“Të shkarkohet prorektorja dhe të hetohen ngacmimet seksuale në Universitetin e Prishtinës”

ORCA – Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim, përmes një reagimi ka kërkuar të shkarkohet prorektorja Teuta Pustina, shkruan KultPlus.

Ky reagim e shumë të tjerë në lidhje me shkarkimin e prorektores, ka ardhë si rezultat i deklaratave të saj në lidhje me viktimat e sulmeve dhe ngacmimeve seksuale në Universitetin e Prishtinës. Pustina, tha që gratë të mos vishen në mënyrë provokative, për t’iu shmangur ngacmimeve seksuale në institucione arsimore.

Në vijim sjellim reagimin e plotë të ORCA:

“Të shkarkohet prorektorja!
ORCA është thellësisht e indinjuar me deklaratat dhe tentim sqarimin e prorektores Pustina e cila ka fajësuar viktimat e sulmeve dhe ngacmimeve seksuale. Ngacmimet seksuale dhe keqpërdorimi i autoritetit për favore seksuale në Universitetin e Prishtinës po shndërrohet në dukuri nga një pjesë e stafit akademik.
ORCA kohëve të fundit ka pranuar me shqetësim raportime të ndryshme të studenteve të cilat kanë treguar për forma të ndryshme të sulmeve dhe ngacmimeve seksuale nga një pjesë e stafit akademik i Universitetit të Prishtinës.
Edhe më shqetësues është fakti që Universiteti i Prishtinës nuk ka politikë për luftimin e kësaj dukurie dhe mbrojtjen e viktimave të këtyre sulmeve. Në anën tjetër deklaratat që përfaqësojnë një pozicion ekstremist të patriarkalizmit, si ajo e prorektores Pustina, është stimulues e sulmuesve për të vazhduar me aktivitetin e tyre të paligjshëm pa u penguar.
ORCA kërkon përgjegjësi maksimale të institucionit që do të thotë:
1. Kërkim falje në emër të institucionit për deklaratën e prorektores Pustina;
2. Shkarkim të prorektores Pustina;
3. Krijimin e një komisioni të posaçëm me pjesëmarrje të gjerë për hetimin e ngacmimeve seksuale në Universitetin e Prishtinës.
ORCA i bën thirrje të gjitha institucioneve dhe organizatave që ta trajtojnë me seriozitet këtë çështje në mënyrë që të krijohet një standard bashkëkohor i diskursit publik ku nuk tolerohet më gjuha seksiste dhe mizogjene”./ KultPlus.com

Fotografi e rrallë nga hapja e Universitetit të Prishtinës (FOTO)

Hapja e Universitetit të Prishtinës ishte një ngjarje historike për gjithë popullin shqiptar, ndërsa sot numëron një numër të madh studentësh, ne po ju sjellim një fotografi nga ceremonia e hapjes së këtij institucioni, shkruan KultPlus.

Albana Mehmeti ka publikuar një fotografi nga dita e hapjes së këtij universiteti në vitin 1970, ku shihen një numër i konsiderueshëm profesorësh e studentësh të rreshtuar para shkallëve të këtij objekti.

“Viti 1970, me rastin e hapjes së Universitetit të Prishtinës dhe bashkëpunimit me profesorët mysafirë nga Tirana”, ka shkruar Albana Mehmeti. Ajo tutje ka shpjeguar së në këtë fotografi janë të pranishëm profesorët Kolë Popa dhe Kosta Koci bashkë me profesorët vendas profesorët Nexhat Daci dhe Rexhep B. Mehmeti, (me studentët e departamentit të Kimisë. /KultPlus.com

Përmirësohet cilësia e Universitetit të Prishtinës, sipas Webometrics

Universiteti i Prishtinës është radhitur më së larti nga universitetet e Kosovës në ranglistën e Webometrics.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është radhitur i 3320 në ranglistën e publikuar nga Webometrics në muajin janar.

Krahasuar me listën e publikuar në muajin korrik të vitit 2017, Universiteti i Prishtinës ka arritur të përmirësojë pozicionin e vet duke u ranguar për 618 vende më lart në listë.

Përmirësim në rangim ka arritur edhe Kolegji AAB, i cili për dallim nga ranglista e muajit korrik tani është ngritur për 1092 vende.

Përndryshe, Universiteti i Prishtinës dhe Kolegji AAB janë të vetmet universitete shqiptare që kanë arritur të futen në listën prej 5 mijë universiteteve të ranguara sipas citimeve në Google Scholar.

Universiteti Bujqësor i Tiranës nga Webometrics është radhitur i 5277 kurse Universiteti i Tiranës i 5978.

Ranglistës së Webometrics në tri pozitat e para i prijnë, Universiteti i Harvardit, Universiteti i Stanfordit dhe Universiteti i Masaçusetsit.

Ranglista e universiteteve botërore sipas Webometrics, i publikon rezultatet dy herë në vit, në muajin janar dhe në muajin korrik kurse në të përfshihen rreth 30 mijë universitete botërore. / Kallxom.com / KultPlus.com

Rreth 40 për qind e profesorëve në UP me plagjiaturë

Nga 70 (shtatëdhjetë) profesorë të cilët janë hulumtuar lidhur me punimet e tyre, 40 % kanë prezencë të plagjiaturës. Të njëjtit, si rezultat i punimeve thirren në titujt e tyre akademikë, por edhe në pozitat e tyre akademike brenda Universitetit të Prishtinës.

Këtë hulumtim e ka siguruar Radio Kosova, i cili është bërë nga Instituti Edguard, por që nuk është publikuar ende.

Punimet e disa prej profesorëve në Universitetin e Prishtinës, kanë rezultuar se kanë plagjiaturë. Sipas të dhënave që ka siguruar Radio Kosova, punimet të cilat janë rishikuar kanë qenë punime të doktoratave të profesorëve, por edhe publikime të tyre shkencore.

Rinor Qehaja nga Instituti Edguar, i cili është marrë më këtë hulumtim, tha se përkundër që janë cilësuar si të pranueshme nga universiteti gjatë procesit të avancimit të tyre, të njëjtat janë dëshmuar që kanë prezencë të plagjiaturës.

“Të gjeturat tregojnë se nga 70 (shtatëdhjetë) profesorë të cilët janë investiguar dëshmojnë se te numër i madh i tyre ka prezencë të plagjiaturës deri në 40 %. Kjo e bën shqetësues faktin pasi të njëjtit si rezultat i punimeve thirren në titujt e tyre akademikë, por edhe në pozitat e tyre akademike brenda UP-së”, tha Qehaja.

Qehaja sqaron se prezenca e plagjiaturës ka qenë në disa nivele, ku përfshihen temat mes kolegëve brenda vetë fakultetit, mes profesorëve dhe studentëve, e të tjera.

“Punimet e studentit janë përfshirë dhe nuk janë cituar në publikim dhe prezenca në përqindje më të madhe është ajo që nuk ka referenca të mirëfillta se kur është marrë pjesë, paragrafë të caktuar të pa referuara nga punimet ndërkombëtare. Prezenca më e madhe e plagjiaturës është nga tema dhe punime ndërkombëtare për të vazhduar me plagjiaturën që është bërë në bashkëpunim mes kolegëve dhe studentëve”, tha ai.

Ndërsa, Prorektori për kërkime shkencore në Universitetin e Prishtinës, Faton Berisha, tha për Radio Kosovën se Universiteti i Prishtinës ka dizajnuar një sistem vlerësimi të kredibilitetit të revistave shkencore, ku botohen punimet e stafit akademik. Ai tha se kontrollin e cilësisë dhe të plagjiaturës në publikimet shkencore të profesorëve, universiteti ua delegon recensentëve, të cilët e kontrollojnë punimin dhe e propozojnë për publikim.

“Unë nuk mendoj që sa u përket punimeve shkencore, Universiteti i Prishtinës ka problem me plagjiaturën. Këto janë punime në gjuhën angleze të publikuara në revista kredibile dhe i nënshtrohen syrit kritik të tërë komunitetit shkencor të fushës përkatëse dhe nuk mendoj që këtu Universiteti i Prishtinës ka ndonjë problem me plagjiaturën”, tha Berisha.

Nga ana tjetër puna qëndron ndryshe me botimet e doracakëve dhe teksteve interne për përdorim në gjuhën shqipe. Berisha, tha se mbetet çështja e cilësisë në përgjithësi e teksteve të tilla dhe veçanërisht problemi për plagjiaturën.

“Sipas rregullores për botime të teksteve universitare, UP ka një sistem kontrolli e balance që duhet të sigurojë kualitetin e teksteve të tilla, që të mos ketë plagjiaturë në brendi. Ky sistem fillon nga recensentët, me këshillin e fakultetit, redaktorët dhe në fund me këshillin e botimit. Kjo çështje e plagjiaturës do të adresohej mirë po të kishim në nivel kombëtar një sistem, i cili detekton pjesë të ndryshme të teksteve që përputhen ndërmjet botimeve të ndryshme. Është mirë që të jetë e rregulluar me ligj, ku për të gjitha temat që mbrohen nëpër universitete të kalojnë nëpër një sistem softuer dhe pastaj mblidhet fondi i teksteve në atë sistem, detektohen dhe nxirret përqindja se sa përputhen me një tekst tjetër”, tha ai.

Në rast se Senati i Universitetit ka të dhëna dhe fakte për plagjiaturë në punimet e profesorëve, atëherë ai ka një këshill të etikës, i cili në bazë të rregullores përcakton procedurat për masat konkrete. / KultPlus.com

Fotografi që nuk kanë humbur, nga protesta studentore e 1 tetorit 1997 (FOTO)

Protestat e 1 tetorit të vitit 1997 kanë luajtur rol të madh në atë se si sot është formuar shoqëria kosovare. Kanë kaluar 20-të vite qëkur studentë e Universitetit Paralel asokohe të Prishtinës protestuan për të drejtat e tyre, dhe për të drejtat e njeriut kosovar në Kosovën e atëhershme.

Lëvizja Studentore e 1997 e drejtuar nga Bujar Dugolli, Milot Cakaj, Muhamet Mavraj, Driton Lajçi, Hajrullah Koliqi, Fetah Jagxhiu, Ahmet Gecaj dhe Albin Kurti, e përkrahur dhe nga rektori historik i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, si dhe nga disa profesorë, i pati dhënë fund politikës paqësore të popullit shqiptar ndaj regjimit serb.

Kjo lëvizje vlerësohet se ka sensibilizuar opinionin ndërkombëtar se UÇK-ja buronte nga populli liridashës i Kosovës.

Me 1 tetor 1997, mijëra studentë por edhe nxënës të shkollave të mesme dhe qytetarë të shumtë kishin protestuar në Prishtinë për të kërkuar lirimin e objekteve të UP-së nga regjimi serb, i cili i kishte dëbuar studentët shqiptarë nga objektet e tyre universitare.

Fotografitë në këtë tekst janë marrë nga Prishtina Film Rolls në Instagram, një faqe e cila i ka sjellë ato duke kujtuar përvjetorin e kësaj ngjarjeje e cila nuk duhet harruar. / KultPlus.com