Fjolla Rraci shkruan letër publike për Ministrinë e Arsimit, në librat shkollorë personat me Sindromën Down quhen ‘idiota’

Aktivistja e të drejtave të personave me sindromën Down, Fjolla Rraci, i ka drejtuar sot një letër publike ministrisë së Arsimit, shtëpive botuese dhe redaktorëve, të cilët lejuan që në librat shkollorë personat me sindromën Down të quhen ‘idiotë’.

Kjo është letra e saj e plotë:

“Leter ministris se arsimit, shtepive botuese, redaktorve dhe te gjithe atyre qe shkruajne, botojne e lejojne botimin e librave ku mi etiketojne ne m’nyre ç’njerzore ma t’dashtunit e mi.
Po ju shkruaj se po m’plas zemra e po m’dhemb shpirti.
Me e pa n’dit t’sotit me nji liber shkollor t’shkrume se sindroma Down osht smundje trasheguse tek njeriu osht tmerr!
T’kish qen’ e tille s’kish me pas gati asnji familje pa nji antare me sindromen Down, e une kisha bo çmos e kisha konsumu edhe veten veç me i sheru.
E edhe ma e tmerrshme kur pershkruhen si ‘idiota mongoloid’ a persona me nivelin e idiotve.
Sa idiot mundet me qen’ nji njeri kur e shkrun nji liber t’tille??
E me t’neverit pjesa ku ju caktohet jetgjatsia, 10-16 vjet.
A e keni mendu kur e keni ba ate plan t’arsimit t’pakten nji fjali prej ati teksti kur e keni shkru ?
A e keni mendu qe ai msim mundet me ju kriju mendimin nxansve per personat me sindromen Down?
AMAN permisoni ate shkrim per hater t’Meritonit qe e kemi shembull gjithe familja per urtsi e edukat.
Aman kontrolloni shkrimet perparase t’i botoni per hater t’Donikut qe çdo dite mbas msimit shkon n’pune e asht ba zot i vetes.
Aman mos lejoni te lexohen shkrime tilla prej nxansve, per hater t’Aldit qe çdo dite zgjohet i gzushem me dal n’pune se ka me i sherby komunitetit.
Aman per hater t’Leonit qe asht aq ambicioz e osht tuj msu me lexu e nji dite mundet me e lexu ate liber.
Aman se duhet me ju ardh marre prej Dines qe sot osht n’Franc n’gara t’notit.
Aman heqni ato shkrime se po m’vjen gjynah prej Benit t’vogel qe asht gjithe jete e ka me u bo krenaria jone ma e madhe..
Aman se duken qe jane veç disa fjal’ ama kto jane fjale qe t’vrasin e t’dhamin!”/ KultPlus.com

One Direction thyen rekordin e Beatles

Grupi i njohur One Direction sapo u barazua me Beatles si grupi i vetëm me tre anëtarë që kanë arritur të performojnë si solistë në SHBA.

Ata mund të jenë ndarë , por janë duke kryesuar akoma në tabelat e Billboard në SHBA.

Barazimi erdhi pasi Niall Horan kryesoi listat me debutimin e tij, Flicker, i cili shiti 152,000 kopje javën e kaluar.

Ai ndjek Harry Styles dhe Zayn Malik , duke barazuar rekordin e The Beatles, i cili ka qëndruar si i tillë që nga viti 1971.

E tjerë të grupit, Louis Tomlinson dhe Liam Payne nuk kanë realizuar ende albumet e tyre solo, që do të thotë që mbase ata mund të arrijnë të kalojnë rekordin e Fab Four./ KultPlus.com

Fustani i nanës

Kjo është poezia fituese e ‘Takimet e Poeteshave’ e shkruar nga Arlinda Baftiu.

I butë fustani i nanës si zemra e çikës,
i kuq si turpi që ulet mbi qerpik,
i bukur,
i bukur si pranvera e hershme,
rrej gjerdanit me lule, lule shumë,
vjen tue u ngulfatë shtëngut për kërthizë
ku këputen kordelet e lidhuna nyje për shpirti,
e mbasandaj zvarritet fundit të këmbëve me një dantellë të zbehun që ka marr pluhnin e viteve,
të shkelun me thembra të lodhta….

Nana ka dashtë me ma falë,
e kam veshë kur isha lule pranvere
e rrotullohesha me sy kah qielli
tue i davarit dantellat në ajër bashkë me gazin e fëmisë
Tue u rrit stina, nisa me i njohë aromat e jetës,
fustanit të nanës i vike era kujtime të shkrumosta,
i vike era andrra të djeguna,
shpirt i ngulfatun,
zbehun ish lâ me lot.
Nanë, nuk po më bjen tamam,
asht i ngushtë e i madh për zemrën teme
asht i ftohtë e i lagshtë për ditët e mia
asht i zbehun për dritën që due nanë,
po m’i merr kambët, jam rrxu, jam përgjakë me fjalt’ e plakave,
nanë, un u zhvesha
fustanin e kam palue
në dollapin ku m’i ke lanë ato gjanat që na bajnë ma të forta../ KultPlus.com

Dua Lipa arrin 500 milionë klikime me “New Rules” (VIDEO)

Këngëtarja kosovare Dua Lipa po shijon suksesin më të madh në karrierë deri tani, falë hitit “New Rules”.

Për vetëm tre muaj që nga publikimi, “New Rules” ka grumbulluar 500 milionë klikime në YouTube.

Me këtë këngë, Lipa hyri fuqishëm në shumë tregje botërore, ndërsa për një periudhë mbajti pozitën e parë si top-hit në Britani të Madhe./ KultPlus.com

Seriali ‘House of Cards’ anulohet nga Netflix

Seriali i njohur amerikan “House of Cards” do të përfundojë pas sezonit të gjashtë, pak orë pasi ylli kryesor i serialit Kevin Spacey pranoi publikisht se kishte ngacmuar seksualisht një aktor.

Kompania amerikane e transmetimeve të filmave e emisioneve “Netflix”, ka deklaruar se vendimi tashmë ishte marrë muaj më parë.

Megjithatë, njoftimi vjen vetëm pak pasi aktori Anthony Rapp akuzoi Spaceyn për ngacmim seksual në kohën kur ai ishte vetëm 14-vjeç.

Spacey më pas kërkoi falje dhe u shpreh i hapur se është homoseksual.

“Në jetën time kam pasur lidhje të shumta, me burra e gra. Kam pasur lidhje të mira e romantike me burra gjatë jetës time, prandaj kam vendosur të jetoj si një homoseksual”, ka thënë Spacey ndër të tjera.

Shumë yje të Hollywoodyt më pas dolën me kritika për deklaratën e Spaceyt duke e akuzuar se e bëri publik lajmin se është homoseksual vetëm që të shmangë incidentin.

Memorandum për Qendrën e Kulturës në Vushtrri

Në kuadër të investimeve kapitale në kulturë, sot në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit u nënshkrua një Aneks Memorandum Bashkëpunimi me Komunën e Vushtrrisë, për bashkëfinancim të ndërtimit që Qendrës së Kulturës në Vushtrri.

Sipas këtij aneks memorandumi, për realizimin e këtij projekti, MKRS-ja do të investojë me mjete financiare prej 630 mijë euro ku 300 mijë do të ndahen për vitin 2018 dhe 330 mijë euro do të ndahen për vitin 2019.

Ndërkaq Komuna e Vushtrrisë do të investojë me mjete financiare prej 800 mijë euro, ku për vitet 2017 dhe 2018 ndahen nga 200 mijë euro, ndërsa për vitin 2019 investon shumën prej 400 mijë euro.

Ky aneks memorandum është nënshkruar në kuadër të Memorandum Bashkëpunimit të nënshkruar në janar të këtij viti me qëllim të mbështetjes financiare të projektit “Qendra e Kulturës në Vushtrri”.

Me këtë rast ministri Kujtim Gashi u shpreh i kënaqur për nënshkrimin e këtij memorandumi duke theksuar se përkrahja e ministrisë për realizimin e projekteve të këtilla në përmirësim të infrastrukturës kulturore në Kosovë nuk do të mungojë.

Në anën tjetër, kryetari i Vushtrrisë, Bajram Mulaku, falënderoi Ministrinë e Kulturës për përkrahjen e dhënë dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar edhe në të ardhmen. / KultPlus.com

Ndahet nga jeta regjisori Mihallaq Luarasi

Është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare regjisori Mihallaq Luarasi.

Mësohet se regjisori ka ndërruar jetë për shkaqe natyrore. Luarasi ka qënë një nga regjisorët më aktivë, rezistentë të teatrit dhe skenës; ai është referencë e një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e teatrit shqiptar, që lidhet me dënimin e tij në diktaturë, për shfaqjen e famshme “Njollat e Murrme”.

Për herë të fundit, dalja në publik e regjisorit ka qenë pikërisht për këtë dramë, kur për herë të parë është publikuar versioni në dorëshkrim, që e mbante me shpresë se do të mund ta realizonte në skenë sërish.

Mihallaq Luarasi lindi më 16 shtator të vitit 1929 në Korçë dhe është regjisor i njohur shqiptar. Shkollën e mesme e kreu në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ndërsa studimet e larta në Akademinë e Arteve të Teatrit dhe Filmit në Budapest të Hungarisë.

Në teatër për herë të parë si regjisor paraqitet me tragjedinë Shilerit “Intrigë dhe dashuri” në 1957 me shumë sukses në Teatrin Popullor, spektakël qe qëndroi në repertor shtatë vjet dhe u luajt më së 300 herë. / KultPlus.com

Dhe dashuria shpërtheu në këngë…

Poezi e shkruar nga Else Lasker-Schüler.

Mbrëmja puthte mistershëm
Landrën që çelej.
Ne luanim e ndërtonim tempujt Apollo
Dhe kalamendeshim të mallëngjyer
Mes njëri-tjetrit.
Dhe qielli i natës përhapte aromën e tij të zezë
Në valët e gufuara të ajrit të qullur.
Dhe shekujt gremiseshin
Dhe rrafshoheshin
Dhe rreshtoheshin serish madhërisht
Drejt intrigash vezulluese.
Ne luanim me fatin gazplotë,

Me frytet e parajsës së majit,
Dhe në arin e egërsuar të flokëve të tu të kërleshur
Këndova mallin tim të thellë
Britmë,
Ashtu si një zog i zi i pyjeve të errët.
Dhe qiej të rinj ranë përposh
Të papritura, aroma të ëmbla të egra;
Ne shqyem mbulojat
Dhe bërtitëm!
Të dalldisur nga mushti i erërave.
Unë lidhesha me jetën tënde,
Gjersa ajo zhbëhej e tëra,
Dhe pastaj sërish merrte trajtë
Dhe sërish zhbëhej pastaj.
Dhe dashuria shpërtheu në këngë,
Në dy simfoni të egra!

https://www.youtube.com/watch?v=0gQ31m4Yt0s

Parfumi me emrin ‘Ilir’ prezantohet në Dubai (FOTO)

Marka JH e Jola Hasimit, së fundmi ka nxjerr në treg edhe parfumin me emrin ‘Ilir’, shkruan KultPlus.

Përveç parfumit Jola Hasimi në Dubai Fashion Week, ka lansuar edhe çantat dhe rripat e lëkurës për meshkuj dhe femra, lajmin për të cilat e ka bërë publike për KultPlus.

Parfumi ‘Ilir’, Free the scent, është parfum vajor.

“Për këtë parfum kemi gati 1 vit e gjysmë që punojmë, vjen në shishe kristali të punuar tërësisht me dorë dhe të prerë në diamant, përmban 620 pika dhe kushton gati 2000€”, ka treguar tutje Jola për KultPlus.

Çdo produkt që u lansua të shtunën nga marka JH, përmban 2 certifikata.

“Një certifikatë autenticiteti të kodifikuar, dhe një dokument të firmosur me dore nga unë dhe im shoq Nertil Boraj që dëshmon datën e prodhimit, detajet e përdorura dhe inspirimin në emër apo historinë përkatëse dhe datën e blerjes njëkohësisht”, ka thënë ajo.

Emiratet Arabe i kanë dhënë besim dhe rëndësi absolute punës së tyre. Çdo produkt i lansuar këtë javë në UAE , në faqen e tyre online lansohen javën e parë të nëntorit./ KultPlus.com

Arkivë

Poezi e shkruar nga Agon Rexhepi.

Nëse e hallakat labirintin e mendjes tem
Ki me gjet divers t’ndjenjave e t’menimeve
Për jetën
Për ty
Për neve
Ki me gjet gjana rreth vetës tande
Nashta që edhe vet i ke harru
Ki me gjet
Detaje
T’cilat unë i admiroj
E i kom theksu n’memorien tem
Ki me gjet kujtime
N’fillim t’dashnis’ ton’
Kur jam tut me t’dasht
E me t’kallxu që t’du
Ki me gjet pjesë t’fjalive tua
E t’zanit tand
Që audiencën ma t’madhe e ka n’trunin tem
Se qaty jehon
Çdo moment
Je a s’je afër meje
E fansin ma t’madh zani yt
E ka veshin tem
Kur ti i pëshpërit
Fjal’ dashnije
Përjetsie
Ki me gjet edhe veten

Se veç për ty menon
Kjo mendje e humbun n’pafundsi

Pse u largua Fan Noli nga politika?

FAN NOLI
Më pyesni përse u hoqa nga politika. Çështje e gjatë po me fjalë të shkurtra shkaqet janë këto: mungesa e shokëve, pleqëria, varfëria dhe lodhja. U përpoqa ta ndreq situatën financiare me një fushate pajtimtarësh për Don Kishotin, por puna mori fund me një defiçit prej 800 dollarësh. Mi këtë e sipër u sëmura me dy dollarë në xhep dhe i mbytur në borxhe me të djathtë e me të mëngjër. Aherë i bëra thirrja vatanit për imdat. Më derguan 150 napolona. Bereqat vers. Siç ka thënë Voltaire, Perëndia e ndjeftë: “la fin est triste, la milieu ne vaut pas grande chose e commencement est ridicule!” Kjo qenka jeta e njeriut, edhe e jona ca më keq se e gjithë të tjerëve.

Publikohet traileri i filmit ‘Një muaj’ me regji nga Zgjim Terziqi (VIDEO)

Sapo është lansuar edhe traileri i filmit “Një muaj”.

‘Një Muaj’ është film i bazuar në ngjarje të vërtetë dhe flet për Anën, një 40 vjeçare e verbër, e pa martuar, e cila jeton sipas marrëveshjes së katër motrave të saj. Pakti i tyre përmban përkujdesjen e saj, secila me rend nga një muaj, shkruan KultPlus.

A month – Një Muaj Official Trailer from Zgjim Terziqi on Vimeo.

Në këtë film luajnë: Makfire Miftari, Luan Jaha, May-Linda Kosumovic, Shengyl Ismajli, Irena Cahani, Fatmir Spahiu, Rinesa Qeriqi, Era Balaj, Dardane Mehmeti, Zog Zeqiri Berisha, Blerina Krasniqi, Nata Zeqiri Berisha, Lis Spahiu.
Filmi është pranuar tanimë në konkurrencë zyrtare në Cairo International Film Festival.

Filmi është prodhim i shtëpisë filmike ‘Broken Branch Production’, i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe me mbështetje nga Swiss Cooperation Office Kosova dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Maqedonia përjashtohet nga pjesëmarrja në Eurovizionin e 2018-tës

Maqedonia është shtet që ka shumë borxhe ndaj Eurovizionit.

Pjesëmarrja e shtetit në Eurovizionin e vitit 2018-të, garës së madhe muzikore ku vijnë mbi 40-të shtete nga tërë kontinenti për të garuar mes vete, është vënë tanimë në pikëpyetje, shkruan KultPlus.

“Pasi Maqedonia nuk e ka paguar borxhin, MRT – televizioni publik, është bllokuar. nga pjesëmarrja në Eurovision Song Contest 2018” ka dalë sot me komunikatë EBU – Unioni i Transmetuesve Evropianë.

Megjithatë Maqedonisë do ti lejohet pjesëmarrja në Junior Eurovision, një Eurovizion për më të vegjlit.
Maqedonia në Eurovizion nuk ka pasur gjithmonë rezultate të mira. Deri sot, rezultati më i mirë është ai i vitit 2006-të, kur Elena Risteska është pozicionuar në vendin e 12-të me këngën “Ninanajna”. / KultPlus.com

Adelajda, gruaja shqiptare dhe trupat e vajzave në tavolinë

SIBEL HALIMI
Jo rastësisht trupat e vajzave tek emisioni “E diela” e Ardit Gjebresë janë shndërruar në tavolina. Në shoqëritë shqiptare, trupi i grave është tavolinë mbi të cilën ushqehen misogjenistët. E për mungesë të një vetëdije kritike, kjo shoqëri e cila gjithçka ka shndërruar në konsum, di vetëm të ekzaltohet nga një shfaqje e tillë, në të cilën gratë nëse nuk janë tavolina janë shërbyese të ushqimit në to. Përfshirja e patriarkalitetit në media, sot përbën pengesën më të madhe për ndryshim të këtij botëkuptimi. Sot vajzat dhe gratë i nënshtrohen një dhune sistematike nëpërmjet ofrimit të modelit seksist për atë se çfarë në të vërtet e përbën trupin e një vajze apo një gruaje. Naomi Wolf thotë se: “në aspektin e mënyrës se si ndihemi fizikisht për veten tonë, në të vërtetë mund të jemi më keq se gjyshet tona të pambrojtura”.
Primitivizmin shqiptar askush nuk e ilustron më shumë se sa personazhi i gazetares Adelajda. Ajo tregon se në vendet si Shqipëria e Kosova, një grua e ka të vështirë ta realizojë ëndrrën, të funksionojë jashtë kontrollit të dikujt, cilido qoftë ai dhe në të gjitha dimensionet e shoqërisë.
Sot, Adelajda na kujton se për të ikur nga një vend si Kavaja në ndjekje të pasionit, sakrifica mund të transformohet në fat fatal. Personazhet si ajo, na kujtojnë se në shoqëritë shqiptare duhesh të shndërrohesh në tavolinë, po që se bënë përpjekje ta projektosh veten jashtë kornizës patriarkale. Për më tepër, shuarja e saj fuqizon idenë për ikjen e grave nga çfarëdo tavoline.
“Në qoftëse një ditë zgjohesh dhe nuk e sheh diellin, ose dielli je ti vetë ose ke vdekur…”, shkruan Jim Morrison.

Videoja e re e Gjikos, ide e vjedhur nga P. Diddy (VIDEO)

Videoja e këngës më të re të reperit Gjiko, “Papuqe Gucci” është një kopje e pastërt e një videos së këngës së njohur “Bad Boy for Life” të reperit P. Diddy, e cila është realizuar në vitin 2001.

Insajderi ka gjetur se e gjithë storja në videoklipin e Gjikos është e bazuar në storjen e videoklipit të reperit amerikan.

Një shtëpi superluksoze në të cilën banon reperi po bëhen vazhdimisht party. Njejtë është edhe në videoklipin e Gjikos.

Detajet e tjera që janë komplet të kopjuara janë në gjithë videoklipin. Një komshi i cili është kureshtar se çfarë po ndodhë në shtëpinë e P.Diddy është edhe tek videoja e këngës së Gjikos.

Detajet e tjera që janë komplet të kopjuara janë në gjithë videoklipin.

Një tjetër komshi të cilit i pengon party është tek videoja e P.Diddy. Njëjtë është edhe tek Gjiko., veçse tek videoja e P.Diddy këtë rol e luan aktori i njohur botëror Ben Stiller e tek Gjiko aktori i njohur shqiptar, Vedat Bajrami me rolin e tij të stërpërdorur “Sahit Plisi”. / KultPlus.com

Çanta me emrin e mbretëreshës “Teutë”, që kushton 16 mijë euro (FOTO)

Marka JH nga vajza shqiptare Jola Hasimi, prezantoni të shtunën në Dubai koleksionin e parë të çantave e dhe rripave të luksit. Ndër koleksionet e çantave është edhe ajo që bartë emrin e mbretëreshës ilire Teuta.

Për këtë gjë foli vetë artistja Jola Hasimi, e cila poashtu ndau edhe fotografi ekskluzive nga Dubai Fashion Week, për KultPlus.

“Nuk mund të mungoj tributi jonë ndaj Shqipërisë i reflektuar më së miri tek koleksioni i çantave”, ka treguar Jola Hasimi për KultPlus.

Çantat që u prezantuan janë 2 lloje, ato me lëkurë krokodili dhe ato me lëkurë struci. Çanta me lëkurë krokodili gjendet në 12 ngjyra, lloji i krokodilit quhet Niloticus ose corcodili i Nilit dhe është 100 % i prerë, lyer dhe qepur me dorë. Kjo çantë quhet ‘Teuta’, tribut mbretëreshës ilire dhe kushton 16.000€.

Çanta strucit gjendet gjithashtu e disponueshme në 10 ngjyra sërish 100% puna e realizuar me dorë. Çanta quhet Aairah, tribut Emirateve Arabe, sepse sipas Joles, Aairah është emri i parë arab për femra dhe do të thotë: e para dhe më e respektuara. Çanta Aairah kushton diku 7.500€./ KultPlus.com

Pesë filma të Kosovës po synojnë Berlinalen

Katër filma të metrazhit të gjatë dhe një dokumentar do të prezantohen para selektorëve të Berlinales, filma këta të mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, shkruan KultPlus.

Arben Zharku, drejtor i QKK-së ka thënë për KultPlus se filmat do të prezantohen para selektorëve në mes datave 15-17 nëntor në Shkup.

“Jemi shumë të lumtur që kemi kaq numër të madh të filmave të metrazhit të gjatë dhe me kualitet të lartë dhe poashtu me produksion të cilësisë së lartë, të cilët janë të gatshëm të fillojnë rrugëtimin nëpër festivale ndërkombëtare”, ka thënë Zharku për këto projekte filmike.

Zharku ka njoftuar se filmat artistik të metrazhit të gjatë që po synojnë Berlinalen janë: “Fusha e Mëllenjave” nga Arzana Kraja, “Njeriu i Dosjeve” mga Ismet Sijarina, “Një tregim Prishtine”, nga Burbuqe Berisha dhe “Qiej të trazuar” nga Anton Ndreca. Kurse dokumentari që do të prezantohet poashtu para selektorëve është “Me dasht’, me dasht’, me dasht’ nga Ilir Hasanaj. /KultPlus.com

Stina Shala, fituese e Prishtina Kids Fest 2017

Edicioni i tetë i Festivalit për Fëmijë “Prishtina Kids Fest 2017”, ka nxjerrë fituese të edicionit këngëtaren Stina Shala, të cilës edhe i është ndarë çmimi “Grand Prix”, shkruan KultPlus.

Kurse në këtë edicion të këtij festivali që organizohet nga Drita Rudi, janë ndarë edhe çmimet në dy kategori. Në kategorinë e parë, me çmime janë shpërblyer: Erza Hasolli, çmimi i parë, Ana Kodra, çmimi i dytë dhe Aglea Kaneva me çmimin e tretë.

Kurse në kategorinë e dytë, me çmimin e parë është shpërblyer Elit Hoti, me të dytin Arselinda Sheqeri, kurse me çmimin e tretë Erika Shllaku. Në këtë edicion është ndarë edhe çmimi i debutantes më të suksesshme, çmim që ka shkuar për Anea Sylejmanin, kurse ai i publikut është ndarë për Kada Elshanin./KultPlus.com

‘Nuk betohem dot’ në kujtim të Adelajdës (VIDEO)

Gazetarja Adelajda Xhamani, u nda nga jeta ditën e diel të 29 tetorit nga një atak kardiak.

Adelajda apo Adela, siç e thërrisnin të gjithë u bë pjesë e edicionit të dytë të Big Brother Albania, aty ku nisi të ndryshohej rrënjësisht jeta e saj.

Në BB 2, Adela krijoi një lidhje dashurie me njërin ndër konkurrentët, Bjordin.

Adela dhe Bjordi, pasi që, përfunduan garën në BB Albania 2, bënë një këngë me të cilën morën pjesë në Kënga Magjike në vitin 2010-të. ‘Nuk betohem dot’, ishte një këngë mjaft e pëlqyer nga audienca shqiptare dhe ende vazhdon të dëgjohet.

KultPlus, po e sjellë sot këtë këngë duke e kujtuar Adelajdën, e cila ndërroi jetë dje në moshën 31 vjeçare dhe la në gjysmë ëndrrën e saj.

Ajo mbante aktualisht postin e kryeredaktores në një revistë, ndërsa ishte shpesh e ftuar në studiot televizive për të folur rreth botës së showbizit. Ndërsa ‘Shtëpia e Adelajdës’ ishte emisioni i saj i cili pritej të fillonte më 15 nëntor./ KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?v=iUy8kqsF3nI

Dua Lipa në të kuqe në “The Kiss House Party” (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare Dua Lipa ka performuar në koncertin “The Kiss House Part”, që është mbajtur në Londër, shkruan KultPlus.

Dua Lipa ka mrekulluar audiencën me performancën e saj live, kurse sa i përket paraqitjes së jashtme, ajo është dukur e veshur me të kuqe dhe me balluke, dukje kjo jo e shpeshtë e këngëtares Dua Lipa./KultPlus.com

Anës lumenjve

Poezi e shkruar nga Fan Noli.

Arratisur, syrgjynosur,
rraskapitur dhe katosur
po vajtonj pa funt, pa shpresë,
anës elbë-s, anës spree-së.
ku e lam’ e ku na mbeti,
vaj-vatani e mjer mileti,
anës detit i palarë,
anës dritës i paparë,
pranë sofrës i pangrënë,
pranë dijes i panxënë,
lakuriq dhe i dregosur,
trup e shpirt i sakatosur.

se ç’e shempnë derbederët,
mercenarët dhe bejlerët,
se ç’e shtypnë jabanxhinjtë,
se ç’e shtrythnë fajdexhinjtë,
se ç’e pren’ e se ç’e vranë,
Ç’e shkretuan anembanë,
nënë thundrën e përdhunës
anës vjosës, anës bunës.

Çirem, digjem i vrerosur,
sakatosur, çarmatosur,
as i gjall’, as i varrosur,
pres një shenj’ e pres një dritë,
pres me vjet’ e pres me ditë,
se ç’u tera, se ç’u mpaka,
se ç’u çora, se ç’u mplaka,
lark prej vatrës dhe prej punës,
anës rinit, anës tunës.
Çakërdisur, batërdisur,
përpëlitur dhe zalisur,
ËndËronj pa funt, pa shpresë,
anës elbë-s, anës spree-së.

dhe një zë vengon nga lumi,
më buçet, më zgjon nga gjumi,
se mileti po gatitet,
se tirani lebetitet,
se pëlcet, kërcet furtuna,
fryhet vjosa, derdhet buna,
skuqet semani dhe drini,
dridhet beu dhe zengjini,
se pas vdekjes ndriti jeta
dhe kudo gjëmon trumbeta.
ngrehuni dhe bjeruni,
korini dhe shtypini,
katundar’ e punëtorë,
që nga shkodra gjer në vlorë!

ky ilaç e ky kushtrim
më bën djal’ e më bën trim,
më jep forc’ e më jep shpresë,
anës elbë-s, anës spree-së.
se pas dimrit vjen një verë,
që do kthehemi njëherë,
pranë vatrës, pranë punës,
anës vjosës, anës bunës.

arratisur, syrgjynosur,
raskapitur e katosur,
brohoras me bes’ e shpresë,
anës elbë-s, anës spree-së.

Edi Rama: Nuk e financojmë Akademinë e Shkencave, një nëndetëse që kalbet në rërë

Kryeministri Edi Rama edhe njëherë ka sulmuar ashpër Akademinë e Shkencave duke e cilësuar si një nëndetëse që kalbet në rërë, ndërsa tha se qeveria nuk do ta financojë atë. “Ne nuk do të financojmë ASH, do të duhet të hyjë në një proces reforme që nuk mund të diktohet nga shteti” tha zoti Rama gjatë takimit të grupit parlamentar dhe qeverisë, shkruan atsh.

“Nuk kemi disponibilitetin që të mbështesim një nëndetëse që kalbet mbi rërë dhe nuk jep asgjë për vendin prej shumë vitesh” tha zoti Rama. Si dhe më parë kryeministri socialist tha se “…paratë e shpenzuara kot për rrogat dhe shpenzimet e pajustifikuara do të shkojnë për kërkimin shkencor në Universitet”.

Qëndrimi i zotit Rama ndaj akademisë është bërë publik pak kohë më parë në prag të zgjedhjeve të organeve drejtuese të saj. “Nëse nuk reformohet Akademia e Shkencave nuk do marrë më asnjë qindarkë nga buxheti e do të duhet të dorëzojë godinën! Prandaj #StopFarsës” u shpreh zoti Rama në prag të zgjedhjeve. Ndërsa menjëherë pas zgjedhjeve i pakënaqur nga mënyra e zgjedhjes zoti Rama shkruajti: “Meqë “Akademia” zgjodhi farsën, uroj të gjejnë dhe fondet për vijimin e farsës!Fondet tona do t’i shkojnë universitetit për kërkim shkencor!”/KultPlus.com

Arlinda Baftiu, fituese e edicionit të 35-të në “Takimet e Poeteshave Shqiptare”

Në edicionin e 35-të të poezisë “Takimet e Poeteshave Shqiptare”, ka dalë fituese poetja nga Shkupi, Arlinda Baftiu, shkruan KultPlus.

Sipas organizatorëve, këtë vit ishte një interesim i jashtëzakonshëm për pjesëmarrje, ku konkurruan 163 poete nga qytete të ndryshme si: Tirana, Durrësi, Shkupi, Shkodra, Tetova, Korça, Vlora, Malësia e Madhe, Ulqini, Presheva e shumë qytete nga Kosova e nga diaspora, dhe sipas rregullave të festivalit u përzgjodhën vetëm 21 poezi për t’u lexuar në festival.

Juria e Festivalit në përbërje nga Ibrahim Kadriu, kryetar i jurisë, Flora Brovina dhe Mentor Mani, përpos çmimit të parë që ka ndarë për Arlinda Baftiun, kjo juri ka ndarë çmimin e dytë për Ejonë Hasanin dhe atë të tretë për Rifidje Plaoja./KultPlus.com

Vendi më dinamik në tokë sipas CNN (FOTO)

India, mbase është vendi me më së shumti shumëllojshmëri të ngjyrave dhe me më së shumti gjallëri në tokë.

Kështu shkruan CNN, i cili ka përgatitur një artikull për bukuritë e Indisë, duke shkruar se është vendi me peizazhet më të bukura në botë, dhe madje është vendi që tërheqë më së shumti turistë çdo vit, transmeton Koha.net.

“Liqene mahnitëse dhe fusha të pafundme e kodrina drejt Himalajeve të mbuluara me borë. Shtëpia e festivaleve të shumta, vend romantik e shumë dinamik”, shkruan CNN.

Më poshtë, gjeni një listë të fotografive me pamje spektakolare në Indi./ KultPlus.com