Presidentja Osmani uron muslimanët për festën e Fitër Bajramit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar të gjithë muslimanët për festën e Fitër Bajramit.

Në një postim në Facebook, ajo është shprehur se kjo festë duhet të na frymëzojë të gjithëve për ta forcuar mirëkuptimin dhe afërsinë ndaj njëri tjetrit.

“Lutjet tuaja në muajin e bekuar të Ramazanit qofshin të pranuara e kjo ditë qoftë e mbushur me gëzim, paqe, tolerancë dhe respekt të ndërsjellë, për të gjithë”, ka shkruar ajo./KultPlus.com

“Artizanati sot”, ekspozitë me punime të artizaneve në Muzeun Etnografik të Elbasanit

Nga thellësitë e shekujve mbërrin deri sot talenti i punimeve artizanale të artizaneve të qarkut të Elbasanit, ku gratë mbajnë gjallë traditën e paraardhësve të tyre.

Në kuadër të promovimit të artizaneve të qarkut, në ambientet e Muzeut Etnografik Elbasan nga data 5 prill deri më 25 prill po organizohet “Artizanati Sot”, ku artizanet po shpalosin punimet e tyre, për të gjithë qytetarët elbasanas, por edhe turistët e shumtë që vizitojnë Elbasanin.

Në këtë promovim artizanet kanë sjellë përmes punimeve të tyre trashëgiminë kulturore  shqiptare.

Ato kanë shpalosur punimet e tyre në tezgjah, gdhendje druri, sapunë artizanalë, qëndisje në gjergjef, stoli, punime çantash me grep dhe çanta me rruaza, etj.

Me pasionin e tyre artizanet edhe një herë vënë në dukje se tradita e lashtë në Elbasan vazhdon të ruhet me fanatizëm nga njëri brez tek tjetri deri në ditët e sotme.

Artizanet që marrin pjesë në këtë aktivitet janë Hamide Filja, Brixhilda Çirraga, Shpresa Samurri, Josif Muça, Anisa Mëhalla, Edlira Kote, Nertila Allaj, Titi, Etleva Mata, Zana Hoxha, Motrat Koçollari, Etleva Ahmati, Bukurije Musai, etj.

Nga punimet në tezgjah dhe gdhendjet e mrekullueshme në dru, te sapunët artizanalë, çdo detaj rrëfen një histori./atsh/KultPlus.com

Ekspozita ‘Dreams Within a Dream’ e artistit Nazmi Hoxha, Rama: Piktura atipike që kanë evoluar

“Dreams Within a Dream“ titullohet ekspozita e artistit të mirënjohur, Nazmi Hoxha, e cila u çel sot në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) në Kryeministri.

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama.

Në fjalën e tij Rama tha se “është kënaqësi e emocion si një mik i hershëm por edhe si një ndjekës nga të parët të Nazmiut të cilin edhe pse kam qenë i gjatë edhe kur isha më i vogël në një moshë ku distanca në moshë është shumë më e ndjeshme sesa distanca në moshë sot me dikë, që është disa vite më i ri ose disa vite më i vjetër”.

“Më vjen keq që sot mungon këtu një njeri, i cili ka qenë energjia që na bashkonte me Nazmiun dhe ka qenë një militant i flaktë i artit të Nazmiut, Agim Rada që e kujtoj me shumë nostalgji dhe pse është ndarë nga jeta jo prej shumë kohësh. Jam i bindur që është një mungesë që të gjithë ne bashkë pavarësisht se kemi secili dhe secila vendin tonë këtu nuk e kompensojmë në raport jo thjesht me Nazmiun si person, por në raport me artin e Nazmiut”, theksoi Rama.

Më tej kryeministri Rama foli për artin në pikturë të Nazmi Hoxhës.

“Për të folur për artin e Nazmiu nuk është lehtë. Është një pikture atipitike, e cila ka evoluar duke ruajtur atë brumin e vet të parë. Por për ata që nuk i kanë parë punët e tij nç të shkuarën mund të them vetëm që ato kanë qenë përgjithësisht sipërfaqe që në një distancë prej disa metrash dukej se ishte një sipërfaqe e njëjtë, por duke afruar zbuloje përmes detajesh shumë delikate një majë mali një pemë, një dhi, një kalë e me radhë. E në atë kohë, kjo është arsyeja pse ju bëra përshkrimin e punëve sepse dua në njëfarë mënyrë të sjell këtu Gim Radën. Në atë kohë në shtëpinë e Agim Radës ndodhej koleksioni më i madh të punëve të Nazmiut që ishin të varura nëpër muret e shtëpisë nga të katër anët”, theksoi Rama.

Rama u shpreh se “Nazmiu pas një periudhe të shkurtër në Shqipërinë e çliruar apo të ri pushtuar nuk e di, u largua dhe sot vjen për herë të parë pas shumë vitesh me një koleksion punësh të krijuara në një studio në shtëpinë në Amerikë e cila në njëfarë mënyre është një shtëpi ku ai ka mbledhur mesa duket nga pikturat të gjitha ato që ka marrë nga fëmijëria, të gjitha ato që ka marrë nga vendlindja e tij dhe pastaj i ka vendosur me durim dhe ditë për ditë nëpër telajot e tij”.

“Personalisht për një periudhë kohe isha i shkëputur nga vazhdimësia e krijimtarisë së tij dhe me shumë dëshirë dhe me shumë kuriozitet jam rivënë në kontakt pas disa kohesh dhe besoj që kjo rivënie në kontakt do t’i japë të gjithë atyre që e kanë ndjekur më parë pikturën e Nazmiut kënaqësinë e të rivënit në lidhje me një artist të rrallë, me një piktor me një gjuhë shumë të veçantë, me një mënyrë të të parit të sipërfaqes, të ngjyrave, të formave atipike dhe mbi të gjitha me një konservues shumë xhenuin të ajrit dhe të formacionit koloristik të vendlindjes së vet”, theksoi Rama.

“Nazmi, të falënderoj shumë për ardhjen këtu dhe për bujarinë me të cilën i ofrove kësaj hapësire pikturat e tua. Hapësira, ke të drejtë është e bukur nga pikëpamja e asaj që ofron për pikturën. Shpresoj që në fund fare të kthehesh i pasuruar nga kjo prekje e Shqipërisë edhe më shumë dhe pastaj më vonë, në të ardhmen të kemi mundësi të shohim të tjera krijime ne atë dhomën e kyçur të kujtimeve dhe të ëndrrave të tua”, tha Rama.

Piktori Nazmi Hoxha falënderoi Kryeministrin Rama për mbështetjen për hapjen e kësaj ekspozite.

Drejtoresha e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, Eridana Çano tha se “arti i Nazmi Hoxhës nuk mund të kufizohet vetëm nëpërmjet një zhanri të vetëm. Ai është mjeshtër i kompozimeve, i peizazheve, i nudove dhe i portreteve, të cilat të bëra bashkë sjellin një dëshmi të shkathtësisë dhe të thellësisë së tij si artist, pjesëza të ndryshme ëndrrash brenda një ëndrre të madhe arti. Me një zotësi të jashtëzakonshme, ai i vesh veprat e tij me një mantel të mistershëm. I papërkufizuar në gjininë e pikturës, gjithmonë në kërkim të mistikes dhe të të qenit i veçantë në shprehinë e tij artistike, Nazmiu bën një kapërcim horizontal në artin e tij, që pas ikjes në Amerikë dhe jetesës atje”.

“Mënyra e jetesës dhe e gjithë dinamika se si funksionon qyteti i Nju-Jorkut ku ai jeton, reflektohet te cikli i pikturave “Blinds”, të cilat përbëjnë një pikëpamje unike për llojin e pikturës së tij, duke përfshirë elemente më moderne (vertikalizimin dhe vezullimin e xhamave të ndërtesave, udhëkryqet e rrugëve dhe dinamikës të zhvillimit urban), duke eksperimentuar me ngjyrën dhe formën, me një zhvendosje drejt abstraksionit, përdorimit më ekspresiv të ngjyrës dhe një qasje më të lirë e më dinamike ndaj kompozimit”, tha Çano.

Ekspozita e veçantë prej 123 punimesh vjen për publikun shqiptar e konceptuar si “ëndrrat brenda një ëndrre”. Ajo është e shtrirë nëpër të gjitha hapësirat e COD-it dhe synon të kapsulojë thelbin e veprës së Nazmi Hoxhës, mikrokozmosin e tij, ku pasioni dhe përkushtimi luajnë një rol të rëndësishëm në format se si ai shprehet. Pikturat e Nazmiut nuk janë vetëm përvoja pamore; janë dialogë me shikuesin, që ofrojnë një vështrim në shpirtin e artistit dhe në kujtesën kolektive të një kulture. Trashëgimia e tij i përket bukurisë, emocioneve dhe kërkimit të paepur të së vërtetës artistike.

Nazmi Hoxha lindi në Tropojë të vjetër, më 15 tetor, 1955. Pasi mbaroi shkollën 8-vjeçare në qytetin e Bajram Currit, fitoi konkursin në liceun artistik “Jordan Misja”, Tiranë, dega pikturë. Pas përfundimit të liceut, në vitin 1979 vazhdon “Akademinë e Arteve të Bukura”, Tiranë. Më pas, ai emërohet “Mësues  vizatimi” në shkollën 8-vjeçare të Tropojës së vjetër deri në 1984. Në vitin 1985-1987, punon me grupin e punës për ngritjen e muzeut “Bajram Curri”. Nga ky vit, emërohet “Mësues vizatimi” në fshatin Llugaj të rrethit Tropojë deri në vitin 1989. Në vitin 1990-1992 kalon në krijimtari të lirë, vendim ky i marrë nga “Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve”. Në vitin 1993 fillon punë në RTV Tiranë, te “Filmi Artistik” si piktor, pastaj si drejtor i “Filmit Artistik dhe Dokumentar”.

Në vitin 2001 punon në kompaninë e sigurimeve “SIGAL” si piktor i reklamave dhe në 2003-shin, në Qendrën Shqiptare për të Drejtat e Njeriut. Në vitet 2006-2007 punon në Postën Shqiptare, në “Sektorin e Pullës”. Në vitin 2008 fiton Lotarinë Amerikane dhe që atëherë jeton në Amerikë.

Aktiviteti artistik: viti 1981: ekspozita e parë vetjake në qytetin e Bajram Currit; viti 1987: ekspozitë  vetjake në Pallatin e Kulturës, Tiranë; viti 1990: promovon ekspozitën në Lidhjen e Artistëve dhe Shkrimtarëve, Tiranë; viti 1991: ekspozitë vetjake në Galerinë e Arteve Figurative; viti 1992: ekspozitë vetjake në Muzeun Kombëtar, Tiranë; viti 1995: ekspozitë vetjake në Galerinë e Arteve, Tiranë; viti 1996: ekspozitë vetjake në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës, Tiranë; viti 2005-2006: dy ekspozita të tjera në Galerinë e Arteve, Tiranë.

Çmimet e fituara: 1987, çmimi “Piktori më i mirë i vitit”, akorduar nga Këshilli Qendror i Rinisë; 1988, “Çmimi i dytë Kombëtar”, akorduar nga Këshilli Qendror i Rinisë; “Çmimi i tretë kombëtar në peizazh”, me rastin e 40-vjetorit të Çlirimit të Atdheut; 1989, “Çmimi i tretë në gazetari”, organizuar nga gazeta “Drita”; 2007, titulli “Ambasador i Paqes”, akorduar nga forumi “Imazh Media” si piktori i vitit.

Nazmi Hoxha jeton sot në SHBA dhe ushtron aktivitetin e tij artistik me ekspozita vetjake dhe në grup.

Ekspozita “Dreams Within a Dream” e Nazmi Hoxhës do të qëndrojë e hapur deri më 10 maj./atsh/KultPlus.com

‘Ti dhe hëna’, ndër poezitë me romantike nga Ismail Kadare

Poezi nga Ismail Kadare

“Ti dhe hëna”

Kësaj nate me hënë të vjeshtës
Dola fushës të bredh kuturu.
Retë shtohen me vrap pa reshtur,
Hëna duket aty-këtu.

Porsi vetë mendimet e mia
Po më shtyhem ndër mend më shpesh
dhe pas tyre gjithnjë gjendesh ti
si kjo hënë që duket mes resh.

Hëna shpejt do të zhduket dhe netët
do të mbeten pa të, kurse ti
në ëndërrimet e mia pa jetë
perëndim s’do të kesh kurrsesi./KultPlus.com

Ushtarja e FSK-së shpërblehet në Britani me Bexhin e Komandantit të Akademisë Mbretërore Ushtarake Sandhurst

Oficer Kadet Endrita Brahimi nga Republika e Kosovës është shpërblyer me Bexhin e Komandantit të Akademisë Mbretërore Ushtarake Sandhurst.

Siç njofton Ambasada e Kosovës në Britani të Madhe, ky shpërblim jepet për përpjekje të veçantë dhe kontribut të jashtëzakonshëm gjatë shkollimit për oficerë.

“Edhe një arritje e veçantë e oficerëve të FSK-së në aktivitetet ndërkombëtare”, shkroi Ambasada.

Stafi i Ambasadës ka falënderuar Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin profesional të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Urime Oficer Kadet Endrita Brahimi”, shkroi kjo Ambasadë.

Për shpërblimin e Brahimit ka shkruar edhe Akademia Mbretërore Ushtarake Sandhurst.

“Për Kursin e Komisionimit 232, të mëtejmëve iu dha Bexhi i Komandantit. Oficeri Kadet T M Holmes (Artileria Mbretërore), Oficeri Kadet M Chisdale (Malawi), Oficeri Kadet E Brahimi (Kosovë). Bravo për të gjithë”, shkroi Akademia Mbretërore Ushtarake Sandhurst në Britani të Madhe.

Edhe Ambasada Britanike në Kosovë ka uruar kadeten e Ushtrisë së Kosovës.

“Urime oficeres së FSK-së, Kadet Endrita Brahimi për fitimin e Bexhit të Komandantëve në Akademinë Ushtarake Mbretërore Sandhurst”, shkroi kjo Ambasadë. /Klankosova.tv/KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Kushtetuta forcoi garantimin e të drejtave për të gjithë qytetarët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në 16-vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Kosovës, tha se ajo forcoi garantimin e të drejtave për të gjithë qytetarët, e siç u shpreh, me theks të veçantë për pakicat.

Kryeministri Kurti Përmes një shkrimi në “X” ai theksoi se mbeten të përkushtuar forcoi garantimin e të drejtave për të gjithë qytetarët, me theks të veçantë për pakicat.

“Sot shënohet 16 vjetori i miratimit të Kushtetutës së Kosovës, e cila forcoi garantimin e të drejtave për të gjithë qytetarët, me theks të veçantë për pakicat. Gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë, ne mbetemi të përkushtuar për të garantuar zbatimin dhe mbrojtjen e këtyre të drejtave”, ka shkruar Kryeministri Kurti.

Presidentja Osmani përkujton masakrat e Lagjes të Re dhe Rakocit të Kaçanikut

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot ka përkujtuar 25-vjetorin e Masakrës në Lagje të Re dhe në Rakoc të Kaçanikut.

Presidentja Osmani ka thënë se ata që ranë heroikisht dhe ata që u martirizuan do të kujtohen përherë, ndërkaq drejtësia do të jetë synim i yni i vazhdueshëm për ta mbrojtur të vërtetën.

Më poshtë gjeni komunikatën e presidencës:

Më 9 prill të vitit 1999, në Lagjen e Re dhe në Rakoc të Kaçanikut, ranë 28 dëshmorë të kombit të UÇK-së, në mbrojtje të të popullsisë civile nga barbaria e regjimit gjenocidal të Serbisë.

Rrethimi dhe granatimi i vazhdueshëm i Kaçanikut shkaktoi vrasjen e 32 martirëve.

Ata që ranë heroikisht dhe ata që u martirizuan do të kujtohen përherë, ndërkaq drejtësia do të jetë synim i yni i vazhdueshëm për ta mbrojtur të vërtetën.

Qoftë i perhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për liri!/KultPlus.com

Presidentja sllovene Pirc-Musar nderon Presidenten Osmani me pjesëmarrje në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

Presidentja e Republikës së Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, pritet të vijë në Kosovë  për të marrë pjesë në edicionin e dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili organizohet nga Presidentja Vjosa Osmani.

Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (WPS Forum) sjell liderë, ekspertë, akademikë, përfaqësues të shoqërisë civile, ndikues, të rinj dhe grupe të tjera të interesit së bashku në zemër të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar sfidat aktuale globale të paraqitura në Axhendën e WPS gjatë këtyre kohërave të pasigurta, si dhe për të elaboruar
rëndësinë themelore të kësaj axhende për paqen e qëndrueshme, të barabartë dhe të qëndrueshme.

Ky edicion i Forumit do të fokusohet ekskluzivisht në ndërtimin e përpjekjeve të përbashkëta për të trajtuar dhunën seksuale të lidhur me konfliktin, si dhe në identifikimin e mjeteve dhe politikave për të ndihmuar gratë dhe vajzat të lundrojnë më të sigurta në kohën e kërcënimeve gjithnjë në rritje të sigurisë klimatike. Duke vepruar kështu, objektivi i Forumit është të trajtojë kërcënimet historike për sigurinë e grave së bashku me sfidat e reja të sigurisë, me qëllimin përfundimtar për të bashkuar forcat për të avancuar më tej Axhendën e WPS.

Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë do të mbahet në datat 15-16 prill/KultPlus.com

‘Kjo dorë që tundi djepin, gjithë botën e sundon’ (VIDEO)

Parashqevi Simaku është një këngëtare e njohur shqiptare ndërsa repertori i saj përfshin një numër të madh këngësh e interpretimesh.

Simaku njihet për zërin e saj të veçantë dhe të ëmbël, duke bërë kështu që arti i saj të frymojë ndryshe.

Ajo sot më së miri kujtohet më këngën “E duam lumturinë”, shkruan KultPlus.

Kënga “E duam lumturinë” është një këngë e kompozuar nga Pirro Çako. Këngëtarja Parashqevi Simaku, me po këtë këngë në vitin 1988 fitoi çmimin e parë te Festivali i 27-të i Këngës në RTSH. Kjo këngë për shkak të tekstit e interpretimit të fuqishëm është bërë një himn i dashurisë dhe sakrificave të nënave për fëmijët.

Kjo këngë fillon me një interpretim të këndshëm nga një kor që përbëhet nga fëmijët për të vazhduar më pas me interpretimin e këngëtares Parashqevi Simaku.

Sot, në Festën e Fëmijëve, KultPlus ju sjellë tekstin dhe videon e kësaj kënge:

Kur një zog, një pëllumb ne shikojmë
duam krahë si ata të fluturojmë
zemra jonë tik e tak kur troket
me zemrat flet

Në çdo stinë kudo janë pranverojnë
dhe në sy ata mbajnë jetën tonë
dashurinë, lumturinë e pafund
me ëndrra shumë

Kanë një botë me ëndrra
janë të vegjël shumë
mos lëndoni nënat
syrin e pagjumë

(2 herë)
Të gjitha do i dhuroja
kaq të lumtur ti shikoja
dhe fëmijët në gjithë globin
anembanë

Mos ja u prishni lumturinë
mos iu prekni dashurinë
as kërrkush mos ta provojë
se nënat s’ju lejojnë

Fjala “Nënë” kudo në botë
zgjon në zemra dashurinë
mirëmëngjes jetës i thotë
se nëna e lind njerinë.

Kjo dorë që e tundi djepin
gjithë botën e sundon

Mos ja u prishni ëndrrat
janë të vegjël shumë
Mos lëndoni nënat
syrin e pagjumë

(2 herë)
Të gjitha do i dhuroja
kaq të lumtur ti shikoja
dhe fëmijët në gjithë globin
anembanë

Mos ja u prishni lumturinë
mos ja u prekni dashurinë
as kërrkush mos ta provojë
se nënat s’ju lejojnë

Fjala “Nënë” kudo në botë
zgjon në zemra dashurinë
mirëmëngjes jetës i thonë
se nëna e lind njerin

Kjo dorë që e tundi djepin
gjithë boten e gëzon. / KultPlus.com

Vdes nobelisti Peter Higgs

Në moshën 94-vjeçare ka vdekur Peter Higgs, një gjigant i shkencës britanike që lindi me idenë e grimcës së bosonit Higgs.

Atij iu dha çmimi Nobel për Fizikë në vitin 2013 për punën e tij revolucionare që tregon se si bozoni ndihmon në lidhjen e universit së bashku.

Një deklaratë nga universiteti i Edinburgut tha se ai vdiq në qytet të hënën.

Ai e quajti atë një “shkencëtar me të vërtetë të talentuar, vizioni dhe imagjinata e të cilit kanë pasuruar njohuritë tona për botën që na rrethon”.

Prof Brian Cox i bëri homazhe Higgs-it në X (i njohur zyrtarisht si Twitter): “Kam pasur fatin ta takoj disa herë, dhe përtej të qenit një fizikant i famshëm – mendoj për turpin e tij ndonjëherë – ai ishte gjithmonë simpatik dhe modest.

“Emri i tij do të mbahet mend për sa kohë që ne bëjmë fizikë në formën e Higgs Boson.”

Në vitet 1960, Higgs dhe fizikanë të tjerë punuan mbi një ide për të shpjeguar pse blloqet ndërtuese të Universit kanë masë.

Ai ndezi një kërkim për Graalin e Shenjtë të fizikës – një grimcë që mund të shpjegonte tre forcat themelore (elektromagnetizmin dhe forcat bërthamore të dobëta dhe të forta) në një teori.

Në vitin 2012, Përplasësi i Madh i Hadronit në Zvicër më në fund e zbuloi atë dhe e quajti bozon Higgs.

“Nga mendja e profesor Higgs-it dolën ide që kanë pasur një ndikim të thellë në të kuptuarit tonë të Universit, të materies dhe masës”, tha Alan Barr, profesor i fizikës në Universitetin e Oksfordit, në reagim ndaj lajmit.

“Ai propozoi ekzistencën e një fushe që përshkon të gjithë universin, atë masë në grimca nga elektronet deri te kuarkët e lartë.”

“Ai ishte gjithashtu një zotëri i vërtetë, i përulur dhe i sjellshëm, duke u dhënë gjithmonë meritat e duhura të tjerëve dhe duke inkurajuar butësisht brezat e ardhshëm të shkencëtarëve dhe studiuesve,” shtoi ai./bbc/KultPlus.com

Një dramë për dinjitetin, shfaqet edhe në Durrës vepra ‘7 minuta’! Thirrje për të dalë nga zona e komfortit

E shkruar nga italiani Stefano Masini dhe e vënë në skenë nga regjisorja Driada Dervishi, shfaqja “7 Minuta” ka mbërritur në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu”, të Durrësit si një thirrje për të dalë nga zona e komfortit, nga frika e humbjes dhe për të mbrojtur dinjitetin dhe të drejtat e njeriut dhe të punëmarrësve, në emër të interesave që i kapërcejnë ato personale.

“Këtu luhet me dinjitetin njerëzor. Vepra ka një mesazh të fortë. Ka emocion të bukur, po ka dhe humor, sepse gërshetohen të gjitha. Në një situatë dramatike shumë shqetësuese, patjetër që ka dhe batuta dhe momente të vogla të bukura.”– u shpreh aktorja Zamira Kita.

“7 minuta është një shfaqje jo vetëm argëtuese, po sicc di regjisorja D. Dervishi është ai lloj teatri që të bën të mendosh e reflektosh e ndërgjegjësohesh për shumë gjëra. Janë të drejtat e njeriut që bërtiten fort dhe theksohen me shumë ndjenja.”– tha aktorja Rudina Dembaçaj.

Pas suksesit në Tiranë dhe teatro të tjera të vendit, edhe Durrësi ndoqi me interes të lartë shfaqjen e cila bën bashkë emra të mëdhenj të artit skenik në vend, që sjellin para publikut realitete të ndryshme të grave dhe nevojën për të mbrojtur të drejtat e tyre.

“Publiku i Durrësit e ndoqi me vëmendje se ai është shumë i mirë, po duhet thënë që 7 minuta me regji të D. Dervishit ka shëtitur kudo nëpër Shqipëri dhe kudo salla ka qenë plot. Pjesa sociale është shumë e prekshme dhe ccdo publik gjen veten këtu.”– shtoi Kita

“Jam shumë e emocionuar. Salla ishte ekstremisht plot dhe kam një cclirim tani se kjo shfaqje më jep emocione të veccanta, ndryshe nga një komedi që është më e thjeshtë. 7 minuta është shumë më e ndjerë si shfaqje.”– u shpreh Rudina.

Dilema, përplasje, nevoja për një rrogë dhe frika për të humbur vendin e punës vejnë në pikëpyetje gjithccka derisa rebelimi, mbrojtja e vetes dhe tjetrit triumfon./topchanel/KultPlus.com

‘Suksesi nuk është çelësi i lumturisë, lumturia është çelësi i suksesit’

Albert Schweitzer ishte teolog, shkrimtar, humanist, filozof dhe mjek. Ai lindi në një familje e cila për breza të tërë i ishte përkushtuar fesë, muzikës dhe arsimit. Schweitzer hyri në studimet e tij intensive teologjike, ku u doktorua në filozofinë fetare dhe vazhdoj predikimet e tij në kisha dhe kolegje të ndryshme.

Nderimet që ai mori ishin të shumta, përfshirë Çmimin “Goethe” të Frankfurtit dhe doktorata nderi nga shumë universitete duke theksuar Çmimi “Nobel për Paqe” për 1952, të cilën e morri për filozofinë e tij, duke u bërë francezi i tetë që iu dha ai çmim. Pas tij, kanë mbetur thënie të njohura me përplot kuptime brenda tyre.

KultPlus ua sjell disa nga thëniet e Schweitzer:

Në moshën 20 vjeçare çdo njeri ka fytyrën që i ka dhënë Zoti, në moshën 40 vjeçare fytyrën që i ka dhënë jeta dhe në moshën 60 vjeçare ka fytyrën që meriton!

Suksesi nuk është çelësi i lumturisë. Lumturia është çelësi i suksesit. Nëse bëni çfarë doni, atëherë do të bëheni të suksesshëm.

Qëllimi i jetës njerëzore është të dhuroj, të tregojë dhembshuri dhe vullnet për të ndihmuar të tjerët.

Kudo që të shkoni, mund të gjeni dikë që ka nevojë për ju. Edhe nëse është gjë e vogël, bëj diçka për të cilën nuk paguhesh, por ke privilegjin ta bësh. Kujtoni, ju nuk jetoni në një botë që është e tëra e juaja.

Në atë pikë të jetës ku talenti juaj takohen me nevojën e botës, aty është ku Zoti dëshiron që të jeni.

Nëse ke diçka që nuk mund t’ia japësh dikujt, atëherë ti nuk je poseduesi, ajo të posedon ty./KultPlus.com

Gonxhja: Paketë ‘one stop shop’ për emigrantët, program i ri ‘investo në tokën tande’ për turizmin malor

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri publik programin e ri të qeverisë, për zhvillimin e turizmit malor nën logon “investo në tokën tande”, që synon të rikthejë emigrantët për të investuar në tokën tyre, falë lehtësirave dhe mundësive të ndryshme që do të ofrohen për ta përmes një pakete “one stop shop” .

“Ne po punojmë fort për një transport ndërqytetas për një rrjet ndërlidhës shumë më të mirë, nga pikat hyrëse, marinat, portet, aeroportet. Shqipëria po përfundon aeroportin e dytë shumë të madh për kargo dhe për një afrim më shumë me zonën e jugut”, u shpreh Gonxhja në sot Konferencën për Investimet dhe Zhvillimin Ekonomik të Europës e Shqipërisë – “Nxitja e investimeve në turizëm për ndryshim pozitiv në përfitim të të gjithëve”, që u zhvillua në Tiranë.

Gonxhja tha se, “jemi në përpunim të një programi të ri për turizmin malor dhe për zhvillimin në zonat malore, e themi këtë sepse turizmi sezonal për ne në një vend me më shumë se 300 ditë diell është i pamjaftueshëm vetëm në det dhe bregdet, por edhe nga pikëpamja e një menaxhimi vjetor dhe i nevojës që popullsia ka për të përfituar nga turizmi duhet të jetë në të gjithë gjeografinë dhe hapësirën e vendit, ndaj bëhemi gati që të shpallim një paketë dhe projekt që do ta quajmë “investo në tokën tande” për pjesën e veriut ku ne do të thërrasim shumë emigrantë, që sot janë në gjendje shumë më të mirë ekonomike, të cilët kthehen dhe do ta kenë këtë paketë një “one stop shop” shumë interesante. Duam t’i nxisim ata dhe të investojnë me lehtësi shumë të mëdha në zona shumë të largëta”.

Gonxhja e cilësoi këtë nismë një shtytje për zhvillimin e ekonomisë rurale në zonat veriore të vendit.

“Kthimi i emigrantëve për të investuar në tokën e tyre është alternativa më e mirë sesa ata të investojnë në vendet ku ata janë të suksesshëm”, u shpreh ai, teksa vuri në dukje ambicien e  qeverisë për zhvillimin e turizmit gjithëvjetor nga jugu deri në veri të vendit./atsh/KultPlus.com

‘Bylbyl, ky shekull or e ças ndrrohet, bijnë poshtë të naltit, i vogli çohet’

Poezi nga Ndre Mjeda

‘Vaji i Bylbylit’-

Po shkrihet bora,
Dimri po shkon;
Bylbyl i vorfën,
Pse po gjimon?

Pushoi murrlani
Me duhi t’vet;
Bylbyl i vorfën,
Çou, mos rri shkret.

Gjith’ fushët e malet
Blerimi i mbëloi;
Livadhi e pema
Gjithkah lulzoi.

Ndër pyje e ograja,
N’ma t’mirin vend,
Me rreze dielli
Po e gëzon gjithkend.

E tuj gjimue
Shkon rreth e rreth
Nji prrue që veret
Rrjedh nëpër gjeth.

A çilë kafazi,
Bylbyl flutro;
Ndër pyje e ograja,
Bylbyl, shpejto.

Kurrkush ma hovin
Atje s’ta pret;
Me zeher hajen
Kurrkush s’ta qet.

Kafaz ke qiellin,
Epshin pengim;
E gjith’ ku t’rreshket
Shkon fluturim.

Nëpër lamie,
Ke me gjetë mel;
Për gjith’ prendverën
Njajo buk’ t’del.

E kur t’zit edi
Ndër prroje pi;
Te njato prroje
Që ti vetë di.

Tash pa frikë çerdhen
E mban n’ndo’j lis;
Nuk je si ‘i nieri
Që nuk ka fis.

E kur t’vij’ zhegu,
Kur dielli shkon,
Ti ke me këndue
Si ke zakon.

Rreth e rreth gjindja
Me t’ndie rri;
Prej asi vendit
Ndahen me zi.

A çilë kafazi,
Bylbyl, fluturo;
Ndër pyje e ograja,
Bylbyl, shpejto.

Ndër drandofille,
Ndër zambakë nga;
Ku qeshet kopshti,
Idhnim mos mba.

Po shkrihet bora,
Dimni po shkon;
Bylbyl i vorfen,
Pse po gjimon?

II

Por vaj! Se ‘i dimën tjetër
Paske, o bylbyl i shkreti;
Pa da ty zemra t’treti
Mbas vajit që t’rrethon.

Me lulzim t’vet prendvera
Ty s’ta përtrin gazmendin:
Jo kurrë s’e njifke shendin,
Bylbyl, që po vajton.

A thue po kjan, se çerdhen
Ta ka shkatrrue skyfteri?
A thue po kjan, o i mjeri,
Se me rrnue gjallë s’ke mel?

Ndrrojn’ edhe stinët e motit,
E për çdo herë ndron era.
Mbas dimrit vjen prendvera,
Mbas borës blerimi del.

Veç ti me idhnime t’tuja
N’zemër gjithmonë po pihe,
E ditë e natë po shkrihe
Mbas vajit që t’mundon.

Kur â tuj ardhun drita
Ndihet tuj këndue shpendi,
E n’kangë i duket shendi,
Që zemrën ia gazmon.

Gjetiu ndër pem, ndër lule
Shkon e fluturon bylbyli;
N’at erë që jep zymbyli
Vjollca e zambaku nget.

Por ty, n’kafaz t’shtrëngueshëm,
Ty t’paska ndry mizori,
E kurrnjiherë nuk t’nxori
Me t’lëshue ku zemra t’thrret.

Ti kurr, nji kangë s’ia këndove
Diellit kur nadje çohet;
Zemra me vaj t’coptohet
E me pajtue nuk don.

Ndoshta kujdesi i t’tujve
Gjith’ ket hidhnim ta qiti,
E shendin ta shutiti
E vshtira që i mundon.

T’burguem i bani gjindja
Veç përse donë me ndie
Njat za që lëshojnë me hije
Që t’knaq e që t’ban rob.

Çdo krajl i madh ndër shpija
Ty t’mba m’u thanë i veti;
Vetë bukuria, o i shkreti,
Kenka për ju nji kob.

Përse tu ndeja e t’mëdhajve
Nji shpend i vogël s’ndalet;
Shpendit i kande malet,
Çerdhen e t’parve do.

Me at zanin tand t’përmallshëm
Ndoshta ti ankon këto t’vështira;
Derisa t’kthejn’ e mira,
Bylbyl, papra gjimo.

III

Por njaj vaj që je tuj lëshue,
Bylbyl, zemrën ma copton;
Ditë e natë rri tuj prigjue,
Vaj për mue! Kush mund t’ngushëllon?

Gjama jote a porsi ankimi
I nji fëmijës që vetun mbet;
Gjama jote a si shungllimi
I nji t’zezës që gja s’ pre.

Porsi dnesë me futë në krye
Nana e shkretë që mbet pa djelm;
Njashtu tine rri tuj shfrye
Njat idhnim që t’u ba helm.

Puna jote, o i mjeri, m’mbyti
E kurrkund nuk m’len pushim,
Shkoi nji muej, po shkon i dyti
T’zezat t’tua s’kanë mbarim.

Tash ndër arë lulzoi qershia
E me borë dimni po shkon:
Kurr s’mbarojn’ t’zezat e mia,
Gjama jote kurr s’mbaron.

Si t’burguemit n’ishull t’detit,
Ku tallazi i thekshëm vrret,
O t’vijë t’ftoftit, o t’vijë t’nxetit,
Vaji zemrën ia pëlset;

E papra n’ankime t’veta
Vajton fisin që larg la;
E tu fëmija i shkon si zgjeta
Mendja e shkretë se mbet pa ta;

Njashtu ti rri tuj vajtue
N’njat kafaz që shungullon;
Fisin tand rri tuj mendue
T’zinë atdhe që s’e harron.

Për fat tand, për zogj që kishe
Ndoshta zemra, i mjeri, t’dhemb;
Me e pat dit’ të mjerët ku rrishe
Kërkue t’kishin gemb mbi gemb.

Me e pasë ndie njat za që lëshoshe,
Me e pasë ndie njat vajin tand,
Kishin ardhë kudo që t’shkoshe,
T’kishin lypun kand e kand.

Njat vaj tandin tuj kujtue
Pa mbyllë syt’ kan’ shkue sa net;
Pveshtin hanën tuj gjimue,
Pvetshin hyjt për prind të vet.

Por aj kob që hana e diti
E njaj vaj që ylli pau,
T’shkretve n’vesh kurr nuk iu mbrriti,
E kurr zemra nuk ju ndau.

Me ditë hyjt me bisedue,
Me pasë sy që me derdhë lot,
Vajin tand ju kishin prue
T’kishin kja për jet’e mot.

Nëpër fush’ e nëpër shpija,
Me kujdes që s’nep afat,
Rreth e rreth t’kishin ardhun fëmija,
Kjamun t’kishte i ngriti fat…

IV

Por ça ka toka, bylbyl, ndrron moti;
Ankimi e vaji nuk asht i zoti
Përgjithmonë zemrën me na coptue;
Fillo me gëzue.

Mbas boret t’dimnit çilet prendvera;
Nji ditë nuk gjindet që s’po ndrron era;
Sendet që patmë nuk janë tuj mbarue;
Fillo me gëzue.

Tuj dnes’ i vorfni se e mbluene t’kqijat,
Me ankime t’veta mbush rrugët e shpijat;
Lehtsim por s’mbramit gjen tuj punue;
Fillo me gëzue.

Kjajnë fëmijn e dekun prindt e shkretnuem
Me ‘j vaj që duket se s’ka t’pajtuem!
Por zemrën moti jua ndrron tuj shkue:
Fillo me gëzue.

Ndër ishujt t’detit kjan i burguemi
Për fmij, për grue që s’shef i shuemi,
Por prap durimi ka me ja prue,
Fillo me gëzue.

Shpend tjerë burgosi sa herë mizori,
E rishtas jashtë dikur i nxori;
Ndër fushë e male janë tuj fluturue;
Fillo me gëzue.

Flutrojnë ndër male, flutrojnë ndër lule,
Flutrojnë ku çerdhen motit e ngule,
E kangët e parshme nisin me këndue:
Fillo me gëzue.

Ndër zogj që kishe ndonjëherë do t’hasin,
Ndër pemë, ndër lule bashkë me ta ngasin;
Për ty t’vorfnuemit rrijnë tuj shpnesue:
Fillo me gëzue.

Bylbyl, ky shekull or e ças ndrrohet:
Bijnë poshtë të naltit, i vogli çohet;
Edhe natyra po don m’u ndrrue:
Fillo me gëzue.

Porsi motmoti ndrrojmë dhe na vetë,
Herë-herë gazmohna, herë rrijmë të shkretë,
Por vaji e ankimi kanë për t’u shue;
Fillo me gëzue.

Mbas vajit t’tashëm ka me t’ardhë shendi,
Ka me ta shëndodhun zemrën gazmendi,
Për mall, si motit, zanë ke me e lëshue:
Fillo me gëzue.

Kur t’shkojsh ndër fush, kur t’shkojsh ndër male,
Afër shpisë seme hovin tand ndale;
Mahnit’ at zanin tand tuj prigjue
Kam për t’u gëzue. / KultPlus.com

Restaurimi i Muzeut Historik Kombëtar zgjat 4 vite/ Kuratorja: Koha e duhur, gjithmonë do të ketë kontestime

Muzeu Historik Kombëtar është i mbyllur për vizitorët nga 15 marsi 2024, e dhe deri në 15 mars të vitit 2028. Kjo mbyllje është në kuadër të projektit “Restaurimi, rikonstruksioni dhe muzealizimi i Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë”.

E ftuar në emisionin “Pas Mesnate”, kuratorja e muzeve, Yllka Gjikopulli e konsideroi këtë investim në kohën e duhur, pasi pas 4 dekadash duhet rikonceptuar në linja muzeale.

Ajo ka theksoi se pavarësisht kontestimeve, është një hap pozitiv që do të ndihmojë të gjithë publikun.

“Mbyllja e muzeut dhe fillimi i punimeve është një gjë shumë e mirë, një lajm shumë i mirë që do të ndodhi. Është një nga gjërat më të rëndësishme që ka vendi ynë dhe ai muze meriton të jetë patjetër në standardet e një muzeu europian. Gjithmonë, ka një kohë që do kontestohet dhe do thuhet në mos turistike, do dali dhe diçka tjetër. Nuk është dhe një kohë e caktuar kur mund të mbyllet dhe kur mund të hapet një muze. Është një hap pozitiv. Kontestimet do të jenë gjithmonë në çdo rast, ai ka nevojë të shihet dhe nga ana historike, edhe nga ana estetike, pa diskutim dhe t’i përkojë kohës dhe të ketë dhe ndërhyrje dhe të reja ndërvepruese me publikun”, u shpreh Gjikopulli./abcnews.al/KultPlus.com

Presidenti Begaj liron rreth 700 të burgosur

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, e ka nënshkruar sot dekretin “Për dhënie amnistie”.

Nga vendimi i Begajt, do të përfitojnë rreth 700 të burgosur, raportojnë mediat shqiptare transmeton Klankosova.tv

Ky ligj u miratua të enjten e kaluar më 4 prill.

110 deputetë votuan pro kur socialistët dhe deputetët opozitarë të Rithemelimit bashkuan votat bashkë dhe me dy deputet/ të grupit demokrat Basha.

“Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, firmosi sot dekretin nr. 139, datë 09.04.2024, “për shpalljen e ligjit nr. 33/2024 “Për dhënie amnistie”’, thuhet në njoftimin e presidencës.

Preç Zogaj, Bashkim Shehu e Shaban Murati vlerësohen me çmimin ‘At Zef Pllumi’ në edicionin e tetë të konkursit letrar në Lezhë

Preç Zogaj e Bashkim Shehu në prozë dhe Shaban Murati në publicistike janë tre fituesit e çmimit kombëtar “At Zef Pllumi” për vitin 2024. I kthyer në traditë, edicioni i 8 i këtij konkursi u organizua nga Bashkia Lezhë, ndërsa të pranishëm ishin autoritete lokale si dhe personalite të shquara të artit dhe letersisë shqipe, të cilët dhanë vlerësimet e tyre për veprat e autorëve fitues.

Fituesit e çmimit kombëtar “At Zef Pllumi” e konsideruan nderim të madh këtë vlerësim.

Në këtë konkurs, juria e përbërë nga Behar Gjoka, Marash Mirashi dhe Agim Xhafka vlersoi me “Çmimin e karrierës” Frano Kullin, Thanas Medin dhe Pashk Përvathin. Gjithashtu u akorduan dhe dy çmime nderi për shrimtaret Namik Dokle dhe Ahmet Premçi./BalkanWeb/KultPlus.com

Pasurohet fondi mbi Ismail Qemalin në Arkivin e Shtetit

Studiuesi Evarist Beqiri, i cili nisur nga hulumtimi vetjak, ka vendosur t’i besojë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, dokumente të digjitalizuara nga Arkivi Kombëtar i Indisë. Këto materiale, pjesë e arkivit të Perandorisë Britanike, zbulojnë të dhëna mbi arratisjen e Ismail Qemal Bej Vlorës nga Perandoria Osmane.

DPA fton çdo studiues t’i drejtohet sallës së Studimit në Tiranë, ose Këndeve Arkivore të çelura në mbarë vendin, në Kosovë, në Maqedoni të Veriut, në Greqi dhe në Italinë e Jugut për të mësuar më tepër mbi kulisat që i paraprinë Kuvendit të Vlorës.

“Rrugëtimi i përveçëm i kryeministrit të Pavarësisë, Ismail Qemalit, mes orvatjeve dhe mëtimit të pareshtur për mëvetësinë e Shqipërisë, do jetë ngahera një lëm kërkimor për t’u shteruar e për të nxjerrë mësime të vyera”, shkruan DPA në faqen e saj online, duke e konsideruar veten si rojtare dhe shërbestare të pasurisë dokumentare.

Kohët e fundit fondet e DPA-së janë pasuruar nga disa dhurime, të cilat kanë shërbyer edhe si shtysa për dhurime të tjera si dhe për nisjen e hulumtimeve të reja. / atsh / KultPlus.com

Sot është datëlindja e poetit të njohur francez Charles Baudelaire

Poeti i njohur francez, Charles Baudelaire, lindi më datë 9 prill të vitit 1821 në Paris.

E ëma e tij, pas vdekjes të së shoqit, u martua me një kolonel i cili duke qenë shumë i ashpër nxiti e provokoi urrejtjen e të birit. Marrëdhëniet me të ëmën nuk i kishte fort të mira dhe ky faktor shkaktoi te ai krizën ekzistenciale që e shoqëroi për tërë jetën.

Në vitin 1833 njerku e regjistroi në “Kolezh Ruajal”. Sjellja e tij nuk ishte nga më të mirat kështu që njerku i zëmëruar e detyroi të shkonte në Indi. Ky udhëtim ndikoi për mirë te Sharli, e njohu me kultura dhe njerëz të ndryshëm. Që këtu lindi dhe dashuria e tij për ekzotizmin, që duket më së miri në kryeveprën e tij “Lulet e së Keqes”. Sidoqoftë 10 muaj më pas u kthye në Paris dhe duke qenë se ishte në moshë madhore mori pjesën që i takonte nga pasuria e të atit.

Në vitin 1842, njohu poetët Gerard de Nerval, dhe Gautier; me këtë të fundit u afrua shumë pasi për më tepër shikonte tek ai një udhëheqës artistik dhe moral. Gjatë kësaj kohe njohu Jeanne Duval, me të cilën pati një marrëdhënie shumë pasionale. Ndryshe nga zakonisht, lidhja e tyre vazhdoi për një kohë të gjatë. Charles gjente frymëzim të Jeanne e cila i qëndroi pranë deri në ditën e fundit të jetës së tij.

Ndërkohë jeta që Bodleri bënte në Paris nuk ishte kushedi se cfarë. Kur e ëma zbuloi se ai kishte harxhuar gjysmën e trashëgimisë e hodhi në gjyq. Gjykata i caktoi një administrator të cilit Bodleri duhet ti kërkonte para për çdo gjë që i nevojitej.

Në vitin 1845 publikoi krijimet e tij të para, ndërsa për të fituar disa para më shumë filloi punë nëpër disa revista si: “L’Art romantique” e “Kuriosite estetik”.

Në 1848 mori pjesë në lëvizjet revolucionare në Paris, ndërsa në 1857, publikoi në shtëpinë botuese Pule-Malassiz kryeveprën e tij “Lulet e së keqes”, që përmban rreth 100 poezi. Libri gjykohet për imoralitet, ndërsa botuesi, detyrohet të censurojë disa prej poezive.

Bodleri ra në depresion të thellë. Në vitin 1861 u përpoq të vetëvritej. Në 1864, pasi nuk u pranua nga Akademia Fronsez, u largua nga Parisi për të shkuar në Bruksel, por edhe qëndrimi në kryeqytetin belg nuk i ndryshoi mendimet e tij për borgjezinë.

I sëmurë, kërkonte qetësinë te hashashi, opiumi dhe alkooli. Pas një paralize që e bllokoi në shtrat për disa vite ai vdiq në moshën 44 vjeçare. Eshtrat e tij prehen në varrezat Montparnasse, së bashku me ato të mamasë dhe njerkut. Në 1949 Gjykata Kasacionit e Francës vendosi që vepra dhe jeta e tij të kishin vendin e merituar në piedestalin e kulturës frënge. / KultPlus.com

Elon Musk jep lajmin: Starlink tashmë edhe në Shqipëri, ja kush mund të përfitojë

Multimiliarderi Elon Musk deklaroi se kompania e tij “Starlink” ka filluar të ofrojë shërbimin e saj në Shqipëri.

Musk e dha lajmin ditën e sotme në rrjetin social X, ish-Twitter, kompani të cilën gjithashtu ai e zotëron.

Elon Musk jep lajmin: Starlink vjen tashmë në Shqipëri; Ja kush

Lapsi.al ka publikuar çmimet për Shqipërinë.

Elon Musk jep lajmin: Starlink vjen tashmë në Shqipëri; Ja kush

Sic mund ta shikoni nga fotoja më lart, paneli që vendoset në taracën tuaj kushton 425 mijë lekë të vjetra plus 24 mijë lekë të vjetra posta. Ndërsa pagesa mujore është 65 mijë lekë të vjetra në muaj. Nga një hulumtim i Lapsi.al këto çmime janë të reduktuara për Shqipërinë pasi për shembull në Shtetet e Bashkuara çmimi mujor për shërbimin është 100 dollarë në muaj.

Paneli që vendoset në taracën tuaj merr internet direkt nga mijëra satelitët që Elon Musk ka ngritur në hapësirë. Shpesh herë ato kanë kaluar mbi Shqipëri dhe kanë krijuar sensacion, ku rrjetet sociale janë mbushur me foto dhe video ku fillimisht dyshohej për aktivitet jashtëtokësor, por më pas u mësua se ishin satelitët e Elon Musk.

Shpejtësia e download-imit varion nga 120-500 mb/s. Kjo shpejtësi është e konkurushme me planet që ofrohen sot në shtëpiat e shqiptarëve. Sigurisht që çmimi është më i shtrenjtë se kompanitë që ofrojnë shërbim interneti me fibër në Shqipëri. Por Starlink është dizenjuar për zonat rurale të cilat nuk kanë akses në internet të shpejtë. Ose për rulotat, ku platforma montohet sipër, dhe ju mund të keni internet kudo që të shkoni, edhe në zonën më të humbur, për sa kohë paneli shikon nga qielli. / KultPlus.com

Gratë zvicerane “KlimaSeniorinnen” fitojnë çështjen për mbrojtjen e klimës

Një grup grash të moshuara zvicerane kanë fituar çështjen për mbrojtjen e klimës në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, sipas BBC.

Gratë, kryesisht në të 70-at, thanë se mosha dhe gjinia e tyre i bënë ato veçanërisht të prekshme ndaj efekteve të valëve të të nxehtit të lidhura me ndryshimet klimatike.

Gjykata tha se përpjekjet e Zvicrës për të përmbushur objektivat e saj të reduktimit të emetimeve kishin qenë të pamjaftueshme.

Është hera e parë që gjykata e fuqishme vendos për ngrohjen globale.

Aktivistja suedeze, Greta Thunberg iu bashkua aktivistëve që festonin sot në gjykatën në Strasburg.

Vendimi është detyrues dhe pritet të ketë ndikim në ligjin në 46 vende në Evropë, përfshirë Britaninë e Madhe.

Gjykata vendosi se Zvicra kishte dështuar në përputhje me detyrat e saj sipas Konventës në lidhje me ndryshimet klimatike.

Gratë zvicerane, të quajtura “KlimaSeniorinnen” ose (Gratë e moshuara) për mbrojtjen e klimës, argumentuan se ato nuk mund të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të pësojnë probleme shëndetësore gjatë valëve të të nxehtit në Zvicër.

Të dhënat treguan se marsi është muaji i 10-të radhazi më i nxehti në histori, duke nxitur shqetësime se bota mund të jetë duke u kthyer në një fazë të re të ndryshimit edhe më të shpejtë të klimës.

Gjykata hodhi poshtë dy çështje të tjera të ngritura nga gjashtë të rinj portugez dhe një ish-kryetar bashkie francez. Të dy argumentuan se qeveritë evropiane nuk kishin arritur të trajtonin ndryshimet klimatike mjaft shpejt, duke shkelur të drejtat e tyre./atsh / KultPlus.com

91 vjet më parë lindi Gian Maria Volontè, gjiganti i kinematografisë botërore

I lindur në Milano në vitin 1933, Gian Maria Volontè studioi në Romë në Akademinë Kombëtare të Arteve Dramatike, ku u diplomua në vitin 1957. Filloi të punonte në teatër dhe televizion, ku u vu re shumë shpejt si një nga aktorët më premtues të brezit të tij.

Pas disa roleve si joprotagonist, ai u bë i njohur me personazhin e Ramón Rojo në filmin “Për një grusht dollarë” (A Fistful of Dollars) i Sergio Leone-s. Ky sukses u dyfishua në filmin tjetër të të njëjtit regjisor, “Për disa dollarë më shumë” (1965). Dhjetë vitet e ardhshme do të ishin më intensivet e karrierës së Volontè.

L’armata Brancaleone (1966) me regjia të Mario Monicelli-t, ishte filmi italian më i suksesshëm i vitit, “Ne ende vrasim si dikur” (1967) me regji të Elio Petri, fitoi Grand Prix du Scenario në Festivalin e Filmit në Kanë dhe Volontè fitoi Nastro d’Argento-n e tij të parë (Fjongo e Argjendtë – çmimi më prestigjioz i aktrimit në Itali), në vitin 1970 për “Hetimi i një qytetari larg dyshimeve” (1970), duke e bërë atë një yll ndërkombëtar. Filmi fitoi çmimin Oscar për filmin më të mirë në gjuhë të huaj, Çmimin e Madh në Festivalin e Filmit në Kanë dhe dy Globe të Artë italiane.

Në vitin 1972, ai interpretoi në dy filma italianë si protagonist: “Klasa punëtore shkon në Parajsë” dhe “Çështja Mattei”. Të dy filmat fituan Çmimin e Madh në Festivalin e Filmit në Kanë, ku edhe Volontè u vlerësua maksimalisht nga kritika. Në jetën e tij, Volontè fitoi një numër të madh çmimesh dhe vlerësimesh të tjera, duke u bërë një nga aktorët italianë më të famshëm të viteve shtatëdhjetë dhe duke sfiduar Vittorio Gassman dhe Marcello Mastroianni-n si aktori më i njohur italian. Vdiq në Greqi në vitin 1994./ atsh / KultPlus.com

Thyhet rekordi, marsi muaji i 10-të radhazi më i nxehti në histori

Ndryshimet klimatike mund të lëvizin në një territor të paeksploruar nëse temperaturat nuk bien deri në fund të vitit, tha një shkencëtar, sipas BBC.

Të dhënat treguan se marsi është muaji i 10-të radhazi më i nxehti në histori, duke nxitur shqetësime se bota mund të jetë duke u kthyer në një fazë të re të ndryshimit edhe më të shpejtë të klimës.

Një sistem moti i quajtur “El Niño” qëndron pas disa prej nxehtësive të fundit.

Temperaturat duhet të ulen përkohësisht pasi “El Niño” pritet të përkeqësohet në muajt e ardhshëm.

“Deri në fund të verës, nëse ne jemi ende duke përjetuar temperaturat rekorde në Atlantikun e Veriut apo diku tjetër, atëherë me të vërtetë kemi lëvizur në një territor të paeksploruar”, tha drejtori i Institutit Goddard për Studimet Hapësinore të NASA-s, Gavin Schmidt.

“Marsi i vitit 2024 ishte mesatarisht 14,14 gradë Celsius, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm nga viti 2016 me një të dhjetën e shkallës”, sipas të dhënave të Copernicus.

Dhe ishte 1,68 gradë C (3 gradë F) më i ngrohtë se në fund të viteve 1800, baza e përdorur për temperaturat përpara se djegia e lëndëve djegëse fosile të fillonte të rritej me shpejtësi. /atsh / KultPlus.com

Për herë të parë në Shqipëri, vjen konkursi ndërkombëtar “Voci di Mascagni”

Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka njoftuar se për herë të parë në Shqipëri do të vjen konkursi ndërkombëtar “Voci di Mascagni”.

Sipas njoftimit, konkursi do të mbahet më datë 11 prill, duke filluar nga ora 10:00 deri në 13:00 dhe ka për qëllim të përgatisë interpretuesit e rinj, për të marrë pjesë në produksionet operistike për festivalin “Mascahni”.

“Trajnimet do të zhvillohen nga artistë të mirënjohur ndërkombëtarisht, duke përfshirë dirigjentë orkestre dhe këngëtarë”, thuhet në njoftim.

Të gjithë të interesuarit mund të aplikime tyre në emailin: [email protected], sipas rregullave të bashkëngjitur në link-un e mëposhtme: https://mascagnifestival.it/mascagni-academy ./KultPlus.com