Libraria Ulqini ftesë për Ag Apollonin, do të promovohen “Një fije shprese, një fije shkrepëse” dhe “Kësulkuqja”

Libraria Ulqini ka njoftuar se do të organizojë një takim me shkrimtarin Ag Apolloni, dhe në të njëjtën ceremoni do të promovohen edhe dy librat e tij “Një fije shprese, një fije shkrepëse” dhe “Kësulkuqja”, shkruan KultPlus.

Kjo mbrëmje letrare do të mbahet më 8 mars në Librarinë Ulqini në Ulqin, takim i cili do të fillojë në ora 19:00./ KultPlus.com

Enver Petrovci sot feston datëlindjen e 69-të

Enver Petrovci, aktori dhe regjisori i cili arriti famë shumë të madhe në kinematografinë ish jugosllave, kosovare dhe ndërkombëtare, sot feston datëlindjen e tij të 69-të.

Petrovci lindi më 28 shkurt 1954 në Prishtinë. Në fillim studioi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë në degën e aktrimit, më pastaj mbaroi studimet Universitare për aktor edhe në Fakultetin e Arteve Dramatike në Universitetin e Beogradit. Ka arritur karrierë shumë të suksesshme në teatër, sidomos në atë “Atelieja 212” dhe me rolet e luajtura aty u bë i njohur nëpër mbarë ish Jugosllavinë duke u vlerësuar një nga aktorët me të famshëm të asaj kohe. Pas mbarimit të luftës e vazhdoi me sukses karrierën artistike në Prishtinë e në qendra të tjera shqiptare.

Interpretimet e tij në film ishin gjithashtu shumë të mirëpritura duke arritur famë shumë të madhe në kinematografinë ish jugosllave, kosovare dhe ndërkombëtare.

Është një ndër themeluesit e degës së Artit Dramatik dhe Akademisë së Arteve në Universitetin e Prishtinës në vitin 1989, ai kthehet nga Beogradi për të ligjëruar lëndën e aktrimit në këtë Universitet dhe formon kuadro të reja të aktorëve në Kosovë.

Rolet e tij si në teatër ashtu edhe në film janë në numër shumë të madh. Petrovci vazhdon të jetë pjesë e projekteve të ndryshme ku ende mban fuqishëm primatin e tij në fushën e aktrimit./ KultPlus.com

Ukraina lëshon pullë postare të Banksy për të shënuar përvjetorin e pushtimit

Për të shënuar përvjetorin e pushtimit nga Rusia, Ukraina ka përkujtuar një nga muralet që artisti misterioz, Banksy pikturoi në mbetjet e ndërtesave të djegura përreth Kievit në nëntor.

Murali tregon një djalë të ri duke ekzekutuar me qetësi një lëvizje xhudo të njohur si “rënie lundruese” kundër një burri plotësisht të rritur që mendohet se përfaqëson presidentin rus Vladimir Putin.

Sipas Guardian, banorët e kryeqytetit të Ukrainës, Kievit, u mblodhën të premten në zyrën kryesore të postës së qytetit për të grumbulluar pullat, të cilat, përveç muralit provokues, kanë frazën “FCK PTN” të shkruar në këndin e poshtëm majtas.

Murali është një nga  shtatë  që Banksy pikturoi në kryeqytetin ukrainas. Në dhjetor, tetë persona u arrestuan për  përpjekjen për të vjedhur  një nga muralet nga një mur në Hostomel, një qytet jashtë Kievit.

Autorët u arrestuan në vendngjarje. Personi që dyshohet se orkestroi grabitjen e dështuar mund të përballet me më shumë se 10 vjet  burg.

Në fillim të këtij muaji, zyrtarët ukrainas vendosën  xhami mbrojtës  mbi disa prej muraleve për t’i mbrojtur ato nga vandalët dhe kushtet e vështira të motit.

/Shqip.com

Tërheqja zvarrë e Gentit nëpër Romë  

Binak Kelmendi

Dhoma ishte e errtë, vetëm drita e llampadarëve të ndezur në murin e nxirë sillte një shkëlqim të zberë në pjesët ku ishin vënë kornizat e kuqrremta me mbishkrimet që lexoheshin me shumë vështirësi. Era tundte flakët e tyre, dhe, varësisht nga forca e saj, vinte edhe shikimi më i qartë.

Ky është Genti.

Ai hapi sytë dhe pa: Dymbëdhjetë kuaj të mbrehur shkeleshko, me shkumbë që nxirrnin nga goja dhe hundët, me bishtin që mezi e mbanin përpjetë, tërhiqnin një karrocë dyrrotëshe nëpër makadamin buzë lumit me guralecë të zezë. Njerëz në të gjitha anët e sheshit, me çdo lloj rrobash, të zhveshur fare, duke kërcyer, duke kënduar, duke duartrokitur, bënin sehir dhe më së shumti qeshnin krejtësisht kot. Një ngazëllim i çuditshëm përndritte fytyrat e tyre të lodhura. Në fund të rrotëve të karrocës përzgjatej, si një anakondë e kuqe me lëkurë të rrjepur, një litar.

Ai u ndal të vërente detajet.

Ky është Genti, dëgjoi fjalët sërish dhe tek nuk dinte saktësisht në ishte ai zëri i ciceronit apo zëri i kujtesës së tij historike, vazhdoi shikimin.

Ky është Genti, përseriti ai zë, dhe ai pastaj shikoi: një figurë e njeriut, me duar, me këmbë e me kokë, shtrirë sa gjerë gjatë, hije, zvarritej në makadamin e lagur nga lotët e të qeshurit. Një damar ishte çarë në ballin e të zvarriturit dhe gjaku i mpiksur kishte bërë një si hartë në ballin e tij: Adriatiku, Joni, Tireni, Egjeu…shplanin shpatet e Alpeve të Ilirisë.

O zot, sa shumë dete, sa shumë male, sa shumë fusha dhe sa shumë ujë që kishte.

Era lëkundte valët dhe lemba e vogël fshihej ndërmjet tyre duke u ndeshur me peshqit që fluturonin thik përpjetë për të zënë ndonjë mizë.

Agroni puthej me Teutën duke prekur dhembjet e gjoksit dhe duke treguar sekretet ushtarake.

Deti rrudhej valë-valë nga një puhizë.

Teuta mekej duke i hyrë në gjoks Agronit.

Mbreti im, tha me përgjërimë Teuta dhe preku kurorën që i shkëlqente në kokë. Mbreti im, nuk ka bir njeriu të shkelë as tokën dhe as detin tonë. Deti Jonë është ky, u betua ajo duke ngjeshur edhe më shumë kurorën në ballë dhe pastaj bëri t’ia mbyllte me gishtërinjtë e gjatë sytë Agronit. U ndal papritur. Një kaltri mbytëse me thellësi të pafundme shtrihej në sytë e Agronit që të hapur rrinin drejt qiellit një pjesë të të cilit e kishte zënë një diell shumë i madh. Teuta shikoi edhe një herë sytë e Agronit dhe Detin Jon dhe nuk kuptonte dot ku nisnin sytë dhe ku përfundonte deti.

Pastaj Teuta vuri strehën e duarve mbi ballë dhe nisi këngën e peshkatarëve. Peshkatarët ia behen dhe fill lëshuan rrjetat në ujë. Asgjë nuk u kap në kurthën e tyre të lëngët, vetëm kufoma e Agronit që nuk lëkundej fare, rrinte e ngrirë nga pasvdekja…

Era frynte tutje detit dhe valët e ujit përplaseshin mbi shkëmbinj.

Pulëbardhat, duke fluturuar me krrokamë drejt qiellit dhe drejt tokës, herë fusnin kokën në shkumbë duke zënë një peshkth dhe herë ndeshnin sqepin mbi gurë duke zënë ndonjë krimb…

Batuat, I, II, III….ende po luftonin për dele, për dete, për hardhi, për gra.

Ai kërkoi të fikeshin dritat në murin e zi dhe të çmbreheshin kuajt që kishin tërhequr rrëqanthi trupin e Gentit. Me gjasë nuk e dëgjoi askush ç’kishte thënë pasi që ai gjithnjë fshihej nga dielli nën një çadër plastike që sillte shumë ngrohtësi mbi kokën e tij tepër të djersitur.

Këmbanat binin me uturimë dhe një protestë kundër abortit ishte caktuar të mbahej në mesditë në sheshin Shën Pjetri. Pastaj ai hyri në kishën e parë që e pa. Dhe e shikoi orën. Ishte koha të lutej për shpirtin e papës Klimenti.

Zot shpëto, tha duke kërkuar ndihmë me shikim për të gjetur një zgjidhje në fjalëkryq. Një sirenë, zjarrfiksish, policësh, të ndihmës së parë, e të kujt o Zot, as ai nuk e dinte, e përmendi.

Pastaj ai futi lapsin në xhepin e këmishës, gazetën në xhep pantollonesh dhe duke ndrequr syzet mbi ballë, kërkoi që ciceroni të përsëriste fjalitë e fillimit./ KultPlus.com

Me ekspozitën “Gjurmë”, Amire Demolli do të prezantohet në KultPlus Caffe Gallery

Artistja Amire Demolli do të prezantohet për herë të dytë me ekspozitë personale, lkësaj radhe me ekspozitën “Gjurmë” që do të hapet më 1 mars, në KultPlus Caffe Gallery prej orës 19:00.

Amire Demolli do të prezantohet me 12 punime artistike e që për kurator ka Refki Gollopeni.

Vetë kuratori për punën artistike të Amire Demollit ka thënë se me konceptin artistik “Gjurmë”, në pikturat e saj shpalos emocionet dhe temperamentin krijues përmes laramanisë në stile, në shprehje artistike, në qasjet e saj, si realiste, ashtu dhe abstrakte. “Ajo është në mes të një rrugëtimi eksperimental, drejt krijimit te identitetit te saj artistik”, ka vlerësuar mes të tjerash Gollopeni.

“Bota e re universale në qasjen abstrakte është përherë në lëvizje, në kërkim të lindjes së re në univers, duke e pasuruar kështu pikturën imagjinative, që deri tani ishte e pa njohur për ne, por Amire Demolli e konkretizoi imagjinatën dhe ndjesinë e saj në krijimtari duke lënë kështu gjurmë në art e që do të vazhdojnë të jetojnë”, ka shtuar tutje Gollopeni për ekspozitën e radhës së Demollit, e cila përpos që po shënon ekspozitën e saj të dytë personale, ajo deri tash ka marr pjesë edhe në shumë ekspozita kolektive brenda dhe jashtë vendit.

Ekspozita “Gjurmë” do të qëndrojë e hapur deri më 7 mars.

Amire Demolli studimet dhe masterin për pikturë i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin e Arteve, e cila në të njëjtën kohë në po këtë universitet ka përfunduar Fakultetin e Mjekësisë dhe aktualisht është në specializim në Klinikën e Kirurgjisë Plastike Rekonstruktive dhe Estetike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës

Në periudhën prej 5-12 mars do të jetë pjesëmarrëse në World Women’s Arts Forum në Egjipt, ku do ta përfaqësojë Kosovën në mesin e 17 shteteve të ndryshme të botës./ KultPlus.com

Osmani për takimin në Bruksel: Dje janë pranuar edhe disa propozime jo të lehta

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani vlerëson se dje në takimin në Bruksel janë pranuar edhe disa propozime jo të lehta, që lidhen me vetëmenaxhimin e pakicës serbe në Kosovë dhe rregullimin e statusit juridik të Kishës Ortodokse Serbe.

Këshilltari për media Bekim Kupina ka thënë se Osmani vlerëson se teksti i marrëveshjes nuk i sqaron tërësisht implikimet nga këto si dhe disa çështje të tjera, të cilat duhet të sqarohen domosdoshmërisht para se të finalizohet Plani i Zbatimit.

Sipas saj, fjalën përfundimtare për këtë marrëveshje duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës.

Takimi i 27 shkurtit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian (BE) dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sipas Osmanit shënon moment pozitiv në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

“Ai (takimi) i kontribuon paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon. Presidentja e Republikës së Kosovës vlerëson se nëse marrëveshja zbatohet në mënyrë burimore, ajo do të përcaktonte parime të rëndësishme për relacionet ndërmjet palëve, duke i vendosur si të barabarta, me respekt reciprok dhe në përputhje me parimet themelore të Kartës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë parimin e respektimit të integritetit territorial. Megjithatë, sipas presidentes Osmani, me këtë marrëveshje, dje janë pranuar edhe disa propozime jo të lehta, që lidhen me vetëmenaxhimin e pakicës serbe në Kosovë dhe rregullimin e statusit juridik të Kishës Ortodokse Serbe. Teksti i marrëveshjes nuk i sqaron tërësisht implikimet nga këto si dhe disa çështje të tjera, të cilat duhet të sqarohen domosdoshmërisht para se të finalizohet Plani i Zbatimit”, thuhet në përgjigjën e Kupinës.

Sipas tij, presidentja Osmani thekson se çdo rezultat i dialogut duhet ta ruajë integritetin territorial, sovranitetin dhe funksionalitetit e brendshëm të Kosovës.

“Siç ka thënë vazhdimisht Presidentja Osmani dhe sikur ka nënvizuar edhe presidenti Biden, procesi i dialogut duhet të përmbyllet me njohjen reciproke, ndaj Plani Evropian mund të ndihmojë në arritjen e këtij qëllimi.

Presidentja konsideron se fjalën përfundimtare rreth kësaj marrëveshjeje duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës, meqë preken kategori kushtetuese të parapara në nenin 18 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka thënë ai./rtv 21

Hapet thirrja për konkursin poetik për heroin e kombit Agim Ramadani

Shoqata Kulturore “DITËT E AGIMIR” e mbështetur nga Komuna e Gjilanit, përkatësisht nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ka njoftuar se tashmë ka hapë thirrjen për konkursin poetik që i dedikohet heroit të kombit Agim Ramadani, konkurs që sipas rregullave, poetët duhet të konkurrojnë me shifra, jo me emër e mbiemër.

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin për këtë konkurs poetik.

Me rastin e 60-tw vjetorit të lindjes së heroit të kombit, strategut të Betejës së Koshares, shembjes së kufirit ndarës mes shqiptarëve, Agim Ramadanit, Shoqata kulturore “DITËT E AGIMIT”, e mbështetur dhe nga Komuna e Gjilanit – Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, shpall konkursin poetik për poezi, për të gjithë poetët e hapësirës shqiptare dhe poetëve që veprojnë e krijojnë nëpër botë, në nderim të kësaj figure madhore të kombit, të luftës së lavdishme çlirimtare dhe të nderimit e begatimit të letërsisë shqipe.

Tema e konkursit është e lirë por, preferohen dhe poezitë përkushtuese për luftën tonë për liri, pavarësi e integrim kombëtar si dhe figurën e ndritshme atdhetare, krijuese e flijimtare të Agim Ramadanit.

Organizatori, përmes një Jurie profesionale nga fusha e letërsisë, do t’i nderojë me çmime, tri poezitë më të mira si dhe do t’i përfshijë në Librin “AGIMI I LIRISË SONË ”, të gjitha ato poezi që i përmbushin kriteret artistike për botim. Çmimi i pare- 500 €, Çmimi i dytë 300 €, Çmimi i tretë 200 €.

Poezitë, të cilat nuk duhet të kenë më shumë se 30 vargje dhe patjetër ME SHIFËR, dërgohen përmes postës së rregullt, në adresën e Shoqatës Kulturore “DITËT E AGIMIT” në Zhegër si dhe përmes postës elektronike [email protected] më së largu deri më datën 11 Prill 2023.

Rezultatet do të shpallen më 23 prill 2023, në Ditën Ndërkombëtare të Librit, kurse poezitë fituese dhe ato që përzgjidhen për lexim, do të paraqiten në Manifestimin tradicional “Ditët e Agimit”, përkatësisht në pjesën letrare të këtij Manifestimi, MUZA E AGIMIT, e cila mbahet më 2 Maj 2023, në vendlindjen e heroit, në Zhegër, ku pritet të përurohet edhe libri, “AGIMI I LIRISË SONË”./ KultPlus.com

“Puthja e jetës”, fotografia me historinë e jashtëzakonshme që intrigon publikun tash e 50 vite

Fotografia e realizuar në vitin 1967 e shkrepur përmes objektivit të Roko Morabit quhet “Puthja e jetës”,  dhe  ka intriguar publikun për më shumë se 50 vjet. Ajo  fsheh  në vete një histori të jashtëzakonshme të dy punëtorëve.

Një vit pasi u shkrep fotografia, fotografi mori çmimin Pulitzer dhe më pas ajo u botua në gazeta nëpër botë.

“Puthja e jetës”

Puthja e jetës  shfaq elektricistin J. D. Thomson duke i  dhënë frymëmarrje artificiale bashkëpunëtorit të tij Randall G. Champion, pasi ai humbi vetëdijen pas kontaktit me një tel të tensionit të ulët.

Të dy ata po bënin mirëmbajtje rutinore kur Champion aksidentalisht preku njërin prej telave të tensionit të ulët që ndodhej në majë. Ai humbi vetëdijen, për fat të mirë, rripi i sigurimit e pengoi që të binte. Thompson, i cili ishte poshtë tij, shpejt arriti lart dhe filloi t’i japë frymëmarrje artificiale, transmeton reporteri.

Duke parë rrethanat nuk ishte në gjendje të përdorte dhe duart për frymëmarrje artificiale por vazhdoi të fryjë në mushkëritë e Champions deri kur ndjeu një puls, më pas ia zgjidhi rripin që e mbante lidhur me shtyllën dhe zbriti me të në shpatulla.

Ai jetoi edhe për 35 vjet të tjerë pas kësaj ngjarje. Vdiq më 2002 në moshën 64 vjeç.

Rreth fotografit

Rocco Morabito ishte duke vozitur në West Street në korrik  të vitit 1967. Në një moment, ai ngriti kokën dhe pa elektricistin që ishte goditur nga rryma. Ai thirri menjëherë ambulancën dhe kapi aparatin për të shkrepur foton.

“Unë kalova pranë këtyre njerëzve që po punonin dhe vazhdova me punën time. Kam bërë tetë foto. Mendova të kthehem dhe të shoh nëse mund të bëj një foto tjetër. Atëherë dëgjova një ulërimë. Ngrita sytë dhe pashë që burri ishte varur. Oh Zoti im, nuk dija çfarë të bëja. Unë bëra një fotografi menjëherë, pastaj Thomson zbriti shkallët. Shkova në makinën time dhe thirra një ambulancë. U ktheva aty kur Thomson po i jepte frymë artificiale shokut të tij. E shkrepa një fotogravi kur dëgjova “Po merr frymë”.

Rocco Morabito mori çmimin Pulitzer të vitit 1968 për fotografinë “Puthja e jetës”. Fotografia u botua në  shumë gazeta nëpër botë. / KultPlus.com

Lionel Messi shpallet lojtari më i mirë i vitit nga FIFA

Sot po mbahet ceremonia e ndarjes së çmimeve për më të mirët në futboll nga FIFA.

“FIFA The Best” është evenimenti ku ndahen çmimet për më të dalluarit në futboll si çmimi i lojtarit dhe trajnerit më të mirë të vitit.

Çmimin për lojtarin më të mirë nga FIFA e fitoi, Lionel Messi.

Ai në garë për këtë çmim mposhti Karim Benzeman dhe Kylian Mbappen.

Publikohet për herë të parë zyrtarisht plani franko-gjerman, kjo është përmbajtja

Bashkimi Evropian e ka publikuar të plotë Propozimin Evropian për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Propozimi përmban gjithsej 11 nene.

Ky është propozimi, i publikuar i plotë në faqet zyrtare të BE-së:

Palët e dakorduara,

Të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre për ruajtjen e paqes,

Të përkushtuar për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale në Evropë dhe për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës,

Të vetëdijshëm se paprekshmëria e kufijve dhe respektimi i integritetit dhe sovranitetit territorial dhe mbrojtja e pakicave kombëtare janë kusht themelor për paqen,

Duke u nisur nga faktet historike dhe pa paragjykuar pikëpamjet e ndryshme të Palëve për çështjet themelore, duke përfshirë çështjet e statusit,

Me dëshirën për të krijuar kushtet për bashkëpunim ndërmjet Palëve në dobi të popullit,

Kanë rënë dakord si më poshtë:

Neni 1

Palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën mbi bazën e të drejtave të barabarta.

Të dyja Palët do të njohin reciprokisht dokumentet e tyre përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore.

Neni 2

Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato të barazisë sovrane të të gjitha shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën e vetëvendosjes, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimi.

Neni 3

Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, Palët do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës.

Neni 4

Palët vazhdojnë me supozimin se asnjëra nga të dyja nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj.

Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Neni 5

Asnjëra palë nuk do të bllokojë, as nuk do të inkurajojë të tjerët të bllokojnë, përparimin e palës tjetër në rrugën e tyre përkatëse në BE bazuar në meritat e tyre. Të dyja palët do të respektojnë vlerat e përmendura në nenet 2 dhe 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian.

Neni 6

Ndërsa Marrëveshja aktuale përbën një hap të rëndësishëm normalizimi, të dyja palët do të vazhdojnë me një shtysë të re procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, i cili duhet të çojë në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të tyre.

Palët bien dakord të thellojnë bashkëpunimin e ardhshëm në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe konektivitetit, marrëdhënieve gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit, postës dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, fesë, sportit, mbrojtjes së mjedisit, personave të zhdukur, personave të zhvendosur dhe fushave të tjera të ngjashme nëpërmjet lidhjes së marrëveshjeve specifike.

Detajet do të bien dakord në marrëveshje shtesë të ndërmjetësuara nga Dialogu i udhëhequr nga BE.

Neni 7

Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.

Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Neni 8

Palët do të shkëmbejnë Misionet e Përhershme. Ato do të vendosen në selinë e Qeverive përkatëse.

Çështjet praktike në lidhje me themelimin e Misioneve do të trajtohen veçmas.

Neni 9

Të dyja palët marrin parasysh angazhimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë për të krijuar një paketë të veçantë investimi dhe mbështetje financiare për projektet e përbashkëta të Palëve në zhvillimin ekonomik, lidhjen, tranzicionin e gjelbër dhe fusha të tjera kyçe.

Neni 10

Palët do të krijojnë një Komitet të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje.

Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese.

Neni 11

Të dyja palët angazhohen të respektojnë Udhërrëfyesin e Zbatimit të aneksuar në këtë Marrëveshje./ gazeta express

Parlamenti i Zvicrës i thotë Po traktatit të ndihmës juridike me Kosovën

Pas Dhomës Nacionale, dhjetorin e kaluar, Dhoma e Kantoneve ka miratuar të hënën njëzëri dhe pa diskutim marrëveshjen e ndihmës juridike.

Sipas të gjitha gjasave, Zvicra mund të lidhë një marrëveshje për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale me Republikën e Kosovës. Pas Dhomës Nacionale, pro këtij bashkëpunimi ka votuar  edhe Dhoma e Kantoneve (Senati), transmeton albinfo.ch

Dhoma e vogël pra ka miratuar të hënën njëzëri dhe pa diskutim marrëveshjen e ndihmës juridike. Ndërsa Dhoma Nacionale ka miratuar dokumentin në dhjetor të vitit që shkoi, me 176 vota pro, 6 kundër dhe dy abstenime.

Me gjithë këtë, marrëveshja mund të jetë ende subjekt i referendumit fakultativ, njoftojnë shërbimet parlamentare.

Siç ka njoftuar Këshilli Federal lidhur me traktatin, Zvicra dhe Republika e Kosovës tashmë janë duke punuar së bashku në zbulimin dhe ndjekjen e veprave penale bazuar në ligjet e tyre përkatëse kombëtare, përcjell albinfo.ch. Marrëveshja e re e ndihmës së ndërsjellë juridike synon të thjeshtojë dhe përshpejtojë bashkëpunimin.

Zbatimi nuk kërkon ndonjë ndryshim në ligj.

Kontrata hyn në fuqi kur të plotësohen kërkesat e vendeve përkatëse dhe të dyja palët kanë njoftuar njëra-tjetrën. Ministrja e Drejtësisë Elisabeth Baume-Schneider theksoi në senat se Zvicra e njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës saktësisht 15 vjet më parë, më 27 shkurt 2008./albinfo.ch

Një tjetër tërmet godet Turqinë, një i vdekur mbi 100 të plasogur 

Një tërmet me magnitudë 5.6 goditi Turqinë jugore të hënën, tre javë pas tërmeteve me përmasa katastrofike që shkaktuan dëme të mëdha në rajon. Termeti i të hënës shembi disa ndërtesa që ishin dëmtuar gjatë dridhjeve të mëparshme të tokës, duke vrarë të paktën një person, thanë autoritetet.

Më shumë se 100 persona u lënduan si pasojë e tërmetit të së hënës, me qendër në qytetin Yesilyurt në provincën Malatya, u tha gazetarëve Yunus Sezer, shefi i agjencisë së menaxhimit të fatkeqësive të vendit, AFAD. Më shumë se 20 ndërtesa u shembën.

Një burrë dhe vajza e tij që ishin bllokuar nën rrënojat e një ndërtese katërkatëshe në Yesilyurt, u shpëtuan. Ata kishin hyrë në objektin e dëmtuar më parë për të marrë gjëra personale të tyre.

Në Malatya, autoritetet po zhvillonin kërkime në rrënojat e dy ndërtesave të dëmtuara që u rrëzuan mbi disa makina të parkuara, raportoi media turke, “HaberTurk”. Ende nuk dihet nëse ka njerëz të bllokuar nën rrënoja.

Malatya ishte ndër 11 provincat turke të goditura nga tërmeti me magnitudë 7.8 që shkatërroi pjesë të Turqisë jugore dhe Sirisë veriore më 6 shkurt. Ky i fundit shkaktoi vdekjen e më shumë se 48,000 njerëzve në të dyja vendet, si dhe në shembjen apo dëmtimin serioz të 185,000 ndërtesave në Turqi.

Shefi i AFAD-it u bëri thirrje njerëzve të mos hyjnë në ndërtesat e dëmtuara, duke thënë se pasgoditjet e forta vazhdojnë të përbëjnë rrezik. Më shumë se 10,000 pasgoditje janë regjistruar në këtë rajon që nga 6 shkurti.

Banka Botërore tha të hënën se tërmeti masiv shkaktoi 34.2 miliardë dollarë “dëme të drejtpërdrejta”, shifër kjo e barabartë me 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB-së) të vendit më 2021.

Kostoja e rimëkëmbjes dhe rindërtimit mund të jetë potencialisht dy herë më e madhe, tha Banka Botërore, duke shtuar se humbjet e PBB-së do të rrisin gjithashtu koston e tërmetit.

Banka Botërore vlerësoi gjithashtu se 1.25 milionë njerëz kishin mbetur përkohësisht të pastrehë.

Ndërkohë, tifozët e ekipit turk të futbollit “Besiktas” mbushën fushën me lodra dhe veshje dimërore gjatë një ndeshjeje të zhvilluar të dielën për të mbështetur fëmijët e prekur nga tërmeti.

Vladimir Putin dekoron aktorin amerikan, Steven Seagal

Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka dhënë dekoratë shtetërore Steven Seagal, aktor amerikan, i cili po ashtu ka shtetësi ruse. Ndarja e Urdhrit të Miqësisë për aktorin amerikan u njoftua përmes ueb-faqes së Qeverisë ruse. Ky urdhër nderon qytetarët që Rusia konsideron se kanë kontribuar për përmirësimin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Seagal ka qenë mbështetës i zëshëm i aneksimit të Krimesë nga Rusia më 2014. Ai vitin e kaluar kishte vizituar qytetin ukrainas të Olenivkës, nën kontrollin rus. Në këtë qytet dhjetëra të burgosur ukrainas të luftës raportohet se janë vrarë në një sulm, për të cilin Rusia dhe Ukraina kanë fajësuar njëra-tjetrën.

Më 2018, Seagal ishte emëruar nga Ministria e Jashtme ruse si i dërguar humanitar në Shtetet e Bashkuara dhe Japoni. /REL

Albin Kurti deklarohet pas takimit: Jemi në rrugë të mbarë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur pas përfundimit të takimit trilateral në Bruksel, ku u arrit pajtim për planin franko-gjerman, por jo edhe për modalitetet e zbatimit të tij.

Kurti ka thënë pas takimit se janë në rrugë të mirë për arritjen e marrëveshjes dhe arritjes së fqinjësisë së mirë evropiane.

“Ecje përpara do të ketë për planin e zbatimit, për cka do të ketë diplomaci të fluturimit, që thuhet. Dhe do të ketë edhe takime të nivelit të lartë me facilitimin e takimeve nga zotëri Borrell dhe zotëri Lajcak. I falënderoj të dy dhe besoj se jemi në një rrugë të mbarë mbarë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe rrugë një kahëshe për fqinjësi të mirë evropiane”, tha ai./gazetaexpress

Vuçiq pas takimit me Kurtin: Një takim shumë i vështirë

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç është deklaruar në lidhje me takimin që ka pasur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Zakonisht një takim i vështirë dhe besoj se do të ketë shumë takime të tjera në periudhën e ardhshme. Më datën 18, duhet të shihemi në Maqedoninë e Veriut, kur z. Borrell do të jetë në rajon. Atëherë së bashku edhe me Lajçak do të flasim për çështjet e implementimit”, ka thënë Vuçiq./ FrontOnline/

“Gjithçka, kudo”  u shpërblye në Screen Actors Gulid Awards

“Gjithçka, kudo”  ka shënuar një sukses të radhës në  Screen Actors Gulid Awards, ku në këtë garë kinematografike u shpërblye për kastin më të murë rë aktorëve.

Po në këtë garë, Michelle Yeoh u shpërblye me çmimin si aktorja më e mirë, duke triumfuar karshi aktores shumë të përfolur Cate Blanchet.

Aktorja tjetër Ke Huy Quan u bë fituesja e parë aziatike të çmimit për aktoren më të mirë mbështetëse, kategori ku u vlerësua edhe aktorja tjetër e njohur Jamie Lee Curtis.

Filmi “Kudo, Gjithçka” tregon historinë e pronares së një lavanderie, të interpretuar nga Yeoh, që duhet të futet në versione të ndryshme të vetes së saj përmes multiversit, në mënyrë që të shpëtojë botën./ KultPlus.com

“Karnavalet e Korçës” në TKOB

Rikthimi i “Karnavaleve të Korçës” në skenën madhështore të TKOB-it, pas 45 vjetësh, solli një atmosferë festive. Publiku e ka mirëpritur këtë prodhim dinjitoz dhe kjo duket edhe nga fakti që TKOB ka publikuar prej ditësh se biletat janë shitur.

Inva Mula erdhi kësaj here në rolin e regjisores së kësaj vepre, si një homazh për krijuesit: kompozitorin Avni Mula dhe libretistin Luigj Gurakuqi, dy figura shumë të rëndësishme në historinë e TKOB. Opera “Karnavalet e Korçës” u vu në skenë nga dy kaste të mrekullueshme artistësh, me Orkestrën Simfonike dhe Korin e TKOB-së, dirigjuar nga Elda Laro dhe Dritan Lumshi.

Artdashësit shqiptarë e të huaj përjetuan gjallërinë e Karnavaleve, linjën e bukur të dashurisë, “pazaret e krushqisë” si dhe shëmbëllimin e familjeve borgjeze korçare. Këto u bënë të mundura falë edhe një skenografie mahnitëse me kalldrëmet e qytetit dhe kostumografi që të kthen pas në vitet ’30.

Puna për të arritur këtë sukses zgjati më shumë se 1 muaj për të përcjellë te publiku një perlë vizuale dhe lojë interesante, që shkriu në një humorin e hollë dhe linjën e dashurisë.

Konica: Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten

Faik Konica, një njeri me kulturë të lartë, eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, është ndër figurat më të shquara shqiptare.

Konica përveç si kritik letrar ka qenë edhe veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare.

KultPlus ju sjellë 7 thënie të Faik Konicës për shqiptarët:

1. Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar. ( 1907).

2.  Të mbetur pa unitet fetar, e vetmja lidhje që ka mbajtur shqiptarët të bashkuar ka qenë gjuha. (1906).

3. Shqiptarët janë populli më mosbesues në botë. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).

4. Asgjë nuk i ftoh më shumë shqiptarët se t’u thuash që kanë të bëjnë me një copë injoranti që i drejton.

5. Shqiptari e ka zakon të kundërshtojë para se të marrë vesh.

6. Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen. (Vepra 1, f. 271).

7. Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë. (Vepra 2, 34)./KultPlus.com

Ministrja Haxhiu: I madh është kontributi i grave e vajzave para, gjatë dhe pasluftës

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka takuar gratë e burgosura dhe të persekutuara politike, gra të cilat qysh më moshë të hershme i janë bashkuar protestave e demonstratave kundër regjimit.

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e ministres Haxhiu.

Bashkë me Arjetën u takuam me gratë e burgosura dhe të persekutuara politike.

Dashuria e madhe për vendin bëri që qysh në moshën e hershme t’i bashkoheshin protestave e demonstratave kundër regjimit. U rrahën, u burgosën por sërish qëndruan!

Gra të tilla mbesin motiv edhe në kohë paqe, sidomos për gjeneratat e reja që ta duam e të angazhohemi më shumë për vendin tonë.

I madh është kontributi i grave e vajzave para, gjatë dhe pasluftës.

Ne do të punojmë edhe më shumë që ta lartësojmë atë!/ KultPlus.com

Ura mbi lumin Buna do të lidhë Shqipërinë dhe Malin e Zi, ndërtimi i urës brenda vitit 2024  

Ura mbi lumin Buna do të lidhë Malin e Zi me Shqipërinë dhe do të ndikojë në turizmin e të dyjave vendeve, u shpreh kryeministri malazez, Dritan Abazoviç në konferencën e përbashkët me homologun Edi Rama.

Ndërtimi brenda vitit 2024 i urës mbi lumin Buna ishte marrëveshja më e rëndësishme që u nënshkrua sot në Podgoricë pas mbledhjes së dy qeverive.

“Kjo urë jo vetëm do të lidhë dy shtete, por do të ndikojë në turizëm. Qëllimi ynë është që njerëzit të kenë akses më të lehtë që të lehtësohet trafiku”, tha Abazoviç.

Duke folur për raportin mes dy vendeve, Abazoviç tha se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Malit të Zi duhet të jetë shembull dhe për vendet e tjera të rajonit.

“Mendoj që raportet që ka qeveria e malit të Zi me qeverinë e Shqipërisë janë shembull që duhet t’i ndjekin dhe vendet e tjera në rajon. Kjo është mënyra më e mirë që njerëzit të njohin njëri-tjetrin, të nënshkruajnë marrëveshje të përbashkëta”.

Selena Gomez e para në Instagram

Më e ndjekura në Instagram është këngëtarja dhe aktorja e njohur Selena Gomez, përcjell KultPlus.

Ajo së fundi ka lënë pas Kylie Jenner të familjes Kardashian.

Gomez edhe më herët ishte mbretëresha e Instagram, por më pas ishte kaluar nga Ariana Grande.

Gomez përditëson shpesh llogarinë e saj, ku mund të shihen imazhe nga jeta e saj personale, aktivitetet e saj profesionale dhe fushatat që ajo mbështet, si kjo për shëndetin mendor, pasi ajo vetë vuan nga çrregullimi bipolar. Me dialogun publik që hap, ajo ndihmon në luftimin e stigmës së sëmundjeve mendore./ KultPlus.com

Shkrimtarja nga Maqedonia e Veriut, Nurie Emrullai, shpallet fituese e Çmimit Kadare për vitin 2023

Nurie Emrullai është shkrimtarja e re nga Kërçova e Maqedonisë së Veriut, që mori këtë vit Çmimin Letrar Kadare për vitin 2023. – “Është një emër surprizë, por plotësisht i merituar për këtë zonjë nga bashkëkombësit tanë në Maqedoninë e Veriut, edhe për të  provuar se letërsia e mirë shqipe shkruhet kudo dhe jo vetëm në Tiranë” – tha kryetarja e jurisë, shkrimtarja Natasha Lako. Emerllai konkurroi me romanin “Duhet të jetë dashuria” dhe ishte fituese mes 27 dorëshkrimeve në prozë nga 27 autorë të këtij edicioni, të vitit 2023, që përkoi me edicionin e nëntë të këtij çmimi, themeluar në vitin 2014.

Motivacioni i veprës fituese të këtij çmimi, sipas votimit unanim të jurisë, është si më poshtë: Dorëshkrimi i romanit “Duhet të jetë dashuria” i shkrimtares Nurie Emrullai nga Maqedonia e Veriut dalloi për gjetjet stilistikore dhe talentin, për t’i dhënë mikrokozmosit të saj, një frymë letërsie universale.

Çmimi Kadare është themeluar në vitin 2014 me mbështetjen e Universitetit Europian të Tiranës dhe ka si mision ‘inkurajimin e të shkruarit të letërsisë shqipe, përmes botimit dhe promovimit të veprës fituese si dhe nxitjen e debatit për letërsinë shqipe. Tashmë ky çmim ka një gjeografi dhe listë impresionuese, duke filluar nga shkrimtarë që jetojnë dhe krijojnë në emigracion si Shkëlqim Çela dhe Rudolf Marku, shkrimtarët nga Kosova si Musa Ramadani dhe Gani Mehmetaj, apo shkrimtarë të rinj si Loer Kume nga Durrësi sikurse shkrimtarja e parë grua që e fitoi këtë çmim vitin e kaluar 2022, Vera Bekteshi.

Gjeografia e çmimit plotësohet edhe me krijuesit nga Maqedonia e Veriut, ku jeton dhe krijon Nurie Emrullai. Lauretja e këtij viti është shkrimtare e re, e cila ka botuar disa libra ku spikatin librat me poezi botuar në shtëpinë botuese “Onufri”.

Dy vëllimet e saj me poezi “Vargmale nën dhe”, si dhe “Në orën moderne të perëndive” spikatin dhe romani që tashmë fitoi Çmimin “Kadare” e kompleton profilin letrar të autores. Nurie Emrullai është aktualisht asistent lektore në universitetin e Tetovës dhe doktorante për Letërsi, në universitetin e Shkupit. /Liberale.al/ KultPlus.com

Sidheri prezanton gjetjen ilire të vitit 1930: Shkupi duhet të mbetet në qendër të vëmendjes së arkeologjisë shqiptare

Elvi Sidheri

Ndërkohë që vlojnë lajmet për gjetjen e mbishkrimit Dardanus në Shkup, sakaq në kryeqytetin e sotëm të Maqedonisë bashkëkohore, dhe kryeqytetin e dikurshëm të Dardanisë së lashtë, është gjetur qysh në vitin e largët 1930, pranë lagjes Nerez dhe malit të Vodnos, më saktësisht në Gorno Sonje, një mbishkrim ku flitet saktësisht për qytetin ilir të Albanopolisit, epiqendrën e gjenezës së ilirëve sipas historianëve të lashtë me në krye Ptolemeun (arsyeja përse sot të huajt na quajnë akoma Albanians). Në këtë mbishkrim të gjetur në një çezmë të braktisur, shkruhet: “POSIS MESTYLU F(ILIUS) FL(AVIA) DELUS MUCATI F(ILIA) DOM(O) ALBANOP(OLI) IPSA DELUS”, që në shqip domethënë: “Posis Mestylu, i biri i Flavias, të bijës së Delus Mukatit, me vendbanim në Albanopolis”. Në këtë mbishkrim të datuar mes viteve 71-130 pas Krishtit, me rëndësi thelbësore për gjurmët ilire në trevat shqiptare, kemi njëherësh përmendjen e disa emrave dhe mbiemrave ilirë, krahas theksit të veçantë mbi prejardhjen nga Albanopolisi, diçka rrallëherë të hasur tjetërkund.

Për këtë arsye, Shkup nevojitet të mbetet në qendër të vëmendjes së arkeologjisë shqiptare, përkundër pengesave dhe vështirësive, që gjurmët ilire mos të humbasin përgjithmonë./ KultPlus.com