Kisha e Shën Nikollës në Paftal pritet të shpallet monument kulture i kategorisë së parë

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare berat ka propozuar shpalljen e kishës së Shën Nikollës në fshatin Paftal, monument kulture i kategorisë së parë.

Në këtë kuadër specialistët e Institutit të Trashëgimisë Kulturore, Tiranë vizitoi nga afër këtë kishë dhe vlerësoi kompozimin arkitektonik të kësaj kishe.

Eugen Kafllani, drejtor i DRTK-së Berat, theksoi se “nëse ky monument ka mbërritur në këto ditë në këtë gjendje relativisht të mirë, kjo ka ardhur si rrjedhojë e përkujdesjes së shumë besimtarëve e banorëve të kesaj zone, të cilët gjej rastin ti falenderoj publikisht”.

Sipas tij, detyra jonë dhe e shtetit tashmë është ta mbrojmë e ta mirëmbajmë të gjithë bashkë këtë ” diamant ” të trashëgimisë kulturore.

“Specialistët e Institutit të Trashëgimisë Kulturore, Tiranë vlerësuan edhe tipologjinë e objektit si një bazilikë tre – nefëshe me tavan të rrafshët , përmasat e saj, detajet arkitektonike, detajet e gdhendjes së gurit në pjesën e jashtme të absidës, mbishkrimet në qemerët e portave të punuara me gur ranor, gjinekonitin me dyshemenë origjinale me dru lisi e të mbërthyer me gozhdë kovaçi , pjesën e hajatit të punuar me gurë gëlqerorë të skalitur dhe këmbanoren e cila për nga forma , eleganca dhe mënyra e punimit ka një lloj ngjashmërie me atë të Manastirit të Shën Mërisë së Apollonisë”, – tha Kafllani.

Ai bëri të ditur se pas hartimit të dokumentit tekniko – ligjor së shpejti do të merret vendimi për shpalljen në mbrojtje paraprake dhe më pas përfshirjen në listën e monumenteve të administruara nga DRTK – Berat duke bashkëlidhur edhe zonën e mbrojtur përreth monumentit.

Kjo kishë daton në vitin 1875 ( sipas edhe mbishkrimeve ) por kjo datë mund ti përkasë rindërtimit pasi ekzistojnë të dhëna të botuara apo të dhëna nga tradita gojore të banorëve të zonës, ku thuhet se është ndërtuar mbi një kishë më të hershme.

Monumenti i atribuohet punës së kryemjeshtrit usta Veliko nga Opari i Korçës. Në ditët e sotme kjo kishë prezantohet si një nga objektet e kultit me vlera të rëndësishme historike -arkitektonike dhe për nga pozicioni gjeografik i vendndodhjes së saj ajo është një vlerë e shtuar si për turizmin kulturor në qarkun e Beratit, ashtu edhe një vend i rëndësishëm pelegrinazhi për besimtarët.

Fjalimi kundër racizmit “rikthen Meghan Marklen e vërtetë”

Një mike e afërt e ish-Dukeshës së Sussexit ka thënë të premten se fjalimi i saj lidhur me vdekjen e afroamerikanit, George Floyd, e paraqiste Meghane Marklen pikërisht ashtu siç ajo vërtet ishte para se të martohej me princin britanik, Harry.

38-vjeçarja Meghan e publikoi një fjalim për të diplomuarit e shkollës së saj “Immaculate Heart High School” në Los Angeles. Në këtë fjalim, Markle ka thënë se jeta e secilit afro-amerikan është e rëndësishme. Duke folur për revistën “Vanity Fair”, një burim anonim ka thënë se ajo ishte Meghani siç ishte dikur.

“Ishte vetja 100 për qind. Në rolin e dukeshës ishte më e ngurtë, ndërkaq në fjalim ishte siç kishte qenë para se t’i bashkohej familjes mbretërore të Britanisë së Madhe”, ka thënë burimi. “Në fjalim nuk ishte e ngurtë dhe ishte vetvetja, ashtu siç e mbaja mend që nga dita e parë që e kam takuar”, ka thënë një tjetër burim.

Ky burim ka sqaruar se kishte shumë diskutime rreth fjalimit të Meghanit, e cila donte që mesazhi i saj të ishte me plot kuptim.

“Nuk ishte e lehtë, por ishte e vendosur që të thoshte diçka. Fjalët që i ka thënë janë plotësisht të saja”, ka thënë burimi. Edhe vetë Meghan Markle ka pranuar se nuk e kishte të lehtë përpilimin e fjalimit. “Nuk isha e sigurt se çfarë të thosha.

Doja të isha e drejtë, por pak nervoze se fjalët e mia do të analizoheshin. Por e kuptova se gabimi i vetëm ishte të heshtja”, ka thënë Markle. Fjalimi prej gjashtë minutash i Meghan Markles u publikua në revistën “Essence”.

Jolie ofron 200.000 dollarë për betejën për barazi racore

Pas valës së protestave kundër racizmit që kanë mbërthyer Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shumë të famshëm i janë bashkëngjitur kauzës për bamirësi. Kësaj liste i është shtuar së fundi edhe aktorja e famshme Angelina Jolie, e cila ka dhuruar 200.000 dollarë për Fondin e Drejtësisë Ligjore NAACP.

“E përkrah këtë fond në betejën për barazi racore dhe drejtësi sociale, si dhe për reformat urgjente në legjislativ”, ka thënë fituesja e çmimit “Oscar”. “Të drejtat nuk i përkasin një grupi për t’ia dhënë një tjetri. Diskriminimi nuk mund të tolerohet”, ka thënë Jolie.

“Shpresoj që të bëhemi bashkë si amerikanë dhe të adresojmë gabimet e thella strukturore në shoqërinë tonë”, ka shkruar ajo.

Përveç punës së saj si regjisore, Jolie është e përfshirë në punën si humaniste. Yje të tjerë që kanë dhuruar para në betejën kundër racizmit janë edhe Lena Dunham, Floyd Maywether e Harry Styles. Ndërkohë ylli televiziv, Kim Kardashian, ka bërë të ditur se kompanitë e saja të bukurisë do të ndihmojnë financiarisht Fondin e Drejtësisë Ligjore.

Njoftimi i saj vjen pasi tabloidi TMZ ka raportuar se bashkëshorti i saj, Kanye West ka dhuruar 2 milionë për familjet dhe avokatët e Ahmaoud Arbery, Brieonna Taylor dhe Floyd.

“Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve”, në çdo cep të Kosovës

Libri “Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve”, i autorit Lulëzim Etemaj, është shpërndarë në të gjitha libraritë më të mëdha të Kosovës, shkruan KultPlus

“Ky libër është një shenjë modeste nderimi për mijëra zemërgjerë që, në vend të ngrehjes së gishtit të krimit, shtrinë dorën e pajtimit; gjaqet, plagët dhe ngatërresat i falën në emër të rinisë, flamurit dhe kombit”, thuhet në njoftimin e tyre.

Këtu keni njoftimin e plotë:

“Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve”, në çdo cep të Kosovës

Libri “Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë 1990-1991”, i autorit Lulëzim Etemaj, është shpërndarë në libraritë më të mëdha të Kosovës. Të interesuarit librin mund ta gjejnë në këto qytete të Kosovës: Në Prishtinë në redaksinë e gazetës “Epoka e re”, në librarinë “Dukagjini”, “Artini” dhe “Buzuku”; në Pejë në librarinë “Dukagjini”; në Ferizaj në librarinë “Rilindja”; në Istog në librarinë “Smartpoint” dhe “Meshari”; në Gjakovë në librarinë “Tomorri”; në Prizren në librarinë “Altera”.

Libri monografik, “Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë (1990-1991)”, është botuar më 2 shkurt 2020 në shënim të 30-vjetorit të pajtimit të gjaqeve në Kosovë nën përkujdesjen e Shtëpisë Botuese “Armagedoni”.

“Ky libër është një shenjë modeste nderimi për mijëra zemërgjerë që, në vend të ngrehjes së gishtit të krimit, shtrinë dorën e pajtimit; gjaqet, plagët dhe ngatërresat i falën në emër të rinisë, flamurit dhe kombit. Kështu i dhanë fund gjakmarrjes dhe i liruan nga burgu shtëpiak mijëra persona. I liruan nga atmosfera e rëndë dhe druajtja, por edhe nga ‘detyrimi’ për ta marrë gjakun. I bashkuan shqiptarët si kusht i domosdoshëm për të ecur përpara drejt çlirimit nga Serbia. Është, gjithashtu, libër nderimi për qindra pajtimtarë vullnetarë dhe për punën e tyre përkushtuese”, ka deklaruar autori Etemaj për “Epokën e re” pas botimit të librit.

“Një nga të pestë nismëtarët autentikë të Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve (1990-1991), që preferuan thjeshtësinë për madhështinë kombëtare, është autori i këtij libri të vonuar tridhjetë vjet, Lulëzim Etemaj. Kjo lëvizje na transformoi në një shkallë më të lartë qytetërimi. Me pajtimin, unitetin dhe solidaritetin që solli ajo, krijoi, në të vërtetë, parakushtet për luftën triumfuese çlirimtare, falë këtij boshti qytetërues dhe drejtimit të saktë gjeopolitik”, ka thënë botuesi i gazetës “Epoka e re”, Muhamet Mavraj, për librin e Etemajt.

Ndërkaq sipas Shtëpisë Botuese “Armagedoni”, “një libër i tillë dhe kaq i rrallë, për lëvizjen e paqes të shqiptarëve, nuk është shkruar asnjëherë më parë. Prandaj, mirë që e ka shkruar Etemaj sepse nuk dimë kush do ta shkruante tjetër me saktësi sikurse një prej nismëtarëve të saj”.

Lulja

Poezi nga Alexander Pushkin

LULJA

Lulen e vyshkur dhe pa erë,
Në mes të një libri e vështroj.
Dhe shpirtin tim prapë këtë herë,
Një varg me ëndrra se ç’e zgjoi.

Kur lulëzoi? Ç’pranverë thua?
Kush e këputi edhe ku?
Një dorë e njohur a e huaj?
Dhe pse e vuri vallë këtu?

A për kujtim të një takimi?
Apo për ndarjen plot trishtim?
A për një ëndje pikëllimi,
Në heshtje fushash pa mbarim?

Ai, ajo jetojnë vallë?
Ku vallë janë, ku bredhin, ku?
Apo mos vallë janë tharë,
Si dhe kjo lulezë këtu?

Gëte: Gjëja më e rëndësishme që mund të bëjë një burrë për fëmijët e tij, është të dojë nënën e tyre

“Gjëja më e rëndësishme që mund të bëjë një burrë për fëmijët e tij, është të dojë nënën e tyre.”

“Fati na i plotëson pjesën më të madhe të dëshirave tona, por në mënyrën e tij, me qëllim që të na japë diçka përtej asaj që ne kemi projektuar në dëshirimet tona.”

“Njerëzit e angazhuar në politikë janë gjithnjë dinamikë, kërkojnë pareshtur mundësi të reja, hidhen nga njëra anë në tjetrën, siç përpëlitet i sëmuri në krevat, duke menduar se ashtu do të gjejnë rehatinë e munguar.”

“Do të parapëlqeja të mbetesha në gjykimin e një fëmije, sepse për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra, fëmijët janë një gur prove, ata nuk kanë ende nevojë për të vjetrit që të gënjejnë vetveten.”

“Del se një grumbull librash nuk janë shkruar që dikush të mësojë diç nga to, më shumë janë shkruar që njeriu të hetojë se shkruesi i tyre dinte aq shumë.”

“Bukuria, ajo që gjithnjë ka aftësinë të na magjeps, është manifestim i ligjeve sekrete natyrore, të cilat nëse nuk i qëmtojmë me ngulmin e një eksploratori, do të na fshiheshin ne përgjithmonë për të mbetur mister.”

“Mos iu nënshtro shumë ndjenjave. Një zemër tepër e ndjeshme është një pasuri e palumtur në këtë tokë gjithnjë kërcënuese.”

“Urrejtja është diçka e veçantë. Atë do ta gjeni më të fuqishmen, më të dhunshmen dhe të kahur deri në caqet e mizorisë atje ku shkalla e kulturës është më e ulëta.”

“Kush dëshiron të shpëtojë nga një e keqe, e di mirë se çfarë kërkon, kush kërkon diçka më të mirë nga ajo që e ka, priret të veprojë përherë verbërisht.”

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Serbia kërcënon Marin Memën për dokumentarin mbi përvetësimin e historisë

Emisioni hulumtues “Gjurmë Shqiptare” i Marin Memës ka realizuar 6 ditë më parë një dokumentar i titulluar “Mashtrimi serb me objektet e kultit të krishterë në Kosovë”, ku tregohej sesi serbët kishin përvetësuar kishat iliro-arbërore. Mirëpo ky dokumentar, ku pasqyrohen qartë disa fakte historike ka ngritur në këmbë gjithë shtetin serb.

Reagime të shumta, kanë ardhur nga Serbia, si nga politikanë, historianë, gazetarë dhe opinionistë të ndryshëm.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe shef i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, duke akuzuar gazetarin Mema, ku thotë se Serbia asnjëherë nuk do të heq dorë nga shenjëtoret e saj.

Në deklaratë thuhet:

Kuptohet që Serbia kurrë dhe me asnjë kusht nuk do të heqë dorë nga shenjtorët e saj në Kosovë dhe Metohi, dhe ne besojmë se edhe populli shqiptar, i cili është krenar për historinë dhe traditën e tyre të pasur, nuk ka nevojë të shohë për historinë dhe traditën e njerëzve të tjerë.

Ndër të tjera thuhet se disa shqiptarë janë duke e sulmuar historinë dhe besimin e popullit serb, duke e quajtur propagandë të radhës të shqiptarëve kundër serbëve. Ministria serbe e Kulturës ka deklaruar se shqiptarët nuk po ndalen së provokuari shtetin serb, duke shtuar se deformimin e historisë serbe nuk do mund ta arrijnë asnjëherë.

Një reagim të tillë, ka ardhur edhe nga opinionistë të ndryshëm, të mbajtur në debate të ndryshme ku shihet edhe kërcënimi ndaj gazetarit Mema.

Ata kanë akuzuar se qëllimi i dokumentarit është denigrimi i kulturës dhe historisë serbe. Ndërkohë lidhur me këtë çështje nuk ka asnjë reagim nga shteti shqiptar.

Zemra e shokut

Poezi nga Lasgush Poradeci

Të kam shok nga koh’ e vjetër,
Shok prej zemre edhe prej gjaku,
Shok të ri eme besë plaku,
Nuku kam, nuku ke tjetër.

Se ç’do gas e mall të shkretë,
M’i ke thënë emër me emër,
Une i mbylla mun në zemër,
Gjer sa zemra të mos jetë.

Se ti mban në kraharuar,
Shentërinë e një dhurate,
Mban në fund të zemrës sate,
Ç’të kam thënë i llaftaruar.

Ish e bardhë e nuku ishte,
Dredhëri zemra bujare,
Bënte botën ziliqare,
Zemër e bukur shokërishte. / KultPlus.com

Ndahet nga jeta kompozitori dibran, Ilir Meta: Shembull frymëzimi

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të artistit të talentuar dhe kompozitorit të njohur dibran, Përparim Tomçini.

“I hidhur lajmi për ndarjen nga jeta të artistit të talentuar dhe kompozitorit të njohur dibran, Përparim Tomçini”, është shprehur Meta.

“Me një krijimtari të suksesshme muzikore dhe mbi 400 kompozime me natyrë lirike, epike dhe folklorike, trashëgimia e çmuar që la pas në muzikë dhe art do të kujtohet gjithmonë me nderim, si një shembull frymëzimi dhe motivimi për brezat e rinj të artistëve shqiptarë”, ka theksuar Meta.

“Ngushëllimet më të sinqerta familjes Tomçini, të afërmve, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë artdashësve shqiptarë. I përjetshëm kujtimi i Tij!” – është shprehur Presidenti Meta. atsh / KultPlus.com

Në Ditën e Mjedisit, pastrohet zona turistike në Prevallë

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, përmes Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtarë “Sharri”, shënon 5 Qershorin – Ditën Botërore të Mjedisit. Ky aktivitet organizohet në bashkëpunim me organizatën WWF zyra në Prishtinë.

Dita Botërore e Mjedisit është një aktivitet global që shënohet çdo vit me një porosi të caktuar me qëllim që të rris vetëdijen e grupeve të ndryshme shoqërore për veprime në shërbim të mbrojtjes së mjedisit.

Kjo ngjarje këtë vit shënohet me temën “Koha për natyrën”. Duke e ditur faktin që të gjitha të mirat materiale, ushqimi, ajri që thithim, uji që pimë dhe klima që na rrethon vijnë nga natyra, kjo moto ka për synim që të nxisë aktivitete që promovojnë mbrojtën e natyrës dhe rolin e saj për mirëqenien dhe shëndetin publik.

Në këtë periudhë të vështirë në të cilën po kalon njerëzimi dhe planeti jonë, natyra po na dërgon sinjale se për tu kujdesur për veten, së pari duhet të kujdesemi për natyrën. Andaj është koha për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të ardhmen e njerëzve dhe të planetit tonë duke respektuar dhe mbrojtur resurset natyrore. Është koha për natyrën.

Duke e ditur rëndësinë që kanë Parqet Kombëtare për mbrojtjen e natyrës aktiviteti i AMMK është fokusuar në Parkun Kombëtarë Sharri, me moton Parqet për Shëndetin – Parqe të shëndetshme, njerëz të shëndetshëm.

Aktiviteti do të zhvillohet duke filluar nga ora 10:00 deri në ora 12:00 në zonën turistike të Prevallës, në rrugën Prevallë-Brezovicë, ku do të ketë pastrim të mbeturinave përgjatë rrugës dhe rrjedhës së lumit si dhe ecje në natyrë deri tek lokacioni Burimi i Madh apo i njohur ndryshe si Shtëpia e Vëzhguesve. Me këtë rast do të shpërndahen edhe materiale promovuese dhe vetëdijësuese për pjesëmarrësit e aktivitetit.

Për të zbatuar rekomandimet për parandalimin e përhapjes së COVID19 aktivitetet do të zhvillohen me grupe te vogla duke respektuar distancën sociale dhe duke u pajisur me mjete mbrojtëse si maska dhe dorëza.

Revoltë artistike ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Artisti i njohur me emrin, I Am I, ka realizuar një performancë artistike para Gjykatës Kushtetuese, shkruan KultPlus

Me titullin e performancës “REMEMBER,REMEMBER THE 6TH OF OCTOBER. “V FOR VOTE”, artisti në fjalë ka shprehu revoltën e tij ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për formimin e Qeverisë së re.

“Koncepti ndërlidhet me shprehjen e revoltës artistike në mënyrë protestuese ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuse të pseudo-Presidentit për formimin e “qeverisë së re”, gjegjësisht shkeljen dhe vjedhjen e vullnetit qytetarë të zgjedhjeve të 6 Tetorit 2019, si avokim për zgjedhje të reja”, ka
thënë artisti. / KultPlus.com

Kosnett falënderon qytetarët e Kosovës për solidaritetin e shfaqur për vdekjen e Floyd

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka shprehur falënderim ndaj qytetarëve të Kosovës të cilët bashkëndjenë për vdekjen e George Floyd.

Në një mesazh të publikuar së fundi, Kosnett shprehet se autoritetet e shtetit federal dhe populli amerikan, janë të përkushtuara thellësisht për drejtësi për Floyd dhe familjen e tij, njofton Klan Kosova.

”Dëshiroj t’i falënderoj ata qytetarë të Kosovës që kanë shprehur ngushëllimet dhe brengën e tyre për vdekjen e Xhorxh Flojdit (George Floyd). Qeveria federale, si dhe autoritetet e shtetit federal dhe ato lokale – dhe populli amerikan – janë thellësisht të përkushtuara për drejtësi për Z. Floyd dhe familjen e tij.

Presidenti Trump ka deklaruar: „Vdekja e George Floydit në rrugët e Mineapolisit ishte tragjedi e rëndë, që nuk do të duhej të kishte ndodhur kurrë. Ajo i ka mbushur amerikanët anembanë vendit me ndjenjë të tmerrit, zemërimit dhe pikëllimit”… Prokurorët kanë ndërmarrë hapa të shpejtë për ngritjen e akuzës, duke respektuar plotësisht një proces të drejtë për të gjithë të përfshirët në rast.

Si amerikan dhe si njeri, e ndaj zemërimin për vdekjen e Z. Floyd dhe i kam shikuar ngjarjet që pasuan në rrugët e qyteteve amerikane me shqetësim të thellë. Përderisa vazhdojmë të përfytemi me diskriminimin në jetën dhe drejtësinë amerikane, objektet si Memoriali Kombëtar për Paqe dhe Drejtësi dhe Muzeu i Trashëgimisë (https://museumandmemorial.eji.org/memorial) na ndihmojnë të ekzaminojmë të kaluarën në mënyrë të sinqertë dhe ta dyfishojmë vendosmërinë tonë për të mundësuar drejtësinë në të tashmen.

Unë besoj se Amerika do të dalë nga ky çast i tmerrshëm më e fuqishme dhe edhe më e përkushtuar për të gjetur rrugën përpara për të përmbushur premtimin historik të të drejtave të barabarta dhe drejtësisë së barabartë për të gjithë qytetarët. Kjo do të kërkojë veprim të bashkërenditur të qeverisë dhe qytetarëve, me ndihmën e shtypit të lirë. Të njëjtën gjë e duam edhe për Kosovën”.

Jusuf Buxhovi promovon romanin “MONA” në Gjakovë

Historiani i njohur nga Kosova, Jusuf Buxhovi, së fundmi ka botuar romanin “MONA”, të cilin sot e ka promovuar në Gjakovë, shkruan KultPlus

“Autori deklaroi se Gjakova është zgjedhur jo rastësisht për promovim, meqë Gjakova historikisht dhe politikisht ka qenë cak i karantenimeve me të cilat është synuar që me gjenocide dhe etnocide t’i rrënohet qenies etnike dhe shpirtërore e një ambienti që paraqet berthamën e shqiptarizmit”, thuhet ndër të tjera në postimin e tij në Facebook.

Këtu keni statusin e tij të plotë:

“Promovimi i romanit MONA në Gjakovë

PAKTI I INTELEKTUALËVE ME SHBA-të – EKZISTENCIAL

Shkrimtari Jusuf Buxhovi sot promovoi romanin e ri “Mona” në Bibliotekën e Qytetit në Gjakovë. Autori deklaroi se Gjakova është zgjedhur jo rastësisht për promovim, meqë Gjakova historikisht dhe politikisht ka qenë cak i karantenimeve me të cilat është synuar që me gjenocide dhe etnocide t’i rrënohet qenies etnike dhe shpirtërore e një ambienti që paraqet berthamën e shqiptarizmit. Meqë kjo vepër letrare trajton artistikisht gamen e këtyre raporteve me SHBA-të në përputhjen me pasthirrmën “Oh, Amerikë!”, që është refren i një të çmendure, – intelektuale kritike, që është shpallur e tillë për t’u heshtur të vertetat e saj (dhuninet gjatë luftës, vrasjet politike, uzurpimet e të tjerat) nga “aleatët” amerikanë në kuadër të politikës ditore, autori i kushtoi një vemendje raporteve politike me SHBA-të, të cilat, tha se kanë prodhuar pasoja negative për Kosovën pikërisht në saje të partneritetit amerikan me të tillët. Shkrimtari deklaroi se vepra e tij nuk është antiamerikane. Përkundrazi ajo miqësinë me SHBA-të e konsideron ezistenciale, ngaqë ajo ishte fryt i një “pakti” midis intelektualëve me SHBA-të në prill të vitit 1990 të ndërtuar mbi formulën “liri, barazi,demokraci”. Kjo formulë nga pragmsatizni politik i rrethanave, kur kërkohej që luftës diplomatike të kthehej në diplomaci të luftës , pra kur u desh ndërhyrja ushtarake kundër Millosheviiqit, në vitin 1999, u zëvendësue me atë “të çlirimit”, formulë kjp që u keqpërdor nga ata që e përvetësuan për ta kapur shtetin në të gjitha segmentet. Autori theksoi se, në këtë aspekt, as që mund të flitet për antiamerikanizëm, por për qendrim kritik ndaj partnerëve të tyre që kanë manipuluar me “miqësinë” me amerikanët. Dhe në tjetrën anë mund të flitet edhe për një kërkesë të intelektualëve që të mbështeten klasat politike që angazhohem për parlamentarizëm dhe sistem të vlersve prëndimore. Në fund autori tha se klithja e autorës “Oh, Ametikë” ka të bëjë me shqetësimin intelektul kundër klasës politike që po mundohet të rrënojë institucionet siç po veprohet në Shqipëri. Si shembull, autori, theksoi sjelljen e papërgjegjshme të Presidentit për hapjen e çështjeve që kanë të bëjnë me rrënimin e sovraniitetit shtetëror në emër të një marrëveshjeje me Serbinë, atë të kryeministrit të shkarkuar që SHBA-të i vuri në dyshim se po ia përgtisin thikat Kosovës si dhe sjelljen e papërgjegjegjshme të Kryeparlamentarës, që të mos drejtojë seancën e Psrlamentit për motive politike që degradojnë institucinon”. / KultPlus.com

Kështu i magjepsnin turmat diktatorët

Pse pikërisht ai? Sepse në një moment të caktuar të historisë një njeri i vetëm merr pushtetin dhe e ushtron në mënyrë despotike dhe pa kontroll? Gjenerata psikanalistësh kanë rrëmuar në biografitë e Hitlerit, Stalinit e Mussolinit në kërkim shenjash paralajmëruese apo psikopatishë që u kanë shpëtuar diagnozave.

Gjithçka e kotë. Tipari i vetëm i personalitetit që duket se kanë të përbashkët diktatorët e mëdhenj të nëntëqindës nuk ka asgjë patologjike: është aftësia për të komunikuar, pra retorika. Të gjithë qenë oratorë brilantë, shprehnin pikëpamje përrallore dhe projektonin zgjidhje të thjeshta ndaj probemeve komplekse të shoqërisë.

Diktatorëve nuk e shërbejnë aftësi të veçanta. Më e rëndësishmja është të shfaqet njeriu i duhur në momentin e duhur:

  • Mëshimi më shumë mbi ndjenjat sesa mbi arsyen: më mirë pasioni sesa koherenca. Në fund të fundit, fjala “dashuri” është përdorur shumë në diktatura (Mussolini: “Do të doja që një ditë italianët të dinin të kujtonin se parasëgjithash i kam dashur”);
  • Përdorimi i miteve, që kanë një forcë bindëse më të madhe pasi lëvizin vetëdijen dghe shmangin konfrontimin me realitetin. Hitleri i bëri apel mitit të racës ariane, Mussolini atij të romanizmit perandorak;
  • Falsifikimi i realtetit në mënyrë funksionale, me qëllim që të bëhet e pamundur ndarja e të vërtetës nga e rremja. Në diskutimet e tij Stalini përhapte ide (false) konspiracionesh kundër revolucionit që ftonin të bëheshin denoncime anonime.

Joseph Goebbels, Ministër i Propagandës i Rajhut të Tretë, teorizonte se “çdo  gënjeshtër, nëqoftëse përsëritet shpesh, do të transformohet gradualisht në të vërtetë”.

GERMANY – JANUARY 01: Adolf Hitler holding a speech, about 1925. (Photo by Imagno/Getty Images) [Hitler haelt eine Rede. Photographie. Um 1925.]

Di Caprio zotohet se do ta ndihmojë kauzën e “Amerikës Afrikane ”

Aktori Leondardo Di Caprio është zotuar se do të japë donacione për organizatat Color of Change, Fair Fight Action, The NAACP dhe Equal Justice Initiative, dhe ka thënë se dëshiron të ndihmojë në ndalimin e “diskriminimit të Amerikës Afrikane”, raporton revista FemaleFirst.

Ylli 45 vjeç ka përdorur llogarinë e tij të Instagramit për të përkrahur lëvizjen Jetët e Zezakëve Vlejnë, duke shkruar se “përkushtohem se do të dëgjoj, mësoj, dhe veproj”.

“Jam i përkushtuar në përfundimin e diskriminimit të Amerikës Zezake, që ka qenë prezent për një kohë tepër të gjatë. Do t’i përkrahi individët, organizatat dhe koalicionet të cilat janë të përkushtuara në ndryshimin afatgjatë të situatës”, kishte shkruar ai.

Pastaj kishte bërë thirrje që të përcillen, të përkrahen organizatat që luftojnë dhe e përkrahin kauzën e të drejtave të barabarta të afro amerikanëve në SHBA. / KultPlus.com

Yjet i dalin në krah aktorit Boyega

Yjet, si shkrimtarja JK Rowling dhe Jordan Peele, kanë lavdëruar aktorin John Boyega për fjalimin emocional në protestën kundër vdekjes së afroamerikanit George Floyd, që gjatë së mërkurës u mbaj në Londër.

“Jeta e afroamerikanëve është e rëndësishme. Kemi qenë të rëndësishëm dhe vazhdimisht të suksesshëm”, ka thënë aktori i filmave “Star Wars”.

Ai nderoi Floydin, që vdiq pas keqtrajtimit nga policia më 25 maj. Aktori ka thënë se komentet e tij mund ta dëmtojnë karrierën, por nuk ishte i shqetësuar për këtë.

Por yjet nga Hollwoodi i kanë shprehur përkrahjen për fjalimin.

“E ke përkrahjen tonë”, ka thënë Peele, regjisori që fitoi çmimin “Oscar” për filmin “Get Out”. Ndërkaq shkrimtarja e njohur Rowling është shprehur e gatshme që në çfarëdo kohe të bashkëpunojë me aktorin.

Boyega me prejardhje nga Nigeria në fjalimin e tij ka thënë se dyshon që pas protestës do të ketë karrierë në film.

“Po flas me ju nga thellësia e zemrës. Sot gjithçka është për njerëzit e pafajshëm që kanë lënë në gjysmë rrugëtimin e tyre. Nuk e dimë se çfarë ka mundur të arrijë në jetë Floydi dhe as Sandra Bland, por sot do të sigurohemi se nuk do të jemi të huaj për më të rinjtë”, ka thënë aktori para turmës së mbledhur në qendër të Londrës. “Tani është ky moment dhe unë nuk e kam ndërmend të pres”, ka shtuar ai.

Aktorja e filmit “Booksmart”, Olivia Wilde, ishte në mesin e yjeve të para që reagoi me lavde ndaj fjalimit të Boyegas.

“Do të isha e nderuar të punoja me të dhe shpresoj që ta kem shansin. E ke përkrahjen tonë, mos u dorëzo”, ka shkruar Wilde.

Kolegu i Boyegasit, aktori i njohur Mark Hamill, i cili e luan rolin e Luke Skywalker në trilogjinë e filmave “Star wars”, ka thënë se kurrë nuk është ndier më krenar.

Përkrahje i ka dhënë edhe llogaria e filmave “Star Wars” në Twitter.

“E keqja që vjen me racizmin duhet të ndalet. Do të vazhdojmë të jemi pjesë e ndryshimit. John Boyega, ti je heroi ynë”, ka shkruar faqja e “Star Warsit”.

Polici Derek Chauvin është ngarkuar për vrasje të shkallës së dytë, ndërsa tre kolegët e tjerë, të përfshirë në rastin e vdekjes së Floyd-it, po përballen me akuza për ndihmë. Vdekja e tij ka shkaktuar trazira të mëdha në Amerikë dhe demonstrata në mbarë botën. / KultPlus.com

Kanye West paguan shkollimin e vajzës së George Floyd

Vdekja e qytetarit nga Minneapolisi, George Floyd, i cili e humbi jetën pasi një polic i vuri gjurin në fyt për nëntë minuta, gjatë kohës sa po e arrestonte atë në Minnesota, ka bërë bujë të madhe në gjithë botën.

Veprimi i policëve të përfshirë në këtë ngjarje, cilësohet të ketë motive raciste dhe kështu ka shkaktuar protesta shpesh të dhunshme të cilat po vazhdojnë ende.

Por, këtë ngjarje tragjike më së rëndi po e përjeton bashkëshortja e George Floyd dhe vajza e tij 6 vjeçare.

Kanye West është ofruar që të paguajë tarifën e plotë të kolegjit të Gianna Floyd, vajzës së George Floyd.

“TMZ” bën me dije se Kanye do e paguajë për 6 vite me radhë tarifën e shkollimit të vajzës së afro-amerikanit, i cili humbi jetën nga ish-oficeri i policisë që i vendosi gjurin në qafë dhe ai nuk mundi dot të merrte frymë.

Kanye gjithashtu ka dhuruar edhe 2 milion dollarë për familjarët e George Floyd: Ahmaud Arbery dhe Breonna Taylor, ndërsa do vazhdojë të ndihmojë të gjithë njerëzit afro-amerikanë që kanë rënë pre e racizmit dhe janë dhunuar. / KultPlus.com

Në Kosovë shënohet Dita Botërore e Sportit dhe Mjedisit

 

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi pas rimarrjes së mandatit ka vazhduar me aktivitete në kuadër të realizimit dhe përmbushjes së planit dhe objektivave që ka si ministre, konform agjendës që ka MKRS-ja për këtë vit.

Ministrja Dumoshi mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës, për të shënuar 5 qershorin – Ditën Botërore të Sportit.

Më këtë rast ministrja Dumoshi u shpreh se pas rimarrjes së mandatit si ministre në MKRS në qeverinë Hoti do të vazhdojë të punojë me përkushtim dhe do të bashkëpunojë në interes të avancimit të fushave që janë në përgjegjësinë e ministrisë që ajo udhëheq.

“Bashkërisht do të punojmë shumë sidomos për sportin sepse nuk do të kemi sport të shëndetshëm nëse nuk do të kemi një mjedis të pastër. Ky mesazh është i mirë se çdo qytetar të mbjellë më shumë pemë dhe ta fisnikërojmë natyrën tonë. i ftoj të gjithë qytetarët që secili prej tyre nëpër komuna ta japin mesazhin më të mirë për ruajtjen e ambientit për ta bërë një Kosovës sa më të pastër”, u shpreh ministrja Dumoshi pasi mbolli një pemën olimpike bashkë me kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, si simbolikë për të shënuar këtë ditë të rëndësishme për sportin
Po ashtu ministrja Dumoshi tha se “do të diskutohet edhe për Pakon Emergjente që do t’i dal në ndihmë sportistëve. Ajo tha se do të diskutohet edhe në mbledhjen e Qeverisë për këtë çështje”.

Ndërkaq kryetari i Komitetit Olimpikë të Kosovës, Besim Hasani tha se “Sot është Dita Botërore e Sportit dhe Mjedisit, edhe Komiteti Olimpik i është bashkangjitur kësaj dite dhe nga kjo mbjellje ne duam të dërgojmë mesazhin që të mbillet në kokën e secilit të ri që të mbillet ajo fara për përkujdesjen e mjedisit dhe të ambientit”. / KultPlus.com

Shqipja, ndër gjuhët më të vështira për t’u mësuar nga të huajt

  

Përvetësimi i gjuhës shqipe është mjaft i vështirë dhe kërkon një sforcim të madh për ta mësuar.

Ky është përfundimi i Institutit për Shërbime të Jashtme që ka përzgjedhur gjuhët kryesore në botë, duke i klasifikuar ato sipas shkallës së vështirësisë në zënien e tyre, transmeton Konica.al.

Me këtë rast është krijuar një hartë me ngjyra që tregon gjuhët e ‘vështira’ dhe ato të ‘lehta’ për t’u mësuar.
Gjuhët romane, që mbështeten në tabanin latin, janë më të kapshmet, dhe përfshijnë frëngjishten, spanjishten, italishten dhe romanishten.

Sipas studiuesve, këto gjuhë mund të përvetësohen brenda 24 javëve.

Në atlasin e gjuhëve evropiane, shqipja bashkë me gjuhët sllave janë renditur në kategorinë e katërt, që do të thotë se ato janë ndër më të vështirat për t’u mësuar, dhe zënia e tyre kërkon hiç më pak se 44 javë përpjekje. / KultPlus.com

Botohet në gjuhën shqipe romani “Unë e di pse këndon zogu në kafaz” i Maya Angelou

Romani “Unë e di pse këndon zogu në kafaz” i shkrimtares Maya Angelou, përkthyer nga Parid Teferiçi është botuar në gjuhën shqipe nga Botimet Pegi, përcjellë KultPlus.

Libri në thelb përshkruan një botë të egër, ku të qenit me ngjyrë dhe grua njëkohësisht ta bën jetën të pamundur, Maya Angelou arrin të ringrihet si një grua fenomenale.

“Unë e di pse këndon zogu në kafaz” (I know why the caged bird sings” – 1969), romani i parë autobiografik i Maya Angelou-t, është shndërruar tashmë në një klasik amerikan fort të dashur në mbarë botën. Është një roman i hareshëm dhe i dhembshëm, i mistershëm dhe i paharrueshëm siç është vetë fëmijëria. Ai përshkruan jetën e Margaritës (të cilën, i vëllai e quan Maj, ose Maja), që nga mosha trevjeçare deri në shtatëmbëdhjetë dhe vuajtjet me të cilat përballet, përdhunimin, braktisjen nga familja, e sidomos racizmin, në Jugun e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Majën dhe vëllain e saj më të madh, Bejlin, të braktisur nga prindërit, i dërgojnë për të jetuar me gjyshen e tyre nga babai dhe me xhaxhain ulok, në Stemps, Arkansas. Fëmijët do t’i shoqërojë drama e braktisjes gjatë gjithë librit; ata udhëtojnë vetëm dhe u vendosin në qafë etiketa njësoj si bagazheve. “Unë e di pse këndon zogu në kafaz” është një histori rritjeje dhe formimi, që tregon se forca e karakterit dhe dashuria për letërsinë mund të ndihmojnë në kapërcimin e traumave dhe racizmit. Përgjatë librit, ashtu si dhe në jetën e saj të vërtetë, Maja shndërrohet nga viktimë e racizmit me një kompleks të theksuar inferioriteti në një vajzë të re, të vendosur, me dinjitet, e zonja për t’iu kundërvënë çdolloj paragjykimi. Maja mëson se dashuria për veten, mirësia ndaj të tjerëve, shpirti i saj i fortë dhe leximi i shkrimtarëve të mëdhenj do t’i japin mundësinë të jetë e lirë dhe jo më e robëruar. Ky roman, poetik dhe i fuqishëm, do të prekë zemrat dhe do të ndryshojë mendjet për sa kohë që njerëzit do të vazhdojnë të lexojnë.

Poet and novelist Maya Angelou addresses the audience at the Sickle Cell Disease Association of America – Mobile Chapter 30th Anniversary Celebration program, Tuesday, Sept 12, 2006, in Mobile, Ala. (AP Photo/Press-Register, John David Mercer)

Kritika

Një prej dritave më të shndritshme të kohës sonë, një grua me të vërtetë fenomenale… Zëri që arriti të gjente brenda vetes, ndihmoi breza të tërë amerikanësh dhe të gjithëve ne na shtyu që të bëheshim më të mirë. – Barack Obama

“Unë e di pse këndon zogu në kafaz” është më i dashuri, por njëkohësisht edhe romani më i ndaluar në historinë letrare të ShBA-së. Angelou e përball Amerikën me imazhin e vet, duke ia sfiduar perceptimet, duke ia ndryshuar peizazhin dhe teksa vitet shkonin, Angelou vëzhgonte vendin e saj dhe e shihte që ca hapa emancipimi ishin hedhur. – The Guardian

Zogu në kafaz “këndon për lirinë”, shkruan Maya Angelou në poemën e saj “Zogu në kafaz” – një imazh prekës dhe i përhershëm i gjithë krijimtarisë së saj, teksa përcjell betejat për t’u çliruar nga vargonjtë e racizmit dhe të misogjinisë. – The New York Times

“Unë e di pse këndon zogu në kafaz” i jep krahë lexuesit, sepse Maya Angelou përballet me jetën e saj me një magji mallëngjyese dhe me një dinjitet të lartë. – James Baldwin

Maya Angelou (emri i vërtetë Marguerite Annie Johnson, 4 prill 1928 – 28 maj 2014), ishte poete, këngëtare, aktore, regjisorja e parë me ngjyrë në Hollyewood, shkrimtare dhe aktiviste e të drejtave të njeriut. Si aktiviste, Angelou ka bashkëpunuar me Martin Luther King Jr. dhe Malcolm X, dy nga udhëheqësit kryesorë në luftën për të drejtat e njeriut dhe sidomos ato të afroamerikanëve. Me më shumë se 50 vjet veprimtari krijuese mbi shpinë, ajo është autore e shtatë librave autobiografikë, tri përmbledhjeve me ese, disa përmbledhjeve me poezi dhe e një sërë veprash teatrale, filmash dhe programesh televizive. Ka marrë dhjetëra çmime e mbi 50 diploma Honoris Causa. Angelou është dalluar dhe si poete që ka thurur himne për bukurinë e grave zezake, forcën e tyre dhe shpirtin e tyre thellësisht njerëzor. Ajo njihet kryesisht për shtatë autobiografitë, të cilat rrëfejnë fëmijërinë dhe adoleshencën e saj. Me botimin e kësaj autobiografie, Angelou shfaqi publikisht një sërë aspektesh tejet personale të jetës së saj. Me kalimin e kohës, ajo u bë zëdhënëse e njerëzve me ngjyrë dhe e grave në ShBA. Ndonëse janë bërë përpjekje të herëpashershme për të bllokuar qarkullimin e librave të saj në librari dhe biblioteka, veprat e saj studiohen gjerësisht në shkolla dhe në universitete, në të gjithë botën. Në lidhje me kategorizimin e prozës së saj, kritikët letrarë kanë mendime të ndryshme; disa e quajnë autobiografi të mirëfilltë, ndërsa të tjerë e konsiderojnë krijimtari letrare, që ka marrë shkas nga jeta e saj personale. Në fakt, veprat e Angelou-t duket se përfaqësojnë një përpjekje të ndërgjegjshme për të sfiduar strukturën e zakonshme të autobiografive, duke e kritikuar, ndryshuar dhe zgjeruar këtë zhanër.

Përkthyer nga Parid Teferiçi, Botime Pegi ka sjellë në gjuhën shqipe “Unë e di pse këndon zogu në kafaz” dhe “Mami, unë dhe mami”.

Fragmente nga libri

1) Shpresonte për më të mirën, përgatitej për më të keqen dhe s’kishte gjë që ta kapte në befasi.

2) […] gjuha është mjeti me të cilin njerëzit komunikojnë mes tyre dhe që i dallon nga kafshët. […]Gjyshja jote thotë se ti lexon shumë. Sa herë ke mundësi. Kjo është gjë e mirë, por nuk mjafton. Fjalët thonë më shumë se çfarë gjendet në letër. Duhet zëri njerëzor për t’i mbushur me nuancat e një kuptimi më të thellë.

3) Të mbetesh pezull, e vetme, në litarin e nderë të papërgjegjësisë rinore, do të thotë të përjetosh bukurinë torturuese të lirisë së plotë dhe kanosjen e përhershme të mëdyshjeve. Janë të rrallë, mjaft të rrallë, ata që arrijnë t’i mbijetojnë adoleshencës. Pothuajse të gjithë dorëzohen para trysnisë së vagullt, por asgjësuese, që ushtron konformizmi i moshës së rritur. E kanë më të lehtë të vdesin e t’u shmangen konflikteve, sesa të përballojnë betejën e vazhdueshme me forcat e epërme të pjekurisë.

4) Deri para pak vitesh, çdo brezi i voliste të pranonte fajin për akuzën se ishte i ri e i paditur, dhe e kishte më të lehtë të pranonte dënimin e dhënë nga brezi pararendës (i cili kish bërë të njëjtën gjë disa vite më parë). Detyrimi për t’u rritur pa vonesë durohej më lehtë sesa tmerri i panjohur i një destinacioni të mjegullt si rinia.

5) Nga jeta do të marrësh atë që ke investuar. Bëje me gjithë zemër atë që bën, pastaj lutu dhe prit.

6) Jam e bindur se shumica e vajzave jo fort tërheqëse janë të virtytshme vetëm ngaqë nuk u jepet rasti të jenë ndryshe.

7) Pikërisht në moshën e brishtë kur sulmohet nga forcat e natyrës, vajza e re zezake e gjen veten njëherazi nën zjarrin e trefishtë të paragjykimeve mashkullore, urrejtjes pa shkak të të bardhëve dhe pafuqisë së zezakëve.

8) Fakti që gruaja zezake amerikane kalit një karakter të jashtëzakonshëm, shpeshherë shihet me habi, bezdi dhe, madje, armiqësi. Rrallëherë pranohet kjo gjë si pasojë e pashmangshme e luftës së fituar nga të mbijetuarit, një fitore që meriton respekt, në mos brohoritje.

9) “Djemtë”? Ato fytyra të gurta me sy urrejtjeje që t’i digjnin rrobat në trup, po të të shihnin të shtunave në rrugën kryesore të qendrës. Djem? Ata dukej sikur nuk kishin qenë kurrë të rinj. Djem? Jo, përkundrazi: burra të mbuluar nga pluhuri i varreve dhe të moshuar pa bukuri e dije. Shëmtira dhe kalbësira, pjella neverish të dikurshme. Sikur Shën Pjetri, në Ditën e Gjykimit, të më kërkonte të dëshmoja për këtë gjest bujar të ish-sherifit, nuk do të thosha dot asnjë fjalë në favor të tij. Ishte tepër poshtëruese bindja e tij se, sapo të dëgjonin për mbërritjen e Ku Kluks Klanit, xhaxhai dhe të gjithë zezakët e tjerë do të vraponin të fshiheshin mes glasave të qymezit.

10)Riti, mos çaj kokë që nuk je e bukur. Kam parë plot gra të bukura të hapin kanale a mos më keq. Ti je e zgjuar. Për atë Zot, më mirë të kesh mendjen në rregull sesa vithet. / KultPlus.com

Edhe unë

Nga Langston Hughes
Përkthimi: Rozafa Kelmendi

Edhe unë, këndoj Amerikë.

Unë jam vëllau i errët,
më dërgojnë të ha në kuzhinë
kur vijnë miqtë.
Por unë qesh,
dhe ha mirë
dhe rritem e bëhem i fortë.

Nesër,
unë do të jem në tryezë
kur vijnë miqtë.
Askush nuk do të guxojë
të më thotë
“Ha në kuzhinë”
pastaj.

Përveç kësaj,
ata do të shohin se sa i bukur jam
dhe do t’u vie turp.

Edhe unë jam Amerikë.

Poezi e botuar në vitin 1926
Autori reciton vargjet:
Artisti: Langston Hughes
Albumi: The Voice of Langston (Zëri i Langston)

Vjena, një nga destinacionet më të sigurta të udhëtimit në Evropë

Vendet evropiane gradualisht po hapin kufijtë e tyre, hotelet dhe linjat e fluturimit. Portali i udhëtimit “Destinacionet më të mira evropiane” ka bërë një listë për t’i orientuar të gjithë ata që nuk dinë ku të shkojnë dhe cilat masa të sigurisë merren në vende individuale dhe rajone.

Ndër “20 destinacionet më të sigurta në Evropë” janë ato që u preken më pak nga Covid-19, qytete të cilat kanë ndërmarrë masa të përshtatshme sigurie si dhe kanë një infrastrukturë të përshtatshme shëndetësore.

Vjena është një nga qytetet që bën pjesë në atë listë, shkruajnë mediat austriake, transmeton Albinfo Austria.

Norbert Kettner, drejtor menaxhues i “Wien Tourismus”, tha: “Standardet e larta të sigurisë dhe pastërtisë së Vjenës janë vërtetuar se janë një pasuri në pozicionimin e publikut të udhëtimit për vite me radhë – aq më tepër në kohën e Covid-19”.

Sipas portalit “Destinacionit më të mira evropiane”, Vjena vizitohet gjatë gjithë vitit nga udhëtarët, “të cilët po kërkojnë një destinacion udhëtimi të sigurt dhe paqësor”.

Shkalla e krimit është deri në tri herë më e ulët se në kryeqytetet e tjera evropiane. “Me shumë parqe dhe mjete transporti, Vjena është një nga qytetet me cilësi më të mirë të jetës në Evropë”, theksoi Kettner.

Përveç kësaj, muaj më parë Vjena ishte shpallur si qyteti më i gjelbëruar në botë. / KultPlus.com

Aktorët që nuk kanë fituar asnjëherë Oscar

Ka disa arsye të vlefshme përse disa aktorë nuk kanë fituar ende një ‘Oscar’. Më poshtë, mund të gjeni disa nga vëzhgimet dhe supozimet pse nuk ka ndodhur kjo.

Më poshtë gjeni 17 aktore dhe aktorë të talentuar të cilët janë nominuar për një ‘Oscar’ të paktën një herë, por nuk e kanë fituar këtë çmim akoma.


1. Amy Adams

Amy Adams është nominuar për ‘Oscar’ 5 herë për filma si ‘Doubt’, ‘The Master’ dhe ‘American Hustle’. Në vitin 2016, ajo ishte e shkëlqyer në rolin e saj si Louise Banks në filmin “Sci-fi flick Arrival”. Dhe ajo nuk u propozua as për një ‘Oscar’ për këtë pjesë, gjë që i bëri tifozët e saj të zemëruar.

Ndoshta arsyeja pse Adams ende nuk e ka fituar këtë trofe është sepse ajo ka filluar karrierën e saj në Hollywood në moshë të vonuar, ajo ishte tashmë 25 vjeç në kohën kur filloi të ishte pjesë e industrisë së filmit. Deri në këtë moshë, shumë yje janë nominuar për një ‘Oscar’ disa herë pasi është shumë normale të fillosh një karrierë në moshë të re. Por Adams ende ka shumë kohë për ta fituar këtë çmim.


2. Bradley Cooper

Bradley Cooper u nominua për një ‘Oscar’ tri vjet me radhë. Herën e parë ai u nominua në vitin 2013, kur ai u propozua për aktorin më të mirë për rolin e tij kryesor në “Silver Linings Playbook”, por statuja shkoi në duart e aktorit Daniel Day-Lewis për performancën e tij në filmin “Lincoln”. Vitin e ardhshëm, Cooper u propozua për “Aktorin më të mirë në rol dytësor” për filmin “American Hustle”, por ishte Jared Leto i cili fitoi ‘Oscar’-in atë kohë. Herën e tretë, ndërsa herën e tretë që ai u nominua, çmimin e fitoi Eddie Redmayne që luajti rolin e Stephen Hawking.

Duket se Cooper nuk ka marrë ende mundësinë e tij të artë. Megjithatë, ai do të ketë një shans të vërtetë të mirë për ta lënë ceremoninë me çmimin në dorë këtë vit. Projekti i tij, “A star is born”, ku ishte regjisor, producent, skenarist dhe aktori kryesor, është shumë premtues. Shpresojmë që ai do të fitojë këtë statujë të shumëpritur dhe të merituar.


3. Saoirse Ronan

Saoirse Ronan është vetëm 24 vjeçe, por tashmë ka marrë pjesë në garën për çmimin më prestigjioz të filmit tri herë. Nominimi i saj i parë u bë kur ajo ishte vetëm 13 vjeçe. Pastaj ajo ishte një nga kandidatët më të mirë të aktores për rolin e saj në filmin “Brooklyn”, dhe vitin e kaluar ajo pothuajse fitoi çmimin për rolin e e saj kryesor në “Lady Bird”.

Ronan është një nga shembujt e një karriere të hershme. Por gjatë ceremonisë së vitit të kaluar, ajo kishte për të konkurruar me aktoret e mëdha si: Frances McDormand (60 vjeçe) dhe Meryl Streep (68 vjeçe). Ronan tha në intervistën e saj se ajo nuk është konkurruese për çmime dhe se vetë nominimi u ndje si një fitore ndaj saj. Ajo do të ketë një shans të mirë për të fituar një ‘Oscar’ këtë vit për rolin e saj si Mary Stuart në “Mary Queen of Scots”.


4. Joaquin Phoenix

Joaquin Phoenix ka patur tri nominime për çmimin ‘Oscar’ deri më tani, dhe më i rëndësishmi ishte ai për “Aktorin më të mirë në rol dytësor” për filmin “Gladiator”. Është e çuditshme, por ai kurrë nuk u nominua për rolin e tij të shkëlqyer në filmat si “Her” dhe “Inherent Vice”.

Ka pasur zëra se Phoenix nuk dëshiron të marrë pjesë në këto ngjarje të pafundme dhe duhet të japë intervista të panumërta vetëm për t’u konsideruar për çmimin.


5. Helena Bonham Carter

Ky aktore është nominuar dy herë për një ‘Oscar’. Herën e parë ndodhi në vitin 1998 kur ajo mori një nominim për “Aktoren më të mirë” për filmin “The Wings of the Dove”. Herën e dytë, ajo ishte në vitin 2011 në kategorinë “Aktorja më e mirë në rol dytësor” për rolin e saj në dramën historike “The King’s Speech”. Mjerisht, në të dyja rastet, fati nuk ishte në anën e Carterit. Është interesante se ajo nuk fitoi asnjë çmim dhe nuk u nominua as për ndonjë gjë për punën e saj të jashtëzakonshme për rolin e Marlas në “Fight Club”.

6. Johnny Depp

Gjatë gjithë karrierës së tij të gjatë Depp është nominuar për çmimin Oskar 3 herë. Në vitin 2004, nga të tre nominimet Deep nuk e fitoi asnjëherë këtë çmim. Depp thotë në intervistat e tij se ai nuk është i interesuar më për cmime. Ai ka thënë se, kurrë nuk donte të fitonte çmimin Oskar, duke e sqaruar se nuk mori pjesë për hir të fitimit të çmimit por për fansat e tij.


7. Sharon Stone

Sharon Stone ka luajtur në më shumë se 40 filma artistikë, por ajo u bë me famë botërore falë pjesës së saj në Basic Instinct. Sa për çmimin Oskar, ajo u propozua për këtë çmim vetëm një herë për pjesën e saj në Cazino, por çmimi u fitua nga Susan Sarandon atë vit. Ajo u bë e famshme në moshën 34 vjeçare. Para se të niste këtë karrierë ajo punonte si modele dhe merrte pjesë në aktrim, në filmat B. Ajo nuk ndenji gjatë në SHBA, por zhvendosi vëmendjen e saj në Evropë. Thonë se është ajo që e bëri Festivalin e Filmit në Kanë një nga festivalet më të njohura dhe më të njohura të filmit në botë, e cila nuk është më pak prestigjioze sesa Çmimet e Akademisë.


8. Bill Murray

Ky aktor që është shuam i dashur nga miliona fansa, u nominua për çmimin Oskar vetëm një herë në 2004 në kategorinë e aktorëve më të mirë për pjesën e tij në Lost in Translation. Në atë kohë, ai humbi me Sean Penn. Është interesante që pavarësisht pjesëve që ka aktruar në filmat më të mirë, ai kurrë nuk ka fituar ndonjë çmim për ta. Në një nga intervistat e tij, Murray pranoi se ai kishte vendosur të mos merrte pjesë më në garën e Oskarëve. Ai krahasoi dëshirën për të fituar një Oskar me një virus që e pengon atë të mendojë qartë. Pasi nuk e fitoi Oskarin për Lost in Translation, ai tha, “6 muaj më vonë, kuptova se e kisha marrë virusin. Unë kam qenë i infektuar. ”


9. Keanu Reeves

Është e vështirë të besohet, por Keanu Reeves kurrë nuk është nominuar për një Oskar. Ai u bë i famshëm në mbarë botën pas filmave të suksesshëm si Speed and Point Break, dhe Matrix e bëri atë një figurë të famshme. Edhe pse ai nuk ka fituar çmimin Oskar, Reeves ka fituar vetëm çmime MTV Movie.


10. Tom Cruise

Tom Cruise u nominua për një Oskarin në kategorinë e aktorëve më të mirë në vitin 1990 për herë të parë. Situata e Cruise-it mund të shpjegohet me një teori të quajtur Pitt-Hanks Continuum që thotë se ka dy lloje aktorësh në Hollywood. Tipi i parë i ngjan Brad Pitt, i dyti i ngjan Tom Hanks. Aktorët e tipit të parë vazhdimisht mund të shfaqin performancë të shkëlqyer, por ata kurrë nuk do ta fitojnë çmimin. Ndërsa aktorët e tipit “Hanks” mund të fitojnë një Oskar për punën e tyre të parë të suksesshme.


11. Jessica Chastain

Suksesi i vërtetë erdhi tek Jessica Chastain pas realizimit të filmit The Help. Ajo u emërua menjëherë për çmimin Oskar në kategorinë e aktorëve më të mirë. Megjithatë, ajo nuk fitoi trofeun e artë të atij viti. Vitin e ardhshëm ajo u propozua përsëri për filmin Zero Dark Thirty, por humbi me Jennifer Lawrence. Përveç kësaj, sipas Jessica, ajo tha se ajo ishte shumë e modës së vjetër në fillim të karrierës së saj. Aktualisht tani ajo është në kulmin e suksesit të saj, dhe ka një shans shumë të mirë për të fituar Oskarin e lakmuar në të ardhmen e afërt.

12. Will Smith

Është e vështirë të besohet, por Will Smith ka fituar shumë pak çmime serioze. Në të njëjtën kohë aktrimi i tij ka qenë gjithmonë i mirë, pa marrë parasysh se çfarë zhanri ka luajtur. Ai është emëruar dy herë për çmimin Oskar por në asnjëherë nuk e fitoi këtë çmim. Ndërsa në vitin 2016, Will dhe gruaja e tij Jada Pinkett Smith akuzuan Akademinë e Racizmit dhe u kërkuan njerëzve me ngjyrë të mos marrin pjesë për çmimin Oskar.


13. Michelle Williams

Williams ka marrë pjesë katër herë në çmimin e Oskarit. Dy herë është nominuar në kategorinë e aktorëve më të mirë për dy filmat e saj. Ndërsa 2 herë të tjera ajo u propozua për Best Supporting Actress në filmat Brokeback Mountain dhe Manchester by the Sea. Por pavarësisht të gjitha këtyre filmave ajo nuk arriti të fitonte trofeun e Oskarit. Kohët e fundit, aktorja ka vendosur të kalojë nga role të thella dhe dramatike në projekte më të thjeshta si Feel Pretty dhe Venom.

14. Keira Knightley

Keira ka luajtur në shumë filma të suksesshëm dhe ka qenë e nominuar dy herë për një çmimin Oskar. Emërimi i parë u zhvillua në vitin 2006, për pjesën e saj në Krenari dhe Paragjykime. Herwne dytë është dominuar në 2015, për pjesën e saj në dramën historike The Imitation Game.

15. Robert Downey Jr

Gjithashtu edhe situata me Robert Downey Jr duket e padrejtë. Ai u propozua për herë të parë për çmimin Oskar shumë kohë më parë në vitin 1993 për aktorin më të mirë në Chaplin, por nuk fitoi. Hera e dytë dhe e fundit ishte në vitin 2009 kur ai u emërua në kategorinë e aktorëve më të mirë për Tropic Thunder, por nuk fitoi. Kohët e fundit ai ka thënë se në moshën e tij j 53 vjeçare, do të dukej patetik me një një kostum superhero.

16. Glenn Close

Shumë njerëz e njohin Glenn Close për pjesën e saj si Cruella De Vil në filmat e 101 Dalmateve. Por shumë pak janë të vetëdijshëm se Close është nominuar për një çmimin Oskar 6 herë gjatë karrierës së saj 36-vjeçare. Vlen të përmendet se nominimet e saj të para, 5 prej tyre u zhvilluan në vitet 80. Emërimi i saj i fundit u zhvillua në vitin 2012 për rolin e saj si Albert Nobbs në Albert Nobbs. Ndoshta, aktorja ka qenë e pafat me konkurruesit e tjerë sepse ajo ka dalë kundër, duke humbur me aktoret si Jessica Lange, Cher dhe Meryl Streep.


17. Brad Pitt

Askush nuk do ta besojë se Brad Pitt nuk ka fituar akoma çmimin Oskar. Pranimi i parë i Pitt u zhvillua në vitin 1996 për pjesën e tij në filmin Dymbëdhjetë Majmunët. Hera e dytë ishte në vitin 2009 për pjesën e tij në The Curious Case of Benjamin Button, por sërish nuk fitoi. Në vitin 2012, Brad Pitt kishte edhe 2 nominime për aktorin dhe producentin më të mirë dhe fitoi çmimin “Best Picture Academy Aëard” por humbi përsëri Oskarin. / KultPlus.com

Vdiq artisti dibran, Përparim Tomçini

Artisti i njohur dibran, Përparim Tomçini, është ndarë nga jeta ditën e sotme në moshën 65-vjeçare. Tomçini i dha shumë artit dhe muzikës dibrane e jo vetë, duke kompozuar mbi 400 këngë dhe përpunuar melodi të shumta.

Lajmin e trishtë e ka bërë të ditur shkrimtari dhe diplomati, Luan Rama përmes një postimi në rrjete sociale.

“Sot është ndarë nga jeta Përparim Tomçini i Dibrës, njeriu zemërbardhë e miku zemërmirë, artisti i talentuar dhe me një profil të spikatur e të konsoliduar prej vitesh, që me shpirtin e vet qytetar dhe forcën e talentit të madh, i dha këngës dibrane përmasat e shpirtit shqiptar, duke e ngritur atë në nivele të panjohura më parë dhe duke e bërë këngën e të gjithëve, të shqiptarëve e zemrave të tyre.

Humbja është e madhe dhe pesha e dhimbjes e rëndë! Ngushëllime familjes dhe të gjithë miqve të tij të shumtë! Ngushëllime komunitetit të artistëve e gjithë Dibrës për humbjen e pazëvendësueshme!

Lamtumirë mik e shok i shtrenjtë, që njësoj si valët e Drinit, do të jesh përherë i gjallë me këngën tënde që do të këndohet sa të ketë Dibër dhe shqiptarë mbi këtë dhe!

Të ndrittë shpirti Përparim Tomçini!”, ka shkruar Rama.

Përparim Tomçini gjatë jetës së tij ka fituar çmime të shumta në koncerte e konkurse artistike dhe është shpallur “Nder i Kulturës Dibrane” dhe është dekoruar nga Hashim Thaçi me motivacionin “Për kontribut të madh për lirinë, për kontributin e madh në muzikë dhe art barazinë dhe pavarësinë e Kosovës”. / Shekulli / KultPlus.com