Kampionati Evropian i Xhudos vjen për herë të parë në Kosovë

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur se Kampionati Evropian i Xhudos për vitin 2023, do të mbahet në Kosovë, shkruan KultPlus.com.

‘Pas sukseseve të jashtëzakonshme të xhudistëve tanë në garat ndërkombëtare, ata dhe xhudistë nga gjithë Evropa do të kemi mundësi ti shohim duke u ndeshur në Kosovë.’, thueht në një njoftim nga MKRS.

Kjo garë ndërkombëtare më çmimin kryesor €300.000, organizohet nga Kosova Judo Federation, dhe përkrahet nga MKRS dhe Federata Evropiane e Xhudos./KultPlus.com

ASK: Mbi 84 mijë qytetar po kërkojnë punë në Kosovë

Në Kosovë aktualisht janë duke kërkuar punë 84 mijë e 661 qytetarë.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), nga kjo shifër 41.094 janë punëkërkuese femra dhe 43.567 meshkuj.

Po ashtu ASK-ja i ka publikuar edhe shifrat e numrit të të punësuarve të regjistruar në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), të punësuar me pagë primare janë 355 mijë e 560 persona, ndërsa të punësuar me pagë sekondare 16 mijë e 445 persona./IndeksOnline / KultPlus.com

Nëntëmbëdhjetë vjet nga trazirat e marsit

Trazirat e Marsit në vitin 2004, është rasti më i keq i dhunës etnike në Kosovë që nga fundi i konfliktit 1999 shpërtheu në qytetin e ndarë të Mitrovicës, duke lënë qindra të plagosur dhe të paktën 14 njerëz të vdekur.

Më 17 mars 2004, filluan protestat që më vonë do të përmenden si “Trazirat e marsit”. Ato zgjatën dy ditë, e gjatë tyre vranë 19 civilë, nga të cilët 11 shqiptarë dhe 8 serbë, ndërsa u lënduan mbi 900 persona, kryesisht shqiptarë.

Trazirat shpërthyen pas njoftimeve se në lumin Ibër ishin mbytur dy fëmijë shqiptarë si pasojë e dhunës së serbëve, ndërsa shkaku i kësaj tragjedie asnjëherë nuk u sqarua plotësisht.

Disa fëmijë që mbijetuan në orët e vona, po atë natë treguan para kamerave se ishin ndjekur nga serbët dhe se ata ishin duke ikur, kur disa nga bashkëmoshatarët e tyre u mbytën në lumë. Të nesërmen, më 17, mars filluan protestat në shumë qytete të Kosovës, që shumë shpejt përshkallëzuan në dhunë. / KultPlus.com

Për gjashtë javë nga Kosova u larguan 43 mjekë

Trendi i ikjes së mjekëve nga Kosova po vazhdon.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës Pleurat Sejdiu pohon për “Indeksonline”,  se vetëm për gjashtë javë nga Kosova janë larguar 43 mjekë, për të vazhduar punën në vendet evropiane.

“Gjatë këtij viti flasim prej një janari tashmë gjashtë javë përafërsisht janë 43 mjek, të cilët janë larguar nga Kosova”, tha ai.

Megjithëse me rritjen e koeficientit, u rriten dhe pagat e mjekëve, Sejdiu thotë ende nuk mund të thuhet se sa do të ndikoj kjo në ndaljen e ikjes së mjekëve. Sipas tij dy arsyet kryesore për të cilat mjekët e rinj janë duke u larguar nga vendi ka të bëjë me çështjen e punësimit, pasi që në Kosovë janë mbi 360 mjek pa punë.

“Dy arsyet kryesore për të cilat mjekët e rinj janë duke u larguar është punësimi. Ne kemi mbi 360 mjekë pa punë dhe shumica  e këtyre që po largohen janë prej asaj kategorie, mbi 60 për qind të tyre. Pastaj kushtet e punës dhe kushtet e specializimit, që është ajo pjesa tjetër e mjekëve që po largohen dhe të gjitha këto nuk mund me ndryshu aq shpejtë dhe nuk presim një zvogëlim të papunëve”, tha ai..

Pakënaqësia tek mjekët sipas Sejdiut ka të bëjë me vlerën e koeficientit , për shkak se ka qenë pritja më e madhe si dhe rangimi i cili është kërkuar që të jetë më i lartë.

E çështja me të cilën mjekët nuk pajtohen është rangimi i njëjtë me psikologët klinik. Sejdiu thotë se janë duke shikuar me Zyrën Ligjore mundësinë e dërgimit të ankesës tek Avokati i Popullit, pasi që mjekët sipas tij janë diskriminuar duke u ranguar njëjtë me psikologët klinik.

“Nëse rangohet psikologu klinik i cili ka tri vjet Becheler dhe një vjet master apo gjashtë mujor me një mjek i cili ka gjashtë vjet shkollim dhe i ka të gjitha kompetencat e trajtimit. Kurse psikologu klinik nuk e ka një gjë të tillë. Edhe psikologu klinik në specializim me mjekun në specializim po e njëjta storie dhe psikologu specialist e njëjta storie me mjekun specialist, që nuk janë askund as me kompetenca as me shkollim. Prandaj aty është bërë një diskriminim. Tash ata mund të mbeten aty, por jo me neve. Me siguri ne sipas të gjitha gjasave do ta atakojmë”, tha ai. / KultPlus.com

“Prishtina Jazz Orchestra” nesër me koncert për shënimin e 15-të vjetorit të Pavarësisë

Për shënimin e 15- vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, Prishtina do të mirëpres një super koncert të mbushur me nota jazz dhe ritme të sjella nga artistë të njohur vendorë e ndërkombëtarë, shkruan KultPlus.

Jazz Big Band ansambël ka bërë bashkë muzikantët më të mirë të xhazit nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria dhe Franca për të performuar për herë të parë në këtë formacion që padyshim do sjellin një koncerte ta paharruar që do të luajnë meloditë e përjetshme që kanë përcaktuar zhanrin.

Nën dirigjimin e Armend Xhaferit, në këtë koncert do të paraqiten: Kitarë – Armend Xhaferi; Saksofonët: Kiril Kuzmanov, Arian Randobrava, Ivan Ivanov, Arnau Garoffe, Ivan Yordanov; Boritë: Todor Bakarijev, Trajče Velkov, Aleksandar Milanov, Rajkard Bardhi; Trombonët: Saško Nikolovski, Vladislav Mičev, Ilir Vorpsi, Nikola Ristevski, Ritëm Sekcioni; Ilir Bajri – Piano; Kiril Tufekćievski – Kontrabas dhe Nesim Maxhuni – Bateri.

Koncerti për ditën e pavarësisë së Kosovës do të mbahet më datë 17 shkurt në ora 16:00 në Sallën e kuqe (Pallati i Rinisë) dhe hyrja do të jetë falas.

Ky koncert mbështetet nga Komuna e Prishtinës – drejtoria e Kulturës. / KultPlus.com

Në rast tërmeti, këto janë zonat më të rrezikuar në Kosovë

Drejtori i Institutit Sizmologjik të Kosovës, Shemsi Mustafa ka treguar se cilat zona të vendit janë më të rrezikuar në rast tërmeti. Ai i ka klasifikuar zonat në bazë të shkallës së rrezikshmërisë.

“Zonat me rrezikun më të lartë sizmik në territorin e Kosovës janë; zona sizmogjene Pejë-Istog, ZS Ferizaj-Viti-Gjilan, ZS Kopavnik, ZS Prizren-Gjakovë, këto janë zona që përshkohen edhe me thyerjet aktive që mund të gjenerojnë në të ardhmen tërmete me magnitud maksimale 6.5 shkallë të richterit, kurse zonat me rrezik më të ulët, ZS Drenicë, ZS Prishtinë-Mitrovicë, këto janë zonat që përshkohen edhe me thyerjet aktive që mund të gjenerojnë në të ardhmen tërmete me magnitud maksimale 6.1 shkallë të richteri”, ka sqaruar ai.

Ai përmendi dhe tërmetin më të fuqishëm që e ka goditur Kosovën ndonjëherë.

“Kosova gjeografikisht është në zonën e kontaktit së dy pllakave të mëdha tektonike, në njërën anë të Afrikës që shtyn Euro-Aziatiken dhe qëndron në themel të saj. Për këto arsye, vendet në zonën mesdhetare i përkasin vendeve me rrezik të lartë sizmik duke përfshirë edhe zona përreth. Tërmeti më i fortë i regjistruar dhe i dokumentuar në Kosove është tërmeti i vitit 1921, në zonën Viti-Ferizaj- Gjilan me një magnitud prej 6.1 në shkallën Richter dhe një intensitet prej 8.5 ballë Mercali”, deklaroi Mustafa për Insajderin.

Drejtori i Institutit potencoi edhe karakteristikat që duhen pasur parasysh për një tërmet.

“Meqenëse nuk ka ende pajisje për parashikimin e tërmeteve të saktë për kohën, lokacionin dhe madhësinë, karakteristikat themelore të rrezikut sizmik përcaktohen në bazë të të dhënave për tërmetet që kanë ndodhur në të kaluarën dhe ato tërmete jashtë territorit të Kosovës, të cilat kanë efekte të konsiderueshme në territorin tonë . Në përgjithësi nuk ekziston asnjë rregull i tërmeteve si peridotitet, por vetëm për sa i përket probabilitetit të ndodhjes së ngjarjeve në një vend të caktuar, bazuar në katalogun e tërmeteve dhe disa faktor, si tektonik, gjeologjik si dhe topografik, të studiuara dhe të llogaritura në përpilimin e hartave të Rrezikut Sizmik”, sqaroi i pari i Instituti Sizmologjik.

Kujtojmë që 6 muaj më parë Kosova u godit nga një tërmet me magnitudë 2.8 të shkallës së Rihterit. Epiqendra e tij ishte në Viti, Kaçanik dhe fshatin Nikaj. Për fat ë mirë nuk ka shkaktuar as dëme në njerëz e as materiale.

Ndërkohë, dje Turqia e Siria u goditën nga një tërmet me magnitudë prej 7.8 të shkallës së Rihterit. Ky termet ka lënë të vdekur mijëra qytetarë. Operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke vazhduar.

Tërmeti i parë me magnitudë 7.8 ka ndodhur natën në mot të ftohtë në provincën Kahramanmarasu në juglindje, rreth 60 kilometra nga kufiri sirian. Pasuan dhjetëra tërmete më të dobëta dhe një tjetër me magnitudë 7.5 ballë ndodhi pasdite, gjithashtu në juglindje të Turqisë. / Express / KultPlus.com

Presidentja Osmani ngushëllon familjen Berisha

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Berisha me rastin e ndarjes nga jeta të piktorit të shquar dhe veprimtarit të dalluar, Daut Berisha.

Në vijim, KultPlus ju sjell të plotë telegramin e Presidentes Osmani:

E nderuar familje Berisha,

Me dhimbje të thellë e pranova lajmin për ndarjen nga jeta të piktorit të shquar e veprimtarit të dalluar, Daut Berishës.

Piktori Berisha ishte emër i shquar në botën e artit e të kulturës, jo vetëm në trojet shqiptare, por gjithandej botës.

Me punën e tij krijuese dhe me angazhimin e tij në të mirë të çështjes kombëtare, ai u bë shpejt personalitet i veçantë i kulturës dhe artit, por edhe referencë për veprime atdhetare.

Veprat e tij, të ekspozuara në galeritë më të njohura botërore, e bën atë artist e njeri të respektuar gjithandej.

Piktori Berisha na la trashëgimi të shquar artistike e njerëzore. Në këto momente ne jemi me familjen e tij, me miqtë dhe me artdashësit e tij./ KultPlus.com

William Walker do të nderohet në Kosovë me titullin “Doctor Honoris Causa”


Ambasadorit William G. Walker përmes një ceremonie solemne do t’i dhurohet titulli “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti “Haxhi Zeka”.

Ceremonia solemne do të mbahet më datë 14 janar në Kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë.

William Walker ishte zëri më i fuqishëm për gjenocidin në Reçak.

Lufta e bërë në Reçak, e cila kulmoi me Masakrën e Reçakut, u bë lajm i botës me anë të fotografive por edhe zërit të diplomatit amerikan William Walker.

Masakra e 15 janarit 1999 ishte ndër më të tmerrshmet në Kosovë, dhe Walker ishte ai që e përhapi nëpër botë lajmin se në Kosovë popullësia po vritej nga serbët.

Walker morri detyrën të hetonte më shumë këtë Masakër, ndërsa vetëm tri ditë më pas, Qeveria e Jugosllavisë e shpalli atë persona non grata.

Ai po i bënte presion patologes francize Helena Ranta e cila ishte kryesuese e forenzikës asokohe, për të ndihmuar në zbardhjen e masakrës së tmerrshme.

Për shqiptarët, William Walker mbetet heroi i kësaj kohe, dhe i përjetshëm, në kërkim të drejtësisë për Masakrën e Reçakut por edhe për të gjithë të vrarët. / KultPlus.com

Ambasadorët e BE-së miratuan liberalizimin e vizave për Kosovën

Presidenca Çeke e Këshillit të Bashkimit Evropian përmes Twitter-it ka bërë të ditur se Ambasadorët e Bashkimit Evropian miratuan tekstin e kompromisit për liberalizimin e vizave për Kosovën përpara miratimit përfundimtar nga Këshilli i BE-së.

Në këtë njoftim thuhet gjithashtu se ky hap mbyll procedurën teknike për liberalizimin e vizave.

“Ambasadoret e BE-së sapo vulosën liberalizimin e vizave për Kosovën. Ky është hap i fundit për këtë vit dhe hap i cili mbyll procedurën teknike për liberalizimin e vizave. Në muajt e parë të vitit tjetër mbetet vetëm votimi formal në seancën plenare të Parlamentit Evropian dhe Këshillin për Punë të Brendshme”, ka shkruar Shasha. /KultPlus.com

Opera e Kosovës prezanton protagonistët e operës “La Traviata” të mjeshtrit Giuseppe Verdi

Një ndër veprat më ikonike të mjeshtrit të operës Giuseppe Verdi, do të shfaqet edhe në Prishtinë, përcjell KultPlus.

Produksioni i parë i “LA TRAVIATA” nga Opera e Kosovës në bashkëpunim me Operën Shtetërore të Stara Zagorës (Bullgari), Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë (Shqipëri) dhe Filharmonisë së Kosovës vjen premierë më 15 dhe 17 dhjetor 2022.

Opera e Kosovës sot ka prezantuar edhe protagonistët e operës “La Traviata” e të cilët janë: Besa Llugiqi, Emanuele D’Aguanno, Gëzim Myshketa, Fitore Gjonbalaj, Kaltrina Miftari, Urta Haziraj, Denis Skura, Shaban Behramaj, Dragan Ampov, Harris Bajraktari, Rizah Jahaj, Jon Kosumi, Arbër Maliqi, Etrit Nura.

Dirigjent Nayden Todorov, regjia nga Orgnian Draganoff.

Koncerti do të mbahet më 15 dhjetor në Sallën 1 Tetori, duke filluar nga ora 19:00, ndërsa repriza më 17 dhjetor. / KultPlus.com

Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut, marrëveshje për parkun më të madh ndërkufitar në Evropë

Parku Natyror Korab-Koritnik në Shqipëri, Parku Kombëtar Sharri në Kosovë dhe Parku Kombëtar i Mavrovës dhe Parku Kombëtar Malet e Sharrit në Maqedoninë e Veriut do të jenë së shpejti pjesë e një parku ndërkufitar, më i madhi i këtij lloji në Evropë me një sipërfaqe mbi 242 mijë hektarë.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Maleve është zhvilluar në Tiranë takimi ndërministror “Natyrë pa kufij” mes Ministres së Mjedisit dhe Turizmit Mirela Kumbaro, Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të Kosovës Liburn Aliu dhe Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Maqedonisë së Veriut Naser Nuredini.

“Ne i shohim zonat e mbrojtura si ofrues të përfitimeve përtej kufijve – përtej kufijve të tyre në një hartë, përtej kufijve të shteteve kombëtare – midis shoqërive dhe brezave që jetojnë në këto zona. Këto vargmale shërbejnë si një korridor ekologjik, që strehon një numër të madh llojesh të rëndësishme bimësh e kafshësh, jo vetëm në nivel rajonal por edhe në nivel evropian e ndërkombëtar, siç është për shembull brezi i gjelbër evropian. Për sa i përket turizmit, i shohim zonat e mbrojtura si një mundësi shumë e mirë për zhvillimin e ekoturizmit me gjithë format e tij”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Sipas ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të Kosovës Liburn Aliu, ky projekt do të ofrojë një optikë të re për zhvillimin e zonës së bjeshkës së Sharrit.

“I kemi këta kufij në mes dhe kemi dëshira për përfitime nga kompani të ndryshme që duan të depërtojnë dhe të ndërtojnë në atë zonë. Detyra jonë është që të vendosim rregulla duke pasur parasysh të kaluarën në mënyrë që edhe të zhvillohemi, edhe ta shfrytëzojmë, por edhe ta mbrojmë atë çka është mjaft e vlefshme. Në vitin 2013 e kemi rritur territorin e Parkut Kombëtar të Sharrit në 53.469 hektarë”, u shpreh ministri Aliu.

Ministri Aliu u shpreh se përveç destinacionit turistik të Brezovicës, ka një plan hapësinor për të zhvilluar zona të tjera të turizmit malor dimëror, por edhe veror, në përputhje me kriteret e mbrojtjes së natyrës.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i Maqedonisë së Veriut Naser Nuredini foli për një vizion që mbron vlerat natyrore të zonave të mbrojtura, por nga ana tjetër siguron një menaxhim të qëndrueshëm duke mos i kthyer ato në muze të natyrës, por krijojnë mundësi të reja për zhvillimin socio-ekonomik të komuniteteve lokale.

“Lidhja natyrore ndërkufitare e zonave të mbrojtura të Parkut Natyror Korab–Koritnik në Shqipëri, Parkut Kombëtar të Mavrovës dhe Parkut Kombëtar Malet e Sharrit në Maqedoninë e Veriut, si dhe Parku Kombëtar Sharri në Kosovë, hap mundësi të reja për mbrojtje më të madhe të florës dhe faunës, duke u përballur më mirë me veprimet ilegale, monitorim më të mirë, mundësi më të mëdha për zhvillimin e ekoturizmit dhe formave alternative të turizmit”, tha Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini.

Ky projekt mes tre vendeve synon zhvillimin e përbashkët ndërkufitar i turizmit miqësor ndaj natyrës, menaxhim i përbashkët ndërkufitar i rajonit, promovimin e përbashkët të trashëgimisë së veçantë natyrore dhe kulturore përtej kufijve etj. Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të UNEP, Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara që do të mbështesë këtë projekt.

Nga ana tjetër, Daniel Pirushi, Drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura sqaroi se brenda tre muajsh do të ngrihet komiteti i menaxhimit të zonës së mbrojtur që do të nisë punën për këtë projekt./ atsh / KultPlus.com

Vendimi për vizat së shpejti, hyrja në fuqi në nëntor 2023

Vendet anëtare të BE-së në takimin e grupit punues për vizat kanë përafruar qëndrimet rreth një kompromisi, sipas të cilit do të miratohej vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, që do të hynte në fuqi më 1 nëntor 2023, kur do të nisë zbatimi edhe i sistemit Evropian të informimit dhe autorizimit të udhëtimit (ETIAS).

Siç mëson Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike ky ka qenë kompromisi mes kërkesës së Francës për kushtëzimin e hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave me nisjen e zbatimit të ETIAS-it, dhe kundërshtimit të shumë vendeve tjera që kjo të mos lidhet. Në fund është përmendur edhe ETIAS-i, por edhe data.

Grupi punues për vizat në Këshillin e Bashkimit Evropian ka diskutuar sot, për herë të dytë, për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Diskutimi i parë është zhvilluar më 13 tetor, kur shumica e vendeve anëtare të BE-së e kanë mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën.

Franca, megjithatë, ka kërkuar që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave të lidhet me funksionalizimin e sistemit të udhëtimit ETIAS.

Ky sistem digjital synon të bëjë evidentimin e vizitorëve që hyjnë prej jashtë BE-së në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen. Ai është dashur të nisë së funksionuari në vitin 2022, por data është shtyrë disa herë dhe tani si afat përmendet nëntori i vitit 2023. / REL /KultPlus.com

Polonia hap për herë të parë konsullatë në Kosovë

Shteti i Polonisë, për herë të parë ka hapur konsullatë në Kosovë.

Lajmin e ka bërë të ditur, ministria e Punëve të Jashtme në Poloni, nga e cila është thënë se Qeveria e Polonisë dhe ajo e Kosovës kanë lidhur marrëveshje në formë të shkëmbimit të notave për vendosjen e marrëdhënieve konsullore, më 8 nëntor të 2022.

“Marrëveshja zbaton Rezolutën nr. 184/2022 të Këshillit të Ministrave të datës 5 shtator 2022 për vendosjen e marrëdhënieve konsullore ndërmjet Republikës së Polonisë dhe Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Tutje, është sqaruar se përmes kësaj marrëveshje do të shtohet edhe mbrojtja konsullare në Kosovë.

“Marrëveshja e arritur sot do t’u mundësojë qytetarëve polakë të kenë një nivel optimal të mbrojtjes konsullore në territorin e Republikës së Kosovës”.

Nga Polonia, është theksuar se vazhdon t’i mbështesë të gjitha integrimet evropiane të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të jap kontributin e saj në sigurimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon.

“Përfshirë përmes kontingjentit ushtarak polak si pjesë e KFOR-it dhe misionit policor të EULEX-it në Kosovë, në të cilin kemi qenë kontribuuesi më i madh për shumë vite”. / KultPlus.com

Cineplexx sjell për herë të parë film anime në Kosovë!

Për herë të parë në Cineplexx do të organizohet eventi Anime Night me premierën e filmit të ri One Piece Film: Red këtë të mërkurë me 3 nëntor ku do të ketë super-shpërblime për Cosplay.

One Piece Film: Red është rritur në një nga ekskluzivitetet themelore të anime moderne, tashmë është një nga filmat më të mëdhenj në historinë e kinemasë japoneze ku aktualisht ka një vlerësim prej 100% prej kritikëve të filmit në Rotten Tomatoes. Kinemaja më e madhe në vend Cineplexx, për këtë film, do të organizojë për herë të parë eventin Anime Night, ku do të ketë lojë shpërblyese për Cosplay si dhe skenografi me detaje të ndryshme nga filmi. Ky event do të mbahet në të dy kinematë e Cineplexx, në Prishtinë dhe në Prizren nesër më 3 nëntor.  

Sa i përket ngjarjes së filmit, Uta – këngëtarja më e dashur në botë, zëri i së cilës është përshkruar si “jashtë kësaj bote” – është e njohur për fshehjen e identitetit të saj kur përformon. Tani, për herë të parë ndonjëherë, ajo do t’ia zbulojë botës veten në një koncert live. Me Marinën që po e shikon nga afër, vendi mbushet me fansat e Uta-së – duke përfshirë piratët e emocionuar dhe “Straw Hats” të udhëhequr nga Luffy, të cilët thjesht erdhën për ta shijuar atë – të gjithë presin me padurim zërin që e gjithë bota ka pritur të dëgjojë. Historia fillon me zbulimin tronditës se ajo është vajza enigmatike e Shanks.

https://www.instagram.com/p/CkZAZMRKMF1/?igshid=YmMyMTA2M2Y=

Në kinemanë në Prishtinë si dhe në Prizren do të ketë lojë shpërblyese për Cosplay ku:

Vendi i parë do t’i fitoj 100€

Vendi i dytë do t’i fitoj 50€

Vendi i tretë do t’i fitoj 5 bileta në Cineplexx

Për më tepër informata rreth orareve vizitoni webfaqen e Cineplexx, ndërsa biletat mund t’i bleni përmes aplikacionit Cineplexx KS apo direkt në kinema prej orës 15:00.

Artikull i sponsorizuar

Këta janë ndotësit më të mëdhenj të ajrit në Kosovë

Rritja e numrit të sëmundjeve të mushkërive në Kosovë, sipas statistikave, vjen si pasojë e ndotjes së ajrit, tokës e lumenjve.

Në Prishtinë, ajri cilësohet si i pashëndetshëm 50% të kohës, shumë i pashëndetshëm 20% të kohës dhe i rrezikshëm 5% të kohës.

Në një ditë shkurti të vitit 2021 faqja IQ air për matjen globale të cilësisë së ajrit, renditi Prishtinën për disa herë me ajrin më të ndotur në botë.

Sipas një hulumtimi nga Banka Botërore, burimi më i madh i grimcave të dëmshme te ajrit në Kosovë vjen nga sektori i banimit me praktikat e ngrohjes si druri e thëngjilli. Kostoja e ulët e këtyre burimeve e bën këtë problem më kompleks.

Pas sektorit të banimit, renditen emetuesit energjetikë të termocentraleve dhe transporti.

Sipas ekologut Zeqir Veselaj,  KEK-u është ndotësi më i madh i ajrit në Kosovë.

“Në Kosovë ndotësi më i madh i ajrit është KEK-u me të gjitha kapacitetet, ndotja fillon qysh nga nxjerrja e thëngillit e cila reflekton humbje të tokës bujqësore dhe përfundon përsëri me ndotje të tokës nga produktet e djegjes së thëngjillit në ato që njihen si kodrat e hirit”.

Kosova furnziohet me rrymë nga dy termocentrale me thëngjill, të dy këto termocentrale janë të vjetëruara dhe kanë nevojë për investime.

Ndotja më e madhe nga termocentralet lëviz në zonat përreth KEK-ut, konkretisht Obiliq, Fushë-Kosovë dhe kohë pas kohe edhe Prishtinën e tërë rrafshin e Kosovës.

Sipas të dhënave të fundit nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit, “Kosova B” në secilin muaj e kalon limitin e pluhurit të liruar.

Derisa, të dy termocentralet e tejkalojnë vazhdimisht emetimin e gazrave të disoksidit të squfurit dhe oksidit nitrik.

Sipas një raporti të publikuar nga Banka Botërore, në Kosovë vdesin 760 njerëz në vit para kohe për shkak të ekspozimit në ajër e mjedis të ndotur.

“Nëse e marrim sipas një vlerësimi të bërë në vitin 2017-2019 për efektet nga grimcat e ajrit, atëherë i bie që jetëgjatësia në Kosovë është më e ulëta në rajon 76.9 vite jetë”- ka thënë Antigona Ukëhaxhaj, specialiste e shëndetit publik.

“Gjatë stinës së dimrit kur ka më shumë lëndë djegëse kemi atë pikun kur ajri me të vërtetë është i ndotur, në këtë moment janë ato grimcat që shkaktojnë problemet kryesore në mushkëri apo acarimet si bronkiti, astma. Ekspozimi i gjatë në to lidhet me kanceret pulmonare” – deklaroi pulmologu Flamur Marku.

Familje të shumta që jetojnë në Plemetin e Obiliq përballen më vështirësi shëndetësore për shkak të këtij ajri.

Sipas një hulumtimi, vetëm në muajt e dimrit mbi 12 mijë fëmijë kanë kërkuar trajtim mjekësor.

“Ne në vitin 2017/18 kemi bërë një hulumtim sa i përket vizitave në qendrën e mjekësisë familjare në Obiliq dhe vetëm gjatë muajve të dimrit janë evidentuar mbi 12 mijë raste të fëmijëve që kanë kërkuar trajtim mjekësor”- deklaroi Antigona Ukëhaxhaj.

Edhe pse të dhënat nuk tregojnë për emetime gazrash përtej limiteve të lejura, banorët e Çikatovës ka vite që ankohen për efektet e dëmshme të ndërmarrjes Ferronikeli, ekspozimi në mbetje të kësaj fabrike mund të shkakojë sëmundje të frymëmarrjes.

Të dhënat shfaqin se ka pasur rritje të rasteve me kancer në Drenas në dekadën e fundit.

Ngjashëm është edhe situata në Han të Elezit, ku ndërmarrja “Sharrcem” për përpunim të çimentos operon afër vendbanimeve.

Në Han të Elezit ka shumë të vdekur nga kanceri, sipas statistikave, kryesisht lidhen nga ato të ndotjes së ambientit.

Ndotës tjetër i ajrit janë automjetet.

Sipas Besnik Boletinit nga organizata ‘Çohu’, gjatë kohës kur pati karantinë në pandemi, ajri ka qenë 50% më i pastër.

“Një ndotje e madhe në Kosovë, sidomos në zonat urbane , përpos KEK-ut, janë edhe automjetet. Në hulumtimin që kemi bërë me krahasim të periudhës mars-prill 2019 dhe mars- prill 2020, ku nuk ka funksionuar thuajse asgjë për shkak të pandemisë, rezulton që ajri ka qenë për 50% më i pastër”- ka thënë Boletini.

Problemit të vëllimit të madh të automjeteve i shtohet edhe praktika e heqjes së filtrit të gazit të veturave që qarkullojnë me naftë. / Express / KultPlus.com

Ambasada e SHBA-së del me njoftim për punën e vizave

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka bërë një paralajmërim rreth Programit të Vizave të Shumëllojshmërisë, program ky që është në kuadër të Lotarisë Amerikane.

Nga Ambasada kanë bërë thirrje që të bëhet kujdes ndaj mashtrimeve që bëhen nga persona që pretendojnë se mund të ndikojnë në rritjen e shanseve për përzgjedhje nga ky sistem i vizave amerikane.

Nga Ambasada amerikane sqarojnë se përzgjedhja në këtë program bëhet krejtësisht në mënyrë të rastësishme nga aplikimet që pranohen dhe s’ka kurrfarë tarife.

“Çdo individ ose shërbim që pretendon se mund të rrisë shanset tuaja për t’u përzgjedhur është i pandershëm. Përzgjedhja e DV-së kryhet krejtësisht në mënyrë të rastësishme nga hyrjet e pranueshme dhe NUK ka tarifë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës. / Express / KultPlus.com

“Testimi i virgjërisë”, nga sot llogaritet si vepër penale në Kosovë

Testimi i virgjërisë”, llogaritet vepër penale me kodin e ri që votoi Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme. Ky veprim nëse ndodhë do të sanksionohet me këtë kod, pasi që llogaritet si shkelje të drejtave të njeriut.

Qeveria e Kosovës, ka miratuar sot ndryshimin në Kodin Penal, përmes së cilit parashihen dënime më të ashpra për të dënuarit për dhunë në familje, sulm seksual e dhunimit.

Një pjesë e rëndësishme e këtij kodi përveç masave ndëshkuese për dhunuesit është edhe llogaritja si vepër penale e testimit të virgjërisë.

Ministria e Drejtësisë përmes së cilës kanë kaluar ndryshimet në këtë kod, konsideron se kërkimi i këtij testi do të sanksionohet pasiqë kërkimi i tij shkel të drejtat themelore.

“Po ashtu është paraparë si vepër e re penale Testimi i virgjërisë, kjo vepër e re sanksionohet sepse konsiderohet se ky është test mjekësor i panevojshëm përmes së cilit shkelen të drejtat themelore njeriut”, thuhet te masat ndëshkuese që ka publikuar këshilltari i Ministres Albulena Haxhiu, Flamur Pireva.

“Andaj synojmë që të sigurohet rritja dhe përputhshmëria e kornizës ligjore të Kosovës me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të cilat i ndalojnë kontrollimet e detyruara të virgjërisë ka bërë ndryshimet e nevojshme në këtë aspekt”, thuhet më tej tek masat ndëshkuese.

Përveç kësaj, me kodin e ri të dënuarit për sulm seksual dhe dhunë në familje, do të përballen me masa të rënda sipas ndryshimeve të Kodit Penal. Atyre parashihet t`u ndalohet kandidimi në pozita publike në periudhën nga 3-10 vjet në të gjitha nivelet. Gjithashtu atyre do tu ndalohet edhe marrja e patent shoferit. / Express / KultPlus.com

Alarmi i ASK-së: 106 mijë të rinj në Kosovë të shkëputur krejtësisht nga tregu i punës

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka ngritur alarmin për një kategori të shoqërisë mjaft të rrezikuar. Bëhet fjalë për të rinj (të moshës 15 deri 24 vjeç) që nuk janë as në shkollim, as të punësuar dhe as në ndonjë trajnim.

“Rrafsh 106 mijë e 287 të rinj janë në këtë kategori”, thuhet në raportin e ASK-së “Anketa e Fuqisë Punëtore”.

Të rinjtë e këtij grupi (NEET) përfshijnë të rinjtë që nuk janë të punësuar, nuk ndjekin shkollën, as nuk trajnohen, që do të thotë se ata janë krejtësisht të shkëputur nga tregu i punës dhe nuk marrin pjesë as në sistemin arsimor.

“Përqindjet e larta të këtij grupi në popullsinë e të rinjve rrisin shqetësimet në lidhje me punësimin e të rinjve në të ardhmen pasi tregon shkëputje nga tregu i punës. Përveç kësaj, një numër i madh i të rinjve të pa angazhuar në vendet me papunësi të lartë të të rinjve, siç është Kosova, mund të shkaktojë uljen e fitimeve për shkak të rritjes së konkurrencës, si dhe ka mundësi t’i kontribuojë problemeve sociale”, vlerëson ASK në këtë raport. / KultPlus.com

Presidentja hungareze në Kosovë, pritet me ceremoni nga presidentja Osmani

Presidentja e Hungarisë, Katalin Novak, sot po qëndron në Kosovë për vizitë zyrtare.

Ajo u prit nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, me ceremoni të lartë shtetërore.

Fillimisht, ajo u prit në aeroport nga kryediplomatja Donika Gërvalla.

Pas takimit në Presidencë, Osmani dhe Novak do të dalin në konferencë për media./ KultPlus.com

Një ditë në QKUK: Në burgje ushqimi është 100 fish më cilësor se ushqimi për lehonat

Nga Adelina Berisha

Një ditë në QKUK, Spitali gjinekologjik. Ushqimi për lehonat:

Mëngjesi: Dita 1: Bukë me marmelatë dhe 1 gote çaj ose qumësht. Dita 2: Bukë me qokokrem dhe 1 gotë çaj ose qumësht. Dita 3: 1 ve e zier, 1 copë djathë. Përsëritet në ditët në vijim.

Dreka: Supë kryesisht miell me ndonjë copë mish të bluar. Vështirë të dihet çka përmban. Qorbë me patate (kryesisht ujë, patate pak biber të kuq). Pire dhe gullash (gullash sërish miell me disa copa të vogla mishi). Përsëritet.

Darka: Shpageta, makarona të ziera që duken si qorbë, qorbë me patate (kryesisht ujë, patate pak biber të kuq)..

E pastaj nga këto lehona pritet të jenë të forta ta ushqejnë foshnjën me qumësht gjiri veçanërisht në rastet kur fëmijët janë në repartin e neonatologjisë për javë të tëra, apo fëmija është në kujdes intensiv e ka nevojë për qumësht sa më cilësor, të pajisur me proteina, vitamina, minerale etj.

Me kushtet që ky vend u ofron lehonave, është çudi si ne gratë po vazhdojmë të lindim fëmijë.

P.S. në burgje ushqimi është 100 fish me cilësor. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Me presidentin Begaj do të punojmë ngushtë për ta fuqizuar zërin tonë kudo në botë

Me nderime të larta shtetërore, presidentja Vjosa Osmani e ka pritur sot presidentin e Shqipërisë Bajram Begaj, në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë.

Presidentët pasi zhvilluan një takim, bën nderime edhe para memorialit për Personat e Zhdukur. Më pas Osmani dhe Begaj mbajtën konferencë për media.

Presidentja Osmani është shprehur se me presidentin Begaj do të punojnë ngushtë për ta avancuar rrugëtimin evropian të të dyja shteteve.

“Me Presidentin Bajram Begaj do të punojmë ngushtë për ta avancuar rrugëtimin evropian të shteteve tona, për ta fuqizuar zërin tonë kudo në botë dhe për të qëndruar bashkërisht në mbrojtjen e demokracisë, paqes dhe lirisë.

Kjo vizitë e rëndësishme vazhdon traditën e presidentëve nga Shqipëria, të cilët e nisin mandantin e tyre me vizitën në Kosovë si konfirmim i mbështetjes së parezervë për Republikën e Kosovës, si dhe përkushtimin e ndërsjellë për t’i thelluar raportet tona si shtete simotra.

Mirë se vini në shtëpinë tuaj, zoti President!”, ka shkruar Osmani. / KultPlus.com

Presidenti i Shqipërisë pritet nga presidentja Osmani me nderime të larta shtetërore (VIDEO)

Me nderime të larta shtetërore, presidentja Vjosa Osmani e ka pritur sot presidentin e Shqipërisë Bajram Begaj, në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë.

Presidentët do të zhvillojnë një takim, pas së cilit do të bëjnë nderime para memorialit për Personat e Zhdukur. Më pas Osmani dhe Begaj do të mbajnë një konferencë për media.

Gjatë ditës, Begaj do të takohet me kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e Kuvendi të Kosovës, Glauk Konjufca si dhe me liderët e opozitës. / KultPlus.com

Kompania britanike merr licencë për kërkimin e arit në Kosovë, ky fshat është targeti

Kompania britanike, Ariana Resources PLC, ka fituar licencë për kërkimin e arit në Kosovë, përkatësisht në fshatin Herticë, shkruan proactive.

Lidhur me këtë është deklaruar edhe drejtori menaxhues i kompanisë, Kerim Sener.

“Shtimi i projektit me shumë perspektivë të Herticës në portofolin e Tethyan-it Perëndimor është një hap i rëndësishëm në zhvillimin e gazsjellësit tonë hulumtues në Kosovë,” tha Dr. Kerim Sener, drejtor menaxhues i Ariana Resources.

Licenca e kërkimit në Herticë mbulon 58 kilometra katrorë dhe shtrihet në pjesën verilindore të Kosovës në një zonë me shumë perspektivë, shkruan proactive. / KultPlus.com