Aleksandër Gjoka, një zë i thellë e fort i veçantë i ka dhënë shumë muzikës shqiptare. Duke mbetur i tillë për vite të tëra në skenë, ka mbetur i pakrahasueshëm në mesin e artistëve shqiptarë, shkruan KultPlus.
Me stilin e paraqitjet e tij, ai shpesh është veçuar në festivalet jo dhe të pakta ku është prezantuar. Performancat e tij si i vetëm e me grupin “Tre musketierët” kanë lenë shije të paharruar tek publiku.
Gjoka i i ka kënduar dashurisë së shkuar, zemrës së një gruaje, shiut e pranverës. Më së shumti, ai mbahet mend për këngën e dimrit, për zbrazëtinë e ikjes. Ani pse me dy vargje, ndërthurja e fjalëve të jep një histori të tërë të shtrirë në tinguj.
KutlPlus sot ju kthen nostalgjinë për zërin e Gjokës, duke e risjell këtë këngë: / KultPlus.com
Liderët botërorë dhe qytetarët në të gjithë botën kanë nderuar Mbretëreshën ElizabethII, e cila ndërroi jetë të enjten në moshën 96-vjeçare në Pallatin Balmoral në Skoci.
Mijëra qytetarë u mblodhën të enjten mbrëma në Londër afër Pallatit Buckingam duke vendosur lule.
Kurora dhe buqeta në nderim të mbretëreshës u vendosën edhe në Kështjellën Uindsor dhe në rezidenca të tjera mbretërore, për të nderuar monarken që mbretëroi për 70 vite.
Homazhe në nder të saj u bënë nga SHBA-ja e Kanadaja deri në Japoni e Australi nga qytetarë të ndryshëm të cilët vendosën lule jashtë ambasadave apo katedraleve.
Flamujt u ulën në gjysmë shtizë në mbarë botë, përfshirë në Uashington, Berlin, e Bruksel, ndërsa në Paris Kulla Eiffel fiku dritat në mesnatë në nderim të Mbretëreshës.
Liderët botërorë shorehën ngushëllime për familjen mbretërore, duke lartësuar figurën e papërsëritëshme të Mbretëreshës Elizabeth.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se ajo ishte “një mbretëreshë me zemër të mirë” dhe një “mike e Francës”.
Presidentët amerikanë kujtojnë Mbretëreshën
Presidenti amerikan, Joe Biden, i cili që për herë të parë takoi Mbretëreshën 40 vite më parë tha se ajo ishte “më shumë se sa një monarke”.
Kujtojmë se Mbretëresha Elizabeth II gjatë mbretërimit të saj ka takuar 13 presidentë të SHBA-së.
Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, tha se Mbretëresha “magjepsi botën” me “mbretërimin e saj me mirësi, elegancë dhe me një punë të palodhur etike”.
Edhe ish-lideri amerikan, Donald Trump, tha se “nuk do të harroj kurrë miqësinë e saj, mençurinë dhe sensin e mrekullueshëm të humorit”.
Ish-udhëheqësi tjetër amerikan, George W Bush e përshkroi Mbretëreshën si njeri “me intelekt të mardh, hijeshi dhe zgjuarsi”.
Në Kanada, ku Mbretëresha Elizabeth ishte kryetare shteti, kryeministri kanadez, Justin Trudeau, tha se ajo kishte “një dashuri të madhe për kanadezët”.
“Në një botë komplekse, vendosmëria dhe qëndrueshmëria e saj solli rehati për të gjithë ne”, tha ai, duke shtuar se do t’i mungojnë bisedat me të.
“Ajo ishte një ndër njerëzit e mi më të preferuar në botë dhe do të më mungoj”, tha Trudeau teksa mbante lotët.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se “përkushtimi i saj për pajtimin gjermano-britanik pas tmerreve të Luftës së Dytë Botërore do të mbetet i paharruar”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po ashtu ka reaguar pas lajmit për vdekjen e monarkes britanike. Ai tha se është “pikëlluar” kur ka marrë lajmin për vdekjen e Mbretëreshës britanike.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se “empatia dhe aftësia e Mbretëreshës për t’u lidhur me çdo gjeneratë që kalonte, përderisa qëndronte e vendosur në traditë, ishte një shembull i udhëheqjes së vërtetë”.
Familjet mbretërore shprehin ngushëllime
Mbreti Willem-Alexander i Holandës, i cili është kushëriri i pestë i Mbretëreshës tha se ai dhe Mbretëresha Maxina e kujtojnë Mbretëreshën britanike si person “të palëkundur dhe të mençur”.
Mbreti i Suedisë, Carl XVI Gustaf, po ashtu një kushëri i largët i Mbretëreshës Elizabeth – tha se ajo ishte “gjithmonë një mike e dashur e familjes dhe një lidhje e çmueshme me historinë që ndajnë familjet tona”.
Ndërkaq, në Belgjikë, Mbreti Philippe dhe Mbretëresha Mathilde, thanë se ajo ishte “një personalitet i jashtëzakonshëm, e cila gjatë mbretërimit të saj tregoi dinjitet, kurajë dhe devocion”.
Në Arabinë Saudite, Mbreti Salman dhe Princi i Kurorës bin Salamn, kanë dërguar telegrame ngushëlluese, duke e cilësuar Mbretëreshën britanike si model për udhëheqje.
Mbetëresha Elizabeth II ishte monarkja më jetëgjatë në historinë britanike, e cila mori fronin në vitit 1952.
Në krye të Mbretërisë së bashkuar tashmë është djali i saj i madh, Charles, ish-Princ i Uellsit, i cili merr titullin Mbreti Charles III. / KultPlus.com
E mban mend, moj Marë, dashurin’ e parë? Njeri nuk e gjegji, se jeshmë te vegji. Unë pa ty s’rroj, vij’ e të kërkoj; tl pa mua s’rroje, vij’ e me kërkoje. Në lule me erë putheshim ngahere, dhe si burr’ e grua losnim nënë ftua. Një ditë, të dyza losnim mbylla-syza: U fshyem pa dukur Cinë të besoj taninë, perëndin’ a dashurinë? Perëndi në këte jetë është dashuria vetë. —— Bukuria jote, leshërat e tua posi pëndë korbi, të gjata mbi thua,ballëtë si diell, faqetë si mollë,qafa jot’ e gjatë, mesi yt i hollë,sisëtë si shegë, dhëmbët si thëlpënjë,buzët si burbuqe, sytë si gështënjë, dora si dëborë, fjala jote mjaltë, kurmi yt i derdhur, shtati yt i naltë; gjithë më kënaqin, të tëra t’i dua, po zëmëra jote u bë gur për mua! —– Pika-pika bie shiu dhe dëbora flokë-flokë, vetëtin e fryn veriu, breshëri kërcet mi tokë! Le të fryjë er’ e ftohtë, s’ka ç’më bën dimëri mua: Dashuria më mban ngrohtë, se pushtoj atë që dua. Kur fryn era me tallas, kur bie dëbor’ e shi, sa flë njeriu me gas, kur ka mikenë në gji!/ KultPlus.com
Pas botimeve të librave të saj në Kanada, Kamerun dhe Filipine, autorja Irma Kurti sjell për lexuesin shqiptar romanin e saj më të ri të titulluar “Ditët e fundit të një qyteti” nën logon e shtëpisë Botuese “Lena Graphic” në Prishtinë. Ky libër u botua së fundi edhe në gjuhën angleze me titullin “The last days of a city”.
Romani, i shkruar gjatë periudhës së mbylljes nga pandemia u vlerësua si fitues në Konkursin “Letteratura” të shpallur nga Instituti Italian i Kulturës në Napoli, në seksionin e romanit të pabotuar. Redaktor i librit është Sejdin Cekani dhe imazhi i kopertinës nga Biagio Fortini.
Irma Kurti sjell gjithashtu edhe një botim tjetër që mban emrin e babait të saj, mjekut Hasan Kurti. Siç shprehet ajo në parathënien e librit “Prozat poetike dhe aforizmat janë marrë nga ditari i babait tim dhe nga libri ‘Kujtimet e një mjeku’. Në vitin 2022 ato u botuan në gjuhën angleze nga shtëpia botuese “Poetry Planet Book” dhe kopje të tij ndodhen në Bibliotekën Kombëtare në Filipine. Në këto shënime zbulohet dëshmia e tim eti, vullneti e këmbëngulja, kuraja për të jetuar jetën dhe për të buzëqeshur, deri në çastin e fundit të ekzistencës së tij, me gjithë vështirësitë e panumërta.”
Në vitin 2021 “I ricordi di un medico”(Kujtimet e një mjeku) u përzgjodh nga 600 veprat që konkuruan në Konkursin Kombëtar Letrar “Tre colori” në Lenola (Latina) dhe u shpall si një nga 200 librat më të bukur në Itali. Në 2022, ai fitoi çmimin e tretë në Edicionin e XXI – të të Konkursit letrar “La lanterna bianca” në Messina të Sicilisë. Kjo vepër u nderua sërish me vendin e tretë në Konkursin Ndërkombëtar Universum, 2022, të organizuar nga Akademia Universum në Zvicër./diasporashqiptare/ KultPlus.com
Mbreti Charles III i është drejtuar për herë të parë popullit Britanik, pasi ka marrë postin më të lartë mbretëror, edhe pse do të zyrtarizohet ditën e shtunë.
Gjatë fjalimit të tij para popullit Britanik ai premtoi se do t’iu shërbejë me besnikëri gjithë qytetarëve.
Ndërkohë Mbreti Charles III i cili do të ngjitet në fron në moshën 74-vjeçare, ia ka trashëguar titullin Princ i Uellsit, djalit të tij të madh Ëilliam dhe bashkëshortes së tij Kate Middelton.
Mbreti ka kujtuar edhe nënën e tij, Mbretëreshën Elizabeth II, e cila vdiq dje, duke u kthyer prapa në vitin 1952, kur ajo ishte bërë mbretëreshë e Britanisë së Madhe.
“Kur mbretëresha erdhi në fron, Britania dhe e gjithë bota përballeshin ende me pasojat e Luftës së Dytë Botërore dhe jetonin në konditat e kohërave të mëhershme. Në kursin e 70 viteve që pasuan, shoqëria jonë është bërë e kulturave dhe besimeve të shumta”, është shprehur ai.
Mbreti Charles është zotuar për shërbim të pakushtëzuar popullit britanik.
“Siç ka bërë edhe vetë Mbretëresha duke shërbyet me devotshmëri, edhe unë zotohem solemnisht që për kohën sa më ka falur Zoti, do t’u përbmahem parimeve kushtetuese që janë në zemër të kombit tonë”, ka thënë ai.
Adresimi i tij është mbyllur me një dedikim nënës së tij.
“Dhe nënës sime të dashur, derisa nisni rrugëtimin tuaj të madh për t’iu bashkuar babait, dua vetë të të them: faleminderit. Faleminderit për dashurinë dhe përkushtimin ndaj familjes sonë dhe familjes së kombit të cili i ke shërbyer me diligjencë për gjithë këto vite”, ka thënë ai. /Express/ KultPlus.com
Në natën plot acar një zjarr desha të ndez Por, nata ish e ftohtë, ah, ç’tmerr i zi që ish, Ndaj që të mbahej gjallë ky zjarrth n’atë rrebesh Diçka përherë kërkonte, kërkonte vazhdimisht.
Ndaj si shtegtari murg, që shkarpat mblesh në terr, Unë hidhja n’atë zjarr gjymtyrët pa pushim. Por ishin pak ato, ndaj fill pas tyre rresht Mbi të nisa të hedh copëra të shpirtit tim.
Se s’bëhej ndryshe, dot, se s’bëhej ndryshe, eh, Se duhej që dikush ta mbante atë flakë. Në flakëzën-delir që veç vajosja sjell Të frikshme pamje ndritnin e dridheshin përqark.
I shihnit vallë ato, dallonit vallë diçka Ndërsa rreth meje nata me terr e ujq u mbush. Se donin që të gjithë ta fiknin atë zjarr, Dikush me ligësi e me padije dikush.
Të tjerë majë kodrash ku dielli kishte rënë Të tyret zjarre ndrisnin dhe qeshnin që përtej. Se s’donin të kuptonin ç’bëhej këtu brenda Se ç’fli kërkon një flakëz që lindet në një terr.
I lodhur nganjëherë kam thënë: shuhu pra, Në qoftë se nuk të duan, të bjerë natë e pafund. Të verbtit sytë tuaj kështu ndoshta do t’jenë Në terrin absolut pa shqetësim kurrkund.
Po prapë diçka më shtynte të ngrihem si somnambul, Si murgu shkretimtar që shkarpat verbtaz mbledh Dhe sipër zjarrit prap’ të hedh gjymtyrët akull Dhe copërat një nga një të shpirtit tim të hedh.
Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Ministrisë së Inteligjencës së Iranit dhe kreut të këtij institucioni, duke i akuzuar se qëndrojnë pas sulmit kibernetik ndaj Shqipërisë, në muajin korrik.
Sanksionet e vendosura më 9 shtator, u tha se kanë të bëjnë edhe me aktivitete të tjera kibernetike të Republikës Islamike ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj.
Ky njoftim vjen pasi Shqipëria, më 7 shtator, njoftoi për shkëputjen e raporteve diplomatike me Iranin, për shkak të sulmit të korrikut, dhe urdhëroi diplomatët iranianë dhe stafin diplomatik që të largoheshin nga shteti brenda 24 orësh.
Përmes një deklarate, Departamenti amerikan i Thesarit tha se Ministria e Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit drejton disa rrjete të aktorëve të kërcënimeve kibernetike, përfshirë edhe ata që janë të angazhuar në spiunazh kibernetik dhe sulme kompjuterike në mbështetje të Qeverisë iraniane.
Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Ministrisë së Inteligjencës së Iranit dhe kreut të këtij institucioni, duke i akuzuar se qëndrojnë pas sulmit kibernetik ndaj Shqipërisë, në muajin korrik.
Sanksionet e vendosura më 9 shtator, u tha se kanë të bëjnë edhe me aktivitete të tjera kibernetike të Republikës Islamike ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj.
Ky njoftim vjen pasi Shqipëria, më 7 shtator, njoftoi për shkëputjen e raporteve diplomatike me Iranin, për shkak të sulmit të korrikut, dhe urdhëroi diplomatët iranianë dhe stafin diplomatik që të largoheshin nga shteti brenda 24 orësh.
Përmes një deklarate, Departamenti amerikan i Thesarit tha se Ministria e Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit drejton disa rrjete të aktorëve të kërcënimeve kibernetike, përfshirë edhe ata që janë të angazhuar në spiunazh kibernetik dhe sulme kompjuterike në mbështetje të Qeverisë iraniane.
Sulmet e korrikut shkaktuan ndërprerje të përkohshme të qasjes në ueb-faqet qeveritare dhe të shërbimeve të tjera publike. Anlistët thanë se operacioni kishte për qëllim të ndëshkonte Shqipërinë për mbështetjen e disidentëve që strehohen në vend.
Irani ka shpërfillur “normat e sjelljes së përgjegjshme të shtetit në kohë paqeje në hapësirën kibernetike”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, sipas deklaratës së lëshuar nga SHBA-ja. / KultPlus.com
Mbretëresha e Britanisë së Madhe Elizabeth II u nda nga jeta në datën 8b shtator të vitit 2022 në moshën 96-vjeçare.
Monarkja britanike zgjodhi që ditët e fundit të jetës t’i kalonte në Kështjellën Balmoral, e cila ndodhet në malësinë e Skocisë.
Përse Mbretëresha Elizabeth II zgjodhi Kështjellën e Balmoral për të kaluar ditët e fundit të jetës?
Mbretëresha e Britanisë së Madhe Elizabeth II u nda nga jeta në datën 8b shtator të vitit 2022 në moshën 96-vjeçare.
Monarkja britanike zgjodhi që ditët e fundit të jetës t’i kalonte në Kështjellën Balmoral, e cila ndodhet në malësinë e Skocisë.
Ky është misteri që mediat britanike por edhe ato botërore po kërkojnë t’i japin zgjidhje.
Disa nga mediat e lidhin Mbretëreshën me Kështjellën Balmoral, pasi aty ajo mendohet se ka kaluar ditët më të bukura të saj me bashkëshortin e ndjerë Princin Filip.
Ndërkohë që sipas komentatorit mbretëror Afua Hagan, Kështjella Balmoral ishte vendi i preferuar i Mbretëreshës, pasi aty ajo ka kaluar pjesën më të madhe të fëmijërisë së saj.
Ndërsa disa të tjerë e lidhin me rëndësinë që Skocia ka për bashkimin e ishullit.
Çfarë është Kështjella Balmoral?
Balmoral është një pronë prej 50,000 hektarësh në Aberdeenshire, Skoci, që shërbeu si rezidencë private e Mbretëreshës, në vend të një rezidencë mbretërore që i përkiste pasurisë së Kurorës.
E blerë në 1852 nga Princi Albert si dhuratë për gruan e tij Mbretëreshën Victoria, kështjella aktuale u përfundua në 1856.
Mbretëresha kaloi pushimet verore atje, që datojnë që nga fëmijëria e saj.
Ajo kaloi një pjesë të muajit të saj të mjaltit me Princin Philip, i cili vdiq në prill 2021, në Birkhall, një shtëpi fshati në pasurinë Balmoral.
Princi Charles dhe Princesha Diana kaluan muajin e mjaltit në Balmoral. Gjithashtu në Kështjellën Balmoral Princat William dhe Harry mësuan për vdekjen e nënës së tyre Princeshë Dianës në vitin 1997-të.
“Është një vend … që ishte popullor me të,” tha Hagan. “Kjo është vendi ku ajo u fejua, asaj thjesht i pëlqente të kalonte verërat e saj atje, dhe në fakt, atje ajo dhe Princi Philip kaluan kohët e tyre më të lumtura. Kaq shumë foto të bukura të realizuara në atë pronë.” / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ka falënderuar Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në kuadër të angazhimit të tij për sigurinë në rajon, përcjell KultPlus.
“Një falenderim personal për Sekretarin @SecBlinken për angazhimin e tij të palëkundur për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë dhe më gjerë.
Ne u jemi mirënjohës partnerëve tanë amerikanë që qëndrojnë gjithmonë me popullin e Kosovës. Së bashku, ne do të shkojmë nga forca në fuqi!”, ka shkruar ajo. / KultPlus.com
A personal thank you to Secretary @SecBlinken for his unwavering commitment to peace and security in our region and beyond.
We are grateful to our U.S. partners for always standing with the people of Kosovo. Together, we will go from strength to strength! 🇽🇰🤝🇺🇸 https://t.co/NmNID7fKJ4
Ministri Çeku sot takoi kryetarin e Komunës së Istogut, Ilir Ferati, dhe bashkëpunëtorët e tij.
Bashkë diskutuan për projektet insfrastrukturore në fushën e kulturës, rinisë, sportit dhe trashëgimisë kulturore.
Ministri e njoftoi me punët që janë bërë në asete të trashëgimisë kulturore deri tani në këtë zonë. Përfundimi i punëve në kullën e Hamdi Halil Osmanaj në Trubohovc, në kullën e Halil Ali Mavrajt në Staradoran, po ashtu në kullën në Orobërdë.
Diskutuan gjithashtu për palestrën e edukatës fizike të gjimnazit “Hysni Zajmi” në Vrellë. U dakorduan të që të prioritizojnë intervenimet dhe të shihet mundësia e buxhetimit të MKRS që punët që janë zvarritur të përfundojnë.
Palestra e qytetit është një tjetër projekt që ka nevojë për renovim. U dakorduan që Komuna të dorëzojë projektin dhe pasi të analizohet detajisht, MKRS të japë propozim për mundësitë e buxhetit që mund të ndahen për këtë projekt.
Ministri Çeku u propozoi disa projekte potenciale.
Restaurimin dhe funksionalizimin e Burgut të Gurakocit. Të themelohet një grup i përbashkët, Komunë, MKRS, QRTK Pejë dhe të fillojë puna në mënyrë që kësaj hapësire t’i jepet funksion dhe të përdoret nga komuniteti.
Po ashtu u diskutua për krijimin e një Akademie të futbollit në bashkëpunim me një donator gjerman. Komuna u zotuan të ndahet lokacioni dhe ky projekt të filloj.
Në takim u fol gjithashtu që muzeu etnologjik të bartet nga vendi ku është në një lokacion të ri. Nga MKRS u kërkua të sigurohen inventari dhe të punohet në një koncept kuratorial të ekspozitës.
Ministri Çeku e njoftoi kryetarin Ferati për dy programet shtetërore që pritet të fillojnë nga viti i ardhshëm në të gjitha komunat e Kosovës, që janë programi i artit në shkolla dhe sportit në shkolla, ndërsa mori përgjigje pozitive për të punuar së bashku në zbatim. / KultPlus.com
Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila ishte në pushtet për 16 vjet, ka planifikuar të publikojë kujtimet e saj politike në vjeshtën e vitit 2024, njoftoi sot botuesi i saj.
“Kujtimet, të shkruara së bashku me këshilltaren e saj politike, Beate Baumann, do të ofrojnë një pasqyrë ekskluzive të jetës personale dhe veprës politike të Merkelit”, thanë botuesit e “Kiepenheuer & Witsch”.
Në një deklaratë Merkel shkroi: “Mezi pres të pasqyroj vendimet qendrore dhe pikat kryesore të karrierës sime politike në librin tim, të shkruar së bashku me Beate Baumann, dhe gjithashtu, t’i bëj ato të kuptueshme për një publik të gjerë, duke iu referuar historisë sime personale”.
Merkel, 68 vjeç, nuk kandidoi për rizgjedhje në Bundestag shtatorin e kaluar. Partia e saj konservatore humbi ndaj Social Demokratëve dhe ajo u pasua si kancelare nga Olaf Scholz.
Kerstin Gleba e shtëpisë botuese “Kiepenheuer & Witsch” tha se Merkel e kishte udhëhequr vendin përmes krizave dramatike duke i dhënë formë politikës dhe shoqërisë gjermane dhe ndërkombëtare në një mënyrë unike përmes veprimeve dhe qëndrimeve të saj.
Gleba tha se kujtimet e Merkelit ishin një dokument i rëndësishëm i historisë bashkëkohore ndërkombëtare. / KultPlus.com
Pas performancës së djeshme të Rita Orës dhe organizimit të Sunny Hill Festival pak ditë më parë, kryeqyteti do të përjetojë një tjetër koncert me emrat më të njohur të muzikës rock. Të gjithë ata dashamirës kësaj rryme muzikore do të kenë mundësi që të ndjekin një mbrëmje të dedikuar me këngëtarët dhe grupet e njohura shqiptare.
T-Rocks është një manifestim i rokerëve më të mirë shqiptarë ndër vite, yjeve të së sotmes e talenteve të së ardhmes dhe një reflektim muzikor shpërthyes i Tiranës si Kryeqytet Europian i Rinisë. Më 10 Shtator tek Amfiteatri i Liqenit të Tiranës, do të keni mundësinë të ndiqni artistë si Eugent Bushpepa, Jericho, Bojken Lako, Brios Band, Edea Demaliaj & Band, Grupi Burn, Offchestra dhe Niki & Band.
Tirana është kthyer në një qendër të njohur për evente të mëdha. Koncerti organizohet në kuadër të programit Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022 me mbështetjen e Kongresit Rinor Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë./ KultPlus.com
Jeta e përditshme e mbretëreshës diktohej sa nga punët zyrtare, aq edhe nga zakonet e saj të preferuara.
Mëngjesi i saj fillonte herët, në orën 07:30, kur zgjohej nga gjumi në pallat, gati për një filxhan çaj të sapo bërë.
Një shoqëruese, e veshur mirë, mbante një tabaka me dy filxhanë argjendi të markës ”Earl Grey”, që kishte pijen e preferuar të mbretëreshës si dhe ujë të nxehtë.
Tabakaja përmbante edhe qumësht pa sheqer dhe disa biskota, përpara mëngjesit të saj të vërtetë.
Kupa e qumështit dhe pjata ishin prej porcelani. Kishte edhe një pecetë prej liri me stemën mbretërore “EIIR”.
Kamerierja vendoste tabakanë në një tavolinë pranë shtratit, hapte perdet dhe ndizte radion.
Kanali i preferuar i mbretëreshës ishte programi ”Today” i BBC Radio 4. Më pas shërbëtorja e shoqëronte në banjën ngjitur në suitën saj, ku ajo preferonte të bënte dush dhe të pinte kafe të zezë.
Ndërsa mbretëresha bënte banjë, kujdestarja e saj përgatiste fustanin e parë të ditës në dhomën e zhveshjes. Mbretëresha ndonjëherë duhej ta ndryshonte disa herë në ditë, në varësi të orarit të saj.
Pasi vishej, parukierja e mbretëreshës i krihte flokët në stilin e saj të njohur.
Mëngjesi shërbehej në orën 08:30 në dhomën private të ngrënies së mbretëreshës, në katin e parë, me pamje nga kopshti i pallatit.
Drithërat ruheshin në enë plastike dhe një pjatë me fruta ishte gati për mbretëreshën.
Philip, i cili vdiq në 2021, do të kërkonte gjithashtu një radio tranzistor të modës së vjetër, në të djathtë të tij, midis kosit dhe tasit me fruta.
Një pecetë e bardhë e trashë e qëndisur me stemën ”EIIR” ishte palosur në tavolinën ngjitur së bashku me një filxhan dhe tabaka për çajin ”Earl Grey”, mjaltë dhe shurup panje si edhe lugë argjendi për dy llojet e reçelrave.
Mbretëresha lexonte edhe shtypin e përditshëm si ”Daily Telegraph” dhe ”Racing Post”, por skanonte shpesh të gjitha gazetat e mëngjesit dhe arkivonte gjithashtu një tufë copëza gazetash çdo ditë. Biseda do të kalonte në angazhimet zyrtare të ditës e deri tek gjërat e përditshme.
Gajdexhiu i veshur me rroba mbretërore luante për të çdo ditë jave në orën 09:00 për rreth 15 minuta ndërsa ishte në rezidencë në Buckingham Palace, Windsor, Holyroodhouse Palace në Edimburg ose kalanë Balmoral, në malësitë skoceze.
Nga ora 09:30, mbretëresha ishte zakonisht e ulur në tavolinën e Chippendale në dhomën e saj të ndenjes, e cila gjithashtu funksiononte si zyrë.
Në tavolinën e saj kishte dy bojëra, të zezë, që përdorej për nënshkrimin e dokumenteve zyrtare dhe jeshile për letrat personale.
Ajo përdorte gjithmonë letër fshirëse të zezë në mënyrë që askush të mos shihte se çfarë kishte shkruar dhe shkrimi i saj ruhej në një dosje lëkure me stemën mbretërore.
Çdo ditë, në tryezën e saj silleshin nga 200 deri në 300 letra nga publiku. Mbretëresha do të bënte një përzgjedhje për t’i lexuar vetë dhe do t’i tregonte stafit të saj se si do të dëshironte që t’i përgjigjeshin.
Pothuajse çdo letre i përgjigjej stafi, në zyrën e sekretarisë së saj private.
Çdo ditë të çdo viti, kudo që të ishte, mbretëresha merrte nga ministrat e qeverisë dhe nga përfaqësuesit e saj në Komonuelth dhe në vendet e huaja, informacione në formën e dokumenteve të politikave, dokumenteve të kabinetit, telegrameve të Ministrisë së Jashtme, një përmbledhje ditore të ngjarjeve në Parlament dhe letra të tjera shtetërore.
Këto ia dërgonin sekretaret private në kutitë e famshme të kuqe.
Të gjitha këto dokumente duhej të lexoheshin dhe, kur ishte e nevojshme, të miratoheshin dhe të nënshkruheshin.
Më vonë në mëngjes, një zonjë në pritje do të thirrej në dhomën e ndenjjes dhe do t’i kërkohej t’i përgjigjej korrespondencës. Në mëngjes, mbretëresha takonte shpesh diplomatë të huaj që paraqisnin kredencialet e tyre, shefat ushtarakë në emërimin ose daljen në pension dhe peshkopët dhe gjyqtarët anglezë në emërimin e tyre.
Çdo audiencë private zgjaste nga 10 deri në 20 minuta.
Mbretëresha ndonjëherë e përfundonte mëngjesin duke takuar një numër ministrash të qeverisë në një mbledhje të Këshillit të Privatësisë.
Kur ajo ishte në shtëpi, në Pallatin Buckingham, dreka hahej zakonisht vetëm, megjithëse herë pas here ftohej një zonjë në pritje. Çdo dy muaj, ajo dhe duka ftonin një duzinë të ftuar nga një larmi prejardhjesh, në një drekë jozyrtare.
Menjëherë pas drekës, nëse kishte kohë, mbretëreshës i pëlqente të shëtiste në kopshtin e pallatit me qentë e saj, zakonisht vetëm dhe e pa shqetësuar.
Kur mbretëresha dilte për angazhime publike, ajo përgatitej duke lexuar shënime rreth sfondit se me kë po takohej dhe çfarë do të bënte. Kur ishte në kryeqytet, mbretëreshës i pëlqente të kthehej në suitën e saj të pallatit deri në orën 17:00 për të pirë çaj.
Shërbeheshin edhe sanduiçe si edhe torta e preferuar e mbretëreshës ”Dundee”.
Qentë Corgis dhe Dorgis hanin thërrime dhe ndonjëherë trajtoheshin me kërpudha me reçel dhe krem të mpiksur.
Pas çajit, mbretëresha kthehej në tryezën e saj për një orë apo më shumë dhe, nëse nuk kishte festa në mbrëmje, tërhiqej në dhomat e saj private.
Të mërkurave, në orën 18:30, mbretëresha mbante audiencë me kryeministrin.
Kjo ndryshonte nëse mbretëresha ose kryeministri ishin larg. Ata flisnin në telefon.
Si kreu i shtetit, mbretëresha mbante kontakte të ngushta me kryeministrin dhe me ministrat e tjerë të kurorës.
Ajo ishte si mikpritëse e krerëve të shteteve të Komonuelthit dhe vendeve të tjera kur ata vizitonin BM.
Rreth orës 19:30, mbërrinte një raport i punimeve parlamentare të ditës dhe mbretëresha e lexonte këtë gjithmonë në të njëjtën kohë.
Darka, kur nuk kishte të ftuar dhe nuk kishte angazhime publike, ishte një çështje relaksi për mbretëreshën dhe Filipin, të cilët preferuan të mbanin rroba të rehatshme dhe jo zyrtare.
Mbretëresha nuk ishte shumë e interesuar për ushqimin. Ajo nuk kujdesej shumë për supën apo gatimet pikante dhe i pëlqente mishi i qengjit, viçi i pjekur, mishi i deles, pula dhe salmoni.
Ajo shijonte një koktej me xhin dhe herë pas here pinte verë gjatë darkës.
Uji mineral ”Malvern” ishte gjithashtu i preferuar.
Në tetor 2021, u raportua se monarkja – në moshën 95-vjeçare – u këshillua nga mjekët të hiqte dorë nga kokteji i saj me ”Martini” në mbrëmje për ta ndihmuar atë të përballej me orarin e saj të ngjeshur dhe të pinte alkool vetëm në raste të veçanta.
Për t’u çlodhur, mbretëreshës i pëlqente të shikonte televizor, të luante puzzle ose të zgjidhte fjalëkryqe.
Programet e saj të preferuara televizive ndër vite përfshinin ”Last Of The Summer Wine” dhe ”The Bill”.
Por, ajo shpesh kalonte një pjesë të mbrëmjes duke punuar me dokumentet e qeverisë dhe Komonuelthit.
Si të gjithë monarkët britanikë, mbretëresha mbante një ditar që nga fillimi i mbretërimit të saj dhe ajo shkruante me rigorozitet një faqe çdo ditë.
Mbretëresha zakonisht ishte në shtrat në orën 23:00. / KultPlus.com
Me një numër prej mbi 100.000 vizitorëve për tre ditë e tre net sa ka zgjatur festivali, Hardh Fest sivjet shënon edicionin më të suksesshëm, me programin e pasur vreshtar, verëtar e të trashëgimisë kulturore dhe artistike që ishte përgatitur për vitin 2022.
Pjesëmarrja e vizitorëve në Hardh Fest sivjet ishte dukshëm më e lartë se gjatë viteve të kaluara, si me pjesëmarrje në aktivitetet e shumta unike dhe rekreative ditore të festivalit, po ashtu edhe në koncertet e tri netëve që sollën emra të njohur të skenës ndërkombëtare dhe vendore.
Vlen të përmendet edhe numri i rritur i pjesëmarrësve nga shtete e rajonit dhe Evropa në edicionin e këtij viti. Turistë të huaj iu bashkëngjitën në disa raste aktiviteteve të ditës dhe u bënë pjesë e dhjetëra mijëra vizitorëve që morën pjesë në koncerte.
Pjesë e këtij suksesi janë të gjithë ata që kontribuuan, morën pjesë në aktivitetet ditore, që vizituan panairin e prodhimeve të verës, rakisë e rrushit në lokacionin e festivalit dhe ata që iu kënaqën tingujve të Pop & Rok me artistë të nivelit botëror si Kip Winger.
Organizatorët janë të kënaqur me të gjithë rrjedhën e ngjarjeve për tre ditët e kaluara dhe falënderojnë secilin vizitor e pjesëmarrës në aktivitete si dhe institucionet, përkatësisht Komunën e Rahovecit, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, partnerin StoneCastle, sponsorin gjeneral Banka per Biznes dhe të gjithë sponsorët e tjerë për mbështetjen e madhe në realizimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme kulturore për vendin.
Hardh Fest është një festival autentik që shkas organizimi merr festën e vjeljes së rrushit, duke promovuar kulturën e vreshtarisë dhe në përgjithësi bujqësinë lokale të Rahovecit, përmes artit dhe trashëgimisë kulturore.
Nga tani ka nisur puna për një tjetër edicion në 2023. / KultPlus.com
“La Turquie” ka botuar, të premten e 25 shkurtit 1910, në faqen n°2, shkresën e atdhetarit Beqir Plangarica drejtuar asokohe Dervish Himës, drejtor i gazetës “Shqipëtari”, në lidhje me ndalimin e gjuhës shqipe në shkollat e Elbasanit, të cilën Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.
Një gjuhë shqipe
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Kjo çështje po bëhet gjithnjë e më magjepsëse. Ja një shkresë e re që merr nga Elbasani gazeta “Skipetari” :
“Gjuha shqipe e cila prej më shumë se një viti e gjysmë në shkollattona mësohet me alfabetin tonë kombëtar është ndaluar ditët efundit me urdhër të drejtorit të arsimit publik në Manastir.
Kjo ndalesë nuk i përgjigjet aspak frymës së një qeverie kushtetuese. Pas peticionit që i bëmë mytesarifit dhe në përgjigje të kërkesës së drejtorit të shkollës së Elbasanit drejtuar drejtorit të arsimit publik të Manastirit, ky i fundit në përgjigjen e tij telegrafike flet në një gjuhë krejt të kundërt dhe të papërshtatshme për një drejtor kushtetues të arsimit publik.
Ai thotë se ata që duan të mësojnë gjuhën shqipe duhet ta mësojnë atë vetëm me shkronja arabe pasi ajo është fakultative në shkollë.
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
A është kjo një përgjigje e denjë për një epokë kushtetuese kaq të shkëlqyer ?
Ne ju kërkojmë (lutemi) që të rinisni mësimet e gjuhës shqipe me alfabetin tonë kombëtar.
Shkresa e mësipërme e firmosur nga më shumë se pesëdhjetë nxënës të shkollës së Elbasanit, e paraqitur në zyrat telegrafike në Elbasan, u mbajt (bllokua) nga drejtori i postës dhe telegrafit, i cili u tha se duhej të kundërfirmosej (nënshkruhej) nga drejtori i shkollës.Drejtori, pasi nuk pranoi të firmoste, na u hoq e drejta që të mund të protestonim dhe të ankoheshim në departamentet ministrore. Ajo (shkresa) sjell në vëmendjen tuaj këtë akt kaq pak në përputhje me përshkrimet e ligjit kushtetuesdhe vij t’ju kërkoj me dashamirësi të ndërmerrni hapat e nevojshëm për këtë qëllim që të vihet drejtësia në emër të nxënësve.”
(nënshkruar) Beqir Plangarica
Drejtori i gazetës Skipetari, i pyetur nga ana jonë se çfarë synonte të bënte me këtë shkresë, na tha se do të takojë Ministrin e Arsimit Publik për t’i tërhequr vëmendjen ndaj këtij akti antikushtetues të një prej vartësve të tij.
Që ditën që vdiqe, që kur s’të kam parë Lotët që kam derdhur, s’më janë dhe tharë Shumë vjetë u bënë sot u mbushen dhjete Që kur më ke lënë dhe s’të shoh ne jete!
Në ç’kopshte me lule ke qëndruar vallë? S’të vjen keq për mua?S’të vjen mallë për djalë ? O ëngjëll I bukur mos meno në botë Kthehu të të shomë të na mbeten lotë
S’rrojmë dot pa tynë ti si rron pa neve? Motëmot që rrojtëm bashkë s’më urreve Atje tek rri janë qipariz’ e varre Kthehu të të shomë mos na lër përfare
Mos na lër të gjorë me zemër të ngrirë Kthehu të gëzohesh kur të shoç tët birë E ke lenë foshnje tani u bë burrë S’arrite ta rritje s’të ka parë kurrë
Për ty shumë herë çoç do të më thotë Por s’mund ti përgjigjem se më mbytin lotë Kthej kokën mënjanë dhe vështroj përpjetë Duke psherëtitur te zot’ I vërtetë
O zot I vërtetë s’të erdhi keq për djalë Kur i more mëmën dhe më le të gjallë Të më keshe marrë do të qe më mirë Dhe të rronte mëma të rriste të birë Me se rrojnë foshnjat çi rrit çiliminjtë Dashuri e mëmës dhe përkëdhelitë Doje dritë o qiell more dritën time dhe ma mbushe jetën plot me hidhërime Tani rroj pa shpresë ndaj s’dua të rroj Se dhe perëndinë tani s’e besoj.
S’rrojmë dot pa tynë ti si rron pa neve? Motëmot që rrojtëm bashkë s’më urreve Atje tek rri janë qipariz’ e varre Kthehu të të shomë mos na lër përfare. /KultPlus.com
Performanca e Jean-François Pauvros dhe Jean-Marc Montera është pjesë e programit Four Ways from Sundown të Kino ARMATA, i kuruar nga Sezgin Boynik, Alush Gashi dhe Vigan Nimani për Manifesta 14 Prishtina, ku gjithashtu marrin pjesë Felix Kubin, Anna Thew dhe Sylvain George. Four Ways from Sundown mbështetet nga Fondacioni Manifesta 13 Marseille.
Jean-François Pauvros është një muzikant francez, kitarist elektrik dhe improvizues i muzikës eksperimentale i lindur në 1947 në Hautmont. Ai është anëtar në grupin Mobius me Gaby Bizien dhe Philippe Deschepper. Skauti francez i talenteve Jef Gilson regjistron një disk të parë të Pauvros me Gaby Bizien në dyshe muzika e të cilit është afër British free music. Ai u takua me Siegfried Kessler me të cilin krijuan Phoenix 14 në 1978. Jean-François Pauvros regjistroi në 1985 për disqet e natos Le Grand Amour me kitaristin Arto Lindsay (ish DNA), këngëtarin Ted Milton të grupit Blurt dhe bateristin Terry Day; në 1988 u publikua në të njëjtën label Hamster Attack me bateristin Julian Fenton, këngëtaren Mary Genis dhe saksofonistët Evan Parker dhe Stan Sulzmann ndër të tjerë.
Jean-Marc Montera është një kitarist francez, kryesisht aktiv në skenën muzikore eksperimentale. Përveçse është aktiv si muzikant, ai është edhe drejtor i organizatës GRIM, e cila organizon koncerte, festivale, workshope dhe projekte artistike në rezidencë në Marsejë. Montera është aktiv si performues që nga vitet ’70 dhe ka bërë bashkëpunime me artistë si Fred Frith, André Jaume, Barre Phillips, Yves Robert, Loren Mazzacane Connors, Thurston Moore, Lee Ranaldo, Louis Sclavis, Hifiklub, Michel Doneda. /KultPlus.com
Një nga kategoritë e garës zyrtare të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit (TIFF) është dhe PerspecTIFF. Në të do të garojnë 7 filma të metrazhit të gjatë.
Të përzgjedhurit si kandidatë për çmimin PerspecTIFF janë: “Pas dimrit” me regji nga Ivan Bakrac (Mali I Zi), “Hëna blu” nga Alina Grigore (Rumania), “Vëllezër” nga Darkhan Tulegenov (Kazakistan), “Mëllaga” nga Cagil Bocut (Turqi), “Babai ynë djall” nga Ellie Foumbi (SHBA), “Den” Beatrice Baldacci (Itali) dhe Toubab nga Florian Dietrich (Gjermani).
Tirana International Film Festival do të zhvillohet javën e fundit të shtatorit. Festivali I filmit është një nga eventet më të rëndësishme kulturore dhe këtë vit vjen me edicionin e tij të 20-të. Kineastë nga e gjithë bota përzgjidhen si pjesëmarrës në garën e cila finalizohet me dhënien e çmimit “Bufi i Artë”.
Festivali për herë të parë do të ketë “Official Partner”, Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH).
Organizatorët krenohen që Tirana International Film Festival është përzgjedhur ndër 29 festivalet më të mira europiane, përkrahë simotrave të Venecias, Kanës, Lokarnos e Berlinit, për të kandiduar filma në “European Film Academy Awards. Një tjetër arritje e këtij festivali është fakti se TIFF është një nga festivalet zyrtare me atributin e nominimit për “Oscars”, për çmimin e filmit të shkurtër./atsh /KultPlus.com
Mbreti Charles III ka shpallur një periudhë zie prej 17 ditësh për vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth II. Mbreti ka kërkuar që të mbahet një periudhë zie mbretërore nga e premtja deri në shtatë ditë pas funeralit të Mbretëreshës, sipas një deklarate të Pallatit Buckingham, e cila shtoi se data e funeralit do të konfirmohet “në kohën e duhur”.
Rezidencat mbretërore do të mbyllen deri pas funeralit të Mbretëreshës, sipas Pallatit.
“Pas vdekjes së Madhërisë së Saj Mbretëreshës, është dëshira e Madhërisë së Tij Mbretit që një periudhë zie mbretërore të mbahet nga tani deri në shtatë ditë pas funeralit të Mbretëreshës. Data e funeralit do të konfirmohet në kohën e duhur”, shkruan Pallati.
Periudha e Zisë Mbretërore do të respektohet nga “Anëtarët e familjes mbretërore, stafi i familjes mbretërore dhe përfaqësuesit e familjes mbretërore në detyra zyrtare, së bashku me trupat e angazhuar në detyrat ceremoniale”, sipas deklaratës së Pallatit Buckingham./ KultPlus.com
Universiteti i Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina” ka shpallur konkurs plotësues për pranimin e studentëve të rinj në vitin e parë të studimeve bazë për vitin akademik 2022-23, shkruan KultPlus.
Sipas njoftimit të publikuar në llogarinë zyrtare të universitetit, thuhet se 2,144 studentë të rregullt parashihen të regjistrohen në këtë afat të dytë të konkursit.
Gjithashtu, në njoftim bëhet e ditur se aplikimi nis nga sot dhe do të jetë i hapur deri më datë 16 shtator 2022.
“UP-ja e shpall të hapur konkursin plotësues për pranimin e studentëve të rinj në vitin e parë të studimeve themelore për vitin akademik 2022-23. 2,144 studentë të rregullt parashihen të regjistrohen në UP, në këtë afat të dytë të konkursit. Aplikimi nis nga sot dhe do të jetë i hapur deri më datë 16 shtator 2022”, thuhet në njoftim. /KultPlus.com
Gentian Koçi është prezantuar si përfaqësuesi i Shqipërisë në çmimet “Oscar”, shkruan KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur Qëndra Kombëtare e Kinematografisë, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.
“Qendra Kombëtare e Kinematografisë njofton se kandidatura zyrtare e Shqipërisë për kategorinë “Filmi më i Mirë i Huaj”, në edicionin e 95-të të Academy of Motion Picture Arts and Sciences (AMPAS) është filmi “Një Filxhan Kafe dhe Këpucë të Reja Veshur”, skenari dhe regjia Gentian Koçi, prodhim i shtëpisë kinematografike “ARTALB FILM PRODUCTIONS”, thuhet në postim mes tjerash.
Ky film është realizuar në bashkëprodhim me Maria & Mayer (Portugali), Graal Films (Greqi) dhe Added Value Films (Kosovë).
Filmi artistik “Një Filxhan Kafe dhe Këpucë të Reja Veshur” është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Radio-Televizionit Publik Shqiptar, Qendra Greke e Filmit, Televizioni Publik Grek, Qendra Kinematografike e Kosovës, Instituti Portugez i Kinemasë dhe Audiovizualit, Eurimages, Media-Creative Europe dhe Bashkia e Tiranës. /KultPlus.com
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák dhe këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, z.Jens Plötner dhe z.Emmanuel Bonne.
U theksua se Republika e Kosovës ka treguar vullnetin dhe gatishmërinë e saj për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë.
Kryeministri Kurti ritheksoi se qëllimi i dialogut nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër.
Ai falënderoi z. Lajčák, si dhe këshilltarët z.Plötner dhe z.Bonne, për angazhimin e tyre për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Gjatë takimit u bisedua për nevojën e përpjekjeve edhe më të fuqishme nga të gjithë akterët që perspektiva evropiane të bëhet realitet për shtetet e Ballkanit Perëndimor .
Takimi vije pas propozimit në letrën e përbashkët të Kancelarit Scholz dhe Presidentit Macron, drejtuar Kryeministrit Kurti, që këshilltarët të bëjnë një vizitë të përbashkët me Miroslav Lajčak, në Kosovë dhe Serbi, në mënyrë që të gjejnë opsionet, që procesi i dialogut të lëvizë përpara shpejt. /KultPlus.com
“Mos u zemëroni me shiun. Bie në tokë sepse nuk di të shkojë për lart”.
Vladimir Nabokov
“Ditët me shi duhet të kalohen në shtëpi, me një filxhan çaj dhe një libër të mirë”.
Bill Watterson
“Të qullesh deri në kockë kur je vetëm është ftohtësi. Të dalësh në shi me mikun e ngushtë është aventurë”.
Emily Wing
“Thuhet se shiu shkakton rrëmujë… në fakt kujdesen njerëzit për këtë”
Barbara Delinsky
“Natën ëndërroj sikur ne të dy jemi bimë të rritura bashkë, rrënjëngatërruar, dhe sikur ti e njeh tokën dhe shiun sikur gojën time, sepse jemi lindur nga toka dhe shiu”.
Pablo Neruda
“Të vështrosh shiun, do të thotë ti takosh apo të bëhesh pjesë e diçkaje. Të kesh dikë që do të qajë për ty”.
Haruki Murakami
“Dikush pret shiun për të mos qarë vetëm”
Fabrizio de Andrè
“Shiu seç ka një të fshehtë të vagëllimtë, diçka si dremitje magjepsëse dhe të ëmbël, një muzikë përvuajtëse zgjohet me të dhe bën të shpërgjumet vetë shpirti i peizazhit.”
Federico Garcia Lorca
“Shiu bie kur retë nuk mund të mbajn peshën, lotët bien kur zemra nuk mund të mbaj më dhimbjen”
“Njerëzit thonë se e duan shiun, por i hapin çadrat kur bie shi, njerëzit thonë se e duan diellin, por kërkojnë hije kur dielli del, njerëzit thonë se e duan erën, por kur era fyn, dritaret janë të mbyllura, prandaj edhe unë buzëqesh kur dëgjoj njerëzit të thonë se më duan”./ KultPlus.com
Gjykata në Gjilan ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditëve ndaj të pandehurve A.M. dhe L. M.
Sipas njoftimit, ekziston dyshimi se dy të pandehurit gjatë muajit mars e prill në fshatin Pasjak dhe Velekincë e kanë detyruar të një të mitur të kryej akte seksuale pa pëlqimin e saj.
“Me këto veprime të pandehurit dyshohet se ka kryer veprën penale, dhunimi, vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimi ne Gjykatës.
“Gjilan, 09.09.2022 – Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurve A. M. dhe L. M. Ekziston dyshimi bazuar se të pandehurit A. M. dhe L. M. gjatë muajit mars – prill në fshatin Pasjak dhe fshatin Velekincë, e kanë detyruar të miturën të kryej akte seksuale pa pëlqimin e saj, viktimë kjo posaçërisht e ndjeshme për shkak të moshës nën 16 vjeç, e cila nuk ka mundur të gjykojë e të vlerësojë pasojat e një marrëdhënie të tillë e që nënkupton marrëdhënie seksuale. Me këto veprime të pandehurit dyshohet se ka kryer veprën penale, dhunimi, vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, ngase masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale. Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj të këtij vendimi mbi caktimin e paraburgimit në Gjykatën e Apelit”, thuhet në njoftimin e gjykatës në Gjilan. /KultPlus.com