Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë vijon të mbetet një prej atraksioneve kulturore dhe historike më të vizituara në kryeqytet.
“Nga janari deri në fund të gushtit Muzeu Historik Kombëtar është vizituar nga 30 983 vizitorë, nga të cilët 15 198 të huaj dhe 6342 vendas”, bëri të ditur Muzeu Historik Kombëtar në një postim në rrjetet sociale.
Sipas Muzeut Historik Kombëtar, gjatë muajit gusht muzeu është vizituar nga 9 101 vizitorë, nga të cilët 5153 të huaj dhe 2302 vendas.
Studentë, vizitorë të huaj dhe vendas janë të interesuar për të mësuar më shumë rreth historisë së Shqipërisë që nga lashtësia e deri në ditët e sotme, shpjeguar kjo nëpërmjet artefakteve dhe objekteve të ekspozuara në pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar.
Gjatë këtij viti në muze janë organizuar edhe veprimtari përkujtimore për historinë e vendit, si dhe konferenca të mirëfillta shkencore.
Në mjediset e muzeut gjenden rreth 4750 objekte, të cilat i përkasin një periudhe të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Muzeu ekspozon pasuritë e tij nëpërmjet tetë pavijoneve. Pavijoni i Lashtësisë është nga më të pasurit në Muzeun Historik Kombëtar, me afro 400 objekte të ndryshme.
Objektet e paraqitura nisin me paleolitin e vonë, ku kultura prehistorike dëshmohet e gjallë dhe e fuqishme në trojet tona. Në stendat e muzeut gjenden objekte që i përkasin epokës së Bronzit (2100-1200 para Krishtit), si dhe objekte të epokës së Hekurit (1200-450 para Krishtit), periudha këto që përvijojnë tiparet e ilirëve./atsh /KultPlus.com
Sot janë bërë 52 vite nga vdekja e Dhimitër Berattit, një ndër nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, shkruan KultPlus.
Më 15 tetor të vitit 1886 lindi në Korçë Dhimitër Berati, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, atdhetar, politikan e publicist shqiptar. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa studimet e larta i kreu në Fakultetin e Shkencave Politike Administrative të Universitetit të Bukureshtit.
Më pas, po aty, kreu studimet edhe Fakultetin e Drejtësisë. Ndërkohë, u përfshi në lëvizjen patriotike të shqiptarëve të emigruar në Bukuresht,për mëvetësinë e atdheut, dhe në vitin 1904 u zgjodh këshilltar i kryesisë së tyre. Më 1907 u kthye në vendlindje dhe punoi si mësues i Shkollës Shqipe të Korçës, së bashku me patriotët Thanas Floqi, Thoma Avrami etj. Ishte anëtar i klubit patriotik “Dituria” të Korçës që në themelimin e tij më 1908.
Po atë vit mori pjesë në Kongresin e Elbasanit, kurse më 1910 në Kongresin e Dytë të Manastirit. Zgjidhet delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit. Ka firmuar aktin historik të Shpalljes së Pavarësisë, me siglën “D. Beratti”, në emër të kolonisë së Bukureshtit. Më 1924 ishte në Sofje me detyrën e kryekonsullit, kurse në vitet 1926-1934 punoi si sekretar në Ministrinë e Jashtme. Më 1935 ishte ministër i Ekonomisë Kombëtare. / KultPlus.com
Filmi kosovar me regji të Blerta Bashollit, ‘Zgjoi’ ka filluar rrugëtimin e tij në kinematë gjermane. Nga data 8 shtator do të keni mundësi ta shihni në shumë kinema në qytete të ndryshme në Gjermani, shkruan KultPlus.
Njoftimin e ka bërë vetë aktorja kryesore, Yllka Gashi e cila ka thënë se gjatë këtyre ditëve në disa nga shfaqjet e filmit, prezente do të jenë edhe Blerta Basholli dhe Fahrije Hoti.
Postimi i plotë i saj:
Të dashur miq, Filmi ynë “Zgjoi” ka filluar rrugëtimin e tij në kinematë gjermane. Nga data 8 Shtator do të keni mundësi ta shihni në shumë kinema në qytete të ndryshme në Gjermani. Për më shumë informata rreth datave të shfaqjes së filmit vizitoni faqen e distributorëve. https://jip-film.de/hive Gjatë këtyre ditëve në disa nga shfaqjet e filmit do të jenë prezente autorja e filmit Blerta Basholli dhe znj. Fahrije Hoti – inspirimi i filmit “Zgjoi”. Shpërndajeni lajmin mes miqëve e familjarëve që kanë deshirë ta shohin filmin. Falemnderit shumë! / KultPlus.com
Sot është Dita Ndërkombëtare e Shkrim-Leximit, e cila ka për qëllim të nxjerrë në pah rëndësinë e leximit për individët, komunitetet dhe shoqëritë.
Dita Ndërkombëtare për avancim të shkrim-leximit e cila shënohet çdo vit më 8 shtator ka për qëllim që të ngritë vëmendjen e opinionit ndërkombëtar në lidhje me problemin e analfabetizmit i cili fatkeqësisht si proces është prezent në shumë shoqëri.
Iniciativa e shënimit të Ditës Ndërkombëtare për avancimin e shkrim-leximit rrjedh nga Konferenca botërore e ministrave të arsimit e organizuar në muajin shtator të vitit 1965 në Teheran e cila temë si bazë e kishte zhdukjen e analfabetizmit, ndërsa UNESCO si ditë ndërkombëtare e shënon nga viti 1966 me qëllim të promovimit të rëndësisë së arsimimit të fëmijëve dhe të rriturve.
Sipas të dhënave të UNESCO, rreth 775 milionë persona të rritur në planet nuk kanë as minimumin e nivelit të shkollimit, 1 në 5 persona të rritur janë analfabet nga të cilët 2/3 janë femra. Rreth 75 milionë fëmijë nuk vijojnë shkollimin, nuk ndjekin rregullisht shkollimin ose e kanë braktisur tërësisht atë./ KultPlus.com
Të prekësh heshtjën tënde sic prek një send, të shohësh thëllë në ata sy, ku dashuria hepohet si anije e të mos duash të jesh përherë me ty? Të ecësh me krahun mbi supet e tua e të harrosh oshtimën e kaltër, limonat mbi krye, peshkarexhat si zjarre të natës? Të jësh me ty, tok me ty të qeshësh e mos kuptosh se si përpiqet deti të dalë jashtë guaskës së vetvetës? Të jesh me ty? Të jesh me ty! /KultPlus.com
Vetëm dy javë pas dhunimit të 11 vjeçares nga pesë persona, në Prishtinë edhe një 16 vjeçare nga Gjilani është dhunuar seksualisht nga dy persona.Lidhur me këtë rast tashmë në pranga kanë përfunduar dy persona.
Bazuar në dëshminë e vajzës që ka dhënë para hetuesve policorë, dy të dyshuarit kanë kryer marrëdhënie seksuale me të për dy muaj.
Sipas burimeve të Sinjalit, rasti ka ndodhur përgjatë muajve mars dhe në prill, periudhë kjo kur e mitura ka qenë jashtë shtëpisë.
Gjithçka dyshohet se ndodhi në Gjilan, pasi 16-vjeçarja nisi shoqërimin me dy të dyshuarit, të moshave të reja.
Personat e arrestuar tashmë janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes. /KultPlus.com
Festivali i filmit PriFest ka hapur thirrjen për vullnetarë, shkruan KultPlus.
THIRRJE PËR VULLNETARË
Nëse je entuziast i filmave dhe dëshiron të marrësh pjesë në shumë aktivitete shoqërore
Nëse ke aftësi të mira organizative, komunikuese dhe shoqërore ose dëshiron t’i zhvillosh këto aftësi më shumë
Nëse dëshiron që të takosh njerëz të rinjë dhe të zgjerosh rrjetin e shoqërisë
Nëse dëshiron ta zgjerosh rrjetin profesional për të zhvilluar të ardhmën tënde profesionale
Nëse dëshiron të përfitosh përvojë pune në festivalin më prestigjioz në vend dhe t’i kalosh ditët e shtatorit në ndejat ma të mira në qytet me shoqërinë e PriFest… Atëherë kjo thirrje është për ty dhe krejt çka duhet të bësh është të plotësosh një aplikacion me disa pyetje shumë të thjeshta. Për të aplikuar, klikoni tek linku këtu
Edicioni i 14-të i PriFest mbahet nga 20-25 shtator dhe i dedikohet drejtoreshës së ndjerë Vjosa Berisha.
Giulio Cesare Croce(1550-1609) ishte një shkrimtar italian, aktor dhe producent. Djali i një kovaçi dhe vetë një farkëtar, pas vdekjes së babait të tij, xhaxhai i tij ja vazhdoi edukimin kulturor. Ai u largua gradualisht nga biznesi familjar për të ndjekur pasionin e tij.
Ai kishte pak trajnime zyrtare ose mësues dhe prandaj mund të konsiderohet një nga autorët më të suksesshëm të vetë-mësuar në letërsinë italiane. Për shkak të zgjedhjeve të tij, ai kurrë nuk ishte plotësisht pjesë e grupeve letrare të kohës së tij.
Në fakt, ai ishte kryesisht një tregimtar tregues dhe me shumë mundësi shkruante për kënaqësinë e tij personale.
Giulio Cesare Croce (1550-1609) ishte një shkrimtar italian, aktor dhe producent.
KultPlus ju sjell disa nga thëniet e njohura të Giulio Cesare Crose:
“Kush të lëvdon ballafaqas, të kafshon pas shpine.”
“Kush dëshiron të ndjekë virtytet duhet të dëbojë veset.”
“Kush mban verë të mirë në shtëpi, ka gjithnjë bocëra tek dera.”
“Ai që nuk mban dot lëkurën e vet është një dele e gjorë.”
Dy motra që i mbijetuan Holokaustit si vajza dhe u transferuan në Shtetet e Bashkuara më pas vdiqën brenda pak ditësh nga njëra-tjetra në shtëpinë e tyre të birësuar në Alabama.
Aautoritetet në Alabama thanë se Ruth Scheuer Siegler vdiq të shtunën në moshën 95-vjeçare. Motra e saj, Ilse Scheuer Nathan, vdiq 10 ditë më parë në moshën 98-vjeçare.
Gratë kanë lindur në Gjermani dhe ishin vajza kur Adolf Hitleri erdhi në pushtet në vitet 1930.
Pasi humbën prindërit dhe vëllain e tyre më të madh në Holokaust, por i mbijetuan vetë kampeve të vdekjes naziste, dy gratë ishin të pandashme, është thënë në një njoftim.
“Ato ishin gjithmonë bashkë”, ka treguar Ann Mollengarden, drejtoreshë arsimore për Qendrën Arsimore të Holokaustit në Alabama. “Kur Ilse vdiq, mendoj se Ruth ishte gati”.
Në fillim të vitit 1944, vajzat u zgjodhën si punëtore në kampin Birkenau dhe u ndanë nga nëna e tyre, të cilën nuk e panë më, sipas një biografie të grave.
Ato e panë për herë të fundit babanë e tyre në kamp dhe vëllai i tyre vdiq në një kamp në Gjermani.
“Vajzat punonin duke bartur tulla nga njëri skaj në tjetrin për orë të tëra. Ilse qepi gjithashtu mbulesa armësh dhe uniforma. Duke punuar pranë furrave të krematorit, ato shumë këpucë. Për herë të parë, aty e kuptuan se shokët e tyre të burgosur po vriteshin dhe digjeshin”, thuhet në një biografi. /KultPlus.com
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin vendimin e Shqipërisë për shkëputjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin. Me anë të një deklarate, Shtëpia e Bardhë shpreh dënimin më të fuqishëm për sulmin kibernetik ndaj vendit tonë, aleat në NATO, dhe kërkon që regjimi i Teheranit të mbajë përgjegjësi për këtë ngjarje të paprecedentë.
“Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin veprime të mëtejshme për ta mbajtur Iranin përgjegjës për veprimet që kërcënojnë sigurinë e një aleati të SHBA-së dhe që krijojnë një precedent shqetësues për hapësirën kibernetike”, tha Adrienne Watson, zëdhënëse e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Shtëpia e Bardhë thekson se “Shqipëria i sheh rrjetet qeveritare të prekura si infrastrukturë kritike”. Gjithashtu paralajmëron se aktivitetet keqdashëse kibernetike të një shteti për të dëmtuar qëllimisht shërbimet publike të një vendi tjetër do të hasin në reagim lokal, rajonal dhe global, gjë e cila mund të çojë në përshkallëzim dhe konflikt. Në reagim, qeveria amerikane tregon dhe nivelin e dëmit të shkaktuar nga Irani në të dhënat dhe shërbimet publike shqiptare.
“Për javë të tëra, qeveria amerikane ka qenë në terren duke punuar së bashku me partnerët e sektorit privat për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë për të zbutur, rikuperuar dhe hetuar sulmin kibernetik të 15 korrikut që shkatërroi të dhënat e qeverisë dhe ndërpreu shërbimet qeveritare për publikun”.
Edhe Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, komentoi reagimin e Shqipërisë ndaj Iranit, i cili sipas qeverisë shqiptare, qëndronte pas sulmeve kibernetike të dy muajve më parë. “Më lejoni për të theksuar rëndësinë e veprimit që është ndërmarrë kundër sulmit kibernetik ndaj Shqipërisë. Ne kemi parë deklaratën e Ramës këtë mesditë. Shtëpia e Bardhë është përgjigjur menjëherë dhe me forcë. Duhet të jetë absolutisht e qartë, kur miku ynë, aleati ynë është në sulm, SHBA do të ndërmarrin veprime”, u shpreh Yuri Kim, pas takimit që zhvilloi ditën e sotme me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla. /KultPlus.com
Apple ka prezantuar iPhone 14 dhe 14 Plus, duke ruajtur pjesën më të madhe të dizajnit të iPhone 13 – e duke përfshirë disa risi të reja, shkruan KultPlus.
iPhone 14 ka një ekran 6.1 inç, ndërsa 14 Plus ofron një ekran të madh 6.7 inç. Modeli 14 Plus pretendon se ofron jetëgjatësinë më të mirë të baterisë së çdo iPhone.
Të dy modelet vazhdojnë të ofrojnë chipset A15 Bionic të vitit të kaluar – një ndryshim i madh për Apple, i cili zakonisht ka prezantuar një procesor të ri që do të përdoret nga e gjithë portofoli i saj i iPhone çdo vit.
Në pjesën e përparme të kamerës, ka një kamerë ultra të gjerë dhe një kamerë të re kryesore 12 megapikselë me hapje f/1.5 dhe stabilizim të bazuar në sensor. Apple pretendon se ka një përmirësim 49% në cilësinë e imazhit me dritë të ulët dhe se Modaliteti i Natës është dy herë më i shpejtë tani.
Debutimi i iPhone 14 vjen në një moment unik: inflacioni po rrit çmimin e absolutisht çdo gjëje – duke përfshirë teknologjinë e konsumatorit – dhe buxhetet e familjeve janë zbehur. /KultPlus.com
Edicioni i dytë i “Art Mania” do të mbahet nga data 24 deri më 28 nëntor, shkruan KultPlus.
‘Art Mania`, vjen me shfaqje teatrale, stand-up, muzikë, ekspozita, workshop dhe aktivitete tjera artistike.
“I ftojmë të gjitha teatrot të aplikojnë me shfaqjet që i kanë në repertorin e tyre në [email protected] deri me datë 01.11.2022”, thuhet në postimin e tyre. /KultPlus.com
Nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ka organizuar edicionin e 13-të me radhë të manifestimit tradicional letrar “Ora e Tahir Deskut”.
Ky manifestim mbahet në shenjë përkujtimi dhe nderimi për shkrimtarin dhe reporterin e shquar të luftës së UÇK-së, Tahir Deskun.
Të pranishëm ishin kryetari i komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, nënkryetarja e komunës, znj. Marqe Tanushi–Selmanaj, familjarë të Tahir Deskut, mixha Halil Krasniqi, profesorë, poetë, artistë e krijues të ndryshëm vendas e mysafirë nga të gjitha trojet shqiptare.
Orën letrare e shpalli të hapur kryetari Elezaj, i cili para të pranishmëve me një fjalë rasti nderoi lart figurën e shkrimtarit dhe të atdhetarit Tahir Desku. “Tahir Desku ishte motivues e frymëzues i madh i popullit shqiptar, veçanërisht gjatë periudhës së luftës së lavdishme të UÇK-së.
Ne e nderojmë sot veprimtarinë, guximin e sakrificën e tij e cila la gjurmë në historinë e vendit. Ai la pas vetës krijimtarinë e tij të pasur letrare që ne ta kujtojmë e mos të harrojmë kurrë”- ka thënë Elezaj.
Fjalë përkujtimi në foltore u shpalosën edhe nga miqtë dhe bashkëpunëtorët që kishin fatin të njohin nga afër Tahirin.
Për çmimin kryesor, juria profesionale këtij manifestimi e përbërë prej tre anëtaresh, vendosën për veprën më të mirë letrare në mes të dy manifestimeve, me titull “Ti”, nga autori, z. Ilir Muharremi.
Në fund juria ndau edhe tre çmime të tjera për poezinë më të mirë të lexuar si dhe çmimin stimulues për krijuesin e ri. /KultPlus.com
E njohur ndryshe si “Uta e Maleve”, Uta Ibrahimi, është gati për ekspeditën e saj të radhës, ku ka udhëtuar për në Pokara të Nepalit, shkruan KultPlus.
Ajo do ta ngjitë një prej çative të Botës, konkretisht Majën Dhaulagiri, me lartësi mbidetare 8167 metra.
Uta ishte munduar të ngjitej edhe më herët, por e kishte marrë lajmin për humbjen e të atit dhe tani, ajo po kthehet përsëri, me dhimbje, por më e fortë se kurrë.
Postimi i plotë:
“Tungjatjeta nga Pokara, Nepal
Erdh koha për ekspeditën tjetër në njërën prej çative të Botës, Maja Dhaulagiri 8167
Dhaulagiri është maja e 7 prej majave më të larta në botë, e gjithashtu e 8 nga 14 për mu.
Dhaula do të thot verbues, i bardhë, i bukur dhe (Giri) do të thotë mal.
Është mal shumë i bukur, por shumë po e kam të vështirë me u kthy mbrapa.
Para dy viteve, gjatë kohës sa isha duke tentu ngjitjen në këtë maje, e humba nji copë shpirti, e humba njerin ma të dashtun në tokë, bibin
Po kthehna, me dhimbje shumë, ama ma e fortë se kurr. Po kthehna për bibin, me ju afru ma shumë, me ja ndi energjinë edhe me e bo krenar”, shkruan ajo. /KultPlus.com
Komuna e Prishtinës po planifikon ta shndërrojë rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë, në një rrugëpër shëtitje dhe argëtim, shkruan KultPlus.
Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, përmes një njoftimi në llogarinë e tij zyrtare në “Facebook”, ka bërë të ditur se po planifikojnë të diskutojnë për këto çështje me banorët e lagjes.
Madje ai bëri një krahasim të mundshëm, duke përfshirë një lagje nga Vjena e Austrisë.
“Rruga ‘Rexhep Luci’ lehtësisht mund të kthehet në hapësirë publike për ecje dhe argëtim! Jemi duke e analizuar dhe do ta diskutojmë me banorët e lagjes”, ka shkruar Zogaj.
Një nga rrugët më të frekuentuara në Prishtinë është pikërisht kjo lagje, pasi ka lidhje edhe me rrugën “Luan Haradinaj” në njërën anë dhe me sheshin “Nëna Terezë”. /KultPlus.com
Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës është përfshirë në debatin për bartjen ose jo të shamisë në shkolla, debat ky që u riaktualizua pasi një shkollë në Suharekë ia ndaloi ushtrimin e profesionit me uniformë fetare një mësuesje të matematikës, duke u thirrur në Udhëzimin Administrativ të MASHT’it. Për këtë çështje, ka folur Kryeakademiku Mehmet Kraja.
Kraja ka thënë se edhe në rastet e vajzave që bartin shaminë, e edhe në rastin kur vajzat zbulojnë pjesët e trupit publikisht, kemi të bëjmë me probleme esenciale të emancipimit.
Sipas Krajës, vajza që vendos shami në moshë minorene, është e kufizuar dhe nën diktat.
“Dy probleme themelore janë për ne te çështja e shamisë në përgjithësi në kontekstin në Kosovë. E para është e dëmshme për emancipimin e vajzës në Kosovë. Emancipimi i vajzës është problem i madh në Kosovë. Nuk është emancipim vetëm shamia, që vënë kufizim në pamjen e saj, vënë kufizime në përceptim, në zhvillim të mendimit, në lirinë e mendimit sepse ajo, vajza që vendos shami është e kufizuar, është nën diktat. E njëjta gjë sa i përket emancipimit, këtu ka një vijë shumë të hollë, midis asaj se kemi probleme serioze me emancipimin e femrës te ne, një vijë shumë e hollë i ndan vajzën që mban shami dhe vajzën e cila zbulon pjesët e trupit publikisht. Të dyja, me të dyja rastet kemi të bëjmë me probleme esenciale të emancipimit të vajzave dhe në këtë rast, të dyja rastet, shamia paraqitet një pengesë serioze në emancipimin e vajzës te ne. I vendos kufizime të cilat janë, domosdo do të reflektohen në krijimin e personalitetit të saj. Pastaj e dyta, çështje tjetër, çështje e dytë është se shamia vendos probleme të theksuara në çështje të identitetit”, ka deklaruar Kraja në RTK.
Kraja ka thënë se nuk bën fare të lejohet vendosja e shamisë nën moshën 16-vjeçare, meqë kjo ndikon në çështjen e emancipimit të tyre dhe formimin e personalitetit.
“Jo, nuk do të ishte mirë. Nuk bën fare nën moshën 16-vjeçare. Unë nuk e di pragun, nuk e di pse është caktu pragu. Kjo nuk është çështje nuk do të duhej, por nuk bën fare, sepse Kushtetuta ta ndalon…Ne s’po i themi kërkujt mos beso, kërkujt s’po i thuhet as mos beso e as beso, as falu as mos u fal. Thjeshtë të mbrojmë nga keqpërdorimi eventual, nuk po themi i domosdoshëm, një kategori sociale, siç janë fëmijët deri në moshën 16-vjeçare, që të mos i nënshtrohen një urdhëri, i cili pastaj do të ketë pasoja në formimin e tyre të personalitetit, sepse siç ju thash, vendosja e shamisë nuk është çështje formale, është çështje e emancipimit dhe formimit të personalitetit. Vajza e cila vendos shaminë e kokës, në njëfarë forme vendoset në diktat dhe nuk e zhvillon lirinë e mendimit”, ka deklaruar ai.
Kryeakademiku ka fajësuar partitë politike që kanë qenë e janë në pushtet për këtë gjendje, pasi s’kanë procedurar dhe miratur Ligjin për Fenë.
Sipas tij, mungesa e një ligji të tillë, do t’i nxjerr problem Kosovës edhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe UNESCO.
“Në rastin tonë ne kemi të bëjmë me shtet laik dhe kjo nënkupton se feja nuk ka punë në institucionet e shtetit. Është kushtetuese kjo dhe këtu ka një problem tjetër. Ne na mungon ligji për fenë. Ne nuk e kemi ligjin për fenë dhe për këtë një përgjegjësi të madhe për këtë e mbajnë dy-tri legjislaturat e fundit në Kosovë, të cilat nuk e kanë proceduar këtë ligj edhe nuk e kanë miratuar këtë ligj. Poashtu nga ekspertët kam marr vesh se për shkak të mungesës së këtij ligji, ne do të kemi problem edhe me Këshillin e Evropës, do të kemi probleme edhe për pranimin në Këshillin e Evropës, sikur që do të kemi probleme kurdo që do të kandidojmë përsëri për UNESCO, sepse dihen situatat tona që i kemi me institucionet e fesë”, ka thënë Kraja.
I pari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve ka thënë se ka synime që Kosova të kthehet në Republikë Islamike, duke përmendur këtu kosovarët që i ishin bashkuar ISIS’it.
“Jo rasisht probleme të tilla iniciohen në momente kritike për Kosovën. Nuk është asgjë e rastit…Nuk e di si do të zhvillohen situatat, por synime ka, duket qartë ajo punë, që Kosova të kthehet në Republikë Islamike…Mos të harrojmë se kemi pasur një numër të konsiderueshëm që kanë shku dhe janë bërë ushtarë të ISIS’it, gra e burra. Këtë nuk mund ta injorojmë”, ka deklaruar kreu i ASHAK.
Ndryshe, Bashkësia Islame e Kosovës ka kërkuar ndryshimin e Udhëzimit Administrativ që ndalon bartjen e uniformës fetare në shkolla, para disa muajsh.
“Për të mos na u përsëritur situata të tilla, kërkojmë edhe njëherë nga Ministria e Arsimit Shkencës e Teknologjisë, që ta anulojnë nenin 3 paragrafi 1 pika 1.13 të Udhëzimin Administrativ të MASHT-it 06/2014, të cilin e konsiderojmë si burim të këtyre akteve e veprimeve që krijojnë situata të tilla”, ka qenë kërkesa e BIK’ut.
Ndryshe, me Udhëzimin administrativ të MASHT’it përcaktohen të drejtat, obligimet, veprimet e ndaluara, vijueshmëria në mësim dhe masat e procedurat disiplinore dhe zbatimi i tyre ndaj nxënësve të cilët i shkelin rregullat e etikës.
Në Nenin 3 të këtij udhëzimi, renditen veprimat e ndaluara për nxënësit. Në pikën 1.13 të këtij Neni, si veprim i ndaluar është edhe “bartja e uniformës fetare”.
Përveç bartjes së uniformës fetare, veprime të ndaluara konsiderohen edhe: mungesa e paarsyeshme, mbajtja e armëve të ftohta dhe të zjarrta si dhe mjetet e tjera që rrezikojnë jetën e nxënësve dhe personelit, veprimet e dhunshme, bartja dhe konsumimi i drogës, duhanit alkoolit, hyrja me vonesë në orë mësimi, prishja e rendit dhe qetësisë, lëshimi i orës pa leje, përdorimi i celularit, bartja dhe përdorimi i ditarit të klasës, falsifikimi i dokumentacionit, kopjimi, dëmtimi i inventarit dhe veshjet ekstravagante dhe grimi i tepruar. /KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani, në konferencën e përbashkët me homologun slloven i është përgjigjur Listës Serbe dhe kryetarëve të komunave në veri që vijnë nga kjo parti të cilët thanë se shefja e shtetit s’ka çka kërkon ta vizitojë veriun e Kosovës.
Osmani tha se jo vetëm që është presidente e të gjithë qytetarëve të Kosovës por është edhe Komandante Supreme e Ushtrisë.
“Lista Serbe më së paku është përfaqësuese e interesave të serbëve që jetojnë në Kosovë, ajo është shndërruar në interesat të organizatave kriminale që janë në listën e zezë të SHBA-së. Unë jo vetëm që jam presidente e të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë por jam edhe Komandante Supreme e ushtrisë së këtij vendi, e cila në mesin e saj ka edhe shqiptarë, serbë, turq e të komuniteteve tjera”, tha ajo.
Osmani u shpreh se qytetarët serbë në veri po kërcënohen nga strukturat ilegale atje.
“Çfarë po ndodhë këto ditë është që qytetarët serbë po kërcënohen nga këto struktura ilegale, qytetarët serbë në Kosovë nuk frikësohen nga unë por nga udhëheqësit e organziatave kriminale të cilët po i mbajnë peng në mënyrë që të krijohen tensione në stilin e Putinit. I ftoj qytetarët serbë që të mos bien pre e propagandës që burimin e ka në Rusi dhe te njerëzit që i takojnë të kaluarës së Millosheviqit”, u shpreh ajo. /KultPlus.com
Komuna e Gakovës ka hapur konkursin për Drejtor të Përgjithshëm të Teatrit të Qytetit “Hadi Shehu” me mandat 4-vjeçar, shkruan KultPlus.
Komuna ka ftuar të gjithë qytetarët e interesuar të Kosovës që kanë kualifikim, përvojën e duhur profesionale dhe përgatitjen nga fusha e teatrit apo lëmive të tjera kulturore, për të aplikuar në këtë konkurs.
Kriteret e nevojshme për konkursin mund t’i gjeni në seksionin bashkëngjitur në këtë link: KETU. /KultPlus.com
New Yorku i ka kthyer Italisë veprat e artit të vjedhura në vlerë 19 milionë dollarë, raporton BBC.
58 veprat e artit që datojnë 200 vjet para Lindjes së Krishtit, vlerësohen rreth 3 milionë dollarë.
Artefaktet e vjedhura ishin shitur nëpër muze dhe te shitësit privatë nga hajdutët, të cilët u dënuan më pas, ka thënë prokurori i qarkut të New Yorkut, Alvin Bragg.
Është tentimi i radhës i New Yorkut për t’i kthyer artefaktetet e vjedhura te shtetet e origjinës. / KultPlus.com
Pas performancës së djeshme të Rita Orës dhe organizimit të Sunny Hill Festival pak ditë më parë, kryeqyteti do të përjetojë një tjetër koncert me emrat më të njohur të muzikës rock. Të gjithë ata dashamirës kësaj rryme muzikore do të kenë mundësi që të ndjekin një mbrëmje të dedikuar me këngëtarët dhe grupet e njohura shqiptare.
T-Rocks është një manifestim i rokerëve më të mirë shqiptarë ndër vite, yjeve të së sotmes e talenteve të së ardhmes dhe një reflektim muzikor shpërthyes i Tiranës si Kryeqytet Europian i Rinisë. Më 10 Shtator tek Amfiteatri i Liqenit të Tiranës, do të keni mundësinë të ndiqni artistë si Eugent Bushpepa, Jericho, Bojken Lako, Brios Band, Edea Demaliaj & Band, Grupi Burn, Offchestra dhe Niki & Band.
Tirana është kthyer në një qendër të njohur për evente të mëdha. Koncerti organizohet në kuadër të programit Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022 me mbështetjen e Kongresit Rinor Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë./tvklan.al/ KultPlus.com
Mona Lisa mund të jetë fytyra më e njohur në faqe të dheut. E spikatur në emisione televizive dhe në filma të panumërt, e parodizuar në format nga më të ndryshme në krejt globin, e përmendur në libra arti në çdo gjuhë, Mona Lisa ka një fytyrë që tërheq çdo vit mbi shtatë milion njerëz në Louvre të Parisit.
Secili nga këto vizitorë do të shohë nga afër, se Mona Lisa është shumë e vogël, saktësisht 76cm x 53cm. Nuk ngjason me veprat e tjera të Rilindjes sepse nuk është masive, apo të bjerë në sy menjëherë, apo të shkaktojë ndonjë emocion të fortë. Në fakt, kur Mona Lisa u vendos në Louvre më 1797, ajo varej në mur me piktura të tjera dhe nuk ishte e vetme në qendër të vëmendjes sikundër sot. Mona Lisa, natyrisht, është një vepër arti e një artisti të nderuar si Leonardo da Vinci, megjithatë nuk ishin aftësitë e tij ato që e bënë pikturën të famshme. Mona Lisa e mori famën e vërtetë prej një vjedhësi veprash arti, një italian i quajtur Vincenzo Peruggia. Mëngjesin e të hënës, të 21 gushtit 1911, Peruggia doli jashtë nga Louvre, pa u pikasur me Mona Lisa-n të fshehur nën përparësen e punës. Peruggia nuk ishte ndonjë fytyrë e panjohur në muze. Ai ishte duarshkathët, i punësuar herë pas here për të punuar me xham mbrojtës për eksponatet. Ai kishte punuar me një numër pikturash të shtrenjta dhe të bukura në Louvre, por edhe në muzetë e tjerë.
Atëherë, përse e vodhi Mona Lisa-n?
Për Vicenzo Peruggia-n kjo ishte një çështje patriotizmi. Gabimisht kishte menduar se Mona Lisa ishte vjedhur në Itali në kohën e Napoleonit dhe besonte se ishte detyra e tij t’ia kthente këtë tablo atdheut. Ai e fshehu tablonë në një WC të muzeut natën e së dielës, duke e ditur se do të ishte i mbyllur të hënën dhe mund ta vidhte qetësisht e të largohej. Sidoqoftë, gjatë marrjes në pyetje pas dy vjetësh, Peruggia tha se thjesht kishte ardhur të hënën në mëngjes me punëtorë të tjerë, kishte pritur deri sa galeria që mbante Mona Lisa-n të zbrazej, e kishte marrë pikturën nga muri, e kishte fshehur nën përparësen e punës dhe kishte dale jashtë. Në fakt, stafi i Louvre nuk e pikasi menjëherë mungesën deri të nesërmen. Ndonjëherë pikturat hiqeshin nga muri për t’u fotografuar, ndaj s’ishte diçka e pazakontë që njëra prej tyre të mungonte. Megjithatë, kur rojet e sigurisë pyetën fotografët, zbuluan se piktura ishte vjedhur.
Kur policia nisi hetimin, Peruggia ndodhej në shtëpi duke e futur Mona Lisa-n në një sënduk në apartamentin e tij, pa i shkuar aspak nëpër mend se kjo vjedhje sapo kishte ndryshuar historinë e artit. Përgjatë dy viteve në vijim, vjedhja e Mona Lisa-s u bë lajm ndërkombëtar. Kjo ngjarje u përhap përmes gazetave në të gjithë Francën dhe në mbarë botën, duke u publikuar edhe nga New York Times. Ndërkohë, policia kërkoi me dëshpërim për hajdutin dhe hetoi plot të dyshuar, përfshi poetin e mirënjohur Guillaume Apollinaire, i cili njëherë kishte bërë thirrje që Louvre të digjej, e që tashmë zotëronte disa statuja të vogla të cilat ishin vjedhur nga Louvre.
Dhe sot shënohen gjithsej 111 vite nga burgosja e poetit francez Guillaume Apollinaire nën dyshim të vjedhjes së pikturës Mona Lisa nga muzeu në Luvër.
Policia mendoi se burri që kishte vjedhur statujat, mund të kishte edhe Mona Lisa-n. Kur policia e mori në pyetje Apollinaire-in për Mona Lisa-n dhe për statujat, për këtë të fundit ai implikoi mikun e tij, një piktor i ri spanjoll që quhej Pablo Picasso. Thuhet se Apollinaire dhe Picasso qanë gjatë marrjes në pyetje dhe në fund policia kuptoi se asnjëri prej tyre nuk ishte burri që kërkonin. Pas vjedhjes muzeu i Louvre-it ishte mbyllur për një javë. Megjithatë kur u rihap, njerëzit po mbanin radhën vetëm që të futeshin e të shikonin vendin ku më parë qëndronte piktura e Mona Lisa-s. Madje deri në Kaliforni e dinin me saktësi se ç’pamje kishte kjo pikturë e vogël nga Franca, sepse e kishin parë vazhdimisht në gazeta, si një lloj krimi sensacional. Nëse Vincenzo Periugga do të kishte vjedhur një pikturë tjetër, kjo vepër arti mund të ishte bërë po aq lehtësisht piktura më e famshme në botë, dhe Mona Lisa nuk do të bëhej aq e njohur sa ç’është sot.
Por për shkak të vjedhjes, Mona Lisa u bë vepra e parë e artit që shihej dhe shpërndahej në të gjithë botën, gjatë një kohe kur komunikimi masiv ishte ende në hapat e parë. Një vepër arti e cila më parë kishte qenë thjesht një drejtkëndësh i vogël në një mur të mbushur me piktura, tashmë ishte bërë epiqendra e një skandali global. Ndërkohë, planet e Periugga-s për t’ia shitur pikturën një galerie arti në Itali, u ndërprenë. Me famën e re të Mona Lisa-s, çdo përpjekje për ta ofruar kundrejt shpërblimit, apo për ta shitur, mund të rezultonte në arrestimin e tij. Ndaj, qëndroi brenda një sënduku, për dy vite. Më në fund, në vitin 1913, Vincenzo Periugga-s po i humbte durimi. Ai kontaktoi Alfredo Geri-n, një tregtar veprash arti në Firence, për t’ia kthyer Mona Lisa-n “vendlindjes” në këmbim të shpërblimit.
Geri i tha Peruggia-s ta takonte te Galeria Uffizi, për ta verifikuar pikturën. Kur Peruggia ia dorëzoi, Geri premtoi se do ta mbante në një vend të sigurt, megjithatë ai telefonoi policinë sapo Peruggia u largua. Hajduti i veprave të artit u arrestua në hotelin ku po qëndronte, Mona Lisa u rimor dhe krimit që shkundi botën, i erdhi fundi. Galeria Uffizi e ekspozoi pikturën për dy javë, përpara se të kthehej zyrtarisht në Louvre, në 4 janar të vitit 1914. Që nga ajo kohë, kanë ndodhur disa incidente ku individë përpiqen ta dëmtojnë Mona Lisa-n, por nuk ka pasur më vjedhje. Sot piktura ka një mur të veçantë në Louvre dhe mbrohet nga një xham antiplumb, me ajër të kondicionuar. Për sa i përket Vincenzo Peruggia-s, ai u burgos për gjashtë muaj dhe Italia e vlerësoi për atdhetarizmin e treguar. Ai shërbeu në ushtrinë italiane gjatë Luftës së Parë Botërore dhe në fund u shpërngul sërish në Francë, ku hapi një punishte për piktura, të cilën e zotëroi deri kur vdiq në vitin 1925.