‘Poezia mundet me qenë shumë gjëra’

”Poezia mundet me qenë shumë gjëra. Mundet me qenë filozofike ose emocionale ose sentimentale. Mundet me pikturu tablo në një mënyrë përshkruese ose me tregu histori në mënyrë rrëfyese. Poezia mundet edhe me qenë satirike, ose komike, ose politike, ose informuese. Por asnjëra prej këtyre nuk është e lidhur specifikisht me poezinë dhe nuk na e zbulon si dallon poezia nga llojet e tjera të të shkruarit dhe të të folurit.
… poezia është gjuhë, e cila në çdo element përbërës – fjalë dhe rend fjalësh, tingëllim dhe pauzë, përfytyrim dhe jehonë – është domethënëse, në kuptimin që çdo element tregon ose përfaqëson një marrëdhënie të mëtejshme mes dhe përtej vetvetes. Poezia është gjuha që do me thënë gjithmonë më shumë…
Me mësu me lexu poezinë është kështu me mësu funksionin e çdo fjale brenda vendndodhjes së saj të veçantë në poezi: pse çdo fjalë është vendosur pikërisht aty? Pse pikërisht kjo fjalë?…”

nga The Art of Poetry: How to Read a Poem, by Shira Wolosky, Oxford University Press, 2001
marrë nga Entela Tabaku Sörman

Alketa Xhafa Mripa, një artiste që inspiron në PLATFORMA Festival

Ajo është një artiste e rrallë e cila po aktivizohet çdo herë e më shumë në skenat e ndryshme të artit.

Alketa Xhafa Mripa është inspirim. Madje, ajo është ftuar si një artiste që inspiron në edicionin e këtij viti të PLATFORMA Festival. Në mes të datave 19-31 korrik, edicioni i katërt i festivalit për dhe me refugjatë e emigrantë këtë vit udhëton në Newcastle, Gateshead, Stockton dhe Middlesborough.

Alketa, artistja e cila së fundmi është lidhur fort me kauzën për refugjatët dhe trajtimin e tmerrshëm që bota po i bën atyre, është e ftuar për një bisedë artistike në Newcastle, shkruan KultPlus.

Alketa ka treguar për KultPlus se gjatë kësaj paraqitjeje ajo do të flasë për fuqinë e artit dhe rëndësinë e artistëve në shoqërinë e sotme moderne. Ajo do të japë edhe detaje mbi punën e saj “Refugees Welcome” e cila shëtiti goxha mirë në mbarë Anglinë.

Manif Halbouni dhe Farhad Berhaman janë dy artistët tjerë të ftuar në dy ditët kryesore të Festivalit PLATFORMA.

Alketa do të flasë në festival me datë 28 tetor, në ditën e dytë të PLATFORMA.
Hera e fundit kur Alketën e kemi parë në Kosovë ishte në kuadër të Autostrada Biennale, me një performancë provokative dhe domethënëse mbi thyerjen e kufijve. / KultPlus.com

Prishtina

Poezi e shkruar nga Shuki Gashi.

Të kërkoj në çdo skutë
në vegimet e mia
rrugëve që u zhdukën
Dje bashkë në kalldërm
të shemben monstrumet
hijen ua shoh në çdo cep
Ata i varrosën ëndrrat tona
që i mbollëm me dashni në Korzo
skalitur trungjeve të alesë
Kaluar mbi kurrizin tënd
veshur me lëkure hienash Blu
në muzgun Ogur Zi t’i thyen qeremidet
dritaret dhe parmakët t’i dogjën
në hirin tënd shurruan dhe dje
Sollën mbi shpinën tënde të djegur
Kalin e Trojës bashkë me Tellallin
që s’flet shqip
Në mamuza xhipash ata ta shembën çatinë
t’vodhën gurtë e kalldrëmeve
Bangat nën kurora blinjësh
Qyteti im askund sot
burgosur nën patkojtë
e Hijenave verdhë e blu
Dhimba ime Prishtine.

@Shukrije Gashi
30 shtator 2017, Prishtinë

Ky është videoklipi i ri nga Grupi Minatori (VIDEO)

Grupi Minatori, një grup legjendar muzikor dhe me muzikën e të cilit janë rritur e edukuar gjenerata të ndryshëm ndër shqiptarë, ka publikuar sot këngën e re.

Bashkë me videoklip, kënga “Krejt njëjtë” ka pak minuta që është publikuar në Youtube.

Për këngën është bashkëpunuar me kompozitorin Florent Boshnjaku. / KultPlus.com

Kosova e ka shtyrë aplikimin për anëtarësim në UNESCO

Përmes një njoftimi, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës tregon se ka shtyrë edhe aplikimin për anëtarësim në UNESCO.

Ky vendim ka ardhur disa ditë pas atij për të mos aplikuar për anëtarësim në INTERPOL.

MPJ arsyetohet se këtë vendim e ka marrë në koordinim me aleatët strategjikë të Kosovës, sidomos ShBA-në dhe Bashkimin Europian.

Në një njoftim, MPJ tregon se procesi i aplikimit për anëtarësim në organizata rajonale, kontinentale dhe globale bëhet në koordinim të plotë dhe të ngushtë me aleatët strategjikë dhe historikë të vendit, respektivisht Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian.

Edhe shtyrja, pragmatike siç e quan MPJ, e anëtarësimit në Interpol dhe UNESCO është e mbështetur në koordinimin e plotë dhe të ngushtë me ShBA-në dhe vendet e tjera të Kuintit.

“Ministria e Punëve të Jashtme ri-thekson se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Punëve të Jashtme vepron në mënyrë koordinuar, të matur, të përgjegjshme dhe në mbrojtje të interesit nacional të Republikës së Kosovës”, thuhet në një sqarim të MPJ-së.

Çdo pretendim tjetër për krijimin e narracionit negativ tek publiku është i paarsyeshëm dhe joprofesional, thuhet më tej në komunikatë.

“Ministria e Jashtme vlerëson se këto veprime i kontribuojnë forcimit të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës, avancimit të mëtejmë të marrëdhënieve me shtetet partnere dhe aleate, garantimit të sigurisë si dhe promovimit të paqes në rajon”, thekson po ashtu MPJ.

Votimi do të mbahej më 26 shtator.

Ndërsa, sa i përket UNESCO-s, Kosova kishte dështuar të anëtarësohej për tri vota në votimin e Asamblesë së Përgjithshme të kësaj organizate më 9 nëntor 2015. / KultPlus.com

Kush do ta përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion? (VIDEO)

Radio Televizioni Shqiptar sot ka hapur edhe zyrtarisht konkursin për këngët pjesëmarrëse në Festivalin e Fundvitit.

Nga ky festival, triumfuesi shkon edhe në Eurovizion, në një garë ku konkurrohet me rreth 40 shtete të tjera nga kontinenti.

Që prej vitit 2004, kur Shqipëria debutoi në këtë festival i cili pëlqehet aq sa edhe komentohet për qasjen e tij shpesh politike në votim, interesimi i këngëtarëve shqiptarë ka qenë i madh. Emra të ndryshëm kanë tentuar të ngjiten në skenë dhe të fitojnë këtë garë, por gjithmonë mbetet vetëm një fitues.

E pyetja kush do të mund të ishte një përfaqësim i denjë shqiptar në Eurovizion, kësisoj një rezultat më i mirë për shqiptarët në këtë festival, mbetet pa përgjigje deri në muajin dhjetor kur edhe mbahet festivali, shkruan KultPlus.

Megjithatë, ja disa prej emrave që do të mund të ngjiteshin në Eurovizion, për shqiptarët.

https://www.youtube.com/watch?v=ENTwEmmTgj8

Françeska

Poezi e shkruar nga Ezra Pound / Përktheu Orjela Apolloni

Ti dole jashtë prej natës
dhe kishte lule n’duert e tua,
tash ke me dalë jashtë prej nji turme konfuze,
jashtë nji trazine fjalësh rreth teje.
Unë që t’kam pa mes gjanave ma t’randësishme
u zemërova kur ata e përmendën emnin tand
në vende të zakonshme.
Kisha dashtë që valët e ftohta në mendjen time t’lundronin,
dhe që bota të thahej si nji gjethe e vdekun,
ose t’ish si farat e asaj lules që t’zhdukej me nji t’fryme,
që me mujt me t’gjetë sërish,
të vetme.

Dy shqiptaret nominohen në të njëjtën kategori në MTV EMA

Janë bërë publike sot nominimet për çmimet muzikore MTV EMA Music Awards.

Industria MTV kësisoj do të ndajë çmimet për videot dhe këngët më të mira. Mes të nominuarve dhe emrave si Taylor Swift, Ed Sheeran e Kendrick Lamar, kësaj radhe janë dy shqiptare të nominuara në kategoritë e ndryshme, shkruan KultPlus.

Dua Lipa është nominuar në kategorinë Best Look dhe Best New Artist, ndërsa Rita Ora është e nominuar në Best Look. Të dyja artistet do të takohen së bashku në ceremoninë që do të mbahet me 13 nëntor në Londër, shkruan KultPlus.

Nominimet për këtë vit në MTV EMA 2017 janë:

BEST SONG
Clean Bandit – Rockabye ft. Sean Paul & Anne-Marie
DJ Khaled – Wild Thoughts ft. Rihanna, Bryson Tiller
Ed Sheeran – Shape of You
Luis Fonsi & Daddy Yankee – Despacito (Remix) ft. Justin Bieber
Shawn Mendes – There’s Nothing Holdin’ Me Back

BEST ARTIST
Ariana Grande
Ed Sheeran
Kendrick Lamar
Miley Cyrus
Shawn Mendes
Taylor Swift

BEST LOOK
Dua Lipa
Harry Styles
Rita Ora
Taylor Swift
ZAYN

BEST NEW
Dua Lipa
Julia Michaels
Khalid
KYLE
Rag’n’Bone Man

BEST VIDEO
Foo Fighters – Run
Katy Perry – Bon Appétit ft. Migos
Kendrick Lamar – HUMBLE.
KYLE – iSpy ft. Lil Yachty
Taylor Swift – Look What You Made Me Do

BEST LIVE
Bruno Mars
Coldplay
Ed Sheeran
Eminem
U2

BEST ELECTRONIC
Calvin Harris
David Guetta
Major Lazer
Martin Garrix
The Chainsmokers

BEST HIP HOP
Drake
Eminem
Future
Kendrick Lamar
Post Malone

BEST ALTERNATIVE
Imagine Dragons
Lana Del Rey
Lorde
The xx
Thirty Seconds To Mars

BEST WORLD STAGE
Steve Aoki – Live from Isle of MTV Malta 2016
Kings of Leon – Live from Oude Luxor Theatre, Rotterdam, The Netherlands 2016
Tomorrowland 2017
DNCE – Live from Isle of MTV Malta 2017
The Chainsmokers – Live from Isle of MTV Malta 2017
Foo Fighters – Live from Barcelona, Spain 2017

Radio Televizioni Shqiptar e hapë konkursin për Festivalin e Këngës (VIDEO)

Shqipëria ka hapur konkursin për këngën shqiptare e cila do të përfaqësohet në Eurovizionin e vitit 2018-të.

Radio-Televizioni Shqiptar, fton të gjithë krijuesit dhe interpretuesit e këngës së muzikës së lehtë shqiptare, në konkurrimin për pjesëmarrje në Festivalin e “56-të” të Këngës në RTSH, që do të zhvillohet në muajin dhjetor të këtij viti. Konkurrentët duhet të dorëzojnë:
1. Këngën e kënduar, dhe bazën orkestrale të saj, të regjistruar në CD-ë, të përfunduar në të gjithë elementët përbërës të saj
2. Tekstin e këngës
3. Fotografi te këngëtarit ose grupit nëse merr pjesë për herë të parë

Pranimi i këngëve do të bëhet nga data 2 deri më 10 nëntor 2017 Nga ora 09:00 deri në orën 14:00 në Radio Tirana. Përzgjedhja e këngëve pjesëmarrëse, do të kryhet nga komisioni i seleksionimit të këngëve, në bazë të dëgjimit të tyre Në momentin e dorëzimit të këngës, konkurrentët duhet të plotësojnë formularin e dorëzimit të këngës, në të cilin deklarohen nominalisht të gjithë autorët këngës, përfshirë edhe këngëtarin, të cilët nuk mund të ndryshohen nëse kënga shpallet fituese për të marrë pjesë. Kënga s’duhet të jetë e publikuar më parë. Kënga duhet t ë jetë e kënduar në gjuhën shqipe.

https://www.youtube.com/watch?v=W7zyjjE1vQM&feature=youtu.be

Kënga nuk duhet të jetë më e gjatë se 4 minuta. Kënga duhet të jetë e kënduar nga këngëtari që pretendon ta interpretojë atë në Festival. Pjesëmarrësit duhet të jenë të moshës mbi 16 vjeç. Një këngëtar apo kompozitor, mund të marrë pjesë në konkurrim vetëm me një këngë, përfshirë këtu edhe bashkëautorsinë. Një orkestrues apo tekstshkrues mund të marrë pjesë në konkurrim, me jo më shumë se dy orkestrime apo tekste, përfshirë këtu edhe bashkëautorsinë.

Të gjithë autorët e këngës, përfshirë edhe këngëtarin, duhet të jenë shqiptarë. Mosplotësimi i këtyre kushteve, sjell automatikisht, përjashtimin e këngës nga konkurrimi. RTSH, Ju uron suksese në krijimtari dhe ju falënderon për bashkëpunimin. / KultPlus.com

Ekskluzive: Grupi Minatori sonte publikon këngën e re

Sonte në ora 21:00 në Youtube do të lansohet kënga më e re e Grupit Minatori.

“Krejt njëjtë” është emri i këngës. Një prej anëtarëve të grupit legjendar, Mufail Limani, e ka dhënë lajmin në Facebook.

“Pas vitit 2001, kur publikuam albumin “Njeriu i fundit në planet”, kjo është edhe një përpjekje e imja dhe e jona që të shprehim diçka e të themi diçka përmes rok këngës. Falënderoj shumë miqtë e mi Mumin Jasharin, Liridon Metushin e Ilaz Thacin në bërjen e spotit, si dhe Florent Boshnjakun për kontributin dhe komunikimin e shkëlqyeshëm në studio” ka shkruar Limani.

Grupi Minatori i takon gjeneratës kur muzika është dëgjuar e ndjerë, andaj zbrazësia që ata kanë lënë në skenën shqiptare çdo ditë e më shumë po len gjurmët e saj. / KultPlus.com

Astrit Pallaska do të dirigjojë koncertin e Korit të Filarmonisë së Kosovës

Kori i Filharmonisë së Kosovës do të mbajë koncertin e parë të sezonit të ri, nesër mbrëma në Prishtinë.

Koncerti do të udhëhiqet nga dirigjenti kosovar Astrit Pallaska. Programi i cili është përgatitur për publikun, sjellë vepra të muzikës vokale nga epoka të ndryshme stilistike. Mes tjerësh në program janë përfshirë vepra nga: Anton Bruckner, Eric Whitacre dhe Carlos Alberto Pinto Fonseca.

Në koncert do të interpretohet edhe “Mesha e Agimit” për kor dhe orkestër harqesh nga kompozitori norvegjez Ola Gjeilo ndërsa do të interpretohet edhe premiera e veprës më të re të kompozitorit kosovar Drinor Zymberi. Koncerti do të mbahet të enjten (5.10.2017) nga ora 20:00 në kishën katolike “Shën Ndou” në Prishtinë.

Filharmonia e Kosovës hapi sezonin 2017/18 më 1 tetor me koncertin e Orkestrës së Filharmonisë me solistët mysafir, pianisten Maria Meerovitch, trumbetistin Sergei Nakariakov dhe dirigjentin Boian Videnoff. / KultPlus.com

Rumunët janë të çmendur pas këngës ‘Suus’ nga Rona Nishliu (VIDEO)

Që një këngë i tejkalon vitet dhe kufijtë, është dëshmi edhe kënga “Suus” e Rona Nishliut.

Një këngë shumë personale dhe një performancë që morri vëmendjen e botës para disa vitesh, sidomos pëlqehet nga gjeneratat e reja të cilat vendosin ta sfidojnë veten duke provuar këndimin e këngës, e cila muzikalisht nuk tingëllon e lehtë.

Në Rumani, sidomos, kjo këngë për vite me radhë është performuar nga të rinjtë e të rejat e konkurseve ku zbulohen talentet e reja.

https://www.youtube.com/watch?v=cRNCu0ZgA7k

KultPlus dje solli performancën e Jaesmines, një vajzë e re rumune e cila morri duartrokitje pasi këndoi këngën e Ronës në një festival të njohur për fëmijë në Navodari.

Alexe Eduard-Alexandru është një djalë nga Rumania, i cili para katër muajsh në spektaklin Vocea Prahovei 2017 solli të njëjtën këngë. Një performancë simpatike e një djali me një zë klasik e solli Ronën në këtë audiencë, jo fizikisht, shkruan KultPlus.

Në fillim të vitit, Rumania e tregoi mbështetjen e saj për këtë këngë, kur Jessica Lazarescu në spektaklin The Voice of Romania këndoi këngën e Ronës. Kjo performancë ka rreth 300 mijë klikime në Youtube dhe ndoshta është ndër versionet më të mira të këngës “Suus”. Është e çuditshme, dhe fantastike se si këto talente e këndojnë një këngë në gjuhën shqipe në mënyrë kaq të mirë, kaq të qartë.

Në anën tjetër, shteti rumun nuk i dha pikë Ronës kur ajo këndoi në finale, por fuqia e këngës e tejkalon edhe vlerësimin e një jurie. Që rumunët e duan këtë këngë, po e vërtetojmë së fundmi edhe me emrin Afina Madoian, e cila solli këngën shqipe në vitin 2014-të para publikut rumun. / KultPlus.com

Të kam dashur gjithnjë në heshtje…

Poezi e shkruar nga Michele Mari / Përktheu Beti Njuma

Të kam dashur gjithnjë në heshtje
duke peshuar hendekun e asaj dashurie
e t’asaj heshtjeje,
e mandej, edhe kur i shkruam shoshoqit
kujdesi printe dorën time
që çdo kuptim
të gjendej veç në hapësirat e bardha,
e prapëseprapë ndihesha i pështirë
a thua se aluzioni më i pakuptueshëm
kullonte jargë lypsari.

Kurrë në asnjë rast s’dyshova
se ti e dije
gjersa bashkë zbuluam
se kishim jetuar tridhjetë vjet n’lajthitje
ti duke shpërfillur
unë duke pandehur
e atëherë një gjë u qartësua
që memecit
veç rrahja e zemrës
i shungullon.

Akademia e Shkencave përkujton Robert Elsien, përhapësin më të madh të kulturës shqiptare

Më 2 tetor 2017 vdiq luftëtari, intelektuali, studiuesi frymë gjatë i gjuhës dhe kulturës shqiptare, përhapësi i pashoq i veprave të saj, prezantuesi i historisë së dokumentuar të popullit shqiptar, përkthyesi i letërsisë shqipe në gjuhët angleze dhe gjermane si dhe miku i madh të botës shqiptare, albanologu Robert Elsie.

Kështu është vlerësuar figura e akademikut Robert Elsie, në akademinë përkujtimore të mërkurën ku është përkujtuar dhe nderuar veprimtaria e tij.

Me këtë rast është vlerësuar kontributi i tij i jashtëzakonshëm për kulturën shqiptare, të cilën e ka bërë të njohur me përkthimet e tij anekënd botës. Kryetari i Akademisë së Arteve dhe Shkencës, Hivzi Islami, ka çmuar lart figurën e albanologut Robert Elsie, për të cilin tha se ishte studiues i gjithanshëm dhe mik i pranishëm në shumë aktivitete duke dhënë kontributin e tij në çështjen e Kosovës. Përkthimet e shumta të Robert Elsie e veçanërisht ai i veprës “Lahuta e Malcis”, sipas Islamit kanë bërë që shumë të huaj të njihen me kulturën dhe historinë e shqiptarëve.

“Veprimtaria e doktor Elsie dhe interesimet e tij për gjuhën, letërsinë, historinë dhe traditën shqiptare, janë aq të gjera sa ndonjëherë kapërcenin edhe kushtin disiplinor. Kërkimet e tij në arkiva dhe dokumente të hershme, ai mblidhte, sistemonte dhe publikonte kontribute të veçanta gjuhësore, historiografike, etnografike deri tek zhvillimet më të reja të artit dhe letërsisë tonë. Veçanërisht për ne janë të rëndësishme interesimet e tij për Kosovën, studimet e gjithanshme dhe përkthimet e autorëve tanë në gjuhë të huaja. Janë shumë botime të përgatitura nga doktor Elsie që panë dritën edhe tek botuesit kosovarë në shqip apo në anglisht, gjermanisht, frëngjisht dedikuar lexuesve të huaj apo komunitetit ndërkombëtar në Kosovë. Doktor Elsie mbetet pa dyshim përhapësi më i madh i kulturës shqiptare në botë”, tha ai.

Akademiku Rexhep Ismajli ka thënë se vdekja e albanologut Robert Elsie ishte e papritur dhe ndodhi në kulmin e zhvillimit të tij intelektual, ndërsa shuarja e tij është një humbje e madhe për albanologjinë shqiptare. Ai ka shtuar se veprimtaria e Robert Elsie ka rëndësi të madhe jo vetëm për albanologjinë por edhe historinë, shkruan Koha.

Ismajli me këtë rast ka theksuar se Elsie, edhe në ditët e fundit të tij ishte marrë me shqiptarët duke dërguar vlerësime për Konferencën Shkencore të Akademisë së Arteve dhe Shkencave në Kosovë.

“Roberti nuk përtoi të çonte mesazh vlerësues për përgatitjet e Konferencës, por njëherësh ishte në spital dhe nuk e dinte nëse do të mund të vinte vet. Vetëm tri ditë pas kësaj na erdhi kumti i zi, krejt i papritur dhe në valën e aktivitetit të tij, në kulmin e pjekurisë intelektuale me horizont të pritjes reale për shumë vepra me vlerë që do të na sillte.

”Nuk duhet të harrohet as ndihmesa e tij e drejtpërdrejtë për afirmimin e çështjes së Kosovës. Nuk ka dyshim se gjithë punën e tij albanologjike e shquan një dashuri e jashtëzakonshme për kulturën dhe popullin shqiptar. ” Vepra e tij do të vazhdojë të rrezatojë dritë, dije dhe informacion për botën shqiptare”, tha Ismajli.

Robert Elsie ishte anëtar i Shoqatës së Evropës Juglindore (Südosteuropa-Gesellschaft), anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. / KultPlus.com

Guri nga Kosova, problematik në Kuvendin e Serbisë

Shefi i grupit të deputetëve Dveri Boshko Obradoviq, sot në Kuvendin e Serbisë ka kërkuar të pranohet rezoluta e kësaj lëvizjeje që veten quan mbrojtës të Kosovës dhe ka treguar një gur të madh, të cili, siç ka thënë e kishte sjellë nga Kosova dhe duke e ngritur lart gurin, e recituar një poezi për atdheun.

Kryetarja e Kuvendit të Serbisë Maja Gojkoviq pastaj kishte shpallur pauzë dhe kishte kërkuar që guri të largohej nga aty.

“Nuk e kuptoj pse iu pengon guri të cilin dje e solla nga Kosova, dhe poezia”, citon “Blic” i Beogradit të ketë thënë Obradoviq.

Ai këtij portali i ka treguar se gurin e kishte marrë dje nga Kosova si “një shenjtëri personale” dhe se për të ai nuk ishte gur i rëndomtë, por “gur themeltar i shtetit tonë”.

Obradoviq pastaj ka rrëfyer sesi e kishte futur brenda gurin pa vështirësi dhe se madje që nga dita e djeshme atë e kishte harruar në çantën e deputetëve.

Në fund ai ka shfaqur keqardhje pse “guri ishte përjashtuar nga mbledhja” e rezoluta ishte hedhur poshtë nga shumica parlamentare duke thënë se nga kjo “qartë mund të përfundohet se ajo shumicë nuk është e interesuar për ruajtjen e Kosovës në Serbi”. / KultPlus.com

Fotografi që nuk kanë humbur, nga protesta studentore e 1 tetorit 1997 (FOTO)

Protestat e 1 tetorit të vitit 1997 kanë luajtur rol të madh në atë se si sot është formuar shoqëria kosovare. Kanë kaluar 20-të vite qëkur studentë e Universitetit Paralel asokohe të Prishtinës protestuan për të drejtat e tyre, dhe për të drejtat e njeriut kosovar në Kosovën e atëhershme.

Lëvizja Studentore e 1997 e drejtuar nga Bujar Dugolli, Milot Cakaj, Muhamet Mavraj, Driton Lajçi, Hajrullah Koliqi, Fetah Jagxhiu, Ahmet Gecaj dhe Albin Kurti, e përkrahur dhe nga rektori historik i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, si dhe nga disa profesorë, i pati dhënë fund politikës paqësore të popullit shqiptar ndaj regjimit serb.

Kjo lëvizje vlerësohet se ka sensibilizuar opinionin ndërkombëtar se UÇK-ja buronte nga populli liridashës i Kosovës.

Me 1 tetor 1997, mijëra studentë por edhe nxënës të shkollave të mesme dhe qytetarë të shumtë kishin protestuar në Prishtinë për të kërkuar lirimin e objekteve të UP-së nga regjimi serb, i cili i kishte dëbuar studentët shqiptarë nga objektet e tyre universitare.

Fotografitë në këtë tekst janë marrë nga Prishtina Film Rolls në Instagram, një faqe e cila i ka sjellë ato duke kujtuar përvjetorin e kësaj ngjarjeje e cila nuk duhet harruar. / KultPlus.com

Një vajzë

Poezi e shkruar nga Ismail Kadare.

Duke të puthur ty, pa të dashur
Në shpirt ai ty të plagoi
Buzëpërgjakur nga të kuqtë e tu,
si vrasës tinëz ai shkoi

Krenar që ty “të shtiu në dorë”
Gjith’ shokëve emrin tënd ua tha.
Pranë gotës së birrës për ty folën
në park, të dielave ata.

Dhe ti e vetme mbete, bosh
mbenë sytë e ty në net bilbilash
Si sheshi i shkretë, ku posa ndodhi
Një katastrofë automobilash.

Tani kur shkon Rrugës së Dibrës
Ata me sy të ndjekin pas
Pataj me bërryl i bien shokut
“E sheh filanen? E kam pas…”

Dhe ti ul kokën shpejton hapin
T’arrish tek shoqja sa më shpejt
Të përsërisësh fjalët standart:
“Ah, njëlloj janë të tërë djemtë”

Të dyja t’ulura pranë radios
Do ta ndizni një cigar
tek supi i saj, nën fjalë lajmesh
një çast dremitja do të t’marre

Dhe do të të çojë tek një rrugë tjetër
M’e gjerë, m’e bukur dhe m’e re
Atje në sfond fabrikash, njerëzit
Nga kembët s’do të të venë re.

Atje ku t’ecësh midis turmash
Në një grup djemsh, ndoshta midis
Dikush me brryl do t’i bjerë shokut:
“E sheh filanen? Ishim miq…”

Në Suedi u mbajt Festivali i Folklorit Shqiptar

Nga Ramadan Reshitaj

Për të njëmbëdhjetën herë me radhë, në organizimin e Unionit të Shoqatave Shqiptare, në Suedi u zhvillua Festivali i Folklorit Shqiptar. Ky manifestim tradicional u mbajt në qytetin e Vekshjos, kurse nikoqire ishte Shoqata e këtushme ”Liria”.

Festivali u hap me intonimin e Himnit Kombëtar e pastaj atë e shpalli të hapur kryetari i kryesisë së Unionit, Sadulla Zendeli – Daja, i cili i falënderoi për pjesëmarrje kultivuesit e folklorit shqiptar në këtë shtet skandinav dhe u uroi atyre suksese.

Në programin zyrtar të Festivalit u paraqiten grupe amatore, ansamble folklorike dhe rapsodë që veprojnë nëpër shoqatat shqiptare që veprojnë në shumë mjedise të Suedisë. Ata prezantuan vlerat e folklorit shqiptar përmes këngëve folklorike, valleve instrumentale si dhe me vallëzimin e valleve që kultivohen në trojet shqiptare.
Pikat konkurruese i vlerësoi juria e festivalit në përbërje, Ahmet Bella, magjistër i muzikës, kryetar Marsela Basha, përfaqësuese e shoqatës ”Dardania” nga Vekshjo, Ismail Binakaj, përfaqësues i shoqatës ”Iliria” nga Norrshopingu dhe Ismail Binakaj përfaqësues nga shoqata nikoqire ”Liria” e Vekshos, anëtarë.

Sipas vlerësimeve të Jurisë, vendin e parë e ndanë amatorët nga shoqatat ”Dardania” nga Borosi dhe ”Liria” nga Vekshjo. Grupi i valleve i shoqatës nga Borosi u nderua për vallëzimin e ”Vallës së Drenicës”, kurse valltarët nga Vekshjo për vallëzimin një mozaik vallesh m emotive nga Kosova. Vendi i dytë iu dha valltarëve të shoqatës ”Iliria” nga Norshopingu. Ata kishin konkurruar me ”Vallen e Tiranës”. Ndërsa Shpërblimi special i Festivalit iu dha rapsodit Dervish Kuqi për interpretimin e shkëlqyeshëm të këngës ”Po këndoj në festival”, shkruan KultPlus.

”Festivali në përgjithësi ishte i suksesshëm. Garuesit ishin bukur të përgatitur nga koreografët si dhe koloriti i veshjeve ishte i begatshëm dhe përfaqësoi shumë pjesë të atdheut tonë, theksoi kryetari i Jurisë, Ahmet Bella.
Organizatori i festivalit për të gjithë pjesëmarrësit në program ndau mirënjohje publike.

Pas pjesës zyrtare në ambientet e Kvarnhagkallen, ku u zhvillua ky aktivitet, u mbajt edhe një mbrëmje e përbashkët shoqërore, ku argëtoi solisti Shaip Alia. / KultPlus.com

Reperi shqiptar Versatile E vjen me videoklipin e ri (VIDEO)

Reperi shqiptar në Londër, Versatile E, është rikthyer me një këngë dhe videoklip të ri vetëm pak kohë pas publikimit të kaluar.

“Rude Awakening” është një shprehje në gjuhën angleze që nënkupton situatën kur dikush të shokon duke të zgjuar nga gjumi papritmas. Kënga e re ka një energji krejt ndryshe nga kënga e kaluar, dhe kjo e dëshmon tutje gjithanshmërinë e artistit Versatile E, emri i vërtetë i të cilit është Eduard Muhaxheri, shkruan KultPlus.

Ai ka paralajmëruar edhe dy bashkëpunime me reperë londinezë para fundit të vitit.

Londra vazhdon të mbetet një thesar i zbulimit të talentëve shqiptarë në skenën e estradës botërore. / KultPlus.com

Jeasmine, vajza nga Rumania e cila këndon fuqishëm ‘Suus’ të Rona Nishliut (VIDEO)

Jeasmine, një vajzë e re nga Rumania, ka zgjedhur një këngë shqipe për ta performuar para publikut në qytetin Navodari.

Kënga “Suus” nga Rona Nishliu, një këngë e njohur në mbarë Evropën falë pjesëmarrjes në Eurovizionin e vitit 2012-të ku edhe u pozicionua në vendin e pestë në finale, ka ardhur kësisoj nga vajza rumune, shkruan KultPlus.

Jeasmine Socaci, pos këngës së Ronës, në kanalin e saj në Youtube ka incizuar versionet e saj të këngëve të ndryshme rumune por edhe këngëve të njohura ndërkombëtarisht.

https://www.youtube.com/watch?v=cRNCu0ZgA7k

Kjo nuk është hera e parë që dikush performon këngën e Rona Nishliut në Rumani, pasi kjo këngë dukshëm është e pëlqyer në këtë shtet.

Navodari është qytet në Rumani, me rreth 32 mijë banorë. / KultPlus.com

Nuk ka dashuri të lumtur kurrherë

Poezi nga Louis Aragon / Përktheu Romeo Çollaku

Njeriut asgjë nuk iu dhurua përfare
As forca as brishtësia as dhe zemra e vet
Hija e tij krahëhapur një kryqi i ngjet
Kur e gjurmon lumturinë gjendet në rrëmet

Jeta e tij një ndarje e kotë edhe vrastare
Nuk ka dashuri të lumtur kurrherë
Jeta e tij ngjason me ushtarët pa pajime
Që kush e di ç’fat i përplas në këtë prag
Edhe pse aq herët u zgjuan sot në ag
Tani sillen të ngeshëm në ditën që u vag
Mos derdhni pikë loti Po thoni Jeta ime
Nuk ka dashuri të lumtur kurrherë

O dashuri e bukur brenga ime e çmuar
Të ruaj thellë vetes si një zog flatrathyer
Dhe ata që na shohin kur kalojmë rrëmbyer
Pëshpërisin gjithë ato fjalë që kam ngërthyer
Për sytë e tu të mëdhenj e që tash janë shuar
Nuk ka dashuri të lumtur kurrherë

Tashmë u bë vonë të mësojmë ç’është jeta
Përkryer zemrat tona qajnë nëpër natë
Këngën të këndohet e ndih një dhimbje e gjatë
S’dridhet tel kitare pa lotë e përgjëratë
Shpirtin e përmbytin vetëm dallgët e vërteta
Nuk ka dashuri të lumtur kurrherë

Dashuri që nuk kapit nuk ka kurrkund në botë
Nuk ka kurrkund dashuri që vuajtjesh s’të flak
Nuk ka kurrkund dashuri që nuk sëmbon e mpak
Pa ty edhe atdheun do ta doja më pak
Nuk ka dashuri që gjallon pa derdhur lotë
Nuk ka dashuri të lumtur kurrherë
Atë veç ne të dy e kemi ndjerë

Vigan Nuza vjen këtë javë me ekspozitën ‘Hope’

Me profesion është aktor por ka një pasion që ushqen tek ai fotografinë. Vigan Nuza ka realizuar deri tani disa ekspozita, por duket se pjesa e artit pamor po i pëlqen pasi një ekspozitë tjetër e tij vjen këto ditë.

Me titullin “Hope” (Shpresë), Nuza do të hapë ekspozitën e radhës në Prishtinë.

“Gjithmonë në ekspozitat e mia synoj të paraqes realitetin, atë që na rrethon, të mirën dhe të keqen. Kësaj radhe ekspozita synon të merret me shpresën, por edhe me politikën dhe me atë se sa jemi të gatshëm ne të fluturojmë drejt ardhmërisë, drejt institucioneve ndërkombëtare” tregon Nuza për KultPlus.

Gjithçka mbetet e fshehtë deri në hapjen e ekspozitës, e cila do të bëhet me 5 tetor, në ora 19:00 në Kafenenë “Bank Lounge Bar” në kryeqytet. Ekspozita e fotografisë është e teta me radhë për Nuzën.

“Dua që me anë të ekspozitës të rroket edhe tema e vizave, e lëvizjes, e ndoshta në të ardhmen do të mund ta kemi ndjesinë e tillë, pa pengesa e pa barrikada, për të marrë ajër lirshëm dhe për të pasur më shumë fqinjësi” tregon Nuza për fund. / KultPlus.com