Christina Aguilera nderon Whitney Houston me interpretimin e “I will always love you” (VIDEO)

Christina Aguilera mbrëmë mori pjesë në American Music Awards 2017, për të nderuar Whitney Houston dhe për të shënuar 25 vjetorin e daljes së “The Bodyguard” më 25 nëntor 1992, përcjellë KultPlus.

Aguilera solli në skenë një përzierje të këngëve nga filmi i “The Bodyguard”. Ajo performancën e saj e filloi me këngën më të njohur të divës “I Will Always Love You” dhe përkundër vokalitetit të saj të fuqishëm, u dëshmua se është e vështirë të jetësohet performanca e Houston. / KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?v=nUv22OHdjQU&feature=share

Dua Lipa bën për vete edhe Meksikën, publiku këndon bashkë me të (VIDEO)

Këngëtarja Dua Lipa është duke shënuar sukses të madh sa i përket paraqitjeve të saja në shtete të ndryshme, shkruan KultPlus.

Së fundi ajo është prezantuar me një koncert në Meksikë e cila është pritur mjaftë mirë nga publiku i atjeshëm.
Në video shihet publiku duke përcjellë këngën e Dua Lipës dhe duke kënduar bashkë me të./KultPlus.com


Filmi “Dita zë fill” filmi më i mirë në Cinedays Festival of European Film (VIDEO)

Filmi me regji të Gentian Kocit është shpërblyer me çmimin “Golden Sun”, çmim i cili jepet për filmin më të mirë në Cinedays Festival of European Film, shkruan KultPlus.

Ky film flet për një nënë e cila bashkë me foshnjën e saj vendosin të jetojnë me një grua të vjetër dhe të sëmurë. Kompromiset morale që njerëzit duhet ti bëjnë kur ballafaqohen me sfida ekonomike dhe ato të mbijetesës, sipas Koçit, janë të pranishme dhe trajtohen në filmin shqiptar që nuk ka shumë kohë lansimi në treg.

Në film luajnë: Ornela Kapetani: Suzana Prifti, Hermes Kasimati, Adele Gjoka…/KultPlus.com

Një fillim i mbarë i “Ditëve të Kulturës Shqiptare në Zvicër”

Aktiviteti filloi në Bernë me një shfaqje teatrore të Studios “Aktrimi”, disa këngë korale të grupit “Lyra”, një ekspozitë të arteve pamore dhe me këngë e valle popullore.

Manifestimi tashmë tradicional “Ditët e Kulturës Shqiptare në diasporë”, ka filluar të premten më 17 nëntor në Bernë. Aktiviteti është ndjekur nga një numër i konsiderueshëm i publikut.

Të pranishëm në këtë mbrëmje kanë qenë ambasadorja e Kosovës në Zvicër, Nazane Breca, Ambasaadori i Maqedonisë Rafet Hajdari dhe konsullja e Shqipërisë Eliverta Radomi. Ata kanë përshëndetur në emrin e institucioneve që përfaqësojnë, duke përgëzuar artistët nga diaspora për punën e tyre në prezantimin e kulturës shqipatre në Zvicër.
Ambasadorja Breca ka falënderuar komunitetin shqiptar në Zvicër, i cili, sipas saj, me organizimin e vet, zellin dhe përkushtimin për të ruajtur kulturën e prejardhjes, ka sjellë ketu një pjesë të Kosovës, të vendlindjes. Po ashtu zonja Breca ka përgëzuar bashkatdhetarët për integrimin në Zvicër, në këtë vend që na ka strehuar dhe ndihmuar në kohën kur kjo na është dashur më së shumti. “Këto më bëjnë të ndjehem me fat që përfaqësoj atdheun tim në Zvicër”, ka thënë veç tjerash ambasadorja e Kosovës në Zvicër, Nazane Breca.
Ndërsa ambasadori i Maqedonisë, Rafet Hajdari ka shfrytëzuar nga rasti që të urojë festat e nëntorit të cilat janë në prag. Po ashtu ai ka përgëzuar artistët dhe Qendrën e Kulturës për manifestimin e përgatitur.

Konsullja Radomi duke përshëndetur publikun, ka thënë se ndjehet krenare të jetë e pranishme në Ditët e Kulturës Shqiptare në Zvicër. “Rrethanat kanë qenë të tilla që jemi detyruar të mërgojmë gjithandej nëpër botë. Por ne nuk kemi harruar të marrim shpirtin tonë me vete, historinë, tonë, kulturën dhe e kemi bartur atë në gjenerata”, ka thënë znj. Radomi duke iu referuar edhe pranisë në këtë aktivitet të dy e më shumë gjeneratave shqiptarësh të mërguar.
Përfaqësuesja e Ministrisë së Diasporës e ardhur nga Prishtina, Shyhrete Kastrati ka përcjell përshëndetjet nga Ministria që përfaqëson. Ajo ka falënderuar Zvicrën për kontributin që ka dhënë për Kosovën dhe për mërgimtarët tanë në Zvicër. Për këtë arsye ajo ka përshëndetur në vçanti pjesëmarrësit zviceranë në aktivitet. Znj. Kastrati ka vënë theksin në faktin se e gjithë krijimtaria kulturore e prezantuar në këtë mbrëmje është fryt i punës dhe talentit të diasporës. Dhe kjo është dëshmi për nivelin e kësaj diaspore dhe integrimin e saj në shoqërinë e këtushme, ka thënë ajo.
Drejtori i Qendrës Kulturore të Kosovës në Cyrih, Ridvan Murati, në cilësinë e organizatorit, ka udhëhequr programin duke informuar të pranishmit lidhur me përmbajtjen e tij dhe punën e Qendrës që ai drejton prej pak muajsh.


Programi artistik është nisur me shfaqjen e dramës “Stacioni 17 B”, të trupës artistike Studio “Aktrimi” nga Cyrihu. Shfaqja e realizuar me regjinë e Ben Apollonit dhe nën udhëheqjen artistike të Fikrim Morinës ka komunikuar shumë mirë dhe natyrshëm me publikun në sallë. Ajo, me tekstin që merr dorë nga aktualiteti i njohur për mërgimtarët por sidomos me nëntonin humoristik që e cilëson, i ka folur publikut në mënyrë të përkryer. Aktorët janë inkuadruar mjaft natyrshëm në konceptin regjisorial dhe secili prej tyre kanë ndërtuar me përkushtim rolet që u janë ndarë. Për rolin e tij më kompleks, sigurisht është për t`u veçuar Ramadan Morina, i cili dhe është bashkëthemelues dhe promotor i grupit “Aktrimi”. Bëhet fjalë për një trupë kompakte që në kushte tejet të vështira dhe pa asnjë mbështetje financiare, ia del të mbetet gjallë vetëm në saje të pasionit për artin.
Pas shfaqjes, publiku pati mundësinë të shihte ekspozitën e punimeve të artit pamor, të hapur në sallën ku mbahej i gjithë aktiviteti. Aty, në kushte jo shumë të përshtatshme për t`u shikuar, ishin ekspozuar punime të artistëve shqiptarë me qëndrim në Zvicër: Arsim Berisha, Avdi Hajdari, Kushtrim Sylejmani, Urim Berisha dhe Visar Kryeziu.
Në vazhdim grupi koral “Lyra” nga Cyrihu ka interpretuar disa këngë në frymën e melosit popullor dhe këngë të vjetra qytetare, shumë të njohura për publikun. Ka qenë kjo njëra ndër paraqitjet e rralla të këtij grupi, i cili po përpiqet të sjellë një ofertë artistike që nuk ka qenë e pranishme deri tash në komunitetin shqiptar të Zvicrës.

Në përmbyllje, me disa këngë në gjuhën shqipe dhe me një këngë zvicerane është prezantuar këngëtari i ri, Rafael Lishi./KultPlus.com

Egzona Ademi me këngën “E ndjej” në Këngën Magjike (VIDEO)

Aktorja kosovare Egzona Ademi është prezantuar dje me performancën e saj për Festivalin e Muzikës “Kënga Magjike”, shkruan KultPlus.

Kënga me të cilën është prezantuar Egzona është një baladë, të titulluar “E ndjej”. Përpos titullit, njëjtë edhe kjo këngë sjellë një ndjesi shumë të veçantë. Për më shumë mund ta përcillni në videon më poshtë./KultPlus.com


American Music Awards 2017 për arritje jetësore për Diana Ross (FOTO)

Mbrëmë është organizuar American Music Awards udhëhequr nga Tracee Ellis Ross ndërsa Bruno Mars ishte ai që fitoi gjashtë çmime, përcjellë KultPlus.

Diana Ross u nderua me çmimin “American Music Award” për arritje jetësore. Në këtë mbrëmje performuan edhe Nick Jonas, Selena Gomez, Lady Gaga, Demi Lovato.



KultPlus ju përcjellë disa nga emrat e njohur që parakaluan mbrëmë në tapetin e kuq, si Nicole Kidman, Selena Gomez, Demi Lovato, Ciara, Pink, Heidi Klum etj. /KultPlus.com

Mbretëresha Elizabeta dhe Princi Philip me fotografi të reja për 70 vjetorin e martesës (FOTO)

Mbretëresha Elizabeta II dhe Duka i Edinburgut, Prince Philip kanë vënë në qarkullim portrete më të fundit të cilat i kanë bërë për të shënuar 70 vjetorin e martesës së tyre, përcjellë KultPlus.

Monarku britanik dhe mbretëresha Elizabeta II u martuan më 20 nëntor të viti 1947, ndërsa ata në atë kohë njiheshin si Princesha Elizabet dhe lejtnant Philip Mountbatten, në Westminster Abbey në zemër të Londrës.

Kjo dasmë kishte tërhequr vëmendje në mbarë botën dhe erdhi vetëm pesë vite para se Elizabeth të ngjitej në fron pas vdekjes së papritur të babait të saj, Mbretit George VI.
Në maj kishte dal njoftimi se Princi Philip, i cili është 95 vjeçar, do të tërhiqej nga jeta publike pasi shërbeu krah Mbretëreshës për 65 vite. Mbretëresha Elizabeth, e cila është 91 vjeçare po ashtu ka filluar t’i zvogëlojë përgjegjësitë e saj për shkak të moshës duke i dorëzuar disa nga përgjegjësitë trashëgimtarit të saj, Princit Çarls./ KultPlus.com

Ekspozita retrospektive ‘…në shqetësime dhe heshtje…’ e Halil Muhaxherit sonte në Galerinë Kombëtare të Kosovës

Halil Muhaxherii takon brezit të mesëm të krijuesve kosovarë të cilët kontribuuan në begatimin e këndvështrimeve të reja tematike e shprehimore.

Në vitin 1971, pas studimeve post-diplomatike Halili doli para publikut beogradas me ekspozitën personale në Galerinë e Arteve të Universitetit të Kollarcit, me dhjetëra vepra të ciklit “Jeta dinamike”. Ai imagjinoi dhe fantazoi me plot kreativitet imazhet e jetës dinamike të njeriut të shekullit XX. Atëherë Halili u prit shumë mire nga publiku beogradas dhe nga kritikët e Beogradit.

Halil Muhaxheri nuk i takon atyre artistëve që synojnë ta trasojnë rrugën dhe pastaj të ecin të sigurt nëpër të. Ai vazhdimisht kërkonte, kthehej, ndryshonte, parapëlqente një veprim të caktuar për një periudhë, për të ndërtuar pak më vonë një botë tjetër. Shpesh thoshte se piktura nuk duhet t’i ngjasojë pikturës si veja vesë, e për këtë edhe ne pajoheshim me të.
Ai vazhdoi me zgjidhjet dinamike tejet ekspresive dhe në hap me kohën, nga figurativizmi ekspresiv, tek enformeli e pejsazhiasociativ deri tek zgjedhjet avangarde. Është një rrugë që ka pikat e dallimit, ku shenjat, simbolet, kompozicioni dhe hapësira paraqesin një kronologji të veprimtarisë së Muhaxherit.
Veprat e artistit janë mjaft të pasura me simbole mistike, si dhe ato të jetës reale. Kjo ekspozitë do të hapet sonte, në ora 19:00. /KultPlus.com

Për herë të parë “Hana” e Vlashent Satës do të prezantohet në Gjermani

Për herë të parë në Gjermani, kantautori Vlashent Sata me albumin e tij më të ri “HANA” do të paraqitet në skenën e Muzeut më të bukur të artit në Köln, Wallraf Richatz Museum.

Ky album tashmë është prezantuar me koncertet e Vlashent Satës në shumë shtete, po në Gjermani është hera e parë. Koncerti do të mbahet më 25 nëntor, në ora 19:30./KultPlus.com

Sonte do të nisë Java e Filmit Frankofon në Kosovë

Sot nis edicioni i 17-të i Festivalit të Filmit Frankofon në Kosovës, shkruan KultPlus.

Hapja e festivalit do të mbahet të hënën me 20 nëntor me fillim nga ora 19:00 në Cineplexx. Atë natë filmi “Jalouse” i David dhe Stéphane Foenkinos do të prezantohet nga vetë regjisorët e filmit.
Një takim letrar do të mbahet të martën me 21 nëntor në orën 9:00 në Fakultetin e Filologjisë të Prishtinës rreth përshtatjes së veprave letrare në kinema nga vëllezërit Foenkinos të cilët rregullisht bashkëpunojnë në projektet e veprave dhe filmave.

Aktivitetet do të vazhdojnë me fokusim mbi vallëzimin në kinema dhe me shfaqje çdo mbrëmje në orën 19:00 në Cineplexx prej 20 deri më 24 nëntor. Një mbrëmje e kinemasë belge do të mbahet të premten më 24 nëntor në ora 19:00, në Aleancën franceze të Prishtinës, me shfaqjen e filmit “Tokyo Fiancée”.
Festivali do të vazhdojë me 25 dhe 26 nëntor në kinemanë “Jusuf Gervalla” në Pejë, në bashkëpunim me ekipin e festivalit Anibar.

Në fund, më 30 nëntor, shfaqja e filmit Tapis Rouge do të mbahet në Universitetin e Prishtinës (Fakulteti i Filologjisë) për studentët. Festivali i Filmit Frankofon në Kosovë, organizohet nga Ambasada e Francës në Kosovë në bashkëpunim me përfaqësitë diplomatike të Zvicrës, Belgjikës dhe Luksemburgut, Aleancën Franceze të Prishtinës, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, edicionin e 17 të Festivalit të Filmit Frankofon në Kosovë.
Sivjet kinemaja Cineplexx në Albi Mall është bashkëpunuese për organizimin e festivalit i cili do të mbahet prej 20 deri më 30 nëntor 2017.

Të gjitha informatat mbi shfaqjet dhe vendet tregohen në programin e detajuar dhe në faqet e facebook-ut të Festivalit të Filmit Frankofon dhe Frankofonisë në Kosovë./ KultPlus.com

Të rinjtë hedhin valle në Kalanë e Skënderbeut në Krujë (VIDEO)

Në Kalanë e Skënderbeut në Krujë, të rinjtë shqiptarë kanë hedhë valle, shkruan KultPlus.

Duke pasë parasysh se tashmë jemi në muajin nëntor dhe festat për ditën e flamurit kanë filluar, këta të rinjë, të veshur edhe me kostume kombëtare kanë hedhë valle, pikërisht duke ia dedikuar këtë vallëzim flamurit./KultPlus.com

Bendi britanik shënon rekord, i treti në histori sa i përket të ardhurave nga turnetë

Grupi britanik është futur në listën e tureve më të paguara në histori, shkruan KultPlus.

Bendi Coldplay ka grumbulluar 523 milionë dollarë nga turneu, dhe një gjë e tillë është konfirmuar pas koncertit të 114-të.

Vetëm dy grupe kanë pasur suksese me turnetë, sa i përkët të hyrave, U2 që fitoi 784 milionë dollarë, në turneun përgjatë viteve 2009-2011 dhe Rolingstones, që patën fituar 558 milionë dollarë. Turneu i Codlplay filloi në Buneos Aires, në mars të vitit 2016 dhe turi i këtij bendi llogaritet të jetë përcjellë nga 5.5 milionë dollarë./KultPlus.com

Ndahet nga jeta Aleksandër Lalo, kompozoi kolonat zanore të disa filmave shqiptarë

Kompozitori i njohur Aleksandër Lalo është ndarë nga jeta mbrëmjen e sotme. Lajmi është bërë publik nga miku i tij Petrit Ruka.

“Miq po ju ju njofoj nga spitali gjerman se sapo nderroj jete miku im me i afert, kompozitori Aleksander Lalo… Dhembje pa fund..:, shkran petrit ruka ne nje status ne faqen e tij ne facebook.
Aleksandër Lalo ka kompozuar për dhjetra filma të njohur të kinematografisë shqiptare. Ai u lind më 27 prill të vitit 1949, në Tiranë.
Gjatë konkurrimit me kompozimet e tija në festivale kryesisht ka arritur vende të dyta megjithëse meloditë e tij janë të mrekullueshme.
Këto janë disa prej kompozimeve të Aleksandër Lalos:
• Tingujt e harresës (1996) (TV)
• Historiani dhe kameleoni (1989)
• Treni niset më shtatë pa pesë (1988)
• Dy herë mat (1986)
• Fjalë pa fund (1986)
• Asgjë nuk harrohet (1985)
• Fushë e blertë fushë e kuqe (1984)
• Era e ngrohtë e thellësive (1982) (TV)
• Një vonesë e vogël (1982)
• Shi në plazh (1982)
• Shtëpia jonë e përbashkët (1981)
• Thesari (1981)
• Gëzhoja e vjetër (1980)
• Nusja (1980)
• Vajzat me kordele të kuqe (1978)
• Tomka dhe shokët e tij (1977)
• Dimri i fundit (1976)
• Emblema e dikurshme (1976) (TV)
• Duke kërkuar 5-orëshin (1974)
• Odiseja e tifozëve (1972)
• Të shoh në sy(1986)
• Një gjeneral kapet rob (1980)./KultPlus.com

Elhaida Dani “E ngrirë” në Kënga Magjike (VIDEO)

Këngëtarja Elhaida Dani e cila ka përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion, këtë vit ka vendosë që të sfidohet në një tjetër garë, shkruan KultPlus.

Elhaida Dani tashmë është pjesë e garës së Festivalit të Muzikës “Kënga Magjike”, festival që tashmë po konsiderohet si festivali që po nxjerrë shumë këngë të qëndrueshme. Në videon mëposhtë mund ta dëgjoni këngën e Elhaida Danit./KultPlus.com

Shqiptari primitiv

Poezi nga Ragip Sylaj

Shqiptari primitiv vdes për fjalën
Për nderin e fjalës
E për fjalën e nderit
Se fjala e nderi për të janë jetë e amshueshme

Shqiptari primitiv ta hap zemrën dhe derën
Se është i vetes sa i të tjerëve
Se është i të tjerëve aq sa i vetes

Shqiptari primitiv e merr në mbrojtje të dobëtin
Të drejtin
I do kafshët e bimët si vetveten
Betohet në tokë e në qiell
Në bukë e në fjalë

Shqiptari primitiv s’di të bëjë kurthe si njeriu modern
T’i ndërrojë fytyrat e gëzofin sipas motit
S’mund ta lëpijë atë që e pështyn
As ta hajë atë që e vjell

Shqiptari primitiv
S’e ka mësuar artin e mashtrimit
Andaj ka mbetur i papërmirësueshëm
Specie në zhdukje si çdo specie e rrallë
Hyjni e llojit të vet./KultPlus.com

Vogëlushja shqiptare Erza Muqolli që po mahnitë francezët, performoi në mbrëmjen “Parantezë kosovare” në Paris (VIDEO)

Ky organizim erdhi nga Ambasada e Kosovës në Francë në bashkëpunim me Bashkinë e Parisit 4, me mbështetjen dhe nën përkujdesjen e kryetarit të Bashkisë, Christophe Girard, shkruan KultPlus.

Erza Muqolli ka kënduar këngën e Sia “Chandelier”, këngë kjo e cila është mirëpritur nga të pranishmit./KultPlus.com

Manushi Chhillar “Miss World 2017” (VIDEO)

Vajza nga India ka marë kurorën e më të bukurës së botës, në garën e bukurisë në “Miss World 2017”, shkruan KultPlus.

Ajo është 20 vjece dhe është student e mjekësisë.

Kjo vajzë nga India ka dërguar kurorën e më të bukurës në Indi, për të gjashtën herë me radhë, dhe kurora e parë në këtë vend kishte shkuar qysh në vitin 1966./KultPlus.com

Rita Ora dhe Bebe Rexha flasin shqip në mediumin ndërkombëtar (VIDEO)

Të gjithë kemi qenë edhe jemi krenarë për të gjithë ata shqiptarë të cilët bëhen të njohur jashtë kufijve të vendit tonë. Rita Ora është një ndër këngëtaret shqiptare të cilat tashmë gëzojnë famë botërore, ajo gjithmonë shprehet se ndihet krenare që është shqiptare, madje edhe këngën e saj “Shine Ya Light” e ka realizuar në vendlindjen e saj.

Por jo vetëm ajo shprehet me plot krenari qe është shqiptare pasi nuk duhet të harrojmë se edhe Dua Lipa, Bebe Rexha e shumë talente të tjerë. Suksesi i tyre është shumë i madh dhe tani është hera e dytë që “MTV EMA” prezantohet nga një shqiptare, vitin e kaluar ishte Bebe Rexha ndërsa këtë vit Rita Ora.
Së fundmi në një intervistë të dhënë për MTV, Rita është ndjerë shumë e emocionuar pasi lexuan një koment në twitter ku një shqiptar iu kujton se herën e kaluar prezantuese ishte Bebe ndersa kete here Rita, shqipet ia dolen ndersa me pas ajo merr nje video-mesazh nga Bebe Rexha, e cila i jep disa këshilla edhe puthje nga një shqiptare tek tjetra.

Bebe dhe Rita së shpejti do te bashkëpunojnë së bashku, por shikoni videon më poshtë të siguruar nga intv.al, ku Rita shprehet shumë e emocionuar edhe thotë se iu bë mishi “kokrra..kokrra”.Të gjithë do emocionoheni sapo të shihni këtë moment.


Adelina Ismaili në film

Këngëtarja e njohur Adelina Ismaili ka dhënë një deklaratë për karrierën e saj, shkruan KultPlus.

Në një prononcim për TV Klan, ajo ka thënë se nuk do ti kthehet më muzikës, por, sipas saj ajo ka zgjedhur një formë tjetër për të qenë e pranishme në fushën e artit.

Ajo ka thënë se do të jetë pjesë e një filmi, por nuk ka dashur të shpjegojë për detajet, duke thënë se ende është herët të flitet për këtë temë./KultPlus.com

“Takim brezash”, sfilatë me veshje tradicionale nga gjimnazistët e Tiranës

“Takim brezash” është projekti i realizuar sot nga Fondacioni “Tradita Popullore” dhe Teatri Metropol i Tiranës, me mbështetjen e Bashkisë dhe Agjencisë së Zhvillimit Rajonal.

Aktiviteti përfshin një sfilatë me veshje tradicionale të viteve ‘800, veshje të reja të modeluara nga nxënësit e gjimnazeve të kryeqytetit, si dhe një koncert me valle nga Ansambli Tirana.

“Qëllimi i këtij projekti është edukimi i të rinjve nëpërmjet elementeve të trashëgimisë kulturore dhe promovimi i veshjeve, valleve dhe lojërave tradicionale të krahinës së Tiranës, si një vlerë e çmuar e trashëgimisë kulturore shqiptare”, shprehet koordinatorja e Teatrit Metropol, Lorela Musta.
“Takim brezash” ka nisur punën, që në fillim të muajit qershor dhe është implementuar në 10 gjimnaze të Tiranës, mes tyre edhe dy institutet “Instituti i nxënësve që nuk dëgjojnë” dhe “Instituti i nxënësve me vështirësi në shikim” (“Ramazan Kabashi”).

Përfaqësues të Ansamblit Tirana kanë realizuar workshope të veçanta mbi hulumtimin dhe realizimin e veshjeve tradicionale, nga të cilat më pas nxënësit e shkollave, u frymëzuan dhe realizuan modelet e tyre.
Sipas koordinatores Lorela Musta, e cila është marrë me implementimin e projektit nëpër shkolla, nga rreth 200 punime të nxënësve, u përzgjodhën 11 punime veshjesh, të cilat më pas u realizuan në atelie nga artizanët.

“Nxënësit pas skicimit të modeleve, kanë ndjekur nga afër në atelie, punimet e tyre, të cilat u përzgjodhën për tu realizuar”, thotë Musta.
“Takim brezash”, u mbajt mesditën e sotme në Sheshin “Skënderbej”, ku u ndanë edhe tri çmime për veshjet më të mira të realizuar nga nxënësit e shkollave.

Teatri Metropol është i vetmi teatër në Shqipëri, që punon me platformë të qartë edukative, i cili pas organizimit të Festivalit të Dramës Shqipe “Metrofest”, po realizon këtë projekt, që synon promovimin dhe edukimin e të rinjve me trashëgiminë kulturore./gazeta-shqip

Eno Peçi zbret në skenën shqiptare me premierën “Exil-Deja vu” (VIDEO)

Virtuozi, solisti i parë i Operas së Vjenës, vjen për herë të parë në Shqipëri me një krijim të tijin si koreograf, shkruan KultPlus.

Eno Peçi nuk është vetëm ambasadori më i mirë i vendit të tij në botë, por dhe virtuozi që koreografon duke ndarë me pasion të madh krijimtarinë e tij me balerinet e TKOB.

Premiera e kësaj shfaqje është më 25 nëntor, kurse repriza do të jetë edhe më 26 nëntor, në sallën e Universitetit të Arteve. Për këtë shfaqje tashmë kanë filluar të shiten biletat./KultPlus.com


Sislej Xhafa në Berlin, me paradoks dhe poezi (Foto)

Anila Shuka

Një pemë ulliri në një cep të parëndësishëm pas dere, nuk bie menjëherë në sy, megjithëse është objekti i parë i ekspozitës së Sislej Xhafas në Berlin. Te trungu i pemës është një copë letër me mbishkrimin: “Don’t touch me” (Mos më prek). Pema i ka rrënjët në një pirg dheu të hedhur mbi dyshemenë e fortë. “Ajo është bukuria, toka, diçka që nuk është prona jonë, por që prapë është pjesë e jetës sonë”, shpjegon Xhafa në një intervistë me Craig Burnettit, kuratorin e ekspozitës.

Pema mesdhetare, e cila ka aftësinë që ta ruajë freskinë e saj për qindra shekuj me radhë – ulliri më i vjetër i Kretës thuhet të jetë katërmijëvjeçar – ofrohet për komunikim, por kërkon të respektohet. Dhe ndoshta me të drejtë: ajo e ka zbuluar prej shumë kohësh sekretin e rinisë së përhershme, ëndrrën tonë më të paarritshme.

“Shadow of curls” e ka titulluar Sislej Xhafa ekspozitën e tij të parë personale në Berlin. Në shqip mund të përkthehej si “hija e kaçurrelave”, por artisti na këshillon ta shijojmë titullin në anglisht, sikurse edhe titujt e objekteve të ekspozuara.
Shumica janë të ashtuquajtura “ready-mades”, sende të së përditshmes që ai i ka mbledhur nëpër Berlin. Të vendosura në ekspozitë, ato ofrojnë hapësira reflektimi. Sikurse në veprat e tjera, ndër të cilat “Lost and found”, prezantimin zyrtar të Kosovës në Bienalen e Venecias 2017, ku artisti nga Kosova vijon traditën e artit konceptual të stilit të Marcel Duchampit, duke i ftuar vizitorët të marrin pjesë me përsiatjet e tyre.

“Shfrytëzoj rastin për një sprovë: ullirin në qoshe e shoh si simbol të prejardhjes sime që më ka dhuruar mjedisin e ngrohtë dhe familjar; vendlindja e braktisur për një ëndërr e quajtur liri. Këtë nocion e ndesh te tri tablotë e mëdha të varura në murin e majtë të hollit, të titulluar ‘Raw breeze’: Tri piktura, në pamje të parë vetëm të bardha. Kërkohet një vështrim më i vëmendshëm për të shquar mes asaj bardhësie disa hije të lehta që marrin trajtën e telave me gjemba. Për mendimin tim, liria nuk është nocion teorik, por përvojë”, thotë Xhafa në të njëjtën intervistë. “Jemi ne ata që vendosim se si dhe kur na merret liria. Unë e përjetoj ‘Raw breeze’ si një ballafaqim me paradoksin e lidhur me premtimin e lirisë dhe përvojën me të: liria e brendshme mund të jetë një zgjedhje, akt çlirimi individual, ngadhënjim mbi identitetin e imponuar, por edhe ajo mbetet ‘burg’. Dhe pyes: A mos është liria iluzion?”

Ekspozita përmban 15 instalacione të shpërndara në dy kate dhe pothuaj të gjithat shprehin një gjendje paradoksale. Një dyshek me kaktuse (Stinging pocket), një skelet çadre prej betoni (Dry shade), një frigorifer me një vrimë (Desert in hole), objekte që kujtojnë diçka të parealizueshme, por reale, që përkujtojnë rendjen pas dëshirave, ëndrrave, ndoshta pas ideve fikse, pa e vënë në pikëpyetje vlerën e tyre. Një torbë plastike e hedhur në dysheme. Brenda saj një shandan. Këto janë në kundërshti me njëra-tjetrën. Në “Still life on left lane” (Natyrë e qetë në korsinë e majtë), trasta duket sikur i ka rënë nga dora dikujt në arrati.

Xhafa thotë, në një intervistë dhënë revistës “Monopol”, thotë: “Gjithkush ëndërron të parakalojë në korsinë e majtë. Por, çfarë marrim me vete në udhëtimin tonë? Me cilat objekte jemi të lidhur? Cilat vlera mbartim me vete?”
Trasta me shandan kujton ekzistencën e një emigranti pas një jete materialisht më të mirë, ose të një refugjati që ka humbur sofrën dhe endet në Perëndim në kërkim të një sofre të re.
“Nuk dua të tregoj vuajtje dhe dhimbje”, thotë artisti. “Ato i shohim me bollëk kur ndezim televizorin”.
Xhafa u lind në Pejë në vitin 1970, ndërsa është rritur në Prishtinë në një ambient të lidhur me artin bashkëkohor. Por, si shqiptar në Kosovën e fundshekullit XX, nuk është kursyer nga përvoja e shtypjes kolektive, ndaj nocione si liria, identiteti, vendlindja e atdheu vihen në pikëpyetje.
Ai banon prej kohësh në Nju Jork dhe ekspozon në rang ndërkombëtar. Shumë prej punëve të tij kanë sfond biografik dhe mund të interpretohen si prononcime politike. Xhafa vetë nuk synon atë me punën e tij, por të ngjallë te shikuesi asociacione, emocione që në komunikim me objektin e vendosur në galeri krijojnë një atmosferë magjike.

“Çdo vepër e ka një histori të vetën, një histori të cilën e dërgojmë dhe e ndajmë, por më e rëndësishmja është që ndaj veprës të krijohet një përvojë magjike”, thotë ai.
E parë nga kjo perspektivë, ekspozita e cila qëndron e hapur deri më 27 dhjetor në degën berlineze të galerisë Blain Southern, mund të merret edhe si një poezi, ku çdo diçiturë është një varg më vete që kërkon reflektim vetjak. /DW/

Ndahen çmimet në Panairin e Librit në Tiranë

Një ditë para mbylljes së Panairit të Librit, juria e përbërë nga personalitete të letrave shqipe vlerësoi autorët e përkthyesit më të mirë të edicionit të 20.

Autor i vitit u shpall Betim Muço me veprën “Yjet janë fare pranë” për trajtimin në thellësi dhe elegancë stilistike e gjuhësore të temës së emigracionit në kontekstin kombëtar. Çmimin në nder të autorit, i cili u nda nga jeta dy vite më parë, e tërhoqi motra e tij, shkruan tch.
“Ky roman me të cilin nderohet me çmim është shkruar në muajt e fundit të jetës. Është i papërfuduar kapitulli i fundit dhe nën kujdesin e Martës ai ka parë dritën e botimit”, tha Tefta Muço.
Diana Çuli u vlerësua si përkthyesja më e mirë e vitit për sjelljen në shqip të autorit arbëresh Carmine Abate.
“Sigurisht çdo vlerësim për punën tonë është një kënaqësi shumë e madhe. Kishte konkurrentë të fortë, njohës të gjuhës e përkthimit, kështu që ndihem e vlerësuar që në atë grup të ndriçuar u vlerësova”, tha Diana Çuli, përkthyese.
“Faik Konica dhe dritëhijet e një diplomati”, me autor Agron Alibalin, u vlerësua në kategorinë e letërsisë studimore origjinale.
“Ndihem shumë i lumtur, i emocionuar dhe i detyruar për diçka tjetër në të ardhmen”, tha Agron Alibali, shkrimtar.
Ndërsa Persida Asllani, në tentativën e saj për të sjellë një libër për fëmijë, qëlloi e suksesshme duke marrë çmimin me botimin “Më quajnë Musine Kokalari”.
“Është një emocion i veçantë. Kisha dyshimet e mia, a është në formën e duhur, në ligjërimin e duhur për fëmijët. Fakti që juria e vlerësoi nga ky këndvështrim, ndoshta nuk do t’i mërzisë fëmijët me këtë libër”, tha Persida Asllani, shkrimtare.
Për herë të parë, me çmime në këtë edicion të veçantë u vlerësuan edhe Shtëpia Botuese “Onufri” dhe “Pika pa sipërfaqe”, si edhe 3 libraritë “Adrion”, “Arjan Goga” në Shkodër dhe “Artini” në Prishtinë, për kontributrin në afrimin e librit sa më pranë lexuesit.

Ndërron jetë themeluesei i “AC/DC”, Malcolm Young

Kitaristi legjendar i “AC/DC”, Malcolm Young, ka ndërruar jetë në moshën 64 vjeçare. Ai vdiq i rrethuar nga familja e tij, pas një lufte të gjatë me demencën.

“Me pikëllim të madh ju njoftojmë për vdekjen e Malcolm Young, burrit të dashur, babait, gjyshit dhe vëllait. I njohur për veprat e tij muzikore, Malcolm ishte kantautor, kitarist, performues, producent dhe vizionar, i cili ka qenë frymëzim për shumëkënd. Që nga fillimi, ai e ka ditur se çfarë dëshiron të arrijë dhe së bashku me vëllanë e vogël, pushtuan skenën botërore duke dhënë gjithçka në secilin concert. Gjithmonë i gatshëm për të bërë gjithçka për fansat “, shkruhej në njoftimin e familjes së tij./KultPlus.com