Bebe Rexha bashkon në darkë gratë e industrisë muzikore

Gratë që janë pjesë e industrisë së muzikës, më shumë se kurrë janë duke u bashkuar për të përkrahur njëra-tjetrën.

Një gjë të tillë ka bërë edhe Bebe Rexha e cila ka organizuar një darkë, për të bashkuar gratë të cilat janë pjesë e industrisë muzikore, me një qëllim të vetëm, përkrahjen e tyre, shkruan KultPlus.

Women in Harmony 💗

A post shared by Bebe Rexha (@beberexha) on

“Le të shkruajmë hite muzikore së bashku dhe të pasurohemi. Mbrëmë kam qenë nikoqire e darkës “Women In Harmony” ku nderuam tekstshkrueset, producentet dhe artistet që janë në industrinë e muzikës. Faleminderit të gjithë juve që ishit dhe na munguan shumë ato që nuk ishin”, ka shkruar ndër të tjerash shqiptarja Bebe në llogarinë personale në Instagram.

Mes të pranishmëve ishte edhe Avril Lavigne e Charli XCX, që kanë përkrahur këtë iniciativë të shqiptares. / KultPlus.com

Destan dhe Barbara Gashi vijnë me ekspozitën e përbashkët ‘Mermer dhe ngjyra’

Skulptori Destan Gashi dhe piktorja Barbara Gashi do të hapin ekspozitën e radhës, me punime në skulpturë dhe në pikturë.

Për një muaj rresht, në Galerinë e Forumit Rathaus në Knittelfeld të Austrisë, do të prezantohen piktura me ngjyra të ndritshme nga Barbara Gashi dhe skulptura origjinale të punuara nga mjeshtri i madh i skulpturës, Destan Gashi.

Zemrën e ekspozitës e përbën vepra “Puthje” e punuar prej mermerit të qytetit Sölk në Steiermark të Austrisë. Format sensuale, rrumbullake dhe të prekshme e ftojnë adhuruesin e artit që t’i prekë veprat e Destan Gashit, të cilat janë kthyer në vepra arti origjinal pas gëdhendjes, formimit, lëmimit dhe ilustrimit me një punë të palodhshme tash e sa muaj, shkruajnë mediat austriake, përcjell “albinfo.ch”.

Skulpturat tjera, duke respektuar tërësisht traditën e skulptorit, janë skulptura nudo prej mermerit të Carraras. Disa vepra po ashtu të punuara në mermer, e kanë prejardhjen nga një gurore e vogël e Republikës së Kosovës, atdheut të skulptorit shqiptar.

Çifti i njohur Destani kanë thënë se janë të lumtur që përsëri u jepet mundësia të hapin një ekspozite në Steinmark, ku të dy tashmë janë të njohur për shumë dashamirës të artit dhe koleksionistë privatë, njofton “albinfo.ch”.

Destan Gashi është i lindur në Kosovë dhe ka diplomuar në shkollën e artit “Odhise Paskali”. Më pas ai ka studiuar për pikturë dhe skulpturë në Akademinë e Arteve në Bruksel.

Bashkëshortja e tij, Barabara Gashi jeton dhe punon prej vitit 1987 si artiste e pavarur sërish në Vjenë. Artistja austriake, ashtu sikur bashkëshorti i saj, Destani, ka studiuar për pikturë në Akademinë e Arteve të Bukura në Bruksel. Gjithashtu, edhe ajo ka ekspozuar veprat e saj brenda dhe jashtë shtetit. / KultPlus.com

Shitet për 1600 euro baneri me Atifete Jahjagën

Është shitur për 1600 euro banneri me personazh Atifete Jahjagën.

Sonte në kryeqytet, pas disa minutash në ankand është shitur për këtë shumë baneri ku shihet ish Presidentja e vendit. Banneri qëndronte prej kohësh te MIQT PUB në Prishtinë.

Këto para është thënë se do të shkojnë për shërimin e regjisorit Bekim Lumi, i cili tash e dy vite vuan nga kanceri.

Shërbimet mjekësore në Gjermani kanë marrë përmasa të papërballueshme. Praktikisht, shpenzimet e këtij trajtimi mjekësor individualisht nga Bekimi dhe familja e tij janë të papërballueshme.

Po vazhdojnë edhe të tjera iniciativa për tu mbledhur shuma të mëdha parash për të ndihmuar regjisorin në fjalë. / KultPlus.com

Me mesazh në operatorin Vala mund të ndihmohet shërimi i regjisorit Bekim Lumi

Ndihma për shërimin e regjisorit Bekim Lumi po vazhdon sot me anë të një mënyre tjetër.

Me anë të operatorit VALA, duke dërguar SMS do të ndihmohet në trajtimin e kushtueshëm të regjisorit.

Përpos fondeve online, me anë të dërgimit të një SMS në 55103, me tekstin: BEKIM, për shërimin e regjisorit shkojnë automatikisht 1 euro.

Një grup artistësh është mobilizuar që ta ndihmojë Bekimin në këtë sfidë jetësore, dhe kjo përpjekje sot është konkretizuar edhe me bashkëpunimin me operatorin telefonik VALA. / KultPlus.com

Këtu t’gjithë kem ba mëkat

Poezi e shkruar nga Donart Rexhbogaj.

Se nuk mundem me të shkrue, pa t’pas pranë,
Pa t’shikjue të thellët sy
Pa e ndje aromën tande.
Kjo s’asht veq nji poezi
Asht dashnia me emocion qi m’vlon n’shpirt..
Se çdo fjalë për ty e humb hijeshinë,
O hyjneshë e gjithësisê
Qe zbrite n’tokë me fal dashni’

Po si s’të perëndoi nji herë ajo bukuri
O emën i larë n’ar
O lum përzie me mjaltë
Gurë qi shkëlqen n’ranë

Kjo s’asht veq nji poezi
Se s’di me shkrue për ty
Se ç’do fjalë humb hijeshinë

Se ftyra jote t’pastë nji rrudhë
Ma zgjatë jetën n’amshim
Nëse balli t’ka nji vijë
Trishtimin e hedhë n’erë
Ti se di se nji rrudhë e jotja
Asht dashnia eme për ty..

Se loti yt asht i randê
Kanë thanë shumë para meje..
Mos ma thuj dy herë ketë fjalë
Këtu gjithë kem ba mëkat…

Vjen në shqip libri kontrovers mbi Donald Trump

“Zjarr dhe Tërbim” libri që ka përfshirë në debate Shtëpinë e Bardhë, mbi presidentin amerikan Donald Trump tashmë mund të lexohet edhe në gjuhën shqipe. Bota shqiptare, ka publikuar librin nën përkthimin e Alfred Cakos dhe Nikolla Langore.

Libri përmban prapaskena të bujshme, sekrete familjare dhe “të dhëna konfidenciale për Trampin. Libri, i dalë në SHBA më 5 janar dhe i shitur fillimisht në 150.000 kopje, ka arritur tashmë 2 milion kopje të ezauruara fizike – me lexuesit që mbajnë radhë gjatë natës përpara librarive si në kohën e Harry Potter-it – përveç qindra mijëra kopjeve në versionin e-book dhe audio.

Në Angli, brenda pak ditësh, madje edhe para ardhjes në librari më 10 janar, u shitën 400,000 kopje dhe tashmë më shumë se 35 vende kanë marrë të drejtën për ta botuar. Në Francë, libri, siç njoftohet nga gazeta “Le Figaro”, do të dalë më 22 shkurt nga botimet Laffont.
“Gënjeshtra? “Gjithçka është e vërtetë,” siguron autori Michael Wolff, i cili fillimisht e ideoi librin si një vlerësim të 100 ditëve të para në Shtëpinë e Bardhë me synimin për ta botuar në vitin e parë të presidencës Trump por, më pas, krejtësisht papritur, pati qasje te Presidenti dhe te anëtarët më të lartë të stafit të tij, përfshirë Stiv Benon, gjatë 18 muajve (intervista e parë u zhvillua në maj 2016), duke u bërë një “depërtues i vazhdueshëm” në Shtëpinë e Bardhë.

Wolff vëzhgon nga një perspektivë e veçantë kaosin e Zyrës Ovale dhe nxjerr nga duart një libër shpërthyes, të pasur me prapaskena të padëgjuara. A mendonte vërtet Trampi se do të fitonte? E donte vërtet këtë? Cilat janë qëllimet e “Xhervankës”, krijesa dykokëshe e përbërë nga e bija, Ivanka, dhe dhëndri Xherid Kushner? Pse u shkarkua shefi i FBI-së Xhejms Komi dhe, pas tij, shefi i stafit Rins Pribus?

• Pse u shkakrua Stiv Benoni, strategu (dhe shpirti i zi) që i dha fitoren Trampit? Kush është ‘zëri’ që tregon për takimet mes stafit të Trampit dhe rusëve?Pse është e kotë t’i ofrosh Trampit relacione, analiza dhe çfarëdolloj teksti të shkruar? Kush e drejton vërtet Shtëpinë e Bardhë?.

“Zjarr dhe Tërbim” është libri që Trampi u përpoq më kot ta bllokonte, një fenomen botëror që tregon historinë pasionante të një mandati të paparashikueshëm dhe të vrullshëm si vetë presidenti. / KultPlus.com

Vjollca Aliu dekorohet me titullin ‘Kalorëse e Urdhrit Kombëtar të Meritës’

Alberina Haxhijaj

Lindur në Prizren, vendi i njohur në Kosovë për trashëgiminë që posedon, Vjollca Aliu, një dekadë të jetës së saj ia ka dhuruar ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë së Kosovës. Puna e saj në kuadër të institucioneve por edhe si individ, është çmuar sidomos sonte ku ajo e pranoi titullin “Kalorëse e Urdhrit Kombëtar të Meritës”, çmimi ky i cili për herë të parë i ndahet dikujt për kontribut në fushën e trashëgimisë .

Rrethuar nga miqtë në një ambient mjaft të ngrohtë, Drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Vjollca Aliu, pranoi distinktivin e Kalorësit të Urdhrit Kombëtar të Meritës nga Ambasadori i Francës në Kosovës, Didier Chabert, shkruan KultPlus.

Ambasadori i Francës në Kosovës, Didier Chabert, u shpreh se trashëgimia është ajo e cila na mundëson të farkojmë një lloj identiteti për të vazhduar më tej dhe është një element i rëndësishëm për zhvillimin e një shteti.

“Kjo medalje është për ju Vjollca, pasi që ju e keni merituar atë, dhe kjo medalje përmes juve i shpërblen të gjithë njerëzit në Kosovë që luftojnë për ta ruajtur trashëgiminë kulturore, trashëgimi kjo e cila në Kosovë është mjaftë e ndjeshme dhe kërkon që të mbrohet dhe të mbështetet”, u shpreh Ambasadori Chabert.

Vjollca Aliu, e cila u dekorua më këtë titull, ishte mjaft e emocionuar. Ajo madje la pashqiptuar edhe fjalimin e saj, për shkak të emocioneve, mirëpo arriti të falënderonte të gjithë të cilët e kanë ndihmuar në rrugëtimin e saj.
“Faleminderit shumë për vlerësimin ndaj angazhimit tim. Ky dekorim aq sa më bën krenare edhe më inkurajon për punë të mëtutjeshme, edhe më shumë më obligon ti shërbej vendit”, u shpreh ajo duke shtuar se shpreson që të ketë edhe më shumë dekorime të tilla në fushën e kulturës.

Vjollca Aliu ushtron funksionet e saj në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për 15 vjet. Ajo ka kontribuar në zhvillimin e bashkëpunimit midis Francës dhe Kosovës në fushën e trashëgimisë dhe arkeologjisë. Në veçanti, ajo luajti një rol kyç në suksesin në vitin 2015 të ekspozitës “Hyjnitë e Ballkanit”, shtatë figurina dhe një vazo nga koha e Vinçës në Muzeun Kombëtar të Arkeologjisë të Saint Germain en Laye (Francë).

Ajo po ashtu ka inkurajuar kontaktet dhe shkëmbimet midis arkeologëve kosovarë dhe francezë, duke i mundësuar Kosovës që të mirëpresë profesionistët më të lartë që punojnë në zona arkeologjike me rëndësi të madhe në nivel rajonal. Aliu gjithashtu ka kontribuar shumë në nënshkrimin e protokollit të bashkëpunimit shkencor në lidhje me misionin arkeologjik francez dhe kosovar. / KultPlus.com

“Ali Podrimja të shpallet poet malazez, se veç malazezët mund të duan të mos ndajnë tokë”


Arbër Zaimi

Arbër Zaimi në rrjetin e tij social Facebook ka zgjedhur një paralele në mes të shkrimtarit Ali Podrimja dhe situatë politike aktuale në Kosovë.

Po e sjellim këtu reagimin e Arbrit, një aktivist politik por edhe një djalë i njohur për shkrimet e tij letrare.

– – – –

PDK, LDK, Nisma dhe AAK themelojnë komision parlamentar për problemin “Podrimja”.

Ky komision duhet të shqyrtojë punën e vjershës problematike antiqeveritare të poetit të vdekur Ali Podrimes:

“Tokë me nda nuk kam
Hasmi në pidh t’samës
Me vdekë duhet mësue
Qençe nuk jetohet më.”

Komisioni duhet të punojë në tre drejtime.

A) Të shkruajë një vjershë të re, dhe të heqë nga librat vjershën e vjetër antiqeveritare. Vjersha e re duhet të jetë kështu:

“Tokë edhe ashtu nuk kam
Nanën e çoj vetë te hasmi
Me mbijetue mjafton injoranca
Qençe dua me ikë prej këtu”

Por edhe kjo vjershë e re duhet përdorur vetëm përkohësisht, sepse në plan afatgjatë, pas dy-tri mandatesh qeverisje e PDK me ndihmën e LDK, AAK dhe Nisma, vjershat që do të mësohen nga fëmijët në shkolla do të kenë rimë dhe simetri perfekte, do të jenë postmoderne në frymën e kohës dhe do të jenë kështu:

“Ham hum ham hum
Hum ham hum ham
Ham hum ham hum
Hum ham hum ham”

B) Të sigurohet që gjeneratat e reja të kenë shkolla të shkatërruara, sidomos në aspektin e historisë dhe letërsisë kombëtare, se ashtu harrohet e përbashkëta, dhe mundësohen më lehtë përparimet e proceseve.

C) Ali Podrimja të shpallet poet malazez, se veç malazezët mund të duan të mos ndajnë tokë.

Nâna ajo ngét ajo nuk flet

Poezi nga Halil Matoshi

Nanë po narth më mbulo, nanë më trego një prrallë më shumë xhezdisje e flori,
m’i jep yjet ose sëpaku hanën nanë,
bamu urë të kaloj mbi re ta zë ylberin,

Dua të ha, jam untë, kam etje,
nanë qitma do ujë, nanë më lajë,
më përkund më fort, thirrma gjumin,
më dëfto një ëndërr të bukur, nanë
kam frikë më merr në gji,

më thurr një triko të re nga leshi, ama bëje të butë pambuk,
një pale qorape dorza një kapuq, ose shthur këtë triko të vjetër ma bëjë një të re,
ma ndaj gjinin boll kam pi, më vish nanë me gunë e babës,
më rrit më shpejt më bëj njeri,

nanë mos shko të dajtë ose merr’m edhe mua, pantollonat mi laj, kepucët mi lustro të shohë me qartë udhët,
nanë mos flej rrëfe, ose sëpaku zbardhma natën, dritë dua më shum në dritare,
hiqe atë perde të mallkuar nanë,

kam vapë, më flihet, ma errso ditën, zjarrin ndizma, mi hiq ethet nane…

Mos qaj nëse nuk kthehem ose më mirë të them mos u merzit se…kthehem shpejt…

Shko atje ama atë, eja këtu bëje këtë,
kështu jo ashtu, andej jo këndej,
kurrë su lodh as fjeti kurrë as s’u hidhëru në mua.

Një ditë buzë dritareve të një treni
afër një dritarje që e donte dikur e tashti iu dok e neveritshme sepse më nuk sillte ajër të delirë dhe freski, ajo fjeti oj…

nanë, oj nanë, nanë oj, e thirra deri në qiell, thirrja mu kthye sërish prapsht pasi nuk i përkiste më askujt
dhe e di tërë jetën do më mbes si ofshame oh nanë, e lotova e qava e dënesa, nuk më dëgjoi…
ishte lodh nana nga kërkesat e shumta e monotone që i shtron rritja e një fëmije…

Unë vrapoja nëpër trenin e çmendur,
tentoja ta frenoj sall një çast t’ia hapë
atë dritare të mallkuar që të ngopet frymë nana,

e urrej sëtepërmi atë dritare që s’i pruri boll ajër te delirë,
nana nuk fle, ajo me një fustan të bardh fluturoj nalt…
Nana, e lumja!

Një tjetër sukses për këngën e Ermal Metës dhe Fabrizio Moros

Ermal Meta dhe Fabrizio Moro e kanë nisur mbarë këtë vit.

Dyshja, pos që do të përfaqësojnë Italinë në Eurovizion, tanimë kanë shitur 25 mijë kopje të këngës së tyre.

Kësisoj kënga ka marrë menjëherë “Diskun e Artë” dhe është Gold në Itali, ndërsa është përfshirë në albumet e ndara të të dy artistëve.

Vetë shqiptari Ermal Meta ka treguar se këngë në fjalë është transmetuar në rreth 20 shtete të botës, përfshirë Turqinë, Kroacinë, Maqedoninë, Poloninë, Anglinë e Kolumbinë.

Kënga do të ngjitet në skenën e madhe të Eurovizionit me datë 12 maj, në Lisbonë.

“Non Abbiamo Armi” është albumi më i ri nga Ermal Meta i cili momentalisht në Itali, në iTunes radhitet në vendin e gjashtë, derisa në vendin e parë është albumi i tërë këngëve pjesëmarrëse këtë vit në Sanremo. / KultPlus.com

Prishtina dhe prefekti i parë i saj, Hysen Prishtina

Gjatë kohës së pushtimit italian, midis viteve 1941- 1944, Prefekturën e Prishtinës e drejtoi Hysen Prishtina.

Ai u lind më 16 mars të vitit 1916 në Prishtinë. Në vitet e tridhjeta të shekullit të kaluar mbaroi studimet në Fakultetin e Agronomisë në Universitetin e Romës. Në kohën kur u emërua kryebashkiak i qytetit ishte 25 vjeç.
Hysen Prishtina ishte djali i fisnikut prishtinas, Xhemajl Beg Prishtina. Pak dihet që bashkëshortja e tij, Zonja e parë e qytetit, të cilën shqiptarët e njihnin me emrin Drita, në të vërtetë ishte italiane dhe quhej Stella Velle.

Me bashkëshorten e ardhshme Hyseni u njoh në Itali, derisa studionte për agronomi në Romë. Aty më vonë vuri kurorë me Stella-n në dhjetor të vitit 1941. Më pas u zhvendosën në Prishtinë ku u ai u emërua drejtues i qytetit. Stella Velle-Prishtina u lind në vitin 1910 në qytetin Avellino të Italisë. Me profesion ishte mësuese.

Në kohën kur Hysen Prishtina qeveriste me Prishtinën, u hap Liceu Sami Frashëri. U hap edhe një shkollë për hekurudhë dhe një fabrikë për prodhimin e sixhadeve. Prefekti punoi që Prishtinës orientale, t’i jepte pamje oksidentale. Po këtë vit Hysen Prishtina lëshoi dekret, përmes së cilit kërkoi që institucionet shtetërore dhe secili dyqan në Prishtinë të vendoste flamurin kombëtar me rastin e 28 Nëntorit. Në këtë kohë trazirash, veç angazhimit të mrekullueshëm si prefekt, Hysen Prishtina i mori në mbrojtje të administratës së tij të gjitha familjet hebreje që jetonin në Prishtinë.

Në nëntor të vitit 1944, brenda katër ditëve Prishtina përjetoi Natën e Bartolomeut. Komunistët masakruan rreth 400 qytetarë me origjinë nga familjet fisnike, të cilat edhe gjatë Perandorisë Osmane kishin bërë shumë për vendin.
Pas fitores së kampit komunist, Hysen Prishtina migroi së pari në Itali, pastaj në Turqi e Belgjikë. Vitet e fundit të jetës së tij i kaloi në Toronto të Kanadasë. Ndërroi jetë në moshën 75 vjeçare më 14 qershor të vitit 1991”
Hyseni dhe Stella lanë mbas vetes tre djem e një vajzë dhe që të gjithë janë gjallë. Djali i madh Fatosi ka katër djem: Agimin, Ilirin, Afrimin dhe Arianin. Djali i dytë Bashkimi ka djalin Adamin, ndërsa djali i vogël Fisniku ka djalin Luanin dhe vajzat Lirijen dhe Adean. Vajza e vetme Farija ka djalin Besimin dhe vajzën Lulen. Pasardhësit e Hysen Prishtinës me sakrificë të madhe krijuan biznese të suksesshme. Ata gëzojnë autoritet të madh në Turqi dhe Kanada.

Zonja e Parë e Prishtinës, Stella Velle jetoi plot 94 vjeç. Ndërroi jetë më 11 maj të vitit 2004 në Toronto. U varros afër bashkëshortit të saj Hysenit, i cili vdiq më 14 qershor të vitit 1991.

Bajram Mjeku

Shkrimtari Fatos Kongoli është në gjendje të rëndë shëndetësore

Shkrimtari i njohur Fatos Kongoli është në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai ndodhet i shtrirë prej ditësh në spital, duke luftuar me vdekjen.

Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur Fatmir Toçi, i cili thotë se shkrimtari ka bërë deri më tani dy ndërhyrje kirurgjikale.

Ndërhyrjet kirurgjikale i janë bërë në aparatin tretës në deuden dhe është i klasifikuar më diagnozën “Ca – rerum”

Megjithatë, gjendja e tij shëndetësore është ende e rëndë, ndërsa mësohet se ai ka nevojë për dhurim gjaku.

Postimi i plotë

“FATOS KONGOLI ËSHTË I SËMURË…

Fatos Kongoli, ndër shkrimtarët më të dashur dhe më përfaqësuesi i periudhës 30 – vjeçare së tranzicionit shqiptar ndodhet prej kohësh në spital në gjendje të rëndë.

Në dy muajt e fundit i janë bërë dy ndërhyrje kirurgjikale në aparatin tretës në deuden dhe është i klasifikuar më diagnozën “Ca – rerum”. Falënderojmë mjekët dhe personelin e repartit të Kirurgjisë në QSUT për kujdesin e përkushtimin, në mënyrë të veçantë prof. dr. Edmond Çeliku.

Fatos Kongoli ndodhet në peiudhën postoperatore në QSUT “Nënë Tereza” dhe ka nevojë për dhurim gjaku…

Fatos Kongoli na ka dhuruar ne dhe letërsisë shqipe 15 vepra letrare të çmuara, të ribotuara disa herë e të përkthyera në shumë gjuhë të botës, duke e bërë Shqipërinë edhe më të njohur e më të vlerësuar në mbarë botën kulturore.
Me qindra e mijëra janë lexuesit dhe ithtarët e tij që kanë gjetur te vepra e Kongolit realitetin e kohës, qetësinë e munguar dhe dashurinë për njeriun.

Kongoli na ka dhënë shumë dashuri në kohë të vështira, sot ka nevojë për mbështetjen tonë dhe, ndoshta, për një vëmendje më të madhe për një trajtim më të specializuar nga drejtuesit e institucioneve shtetërore.”

( Fatos Kongoli lindi më 12 janar 1944 në Elbasan, është shkrimtar dhe matematikan shqiptar. Kongoli ka studiuar për matematikë, pjesërisht në Pekin, pjesërisht në Tiranë, ku është diplomuar në vitin 1967. Ka punuar për një kohë të gjatë si gazetar letrar dhe redaktor në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Është autor i një vargu librash. Librat e Kongolit janë botuar në disa vende të botës )

Shqiptarja Candan Erçetin e hapë edicionin e radhës të ‘Balkan Trafik’

Nga data 19 e deri me 22 prill vjen edicioni i radhës i festivalit Balkan Trafik.

Ky edicion i 12-të si gjithmonë sjellë muzikën dhe ritmet e vendeve të ndryshme nga Evropa, për të ateruar më pas në Bruksel – në zemër të Evropës.

Këngëtarja Candan Erçetin, turke por me origjinë shqiptare, do të hapë këtë festival. Prindërit e saj janë me origjinë nga Shkupi dhe Prishtina, shkruan KultPlus.

Në këtë festival do të ngjitet edhe grupi i njohur Dubioza Kolektiv si dhe këngëtari Mitsura nga Hungaria.
Do të jenë gjithsej 5 skena dhe rreth 400 artistë nga shtete të ndryshme evropiane që vijnë në këtë edicion të Balkan Trafik.

Savina Yannatou – artistja e njohur greke do të jetë pjesë e këtij festivali. Në festival nuk do të mungojë as polifonia shqiptare. Bullgaria këtë edicion merr vëmendjen për shkak se një qytet i saj është kryeqyteti i kulturës për këtë vit.

Përfundimisht, me datë 22 prill mbahet një ‘horo’ vallëzim në Granc Place në Bruksel, vallëzimi i përbashkët i njerëzve nga Ballkani dhe Lindja e Mesme. / KultPlus.com

Pas vrasjes së gazetarit, jep dorëheqje ministri sllovak i Kulturës

Marek Madariç, ministër i Kulturës në Sllovaki, ka dhënë dorëheqje pas vrasjes së gazetarit hulumtues të këtij vendi.

“Sinqerisht, si ministër i Kulturës i Sllovakisë, nuk e duroj dot që një gazetar të vritet gjatë mandatit tim”, ka thënë Madariç në konferencën për gazetarë, transmeton Koha.net.

Gazetari i vrarë Jan Kuciak (27) raportonte për proceset penale të biznesmenëve nga të cilët disa kanë qenë të lidhur me politikanë.

Trupat e vrarë të gazetarit dhe të dashnores së tij janë gjetur në fundjavën e shkuar në shtëpinë e tyre në vendin Velka Maça, në lindje të kryeqytetit Bratisllavë.

Të gjitha mediet sllovake sot kanë publikuar rrëfimin e pambaruar në të cilin kishte punuar gazetari hulumtues, përcjell EU observer. / KultPlus.com

Kur braktis atë që do

Poezi e shkruar nga Timo Flloko

Ti, ti po kthehesh përsëri tek unë,
me pendesë dhe trishtim pafund,
ka kaq kohë që po të pres, sa shumë.

Vjen, përmes erës nëpër netë ti vjen,
nostalgji dhe dëshpërim më sjell,
sa e huaj je tani, s’e ndjen

Ku shkruan ëndrrat, ku?
Kë deshën sytë e tu, s’e di.
Ne heshtim që të dy
na ndan një ftohtësi tani

Kur braktis atë që do
vjen një çast qe e kupton
se pa të ti dot s’jeton
çfarë më thuaj vlen në botë
kur je vetëm e ke ftohtë
dhe një zemër s’e gjen dot
Ku shkuan pritjet, ku?
Ku ndali hapi yt, s’e di
një ndjenjë, në fshehtësi
jam skllavi yt më thotë tani.

Unë, sa trishtim po ndjej në shpirt, çudi
Kur pendesën shoh në sytë e tu
S’di të dua, a të humba përgjithnji.

Ti, ti u ktheve
lotin shoh të ngrirë
Jam i dobët dhe të fal, s’e di
mund ta kthejmë në jetë dashurinë…

“Kur më vjen burri nga stani”, nën interpretimin e mahnitshëm të Flaka Gorancit në Slloveni (VIDEO)

Si në shumë vende të botës ku ka shqiptarë, edhe në Slloveni është organizuar një mbrëmje festive për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Ambasada e Kosovës në Slloveni, ka mbledhur shumë figura të vendit në kremtimin e kësaj ngjarje në Lubjanë. Në mesin e tyre ka qenë edhe sopranoja e njohur, Flaka Goranci e cila ka krijuar një atmosferë të mrekullueshme me interpretimin e këngës “Kur më vjen burri nga stani”.

KultPlus ju sjellë një pjesë të shkurtër nga interpretimi i sopranos Goranci atje. /KultPlus.com

“Qysh thirret sistemi ku kriminelët e udhëheqin një shoqni?” (VIDEO)

Po sjellim sot këngën e rok grupit Troja “Demokraci”.

Demokraci! Demokraci! Demokraci! Demokraci! …

Qysh thirret sistemi ku njerzt s’guxojnë me thanë atë që po menojnë?
-Demokraci! Demokraci!
Qysh thirret sistemi ku gazetartë s’guxojnë me kallxu ç’ka po ndodhë?
-Demokraci! Demokraci!
Qysh thirret sistemi ku ligji vlen veç për ty?
-Demokraci! Demokraci!
Qysh thirret sistemi ku nuk ka hiq Demokraci?

Qysh thirret sistemi ku kriminelet e udhëheqin një shoqni?
-Demokraci! Demokraci!
Qysh thirret sistemi ku n’modë janë xhipat me xhama t’zi?
-Demokraci! Demokraci!
Qysh thirret sistemi ku ta vjedhin votën e s’tlanë me kajtë?
-Demokraci! Demokraci!
Qysh thirret sistemi ku Demokracinë e kanë qu “te dajtë”?

REF.
O na shkoj jeta tu u ankue.
E shumë larg janë andrrat që jem tu i pa.
O na ka hase keq “Sharra ne Gozhde”.
E ketë here fajin kujt me ia lanë?

-Demokraci thirret sistemi ku njerëzit guxojnë me fole.
-Demokraci thirret sistemi ku ligji vlen për krejt njësoj.
-Demokraci thirret sistemi ku votën kërkush s’ ta vjedh.
-Demokraci thirret sistemi ku njerëzit ma k’si kangë nuk knojnë.

REF.
O na shkoj jeta tu u ankue.
E shumë larg janë andrrat që jem tu i pa.
O na ka hasë keq “Sharra në Gozhdë”.
E këtë herë fajin kujt me ia lanë?

“Perlat shkodrane” nesër zbarkojnë në Gjakovë

Pas disa koncerteve të mëhershme që kishin mbledhur një audiencë të madhe, të enjten vjen edhe një koncert i madh në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”, në Gjakovë, shkruan KultPlus.

Koncerti është titulluar “Perlat shkodrane” pasi që në këtë koncert do të interpretojnë këngëtaret e njohur nga qyteti i Shkodrës si: Shyqeri Alushi, Rosela Gjylbegu dhe Bujar Qamili. Ndërsa në këtë mbrëmje publiku do të shijoi edhe këngët e performancën e artistëve të njohur si Shkëlzen Jetishi, Kastriot Tusha, Zenel Doli dhe Artisti Nderi Kombit Mirush Kabashi.

Kjo iniciativë është bërë për bashkimin dhe ruajtjen e artit të bukur muzikor Kosovë-Shqipëri dhe trevave tjera ku ka shqiptar, Maqedoni, Mali i Zi dhe në Luginën e Preshevës./KultPlus.com

Artistët bashkohen në TKK, iniciojnë aktivitete për të ndihmuar regjisorin Bekim Lumi

Gili Hoxhaj

Dhjetëra artistë ishin mbledhur sot në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës, prej nga edhe kishin filluar të diskutojnë për aktivitetet e mëtutjeshme për të mbledhur fonde për ta ndihmuar regjisorin Bekim Lumi i cili po përballet me sëmundjen e rëndë të kancerit, shkruan KultPlus.

Duke qenë se regjisori i njohur Bekim Lumi tash e dy vite po përballet me këtë sëmundje, dhe trajtimin i tij i mëtutjeshëm mjekësor po bëhet i papërballueshëm për buxhetin e tij familjar, artistët kanë marrë një vendim, që të mobilizohen dhe të solidarizohen me njeriut me të cilin kanë ndarë shumë nga përvoja e tyre.

Pas këtij takimi, Fatmir Spahiu në një deklaratë për media tha se kjo iniciativë është bërë pa dijeninë e regjisorit Bekim Lumit. Ai tregoi se në këtë mbledhje artistët diskutuan disa iniciativa për mbledhjen e fondeve.

“E para që vlen të ceket është se kjo nuk është një iniciativë institucionale dhe në anën tjetër nuk është dëshirë e pastër e regjisorit Bekim Lumi, pra regjisorit artistit e njeriut të teatrit që ne si miq dhe shokë po duam që t’i ndihmojmë. Ai nuk besoj se do ta lejonte një mbledhje të tillë sepse krenaria e tij është e tillë dhe ne e duam ashtu siç është ai”, u shpreh aktori Fatmir Spahiu.

Ai tutje shtoi se kjo mbledhje është një shembull i jashtëzakonshëm që tregon solidaritetin e artistëve që ta ndihmojnë kolegun e tyre. Spahiu tutje tha se përmes aktivitete të planifikuara beson se do ta arrijnë vlerën që është e domosdoshme për regjisorin Lumi.

Ndërkohë Adriana Matoshi sqaroi për media se përmes aktiviteteve të tyre po mundohen që sado pak ta ndihmojnë Bekim Lumin. Ajo tha që dëshira dhe solidariteti që ta ndihmojnë regjisorin, i ka bërë të gjithë aktorët një.

“Jemi bërë një, më vjen keq që në këtë mënyrë jemi bërë një por më shumë se i duhemi ne Bekim Lumit, na duhet Bekim Lumi neve”, u shpreh aktorja Matoshi.

Ajo tregoi për media se gjatë diskutimeve të tyre kanë iniciuar ide të ndryshme për të dhënë kontributin e tyre artistik, përmes detyrave të ndryshme.

“Brenda jemi mbledhur për të dhënë ide që ta japim kontributin tonë artistik në mënyra të ndryshme. Dikush po merr iniciativa që të komunikojnë me njerëzit jashtë Kosovës, dikush me Ministri të Shëndetësisë, dikush me deputet dhe me ministra, e artistë që veprojnë jashtë vendit”, tregoi aktorja Matoshi ndërsa shtoi se ata vet si aktorë kanë marrë iniciativa që të mbajnë aktivitete në shesh apo në klubet dhe kafiteritë e Prishtinës.

Ndërkohë, thirrja që është bërë për të ndihmuar Bekim Lumin ka këto të dhëna si më poshtë, dhe të gjithë ata që duan të ndihmojnë regjisorin, mund ti transferojnë mjetet e tyre në këto xhirollogari.

Bartësi i kontos: BEKIM LUMI
Adresa: Rr. “Theodor Muzaka”, H. 1, Nr. 10, Prishtinë, 10000, RKS, Kosovë
Numri i kontos: 1110251567000198
Banka: ProCredit Bank Kosovo J.S.C.
Adresa e Bankës: Rr. George Bush, Nr. 16, Prishtinë, Kosovë
Ndërkaq, për banorët jashtë Kosovës, përveç të dhënave të mësipërme, duhet të jenë edhe këto shënime shtesë:
Account No (IBAN): XK051110251567000198
SWIFT (BIC) CODE: MBKOXKPRXXX
Bank Identification Code: PRCBDEFFXXX
Correspondent / Intermediary Bank: PROCREDIT Bank AG, Frankfurt am Main, Germany./KultPlus.com

Annella lanson “Married Man” (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare Annella, që jeton tash e shumë vite në Danimarkë, pas lansimit të disa këngëve të saja që po synojnë tregun botëror, tashmë ka lansuar edhe këngën më të re “Married Man”, shkruan KultPlus.

Kjo këngëtare që është pjesë e labelit Wooden Hat Records në USA, më herët pat lansuar këngët “Red Stilettos”, “Parfume”, e disa këngë të tjera.

Ajo është një vajzë me prejardhje nga Peja, por e lindur në Zvicër, e që tani jeton në Danimarkë, vendin në të cilin edhe filloi karrierën si këngëtare. Annella karakterizohet për stilin e muzikës që bënë dhe paraqitjen e saj./ KultPlus.com

Teatri Oda mbush 15 vjet, sjellë premierën “Lufta e tretë botërore…”

Nesër më 1 mars, Teatri Oda mbush 15 vite. Kësisoj, në këtë përvjetor, vjen premiera e shfaqjes “Lufta e tretë botërore – komedi ndoshta, diçka diçka, s’po di s’po di”, tekst ky i shkruar nga Lirak Çelaj dhe Rozafa Çelaj ndërsa në skenën e Teatrit Oda, vjen me regji të Florent Mehmetit, shkruan KultPlus.

Në kastën e aktorëve të kësaj shfaqje bëjnë pjesë: Kushtrim Qerimi, Rina Krasniqi, Gojart Kqiku, Daniela Markaj, Kaltrinë Zeneli, Flamur Ahmeti. Kostumet janë realizuar nga Vesa Kraja, asistente regjie Rozafa Çelaj ndërsa projekti është përkrahur nga : MKRS dhe Melodia PX.

“Lufta e tretë botërore – komedi ndoshta, diçka diçka, s’po di s’po di”, vjen nesër me premierë me fillim nga ora 20:00 në Teatrin Ora./ KultPlus.com

Hacking Urban Space: Projekt bashkëpunimi mes DokuFes, Anibar dhe Termokiss

DokuFest, Anibar dhe Termokiss i kanë bashkuar forcat që përmes projektit HACKING URBAN SPACE të sjellin një seri të jashtëzakonshme të filmave që përqendrohen kryesisht në sfidat e efikasitetit në strategjitë urbane, rritjen e popullsisë, transportin e ngulfatur, mjedisin dhe problemet e tjera të veçanta me të cilat ballafaqohen 3 qytetet më të mëdha të Kosovës: Prishtina, Prizreni dhe Peja.

Ky program u dedikohet studentëve të Universiteteve dhe nxënësve të Shkollave të Mesme të Larta të këtyre qyteteve të cilët në fund të çdo cikli do të kenë mundësinë të debatojnë për këto sfida me vendimmarrësit e qeverive përkatëse lokale si dhe planet e tyre në përfshirjen e komuniteteve lokale dhe aktivistëve për një menaxhim më të mirë të hapësirave publike.

Cikli i parë i filmave fillon me 5 mars me shfaqjen e filmit CITIZEN JANE, një aktiviste që luftoj për t’i mbrojtur komunitetet urbane përballë projekteve destruktive zhvillimore në Nju Jork. Në përfundim të këtij cikli do të shfaqet filmi SKOPJE 2014 që është një vështrim vizual i ndërhyrjes së egër për të ndryshuar karakterin urban të qytetit nga ai modernist soc-realist në pothuajse ekskluzivisht stil të ri barok dhe neoklasik.

Programi i filmave do të përfshijë projektet filmike që do të nxisin debatin për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në kohërat e urbanizimit të shpejtë përmes filmit ECUMENOPOLIS: CITY WITHOUT LIMITS, për të vazhduar me diskutimin për modernizimin e qyteteve përmes vendosjes së njerëzve në qendër të planifikimit zhvillimor të cilës do ti paraprijë shfaqja e filmit HUMAN SCALE.

2 ciklet e fundit do të sjellin filmat dokumentarë BIKES vs. CARS për të promovuar çiklizmin si mjet transporti ditor dhe për të diskutuar qeveritë lokale nuk kanë bërë aq shumë në krijimin e infrastrukturës urbane që i jep përparësi çiklizmit kundrejt makinës. Seria e diskutimeve dhe shfaqjeve do të përmbyllet me shfaqjen e filmit BOGOTA CHANGE, që do të sjellë rrëfimin për kryetarin e Bogotës i cili përmes metodave të pazakonta të qeverisjes i mësoi qytetarët të jetojnë së bashku dhe të marrin përgjegjësi.

Filmat do të shfaqen në kinematë “DokuKino” në Prizren, “Jusuf Gërvalla” në Pejë përderisa lokacioni në Prishtinë do të kumtohet së shpejti.

Ky projekt implementohet nga DokuFest në partneritet me Anibar dhe Termokis dhe është përkrahur nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë./ KultPlus.com

Acari

Poezi e shkruar nga Aleksandër Pushkin.

Atje ku vapa djeg si zjarri
në trojet tharë e bërë prush
I tmerrshëm vigjilon acari
Ne shkretëtirën e pafund

Natyre e stepave pa jetë
E polli në një ditë inati
Me vdekje dhe farmak të shkretë
Kurorën, rrënjët ja spërkati

Kur dielli djeg përmbi djerine
Nga korrja rrjedh farmaku i shkrire
Pastaj rrëshira nis e ngrin
Kur mbrëmja vjen me ftohtësirë

Atje as zogu s’fluturon
As tigri s’shkon, tufan i zi
Te peme e vdekjes seç gjëmon
Dhe ikën larg me mort në gji

Kur retë udha ndodh ti shpjerë
Përmbi kurorën e dremitur
Nga degët helmi nis te bjerë
Si shi mbi rerën e zhuritur

Njeriu urdhëroi njerinë
Te vinte tek acari plak
Kur rrezet e agimit ndrinë
Ai u kthye me farmak

Rrëshire pru prej koreve
Dhe një degëz te ronitur
Dhe djerse e ftohte si rreke
I rridhte ballit te venitur

I pruri dhe u lig, u shtri
Pa hyre ne kasolle dot
Dhe vdiq i gjori skllav fatzi
Atje nën këmbët e të zot

Rrëshirën mori princi e shkoi
Ne helm e ngjeu çdo shigjete
Dhe fqinjëve vdekjen ç ’u dërgoi
Përtej kufireve të vet

Elsie: Si i fshehën serbët fotografitë 150 vjeçare për Shqipërinë

Fotografitë e marra nga Vjena të fotografit Josef Sekelit, i cili i ka bërë gjatë vitit 1863 me një ekspeditë austro-hungareze në Shqipërinë veriore, në Kosovë dhe Maqedoni, të udhëhequr nga Johan Georg fon Han, duket se do të mbeten të parat fotografi të bëra ndonjëherë të këtë rajon të Evropës Juglindore, pati shkruar albanologu i njohur Rober Elsie.

Johan Fon Hahn, dijetar gjerman (1811-1869) konsiderohet zakonisht si babai i studimeve të albanologjisë.

Ai ka punuar për autoritetet ligjore të Mbretërisë së porsakrijuar të Greqisë. Nga 1843-1847, ai përfaqësoi konsullatën prusiane në Athinë , dhe pastaj transferohen si zëvendës konsull në konsullatën austriake në Janinë, ku ra në kontakt me shqiptarët dhe filloi të mësonte gjuhën shqipe. Hahn e vizitoi tre herë Shqipërinë gjatë viteve të qëndrimit të tij në Janinë dhe mbledhur më shumë informacione mbi historinë shqiptare ,filologjisë dhe folklorit.

Materialet i botoi në tri vëllime Albanesische (Studime shqiptare), Jena 1854, më të cilat ai hodhi themelet për studime shqiptare multi- disiplinore.

Ai njihet edhe për vëllimin Griechische und Albanesische Märchen (Përralla greke dhe popullore shqiptare), Lajpcig 1864, dhe ka shkruar për punën që ka bërë me ekspeditat e tij në Ballkan, Reise von Belgrad nach Salonik (Udhëtim nga Beogradi në Selanik ), Vjenë 1861 , dhe Reise durch die Gebiete des Drin und Vardar ( Udhëtimi nëpër rajonin e Drinit dhe të Vardarit), Vjenë 1867, 1869.

Udhëtimi i fundit nga gushti deri në nëntor të vitit 1863 ka qenë kur Hahn dhe shokët e tij nisen nga Durrësi dhe Shkodra në bregdetin e Adriatikut deri në lumin Drin duke shkuar për në Prizren në Kosovë, përmes Maqedonisë perëndimore dhe pastaj poshtë lumit Vardar në Selanik (Selanik) në Detin Egje. Interesat e tij për Shqipërinë dhe Ballkanin jugperëndimor ishin të një spektri të gjerë..

Në rrjedhën e këtij udhëtimi përveç kërkimeve etnografike, ai ndoshta padashur hodhi themelet e historisë së fotografisë në Ballkanin jugperëndimor.

Ekspedita e 1863-shit rezultoi me një koleksion prej pesëdhjetë fotografish të cilat janë ndër më të hershme të bëra ndonjëherë në rajonin e Ballkanit. Në fillim të viteve 1860, Hahn kishte filluar përgatitjet për ekspeditën deri në lumin Drin, ku ai vuri në dukje se : është më pak i njohur nga të gjithë lumenjtë e Evropës, megjithëse derdhet në Adriatik dhe është vetëm dhjetë milje nga kufiri jugor të perandorak në territorin (Austro – Hungarez)…

Më 23 qershor 1863, Hahn i shkroi Akademisë së Shkencave në Vjenë, duke kërkuar një fotograf kompetent që ta shoqëronte dhe bënte fotografi të qyteteve dhe të terrenit malor. Akademia propozoi njëzet e pesëvjeçarin Josef Széleky dhe i vuri në dispozicion fondet e duhura për ekspeditën.

Dr.Jozef Sekeli (1838-1901) lindi në Sümeg pranë liqenit Balaton në Hungarinë perëndimore dhe u shkollua në Szombathely. U diplomua në Universitetin e Vjenës për master në farmaci dhe në vitin 1862 u lauerua me doktoraturë në kimi. Ai dha mësim në universitet për një farë kohe, por pastaj hapi një studio në Heinrichshof pranë Operës së Vjenës. Ai u bë një fotograf profesionist dhe reputacioni i tij u rrit shumë. Në vitin 1867 ai fitoi çmimin e bronztë në Panairin Botëror në Paris (ndoshta me fotografitë e Shqipërisë), dhe në 1878 ai fitoi një medalje argjendi në Paris.

Ekspeditat e Hahn-it nisën nga konsullata e tij në ishullin e Siros, Egje, derisa zbarkoi në Durrës, më 12 gusht 1863. Atje ai vuri re se: “Qyteti nuk ka ndryshuar që prej vizitës sime të fundit, trembëdhjetë vjet më parë, nuk ka as pesëdhjetë banorë më shumë. “Ai udhëtoi duke kaluar lumin Erzen, Ndroq dhe pastaj shkoi drejt veriut duke ecur përgjatë ultësirës bregdetare për në Shkodër.

Këtu më 31 gusht 1863, ai u takua me Sekely-n e ri dhe togerin e marinës Hermann von Spaun (1833-1919 ) të cilët kishin arritur nga Tivari. Gjithashtu me grupin ishte edhe miku i vjetër i von Hahn-it , Dr Auerbach , i cili kishte shërbyer nga 1845 e këtej , si mjek i familjes së beut të Vlorës, si dhe prifti françeskan, Angelo Bardhi. Sekely ishte në Shkodër dhe bëri 8 foto shumë spektakolare.

Pa asnjë dyshim ato ishin të parat që ishin marrë ndonjëherë nga qyteti i Shkodrës dhe kështjella e tij e madhërishme. Nuk vonoi shumë dhe për ekspeditën u caktuan dy varka për të shkuar deri në lumin Drin, duke kaluar Dejën, Vjerdhën , Shurdhën, Komanin (që ka dy fotografi) dhe Dukagjinin.

Lumi sa vinte ngushtohej e ngushtohej dhe u bë e pamundur që të lundrohej më tej. Sekeli, i cili kishte pajisje të rënda me vete ishte i detyruar të kthehej pas dhe niset në Shkodër me anije, kurse pjesa tjetër e anëtarëve të ekspeditës vazhdoi udhëtimin e tyre përgjatë luginës. Grupi u ribashkua në Prizren, i cili në atë kohë ishte qyteti më i madh në Shqipëri. Prizreni kishte një total mbi 46.000 banorë, prej të cilëve 36.000 myslimanë, 8.000 bullgarë dhe vllehë, dhe 2.000 katolikë. Ai kishte jo më pak se njëzetë e gjashtë xhami, si dhe dy kisha ortodokse dhe një katolike. Shkodra, Durrësi dhe Vlora ishin fshatra krahasuar me të.

Në fillim të shtatorit 1863, Sekeli bëri pesë fotografi të Prizrenit. Duke lënë pas Prizrenin, ekspedita u kthye në Drinin e Zi duke avancuar drejt jugut deri në Dibër. Në këtë rajon, i cili gëzonte një reputacion të dyshimtë, nuk kishin qenë kurrë më parë. Hahn shkruan: “Ashtu siç ishin ne të huaj, ashtu ishte kur u ulëm Lugina e Drinit të Zi midis qytetit të Dibrës dhe pikës ku dy degëve e tij bashkoheshin.

Aty pretendohet të jetë një shpellë kusarësh dhe ndaj ajo është shmangur në këtë mënyrë nga fqinjët e saj. “Hahn ka kaluar nëpër rajon pa vështirësi, por ai nuk mund të kuptonte shqipen që flitej nga vendasit. Pasi mbërriti në Dibër më 21 shtator 1863, Sekely bëri vetëm dy fotografi, sepse gjatë kësaj kohe ishte duke luftuar me “makinën fotografike” dhe kutinë e pllakave që kishte sjellë me vete.

Ai kishte nevojë për më shumë kohë, ku i duhej plot një orë e gjysmë për të marrë një pamje shumë romantike të një shkëmbi masiv. Duke ikur nga Dibra ata vazhduan rrugën drejt Strugës në liqenin e Ohrit. Hahn-i ishte i hipnotizuar veçanërisht nga liqeni dhe shqoi trembëdhjetë lloje të ndryshme të peshkut në të.

Ata vizituan manastirin e Kalishtës në qytetin e Ohrit me shumë kisha të bukura ortodokse të saj, dhe natyrisht më në fund edhe të famshmin e shekullit të gjashtëmbëdhjetë, Manastirin e Shën Naumit në jug të liqenit. Von Hahn dhe grupi i tij qëndruan gati dhjetë ditë në Ohër, dhe Sekely kishte kohë të mjaftueshme për të fotografuar.

Fotografia e tij e Shën Naumit duket të jetë fotografia e vetme e manastirit, para se ai të shkatërrohej në pjesën më të madhe nga zjarri në vitin 1875. Prej Ohrit grupi vazhdoi rrugën për në Liqenin e Prespës dhe të avancoi në drejtim të lindjes, pikërisht aty ku dukej Manastiri ( Bitola). Kishte ardhur tetori.

Manastiri ishte një qytet i madh dhe aty ishte kampi ushtarak i rajonit. Kështu Hahn u mirëprit nga gjenerali osman Faik Pasha, i cili kishte studiuar në Vjenë. Sekely ishte në gjendje që të merrte edhe disa fotografi interesante të një formacioni ushtarak osman përpara kazermave të tyre të mëdha, të ndërtuara në vitin 1839.

Nga Prilepi, ata udhëtuan mbi lumin Vardar për në Veles, ku gjetën një anije dhe mund të lundronin nëpër portën e hekurt të jugut (Demir Kapi ) deri Selanik në detin Egje. Pesë fotografitë të tjera janë marrë atje. Nga Selaniku Hahn dhe Sekely vazhduan rrugën në drejtim të lindjes të Trojës, në Azinë e Vogël.

Që të dy, Sekeli dhe Johann Georg von Hahn ishin të vetëdijshëm për kontributin historik të kësaj ekspedite. Ai realizoi fotografinë më të mirë që askush nuk e kishte bërë në këtë fushë “Për fat të keq, botimi i fotografive qëlloi të ishte tepër i shtrenjtë për Akademinë e Shkencave të Vjenës dhe ata i kishin hequr nga botimi Hahn-it një raport të ekspeditës në vitet 1867 dhe 1869. Rezultati ishte që koleksioni i Sekelit që bëri fotografitë më të hershme të ndërmarra ndonjëherë në Ballkanin jugor ra në harresë.

Në vitin 1889, trembëdhjetë prej fotografive u shfaqën në vëllimin Makedonien und Alt – Serbien (Maqedoni dhe Serbia e Vjetër) nga Spiridion Gopçeviqi (1855-1936), por ata nuk iu atribuuan Sekelit dhe u lanë pa datuar. Pas kësaj ,koleksioni u zhduk për më shumë se një shekull, për t’u rizbuluar në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë në vitin 2000 nga Mark Cohen. Fotografitë e Jozef Sekelit të Ballkanit Jugor në vitin 1863 në të vërtetë janë të një rëndësie të madhe historike dhe artistike.

Me përjashtim të një portreti të vetëm të rebelit Hamzë Kazazi (1834-1903) të bërë nga Marubi në Shkodër në vitin 1858, ato janë fotot e para të bëra për Shqipërinë./ KultPlus.com