga njeriu,” deklaroi Mandela gjatë marrjes së mandatit.

Herman Cohen ishte Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Afrikën nga viti 1989 deri më1991. Ai thotë se shumica e zezakëve të Afrikës së Jugut i mbanin sytë te Mandela si njeriu i cili mund t’ua bënte jetën më të mirë:

“Ai kishte një qasje të veçantë, karizmatike. Ai u bë simbol në luftën kundër aparteidit dhe ishte e natyrshme që do të zgjidhej si presidenti i tyre i parë.”

Presidenti Mandela shpalli se do të qëndronte në këtë post vetëm për një mandat. Zoti Cohen thotë se gjatë pesë viteve si president, zoti Mandela fitoi respekt ndërkombëtar për ripajtimin e vendit:

“Mandela iu përkushtua kryesisht mobilizimit të afrikanëve për të punuar për zhvillimin ekonomik. Duke patur një arsimim të mirë, ai u bë gjithashtu një lloj zëdhënësi në skenën ndërkombëtare.”

Nelson dhe Winnie Mandela jetuan një kohë së bashku pas lirimit të tij nga burgu, por shpejt marrëdhëniet e tyre u ftohën dhe ata u divorcuan. Në ditëlindjen e tij të 80, zoti Mandela u martua me Graca Machel, e veja e ish-presidentit të Mozambikut, Samora Machel.

Zoti Mandela mori qindra çmime dhe medalje gjatë jetës së tij. Në vitin 1993, ai ndau Çmimin Nobel të Paqes me ish-armikun e tij të betuar de Klerk. Ata u nderuan për kontributin në procesin e paqes në Afrikën e Jugut.

“Jugafrikanët kanë krijuar një shoqëri e cila konfirmon se të gjithë njerëzit kanë lindur të barabartë,” deklaroi Mandela duke marrë çmimin.

Si president, zoti Mandela u kritikua se nuk u përball me krizën e sidës në Afrikën e Jugut. Megjithatë, në vitet e tij të mëvonshme, ai u bë një personalitet publik i luftës kundër sidës.

“Së bashku ne mund ta luftojmë sidën dhe të garantojmë një të ardhme më të sigurt për të gjithë,” tha në një rast Mandela.

Dy vjet më vonë, sida shkaktoi vdekjen e njërit prej djemve të tij.

Në vitin 1999, në moshën 85-vjeçare, Nelson Mandela tha se do të tërhiqej nga jeta publike. Megjithatë, ai vazhdoi të luftojë për të drejtat e fëmijëve.

Në një vend të rrënuar nga konflikti racor, Nelson Mandela është parë si një udhëheqës i jashtëzakonshëm – si njeriu që e çliroi Afrikën e Jugut nga dhuna dhe urrejtja duke e bërë një vend me më shumë paqe dhe mirëkuptim. /KultPlus.com

Në solidaritet me Ukrainën, Anibar prezanton një program në mbështetje të artistëve ukrainas

Anibar prezanton bashkëpunimin e tij të parë me Linoleum Contemporary Animation and Media Art Festival.

Në edicionin tonë të 13-të të festivalit, ne do të shfaqim një program 40 minutësh në mbështetje të artistëve tanë ukrainas. Arti nuk ka kufi dhe si i tillë nuk duhet të heshtë.

Gjatë këtyre kohëve të vështira, ne qëndrojmë përkrah partnerëve, artistëve dhe miqve tanë nga Ukraina duke u ofruar atyre hapësirë për të shfaqur punën e tyre në këtë edicion të festivalit.

Programi i veçantë: ANIMACIONI UKRAINAS – ‘PARA LUFTËS’

THE SURROGATE nga Stas Santimov

6 min 3 sek

Kurator: Anastasiya Verlinska

2020

Përshkrimi: Një burrë shkatërron folenë e një krijese të panjohur rrëqethëse. Por nuk është krijesa më e tmerrshme që do të takojë sonte.

THE RESPONSIBLE HERO nga Roman Lysenko

4 min 53 sek

2021

Përshkrimi: Një tragjikomedi për një përpjekje shpëtimi dhe pasojat e saj, e bazuar dhe frymëzuar kryesisht nga filmat e lezetshëm por simpatik të Supermanit të viteve 70-80. Është një histori e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë me një atmosferë gazmore dhe paksa nostalgjike e kontrastuar me një kthesë të zymtë dhe të papritur.

DEEP WATER nga Anna Dudko

6 min

2020

Përshkrimi: Një sirenë e vetmuar topolake është e prirur të shikojë njerëzit përmes tubacioneve të ujit duke përdorur magjinë. Një ditë ajo bie në dashuri me një burrë dhe e verbuar nga pasioni, hyn në banesën e tij për të kënaqur dëshirat e saj të zjarrta.

PAPER OR PLASTIC nga Nata Metlukh

7 min 39 sek

2019

Përshkrimi: Një emigrant vjen në një vend të botës së parë për të pikturuar një mural në kullën më të lartë. Ai përpiqet të përshtatet me realitetin e ri, por ksenofobia dhe rregullat e çuditshme e detyrojnë atë të kthehet prapa.

DEEP LOVE nga Mykyta Lyskov

14 min

2019

Përshkrimi: Dashuria e thellë ka ndodhur më në fund në Ukrainë

NGA UKRAINA NË KOSOVË

Gjatë këtij edicioni të Festivalit, të ftuarit tanë shijuan edhe performancën nga artistja ukrainase Nor Famous Nor Rich (NFNR) në mbështetjen tonë kolektive për Ukrainën.

Përveç kësaj, ne kemi nisur një iniciativë mbështetëse emergjente për komunitetin kulturor të Linoleumit. Qëllimi kryesor i iniciativave është t’u ofrojë atyre mbështetje të menjëhershme financiare për Festivalin e tyre.

LINOLEUM është qendra më e madhe e animacionit të shkurtër të pavarur në Ukrainë. I nisur në vitin 2014 në Kiev çdo vit, festivali shfaq rreth 250 filma nga e gjithë bota, ofron seminare dhe leksione të mbajtura nga lojtarët më të mirë të fushës dhe një program të veçantë për fëmijë. LINOLEUM synon të mbështesë artistët e animacionit dhe të promovojë animacionin ukrainas në mbarë botën, si dhe të inkurajojë dhe festojë kreativitetin midis animatorëve dhe artistëve të mediatik.

Për shkak të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, LINOLEUM nuk ka mundur të mbledhë fondet e nevojshme për të organizuar edicionin e tyre të 9-të të festivalit në Kiev këtë vjeshtë. Me qëllim që LINOLEUM të mbahet edhe një herë, ata kanë nevojë për mbështetjen tonë financiare.

Ne i lutemi të gjithëve që e lexojnë këtë artikull të dhurojnë dhe të ndihmojnë miqtë tanë ukrainas të realizojnë festivalin e tyre.

Nëse dëshironi të kontribuoni në këtë përpjekje, mund të kontaktoni dhe të dhuroni më poshtë, duke ndjekur udhëzimet:

PayPal PayPal.Me/linoleumfestival

[email protected]

Bank Transfer

NGO LINOLEUM

Address: Zakrevskoho St. 22, Kyiv, Ukraine, 02232

Company registration number: 44115128

IBAN: UA683226690000026002300672797 (EUR, USD)

VAT No.: 441151226520

Beneficiary`s Bank: Main administration in city Kyiv and Kyiv area Public Joint Stock Company State Savings of Ukraine (JCS Oschadbank)

SWIFT: COSBUAUKKIE

MFO (sort bank code): 300465

EDRPOU bank code: 00032129

Purpose of payment: Donation on statutory activity of LINOLEUM, NGO /KultPlus.com

Viola von Cramon: BE menjëherë duhet të heq vizat për kosovarët

Sot janë bërë 4 vjet kur Komisioni Evropian për herë të dytë konfirmoi se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për heqjen e vizave.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka thënë se Bashkimi Evropian menjëherë duhet të heq vizat për kosovarët.

Ajo këtë e bëri përmes një postimi në Twitter.

“Nëse BE dëshiron të jetë e besueshme globalisht, ajo duhet të fillojë të ofrojë kryesisht në Ballkanin Perëndimor. Për të rikthyer besueshmërinë tonë, duhet menjëherë t’u jepet liberalizimi i vonuar i vizave për qytetarët e Kosovës. Koha është tani dhe Këshilli i BE-së duhet ta dorëzojë pa vonesë!”, ka shkruar Von Cramon. /KultPlus.com

Murati: Tregtarët po vazhdojnë abuzimin me çmimet, ekziston mundësia e vendosjes së çmimit tavan në produktet bazë

Ministri i Punës dhe Financave, Hekuran Murati ka deklaruar se vendosja e një çmimi tavan për derivatet ka treguar rezultat. Ai theksoi se ka mundësi që të një vendim i tillë të merret edhe për disa nga produktet bazë në vend.

Sipas Muratit kjo është një prej mundësive që të mos lejohet keqpërdorimi me çmimet në vend.

“Çështja tjetër ishte puna me masat e tjera. Siç e keni parë një vendim që tashmë është marrë që ka të bëjë me çmimin tavan për karburantet tashmë po ka efekt. Krahasuar me kohën para se të merrej vendimi, çmimi për naftës është 20 cent më i lirë, për benzinë 30 më i lirë”, tha ai.

Ai shtoi një masë e tillë mund të vendoset në produktet bazë.

“Pra e kemi parë që funksionon një metodë e tillë dhe mund të vendoset edhe për disa prej produkteve bazë. Pra caktohet një çmim tavan në mënyrë që të parandalohet keqpërdorimi me çmimet në produktet bazë”, tha Murati.

“Po vazhdon një abuzim i tillë nga tregtarët që po e shfrytëzojnë situatën. Pra bëhet fjalë për një projektligj të tillë që vendosë çmimin tavan për produktet esenciale që nevojiten për të jetuar”, përfundoi ministri.

Murati ka folur edhe për kërkesat e veteranëve të Kosovës, të cilët duan të përfshihen në këtë ligj e ku pensioni i tyre do të ishte 250 euro. Ai ka thënë se njëherë duhet pastrimi i listave e më pas diskutimi për zgjidhjen e problemit.

“Ne kemi pasur një takim, zyra e kryeminsitri ka marrë përsipër që të dërgoj një prpopozim se si të zgjidhet kjo çështje… po besoj kemi pas një reagim nga OVL UÇK, reagim publik. Po besoj se mund të arrijmë një dakordim me një ligj të ri pas listës së pastruar dhe mund të bisedojmë se si të trajtohet dinjitetshëm kjo kategori e shoqërisë”, tha ai ndër të tjera.

Tutje ministri i Financave foli edhe për konkursin e shpallur nga Ministria për drejtor të ATK-së, për të cilin tha se “ka bazë ligjore”.

Kësisoj, paralajmëroi ai, Ministria do ta sfidojë në gjykatë vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyr për Shërbimin Civil.

Ministri Murati ka paralajmëruar ankimim në gjykatë edhe ndaj vendimit të KPMSHCK-së për shfuqizimin e vendimit të Ministrisë për emërimin e Kryeinspektorit të ri të Punës.

“Ne konkursin e kemi shapllur në bazë të Ligjit për Adminsitratën Tatimore dhe Procedurat. Pra, ka bazë ligjore. Ai mund të jetë vlerësimi i Këshillit. Megjithatë, Zyra Ligjore është duke përgatitur përgjigjen për këtë, por edhe për Inspektoratin e Punës”, deklaroi Murati.

“Ka bazë ligjore vendimi ynë, megjithatë ne do të shfrytëzojmë mundësinë e ankimimit të lëndës në gjykatë”, vijoi ai. /eo / KultPlus.com

“Sofra Kolonjare”, destinacion i mikpritjes në mes të një natyre përrallore

Agroturizëm “Sofra Kolonjare” në fshatin Mollas, Ersekë, mes një natyre përrallore me ajër të pastër e gjelbërim pa kufi, është një tjetër destinacion fantastik pushimi dhe relaksi.

Kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale foto nga pika agroturistike, teksa u shpreh se “Sofra Kolonjare” është unikale në ndërtim e ngritur e gjitha në 3 kate prej druri nga vetë i zoti i shtëpisë Pëllumb Bilo dhe dy djemtë e tij.

“Me një kuzhinë plot shije nga prodhimet e fermës së familjes, si dhe guidat në shtigje malore me mundësinë për kamping me një panoramë fantastike përballë malit të Gramozit e bëjnë këtë agroturizëm ftues në çdo stinë”, shkruan Rama. / KultPlus.com

“Punësim të garantuar”, Qeveria me masë të re për ata që kërkojnë punë

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka treguar kriteret për bizneset dhe të papunët që duan të përfitojnë nga masa e fundit e Qeverisë për “punësim të garantuar”.

Qeveria ka vendosur që t’i ndihmojë me 70% të pagës bruto (maksimum deri në 300 euro) për 6 muaj, bizneset që marrin punëtorë, e këta të fundit duhet të mos e kenë asnjë familjar tjetër të punësuar.

“Ne do t’i publikojmë edhe thirrjet apo kriteret për të aplikuar për secilën prej kategorive. Bizneset që duan të punësojnë mbajtës të familjes dhe të përfitojnë nga subvencionimi i pagës prej 70% duhet të lajmërohen në zyrat e Agjencisë së Punës dhe të tregojnë për numrin e stafit, në çfarë pozita ju duhen dhe cilat janë kualifikimet”, tha Murati. Ai tha se bizneset duhet të dorëzojnë një kopje të certifikatës së biznesit apo të OJQ-së, një kopje të letërnjoftimit të pronarit si dhe listën apo numrin e të punësuarve në kompani.

Ai tregoi edhe se çfarë informata duhet të dorëzojnë ata që duan të punësohen.

“Në anën tjetër, ata persona që konsiderohen mbajtës të familjes, që vijnë nga familje që s’kanë asnjë të punësuar, po ashtu duhet të lajmërohen në Agjencinë e Punës, në zyrat rajonale, kudo që ju bie më afër, dhe t’i dorëzojnë informatat e nevojshme dhe të tregojnë për cilat fusha janë të interesuar të punojnë dhe kanë aftësi”, tha Murati.

Ministri tha se të interesuarit për punësim duhet të jenë mbi 18 vjeç, të mos kenë asnjë anëtar tjetër të familjes të punësuar si dhe të jenë të regjistruar si të papunë. Atyre do t’u kërkohet një kopje e letërnjoftimit, një kopje të diplomës apo certifikatës së nivelit më të lartë të edukimit që e posedojnë, si dhe mundësisht një CV. / Gazeta Express / KultPlus.com