Ministri Çeku: Gjilani është një prej komunave me përplot potencial në fushën e artit, sportit e trashëgimisë kulturore

Ministri Hajrulla Çeku tashmë ka nisur takimet e tij me kryetarët e komunave për të dinamizuar projektet dhe investimet kapitale. Ai së fundmi është takuar me kryetarin e Gjilanit, Alban Hyeni me ç’rast ka vlerësuar qytetin si një qytet që ka potencial të bollshëm në fushën e artit, sportit dhe trashëgimisë kulturore, përcjell KultPlus.

“Një projekt konkret që ngërthen edhe trashëgiminë kulturore dhe natyrore të Gjilanit është Kalaja e Pogragjës, një nismë e komunës të cilës Ministria i është bashkuar me shumë vullnet, bashkë me QRTK Gjilan dhe Institutin Arkeologjik të Kosovës. Tashmë po e diskutojmë mundësinë e një investimi të përbashkët mes Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Mjedisit dhe Komunës së Gjilanit, që Kalaja e Pogragjës dhe zona përreth të shndërrohen në destinacion turistik, duke u siguruar gjithmonë që vlerat kulturore, të trashëgimisë dhe ato mjedisore mbrohen me përpikmëri”, ka thënë Çeku.

Më poshtë gjeni postimin e tij të plotë:

Gjilani është një prej komunave me përplot potencial në fushën e artit, sportit e trashëgimisë kulturore.

Në ciklin e takimeve me kryetarë të komunave për të dinamizuar projektet e investimeve kapitale, kisha kënaqësinë e veçantë të takohesha me kryetarin e Gjilanit, Alban Hyseni.

Folëm për projektet ekzistuese të cilat duhet ti përmbyllim dhe u dakorduam për disa projekte të reja.

Stadiumi i qytetit të Gjilanit është një projekt me shumë interes për komunitetin dhe për Ministrinë e Sportit dhe Komunën. Tashmë kemi hyrë në fazën e zgjidhjes së këtij ngërçi afatgjatë. Kemi filluar procedurat për hartimin e projektit për fazën përfundimtare të ndërtimit të stadiumit. Projekt përfundimtar për këtë stadium nuk ka ekzistuar, është punuar me faza dhe nuk ka pasur projekt për kategorinë e përcaktuar. Pas hartimit të projektit final të detajuar do të qartësohen detajet e realizimit të punimeve, përfshi periudhën kohore dhe koston. Hap i domosdoshëm në këtë proces ka qenë edhe shkëputja e kontratës me operatorin, ndërsa angazhimi i dy niveleve të qeverisjes do të jetë maksimal për ta përmbyllur këtë projekt që padrejtësisht i është mohuar sportistëve e qytetarëve të Gjilanit për kohë të gjatë.

Sa i përket palestrës sportive në Zhegër, jemi duke u kujdesur që si projekt të ketë realizim të suksesshëm të punimeve tash që po i afrohemi fazës përfundimtare. Në bashkëpunim me komunën e Gjilanit po mundohemi që brenda afatit optimal ta përmbyllim dhe funksionalizojmë në shërbim të rinisë, sportistëve dhe të gjithë komunitetit.

Në investimet e trashëgimisë kulturore Gjilani ka pasur dhe vazhdon të ketë asete të prioritet. Për shkak të gjendjes jo të mirë të monumenteve për vite me radhë, ndërhyrjet emergjente në këtë rajon janë duke vazhduar, një pjesë e tyre kanë përfunduar, e së shpejti fillon faza e re në shërbim të shpëtimit të aseteve të trashëgimisë kulturore.

Një projekt konkret që ngërthen edhe trashëgiminë kulturore dhe natyrore të Gjilanit është Kalaja e Pogragjës, një nismë e komunës të cilës Ministria i është bashkuar me shumë vullnet, bashkë me QRTK Gjilan dhe Institutin Arkeologjik të Kosovës. Tashmë po e diskutojmë mundësinë e një investimi të përbashkët mes Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Mjedisit dhe Komunës së Gjilanit, që Kalaja e Pogragjës dhe zona përreth të shndërrohen në destinacion turistik, duke u siguruar gjithmonë që vlerat kulturore, të trashëgimisë dhe ato mjedisore mbrohen me përpikmëri.

Xhepat e gjelbër është një nismë tjetër e komunës për të cilën jemi ftuar të bashkëpunojmë për të ndërtuar hapësirat sportive dhe kulturore. U dakorduam që në momentin që komuna ka projektin përfundimtar ta ndajë me ne dhe të shohim mundësinë e përfshirjes në buxhet.

Qendra e Kulturës në Gjilan është një projekt i ri që i nevojitet komunitetit që është shumë aktiv në sferën kulturore. Në parim jemi zotuar t’i shohim mundësitë për bashkëfinancim me qëllim të plotësimit të nevojave për komunitetin në Gjilan.

Në kuadër të projekteve potenciale, nga kryetari Hyseni kërkova të propozohen lokacione të përshtatshme për ndërtimin e palestrës së xhudos dhe shtëpisë së shahut në Gjilan.

Dhe dakordimi ynë i fundit ishte që organizimi i Flakës së Janarit për vitin e ardhshëm të bëhet në bashkëpunim me Ministrinë. Kryetarin e njoftova me dy programet shtetërore që pritet të fillojnë vitin e ardhshëm, ai i artit në shkolla dhe sportit në shkolla. Dy programe me interes nacional që do të shtrihen në të gjitha komunat e Kosovës kryetari i mirëpriti me gatishmëri të plotë për bashkëpunim./ KultPlus.com

132 vjet nga lindja e Agatha Christie, autores që u cilësua si ‘Mbretëresha e Krimit’

Më 15 shtator të viti 1890 lindi Agatha Christie, autorja e cila u bë e njohur në botë për novelat e saj të zhanrit krim, gjithsej 66 të tilla, 14 vëllime me tregime të shkurtra dhe po ashtu për dramën më të shfaqur në histori “The Moustrap”.

Ajo është autorja më e shitur në botë, me 2 billion kopje të shitura, duke e thyer edhe rekordin botëror në Guiness World Records.

Shumë libra të Christie janë adaptuar për televizion, radio, dhe libra grafik. Janë dikund rreth 30 filma të bazuar në romanet e saj. Autorja u edukua në shtëpi nga prindërit e saj dhe filloi të shkruante tregime të misterit gjatë Luftës se dytë Botërore.

Fillimet e saj ishin të vështira dhe shpesh nuk iu pranuan librat nga shtëpitë publikuese, megjithatë libri i saj i parë “The Mysterious Affair at Styles” ishte një sukses i madh. Gjatë fundit të karrierës së saj ajo flloi të shkruante romane të zhanrit romancë me libra si “Unfinished Portrait” dhe “A daughter’s daughter” ndër pseudonimin Mary ëestmacott.

Chrisite u titullua Damë nga shteti i Anglisë në vitin 1971, ndërsa ajo u pa për herë të fundit në publik në vitin 1974 kur u shfaq drama e saj “Murder on The Orient Express. “. Ajo vdiq në vitin 1976. / KultPlus.com

“Me gjithë zemër unë të desha, si njeri me mirësi, disa herë unë të buzëqesha me mallin e djalit t’ri” (VIDEO)

Historia e muzikës së mirëfilltë shqipe, numëron shumë këngëtarë e këngëtare që me zërin e tyre të veçantë dhe me tekstet e tyre poaq të veçanta, i dhanë jetë e frymë tjetër muzikës shqipe, shkruan KultPlus.

Ndër këta artistë, është edhe Shpresa Berisha, këngëtare e mirënjohur e muzikës popullore shqiptare, e cila gjatë karrierës së saj, vazhdimisht i këndoi dashurisë, mallit e vuajtjes, duke bërë kështu që të mbetet në kujtesën e artdashësve edhe sot e kësaj dite.

Pak e dijnë se përpos zërit të saj të veçantë, Shpresa Berisha, me prejardhje nga Suhareka, është femra e parë shqiptare që punoi si gjykatëse.

Këngët më të njohura të saj janë: “Për ty vuaj, për ty këndoj”, “Me lule t’beharit”, “Turtulleshë”, “Bukuroshja e lalës”, “M’ka marrë malli shpirt”, “Çohi djema shalone atin”, “Prizrenit”, “Po del hëna”, “Sy jeshile”, “Tjetërkund nuse” etj.

KultPlus ju sjell këngën e saj më të njohur, ”Të deshta me hakikat”, këngë kjo që vazhdon të dëgjohet akoma me ëndje nga adhuruesit e saj, e vazhdon të këndohet nga shumë artistë të tjerë.

Bashkangjitur gjeni tekstin dhe videon e këngës. / KultPlus.com

Të desha me hakikat

Të çmova mikesh të shtrejtë.
Mir’po paskem qenë pa fat, e aman
Ma punove pa të drejtë.

Me gjithë zemër unë të desha
Si njeri me mirësi.
Disa herë unë të buz’qesha aman
Me mallin e djalit t’ri.

Një kujtim që m’a ke dhanë-e
Po e ru’j me dashuni.
Do t’a kujtosh fukaranë, e aman
Megjithë se m’ke marrë mëni.

Nuk e di se t’kam bezdisë
Unë të pata me kimet.
Qofsh e lumtun ti moj mike, aman
Për mu’ si të jetë kismet.

Adem Mikullovci: Jeta e çdo njeriu është më tepër shuplaka se sa puthje

“Kësi soji e kalova rrugën e jetës time. E kalova rrugën e jetës time dhe erdha te fundi. Dhe kur ndalem dhe shikoj rrugën që kam kaluar, e shoh një rrugë plotë gropa, plotë hendeqe, baltë, lloqkovinë, breshër, shi, aty këtu ndonjë lule që ka çelë në jetën time. Ndonjë lule e dobët, që pika e parë e shiut që i ka ra e ka plandosë për tokë. Për mu jeta ka qenë, s’po ankohem, por po mundohem ta flas të vërtetën, shumë shuplaka. Dhe jeta e çdo njeriu është më tepër shuplaka se sa puthje.”

Një ndër fytyrat më të shquara të kinematografisë shqiptare, Adem Mikullovci i cili vdiq dy vite më parë, për të lënë të gjallë veprën e tij të madhe dhe kujtimin e përhershëm. Gjatë kohës sa ishte gjallë, ai kishte detajuar jetën e tij në një intervistë për Oral History Kosovo, përcjell KultPlus.

Aktori me prejardhje nga Vushtrria, më vonë shpërngulet në Mitrovicë, sepse babai i tij kishte llogaritur që aty fëmijët kanë më shumë mundësi të marrin ndonjë zanat. Por, sipas Ademit planet e babait nuk u realizuan për shkak se secili nga ta u shkollua.

“Kam lindë në të njëjtën dhomë ku ka lindë babagjyshi im, në atë dhomë ka lindë baba im, në atë dhomë kam lindë dhe unë. Po s’arrita me lindë djalin në atë dhomë, lindi knej, në Prishtinë”, shprehej Mikullovci, përcjell KultPlus.

Ademi vazhdoi shkollën e mesme në Mitrovicë. Ai kishte rrëfyer se si nuk kishte parë deri në përfundim të shkollës së mesme asnjë shfaqje, pa ditur se do të bëhej një artist i madh. Një natë, grumbulli i njerëzve para shtëpisë së kulturës në Mitrovicë ia kishte tërhequr vëmendjen dhe kishte hyrë për të parë shfaqjen “Vraga” të shkrimtarit boshnjak, Josef Pleshiq.

“Salla plotë, jam ulë në skaj, në një qosh edhe ishte shfaqja e parë që shikoja. Dhe më ka prekë aq shumë, gjatë gjithë kohës kam qajtë si nji qen i vogël, si nji këlysh”, rrëfente me plotë mallëngjim kontributdhënësi i Teatrit. Tutje ai thekson se kishte vazhduar së shikuari shfaqjet e tjera, ku përmend shfaqjen “Shpirtat”, në të cilën Leze Qena kishte rolin kryesor. Ai e kishte besuar aq shumë atë që kishte parë në skenë, saqë mendonte se ngjarjet dhe rolet janë reale, dhe vazhdojnë edhe në jetën e përditshme.

“Dhe ishte befasi për mua kur i pashë Muharremin e Istrefin duke biseduar normal. Abdurrahmani duke biseduar normal me ta, Xhevati ashtu. Dhe s’mundesha me kapë atë sens, çka është shfaqje, çka është jeta private. Ajo më mahniti më së shumti. Do të thotë, krejt çka paskam pa në shfaqje paska qenë artificiale. Këta qenkan shokë, këta s’po u urrejkan mes veti, s’po u rrahkan mes veti”, rrëfente Mikullovci.

Kishte ardhur koha kur ai duhet të vendoste për fushën e studimeve. Familjarët propozonin drejtime të ndryshme, ndërkaq ai do të bëhej aktor, krejt ndryshe nga pritshmëritë e tyre.

“Im at thoshte, “Avokat, avokat le të bëhet thiu se i bluan goja si gjakalla e mullinit edhe dynjenë do ta bëj kahre”. Ndërsa nana ime e ndjerë thoshte, “Doktor, doktor. Është hall ligë e ndoshta ia gjenë ilaçin vetit”. Bile, bile, e kom këta të sigurt, pastruesi, lustruesi i këpucëve që ishte në mahallën tonë edhe ai u përzi në këtë muhabet çka me studiu unë”, tregonte studiuesi i teatrit dhe filmit.

Ai kishte dorëzuar dokumentet e tij në Fakultetin e Mjekësisë në Beograd dhe pasi që s’e kishte kaluar provimin, i kishte dorëzuar ato në Akademinë për teatër dhe film. Ndërkaq, përgjatë kësaj kohe e kishte ndihmuar ai që më vonë do të bëhej kolegu i tij, Bekim Fehmiu.

“Vjen me lypë e më gjenë mu. Dolëm me një kafe, më qiti në sitë e në shoshë, “Pse po du mu bo aktor…” I thashë, “Nuk e di”. Tha Bekimi, “Shumë mirë, se edhe unë nuk e di pse jam bërë aktor”, rrëfente Mikullovci për bisedën me Bekim Fehmiun.

Kur i kishte treguar Fehmiut se me çfarë pjesësh skenike po përgatitej, ai i kishte thënë se s’do të pranohej me to. Ademi në provimin pranues kishte interpretuar “Të rrosh ose të mos rrosh” të Hamletit, fjalët e Mark Antonit . Mirëpo kërkesa e tij kishte qenë që edhe të performonte diçka nga gjuha shqipe.

“Thashë, “A bon t’i them disa vargje, një poezi në gjuhën shqipe”. Thanë, “Hajde të dëgjojmë”. Ishin 15-16 profesorë, e unë në skenë. Shkova ngadalë, u afrova, u ula në gjunjë, edhe u mundova sa më butë, bash vargjet e Luigj Gurakuqin dhe ju recitova, “Nënë moj, mbajë zi për vëllanë”. Po e recitova asi soji sikur se kom ardhë me lajmëru nanën që ia kanë vra djalin”, tregonte plotë mallëngjim për kohën sa pretendonte të bëhej student i Akademisë për teatër dhe film.

Një nga profesorët, sipas Mikullovcit, kishte bërtitur duke thënë se “Nuk e di çka na the, se nuk e dimë gjuhën shqipe, por ti u pranove!” dhe kjo ishte bërë hapi i parë i Ademit në këtë rrugëtim.

Në skenën televizive ishte shumë i njohur për të qeshurat që ia fali publikut, duke e bërë në lot edhe fëmiun edhe plakun. Mirëpo, pretendenti për të luajtur vetëm drama, në vetvete kishte një rrëfim më ndryshe për komedinë: “Komedinë s’e kom dashtë hiç dhe sot e kësaj dite nuk e dua komedinë. Po kush më shtyri në ujërat e komedisë e mbeta në to”. Por, dashuria e madhe për dramën nuk i mbeti pa realizim: “Kështu që tek kur fillova të bëjë vet drama televizive, të realizoj seriale televizive, atëherë ju ktheva prapë dramës, dashnisë time të përjetshme, drama është ajo që është”, rrëfente dramaturgu Mikullovci.

Ndërkaq në identitetin e tij si komedian e dramaturg patjetër që kishte ndikim familja e tij. “Mund të them se sensin tim për humor e kam trashëguar prej babës. Ndërsa sensin tim për dramë e kam pasë më tepër prej nanës. Nana na ka rritë duke na treguar tregime të dhimbshme, tregime dramatike, legjenda të ndryshme. Dhe më ka mbetë ai dell, ai përjetimi emocional për ngjarjet e dhimbshme, ngjarjet e rënda. Dhe aty më ka shkuar më tepër drama”, tregonte aktori i madh shqiptar.

Pavarësisht të arriturave të tij, nuk mund të themi se kishte përkrahjen e familjes edhe shumë si aktor. Ai kujtonte bisedën me babain e tij: “Kur i tregova që do të bëhem aktor, tha, “Ani djali jem, veç unë kam pas qejf që nesër me marrë ti gruan për dore e me shku në teatër me pa shfaqje. E tash tjerët i marrin gratë për dore e vijnë me të pa ty kah lunë shfaqje”. Dhe këta kurrë s’e kom harru. S’kom lujtë shfaqje pa m’u kujtu fjalët e babës tim”. Një jetë e dhënë pas teatrit, filmit, artit e kulturës asnjëherë s’është e lehtë. Mirëpo, ajo që ka mbetur pas nga ai janë veprat e tij. “Kësi soji e kalova rrugën e jetës time. E kalova rrugën e jetës time dhe erdha te fundi. Dhe kur ndalem dhe shikoj rrugën që kom kalu, e shoh nji rrugë plotë gropa, plotë hendeqe, baltë, lloqkovinë, breshër, shi, aty këtu ndonjë lule që ka çelë në jetën time. Ndonjë lule e dobët, që pika e parë e shiut që i ka ra e ka plandosë për tokë. Për mu jeta ka qenë, s’po ankohem, por po mundohem ta flas t’vërtetën, shumë shuplaka. Dhe jeta e çdo njeriu është ma tepër shuplaka se sa puthje”, shprehej Mikullovci.

Mikullovci do të jetë me ne me veprat e tij përherë. Atij do t’i rrojnë emocionet që na fal në dramat e tij, ngrohtësia që marrim sa herë që do të shohim rolet e tij dhe të qeshurat përplot gaz e mallëngjim nga komeditë e tij. / KultPlus.com

Të shtunën jepet premiera e veprës ‘Monade’ nga Robert Bisha, bashkëpunim mes Fondacionit Lumbardhi dhe Filharmonisë së Kosovës

Flonja Haxhaj

Të shtunën, më 17 shtator, Kino Lumbardhi në Prizren do të jetë nikoqire e veprës ‘Monade’ të kompozitorit, Robert Bisha, një vepër kjo e bashkë-komisionuar nga Fondacioni Lumbardhi dhe Filharmonia e Kosovës, shkruan KultPlus.

Vepra e cila shënon edhe fillimin e sezonit të Filharmonisë së Kosovës dhe 70-vjetorin e krijimit të Kino Lumbardhit, është një suitë simfonike për piano, orkestër, kor, solistë dhe multi-media.

Për të folur më shumë për këtë vepër, sot është mbajtur një konferencë për media ku kanë qenë prezentë vetë kompozitori, Robert Bisha, drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari dhe drejtuesi i Fondacionit Lumbardhi, Ares Shporta.

Jashari thotë se është i lumtur për hapjen e sezonit të Filharmonisë së Kosovës me këtë vepër, ndonëse filharmonia ka realizuar tashmë dy koncerte në fillim të shtatorit, më 5 shtator me rastin e 25-vjetorit të vdekjes së Nënë Terezës dhe koncerti i dytë ishte pak ditë më parë i Korit të Filharmonisë së Kosovës e që u realizua në Kishën Shën Ndou.

“Tani jemi në prag të një projekti jashtëzakonisht të rëndësishëm, të veçantë dhe të madh të Filharmonisë së Kosovës, bëhet fjalë për një vepër vokalo-instrumentale të kompozitorit shqiptar, Robert Bisha. Ditëve të fundit, Filharmonia e Kosovës ka qenë jashtëzakonisht e angazhuar në përgatitjen e një vepre shumë të veçantë, për nga përmbajtja për nga formacioni, pjesëmarrësit, tematika, ishte një përvojë më e ndryshme për Filharmoninë e Kosovës bazuar në programet paraprake”, u shpreh Jashari, i cili ndër të tjerash tha që në fillim, pjesëtarët e filharmonisë ishin pak skeptikë pasi morën me vonesë programin por kanë bashkëpunuar duke e njohur kapaxitetin dhe stilin e kompozitorit Bisha.

Ndërkaq, Ares Shporta nga Fondacioni Lumbardhi tha vepra që shënon edhe fundin e festimeve të 70-vjetorit të hapjes së Kino Lumbardhit, e ka sjellë bashkëpunimin mes Filharmonisë së Kosovës dhe Fondacionit Lumbardhi në një nivel të ri të bashkëpunimit tashmë 5-vjeçar.

“Ky është një bashkëpunim i ri mes Prizrenit, Kino Lumbardhit dhe Robertit i cili e ka mbajtur koncertin e vetëm të vitit të parë pandemik, një piano solo për 50 veta në një distancë në bahçe. Mirëpo biseda që nisi atëherë në Prizren u zgjat edhe e gjeti veten në mes të diskutimit se si duhet me kremtu 70-vjetorin e Kino Lumbardhit që trajton një 70-vjetor të një institucioni interesant me faza të ndryshme në një kontekst kontradiktor dhe me e pa se si mundemi që edhe muzikën edhe filmin, më shumë muzikën me e trajtu në  mënyrë të re, në një hapsirë që është mësuar vetëm me u konsumu dhe jo me u prodhu dhe me u diskutu.”, tha Shporta, përcjell KultPlus.

E krejt në fund fjalën e mori edhe kompozitori Robert Bisha, i cili rikthehet në Prizren pas dy vitesh me një mision tjetër të veçantë.

“Jam shumë i kënaqur që kam pasë mundësi në njëfarë mënyre me e vënë në dispozicion se çka është backgroundi im apo se çka është dhuntia ime në dispozicion të Fondacionit Lumbardhi me të cilin kam nderin që bashkëpunoj përgjatë këtyre viteve dhe gjithashtu edhe në dispozicion të filharmonisë me të cilën pata nderin të punoj këto ditë.”, deklaroi Bisha.

“‘Monade’ ndahet në tetë pjesë, numër simbolik për mua sepse çdo koncert e bëj në tetë pjesë. Janë të gjitha kohë që shpjegojnë, që ka një narrativë të tyre nga pastoralet deri te pjesa e fundit, kanë një historik të tyre që sheh apo mundohet me e pa Prizrenin si nga detaji, por edhe si nga sipër apo edhe mundohet që Prizrenin ta shohin nga pikëpamja e vetë”, u shpreh më tutje kompozitori Bisha, duke folur për pikësynimin poetik të asaj se çka sjell ‘Monade’.

Kujtojmë që koncerti ‘Monade’ mbahet të shtunën (17 shtator) nga ora 20:00 në Kino Lumbardhi./ KultPlus.com

Sot feston ditëlindjen Reshat Arbana, artisti që jetën ia kushtoi teatrit dhe kinematografisë

Artisti i Popullit, Reshat Arbana, feston sot 82-vjetorin e lindjes. Aktori i madh i kinematografisë shqiptare ka lindur më 15 shtator të vitit 1940 në Tiranë.

Arbana ka interpretuar rreth 35 personazhe në filma dhe teatër. Roli i parë i Arbanës ishte në 1963. Pasi mbaroi studimet në shkollën e aktrimit Aleksandër Mojsiu, pranë Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, në 1968 Arbana filloi të punonte në Radio Tirana.

Ndërkohë ndër rolet më të spikatura në film: Samiu tek Fije që priten 1976, Prefekti tek Gjeneral gramafoni 1978, Bimbashi tek Liri a vdekje 1979, Isa Boletini tek Nëntori i dytë 1982, Ahmeti tek Dora e ngrohtë 1983, Adnani tek Hije që mbeten pas 1985, Aliu tek Binarët 1987, Emili tek Rikonstruksioni 1988, Kuke Memini tek Balada e Kurbinit 1990.

Gjithashtu për rolet e Dajlan Beut tek Kush vdes në këmbë 1984 dhe Kryetarit të Këshillit tek Kur hapen dyert e jetës 1986 ka fituar Medalionin e Festivalit të Filmit më 1985 e 1987.

Nga 1977 deri në kohën e daljes në pension, ai punoi si aktor në Teatrin Kombëtar. Arbana është dalluar për interpretimin e tij mjeshtëror të roleve të tij. Për meritat e tij në aktrim ai ka fituar çmimin Artist i Popullit.

Më 7 tetor 2011 Presidenti i Republikës, Bamir Topi i akordoi zotit Reshat Arbana Urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Aktorit të shquar të teatrit dhe kinematografisë, i cili me interpretimin mjeshtëror dhe origjinalitetin e tij u bë një artist popullor e shumë i dashur për publikun, rolet e të cilit kanë pasuruar me vlera të paçmueshme kulturën kombëtare.”

Por përtej karrierës së tij në fushën e aktrimit, ai ka qenë dhe do të mbetet zëri më i bukur i dhjetëra poezive, prozave dhe veprave të mëdha.

Sot Reshat Arbana bën 80 vjeç, dhe vepra e tij peshon më shumë se vitet që mban mbi supe, për frymëzimin dhe padiskutim modelin e jashtëzakonshëm që sjell në shoqërinë shqiptare për të gjithë artistët e rinj./ KultPlus.com

Sabiha Kasimati, shkencëtarja që sfidoi diktatorin: Ti po vret të gjithë intelektualët, me çfarë ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë, me këpuctarët dhe teneqexhinjtë

Nga Daniela Vathi

Marrëdhënia e grave me shkencën është karakterizuar gjithmonë nga një rrugë e përpjetë qoftë në sferën kulturore, qoftë në atë profesionale. Për të zënë një vend, qoftë edhe minimal, këtyre grave u është dashur të thyejnë barriera të shumta, që u kanë kushtuar sakrifica të mëdha dhe një vendosmëri këmbëngulëse të jashtëzakonshme. Rrallë herë kujtohen sforcimet dhe vështirësitë, që në mënyrë të pashmangshme kanë shoqëruar përparimet e arritura dhe kompetencat shkencore të pashoqe të këtyre “mendjeve të bukura”.

Megjithatë kontributi i tyre për shkencën, dhe si rrjedhojë për të gjithë njerëzimin, është tepër i madh.Edhe pse u është dashur të luftojnë kundër paragjykimeve dhe mentaliteteve kryesisht mashkullore, ato kanë arritur të cajnë udhën mes kolegëve meshkuj dhe të fitojnë respektine tyre.

Emrat e shkencëtareve të shquara si Montalcini, Agnesi, Montessori,Hack, Curie, Meitner, e shumë të tjera, janë të njohur për memorien kolektive, por janë të shumta gratë e tjera të apasionuara pas shkencës, një fushë e konsideruar si tipike mashkullore, që kanë kontribuar për të përparuar njerëzimin edhe pse fatkeqësisht të neglizhuara nga historia dhe vepra e të cilave ka kaluar pa u vënë re.

Po ta mendojmë, janë të pakët ata që dinë se zbulimi që ka revolucionuar gjenetikën njerëzore dhe studimet mbi të, dmth zbulimi i spirales së dyfishtë të ADN-së, është meritë e një gruaje, Rosalind Franklin, por fatkeqësisht asaj nuk ju njoh kurrë merita, që i kaloi gabimisht dy shkencëtarëve Watson dhe Crick, të cilëve “iu dhurua” cmimi nobel për një zbulim të tillë.

Një fat i ngjashëm do i përkiste edhe një shkencëtareje shqiptare, të parës, Sabiha Kasimati.

Janë të pakët shqiptarët që e njohin emrin e saj. Shumëkush mund të kujtohet për përfundimin e trishtë që ajo pati, por pothuajse askush për veprën dhe punën e saj si shkencëtare ose më mirë si gruaja e parë shkencëtare shqiptare.

Historia e kësaj gruaje është shumë interesante nga shumë pikëpamje dhe mund ta quajmë pa asnjë ngurrim si “Një intelektuale perëndimore”, gjë jo shumë e zakonte për Shqipërinë e fillim shekullit të njëzetë. Natyrisht do ishte mirë që historia të mos lexohej në celës politik, pasi është absolutisht dytësore ndaj figurës së kësaj gruaje.

Nën peshën e traditës shumë shekullore dhe nën ndikimin e botës orientale, përfaqësuar asokohe nga perandoria osmane, shoqëria shqiptare ishte shumë pak e hapur ndaj grave, dhe aq më pak e favorshme ndaj rolit të tyre aktiv në shoqëri. Sipas mentalitetit tipik, vajzat martoheshin që në moshë të re dhe i perkushtonin jetën rritjes dhe edukimit të fëmijëve, si dhe kujdesit të shtëpisë.

Dhe është pikërisht ky ambjent i mbyllur që e bën akoma më tërheqëse figurën e Sabiha Kasimatit, si grua mbi të gjitha dhe pastaj si shkencëtare, e destinuar të sfidonte shoqërinë shqiptare dhe paragjykimet që e karakterizonin.

Kush ishte atëhere Sabiha Kasimati?

Sabiha Kasimati lindi në Edirne më 1912, ishte e bija e një mjeku, me origjinë nga Libohova, që ushtronte zanatin e tij si mjek në Turqi.
Edhe pse larg nga atdheu, familja Kasimati i rriti fëmijët me frymën e patriotizmit dhe dashurinë për kulturën, si shqiptare ashtu edhe europiane në përgjithësi.
Kur familja u kthye në Shqipëri, ajo u vendos tek i vëllai në qytetin e Korcës, i njohur edhe sot për kulturën me frymëzim francez.Një fakt shumë i rëndësishëm, që do të shënonte jetën e saj, ishte se ajo qe vajza e parë që ndoqi Liceun Francez të Korcës, duke shërbyer si shembull për shumë të tjera në vijim.Ky lice ishte shumë i vlerësuar në të gjithë Shqipërinë e asaj kohe dhe ndiqej nga fëmijët e eksponenteve kryesorë të vendit. Pra që në moshë shumë të re, fati i saj e bëri që të dallohej dhe të ishte e vetme.

Qe shoqe klase me Enver Hoxhën, diktatorin e ardhshëm, por një njohje e atillë do t’i kushtonte shtrenjtë, shumë shtrenjtë!

Edhe sot qytetarët e Korcës e kujtojnë me nostalgji si “ çupën e parë të liceut”, e bukur dhe e hedhur, spontane, rrezatuese, inteligjente dhe me një karakter pothuajse burrëror saqë shoqërohej me miqtë e liceut në mënyrë shumë spontane.

Nuk vonoi të dallohej për inteligjencën dhe zellin në studime, tashmë zotëronte shumë mirë disa gjuhë të huaja perëndimore, madje arriti të tërhiqte vëmendjen e profesorëve francez të liceut me theksin e saj perfekt në frengjisht.

Pasi mbaroi liceun, punoi për pak kohe si mësuese në lendët edukatë morale dhe frengjisht në Institutin femëror të Korcës dhe më pas dha biologji në shkollën shqiptaro-amerikane në Kavajë.

Në 1936 realizoi ëndrrën e madhe për të vijuar studimet universitare, dhe arriti të fitojë një bursë studimi nga shteti.Universiteti ishte një privilegj i pak fatlumëve. U regjistrua në Fakultetin e Shkencave biologjike në Torino, ku përvecse u diplomua me maksimumin 30/30 cum laude ( tridhjetë mbi tridhjetë me lavdërim), arriti të mbrojë edhe doktoraturën në 1941.

Edhe në Torino shfaqi inteligjencën e saj, saqë iu ofrua mundësia për të punuar si asistente në katedrën e ihtiologjisë në universitetin e Torinos. Me deshirë për t’u kthyer në atdhe dhe për të vënë në shërbim të tij dijen e saj, refuzoi ofertën dhe u kthye.

Pas kthimit në Tiranë, punoi në Insitutin e Shkencave, që ishte bërthama e parë e studimeve shkencore në vend, nën drejtimin e prof. Selahudin Toto, intelektual i njohur.
Këtu realizoi një kërkim shumë të rëndësishëm në fushën e ihtiologjisë ( disiplina që merret me studimin e peshqve) dhe për më tepër qe edhe ihtiologja e parë shqiptare, në një periudhë kur ende nuk egzistonte një përmbledhje e faunës dhe florës egzistuese në vend.

Në dhjetë vite të gjata kërkimi dhe pune plot entuziazëm dhe angazhim, Sabihaja eksploroi dhe studioi gjithë faunën ihtiologjike fluviale dhe detare në ujërat e Shqipërisë, e bindur se studimet mbi peshqit do të kishin një rëndësi të madhe dhe një vlerë ekonomike të cmuar për vendin, që është vecanërisht i pasur. Bëri klasifikimin në bazë të taksonomisë, në klasa, lloje dhe nënlloje, duke përcaktuar zonat ku përhapeshin llojet kryesore të peshqeve me vlerë ekonomike dhe studime të shumta rreth riprodhimit dhe cikleve të tyre biologjike.

Pas një pune të stërmadhe në përmbushjen e mijëra skedave, koleksione të ekspozitave të mbedhura në dhjetra ekspedita, nga liqeni i Butrintit deri në liqenjtë e Lurës, nga liqeni i Prespës deri në detin Jon dhe Adriatik, si dhe në lumenjtë më të rëndësishëm, duke regjistruar dhe përpunuar ndërkohë mijëra referenca bibliografike dhe fotografike, që do të kishin qenë një ndihmë e madhe jo vetëm për Shqipërinë por edhe për të gjitha vendet ballkanike kufitare.

Sabihaja ishte gati të publikonte veprën e saj voluminoze “Peshqit e Shqipërisë”, por ja që fati i saj ndërthuret me atë të Rosalind Franlin, sepse vepra e saj nuk u publikua kurrë në emrin e autores së vërtetë, Sabiha Kasimati, por në emrin e një shkencëtari rus Anatoli Poliakov, dhe të dy studiuesve fillestarë Ndoc Filipi e Ndoc Rakaj.

Sabiha Kasimati, krenare për idealet e saj iluministe, zgjodhi të ndiqte një shembull perëndimor edhe në jetën e saj. Ajo nuk u martua kurrë dhe jetonte vetëm në një apartament në Tiranë, pasi kishte nevojë për hapësirat e saj.Në fakt ajo kishte shpesh vajtje-ardhje me shumë nga miqtë dhe mikeshat e saj intelektuale të kohës, që përbënte një mënyrë diskutimi dhe ballafaqimi mes personazhëve kryesorë të vendit. Sigurisht nuk ishin të zakonta gratë shqiptare që jetonin të vetme (dhe nuk janë as sot), pa rënë në sy në një vend me mentalitet të mbyllur dhe të prapambetur. Pra bëhej përsëri fjalë për një sfidë ndaj zakoneve dhe traditave të shoqërisë se atëhershme.

Ndërkohë në Shqipëri po instalohej diktatura komuniste e Enver Hoxhës, ish shoku i klasës, i cili siç dihet tashmë, eliminoi çdo zë kundërshtues në vend, duke eliminuar fizikisht cilindo të guxonte të vihej kundër regjimit të tij tashmë totalitar de facto. Pjesa më e madhe e intelektualëve që kishin studjuar në perëndim, u dënua me vdekje, por ajo që shqetësoi së tepërmi biologen qe dënimi me vdekje i profesorit të saj Salahudin Toto dhe internimi i shoqes së saj Musine Kokalari, shkrimtarja e parë shqiptare.

E njohur nga të gjithë për karakterin e saj të drejpërdrejtë dhe guximtar, ajo i kërkoi një takim Enverit, ku pasi e qortoi si përgjegjësin kryesor për vrasjet e intelektualëve, miqtë e tyre, duhet ti ketë thënë: “ Ti po vret të gjithë intelektualët! Me çfarë ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë me këpucarët dhe teneqexhinjtë?!”

Në vazhdim, duke mos përfillur rrezikun e sigurtë që i vërtitej tashmë, ajo vendosi të shkonte të takonte miqtë e saj të internuar në kampin e internimit në Jubë.

Disaprovimi i saj i qartë dhe disidenca, që nuk u mundua kurrë ta fshihte, ndaj regjimit të Hoxhës firmosën edhe eliminimin e saj të afërt.

Ishte viti 1951 kur një bombë ose më mirë pak dinamit shpërtheu në oborrin e ambasadës ruse në Tiranë, por nuk shkaktoi asnjë dëm, përvec thyerjes së disa xhamave. Regjimi, në bazë të planeve dhe listave të parapërgatitura më parë, urdhëroi arrestimin e rreth njëqind qytetarëve, të akuzuar për bashkëpunim në plasjen e bombës, prej të cilëve rreth njëzet duheshin pushkatuar që të shërbenin si shembull për këdo të guxonte akte të tilla revolucionare.

Në të vërtetë bëhej fjalë për një justifikim bindës për të eliminuar ata që mendohej të ishin të rrezikshëm për regjimin. Dhe ja që përfshihet edhe biologia Sabiha Kasimati, pranë emrit të saj qe vënë një kryq i kuq që nënkuptonte pushkatim, me akuzën se kishte marrë pjesë në akte terroriste dhe se ishte në shërbim të agjentaturave të huaja.

Ajo mohoi të gjitha akuzat që iu bënë gjatë hetuesisë, duke u përgjigjur: “ Jam kundër pushtetit popullor sepse nuk pajtohet me ideologjinë time. Nuk kam menduar asnjëherë se me anë të akteve revolucionare të mund të arrihej në socializëm. Unë kam studjuar biologji dhe si rrjedhim jam evolucioniste. Evolucioni është në naturën e gjërave. Dhuna nuk çon në socializëm dhe aq më pak në demokraci, por vetëm dhe direkt në shkatërrim!”

E veçanta e këtij rasti qëndron në faktin se 23 intelektualë u pushkatuan pa një proces të rregullt, i cili u mbajt në mungesë, dmth. pasi ishin eliminuar tashmë 23 persona.

Në natën e 26 shkurtit 1951, të lidhur me tela me gjemba, ata u pushkatuan një nga një diku pranë urës së Beshirit dhe trupat e tyre u hodhën të gjithë në një gropë të madhe të hapur disa ditë më parë. Sabiha Kasimati qe e vetmja grua e pushkatuar mes 22 burrave, dhe duke qenë pushkatuar e fundit, atë nuk e kapi plumbi direkt, por u mbyt me dhunë krah ulërimave të saj që tmerruan të gjithë banorët e zonave përreth, deri sa dha frymën e fundit.

Fundi i trishtuar i një gruaje që i kushtoi jetën dijes dhe shkencës, por tashmë është e braktisur në harresë…

Burimi: http://www.albanianews.it/wp-content/uploads/wp-post-to-pdf-cache/1/sabiha-kasimati-shkencetarja-shqiptare.pdf

Filmi i Gentian Koçit, gati për premierën botërore në Estoni

Qendra Kombëtare e Kinematografisë njofton se, filmi artistik “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”, me skenar e regji të Gentian Koçit, do të ketë premierën botërore, në Festivalin e Filmit Tallinn Black Nights, në Estoni, duke qenë pjesë e garës zyrtare për çmimin “Filmi Artistik më i Mirë”.

Ky film është kandidatura zyrtare e Shqipërisë, për kategorinë “Filmi më i Mirë i Huaj”, në edicionin e 95-të të OSCARS.

Filmi i Gentian Koçit, prodhim i shtëpisë kinematografike “ARTALB Film Productions”, është realizuar në bashkëprodhim me Maria & Mayer (Portugali), Graal Films (Greqi) dhe Added Value Films (Kosovë).

Filmi artistik “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Radio-Televizioni Publik Shqiptar, Qendra Greke e Filmit, Televizioni Publik Grek, Qendra Kinematografike e Kosovës, Instituti Portugez i Kinemasë dhe Audiovizualit, Eurimages, Media-Creative Europe dhe bashkia e Tiranës.

Festivali “Tallinn Black Nights” është festival ndërkombëtar i kategorisë A, e njëjta kategori me Berlinin, Venecian e Kanën.  Edicioni i 26-të i këtij festivali do të zhvillohet nga data 11 deri në 27 nëntor./ atsh/ KultPlus.com

Êmni i vjetër

Poezi nga Flamur Maloku

I.

Sot maten largësitë,
Tjetër pamje, tjetër kohë për ty.
Bredh e vetme me tân’ atë dalldi
Kush nuk ta thotë atë fjalë?
Atë fjalën e shkret’ dashni!

II.

Sot trishtueshëm kërkon êmën t’ri,
I mbyll sytë e digjesh n’vetmi.
Ai êmni i vjetër nuk t’shfaqet aty.

III.
Sot bâhesh sikur shkon ti
Sa universe janë djegun n’ty!
Ai êmni i vjetër t’ka lân’ pezull.
Jetë mâ nuk ka për ty./ KultPlus.com

KOMF kërkon përfshirjen e fëmijëve dhe prindërve në dialogun për fillimin e mësimit

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF i cili përfaqëson 34 organizata jo qeveritare, marrë shkas grevën në arsim dhe mungesën e një zgjidhjeje për fillimin e mësimit prej tashmë dy javësh, ka dërguar drejt Qeverisë së Republikës së Kosovës kërkesën që në kuadër të dialogut të përfshihen të gjitha palët, sidomos fëmijët dhe prindërit, të cilët KOMF vlerëson se janë të dëmtuar drejtpërdrejtë nga ndërprerja e mësimit.

KOMF konsideron që qasja e bisedimeve vetëm nga dy palët (Qeveri dhe SBASHK) po anashkalon dhe harron interesin më të mirë të fëmijëve, të drejtën për arsim dhe dëmet që tashmë janë shkaktuar tek fëmijët.

“Një dialog me përfshirjen e fëmijëve, prindërve dhe të palëve të tjera, do të siguronte që interesi më i mirë i fëmijës të jetë konsideratë parësore përgjatë gjithë procesit. KOMF propozon që në këtë dialog të përbashkët, Qeveria të përfshijë akterët si më poshtë:

Përfaqësues nga Qeveria e Republikës se Kosovës

Përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit

Përfaqësues nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës

Përfaqësues nga Këshilli i Nxënësve të Kosovës

Përfaqësues nga Këshilli i Prindërve të Kosovës

Përfaqësues nga Këshilli i Mësimdhënësve

Përfaqësues nga Kolegjiumi i Drejtorëve të Shkollave dhe Kopshteve

Institucioni i Avokatit te Popullit

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve

KOMF kërkon thirrjen e një takimi urgjent me përfshirjen e të gjitha palëve. Kjo përfshirje do të siguronte transparencë në bisedime, të dëgjohen shqetësimet e të gjitha palëve dhe të gjinden zgjidhjet më të mira e të qëndrueshme për të gjithë, e në veçanti për fëmijët.

Mohimi i arsimit është shkelje e të drejtës themelore të fëmijës, e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës. KOMF konsideron që ndërprerjet e vazhdueshme të procesit arsimor kanë dëmtuar dhe po dëmtojnë mësim-nxënien e fëmijëve, do të lënë pasoja domethënëse në zhvillimin e fëmijëve dhe do të zbehin autoritetin e shkollës si institucion i dijes”, thuhet në reagimin e KOMF./ KultPlus.com

Këngë dashurie


Poezi nga Rainer Maria Rilke.

Dhe si do ta trajtoj unë shpirtin tim,
pse yti nuk u prek ?
si do ta ngre drejt sferave të tjera,
kur të mos jesh më, ti, atje?

Oh, do doja ta fshihja pranë diҫkaje
që të humbiste në një vetmi të errët,
në një kënd të panjohur e të heshtur
që të mos vibronte më kur rivibrojnë
humnerat e tua ! …
Por gjithҫka që sapo na prek,
na merr së bashku njëlloj si harkun
që me dy kordet nxjerr vetëm një zë.

Për cilin instrument vallë, po debatojmë ne?
Dhe kush e mban e luan me të? … Oh melodi !/ KultPlus.com

(Original Caption) Portrait of German poet Rainer Maria Rilke, 1906. He is shown seated, holding an open book.

Nora Gjakova pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura

Kampionia olimpike në Xhudo, Nora Gjakova, është pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura që nga viti 2021.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u shpreh sot se,” xhudistja Nora Gjakova, vajza e artë e Kosovës fitoi medaljen e artë olimpike, në kategorinë deri në 57 kilogramë duke rrëmbyer kështu medaljen e dytë të artë për Kosovën në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

“Nora është pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura që nga viti 2021”, theksoi Peleshi në një postim në rrjetet sociale.

Në shtator pritet të shkojë në Kuvend edhe ligji që parashikon dhënien e gradës kolonel për kampionët botërorë në sporte. /KultPlus.com

“Demokracia do të mbarojë ditën kur do të taksohen ata që duan të punojnë, për të mbajtur ata që duan të rrinë”

Thomas Jefferson (1743 – 1826) ishte autori kryesor i Deklaratës së Pavarësisë dhe më vonë shërbeu si Presidenti i tretë i Shteteve të Bashkuara nga viti 1801 deri më 1809.

Për lexuesit tanë sjellim një koleksion me thëniet më briliante të Jefferson:

“Demokracia do të mbarojë ditën kur do të taksohen ata që duan të punojnë për të mbajtur ata që duan të rrinë”

“Një Ligj i të Drejtave është diçka të cilin njerëzit ia kërkojnë çdo qeveri dhe të cilin asnjë qeveri nuk duhet ta refuzojë ose ta vonojë.”

“Një burracak është shumë më tepër i prirur të grindet se çdo njeri shpirtmirë.”

“Një trup i fuqishëm e bën mendjen të fuqishme.”

“Një qeveri e zgjuar dhe kursimtare, e cila do t’i lërë njerëzit të lirë që t’i rregullojnë vetë prodhimet dhe vlerat, dhe të mos ua marrë nga goja bukën që kanë fituar – ky është përkufizimi i një qeverie të mirë.”

“Reklamat janë e vetmja e vërtetë që përmban një gazetë.”

“E gjitha për çfarë tiranitë kanë nevojë për të mbijetuar është që njerëzit me të vetëdijë të lartë të heshin.”

“Gjithashtu duhet ta ngulitim në mendje parimin e shenjtë se, ndonëse vullneti i shumicës në të gjitha rastet merr rëndësi, për të qenë i drejtë, duhet të jetë i arsyeshëm; se të gjitha pakicat zotërojnë të drejtat e tyre të barbarta, të cilat ligji i barbartë duhet t’i mbrojë, dhe shkelja e tij do të ishte shtypje.”

“Gjithmonë mbaji gjërat nga doreza e lëmuar.”

“Një shoqëri njerëzish të cilët nuk grinden me njëri tjetrin është një gjë e cila nuk ka ekzistuar kurrë, që nga perandoria më e madhe tek mëhalla më e vogël e katundit.”

“Armiku përgjithësisht thotë dhe beson çfarë dëshiron ai.”

“Një mik i lënduar është më i hidhur se të gjithë armiqtë.”

“Ashtu si thonë armiqtë tanë, ne mund të arsyetojmë si njerëz, prandaj le t’iu tregojmë atyre se mund të luftojmë gjithashtu si njerëz.”

“Ji i sjellshëm me të gjithë, por hape zemrën vetëm me pak prej tyre.”

“Trupi i sëmurë është i padurueshëm, por më i padurueshmi nga të gjitha gjërat njerëzore është trupi pa mendje.”

“Librat përbëjnë kapital. Një bibliotekë është jetëgjatë sa edhe një shtëpi, me qindra vjet. Pra librat nuk janë një artikull konsumi, por një kapital. Dhe shpesh, në rastin e njerëzve profesionistë, është i vetmi kapital.”

“Miqësia është e çmueshme, jo vetëm në hije, por edhe në dritën e jetës, dhe falë qeverisjes së mirë të miqësisë pjesa më e madhe e jetës sonë është dritë.”

“Bëj tregti me të gjitha vendet, aleancë me asnjërin, kjo duhet të jetë motoja jonë.”

“Pushtimi nuk është në parimet tona. Është i papajtueshëm me qeverinë tonë.”

“Shtyrja për më vonë është më e pëlqyeshme se gabimi.”

“Ndryshimi i opinionit është i dobishëm në religjion. Disa sekte kanë zyrën e Censorit – ndaj njëri – tjetrit.”

“Mos e kafsho karremin e kënaqësisë, gjersa ti e di se përtej ti është grepi.”

“A do ta dish se kush je? Mos pyet. Veprimet do ta përvijojnë dhe përkufizojnë se kush je.”

“Mos fol për çfarë ke bërë apo për çfarë ke ndërmend të bësh.”

“Arsimoje dhe informoje krejt masën e popullit…Ata janë e vetmja mbështetje e sigurt e ruajtjes së lirisë sonë.”

“Ndriçoi njerëzit përgjithësisht, dhe tirania e shtypja e trupit dhe mendjes do të shuhen sikurse shpirtërat e ligj në agimin e ditës.”

“Gabimet e opinionit mund të tolerohen atje ku arsyeja lihet e lirë t’i luftojë ato.”

“Secili qytetar duhet të jetë një ushtar. Kështu bënin grekët dhe romakët, dhe duhet të bëhet kështu në çdo shtet të lirë.”

“Cdo qeveri degjeneron kur iu besohet vetëm sundimtarëve të popullit. Populli është i vetmi rrëzues i tyre.”

“Përvoja ka treguar se njeriu është e vetmja kafshë që e ha dikë të llojit të vet, sepse unë nuk mund të gjej një term më të butë për të përkufizuar sjelljen e të pasurit ndaj të varfërit.”

“Përvoja ka treguar se madje edhe format më të mira të qeverive të cilave iu është besuar pushteti, me kohë dhe ngadalë janë shndërruar në tirani.”

“Për një popull që është i lirë dhe dëshiron të jetë i tillë, një polici e armatosur mirë dhe e organizuar mirë do të ishte siguria e tij më e mirë.”

“Forca është parimi vital dhe prindi i afërt i despotizimit.”

“Miqësia është një tjetër emër për aleancën me marrëzitë dhe fatkeqësitë e të tjerëve. Pjesa jonë e halleve është e mjaftueshme: pse atëherë vullnetarisht hyjmë në ato të të tjerëve?”

“Ai që di më së shumti, e di sa pak ai di.”

“Ai që di më pak është më pranë së vërtetës, se ai mendja e të cilit është e mbushur me rrena dhe gabime.”

“Historia në përgjithësi na informon ne vetëm sa e keqe është qeveria.”

“Ndershmëria është kapitulli i parë në librin e mençurisë.”

“Sa shumë dhimbje na kanë kushtuar ne ligësitë që nuk ndodhën kurrë.”

“Unë e urrej luftën dhe e shoh atë si ndëshkimin më të madh të njerëzimit.”

“Unë jam një epikurian. I konsideroj doktrinat burimore (jo të interpretuaraI të Epikurit si thelb të gjithçkaje racionale në filozofinë morale të cilën grekët dhe romakët na e lanë trashëgim.”

“Jam shokuar kur më thanë se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shitja e një libri mund të bëhet temë e një hetimi, dhe e një hetimi kriminal gjithashtu.”

“Unë besoj se çdo mendje njerëzore ndjen kënaqësi kur i bën mirë tjetrit.”

“Unë nuk mund të jetoj pa librat.”

“Unë nuk blej asnjë gazetë dhe nuk lexoj asnjë gazetë një muaj, dhe pastaj e ndiej veten pafundësisht më të lumtur.”

“Mendoj se më i lumturi është ai për të cilin bota flet më pak, mirë apo keq.”

“Nuk kam synim të qeveris njerëz; është një detyrë e dhimbshme dhe e pagratshme.”

“Unë nuk druaj se rezultati i eksperimentit tonë do të jetë që njerëzve t’iu besohet ta qeverisin veten pa një padron.”

“Unë kam parë mjaft një luftë, sa që nuk dua më të shikoj një luftë tjetër kurrë.”

“Unë jam betuar në alatarin e Zotit të kem armiqësi të përjetëshme kundër çdo forme të tiranisë mbi mendjen e njeriut.”

“Unë shpresoj se zgjuarsia jonë do të rritet bashkë me fuqinë tonë, dhe të na mësojë ne se, sa më pak ta përdorim fuqinë tonë, aq më të mëdhenj do të jemi.”

“Mua më pëlqejnë më shumë ëndërrat e së ardhmes se historia e së kaluarës.”

“Unë kurrë nuk e konsiderova një ndryshim opinioni në politikë, në religjion, në filozofi si shkak për t’u larguar nga një mik.”

“Unë kurrë, me fjalë as me veprime, nuk do të përkulem përballë intolerancës as nuk do të pranoj të drejtën e hetimit ndaj opinioneve religjioze të të tjerëve.”

“Unë pranoj se nuk jam miqësor ndaj një qeveri shumë energjike. Ajo është gjithmonë shtypëse.”

“Unë parashikoj të ardhmen e lumtur të amerikanëve nëse ata mund të parandalojnë qeverinë nga shkatërrimi i sindikatave nën pretekstin se po kujdesen për to.”

“Unë mendoj si romakët: se gjenerali i sotëm duhet të jetë nesër një ushtar po të jetë nevoja.”

“Më kapin drithmat për vendin tim kur mendoj se Zoti është i drejtë; se drejtësia e tij nuk mund të flejë gjithmonë.”

“Jam i vendosur në kërkimin e dijes, pa u druajtur kurrë se kërkimi i së vërtetës dhe arsyes pavarësisht në çfarë rezultati mund të çojnë, dhe në rrëzimin e çdo autoriteti që iu del pengesë atyre në rrugë.”

“Më mirë do të pranoja të papriturat e lirive të tepërta se zvogëlimin e tyre.”

“Nëse një komb pret që të jetë injorant dhe i lirë, në një shtet të qytetëruar, ai pret diçka që nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të jetë kurrë.”

“Nëse ka një parim më thellë të rrënjosur në mendjen e çdo amerikani, ai është që ne kurrë nuk do të bëjmë diçka nëpërmjet pushtimit.”

“Në çdo vend dhe në çdo kohë, kleri ka qenë armiqësor ndaj lirisë.”

“Nga pikëpamja e stilit, noto në drejtim të rrymës; nga pikëpamja e parimit, qëndro si shkëmb.”

“Injoranca është më e pranueshme se gabimi, dhe është më larg së vërtetes ai që nuk beson në asgjë se ai që beson në diçka të gabuar.”

“Mua nuk më lëndon fqinji im nëse thotë se janë njëzet zota apo se nuk është asnjë një Zot.”

“Është më mirë gjithmonë të mos kesh fare ide sesa të kesh ide të rreme; dhe të mos besosh në asgjë, sesa të besosh në mënyrë të gabuar.”

“As pasuria, as luksi, por qetësia dhe puna ju japin lumturinë.”

“Religjioni ynë duhet të lexohet në jetët tona dhe jo në fjalët tona.”

“Nuk duhet të ketë asnjë autoritet i cili të mos jetë përgjegjës para popullit.”

“Njerëzimi është më shumë i prirur të vuajë sesa të luftojë për t’i larguar format me të cilat janë mësuar.” /KultPlus.com

PriFest prezanton jurinë e konkursit të Filmave të Shkurtër

PriFest kanë prezantuar sot Jurinë e Konkursit të Filmave të Shkurtër për edicionin e 14- të i cili pritet të mbahet në data 20-25 shtator 2022, përcjellë KultPlus.

Pjesë e jurisë janë: Rona Kastrioti – Kompozitore moderne klasike, teatrore dhe filmike. Puna e fundit përfshin pjesën e prodhimit dhe reagimit për përshtatjen teatrale të Jamie Lloyds të ‘The Pulëbardha’ të Anton Chekhov me yllin e Game of Thrones Emilia Clarke; EMERGE, duke u shfaqur në West Ends Harold Pinter Theatre në Londër.

Dritan Huqi – lindur në Tiranë, Shqipëri. Ai është i diplomuar në Albanian Economic University and University of Juridik. President i “Shoqatës së Producentëve dhe Filmakers Association” Anëtar i Akademisë Europiane të Filmit në vitin 2011 është përzgjedhur për “Producers On The Move” në Cann Film uropian. Ai është producent i On Film Production një kompani prodhuese shqiptare. Ai ka prodhuar titujt e mëposhtëm: The latest film produced is “Luna Park” by Florenc Papas, “Zana” by Antoneta Kastrati , “My Lake” by Gjergj Xhuvani, “Sirin” by Senad Sahmanovic
“Gjirokastra” by Yurie Arabov, “The eise and fall of comrade Zylo” by Fatmir Koci, “The sea is heaven” by Enkelejd Luca. Në zhvillim “Pas errësirës” nga Erenik Beqiri and “Consequences of freedom” by Lorin Terezi.

Filma të tjerë; “Distant Angels” by Gjergj Xhuvani; “The Albanian” by Johannes Naber; “Alarm für Cobra 11″by Nico Zavelberg; “Kanun” by Jérémie Guez; “The Fine Line” By Tuna Kaptan, “Amsterdam Express” by Fatmir Koci; “Amaneti” by Namik Ajazi; “Honey Moons” by Goran Paskaljevic; “Alive” by Artan Minarolli; “Lenin and us ” by Saimir Kumbaro.

Ai gjithashtu ka prodhuar më shumë se 10 dokumentarë (rreth 50 episode) dhe 3 seri televizive (me 10 episode secila) dhe më shumë se 45 filma të shkurtër.

Pjesëtari i tretë i jurisë është Mitko Panov, regjisor, skenarist dhe producent filmi. 1983-88 Regjia e studimeve në shkollën e filmit Lodz. 1988-2004 Jeton në SHBA. 1992-95 Asistent Profesor i regjisë së filmit në Tisch School of the Arts, New York. 1992 anëtar themelues i Akademisë së Filmit në Nju Jork dhe degës së saj në Paris në 1998. 1995-99 Profesor në vizitë në HFF (Hochschule für Fernsehen und Film) Mynih. 1998-2008 Profesor i Asociuar, prodhim dhe regji filmash, Universiteti i Teksasit në Austin. Fituesi i Palme d’Or – Filmi më i mirë i shkurtër (1991). / KultPlus.com

Çmimi kryesor në PriFest do të mbajë emrin “Vjosa Berisha”

Këtë vit do të mbahet edicioni i 14-të i Festivalit të Filmit “PriFest”, shkruan KultPlus.

Kur janë prezantuar edhe filmat që do të garojnë për çmimet kryesore, është prezantuar edhe një risi e re.

Tashmë çmimi kryesor “Hyjnesha e Kuqe” do të mbajë emrin “Vjosa Berisha” dhe do të nisë të ndahet nga ky edicion.

Edicioni i 14-të i “PriFest”-it mbahet nga 20 deri më 25 shtator 2022 dhe i dedikohet drejtoreshës së ndjerë, Vjosa Berisha. /KultPlus.com

Fëmija

Alba Merini

Po gjete balonën e fantazisë tënde,
lidhe me inteligjencën e zemrës,
do të shohësh të lindin kopshte të magjishme
dhe mamaja jote do të bëhet bimë,
do të mbulojë me gjethet e saj.

Bëj me duart e tua dy pëllumba të bardhë
që të sjellin paqen kudo dhe rregullin e sendeve.
Por para se të mësosh të shkruash
shiko veten
në ujin e ndjenjës … / KultPlus.com

Platforma Rinore e Kosovës, mjeti dixhital inovativ për të rinjtë e vendit

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë bashkojnë forcat për të fuqizuar të rinjtë përmes mjeteve digjitale

Në një ceremoni të mbajtur sot në Muzeun Kombëtar të Kosovës, shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Michael Davenport, i dorëzoi ministrit të Rinisë Hajrulla Çeku, Platformën Rinore të Kosovës, një mjet dixhital inovativ që u mundëson të rinjve të kenë qasje në mundësitë e arsimimit, punësimit dhe angazhimit qytetar.

Kjo platformë e cila është e para e këtij lloji në Kosovë është rezultat i një bashkëpunimi të frytshëm ndërmjet OSBE, MKRS-së dhe OJQ-së “LENS”.

Kosovoyouth.com, është platformë me informacione dhe shpallje mbi mundësitë e fundit për arsimim, punësim dhe angazhim qytetar për të rinjtë e Republikës së Kosovës. Kjo platformë është e paraparë në programin e Qeverisë dhe planin operacional të Ministrisë, dhe falë punës profesionale të OSBE-së dhe NGO Lensit është aktive qe një vit. Lansimi i saj u bë si pjesë e Muajit të Rinisë të organizuar nga Ministria vitin e kaluar, dhe pas një viti menaxhim, testim dhe avancim nga ana e OSBE-së dhe NGO Lensit, Ministria e Rinisë është e gatshme që ta pranojë platformën, t’i rris kapacitetet për menaxhimin e saj dhe ta inkuadrojë në punën ditore të Departamentit të Rinisë” tha ministri i kulturës, Hajrulla Çeku, duke falenderuar po ashtu OSBE-në dhe Ngo Lens për punën e deri tanishme.

Ndërsa ambasadori Michael Davenport, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë tha që kjo platformë do të ju lehtësoj qasjen në punë dhe arsim të rinjve të vendit.

“Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se interneti dhe teknologjia kanë ndryshuar shumë mënyrën se si punëkërkuesit kërkojnë mundësi punësimi dhe se si punëdhënësit i identifikojnë punonjësit; ata tani i drejtohen platformave online me një ndalesë për të gjetur mundësi angazhimi. Platforma Kosovare Rinore lehtëson qasjen në mundësitë relevante arsimore dhe të lidhura me punën, duke e bërë atë një mjet të përsosur për rritjen individuale dhe profesionale të të rinjve” shtoi ai.

Platforma është në dispozicion në të gjitha gjuhët zyrtare dhe mund të jetë e qasshme këtu: https://kosovoyouth.com/ /KultPlus.com

Mbrëmje përkujtimore “Takim me Dorin”, në nder të Teodor Kekos

“Një mbrëmje e paharrueshme në kujtim të një njeriu që shumë prej nesh e kanë dashur pa e njohur, veç nëpërmjet vargjesh: Teodor Keko!”, tha ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në mbrëmjen kushtuar poetit, shkrimtarit e publicistit, të larguar nga jeta 20 vjet më parë.

Mbrëmja përkujtimore u zhvillua në sallën e koncerteve të Katedrales Ortodokse, me pjesëmarrjen e të vesë së Teodor Kekos, Xhulieta Kekos, të cilën ministrja e ka falënderuar që në një mbrëmje të tillë, u besoi të pranishmëve ndjenjat e saj më të thella.

Gjatë mbrëmjes kanë interpretuar vargjet e Kekos, aktorët Luiza Xhuvani, Kastriot Caushi e Kristian Koroveshi, nën tingujt e luajtura në piano nga Etrita Ibrahimi e Ardit Gjebrea.

Në këtë 20-vjetor të largimit të tij fizik, Teodor Keko ka qenë i pranishëm për adhuruesit e penës së tij, nëpërmjet aktiviteteve për nder të shkrimtarit.

Pak kohë më parë në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, u çel një ekspozitë në përkujtim te kontributit te tij të vyer në fushën e letrave shqipe dhe të publicistikës.

Kjo ekspozitë sjell për publikun krijimtarinë e Teodor Kekos, duke nisur nga botimi i tij i parë në revistën “Nëntori” (1980) dhe vëllimin e parë me poezi “Pas provimeve” botuar në vitin 1983, e deri tek “Shënimet e një gruaje” botuar pas vdekjes.

Një vend të veçantë në këtë ekspozitë zë edhe veprimtaria e tij si redaktor, por edhe si publicist, që vjen përmes artikujve në shtypin periodik të kohës. / atsh / KultPlus.com

Momenti kur Irena Papas i kishte thënë Bekim Fehmiut: Jam me prejardhje shqiptare

Irena Papas, aktorja me famë botërore ka vdekur më 14 shtator, në moshën 96 vjeçare. Në rininë e saj ishte shndërruar në një sensacion kinematografik, duke shënuar shumë suksese me role në filma të shumtë, por ajo që e bën më të veçantë për shqiptarët ishte roli i saj në filmin “Odiseu”, ku kishte luajtur bashkë me aktorin e madh shqiptar Bekim Fehmiu, shkruan KultPlus.

Bekim Fehmiu njohjen me Irena Papas e ka shkruar në librin e tij me dy pjesë “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme” , ku edhe ka ndarë detaje me lexuesit edhe për pjesën kur kanë diskutuar për prejardhjen e Irena Papas, që sipas këtij libri, Papas e kishte konfirmuar se ajo ka prejardhje shqiptare.

KultPlus ju sjell këtë pjesë nga libri i Bekim Fehmiut./ KultPlus.com

15 shtatori shënon Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë

Kombet e Bashkuara kanë shënuar 15 shtatorin si Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë. Në këtë ditë OKB-ja u kërkon të gjitha qeverive të promovojnë dhe mbështesin parimet e demokracisë, përcjell KultPlus.

Demokracia është një formë qeverisjeje në të cilën qytetarët ushtrojnë pushtetin duke votuar. Demokracia ndërtohet mbi bazat e përfshirjes. Trajtimi dhe pjesëmarrja e barabartë janë gjithashtu komponentë të rëndësishëm.

Gjithashtu, demokracia është një bllok ndërtimi për paqen dhe të drejtat e njeriut. Vendet me demokraci kanë një kushtetutë, e cila ndihmon në krijimin e një mjedisi mbrojtjeje për qytetarët e saj. Shtetet demokratike gjithashtu kanë më pak gjasa të kultivojnë terroristë. Ata janë gjithashtu më aktivë në ekonominë globale.

Demokracia e vërtetë u jep pushtet njerëzve. Ai përfshin dialogun ndërmjet shoqërive civile dhe klasave politike. Ky dialog duhet të ndikojë në vendimet e politikëbërjes. Në shumë vende të botës mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe zyrtarët qeveritarë janë nën sulm. Gratë mbeten të nënpërfaqësuara.

Për shkak të këtyre kërcënimeve, është më e rëndësishme se kurrë për të përqafuar demokracinë dhe liritë globale që ajo ofron. Është gjithashtu me rëndësi të madhe të ndihmohet në formimin e demokracive të reja. /KultPlus.com

Një nga dyshet më të frytshme të artit shqiptar, Leze Qena dhe Adem Mikullovci (VIDEO)

Leze Qena dhe Adem Mikullovci janë njohur si një nga dyshet më të njohura në teatrin shqiptar, shkruan KultPlus.

Që të dy tanimë kanë mbyllur perdet e tyre përgjithmonë, por veprimtaria që kanë lënë pas do të rrojë gjatë.

Ata kanë marrë pjesë disa seriale të njohura si “Mahmutovitët dhe Rexhepovitët”, “Katundarë dhe shehërli”, “Mahalla jonë”, etj.

Më poshtë po sjellim një nga skeçet e shumta të kësaj dysheje shumë të frytshme në artin shqiptar. /KultPlus.com

Dy vite më parë, mbylli perden përgjithmonë aktori Adem Mikullovci

Më 15 shtator 2020, pikërisht sot para dy viteve, vdiq aktori Adem Mikullovci. Ai iku për t’u përjetësuar gjithmonë përmes veprave që la pas vetes, vepra këto që filluan qysh në kohët më të vështira për popullin e Kosovës e vazhduan deri sot e kësaj dite, e ndoshta disa prej tyre akoma gjejnë vend në aktualitetin e shoqërisë së sotme kosovare, shkruan KultPlus.

Adem Mikullovci ka qenë një artist i popullit, i cili pareshtur ka punuar për popullin e Kosovës. Arti i tij nuk ka qenë vetëm një satisfaksion individual, ai ka punuar vazhdimisht duke shfrytëzuar artin e tij për të hedhur dritë mbi të këqijat që janë pjesë e këtij vendi, ka realizuar seriale e filma që kanë ardhur si një formë revolte e kundërshtimi për mendësinë e popullit tonë. Arti i tij gjithmonë ka përçuar mesazhe të fuqishme.

‘Po e lëshoj perden, dhe po i fiku dritat….Teatri i jonë Leze-u mbyll’, ishin këto fjalët që qarkulluan më së shumti në rrjetet sociale. Këto fjalë të shkruara aq thjeshtë por që aq shumë e përshkruajtën dhimbjen e madhe që Adem Mikullovci pati me vdekjen e Leze Qenës, duke u mbyllur kështu një epokë e artë e artit teatral. Mirëpo, e vërteta nuk qëndron kështu sepse arti i tillë është, jeton e përjetësohet me shekuj e shekuj, duke i dhënë frymë secilit artist edhe pas vdekjes.

Teatri i Ademit, i Lezes, i Xhevatit, Shanisë e shumë të tjerëve, nuk u mbyll, ai veçsa ka marrur një formë tjetër, duke emëruar vetveten si Epoka e Artë e Teatrit të Kosovës.

Në këtë përvjetor, Teatri Kombëtar i Kosovës nuk ka harruar ta kujtoj aktorin e njohur.

“2 vite me parë, mbylli perden përgjithmonë aktori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Adem Mikullovci!
Në këtë përvjetor, TKK e kujton me mall e dashuri, Bacen Adem”, shkruajnë nga TKK. / KultPlus.com

Premiera e “Monade” nga Robert Bisha dhe Filharmonia e Kosovës

Fondacioni Lumbardhi ka kënaqësinë ta prezantojë premierën botërore të veprës “Monade” të kompozuar nga kompozitori, pianisti dhe poli-instrumentalisti Robert Bisha, ko-komisionuar nga Fondacioni Lumbardhi dhe Filharmonia e Kosovës, të shtunën me 17 shtator, me fillim nga ora 20:00 te Kino Lumbardhi.

Pas performancës në solo piano “Home Neverland” në vitin 2020, Bisha u rikthye në Prizren këtë pranverë për një rezidencë artistike, ku filloi procesin e hulumtimit dhe kompozimit, duke u njoftuar me historinë e Kino Lumbardhit dhe rrethanat e ndryshueshme përgjatë 70 viteve të saj, përmes studimeve dhe takimeve me pjesëtarë të komunitetit artistik.

Duke u nisur nga ky kërkim, ai komponoi “Monade”, një suitë sinfonike për pianoforte, orkestër, kor, solistë instrumente të folkut të rimodernuar dhe kinema, ku kinemaja konsiderohet si nje instrument i përfshirë në orkestër. Kino Lumbardhi merret si epiqendër  për shqyrimin e tematikave kyqe që i përkasin historisë së qytetit të Prizrenit.

Kështu, nga perspektiva e kompozitorit, qyteti merret si vend shembullor për angazhimin e tij shoqëror përmes ndryshimeve që kanë nisë te Kino Lumbardhi. Regjisurën e filmimeve të qytetit Bisha i ka realizuar gjatë qëndrimit në Prizren, ndërkohë që ato ndërthurren në një çasje poetike nga një një grup i regjisorëve dhe kontribuesve, për të krijuar ndërveprim instrumental pamor si pjesë të koncertit.

Për premierën e “Monade” me 17 shtator Robert Bisha do të jetë i shoqëruar nga pjesëtarë të orkestrit dhe korit të Filarmonisë së Kosovës që e përkrahën Lumbardhin në këtë iniciativë dhe e mirëpritën suitën, me rast të hapjes së sezonit koncertal.

Ky koncert u mundësua me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Zyrës Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim si dhe Komunës së Prizrenit. /KultPlus.com

Ky është koeficienti i propozuar për mësimdhënësit e profesorët universitarë

Sot ka dalë në konsultim Ligji për Paga për sektorin publik, derisa palët kanë mundësi të japin mendimet e tyre deri më 6 tetor.

Zyra e Kryeministrit në dokumentin e publikuar ka nxjerr koeficientët e propozuar për të gjithë punëtorët shtetërorë, ku sipas tyre është propozuar që të jetë paga.

Për mësimdhënësit në shkollat e mesme të lartë është propozuar të vlerësohen me koeficient prej 5.8, kurse për mësimdhënësit në shkollat fillore dhe ato të nivelit të ulët është propozuar koeficient 5.6.

Me koeficient 5.2 janë vlerësuar mësimdhënësit në institucionet parashkollore.

Sa i përket profesorëve, është propozuar që ata të rregullt të kenë koeficient 12.4, ata të asocuar koeficient 11.4, kurse me 10.4 janë vlerësuar profesorët asistent./ Express / KultPlus.com