Ku ishe ti kur dola i vetëm nën hënë? Në ç’hënë barisnje vallë?
Ku ishe ti kur vizitova profilin tënd Në xhamin e muzgut që krisi dhe u thye me trishtim?
Pastaj erdhi nata mbushur me mungesën tënde Pastaj erdhi prap nata dhe kështu ka për të qenë deri në ditën e fundit të netëve.
Zbrita tek kroi duke mbajtur në duar vazon delikate të agimit Pashë sytë e tu ruajtur në kujtesën e ujrave.
Lisi plak lëshoi përdhe kurorën e vjeshtës Si një sovran që abdikon.
Ani, mua më zuri ky mallkim. Po qysh bën pylli pa ty? Si del vjeshta? A ndofta nuk do të ketë kurrë më vjeshtë? Atëherë në emër të kujt do të bien gjethet? Në emër të kujt do të vijnë shirat, mjegullat, ylberët?
Ah, zemra ime, eja vër dorë mbi stinët! /KultPlus.com
Sot vazhdon nata e dytë e “BeerFest Kosova” 2022, shkruan KultPlus.
Nata e dytë do të vazhdoj me përformancë të: Mc Kresha & Lyrical Son, Genc Prevlukaj, Blasta, Granit, Yon Idy, Jon Bela & The Moonage, Dj Biggby dhe Master of Mind.
Përmes një postimi në “Facebook”, BeerFest njofton se nata do të mbahet edhe nëse ka shi.
“- LAJM ME RËNDËSI –
Beerfest Kosova MBAHET edhe nese moti eshte me shi! Kemi siguruar tenda te medha dhe te vogla qe na e mundesojme me e shiju festen edhe ne mot me shi. Gjithashtu ju sugjerojme qe te vesheni per mot me shi 17 Birra, pije tjera, ushqim e shume argetim na presin. Sonte (e shtune) përformojnë: – P.I.N.T (Mc Kresha & Lyrical Son) – Genc Prelvukaj, Blasta, Granit – The Moonage nga Shkupi – Yon Idy – Maste of Mind – Dj Biggby dhe nga Turqia nje grup fantastik, si surprize per te gjithe ne. ps. Po thojne qe shiu nalet mas ores 19:00 Behu pjese e festes ma te madhe ne vend!”, thuhet në postimin e tyre. /KultPlus.com
Filmi “Sharing” me regji të Granit Dragaj, u shfaq në konkurrencën zyrtare në njërin ndër festivalet më të rëndësishme të filmit në Evropë, festivali i dytë në botë për krijmtari kinematografike, konkretisht në “Manaki Brothers”, shkruan KultPlus.
Filmi u shfaq më 20 gusht në kinemanë “Manaki”, në edicionin e 43-të të “The International Cinematographers Manaki Brothers”.
Drejtori i fotografisë, Blerim Gjinovci, e bëri filmin konkurrent me filmat e tjerë në këtë garë.
Gjinovci në një intervistë për KultPlus njofton se ishte një privilegj të qenurit pjesë e këtij filmi.
“Kjo ishte premierë ndërkombëtare e filmit “Sharing”, i cili është realizuar në mars të këtij viti. Audienca prezente gjatë filmit ishte jashtëzakonisht e veçantë, ku kineastët nga mbarë Evropa dhe më gjerë u mblodhën bashkë”, thotë Gjinovci.
Tutje, ai thotë se shkolla e filmit të Kosovë, tërhoqi një vëmendje më të madhe.
“Tema e filmit dhe personazhi i Medinës i bëri shumë përshtypje. Unë si drejtor i fotografisë vërtet jam i lumtur që përkundër kushteve dhe munësive që kishim në realizim, kemi arritur që të nxjerrim një projekt të qëndrueshëm dhe të vlerësuar nga audienca. Të jem pjesë e këtij filmi është një privilegj për kineastët, ku për bazë vlerësohet puna e xhiruesit dhe kreativiteti visual i kinesatëve”.
“Sharing” është prodhim i shtëpisë filmike Click Producion me producentët: Gani Demaj dhe Orhan Hajrizi. Pas këtij filmi, ekipi vazhdon me prezantim në garën për filmin më të mirë ndërkombëtar në “TIFF ODA Tetova International Film Fest”.
Edicioni i parë i këtij festivali u mbajt në vitin 1979. /KultPlus.com
Sunny Hill “Tirana” po vazhdon të prezantojë artistët e rinj, kur kanë mbetur edhe pak ditë për të filluar ky festival, shkruan KultPlus.
Artisti elektronik i njohur botërisht, Afrojack, do të jetë pjesë e këtij festivali, në mesin e shumë yjeve të tjerë.
“Sunny Hill prezanton me krenari superyllin e madh “Afrojack” Tiranë. Jemi gati të harojmë gjithçka me një nga artistët elektronikë më të mëdhenj të të gjitha kohërave”, thuhet në postimin e tyre.
Sunny Hill Tirana do të mbahet në datat 26-28 gusht. /KultPlus.com
Provat e ekzistencës së scrinium-it të Kishës Romane, e cila ishte edhe librari edhe arshiv, datojnë pas në shekullin katër. Në shekullin e gjashtë ajo u vendos nën primicerius notariorum, dhe në fund të shekullit të tetë, u emërua i pari Kardinal Librar i Kishës, i cili luante gjithashtu rolin e kancelarit. Për arsye që mbeten të paqarta, libraritë më të hershme papnore dhe arkivat, u shpërndanë në gjysmën e parë të shekullit 13. Koleksionet e reja të grumbulluara nga Papët e shekullit 13, të cilët mund të rindërtohen falë një inventari që kreu Bonifaci VIII, u zhvendosën pas vdekjes së tij, fillimisht në Peruxhia, më pas në Assisi dhe në fund në Avignon, një proces gjatë të cilit pati humbje të konsiderueshme. Në Avignon, Gjoni XXII nisi të ndërtojë një librari të re, e cila u bë pjesë e koleksionit të familjes Borghese në shekullin 17, dhe iu rikthye Selisë së Shenjtë në 1891.
Themeluesi i librarisë moderne të Vatikanit ishte Papa Nikola V (Tomazo Parentucelli). Kur ai u zgjodh në mars 1447, koleksioni i Vatikanit kishte afro 350 dorëshkrime latine, si dhe disa greke e hebreje, të cilët përshkruhen në një inventar të kryer nga pasardhësi i tij Eugjeni IV. Kjo trashëgimi, së bashku me librat e vetë Nikola V, përbën fillimin e koleksionit, të cilin Nikola V e zgjeroi bujarisht, duke urdhëruar që të bliheshin dorëshkrime në të gjithë tregjet e Evrpës dhe Lindjes, dhe që dorëshkrimet e reja të hartoheshin nga një ekip shkruesish. Nga inventari i kryer pak pas vdekjes së tij në 24 mars 1455, dhe nga burime të tjera, duket se ai la pas më shumë se 1500 dorëshkrime, duke e bërë koleksionin Papnor, më të madhin në Evropë në atë kohë.
20 vjet më pas, Sikstus IV nxorri Ad decorem militantis ecclesiae, duke i dhënë librarisë ndihmë si dhe të parin Librar, Bartolomeo Platina. Numri i dorëshkrimeve ishte rritur në 2527 deri në vitin 1475, dhe në afro 3500 deri në vitin 1481, kur u përgatit një vendndodhje e re për librarinë, në katin e nëndheshëm të ndërtuar prej Nikolas III, me një hyrje për tek Cortile del Pappagallo, që ka pamje nga cortile del Belvedere. Ajo përbëhej nga katër salla me përmasa të ndryshme, të cilat quheshin respektivisht, Bibliotheca Latina, Bibliotheca Graeca (për veprat në këto dy gjuhë); Bibliotheca Secreta (për dorëshkrime që nuk mund të viheshin direkt në dispozicion të lexuesve, përfshirë disa codice veçanërisht të çmuar); dhe Bibliotheca Pontificia ( për arkiva dhe regjistra Papnorë). Librari ndihmohej nga tre asistentë, si dhe një libralidhës. Leximi kryhej në vend, në përputhje me rregulla shumë striktë; por në atë kohë librat edhe jepeshin hua, dhe regjistrat përkatës për vitet 1475-1547 ekzistojnë ende.
Në vitin 1587, Sikstus V autorizoi arkitektin e tij, Domenico Fontana që të hidhte themelet për një ndërtesë të re, më të madhe për Librarinë. Ndërtesa, ku ndodhet edhe sot libraria, u ndërtua mbi shkallët që ndanin Cortile del Belvedere dhe oborrin që sot njihet si Cortile della Biblioteca. Në katin më të lartë ndodhej një sallë e madhe, që quhet Salone Sistino dhe ku mbahen koleksionet. Sikstus V vendosi rregulla preçizë për përdorimin dhe ruajtjen e koleksioneve.
Shekujt XVII-XVII
Në fillim të shekullit të shtatëmbëdhjetë, në kohën e Papa Palit V, pjesa e arkivit u nda nga pjesa tjetër e Librarisë; ajo u bë Arkivat Sekrete të Vatikanit. Koleksionet e librarisë u organizuan në një mënyrë që ka mbetur praktikisht e pandryshuar deri ditët e sotme. Në shekullin e shtatëmbëdhjetë, Librarisë iu shtuan gjithashtu koleksione të tërë privatë, të cilët në shumë raste janë bërë koleksione “të mbyllur” dorëshkrimesh dhe librash brenda Librarisë së Vatikanit, dhe kanë mbetur të ndarë nga koleksionet e tjerë, “të hapur”. Në vitin 1632, Libraria e Heidelbergut, që kish rënë në duart e Dukës së Bavarisë Maksimilian II si plaçkë lufte, iu dhurua nga ky i fundit Gregorit XV në shenjë mirënjohje për ndihmën që ai kish marrë nga Selia e Shenjtë, gjatë Luftës Tridhjetëvjeçare; në 1657, Libraria mori dorëshkrimet e Dukëve të Urbinos; në 1689, ajo bleu dorëshkrimet që më parë ishin koleksionuar nga Mbretëresha Kristinë e Suedisë. Të tjerë koleksione të përvetësuar ishin koleksioni Capponi në 1746 dhe koleksioni Ottoboni në 1748.
Në shekullin tetëmbëdhjetë u hodh ideja e botimit të një katalogu të plotë të dorëshrimeve që ndodheshin në librari. Nga seritë e mëdha të parashikuar prej Giuseppe Simonio Assemani dhe nipi i tij, Stefano Evodio që do të përbëhej prej njëzetë vëllimesh, vetëm tre vëllimet e parë dhe një i katërt i papërfunduar u prodhuan praktikisht. Në fundin e shekullit, koleksionet e librarisë, u pakësuan nga haraçi i luftës që i ishte imponuar Selisë së Shenjtë nga Napoleoni; por shumë prej librave dhe objekteve u rikthyen në 1815.
Karakteristikë e shekullit tetëmbëdhjetë ishte krijimi dhe rritja e vazhdueshme brenda Librarisë së Vatikanit e koleksioneve artistikë dhe antikuarë. I pari i këtyre ishte në kabinetin Nurismatic, shtuar në 1738 përmes marrjes së koleksionit të medalionëve romakë dhe grekë, që kishin qenë pronë e Kardinalit Alessandro Albani, që në atë kohë ishte koleksioni më i madh pas atij të Mbretit të Francës.
Muzeu i Artit të Shenjtë u krijua në 1757 nga bashkimi i tre koleksioneve të rëndësishëm, dhe ai u pasurua vazhdimisht me lloje të ndryshëm objektesh nga lashtësia kristiane (gurë fildishi, vernik, bronxe, qelq, terrakota, tekstile etj.), që vinin kryesisht prej katakombëve romakë. Në 1767, Muzeu u nda në dy pjesë, duke i dhënë hapësirë krijimit të Muzeut të Artit Laik. Edhe ky koleksion pësoi humbje të mëdha, për shkak të ngjarjeve të fundit të shekullit; në veçanti, një pjesë e madhe e koleksionit numismatic u hoq dhe u rimorr më pas, por vetëm pjesërisht.
Koleksioni i librave u pasurua së tepërmi në 1855 nga koleksioni Cicognara, i cili përbëhej nga libra që flisnin për artin si dhe objekte të lashtë. Që nga fundi i shekullit nëntëmbëdhjetë, dorëshkrimet e Borghese (1891), Barberini (1902), Borgiani (1902), Rossiani (1921), Chigi (1923) dhe Ferrajoli (1926), si dhe Arkivi i Kapitullit të Shën Pjetrit (1940) dhe koleksioni Patetta (1945) mes të tjerëve, janë bërë pjesë e koleksioneve të librarisë.
Në kohën e Leo XIII, nisi një proces modernizues i kryesuar nga Librari i atëhershëm Franz Ehrle S.J., i cili hapi sallën aktuale të leximit për libra të printuart (Sala Leonina); adoptoi norma të detajuara për katalogjet e printuar të dorëshkrimeve, që janë zbatuar në një numër të madh katalogësh dhe që vazhdojnë të përdoren edhe sot; si dhe krijoi Laboratorin e Restaurimit në Librari.
Katalogimi i librave u standartizua pas Luftës së Parë Botërore me të mirënjohurën Normë për katalogimin e librave të printuar, e cila është riprintuar dhe përkthyer disa herë./ KultPlus.com
Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë donatori më i madh i ndihmës ushtarake për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë, përcjell KultPlus.
Së fundmi presidenti Joe Biden ka vendosur të ndihmojë shtetin ukrainas me pajisje ushtarake në vlerë 775 milionë dollarë.
Pas këtij vendimi ka reaguar presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili falënderoi kolegun e tij amerikan, Joe Biden, për paketën e fundit të ndihmës ushtarake.
“Unë e vlerësojë shumë ndihmë ushtarake amerikane në shumën prej 775 milionë dollarësh. Faleminderit president, për marrjen e këtij vendimi. Ne kemi ndërmarrë një hap tjetër të rëndësishëm për të mposhtur agresorin. Ukraina do të jetë e lirë”, shkroi Zelensky në Twitter. /KultPlus.com
I highly appreciate another 🇺🇸 military aid package in the amount of $775 million. Thank you @POTUS for this decision! We have taken another important step to defeat the aggressor. 🇺🇦 will be free!
Përgjatë magjistrales Mitrovicë-Rashkë, në veri të Kosovës është vërejtur prezencë e shtuar e trupave të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it.
Rritjen e prezencës së trupave në këtë zonë e kishte konfirmuar edhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, më herët gjatë kësaj jave.
Në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht u rritën tensionet, pasi serbët lokalë ngritën barrikada për të kundërshtuar dy vendime të Qeverisë së Kosovës: atë për targat dhe dokumentet serbe, shkruan Rel.
Barrikadat u hoqën, por NATO ka përsëritur se KFOR-i është i gatshëm të ndërhyjë, nëse rrezikohet stabiliteti.
Në Leposaviq, komunë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe, më 20 gusht është parë prezencë e shtuar e ushtarëve amerikanë të KFOR-it, që shërbejnë në Kosovë / Foto: REL
Nxënësit e klasave të para në Kosovë dhe Shqipëri nga shtatori do të mësojnë me një Abetare të përbashkët, një nismë që kishte filluar kohë më parë, më në fund po bëhet realitet, shkruan KultPlus.
Kështu ka bërë të ditur në një konferencë për media ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ku është thënë se kanë përfunduar të gjitha procedurat lidhur me këtë çështje.
Ajo tha se nga 1 shtatori, së bashku me ministrin e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Evis Kushi, do të “inaugurojnë” shkollën e përbashkët Fillore.
“Sa i përket Abetares së përbashkët, edhe për këtë kanë përfunduar të gjitha procedurat. Kemi kërkuar nga shtëpia botuese që kopja digjitale të dërgohet në shkolla, në mënyre që mësuesit e klasës së parë të përgatiten dhe të punojnë suksesshëm me këta nxënës. Uroj që mos të kemi probleme serioze dhe më 1 shtator, vogëlushët e klasës së parë, të kenë Abetaren në duart e tyre”, tha ajo.
“Kemi planifikuar dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Evis Kushi ka shprehur gatishmërinë dhe dëshirën që të jetë më 1 shtator këtu, në Kosovë që të përurojmë bashkë këtë abetare”, tha Nagavci, duke shtuar “njëjtë të jemi dhe ne në fillimin e vitit të ri shkollor, në Shqipëri duke u siguruar që edhe atje vogëlushët do ta kenë Abetaren e re dhe do të punojnë me të njëjtën tekst që nga klasa e parë”. /KultPlus.com
Pardje familja jonë u gjend përpara një momenti të papritur dhe shumë të vështirë. Ju falenderojmë shumë për mesazhet tuaja, me të cilët na forcuat për ta përballuar këtë tronditje! Faleminderit për vlerësimin që i keni bërë rastit të djalit tonë, Robertit, në sensin e humanizmit dhe dhimbjes njerëzore! Falë humanizmit dhe ndjenjës së korrektësisë në punë, Roberti u bë pre e ngjarjes së pardjeshme. Është kënaqësi e jona që ai sakrifikoi për shpëtimin e dy jetëve të dy të rinjve,vëlla e motër adoleshentë. Ndihemi shumë të lumtur që më në fund shpëtoi edhe jeta e Robertit, falë përgatitjes së tij profesionale dhe kujdesit të organeve shëndetësore të spitalit të Lezhës. Për ata që janë kurioz sqarojmë se Roberti nuk ka qënë vrojtues në atë zonë. Ora ka qënë rreth 19:30, kur Roberti ka shkuar si zv/President i Federatës së Vrojtuesëve të plazhit për të shpërndarë mjete pune për Vrojtuesit në Shëngjin. Dy adoleshentë kosovarë 16-17 vjeç, vëlla e motër, i ka tërhequr deti kur kanë hyrë në ujë, në një vend, jashtë zonës së mbulimit nga vrojtuesit e plazhit, tek Rana e Hedhun. Djalin e kapi epilepsia (sëmundja e tokës), ndërsa vajza tmerrohet. Ata arrijnë aty ku deti kishte deri në 4-5 m thellësi dhe trazira dhe fillojnë të kërkojnë ndihmë. Por, si një ditë me pak reshje shiu, në orar të vonë dhe larg mundësive për ndihmë, aty afër pothuajse nuk kishte njerëz. Në këtë moment Roberti vendos të ndërhyjë për t’i ndihmuar, ndonëse e parashikonte rrezikun. Por “i mbyturi të mbyt”. I “sulmuar” nga të dy të rinjtë, për të mos u mbytur, Roberti nuk tërhiqet, por fundoset disa herë duke i mbajtur kokat e tyre jashtë ujit . Ai i mbron të rinjtë por pin shumë ujë vetë. Kur i nxjerr ata në cektësi, vetë mbetet pa ndjenja sapo mbërrin në breg. Tashmë Roberti është përmirësuar mirë dhe ndihet i lumtur për suksesin e arritur! Faleminderit me përultësi të gjithëve! /KultPlus.com
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, është paraqitur në konferencë ku ka diskutuar disa çështje, përfshirë edhe atë për të shamisë nëpër shkolla, shkruan KultPlus.
Nagavci në një konferencë për media tha se kjo fushatë e nisur së fundi nuk është e bazuar dhe e qëndrueshme.
“Sa i përket çështjes së Udhëzimit administrativ, është fol shumë kohët e fundit për Udhëzimin administrativ për shaminë, dua të bëj të qartë se nuk ka ndonjë Udhëzim administrativ për shaminë, nuk ka pas asnjëherë me sa unë e di. E gjithë kjo fushatë që është ngritur kohën e të fundit, nuk është të themi e bazuar dhe e qëndrueshme”, tha Nagavci.
Ajo tutje thotë se udhëzimi do të mbetet në fuqi dhe ata nuk mund të ndryshojnë një nen specifik.
‘Udhëzimi Administrativ të cilit i kanë referuar ka të bëjë me mbarëvajtjen e punës në shkollat e mesme të larta. Është vërtetë që ky Udhëzim Administrativ ka disa çështje ligjore, sepse preambula të cilës i referohet d.m.th nuk ka të bëjë specifikisht me kompetencat e MAShTI-t. Por, e vërteta është që rekomandimet janë dhënë që ai Udhëzim të mbetet në fuqi, ne nuk mund ta ndryshojmë një nen specifik”, u shpreh ajo duke shtuar se Udhëzimi do të mbetet në fuqi dhe do të shohin se si do ta rregullojnë tutje vetëm në aspektin formal ligjor.
“E drejta për shkollim është e garantuar dhe askujt nuk i mohohet të marrin pjesë në shkollat tona”, tha ndër të tjera ministrja, Nagavci. /KultPlus.com
B.B. Poqi ka realizuar shumë këngë dhe shumë albume të cilat u bënë hite të mëdha gjithkund ku flitej shqip.
Këngëtari dhe autori i shumë këngëve, i cili fillimisht formoi bendin “Babillon“ me të cilin i incizoi disa këngë si “Babillon“, “Ti je një iluzion“, “Edhe një natë si kjo“ dhe e fundit “Diku pranë shtëpisë time“, më vonë ai u nda nga bendi dhe vazhdoi karrierën si solo këngëtar.
Sot KultPlus ua sjell një prej këngëve më të njohura të B.B Poqit, “Ti je një iluzion”. / KultPlus.com
Hanae Mori, një stiliste pioniere që solli motive japoneze në skenën globale të modës së lartë dhe krijoi fustanin e nusërisë të veshur nga Perandoresha Masako, ka vdekur në moshën 96-vjeçare, transmeton KultPlus.
E famshme për modelet e saj të fluturave, Mori lindi në prefekturën rurale të Shimane, duke kujtuar në jetën e mëvonshme sesi rrobat elegante të porositura për të si vajzë nga babai i saj doktor e lanë atë të ndihej në siklet.
Megjithatë, më vonë ajo mori rrugën për në qytet, ku ndoqi universitetin dhe më pas shkollën e dizajnit, duke hapur studion e saj atje në qendrën e saj ende pjesërisht të shkatërruar nga lufta në 1951.
Puna si dizajnere për regjisorët e filmave ndihmoi në përmirësimin e stilit të saj, por një pikë kthese erdhi në vitin 1961, kur ajo shkoi në Paris për të bërë kërkime mbi stilisten Coco Chanel dhe më pas vizitoi Nju Jorkun.
“Unë u ndjeva shumë i vetëdijshëm për rrënjët e mia si një “person japonez”,” tha Mori – për të cilën zyra e saj tha se kishte vdekur më 11 gusht.
“Produkte të lira japoneze shiten në bodrumet e dyqaneve… Përshkrimi i Madame Butterfly në operën “Madame Butterfly”, të cilën e pashë në Nju Jork”, tha ajo.
“Kjo nuk është Japonia!” Vendosa të provoj fatin me krijimet që janë bërë në Japoni”.
Në vitin 1965, ajo prezantoi koleksionin e saj të parë në Nju Jork, i cili tërhoqi vëmendjen për përzierjen e temave lindore dhe perëndimore.
Gjatë dekadës së ardhshme, shfaqjet në Evropë pasuan dhe ajo hapi një shtëpi mode në Paris, duke u bërë gruaja e parë aziatike që u pranua në një shoqatë franceze të modës së lartë.
“Zgjodha fluturën, që simbolizon gruan japoneze që shtrin krahët nëpër botë, si temën time”, shtoi ajo./ KultPlus.com
Filmi shqiptar ‘Virgjëresha Shqiptare’ do të shfaqet në Austri më 26-27 gusht dhe Gjermani më 29-30 gusht, përcjell KultPlus.
Lajmi është bërë i ditur përmes një postimi në faqen zyrtare të filmit.
KultPlus ua sjell postimin:
‘Virgjëresha Shqiptare’ udhëton në Austri 26-27 Gusht & Gjermani 29-30 Gusht
Mikesha dhe miq të dashtun’ që gjendeni në Europë, gjeni informacion për datat e shfaqjes së filmit dhe biletave në faqet zyrtare të festivaleve! Prezenca juaj është bekim për ne, dhe rrugëtimin e mëtejmë të filmit tonë!/ KultPlus.com
Kosovës i është shtuar edhe një aset i trashëgimisë kulturore i restauruar.
Kanë përfunduar ndërhyrjet restauruese në shtëpinë e familjes Morina që ndodhet në rrugën Marin Barleti, në Prizren.
Në kuadër projektit të rijetësimit të rrugës Marin Barleti parashihen ndërhyrjet restauruese në shtëpitë e përzgjedhura në këtë rrugë, po ashtu rehabilitimi urban, përfshirë rregullimin e dyshemesë, fasadave, ndriçimit dhe mobilerisë urbane./ KultPlus.com
Një destinacion që ia vlen të vizitohet këtë fundjavë, është kisha e Shirqit. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, me anë të një postimi në rrjetet sociale, risolli në vëmendje këtë monument kulture të kategorisë së parë.
Rrënojat e Manastirit të Shën Sergit e Bakut, njohur ndryshe si Kisha e Shirqit, ruhen në bregun e majtë të Bunës.
Në stilin bazilikë me përmasa 30 x 10 m, kjo kishë është konsideruar si një nga kishat më të bukura monastike të stilit romanik në Shqipëri.
Këtë verë dashamirës të historisë dhe natyrës kanë zgjedhur që ta vizitojnë këtë vend të mrekullueshëm, përmes tureve me kanoe, duke e kthyer sitin në një atraksion turistik mjaft tërheqës dhe të vizitueshëm.
Muret e kishës së Shirqit kanë nisur të ngrihen që në shekullin VI.
Arkitektura e kishës është tepër e veçantë. Është një përzierje e stilit roman me atë gotik. Sipas historianëve, Kisha e Shirqit ka ruajtur formën e plotë të saj deri para 200 viteve. Që nga ajo kohë ajo është shkatërruar gradualisht, duke u pushtuar nga uji./ atsh/ KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit njofton se më shumë se 30 mijë njerëz kanë vizituar lokacionet e Manifestës në tri javët e para të hapjes, përcjell KultPlus.
Ndërkaq në ditët në vijim, në kuadër të Manifestës, do të organizohet edhr aktivitete të tjera.
Postimi i plotë:
Tri javë pas hapjes më shumë se 30,000 vizita janë bërë në 25 lokacionet ku po shfaqen ekspozitat dhe intervenimet artistike të 103 artistëve pjesëmarrës në bienalen Manifesta.
Ju prezantojmë vetëm disa nga aktivitetet që organizohen sot dhe nesër, në të cilat mund të merrni pjesë, po ashtu edhe të vizitoni lokacionet e shumta përreth Prishtinës ku janë bërë intervenime artistike.
Çdo hapësirë e Manifesta 14 Prishtina, qëndron e hapur nga e marta në të diel prej orës 10:00 deri më 20:00.
Të gjitha programet janë falas dhe të hapura për të gjithë./KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani, ka pritur në takim Vera Sahatçiu-Orën nënën e këngëtares Rita Orës.
Ka qenë psikiatrja Sahatçiu-Ora, që ka publikuar në InstaStory disa fotografi nga takimi.
“E nderuar të takohem dhe të diskutoj me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani”, ka shkruar Vera në mbishkrimin e fotografisë së saj.
Tutje, ajo ka rishpërndarë edhe një tjetër imazh të publikuar nga këshilltarja e presidentes, ku ndër të tjerash Sahatçiu – Ora shkroi: “Ne duam, shpërndajmë dhe ndërtojmë eksperienca të reja me Presidenten e Kosovës”.
Ajo do të jetë në kryqytetin shqiptar, në Tiranë më 6 shtator për një koncert të madh në sheshin “Skënderbej. /KultPlus.com
Për herë të parë pas 70 viteve, nga viti i ardhshëm Miss Universe ka vendosur të pranojë edhe për nënat dhe gratë e martuara, sipas medias amerikane.
Deri sot, rregullat e konkursit të bukurisë parashikonin që fitueset duhet të ishin beqare dhe të mbeten të tilla për të gjithë kohëzgjatjen e titullit dhe të mos kenë fëmijë derisa të kenë vendosur mbi kokë kurorën e mbretëreshës.
Një rregull që fituesja e edicionit të 2020-ës, meksikania Andrea Meza, kishte sulmuar si seksiste dhe të prapambetur.
”Ashtu si shoqëria po ndryshon dhe tani gratë zënë role që më parë ishin të rezervuara vetëm për burrat, ka ardhur koha që konkurset të hapen edhe për gratë me familje”, tha ajo në një intervistë./ KultPlus.com
Është votuar mocioni ndaj kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, mocion të cilit ai nuk i ka mbijetuar dhe është rrëzuar nga pushteti.
E pas kësaj ai ka thënë se qeveria aktuale do të mbahet mend si qeveria që zgjati më pak, por mori vendimet më të vështira.
Ai tha se ndihej shumë krenar, duke shtuar se shumë gjëra në Mal të Zi tani janë më të qarta.
“Po i shpall koalicionin e ri Milo Gjukanoviqit dhe Aleksa Beçiqit, shpresoj që shpejt të bien dakord për qeverinë. Jemi të gatshëm t’ia dorëzojmë stafetën kujtdo që shpresojmë se do ta udhëheqë më mirë vendin”, tha ai.
Ai tha se PDSH-ja e ka mbështetur Qeverinë edhe pse kanë vlera të ndryshme, duke shtuar se personalisht ndjen se situata është lehtësuar plotësisht që sot, njofton Klan Kosova.
“Më vjen keq që krimi i organizuar ende përdor tentakula, do të kujtohemi si një qeveri që zgjati pak, por mori vendimet më të vështira”, tha ai.
Ai përsëriti se nuk do të marrë pjesë në qeverinë e rindërtuar, duke shtuar se beson se nuk do të marrë pjesë as Partia Popullore Socialiste (PKSH).
“Është logjike që dikush tjetër të marrë iniciativën. Le të ulen Beçiq, Gjukanoviq dhe Shehoviq dhe të bien dakord për një koalicion”, tha ai.
I pyetur se si mund të planifikohen zgjedhjet nëse nuk ka Gjykatë Kushtetuese, ai tha se duhet kërkuar nga DPS-ja.
“Do të bëjmë gjithçka për të vazhduar pa kufizime sikur të mos kishte rënë qeveria. Pra nuk do të ndikojë në punën që është funksionale”, u shpreh tutje ai./KultPlus.com
Qeveria e pakicës Dritan Abazoviç nuk është më, përcjell KultPlus.
Parlamenti malazez votoi në favor të mosbesimit për qeverinë e 43-të malazeze.
Me 50 vota për është votuar mocioni i mosbesimit të Qeverisë së Malit të Zi të drejtuar nga Dritan Abazoviq.
Mocioni ishte iniciuar nga partia e Millo Gjukanoviqit, DPS, pasi Abazoviq kishte nënshkruar Marrëveshjen Themelore me Kishën Ortodokse Serbe. /KultPlus.com
Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka dhënë pesë rekomandime për qytetarët që të kursejnë energjinë elektrike në kohëra të krizës globale energjetike, shkruan KultPlus.
Sipas njoftimit, rekomandimet i drejtohen veçanërisht amvisërive, si një nga shpenzuesit më të mëdhenj të energjisë elektrike, e cila mund të kontribuojë shumë në uljen e konsumit, veçanërisht aty ku ka mundësi të mëdha për të kursyer.
“Nëse çdo konsumator kursen energji elektrike për vete dhe familjen e tij, ne në fakt jemi duke kursyer energji edhe për konsumatorët e grupeve të ndjeshme, të cilëve mund të ju nevojitet energjia elektrike më shumë se kurrë”, thuhet në komunikatën për media.
KEDS-it, thotë se këto janë disa nga masat që konsumatorët shtëpiakë duhet t’i ndërmarrin për ta kursyer energjinë elektrike.
-Shfrytëzimi i alternativave të tjera për ngrohje, aty ku ka mundësi.
-Në objektet banesore ku është e pamundur një gjë e tillë, kalimi në ngrohës efiçent si dhe menaxhimi më i mirë i hapësirave të ngrohjes.
-Kujdesi në ngrohësin e ujit (bojlerin) dhe kohën kur ai përdoret. Potencialisht zëvendësimi i tij me ngrohës diellor.
-Përdorimi i pajisjeve elektro-shtëpiake në kohën kur energjia është më e lirë (jashtë pikut).
-Ndalja e furnizimit pajisjeve që nuk ka nevojë të përdoren në kohë të caktuara, duke filluar nga dritat. /KultPlus.com