Vdes Lewis Gilbert, regjisori i James Bond

Lewis Gilbert, regjisori britanik i tre serive të filmave me James Bond, ka vdekur në moshën 97-vjeçare.

“U trishtuam shumë kur morëm vesh për vdekjen e mikut tonë të dashur Lewis Gilbert,” shkruan producenti, Michael G Wilson dhe Barbara Broccoli në faqen zyrtare të filmit “James Bond”.

“Lewis ishte një zotëri i vërtetë që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në industrinë e filmave britanike, si dhe në seritë e filmave për James Bond si “You Only Live Twice,” “The Spy Who Loved Me” and “Moonraker”, shtuan ata.

Ai e nisi karrierën e tij si aktor në moshë shumë te re dhe më vonë punoi si ndihmës regjisor në serinë e filmit dramë “Jamaica Inn” të regjisorit dhe producentit anglez, Alfred Hitchcock.

Ai u bë i njohur në filmin “Alfie” të vitit 1966, duke risjellë edhe njëherë në ekran aktorin Michael Caine, që u nominua për disa çmime “Academy Awards”, duke përfshirë edhe “Fotografinë më të mirë”.

Ndër çmimet që Gilbert mori gjatë karrierës së tij prej pesë dekadash ishin, dy çmime BAFTA për filmin dramë komedi të vitit 1984 “Educating Rita”, në të cilën luante sërish aktori Michael Caine.

Gilbert u nderua nga mbretëresha në vitin 1997 me “Urdhërin e Perandorisë Britanike”./ KultPlus.com

“Një muaj” i Zgjim Terziqit, pjesë e festivalit Busan International Short Film Festival

Filmi i shkurtër “Një Muaj” me skenar dhe regji nga Zgjim Terziqi dhe producent Agon Syla do të jetë pjesë e festivalit kualifikues për Oscar në Korenë së Jugut, në edicionin e 35-të të Busan International Short Film Festival, si pjesë e Konkurrencës Ndërkombëtare, shkruan KultPlus.

“Një muaj” u përzgjodh për të qenë pjesë e 42 filmave përfundimtar të përzgjedhur në mesin e 4.953 filmave.

BISFF është gjithashtu festivali i parë i filmit të shkurtër në Korenë e Jugut. Dhe këtë vit shënon edicionin e 35-të që do të mbahet nga 24 prill deri më 29 maj të vitit 2018.

“Një Muaj” është film i bazuar në ngjarje të vërtetë dhe flet për Anën një 40 vjeçare e verbër, e pa martuar, e cila jeton sipas marrëveshjes së katër motrave të saj. Pakti i tyre përmban përkujdesjen e saj secila me rend nga një muaj.

Në këtë film luajnë: Makfire Miftari, Luan Jaha, May-Linda Kosumovic, Shengyl Ismajli, Irena Cahani, Fatmir Spahiu, Rinesa Qeriqi, Era Balaj, Dardane Mehmeti, Zog Zeqiri Berisha, Blerina Krasniqi, Nata Zeqiri Berisha, Lis Spahiu.

Filmi është prodhim i shtëpisë filmike ‘Broken Branch Production’, i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe me mbështetje nga Swiss Cooperation Office Kosova dhe Komuna e Prishtinës./ KultPlus.com

Rita Ora sjellë linjën e saj të modës (FOTO)

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora ka dizajnuar dhe modeluar për disa marka të mëdha në botë, kurse së shpejti do të lansojë edhe koleksionin e saj, përcjellë KultPlus.

Linja e saj e modës, e titulluar “Roara Republic” do të publikohet këtë të shtunë.

“Për këtë kam punuar fshehurazi me ekipin tim”, ka thënë këngëtarja 27-vjeçare që jeton në Londër.

Pasionin e saj për modën Rita Ora e ka shprehur gjithnjë me paraqitjet e saj, madje në shumë evente, ajo është vlerësuar lart për stilin e saj dhe dukjen glamuroze.

“Unë jam aq i apasionuar për modën kështu që është një kënaqësi dhe nder për mua që të mund ta shpreh këtë përmes koleksionit tim. Ky koleksion ka për qëllim që të ju frymëzojë që të jeni versioni më i mirë i vetës tuaj”, është shprehur këngëtarja Rita Ora.

Koleksioni i saj do të publikohet ekskluzivisht në faqen e internetit të këngëtares, më 3 mars./ KultPlus.com

Si u la në harresë heroina e kohës Qerime Halili – Shotë Galica

Shkruan Mehmet Bislimi.

(Me rastin e nëntëdhjetë vjetorit të vdekjes së saj)

Qerime Shotë Galica e inspiruar në bëmat e trimëreshave shqiptare e bindur thellë në të drejtën e popullit tonë për të qenë të lirë e vuri pushkën krahut dhe për 12-të vjet me radhë nuk u nda nga burri dhe bashkëluftëtari i saj Azem Galica, dhe nga shokët e tij. Për 12-të vjet me radhë Shote Galica luftoi kundër pushtuesve serbë, austrohungarezë e bullgar.

Shota e Radishevës, ishte motër e gjashtë vëllezërve. Babai i saj Halili, ngase e kishte të vetmen vajzë, nuk e ndau nga djemtë e tij për asnjë çast. E merrte me vete nëpër kuvende e ndeja burrash, ku pati fatin të shohë me sytë e saj trimat e kohës si: Isa Boletinin, Shaqir Smakën, Kamer Loshin, Nak Berishën, Azem Bejtën, Mehmet Deliun, Shak e Ramadan Radishevën, Halit Bajramin, Xhemë Tërnavin, Fazli Baranin, Emin Latin – Mehën, Shaban Mikushnicën, Bajram Zenë Mehën e shumë trima tjerë. Nëpër ato kuvende e ndeja merreshin vendime që të kërciste pushka mbi pushtuesin serb. Aty edhe këndohej kënga e binte çiftelia për trimëritë e trimave tanë. Shota i binte mirë çiftelisë, si edhe çarkut të hutës. Këndonte si zanë mali, sa edhe të tmerronte me zërin e kushtrimit:”Ooo, Prite, prite Azem Galicën, o hejjj”…

Nëpër ato ndeja e kuvende Shota njohu Azem Galicën, me të cilin u martua në vitin 1915. Ajo në vend të rrobave të nusërisë, veshi rrobat e burrave, në vend të pajës vuri armën krahut dhe u bë nuse malesh. Në dasmë të saj ishin 300 krushq me 300 pushkë krahut, binin tridhjetë lodra përnjëherësh, kërcenin 300 malësorë vallen e Kaçakëve të malit… Shota që nga ai çast nuk u nda më nga Azemi dhe nga bashkëluftëtarëve të tij. Dhoma e saj nusërisë u bë Çiçavica, stolitë e saj ishin gjerdani me fishekë rreth belit. Kjo pra ishte Shota – gruaja shqiptare, që nuk u lodh e nuk u hamend kurrë para jetës së vështirë të malit, as para flakës së barotit, as para rënies e plagosjes së luftëtarëve të lirisë, as para masakrave që bënin xhandarët serbë mbi popullatën shqiptare. Përkundrazi morali dhe forca e saj sa vinte e po shtohej e vetëdijshme se liria e vendit nuk arrihet pa u djegur në flakët e luftës! E tillë ishte Shota dhe si e tillë vazhdoi këto rrugë pa u luhatur, as edhe pas vdekjes së burrit e shokut të jetës së saj Azem Galicës.

Ajo merrte edhe vendime me vete. Kjo ndodhte kur ishte larg Azemit, në mungesë të komunikimit për shkaqe gjeografike, sidomos kur Azemi ndodhej në vise të ndryshme të Kosovës, për çështje organizimi ose edhe në Shqipëri, për çështje armatimi e komunikimi me forcat përparimtare e demokratike të kohës si me Hasan Prishtinën, Bajram Currin e të tjerë. Një hap të tillë Shota e kishte marrë për likuidimin e një zyrtari të lartë të Serbisë. Ajo së bashku me Mehmet Deliun dhe me dy tre shokë tjerë, kishin hyrë në zyrë të eprorit serb, mu në qendër të qytetit të Mitrovicës!, dhe me dorë të vet e kishte vrarë atë epror gjakpirës, i cili kishte bërë sa e sa masakra mbi popullatën shqiptare që po përpiqej për lirinë e vet. Ajo i tha Azemit më pas: “E vrava Azem! E vrava në emër të nënave që i ka lënë pa djem, në emër të nuseve që i ka lënë pa burra, në emër të motrave që ka lënë pa vëllezër, në emër të lirisë së Kosovës!”… Azemi e shikoj me butësi e dashuri, duke i thënë: “ Mirë ke bërë moj burrnesha e maleve të Kosovës duke e përqafuar dhe duke e uruar për aksionin, atë dhe shokët. Shota, gjatë jetës së saj prej kaçaku të malit, ishte ndeshur dhjetëra herë me pushtuesin serb. Ishin dhjetëra beteja ku kishin luftuar me orë të tëra, në pozicione të ndryshme e shumë herë të pavolitshme e të pabarabarta në armatime. Gati në të gjitha rastet, luftëtarët e lirisë kishin dalë fitimtarë, megjithëse edhe kishin pësuar edhe goditje të rënda me humbjen e shokëve. Kjo përballje e Lëvizjes së Kaçakëve të Kosovës me pushtuesin serb nuk ishte e shkurtër, prandaj për Shotën, Azemin dhe bashkëluftëtarët e saj ishin krijuar mite e legjenda: Ishin përhapur fjalë se Azem Bejta bashkë me gjokun e tij po fluturonte, ose se kur thërret Shota: “Oooo, prite, prite Azem Galicën o heejjj” dëgjohej për tej shtatë malesh e kodrash, ose se Shota me një dorë lufton dhe me tjetrën i bie çiftelisë dhe se plumbat e saj kurrë nuk shkonin huq, mandej thoshin se Azemin dhe Shotën nuk i zë plumbi i shkjaut etj….
Pas vdekjes së Azemit, Shote Galica u priu luftëtarëve të lirisë në sa e sa aksione të rrepta ballë për ballë me armikun. Ajo me zërin e saj si zanë mali, u fuste tmerrin xhandarëve kur jepte kushtrimin: “Ooo prite, prite Azem Galicën, o heej”… Shota edhe u plagos në luftëra, por morali i saj nuk u thye asnjëherë, kështu duke u bërë shembull e krenari për ne. Shota në rolin e nënës nuk pati rastin që të gëzoj ledhatimet e djalit të saj i cili i vdiq shumë shpejt pas lindjes, për shkak të kushteve të malit. Mirëpo Shota nuk ndenji indiferent kundrejt kësaj ndjenje, ajo mori me vete ngado që shkoi fëmijët e shokëve të rënë për liri të Kosovës. Ajo për as një çast, ata nuk i la vetëm, duke u bërë nënë e dytë e tyre deri në çastet e fundit të jetës së saj.

Shote Galica në fundin e dimrit të vitit 1926, të një dimri të ashpër, e lodhur dhe e dërmuar e me zemër të plagosur, shoqëruar nga Mehmet Deliu e me pak shokë të tjerë, kishin mësyrë Shqipërinë, duke e lënë Kosovën nën kthetra të pushtuesit serb, me shpresën së do të ktheheshin me pranverën e parë. Ajo u vendos në katundin Shullaz të Krujës. Me vete kishte edhe disa fëmijë të shokëve të rënë, fëmijë të mbetur jetim të cilët Shota kishte marrë përsipër t’i rritë dhe t’i edukojë me frymën atdhetare. Me shpresën se do të gjente mbështetjen e mbretërisë së Ahmet Zogut ajo u zhgënjye shumë shpejt nga sjelljet e tij mospërfillëse. Si duket, Shota nuk e kishte të qartë se kishin ndryshuar rrethanat, se mbreti Zog ishte borxhli ndaj Krajlit të Serbisë i cili Zogun e kishte strehuar, armatosur dhe kthyer nga hotel Bristoli i Beogradit në karrigen e mbretit të Shqipërisë! Kështu duke e rrëzuar të parën Qeveri demokratike në Ballkan – Qeverinë e Fan Nolit! Në këto rrethana Krajli i Serbisë, pasi që kishte dëmtuar rëndë pas 12 vjet lufte Lëvizjen Kaçake të Kosovës së bashku me prijësin e saj, Azemin, kishte kërkesa shtesë pranë mbretërisë zogolliane që të asgjësoheshin edhe rrënjët e kësaj lëvizje në Shqipëri ku Shotë Galica i kishte nën përkujdesje!…

Shote Galica e përballur me tmerrin e varfërisë, rrethuar nga harresa, varfëria, mjerimi dhe inferioriteti i një regjimi mbretëror zogollian, i shkroi një letër mbretërisë në fjalë: “ Unë jam Shote Galica- gruaja e Azem Galicës, prijësit të Lëvizjes Kaçake të Kosovës. Gjendem në katundin Shullaz të Krujës , kam dhe katër fëmijë jetim me vete. Janë fëmijët e luftëtarëve të vrarë për çlirim të Kosovës. Jam e shtrënguar të ju vë në dijeni se jam duke vdekur nga uria së bashku me fëmijët jetim!”…

Shota, po ndeshej me vdekjen dhe vdekja e saj në atë moshë kaq të re, më shumë pati për pasojë moskujdesin njerëzor ndaj saj, ky moskujdes i një regjimi mbretëror antikombëtar kurorëzoi kushtet e një vdekje të parakohshme dhe të pa natyrshme të një gruaje që quhej Shote Galica e cila kishte vetëm 32 vite!…

Shote Galicën, shteti shqiptar e shpalli Heroinë të Popullit, ia ngriti bustin e saj dhe ia rregulloi edhe varrin. Sot në kohën e “demokracisë” varri i saj është në gjendje të mjerueshme siç ishte edhe ajo vet në prag të vdekjes së saj në vitin 1927.

Ndërkaq për bustin e saj nuk ka kurrfarë të dhënash se ku është tretur?! Qeveria e Kosovës, si ajo në nivel qendror, po ashtu edhe kjo në nivel lokal të Vushtrrisë, as kanë vrarë mendjen deri me sot në mënyrë që eshtrat e Shote Galicës t’i kthejnë në vendlindjen e saj, më në fund pas 80 vitesh të prehet edhe ajo e qetë pranë varrit të Azem Galicës, burrit dhe bashkëluftëtarit të saj dhe pranë kullës e cila po ashtu mungon edhe sot!

A thua vallë edhe Qeveria e Kosovës, pandërgjegjshëm po shndërrohet në një Qeveri mospërfillëse e kaq inferiore, për të mos thënë zogolliane përballë Dëshmorëve dhe Heronjve tanë kombëtarë të cilët mbetën harruar e shkapërderdhur baltërave e moçaleve të hapësirave tona gjeografike?!

Qerime Halil Radisheva – Shotë Galica vdiq me 1927. Kush vuajti më shumë se nënat tona, kush i dha lirisë dhe popullit tonë më shumë se ato? Kjo pra ishte Shote Galica – gruaja dhe nëna shqiptare të cilën me pietet do ta kujtojmë përjetë e mot!

Shkumbin Istrefi: Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit e mban shpresën gjallë që një ditë gjërat do të përmirësohen

Kuvendi i Republikës së Kosovës mban sot seancën e jashtëzakonshme në të cilën pritet të bëhet shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, shkruan KultPlus.

Lidhur me këtë ka reaguar aktori kosovar, Shkumbin Istrefi i cili ka thënë se sot duhet të votohet për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit, ku edhe ka shprehur qëndrimet e tij në këtë aspekt.

KultPlus, ju sjellë postimin e plotë të aktorit Istrefi:

Sot duhet te votohet për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit. Personalisht mendoj qe duhet të votohet pro, jo pse jam i bindur qe është i sakte 100%, por ashtu na ka ardhë puna. Ndoshta jo vetëm për shkak të nënshkrimit te marrëveshjes nga të dy palët, por ndoshta edhe nga Plani i Ahtisarit. Nuk e di. Por po shihet qarte që marrëveshja duhet të ratifikohet në Parlament. Në të kundërtën (sipas të gjitha gjasave) shteti dhe qytetaret mund te kenë pasoja dhe vuajtjet e qytetareve ne çdo aspekt, te shkaktuara nga udhëheqja e dobët dhe amatoreske (e sigurisht edhe e korruptuar) do te intensifikohen ne vazhdimësi.
A e përmirëson jetën e qytetareve ky ratifikim? Jo apriori, mirëpo e mban shpresën gjallë që një ditë gjerat do te përmirësohen. Kjo shprese mbështetet ne përkrahjen qe duhet te na vije në vazhdimësi nga shtetet mike, që të çrrënjoset e keqja në shtetin tonë. Besoj që aprovimi i qytetareve për ratifikimin e marrëveshjes se demarkacionit buron ne friken nga “prishja e marrëdhënieve me shtetet mike” dhe jo aq ne dëshirën për te shëtitur nëpër Europe.

P.s. Sa mirë do të ishte që me ratifikimin e marrëveshjes se demarkacionit, p.sh. te rriten edhe pensionet në 750 EUR. Kjo është më e rëndësishme se mundësia për te dale te rinjtë nëpër Europe.
Kur qytetaret e moshuar te këtij vendi të reflektojnë dinjitet dhe moral dhe jo përulje për mbijetese, mund te themi qe kemi filluar të shërohemi. Ne te kundërtën, me viza e pa viza, do te jemi njerëz pa karakter.
Tekefundit e kemi ne tradite që më se shumti të respektojmë të moshuarit. Respekti nuk është vetëm deklarativ./ KultPlus.com

Haliband sonte në Rockuzinë

Grupi i njohur Haliband sonte me performancë live në Rockuzinë.

Grupi Haliband u themelua në vitin 2002 nga Andin dhe Krenar Halimi. Në të njëjtin vit, grupi incizon këngën e parë të titulluar “I humbur në dhembjen e saj”, derisa e njëjta i prezantohet publikut me videoklip në vitin 2003.

Në vitin 2004, grupit i bashkëngjiten edhe basisti Agim Berisha dhe bateristi Petrit Riza. Në këtë formacion, Haliband fillon të performojë në kafiteri dhe klube të ndryshme në Kosovë dhe Shqipëri si Depo, Zebra, kafiteria e teatrit ODA, Charl’s Bar Tirana etj.

Pas performancave të ndryshme nëpër mbrëmje, Haliband vendos të hyjë në studio për incizime të reja, dhe brenda periudhës 2005 – 2007 incizohen këngët “Pamjet”, “Qyteti pa plan”, “Ti vjen dhe shkon”, “Rock N’ Roll”, “Hajt se bohet mire” dhe një këngë instrumentale. Të gjitha këto këngë bëhen pjesë e albumit të parë të grupit, i cili del në shitje në dhjetor të vitit 2007.

Që nga viti 2007, grupi fillon të bashkëpunojë me këngëtarin Besart Halimi dhe në këtë formacion paraqitet në mbrëmje dhe në koncerte të ndryshme brenda dhe jashtë Kosovës. Ky bashkëpunim zgjat rreth pesë vite, derisa për shkak të angazhimeve të ndryshme të anëtarëve të grupit, pas vitit 2015 Haliband paraqitet shumë më rrallë para publikut, për tu rikthyer prap në shtator të këtij viti me performancat në të vetmin lokal ne Kosovë ku luhet dhe ndëgjohet rock, në Rockuzinë, Prishtinë.

Performanca e tyre sonte në Rockuzinë, fillon nga ora 21:00. / KultPlus.com

Zana Ramadani akuzon ish presidentin gjerman Gauck për sjellje seksiste ndaj saj

“Ajo shkruan se gjatë fotografimit të përbashkët ai e ka përqafuar dhe a ka vënë krahun mbi ijet (kërdhokullat) e saj. “Unë prisja madje pothuaj që dora e tij të rrëshqiste më poshtë (…) Isha e prekur në mënyrë të pakëndshme, por e lash të ndodhte…”

Bashkëthemeluesja e lëvizjes feministe radikale “Femen” në Gjermani, shqiptarja nga Maqedonia, Zana Ramadani, është gjetur sërish nën dritat e reflektorëve. Ajo sot (e mërkurë) promovon librin e saj të dytë brenda një viti, atë me titullin “Sexismus. Über Männer, Macht und #Frauen” (Seksizmi. Mbi burrat, pushtetin dhe #gratë”). Libri i saj i parë, i botuar vitin e kaluar fliste për rrezikun islamik që kërcënon shoqëritë perëndimore, shkruan albinfo.ch.

Vetëm një ditë para promovimit të librit të saj të ri, emri i Zanës lakohet nga gazetat gjermane lidhur me një akuzë që ajo e drejton në këtë libër në një adresë shumë të lartë. Aktivistja dhe shkrimtarja Ramadani ngre akuza kundër jo më pak se ish presidentit gjerman Gauck. Atë e fajëson për seksizëm ose për një sjellje “të papërshtatshme” që ai e paska treguar ndaj saj, sjellje kjo sipas Zanës, në kufi me ngacmimin seksual.

Skena që përshkruhet në librin i cili promovohet sot, ka ndodhur në qershor të vitit 2016, në kështjellën Bellevue të Berlinit, shkruan gazeta “Berliner Zeitung”. Zonja Ramadani ishte aty në mesin e një numri të madh të ekspertëve të integrimit, që ishin ftuar si mysafirë të presidentit federal, transmeton albinfo.ch.

Duke bërë aluzion rreth daljeve të saj publike me gjinj të zbuluar gjatë protestave kundër diskriminimit të gruas, që i bënte si aktiviste e grupit “Femen”, presidenti do ta ketë pyetur Zanën nëse ajo do të zhvishej edhe aty, në kështjellë. Pasi që ajo i kishte thënë se fustani i saj ishte shumë i komplikuar për një gjë të tillë, Gauck do t`i ketë thënë se ai, po qe nevoja, mund ta ndihmonte.

Kështu së paku e citon Zana Ramadani atë në librin e saj. Dhe për të mos mbetur puna me kaq, ajo shkruan se gjatë fotografimit të përbashkët ai e ka përqafuar dhe a ka vënë krahun mbi ijet (kërdhokullat) e saj. “Unë prisja madje pothuaj që dora e tij të rrëshqiste më poshtë, drejt prapanicës. (…) Isha e prekur në mënyrë të pakëndshme, por e lash të ndodhte. E çfarë do të bëja unë? Ai ishte president federal”, shkruan Zana Ramadani, përcjell albinfo.ch.

Por, edhe pse kjo situatë i ishte dukur e pakëndshme atëbotë, Zana nuk ishte e interesuar ta vendoste presidentin në shtyllën e turpit, ka theksuar ajo në bisedë me “Berliner Zeitung”. Ajo, e kishte mbijetuar “sjelljen e tij konfuze” pa dëmtime.

Ndërsa, i pyetur nga gazeta “Berliner Zeitung”, ish presidenti Gauck nuk ka dashur të marrë qëndrim. Në vend të tij është përgjigjur avokati i tij, Christian Schertz.

“Akuza e zonjës Ramadani nuk ka asnjë bazë. Po të lexohet teksti më saktësisht, aty shkruan se z. Gauck e ka vendosur dorën rreth saj ashtu siç është e zakonshme për bërjen e një fotografie të përbashkët. Pastaj në tekst shprehet vetëm një supozim se dora mund të rrëshqiste më poshtë, gjë që realisht aspak nuk ka ndodhur. Të nisesh nga një rrethanë e tillë dhe ta quash atë “ngacmim”, është thjesht absurde. Po ashtu, pas leximit të saktë të tekstit, nuk shihet se ajo e fajëson atë që ta ketë prekur në mënyrë të pamoralshme”, përfundon avokati.

Cilado që të jetë e vërteta rreth rastit “Gauck”, një gjë duhet të thuhet: se si me librin e parë, ashtu dhe me këtë të riun, Zana Ramadani ka qëlluar mainstreamin e kohës: libri i saj mbi seksizmin pra publikohet në kohën kur gjithandej në botë vlon nga akuzat kundër ngacmimeve seksuale dhe kur lëvizja kundër tyre “MeeTo” është shumë aktuale./ KultPlus.com

Piktura e vjedhur e Edgar Degas është gjetur në një autobus

Një pikturë e shekullit të XIX, e artistit francezë Edgar Degas e cila ka vlerë rreth 800 mijë euro (saktësisht 700 funta), është gjetur në një autobus afër Parisit, përcjell KultPlus.

Piktura e Degas është realizuar në viti 1877 kurse ishte vjedhur nga një muze në Marseilles, nëntë vite më parë.

Vepra e arti, u zbulua në një depo të bagazheve të një autobusi, pasi policia po bënte kontrolle të rastësishme, në një zonë pushimi në një autostradë, rreth 20 milje në lindje të Parisit. Asnjë nga pasagjerët e autobusi nuk e kishte marrë pikturën, kurse më vonëautenticiteti i pikturës ishte konfirmuar nga muzeu Orsay.

Ministri francez i kulturës, Francoise Nyssen, siç raporton independent është shprehur i lumtur më rikthim e kësaj vepre, zhdukja e të cilës pat qenë një humbje e madhe për trashëgiminë e Francës.

Artisti francezë është i famshëm për pikturat e tij dhe skulpturat e valltarëve. Ai ka lindur në Paris në vitin 1834, dhe konsiderohet si një nga themeluesit e impresionizmit francezë, lëvizje kjo e artit në shek. XIX. / KultPlus.com

20 vjet nga beteja e Likoshanit dhe Qirezit

Sot bëhen 20 vjet nga fillimi i luftës në Kosovë, e cila nisi në fshatrat e Drenicës, Likoshan dhe Qirez, ku te vendi i quajtur “Te tre lisat” u zhvilluan luftimet mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave kriminale serbe.

Në luftimet e zhvilluara mbetën të vrarë disa policë serbë. Si pasojë e kësaj, forcat e armikut rrethuan të dy fshatrat ku ekzekutuan 24 civilë të pafajshëm.

Në rrethimin e fshatrave, armiku përdori artileri të rëndë, duke përfshirë helikopterë dhe shumë mjete tjera të blinduara, përfshirë edhe tanke, raporton kp.

Qysh në ditën e parë të luftimeve, armiku kreu masakrat ndaj civilëve, vetëm në familjen Ahmeti vrau 11 persona.

Pas pak ditësh, më 5 mars, ushtria dhe policia serbe rrethuan familjen e Komandantit Legjendar të UÇK-së, ku familja Jashari rezistoi për 3 ditë dhe 3 net në luftimet kundër armikut.

Me luftën e Prekazit, tani më çdo gjë ishte e qartë, në Kosovë lufta për liri nuk do të kishte më të ndalur.

Gjatë luftimeve deri në çlirimin e vendit, rreth 1 milion shqiptarë u dëbuan nga Kosova, 15.000 u vranë, 2.400 prej tyre ranë dëshmorë. Armiku kreu shumë masakra, si atë në Abri, Reçak, Meje, e shumë e shumë të tjera.

Gjatë luftës janë zhdukur rreth 5.000 njerëz, fati i shumicës prej tyre është zbardhur deri në vitin 2007, por ende nuk dihet për fatin e mbi njëmijë shqiptarëve të zhdukur.

Në këtë periudhë kohore janë përdhunuar afër 20 mijë femra shqiptare. Gjatë periudhës kohore mars 1998 – qershor 1999, njësitë kriminale dhe artileria e rendë serbe kanë shkatërruar dhe djegur pjesërisht ose tërësisht rreth 1.100 vend-banime shqiptare, kanë plaçkitur, djegur e shkatërruar mbi 200.000 shtëpi, banesa, lokale afariste, punëtori zejtare, fabrika, shkolla, biblioteka, monumente kulturore-historike, objekte kulturore, shkencore, fetare etj.

Kjo luftë që filloi nga 28 shkurt 1998 e deri më 23 mars 1999 u zhvillua mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave kriminale serbe.

Ndërsa nga 24 mars 1999 e deri më 10 qershor 1999, Aleanca Veri-Atlantike NATO me bombardime të përditshme mbi caqet ushtarake jugosllave, me përkrahjen tokësore të UÇK-së, detyroi forcat serbe dhe diktatorin famëkeq Sllobodan Millosheviqin të nënshkruajë kapitullimin në Kumanovë./ KultPlus.com

Këngët që ishin ndaluar për transmetim nga BBC (VIDEO)

KultPlus ju sjellë disa histori të këngëve që kanë qenë të ndaluar nga BBC si këngët nga Beatles, Blondie, Chuck Berry dhe të tjera, për arsye se këngët kanë lidhje me seksin, drogën, deri te arsyet që këngët ngjallin ndjenja të ‘neveritshme’ apo janë “sentimentale”.
Historitë prapa ndalesave të këtyre këngëve janë ndonjëherë interesante, ndonjëherë na zemërojnë dhe ndonjëherë janë krejtësisht të papranueshme.

I’m Always Chasing Rainbows – Artistë të ndryshëm

Kjo këngë është ndaluar në vitin 1942, për shkak se është konsideruar shumë sentimentale, gjë që sipas ndalesës ka ndikuar në moral gjatë kohës së luftës. Ky ndalim u harrua kryesisht nga fundi i Luftës së Dytë Botërore kur edhe u këndua nga këngëtarë të ndryshëm si Perry Como.

The Kinks – Lola
BBC-ja në këngën Lola nuk kishte problem me trans-seksualitetin. BBC e ndaloi këngën për shkak të përdorimit të emrit kompanisë ‘Coca-Cola’ në këngë (çdo referencë ndaj markave të ndryshme ishte e ndaluar). Kur grupi e ndryshoi këngën nga ‘Coca-Cola’ në ‘cherry cola’, BBC-ja e lëshoi atë.

https://www.youtube.com/watch?v=IqbZjr5PY1w

Maybellene – Chuck Berry
Ajo që e bëri këngën ‘Maybellene’ të nënvizohej me të kuqe ishte fakti që ajo fliste për ateistët, edhe pse kënga kritikonte këtë.

Love for Sale – Cole Porter dhe Ella Fitzgerald
Kjo këngë ishte ndaluar pasi që shkelte dy herë rregullat që kishte vendosur BBC-ja. Kënga e kënduar nga këndvështrimi i një prostitute, konsiderohej se kishte tekst ‘seksualisht të papranueshëm’ dhe shkelte standardet e BBC-së për reklama. / KultPlus.com

Publikohet një këngë e padëgjuar më parë e Amy Winehouse

Ka dalë në Youtube një demo e një kënge të panjohur deri tash nga Amy Winehouse.

“My Own Way” nuk është dëgjuar më parë nga fansat e këngëtares e cila ka ndërruar jetë para disa vitesh.

https://www.youtube.com/watch?v=YZrtSdRS3cs

Pas vdekjes së Amy Winehouse në vitin 2011, shumica e incizimeve të saj ishin shkatërruar. Qëllimi ishte që të mos krijoheshin më shumë incizime pas vdekjes së saj. Sidoqoftë, një tekstshkrues dhe muzikant, Cil Cang ka ngarkuar një këngë të këngëtares në Youtube, këngë të cilën ajo e kishte realizuar gjatë kohës sa ajo ishte adoleshente.
Cang ka treguar për gazetën britanike “Candem New Journal” se Winehouse ka kënduar këngën “My Own Way”, gjatë kohës kur ajo tentonte të merrte vëmendjen e producentëve.

“Ne kemi qenë duke shkruar shumë këngë dhe kemi bërë promovim të disa artistëve, disa prej tyre nuk kanë pasur shume talent… Amy pati ardhur te ne, dhe posa kishte filluar të këndonte na la pa frymë”, ka treguar ai.

Amy Winehouse na ka lënë trashëgimi këngët e saj më të mira, mes tyre “Back to Black”, “Valerie”, “Love is a Loosing Game”, “Hey Little Rich Girl”, “You know Im no good”, “Tears dry on their own” dhe këngë tjera. / KultPlus.com

Rita Ora: Punoj shumë për ta vendosur Kosovën në hartën e botës

Nën tingujt e muzikës së “Valles së Rugovës”, këngëtarja nga Kosova me famë botërore, Rita Ora, ka publikuar një video-ditar për performancën e saj për dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Në disa pjesë të këtij ditari, krijuesja e hitit “Shine Ya Light”, klipin e të cilit e realizoi në Kosovë, flet edhe për vendlindjen e saj si pjesë të rëndësishme të jetës.

Përderisa mbetet e mahnitur me numrin e madh të njerëzve që ishin të pranishëm në koncertin e saj, Rita ka thënë se është krenare me prejardhjen e saj dhe se do të vazhdojë të punojë që Kosovën ta vendosë në hartën e botës.

“Është ditë e rëndësishme për mua sepse e di se çfarë rëndësie ka kjo ditë për familjen time dhe për shoqërinë. Do të jetë momenti im më i mirë në jetën time sepse është vendi im. Kurrë nuk kam pasur më shumë shikues se tani. Nuk e di se çfarë të bëjë”, ka thënë Rita në një pjesë të videos.

“Është vendi im dhe është diçka e veçantë të jetë ambasadore e këtij vendi. Të jesh femra e parë e këtij vendi që performon në botë është diçka e pabesueshme për ata. Vendi im është i vogël dhe i mungojnë këto koncerte. Më pëlqen të jem e para dhe më bën të jem krenare. Punoj shumë që ta vendosi vendim tim në hartë dhe do të vazhdojë të punoj”, ka thënë ajo në momentet e fundit të videos.

Kënga e burrit të pabesë

ALDA MERINI / Përktheu Beti Njuma

Burri im është i barabartë me Zotin.
Burri im është i barabartë me perënditë.
Nëse më prek
unë ndjehem grua
dhe ndiej ujin që rrjedh
në liqet e jetës.
Burri im është një kalë race që vrapon
ndërsa unë kalorëse e pavlerë
përdhe s’luaj vendit
burri im është një kitarë e lumtur
dhe unë jam kënga e tij
por ai s’më këndon asnjëherë
përse?
Pres që kitara të bëhet copë e çikë
për të jetuar…
Burri im është një burrë katil
burri im është lutja ime
është i njëjtë me Rilken dhe Garsian
është i njëjtë me Savonarolën
por burri im prek të tjera baqthe e të tjera flokë
është bujar me vashat e praruara
dhe mua më lë të mjerë
prej pleqërisë dhe jetës të vdes për të.
Burri im nëse zhvishet
e ka kraharorin leshtak si shqiponjat
por një sqep që të lëndon thellë
dhe ndëshkon pendesat e dashurisë
atëherë unë i tregoj mishrat e mi të plagosur
dhe fatin mallkoj,
por nëse burri im buzëqesh
unë sërish lulëzoj dhe bëhem një hënë e bardhë
që në det pasqyrohet.

Mirush Kabashi: Nënë Tereza s’është rastësisht shqiptare

Aktori i njohur Mirush Kabashi, i ftuar në emisionin “Shqiptarët për shqiptarët” në News24, vlerësoi iniciativat e ndërmarra për t’i ofruar ndihmë njerëzve në nevojë.

Kabashi u shpreh se shqiptarët e kanë treguar humanizmin e tyre, dhe se Nënë Tereza s’është rastësisht shqiptare.

Në studion e emisionit aktori rrëfeu një histori prekëse që i kishte ndodhur me një adoleshent që lëvizte me karrocë, pasi nuk i kishte këmbët.

“Kam pasur një problem timin dhe isha në Dajt. Duke ecur, dëgjoj një adoleshent që ishte me karrocë, pasi nuk ecte dhe thërriste: ” O xhaxhi, xhaxhi…”. I thashë nuk kam para të vogla, dhe vazhdova rrugën, por ai vazhdonte të thërriste. Më pas unë u ndala dhe ai më dhuroi një mollë. Më tha se më kishte parë në një film. Më besoni që mu duk vetja milingonë në atë moment. Pra kur të vijë çështja për ndihmë, ne duhet të japim për të tjerët.”

‘Unë jam Paul Walker’, vjen dokumentari mbi jetën e aktorit të njohur

Arritja e shpejtë e famës dhe vdekja e papritur e aktorit Paul Walker do të jetë subjekt i dokumentarit të ri i cili do të realizohet shumë shpejtë, përcjellë KultPlus.

Paramount Network është fokusuar në jetën e aktorit Paul Walker për të sjellë një dokumentar mbi të. Ky vendim ka ardhur pas suksesit që kanë pasur dokumentarët për Heath Ledger dhe John F. Kennedy Jr., publikuar nga kjo kompani vitet e fundit.

Kështu Paramount së bashku me Entertainment dhe regjisorin Derik Murray do bashkohen për të ofruar një vështrim më ndryshe për jetën e aktorit, shkruan People.

Dokumentari do të përmbajë biseda me kolegët e aktorit dhe njerëzit që kanë qenë të afërm më të, duke treguar kështu një këndvështrim tjetër mbi aktorin e filmit Fast and Furious dhe veprimet e tij bujare, siç ishte ndihma që kishte dhënë pas tërmetit në Haiti në vitin 2010.

Walker ka vdekur në nëntor të viti 2013, pas një aksidenti me makinë, gjatë kësaj kohë ai ishte në mes të xhirimeve për pjesë e shtatë të filmin Furious. Detaje të tjera mbi dokumentarin priten që të bëhen publike së shpejti. / KultPlus.com

GREMINA, 1940

Poezi nga Lasgush Poradeci.

Ti sot as qesh as qan,
Ri larg e qetë.
Në shpirtin t’ënd ti mban
Një faj për jetë.

Një dashuri me gas,
Siç fryri era,
E zure shpejt në ças,
E le përhera.

U ngrove-ashtu sa mund,
As shumë-as pakë,
S’të ndriu përdrejt në fund
E bardha flakë:

Më ndriu e griu e shkriu
Ah mua zjarri!
U mvarrësh un’i ziu
Mi buzë varri!

E nuk më dhemb aspak
Një vdekje-e gjallë,
Ndaj qava lot me gjak,
Si në përrallë;

Ndaj hoqa rëndë-ashtu,
Gjer në greminë,
Llaftarën që më zu
Për dashurinë;

Për dashurinë-o Zot,
Që shemb një burrë,
Që s’e pat ndjerë dot
Gruaja kurrë;

Që lind e ndritur krejt,
Bukuriplotë!
Me dritën drejt-për-drejt
Nga drita jote!

Që qesh e qan e zjen,
E s’jep të qetë,
E zjen e bren e shfren,
E s’vdes perjetë.”

1940 – Viti kur u shkrua poezia

Hapet në Tiranë ekspozita e Eliza Hoxhës

Ambasada e Republikes së Kosovës në Tiranë, në kuadër të organizimeve me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, me datë 26 shkurt ka hapur ekspozitën personale të Eliza Hoxhës “Midis ëndrrës dhe realitetit”.

Në hapje të ekspozitës ishin të pranishëm diplomatë, figura publike dhe përfaqësues të institucioneve kulturore dhe të organizatave jo qeveritare në Shqipëri. Në këtë ngjarje të organizuar nga Ambasada e Kosovës në Tiranë, ishte e pranishme edhe vetë autorja e ekspozitës, Eliza Hoxha. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për tri ditë me radhë, nga datë 26 deri më 28 shkurt.

Ekspozitën “Midis ëndrrës dhe realitetit” e ka hapur i Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Kosovës në Tiranë, Sylë Ukshini, i cili theksoi se kjo ekspozitë është e veçantë dhe lidhë shumë faza historike të rrugëtimit të Kosovës nga demonstratat e viteve 90-të të shekullit të kaluar, lufta e fundit e deri të pavarësia e Kosoëvs, duke shtuar se kjo ekspozitë pasqyron njëkohsisht dhembjen tonë, rezistencën tonë, ëndërrën tonë dhe kujtesën tonë historike. Ukshini më tej theksoi se 10 vite janë pak për shtetin e Kosovës, por sipas tij, me siguri pas 10-të viteve të tjera shteti i ri i Kosovës do të jetë më i konsoliduar në planin e brendshëm dhe ndërkombëtar.

Më pas fjalën e përshëndetjes drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi. “Ekspozita personale “Midis ëndrrës dhe realitetit” është një ekspozitë që na tregon të vërtetën historike të Kosovës. Luftën e saj për mbijetesë dhe fitoren mbi gjenocidin dhe dhunën sistematike serbe mbi shqiptarët e Kosovës.

Autorja e ekspozitës, Eliza Hozha, në fjalën e saj theksoi se ajo i përkiste një gjenerate që pati shumë ëndrra, por që jo të gjitha mundën të ktheheshin në realitet. Ajo theksoi gjithashtu se i përkiste asaj gjenerate që përjetoi luftën, por dhe shpalljen e pavarësisë. Sipas Hoxhës, ekspozita e saj sjellë në vëmendje atë që ka kaluar e që nuk duhet harruar asnjëherë. / KultPlus.com

Rita Ora publikon videon me detaje nga tërë rrugëtimi i saj në Kosovë (VIDEO)

Rita Ora ka publikuar në kanalin e saj zyrtar në Youtube një video e cila e tregon tërë rrugëtimin e saj deri në koncertin legjendar që e mbajti në Prishtinë me datë 17 shkurt.

RITA ORA | Kosovo 10 Year Independence Day Show – Video Diary – në 15 minuta e tregon përvojën e Rita Orës, e cila i solli Prishtinës freski me ardhjen e saj dhe me koncertin ku mahniti me paraqitjen e saj.

Mesiq refuzon titullin qytetar nderi i Sarajevës për shkak të Orhan Pamukut

Stjepan Mesiq, ish – kryetar i Kroacisë, ka refuzuar të bëhet qytetar nderi i Sarajevës. Mesiq për N1 ka pohuar se autoritetet e qytetit në Sarajevë i ka njoftuar me shkrim se për shkak të rastit me shkrimtarin Orhan Pamuk, nuk dëshiron ta marrë këtë titull, transmeton Koha.net.

Para dy javësh për këtë çmim ishte kandiduar shkrimtari turk e fitues i Çmimit Nobel për Letërsi Orhan Pamuk. Komisioni për emërim i Këshillit të Qytetit fillimisht ka qenë 7 me 0 për Pamukun që të shpallet qytetar nderi i Sarajevës.

Në ndërkohë katër anëtarë kanë ndërruar mendim, për shkak të, siç është thënë, mungesës së elementëve për dhënien e çmimit. Pas kësaj, mediet njoftuan se në vend të Orhanit për këtë çmim është kandiduar Stjepan Mesiq.

“Kemi vendosur që mirënjohjen në vend të Pamukut t’ia japim (Stjepan) Mesiq”, ka sqaruar për agjencinë e lajmeve kroate Hina, pronari i Baybook-ut Damir Uzunoviq i cili dyshon se në prapavijë të gjithë këtij tregimi është politika, përkatësisht vardisja e partisë qeveritare boshnjake ndaj regjimit të Rexhep Taip Erdoganit.

Mesiq theksoi se nuk ishte njoftuar fare për kandidaturën për të cilën kishte marrë vesh vetëm nga mediet. Pas kësaj ai u kishte shkruar autoriteteve të qytetit se pas rastit me Pamukun, ai nuk dëshiron të jetë qytetar i nderi i Sarajevës.

Florent Boshnjaku: Shërimi i Bekim Lumit duhet të zgjidhet me rrugë shtetërore

Janë të shumta reagimet këtyre ditëve rreth shëndetit të regjisorit Bekim Lumi.

Dhe madje, nga shëndeti i vetëm një njeriu debati zgjerohet deri tek i tërë sistemi shëndetësor në Kosovë, me të metat e tij e i cili nuk garanton trajtim të mirë për të sëmurët, plus me një kosto të shtuar financiare.

Kompozitori Florent Boshnjaku ka reaguar rreth shëndetit të regjisorit duke kërkuar që të ketë zgjidhje me anë të rrugëve shtetërore:

Sherimi i regjisorit Bekim Lumi duhet te zgjidhet ne menyre dhe rruge shtetnore dhe ate urgjent sikurse per shume njerez te politikes , Bekim Lumi e meriton perkujdesjen e shtetit ne maksimum , pamvarsisht vullnetit te mire te kolegeve , shoqerise etj. Qeveria tek e fundit edhe qyteti i Prishtines duhen me e marre si obligim urgjent .
Shume e lehte dhe kenaqesi me u mburre me suksese , por kur te vjen puna me ndihmu si ky rast harrohen ….

Ky është statusi i kompozitorit Boshnjaku në rrjetin social Facebook, krahas edhe shumë reagimeve tjera që vijnë nga artistë e njerëz që duan më të mirë për shëndetin e qytetarit krahas edhe një sistemi shëndetësor që garanton përmirësimin e mirëqenies. / KultPlus.com

Pamja nga Mramori, prej më të mirave në Evropën e mbuluar me borë

Revista e njohur “Harper’s Bazaar” ka publikuar dhjetë fotografi me skenat më të mira të borës që ka mbuluar ditët e fundit Evropën.

Në mesin e këtyre fotografive është edhe një nga fshati Mramor i Prishtinës.

Fotografia që paraqet një rrugë të mbuluar me borë mes maleve dhe një njeri duke ecur, është përfshirë në mesin e pamjeve më të mira të borës nga kryeqytetet evropiane.

Dua Lipa në listën e 100 personave më me ndikim nga Vogue

Revista Vogue ka publikuar sot listën e 100 njerëzve të cilët janë duke frymëzuar njerëzit, e në mesin e tyre është edhe këngëtarja Dua Lipa, përcjell KultPlus.

Lista e VogueWorld100, e cila është publikuar sot, është një listë e larmishme e zërave krijues të dalluar nga e gjithë bota, duke përfshirë aktorë, artistë, muzikantë, atletë, stilistë, aktivistët, kuzhinierët, koreografët, videografët, fanatikë të bukurisë, dhe çdo njeri i çuditshëm i cili ka pasur ndikim tek të tjerët dhe që është inspirim për të tjerët.

“Nga një kampione e patinazhit e mbuluar në Emiratet e Bashkuara Arabe, te një vajzë e re në Dallas e cila skicon veshje për pista të modës, çdonjëri prej personave që janë pjesë e kësaj liste janë njerëz të talentuar, me të cilët ne kemi qenë të lumtur të bashkëpunojmë dhe të tregojmë historitë e tyre”, është shkruar në artikullin e publikuar nga Vogue.

Artikulli i cili në brendi të vet ka një laramani të madhe tregon se njerëzit mund të pyesin se si mund të ekzistojnë karaktere kaq të ndryshme në një listë, si mundet një piktor i klasit botëror siç është Jordan Casteel, të krahasohet me dyshen të cilët e quajnë vetën ‘Fecal Matter”. Mirëpo sipas tyre përgjigjja është shumë e thjeshtë, pasi ekipi i Vogue të cilët edhe e kanë realizuar këtë listë, thonë se njerëzit por edhe ata vetë janë ndikuar nga të gjithë këta emra që janë pjesë e listës. Që nga Kim Kardashian West deri te gjenerata e re e artistëve të tatuazheve e deri tek Vanilla Jellaba, një llogari misterioze në Instagram që dallohet për stilin e saj të veshjeve.

Kjo është lista e plotë e 100 personave: Bryndon Cook, Vanilla Jallaba, Urassaya Sperbund, Dear Giana, Maxine Ashley, Jess Chen, Yves-Oliver Manderau, Jon Rafman, Sonia Ali dhe Fyza Ali, Doreen Garner, Bad Canteen, Lyra pramuk, Tigermomdragonlady, Elizaveta Popova, Nao Takahashi, Tomasyn Hayes, Alpha Channelin, Salvjiia, Gabrielle Tesfaye, Mickey Mahar, Lori Stern, Saufeeya Goodson, Molly dhe Reese Blutstein, Patti Harrison, Dope Saint Jude, Ayo dhe Teo, Eileen Oppenheimer, Glow, Sakura, Cara Nicoletti, Teisha Jenaie, Milma, Creepy Yeha, Chunky Buff, Anitta, Austyn, Peepy dhe Mother Lee, Moonkyu Lee, Mc Soffia, Mette Towley, Hannah Stocking, Leah Abbott, Riya Hamid, Lauren Auder, Coralie Jouhier, Briana Wilson, Mademoiselle Meme, Desire Marea, Jordan Casteel, Frances Waite, Dokgo, Miski Muse, Tara Emad, Amiaya, Dua Lipa, Burna Boy, Xanthous Bae, Rithika Merchant, Gus Dapperton, Peggy Gou, Latita Ky, Natalie Krim, Ruby Mary Lennox, Liselotte Watkins, Lena dhe Katya Popovy, Dytto, Anastasiia Gutnyk, Aziza Azim, Bryant Giles, Falana, Martine, Ali, Jochen holz, Olivia Kaiafa, Fela Gucci, Ouyang Nana, Taylore Scarabelli dhe Slava Balasanov, Olga Kamenetskaya, Ascia, Si Oux, Kamilla Osman, Ewelina Gralak, James Whiteside, Aviya, FerSan, Adriana Hot Couture, Dianne Garcia, Sophia Roe, Shani Crowe, Yola Jimenez, Yuya, Fecal Matter, Tomer Romn Daunov, Zabra Lari, Bailey/Nightspace, Charlie Cappable, Sabrina dhe Sarah, Mele Murder, Eric Christison, Tiwa Savage, dhe Talia Migliaccio. / KultPlus.com

Instrumentistët e rinj nga Shqipëria tani mund të jenë pjesë e Eurovizionit

Shqipëria këtë vit do të marrë pjesë për herë të parë në Eurovision Young Musicians – gara muzikore e Eurovizionit por vetëm për instrumentistë.

Shqipëria kësisoj ka hapur edhe thirrjen për instrumentistët, për të zgjedhur kështu përfaqësuesin e saj.
TVSH fton të gjithë instrumentistët shqiptarë që të aplikojnë për tu bërë pjesë e garës dhe potencialisht përfaqësimi i Shqipërisë në këtë garë. TVSH ka realizuar edhe një videoklip me anë të të cilit fton instrumentistët e rinj.

Nga të gjithë konkurruesit, vetëm gjashtë në fund do të mund të kalojnë në finalen shqiptare.

https://www.youtube.com/watch?v=UtNyJLHOnnM&feature=youtu.be

Eurovision Young Musicians mbahet në Edinburg, në muajin gusht, përcjellë edhe nga Orkestra Simfonike Skoceze e BBC.

Për më shumë informacione, të gjithë instrumentistët mund të klikojnë këtu dhe të informohen më gjerësisht. / KultPlus.

Ankand për shitjen e banerit me Atifete Jahjagën, ndihmë për regjisorin Bekim Lumi

Baneri me Atifete Jahjagën do të dalë në ankand.

Baneri i cili ka kohë që qëndron tek MIQT Pub në kryeqytet, do të dalë në ankand për një kauzë të veçantë dhe humane.

Nesër, me datë 28 shkurt, me fillim prej orës 20:00 tek MIQT PUB në kryeqytet baneri do të dalë në ankand, ndërsa paratë nga shitja do të shkojnë për të ndihmuar në shërimin e regjisorit Bekim Lumi dhe ditëve të vështira në të cilat po kalon ai.

Baneri mban mbishkrimin “Zana, Laj Duart!” dhe ka për protagoniste ish presidenten e vendit – Atifete Jahjagën.
Ankandi do të moderohet nga Kreshnik Keka Berisha. / KultPlus.com