E vërteta e fotos së plakut hebre me plis në kokë

Kjo foto, tregon një hebre në Beograd me plis në kokë. Plisi, një karakteristikë e shqiptarëve, duket se është pelqyer nga hebreu i cili pas krimeve të nazistëve, përfundoi duke gjetur strehim në Beograd.

Disa interpretime thonë, se kjo ishte një shenjë falenderimi nga hebrejtë për shqiptarët, të cilët i mbrojten kundër gjermanëve duke rrezikuar madje dhe jetën e tyre. Kjo foto është postuar në rrjetin social nga Fahri Xharra, shkruan KultPlus.

Edhe faqja CHRE (Center for Holocaust Research and Education) tregon se ky është një i moshuar hebre në Beograd. Në fakt, hebrejt në Beograd u ndihmuan shumë nga shqiptarët, ndryshe nga serbët të cilët nuk i përkrahën, por i dorëzuan tek gjermanët.

Yjet e “Despacito” me koncert në rajon

Të famshmit Lusi Fonsi ft. Daddy Yankee do të prezantohen me një koncert në Kroaci, ku kroatët do të kenë rastin të shijojnë për së afërmi tingujt e këngës së famshme “Despacito”, shkruan KultPlus.

Koncerti do të mbahet në Zagreb, më 26 nëntor, kurse çmimet për bileta nisin prej 35 euro deri 115 euro. Ky është turi që kanë nisë autorët e hitit më të famshëm “Despacito”, që e kanë titilluar “Love+Dance”./KultPlus.com

Rita Ora interpreton këngën e famshme “Like a Virgin” nga Madonna (VIDEO)

Këngëtarja e famshme Rita Ora ka performuar një pjesë të këngës “Like a Virgin” të këngëtares super të famshme Madonna, shkruan KultPlus.
Rita Ora ka kënduar në Radio 1 Live Lounge, ku pos këngës së Madonna ka kënduar edhe një pjesë të këngëtarit Travis Scott./KultPlus.com

Ermonela Jaho shpërthen në lot (VIDEO)

“La Traviata”, që është duke u dhënë në Buenos Aires tash e disa mbrëmje është duke mrekulluar audiencën argjentinase, të cilët po shijojnë performancën e dy artistëve shqiptarë: Ermonela Jaho e Saimir Pirgu, shkruan KultPlus.

Në reprizën e fundit që është dhënë në Shtëpinë Operistike të Buenos Aires, ngrohtësinë që i dha publiku i atjeshëm, bëri që Ermonela Jaho të shpërthejë në lot.Duartrokitjet e gjata, brohoritjet bënë që Jaho të emocionohet shumë, por në të njëjtën kohë të shprehet edhe falënderuese për këtë mikpritje./KultPlus.com

“Duet me dallëndyshet” kënduar nga Mario Zaja, fituese e festivalit për fëmijë “Fluturat 2017”

Në kopshtin e Kino Lumbardhit në Prizren, të hënën në mbrëmje u mbajt festivali i këngës për fëmijë “Fluturat 2017”, përcjellë KultPlus.

Juria e festivalit: Xhylfidane Hoxha, Gazmend Kraja dhe Shefqet Hoxha – Sheki, çmimin e parë ia kanë ndarë këngës “Duet me dallëndyshet” kënduar nga Mario Zja, ndërsa e kompozuar nga Ylli Kalaja. Shpërblimin e parë e ndau ministri i Ministrisë së Kulturës Kujtim Gashi. Vendin e dytë juria ia ndau këngës “Kush e hëngri mjaltin e kënduar nga Emi Bakia , ndërsa e kompozuar nga Artan Bakia.

Vendi i tretë iu nda këngës “Udha e re: e kënduar nga Ela Kazaz e kompozuar nga Reshit Ismet.
Dueti më i mirë u vlerësua dueti: Zana dhe Edon Ramadani, ndërsa për paraqitje më të mirë skenike u vlerësua Kejixhi Bilalaj.

Gjithashtu u nda edhe shpërblimi i revistës “Fidani” për tekstin më të mirë. Kryeredaktori i Revistës “Fidani” Berat Batiu, “Penën e artë” ia ndau tekstit të këngës “Princeshat” të autores Hatixhe Ademaj.
Në ndarje të çmimeve Gazmend Kraja shprehu kënaqësinë që ishte pjesë e festivalit, siç tha ai mirë të organizuar. “Iu urojmë këtyre fëmijëve që kur të rriten t’i shohim nëpër festivale të mëdha” tha Kraja./KultPlus.com

Sekretet që nuk i mori me vete Ibrahim Rugova (FOTO)

Sekretet që nuk i mori me vete Ibrahim Rugova (FOTO)

Milazim Krasniqi ka sjellë librin e tij të fundit “Sekretet që nuk i mori me vete Ibrahim Rugova”, ku sipas botuesit të këtij libri “Kosova Pen Center”, për të gjitha këto pyetje dhe qindra të tjera po kaq kurreshtjendjellëse, përgjigjet e vërteta, të dorës së parë, i gjeni në librin e Milazim Krasniqit, shkruan KultPlus.

Në promovimin e këtij libri tashmë janë sjellë pikat në të cilat mund ti interesojnë lexuesit si:

Çfarë fëmijërie pati Ibrahim Rugova?
Kush e keqtrajtonte sistematikisht?
Pse e ëma ia kishte bërë djepit një zgjatim dhe e kishte mbajtur dy vjet në djep?
Kush dhe pse ia ndaloi botimin e poezive, kur ishte nxënës i fillores?
Çka e kishte porositur Ibrahimin mësuesi malazez?
Cilin person nga familja e gjerë e kishte model Ibrahim Rugova?
Çka mendonte Rugova për babain e vet të zhdukur?
Çfarë mesazhi tronditës i erdhi për babain në vitin 1988 nga Velenja e Sllovenisë?
Çfarë shprehish kishte sjellë Rugova nga Parisi?
Cfarë mendimi kishte Rugova për intelektualët e vjetër shqiptarë të Kosovës?
Cilët kolegë ia vidhnin idetë Ibrahim Rugovës dhe botonin tekste me to?
Çfarë mendimi kishte për Sali Berishën e për Alia Izetbegoviqin?
Si e menaxhoi Rugova debatin për ndryshimet kushtetuese të vitit 1988?
Si u soll Rugova në bisedat e shkrimtarëve në Beograd?
Cili ishte qëndrimi i Rugovës ndaj Fadil Hoxhës? Pse e vizitoi në vitin 1989?
Kush e kishte njoftuar Rugovën në vitin 1990 në Uashington se do të bëhej kryetar i Kosovës dhe për ç’farë arsyeje?

Pse mendonte Rugova se “ata të malit” po i merrnin në qafë njerëzit?
Cili është mendimi i saktë i Rugovës për Pjetër Bogdanin?
Çka mendonte Rugova për fenë islame?
Cili ishte qëndrimi i Rugovës ndaj enverizmit?
Pse u organizuan zgjedhjet parlamenare e presidentiale të vitit 1998 dhe kush kend e mashtroi me to?
Kur dhe pse filloi ta humbte durimin Rugova?
A e takoi Rugova Zoran Gjingjiqin në vigjile të kremtimit të 600 vjetorit të Betejës së Kosovës?
Si u autorizua intervista e Rugovës me Renate Flotaun për der Shpigel?
Cilat janë sekretet e Kongresit të fundit të shkrimtarëve të Jugosllavisë në Gjevgjeli?
Si u soll Rugova në takimin e parë me ambasadorin Zimerman, për çka i mbajti ligjëratë?
Cilat qenë prapaskenat e themelimit të LDK-së?
Cili ishte qëndrimi i Rugovës gjatë ditëve sa ishte peng i Millosheviqit?
Cilat zhvillime patën ndikim për lirimin e Rugovës?
Çka u bisedua në Shkup mes Rugovës dhe bashkëpunëtorëve të tij, pas lirimit të tij nga Millosheviqi?
Si u soll Rugova pas luftës me miqtë dhe me bashkëpunëtorët e vet të afërt?
Kush e kritikonte për gjallje, ndërsa e mbron Rugovën e vdekur dhe pse?
Cili është Rugova i mitizuar dhe cili ëshë Rugova i vërtetë?
Krejt në fund bëhet e ditur se ky libër mund të gjindet në Librarinë Artini./KultPlus.com

Poeti Xhorxh Uallas- laureat i çmimit “Naim Frashëri”

Fitues i çmimit të madh “Naim Frashëri” të Edicionit XXI të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” është poeti amerikan Xhorxh Uallas (George Walas). Ky është vendim i Jurisë së Festivalit i përbërë nga poeti dhe kritiku letrar, Ndue Ukaj (Kosovë), poeti amerikan dhe laureati amerikan Craig Cury (SHBA) dhe studjuesi i letersisë, Xhelal Zejneli (Maqedoni).

Drejtoria e Festivalit, gjithashtu ka shpallë laureatin e sivjetshëm edhe Anëtar Nderi të Festivalit. Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit” do të mbahet prej 19 – 22 tetor 2017, në qytetin e Tetovës.

Kjo u bë e njohur në një Konferencë shtypi të mbajtur më 18 shtator, në Qendrën kulturore në Tetovë, nga drejtori i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, Shaip Emërllahu, kryetari i Jurisë së Festivalit, Ndue Ukaj, dhe anëtari i jurisë, Xhelal Zeneli. Laureatë të mëhershëm të këtij festivali janë emra e njohur si: Ismail Kadare (Shqipëri), Desmond Egan (Irlandë), Thomas Tidholm (Suedi), Ali Podrimja (Kosovë), Fatos Arapi (Shqipëri), Athanase de Thracy (Bullgari), Lionel Ray(Francë), Abdelatif Laabi (Marok), Eva Lipska (Poloni), Tua Forstrom (Finlandë), Craig Czury (SHBA), Kuei shien Lee (Taivan) etj.

Në edicionin e sivjetëm janë ftuar 40 poetë nga vende të ndryshme të botës, si: SHBA, Argjentinë, Porto Riko, Indi, Danimarkë, Islandë, Gjermani, Francë, Itali, Spanjë, Poloni, Izrael, Greqi, Turqi, Tunis, Kroaci, Slloveni, Bullgari, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe poetë shqiptare nga Mali i Zi, Shqiperia, Kosova dhe Maqedonia.

Në vazhdim kryetari i Jurisë së Festivalit Ndue Ukaj paraqiti arsyetimin për dhënien e çimimit letrar “Naim Frashëri”, ku thuhet se, ” Poeti amerikan Xhorxh Uallas, që është laureat i sivjetshëm i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” është bursist-shkrimtar, i cili banon përkohësisht në shtëpinë e lindjes së Walt Whitman-it. Ai është autor i shumë librave dhe shquhet për origjinalitet poetik, me të cilin ka joshë admiruesit e poezisë dhe fjalës së bukur artistike. Poezia e tij iu ngjan engjëjve të natës që shtegtojnë në një errësirë të pahijshme që e shoqëron jetën bashkëkohore: të topitjes intelektuale, shpirtërore e kulturore… Shkrimtari Xhorxh Uallas, me imazhet dhe depërtimet e thella poetike, përçon një botë të pasur e të dëlirë të idalitetit estetik, që grish njeriun të mbetet njeri, edhe në kohën e qytetërimit të mjegullës dhe të shiut idiot. Për më tepër, ai grish lexuesin për shpresë, ashtu siç bënë e gjithë poezia e mirë. Poezi e tij flet me gjuhën e kohës dhe është sinjalizim i dritës që shpërndan ajo me fuqinë e tejkohshme dhe të pamatshme të gjuhës. A është e mundur që mjegulla e këtij qytetërimi dhe shiu idiot të qartësohet me poezi? Me këtë sfidë dhe dilemë na përballë poezia e laureatit të sivjetshëm, që vjen në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” nëpërmjet një estetike të kondensuar, ku mjegulla dhe shiu idiot janë të pavrejtshme, sepse prapa rri qytetërimi i poezisë së shpirtit dhe flakadani i saj rrezatues, të cilin nuk mund ta pengojë asnjë fuqi. Më pas drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu, lexoi Deklaratën e laureatit, Xhorxh Uallas, në të cilën thuhet se, “Me një parandjenjë emocionuese dhe përulësie, e pranova nderin që më keni bërë duke më caktuar mua fitues të Çmimit Poetik Ndërkombëtar “Ditët e Naimit” 2017. Me të vërtetë një nder i madh, të shkosh në gjurmët e poetëve të tillë të shquar si Ismail Kadare, Desmond Egan, Ewa Lipska, Athanase Vangchev de Thracy dhe të kolegut poetit amerikan Craig Czury, të cilët e kanë marrë më parë këtë çmim. Dhe një koinçidencë e veçantë që si shkrimtar në rezidencë në vendlindjen e Uollt Uitman në Nju Jork, më është dhënë kjo mundësi për të ndërtuar një urë mes këtij poeti të madh kombëtar amerikan dhe ikonës tuaj, poetit Naim Frashëri.

Për mendimin tim, lidhja ndërmjet Uitman dhe Frashërit është e thellë. Të dy këta figura letrare monumentale të shekullit XIX kanë luftuar përmes gjuhës poetike për të promovuar bashkimin ndërmjet njerëzve dhe ndjenjën e humanizmit duke respektuar ndërkohë diferencat e thella të religjionit, zakoneve dhe dialektikës brenda kombeve të tyre respektive. Kjo shpallje e një patosi humanist të fortë dhe mbizotërues i ka shërbyer procesit të shtet-ndërtimit dhe ka ndihmuar për të kapërcyer ndarjet e thella social-kulturore gjatë gjithë jetës së tyre.

Për më tepër, arritjet e tyre shërbejnë si model për ne në kohën e sotme. Besoj se ndaj me organizatorët e festivalit “Ditët e Naimit” bindjen se poezia i ka kapacitetet për të bashkuar njerëzit e kulturave të ndryshme, duke iu ofruar atyre një “kod gjuhe” të qartë përmes të cilit afirmohet identiteti i tyre social dhe kulturor dhe krijojnë lidhje me njëri-tjetrin me respekt dhe vlerësim. Veçanërisht në këto kohë me sfida sociale dhe politike, kjo vlerë është e një rëndësie vitale ndërkombëtare.

Në emër të ndërtimit të urave ndërmjet njerëzve dhe nxitjes së shkëmbimeve ndërkulturore, bazuar në respektin reciprok, pres me padurim të mblidhemi në këtë tubim të këtij viti të poetëve të shquar për të organizuar një festival të “ Ditëve e Naimit” të gjallë dhe të paharrueshëm”.
Në fund anëtari Jurisë, Xhelal Zeneli,lexoi një biografi të shkurtër të fituesit, ku theksoi se, poeti amerikan Xhorxh Uallas është bursist-shkrimtar që banon përkohësisht në shtëpinë e lindjes së Walt Whitman-it, poeti-laureat i parë në Suffolk County, NY, dhe autori i 31 librave poezie në SHBA, Angli dhe Itali. Ish-vullnetari në Trupin e Paqes të SHBA-ve në Kore ka jetuar dhe punuar në Europë dhe Azi si dhe në vende të shumta në Shtetet e Bashkuara. Ka lindur në Nju Jork, ka jetuar dhe punuar për 5 vite në Mbretërinë e Bashkuar, ku ende udhëton rregullisht.

Xhorxhi, ish-studenti i Marvin Bell-it dhe WD Snodgrass-it, ka kryer studimet për shkrim krijimtar në Pacific University në Oregon dhe jep mësime shkrimi në zonën e Nju Jorkut në Peace University dhe Westchester Community College. Vepra e tij është mbledhur në arkivat në Hofstra University, dhe poezia e tij është dokumentuar në Qendrën e Poezisë dhe Letërsisë në Librarinë e Kongresit në Washington DC.
Edhe programi i këtij edicioni do të jetë i larmishëm për nga përmbajtja. Në kudër të tij, do të mbahet disa orë letrare, do te hapet nje ekspozite pikturash, do te promovohen libra, do të vizitohen lokalitete kulturore dhe historike, etj.
Artan Arsllani

Artan Draçini me ekspozitë në Prishtinë

Artan Draçini, piktori e grafisti nga Shkodra, me 22 shtator 2017, në orën 19:00, do të hapë në Galerinë e Ministrisë së Kulturës ekspozitën personale të titulluar “E shkuara: e ardhjma e së tashmes”, shkruan KultPlus.

Ekspozita ka gjuhën e Simbolikës së të shkuarës, që vjen si një echo këmbane në të tashmen, për të pasqyruar faktin si një keqkuptim normal dhe ironik në të ardhmen. Një proces i tillë riciklimi i ndodhive imagjinative e krijon një pjesëz Art të qëndrueshëm në sistemin e vlerave të artit modern shqiptar të shekullit që jetojmë.

Kuratorja e ekspozitës Suzana Varvarica Kuka e paraqet artistin Draçini e mbështetur në konceptin e saj se: “Artisti është faktori themeltar i imazheve, të cilat, fillimisht, i lind si ndjesi vetjake e të fshehta. Ai i ruan në burimin racional e më pas i shpërthen emocionalisht, ku bota e tij e brendshme shkapetet në të gjitha muret imagjinative. Aty, ku ndodhemi të gjithë, tek ekspozimi i tyre”.

Në ekspozitë do të paraqiten 27 punime, të cilat janë në fletë grafike që jetojnë si një grupim, si dhe në pikturë, e cila ka një gjuhë tonale – grafike, tepër emocionale dhe konvenguese me faktin historik dhe emocional. Kjo ekspozitë do të qëndroje e hapur një muaj në Galerinë e Ministrisë së Kulturës./KultPlus.com

Edin Q. Lohja në PlumbÇ

Edin Q. Lohja shtë studiues i traditave intelektuale dhe shpirtërore të mëdha të njerëzimit. President i Trustit Akademik Shqiptar (themeluar më 2013 në Uashington), dhe themelues i Bibliotekës Zemra e Traditës (e ngritur më 2004 në Tiranë), shkruan KultPlus.

Qendra Rinore ARKA është organizatore e mbrëmjes së leximit PlumbÇ, që do të mbahet më 22 shtator po në Qendrën Rinore ARKA, shkruan KultPlus.Kjo mbrëmje është rezervuar për Edin Q.Lohja, kurse nikoqire e kësaj mbrëmjeje të leximit është Elona Çuliq, ku kjo mbrëmje do të nisë prej orës 18:30.

Edin Q. Lohja shtë studiues i traditave intelektuale dhe shpirtërore të mëdha të njerëzimit. President i Trustit Akademik Shqiptar (themeluar më 2013 në Uashington), dhe themelues i Bibliotekës Zemra e Traditës (e ngritur më 2004 në Tiranë). Ka botuar 90 vëllime dhe 130 artikuj në tre gjuhë e dhjetë shtete, si përkthyes, redaktor, autor e komentues, në fushat e metafizikës, filozofisë, shpirtshmërisë, kozmologjisë, artit tradicional dhe studimeve fetare./KultPlus.com

Shqipëria nominon filmin “Dita zë fill”, për çmimin Oscar

“Dita zë fill”, pati premierën botërore në Festivalin e Sarajevës, ku fitoi “Zemrën e Sarajevës” për aktoren më të mirë protagoniste, shkruan KultPlus.

Qendra Kombëtare e Kinematografisë njofton se kandidatura zyrtare e Shqipërisë për kategorinë e “Filmit Më të mirë të Huaj”, në edicionin e 90-të të Academy of Motion Picture Arts and Sciences (AMPAS) është filmi “Dita zë fill”, me regji dhe skenar të Gentian Koçit, një bashkëprodhim shqiptaro-grek, prodhim i ARTALB FILM në bashkëprodhim me GRAAL FILMS, realizuar me mbështetjen financiare të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Qendrës Greke të Filmit, Eurimages, Ministrisë Shqiptare të Kulturës, Radio-Televizionit Publik Shqiptar, Bashkisë së Tiranës si dhe SEE Cinema Network.

“Dita zë fill”, pati premierën botërore në Festivalin e Sarajevës, ku fitoi “Zemrën e Sarajevës” për aktoren më të mirë protagoniste./KultPlus.com

Sot kanë nisë xhirimet e filmit “The Irishman”, Marko Caka në sheshxhirim me Al Pacinon e De Niron

Me regji të regjisorit të famshëm Martin Scorsese, sot kanë nisë xhirimet e filmit “The Irishman”, film që ka bërë bashkë yjet më të mëdha të kinematografisë, shkruan KultPlus.

Pikërisht ky film po ribashkon legjendat e filmit të famshëm “Godfather”, De Niro, Al Pacino e Joe Pesci, e kësaj kaste të famshme i është bashkangjitur edhe aktori shqiptar Marko Caka, i cili tashmë ka luajtur në shumë filma amerikanë.

Marko Caka me kostume të viteve të 70-ta, në rolin e tij në “The Irishman”
Marko Caka ka njoftuar eksluzivisht për KultPlus për kllapën e parë të xhirimeve që kanë nisë në Queens të New York, i cili ka dhënë detaje se xhirimet kanë nisë në orët e hershme të mëngjesit.
“Sot nisën xhirimet e filmit të shumëpritur “”The Irishman”, me regji të Scorsese, i cili pas disa dekadave ka mbledhë aktorët së bashku, si: De Niro, Al Pacino, Joe Pesci, në një histori biografike të Frank Sheeran.

Kurse Marko Caka luan rolin e mafiozit sicilian. “Edhe unë isha pjesë e xhirimeve të sotme, duke filluar me skenën e parë të krimit, atë të plagosjes së kryemafiozit Joe Colombos. Në sheshxhirim isha bashkë me Al Pacinon e De Niron”, ka thënë Caka. Xhirimet e këtij filmi kanë nisë sot, kurse pritet të përfundojnë Brenda tre muajve./KultPlus.com

Zbukurimi i nuses kosovare një traditë një mijë vjeçare, besohet se largon syrin e keq (FOTO)

Nita Deda së fundi ka marë pjesë me prezantimin e projektit “Nusja jonë” në Documenta 14, që është duke u mbajte mes Gjermanisë dhe Greqisë, shkruan KultPlus.

Dhe pikërisht pas këtij prezantimi, faqja zyrtare e kësaj ngjarje të madhe kulturore ka plasuar një tekst mbi këtë realizim, të shkruar nga Laura Preston, e cila jep detaje mbi realizimin e këtij projekti që ishte realizuar qysh në vitin 2011, bashkë me Yll Çitakun.

Documenta 14, përpos që ka bërë publike këtë tekst, e ka ilustruar edhe me disa fotografi të këtij projekti, duke vënë theksin se kjo punë është realizuar në fshatin Lubinjë të Kosovës, i populluar nga goranët.

Po sipas këtij shkrimi thuhet se zbukurimi i nuses në këtë formë, është një traditë që në ditën e dasmës, duke vënë fokusin te zbukurimi i saj, të shmangin syrin e keq, dhe në të njëjtën kohë besojnë që ky ritual mund të ndjellë edhe lumturinë dhe shëndetin.

Poashtu potencohet se punën në zbukurimin e nuses, që në këtë rast ishte Nita Deda e ka bërë Aziza Shefiragiç, e cila konsiderohet të jetë një ndër gratë e fundit që e njohin këtë ritual.
Puna e bërë atëherë në Nita Dedën kishte zgjatur gjatë gjithë ditës. Filmi “Nusja jonë”, nga Nita e Ylli synon të ruaj këtë akt të veçantë të trashëgimisë kulturore, për të sjellë më pas vëmendjen në ritual. /KultPlus.com

Mbrëmje me muzikë italiane në Prishtinë

Tenorët Armaldo Kllogjeri e Liridon Sadriu do të prezantohen me një mbrëmje muzikore me vepra italiane në Prishtinë, të cilët do të përcillen edhe nën tingujt e pianos, shkruan KultPlus.

Këngët: O sole mio, Sul mare luccica, Dicintecello vuie, Caro mio ben, Questo o quella, Una furtiva lagrima, Volare, Mamma, O surdato namurato, Funiculì, Funiculà, O bellisimi capelli, Torrna a Surriento, Nabucco e Nesun dorma, janë këngët që do të prezantohen në këtë mbrëmje, që do të mbahet më 29 shtator, në Hotel Sirius në Prishtinë. Kurse me tinguj të pianos do të prezantohen Tomor Berisha e Agron Shujaku./KultPlus.com

Sting mbajti koncert në Beograd, u përcoll nga 15 mijë njerëz (VIDEO)

Ylli britanik Sting, mbrëmë ka mbajtur koncertin e shumëpërfolur në Beograd, shkruan KultPlus.

Mediet serbe raportojnë se ky koncert është përcjellë nga 15 mijë njerëz, dhe bashkë me Sting ka kënduar e gjithë audeinca, sidomos në këngët e famshme “Mad about you”, “If I ever lose my control of you”, “Englishman in Newyork”./KultPlus.com

E konfirmuar, Tina Turner po kthehet me projekt të ri

Në West End në Londër, në prill të vitit 2018 do të prezantohet premiera botërore e mjuziklit që është bazuar në jetën dhe hitet e këngëtares së famshme Tina Turner, shkruan KultPlus.

Ky konfirmim ka ardhë edhe nga faqja e saj zyrtare, ku ka treguar për emocionet e saj mbi këtë rikthim, e cila ka vlerësuar se për të është shumë e rëndësishme që të ndajë me audiencën, komplet rrëfimin e saj. Poashtu Tina Turner është shprehur të jetë shumë e lumtur për faktin se kjo ngjarje do të ndodhë pikërisht në Londër, në vendin që ka një rol shumë të rëndësishëm për vetë Tina Turner. “Premierë botërore e mjuziklit tim të ri”, ka shkruar Tina Turner. Shitja e biletave tashmë do të fillojë në muajin shtator.

Mjuzikli i Tina Turner do të nisë me mbrëmjen për shtypin më 17 prill, kurse mjuziklli do të prezantohet më 21 mars, kurse ky projekt është rezervuar fillimisht deri më 16 qershor./KultPlus.com

Don Fatmir Koliqi propozon “Një rrugëtim në vendet e Nënë Terezës”, që do të lidhte Prishtinën, Prizrenin, Letnicën e Shkupin

Don Fatmir Koliqi ka dhënë një intervistë për AgenSir në Itali, me rastin e shugurimit të Katedrales “Nënë Tereza”, në Prishtinë, i cili ka treguar edhe për gatishmërinë për pritjen e shtegtarëve nga e gjithë bota, përcjellë KultPlus.

Nga AgenSIR

Shenjtërorja e kushtuar Shën Nënë Terezës në Prishtinë do të jetë e gatshme t’i pranojë shtegtarët nga e gjithë bota: “Do të jemi të gatshëm t’i pranojmë shtegtarët me gëzim dhe me dashurinë e Nënë Terezës. Populli ynë njihet tashmë gjithandej për mikpritje” – shpjegon famullitari Don Fatmir Koliqi, për AgenSir, përcjellë KultPlus.

“Jemi duke i shqyrtuar – vazhdon të shpjegoj Don Fatmiri – modalitetet, përmbajtjen dhe veçoritë që do të mund t’i ofrojmë shtegtarëve. Për Kishën tonë nuk do të jetë e vështirë t’i ushqejmë besimtarët me përshpirtërinë e Nënë Terezës, sepse i përkasim të njëjtit gjak. Shtegtarët që do të na vijnë në Shenjtërore do të mund të njihen me rrënjët, familjen dhe kulturën e Nënë Terezës, ku ajo ka jetuar për 18 vite”.

Don Fatmiri ka idenë për të propozuar “një rrugëtim në vendet e Nënë Terezës”, i cili do të kalonte prej Prishtinës, nëpër Katedralen e Prizrenit, vend i prindërve të Shenjtës, një vend historikisht i pasur me përshpirtëri, arkeologji të krishterë, me kulturë, me dialog ndërfetarë dhe ekumenizëm. Pastaj, ky rrugëtim do të kalonte te Shenjtërorja e Letnicës, ku Nënë Tereza kishte vendosur për t’u bërë misionare në shërbim të të varfërve, e do të përfundonte në Shkup, në vendin e lindjes së saj.
Kjo Shenjtërore në Kosovë, – vazhdon famullitari – do të ketë detyrë primare të dëshmojë ungjillin e Jezusit për “të jetuar si paraardhësit tanë, duke e dëshmuar bukurinë e fesë sonë”. Në “periudhat e vuajtjeve të mëdha”, gjatë okupimit otoman dhe komunizmit “Kisha jonë ka qenë shtyllë mbrojtëse për popullin tonë, në të gjitha kuptimet”. Sot kosovarët “janë në kërkim për t’i ri-gjetur rrënjët e tyre të krishtera, që të parët e tyre i kishin humbur gjatë shekujve. Do të jemi afër me ta në mënyrë të veçantë e do t’iu ndihmojmë ta ri-përqafojnë fenë e etërve të tyre. Nënë Tereza, bija e popullit tonë, do të jetë personi kyç në këtë ecje të fesë”. /KultPlus.com

Të dielën, sheshi i Buenos Aires do të kumbojë me zërin e Ermonela Jahos e Saimir Pirgut

Ermonela Jaho e Saimir Pirgu kanë shijuar ngohtësinë e publikut të Buenos Aires në Argjentinë, me rastin e prezantimit të premierës së shfaqjes operistike “La Traviata”, premierë që është dhënë më 12 shtator, por artistët shqiptarë nëpërmjet performancës së tyre artistike, emocionet e kësaj shfaqjeje do ti përcjellin përtej Shtëpisë Operistike të Buenos Aires, shkruan KultPlus.

Të dielën, atëherë kur edhe shënohet 160 vjetori i themelimit të Teatrit Colon, kjo shfaqje me protagonistë shqiptarë do të transmetohet direkt edhe në sheshin Vatikan të Buneso Aires.

Ndërkohë, pas dhënies së kësaj shfaqjeje direkt edhe në sheshin e Buenos Aires më 17 shtator do të ketë edhe një reprizë të radhës, atë të 19 shtatorit, shfaqje kjo që është duke u mirëpritë mjaftë shumë nga audienca argjentinase. /KultPlus.com

Sonte në “Rockuzine”, rock bendi nga Tirana “Urban Band”

Sonte në “Rockuzine”, do të performojë rock bendi nga Tirana “Urban Band”, shkruan KultPlus.

“Urban Band”, është i njohur për performance shumë të suksesshme nëpër festival të ndryshme në Shqipëri e Kosovë, të cilët janë dalluar për një performancë me plot energji në skenë.

“Rockuzine”, në Prishtinë ka njoftuar për KultPlus, se “Urban Band”, është bendi i parë nga Shqipëria që do të perfomojë para audiencës së këtij restaurant. /KultPlus.com

Sislej Xhafa sërish godet, dërgon gurin e varrit në Paris (FOTO)

Artisti shqiptar që nëpërmjet veprave të tij artistike po dërgon mesazhe të fuqishme nëpër botë, nesër do të prezantohet edhe me një ekspozitë prestigjioze në Paris, shkruan KultPlus.

Në ekspozitën Continua Sphères Ensemble, që do të hapet nesër në Paris, ku do të prezantohen me vepra të ndryshme artistë nga shumë shtete të botës, Sislej Xhafa do të dërgojë një gur varri.

Vetë Sislej Xhafa ekskluzivisht për KultPlus ka shpjeguar se titulli i kësaj vepre është “Father”, ku shihet të jetë një gur varri dhe mbi të një dëgjuese e telefonit.

“Vepra është punuar prej graniti”, ka thënë Xhafa në lidhje me këtë pjesëmarrje. Drejtor artistik i kësaj ekspozite është Jose Manuel Goncalves, kurse hapja e kësaj ekspozite për gazetarë është sot, prej orës 15:00, kurse ajo për publikun do të bëhet të shtunën, në ora 14:00. /KultPlus.com

Ermal Meta ft Jarabe de Polo sjellin këngën “Voodoo Love” (VIDEO)

Këngëtari shqiptar Ermal Meta që tashmë ka shënuar një famë të madhe në Itali dhe jo vetëm ka lansuar këngën e tij bashkë më Jarabe de Palo, që i flet dashurisë më plot ndjesi, shkruan KultPlus.

Kjo këngë edhe pse e lansuar para 12 orëve tashmë duket të jetë një këngë mjaftë e pëlqyer nga fansat, pasi që, përpos që është klikuar shumë, kjo këngë është shpërndarë shumë herë nëpër rrjete sociale./KultPlus.com

“Autobiografia” e Xhevdet Xhafës nëpërmjet fotografisë (FOTO)

Mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Tiranës është hapur ekspozita personale e artistit shqiptar Xhevdet Xhafa, ekspozitë kjo që shënon edhe bashkëpunimin kulturor në mes Kosovës dhe Shqipërisë, shkruan KultPlus.


Ekspozita është kuruar nga James Walmsley, kurse veprat në teknikën mikse janë një pasqyrim i jetës së piktorit, dhe përfaqësojnë ndjenjat dhe qëndrimet e tij veçanërisht mbi çështje sociale dhe politike të kombit shqiptar.


Kjo ekspozitë do të rri e hapur deri më 18 tetor, kurse lexuesit e KultPlus mund të shohin nga afër pamje nga hapja e kësaj ekspozite./KultPlus.com

Fisnik Ismaili në TEDx Tirana

Organizatorët e TEDx Tiarana kanë zbuluar folësin e radhës në “Naked Fisnik Ismaili”, ngjarje kjo që do të mbahet këtë të shtunë, shkruan KultPlus.

Poashtu për këtë event, TEDxTirana ka njoftuar ndjekësit edhe me biografinë e Fisnik Ismailit, ku kanë shpjeguar se Fisnik Ismaili ka lindur në Prishtinë, dhe ka jetuar në Londër për 12 vite ku dhe mbaroi studimet Bachelor në Multimedia. Ne vitin 2005, Fisniku u kthye në Kosovë dhe Shqipëri ku themeloi agjencitë publicitare Karrota dhe Ogilvy Albania. Aktualisht ai shërben mandatin e dytë si deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin e Kosovës.

Ish luftëtar në UÇK, Fisniku po ashtu njihet si autor i shumë veprave kreative dhe satirës politike në Kosovë, si dhe është ideatori i Monumentit të Pavarësisë, NEËBORN, për të cilin fitoi çmimin më prestigjoz në botë për dizajn, Luanin e Artë në Cannes, dhe gjashte çmime të tjera ndërkombëtare. Ligjërues në Multimedia, rishtaz ka përfunduar studimet Master në Corporate Communications and Public Affairs në U.K./KultPlus.com

Mes arkeologjisë dhe bunkerëve, aspektet magjepsëse dhe kontradiktore të Shqipërisë

Ky vend ballkanik u shfaq në skenën e turizmit gjatë viteve të fundit, pas një periudhe të gjatë në errësirë ku e la regjimi. Por mesa duket, vetëm në vitin 2017 italianët e kanë zbuluar atë përfundimisht. Numrat tregojnë një boom të vogël. Le të zbulojmë bashkë sekretet e tij.

Shkruan: CINZIA LUCCHELLI

Vite më parë ata që udhëtonin në gadishullin ballkanik duhet të anashkalonin Shqipërinë në mënyrë që të vazhdonin rrugën e tyre. Sot, në këtë vend i cili ka lënë pas krahëve një regjim komunist 46-vjeçar që e izoloi nga pjesa tjetër e botës, zbulojmë një destinacion turistik. Afërsia, deti në të cilin pasqyrohet ai i Puljas, dhe kostot e përmbajtura të jetesës, nga janari deri në korrik 2017, kanë bindur 182 mijë italianë, 56% më shumë se vitin e kaluar, që të kalojnë pushimet në Vendin e Shqiponjave. Plazhet e Jugut, ai i Sarandës sidomos, janë ato që parapëlqehen më shumë dhe mbipopullohen gjatë pikut të sezonit të verës. Po ashtu, pjesë e itinerareve të vizitorëve janë dhe vendi arkeologjik i Butrintit dhe qytetet e Gjirokastrës dhe Beratit, të cilat ruajnë dhe tregojnë të kaluarën. Ndërsa Veriu është më pak i eksploruar, por dhuron peisazhe natyrore të mahnitshme, të cilët për momentin i kanë shpëtuar dorës modernizuese që po ndryshon pamjen e Shqipërisë.

Rrugët për të mbërritur në këtë zonë malore, duke u nisur nga Durrësi ose nga Vlora nëse vini me traget nga Italia, nga Tirana nëse udhëtoni me avion, sa vijnë dhe vështirësohen. Nuk ka korsi të shpejta, asfalti ndërpritet në segmente të gjata, bordurat, ashtu sikurse ndriçimi, janë opsionale. Nuk dihet se çfarë të pret pas çdo kthese. Aty këtu dallohen bunkerë, trashëgimi e të kaluarës. Por distancat nuk janë të gjata dhe Shkodra, kryeqendra e Veriut, është vetëm pak më shumë se dy orë nga kryeqyteti. Shkodra gjendet pranë liqenit me të njëjtin emër që vendi bashkëndan me Malin e Zi.

Jo shumë larg qendrës ndodhet muzeu historik, i cili gjatë regjimit shërbente si burg. Aty ruhen ende disa qeli dhe dhoma e torturave. Në çdo qytet kishte 23 vende të tilla për 24 mijë banorë. Përgjatë shëtitores kryesore, një tjetër copëz nga historia: muzeu kombëtar i fotografisë Marubi. Pietro Marubi, nga Piacenza, u largua nga Italia sepse ishte i përfshirë në vrasjen e Dukës së Parmës, Karlo III i Burbonëve. Sapo erdhi në Shkodër hapi një studio fotografie. Ishte viti 1856 dhe fotografia ishte në hapat e para të saj. Shpejt studio e tij u bë pikë referimi për ata që mund t’ia lejonin vetes të bënin një fotografi.
Arti i Pietros u trashëgua në gjenerata deri kur, në vitin 1970, familja u detyrua t’i dhuronte qeverisë arkivin e pafund. Në verë qyteti gjallërohet, kafenetë janë plot e përplot, biçikletat kalojnë si shigjeta nëpër rrugë. Nuk mungojnë restorantet dhe vendet ku mund të kalosh natën, me çmime që i përshtaten çdo xhepi. Mes restoranetev të shumtë dallohen Vila Bekteshi (për supën me vezë dhe limon) dhe Elita (për mishin e marinuar dhe të pjekur në hell për 12 orë), por nëse doni të konsumoni një drekë shqiptare autentike, shkoni në një mëngjezore, siç quhen disa lokale të vegjël dhe të thjeshtë me pak tavolina ku shërbehen si për mëngjes ashtu edhe për drekë, pjata të shijshme me bazë mishi dhe orizi të shoqëruara me sallatë. Ndërsa natën mund ta kaloni në bujtinën mikpritëse Bulldgog Hostel & Club, e cila menaxhohet nga një çift italo-shqiptar.

Shkodra është porta hyrëse për në dy vende magjepëse. Njëri prej tyre është Thethi, fshat malor që ndodhet në një luginë të gjatë dhe të ngushtë rreth 900 metra mbi nivelin e detit dhe e rrethuar nga maja që kapin 2500 metrat. Pikat e referimit janë kisha me varrezat e vogla, shkolla dyngjyrëshe jeshile me të kaltër, si edhe kulla ku – sipas Kanunit, kodit arkaik të Veriut të Shqipërisë – ngujoheshin personat e përfshirë në gjakmarrje. Udhëtimi deri aty është aventurë më vete: duhen të paktën tre orë të mira përgjatë një rruge që, në segmentin e fundit, i ngjitet malores, e pashtruar dhe pa bordura, mes pyjesh ahu e pishe. Duhet një fuoristradë. Shumë agjenci të zonës dhe hotele organizojnë udhëtimin dhe qëndrimin. Kur mbërrin, të duket sikur gjendesh në Aplet e Italisë: shtëpi të ulëta me çati të e pjerrëta, nëpër shtigje viça, derrkuca dhe dhi, uji që gurgullon mes gurëve.
Duke ecur për tre orë përgjatë rrjedhës së ujit në dalje të fshatit, mbërrijmë tek Syri i kaltër, një burim i ftohtë ku ka turistë që gjejnë kurajon të zhyten. Ecja kërkon angazhim, por mund t’i kërkoni ndihmë ndonjë shoferi që të shkurtoni rrugën. Më afër, rreth 30 minuta nga Thethi, ndodhet ujëvara e Grunasit. Është thuajse detyrim ta kalosh natën në fshat. Shumë prej banorëve i kanë përshtatur banesat e tyre për të pritur vizitorët. Dhomat janë të thjeshta dhe drita elektrike është ndonjëherë aq e zbehtë saqë të duhet të presësh ditën për të lexuar.

“Paketa”, që ndër të tjera është shumë ekonomike, përfshin darkën me prodhime të zonës (pulë, oriz, kastraveca, domate, djathë të bardhë), ndërsa për mëngjes vezë të skuqura, qumësht të sapo mjelë, bukë dhe gjalpë të bërë vetë, si edhe reçel i trashë me copa frutash. Ata që janë më të stërvitur mund ta provojnë veten në eskursione të tjera, si p.sh. nisja nga Thethi për të mbërritur në Valbonë përmes maleve përgjatë një rruge të banuar nga arinj, shqiponja dhe ujqër. Duhen rreth 6 orë. Kush e ka kaluar natën në çadër tregon se si në mëngjes e kanë përshëndetur dy të vegjël ariu që luanin me njëri-tjetrin. Kështu që është më mirë të mos ngrini çadra.

Ka një vend tjetër të paprekur në Veri që ende nuk i trembet çimentos që po mbyt plazhet e Jugut. Ashtu sikurse për në Theth, edhe rruga për këtu, rreth një orë e gjysëm nga Shkodra, nuk është shumë inkurajuese por pamja që të shfaqet para syve kur, duke dalë nga tuneli mbërrin nërrin në portin e vogël të Komanit, e shpërblen gjithë lodhjen e një rruge të mundimshme dhe pa sinjalizim. Nga këtu nisen çdo ditë në orën 9 dy tragete të vegjël (njëri Berisha dhe tjetri Rozafa) që përshkojnë për tre orë lumin Drin deri në Fierzë.

Nëse doni të imbarkoni edhe makinën, duhet të mbërrini aty shumë herët sepse, edhe nëse prenotoni me telefon, nuk e keni vendin të garantuar nëse vonoheni. Që të siguroheni, mund të shkoni në Koman një natë përpara dhe të kaloni natën në hotelin e vogël pranë portit. Pamja është skenografike, të mbush sytë: uji, dy tragetet, hoteli dhe, në të djathtë, diga madhështore. Po, sepse vendi gjendet pranë një hidrocentrali.

Tragetet grumbullojnë makina, furgonë të vegjël dhe gomone, sa duket e pabesueshme, duke i ngecur njëri pas tjetrit dhe duke shfrytëzuar çdo centimetër të lirë. Atëherë nisen, jo gjithnjë në orar, dhe kthehen 4 orë pas nisjes. Shpejtësia e lundrimit është perfekte për të soditur panoramën. Kalohet përmes malesh me gjelbërim të harlisur dhe të paprekur. Jeshile ngjyra e lumit, jeshile panorama që rrethon. Ulur në tarracën e tragetit, përkëdhelesh nga dielli dhe era, ndërsa trageti kalon pranë gjijsh dhe ishujsh për të mbërritur në Fierzë ku gjëja e parë që të bie në sy është një anije e rrënuar dhe e ndryshkur. Prej këtu, kufiri me Kosovën është vetëm një orë larg.
Një mundësi e mirë për të nisur një tjetër udhëtim./KultPlus.com

“Parfume” nga Annella (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare Annella, që jeton tash e shumë vite në Danimarkë, pas lansimit të disa këngëve të saja që po synojnë tregun botëror, sot ka lansuar edhe këngën më të re “Parfume”, shkruan KultPlus.

Kjo këngëtare që është pjesë e labelit Wooden Hat Records në USA, më herët pat lansuar këngën “Red Stilettos”

Për këngën “Parfume”, ajo ka falënderuar stafin e saj, duke e vlerësuar të mrekullueshëm, kurse për këtë projekt që është i shoqëruar edhe me videoklip dhe me në stil tejet të veçantë ka shkruar se ka punuar si e çmendur për të krijuar këtë këngë dhe këtë video.

Annella është pjesë e labelit Wooden Hat Records në USA. Ajo është një vajzë me prejardhje nga Peja, por e lindur në Zvicër, e që tani jeton në Danimarkë, vendin në të cilin edhe filloi karrierën si këngëtare. Annella karakterizohet për stilin e muzikës që bënë dhe paraqitjen e saj./KultPlus.com