“Majlinda Kelmendi, sportistja e parë nga Kosova që ka fituar medalje të artë në Lojërat Olimpike, sot përuroi statujen e saj në qytetin e lindjes.
Kelmendi është xhudiste. Ajo ka fituar medaljen e artë Olimpike në kategorinë deri në 52 kg në vitin 2016, në garat e Rio De Janeiro. Përveç kësaj, Majlinda është dy herë kampione e botës dhe dy herë kampione evropiane.
Qindra persona, përfshirë presidentin e Federatës Botërore të Judos, Marius Viser, ishin mbledhur në Pejë, 85 km në perëndim të Prishtinës, për ta parë statujen e bronzit të Kelmendit.
“Besoj se statuja do t’i motivojë fëmijët dhe do t’i bind që mund të arrijnë suksese në jetë. Unë jam nisur nga ky vend i vogël dhe kam arritur majat botërore” – u shpreh Majlinda, 28 vjeçare.
Majlinda është zgjedhur “sportistja e vitit” në tri vitet e fundit në Kosovë.
“Majlinda është inspirimi më i mirë për sportin e Kosovës – u shpreh Marius Viser, kryetari i Federatës Botërore të Xhudos. “Mund të ndiheni krenar që një nga sportistet më të mira të botës mbanë flamurin tuaj”.
IFJ gjithashtu nderoi ngjarjen në webfaqen e tyre zyrtar. “Në rrethana normale, statujat bëhen për t’i nderuar ata që nuk jetojnë më. Të kesh një statuj në kohën sa jeton është përjashtim shumë i rrallë. Majlinda Kelmendi është një nga ato përjashtimet”.
Statuja i kushtoi federatës rreth 200.000 euro (220.000 dollar), dhe u bë nga dueti artistik i New Yorkut, Gillie dhe Marc.
Vendimi mbi shtatoret në hapësira të ndryshme të Kosovës pa kritere dhe pa komisione profesionale, shumë shpesh ka rezultuar me dështim të këtyre shtatoreve, shkruan KultPlus.
Njohësit e kësaj
fushe shpesh kanë ngritë zërin kundër këtyre vendimeve, duke pas kritikë edhe për
shtatoret që pretendohen të jenë realizuar profesionalisht, por sipas tyre,
edhe këto që synojnë të jenë më profesionale se të tjerat shpesh qëllojnë të
ngjajnë me njëra tjetrën, dhe vështirë është të dallohet figura se kujt i është
dedikuar kjo shtatore.
KultPlus ju sjell disa nga shtatoret të cilat janë kritikuar shumë për joprofesionalizëm./KultPlus.com
Ylli i kinematografisë u nderua në edicionin e 70-t të festivalit të filmit në Berlin, me një shpërblim special që e nderon karrierën e saj të suksesshme.
Aktorja 74-vjeçare Mirren, e kishte fituar shpërblimin e parë Oscar në kategorinë “Aktorja më e mirë” në vitin 2007, për portretizimin e mrekullueshëm të Elizabetës së Dytë në filmin “The Queen”, dhe gjatë karrierës filmike 5 dekadash i ka pranuar shumë çmime tjera të rëndësishme.
“Ky trofe është shumë i lezetshëm. Mendoj se statuja ime ‘Oscar’ do të dashurohet me të,” tha duke bërë shaka aktorja, teksa po e pranonte në skenë shpërblimin e saj.
Por, momenti më i duartrokitur për Mirrenin në festivalin që mbahet në kryeqytetin gjerman, ishte kur ajo i tha publikut se ende e konsideron veten një evropiane, pavarësisht Brexitit.
Gjatë ditës, aktorja e njohur britanike duke bërë shaka i kishte kërkuar gazetarëve që ta presin me ovacione, në një konferencë shtypi ku foli për jetën dhe karrierën e saj, transmeton Koha.net.
Përveç roleve në filma të suksesshëm si, “Gosford Park” dhe “The Madness of King George”, Mirren po ashtu është lavdëruar për performancat e mrekullueshme në projekte të ndryshme teatrale dhe televizive.
Dy ngjarje tronditëse kanë ndodhur në Shqipëri në 24 orët e fundit. Një grua së bashku me vëllanë e saj janë vrarë në Mirditë, nga ish-bashkëshorti i saj, dhe një grua është vrarë në mes të Durrësit, në mes të ditës, në mes të njerëzve.
Patriarkalizmi na është ulur këmbëkryq, madje është kthyer në një pandemi, që nuk po i gjendet shërim. Nuk do të merrem me asnjë nga rastet specifike, pasi fjalët nuk mjaftojnë për të shprehur trishtimin e vrasjeve të grave nga burrat ose ish-burrat e tyre.
Le të japim pak fakte, për ta konfirmuar se jemi në një pandemi partriarkalizmi dhe dhuna ndaj grave në shoqërinë tonë është një problem emergjent. Vetëm me shifa dhe me fakte, do e nxjerrim të keqen në pah dhe hajde të gjejmë zgjidhje!
Vetëm gjatë viteve 2018-2019, në Shqipëri janë vrarë në familje 23 gra. 11 prej tyre janë vrarë në 2018 dhe 12 në 2019, kryesisht nga bashkëshortët, ish-bashkëshortët, ose partnerët e ish-partnerët.
Situata më dramatike paraqitet nëse marrim shifrat e 5 llojeve të dhunës nga raportet e publikuara nga sektori i grave dhe vajzave në zyrën e Kombeve të Bashkuara, INSTAT dhe disa organizata ndërkombëtare të tjera, dhe që kampioni i marrë në studim është i madh, dhe është konsideruar si studim kombëtar i besueshëm.
Kështu, 33.7% e grave dhe vajzave në Shqipëri, kanë përjetuar dhunë në familje nga partneri intim gjatë kohës që është bërë studimi (2019) dhe 47% e tyre kanë përjetuar të njëjtën dhunë ndonjëherë.
61% e grave dhe vajzave, kanë përjetuar dhunë gjatë marrëdhënieve dashurore intime gjatë kohës që është bërë studimi, dhe 65 % prej tyre kanë përjetuar dhunë më parë. (Shuma e % nuk del 100%, pasi të anketuarat, mund të kenë përjetuar më shumë se një lloj dhune).
2.4% e grave dhe vajzave kanë përjetuar dhunë nga jopartneri që në moshën 15-vjeç, gjatë kohës që është bërë studimi, dhe 18.2% e tyre kanë përjetuar të njëjtën dhunë në jetën e tyre.
8.5% e grave dhe vajzave, kanë përjetuar ngacmim seksual, gjatë kohës që është bërë studimi, dhe 18.1% e tyre gjatë jetës së tyre.
6.9% e grave dhe vajzave kanë përjetuar përndjekje, gjatë kohës që është bërë studimi, dhe 12.6 % e tyre kanë përjetuar përndjekje gjatë jetës së tyre.
52.9% e grave dhe vajzave, kanë përjetuar njërën nga 5 llojet e dhunës së sipërpërmendura.
E dini çfarë do të thotë kjo shifër?
1 në 2 gra në Shqipëri është e dhunuar! Kjo është padyshim një shifër alarmante.
Nëse vazhdojmë më tej, 58.8 % e grave dhe vajzave, kanë përjetuar dhunë fizike ose kanë pasur lëndime nga dhuna në familje.
Këto shifra mjaftojnë për të ulëritur, dhe për të brohoritur në mbrojtje të të drejtave të grave dhe vajzave, kundër dhunës ndaj tyre dhe marrjen e menjëhershme të masave, që këto përqindje skandaloze të vijnë e të ulen.
Haqif Mulliqi është nga dramaturgët më në zë të
Kosovës, gjithashtu regjisor, kritik, publicist, profesor. Ka shkruar mbi 20
drama, ndër të cilat Kosowars, Katër
epoletat, Një varr për majorin e mbretit, Gjakova një luftë ndryshe, Si e
mposhta Mussolinin, Komedia, Komemorativisht, Trenat etj. Vëllimi: Parfumeria, Përralla klaustrofobike, Dramë
për mua, Mirjam dhe Sandrin, Asgjë veç Gjuzepes, Maksi dhe Kimi apo takimi pas
21 vjetësh dhe Katër epoletat)
vijon të paraqesë forma të larmishme
dramaturgjike jo thjesht si struktura dhe kompozime letrare interesante, por
kryesorja si projektime ndjesish, kundërtish psikike e mendësish, të cilat
identifikojnë atë çka është thelbore për njeriun, jo vetëm dhe përjashtimisht
për njeriun shqiptar por i kundruar tanimë ai si qenie a një realitet
ontologjik e kozmopolit. Në dukje këto drama ngjajnë se nuk kanë ndonjë
konflikt të vrazhdët, bardh e zi, si të thuash të përshfaqur në “fronte” e
linja shoqërisht të dizajnuara qartë dhe të “pozicionuara” përfundimisht. Ca më
pak, nga pikëpamja numerike e vizuale në skenë, ato nuk marrin përsipër të
sjellin përmasa politike a sociale të mëdha, ku të ndeshen grupe njerëzish,
klasa a kombe armiq të përbetuar ndaj njëri-tjetrit, as të rimodelojë në
paradigma letrare klasike gjente heroin dhe tradhtarin, të mirin dhe të ligun,
etj. Përkundrazi, konflikti është aty, shi buzë këmbëve të personazheve, i
hapur si një humnerë mbijetese, si makth apo shastisje, në të shumtën e herës i
shoqëruar nga situata jermi, përmes vegimesh e halucinacionesh, ku vërtiten si
në centrifugë ndoca shpirtra të dërmuar nga ndodhi dramatike a tragjike të
hershme, që i risjellin në formë traumash e gjendjesh nevrotike, ashtu të
lënduar nga pamundësia e rikuperimit, ashtu të turbullt, të hutuar e ambiguidë.
Parfumeria
Drama Parfumeria, nga më të arrirat e këtij vëllimi dhe të vetë autorit, vjen në formë reminishencash të mbivendosura e të gjymtuara, ku shthuret faktori i vijimësisë kohore por edhe identiteti hapësinor, ku dy pensionistë dikur miq e rivalë të njëri-tjetrit, zoti Brut dhe zoti Spajs, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të dashuruar me po të njëjtën femër, zonjushën Meri. Falë digresioneve, ata na rrëfejnë, herë tragjikisht e herë duke u qesëndisur nga autori, xhelozitë e tyre, kllapitë dhe tentativat e ndërsjella për të bërë krim ndaj njëri-tjetrit, sikurse edhe ndaj Merit dikur. Meri-dashuria është kthyer në një metaforë sunduese apo në simbolin e vetë qenies së tyre: një jetë me të dhe pa të. Veçse ajo është një dashuri qysh në kryeherë e tradhtuar, e ndotur, aspak e virtytshme. Është furia e pasionit-amok që shkatërron arsyen dhe shndërrohet në fiksacion. Dashuri që të stërmundon. Që vret. Që shkatërron. Në një moshë tanimë të shkuar, që të dy të braktisur, mbetur diku në një pension, të shpërfillur, në prag vdekjeje, kur ndjenja e dikurshme e hakmarrjes, sidoqoftë, është fashitur, ata, Bruti dhe Spajsi, s’mund ta kuptojnë të shkuarën dhe të sotmen e tyre jashtë e pavarësisht imazhit dritësues: Merit. Dashuria dhe xhelozia, mundësia dhe pamundësia, faji dhe pafajësia nuk janë të ndara, përkundrazi të pleksura dhe përtej një paragjykimi çfarëdo. Të tre janë të fajshëm, të tre janë të pafajshëm. Jeta qenka e tillë: faj në pafajësi ose pafajësi në faj.
Dramë për mua, Mirjam dhe Sandrin
Paçka se teknika e krijimit të turbullirës mendore ruhet si element parësor
për krijimin e situatës emocionale, gjithsesi drama Dramë për mua, Mirjam dhe Sandrin rreket ta ringre subjektin dhe bashkë
me të elementin narrativ si gjësend real, të njëmendtë, i zhvilluar në kohën
dhe hapësirën e matshme, me përjashtim të epilogut kur lexuesit i jepet një
informacion shtesë, në formë kundërshtie a kthimi përmbys të gjithçkaje të
thënë më parë, duke e shndërruar atë që është shfaqur si reale dhe e njëmendtë
në diçka tjetërfarë, pra në një kllapi a gjendje onirike halucinative, që në
fakt e paska kaluar personazhi kryesor, Lon Dukagjini, pas një aksidenti a
sëmundjeje vdekjeprurëse. Historia e treguar përmes një dialogu me ngarkesë
emotive i fatit të trishtë e dramatik të çiftit Mirjam-Sandër, kur ky i fundit,
në prag të kurorëzimit të martesës me Mirjam, aksidentohet i goditur keq prej
një makine duke mbetur ulok në karrocë, është një histori që e tejkalon natyrën
e vet sentimentale. Kjo sepse mesazhi zhvendoset: a) nga pikëllimi për gjendjen
tragjike të Sandrit të mbërthyer në karrocë, i cili e ndjen veten të tepërt, si
një hedhurinë njerëzore dhe që vuan nga meraku se e bezdis fort Mirjamin duke
ia prishur asaj lumturinë dhe të ardhmen, b) te diskutimi për thelbin e
dashurisë dhe të sakrificës për tjetrin, kur nga Loni mësohet se Mirjam nuk
është motra e Sandrit por e dashura e tij, e cila ka vendosur t’i përkushtohet,
pa e lënë të vetëm si një paraplegjik në karrocë. Pra dashuria tejkalon çdo
limit “arsyetimi” dhe “logjike” me natyrën vetëmohuese të saj, ashtu sikurse,
nga ana tjetër, dashuria e Lonit ndaj Mirjam, sado që një keqkuptim dhe veçse
në fillesën e një raporti virtual e të mundshëm, ushqen idenë e çiltërsisë dhe
fisnikërisë njerëzore. Të dyja idetë tubohen e shkrihen në një: te dashuria si
vlera humane më e epërme, së cilës i blatohen jo vetëm pasionet erotike, por më
së shumti qëndrimet humane në formën e një raporti etik si dhe me praninë e sakrificës
për tjetrin, në situata të rënda siç është ajo e Mirjam ndaj Sandrit. Ndërkohë,
projektimi i dramës si një sendërtim i makthit të Lonit pas aksidentit, me
pendesën, vuajtjen shpirtërore dhe vegimet torturuese, i japin asaj natyrë
introjektive, brenda një qasjeje letrare postmoderne.
Përralla klaustrofobike
Në dramën Përralla klaustrofobike ngjarja shkasore është e thjeshtë: dy personazhe mbyllen aksidentalisht disa ditë në një ashensor në pritje të shpëtimit. Kolizioni dramatik në kuptimin tradicional, nuk ekziston. Ka veçse një gjendje ankthi të Jonit i cili vuan nga klaustrofobia. Lexuesi e kupton vonë shkakun e kësaj sëmundjeje: vrasjen e nënës nga i ati si pasojë e xhelozisë. Kështu, mbyllja në ashensor, domethënë klaustrofobia, kthehet në premisë e shtysë parake për vlimin e vazhdueshëm emocional të Jonit, e cila jepet në formën e një trysnie që përshkon gjithë veprimin, derisa shfaqet e plotë dhe domethënëse. Rrethanën e mbylljes në formën e një rasti të pastër autori e shndërron në premisë dramaturgjike për të rizgjuar ndërgjegjen e agravuar nga një “ngërç” psikik, që e ka mbajtur nën trysni Jonin dhe ia ka rimodeluar kujtesën nën një tjetërsim tragjik, çka nga pikëpamja strukturore kjo epohet drejt formave psikoanalitike të shqyrtimit të personazhit, pasuar nga një mënyrë befasuese e zbulimit të mundimshëm e të nduarnduarshëm të së vërtetës.
Maksi dhe Kimi, apo takimi pas 21
vjetësh
Në teknikën e pështjellimit emocional dhe delirit të marrëzisë ndërtohet
edhe diadrama Maksi dhe Kimi, apo takimi
pas 21 vjetësh, e cila, me vështrimin e hedhur pas te një lidhje dashurore
e trefishtë: Kimi që do Mellaninë, edhe pse ajo e tradhton thuajse çdo natë,
nga njëra anë dhe Maksi që do Kimin, i cili e ka nxjerrë nga burgu dikur dhe
që, në pamundësi për t’i ofruar haptazi dashurinë prej burri, ia vret të
dashurën, Mellaninë. Drama e ruan suspansën deri në fund, kur lexuesi,
befasisht, merr vesh se Maksi e ka dashur Kimin jo si shok por si mashkull, ka
vuajtur tmerrin e refuzimit dhe xhelozisë, dhe për këtë shkak kryen edhe
krimin. Erotika homoseksualiste, me sa di, është e para e sendërtuar
drejtpërdrejt në një dramë shqipe në formën e një subjekti me elemente të forta
thrilleri dhe sendërgjimi. Ajo ngjan paksa me tipin e dramës “Parfumeria”,
veçse kahet e veprimit dramatik, krimi dhe përndjekja reciproke, ndryshojnë:
nga dy burra që duan të njëjtën grua, tashmë ndodh e kundërta: një grua që
vihet në mes të dy burrave si shkak xhelozie, hakmarrjeje dhe zhbërjeje morale.
Asgjë veç Gjuzepes
Asgjë veç Gjuzepes, dramë me tre personazhe, është po e tipit të
situatës së turbullirës shpirtërore dhe fiksacionit të kthyer në makth. Gjoni
apo Gjoshua, Gjosho, ka pësuar një aksident. Tek po çonte gruan e vet
shtatëzanë, Angjelinën, në spital, për të lindur fëmijën e tyre të parë
Gjuzepen, pra frytin e dashurisë, ai i ka humbur që të dy, atë dhe fëmijën e pa
lindur. Dhe 31 vjet ai heq dhe vuan gjithpo këtë fatkeqësi. Gjithnjë e më i
mbyllur në vetvete, gjithnjë e më mizantrop, gjithnjë e më i rrethuar nga
fantazmat dhe halucinacionet. Veç modelit të përqendrimit në shtjellën psikike
të një personazhi, në këtë rast të Gjonit, – autori aplikon ritualet fjalësore
si dhe ato gjestuale që përsëriten, çka të kujton dramat e Samuel Beketit. Kjo
është bërë për të krijuar ciklet e mbyllura dhe te frenuara të vetëdijes me
qëllim ngulitjen e mendjes, përfytyrimit dhe imazhit te po e njëjta pikë
verbuese: aksidenti dhe humbja e fëmijës, rrjedhimisht e lumturisë, pasuar nga
një pritje e gjatë, tejet e lodhshme e rraskapitëse, mbyllur në një pension a
çmendinë (kjo s’ka rëndësi). Vdekje fizike për Gjonin s’ka, por, në fakt,
vdekja ka ndodhur, është aty: vdekja e lumturisë, vdekja e vetë shpirtit. Gjoni
rron me vdekjen, ushqehet prej saj, dhe kujtimet e tij të përmbysura s’janë veçse
një formë e vdekjes në jetën-vdekje.
Drama që
përkthehen në situata tragjike të natyrës ekzistencialiste
Duke i këqyrur të pesë dramat së toku, në funksionet e poetikës letrare estetike, më duhet të them se Haqif Mulliqi afër mendsh që ndjek tipologjinë e dramës absurde, e gërshetuar kjo me atë surrealiste dhe ekzistencialiste, ku elementi onirik, jermi, kllapitë, vegimet, halucinimet, deformimet bëhen pjesë e krijimit të trysnisë psikologjike dhe shansi, ndoshta i vetëm, për të ndërtuar impakte të forta me publikun. Falë “infektimit” të recipientit me “goditje” e shpërfaqje nebulozash psikike prej njerëzish të “sëmurë”, autori realizon qëllimin e pritshëm për të ofruar situata vërtetë dramatike, të cilat janë “gëlltitur” prej vetëdijes e janë strukur thellë në pavetëdije duke u konvertuar në cytje, trysni dhe erupsion psikik të atypëratyshëm. Në rastet më fatlume, këto drama përkthehen në situatat tragjike të natyrës ekzistencialiste, qoftë pse grotesku aty tinëz ngre kryet e nuk se përjashtohet. Herë tjetër subjekti, edhe pse është konceptuar dhe procedon me një mbyllje fatale, tragjike, megjithatë, ai jep shkas për zgjidhje të tipit të absurdit, ku e mira, humanistja dhe e virtytshmja në vend që të triumfojnë natyrshëm, përkundrazi mbyten nga e keqja, krimi dhe mosmirënjohja; ku e “pritshmja” bëhet e papritshme dhe e nënkuptuara e kuptueshme. Dramat kanë pak personazhe, dy prej tyre kanë vetëm dy të tillë, ndërsa tre të tjera kanë nga tre gjer në katër. Elementi i suspansit dhe kontrapunktit shfrytëzohet me sens dhe enkas, për të sjellë sa gjendje nevrotike, vrullime ndjenjash të papritura apo mllefe të grumbulluara e të mbajtura brenda vetes për një kohë të gjatë, aq edhe çaste shastisjeje e ngulfatjesh psikike të cilat jepen fillimisht në tone disi të qeta, për t’u rritur në kreshendo në fund, gjer në shpërthime të papërmbajtura. Diku gjetkë toni mbahet i nderur qysh në krye. Dialogu është i kahut psikologjik; edhe kur rrëfehet historia, asnjëherë shtypja psikologjike nuk mënjanohet. Duhet të jesh i vëmendshëm për të rrokur me tërësej ashtën e memories së kësaj shtypjeje psikologjike, që shpërfaqet pak nga pak dhe që ka shkaktuar ngërçin, vuajtjen, torturën… /KultPlus.com
Në vitin 2012 u vranë 28 gra.
Në vitin 2013 u vranë 24 gra.
Në vitin 2014 u vranë 10 gra.
Në vitin 2015 u vranë 18 gra.
Në vitin 2016 u vranë 12 gra.
Në vitin 2017 u vranë 15 gra.
Në vitin 2018 u vranë 16 gra.
Viti 2019 nisi përgjakshëm, duke shënuar vetëm 5
muajt e parë 9 gra të vrara, përkatësisht një grua e vrarë çdo dy javë.
Viti 2020…
A mund të lejojmë që numri i
femrave të vrara të jenë thjesht një statistikë?!
A mund të mjaftohemi me një marshim, me një foto, me një hashtag njëherë në vit
dedikuar viktimave…?!
A vlen për ne një JETË ?!
A vlen për ne JETA ?!
Sot nuk mjafton një shkrim, nuk
mjafton një foto, nuk mjafton një sensibilizim, nuk mjafton një marshim.
A do ulemi së bashku të shohim problemet drejt në sy e të gjejmë zgjidhje
reale?!
A do të çirremi për këto zgjidhje deri sa të arrijnë efektin e duhur?!
A do t’i lëmë mënjanë ndasitë dhe dukjet e të fokusohemi te JETA ?!
Ç’vlerë ka e ardhmja nesër nëse ne nuk mobilizojmë të gjitha energjitë tona për të mbrojtur JETËN sot?!/ KultPlus.com
Policia e Kosovës e ka konfirmuar intervistimin e 13 vjeçarit në Drenas, i cili dyshohej se e ka xhiruar mësuesin tek e rrihte një nxënës në klasë.
Megjithatë, PK-ja përmes këtij reagimi thotë se intervistimi i tij ka zgjatur më pak se 2 orë, meqenëse, në raport theksohet vetëm ora kur ai është futur në stacionin policor dhe dalja nga aty.
Policia thotë se intervistimi i tij ka ndodhur në orët e darkës, prej 17:38 deri 19:21, megjithatë familjarët të nxënësit kanë konfirmuar mbrëmë për Koha.net se ai është marrë prej shtëpisë shumë orë më herët për intervistim.
“PK-ja sqaron me sa vijon: referuar raporteve zyrtare, me 24.02.2020, policia pasi ka pranuar informatën për një rast, ku një mësimdhënës rrah një nxënës në një klasë mësimi, ka iniciuar rastin ‘sulm’. Policia ka intervistuar viktimën (nxënës) në prezencë të prindit dhe punëtorit të Qendrës për Punë Sociale dhe të dyshuarin (mësimdhënës). Vlen të ceket se as viktima, as i dyshuari nuk e kanë pranuar se ka ndodhur rasti. Policia për rastin dhe ecurinë ka njoftuar prokurorin. Prokurori ka autorizuar policinë që të vazhdojë ta hetojë rastin”, thuhet në reagimin e PK-së.
Intervistimi i nxënësit është bërë në orët e darkës, dhe vetëm një ditë pasi është publikuar videoja.
“Me 25.02.2020 policia në vazhdën e hetimit dhe kompletimit të rastit ka ftuar si dëshmitarë dy nxënës të klasës, ku dyshohet se është kryer vepra. Që të dy nxënësit kanë qenë të shoqëruar nga prindërit e tyre, ku për shkak të moshës së dëshmitarëve është ftuar edhe punëtori nga QPS-ja. Po ashtu është thirrur edhe viktima i cili ka qenë i shoqëruar nga prindi”, thuhet në reagim.
Policia thotë se nga njëri dëshmitar ka marrë deklaratë, kurse dy të mitur (njëri në cilësi të viktimës, tjetri të dëshmitarit), nën moshën 14 vjeçare, janë dëgjuar nga punëtori i QPS-së dhe ai ka përpiluar procesverbal pas dëgjimit të tyre.
“Të gjitha veprimet janë ndërmarrë komform rregulloreve të trajtimit të rasteve kur kemi të bëjmë me të mitur, duke pasur parasysh në çdo moment sjellje miqësore ndaj të miturve, të cilët në këtë rast asnjëri nuk ka qenë në cilësi të të dyshuarit. Koha e qëndrimit në stacion policor ka qenë më pak se dy orë (hyrja në stacion policor 17:38h dhe dalja në orën 19:21h, bazuar në incizimet e kamerave), për arsye të procedurave të inkuadrimit edhe të punëtorit të QPS-së, por qëndrimi nuk ka zgjatur assesi katër orë siç pretendohet në shkrim”, thotë PK-ja.
PK-ja thotë se të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim me prokurorin.
“Pas, dëgjimit të dëshmitarëve dhe ridëgjimit të viktimës, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë”, përfundon reagimi.
Këngëtarja Gili është këngëtarja e parë shqiptare që ka bërë një duet me një të huaj.
Gili bashkë me grupin “Trio Rona” në vitin 1988 është
paraqitur në festivalin “Akordet e Kosovës” me këngën “Djali nga Kina” e për të kënduar
këtë këngë ajo kishte zgjedhur një këngëtar kinez, i cili asokohe ka studiuar
gjuhën shqipe në Prishtinë.
Çdo ditë me
të jam në Prishtinë, por mendja tij është larg në Kinë, është një pjesë e refrenit
të kësaj kënge që ishte shndërruar në një hit të madh për ato vite.
Kënga ishte kënduar në gjuhën shqipe dhe kineze, ndërsa ishte shpallur fituese e festivalit të vitit 1988./KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur në takim zëvendësministrin e MKRS-së, Ismet Beqiri, i cili zyrtarisht edhe ka pranuar këtë detyrë.
Ministrja Dumoshi gjatë takimit e njoftoi zëvendësministrin Beqiri për punën dhe programin që do të realizojë ministria për këtë vit si dhe planet e MKRS-së që synohen për t’u arrirë gjatë këtij mandati qeverisës.
Dumoshi e Beqiri diskutuan për bashkërendimin dhe ndarjen e përgjegjësive që pritet t’i kenë në këtë bashkëpunim në kuadër të udhëheqjes së ministrisë.
Ministrja Dumoshi e informoi zëvendësministrin se përkundër sfidave që ka MKRS-ja në avancimin e fushave që mbulon, bashkërisht me një koordinim efikas do të përmbushen të gjitha objektivat, u shpreh mes tjerash ministrja Dumoshi.
Placido Domingo u ka kërkuar falje femrave që i lëndoi, të cilat e akuzuan për ngacmim seksual.
Ylli i operas dha dorëheqjen si menaxher i përgjithshëm i Los Angeles Opera pasi akuzat ndaj tij dolën në dritë.
Gjithsej 20 gra e kanë akuzuar Domingo për ngacmim seksual dhe sjellje të pahijshme.
Por ai i ka mohuar të gjitha pretendimet.
“E respektoj faktin që këto gra më në fund ndihen komode për të folur,”– tha ai për Los Angeles Times. “Dua që ato ta dinë se më vjen vërtet keq për lëndimin që u shkaktova.”
Ndërsa më pas Domingo shtoi: “Pranoj me përgjegjësi të plotë veprimet e mia dhe jam rritur nga kjo eksperiencë.”
Deklarata e tij u lëshua pas një hetimi ndaj Placido nga një sindikatë amerikane që përfaqëson interpretues të operës.
Hetimi zbuloi se ai ishte përfshirë në sjellje të papërshtatshme, duke filluar nga flirtimi deri tek ngacmimit seksuale, brenda dhe jashtë ambienteve të punës.
Akuzat, që shkojnë pas në kohë deri në vitet ’80, u bënë për herë të parë publike në gusht nga Associated Press.
Sipas pretendimeve, Domingo u kishte bërë shpesh presion grave për marrëdhënie seksuale dhe shpeshherë i ndëshkonte profesionalisht nëse refuzonin.
Në deklaratën e tij të fundit, Domingo tha se kishte marrë kohë gjatë muajve të fundit për të reflektuar mbi akuzat që kolegë të ndryshëm bënë ndaj tij.
79 vjeçari është një nga yjet më të mëdhenj të operës. Ai është i martuar me gruan e dytë, sopranon Marta Ornelas, që nga viti 1962.
Rroga vjetore e juristit në PTK= 140.000€ Rroga vjetore e pilotit në NASA= 136.069$
Katër dekada punë pajadá, gazetar e redaktor, kryeredaktor, analist politik dhe analist i ligjeve, këshilltar i Kryeministrit… Kam dalë nga Qeveria e vendit me 150 € në konto. Shkrimtar, autor i dhjetë librave. Ekspert i medias, profesor… Kurrë në jetë nuk kam marrë pagë vjetore sa paga mujore prej 12.400 € e ekspertit ligjor në PTK!?/KultPlus.com
“Bota nën një kulm të vetëm” , kjo është motoja e Festivalit të 9-të të popujve dhe kulturave të tyre që po mbahet nën patronatin e princit të regjionit të Medines Fejsal bin Selman bin Abdulaziz, shkruan KultPlus.
Festivali organizohet nga
Universiteti Islamik i Medines nga 24 shkurt dhe 8 mars 2020.
Rektori i këtij
Universiteti dr. Muhamed al-Utejbi tha se qëllimi i këtij festivali është
forcimi i dashurisë, vëllazërisë dhe njohjes sa më të afërt të kulturave të
popujve të ndryshëm.
Ai theksoi se në
këtë festival për herë të parë po marrin pjesë 100 shtete, ku secili nga këto
shtete ka këndin e vet që është i tëri nën organizimin e studentëve të secilit
shtet.
Padyshim se Kosova
është njëra nga shtetet që merr pjesë në këtë festival dhe këtë vit ambasadori
i Kosovës në Arabinë Saudite Lulzim Mjeku po qëndron në vizitë të këtij festivali.
Ai falënderoi studentët e Kosovës për paraqitjen e tyre të shkëlqyer të kulturës, zakoneve dhe veshjes sonë autoktone.
Në këtë festival 100 shtetet paraqiten si një familje e madhe dhe Kosova është e kënaqur që po merr pjesë në të./KultPlus.com
Ne shqiptarët e sotëm, të 100 vjetëve të fundit, nuk meritojmë dy gjëra: gjuhën shqipe dhe Skënderbeun.
Ndërkaq, më duhet të them
se pjesa jonë më e mirë, me shumë diferencë më e mirë, janë femrat tona. Meshkujt
shqiptarë të sotëm nuk i meritojnë femrat shqiptare. Une nuk di të ketë të
tjera të barabiten me tonat: femrat e vendeve alipine (si tirolezet, psh) ose
skandinavet kane trupa më të lartë dhe lëkurë më të pastër, por femra shqiptare
i thyen ato me “brio”, me një materie në formë fushe që rrezaton
vazhdimisht prej tyre, sikur femrat tona të gjysmë-zbërtheheshin si uraniumi.
Unë nuk e ve aspak në dyshim që Shqipëria do ishte në EU sot,
sikur të varej kjo vetëm nga femrat e saj. Shprehja për frengun, që sikur kombi
francez të përbëhej vetëm nga gra, sa komb i tmerrshëm do ishte, për ne përkthehet
“sa komb i bukur do ishte”.
Në këtë kuptim, dështimi modern historik i shqiptarëve është thuajse kryekëput një dështim mashkullor. Ne i jepemi botes përjashta përmes skalioneve të meshkujve dështakë.
PS: Ta kisha në dorë, do vendosja alaminut ligjin për dënim të përshpejtuar me vdekje për dy kategori: molestuesit e fëmijeve dhe tutorët e femrës shqiptare. Këta të fundit do eleminoheshin fizikisht edhe sikur tutorllëku të vërtetohej që ishte bërë me pëlqimin e femrës. E vetmja gjë vërtetë e mirë e arteve tona figurative është paraqitja e Shqipërisë si grua (nënë), ndërsa vetë folku ynë nuk mund të gabonte: e paraqet si gocë të re (nuse)./KultPlus.com
Lindita Halimi e cila është e njohur për zërin e saj të veçantë dhe që ka mar pjesë edhe në shumë festivale muzikore, kësaj here po vjen në Kosovë me një qëllim tjetër, shkruan KultPlus.
Lindita e cila njihet edhe për
transformimet trupore, tash e pesë vite punon edhe si instruktore fitnesi në
Amerikë, dhe përvojën e saj dëshiron ta vë në shërbim të vendasve të saj, andaj
ajo ka vendosë që të vij në Prishtinë për tre muaj, që të jetë trajnerë personale
në fitnes BootCamp.
Dhe po sipas planifikimit të saj, do të shpallet edhe më i miri i këtyre ushtrimeve tre mujore, ku Lendita Halimi do ta shpërblejë me 2 mijë dollarë./KultPlus.com
Nëpërmjet një komunikate, udhëheqësit e TKK-së kanë njoftuar se me moton “Teatri Kombëtar ËSHTË i Kosovës”, do të nisin turin nëpër komuna të Kosovës, shkruan KultPlus.
Më poshtë KultPlus
ju sjell komunikatën e plotë të këtij institucioni.
Turneu i TKK-së nëpër komuna të
Kosovës
Në bazë të
politikave të miratuara nga këshilli drejtues dhe menagjmenti i TKK-së, për një
prezantim të shfaqjeve nëpër komuna të ndryshme të Republikës së Kosovës, ua prezantojmë
turneun e shfaqjeve të TKK-së me moton “Teatri Kombëtar ËSHTË i Kosovës”
Në perspektivë,
synojmë, që çdo muaj të prezantojmë nëpër komuna të ndryshme, shfaqje nga
repertori i TKK-së, duke qenë të bindur se Teatri Kombëtar i Kosovës nuk është
vetëm për banorëve të kryeqytetit por është i krejt Kosovës.
Datat e prezantimeve
janë përzgjedhur të jenë në kuadër të shënimit të festave të marsit.
Datat e prezantimeve
janë:
Ferizaj, 02
Mars 2020 “ Shfaqja e fundit e Marije Gjonit”
Prizren, 03
Mars 2020 “Sfinga e gjallë”, nga Rexhep Qosja me regji të Blerta Neziraj
Gjakovë 04
Mars 2020 “Karnavalet e Korçës”, nga Spiro Çomora me regji të Altin Basha
Gjilan 05
Mars 2020 “Sfinga e gjallë”, nga Rexhep Qosja me regji të Blerta Neziraj
Në perspektivë synojmë të krijojmë një traditë të prezantimeve në për të gjitha komunat e Kosovës, aty ku ka kushte teknike për shfaqjen e produksioneve tona, duke qenë gjithnjë e më afër shikuesit dhe duke arsyetuar kështu edhe emrin që mban Teatri Kombëtar i Kosovës./ KultPlus.com
“Në rezidencën e Francës, Shkëlqesia e saj ambasadorja e Francës, Marie-Christine BUTEL do të ketë nderin të dekorojë zonjën Arta DOBROSHI me urdhrin“Kalorëse e Arteve dhe Letrave” ” ka njoftuar Ambasada e Francës në Kosovë, shkruan KultPlus.
Kjo ceremoni do të mbahet më 26 shkurt, në ora 18:00 në rezidencën e Francës, dhe kjo dekoratë është njëra nga dekoratat më të larta që e ndan Republika e Francës, përmes së cilës shpërblen individët, që janë dalluar përmes krijimtarisë së tyre, në fushën artistike ose letrare, apo përmes kontributit që ata kanë dhënë për shtrirjen dhe promovimin e artit dhe letërsisë në Francë dhe në mbarë botën.
Përmes kësaj dekorate, Republika e Francës njeh kontributin e jashtëzakonshëm të zonjës Dobroshi, gjatë gjithë karrierës profesionale, në përhapjen e gjuhës dhe kulturës franceze në Kosovë./KultPlus.com
Edhe pse tërheqë turistë nga e gjitha bota, presidenti i rajonit të Venecias ka marr një vendim që të ndërpresë këtë festival kaq të njohur, shkruan Reuters, përcjell KultPlus.
Bëhet fjalë për Karnevalin e
Venecias, dhe anulimi i këtij Karnevali vjen pas shqetësimeve nga koronavirus.
Luca Zaia ka marë një vendim që aktivitetet e kulturës dhe sportit të ndërpriten deri më 1 mars./KultPlus.com
Shkolla private “Udha e Shkronjave”, nëpërmjet një komunikate të lëshuar nga drejtori Artur Shkurti, kishte njoftuar se do të shkojnë në pushim, si preventivë nga mbrojtja e koronavirusit, shkruan KultPlus.
Mirëpo një
vendim të tillë nuk e ka pritur mirë Ministria e Arsimit, e udhëhequr nga Besa
Shahini, e cila ka vendosë që ti marr licencën kësaj shkolle dhe drejtuesit e kësaj
shkolle të ndiqen nga organet e drejtësisë.
Më poshtë po
e sjellim të plotë reagimin e ministres Shahini.
Shkolla
mbyllet jashtë planit të vitit shkollor VETËM me urdhër ministri. Udhëheqësit e
një shkolle private kishin vendosur të mos respektonin këtë dhe e kanë mbyllur
shkollën për 2 javë. Në kushte të kësaj paligjshmërie, jemi të detyruar që
shkollës t’ia heqim licencën.
Nxënësit do të transferohen në një shkollë tjetër. Ndërsa udhëheqësit e shkollës që përhapin panik duke mbyllur shkollën në mënyrë të jashtëligjshme, për gjoja parandalim të një situate virale e cila NUK ekziston në Shqipëri, duhet të ndiqen nga organet e drejtësisë./KultPlus.com
Të gjithë mund të pajtohemi se frika nga
vdekja është frika më themelore me të cilën përballen të gjithë njerëzit në
jetën e tyre. Ne mund të përpiqemi të harrojmë pasigurinë tonë për atë që ndodh
në jetën e përtejme, por frika është gjithnjë e pranishme, gjithnjë nën
sipërfaqe. Çfarë duhet të thonë Budistët në lidhje me këtë ngjarje krejtësisht
të natyrshme, por në dukje të padëshirueshme, në të cilën mbaron e gjithë jeta
njerëzore? Ne gjetëm një fragment të rrallë të një prej fjalimeve të Dalai
Lamas nga viti 1994, ku ai ndan perspektivën e tij mbi atë që ndodh kur vdes
njeriu.
Ai e ofron një këshillë
praktike mbi atë se si ta jetojmë një jetë të virtytshme për tu përgatitur për
gjykimin e fundit:
“Si Budist, unë e shoh vdekjen
si një proces normal, një realitet që unë e pranoj se do të ndodhë për sa kohë
që unë qëndroj në këtë ekzistencë tokësore. Duke e ditur se nuk mund t’i
shpëtoj dot, nuk shoh asnjë pikë shqetësimi për këtë. Unë jam i prire të mendoj
se vdekja është si të ndryshosh rrobat kur ato janë të vjetra dhe dëmtuara, se
fundi i fundit megjithatë vdekja është e paparashikueshme.
“Ne nuk e dimë kur ose si do të
ndodhë, kështu, është e arsyeshme vetëm të marrim masa paraprake para se të
ndodhë në të vërtetë “Procesi i vdekjes fillon me shpërbërjen e elementeve
brenda trupit Ai ka tetë faza, duke filluar me shpërbërjen e elementit të
tokës, pastaj elementët e zjarrit të ujit dhe erës. Ngjyrat: shfaqja e një
pamje të bardhë, shtimi i elementit të kuq, e zeza kur jemi afër arritjes dhe më
në fund, drita e pastërt e vdekjes.
“Nuk ka asnjë mënyrë për t’i
shpëtuar vdekjes, është njësoj si të përpiqesh të shpëtosh nga katër male të
mëdha duke prekur qiellin. Nuk ka shpëtim nga këto katër male të lindjes,
pleqërisë, sëmundjes dhe vdekjes.
“Plakja shkatërron rininë,
sëmundja shkatërron shëndetin, degjenerimi i jetës shkatërron të gjitha
cilësitë e shkëlqyera dhe vdekja shkatërron jetën. Edhe nëse jeni një vrapues i
shkëlqyeshëm, nuk mund të shpëtoni nga vdekja. Ju nuk mund ta ndaloni vdekjen
me pasurinë tuaj, përmes shfaqjeve tuaja magjike ose recitimit të mantras apo
edhe ilaçeve, prandaj është gjë e mençur të përgatiteni për vdekjen tuaj.
“Nga një këndvështrim Budist,
përvoja aktuale e vdekjes është shumë e rëndësishme. Edhe pse si ose ku
do të rilindemi në përgjithësi varet nga forcat karmike, gjendja jonë e mendjes
në kohën e vdekjes mund të ndikojë në cilësinë e rilindjes tonë të radhës, pra
në momentin e vdekjes, përkundër larmisë së madhe të karmave që kemi
grumbulluar, nëse bëjmë një përpjekje të veçantë për të gjeneruar një
mendje të virtytshme ne mund të forcojmë dhe aktivizojmë një karma virtuoze dhe
kështu të sjellim një rilindje të lumtur.”
Duke ditur procesin e vdekjes,
si ta jetoni jetën tuaj?
Në një pjesë të mëvonshme të
prezantimit, Dalai Lama tregon se si t’i përdorim këto njohuri për të jetuar
një jetë të virtytshme:
“Ne nuk mund të shpresojmë të
vdesim paqësisht nëse jeta jonë ka qenë e mbushur me dhunë, ose nëse mendjet
tona janë shqetësuar më së shumti nga emocione si zemërimi, lidhja ose frika.
Prandaj nëse dëshirojmë të vdesim mirë, duhet të mësojmë se si të jetojmë mirë:
Duke shpresuar për një vdekje paqësore, duhet të kultivojmë paqen në mendjen
tonë dhe në mënyrën tonë të jetesës.”
Qeveria shqiptare në mënyrë zyrtare ka thënë sot se nuk ka asnjë shenjë nga koronavirùsi, por paniku nuk është larguar nga qytetarët. Sot në një njoftim drejtorit i shkollës “Udha e Shkronjave”, Artur Shkurti ka njoftuar se ky institucion arsmior do qëndrojë i mbyllur për dy jave.
Në njoftim Shkurti shkruan se mbyllja është bërë pas konsultimit me prindërit dhe kjo periudhë do t’u shërbejë atyre për të marrë në konsideratë sa më parë masat pjesore ose tërësore të vetëizolimit dhe për të bërë vetëkarantinën për fëmijët e tyre dhe për të qenë përgatitur psikologjikisht në rast të shpërthimit të epidemisë së koronavirùsit.
NJOFTIMI I PLOTË
Drejtoria e shkollës “Udha e shkronjave”, pas zhvillimeve të fundit të shpërthimit të epidemisë së koronavirùsit në Itali dhe pas një konsultimi të ideve të ndryshme të prindërve (secili mori një formular me pyetje), por edhe të specialistëve, vendosi të mbyllë shkollën për një afat dyjavor. (Ky afat mund të shkurtohet ose të zgjatet, sipas situatës.) Kjo periudhë do t’u shërbejë prindërve për të marrë në konsideratë sa më parë masat pjesore ose tërësore të vetëizolimit dhe për të bërë vetëkarantinën për fëmijët e tyre dhe për të qenë përgatitur psikologjikisht në rast të shpërthimit të epidemisë së koronavirùsit.
Ky vendim nuk duhet parë si reflektim i ndonjë informacioni konfidencial, por si pjesë e dyshimit tonë. Do të thotë që ne nuk kemi informacione më shumë se sa jepen në publik dhe sa dini ju, por marrim masa të natyrshme që prindërit të kenë kohë të marrin masa edhe më të forta në rast se është e nevojshme. Mësimet do të vijojnë normalisht ONLINE në forumet tona dhe që është një praktikë tashmë e provuar si e suksesshme. Orari i nisjes së mësimit online do të jetë 9:00 dhe do të përfundojë në orën 15:00, sipas orarit që ka secila klasë.
Urojmë gjithashtu që kjo masë t’ju shërbejë të gjithëve të marrin masa për njerëzit e tyre të afërm dhe mësuesit dhe stafi ndihmës të kenë kohë gjithashtu të kujdesen për familjet e tyre. Duke shfrytëzuar prindërit që kemi mjekë dhe farmacistë, mund të na drejtoheni për pyetje ose këshilla të ndryshme. Shpresojmë që do të ndërtojmë një grup mjaft ndihmues për këdo që është në komunitetin e shkollës. Nga ana jonë përgjegjës për situatën, përveç drejtorisë, Artur Shkurti & Mirela Shkurti, do të jetë Fatos Xhemali, me përvoja me shumë vlerë me Kryqin e Kuq. Po ashtu edhe mësuesja e edukimit fizik Bardha Kordhoni.
Aesha Ash nga New York, gjithmonë kishte ëndërruar të bëhej balerinë, në moshën 13 vjeçare ajo u pranua në një shkollë baleti në New York, dhe vetëm me 18 vjet ajo arriti ti bashkohej Trupës së Baletit të New York, shkruan The Independent, përcjellë KultPlus.
Aesha tashmë nuk është duke performuar, pasi që është pensionuar në vitin 2008, por përvojën e saj si balerinë është duke e përdorë për të ndihmuar vajzat afrikano-amerikane, që të realizojnë ëndrrat e tyre. Ajo tashmë ka realizuar edhe fotografi inspiruese, për të cilat edhe ka pas qëllimin./KultPlus.com
Për shkak të zhvillimeve të shpejta të virusit vdekjeprurës në Itali, stilisti me famë botërore, Giorgio Armani, ka anulluar shfaqjen e tij të ditës së sotme.
Ai ka menduar të “luajë sigurt”, për të mbrojtur stafin e tij nga koronavirusi i cili deri tani e ka çuar në 2 numrin e viktimave në Itali. Armani ka vendosur që sfilata me veshjet e tij për femra të mbahet në një teatër, brenda dyerve të mbyllura.
Stilisti nuk do të lejojë as shtypin dhe as blerës për punimet e tij, për t’u ruajtur në maksimum nga rreziku i infektimit nga koronavirusi. Italia është bënë në alarm dhe qindra persona po mbahen në mbikqyrje, ndërsa numri i të infektuarve deri tani ka shkuar në 50./KultPlus.com
Rezarta Reimann, shqiptarja kandidate për këshillat bashkiakë në Gjermani
Shqiptarja Rezarta Reimann, kandidate për këshillin bashkiak në Schwabach, qytet në afërsi të Nurnbergut, Gjermani. E specializuar për biologji, ajo është angazhuar në veprimtari komunitare dhe ka realizuar disa projekte në fushën e komunikimit e bashkëpunimit ndërkulturor dhe ndërfetar, transmeton albinfo.ch.
Ajo është shqiptarja e parë në Gjermani që ka mbajtur postin e këshilltares bashkiake, ndërsa tani kandidon sërish me SPD-në.
Në 15 mars në qytetin e Schwabach zhvillohen zgjedhjet bashkiake me mandat 6 vjeçar.
Thuhet se Rezarta Reiman është lindur dhe rritur në Shqipëri. Në vitin 1998 jo ka shkuar në Gjermani ku ka mbaruar doktoraturën për biologji në Universitetin e Jena-s. Ajo punon në organizatën humanitare gjermane AWO (ArbeiterWohlfahrt) ndërsa në qytetin Schwabach angazhohet në mënyrë vullnetare.
Po ashtu, duhet theksuar se Reiman ka punuar si mësuese e biologjisë në Schwabach dhe si pedagoge e didaktikës në biologji në Universitetin e Erlangen-Nuremberg. Ajo ka shkruar disa artikuj mbi çështjet bioetike dhe zhvillimin e tyre në shoqërinë shqiptare. /Albinfo.ch.