Vepra “të thjeshta si lojë” që të bëjnë të besosh se makina e udhëtimit në kohë ekziston

Uranik Emini

Është krahasuar me piktorin Pablo Picasso, i cili konsiderohet si një nga artistët më të mëdhenj të historisë, por kjo nuk e pengoi që shprehja më e perdorshme e artistit shqiptar, Nusret Salihamixhiq të jetë “kjo është e thjeshtë si një lojë” në çdo vepër që ai punonte, vepra që në radhë të parë përfshinin guximin në kohën kur po pikturonin dhe që përfshinin vlera shumëdimensionale, ngjyra voluminoze dhe piktura që lënë gjurmë në kohë që autori të mos harrohet kurrë, shkruan KultPlus.

Mbrëmë në Galerinë e Ministrisë së Kulturës u hap ekspozita pikërisht me emrin “Loja” e artistit të shquar, Nusret Salihamixhiq, ku edhe në përpikmëri dhe vëndosshmëri u prezantuan veprat e autorit nëpër etapa të ndryshme të jetës, ekspozitë e cila është kuruar nga artisti tjetër i njohur, Jakup Ferri.

Planifikimi kërkon kohë dhe ekspozita të tilla nuk realizohen brenda muajve, gjithashtu kërkohet edhe punë e madhe, një punë që bëhet çdo ditë dhe gjithashtu gjatë gjithë këtij procesi ekziston frika se gjithë mundi dhe puna e bërë, madje edhe mund të dështojë. Por vendosmëria e të gjithë atyre që morën pjesë në këtë proces, rezultoi suksesshëm dhe Galeria po mirëpriste njerëzit që po vinin në tufë për të parë e për të mësuar më shumë rreth veprave të artistit Salihamixhiqit.

Në një linjë me gëzimin, mungesa për të shfaqej natyrshëm

Gruaja e Nusret Salihamixhiqit, Mybera Ferizi, kujtimet për burrin e saj i mbanë në një vend të veçantë, derisa mungesa për të është e madhe.

“Unë të gjitha kujtimet me Nusretin i kam të mira. Gjithë kohën që kemi kaluar bashkë, ai ka qenë duke punuar natë e ditë. Ka punuar si profesor, është rikthyer në shtëpi dhe ka kërkuar që buka të jetë gati, mund të them që deri në shtratin e vdekjes e ka mbajtur brushën në dorë. Ka lënë piktura që nuk ka askush, mund të them që askush në botë nuk ka lënë piktura sa ka lënë Nusreti. Ai ka punuar sikurse me qenë fabrikë. Secila pikturë e tij është unikat në stilin e vet, nuk ka bërë asnjëherë një të njëjtë”, u shpreh ajo për KultPlus. 

E pyetur mbi hapjen e kësaj ekspozite, Mybera me emocione në fytyrë tha se ndjehet shumë e lumtur për këtë gjë. “Nuk e di se a mundet të bëhet më madhështore. Një gëzim tepër i madh, e gjëja e vetme që më mungon është ai, emocionet gjithmonë janë të pranishme”. 

(Mos)gatishmëria për ekspozitë dhe synimi për të rinjtë

Edhe djali i tij, Fatos Salihamixhiqi, rrëfen për KultPus se nuk ndjeheshin të gatshëm si familje për të hapur një ekspozitë të tillë, jo sepse mungojnë veprat, nuk ishin të përgatitur e në fund vedosën të sipërfaqin punën, guximin dhe pasionin e madh që ka pasur babai i tyre për artin.

“Kjo është hera e parë që veprat e tij po prezantohen në publik pas vdekjes së tij. Këto punime janë punime që janë punuar në faza të ndryshme, në etapa të ndryshme. Këtë seleksionim e ka bërë Jakup Ferri, në bazë të përzgjedhjes së tij e ka bërë për veprat që artisti ka realizuar në vitet 1960-70-80. Unë jam shumë falëndrues ndaj Dhuratës, e cila me një punë të palodhur ka bërë të pamundurën të mundurën. Unë nuk kam qenë i interesuar që në këtë kohë të hap këtë ekspozitë, nuk kam qenë unë i pëgatitur jo pse nuk kemi pasur vepra. Por e kam pasur të pamundur që t’i them jo Dhuratës dhe Jakupit”.

Sa i përket pjesës në qoftë se këto piktura janë në shitje apo jo, Fatosi thotë se për këtë gjë nuk është biseduar akoma asgjë, pasi qëllim kryesor dhe si mision kanë t’ia mundësojnë studentave, artistëve e njërëzve të ndryshëm t’i shohin ato dhe të mësojnë prej këtyre veprave.

“Këtu do të shihet guximi se si një artist si Nusreti në vitet 60-ta ka pas guximin që të bëjë vepra që vështirë është të bëhen në ditët e sotme. Për atë kohë ka qenë guxim, kështu që është shembull për gjeneratat e reja që të mos ketë paragjykime por të kenë lirinë e shprehjes në punën e tyre”.

Ideja, bashkëpunimi dhe realizimi

Drejtoresha ekzekutive e Galerisë së Ministrisë së Kulturës, Dhurata Ramosaj, tregon se si erdhi nga ideja e deri te bashkëpunimi me familjarët për të risjellë veprat e Nusretit. 

“Ideja ka ardhur nga ne si udhëheqës të Galerisë së Ministrisë së Kulturës, Jakup Ferri ka qenë i ftuar. E kemi ftuar para dy viteve që të jetë pjesë e programit, pasi ekziston një procedurë e gjatë që shkon nga ftesa, pranimi e pastaj deri te ekspozita. Kemi pasur shumë kënaqësi që fillimsiht familja ka pranuar që të ekspozojë profesorin i cili nuk jeton më, e gjithashtu edhe Jakupin, i cili me qef e ka pranuar këtë obligim të ri si kurator. E deri sot i kemi vendour bashkarisht të gjitha se si do të vendosen pikturat, si do të prezantohet, si do të bëhet PR, të gjithë bashkë kemi ardhur te ideja finale”. 

Ramosaj gjithashtu njofton se data 5 maj është vendosur bashkarisht me familjen dhe gjithë të tjerët

“Data, ka qenë vjet e vendosur që të mbahet në maj. Ne kemi fatin që kjo ekspozitë të jetë e hapur edhe nga vizituesit e Manifestas, e ne jemi munduar që të jemi edhe pranë artistëve të rinj, studentëve por pse jo edhe turistat me pa një autor sikurse Nusreti. Kjo ekspozitë do të jetë e hapur deri më 26 korrik të këtij viti.Sa i përket mënyrës së shitjes duhet të vendosë familja, ne e kemi hapur si promovim dhe familja duhet të vendosë për një gjë të tillë”.

Kujtime pozitive nga fëmijëria, të përhershme në sirtar

Për kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, vizita në këtë ekspozitë e ka rikthyer në kohë, atëherë kur atelia e babait të tij vizitohej shpesh herë nga axha Nusret, siç e quan ai, e përveç bisedës, arti e pikturat shtoheshin takim pas takimi.

“Kjo është një ekspozitë shumë e rëndësishme. Ne duhet t’i çmojmë vlerat e artistëve tanë, të cilat janë legjenda të kryeqytetit dhe jo vetëm. Nusret Salihamixhiqi është një piktor i veçantë me karakter botëror, e unë kam pasur fatin që ai dhe babai im të jenë miq të mirë. Unë jam rritur me pikturat e tij, ne e kemi thirrur atë axha Nusret e sot jam shumë i emocionuar sepse një numër të madh të pikturave që po i shoh unë janë të kohës kur unë nuk kam lindur dhe po e shoh atë ndërlidhshmërinë e fillesave të pikturimit të Nusretit, e deri te pikturat e tij të mëvonshme. Një kohë ai është thirrur edhe piktor më i madh se Pikaso, këto janë legjendat e kryeqytetit tonë, ky është Nusreti me të cilin duhet të mburremi ne të gjithë”, tha ai për KultPlus.

Kujtimet me artistin, Rama i ka në memorie si një gjë pozitive që do t’i mbajë me vete gjithmonë.

“Unë e mbaj mend shumë herë edhe në atelenë e babait kur vijke axha Nusret. Ai tërë kohën pinte cigare dhe mbante një brushë në dorë. Gjatë gjithë kohës ka qenë duke punuar, duke bërë skica, duke bërë art e kritika konstruktive. Babai im, Kadrush Rama dhe Nusreti kanë pasur një miqësi të mirë. Era e ngjyrave të ndryshme, buzëqeshja e shakatë që kanë bërë me njëri tjetrin, i kam në memorie si një gjë pozitive që i mbaj në vete gjithmonë”.

 “Rikthimi” i Nusret Salihamixhiqit

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ndau me lexuesit e KultPlus emocionet e veçanta për rikthimin e Salihamixhiqit në Galerinë e Ministrisë, pas afër 11 vitesh kur ai ishte në një ekspozitë në Galerinë Kombëtare.

“Jam shumë i lumtur që Galeria e Ministrisë pas një kohe shumë të gjatë, e pas ekspozitës së fundit të Nusret Salihamixhiqit, pra, pas afër 11 vitesh e kemi edhe një herë në Galerinë e Ministrisë një nga emrat më të mëdhenj të artit bashkëkohor e pamor në vendin tonë. Ai është një figurë emblematike, të paktën për mua personalisht ndër më të mirët e vendit tonë dhe jo vetëm. Nusreti është një artist i botës shqiptare, por me përmasa ndërkombëtare, i vlerësuar edhe nga kritikët ndërkombëtarë”.

Vëllimin e madh të veprave të artistit e veçon edhe Çeku, që thotë se kjo e bën të dallueshëm nga të tjerët.

“Nusreti përpos që ka ekspozuar shumë, ka krijuar edhe shumë. Nuk dallohet vetëm për nga stili i tij shumë i veçantë, ka qenë shumë i guximshëm në kohën kur ka punuar, por dallohet edhe për nga vëllimi i krijmtarisë, ka lënë shumë vepra mbrapa”.

Blerja e veprave të artit nga artistët vendor

Çeku njofton se ka filluar cikli i parë i blerjes së veprave nga artistët vendor, derisa shumë shpejt do të aktivizohet edhe një formë tjetër e blerjes së këtyre veprave.

“Ne në Galerinë Kombëtare kemi një pjesë të vogël, por familja e cila vazhdon me shumë zell ta ruajë e t’i mirëmbajnë veprat e tij, po vazhdojnë të bëjnë një kontribut të jashtëzakonshëm. Ne tashmë e kemi nisur ciklin tonë të parë të blerjes së veprave nga artistët tanë vendor, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i ndarë mbi 1 milionë euro për blerjen e veprave. Tashmë konkursi për blerje është i hapur dhe artistët mund të aplikojnë. Shumë shpejt do të aktivizohet edhe forma tjetër e blerjes së veprave që është përmes blerjes direkte dhe unë besoj që Salihamixhiqi dhe emra të tjerë duhet të jenë pjesë e koleksionit të shtetit me vepra të reja, sepsa disa i kemi në Galerinë tonë”.

Çeku lartësoi edhe një herë tjetër figurën madhështore të artistit, duke thënë se së shpejti do të botohet edhe një monografi me të gjitha veprat e Salihamixhiqit.

“Numri i madh i njerëzve të pranishëm këtu, anëtarë të familjes së tij, kritikët dhe fakti që ekspozita është kuruar nga artisti ynë Jakup Ferri e bën shumë madhështore këtë ngjarje. Prandaj unë besoj që kjo duhet të ketë vazhdimësinë e saj dhe një vazhdimësi që ne veçse e kemi nisur para ca kohësh me një vendim të Ministrisë, është botimi i monografisë së Nusret Salihamixhiqit, Galeria jonë e Ministrisë është duke punuar në këtë monografi me disa nga artistët, dizajnerët dhe fotografët më të mirë dhe shumë shpejti do ta kemi monografinë e të gjitha veprave të Salihamixhiqit të botuar”.

Muezu i Artit Bashkëkohor

Rama deklaroi se ekziston një bashkëpunim i mirëfillt me Ministrinë e Kulturës, e ata bashkë po punojnë edhe në Muzeun e Artit Bashkëkohor.

“Ne kemi një bashkëpunim të mirëfillt me Ministrinë e Kulturës, e pikëriht sot po bisedonim që piktorët e kryeqytetit e legjendave të tjera të artit, ju duhet një muze që t’i kemi të mbrojtura në mënyrë institucionale në galeri, nëpër muze të kryeqytetit. Jemi duke punuar në këtë aspekt, i kemi vendos zonat e jemi pajtu me MKRS-në për pikat, në këtë rast të Teatrit të Operas dhe Baletit. Tani jemi pajtuar edhe pikat edhe të Muzet të Artit Modern, gati janë termat e referencës dhe shumë shpejti do të kemi konkurse ndërombëtare për dizajnimin, e më pastaj dikur në vitin e ardhshëm edhe fillimin e ndërtimit të tyre”.

Ndërkaq, i pari i Kulturës njoftoi për KultPlus se janë në fillet e para të konceptimit të Muzeut të ardhshëm të Artit Bashkëkohor, i cili është një institucion që Kosova nuk e ka dhe duhet ta ketë.

“Është një institucion kombëtar i kulturës për të cilin ne si ministri e kemi për detyrë që ta iniciojmë, por gjithsesi edhe me Komunën e Prishtinës për shkak të lokacionit ku duhet të ndërtohet ky muze. Tashmë e kemi konceptin fillestar dhe në ditët në vijim do të ngritet Këshilli Inicues i Muzuet të Artit Bashkëkohor, ku do të përbëhet nga emrat më eminent të artit tanë bashkëkohor, të emrave që i kemi edhe me karrierë ndërkombëtare dhe nga të tjerë. Besoj që ky këshill do t’i vëjë themelet e këtij koncepti edhe përmbajtësor se çfarë muzeu bashkëkohor të artit duhet të kemi, por edhe të konceptit arkitektonik se çfarë ndërtese duhet të bëhet. Ky institucion i ri i artit pamor duhet të jetë hapësira e re e shtetit tonë për të sigurar edhe një vend për mirënjohjen që duhet t’ia bëjmë emrave sikurse Nusret Salihamixhiqi, por jo vetëm. Ky muze do të shërbejë parasegjithash në komunikimin ndërkombëtar në sferën e artit, prandaj këtu jemi në hapat e parë por unë jam shumë optimist që gjatë mandatit tonë qeverisës do të jemi shumë afër e ndoshta edhe afër realizinit përfundimtar të këtij muzeu”, deklaroi Çeku.

Pikturat e Nusretit të japin një ndjenjë se ju po kaloni në një botë paralele, apo edhe dimension tjetër. Përmes ngjyrave, skicave, vijave, ideve të menduara, domosdo të “detyrohet” të vish në përfundim se kjo vepër është diçka jashtë kornizës së mendjes, pra, vërtetohej se imagjinata e njeriut mund të kalojë çdo kufi njerëzor.

Momenti kulminant ishte atëherë kur me shkronja të vogla dhe stil të veçantë shiheshin edhe 4 numra që kishte shkruar Nusreti, e që ishin pikërisht vitet në të cilat kishte realizuar këto vepra (1953,1960, 1973 etj), atëherë gjithçka ndryshonte dhe udhëtimi i njerëzve nëpër kohë dukej gjithnjë më i besueshëm, vepra që sipërfaqnin diçka që i përket së ardhmes, prandaj gjithsesi arti është gënjeshtra që na mundëson të kuptojmë të vërtetën.

E njohur si kërcimtare dhe koreografe moderne amerikane, Martha Graham kishte thënë se asnjë artist nuk është përpara kohës së tij. Artisti është në kohën e tij, vetëm se të tjerët janë pas kohës, prandaj neve na duhen vite të arrijmë në kohën e Nusretit dhe ai do të na presë me brushë në dorë dhe vepra të reja.

Ekspozitën “Loja” mund ta vizitoni deri më 26 korrik 2022 në Galerinë e Ministrisë së Kulturës. /KultPlus.com

Kryetari Rama: Vitet e pasluftës po shtohen, sivjet u bënë 23, e nga 1641 të pagjeturit ende nuk ka asnjë gjurmë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në Ditën Kombëtare të të Pagjeturve, e cila përkon me datën e Masakrës së Mejës ka theksuar se vitet e pasluftës po shtohen e nga 1641 të pagjeturit ende nuk ka asnjë gjurmë.

“Më 27 prill 1999 forcat sërbe kryen në fshatin Mejë njërën nga masakrat më të tmerrshme ndaj civilëve shqiptarë. Në nderim të viktimave të kësaj ploje dhe të gjitha të tjerave të luftës, Kosova shpalli 27 prillin si Ditën e të Pagjeturve.

Vitet e pasluftës po shtohen, sivjet u bënë 23, e nga 1641 të pagjeturit ende nuk ka asnjë gjurmë.
Bashkëndjejmë me familjarët e me gjithë popullin, me shpresën se drejtësia do të vihet në vend për viktimat dhe gjithë të pagjeturit e Luftës në Kosovë”, ka shkruar Rama në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Rama publikon raportin 100 ditor të punës së tij si kryetar i Prishtinës

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka publikuar në 100 ditëshin e qeverisjes disa të arritura të cilat thotë se janë duke ndodhur për transformimin e kryeqytetit.

Rama është shprehur se gjatë këtij njëqind ditëshi bashkë me ekipin e tij kanë marr përgjegjësi për drejtimin e Kryeqytetit, me qëllim që ta jetësojnë vizionin për transformimin e Prishtinës në përputhje me planin, projektet dhe konceptet që shpalosëm vjet gjatë fushatës parazgjedhore.

“Sot, mund të shpallim se shumë nga projektet e premtuara gjatë fushatës, i kemi vënë në binarët e duhur. Siç do ta shihni në Raportin e parë të punës, projekte nga të gjitha llojet e sektorëve: urbane, infrastrukturore, brendapërbrenda dhe rretheqark; shëndetësore, në këto kohë sfiduese; restauruese, në linjë me vizionin tonë për Prishtinën e përjetimeve; mjedisore, për hapësira të reja të gjelbëruara; bujqësore, për ujitjen e tokave të mbjella; zhvillim rural, rekreative, për më shumë ndërveprim sportiv. Këto të mësipërmet janë veç disa nga nismat e deritashme dhe të gjitha vetëm nga “ana e dukshme e medaljes””, është shprehur Rama.

Ai tutje ka treguar që gjatë këtyre muajve kanë punuar ngjeshur edhe që i gjithë kabineti të zotërojë njohje të mirëfilltë të legjislacionit në fuqi (primar e sekondar) në fushën e vetëqeverisjes lokale. Partneritetet e panumërta, që gjatë këtyre ditëve i zyrtarizuan me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, me ambasadorë të huaj, me ministra e titullarë të tjerë të pushtetit qëndror, si dhe akterë të tjerë ndërkombëtarë e vendorë, po i konkretizojnë, gjithmonë duke i gjetur pikëtakimet me palën ndërvepruese, pikërisht drejt vizionit transformues për Kryeqytetin e Prishtinës.

Sipas Ramës, ky është vetëm fillimi.

“E rëndësishmja është se jemi vënë, tashmë me hapa gjithnjë më të sigurt e më të shpejtë, në rrugë të mbarë”, shprehet kryetari.

Raportin e plotë të Komunës së Prishtinës mund ta gjeni KËTU./ KultPlus.com

Kryetari Rama: Kemi filluar procedurat për ndërtimin e strehimores për qentë

Sot gjatë ditës janë publikuar pamje kur disa qenë në kryeqytet kanë sulmuar një grua e cila është rrëzuar derisa ka tentuar të mbrohet. Derisa nuk dihen pasojat, nëse gruaja është kafshuar nga qentë, ka reaguar kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama.

Kryetari Rama ka thënë se me shqetësim i ka para pamjet duke e quajtur problemin e qenëve kompleks.

“Me shqetësim pashë sot pamjet, ku një qytetare e Prishtinës sulmohet nga qentë endacakë! Ne jemi të vetëdijshëm për problemin shumë kompleks që kemi para vetes dhe në këtë drejtim kemi ndërmarrë disa veprime, si trajtimi i qenve endacakë përmes procesit KSVL (Kap, Sterilizo, Vaksino, Lësho) dhe hapjes së 18 pikave të reja ushqyese” ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për veprime tjera që janë ndërmarrë.

“Gjithashtu, po punojmë dhe kemi filluar procedurat për ndërtimin e strehimores për qentë. Por, kjo nuk mjafton për të eliminuar në tërësi këtë​ problem” ka thënë i pari i Prishtinës.

Rama ka kërkuar edhe bashkëpunimin e Komunave tjera dhe Qeverisë.

“Ky problem kompleks nuk mund të zgjidhet vetëm nga Komuna e Prishtinës, andaj kërkojmë bashkëpunim dhe bashkërendim të veprimeve edhe me Qeverinë e Kosovës dhe Komunat e tjera”. / KultPlus.com

Në bibliotekën “Hivzi Sylejmani” shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama sot ishte prezent në bibliotekën “Hivzi Sylejmani” për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë.

“Në bibliotekën “Hivzi Sylejmani”, shënuam Ditën Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë, duke shpresuar se entuziazmin për lexim të cilin ma prezantuan këta fëmijë sot, do ta përcjellin tek të gjithë fëmijët e Prishtinës!”, ka shkruar ai në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Kryetari Rama: ‘Fondacioni 17’, ‘Defy Them’, dhe ‘Studio për Artistë’, më frymëzuan që të përkrahim zhvillimin e skenës së pavarur të artit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka vizituar sot tri prej nismave ‘bottom up’ në artin pamor dhe muzikor: ‘Fondacioni 17’, ‘Defy Them’, dhe ‘Studio për Artistë’.

“Këto nisma kreative, kaq domethënëse për komunitetin artistik, synojnë të stimulojnë një skenë dinamike arti në Prishtinë”, ka shkruar ai.

Më poshtë KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:

Skena a pavarur e artit është çelësi i larmisë së një qyteti.

Mbrëmë, me shumë kënaqësi vizituam tri prej nismave ‘bottom up’ në artin pamor dhe muzikor, të cilat i mbështesim duke ofruar hapësirë pune dhe mbështetje programore.

Janë ‘Fondacioni 17’, ‘Defy Them’, dhe ‘Studio për Artistë’.

Këto nisma kreative, kaq domethënëse për komunitetin artistik, synojnë të stimulojnë një skenë dinamike arti në Prishtinë.

Kjo vizitë më frymëzoi që të përkrahim edhe më tutje zhvillimin e skenës së pavarur të artit, duke ofruar mbështetje të vazhdueshme për artistët. Këto celula kreative janë çelësi i një Prishtine dinamike. / KultPlus.com

Kryetari Rama pret ambasadorin Hovenier në takim, diskutohet rreth “Manifesta 2022”

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur sot në komunë ambasadorin e SHBA në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier, shkruan KultPlus.

Në këtë takim është bërë e ditur se u diskutuan tema mbi mundësitë e ndryshme të bashkëpunimit me fokus në transformimin e Prishtinës.

Më poshtë KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:

“Për herë të parë në Komunën e Prishtinës mirëpritëm ambasadorin e SHBA në Kosovë, z. Jeffrey M. Hovenier, me të cilin me kënaqësi diskutuam mbi mundësitë e ndryshme të bashkëpunimit me fokus në transformimin e Prishtinës.

Bienalja “Manifesta” që do të mbahet sivjet në Prishtinë ishte një nga temat e veçanta.

E vlerësojmë jashtë mase përkrahjen e vazhdueshme të SHBA për vendin tonë dhe mirëpresim çdo nismë të përbashkët për të realizuar projektin transformues ‘Prishtina për të gjithë’. / KultPlus.com

Uniforma do t’i lirojë nga pagesa ushtarët e FSK-së në transportin urban të Prishtinës

I pari i Prishtinës, Përparim Rama ka nënshkruar sot vendimin që i liron nga pagesa e udhëtimit pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Kështu është bërë e ditur nga njoftimi për media, ku thuhet se ky vendim vlen vetëm për personat që udhëtojnë me uniformën e FSK-së.

“Me qëllim të mbështetjes së ushtarakëve të FSK-së dhe lehtësimit në funksionalitetin institucional të FSK-së, kryetari Rama nënshkroi sot vendimin për lirimin nga pagesa e ushtarakëve të FSK-së nga pagesa e udhëtimit me sistemin e transportit urban që menaxhohet nga Komuna e Prishtinës. Ky vendim specifikon se, lirimi nga pagesa vlenë vetëm për pjesëtarët që udhëtojnë me uniformën e FSK-së”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, Ministri i Mbrojtes, Armend Mehaj ka pritur në takim kryetarin Përparim Rama. /KultPlus.com

Përparim Rama viziton ‘shtëpitë-shkolla’ në 30-vjetorin e fillimit të operimit të tyre

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka vizituar sot ‘shtëpitë-shkolla’ që operonin në kohën e represionit të shtetit jugosllav në 30-vjetorin e fillimit të punës së tyre, përcjell KultPlus.

Rama ka shprehur falënderim dhe mirënjohje familjeve pronare për kontributin e tyre të jashtëzakontë, përkundër rreziqeve që u kanoseshin.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:

Shënojmë sivjet 30-vjetorin që kur, të kushtëzuara nga represioni i shtetit jugosllav, filluan të operonin ato që ne i quajtëm “shtëpitë-shkolla”, pronat private që njerëz atdhedashës e vetëmohues i vunë në shërbim të shkollimit të brezave në kohë pushtimi, e kështu edhe të të mirës gjithëpopullore.

Shtëpitë-shkolla luajtën rol të madh jo vetëm për ta mbajtë gjallë arsimin shqip, të cilin regjimi pushtues i kohës e mbylli dhe e ndaloi, por edhe për ta përforcu rezistencën kundër okupatorit serb, duke shërby si vatra të dijes, e si dritare të shpresës për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë.

Në këtë vit jubilar, një falënderim dhe mirënjohje tejet e madhe e fort e përzemërt u detyrohet, para së gjithash, vetë familjeve pronare për kontributin e tyre të jashtëzakontë, përkundër rreziqeve që u kanoseshin. Këto familje i shndërruan shtëpitë e tyre në vatra të diturisë e të qëndresës, duke ndërmarë një akt aq fisnik, e aq bujar, që na i thek zemrat edhe sot që e kujtojmë pas kaq kohësh./ KultPlus.com

Kryetari Rama pret ambasadorin Szunyog në takim, diskutohet rreth ndërtesave kulturore dhe ndërhyrjeve urbane

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur sot në komunë kreun e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Tomaš Szunyog, shkruan KultPlus.

Në këtë takim është bërë e ditur se u diskutuan tema rreth ndërtesave kulturore dhe fuqizimit të qytetarëve nëpërmjet ndërhyrjeve urbane.

Më poshtë KultPlus ju sjell postimin e plotë të tij:

“Mirëprita sot kreun e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Tomaš Szunyog, me të cilin folëm për avancimin e bashkëpunimit mes nesh, me përkrahje të fondeve IPA për lëvizshmërinë e blertë, ndërtesat kulturore dhe strategjinë komunale për fuqizimin e qytetarëve nëpërmjet ndërhyrjeve urbane. Pjesë e bisedës ishte edhe rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë me pushtetin qendror për jetësimin e projekteve, si dhe fuqizimi i administratës publike”, ka shkruar Rama në rrjetet sociale.

Kryetari Rama pret Dukagjin Lipën në takim: Festivalet luajnë rol tejet të rëndësishëm

Takimet mes kryetarëve të komunave dhe komunitetit artistik janë bërë diçka e zakonshme në Kosovë, shkruan KultPlus.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur sot në komunë në një takim organizatorin e festivalit Sunny Hill, Dukagjin Lipën.

Rama në këtë takim është shprehur se në programin e tij për Prishtinën, organizimet kulturore dhe festivalet luajnë rol tejet të rëndësishëm.

“Në programin tonë për Prishtinën e përjetimeve, organizimet kulturore dhe festivalet luajnë rol tejet të rëndësishëm.
Sot u takuam me organizatorët e festivalit Sunny Hill, me të vetmin qëllim të përbashkët që Prishtinën ta kthejmë në qytet me karakter unik në botë”, ka shkruar Rama në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Rama vazhdon takimet “fantastike” edhe nga shtëpia, diskutojnë për Manifestan me Hedwig Fijen

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, po vazhdon punën e tij online pasi që rezultoi pozitiv me COVID-19 së fundmi, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Rama ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim fantastik në platformën “Zoom” me drejtoreshën e Maniftesës, Hedwig Fijen.

“Është në interesin tonë të përbashkët që të përgatitemi sa më mirë për Bienalen Nomade Evropiane, Manifesta këtë vit, ku për 100 ditë rresht do të organizohen ngjarje kulturore, performanca e punëtori të ndryshme, me qëllim të vetëdijësimit dhe fuqizimit të qytetarëve për të rimarrë hapësirat publike nëpërmjet artit dhe arkitekturës”, ka shkruar Rama mes tjerash.

Manifesta, bienalja nomade evropiane, vjen në Prishtinë, me një program 100 ditor të artit, shfaqjeve, ngjarjeve dhe punëtorive me qëllim fuqizimin e qytetarëve për të rimarrë hapësirën publike. /KultPlus.com

May be an image of 7 people and indoor
May be an image of 7 people

Komuna e Prishtinës bëhet me kryetar të ri, jep betimin Përparim Rama

“Unë Përparim Rama betohem se do t’i kryej detyrat dhe do t’i ushtroj kompetencat si kryetar i Prishtinës me nder, besnikëri, në mënyrë të paanshme  që të sigurojë kushte për një jetë të qetë për të gjithë”,  ka thënë Përparim Rama, në ceremoninë e marrjes së detyrës si i pari i Komunës së Prishtinës, shkruan KultPlus.

Përgjatë kësaj ceremonie, Rama ka thënë se për të mirën e Komunës së Prishtinës do të bashkëpunoj me të gjithë, duke e bërë Prishtinën si një vend me plot gjallëri e me mundësi shumë të mëdha për të rinjtë.

Rama në këtë ceremoni, ku detyra i është dorëzuar nga kryetari i deritanishëm i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i ka bërë ftesë të gjitha partive politike por edhe shoqërisë civile, që të bashkëpunojnë në qeverisjen e tij përgjatë këtij mandati. / KultPlus.com

Kristale Ivezaj Rama: Në kohën e komunizmit, stërgjyshes sime ia nxorën thonjtë e duarve dhe të këmbëve

Kristale Ivezaj Rama, bashkëshortja e Përparim Ramës, i cili do të jetë kryetar i Komunës së Prishtinës, ka punuar më herët në një projekt “Edhe muret kanë veshë”, projekt që ka nxjerrë të bëmat e diktatorit Enver Hoxha.

KultPlus ju sjell të plotë deklaratën e Kristales, e cila kishte treguar për stërgjyshen e saj, e cila kishte përjetuar tmerret e regjimit të Enver Hoxhës.

Kanë kaluar 27-të vite nga shembja e regjimit komunist, mirëpo njerëzit janë duke treguar historitë e tyre për këtë periudhë më shumë se kurrë. Madje, disa prej historive po tregohen nga gjeneratat e reja, të cilat kanë ruajtur me fanatizëm historitë e të parëve të tyre, shkruan KultPlus.

Një gjë të tillë është duke e bërë edhe Kristale Ivezaj Rama e cila është bërë pjesë e projektit “Edhe Muret Kanë Veshë” për të treguar historitë e stërgjyshes së saj.
Ajo u bë pjesë e projektit kur ju drejtua Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit për tu njohur me historinë e stërgjyshes së saj Rinës nga Thethi i Malësisë së Madhe, e cila ishte dënuar më burgim gjatë kohës së komunizmit.

“Ajo ishte torturuar, i janë shqyer thonjtë e këmbëve dhe duarve dhe i kanë hedhur në trup një mace, gjersa e kanë goditur, një histori që duket e pabesueshme. Prandaj është e rëndësishme që të vlerësohen kujtimet e këtyre njerëzve që dëshmojnë të vërtetën”, ka treguar ajo.

Duke sjellë historinë e familjes së saj, Kristale Ivezaj Rama thotë se synon të mbledhë dëshmi edhe nga shqiptarët që u detyruan të lënë vendin e tyre për shkak të persekutimit dhe vuajtjeve gjatë periudhës së komunizmit.

“Edhe muret kanë veshë”, kështu titullohet nisma e re e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit që nisi sot, më 20 shkurt, në përvjetorin e 27-të të rrëzimit të shtatores së ish diktatorit, e që i kushtohet mbledhjes së dëshmive të të gjithë atyre që vuajtën gjatë regjimit komunist.

Ideatore e këtij projekti është artistja Alketa Xhafa, kurse Kristale Ivezaj Rama në këtë projekt është në cilësinë e shkrimtares. Artistja Alketa Xhafa Mripa theksoi se kjo nismë, përmes artit dhe historisë, kërkon të provokojë mbi të shkuarën. “Të gjithë janë të mirëseardhur, të tregojnë ndonjë rrëfim apo histori që e kanë dëgjuar prej gjyshërve, familjes, për kohën e regjimit barbar që ka ndodhur këtu në Shqipëri. Kjo nuk është një dhimbje vetëm për viktimat dhe familjarët, por për të gjithë kombin shqiptar”, u patë shprehur ajo. Instalacioni i Alketa Xhafa Mripës do të prezantohet më 9 maj. /KultPlus.com

Shitësi i librave me porosi për Arben Vitinë dhe Përparim Ramën

Florim Beqiri me një ilustrim përmes dy fotografive u bën thirrje kandidatëve për kryetar komune të përfshijnë librin në program qeverisës.

Shitësi i librave në qytet, Florim Beqiri, u ka bërë thirrje kandidatëve për kryetar komune në Prishtinë që të përfshijnë në programin e tyre diçka të re për librat, shkruan KultPlus

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Beqiri, ka ilustruar përmes dy fotografive se si në ditët me reshje shiu krijohet kaos përbrenda shtëpizës së librit.

“Shoqëria jonë ka nevojë për libra e art. Si mundësi edukimi”, ka thënë ai.

Raundi i dytë i zgjedhjeve komunale për të votuar të parin e Prishtinës do të mbahen më 14 nëntor./KultPlus.com

Përparim Rama, arkitekti i njohur nga Londra, kandidat për Kryetar të Prishtinës

Arkitekti me famë botërore nga Londra, Përparim Rama, pritet të jetë kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të komunës së Prishtinës, transmeton KultPlus.

Gazeta Express ka bërë të ditur se Rama është i përzgjedhuri i partisë së Lumir Abdixhikut për të parin e Prishtinës.

Përparim Rama ka lindur në Prishtinë dhe ka fituar edhe çmime botërore në arkitekturë. / KultPlus.com

Përparim Rama në garën ndërkombëtare, votojeni për këtë projekt në Tiranë

Ndërtesën e re të Komunës së Tiranës janë duke e synuar shumë kompani arkitektonike, por në mesin e kësaj gare, me projektin e tyre është duke garuar edhe kompania shqiptare që udhëhiqet nga arkitekti shqiptar Përparim Rama.

Bëhet fjalë për kompaninë 4M Gruop, ku sipas Ramës, në këtë garë janë shumë afër fitores.

Përparim Rama njihet për projekte të ndryshme në shumë vende të botës, duke përfshirë edhe çmime të shumta ndërkombëtare.

Përparim Rama ka thënë për KultPlus se janë të nderuar të njoftojnë se janë super afër për të fituar garën në konkursin për Ndërtesën e re të Komunës së Tiranës,  me dizajnin tonë zero karbon emetues, plotësisht demokratik për kryeqytetin e Shqipërisë.

“Kompani të ndryshme me renome botërore kanë marrë pjesë dhe kjo e bën edhe më të rëndësishme fitoren tonë. Është për t’u përshëndetur që Tirana viteve të fundit ka qenë duke zhvilluar propozime ambicioze të sigurojë përtëritjen… dhe rritja e qytetit është duke e përcjellë masterplanin e qartë. Kjo ka potencial të bëhet rol model për qytetet tjera brenda vendit dhe jashtë tij të përcjellin”, ka thënë Rama rreth këtij konkursi.

Sipas tij, element kyç i masterplanit është bulevardi kryesor që çon nga pjesa e vjetër e qytetit drejt pjesës së re, me vend ndalje çasti për ngjarjet kyçe urbane përgjatë tij, duke përfshirë edhe lokacionin për ndërtesën e re të Bashkisë.

“Vizioni ynë për lokacionin është i guximshëm. Ne kemi shqyrtuar ambiciet e qendrës së qytetit dhe peizazhit më të gjerë të qytetit dhe kemi propozuar një kopsht të ri në mes – një margaritar i qytetit i lidhur me lumenjtë dhe parqet e sipërfaqet e gjelbra më të gjera. Ndërtesa me gjeometrinë e saj të saktë do të jetë pikë referimi në bulevard. Një eksterier i qetë është prezantuar, duke filtruar aktivitetin në hapësirat publike përtej tij”, ka thënë Rama.

Sipas tij, për të krijuar pronësi publike, ndërtesa e re e Bashkisë është vendosur në lokacion për të krijuar një seri hapësirash publike, duke integruar ndërtesën në mjedisin e saj, për t’u bërë zemra e lagjes.

“Me të arritur në lokacion nga pjesa e vjetër e qytetit paraqitet shtegu që të dërgon në udhëtim përmes kopshtit, duke krijuar pamje të ngritura ndaj qytetit. Vepra skulpturale nga artistë vendorë janë të vendosura përgjatë rrugëtimit tuaj. Shtigjet drejt shërbimeve tjera janë të drejta dhe thjesht të arritshme. Zyrat administrative janë të mbështjella mes shërbimeve publike në nivel të përdhesës dhe nivelit të kulmit. Kopshti i skulpturave do të jetë përjetim senzual, i organizuar me kujdes, me ngjyra dhe aroma që ndërrohen me ndërrimin e stinëve. Uji përdoret për të krijuar lidhjen pamore të lumenjve në veri dhe jug të qytetit, poashtu ofron qetësim, lëvizje dhe lojë plot jetë. Oborri i mirëpritjes ju fton drejt në zemër të ndërtesës. Muri prej uji, dramatik dhe ikonik, do të jetë i dukshëm nga pikënisja si dhe nga bulevardi dhe është shprehje plot vetëbesim në praktikat e qëndrueshmërisë dhe ndërtesave të shëndetshme. Një atrium i madh i hapur, i mbushur me dritë, ju mirëpret në qendrën e Bashkisë. Një shkallë skulpturale çon lart në të gjitha hapësirat e zyrave. Me pjesë për pauzë, shkalla inkurajon lehtë përdorimin dhe rekreimin”, ka thënë Rama.

Arkitekti i famshëm Përparim Rama më pas ka shpjeguar për KultPlus se hapësira kryesore publike është me përmasa qytetare dhe praktike në funksion.

“Mbajtje e sigurt e biçikletave do të sigurohet për të inkurajuar përdorim të shtuar të tyre. Personeli nga zyrat do të kenë një mjedis të hapur e të çiltër pune me hapësira të lira “të gjelbra” dhe atrium që përdoret për pauzë. Hapësira dramatike e atriumit lidh drejtoritë e ndryshme mes vete dhe inkurajon shkëmbim shoqëror. Qasja e lirë është përdorur në planifikim hapësinor, duke integruar fleksibilitetin në planifikim, për të lejuar që hapësira të përdoret në mënyra të ndryshme, në varësi të nevojës. Për të siguruar efikasitetin është vendosur rrjeti struktural i rreptë. Ndërtesa dhe hapësirat për qytetarë krijojnë një nyje urbane në bulevard, dhe luan rol të mushkërive të gjelbra për hapësirat për kafe-pauzë, me paletë materialesh natyrale në nivel të rrugës. Kafeteria lidh hapësirat e brendshme me të jashtme, duke futur qytetin brenda ndërtesës. Zyrat e hapura janë hapësira pune bashkëpunimi, të gjera e të mbushura me dritë. Struktura prej druri të siguruar në parime të qëndrueshme është pjesë e zero strategjisë… Salla dramatike e kuvendit në pjesën jugore të lokacionit paraqet vendin ku merren vendimet e rëndësishme. E mbushur me dritë dhe transparencë. Me konsideratën për zhvillim sipas parimeve të karbonit të mishëruar është themel i vlerave të qëndrueshmërisë”, ka thënë Rama për këtë projekt, që për momentin është duke pri në garën e këtij konkursi ndërkombëtarë.

Andaj ju ftojmë që të votoni në linkun http://competitions.tirana.al/…që të votoni për 4M Group, në mënyrë që të realizohet ky projekt madhështor që është paraqitur edhe nëpërmjet fotografive./KultPlus.com

Arkitekti Përparim Rama: Bëjë thirrjen e fundit, Xhamia e Madhe duhet të jetë te Prishtina e Vjetër

Arkitekti Përparim Rama e ka bërë thirrjen e fundit që Xhamia e Madhe të ndertohet te Prishtina e Vjetër.

“Pozita e tanishme, tek Posta, është e gabuar nga aspekti urban, arkitektonik, tradicional e historik. Për hir të qytetit tonë dhe të gjithë qytetarëve e sidomos të komunitetit Islam nuk duhet të lejojmë të bëjmë këtë gabim, kur kemi mundësinë të rigjenerojmë pjesën më të rëndësishme të kryeqytetit tonë” ka shkruar mes tjerash Rama.

“Pozita në Prishtinën e vjetër, aty ku janë tri xhamitë dhe Hamami, ku ka qenë Çarshija e Vjetër, aty ku është tregu, aty ku kanë fillu celulat e para të qytetërimit të Prishtinës, aty duhet të jetë edhe Xhamia e Madhe. Rrugët përreth duhet të shndërrohen në rrugë këmbësorësh. Të gjithë hapësirat publike duhet të rehabilitohen dhe të na e përkujtojnë historinë tonë, Prishtinën e Vjetër” ka shkruar Rama.

Ai thotë se Sheshi Nëna Terezë duhet të lidhet me këtë pozitë, edhe të vazhdojë në anën tjetër deri te katedralja.

https://www.facebook.com/575215837/posts/10155908913625838/

Kësisoj sipas tij duhet të bëhet edhe ndërlidhja e feve/besimeve që na karakterizojnë si komb si nga aspekti shpirtëror edhe nga ai urban.

“Paramendoni lidhjen e të gjitha Xhamive përreth me hapësirën publike për këmbësorët, dyqanet me filigranë, zejet e ndryshme, tregu e produktet vendore, me përplot histori e trashëgimi” ka treguar Rama, arkitekt i njohur kosovar. / KultPlus.com

Rruga më e famshme në Hamburg vjen me një projekt të madh, i besohet arkitektit Përparim Rama

Arkitekti i suksesshëm nga Kosova, Përparim Rama i cili ka themeluar Grupin 4M në vitin 2004 , aty ku edhe ushtron rolin e drejtorit, po vazhdon suksesshëm me projektet e tij të një pas njëshme.

Grupi 4M janë aktivë në zhvillim, projektim dhe ndërtimi, që veprojnë jashtë zyrës në Londër, Prishtinë dhe Irlandën e Veriut.

Rruga më e famshme në Hamburg po sjellë një projekt ngazëllues dhe për këtë projekt është angazhuar pikërisht Grupi 4M i udhëhequr nga arkitekti kosovarë Përparim Rama.

Në këtë rrugët ata do të hartojë dy hotele.

Rama është shprehur i ngazëllyer për këtë projekt duke thënë së do të na mbajë të njoftuar në procesin e bërjes së tij.

“’The Sinful mile’, siç e përshkruan Wikipedia, ose St Pauli, rruga më e famshme në Hamburg e emëruar sipas një kishe akoma funksionale, është tani një projekt ngazëllues për ekipin tonë. 4M GROUP (www.4mgroup.co.uk) sapo i është kërkuar të hartojë dy Hotele këtu. Ne jemi shumë të ngazëllyer dhe do t’ju mbajmë të përditësuar në procesin e bërjes së tij”, ka shkruar Rama në Facebook. / KultPlus.com

Përparim Rama: Kam qenë krenar me babanë, ai ka ekspozuar së bashku me Picasson por gjithmonë kemi pasur probleme financiare

Përparim Rama është arkitekti i suksesshëm nga Kosova, që ka themeluar Grupin 4M në vitin 2004 , aty ku edhe ushtron rolin e drejtorit. Grupi 4M janë aktivë në zhvillim, projektim dhe ndërtimi, që veprojnë jashtë zyrës në Londër, Prishtinë dhe Irlandën e Veriut, shkruan KultPlus.

Arkitekti i suksesshëm nga Kosova, Përparim Rama është përzgjedhur që përsëri të jetë pjesë e jurisë së Win Awards apo të njohur World Interiors News Awards. Së fundmi ata kanë publikuar një intervistë e cila flet më shumë për punën e Ramës. Intervista tregon se si ai është vendosur në Londër gjatë kohës së Jugosllavisë, në vitin 1912 kur ishte vetëm 16 vjeçar, ndërsa lufta i kishte dëmtuar shtëpinë, për atë ka qenë e rrezikshme të kthehet, ndërsa ka qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar e cila thotë se “bukfalisht” e ka adoptuar atë duke i siguruar mundësinë për t’u edukuar dhe për të punuar.

Rama ka folur edhe për përfaqësimin e Kosovës në edicionin e 13-të të Bienales së Venedikut në vitin 2012, si përfaqësuesi i parë i Kosovës. Atë është pyetur për pavijonin e tij dhe për reagimet e publikut për atë që ka prezantuar. Lidhur me këtë Rama është shprehur se ka qenë një nder i madh që është kuratori i parë që ka përfaqësuar Kosovën në Bienalen e Arkitekturës në Venedik.

“Toka e përbashkët”, ka qenë tema. Kam dashur të hulumtoj se si shoqëria, kultura dhe tradita dhe besimet në përgjithësi kanë ndikuar në krijim e vendeve ku ne jetojmë. Qytetet tona janë një reprezantim shoqëror për atë se si qëndrojmë ne si shoqëri. Qytetet përfaqësojnë vetëdijen tonë shoqërore; tokën tonë të përbashkët”, është përgjigjur arkitekti me famë botërore Përparim Rama.

Po ashtu në këtë intervistë, Rama është pyetur edhe për ndikimin që ka pasur babai i tij i cili ka qenë po ashtu artistë dhe impakti që ka pasur gjyshi i tij në hapat e tij të parë.

“Kam qenë shumë krenarë me babanë dhe gjithçka që ka bërë ai. Kam kaluar orë e ditë në atelien e tij, duke e shikuar dhe duke u përpjekur të vizatoj ashtu siç bënte ai. Ai ishte shumë i zënë me aktivitetet dhe ekspozitat e tij brenda dhe jashtë vendit dhe orarit të tij akademik. Ai ka ekspozuar së bashku me Picasson dhe Chagall-in ndër të tjerë – në fund të viteve ’70, por gjithmonë kemi pasur probleme financiare. Ai më shtyu drejt shkencës, pasi ai gjithmonë u ankua se jeta e artistit është një jetë e varfër financiarisht, dhe që kur isha duke shkëlqyer në shkencë, ai më shtyu më shumë drejt fushës shkencore të matematikës dhe fizikës. Të dy nëna dhe babai im ishin të befasuar kur unë vendosa të studioja arkitekturën, duke u regjistruar fillimisht në shkencat kompjuterike”, është përgjigjur Rama, përcjellë KultPlus.

Ndërsa për gjyshin e tij, ai është shprehur se ka qenë një njeri i mrekullueshëm dhe i urtë, jashtëzakonisht i durueshëm dhe i ditur, ndërsa ka treguar ndikimin që ka pasur në fëmijërinë e tij.

“Dukej sikur ai kishte të gjitha përgjigjet e Universit. Mua më pëlqente të lexoja dhe shikoja figurat në librat që kishte të vendosura në rafte, që lidheshin me Universin. Pastaj dilnim dhe luanim me baltë dhe kashtë, me degë, duke mësuar se si bëhen tulla me baltë, si mund t’i bashkëngjisni materialet së bashku në mënyrë që të gjejnë përdorim më të madh”, është përgjigjur arkitekti Rama.

“Dhe po ishte dhe dashuria e nënës. Pa marrë parasysh se çfarë, ajo ishte gjithmonë aty, dhe e bëri çdo vend të ndihem si në shtëpi dhe i sigurt. Të gjitha gjërat e mësipërme janë shumë të fuqishme dhe përcaktojnë gjërat që kanë ndikuar në formësimin tim”, është shprehur Përparim Rama.

Në pavijonin e Kosovës në edicionin e 13-të të Bienales së Arkitekturës punimet e filigranit janë vendosur përkrah fotografive të disa godinave të njohura arkitekturale, për të paraqitur peizazhet kaotike nga qytetet e Kosovës së pasluftës dhe për të nxjerrë ide mbi zhvillimet politike në të ardhmen. Po aty ka qenë edhe vendosur edhe biblioteka kombëtare dhe hamami i Prizrenit./ KultPlus.com

Përparim Rama përsëri pjesë e jurisë së WIN Awards

Arkitekti i suksesshëm nga Kosova, Përparim Rama është përzgjedhur që përsëri të jetë pjesë e jurisë së World Interiors News Awards, shkruan KultPlus.

“Të jesh pjesë e jurisë së WIN Awards ka qenë një nder i madh dhe një eksperiencë frymëzuese. Në kuadër të tij janë prezantuar projekte të jashtëzakonshme dhe kreative nga studiot inoative të dizajnimit në mbarë botën. Në fund të ditës së vlerësimit, ndihesh edhe më energjik”, ka shkruar arkitekti Rama lidhur me këtë eksperiencë.

Në anën tjetër Wolrd Interior News Awards në faqen e tyre zyrtare në Facebook kanë shkruar se ndihet të nderuar të njoftojnë se arkitekti Përparim Rama ( themelues dhe udhëheqës i 4M Group) do të jetë pjesë e panelit të jurisë. / KultPlus.com

Përparim Rama: Pata menduar që është mirë ta bëjmë një Park të Memorialëve

Alberina Haxhijaj

Arkitekti Përparim Rama ka mbajtur sot një ligjëratë në Universitetin e Prishtinës për të diskutuar me studentët dhe të pranishmit rreth temës “Përtej Memorialëve”, duke vënë në fokus projektin e tij për kompleksin memorial “Adem Jashari”, shkruan KultPlus.

Ai fillimisht kujtoi momentin kur si i vogël shëtiste rreth Fakultetit Filozofik, ku edhe u mbajt diskutimi. Po ashtu kur kalonte kohë edhe afër Bibliotekës Kombëtare, ndërtesë kjo që ka ndikuar që ai të bëhet arkitekt.

Arkitekti Përparim Rama, këshilloi studentët që ajo që ka më shumë rëndësi është lidhshmëria që krijojnë njerëzit me ndërtesat dhe ndikim që kanë këto të fundit të njerëzit. Prezantuesi i parë i Kosovës në Bienalen e Arkitekturës në vitin 2012 tha se interaksioni me hapësira është një ndër elementet kyçe te secili projekt që ai e bënë.

Këtë element ai e ka përfshirë edhe në memorialin Adem Jashari projektin e të cilit ai e ka realizuar në vitin 2012 mirëpo që ishte refuzuar nga Ministria e Planifikimit Hapësinor.

“Ideja kyçe e memorialit është që përveçse restaurimit dhe konservimit vizitorët të mund të afrohen sa më afër ngjarjes dhe mënyrës sesia ajo ka ndodhur. Pikërisht për faktin se tashmë ekzistojnë edhe mënyra të ndryshme teknologjike të cilat ne mundemi me i shfrytëzuar për të sjellë një përjetim sa më real afër vizitorëve”, u shpreh ai duke diskutuar për elementet që përbente projekti i tij më në detaje.

Në këtë diskutimi është folur edhe për ndërtimin e memorialëve nga ana e familjes diçka e cila është konsideruar një temë shumë e ndjeshme.

“Memorialët të cilat janë ndërtuar kryesisht në hapësira publike, rrugë, sheshe, apo edhe nëpër vende të tjera lënë ndikim te shoqëria. Në qoftë se nuk janë të menduara mirë lënë ndikimi negative edhe pse ato nuk janë ndërtuar me asnjë prapavijë pas tyre. Pata menduar që do të ishte mirë që të bëjmë një park të memorialëve ku mblidhen këto dhe në një mënyrë të ju ofrojmë strehim, një shpi, pra mos të i lëmë nëpër rrugë. Pra një vend ku do të mbroheshin institucionalisht dhe tregimi do të rrëfehej në atë mënyrë që të mos krijojë ndikim negativ”, tha Rama.

Sipas tij ndërtimi i memorialëve në hapësira publike është bërë pikërisht pas çlirimit kur ka ndodhur një vakum në sistemin shtetëror, kështu njerëzit e kanë konsideruar hapësirën publike si të tyren.

Profesoresha Linda Gusia e cila e kishte ftuar arkitektin Përparim Rama për këtë ligjëratë u shpreh se pjesa më e dhimbshme kur kemi të bëjmë me kujtesën kolektive sa i përket periudhës së luftës është zhdukja e anës humanitare te ngjarjet të cilat kanë lidhje me luftën.

“Kur kam vizituar shtëpinë e Jasharajve pas sulmit ka pasur shumë bredha e gëzhoja, pastaj gjësendet që i kanë lënë nëpër shpi anëtarët, e që të gjitha këto sot janë largu. Ajo që më shqetëson në përgjithësi të kumtesa e luftës është një gati dehumanizim. Në këtë procesin e heroizmit po i dehumanizojmë, po e zhveshim prej elementit njerëzor ngjarje”, tha ajo duke treguar se çfarëdo kujtimi që do i bëhet këtij memoriali duhet që të ketë në vete aspektin familjarë duke përfshirë gratë dhe fëmijët e kësaj familje.

Kujtojmë se projektin për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, e ka fituar kompania sllovene “AG-Inzineering”, e që kosto e tyre ka dalë 6 milionë euro, si parashikim për punën që do zgjaste 2 vite. Shuma e njëjtë që ishte ofruar nga arkitekti Rama për projektin e tij./ KultPlus.com

Arkitektët më të njohur botërorë ndërtojnë qytetin e ëmbëlsirave, në mesin e tyre edhe Përparim Rama (FOTO)

Disa nga firmat më të mëdha të arkitekturës në botë, ku përfshihet edhe firma e arkitektit kosovar Përparim Rama kanë marr pjesë në një projekt të veçantë së fundmi, në ndërtimin e një qyteti prej ëmbëlsirave, i titulluar si qyteti i Gingerbread, shkruan KultPlus.

CNN tregon se kjo ekspozitë është hapur së fundmi në Muzeun e Arkitekturës në Londër, ku metropoli në miniaturë është e mbushur me ndërtesa bashkëkohore , pothuajse tërësisht të ngrënshme, ndërsa u ngjajnë shtëpive të dimrit.

Arkitekti i njohur nga Kosova, Përparim Rama ka thënë se ky projekt ka qenë sfidë por në të njëjtën kohë i ka dhënë atij dhe ekipit të tij shumë kënaqësi.

“Ka qenë sfide por në të njëjtën kohë dhe shumë kënaqësi që të ndihmojmë në krijimin e qytetit të Gingerbread dhe të merrnin pjesë në këtë ekspozitë të veçantë dhe kuptimplotë. Faleminderit Muzeut të Arkitekturës që na ftoi. Dhe një falënderim shkon për të gjithë anëtarët e ekipit tonë në 4M Group dhe 4M Works për kaq shumë përkushtim”, ka shkruar arkitekti Rama.

Rreth 50 kompani të specializuara në arkitekturë, inxhinieri dhe peizazh kanë pjekur dhe ndërtuar struktura për projektin. Qyteti mburret me një kështjellë, një stadium dhe tre ura, së bashku me ndërtesat publike dhe zonat e banimit. Organizatorët thanë se, përveç mbledhjes s së parave për bamirësi, projekti mund të inkurajojë publikun që të angazhohet në planifikimin urban./KultPlus.com