Këshillë për birin tënd

Ernest Heminguej

Kurrë mos i beso njeriut të bardhë,
Kurrë hebreun mos vrit,
Kurrë mos nënshkruaj kontratë,
Kurrë mos i vër qira stolit.
Mos u regjistro në ushtri;
As me shumë gra mos u marto;
Kurrë mos shkruaj në gazetari;
Kurrë kosheret e tua mos i shpo.
Gjithmonë vër në ndenjëse letër,
Mos u beso luftërave,
Ji gjithnjë i dëlirë, i pastër,
Kurrë mos ji bashkëshort i kurvave.
Kurrë mos i paguaj shantazhuesit,
Kurrë mos shko në gjykatë,
Kurrë mos i beso botuesit,
Se përndryshe do flesh në kashtë.
Tërë miqtë e tu do të të braktisin
Tërë miqtë e tu kanë për të vdekur
Ndaj bëj një jetë të përkorë e të shëndetshme
E në qiell ke për t’i gjetur./ KultPlus.com

Hemingway, Foto: : amazon.co.uk

Ballokumja, ëmbëlsira  simbolike e ditës së verës (RECETA)

Ballokumja është një nga ëmbëlsirat autentike shqiptare, traditë e qytetit të Elbasanit dhe simbol i Ditës së Verës gjithashtu. Pavarësisht se tradita e përgatitjes së saj është me rastin e Ditës së Verës ajo përgatitet edhe si ëmbëlsirë në çdo rast e kohë.

Kjo recetë kërkon durim dhe kujdes duke nisur nga përzgjedhja e përbërësve dhe deri tek përpunimi i tyre, e mandej procesi i fundit i pjekjes. Receta autentike e përgatitjes së ballokumes, të cilën AgroWeb.org e sjell më poshtë, ka disa elementë specifikë të cilët bëjnë diferencën në shijen perfekte të saj.

Një nga përbërësit unik të ballokumes është finja. Ajo përgatitet nga hiri i zjarrit, e madje nënat e gjyshet e vjetra elbasanase kujdesen që të marrin hi nga zjarri me dru ahu.

Finja i jep ballokumes shkriftësinë tipike. Ndiqni më poshtë recetën autentike të përgatitjes së Ballokumeve sipas traditës së amvisave të Elbasanit.

Përgatitja e Ballokumeve të Elbasanit në Shtëpi

Përbërësit

1 kg sheqer (jo i bluar)

1 kg mielli misri i situr

500 gr gjalpë i freskët (sipas këshillës së amvisave të Elbasanit gjalpi duhet të jetë dhie)

8 kokrra vezë

Gjysmë filxhani kafeje me ujë finje (përgatitet përmes hedhjes së dy-tre lugë gjelle nga hiri i zjarrit në një gotë me ujë, e cila lihet përreth 30 minuta dhe më pas kullohet me kujdes)

Përgatitja

Si fillim, në enën e bakrit apo qelqit, hidhet sheqeri dhe gjalpi i shkrirë, temperatura e të cilit duhet të jetë e vakët. Përzihet përmes një luge druri përreth 40- 45 minuta derisa masa të bëhet kremoze.

Më pas shtojmë një vezë dhe vijojmë përzierjen me lugë druri. Shtojmë vezën e dytë dhe vijojmë përzierjen me lugë druri, vijojmë po kështu me vezën e tretë dhe me radhë. Vijojmë pa ndërprerje përzierjen ndërsa shtojmë ujin e finjës ose në mungesë të tij shtojmë pak qumësht.

AgroWeb.org ju sugjeron të shtoni miellin e misrit me dorë gradualisht duke vijuar pa ndërprerje përzierjen me lugë druri derisa të keni mbaruar gjithë masën e miellit. Trazohet fort me lugë druri që të mos krijohen kokrriza dhe masa të bëhet krejtësisht e njëtrajtshme.

Masa nis të punohet me dorë derisa brumi të jetë aq i plotë sa të mos rrafshohet kur e mban në dorë. Brumi ndahet në copa të cilave u jepet forma e rrumbullakët. Më pas vendosen në një tavë të lyer me gjalpë dhe pudrosur me miell misri.

Ballokumet vendosen me një distancë nga njëra tjera pasi vëllimi i tyre do rritet gjatë pjekjes. Vendoset në furrë të parangrohur në temperaturën 180-200 gradë./AgroWeb.org/ KultPlus.com

Mos-harresa  

Ibrahim Berisha

Mos më vraj
e do të vdes tha burri. 
Burri vdiq. 

Mos më këput  
Se do të thahem tha trëndafili. 
Trëndafili u këput. 

Mos me ndez  
Se do te digjem tha mali. 
Mali u dogj. 

Mos më braktis 
Se s ‘do të harroj tha gruaja. 
Gruaja nuk harroi. / KultPlus.com

Kur McDonald’s hapi dyert e tij në Moskë për herë të parë, ishte një punë e madhe, 30,000 njerëz u shërbyen brenda një dite

Kur McDonald’s hapi dyert e tij në Moskë për herë të parë, ishte një punë e madhe.

Vendndodhja e Sheshit Pushkin ishte masive, me kapacitet për të vendosur qindra njerëz. Ishte restoranti më i madh i McDonald’s në botë në atë kohë. Brenda, ishte plot gjallëri. Në shumicën e mënyrave, dukej si çdo McDonald’s tjetër i asaj epoke. Por kishte një flamur me çekan e drapër nën harqet e artë dhe një temë ndërkombëtare brenda, ku shfaqej një model i Big Benit të Londrës në dhomën e ngrënies.

Punonjësit me sy të shndritshëm të McDonald’s, të veshur me maska të markës ngjyrë gështenjë dhe buzëqeshje të mëdha, morën porositë e klientëve. Ata ishin të zgjedhurit rreth 630 punonjës u zgjodhën nga 27,000 aplikantë, sipas një artikulli të washington Post të vitit 1990. Ata iu nënshtruan një muaji trajnimi përpara se dyqani të hapej për biznes.

Harkat e arta ishin një sukses i menjëhershëm. Në ditën e parë, 30,000 njerëz u shërbyen, një rekord i McDonald’s për një ditë hapjeje, raportoi CBC në atë kohë. Vendndodhja madje duhej të qëndronte e hapur për orë më vonë se sa ishte planifikuar për shkak të turmave.

Mbërritja e McDonald’s në Moskë ishte më shumë se thjesht Big Mac dhe patate të skuqura, vuri në dukje Darra Goldstein, Willcox B. dhe Harriet M. Adsit, profesoreshë e gjuhës ruse, emerita, në Kolegjin Williams. Ishte shembulli më i spikatur i glasnostit në veprim, përpjekja e Presidentit të Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbechev për të hapur vendin e tij në rrënim ndaj marrëdhënieve ndërkombëtare.

“Kishte një çarje vërtet të dukshme në perden e hekurt,” tha ajo. “Ishte shumë simbolike për ndryshimet që po ndodhnin”. Rreth dy vjet më vonë, Bashkimi Sovjetik do të shembet.

Pas hapjes së atij vendi të parë, McDonald’s zgjeroi shtrirjen e tij brenda vendit. Që nga java e kaluar, kishte rreth 850 lokacione që operonin në Rusi.

Por pushtimi rus i Ukrainës bëri që McDonald’s të ndryshojë kurs, të paktën përkohësisht. Të martën, kompania njoftoi se do të ndalonte operacionet në ato restorante, pas vendimeve të ngjashme nga firmat e tjera perëndimore dhe presionit nga kritikët.

Për Goldstein, ky moment është po aq simbolik, por shumë më pak shpresëdhënës.

“Nëse hapja e McDonald’s në 1990 simbolizonte fillimin e një epoke të re në jetën sovjetike, një epoke me liri më të mëdha, atëherë dalja aktuale e kompanisë përfaqëson jo vetëm një mbyllje të biznesit, por të shoqërisë në tërësi,” tha ajo./ KultPlus.com

Ernesto Sabato mbi Zotin, ligësinë dhe njeriun

Ka plot gjëra për të thënë lidhur me fuqitë djallëzore, ngase ndërkaq, ndoca mendjelehtë seç pandehin se bëhet fjalë thjesht për njëfarë metafore, aspak për realitetin mirëfilli.

Mua sakaq, gjithmonë më pati grishur çështja e të ligës, atëherë kur në vegjëlinë time, qëndroja anash folesë së milingonave, me një çekiç në dorë, teksa ia filloja shfarosjes së insekteve të ngrata, pa asnjë mëshirë.

Paniku përhapej stuhishëm mes insekteve të mbijetuara, që ndërkohë vërsuleshin kuturu nga të gjitha anët. Pastaj e lëshoja ujin me zorrë; gjithçka përmbytej.

Ndërkaq përfytyroja çfarë ishte duke ndodhur në brendësi të folesë së milingonave, tërë veprimet emergjente, rendjet e pareshtura, urdhërat dhe kundërurdhërat për shpëtimin e depove me ushqime, vezët, paprekshmërinë e mbretëreshës, e kështu me radhë.

Si përfundim, e rrëmoja dheun përmbys me lopatën time, gërmoja gropa të thella, kërkoja guvat e milingonave, dhe shkatërroja gjithçka rrëmbimthi: një katastrofë e përgjithshme.

Pastaj rrija duke e vrarë mendjen thellësisht lidhur me kuptimin thelbësor të gjallimit, duke u menduar njëherësh edhe për dridhjet e tokës dhe përmbytjet tona njerëzore.

Rrjedhimisht pata shtjelluar vetvetiu disa teori të miat, ngaqë ideja se sundoheshim nga një Zot i gjithëfuqishëm, i kudondodhur dhe dashamirës, më dukej aq kundërthënëse, saqë nuk më shkonte kurrsesi në mendje ta merrja seriozisht si të mirëqenë.

Në kohën e mësymjes tashmë i kisha përpiluar sidoqoftë gjasat e mëposhtme:

  1. Zoti nuk ekziston fare.
  2. Zoti ekziston dhe është cazë qelbanik.
  3. Zoti ekziston, megjithëse nganjëherë është pak gjumash: ndërkohë që makthet e tij natore, shndërrohen në gjallimin tonë.
  4. Zoti ekziston, ndonëse nganjëherë çakërdiset, dhe pikërisht çmenduritë e tij, janë shndërruar në gjallimin tonë.
  5. Zoti nuk është i kudondodhur, prandaj nuk mund të gjendet kudo. Nganjëherë rrjedhimisht ai mungon. Mbase ndodhet në botë të tjera? Ndoshta merret me të tjera gjëra?
  6. Zoti është thjesht një djall i gjorë, që përballet me andralla tepër të koklavitura për fuqitë e veta. I ngratI, përleshet me lëndën, porsi artisti kacafytet me veprën e vet. Me raste, në ndonjë moment të caktuar, ai arrin të shndërrohet në diç të mahnitshme si Goya, ndonëse rëndom është një lëmsh i vërtetë.
  7. Zoti ishte mposhtur qysh në Agun e Kohëve, nga Princi i Mugëtirës. Si rrjedhojë, i mposhtur në këtë mënyrë, i shndërruar në njëfarë djalli edhe vetë, ai përçmohet dyfish, ngase atij i takset ky univers ogurzi.

Gjithsesi, gjasat në fjalë nuk i kam sajuar unë aspak, megjithëse në atë kohë, kështu besoja mirëfilli; më vonë sakaq, vërejta se disa prej tyre kishin qenë të rrënjosura thellësisht në bindjet e njeriut, veçanërisht hamendja për djallin ngadhënjyes.

Përgjatë më shumë se një mijë viteve, plot njerëz të paepur dhe tejet të mençur, qenë përballur me vdekjen dhe torturat, vetëm ngaqë e kishin zbuluar këtë të fshehtë.

Të gjithë i patën dërrmuar dhe degdisur, sepse mund të hamendësohet qartësisht se fuqitë që sundojnë këtë botë, nuk ndalen para çikërrimave, kur janë në gjendje të bëjnë, çfarë bëjnë përgjithësisht.

Prandaj, djajtë e ngratë apo mendjet e ndritura, qenë keqtrajtuar pareshtur, ishin djegur nga Inkuizicioni, qenë varur apo rrjepur të gjallë; ndërsa vendbanime të panumërta ishin bërë fërtele, dhe banorët qenë përndjekur.

Qysh nga Kina e gjer në Spanjë, fetë shtetërore, e patën fshirë nga faqja e dheut gjithfarë përpjekje për zbulesën e tillë.

Mund të pohohet sidoqoftë, se në njëfarë mënyre ia patën arritur qëllimit të tyre, ngase edhe kur ndonjë sekt nuk ishte shfarosur dot krejtësisht, ithtarët e tij do të shndërroheshin rrjedhimisht në burim të mëtejshëm gënjeshtrash e mashtrimesh…

Përktheu nga origjinali në spanjisht:

ELVI SIDHERI./ KultPlus.com

Simfonia e vdekur

Bajram Mjeku

Kujt i duhet tash Teatri i Moskës
derisa Elena Kovalskaya nxori jashtë aktorët
të luajnë dramën e shekullit në Sheshin e Kuq.

Balerinat e trishtuara ikën nga podiumi
tututë me njolla gjaku i varën në mur
gjaku shpëlahet në Liqenin e Mjellmave
veç njollat e krimit nuk shpëlahen kurrë.

Në teatrin Bolshoi ka vdekur gjithçka
fantazma e Rasputinit u ringjall aty
paq t’ia hedh edhe një herë carit rus.

Nga çatia e Mauzoleut fluturoi korbi i zi
që moti është strehuar i mbështjellë në terr
mish njeriu lëshoi nga kthetrat e përgjakura
thanë është i një fëmije i vrarë në Kijev.

Orë e çast në shesh pandalur bie kumti
vini re, vini re, Kijevi ende nuk ra
në beteja oligarkësh e paranoja diktatorësh
veç rënie heroike s’ka!/ KultPlus.com

Vaj, vaj, vaj gishtat me kajmak (VIDEO)

Mora mandolinen
dola ne sokak
o moj vajze e vogel
pse ma ben me dore

mora mandolinen
dola ne oborr
o moj vajze e vogel
mos ma bej me dore

vaj vaj vaj
gishtat me kajmak
o moj vajze e vogel
mos me bej merak
vaj vaj vaj
gishtat me kajmak
o moj vajze e vogel
mos me bej merak

Mora mandolinen
dola ne çarshi
o moj vajze e vogel
mos ma bej me sy
mora madolinen
dola ne çarshi
o moj vajze e vogel
mos ma bej me sy

Vaj vaj vaj
gishtat me kajmak
o moj vajze e vogel
mos me bej merak
vaj vaj vaj
gishtat me kajmak
o moj vajze e vogel
mos me bej merak./ KultPlus.com

https://youtube.com/watch?v=1V93h3380lk

‘Ti nuk e di si është të përjetosh helmimet masive, si është të studiosh fshehurazi, të humbësh identitetin e të bëhesh numër’

Vuajtjet e dhimbjet e popullit të Kosovës, që nga fëmijëria e deri në një moshë të madhe i ka përshkruar përmes një reagimi kostumografja Iliriana Loxha Basha, shkruan KultPlus.

Duke numëruar vuajtjet e popullit të Kosovës, prej protestave e deri te bombardimet e NATO-s, Loxha Basha ka kujtuar jetën e vështirë që ka pas populli shqiptar në Kosovë, përderisa ishte nën regjimin serb. KultPlus ju sjell të plotë reagimin e saj.

Ti nuk e di,

Si eshte te vraposh per te shpetuar koken nga shkopinjte e policise serbe, se te ka marre nana me vete ne proteste, e ti je vetem 9 vjece.

Ti nuk e di,

Si eshte te perjetosh helmimet masive, mbylljet ne salle sportesh ne greva me qindra mijera te rinj , ne shenje perkrahje per greven e minatoreve ne Trepce.

Ti nuk e di,

Si eshte te ikesh nga gazi e grushtat e shkopinjte, se ke dale te protestosh prap si studente,

Ti nuk e di,

Si eshte te studiosh fshehurazi , ne sistem paralel, se serbet ti mbyllen dyert e shkollave.

Ti nuk e di ,

Cfare eshte lufta, as ndjenjen kur nisesh per dy jave me konvoje humanitare per te derguar ushqime ne male, e nuk te le ushtria serbe te kalosh.

Dhe ti nuk e di,

Kur sheh plakun 80 vjec qe ulet ne gjunje per tu falenderuar e te sheh si me pa ndonje qenje hyjnore. Per pak ushqime.

Ti nuk e di,

Tmerrin e friken kur degjon zhurmen e plumbave qe perplasen ne makinen tende, dhe falenderon zotin qe bashke me gazetaret, ne moment te fundit vendoset per te hip ne makinen e blinduar.

Ti kurre sdo ta dish,

Si eshte mos te te zeri gjumi nga trupat e masakruar qe ke pare.

Ti nuk i di,

Perjetimet kur nisesh per te derguar cizme e ilaqe te ushtaret ne mal.

Ti nuk e di,

gezimin qe ndjen qe filluan sulmet e NATOs po as nuk e di tmerrin qe do pasoje.

Ti nuk e di,

Si eshte te marresh lajmin , qe 200 m larg teje, snajperistet serb te kane vrare djain e xhaxhait, e ti ske cfare ben.

Ti nuk e di,

Si eshte te mbyllesh veshet naten nga zhurma e perdhunimeve nga ushtria serbe, qe vjen nga shkolla afer teje.

Ti nuk e di,

Si eshte te te perzejne nga shtepia, te humbesh identitetitn, e te behesh NUMER.

Ti nuk e di,

Si eshte te rrish pa buke e uje, per dite te tera, por ne mendje ke vec mbijetesen.

Ti nuk e di,

Cfare force te shtyn, qe megjithese je refugjate vet, udheton kamp me kamp me shume gra e burra te tjere te jashtezakonshem, per ti bere per te qeshur, kenduar, organizuar, e ofruar shprese, bashkerefugjateve te tu.

Ti nuk e di,

Si eshte te kthehesh, dhe pa tejkaluar dhimbjet e tua, shkon fshat me fshat per tju dhene force te tjerave gra si vetja.

Ti nuk e di ,

Dhe lutem mos ta dish asnjehere!

Prandaj,

Mos me shit mua brockullat e tua, per aktivizmin, feminizmin, luften e te gjitha -izmat e tjere, te cilat vetem i ke me te degjuar.

I dont give a shit!

Iliriana Basha

Dhe keto jane pjese reale nga jeta ime!/ KultPlus.com

Agi Haxhimurati LLC ofron logo për kompani që udhëhiqet nga një vajzë apo grua

Festa e 8 Marsit po shënohet në forma të ndryshme në Kosovë, rajon e më gjerë. Përpos protestave, instalacioneve dhe thirrjeve për përmirësimin e pozitës së gruas në shoqëri, kompania Agi Haxhimurati LLC me seli në Tiranë dhe Oslo ka vendosë që të ofrojë një logo dhe identitet vizual për një kompani që udhëhiqet nga vajzat/gratë në trojet shqiptare.

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e kësaj agjencie.

8 Marsi eshte feste, proteste por edhe NDIHME per njeri tjetrin. 🌹

Ne si Agjenci Kreative me zyret tona ne Tirane & Oslo mbeshtesim fuqishem nismat e sipermarrjeve/bizneseve te udhehequra nga vajzat/grate.

Andaj, sot morrem vendim qe te krijojme/dhurojme nje logo dhe identitet vizual FALAS per nje kompani qe udhehiqet nga vajzat/grate ne trojet shqiptare.

Na dergoni e-mail ne [email protected] – ku na shpjegoni biznesin tuaj, vizionin/endrren dhe cfare i sherben komunitet/target grupit tuaj. Aplikimi vlen 24 ore nga ky postim!

Biznesi qe zgjedhet per branding, do te kontaktohet brenda javes per hapa te metejshem. Suksese! ❤️./ KultPlus.com

“Kur dikush ta fyen njerëzillëkun bija ime, prishi krejt urat, digji tërë anijet”

pinterest sharing button

Poezi nga Shqiptar Oseku.

kur dikush të kërkon bukë
ndaje koren e fundit me të bija ime
më mirë të jeni bashkë pak të uritur
se të ngopesh vetëm

kur dikush ta lyp një pikë ujë në orë zori
shpije te pusi i oborrit nën man
ka vite që është prerë ajo pemë e vjetër
por hija i bën ende fllad

kur dikush ta fyen njerëzillëkun bija ime
prishi krejt urat digji tërë anijet
mos ji kurrë as grua as nënë as bijë e askujt
po s’qe së pari njeri. /KultPlus.com

“Art Connects Women” përfshinë 115 shtete në Dubai, Shqipe Kamberi përfaqëson Kosovën

Me portretin e një gruaje shqiptare që simbolizon luftën ndaj patriarkatit, artistja Shqipe Kamberi do të merr pjesë në edicionin e pestë të “Art Connects Women” që do të hapet më 8 mars në Dubai, e që Shqipe Kamberi përfaqëson Kosovën në këtë ekspozitë të madhe, ku marrin pjesë 115 shtete, shkruan KultPlus.

Kjo vepër e Shqipe Kamberit është vepër nga cikli i punimeve të autores “Nusja” dhe në ekspozitën e Dubait është përfshirë me organizim të ZeeArts, por e veçanta e kësaj ekspozite është se do të mbahet nën patronatin e UNESCO-s.

“Rise to Rejoice” është titulluar kjo ekspozitë që përfshinë vetëm artiste gra, dhe i dedikohet ekskluzivisht gruas.

https://www.facebook.com/ZeeArtsGallery

Shqipe Kamberi ka thënë për KultPlus se ndihet e nderuar që vepra e saj do të ekspozohet bashkë me artistët e 115 shteteve, dhe sidomos edhe për faktin që kjo ekspozitë i dedikohet gruas, por që në të njëjtën kohë është nën patronatin e UNESCO-s.

Ekspozita “Rise to Rejoice” do të hapet më 8 mars dhe do rri e hapur deri më 11 mars, mbrëmje kur edhe do të ndahen çmimet për këtë edicion. Përgjatë kësaj ekspozite do të jetë edhe një panel diskutimi me temën “Transforming the Arts and Cultural Ecosystem”. / KultPlus.com

Lahaj thirrje për artistët rusë: E keni obligim kombëtar që ta kundërshtoni luftën

Tenori i njohur shqiptar Ramë Lahaj, së fundi është duke qëndruar në Poloni, në produksionin e radhës, dhe i njëjti ka njoftuar se gjatë qëdnrimit të tij në Poloni, ka vizituar kampin më të madh të Luftës së Dytë Botërore, atë të Aushvicit, shkruan KultPlus.

Duke bërë një paralale mes Hitlerit, Mollosheviqit, e së fundi edhe të Putinit, tenori Lahaj bën thirrje për arrtistët rus, që të dalin me një protestë në favor të paqes. KultPlus ju sjell të plotë reagimin e tenorit Lahaj.

Të dashtun miq, fillimisht uroj të jeni mirë. Ketë periudhe ndodhem në Poloni për produskionin tim të radhës. Sigurisht shfrytëzova rastin që të vizitoj kampin më të madh të Luftës se Dyte Botërore, atë të Aushvicit. Çka mund të them për atë që pash!

Si një fëmijë që adoleshenca e ka gjetur në luftën e vitit 1999, ku Milosheviqi provonte ti spastronte shqiptarët nga shtëpitë e tyre e që shkatërroi gjithçka përveç andrrave, mund të them së dhembjen e keqardhjen i ndjeva në palce kur pash edhe nga afër vendin ku mijëra njerëz kanë vuajtur në formën më çnjerëzore vetëm si pasojë e një mendje psikopatike si ajo e Hitlerit.

Në të njëjtën kohë natyrshëm i bej pyetje vetes: Ne si qenie humane a nuk kemi mësuar mjaftueshëm nga historia, se lufta asht e tmerrshme dhe se nuk mjaftojnë shekuj për tu rikuperuar nga ajo.

Duke e pas parasysh situatën momentale, një pyetje që do një përgjigje urgjente është: A e do vërtet luftën populli rus? Apo është vetëm psikopatia e Putinint dhe diktaturës së tij që është në gjendje të shkatërroj vendin e qytetaret e saj, e po ashtu ta destabilizoj gjithë botën për botëkuptimet e tij të ndryshkëta sovjetike.

Nuk mund ta besoj që artisteve rus shpirti as mendja nuk ua thotë që nuk duan luftë dhe që janë kundër saj. Nëse ka vlerë çfarëdo monedhe që mund ti ketë paguar Putin ndër vite e që tejkalon humanitetin e tyre dhe ua mbylle gojën, do doja shumë ta dija se çfarë vlere ajo ka, kur si pasojë e luftës ata mund të humbin vendin, e më të dashurit e tyre, e që jeta pa to nuk ka fare vlerë.

Ju drejtohem artisteve rusë si komunitet sepse besoj që secili në fushën e vet ka obligim kombëtar e moral të kontribuoj e të thërras, e protestoj në favor të paqes.

Përgjegjësia e luftës tani po kalon tek populli Rus që duhet i tëri të protestoj kundër diktaturës së Putinit për të mirën e tyre, dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre dhe mbarë botës.

Zoti çoftë paqe mbi të gjithë ne, në mënyrën që gjithçka të përfundoj shumë shpejt./ KultPlus.com

Një koreograf rus në premierën e Baletit Kombëtar të Kosovës

Përderisa shumë festivale botërore, organizata sportive, bienale dhe shumë aktivitete të ndryshme janë duke i penalizuar pjesëmarrësit rus, Baleti Kombëtar i Kosovës ka paralajmëruar për premierën e këtij muaji, por që ka rastisë të jetë koreografi rus.

Shfaqja “Romeo dhe Zhulieta” me koreografin rus Konstatin Urlasky, është paraparë të jepet premierë më 24 mars.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, Kreshnik Musolli ka thënë për KultPlus se tashmë kanë filluar provat e kësaj shfaqje.

Se nëse do të anulohet kjo shfaqje, duke pas parasysh se shumë festivale prestigjioze kanë anuluar tashmë shfaqjet, koncertet dhe shumë aktivitete tjera sportive me pjesëmarrës rus, Kreshnik Musolli ka thënë se nuk do të këtë ndonjë ndryshim.

“Kjo shfaqje ka qenë e planifikuar tash e sa muaj, ne kemi filluar provat, dhe se nuk do të ketë ndonjë ndryshim në lidhje me këtë shfaqje. Konstatin Urlasky nuk është një njeri që mbështetë Putinin, andaj nuk kem arsye që të anulojmë shfaqjen”, ka thënë Musolli për KultPlus.

Ndërkohë, përpos asaj që në këtë shfaqje ka rastistë të jetë një koreograf rus, edhe menaxhmenti i Teatrit Kombëtar i Kosovës nuk është treguar i kujdesshëm me rezervimin e datës për këtë shfaqje. Duke kujtuar që 24 marsi është datë kur edhe kanë filluar bombardimet e NATO-s në Kosovë. Lista e sporteve ku nuk mund të garojë Rusia janë : Futboll, Basketboll, Volejboll, Atletikë, Xhudo, Taekwondo, Skitari, Hokej, Patinazh, Biatlon, Not, Formula 1. // KultPlus.com

Muzeu i dyllit në Paris ka çmontuar figurën e Putin, në pjesë të ndara është futë nëpër kuti

Fotografitë: Julien de Rosa/AFP via Getty Image

Figura e presidentit të Rusisë Vladimir Putin është ndarë në pjesë dhe është futë nëpër kuti, ka raportuar Reuters, përcjell KultPlus.

Drejtori i Muzeut ka shpjeguar se kjo figurë tashmë ishte dëmtuar, mirëpo stafi nuk deshi ta rregullonte këtë figurë dylli. Sipas fotografive shihet që është çmontuar kjo figurë, përderisa koka e Putin është vendosë në një kuti.

Përndryshe, nga ky muze është bërë e ditur se për herë të parë në historinë e muzeut, po tërhiqet një figurë prej dylli. “Ne po tërheqim një figurë për shkak të zhvillimeve aktuale”, ka thënë Yves Delhommeau.

“Duke pas parasysh atë se çfarë është duke ndodhë, ne dhe stafi ynë nuk duam që cdo ditë të rregullojmë flokët dhe pamjen e tij”, ka thënë më tutje ai.

Statuja e Putin ishte në mes të presidentit të SHBA-ve Joe Iden dhe presidentit kinez Xi Jinping, por vendin e Putin do ta zë statuja e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenski. / KultPlus.com

Festivali i Filmit në Kanë nuk do të pranojë delegacionet ruse në edicionin e 75-të

Festivali i Filmit në Kanë ka marrë një qëndrim për luftën në Ukrainë dhe do të ndalojë delegacionet ruse në edicionin e tij të 75-të këtë maj. Në një deklaratë të lëshuar të martën nga organizatorët thuhet se “Festivali i Kanës dëshiron të japë të gjithë mbështetjen e tij për popullin e Ukrainës dhe të gjithë ata që janë në territorin e saj.”

“Sado modeste që të jetë, ne i bashkojmë zërat tanë me ata që kundërshtojnë këtë situatë të papranueshme dhe denoncojnë qëndrimin e Rusisë dhe liderëve të saj.”. Ndërsa delegacionet ruse janë të ndaluara, festivali ka lënë të kuptohet se kineastët individualë mund të jenë ende të mirëpritur në festival, megjithatë, është ende e paqartë nëse filmat e tyre do të përzgjidhen për konkurrim në festival.

“Gjatë këtij dimri të vitit 2022 Festivali i Kanës ka hyrë në fazën përgatitore. Nëse lufta sulmuese nuk përfundon në kushte që do të jenë me popullin ukrainas, është vendosur që ne të mos mirëpresim delegacionet zyrtare ruse dhe as të pranojmë praninë e askujt lidhur me qeverinë ruse”, thuhet në deklaratë./ KultPlus.com

Nesër nxënësve në të gjithë Kosovën do t’u flitet për Ukrainën

Sindikata e Arsimit (SBASHK) u ka bërë thirrje mësimdhënësve që të mërkurën e 2 marsit, në orën e parë mësimore, t’i kushtohet Ukrainës, në shenjë solidariteti ndaj tyre dhe dënimit të agresionit rus.

Nëpërmjet një njoftimi në Facebook, SBASHK-u shkruan që aktivitetet mund të zhvillohen duke paraqitur flamurin e Kosovë dhe të Ukrainës, “pastaj punime/vizatime të ndryshme nga nxënësit me simbol të Ukrainës dhe të shtetit tonë, Kosovës”.

“Një mbështetje e tillë për ne është obligim moral e human, për shkak se kur kemi qenë në situata të tilla ne mësimdhënësit, nxënësit e i tërë populli kosovar, ka pasur organizime të tilla solidariteti për ne nga mësimdhënës e nxënës të shteteve të ndryshme të mbarë botës. Aktivitetet e tilla paraqitni në rrjetet sociale të shkollës apo ato personale e njëkohësisht edhe ne do t’i paraqesim në rrjetet tona sociale dhe do t’iu përcjellim edhe kolegëve tanë në EI, ETUCE dhe Ukrainë”, thuhet nga SBASHK-u.

Sot është dita e gjashtë qëkur forcat ruse kanë sulmuar Ukrainën./ KultPlus.com

Mehaj: Kosova në NATO, është koha sot, që nuk pret nesër, për vendimin tuaj të duhur

Ministri i Ministrisë së Forcës dhe Sigurisë Armend Mehaj ka riaktualizuar kërkesën që Kosova të jetë pjesë e NATOS-s, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjell të plotë reagimin e ministrit Mehaj.

Serbia edhe me qëndrimin e fundit pas agresionit ushtarak të Rusisë mbi Ukrainën tregoi përcaktimin e qartë pro-rus.

Qëndrimi zyrtar i Serbisë nuk ishte befasi për askënd nga Bota demokratike perëndimore duke pasur parasysh, se Serbia ka qenë dhe është aleatë i denjë i Rusisë dhe Presidentit Putin.

Një keqardhje hipokrite dhe qëndrim kontradiktor për agresionin rus në Ukrainë është një demonstrim i qartë se pse tani është koha që Kosova të bëhet anëtare e plotë e NATO-s dhe BE-së.

Republika e Kosovës, institucionet dhe populli i saj kërkojnë nga SHBA, BE, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe gjitha vendet e rreshtuara kundër agresionit rus ndaj Ukrainës që të dënojnë qëndrimin mashtrues dhe kontradiktor të Serbisë.

Rusia përmes Serbisë, sikur në vazhdimësi edhe në të ardhmen do të vazhdoj, aktivitetet destruktive për cenimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit të vendeve të rajonit dhe më gjerë.

Pasojat e përpjekjeve për ta joshur Serbinë drejt Perëndimit me lëshime në dëm të konstruktivitetit maksimal politik të Republikës së Kosovës, mund të jenë të rrezikshme,duke i mundësuar Serbisë që të vazhdoj aleancën e ngushtë me Rusinë edhe në të ardhmen.

Përsërisim se është koha që nuk pret, që edhe Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia, si shtete anëtare të NATO-s dhe BE-së si dhe Qipro si anëtare e BE-së, të njohin shtetin tonë.

Republika e Kosovës në secilin dimension të saj për 14 vjet të pavarësisë ka dëshmuar dhe konfirmon fuqishëm se është shtet evropian i ndërtuar dhe funksional mbi parimet dhe vlerat më të larta euroatlantike.

Agresioni i Rusisë mbi Ukrainën, rrahu kambanën për të gjithë, se kjo është koha që të dihet se kush është në anën e duhur e kush në atë të gabuar të historisë.

Kosova, krahas vendeve tjera demokratike doli fuqishëm në mbrojtje të vlerave të Lirisë, Paqes e Demokracisë dhe solidaritetin e plotë me Ukrainën dhe popullin e saj liridashës dhe paqedashës.

Kosova ishte dhe është e vendosur fuqishëm në anën e duhur, për dallim nga Serbia që vazhdon në anën e gabuar të historisë.

Prandaj, mos hezitoni!

Është koha sot, që nuk pret nesër, për vendimin tuaj të duhur!

Kosova në NATO!

Kosova në BE!./ KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës bëhet me drejtor, zgjidhet Sinan Kajtazi

Baleti Kombëtar i Kosovës zyrtarisht ka një udhëheqës në krye, e ai është balerini Sinan Kajtazi, shkruan KultPlus.

Sinan Kajtazi e ka konfirmuar këtë vendim edhe për KultPlus, gjithnjë duke iu referuar vendimit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, që edhe e ka publikuar në faqen zyrtare.

KultPlus merr vesh se këtë pozitë e kanë synyar edhe katër të tjerë, por që komisioni e ka vlerësuar Sinan Kajtazin.

Sinan Kajtazi është një ndër balerinët e parë të trupës së baletit të pas luftës./ KultPlus.com

Sinan Kajtazi me Ahmet Brahimajn, ku ky i fundit e udhëhoqi këtë institucion për shumë mandate

Konfirmohet lajmi i madh, Festivali i Dua Lipës do të mbahet këtë vit në Kosovë

Sunny Hill Festival që konsiderohet si festivali më i madh në Kosovë do të mbahet këtë vit në Kosovë, shkruan KultPlus.

Ky festival që nuk është mbajt viteve të fundit si pasojë e pandemisë, këtë vit do të rikthehet në Prishtinë.

Dukagjin Lipa, babai i Dua Lipës ka njoftuar nëpërmjet rrjeteve sociale se Sunny Hill Festival po rikthehet në Kosovë, duke iu referuar një interviste të Dua Lipës për medie të huaja, ku ka dhënë detaje për këtë festival.

Sunny Hill Festival do të mbahet në muajin gusht në Prishtinë, dhe duke iu referuar edicioneve të shkuara ku kanë ardhe shumë yje botërore, pritet që edhe në këtë edicion të ketë prurje të mëdha./ KultPlus.com

PEN Qendra e Kosovës dënon agresionin rus në Ukrainë

Shkrimtarët e PEN Qendrës së Kosovës dënojnë përpjekjen e Rusisë për të invaduar Ukrainën.

“Në këto çaste të vështira të popullit ukrainas, bashkëndiejmë vuajtjet e dhimbjet e civilëve dhe të tjerëve në këtë luftë të imponuar. Shkrimtarët e Kosovës, bashkë me popullin e vet, para më shumë se dy dekadave, e kanë përjetuar shtypjen dhe përpjekjen për gjenocid nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit. Lufta për liri është e drejtë e çdo populli, prandaj përkrahja e bashkësisë ndërkombëtare është e domosdosshme për të ndaluar një gjenocid tjetër. PEN Qendra e Kosovës, si anëtare e PEN International, solidarizohet me PEN Qendrën e Ukrainës dhe përkrah zërin e saj të ngritur për ndalimin e mënjëhershëm të përpjekjeve për invadim të Ukrainës nga Rusia. Shkrimtarë ukrainas, jemi me ju dhe me popullin tuaj liridashës”, thuhet në komunikatën e PEN Qendra e Kosovës./ KultPlus.com

Universiteti i Ankarasë nderon presidenten Osmani me çmimin Doctor Honoris Causa

Presidentja e Republikës së Kosovës është nderuar me çmimin Doctor Honoris Causa, çmim ky nga Universiteti i Ankarasë, përkatësisht nga Fakulteti Juridik, shkruan KultPlus.

Presidentja Osmani është shprehur të jetë e nderuar me këtë vlerësim.

“Nder i dyfishtë ta pranoj çmimin Doctor Honoris Causa nga Universiteti prestigjioz i Ankarasë, e posaçërisht nga Fakulteti Juridik.

Ky çmim është respekt ndaj marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Turqisë, por edhe për popujt, stafin akademik dhe studentët tanë”, ka shkruar presidentja Osmani./ KultPlus.com

Vajza e Roman Abramovich kundër Putin

Sofia Abramovich, vajza e pronarit të Chelseas, Roman Abramovich, godet në Instagram “propagandën e Kremlinit” që pretendon se “shumica e rusëve qëndrojnë me Putinin” mbi vendimin e tij për të bërë luftë në Ukrainë.

Babait të saj dhe Presidentit të skuadrës nga Londra, Roman Abramovich do t’i ndalohet të jetojë në Britani, pasi që konsiderohet si një nga 35 oligarkët që e mbështesin presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, përcjell GazetaBlic Sport.

Megjithatë, kjo nuk e ka penguar vajzën e tij që të dal me një deklaratë kundër Putinit. Ajo në postimin e saj la për të kuptuar se është kundër tij dhe se Rusia nuk është në mbështetje./KultPlus.com

Agresioni rus ndaj Ukrainës, Formula 1 anulon Çmimin e Madh të Rusisë

FIA ka njoftuar se i ka hequr Rusisë të drejtën për të pritur një Grand Prix të Formula 1 për sezonin e ardhshëm.

Organizata tha se “është e pamundur të mbahet Çmimi i Madh i Rusisë në rrethanat aktuale”, thuhet në një deklaratë.

“Kampionati Botëror i FIA Formula 1 viziton vendet në mbarë botën me një vizion pozitiv për të bashkuar njerëzit, duke bashkuar kombet,” thuhet tutje.

“Ne po i shikojmë zhvillimet në Ukrainë me trishtim dhe tronditje dhe shpresojmë për një zgjidhje të shpejtë dhe paqësore të krizës aktuale.”

Të enjten, një nga pilotët më të suksesshëm të sportit, kampioni i botës katër herë Sebastian Vettel, tha se do të refuzonte të konkurronte në garë nëse ajo shkonte përpara, raporton BBC, transmeton Klan Kosova.

Lëvizja vjen pasi organi qeverisës i futbollit evropian, UEFA, njoftoi se i kishte hequr qytetit rus të Shën Petersburgut të drejtën për të pritur finalen e Ligës së Kampionëve 2022./ KultPlus.com

“Nuk dua të vdes”, fëmija në Ukrainë rrëqeth me deklaratën: Kur do mbarojë e gjithë kjo (VIDEO)

Ukrainasit u zgjuan mëngjesin e sotëm dhe kuptuan se dita e mëparshme nuk ishte thjesht një ëndërr e keqe. Një numër i madh shpërthimesh të forta ranë nëpër Kiev në agim dhe sirenat e sulmit ajror u dëgjuan vazhdimisht në rrugë. Kjo ka bërë që qytetarët të marrin gjërat nga banesat e tyre dhe të largohen nga Kiev-i.

Brenda pak orësh ata u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre për të gjetur një strehë të sigurt dhe për t’i shpëtuar sulmit rus. Fëmijët e vegjël dhe të moshuarit janë në dëshpërim e duke qarë para kamerave që i filmojnë, nga frika e vdekjes.

Videot që po transmetohen në rrjetet televizive në mbarë botën janë shokuese. Një shembull tipik është ai i transmetuar nga Bloomberg, i cili tregon një fëmijë nga Ukraina me lot në sy duke thënë: “Nuk dua të vdes”.

Në një video tjetër nga Mariupol, një grua nuk di ku të shkojë për t’u shpëtuar. “Ku të shkojnë; “Më thuaj ku të vrapoj”, thotë ajo me frikën e pikturuar në sy.