Pas pesë vitesh pune me pasion dhe përkushtim, është kompletuar koleksioni i filmave të aktorit të madh shqiptar Bekim Fehmiut, në gjuhën shqipe, shkruan KultPlus.
Përkthimi dhe titrimi i të gjithë filmave të aktorit Bekim Fehmiu është bërë nga Oliver Engjëll Sedaj dhe Edmond Isufi, të cilët filma do të mund të jenë në dispozicionin e publikut shqiptar.
“Miq, dua t’iu njoftoj se për 5 vite punë, prof Oliver Engjëll Sedaj dhe unë, ia dolëm qe ti përkthejmë dhe titrojmë këta filma te Bekim Fehmiut, të cilët e kompletuan koleksionin e Bekimit ne shqip. Nga tani koleksioni i filmave të Bekimit që e posedoj, është i tëri i përkthyer në shqip. E falenderoj nga zemra per bashkëpunimin, prof Oliverin, i cili me përkushtim dhe pasion (me të dëgjuar) i përktheu gjithë këta filma me muaj të tërë punë pa u ndalur në asnjë moment. Ishte nje proces i gjatë dhe i mundimshëm por, në të njejtē kohë, një punë e dashur për neve si fansa të Bekim Fehmiut”, ka shkruar Edmond Isufi, administrator i Fondit Arkivor Bekim Fehmiu./KultPlus.com
Tenori i njohur, Ramë Lahaj, organizon koncert i cili i dedikohet komunitetit shqiptar i cili jeton New York, si shenjë mirënjohje për kontributin e tyre në ruajtjen e imazhit të shqiptarëve si dhe në çlirimin e Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur Tenori Lahaj përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook.
“Tej mase i lumtur që më në fund më 12 prill 2024 do jem në New York, me një koncert dedikuar enkas komunitetit shqiptar, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për imazhin e shqiptarëve në përgjithësi dhe çlirimin e Kosovës në veçanti”, ka shkruar Lahaj.
Koncerti do të mbahet më 12 Prill, në një nga sallat më historike të New Yorkut, në ‘Saint George Theater’./KultPlus.com
Profesoresha e Universitetit të Prishtinës në Fakultetin e Arteve, Alberta Troni, është përzgjedhur Anëtare e Bordit të Jurisë në Konkursin Ndërkombëtar të Pianos “International Malta Festival Piano Competition 2024”.
Përveç profesoreshës universitare Troni, juria e kësaj gare internacionale përbëhet nga antarë të shteteve të ndryshme botërore.
“International Malta Festival Piano Competition” do të mbahet më 22-29 gusht në Maltë./KultPlus.com
Institucioni më i lartë i muzikës në vend, Filharmonia e Kosovës, muajin prill e nis me koncert në qytetin e Gjakovës, nën dirigjimin e Pëllumb Vulës, përderisa soliste e mbrëmjes është Zanë Abazi- flaut.
Ky koncert mundësohet në kuadër të programit “Filharmonia në Lëvizje”.
Koncerti do të hapet me uverturën e operës “Cosi fan tutte” nga Mozarti. Në këtë program do të interpretohet edhe vepra “Odelette” nga Saint-Saëns.
Përmbyllja e koncertit shënohet me interpretimin e Simfonisë Nr. 4 nga Schumanni. Mos e humbni këtë koncert, i cili do të dirigjohet nga Pëllumb Vula.
Koncerti mbahet më 6 prill, në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”, prej orës 20:00./KultPlus.com
Kënga majekrahu, njëra nga më të lashtat ndër shqiptarë, më shumë sesa produkt i shijes artistike, ka qenë një formë komunikimi në një komunitet të caktuar, kryesisht në zonat alpine të trojeve shqiptare.
Epiqendra e këngëve majekrahu ka qenë Malësia e Madhe, zona e Mbishkodrës, Malësia e Gjakovës me Tropojën në qendër Dukagjini dhe zona e Rugovës, përcjellë KultPlus.
Kënga majekrahu është një kumt, një informacion që jepet më anën e këngës, nga një këngëtar (ose edhe dy sish, që alternojnë zërat, për të fuqizuar informatën). Këngëtari vente dorën në vesh, si një ritual për ta përhapur më fort jehonën dhe këndonte dy ose disa vargje, që transmetonin thjesht një kumt, një informatë.
Informata kishte të bënte me një njoftim a kushtrim për luftë, për ndonjë rrezik nga armiqtë, me të cilët banorët e këtyre zonave ishin ballë për ballë me shekuj.
Interpretimi realizohej me anën e theksimeve të rrokjeve, që informata të transmetohej sa më e fortë dhe sa më e qartë, me theksimin e emrave të figurave që ishin subjekt i informacionit. Këngët majekrahu, pra, u kanë shërbyer brezave për komunikim, pra transmetimin e informacionit, pra ato kanë pasur brenda vetes edhe dimensionin estetik mjaft të fuqishëm. Recipientët e saj, të edukuar ndër breza me vlerat e këngës majekrahu, e kanë përjetuar si krijim estetik.
Prandaj, këto këngë janë kënduar edhe në festa familjare, fejesa e martesa, pothuajse si një ritual për mbarësi e trimëri të brezave, shkruhet në librin “Ekskomunikimi- si histori e fshehur”, i shkruar nga Milazim Krasniqi.
Një funksion tjetër i tyre ka qenë forcimi i atdhetarizmit, sepse duke qenë kushtrim, kanë forcuar ndjenjat atdhetare të dëgjuesve të vet. Pra, roli parësor ka qenë komunikimi, transmetimi i informatës, gjë që i bën unike në historinë tonë të komunikimit./ KultPlus.com
Në dekadën e fundit vendet e Ballkanit Perëndimor janë vënë në shënjestër të fushatave dezinformuese të Rusisë.
Historiani amerikan Jason Steinheur, i cili së fundmi mori pjesë në një konferencë mbi këtë temë në Kosovë, në një intervistë për Zërin e Amerikës thotë se bëhet fjalë për një plan rus që ka për qëllim të minojë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara e Bashkimit Evropian dhe ta largojë rajonin nga rreshtimi me aleancën transatlantike. Në një intervistë me kolegen Garentina Kraja ai thotë se deri më tani ky plan ka shënuar sukses të moderuar për shkak të financimit, pakënaqësive të brendshme dhe arsyeve historike.
Zëri i Amerikës: Zoti Steinheur, së fundmi ishit në Kosovë, ku morët pjesë në konferencën e parë ballkanike mbi dezinformimin. Cilat ishin përshtypjet tuaja se si po përballen shoqëritë dhe vendet e Ballkanit me këtë sfidë dhe si po e luftojnë atë?
Jason Steinheur: Përshtypjet e përgjithshme për Kosovën janë shumë pozitive. Kosova ka një popullatë të qëndrueshme, që më frymëzoi. Megjithatë, vendi përballet me sfida të shumta, duke filluar me ndotjen, ndryshimet klimatike. Ka sfida të shumta me dezinformimin, me gjendjet e mediave dhe njohuritë rreth mediave dhe këtë problem e kanë të gjitha vendet e Ballkanit.
Zëri i Amerikës: Ju jeni autor i librit “Historia, e ndërprerë”, ku keni shkruar për mënyrat se si historia është ndikuar nga rrjetet sociale…
Jason Steinheur: Po, argumenti im është që siç e kemi ndjerë ndikimin e rrjeteve sociale në politikë, shëndetin publik dhe gazetari, platformat sociale kanë ndryshuar mënyrën se si flasim dhe si e tregojmë historinë tonë.
Në takimin e Prishtinës, unë argumentova se sa më shumë që përdorim rrjetet sociale për të komunikuar për të kaluarën, aq më shumë vlerat e rrjeteve sociale bëhen vlera tona. Me fjalë të tjera, ne ndryshuam mënyrën se si e rrëfejmë historinë dhe se si rrëfimet tona mbi historinë iu përshtatën frymës së rrjeteve sociale, duke privilegjuar disa lloj historish, ndërkohë që disa të tjera as nuk shihen e as nuk tregohen, sepse të gjithë po synojmë të jemi sa më shumë të pranishëm në rrjetet sociale. Kur prania zëvendëson saktësinë, si shtytësi kryesor, që prej kohësh ka qenë elementi kryesor në analizat dhe studimet e historisë, atëherë do të ketë pasoja të mëdha mbi historinë që mësojmë dhe historitë me të cilat ballafaqohemi. Aktualisht, në sferën tonë publike kemi rrëfime që janë të dukshme, sepse ne të gjithë po përdorim rrjetet sociale për të arritur këtë qëllim. Por, a do të thotë kjo që historia që po shohim është e saktë? Dhe në momentin që përpiqemi të analizojmë saktësinë e informacionit mbi një ngjarje të caktuar që e shohim në internet, kjo pasqyrë bëhet më e ndërlikuar dhe problematike.
Zëri i Amerikës: Në një shkrim mbi përshtypjet tuaja për Kosovën flisni për rolin e Rusisë. Si po ndikon propaganda e Rusisë në shtrembërimin e historisë?
Jason Steinheur: Historia mund të shndërrohet në një armë të fuqishme. E kemi parë një shtrembërim të tillë të historisë në veçanti kur bëhet fjalë për Rusinë dhe Ukrainën. Zakonisht, kur mendojmë për historinë, ne bëjmë pyetje dhe provojmë të gjejmë dëshmi për t’iu përgjigjur pyetjeve. Dhe kështu arrijmë në përfundimin nëse diçka mund të ketë ndodhur, apo të mos ketë ndodhur në të kaluarën.
Në rastin e Rusisë dhe Ukrainës, për shembull, kemi parë aktorë si Rusia, si Putini, që janë përpjekur ta përmbysin këtë proces historik. Me fjalë të tjera, japin fillimisht përfundimin që u intereson dhe pastaj shpikin dëshmitë për të mbështetur pretendimet e tyre. Ngaqë shohim aq shumë informacione historike në rrjetet tona sociale çdo ditë, shpesh e kemi të vështirë, si konsumatorë, të kuptojmë se si u arrit deri tek ky përfundim historik. A janë hartuar ato në bazë të një metodologjie të saktë dhe të ndershme, apo përmes një synimi keqdashës për të arritur tek një përfundim tashmë i paracaktuar?
Në vendet si Ballkani shohim mungesë të të lexuarit kritik të mediave dhe sfidë me të lexuarin kritik të historisë. Është pjesë e punës time të përpiqem të ndërtojë këtë aftësi tek shoqëria.
Zëri i Amerikës: Në këtë rast, cilat janë dezinformatat që po dominojnë dhe si duhet që vendet si Kosova t’i luftojnë ato?
Jason Steinheur: Mendoj se të lexuarit kritik i mediave dhe i historisë janë të një rëndësie jetike. Duhet t’i mësojmë njerëzit se si duhet t’i vlerësojnë argumentet dhe të vlerësojnë metodologjinë prapa tyre, ashtu siç i mësojmë njerëzit të vlerësojnë gazetarinë e mirëfilltë. Duhet t’i mësojmë njerëzit se si ta kuptojnë nëse bëhet fjalë për histori të hulumtuar mirë apo jo.
Sa i përket dezinformatave që kam ndeshur gjatë qëndrimit në Kosovë, ekzistojnë disa tema të mëdha si dhe shembuj individualë që i përforcojnë këto tema. Në Kosovë, tema kryesore është të mos i besohet Shteteve të Bashkuara, të mos i besohet Evropës, që integrimi në Bashkimin Evropian nuk është përgjigja e duhur. Që demokracia nuk është zgjidhja, që demokracia nuk po funksionon për ju.
Ato synojnë të minojnë lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Evropës dhe natyrisht Shteteve të Bashkuara, apo në rastin e Maqedonisë së Veriut e Bullgarisë marrëdhëniet e tyre me Evropën dhe SHBA-në dhe që t’i shtyjnë këto vende të shohin më me simpati pikëpamjet e Moskës dhe në fund të fundit të mbështesin veprimet e saj, siç është rasti në Ukrainë. Pra, bëhet fjalë për një plan që përpiqet ta riorientojë këtë pjesë të botës drejt Kremlinit dhe ta largojë nga rreshtimi me aleancën transatlantike, me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën.
Zëri i Amerikës: A kanë qenë të suksesshme këto përpjekje?
Jason Steinheur: Prej asaj që kam parë, ndikimi ka qenë mesatar. Ka ekspertë që i kanë studiuar këto çështje më në detaje, por kur je atje e ndjen këtë zhgënjim, pasi e sheh konkretisht se si funksionon.
Në shumë prej këtyre vendeve, papunësia është e lartë, inflacioni është i madh, ka ndotje, korrupsion dhe të gjitha këto ushqejnë pakënaqësi. Dhe shpesh në një shoqëri ku ka pakënaqësi, është e lehtë të kërkosh fajtorë dhe në këtë rast fajtorët janë Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe aleanca transatlantike. Është e lehtë t’i fajësosh ata për sfida shumë komplekse. Si rezultat, këto teori fitojnë peshë. Kur je i pakënaqur, i papunë, kur e ke të pamundur të realizosh qëllimet në jetë, këto teori mund të bëhet shumë helmuese. Mënyra se si përdoren i bëjnë të kenë ndikim. Dhe natyrisht fushatat dezinformuese dinë se si të krijojnë ndasi dhe të mbjellin përçarje në shoqëri. Ato po ashtu shfrytëzojnë çështjet madhore strukturore që nuk janë zgjidhur ende.
Zëri i Amerikës: Cilat janë pengesat kryesore në luftën kundër dezinformimit dhe shtrembërimit?
Jason Steinheur: Kryesorja është financimi. Kur vizitova Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë dhe Gjeorgjinë, takova organizata të jashtëzakonshme që po përpiqen të bëjnë punë të rëndësishme në këtë drejtim. Por, ato kanë probleme kronike me mungesë fondesh. E ardhmja e këtyre organizatave është e paqartë ngaqë donatorët vazhdimisht ndryshojnë përparësitë e tyre. Andaj, për ta përkrahur shoqërinë civile në këto vende, duhen më shumë investime. Për shembull, Rusia shpenzon rreth 1 deri në 4 miliardë dollarë çdo vit për luftën informative, ndërkohë që në Maqedoninë e Veriut, Bullgari dhe Kosovë kemi organizata që punojnë me buxhete vjetore 20 apo 25 mijë dollarëshe. Nuk është një luftë e barabartë. Prandaj duhen më shumë investime në këtë fushë, më shumë përkrahje. Duhet ta ristrukturojmë sistemin tonë arsimor dhe të sigurohemi që studentët tanë ta mësojnë të lexuarin kritik të mediave, të bëjnë pyetje kritike për ato që shohin në celular… Dhe duhet më shumë angazhim ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Të gjitha përpjekjet duhet të mbështeten jo vetëm financiarisht, por edhe politikisht. Duhet të jetë përparësi dhe duhet të investojmë nëse duam rezultate.
Zëri i Amerikës: Cilat janë arsyet e këtij suksesi mesatar, siç u shprehët ju, që ka patur Rusia?
Jason Steinheur: Fushatat ruse ishin të suksesshme, fillimisht, sepse kanë patur shumë burime financiare. Ka agjentë informacioni që punojnë çdo ditë, për 24 orë, shtatë ditë në javë për të dezinformuar dhe pa dyshim që, për shkak të një numri kaq të madh, disa nga këto fushata do të kishin sukses. Rusia shpenzon rreth 1deri në 4 miliardë dollarë çdo vit në këtë drejtim. Ata tashmë e dinë se si funksionojnë platformat sociale dhe i kuptojnë pikat e dobëta të secilës shoqëri, dinë se ku duhen prekur ato dhe si t’i përdorin fushatat e dezinformimit për të shkaktuar përçarje dhe krijuar ndasi.
Së dyti, ekzistojnë çështje strukturore në shumë nga këto rajone, përfshirë në Shtete të Bashkuara, ku ende nuk kemi gjetur zgjidhje të mirëfillta. Dhe si rezultat, shumë fushata dezinformuese bëjnë përgjegjëse grupet e caktuara, një besim fetar të caktuar, një grup etnik të caktuar, apo thjesht janë teori konspiracioni gjoja të orkestruara nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian apo Izraeli. Këto lloj fushatash janë shumë të suksesshme sepse u japin zgjidhje të thjeshta problemeve të ndërlikuara.
Dhe së treti, ekzistojnë edhe arsye historike. Vendet si Letonia dhe Estonia kanë popullatë të konsiderueshme që flet rusisht; Serbia dhe Rusia kanë aleancë të bazuar në kulturën e përbashkët sllave. Këto lidhje historike dhe kulturore gjithashtu u japin besueshmëri disa mesazheve dhe bartësve të tyre. Për shembull, kur po vizitoja Ballkanin së fundmi, dëgjova që kishat ortodokse janë burim i shumë dezinformatave. Ekziston një lidhje e fuqishme ndërmjet Kishës Ortodokse Serbe dhe Kishës Ortodokse Ruse. Shumë njerëz mbështeten te këto kisha për të ruajtur lidhjet me komunitetin dhe ato shërbejnë si vende të shenjta për miliona njerëz. Ky besim që gëzojnë mes këtyre komuniteteve bën, që kur thuhet diçka, që mund të mos jetë e vërtetë, të jetë e falsifikuar, apo dezinformatë, të marrë një peshë të veçantë. Pra, janë arsyet historike dhe strukturore. Është problem i ndërlikuar që kërkon investime për t’u zgjidhur./voa/KultPlus.com
Otto von Bismarck ishte burrështetas prusian dhe kryeministri i parë i Perandorisë Gjermane. Është një nga më meritorët e bashkimit të shteteve gjermane, zhvillimit të hovshëm ekonomik të Gjermanisë një nga mjeshtrit më të mëdhenj të diplomacisë. Nga disa cilësohet si gjeni i politikës e nga të tjerët si demon i pushtetit. Më poshtë mund të lexoni disa nga thëniet e tij.
• Kurrë mos beso gjë në politikë derisa nuk mohohet zyrtarisht!
• Bëhu i sjellshëm; shkruaj në mënyrë diplomatike; edhe në shpalljen e luftës dikush analizon rregullat e mirësjelljes!
• Me xhentëlmenin jam përherë xhentëlmen e gjysmë, e me një mashtrues tentoj të jem mashtrues e gjysmë!
• Kur dëshiron ta mashtrosh botën, thuaje të vërtetën!
• Të gjitha marrëveshjet me shtetet e mëdha pushojnë të jenë të detyrueshme kur vinë në konflikt me luftën për ekzistencë!
• Kur një burrë thotë se pranon diçka në parim, kjo do të thotë se nuk e ka as më të paktin synim për ta zbatuar atë në praktikë!
• Një ditë një luftë e madhe evropiane do të ndodhë për shkak të ndonjë budallallëku në Ballkan!
• Gazetari është personi që ka gabuar profesionin!
• Dashuria është e verbër, miqësia mundohet të mos shohë asgjë!
• Kushdo që flet për Evropën e ka gabim: është shprehje gjeografike!
• Oportunist është një njeri që kap rastin më të favorshëm për të arritur gjënë e nevojshme e të leverdishme. Kjo është edhe detyra e diplomacisë! /KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se ka diskutuar sot në telefon me Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit James O’Brien.
Me të kanë diskutuar për partneritetin me SHBA-në dhe hapat e mëtejmë të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit, transmeton klankosova.tv.
”Një telefonatë produktive me O’Brien sot. Theksoi rëndësinë themelore të punës së bashku me aleatët tanë të SHBA-së në mbrojtjen e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë sonë. Ne diskutuam gjithashtu hapat e Kosovës për anëtarësimin në KE dhe zbatimin e plotë dhe të shpejtë të marrëveshjes së Brukselit”.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka aralmuar se 400 ekstremistë serbë mund të aktivizohen në sulme agresive me vetëm një urdhër të Aleksandar Vuçiqit.
Siç tha ai për News24 të Shqipërisë, kjo jo dëshmohet meqë të njëjtit janë duke u trajnuar në zonat përreth kufirit me Kosovën, përcjell klankosova.tv.
”Rreth 400 ekstremistë serbë po trajnohen në zonat përreth kufirit me Kosovën dhe me një urdhër të Vuçiç mund të aktivizohen në sulme agresive”.
Sveçla e cilësoi të drejtë dhe normal vendimin për dinarin, teksa tha se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran.
Gjatë intervistës Sveçla foli dhe për raportet e Albin Kurtit me ndërkombëtarët, ku tha se nuk ka asnjë krisje mes tyre, madje ata kanë takime të përjavshme për zhvillimin e mëtejshëm të vendit./klankosova/KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti mori pjesë në tubimin përkujtimor për të vrarët e masakrës së Lybeniqit të Pejës, në 25-vjetorin e saj.
“Atë ditë, në 07:00 të mëngjesit, pjesëtarë të njësitit “Çakejt”, që ishin pjesë e njësitit “177” në Pejë të ushtrisë jugosllave, bashkë me pjesëtarë të njësitit ushtarak të Mbrojtjes Territoriale, u futën këtu në Lybeniq. Brenda pak minutash, u dëbuat nga shtëpitë tuaja dhe ju mblodhën pothuajse të gjithë banorët e Lybeniqit në mes të fshatit, afër xhamisë. Sipas skenarit të krimit, ushtarët serbë i ndanë gratë, fëmijët dhe të moshuarit, që i urdhëruan të niseshin për në Shqipëri, kurse burrat i mbajtën aty”, tha Kurti në tubim.
Ai tha se “xhamia e Lybeniqit atë ditë u kthye në një vend krimi, kur ushtarët e Serbisë shtinë me armë automatike me rafalë të përsëritur, me qëllim që askush, prej të gjithë atyre burrave të mos shpëtonte i gjallë”.
“Nën pirgun e kufomave, mbijetuan 7 burra, kurse u vranë 59 burra të familjeve: Alimehaj, Ukshinaj, Huskaj, Hamzaj, Bobi, Shoshi, Morina, Jahmurataj, Avdullahaj, Bushati, Sylaj, Haradinaj, Rrustemaj, Lokaj, Rexhaj, Tahiraj dhe Berisha”, tha Kurti, duke theksuar se kjo masakër u dokumentua më 1999 edhe nga Human Rights Watch.
Kurti tha se ka dëshmitarë, të mbijetuar dhe trashëgimtarë të asaj historie që dëshmojnë se Serbia kreu spastrim etnik ndaj shqiptarëve vendas në Kosovë, kreu krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.
“Ne jemi një shoqëri dhe një shtet që nuk i harron as nuk i falë krimet e kryera nga Serbia në Kosovë. Jemi një popull i gatshëm për të dëshmuar, jemi Republika që dita ditës po e kompleton infrastrukturën institucionale dhe ligjore, për t’i adresuar krimet e luftës. Për këtë arsye, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe unë personalisht si Kryeministër i saj, në vazhdimësi i kam inkurajuar dhe kam bashkëpunuar me shumë institucione dhe mekanizma shtetëror, për dokumentimin, memorializimin dhe adresimin e gjithë historisë dhe trashëgimisë së luftës në Kosovë. Ne jemi të vendosur që në këtë rrugë të shkojmë deri në fund, sepse shteti i Serbisë dhe kriminelët e luftës, nuk do të munden t’u shpëtojnë përgjegjësive institucionale dhe individuale për krimet dhe gjenocidin e kryer mbi neve, shqiptarët e Kosovës”, tha Kurti.
Kryeministri tha se “Serbia vazhdon ta shmangë përgjegjësinë e saj si shtet për krimet në Kosovë”.
Kryeministri Edi Rama ndau foto nga qyteti i Fierit, i zbukuruar nga çelja e luleve në këtë pranverë.
Kumbullat e kuqe të mbjella në rrugë kryesore tashmë kanë sjellë ngjyra e freski në qytet. Shëtitorja pranë lumit Gjanica në qytetin e Fierit është kthyer në një ambient shplodhës për qytetarët.
Projekti për rehabilitimin e Gjanicës synoi valorizimin e brigjeve të lumit, përmes gjelbërimit. Në projektin u përfshinë edhe sistemimi i ujërave të zeza dhe ujërave të shiut në zonën e shtratit të lumit, rehabilitimi mjedisor i lumit dhe krijimi i një peizazhi rekreativ për shtratin e lumit.
Po ashtu, u siguruan rrjete rrugore të mirëlidhura për këmbësorët, hapësira publike dhe në tërësi, një peizazh i përmirësuar infrastrukturor.
Lumi Gjanica, dikur një mrekulli natyrore, për shumë vite u keqpërdor nga bizneset, të cilat e shndërruan atë në një vendgrumbullim plehrash dhe hidrokarburesh.
Lumi Gjanica, me një gjatësi prej 42 km, buron nga Mallakastra dhe përshkon qytetin e Fierit. Ai është degë e Semanit dhe buron nga pjesa jugore e malit të Shpiragut, përshkon gjithë trevën e Mallakastrës, kalon mes përmes qytetit të Fierit dhe derdhet në Seman, në afërsi të Mbrostarit./atsh/KultPlus.com
Pluhuri saharian që brenda javës po kaplon për herë të dytë vendin, ka rënduar gjendjen edhe me cilësinë e ajrit.
Kështu bën të ditur “Mendimi për Motin”, njofton Klankosova.tv.
“Koncentrimet e larta të pluhurit që kanë zbritur edhe pranë sipërfaqes kanë çuar indeksin e cilësisë së ajrit në vlera të dobëta në disa nga stacionet matëse të IHMK-së, si nga Prishtina, por dhe në Pejë e Mitrovicë”, thuhet në njoftimin e MM-së.
Indeksi është në vlera të dobëta edhe në stacionin malor në Brezovicë, që në këto kushte të prezencës më të lartë të pluhurit saharian shënon edhe vlera më të larta të ndotjes, ngase ky pluhur është më i dendur në pjesë më të larta të troposferës, në 1000 metra e 2000 metra lartësi.
Në Kosovë nivelet e larta të pluhurit gjithashtu i japin qiellit një pamje më të zbehtë dhe zvogëlojnë dukshmërinë horizontale, në raste edhe më pak se 10 km.
Në këtë pikturë të vitit 1750, Hogarth na ofron një version të zhurmshëm, kaotik, humoristik të ngjarjeve nga rebelimi jakobit i vitit 1745, pesë vjet më parë. Në krye të Tottenham Court Road, skaji verior i Londrës, Gardistët po mblidhen në përgatitje për marshimin e tyre në kampin në Finchley Common. Zhurma e jetës në Londër intensifikohet nga lajmi se ushtria pushtuese jakobite e ‘Bonnie Prince Charlie’ ka arritur në Derbi dhe ushtarët duhet të jenë në vend për të mbrojtur Londrën.
Piktura është e ndarë në vija morale. E majta e kanavacës përfaqëson Britaninë e shëndoshë, patriotike, protestante, të mishëruar në pirjen e ale në tavernën Adam & Eve dhe boksin burrëror, ndërsa e djathta është një thirrje vesesh. E keqja kryesore e paraqitur është jakobitizmi, lëvizja për të rikthyer Shtëpinë Katolike të Stuartit në fronin britanik. Diku tjetër në të djathtë të pikturës, një ushtar i dehur zgjatet për xhin, shitësit ambulantë që thërrasin mallrat e tyre grabiten dhe sulmohen, ndërsa prostitutat thërrasin lutje dhe lamtumirë ushtarëve që po largohen nga dritaret e një bordelloje, poshtë maceve që qajnë.
Në qendër të Marshimit të Gardës drejt Finchley-t është një grenadier i regjimentit të 1-të të rojeve të këmbës, i kapur në një moment pavendosmërie midis dy palëve – e kaluara dhe e tashmja, jeta dhe vdekja, detyra dhe dezertimi. E varur në krahun e Grenadierit, është e dashura e tij shtatzënë, e cila këndon një nga baladat patriotike që shet. Duke e tërhequr në krahun tjetër është një grua katolike që bërtet dhe tund propagandën jakobite – ndoshta një ish, duke i kujtuar atij besnikërinë e mëparshme.
William Hogarth ishte një artist kryesor britanik i shekullit të tetëmbëdhjetë. Ai njihet më së shumti sot për serinë e tij të pikturave të njëpasnjëshme si The Rake’s Progress dhe Marriage-a-la-Mode, të cilat ai i riprodhoi dhe i shiti si gdhendje, të cilat ishin dhe mbeten jashtëzakonisht të njohura. Puna e Hogarth-it lidhej drejtpërdrejt me botën përreth tij, jo si regjistrime të mirëfillta të vendeve apo ngjarjeve, por si koment kompleks politik, social dhe moral. Ai u përpoq të rriste vlerësimin për Artin Britanik, kështu që ai gëzonte të njëjtin nivel vlerësimi që gëzonin në atë kohë artistët nga Evropa kontinentale.
Hogarth përdori krijimtarinë e tij për të sjellë ndryshime shoqërore dhe për të drejtuar ndërgjegjësimin për shkaqe dhe çështje të veçanta. Mbështetja e tij për Spitalin Foundling ishte e pakursyer dhe praktike, qoftë duke përdorur aftësitë e tij artistike apo duke mbikëqyrur infermierët e lagur që kujdesen për fëmijët për Spitalin në Chiswick dhe përreth tij, ku ai kishte një shtëpi./Liberale.al/KultPlus.com
Janë zbuluar fituesit e çmimeve Botërore të Fotografisë së Natyrës!
Nga një pamje drithëruese e dy zebrave që bien viktimë e ndjekjes së një gatopardi, te një kukapik lozonjare që po kthehet në shtëpi mbi një buall të egër, fotografitë shtrihen në të gjithë globin, duke shfaqur bukurinë dhe ashpërsinë e natyrës.
Tracey Lund nga Britania e Madhe fitoi çmimin kryesor, duke marrë një shpërblim në të holla prej 1000 dollarësh, për fotografinë e saj mahnitëse të dy xhaketave që gjuanin një peshk nën valët në brigjet e ishujve Shetland.
Si sot në vitin 1929 në Çeki të perandorisë komuniste të lindjes erdhi në jetë Milan Kundera. Kundera vetë shpesh bënte shaka që kishte lindur në ditën e gënjeshtrave. I dukej ironike pasi ai ishte një romancier. Por që e donte tepër muzikën…E deshi dhe gjuhën frënge, aq sa pasi u zhvendos në Francë nguli këmbë që gjithë vepra e tij të kategorizohej si letërsi franceze.
Profesioni i tij në njëfarë mënyre ishte të thoshte gënjeshtra, të rrëfente histori të bukura, të joshte dhe të gënjente njerëzit. Kjo dhe e bënte të qeshte. Gënjeshtra. Kundera ka shkruar shumë libra me ese(Testamentet e tradhtuara, Një takim), Kundera ka shkruar shumë romane (Lehtësia e padurueshme e qenies, Shakaja) por asnjëherë nuk i është afruar poezisë. Publicistikës dhe politikës po. Disa nga librat e tij më të mirë hapen me anekdota politike (Libri i të qeshurit dhe harresës) ose ka shkruar mirëfilli për politikë (Një perëndim i rrëmbyer).
Arsyeja, si e thashë më herët, është se Kundera nuk është shkrimtar, është romancier. Për të nuk ka rëndësi përmbajtja sa forma, subjekti sa kompozimi, realizimi i idesë sa ideja. Kundera është një romancier i kursyer në fjalë por krenar që është i tillë në traditën e romanit të madh. Orhan Pamuk thotë se për Kunderën nuk ka rëndësi forca apo shkëlqimi i pikëpamjeve të tij sa zemërimi, ose, më mirë mënyra e të shprehurit të tyre nepërmjet zemërimit. Kundera e vë veten në të njëjtin rang me Servantesin dhe Kafkën. Dhe ka të drejtë.
“Lehtësia” është një kryevepër e letërsisë botërore por jo më shumë se “Pavdekësia” apo “Ngadalësia”. Që nga viti i kaluar letërsia botërore ka një gjeni më pak. Historia e letërsisë fitoi një figurë të re në panteonin e saj, në panteonin e artistëve të jashtëzakonshëm. / Tema / KultPlus.com
Winston Leonard Spencer-Churchill (1874-1965) ishte kryeministër i Britanisë së Madhe, në momentet më të rënda gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ishte oficer, por njihet si historian dhe një nga oratorët më të njohur në histori. Më 1953 fiton Nobelin për Letërsi, “për mjeshtërinë e tij të përshkrimeve historike dhe biografike, si dhe për oratorinë brilante në mbrojtje të vlerave njerëzore”. Më poshtë mund të lexoni 30 thënie të tij.
Thënie të njohura nga Winston Leonard Spencer-Churchill:
Shakaja është një gjë shumë serioze!
Gënjeshtra ka shkuar deri në gjysmë të botës, përpara se e vërteta të ketë mbathur pantallonat!
Njeriu bën çfarë duhet bërë – pavarësisht pasojave personale, pavarësisht pengesave, rreziqeve dhe presioneve – dhe kjo është baza e gjithë moralit njerëzor.
Një pesimist shikon vështirësi në çdo mundësi; një optimist shikon mundësi në çdo vështirësi.
Politikani ka aftësinë të parathotë se çfarë do të ndodhë nesër, javën tjetër, muajin tjetër dhe vitin tjetër. Dhe, e ka aftësinë pastaj të shpjegojë pse të parathënat nuk ndodhën!
I burgosuri i luftës është një njeri që përpiqet të të vrasë ty dhe pastaj të kërkon ty të mos e vrasësh atë!
Edhe pse unë jam krejt i kënaqur me eksplozivet ekzistuese, e ndjej se nuk duhet të ecim në drejtim të përmirësimit të tyre.
Ndonëse isha i përgatitur për martirizim, parapëlqeva ta lë për më vonë!
Paqebërësi është ai që përpiqet ta ushqejë krokodilin, duke shpresuar se ai do ta hajë atë të fundit!
Sjellja është një gjë e vogël që përbën një ndryshim të madh!
Betejat janë fituar me masakra dhe manovra. Gjenerali i madh, sa më shumë që i jep përparësi manovrës, aq më pak lë vend për masakrën!
Trimëria me të drejtë është vlerësuar si cilësia e parë njerëzore… sepse ajo është cilësia që i garanton të tjerat!
Kritika mund të mos jetë e pranueshme, por është e nevojshme. Ajo përmbush të njëjtin funksion që ka dhimbja në trupin njerëzor. Ajo tërheq vëmendjen ndaj gjendjes jo të shëndoshë të gjërave!
Vështirësitë e mposhtura janë mundësi të fituara!
Mos lë hapësira të mëdha për një botë të re, kënaqi energjitë tua së shpëtuari çfarë ka mbetur nga e vjetra!
Ngrënia e fjalëve nuk m’i ka bërë asnjëherë keq tretjes!
Çdokush e ka ditën e tij dhe disa ditë zgjatin më shumë se të tjerat!
Sa për mua, mendoj se do të ishte shumë më mirë për të gjitha palët t’ia lëmë të shkuarën historisë, sidomos përderisa kam qëllim ta shkruaj historinë vet!
I madh dhe i mirë janë rrallë i njëjti njeri!
Ai i ka të gjitha virtytet që nuk më pëlqejnë dhe nuk e ka asnjë nga veset që unë i admiroj!
Qytetarët e shëndoshë janë pasuria më e madhe që mund të ketë çdo vend!
Historinë e shkruajnë fitimtarët!
Sado e bukur të jetë strategjia, unë herë pas here vështroj rezultatet!
Unë gjithmonë shmang dhënien paraprake të profecive, sepse është shumë më mirë të profetizosh pasi një zhvillim ka ndodhur tashmë!
Jam gjithnjë gati të mësoj sado që asnjëherë nuk më pëlqen të më japin mësim!
Sigurisht që nuk jam një nga ata që kanë nevojë të më nxitin. Në fakt, nëse diçka jam, atëherë jam vetë nxitja!
Unë kënaqem lehtë me të bukurën!
Perandoritë e së ardhmes janë perandori të mendjes!
Nuk kam ndërmend të kem të bëj më me politikën ose politikanët. Kur kjo luftë të mbarojë, unë do të merrem vetëm me shkrime dhe pikturë! / KultPlus.com
Këtë të enjte, të premte dhe të shtunë, datat 4-6 prill, zhvillohet “Panairi i Librit të Ri, të Vjetër dhe të Përdorur”.
Shtëpia Botuese ‘Pika pa Sipërfaqe’ organizon panairin në rrugën “Çerçiz Topulli” mbrapa rrugës së Barrikadave, nga ora 10 e mëngjesit deri në 8 të mbrëmjes.
Do ketë, si gjithmonë, libra të përdorur në shqip dhe gjuhë të tjera, me çmime të lira; libra të vjetër me çmime të reja, dhe librat e Pikës me zbritje. / KultPlus.com
Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” përkujton sot Dom Marin Shkurtin (1 tetor 1933-1 prill 1969).
Marin Shkurti lindi në Samrish të Dajçit të Bregut të Bunës në vitin 1933. U përgatit e u shugurua meshtar në mënyrë private prej Arqipeshkvit Imzot Ernest Çobës dhe Pjetër Demës më 22 prill 1952.
Ai ishte pjesë e një grupi të madh priftërinjsh si: Imzot Antonin Fishta, Atë Zef Pllumi dhe Atë Shtjefën Pistulli, të cilët u trajnuan dhe u shuguruan në mënyrë të fshehtë. Në vitin 1944, kleri katolik shqiptar numëronte rreth 200 meshtarë, shumica e të cilëve në vitin 1952 u dënuan me vdekje, u vranë pa proces, u burgosën e u torturuan apo u internuan nëpër kampe.
Pas mbylljes së Seminarit Papnor Shqiptar më 08 dhjetor 1961, Dom Marin Shkurti, së bashku me Dom Mikel Beltijën, u arrestua dhe u burgos në Shkodër më 27 nëntor 1968. Gjyqi i tij u zhvillua në Dajç më 20 mars 1969, ku u dënua me vdekje dhe më 1 prill 1969 u pushkatua./ atsh / KultPlus.com
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur projektin fitues në konkursin ndërkombëtar për dizajnin e çerdheve dhe kopshteve në Lagjen Kolovicë.
Projekti është krijuar nga arkitektët Serhat Sen, Kemal Tas, Dilara Akdemir, Alican Tugenkoglu dhe Ramiz Laçi, të cilët sjellin një frymë të re në krijimin dhe realizimin e çerdheve dhe kopshteve.
Rama është shprehur se përmes krijimit të një shiriti të gjelbër në fasadë, kanë pasur për qëllim të shfrytëzojnë dheun që do të zhvendoset për ndërtim.
“Ngrehina është vendosur në një nga kodrinat e parcelës është dizajnuar mbi idenë e dizajnit që sheh nga brenda. Përmes krijimit të një shiriti të gjelbër në fasadë, ne kemi pasur për qëllim ta shfrytëzojmë dheun i cili do të zhvendoset për ndërtim. Hapësirat funksionale përfshijnë zyrat, depotë dhe dhomat teknike, të vendosura në të dy anët e hyrjes. Në holl, ana e majtë të çon tek ndarjet e kujdesit ditor, të lidhura me një atrium dhe një kopsht të jashtëm, të cilin e kemi quajtur “Kopshti i qetë””, ka thënë Rama i cili tutje ka bërë me dije se ngjitur, në anën e djathtë të hollit është korridori i lojërave, që të çon tek kopshti.
“Kjo hapësirë ka disa oborre të brendshme, njëri prej të cilëve është më i madh se të tjerët, brenda të cilit është një amfiteatër i cili është i ndërlidhur me çatinë. Po ashtu, një hapësirë tjetër e përbashkët, e ndërlidhur me ato të kopshtit, e cila zgjerohet në një oborr të brendshëm”, shprehet Rama. / KultPlus.com
Nën moton “Dhuro një libër, dhuro një copëz Shqipëri”, Biblioteka e qytetit të Shkodrës “Marin Barleti” ka ndërmarrë një nismë për fëmijët shqiptarë të lindur në Itali, të cilët po mësojnë gjuhën shqipe.
Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci tha se “këta fëmijë, kanë mundësi të jenë pjesë e shkollës shqipe “Migjeni” në Fano, Itali, e cila nuk ka një bibliotekë të librit në gjuhën shqipe”.
“Të gjithë mund të ndihmojmë fëmijët shqiptarë të kësaj shkolle, të cilët duan aq shumë të mësojnë gjuhën amtare, duke dhuruar libra të rinj ose të përdorur pranë bibliotekës “Marin Barleti””, theksoi Beci.
Kryebashkiaku Beci u shpreh se “të dhurosh një libër është si të dhurosh një botë të tërë”.
“Të ndihmojmë për të përçuar më tej gjuhën tonë të bukur shqipe”, tha Beci.
Koleksionet e çmuara që ka biblioteka “Marin Barleti” në Shkodër e kanë kthyer atë në një qendër të rëndësishme shkencore, sidomos sa i takon shkencave humane dhe filologjike.
Bazuar në fondin e librave në gjuhën shqipe, në fondin e periodikut, në bibliotekën e fëmijëve si dhe në mjetet e kërkimit, biblioteka është kthyer në një qendër promovimi dhe garantimi të edukimit të vazhdueshëm të qytetarëve./ atsh / KultPlus.com
Dokumentimi i krimeve të luftës në Kosovë, si torturat, vrasjet, përdhunimet, dëbimet me forcë dhe krime të tjera të kryera nga forcat serbe, ende janë një mision i papërmbushur në Kosovë.
Një nismë e tillë ka ardhur së fundmi përmes dokumentarit “JEHONA E DHIMBJES” i cili dokumentar vjen si kërkesë për drejtësi nga të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës.
Katër të mbijetuar të dhunës seksuale, gazetari i luftës Nuhi Bytyçi, ekspertë, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, prokurori i Prokurorisë Speciale Ilir Morina, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, etj, sjellin panoramën e kësaj plage të hapur në Kosovë dhe thirrjeve për drejtësi.
Shyrete Tahiri Sulimani, një nga gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë e cila ka kohë që është shfaqur publikisht dhe ka rrëfyer për fatkeqësinë e saj, përmes këtij dokumentari, ajo kërkon drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale, ndër të tjera ajo shprehet se: “Ata e kan ditë, e kanë ditë se, nëse e kryjmë një veprim kështu, ka me shku me gjenerata, qe qajo nanë ka mbartë te fëmijtë e vet, e fëmijtë e vet te fëmijtë e vet… qajo është shkatërrim total që kurë s’ia fali, kurrë… kurrë, kurrë, kurrë”.
Ky dokumentar vjen edhe si thirrje e fundit që shoqëria jonë t’i tejkalojë paragjykimet ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale.
Dokumentari “Jehona e dhimbjes” është realizuar nga Euronews Albania në bashkëpunim me QKRMT.
Për ish-kongresistin, kreun e Ligës Shqiptaro-Amerikane, mikun e madh të Kosovës, kontribuuesin për lirinë dhe pavarësinë tonë, për Joe DioGuardi është realizuar një dokumentar i cili vjen premierë në muajin prill, shkruan KultPlus.
Ky dokumentar po vjen edhe si një lloj falënderim ndaj punës së palodhshme së tij, për kontributin e jashtëzakonshëm dhe angazhimin e pandërprerë për lirinë, demokracinë, dhe pavarësinë e Kosovës dhe për avancimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve.
Joe DioGuardi ishte zëri ynë në kohë të errëta, shpresa jonë në kohën e pashpresë, andaj Hysen Zeqaj, autori dhe producenti i këtij projekti, këtë dokumentar e ka realizuar me një përkushtim të jashtëzakonshëm, ku do të sjell një rrëfim ekskluziv me foto dhe pamje poashtu ekskluzive.
I titulluar “Shpëtimtari i Kosovës”, ky dokumentar është një rrëfim autentik që vjen i mbështjellë me foto e video të pa publikuara më herët, që në mënyrë të hatashme shpalos dashurinë dhe përkushtimin e arbëreshit emblemë, DioGuardit për kombin shqiptar.
Producenti Zeqaj pasi a publikuar edhe trailerin e dokumentarit, ka njoftuar se premiera do të shfaqet në New York City në muajin Prill, ndërsa për detajet e tjera do të na njoftojë me kohë. / KultPlus.com