Sot ndërtesa e Qeverisë së Kosovës është veshur me ngjyrat e flamurit evropian. Kjo në solidaritet me Bashkimin Evropian në lidhje me pandeminë COVID19, të prekurit dhe viktimat nga ky virus.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka publikuar një fotografi ku shihet ndërtesa e qeverisë veshur me flamurin e BE-së, derisa shkruan:
“Me mbi 800 mijë të infektuar dhe më shumë se 70 mijë vdekje, sonte Kosova shpreh solidaritet me Bashkimin Evropian.
Gjatë kësaj krize shëndetësore BE ka zotuar ndihmë në vlerë prej 5.2 milionë euro për të luftuar COVID-19 dhe 63 milionë euro për të lehtësuar ndikimin socio-ekonomik të shkaktuar nga virusi Corona.
Nxënësit e Kosovës vitin e ardhshëm ka gjasa të mos i nënshtrohen testit “PISA 2021”. Një gjë të tillë është duke e shqyrtuar Ministria e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit. Ministria përmes një përgjigje me shkrim për KOHËN ka theksuar se pas shqyrtimit të kësaj mundësie do ta bëjnë të ditur qëndrimin e tyre.
“Duke marrë për bazë rezultatet jo të mira gjatë viteve të fundit në testin PISA, MASHTI është duke e shqyrtuar këtë çështje dhe pa vonuar do të dalë me qëndrim zyrtar rreth kësaj tematike”, është thënë nga Zyra për media e Ministrisë së Arsimit, raporton KOHA.
E pyetur nëse mësimi online është duke ndikuar në rënien e cilësisë në arsim, MASHTI është përgjigjur se në këtë fazë nuk mund të japin konstatime të tilla. Sipas Ministrisë, në bazë të informacioneve që i kanë nga drejtoritë komunale, mësimi virtual po realizohet në mënyrë të kënaqshme.
Ekspertë të arsimit vlerësojnë se vitin e ardhshëm Kosova nuk do të duhej të merrte pjesë në testin PISA. Halim Hyseni nga Qendra për Avancimin e Performancës së Arsimit, thotë se për shkak se mësimi tashmë po mbahet në kushte jo të zakonshme, nuk mund të pritet cilësi derisa zgjidhja më e mirë, sipas tij, është që të pauzohet në PISA deri në vitin 2024.
Ndërkaq, Rinor Qehaja nga Instituti “Edguard”, thotë se për organizimin e testit PISA në nivel botëror do të vendoset nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik e
Zhvillim, derisa për pjesëmarrjen e Kosovës shton se është në dorë të MASHTI-t.
Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të nxënësve (PISA) është një studim ndërkombëtar i arsimit që vlerëson aftësitë e nxënësve 15-vjeçar në lexim, matematikë dhe shkencë, dhe mbahet çdo 3 vjet. Për herë të parë Kosova mori pjesë në “PISA 2015” ku u rendit ndër vendet e fundit pjesëmarrëse. Renditje pothuajse të njëjtë pati edhe në “PISA 2018”, ku nga 79 shtetet pjesëmarrëse, në lexim zuri vendin e 77 derisa në matematikë dhe shkencë të 76-tin duke lënë prapa vetëm Panamanë, Republikën Dominikane dhe Filipinet. Koha. net / KultPlus.com
Elina Duni është një nga zërat më unik që ka i gjithë spektri artistik shqiptar, me të cilin po i mban gjallë këngët e vjetra qytetare, shkruan KultPlus.com
“Bukuroshja lales”, është vetëm njëra nga këngët që ka kënduar Duni me interpretimet tashmë të njohura të saj.
Intepretimet skenike të Elia Dunit janë krejtësisht të thjeshta, por një thjeshtësi artistike në të gjitha dimensionet. Këmbëzbathur e plotë emocione, mund të përshkruhet shkurt performanca e saj.
KultPlus, këtu ka sjellur tekstin si dhe videon e kësaj kënge.
Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.
KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja. Rekomandimi për sonte është “Kandidati” nga Ben Blushi.
Romani, i cili është shkruar në një kohë rekord, kërkon të vizatojë me fantazi, cinizëm dhe stil Shqipërinë politike dhe mediatike të ditëve tona, të cilën ai e njeh mirë.
Ngjarjet e romanit të ri zhvillohen në sfondin e një palë zgjedhjeve ku personazhi kryesor, megjithëse i vdekur, arrin të zgjidhet kryetar Bashkie. Kandidati quhet Kadim Sedini dhe konkurron për kryetar Bashkie në qytetin e Basenit.
Po kush është Kadim Sedini tek libri i ri i Blushit? Ai quhet Kadim Sedini dhe emri i tij ngjan shumë me atë të Qazim Sejdinit, që rifitoi Bashkinë e Elbasanit, ku Blushi është deputet.
Por ajo me të cilën pritet të surprizojë libri i Blushit është se lexuesit do të gjejnë aty ngjashmëri me shumë nga personazhet realë të jetës politike dhe gazetarisë së sotme.
Në subjektin e Blushit, zgjedhjet në Basen marrin një kthesë të papritur për shkak të rihapjes së historisë së një kolaboracionisti të pushtimit gjerman, gjatë Luftës së Dytë Botërore, e cila përdoret si justifikim për të shkaktuar rrëmujë dhe trazira në qytet. Si dhe tre romanet e mëparshme, edhe “Kandidati” pritet të provokojë debatin politik për shkak se subjekti është marrë nga politika shqiptare, të cilën autori e tregon me të gjitha dritëhijet e saj përmes një gjuhe letrare, për të cilën Ben Blushi ka treguar se nuk ka munguar asnjëherë.
Aristoteli ishte student i Platonit dhe ishte i pari që e kritikoi atë. 47 nga punët e tij kanë mbijetuar.
Aristoteli është i fundit nga filozofët e mëdhenj të antikitetit dhe konsiderohet si biologu i parë.
Ai themeloi shkencën e logjikës, shtroi terrenin për metodën shkencore dhe shkroi rreth shumë subjekteve.
Aristoteli ishte gjithashtu mentori i Aleksandrit të Madh për disa kohë. Ai ka pasur influencë të madhe në mendimin e Tomas Akuinit dhe për rrjedhojë mbetet një ndër influencat kryesore në edukimin dhe teologjinë katolike.
Aristoteli, një nga mendjet më të ndritura dhe më të thella të të gjitha kohëve, shkroi mbi shumë probleme dhe nga më të ndryshmet.
Me përjashtim të matematikës, lëroi të gjitha fushat e dijes, si politika, shkencat e natyrës, artin etj.
Rreth 120 veprat e tij formojnë një lloj enciklopedie, ku përfshihen njohuri nga të gjitha fushat e diturisë. Në të gjitha veprat e Aristotelit të bie në sy dashuria për të mirën dhe të vërtetën. Megjithëse e adhuronte dhe e nderonte shumë mësuesin e tij, filozofin Platon, në mjaft pikëpamje filozofike dhe estetike nuk ishte në një mendje me të. Në një nga veprat e tij thotë se midis miqve dhe së vërtetës është gjë e shenjë të duash më shumë të vërtetën.
Aristoteli, besonte se gjithçka ndodh për një arsye, gjithmonë. Dhe se çdo eksperiencë në jetën tënde, vjen për të të formuar dhe për të të sjellë në versionin tënd më të mirë. E vetmja gjë që e pengon këtë, është të kesh zgjuarsinë për ta parë.
2- Fillimisht ki një objektiv të qartë. Së dyti, gjej mjetet për ta arritur. Së treti përshtat mjetet.
3- Demokraci është atëherë kur sundues janë të varfërit dhe jo të pasurit.
4- Shtresat e ulëta ngrenë krye për të qenë të barabartë, dhe të barabartët ngrenë krye sepse duan të jenë shtresë sunduese. Kjo është gjendja mendore që i krijon revolucionet.
5- Njerëzit i krijojnë zotat sipas vetes, jo vetëm për nga pamja, por edhe për nga mënyra e jetesës.
6- Edukimi i mendjes pa edukimin e zemrës nuk është aspak edukim.
7-Miku i të gjithëve nuk është miku i askujt.
8- Një qytet i madh nuk duhet ngatërruar me një qytet të populluar.
9-Miku i vërtetë është një shpirt në dy trupa.
10- Të gjitha veprimet njerëzore kanë një ose më shumë prej këtyre shkaqeve: fati, natyra, detyrimi, zakoni, arsyeja, pasioni, dëshira.
11- Në më të mirën e tij, njeriu është më fisniku i të gjitha kafshëve; po të mos ishin ligji dhe drejtësia ai do të ishte kafsha më e keqe.
12- Ka vetëm një mënyrë për të shmangur kriticizmin: mos bëj asgjë, mos thuaj asgjë dhe ji thjesht asgjë.
13- Gabimi vjen në shumë mënyra, ndërsa për të bërë gjërat siç duhet ka vetëm një rrugë.
14- Familja është shoqata e krijuar nga natyra për të siguruar nevojat e njeriut.
15- Dinjiteti nuk matet me titujt që zotëron, por me vetëdijen që i meriton.
16- Mirë është që në jetë ashtu si në gosti, të mos dalësh as i etur as i dehur.
17- Të këqijtë binden prej frikës, të mirët prej dashurisë
18- Droja është një stoli për të rinjtë, por një turp për të moçmit.
19- Trimëria është cilësia e parë njerëzore, sepse ajo është cilësia që i garanton të gjitha cilësitë e tjera.
20 -Demokraci është atëherë kur sundues janë të varfërit dhe jo të pasurit.
21- Shkollimi është parapërgatitja më e mirë për pleqërinë.
22- Ashtu si sytë e lakuriqëve janë të verbuar nga drita, për të njëjtën arsye edhe shpirtrat tanë janë të verbër përballë gjërave të cilat shihen më qartë se gjithçka.
23- Sikurse një dallëndyshe e vetme nuk sjell pranverë, sikurse si një ditë e vetme nuk sjell pranverë; ashtu një ditë, një kohë e shkurtër nuk e bën njeriun të bekuar e të lumtur.
24- Sikurse ne i duam sa të vërtetën aq edhe miqtë tanë, nderi na thotë që të parën ta respektojmë të vërtetën.
25- Lumturia varet nga ne.
26- Ai që ka shumë miq, nuk ka asnjë.
27- Ai që do të ishte një sundimtar i mirë, duhet së pari të ketë qenë i sunduar.
28- Ai që është i paaftë të jetojë në shoqëri, ose ai që nuk ka nevojë ngaqë i mjafton vetvetja, duhet të jetë ose një bishë, ose një perëndi.
29- Homeri i ka mësuar të gjithë poetët e tjerë artin e të treguarit të gënjeshtrave me zotësi.
30- Shpresa është një ëndërr që nuk fle.
31- E quaj më të zotin atë që i tejkalon dëshirat e tij se atë që i pushton armiqtë e tij; sepse fitorja më e vështirë është ndaj vetvetes.
32- Për të hartuar një fjalim njeriu duhet t’i studiojë tri pika: së pari, mjetet e arritjes së bindjes; së dyti, gjuha; së treti, organizimi i përshtatshëm i pjesëve të ndryshme të fjalimit.
33- Nga nëntë raste në dhjetë, gruaja shfaq më shumë dashuri sesa ndjen.
34- Shtresat e ulëta ngrenë krye për të qenë të barabartë, dhe të barabartët ngrenë krye sepse duan të jenë shtresë sunduese. Kjo është gjendja mendore që i krijon revolucionet.
35- Është shenja e një mendje të ditur të jetë e aftë që ta mirëpresë një mendim pa u pajtuar me të.
36- Njeriu nga natyra është një kafshë politike.
37- Njerëzit veprojnë më shumë për shkak të frikës se për shkak të respektit.
38- Fatkeqësia i tregon ata që nuk janë miq të vërtetë.
39- Shumë njerëz parapëlqejnë të japin më shumë dashuri se të marrin.
40- Nënat janë më të dashura se etërit për fëmijët e tyre, sepse ato janë më të sigurta se ata janë të tyret.
41- Natyra nuk bën asgjë kot.
42- Asnjë shpirt i shkëlqyer nuk është i përjashtuar nga përzierja me çmendurinë. Nuk ka ekzistuar kurrë një gjeni i madh pa njëfarë çmendurie.
43- Bukuria vetjake është rekomandimi më i madh se çdo letër reference.
44- Qëllimi i të mençurve është jo për të sjellë kënaqësi, por për të shmangur dhimbjen.
45- I ditur ndryshon nga i padituri sa i gjalli nga i vdekuri.
46 – Rrënjët e shkollimit janë të hidhura, por frutet janë të ëmbla.
47- Sekreti i humorit është befasia.
48- Shpirti nuk mendon kurrë pa një përfytyrim.
49- Ato që i di, bëji. Ato që nuk e kupton, mësoji.
Taylor Swift ka përfunduar punë për këtë vit, falë koronavirusit.
Swift anuloi të gjitha paraqitjet live dhe shfaqjet për pjesën tjetër të vitit 2020, në një veprim që u tha se ishte një përpjekje për të parandaluar përhapjen e Covid-19.
“Jam shumë e trishtuar që nuk do të jem në gjendje t’ju shoh në koncert këtë vit, por e di se ky është vendimi i duhur. Ju lutem, ju lutem qëndroni të shëndetshëm dhe të sigurt. Do t’ju shoh në skenë sa më shpejt që të mundem, por tani ajo që është e rëndësishme është përfundimi i kësaj karantine, për hir të të gjithëve”.Taylor Swift✔@taylorswift13
Shfaqjet e planifikuara më parë do të zhvillohen në vitin 2021 dhe do të shpërndahen bileta të reja atëherë.
Rimbursimet për shfaqjet në SHBA do të jenë në dispozicion më 1 maj, sipas kushteve të Ticketmaster.
Ndeshjet e Ligës së Kampionëve do të rinisin në fillim të gushtit, shkruan “Sky Sport Italia”.
Fillimisht do të përfundohet faza 1/8 së finales të Championsit me ndeshjet e 7/8 gushtit.
Më 7 gusht do të luhen ndeshjet e kthimit të çifteve Juventus – Lyon dhe Manchester Cityt – Real Madrid, ndërsa më 8 gusht të çifteve Bayern Muenchen – Chelsea dhe Barcelona – Napoli.
Katër çerekfinalistët tjerë ishin caktuar para se të pezullohej futbolli shkaku i koronavirusit.
Faza çerekfinale do të luhet më 11/12 gusht dhe 14/15 gusht, ndërsa ajo gjysmëfinale më 18/19 gusht dhe 21/22 gusht. Finalja do të luhet në Stamboll më 29 gusht.
UEFA gjatë kësaj jave do të ketë një video-konferencë tjetër për të vendosur për vazhdimin e futbollit.
“Kjo është një lloj situate që e shpërthen atë fluskën tuaj të mbrojtjes”, thotë Andreas Kappes, psikolog në Universitetin e Londrës, duke iu referuar gjendjes që ka krijuar pandemia e koronavirusit. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kappes thotë se kjo është një situatë që “na lejon të ndjehemi joproduktivë”, ndërsa atyre që reagojnë me “ankth të ekzagjeruar ndaj pasigurisë”, ai u sugjeron të kërkojnë ndihmë nga profesionistët shëndetësorë.
Radio Evropa e Lirë: Profesor Kappes, njerëzve në gjithë botën po u kërkohet të qëndrojnë në shtëpi dhe të vetizolohen, për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Por, për shumë prej tyre kjo është edhe një barrë në shëndetin mendor. Cila do të ishte këshilla juaj kryesore?
Andreas Kappes: Para së gjithash, është disi e pritshme të ndjehesh më i mërzitur në këtë kohë. Ka ndryshime dramatike, ka pasiguri dhe ne duhet të qëndrojmë në shtëpi. Një nga sfidat më të mëdha dhe më evidente është zëvendësimi i kontakteve shoqërore që i kemi. Ne shpesh e nënvlerësojmë se sa shumë varet mirëqenia jonë nga kontaktet e përditshme shoqërore, si: biseda me një koleg pranë aparatit të kafesë apo me një bashkudhëtar në tren.
Por, tani ne duhet t’i zëvendësojmë këto kontakte dhe t’i bëjmë online. Për shembull, t’i thërrasim më shpesh prindërit dhe miqtë. T’iu tregojmë si e kemi kaluar ditën, çfarë po bëjmë, çfarë po mendojmë. T’i thërrasim edhe nëse nuk kemi asgjë interesante për të treguar.
Pastaj, nëse nuk mund të punoni nga shtëpia, gjeni një projekt, gjeni diçka që mund të bëni dhe në këtë mënyrë do të keni një synim dhe kontroll mbi jetën tuaj. Mos e fusni kokën në rërë dhe të injoroni gjithçka. Kjo nuk është mirë. Kjo e rrit ankthin.
Por, po ashtu mos besoni se pasiguria dhe ankthi do të zhduken, nëse dëgjoni apo lexoni një lajm më shumë. Mendoj se gjetja e balancës së duhur është vërtet e rëndësishme.
Radio Evropa e Lirë: Të dhënat në disa vende tregojnë se dhuna familjare është në rritje dhe se ajo mund të jetë rezultat i urdhrave për të qëndruar në shtëpi. Si e ndikon kjo situatë shëndetin e një familjeje?
Andreas Kappes: Unë nuk jam ekspert i kësaj fushe, por, sipas mendimit tim, nëse përjetoni dhunë familjare, duhet të largoheni. Edhe nëse jeni në vetizolim.
Radio Evropa e Lirë: Secili ka një mekanizëm të vetin për të përballuar ankthin. Disa e shprehin me çrregullime të gjumit, të tjerët me çrregullime të ngrënies…
Andreas Kappes: Ata që kanë çrregullime të gjumit ose ushqimit janë kryesisht njerëz që reagojnë me ankth të ekzagjeruar ndaj pasigurisë. Atyre do t’iu rekomandoja fuqishëm të kërkojnë ndihmë nga profesionistët e shëndetit mendor. Por, mos të harrojmë se ka shumë prej nesh që, në njëfarë mënyre, mësohen me pasiguri dhe qetësohen shpejt. Andaj, nëse nuk keni histori të çrregullimeve mendore, por ndjeheni të shqetësuar, nervozë, të lodhur, përpiquni të mendoni se kjo situatë do të qetësohet në javët e ardhshme.
Radio Evropa e Lirë: A mund të kontrollohet paniku ose ankthi?
Andreas Kappes: Nëse shkoni në terapi, ju mësoni teknika për ta kontrolluar. Por, nuk është në rregull t’i thuhet secilit: ‘ti mund ta kontrollosh ankthin’, ‘ti mund t’i kontrollosh ndjenjat tuaja në çdo situatë’. Nganjëherë na duhet ndihmë shtesë për ta bërë këtë. Situata nëpër të cilën po kalojmë, është e pazakonshme dhe nëse e gjejmë veten në një situatë ku nuk mund të punojmë apo të përqendrohemi, duhet t’ia falim vetes. Është situatë që na lejon të ndjehemi joproduktivë.
Radio Evropa e Lirë: Po thoni se është normale nëse njerëzit ndjehen të frikësuar ose në ankth?
Andreas Kappes: Është normale nëse nuk ndjeheni mirë. Kjo është një lloj situate që e shpërthen atë fluskën tuaj të mbrojtjes. Nëse ndjeheni të shqetësuar ose në ankth, mos e injoroni këtë gjendje, pranojeni dhe lëvizni përpara.
Radio Evropa e Lirë: Po çfarë për punonjësit e kujdesit shëndetësor? Ata janë në vijën e parë të frontit në këtë krizë…
Andreas Kappes: Nuk është një metaforë perfekte, por të qenët në front të parë është një gjuhë që përdoret për veteranët e luftës. Dhe, punonjësit shëndetësorë janë në pozitë të njëjtë. Ata përjetojnë çdo ditë ngjarje traumatike, duke parë njerëz që vdesin. Nganjëherë duhet të zgjedhin edhe kë të ndihmojnë. Thjesht, presion pa masë. Kur ne flasim për shëndetin mendor, punonjësit shëndetësorë duhet të jenë prioritet, sepse stresi, ankthi dhe lodhja që përjetojnë tani, mund të kenë ndikim afatgjatë në mirëqenien e tyre.
Radio Evropa e Lirë: Atëherë, çfarë na pret kur të mbarojë e gjithë kjo? A do të jemi akoma në gjendje shoku?
Andreas Kappes: Mendoj se varet nga ajo se sa zgjat pandemia. Por, nëse i shohim situatat pas epidemive të mëparshme, si SARS-i apo gripi i derrave, vërejmë se ato nuk kanë qenë aq të rënda./rel/ KultPlus.com
Guvernatori i New York Andrew Cuomo, ka nënshkruar një urdhër përmes të cilit lejohen martesat në internet.
Ky veprim vjen pasi shumë dasma janë anuluar për shkak të masave bllokuese të vendosura si përgjigje ndaj pandemisë së koronavirusit.
Tani e tutje, banorët e New York do të kenë mundësi që të aplikojnë për leje martese nga distanca dhe nëpunësve do t’ju lejohet të kryejnë ceremoninë virtualisht.
Cuomo bëri shaka duke thënë se “vendimi nënkupton që tani e tutje s’ka asnjë justifikim” që çiftet të mos kurorëzoheshin.
“Ju mund ta bëni atë përmes Zoom. Po apo Jo?” tha ai në një konferencë.
Masat bllokuese nëNew York janë zgjatur deri më 15 maj.
Më shumë se 13,000 njerëz kanë vdekur nga koronavirusi vetëm në New York.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se meqë se dita e hënë është ditë pushimi për shkak të festës së Pashkëve Ortodokse, video-ligjëratat që do të transmetohen këtë ditë, do të ritransmetohen edhe të shtunën më 25 prill, sipas orarit të njëjtë.
Nxënësit dhe mësimdhënësit nuk e kanë të domosdoshme përcjelljen e video-ligjëratave në ditët e festave zyrtare, theksohet në njoftim.
Video-ligjëratat për mësimin në distancë transmetohen në RTK.
Është fenomeni kryesor jo vetëm i këtyre ditëve, që ka rrezikuar si kurrë më parë shëndetin e njerëzve në gjithë botën, për shumë artistë është bërë burim frymëzimi.
Nga kjo dukuri nuk kanë qenë indiferentë as ata që bëjnë artin e rrugës – një nga format më ekspresive të fenomeneve të ndryshme. Fuqia e këtij lloj arti, qëndron në faktin se njerezit i kalojnë pranë çdo ditë dhe nuk mund të shmangen prej muraleve plote ngjyra, që gjithmonë përcjellin një mesazh.
Një pjesë të muraleve e kemi sjellë në këto fotografi. Të ndryshme në forma ama të përbashkëta në përmbajtje.
Mesazhi që kërkojnë të përcjellin shihet qartë, se është jo vetëm frika që ka mbërthyer njerëzit, të cilët, janë detyruar tashmë të dalin me maska, por shërbejnë edhe si një formë sensibilizimi dhe shprese./konica/ KultPlus.com
Në këto ditë izolimi, Kolegji Universum vazhdon të ofroj konferenca dhe debate me tema me interes për qytetarët. Konferenca e radhës organizohet me Gjeneralin Wesley K. Clark (ret.) me temen “Bota pas Covid-19”.
Konferenca do të mbahet neser me 20 Prill në ora 20:30 online përmes Google Meet për këtë regjistrimi për pjesëmarrje është i obliguar http://tiny.cc/mof7mz.
Konferenca do të transmetohet edhe live në faqen zyrtare të Kolegjit Universum në facebook.
Kolegji Universum është kolegji më inovativ në Kosovë, i renditur në Top 1000 shkollat më të mira të biznesit në botë nga Agjencia Eduniversal. Institucion lider i ndërkombëtarizimit, i vetmi institucion nga Kosova që ka arritur numrin më të madh të marrëveshjeve të financuara nga Komisioni Evropian.
Për më shumë informata rreth pjesëmarrjes dhe detajeve për konferencën kontakto [email protected] apo +383 44 144 062;
Dhoma e një ushtari të Luftës së Parë Botërore është lënë plotësisht e paprekur në shtëpinë e tij që kur ai vdiq nga plagosjet, 102 vjet më parë.
Hubert Rochereau vdiq në moshën 21 vjeçare në ambulancën e një fushe angleze pasi luftoi në fshatin Loker, Flanders, në 26 prill të vitit 1918.
Pindërit e tij zemërthyer, të cilët në fillim nuk arritën të gjenin trupin e të birit, thanë se do ta shndërronin dhomën e tij në një tempull për ta kujtuar.
Rochereau ishte varrosur në një varrezë britanike dhe u zbulua nga prindërit vetëm 4 vjet pas mbarimit të luftës, në vitin 1922.
Një bisedë në Tiranë me një njohëse të gjuhës shqipe, u bë shkak që unë të kërkoja në Austri materiale apo informacione mbi vepren dhe kontaktet e albanologut, gjuhëtarit dhe etnografit Dom Nikollë Gazulli.
Dija vetëm që Gazulli ishte një nga studentët shqiptarë që studiuan në Austri dhe kisha dëgjuar për kalvarin e vuajtjeve që i shkaktoi atij rregjimi komunist.
Në Austri mundësitë e kërkimit të dokumentave të vjetër mbi historinë dhe gjuhën e shqiptarve janë të mëdha, por duhet ditur se si dhe ku duhet kërkuar. Nganjëherë legjislacioni përkatës bëhet pengesë për të pasur rezultatet maksimale në kërkime. Kështu më ndodhi edhe në rastin Gazulli, ku materialet që arkiva dispononte për te, nuk mund të skanoheshin, kopjoheshin apo të hidheshin në një CD, pasi nuk ishin mbushur 70 vite nga vdekja e personit të cilit i përkisnin (Norbert Jokl-it). Më duhej një autorizim i veçantë nga një trashegimtar i familjes së tij që ti nxirrja materialet nga arkiva.
Në bibliotekën kombëtare të Austrisë në Wien, ruhej korespondenca që albanologu i shquar Norbert Jokl kishte pasur me përsonazhe të ndryshëm shqiptarë, por jo vetëm, të cilët ishin të interesuar për Shqipërinë, gjuhën dhe zakonet e saj. Në këtë fond gjindej dhe një lidhje e letrave origjinale, pra korespondenca në mes priftit shkencëtar dhe albanologut Jokli, e cila përmblidhej në rreth 125 faqe të shkruara kryesisht me makinë shkrimi por edhe me shkrim dore nga Dom Nikollë Gazulli. Periudha kohore kur janë shkruar këto letrat i përket viteve 1930, 1931 dhe 1932. Për të pritur përgjigjet e mikut të tij nga Austria, famullitari Gazulli përdorte adresen: Nikollë Gazulli, meshtar / Famullitar i Riollit. Te Nush Coba – Serreq ndë Shkoder.
Lidhja në formë libri e letrave, e cila është e skanuar nga arkiva me mjetet më moderne, përmban 7 letra që Nikollë Gazulli i ka dërguar Joklit si dhe një numër faqesh plot me fjalë shqipe, fraza shqipe dhe interpretime të fjalëve, frut i kërkimeve shumë vjeçare të klerikut. Pjesa e fjalorthit prej 117 faqesh që i është dërguar me 5 letrat shoqëruese, mban mbishkrimin “Gazulli, Mbledhje Fjalësh”. Nuk dihet numri i fjalëve të cilat janë të rreshtuara me rend sipas gërmave, por dihet (siç shkruhet në letrën e parë) që …..“me 12 dhetuer 1928, kur ishe famullitar në Jueshe afër Shkodret, mue mu dogj qela me gjithë ç’ pata e ashtu u shkrij edhe mundi i sa vjetëve; ç´pata mbledhë fjalë e shumë gojdhana përmbi fise shqiptare të verit, qi vetëm prej skamit nuk muejta me i botue.” . Së bashku me letrat janë edhe disa fletë “qortime” dhe “shtesa” të cilat janë vendosë më vonë, në veçanti.
Siç kuptohet ndër letrat, sipas kërkesës së priftit, Jokl-i i ka dërguar atij herë pas here edhe libra të ndryshëm, fjalorë enciklopedikë në frengjisht apo gjermanisht …“qi me vyejnë me caktue domethanien e fjalëve shqipe”. “U lutem shumë për bibliothekë mos me m´lanë mangut, në kjoftë se nuk Ju bjen tepër randë (pse me JU randue s´due asnji fije) pse mue m´asht djegë edhe shka pata; ktu mandej e dini mirë qi nuk asht si nd´Austri qi m´u gjetë libra për përdorim pa i ble, mandej me i ble lypen të holla, qi te un s´gjinden, mbasi ma shpune kuleten: rrnoj me nji popull të mirë fort, por qi nuk i del m´u ngij me bukë kollomoqe….”
Dom Nikolla kërkon mendimin e Jokl-it për sa i përket interpretimeve të tij si dhe mbledhjes të këtyre fjalëve: …“Kuer të Ju daline ngae, s´keni m´u kursye pa ma çfaqe me nji leter përshtypjen qi po Ju ban këjo mbledhje e emja; ….besoj qi nji mbledhje të mirë fort e ka edhe At Bernardin Palaj…..qi s´kishte me u kursye me jua çue…” Ndërsa në letren e fundit, Gazulli i shpreh bindjen Jokl-it që….” …këtu pritet me pa-durim fjalori Juej qi ka me kenë si gur themeli për nji giuhë shqipe t´arsyeme….”
Duke qenë se personin, që më kërkoj që ti gjeja këto letra me mbledhje fjalësh të Dom Nikolle Gazullit për ti botuar, nuk arrij ta kontaktoj më dhe unë personalisht nuk jam specialist i fushës së gjuhësisë, mendova që këto materiale ti bëj të njohura për lexuesit shqiptar, botuesit e ndryshëm, si dhe studiuesit e gjuhës shqipe, në mëndyrë që këto perla të shqipes të gjejnë mundësinë e botimit.
Një vështrim i shkurtër mbi jetën e Dom Nikollë Gazullit.
Kleriku katolik Dom Nikollë Gazulli lindi në fshatin Dajç të Zadrimës në Lezhë rreth vjetit 1895. Ai ishte pjesë e familjes së njohur – GAZULLI – e cila qysh në mesjetën e herëshme përmendej për disa figura me vlerë në lëmin e teologjisë, artit ushtarak apo diplomacisë. Shkruhet së mësimet fillestare i mori në shkollën e fshatit e cila ishte hapur nga Dom Ndre Mjeda në vjetin 1902.
Më vonë u bë pjesë e kolegjit Françeskan në Shkodër nga ku me shumë të tjerë u dërgua në Insbruk të Austrisë për të studiuar teologji dhe filologji. Me mbarimin e studimeve largohet për në Romë ku në vitin 1917 shugurohet meshtarë. I realizohet dëshira që të kthehet në atdhe ku krahas punës si prift katolik, fillon të merret me studimin dhe prejardhjen e gjuhës shqipe duke mbledhur, studiuar dhe analizuar qindra fjalë të rralla, shprehje popullore, pjesë dialektore apo të dhëna zakonore të vendeve ku sherbeu.
Kryesisht sherbeu si udhehëqes shpirtëror në Malsinë e Madhe (famullia Shkrel) ku u përballua me ngjarje reale apo gojëdhëna të dala nga populli, që i shërbyen si objekt i shkrimeve apo studimeve të tija të cilat përpara se ti botonte i konsultoi me albanologun Norbet Jokl, Eqerem Çabejn, Ndre Mjeden, Gjergj Fishten, Justin Rrotën. Veprën e tij e mblodhi në dy vëllime, Fjalorth i ri që u botua në vitin 1941 dhe Fjalori Onomastik i cili u botua me pjesë në revisten e kohës Hylli i Dritës. Gazulli shkruante nën pseudonimin Gelasius dhe zotëronte gjuhën gjermane, italishten, latinishten, sllavishten.
Lexonte në gjuhen turke dhe franceze. Mbledhjet dhe studimet e tij u vlerësuan shumë nga albanologu austriak Jokl me të cilin kishte korespondencë të rregullt. Më vonë, fjalët e mbledhura ndër zonat e malsisë së madhe ku ai jetoj si dhe etimologjia e tyre, i shërbyen gjuhëtarit austriak për ti përmbledhur në veprën e tij për Etimologjinë e gjuhës shqipe. Mendohet që në mbledhjen dhe gjurmimet e tij, i ndihmuen dhe koleget At Mark Harapi, At Aleksandër Sirdani, At Nikollë Suma, të cilët për fjalorin onomasitk mblodhën materiale gjuhësore që nga Malsia e Madhe deri në Fier, nga Malësia e Gjakovës deri në malin e Shpiragut, nga Iballa e Pukës deri në Shëngjergj të Tiranë. Së bashku me të vellaun Gjonin ishin aktiv në lëvizjen kundër Zogut në Malsinë e madhe në vitin 1927. Ndërsa Gjoni denohet me vdekje, Dom Nikolla denohet me 4 vite burg.
Për arsye të luftës por edhe për të ju shmangur përndjekjes klasore gjatë rregjimit komunist ai qëndron si klerik në malësitë e veriut ku në marsin e vitit 1946 vritet nga forcat e sigurimit në shpellën e Shkrelit (ku ishte fshehur për ti shpëtuar ndjekjes). Prehet në kishën e këtij fshati pasi u rivarros nga besimtarët e malsisë të cilët i sollën eshtrat e tij nga vendi ku i mbanin të fshehura.
(Referencat nga libri: Studentët shqiptar të Austrisë) / KultPlus.com
Përshkrimi i fotografive:
Foto 1: Letra e Gazulllit dërguar Norbert Joklit, faqe 1.
Foto 2: Letra e Gazullit dërguar Norbert Joklit, faqe 2.
Foto 3: Letra e dytë e Gazullit dërguar Norbert Joklit.
Illustratori fitues i çmimit Oscar dhe regjisori legjendar i Tom & Jerry, Gene Deitch, ka vdekur në moshën 95 vjeçare.
Gene vdiq në apartamentin e tij në Pragë të enjten, 16 prill, megjithëse ende nuk është dhënë asnjë shkak vdekjeje, transmeton KultPlus.
Gene, emri i plotë i të cilit ishte Eugene Merrill Deitch, punoi si hartues i Aviacionit të Amerikës së Veriut para se të shkonte për në ushtri, dhe të hynte në trajnime si pilot. Ai u shkarkua për arsye mjekësore në 1944 dhe u kthye për të punuar në botën e artit tregtar, pas së cilës karriera e tij e animacionit u ndërpre.
Në 1958, Deitch u emërua për një çmim Akademie për filmin e tij Sidney’s Family Tree. Ai vazhdoi çmimin Akademia për filmin më të mirë të shkurtër të animuar për filmin e tij Munro në 1960, dhe ishte nominuar dy herë të tjera në të njëjtën kategori në 1964.
Gjatë karrierës së tij, Gene punoi si drejtor krijues në Terrytoons, nën 20th Century Fox, ku ai krijoi karaktere si Sidney the Elephant, Gaston Le Crayon, Clint Clobber dhe Terr’ble Thompson.
Ai vazhdoi të punojë me Rembrandt Films përgjatë viteve 1960 për të prodhuar një numër karikaturash Popeye, si dhe një duzinë të Tom dhe Jerry për Metro-Goldwyn-Mayer. / KultPlus.com
“Le Phare de la Loire” ka botuar, të mërkurën e 19 janarit 1898, në ballinë, manifestin e popullit shqiptar të 1 janarit 1898, të përkthyer asokohe nga studiuesi, gazetari dhe shkrimtari francez Léon Cahun, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Buletini ditor
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Paris, 18 janar.
Manifesti i parë i popullit shqiptar, i gatshëm për të marrë armët, sapo është botuar; e kisha për detyrë ta bëj të njohur në Francë, përtej lidhjes personale të miqësisë dhe respektit që kam ndaj kombit “Chkipe”; përtej miqve të mi Qemal Beut, Besim Omerit dhe Frank Spiro begut (Faik Konicës), edhe sikur popullin shqiptar ta zbuloja për herë të parë, unë do të duhej t’a publikoja deklaratën me të cilën ai pohon autonominë dhe vullnetin e tij; këtë gjë e kam për detyrë si francez, si republikan, si ushtar i vjetër në betejën për liri, për drejtësi, për njerëzim, në të cilën luftoi, këtu dhe atje, për gati dyzet vjet.
Manifesti është i datës 1 janar, dhe i drejtohet të gjithëve :
“Në emër të popullit shqiptar, të Lidhjes së Prizrenit, të lidhjeve dhe komiteteve të tjera të formuara në tokat e Chkipérie (Shqipërisë) për mbrojtjen e atdheut;Shoqëria Kombëtare Shqiptare në Itali, Shoqëria Shqiptare “Dituria” në Bukuresht; Komiteti Shqiptar në Kostandinopojë, “Vëllazëria” shqiptare në Egjipt, dhe Shoqëria “Deshire” në Sofje;u bën apel shqiptarëve nga Italia, Greqia, Egjipti, Bullgaria, Serbia, Rumania dhe Dalmacia.Popujve fqinjë, ai(populli shqiptar)u ofron një paqe besnike dhe një miqësi të sinqertë, nëse heqin dorë nga pretendimet e padurueshme “nëse grekët, bullgarët, serbët, malazezët deklarojnë veten si vëllezërit tanë, ata do të jenë të mirëpritur; ne, si të tillë, do t’i pranojmë.Pra, secili le të qëndrojë zot në shtëpinë e tij.Ne nuk kemi pretendime në territoret e tyre; Ne duam Shqipërinë për Shqiptarët.”
Fuqive, populli shqiptar u kërkon vetëm respekt për të drejtën ndërkombëtare, pra asnjanësinë. Për herë të parë, në Lindje, një komb flet me vetëdije të plotë për veten, për të drejtën e tij, për nderin e tij, për burrërinë e tij; Kërkoj nga lexuesit francezë të mos harrojnë këto fjalë të forta të popullit shqiptar :
“Ne nuk ngremë zërin për të bërë kërcënime arrogante; ne nuk kërkojmë gjithashtu nga të huajt që të kenë mëshirë ndaj racës sonë.Ne i bëjmë thirrje nderit dhe besnikërisë së fuqive;që ato të respektojnë ndaj Shqipërisë parimin e mosndërhyrjes, bazën e së drejtës ndërkombëtare, garantimin e evolucionit progresiv të popujve.”
E thjeshtë dhe e qartë është kërkesa e shqiptarëve, të cilën ata janë të gatshëm ta mbështesin me armë :
“Të gjithë, për sa kohë që jemi, pavarësisht bindjeve tona fetare, të gjithë njëzëri dhe në marrëveshje, i kërkojmë Shkëlqesisë së Tij Sulltan Abdyl Hamid Khan II autonominë administrative në tokat e Shqipërisë.”
Nga autonomia administrative e Shqipërisë do të lindë revolucioni i madh i cili do t’u japë forcë dhe jetë popujve të Lindjes, të rraskapitur, anemikë, të mërzitur, të shpërndarë jashtë vendit nga urrejtja fetare; dhe pikërisht në emër të fesë, ky komb fisnik shqiptar, këta myslimanë, këta katolikë, më në fund denoncojnë padrejtësinë e shkuar, nga e cila Lindja po vdiste, nëse, në fund të fundit, ata nuk do të ishin ngritur, të fortë me besimin e tyre në vetvete !
“Shkëlqesia e Tij Sulltani do të duhet t’i dëgjojë këto dëshira të drejta të një populli të tërë dhe do të duhet t’i plotësojë ato sepse Kurani ia imponon atij.Për herë të parë, ai nuk do të dëshirojë të rebelohet kundër ligjit suprem të atyre që besojnë në profet.
Në të njëjtën mënyrë, dhe me të njëjtin besim, ne i bëjmë thirrje famulltarit të Jezu Krishtit në tokë, hierarkit sovran të Fesë së Krishterë në Romë;i kujtojmë atij respektimin e Ligjit hyjnor, që farisenjtë (Pharisiens), varret e zbardhura nën rrobat e ministrave të Ungjillit, shfrytëzojnë për armiqtë ndaj fisnikëve;duke nxitur mosmarrëveshje dhe përçarje midis të krishterëve dhe myslimanëve, ata sjellin vetëm gjakderdhje.
Sepse Ungjilli, ashtu si Kurani, është ligji më i lartë i dashurisë dhe vëllazërimit dhe nuk mund të lejojë që të vazhdojë urrejtja midis vëllezërve dhe vëllezërve.”
Kjo është fjala e kombit shqiptar; Jam i lumtur që e përktheva atë dhe ua bëra të njohur francezëve. Pas një nate kaq të gjatë, dita më në fund po zbardh, në Lindjen e Evropës: “Ex Oriente Lux.”
Léon CAHUN
(Léon Cahun, i lindur me 23 qershor 1841 në Haguenau (Bas-Rhin) dhe vdiq më 30 Mars 1900 në Paris, ishte një shkrimtar, gazetar, specialist në çështjet e Lindjes dhe studiues francez, autor i romaneve aventureske.) / KultPlus.com
Gjimnazi “Xhevdet Doda“ është themeluar nga Bashkësia Komunale e Arsimit të Prishtines në bazë të vendimit të datës 07.07.1971, fillimisht si gjimnaz i dytë i Prishtines. Atë kohë punen e filloi në lokalet e SHM Bujqësore.
Gjenerata e parë filloj me 150 nxenes të regjistruar në klasën e parë të sistemuar në pesë paralele me mësim në gjuhën shqipe dhe gjermane, dhe 57 nxënës në gjuhën s.kroate në tri paralele. Procesi mësimor zhvillohej nën perkujdesjen e mësimdhënësve të shkollës së Mesme Bujqësore të cilet dhanë kontributin e tyre të çmueshëm.
Në vitin shkollor 1973/74 gjimnazi emërtohet me emrin e heroit Xhevdet Doda.
Në vijim mund të shihni disa foto të këtij gjimnazi, nga brenda dhe jashtë objektit. / KultPlus.com
Thethi është një fshat sikur ka dalë nga përrallat, thotë shkrimtari japonez, Mizuho Ota në një shkrim të gjatë për ”Asahi Shinbun”, një nga dy gazetat kryesore japoneze, me një tirazh prej 10 milionë kopjesh.
Thethi, fshati ku koha ka ndalur
Jashtë dritares ka një pamje parajsore të maleve që arrijnë deri në qiell, saqë ajo që ndodhet poshtë jush duket thjesht e pavlefshme. Makina që na mori kaloi duke gjarpëruar në këto male. Në rrugën e ngushtë me zhavorr nuk ka mbrojtëse anësore dhe dy makina mezi mund të kalojnë, ndërkohë që unë ndihem sikur zemra më ka ndalur. Shoferi i buzëqeshur përpiqet t’i qetësojë udhëtarët nga frika, ndërkohë që flet me celularin e tij. Të luteshim ishte gjithçka që mund të bënim deri sa mbërritëm në fshatin Theth, në këtë zonë malore në Shqipërinë Veriore.
Bjeshkët, një varg malesh me maja mbi 2 000 metra, quhen ndryshe edhe “Alpet Shqiptare”. Këtu është vendi ku gjendet Thethi, një fshat i bukur që duket sikur sapo ka dalë nga një përrallë. Është vetëm 15 kilometra larg kufirit me Malin e Zi fqinj. Lumi Theth kalon zig-zag nëpër fshatin me shumë shtëpi të vjetra prej guri që duken si të ngrira në kohë. Është si një parajsë për turistët, të cilët nxitojnë këtu gjatë verës.
Hani që u hap pas daljes së vendit nga izolimi
Gjon Shpella, pronar i bujtinës “Shpella” ku qëndruam ne, u lind në kishën e vetme në fshat dhe u rrit në Zvicër.
“Gjatë epokës komuniste, kur feja ishte e ndaluar, kishat ose xhamitë u shkatërruan ose u përdorën për qëllime të tjera. Kisha jonë u shndërrua në një klinikë, këtu jam lindur”, thotë ai. Rreth 200 familje jetuan në Theth kur qeveria komuniste u rrëzua, në 1991, dhe fshatarët që përjetuan kushte të vështira jetese emigruan në vendet e tjera në kërkim të një jete të re. Familja Shpella me gjashtë fëmijë gjithashtu shkoi në Zvicër atë vit, kështu që fëmijët e tyre u rritën në Zvicër.
Gjoni vizitoi Thethin për herë të parë në 2008, kur ishte në mes të të njëzetave.
“Unë kam dashur të shoh se ku kam lindur. Unë erdha ashtu si një turist, duke mos menduar shumë për të. Por, u mahnita me të vërtetë se sa i bukur ishte ky vend”. Çuditërisht, shtëpia ku dikur jetonte familja e Gjonit kishte mbetur e paprekur. “Sapo dëgjova nga një alpinist që vizitoi Thethin në atë kohë, e kishte pasur të vështirë të gjente një vend për të qëndruar, vendosa ta rinovoja banesën time dhe ta ktheja atë në një han, në një shtëpi për mysafirë.
”Me shumë pak punë, unë arrita ta hap atë pjesërisht”, thotë Gjoni. Numri i të ftuarve fillimisht ishte rreth 200, por ka tejkaluar shifrën 8 000 pas 10 vjetësh.
Unë e vizitova Thethin në fillim të tetorit, pas pikut të sezonit, kur nëna e Gjonit dhe më pas, anëtarët e tjerë të familjes, kishin filluar të punonin të gjithë duke pastruar dhe gatuar. Gjatë kulmit të sezonit, të afërmit që jetojnë në vendet e tjera të Evropës vijnë gjithashtu për ta ndihmuar.
Një ditë shëtitje plot me pamje piktoreske
Rreth fshatit ka disa shtigje shëtitjesh që mund t’i ngjisni, që mund të bëhen në një ditë, nga 30 minuta në pak më shumë se dy orë. Edhe pse konsiderohet thjesht një “kurs hiking”, unë do të inkurajoja të mbaja me vete një pajisje GPS për të kontrolluar vendndodhjen, pasi aty gjurmët shënohen vetëm nga shkëmbinj ose shenja dhe shigjeta që mezi lexohen dhe njerëzit që kalojnë aty janë të pakët.
Ju mund të shijoni pamje piktoreske pa marrë parasysh se ku shkoni në këtë park kombëtar. Ajri dhe uji i pastër nga burimet e bollshme duket se e pastrojnë trupin tuaj.
Kulla e Nikoll Koçekut
Një tjetër pikë e spikatur e Thethit është Kulla e Nikoll Koçekut, menjëherë prapa bujtinës ”Shpella”. Rreth 100 vjet më parë, kur ndodhi një vrasje në Theth, vrasësi qëndroi në këtë kullë për 15 ditë, gjatë së cilës ai zgjodhi një njeri të besuar nga fshatarët dhe shpjegoi veten për krimin. Duket më shumë si një qendër paraburgimi. Pastaj, përmes këtij njeriu të besuar u diskutua për marrëveshjet midis vrasësit dhe familjes së viktimës. Vetëm burri i besuar dhe një grua nga fshati që përgatisnin ushqime u lejuan të vizitojnë vrasësin e fshehur në kullë. Dritaret e vogla dhe atmosfera dinjitoze janë të ndikuara nga Kanuni, i cili ka shoqëruar jetën në Shqipërinë Veriore që nga kohërat e lashta. Kanuni lejon familjen e viktimës të vrasë kriminelin në shenjë hakmarrjeje. Brendësia e kullës është mjaft interesante, e rikrijuar për të pasqyruar kohërat e vjetra.
Një darkë solidariteti
Nuk ka restorante në Theth, darka hahet në konakun që po qëndron. Të shtruara në tryezë janë ngritur perime organike të pjekura, bukë të pjekur me dru zjarri në sobën e oborrit të shtëpisë dhe mish të pjekur, të gjitha të përgatitura nga familja e Gjonit. Specat e pjekura në skarë ose të grira, të shoqëruara me djath dhie, patëllxhanët dhe kungujt e njomë janë elementet kryesore. Gradualisht bëheni të varur ndaj djathit të dhisë me erë të fortë, të servirur së bashku me domatet turshi.
Darka është e gjallë pasi të gjithë mysafirët rrethojnë tryezën dhe hanë së bashku. Ata kanë ardhur në Theth ose me makinë duke ndjekur atë rrugë të ngushtë zhavorri përgjatë shkëmbinjve ose duke ecur nëpër male për më shumë se shtatë orë. Ekziston një ndjenjë e fortë solidariteti midis atyre që kanë provuar të njëjtat vështirësi, kështu që nuk ka mungesë bisedash edhe pse ne po takohemi për herë të parë, dhe kjo më bën të lumtur.
Pas vizitës sime në 2018 e vizitova përsëri Thethin në vitin 2019, rruga malore përgjatë shkëmbinjve malorë ishte në ndërtim e sipër. Qasja në fshat duhet të jetë mjaft e mirë pasi të ketë mbaruar.
Është pak e trishtueshme kur sheh që gjurmët e rrugëve malore po zhduken bashkë me frikën e vizitorëve nga humnerat. A është egoiste të dëshirosh që Thethi të vazhdojë të jetë pak i izoluar? /atsh/ KultPlus.com
Kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka nisur një aktivitet online për të argëtuar qytetarët në këtë kohë pandemie.
Ai ka kërkuar nga qytetarët që të dërgojnë deri të mërkurën “vica të ndryshme” në grupin “#rriNshpi”.
“Po ja nisim me aktivitetin e parë. Dërgoni vicat e incizuara deri të mërkurën 00:00 në grupin #rriNshpi me neve dhe postimi me më së shumti llajka e fiton një drekë në shpi nga cilido restorant në Prishtinë për krejt familjen. Nesër unë e incizoj një”, ka shkruar Ahmeti. / KultPlus.com
Albert Ajnshtajn u lind në Ulmi të Gjermanisë në 14 mars 1879, në një familje hebrenjsh.
Kur mbushi pesë vjeç, i ati i dha një busull, që menjëherë i krijoi Albertit një interes për gjilpërën magnetike dhe fenomenet natyrore që shkaktonin lëvizjen e saj në të njëjtin drejtim. I ati i shpjegoi se kjo shkaktohej nga fusha magnetike dhe forca e rëndesës.
Për jetën e tij në vitet e fëmijërisë, Albert Ajnshtajn tregonte se nuk e kishte me qejf shkollimin. Metoda mësimore, ku nxënësve nuk u lejohej të bënin pyetje e bënte atë të ndihej si i burgosur.
Teoria më e rëndësishme e tij është ajo e relativitetit, ku Ajnshtajni shpjegon se drita lëviz gjithmonë me të njëjtën shpejtësi, pavarësisht nga burimi i saj. Ai shtoi se koha dhe masa mund të ndryshojnë dhe varen nga vend ndodhja e një njeriu ne raport me një objekt apo një ngjarje.
Ajnshtajn botoi në vitin 1905 veprën e tij më të rëndësishme, dhe një nga dokumentet më të rëndësishme shkencore në histori të titulluar “Teoria e Relativitetit”. Dhjetë vjet më pas ai botoi një vëllim të zgjeruar të kësaj vepre me titullin “Teoria e Përgjithshme e Relativitetit”, që përfshin ide themelore që përdoren për të përshkruar fenomene natyrore lidhur me kohën, hapësirën, masën, lëvizjen dhe forcën e rëndesës.
Çmimin Nobel në Fizikë për zbulimin e ligjit të efektit fotoelektrik. Ky ligj shkencor shpjegon përse disa metale emetojnë elektrone pasi mbi sipërfaqen e tyre bie drita. Ky zbulim çoi në zhvillimin e elektronikës, përfshirë edhe radion apo televizionin.
Albert Ajnshtajn vdiq në moshën 76 vjeçare më 18 prill 1955 në SHBA./ KultPlus.com
“Let’s Do It” bën të ditur se ka nisur fushatën “Dita e Pastrimit Digjital” që do të zgjasë deri më 22 prill, në Ditën Ndërkombëtare të Tokës.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se në vazhdën e aktiviteteve që organizata realizon për çdo vit në këtë datë, për shkak të pandemisë, këtë vit Ditën Ndërkombëtare të Tokës po e shënojnë më ndryshe.
Për herë të parë në historinë e festimit të Ditës Ndërkombëtare të Tokës, Let’s Do It sjell “Ditën e Pastrimit Digjital” që do të shënohet pikërisht më 22 Prill – 50 vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Tokës.
“Dita e Pastrimit Digjital” synon të sjell vëmendjen e botës tek mbeturinat virtuale – digjitale, për të cilat rrallë herë na shkon mendja se janë “mbeturina”, e që edhe ky lloj mbeturinash ka ndikim në mjedis dhe në jetën tonë të përditshme përmes konsumit të energjisë dhe emetimit të gazrave serrë. Fjala është për aplikacionet e ndryshme, skedarët, fotografitë, videot, etj., që zënë vend në pajisjet tona digjitale (smartphones, laptopë, kompjuterë, etj.) si të papërdorura, të vjetruara apo të papërditësuara.
“Gjurmët e karbonit që lë interneti dhe sistemet që e mbështesin atë përbëjnë rreth 3.7% të emetimeve globale të gazrave serrë, sasi kjo e ngjashme me atë që prodhohet globalisht nga industria e linjave ajrore. Duke pastruar mbeturinat tona digjitale, ne ndihmojmë në uljen e konsumit të energjisë dhe emetimit të gazrave serrë, si dhe krijojmë shprehi më të mira të menaxhimit të të dhënave tona digjitale”, thuhet në komunikatë.
“Let’s Do It” fton të gjithë individët, bizneset e organizatat e ndryshme që t’i bashkohen kësaj fushate, dhe më 22 Prill të shënojmë 50 – vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Tokës duke pastruar mbeturinat tona digjitale.
“Let’s Do It” është organizatë joqeveritare që merret me ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit në Kosovë. Së fundmi, organizata ka themeluar edhe grupin e vullnetarëve që po ndihmojnë në luftën kundër pandemisë COVID-19, të njohur si “Vullnetarët kundër Coronavirusit në Kosovë”./ KultPlus.com
Gazetarja dhe këngëtarja e njohur kosovare, e cila ndërroi jetë pak ditë më parë, sot u përcjell për në banesën e saj të fundit, shkruan KultPlus.
Si pasojë e pandemisë që ka kapluar edhe shtetin tonë, u pamundësua që këngëtarja të përcillej nga shumë njerëz.
Lajmin e bëri të ditur Ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi përmes një statusi në llogarinë e saj në Facebook, e cila përpos familjarëve të së ndjerës, ishte e vetmja e pranishme.
Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Dumoshit.
‘Sapo i dhamë lamtumirën e fundit Violeta Rexhepagiqit. Të pranishëm në ceremoninë e varrimit ishte familja e ngushtë e saj dhe unë si Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Violetën do ta kujtojmë përherë, të dashur, të qeshur e përjetë të gjallë në kujtimet tona. U prehsh në dritën tënde, Violetë!” / KultPlus.com
Në vitin 1982, ICOMOS (Këshilli Ndërkombëtar i Monumenteve dhe Siteve) vendosi datën 18 Prill si Ditën Ndërkombëtare për Monumentet dhe Sitet, datë e cila u miratua si e tillë në Konferencën e 22-të të Përgjithshme të UNESCO-s të mbajtur në vitin 1983.
Që nga kjo periudhë, 18 Prill ka shënuar ditën e kremtimit dhe promovimit të trashëgiminë kulturore dhe është vlerësuar si një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin për diversitetin, rëndësinë, nevojën dhe përfitimet e konservimit dhe mbrojtjes të saj.
Çdo vit, ICOMOS propozon një temë të caktuar për kremtimet dhe aktivitetet që do të organizohen në këtë datë nga komitetet kombëtare dhe ndërkombëtare të ICOMOS dhe organizata të tjera që dëshirojnë të bëhen pjesë e kremtimeve.
Dita Ndërkombëtare e Monumente dhe Siteve e këtij viti ofron mundësinë për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e peizazheve rurale, sfidat që përfshijnë ruajtjen e tyre, përfitimet që ofrojnë këto përpjekje dhe se si peizazhet rurale janë të lidhur ngushtë me zhvillimin e qëndrueshëm. Ajo gjithashtu ofron një mundësi për të nxitur komunikimin dhe për të ndërtuar lidhje me komunitetet, duke pranuar përfshirjen e tyre në krijimin, ekzistencën, evolucionin dhe pasurinë e këtyre peizazheve rurale dhe pa dyshim edhe në ruajtjen e tyre. /KultPlus.com