Presidentja Osmani: Ballafaqimi me drejtësinë e grupeve kriminale në veri – i domosdoshëm

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një delegacion të Grupit të Miqësisë Austri-Kosovë në Parlamentin e Austrisë, të përbërë nga deputetë të partive të ndryshme politike në Austri.

Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë. Osmani aty përmendi veprimet e vazhdueshme destruktive të Serbisë, të cilat kanë për qëllim të drejtpërdrejt destabilizimin e vendit, thuhet në komunikatën e presidencës.

Presidentja potencoi se ballafaqimi me drejtësinë i grupeve kriminale të mbështetura nga Serbia që sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, gazetarët dhe qytetarët është i domosdoshëm.

E para e vendit po ashtu theksoi se Kosova është e përkushtuar për kontribut për paqen dhe stabilitetin e vendit dhe rajonit, në koordinim me aleatët.

Tutje Osmani falënderoi shtetin e Austrisë për mbështetjen ndaj Kosovës përgjatë viteve, ndërsa ka shprehur gatishmërinë që të hapen kapituj të rinj të bashkëpunimit në mes të dy vendeve.

Osmani ka përmendur edhe rolin jetik të diasporës sonë në Austri si urë ndërlidhëse e bashkëpunimit dypalësh, si dhe në forcimin e mëtejmë të raporteve të shkëlqyera ndërshtetërore. /21Media/KultPlus.com

Londër-‘Humbet gjurmët’ një nëndetëse me turistë të cilët po vizitonin reliket e Titanikut

Një nëndetëse e përdorur për të sjellë grupe turistësh për të parë mbytjen e Titanikut ka humbur gjurmët në këto orë në Oqeanin Atlantik, në brigjet e kontinentit amerikan, raporton BBC.

Nëndetësja e vogël është pjesë e një flotiljeje automjetesh nënujore të përdorura nga kompani private për të çuar grupe të vogla turistësh në thellësi të oqeanit për të vizituar mbetjet e Titanikut 3800 metra nën nivelin e detit.

Titaniku u nis më shumë se një shekull më parë me reputacionin e një anijeje “të pambytur”, por u mbyt me shumë nga pasagjerët e saj në 1912 pasi goditi një ajsberg, në vendkalimin e parë midis Anglisë dhe Amerikës, në një fatkeqësi që tregohet në libra dhe filma.

Për momentin, sipas transmetuesit britanik, nuk është e qartë nëse kishte vizitorë apo vetëm anëtarë të ekuipazhit në bordin e mini-nëndetëses së zhdukur. Tani për tani konsiderohet “e zhdukur”./atsh/KultPlus.com

T’isha një lule

Musine Kokalari

“T’ isha një lule–lule are, e vogël dhe me erë.
Të çelnja në pranverë
dhe në vjeshtë të vishkesha në vetminë t’ime.
T’isha një lule vjollce në mes të ferrave.
Të qëndroja e fshehur, e pa dukur
dhe një ditë të zbulohesha prej duarve të dy të
rinjëve.
Prej frike,
të larguar prej njerzis do t’më këputnin,
do të dhurohesha te njeri–tjetri
për shënjë kujtimi.”

Musine Kokalari u lind më 10 shkurt të vitit 1917 në Adanë të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më vonë, familja Kokalari vendoset në Tiranë. Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941.
Ajo botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë” në vitin 1939. Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, botoi librin e saj të dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”. Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page. 
Më 1980, Musine Kokalari u diagnostikua me kancer të gjirit dhe ashtu e sëmurë u refuzua e u la pa u kuruar nga trupat spitalore. Moskurimi i sëmundjes, dhimbjet dhe vuajtjet e shumta të kaluara nën përndjekjen komuniste i shkaktuan vdekjen në gusht të vitit 1983. Musine Kokalari përfaqëson disidenten e parë shqiptare. Vdiq e vetme dhe u varros vetëm nga varrmihësit. / KultPlus.com

Ndalohet shfaqja e “Spider-Man: Across the Spider-Verse” në Emiratet e Bashkuara Arabe

Emiratet e Bashkuara Arabe nuk do të shfaqin filmin e animuar të Sonit “Spider-Man: Across the Spider-Verse”. Këtë e ka bërë të ditur Vox Cinemas, megjithatë nuk ka dhënë sqarim për këtë.

Por, në bazë të debateve që po bëhen online në mes fansave të këtij filmi në Emirate, flitet se filmi trajton tema për transeksualë, dhe ka mendime se kjo mund të jetë edhe arsyeja e ndalimit të shfaqjes së tij atje.

Filmi “Spider-Man: Across the Spider-Verse”, që është vazhdim i filmit “Spider-Man: Into the Spider-Verse” i vitit 2018-të, u lansua me 2 qershor 2023 në SHBA, ndërkaq në rajonin e Gjirit ishte planifikuar të lansohet me 22 qershor po këtë vit.

Sidoçoftë për ta bërë këtë më të qartë, sipas Vox që është filiale e biznesmenit Majid Al Futtaim, filmi nuk do të shfaqet në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai këtë e ka bërë të ditur përmes Facebook, ndërkaq nuk ka komentuar më tepër rreth kësaj.

Zinxhiri i kinemave të mëdha në Arabinë Saudite, në Katar, Kuvait, Oman e Bahrain, nuk e kanë futur këtë film në listën e tyre të filmave të publikuar në veb faqe.

Debate rreth filmit “Spider Man Across the Spide Verse” më saktësisht janë bërë rreth personazhit Gwen Stacy, që është transeksuale. Një skenë në trailerin e filmit  tregon një shenjë ku shkruan “mbroni fëmijët transeksual”.

Mediet në anën tjetër nuk kan arritur të thonë nëse kjo është arsyeja e ndalimit të lansimit të filmt atje.

Edhe vitin e kaluar në Emiratet e Bashkuara Arabe u ndalua shfaqja e filmit të Diznit “Lightyear”. Arsyeja ishte sepse në të paraqiten personazhe të gjinisë së njëjtë në lidhje.

Ministria e rinisë për kulturë atje me këtë rast ka thënë se ky film ka përmbajtje që cenon standardet mediale të vendit./21Media/KultPlus.com

‘El Pais’: Një udhëtim agroturistik në Shqipëri mes akomodimit rural, fermave dhe kantinave të suksesshme

Në vitin 2021, Shqipëria priti 5,6 milionë turistë të huaj, të joshur nga plazhet e saj perfekte të Jonit, nga peizazhi i përthyer i Alpeve Shqiptare dhe nga një trashëgimi e pafund historike, shkruan Victoria Zarate* për gazetën më të madhe spanjolle ”El Pais”.

”Megjithëse grumbullimi i turistëve këtu nuk ka filluar ende, çdo vit i kushton më shumë vendit ballkanik që të ruajë reputacionin e tij si sekreti më i ruajtur në Ballkan, një alternativë e qetë dhe ekonomike për bregdetin e Mesdheut që ofron Spanja, Italia apo Greqia.

Por, ka ende shumë për të eksploruar në Shqipërinë e paprekur, përtej resorteve të viteve ’90 dhe plazheve të mbushura me motorë uji, që përcaktojnë 400 kilometrat e vijës së saj bregdetare ku bashkohen detet Jon dhe Adriatik. Një mënyrë ndryshe dhe që lidhet me trashëgiminë e saj të pasur është ta vizitoni vendin përmes rrjetit të gjerë të hapësirave të certifikuara si objekte agroturistike, që ofrohet në të gjithë gjeografinë e saj.

Pas zhdukjes së një pjese të mirë të kooperativave bujqësore, të shkaktuara nga rënia e regjimit komunist, në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, fermat panë rënien e prodhimit të tyre, që rifilloi një dekadë më pas. Të njohura në prodhimin e grurit, misrit, duhanit, mishit dhe produkteve të qumështit, shumë prej tyre tani kanë rimarrë shkëlqimin e dikurshëm, të gjallëruar nga brezat e rinj që shkuan jashtë vendit, veçanërisht në kuzhinat italiane, për të mësuar se si të gatuajnë. Ata përpunojnë ushqimet lokale dhe përcaktojnë historinë e tyre në vendin e tyre të lindjes. Një dhuratë premtuese për bizneset e reja, që transferojnë të kaluarën bujqësore shqiptare në akomodime rurale, taverna dhe kantina të suksesshme, ku mund të provoni librin tradicional shqiptar të recetave me një shije bashkëkohore apo të degustoni verë apo të zgjoheni në një mjedis të pakrahasueshëm dhe me ​​çmime më të ulëta konkurruese.

Në këtë itinerar që nis pak kilometra nga Tirana (në këtë qytet operon aeroporti kryesor ndërkombëtar, me kompani si ”Wizz Air” që ofron fluturime direkte nga Madridi dhe Barcelona), histori personale grumbullohen sapo kalon pragun e çdo vendi. E para na çon vetëm 20 minuta me makinë në drejtim të Prezës, një fushë e rrethuar nga malet e Krujës dhe Dajtit dhe një qytet mjaft i vizituar për kështjellën e tij mesjetare që shërbeu si një bastion strategjik për heroin kombëtar, Skënderbeu. Pak metra larg sheshit kryesor, kantina ”Enol” ju pret me një fermë dhe punishte vere dhe ju fton të ndani produktet e saj vendase në kopshtin e saj të pyllëzuar, të ngrohur nga mbulesat e kuqe të tavolinave, me buqeta lulesh të egra dhe një furrë me tulla në natyrë. Eni dhe Olsi, djemtë e themeluesit të saj Qemal Alushi, vendosën një ditë të ndiqnin pasionin e tij për verën dhe të përmbushnin një ëndërr të vjetër rinore për të prodhuar verën e vet.

Hardhitë e para në kodër që ndajnë ullinjtë, kumbullat dhe pemët e tjera frutore, u mbollën në vitin 2002 dhe u përpunuan në vjeljen e tyre të parë shtatë vjet më vonë. Me një prodhim aktual që arrin në 10 000 shishe në vit, verërat e saj përziejnë notat e kabernetit, sangiovese dhe merlotit dhe mund të shijohen para tryezës së drurit, të ndjekur nga fjalët që Olsi, mjeshtri i verës, flet me entuziazëm në lidhje me kultivimin e saj. Por, asgjë nuk mbaron këtu. Ata gjithashtu zhvillojnë degustime të disa varieteteve të rakisë, një pije shumë e popullarizuar në Shqipëri me shije mjalti, kanelle dhe karafili. Eni merr përsipër pjesën gastronomike të biznesit me nënën e tij, me një menu të bërë nga produkte artizanale si reçel, gjalpë, djathë dhe kos të bërë me qumësht të mbledhur në fshatrat e afërta. Shkoni herët të provoni gjithçka në shtëpinë e tyre, si për shembull një antipastë për t’ju hapur oreksin apo kecin e pjekur në hell.

Këtu pranë, në rrugën që të çon në Durrës, bregdeti më i ngarkuar i Adriatikut në vend dhe porti kryesor, ka disa adresa për t’u marrë parasysh. Nga njëra anë, ”Gjepali”, i aksesueshëm vetëm me makinë, duke kaluar një shteg me korsi të ngushta mes fushave dhe qarqeve lumore që ”çmendin” edhe Google Maps. Historia e këtij kompleksi rural filloi 23 vjet më parë, kur themeluesi i tij Fundim Gjepali emigroi në Itali në kërkim të një fati më të mirë. Pasi u bë një kuzhinier i njohur në qytete si Roma dhe Tirana (në këtë të fundit ai ka një restorant të kuzhinës së lartë), ai krijoi paralelisht këtë shtëpi-fermë të stilit toskan, me kuzhinë që kënaq dashamirësit bio. Një bujtinë e ndërtuar mbi pllaka terrakote dhe e zbukuruar me vepra të piktorëve shqiptarë, ku mund të provoni specialitete vendase si byrek me qumësht dhe përzgjedhjen e verërave italiane.

Për ata që vendosin të kalojnë natën atje (dhoma të disponueshme nga 30 euro), mëngjesi nuk do t’ju zhgënjejë me bukë, perime dhe fruta, të sjella nga kopshti i tyre.

Pranë akomodimit avangardë në formën e kabinave prej druri, me pamje nga një liqen i bukur, është gostia gastronomike e ofruar nga Huqi (nga 50 euro nata për dhomë dyshe) në rrugën për në Gjirin e Lalzit, katër kilometra nga Maminasi në Radë, që gjallërohet me shëtitjet me varka dhe ditët e peshkimit, përveç kënaqësisë së krijuar nga kopshti i tij i populluar nga pulat, rosat dhe lepujt. Përpara kësaj kanavace idilike me pamje nga Adriatiku, qëndron një fermë dhe restorant i drejtuar nga një ish-oficer i ushtrisë, i cili donte të ndërtonte një projekt në tokën e të parëve të tij, që do t’i bënte homazh natyrës që e rrethon. Kur vjen vera dhe darkuesit ulen në tavolinë, një ”meze” me manaferra dhe mjedra të mbledhura nga fusha e tyre, i paraprin një liste të gjatë gatimesh tradicionale si lakror me domate dhe qepë, spinaq ose kos, djathë dhie apo keci, i pjekur në dru, brenda një pusi të thatë, tre metra të thellë.

Sekretet e mëdha të Shqipërisë së Veriut

Duke u ngjitur në rrugën drejt veriut, për të parë liqenin e Shkodrës, i cili vepron si një kufi natyror me Malin e Zi me gjiret e tij të vegjël ku mund të laheni, ofrohen perlat e mrekullueshme të agroturizmit ku mund të ndaloni gjatë udhëtimit tuaj. Qyteti i vogël i Krujës ia vlen të vizitohet. Këtu lindi fisniku shqiptar Skënderbeu, i cili orkestroi kundërshtimin ndaj pushtimit osman, i pranishëm në të gjithë morfologjinë e tij, të dukshme nga maja e kodrës që dominon kështjellën kryesore. Më poshtë është pazari i tij historik, ku mund të humbisni mes rrugëve me kalldrëm, me tezga që alternojnë suvenire të një cilësie të dyshimtë, me mostrat e zanateve vendase si mbulesa tavoline me grep, qilima, piktura apo antika.

Pasi jeni lodhur, ju meritoni një pushim në hotelin dhe restorantin malor ”Shkreli”, 45 minuta nga Kruja. Ai ndodhet në zemër të Parkut Kombëtar të Qafshtamës, i njohur për ujërat e tij, që furnizonin familjen mbretërore shqiptare gjatë pushimeve të tyre në vitet ’30. I ngritur në 1 300 metra mes pyjeve me pisha, liqeneve të vegjël dhe rrugëve gjarpëruese që lidhin bashkitë e Burrelit dhe Dibrës, ky resort me sauna dhe spa, i frymëzuar nga shtëpitë tradicionale prej guri të njohura si kulla që shërbenin edhe si strehë, ka dhoma të thjeshta prej druri në në mes të askundit (nga 60 euro për natë). Edhe pse kanë vetëm një pemishte të vogël dhe fusha aty pranë të ushqyer nga manaferrat e egra dhe pemët frutore, restoranti i tyre është besnik i kuzhinës lokale të ofruar nga furnitorët vendas nga fshatrat Cudh dhe Krujë. Ajo që e bën të famshëm është mjalti aromatik, të cilin vizitori do të mund ta marrë nga dora e parë, së bashku me aktivitete të tjera në natyrë si shtigjet e ecjes, biçikleta me katër rrota apo shëtitjet gjatë muajve të dimrit.

Rrugës për në Shkodër do të hasni në dy ndalesa me shumë interes. E para të çon te bujtina ”Dini”. Pa akses të drejtpërdrejtë me transport publik, kjo shtëpi për mysafirë e drejtuar nga familja Kol Marku, pesë kilometra larg qytetit verior të Rubikut, lindi pas udhëtimit të këtij ish-minatori nëpër Kretë dhe Greqi, i cili u kthye për të përmbushur ëndrrën e tij për të ripërdorur gurin në shtëpinë e të parëve të tij dhe për ta shndërruar në një banesë. Me katin përdhes për restorantin, dy katet e sipërme strehojnë gjashtë dhoma me pamje nga lugina (nga 30 euro për natë). Një stallë e vogël për dhi dhe pula, ngjitur në shtegun ku rriten domate, fasule, qershi ose kunguj si dhe pjeshkë dhe fiq, krijon ambientin e tij të lezetshëm, që ndiqet nga një menu e përditshme nga bashkëshortja, Hale Marku. Gjatë muajve të nxehtë, nuk ka asgjë më të mirë se të ulesh në kopshtin e vogël dhe të pushosh duke pirë dhallë, e bërë me qumësht dhie. Një rostiçeri e rrumbullakët nëse shtoni tortën e bërë vetë me reçel dhe biskota.

Vetëm 30 kilometra larg Shkodrës ndodhet një nga fermat më të famshme në të gjithë vendin, ”Mrizi i Zanave”. Në kuzhinën e tij që nuk ”fle” kurrë, pijet freskuese të konservuara dhe mishrat e përpunuar marrin kuptimin e tyre të plotë. Ky projekt, i drejtuar nga shefi i kuzhinës Altin Prenga dhe vëllai i tij Antoni, është fundi i lumtur i një historie të dedikuar plotësisht punës, që nisi në vitin 1998, kur ai emigroi në Itali si adoleshent për të larë enët. Atje, më vonë, do të punonte si kuzhinier duke ndjekur hapat e të atit, kuzhinier i një mense të vjetër, siç njiheshin në kohën e komunizmit si kafene, ku shërbehej edhe  ushqim tradicional. Pas kthimit, ai vendosi të hapte restorantin e tij, i frymëzuar nga vepra e poetit kombëtar Gjergj Fishta dhe Mrizi i tij i Zanave.

Çdo vit, ata shërbejnë më shumë se 100 000 porosi midis sallës së tyre të gjerë dhe oborrit të mbuluar, me një menu që josh stomakun dhe syrin dhe ndryshon sipas periudhës së vitit, duke përdorur përbërës nga ferma e tyre dhe e 400 familjeve aty pranë. Një shëtitje nëpër fermë ju lejon të shihni disa nga punishtet ushqimore që Altini i transformoi në vitin 2018, ku përpunojnë domate të thata, reçel, perime turshi, djathëra të bërë vetë ose miell nga mulliri i tyre i vjetër, si dhe lëng qershie që mirëpret darkuesit e saj. Si pikë kulmore, një punishte vere moderne, ku fermentohet rrushi i kallmetit. Pavarësisht nga madhësia e tij, rekomandohen rezervime paraprake, edhe për drekat që shërbehen gjatë ditëve të javës. E njëjta gjë vlen edhe për konakun që zë fermën e vjetër prej guri që i përkiste gjyshit të Altinit. Tani, e kthyer në një strehë moderne, me nëntë dhoma të lira (nga 40 euro për natë), ajo josh nga dritaret e mëdha prej xhami që përshkojnë shtëpinë, me pamje të papërsëritshme të pemishteve dhe ullishteve.

Jugu me kantina të fshehura dhe verëra firmato

I futur në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2005, Berati tërheq një pjesë të mirë të turizmit të vendit për shkak të pseudonimit të tij “Qyteti i një mbi një  dritareve”, apo ndoshta sepse është i izoluar apo sepse shërben si prelud i plazheve të kristalta që të presin në jug. Megjithatë, një tjetër realitet më pak i vizituar, shtrihet rreth qarkut të tij, por po aq stimulues sa kalaja e tij jetëgjatë, kishat bizantine apo rrugët që popullojnë shtëpitë e tij të famshme të stilit osman.

Rreth 20 minuta nga qyteti me makinë ndodhet një destinacion kyç për adhuruesit e verës, ”Nurellari”. Kjo punishte vere që i përket familjes me të njëjtin emër është atraksioni i madh i qytezës së Peshtanit, i ndërtuar në juglindje të Beratit në një fushë të kufizuar nga lumi Osum. Fatos dhe Libonike Nurellari, agronomë dhe themelues, ​​vendosën të rivitalizojnë një fermë të vjetër në qytet duke mbjellë hardhi rreth saj për të prodhuar verë. Shishet e para u prodhuan në vitin 1995 dhe që nga ajo kohë, së bashku me djemtë e tij të trajnuar si somelierë në Zvicër, Francë dhe Itali, kanë zgjeruar me sukses biznesin brenda dhe jashtë vendit. Një ish-magazinë është tashmë selia e kantinës së tij, e cila shquhet për dyshemenë e saj mbresëlënëse prej guri, kolonat e gdhendura dhe dyshemetë prej mermeri, të zbukuruara me mobilie nga artizanët vendas beratas. Këtu ata prodhojnë 30 000 shishe çdo vit që furnizojnë restorante të shumta në rajon, duke përfshirë rrushin vendas dhe ato të tjera ndërkombëtare si Montepulciano, Merlot dhe Cabernet Sauvignon. E hapur për vizita, degustime private dhe ekskursione gjatë vjeljes së rrushit, ajo ka një dyqan ku mund të rezervoni verëra dhe produkte të tjera që ata bëjnë vetë, si vaji i ullirit ose rakia e rrushit me aromë të quajtur ”Arrabon”. Nëse duam të zgjasim qëndrimin, ata kanë gjashtë dhoma (nga 45 euro nata).

Oferta e qarkut Berat vazhdon. Në verilindje pret kantina ”Alpeta”, e rrethuar nga ullishte dhe pemishte në qytezën e Roshnikut, ku jetojnë vetëm 120 familje. I shkëputur nga pjesa tjetër e botës, është një vend idilik për të parë një muzg mbi malin madhështor të Tomorit. Për të arritur në destinacion, duhet të merrni rrugën që kalon nëpër qytet deri në fund. Pasi kalojmë xhaminë do të gjejmë këtë kompleks të drejtuar nga Alfred dhe Petrit Fiska që strehon një punishte vere, restorant dhe bujtinë me konvikte të përbashkëta dhe dhoma private (nga 10 euro për natë). Të dy vëllezërit vazhdojnë trashëgiminë e babait të tyre, agronom në kohën e komunizmit, i cili mbolli vreshtat e para në vitin 1992. Me hapjen demokratike të Shqipërisë, biznesi lulëzoi falë tokës së re dhe prodhimit të 50 000 shisheve në vit, të njohura në të gjithë vendin për specialitetet e tij si përzierja e merlotit dhe kabernetit ose një raki rrushi të bardhë.

Të shëtisësh nëpër vreshtat e saj të ndërthurura me fiq ose të provosh të korrat e tij së bashku me ullinj, arra dhe djathëra vendas është një kënaqësi për shqisat, përpara se të zhytesh në kuzhinën fshatare të restorantit të tij me gatime si mish dhie që kullot në shpatet pranë Tomorit.

Kënaqësia e të ngrënit mish nuk mbaron këtu. Një devijim i shkurtër në veri do t’i shpërblejë dashamirësit e mishit me një ndalesë në kompleksin ”Kështjella”. Në mes të sheshit të qytezës së Poshnjës, lindi edhe një furrë buke e drejtuar nga vëllezërit Ismailaj gjatë rënies së regjimit komunist në vitin 1990. Nga prodhimi i miellit të tyre, ata e zgjeruan biznesin drejt blegtorisë dhe praktikave të tjera bujqësore, përfshirë mbjelljen e  vreshtave për të prodhuar raki dhe verë. Paralelisht, ata konturuan fytyrën e re të ”Kështjellës”, me një restorant që të kujton planimetrinë e kalasë dhe dhomat në pjesën e pasme të godinës. Nuk është kurrë keq të rezervoni për të fjetur të qetë, pasi të keni provuar menunë e tyre tradicionale me perime vendase dhe mish të pjekur nga stalla e tyre.

Të kesh një stomak plot është mënyra më e mirë për të përballuar udhëtimin njëorësh që ndan këtë fermë nga rrënojat e Apolonisë, një mrekulli arkeologjike në zemër të Shqipërisë që shumë e barazojnë me një Athinë të vogël. Mbetjet e këtij qyteti të themeluar në shekullin VI para Krishtit japin një pasqyrë të mirë të lavdisë dhe shkëlqimit që gëzonte qytetërimi antik i Ilirisë në një pjesë të madhe të Gadishullit Ballkanik. Duke lënë bregdetin e Vlorës në të djathtën tonë, arrijmë në bujtinën ”Hadër Xhebro”, afër Nivicës. Me aksesin pothuajse të rezervuar për automjetet jashtë rrugës (është e rëndësishme të ndiqni udhëzimet e dhëna nga pritësit tuaj ose të organizoni një transport privat me ta), ia vlen të udhëtoni nëpër largësinë që mbron vendin nëse kërkojmë shkëputje absolute në një prej dhomave të saj komode, me kapacitet për pesë persona (nga 20 euro për person dhe natë, plus mëngjesin).

Kjo shtëpi për mysafirë, ”e ankoruar” në shpatin e malit të Kendrevicës, një nga peizazhet më spektakolare të Shqipërisë së Jugut për shkak të kanioneve dhe shkëmbinjve të saj, ka një baxho tradicionale ku barinjtë vendas dorëzojnë qumështin e tyre si në të kaluarën, me kalë ose me mushkë. Kjo pamje piktoreske mbetet e paprekur në funksion të fazës së re që po kalon kjo shtëpi e krijuar nga Hader Xhebro, tashmë në duart e fëmijëve të tij Arjola dhe Jaho, të cilët i kanë shtuar një vend shumë të veçantë biznesit familjar. Gjalpi, djathi, salca e kosit, e ngjashme me kosin, prodhohet gjatë gjithë vitit. Në ushqimet e gatuara në shtëpi, që shërbehen çdo ditë, nuk mungojnë prodhimet e qumështit dhe as mishrat që përshkojnë malet përreth, si qengji i marinuar në furrë apo lakrori tradicional apo ëmbëlsirat e tyre të bëra vetë si revania, që shërbehet me reçel qershie.

Tashmë në jug, e ashtuquajtura Riviera Shqiptare tërheq miliona turistë për limanet e saj dhe ujërat bruz në brigjet e detit Jon. I përfshirë nga Parku Kombëtar i Butrintit dhe rrënojat e tij nga qytetërime të ndryshme si ai grek, romak apo bizantin (mbetjet më të vjetra datojnë në epokën e bronzit), banorët e Ksamilit duket se po kërkojnë një drejtim të ri vitet e fundit, përtej hoteleve që shfaqen mes tepricave të apartamenteve turistike, të ndërtuara pa asnjë sens estetik apo frymë mjedisore, bare plazhi me muzikë dhe restorante me ushqime ndërkombëtare. Në këtë kamare spikasin vilat moderne të hotel ”Arameras”, një resort i hapur që vitin e kaluar me një plazh gjysmë privat, i ndërtuar me dru dhe gurë duke respektuar peizazhin që e rrethon dhe ”syrin vigjilent” të ishullit të Korfuzit përballë.

Pas kësaj ndalese në anën më parajsore të Shqipërisë, ndalesa e fundit na nxit ta mbyllim këtë itinerar në pikën e saj më të largët, ferma ”Sotira” (e aksesueshme me minibus publik nga qyteti i Gjirokastrës). Kjo fermë e vendosur mes pyjeve pothuajse të virgjëra të parkut Gërmenj-Shelegur në brendësi juglindore të vendit, është një Eden për adhuruesit e ushqimit bio.

Të vendosur në një lartësi prej më shumë se 1 000 metrash pranë kufirit grek, fqinjët e zakonshëm si arinjtë, ujqërit apo drerët lënë gjurmët e tyre në shtigjet midis pyjeve me pisha dhe liqeneve ku mund të bëni një piknik të improvizuar. Gjithçka filloi si një fermë peshku me troftën, së cilës i shtuan një restorant të vogël lokal ku ofrojnë peshkun e tyre të freskët. Më vonë ata ndërtua një fermë me dele, rosa, pata dhe pula që bredhin lirshëm në 20 hektarët e pronës së tyre. Kalërimi nëpër male dhe vreshta plotëson një përvojë për t’u mbushur me ajër të pastër dhe për të pushuar. Ato ofrojnë dhoma me banjo private dhe mobilie te punuara nga pronaret e fermës (nga 30 euro për natë). Një fund i vështirë për t’u përsëritur për shkak të trashëgimisë shqiptare, tokës legjendare që Skënderbeu donte të mbronte me çdo kusht, shekuj më parë./ a.jor.

(Victoria Zarate* është gazetare e lidhur me ”El Pais” që nga viti 2016. Ajo koordinonte më parë faqen e internetit Tentaciones dhe seksionin e saj të modës dhe stilit të jetesës derisa u mbyll në 2018. Ajo tani bashkëpunon me Icon, Icon Design, S Moda dhe El Viajero. Ajo ka punuar për ”Glamour”, ”Forbes” dhe ”Tendenca” dhe ka shkruar edhe për CN Traveler, AD, ”Harper’s Bazaar”, V Magazine (SHBA) dhe ”The New York Times T Magazine Spain”)./atsh/KultPlus.com

Aktorja Angela Thorne vdiq në moshën 84-vjeçare

Aktorja Angela Thorne, e njohur më së shumti për rolin në filmin “To The Manor Born”, ka vdekur në moshën 84-vjeçare, ka thënë familja e saj.

Thorne luajti gjithashtu në komedinë “Three Up, Two Down” përballë Michael Elphick, në vitin 1979.

Ajo vazhdoi të shfaqej në serialet televizive “Midsomer Murders” dhe “Foyle’s War”./KlanKosova/KultPlus.com

Përtej dashurisë

Poezi e shkruar nga Rumiu.

Në qoftë se nuk di të duash,
Mëso të duash,
Patjetër përpiqu të duash
Çdo gjë që të sheh syri,
Çdo gjë që percepton,
Çdo gjë që mund të imagjinosh
Duaje, duaje,
Të duash mëso
Edhe çdo gjë që dëgjon,
Çdo gjë që ndodhet në këtë univers…
Asgjë të shëmtuar s’ka në këtë botë,
Asgjë, pale sa e rëndomtë të të duket,
Një insekt sa i vogël po as ai
i shëmtuar nuk është,
Një fije bar merre në dorë
Sa e brishtë a nuk e sheh?
Duaj lulet, gurët, retë,
Çdo gjë me formën, ngjyrën, kuptimin e saj,
Duaje, duaje,
Mëso të duash,
Përpiqu të duash,
Bota për dashurinë tënde është krijuar,
Më parë mëso dashurinë,
Shiko një vogëlush,
Sa i mrekullueshëm,
Mendo dhe ata që e sollën atë në jetë,
Sepse kjo botë është krijuar për dashuri,
Duaji njerëzit,
Ata për të mos qenë vetëm
Pranë teje të jenë
Për këtë, vërtetë për këtë,
Janë krijuar,
I gjithë universi
Me zinxhirë të dashurisë është lidhur,
Prandaj edhe ti,
Të japësh dashuri mëso!
Sepse dije, në shpirtin tënd,
Për të gjitha këto paska vend,
Mos harro,
Bota vetë trembet nga njerëzit
Pa dashuri,
Dhe nga frika,
Prej tyre largohet,
Apo më e keqja, ju bëhet armike,
Prej vetes i largon,
Duaje edhe vdekjen,
Mëso ta duash që të dish se ka një Përjetësi…
Dhe nëse të duash mësove,
Edhe të tjerëve duhet t’ua mësosh,
Që me sekretin e mrekullueshëm të kësaj bote,
Njerëzimit t’i shërbesh…/KultPlus.com

Bebe Rexha flet pas goditjes që mori me telefon në fytyrë gjatë koncertit: Jam mirë

Këngëtarja shqiptare e njohur ndërkombëtarisht, Bebe Rexha, ka publikuar fotografi ku shihet syri i saj i mavijosur pas goditjes me telefon nga një pjesëmarrës në një koncert, shkruan KultPlus.

Këto fotografi Bebe Rexha i ka hedhur në rrjetin social, Instagram duke thënë se ‘Jam Mirë’.

Sot ajo gjatë një perfomance u sulmua me telefon, përderisa ishte duke e bërë me duar simbolin shqiptar, ‘shqiponjën dykrerëshe’, nga nga 27 vjeqari Nicolas Malvagna, i cili më pas edhe është arrestuar./KultPlus.com

Kadare: Për Ukshin Hotin e ruaj mendimin më të mirë, bisedat me të ishin pasuruese

Shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare, i cili të shtunën u nderua me deklaratën “Ukshin Hoti” në Rahovec, ka kujtuar bisedat që ka pasur me veprimtarin Ukshin Hoti.

Kadare tha se Hotin e ruan mendimin më të mirë që mund të ketë njeriu, duke shtuar se bisedat me të ishin të rëndësishme e pasuruese.

“Unë ruaj për të mendimin më të mirë që mund të ketë njeriu për tjetrin. Çka kemi bioseduar, folur e shkruar me të mbetet gjithmonë e rëndësishme e madhore dhe duke i rikujtuar tashti e kuptoj sa pasuruese ishin këto biseda me të për atë dhe për mua vetë dhe natyrisht që ishte gëzim i madh që i jepnim njëri-tjetrit dhe një gëzim që i jepte kujtdo që takohej me të”, ka thënë Kadare, njofton Klankosova.tv

Kujtojmë se të shtunën bashkëshortja e tij, shkrimtarja Helena Kadare, mori pjesë në ceremoninë ku u nda deklarata “Ukshin Hoti”.

Botohet libri mbi autoktoninë e shqiptarëve i Angelo Masci-t

Vepra e Angelo Masci-t (Engjëll Mashi), prekursor i Rilindjes Kombëtare “Discorso sull’origine, costumi e stato attuale della Nazione Albanese” (1847), botohet më 265-vjetorin e lindjes dhe 200-vjetorin e ndarjes nga jeta. Akademia e Shkencave të Shqipërisë thotë se, vepra trajton autoktoninë e shqiptarëve dhe prejardhjen e tyre nga pellazgët, ngre lart luftën e shqiptarëve për liri dhe kërkon që arbëreshët e Italisë të njihen nga shteti si një kombësi e veçantë.

Kjo vepër u përgatit dhe është shoqëruar me parathënie nga akad. Francesco Altimari.

Engjëll Mashi është studiues arbëresh i historisë dhe i kulturës popullore shqiptare. Mësimet fillore i kreu në kolegjin e Shën-Adrianit. Studimet për drejtësi i përfundoi në Napoli.

Ai kreu detyra zyrtare të rëndësishme në Mbretërinë e Dy Sicilive. Mashi është autor i një vepre në italisht me titull “Discorso sull’origine, costumi e stato attuale della nazione albanese”, Napoli 1807 (Fjalë për prejardhjen, zakonet dhe gjendjen e tanishme të kombit shqiptar), që u botua menjëherë pas daljes në frëngjisht të studimit të Konrad Malt-Brun (Conrad Malte-Brun, 1775-1826) Essai sur l’origine, les moeurs et l’état actuel de la nation albanaise (Ese për prejardhjen, zakonet dhe gjendjen e tanishme të kombit shqiptar).

Vepra ndikoi pozitivisht tek arbëreshët e Italisë dhe tek rilindësit shqiptarë. Botimi i parë i saj u përkthye në frëngjisht nga gjeografi i njohur Maltebrun duke i bërë të njohur shqiptarët në botën e jashtme. / atsh / KultPlus.com

Artisti austriak, Ian Strange mban nesër fjalim në Galerinë Kombëtare të Kosovës

Artisti austriak, Ian Strange do të jetë i pranishëm ditën e nesërme në Galerinë Kombëtare të Kosovës, duke filluar nga ora 17:00, përcjell KultPlus.

Gjatë këtij fjalimi, Ian Strange do të shfaqë vepra që përfshijnë 15 vitet e fundit të praktikës së tij, duke u fokusuar në projektet e tij të ndërhyrjes arkitekturore në shkallë të madhe, duke përfshirë interpretimet fotografike dhe kinematografike të atyre vendeve.

Duke theksuar projektet që përfshijnë hapësirat nga vendlindja e autorit – Australia, deri në Zelandën e Re, Japoninë, Norvegjinë, Poloninë dhe SHBA-në, transformimet provokuese nga Ian Strange të shtëpive të dëmtuara ose të braktisura zhbllokojnë temat e trazirave sociale dhe zhvendosjes gjeografike të shkaktuar nga plagët ekonomike, katastrofat mjedisore dhe migrimi.

Për më tepër, Strange do të paraqesë raste studimore nga aktivitetet e tij më të fundit, duke përfshirë një seri të re punimesh për këtë edicion.

Kujtojmë se ky diskutimi publik do të mbahet nesër nga ora 17:00-18:00, në Galerinë Kombëtare të Kosovës, në bashkëpunim me MuralFest. / KultPlus.com

Nesër, nata hapëse e Festivalit të Filmit Rolling 2023

Festivali i Filmit Rolling 2023 nesër do ta ketë natën hapëse të edicionit të shtatë me radhë, përcjell KultPlus.

Ky festival filmi mbart me vete një bukuri dhe magji të veçantë, ku do të jeni të pranishëm për të shijuar eksplorimin e narrativave dhe perspektivave unike nga e gjithë bota. Nata e hapjes do të sjellë përpara publikut filma emocionues dhe frymëzues, të cilët do të jenë përshkrimi i vërtetë i talentit dhe kreativitetit të botës së filmit.

Për më shumë informacion rreth Festivalit të Filmit Rolling, duke përfshirë filmat, folësit e ftuar dhe detaje shtesë, mund të vizitoni faqen zyrtare: https://rollingfilm.org/

Nata e hapjes së Festivalit të Filmit Rolling 2023,  do të mbahet më 20 qershor në Kino Armata Prishtinë, me fillim në ora 19:30. / KultPlus.com

Së shpejti sezoni i dytë i “Squid Game”: Netflix zbulon aktorë të rinj

“Squid Game”, një nga serialet e vitit 2021 që mori zemrat e milionave njerëzve do të shfaqet së shpejti edhe me një sezon të dytë.

Sezoni i parë i këtij seriali përfundoi më një sukses të jashtëzakonshëm dhe me një shikueshmëri mbarë botërore.

Së shpejti do të shfaqet edhe sezoni i dytë i “Squid Game”, premiera e të cilit pritet të dalë në fillim të vitit 2024.

Netflix bëri të ditur disa nga aktorët që do të marrin pjesë në këtë sezon të “Squid Game”. Bëhet fjalë për 34 vjeçarin, Yim Si-wan, Kang Ha-neul , Park Sung Hoon  dhe Yang Dong Geun, shkruan News in Germany.

Më i njohuri nga katër emrat është Yim Si-wan, i cili përpos që ka luajtur në filma dhe seriale të ndryshme koreane, është edhe pjesë e grupit K-pop ZE:A.
Ndërsa, tre aktorët e tjerë pjesëmarrës të këtij seriali janë interpretues me përvojë në vendin e tyre.

Gjithashtu, në këtë sezon do të rikthehet edhe aktori kryesor nga sezoni i pare.

Regjisori i këtij seriali, Hwang Dong-Hyuk  ndau një postim në Twitter, në të cilin ai njoftoi për rikthimin e personazhit kryesor, Gi-Hun. / KultPlus.com

Flamingot pushtojnë rezervatin natyror të Pishporos

Me një peizazh të mrekullushëm nga grykëderdhja e Vjosës, ku Flamingot kanë pushtuar rezervatin natyror të Pishporos në Fier, Drejtuesi politikë i Partisë Socialiste për qarkun e Fierit, Taulant Balla, ka zgjedhur t’i uroj mirmëngjesin ndjekësve të tij, në rrjetin social Facebook.

Përmes një video të publikuar prej tij, Balla pasqyron qindra Flamingo, të cilat zbukurojnë edhe më shumë Rezervatin natyror, që tashmë është kthyer në një oaz edhe për shpendin lozonjar, i cili më herët habitatin e tyre të prereferuar e kanë patur në Nartë apo Divjakë Karavasta, por vitet e fundit, kanë gjetur dhe një destinacion të ri, Pishporon.

“Mirëmëngjes! Dhe me këto pamje fantastike të flamingove, që kanë pushtuar Rezervatin Natyror të Pishporos në Fier pranë grykëderdhjes së Vjosës ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Balla.

Flamingot janë kthyer në një atraksion për turizmin e vëzhgimit të tyre në habitatet natyrore ku jetojnë. Flamingot jetojnë gjithmonë në grupe, që nga grupet e vogla deri në qindra mijëra. Zogjtë ngrihen në ajër në grup dhe fluturojnë me qindra kilometra gjatë periudhës së shtegtimit. Fluturimi bëhet duke formuar radhë të gjata ose në formë V-je, derisa të arrijnë në vendmbërritjen e tyre – një liqen me ujë të kripur, që është vend i shkëlqyer për të ngritur folenë e për të rritur të vegjlit.

Gjatësia e tyre shkon nga 81 deri në 130 cm, por pesha e tyre trupore është e vogël, ajo shkon nga 2–3,6 kg. Duke kombinuar peshën dhe ngjyrën, flamingot janë ndër zogjtë më të dallueshëm nga të tjerët./ atsh / KultPlus.com

Arrestohet personi që goditi Bebe Rexhën në fytyrë me telefon pasi këngëtarja bëri simbolin e shqiponjës në skenë

Personi që i hodhi një telefon këngëtares Bebe Rexha u arrestua gjatë koncertit në New York City të dielën.

Këngëtarja dhe kantautorja, 33 vjeçe, po performonte në një koncert të dielën në The Rooftop në Pier 17 në turneun e saj Best F’n Night Of My Life kur ajo u godit në fytyrë nga një telefon.

Siç shihet në një video në Twitter, artistja e “Back to You” u pa duke kënduar dhe duke u drejtuar drejt pjesës së përparme të skenës ku një telefon u pa duke u futur nga turma dhe duke e goditur atë drejtpërdrejt në fytyrë, shkruan dailymail.

Pas një momenti tronditjeje, këngëtarja e nominuar për Grammy ra në gjunjë me kokën ulur, ndërsa anëtarë të shumtë të ekuipazhit në krahë nxituan për ta ndihmuar.

Në një video të re, burri gjendet nga sigurimi të cilët e nxjerrin nga turma.

Ndërkohë, fansat bërtisnin ‘një**vrimë’ dhe ‘kjo është sulm’ teksa ai u largua.

Një postim në Twitter nga llogaria Pop Base thoshte: ‘Nëna e Bebe Rexhës zbulon se asaj iu desh të bënte tri qepje pasi dikush nga audienca i hodhi një telefon në kokë gjatë koncertit të saj.’

Një numër i fansave të Rexhës shkuan në Twitter për të shprehur sulmin e pakuptimtë ndaj yllit të popit.

“Bebe është fjalë për fjalë një nga njerëzit më të ëmbël dhe më pa problem në industrinë e muzikës, ajo nuk e meriton këtë… disa prej jush me të vërtetë duhet ta lënë të qetë omg”, shkroi një fans. / KultPlus.com

https://www.dailymail.co.uk/tvshowbiz/article-12210159/Man-hit-Bebe-Rexha-face-phone-ARRESTED.html?ito=link_share_article-image-share#i-b0aab96041853ea

Dua Lipa i bën kërkesën e papritur të atit në ditën e tij të veçantë

Këngëtaren me famë botërore dhe origjinë shqiptare, Dua Lipën jemi mësuar ta shikojmë të diskutohet për sukseset e saj në mbarë botën.

Dua përveç anës profesionale, jo pak herë ka folur dhe për jetën familjare. Këngëtarja ka një raport special kryesisht me të atin, Dukagjin Lipën. Në çdo moment dyshen i kemi parë si suportuesit më të mëdhenj të njëri-tjetrit.

Në SHBA dhe disa vende të tjera, festohet ‘Dita e Babait’. Në këtë datë speciale Dua ka vendosur ti bëjë kërkesën e veçantë.

‘Rikthe modelin e flokëve si në foto. Gëzuar ditën e baballarëve shoku im më i mirë’, ka shkruar Dua.

Dukagjini shfaqet me foto kur ishte fëmijë dhe në gazeta shkruhej për të dhe arritjet e tij. / KultPlus.com

dua1

Salman Rushdie fiton Çmimin e Paqes të ”German Book Trade”

Salman Rushdie, i cili ka qenë një nga autorët më të famshëm në botë që nga botimi i romanit të tij të vitit 1981 “Fëmijët e mesnatës”, është fitues i Çmimit të Paqes të ”German Book Trade” për vitin 2023.

“Rushdie, 76 vjeç, i cili u plagos rëndë në një atentat vitin e kaluar, do ta marrë çmimin këtë vjeshtë në kishën e Shën Palit të Frankfurtit”, njoftoi sot Shoqata Gjermane e Botuesve dhe Librashitëve.

“Autori britanik me origjinë indiane nderohet për shpirtin e tij të paepur, për rrëfimin e tij për jetën dhe për pasurimin e botës sonë me dashurinë e tij për tregimin”, thuhet në raportin e jurisë.

“Vepra e tij kronizon forcën e përdorur nga regjimet shtypëse për të shkatërruar shoqëri të tëra, duke festuar gjithashtu frymën e pathyeshme të rezistencës të shfaqur nga qeniet njerëzore individuale”, thuhet në raport.

Autori ka jetuar nën kërcënimin për jetën e tij që kur Ajatollah Khomeini i Iranit lëshoi një fetva kundër tij në vitin 1989, pas botimit të veprës “Vargjet Satanike”, për të cilën kleriku tha se fyente Islamin. /atsh / KultPlus.com

Akademia e Paqes për herë të parë në Kosovë, sjell ligjërues nga universitete më të njohura në Evropë e Amerikë

Akademia e Paqes, e para e këtij lloji në Kosovë, do të mbahet në datat 22-25 qershor në Hotel Venus në Prishtinë.

Akademia e Paqes do të sjellë ligjërues/e akademik nga universitetet më të njohura në Evropë dhe Amerikë, siç janë Universiteti i Qytetit të Dublin, Universiteti i Graz, Universiteti i Notingtam, Universiteti i Ruhr Bohum, dhe Universiteti i Kolumbisë. Akademia do të përfshijë diskutime, panele dhe prezantime nga personalitete dhe ekspertë të njohur nga fusha e drejtësisë tranzicionale, reziliences, ruajtjes së paqes dhe ripajtimit.

Hapja zyrtare e Akademisë do të bëhet me 22 qershor, në ora 09:00 në Hotel Venus. 

Nga Youth Initiative for Human Rights Kosovo – YIHR KS ju ftojnë të bashkoheni në këtë ngjarje të veçantë. / KultPlus.com

Tavolina e shtëpisë së Ferdonije Qerkezit ju pret në Tiranë në 26 Qershor

Tavolina e shtëpisë së Ferdonije Qerkezit është e zbrazët tash e 24 vite. Më datë 26 Qershor ju mund ti bashkoheni tavolinës me zonjën Ferdonije Qerkezi.  

Dhoma origjinale e ndejës së shtëpisë Qerkezi është lëvizur në Qendra e Artit Agimi (ish-Kinema Agimi) “Bajram Curri” në Tiranë, dhe do të pret mysafirë nga 26 Qershor deri më 31 Qershor.

Lajmin e ka bërë të ditur Artan Korenica, realizuesi  i këtij projekti.

Burri dhe katër djemtë e Ferdonijes janë rrëmbyer me dhunë nga forcat serbe në vitin 1999.

“Me përkrahjen e bashkisë së Tiranës , projekti Pritja do të hapet më datë 26 Qershor, ora 19:00.  KultPlus.com

”El Pais”: Një udhëtim agroturistik në Shqipëri mes akomodimit rural, fermave dhe kantinave të suksesshme

Në vitin 2021, Shqipëria priti 5,6 milionë turistë të huaj, të joshur nga plazhet e saj perfekte të Jonit, nga peizazhi i përthyer i Alpeve Shqiptare dhe nga një trashëgimi e pafund historike, shkruan Victoria Zarate* për gazetën më të madhe spanjolle ”El Pais”.

”Megjithëse grumbullimi i turistëve këtu nuk ka filluar ende, çdo vit i kushton më shumë vendit ballkanik që të ruajë reputacionin e tij si sekreti më i ruajtur në Ballkan, një alternativë e qetë dhe ekonomike për bregdetin e Mesdheut që ofron Spanja, Italia apo Greqia.

Por, ka ende shumë për të eksploruar në Shqipërinë e paprekur, përtej resorteve të viteve ’90 dhe plazheve të mbushura me motorë uji, që përcaktojnë 400 kilometrat e vijës së saj bregdetare ku bashkohen detet Jon dhe Adriatik. Një mënyrë ndryshe dhe që lidhet me trashëgiminë e saj të pasur është ta vizitoni vendin përmes rrjetit të gjerë të hapësirave të certifikuara si objekte agroturistike, që ofrohet në të gjithë gjeografinë e saj.

Pas zhdukjes së një pjese të mirë të kooperativave bujqësore, të shkaktuara nga rënia e regjimit komunist, në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, fermat panë rënien e prodhimit të tyre, që rifilloi një dekadë më pas. Të njohura në prodhimin e grurit, misrit, duhanit, mishit dhe produkteve të qumështit, shumë prej tyre tani kanë rimarrë shkëlqimin e dikurshëm, të gjallëruar nga brezat e rinj që shkuan jashtë vendit, veçanërisht në kuzhinat italiane, për të mësuar se si të gatuajnë. Ata përpunojnë ushqimet lokale dhe përcaktojnë historinë e tyre në vendin e tyre të lindjes. Një dhuratë premtuese për bizneset e reja, që transferojnë të kaluarën bujqësore shqiptare në akomodime rurale, taverna dhe kantina të suksesshme, ku mund të provoni librin tradicional shqiptar të recetave me një shije bashkëkohore apo të degustoni verë apo të zgjoheni në një mjedis të pakrahasueshëm dhe me ​​çmime më të ulëta konkurruese.

Në këtë itinerar që nis pak kilometra nga Tirana (në këtë qytet operon aeroporti kryesor ndërkombëtar, me kompani si ”Wizz Air” që ofron fluturime direkte nga Madridi dhe Barcelona), histori personale grumbullohen sapo kalon pragun e çdo vendi. E para na çon vetëm 20 minuta me makinë në drejtim të Prezës, një fushë e rrethuar nga malet e Krujës dhe Dajtit dhe një qytet mjaft i vizituar për kështjellën e tij mesjetare që shërbeu si një bastion strategjik për heroin kombëtar, Skënderbeu. Pak metra larg sheshit kryesor, kantina ”Enol” ju pret me një fermë dhe punishte vere dhe ju fton të ndani produktet e saj vendase në kopshtin e saj të pyllëzuar, të ngrohur nga mbulesat e kuqe të tavolinave, me buqeta lulesh të egra dhe një furrë me tulla në natyrë. Eni dhe Olsi, djemtë e themeluesit të saj Qemal Alushi, vendosën një ditë të ndiqnin pasionin e tij për verën dhe të përmbushnin një ëndërr të vjetër rinore për të prodhuar verën e vet.

Hardhitë e para në kodër që ndajnë ullinjtë, kumbullat dhe pemët e tjera frutore, u mbollën në vitin 2002 dhe u përpunuan në vjeljen e tyre të parë shtatë vjet më vonë. Me një prodhim aktual që arrin në 10 000 shishe në vit, verërat e saj përziejnë notat e kabernetit, sangiovese dhe merlotit dhe mund të shijohen para tryezës së drurit, të ndjekur nga fjalët që Olsi, mjeshtri i verës, flet me entuziazëm në lidhje me kultivimin e saj. Por, asgjë nuk mbaron këtu. Ata gjithashtu zhvillojnë degustime të disa varieteteve të rakisë, një pije shumë e popullarizuar në Shqipëri me shije mjalti, kanelle dhe karafili. Eni merr përsipër pjesën gastronomike të biznesit me nënën e tij, me një menu të bërë nga produkte artizanale si reçel, gjalpë, djathë dhe kos të bërë me qumësht të mbledhur në fshatrat e afërta. Shkoni herët të provoni gjithçka në shtëpinë e tyre, si për shembull një antipastë për t’ju hapur oreksin apo kecin e pjekur në hell.

Këtu pranë, në rrugën që të çon në Durrës, bregdeti më i ngarkuar i Adriatikut në vend dhe porti kryesor, ka disa adresa për t’u marrë parasysh. Nga njëra anë, ”Gjepali”, i aksesueshëm vetëm me makinë, duke kaluar një shteg me korsi të ngushta mes fushave dhe qarqeve lumore që ”çmendin” edhe Google Maps. Historia e këtij kompleksi rural filloi 23 vjet më parë, kur themeluesi i tij Fundim Gjepali emigroi në Itali në kërkim të një fati më të mirë. Pasi u bë një kuzhinier i njohur në qytete si Roma dhe Tirana (në këtë të fundit ai ka një restorant të kuzhinës së lartë), ai krijoi paralelisht këtë shtëpi-fermë të stilit toskan, me kuzhinë që kënaq dashamirësit bio. Një bujtinë e ndërtuar mbi pllaka terrakote dhe e zbukuruar me vepra të piktorëve shqiptarë, ku mund të provoni specialitete vendase si byrek me qumësht dhe përzgjedhjen e verërave italiane.

Për ata që vendosin të kalojnë natën atje (dhoma të disponueshme nga 30 euro), mëngjesi nuk do t’ju zhgënjejë me bukë, perime dhe fruta, të sjella nga kopshti i tyre.

Pranë akomodimit avangardë në formën e kabinave prej druri, me pamje nga një liqen i bukur, është gostia gastronomike e ofruar nga Huqi (nga 50 euro nata për dhomë dyshe) në rrugën për në Gjirin e Lalzit, katër kilometra nga Maminasi në Radë, që gjallërohet me shëtitjet me varka dhe ditët e peshkimit, përveç kënaqësisë së krijuar nga kopshti i tij i populluar nga pulat, rosat dhe lepujt. Përpara kësaj kanavace idilike me pamje nga Adriatiku, qëndron një fermë dhe restorant i drejtuar nga një ish-oficer i ushtrisë, i cili donte të ndërtonte një projekt në tokën e të parëve të tij, që do t’i bënte homazh natyrës që e rrethon. Kur vjen vera dhe darkuesit ulen në tavolinë, një ”meze” me manaferra dhe mjedra të mbledhura nga fusha e tyre, i paraprin një liste të gjatë gatimesh tradicionale si lakror me domate dhe qepë, spinaq ose kos, djathë dhie apo keci, i pjekur në dru, brenda një pusi të thatë, tre metra të thellë.

Sekretet e mëdha të Shqipërisë së Veriut

Duke u ngjitur në rrugën drejt veriut, për të parë liqenin e Shkodrës, i cili vepron si një kufi natyror me Malin e Zi me gjiret e tij të vegjël ku mund të laheni, ofrohen perlat e mrekullueshme të agroturizmit ku mund të ndaloni gjatë udhëtimit tuaj. Qyteti i vogël i Krujës ia vlen të vizitohet. Këtu lindi fisniku shqiptar Skënderbeu, i cili orkestroi kundërshtimin ndaj pushtimit osman, i pranishëm në të gjithë morfologjinë e tij, të dukshme nga maja e kodrës që dominon kështjellën kryesore. Më poshtë është pazari i tij historik, ku mund të humbisni mes rrugëve me kalldrëm, me tezga që alternojnë suvenire të një cilësie të dyshimtë, me mostrat e zanateve vendase si mbulesa tavoline me grep, qilima, piktura apo antika.

Pasi jeni lodhur, ju meritoni një pushim në hotelin dhe restorantin malor ”Shkreli”, 45 minuta nga Kruja. Ai ndodhet në zemër të Parkut Kombëtar të Qafshtamës, i njohur për ujërat e tij, që furnizonin familjen mbretërore shqiptare gjatë pushimeve të tyre në vitet ’30. I ngritur në 1 300 metra mes pyjeve me pisha, liqeneve të vegjël dhe rrugëve gjarpëruese që lidhin bashkitë e Burrelit dhe Dibrës, ky resort me sauna dhe spa, i frymëzuar nga shtëpitë tradicionale prej guri të njohura si kulla që shërbenin edhe si strehë, ka dhoma të thjeshta prej druri në në mes të askundit (nga 60 euro për natë). Edhe pse kanë vetëm një pemishte të vogël dhe fusha aty pranë të ushqyer nga manaferrat e egra dhe pemët frutore, restoranti i tyre është besnik i kuzhinës lokale të ofruar nga furnitorët vendas nga fshatrat Cudh dhe Krujë. Ajo që e bën të famshëm është mjalti aromatik, të cilin vizitori do të mund ta marrë nga dora e parë, së bashku me aktivitete të tjera në natyrë si shtigjet e ecjes, biçikleta me katër rrota apo shëtitjet gjatë muajve të dimrit.

Rrugës për në Shkodër do të hasni në dy ndalesa me shumë interes. E para të çon te bujtina ”Dini”. Pa akses të drejtpërdrejtë me transport publik, kjo shtëpi për mysafirë e drejtuar nga familja Kol Marku, pesë kilometra larg qytetit verior të Rubikut, lindi pas udhëtimit të këtij ish-minatori nëpër Kretë dhe Greqi, i cili u kthye për të përmbushur ëndrrën e tij për të ripërdorur gurin në shtëpinë e të parëve të tij dhe për ta shndërruar në një banesë. Me katin përdhes për restorantin, dy katet e sipërme strehojnë gjashtë dhoma me pamje nga lugina (nga 30 euro për natë). Një stallë e vogël për dhi dhe pula, ngjitur në shtegun ku rriten domate, fasule, qershi ose kunguj si dhe pjeshkë dhe fiq, krijon ambientin e tij të lezetshëm, që ndiqet nga një menu e përditshme nga bashkëshortja, Hale Marku. Gjatë muajve të nxehtë, nuk ka asgjë më të mirë se të ulesh në kopshtin e vogël dhe të pushosh duke pirë dhallë, e bërë me qumësht dhie. Një rostiçeri e rrumbullakët nëse shtoni tortën e bërë vetë me reçel dhe biskota.

Vetëm 30 kilometra larg Shkodrës ndodhet një nga fermat më të famshme në të gjithë vendin, ”Mrizi i Zanave”. Në kuzhinën e tij që nuk ”fle” kurrë, pijet freskuese të konservuara dhe mishrat e përpunuar marrin kuptimin e tyre të plotë. Ky projekt, i drejtuar nga shefi i kuzhinës Altin Prenga dhe vëllai i tij Antoni, është fundi i lumtur i një historie të dedikuar plotësisht punës, që nisi në vitin 1998, kur ai emigroi në Itali si adoleshent për të larë enët. Atje, më vonë, do të punonte si kuzhinier duke ndjekur hapat e të atit, kuzhinier i një mense të vjetër, siç njiheshin në kohën e komunizmit si kafene, ku shërbehej edhe  ushqim tradicional. Pas kthimit, ai vendosi të hapte restorantin e tij, i frymëzuar nga vepra e poetit kombëtar Gjergj Fishta dhe Mrizi i tij i Zanave.

Çdo vit, ata shërbejnë më shumë se 100 000 porosi midis sallës së tyre të gjerë dhe oborrit të mbuluar, me një menu që josh stomakun dhe syrin dhe ndryshon sipas periudhës së vitit, duke përdorur përbërës nga ferma e tyre dhe e 400 familjeve aty pranë. Një shëtitje nëpër fermë ju lejon të shihni disa nga punishtet ushqimore që Altini i transformoi në vitin 2018, ku përpunojnë domate të thata, reçel, perime turshi, djathëra të bërë vetë ose miell nga mulliri i tyre i vjetër, si dhe lëng qershie që mirëpret darkuesit e saj. Si pikë kulmore, një punishte vere moderne, ku fermentohet rrushi i kallmetit. Pavarësisht nga madhësia e tij, rekomandohen rezervime paraprake, edhe për drekat që shërbehen gjatë ditëve të javës. E njëjta gjë vlen edhe për konakun që zë fermën e vjetër prej guri që i përkiste gjyshit të Altinit. Tani, e kthyer në një strehë moderne, me nëntë dhoma të lira (nga 40 euro për natë), ajo josh nga dritaret e mëdha prej xhami që përshkojnë shtëpinë, me pamje të papërsëritshme të pemishteve dhe ullishteve.

Jugu me kantina të fshehura dhe verëra firmato

I futur në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2005, Berati tërheq një pjesë të mirë të turizmit të vendit për shkak të pseudonimit të tij “Qyteti i një mbi një  dritareve”, apo ndoshta sepse është i izoluar apo sepse shërben si prelud i plazheve të kristalta që të presin në jug. Megjithatë, një tjetër realitet më pak i vizituar, shtrihet rreth qarkut të tij, por po aq stimulues sa kalaja e tij jetëgjatë, kishat bizantine apo rrugët që popullojnë shtëpitë e tij të famshme të stilit osman.

Rreth 20 minuta nga qyteti me makinë ndodhet një destinacion kyç për adhuruesit e verës, ”Nurellari”. Kjo punishte vere që i përket familjes me të njëjtin emër është atraksioni i madh i qytezës së Peshtanit, i ndërtuar në juglindje të Beratit në një fushë të kufizuar nga lumi Osum. Fatos dhe Libonike Nurellari, agronomë dhe themelues, ​​vendosën të rivitalizojnë një fermë të vjetër në qytet duke mbjellë hardhi rreth saj për të prodhuar verë. Shishet e para u prodhuan në vitin 1995 dhe që nga ajo kohë, së bashku me djemtë e tij të trajnuar si somelierë në Zvicër, Francë dhe Itali, kanë zgjeruar me sukses biznesin brenda dhe jashtë vendit. Një ish-magazinë është tashmë selia e kantinës së tij, e cila shquhet për dyshemenë e saj mbresëlënëse prej guri, kolonat e gdhendura dhe dyshemetë prej mermeri, të zbukuruara me mobilie nga artizanët vendas beratas. Këtu ata prodhojnë 30 000 shishe çdo vit që furnizojnë restorante të shumta në rajon, duke përfshirë rrushin vendas dhe ato të tjera ndërkombëtare si Montepulciano, Merlot dhe Cabernet Sauvignon. E hapur për vizita, degustime private dhe ekskursione gjatë vjeljes së rrushit, ajo ka një dyqan ku mund të rezervoni verëra dhe produkte të tjera që ata bëjnë vetë, si vaji i ullirit ose rakia e rrushit me aromë të quajtur ”Arrabon”. Nëse duam të zgjasim qëndrimin, ata kanë gjashtë dhoma (nga 45 euro nata).

Oferta e qarkut Berat vazhdon. Në verilindje pret kantina ”Alpeta”, e rrethuar nga ullishte dhe pemishte në qytezën e Roshnikut, ku jetojnë vetëm 120 familje. I shkëputur nga pjesa tjetër e botës, është një vend idilik për të parë një muzg mbi malin madhështor të Tomorit. Për të arritur në destinacion, duhet të merrni rrugën që kalon nëpër qytet deri në fund. Pasi kalojmë xhaminë do të gjejmë këtë kompleks të drejtuar nga Alfred dhe Petrit Fiska që strehon një punishte vere, restorant dhe bujtinë me konvikte të përbashkëta dhe dhoma private (nga 10 euro për natë). Të dy vëllezërit vazhdojnë trashëgiminë e babait të tyre, agronom në kohën e komunizmit, i cili mbolli vreshtat e para në vitin 1992. Me hapjen demokratike të Shqipërisë, biznesi lulëzoi falë tokës së re dhe prodhimit të 50 000 shisheve në vit, të njohura në të gjithë vendin për specialitetet e tij si përzierja e merlotit dhe kabernetit ose një raki rrushi të bardhë.

Të shëtisësh nëpër vreshtat e saj të ndërthurura me fiq ose të provosh të korrat e tij së bashku me ullinj, arra dhe djathëra vendas është një kënaqësi për shqisat, përpara se të zhytesh në kuzhinën fshatare të restorantit të tij me gatime si mish dhie që kullot në shpatet pranë Tomorit.

Kënaqësia e të ngrënit mish nuk mbaron këtu. Një devijim i shkurtër në veri do t’i shpërblejë dashamirësit e mishit me një ndalesë në kompleksin ”Kështjella”. Në mes të sheshit të qytezës së Poshnjës, lindi edhe një furrë buke e drejtuar nga vëllezërit Ismailaj gjatë rënies së regjimit komunist në vitin 1990. Nga prodhimi i miellit të tyre, ata e zgjeruan biznesin drejt blegtorisë dhe praktikave të tjera bujqësore, përfshirë mbjelljen e  vreshtave për të prodhuar raki dhe verë. Paralelisht, ata konturuan fytyrën e re të ”Kështjellës”, me një restorant që të kujton planimetrinë e kalasë dhe dhomat në pjesën e pasme të godinës. Nuk është kurrë keq të rezervoni për të fjetur të qetë, pasi të keni provuar menunë e tyre tradicionale me perime vendase dhe mish të pjekur nga stalla e tyre.

Të kesh një stomak plot është mënyra më e mirë për të përballuar udhëtimin njëorësh që ndan këtë fermë nga rrënojat e Apolonisë, një mrekulli arkeologjike në zemër të Shqipërisë që shumë e barazojnë me një Athinë të vogël. Mbetjet e këtij qyteti të themeluar në shekullin VI para Krishtit japin një pasqyrë të mirë të lavdisë dhe shkëlqimit që gëzonte qytetërimi antik i Ilirisë në një pjesë të madhe të Gadishullit Ballkanik. Duke lënë bregdetin e Vlorës në të djathtën tonë, arrijmë në bujtinën ”Hadër Xhebro”, afër Nivicës. Me aksesin pothuajse të rezervuar për automjetet jashtë rrugës (është e rëndësishme të ndiqni udhëzimet e dhëna nga pritësit tuaj ose të organizoni një transport privat me ta), ia vlen të udhëtoni nëpër largësinë që mbron vendin nëse kërkojmë shkëputje absolute në një prej dhomave të saj komode, me kapacitet për pesë persona (nga 20 euro për person dhe natë, plus mëngjesin).

Kjo shtëpi për mysafirë, ”e ankoruar” në shpatin e malit të Kendrevicës, një nga peizazhet më spektakolare të Shqipërisë së Jugut për shkak të kanioneve dhe shkëmbinjve të saj, ka një baxho tradicionale ku barinjtë vendas dorëzojnë qumështin e tyre si në të kaluarën, me kalë ose me mushkë. Kjo pamje piktoreske mbetet e paprekur në funksion të fazës së re që po kalon kjo shtëpi e krijuar nga Hader Xhebro, tashmë në duart e fëmijëve të tij Arjola dhe Jaho, të cilët i kanë shtuar një vend shumë të veçantë biznesit familjar. Gjalpi, djathi, salca e kosit, e ngjashme me kosin, prodhohet gjatë gjithë vitit. Në ushqimet e gatuara në shtëpi, që shërbehen çdo ditë, nuk mungojnë prodhimet e qumështit dhe as mishrat që përshkojnë malet përreth, si qengji i marinuar në furrë apo lakrori tradicional apo ëmbëlsirat e tyre të bëra vetë si revania, që shërbehet me reçel qershie.

Tashmë në jug, e ashtuquajtura Riviera Shqiptare tërheq miliona turistë për limanet e saj dhe ujërat bruz në brigjet e detit Jon. I përfshirë nga Parku Kombëtar i Butrintit dhe rrënojat e tij nga qytetërime të ndryshme si ai grek, romak apo bizantin (mbetjet më të vjetra datojnë në epokën e bronzit), banorët e Ksamilit duket se po kërkojnë një drejtim të ri vitet e fundit, përtej hoteleve që shfaqen mes tepricave të apartamenteve turistike, të ndërtuara pa asnjë sens estetik apo frymë mjedisore, bare plazhi me muzikë dhe restorante me ushqime ndërkombëtare. Në këtë kamare spikasin vilat moderne të hotel ”Arameras”, një resort i hapur që vitin e kaluar me një plazh gjysmë privat, i ndërtuar me dru dhe gurë duke respektuar peizazhin që e rrethon dhe ”syrin vigjilent” të ishullit të Korfuzit përballë.

Pas kësaj ndalese në anën më parajsore të Shqipërisë, ndalesa e fundit na nxit ta mbyllim këtë itinerar në pikën e saj më të largët, ferma ”Sotira” (e aksesueshme me minibus publik nga qyteti i Gjirokastrës). Kjo fermë e vendosur mes pyjeve pothuajse të virgjëra të parkut Gërmenj-Shelegur në brendësi juglindore të vendit, është një Eden për adhuruesit e ushqimit bio.

Të vendosur në një lartësi prej më shumë se 1 000 metrash pranë kufirit grek, fqinjët e zakonshëm si arinjtë, ujqërit apo drerët lënë gjurmët e tyre në shtigjet midis pyjeve me pisha dhe liqeneve ku mund të bëni një piknik të improvizuar. Gjithçka filloi si një fermë peshku me troftën, së cilës i shtuan një restorant të vogël lokal ku ofrojnë peshkun e tyre të freskët. Më vonë ata ndërtua një fermë me dele, rosa, pata dhe pula që bredhin lirshëm në 20 hektarët e pronës së tyre. Kalërimi nëpër male dhe vreshta plotëson një përvojë për t’u mbushur me ajër të pastër dhe për të pushuar. Ato ofrojnë dhoma me banjo private dhe mobilie te punuara nga pronaret e fermës (nga 30 euro për natë). Një fund i vështirë për t’u përsëritur për shkak të trashëgimisë shqiptare, tokës legjendare që Skënderbeu donte të mbronte me çdo kusht, shekuj më parë./ a.jor.

(Victoria Zarate* është gazetare e lidhur me ”El Pais” që nga viti 2016. Ajo koordinonte më parë faqen e internetit Tentaciones dhe seksionin e saj të modës dhe stilit të jetesës derisa u mbyll në 2018. Ajo tani bashkëpunon me Icon, Icon Design, S Moda dhe El Viajero. Ajo ka punuar për ”Glamour”, ”Forbes” dhe ”Tendenca” dhe ka shkruar edhe për CN Traveler, AD, ”Harper’s Bazaar”, V Magazine (SHBA) dhe ”The New York Times T Magazine Spain”). / atsh / KultPlus.com

Marsela Çibukaj e ftuar speciale në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës është në vlug të përgatitjeve për realizimin e këtij festivali që mbledhë shumë ansamble kombëtare, shkruan KultPlus.

Në këtë edicion si e ftuar speciale është këngëtarja Marsela Çibukaj, e cila do të jetë e pranishme në këtë festival më 1 korrik.

Më poshtë po ju sjellim të plotë njoftimin e organizatorëve.

Si një nga zërat më të mirë dhe të veçantë të muzikës shqiptare,

e vlerësuar si “Ambasadore e gjuhës dhe kulturës italiane në Shqipëri”,

e magjishmja Marsela Çibukaj vjen në Gjirokastër si e ftuar speciale në natën e 8️⃣të Festivalit Folklorik Kombëtar.

🗓️1 Korrik

📍Gjirokastër

Një natë për të mos u humbur!/ KultPlus.com

Ramadani, nxënësi i fundit i Migjenit

Nga Ben Blushi

Ramadan Shkreli që duhet të jetë nxënësi i fundit i gjallë i Migjenit jeton në fshatin Dedaj të Pukës. Shkova ta takoja.

Ca bën Ramadan ?

Nuk bëj asgjë,tha Ramadani

Sa vjec je Ramadan?

94,tha Ramadani

Cfarë pune ke bërë Ramadan?

Shumë punë,tha Ramadani

Po shkollë ke bërë Ramadan?

E kam bërë shkollën në Pukë,tha Ramadani

Në cfarë viti, Ramadan?

Në vitin 1936,tha Ramadani

Sa vjec ishe Ramadan?

7 vjec,tha Ramadani

Po si shkoje në Pukë, Ramadan?

Me këmbë,tha Ramadani

Po në dimër Ramadan?

Ne bënim shkollë vetëm në verë, tha Ramadani

Kush të jepte mësim Ramadan?

Migjeni,tha Ramdani

Si ishte Migjeni, Ramadan?

Ishte i sëmurë,tha Ramadani

Po tjetër cfarë mban mend nga Migjeni, Ramadan?

Ishte i gjatë,tha Ramadani

Cfarë thoshte Migjeni,Ramadan ?

Ishte shumë i urtë,tha Ramadani

Ca lënde jepte Migjeni, Ramadan?

Gjoegrafi,kulturë,tha Ramadani

Me kë rrinte Migjeni,Ramadan?

Vetëm më dy motrat e veta,tha Ramadani

Si i mbante motrat Migjeni në shkollë?

I mbante,tha Ramadani

Kush ishte tjetër në shkollë me ty?

Luli i Vocërr,tha Ramadani

Kush ishte Luli i Vocërr,Ramadan ?

Luli i Vocërr ishte Zenel Islami,tha Ramadani

Ku është tani Zenel Islami,Ramadan?

E vranë komunistët,tha Ramadani

Po pse e vranë Ramadan?

Se shkoi në Rusi,tha Ramadani

Po ti a e ke lexuar Lulin e Vocërr,Ramadan?

Jo,tha Ramadani

Cfarë ke lexuar nga Migjeni, Ramadan?

Asgjë,tha Ramadani

Nuk ke lexuar asgjë,Ramadan?

Nuk kam lexuar asnjëherë,tha Ramadani

Cfarë libri ke në shtëpi Ramadan?

Nuk kam asnjë libër, tha Ramadani

Cfarë bën gjithë ditën, Ramadan?

Mendohem,tha Ramadani

Cfarë mendon Ramadan?

Mendoj si do vdes,tha Ramadani

Ke frikë Ramadan ?

Nuk kam frikë, tha Ramadani

Kur do vdesësh Ramadan?

Po pres,tha Ramadani

Do vdesësh pa lexuar asnjë libër Ramadan?

Më mirë,tha Ramadani. / KultPlus.com

Dremitje

Sali Bashota

Shkuan edhe ata atje
Sa shpejt shkuan
Siç shkojnë ditët e netët
Kur i krehim flokët para pasqyrës
Malli na pikon nëpër faqe
Derisa e harrojmë frikën
Ta bartim menjëherë
Si dremitjen e fundit
Të ngujuar në shpirtra
Shkuan edhe këta afër nesh
Sa shpejt shkuan. / KultPlus.com

Ditët Evropiane të Arkeologjisë, Margariti në termën e periudhës romake në Belsh

Fundjava që shkoi iu dedikua arkeologjisë edhe në Shqipëri, në kuadër të Ditëve Evropiane të Arkeologjisë.

Në njërën prej këtyre ditëve, ministrja e Kulturës, Elva Margariti zgjodhi të ishte e pranishme pranë zbulimit më të fundit në fshatin Rrasë në Belsh, ku është zbuluar terma e periudhës romake.

“Një gjetje unike në gjithë Shqipërinë, që zgjeron hartën arkeologjike dhe perspektivën për zbulime të reja. Tani Belshi ka një destinacion të ri kulturor dhe turistik dhe bashkë me Bashkinë e Belshit dhe Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore do ta promovojmë këtë hapësirë me rëndësi për arkeologjinë dhe historinë tone”, është shprehur Margariti në rrjetet sociale.

Ky ishte i dyti vit radhazi që Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore u përfshi në kremtimin e Ditëve Evropiane të Arkeologjisë. Kjo është një iniciativë e Institut National de Recherches Archéologiques Préventives.

Eventi ka si qëllim promovimin e trashëgimisë kulturore e kryesisht asaj arkeologjike, ku shtetet pjesëmarrëse angazhohen të përfshijnë aktivitete sipas një programi të caktuar./ atsh / KultPlus.com