Falimenton kompania e Weinstein

Studioja filmike amerikane, Weinstein Company, ka falimentuar pas një serie dështimesh, pas skandalit të keqtrajtimeve seksuale në Hollywood.

Producenti i famshëm, Harvey Weinstein, ishte në qendër të këtij skandali dhe kjo ka bërë që kompania e tij të falimentojë.

Bisedimet dështuan kryesisht si pasojë e një padie të re kundrejt kompanisë nga Prokuroria e New Yorkut.

Dhe derisa studioja që ka realizuar filmat, si “Inglourious Basterds”, “Django Unchained”, “The King’s Speech”, “Scary Movie 4” e “1408”, është duke rënë, bashkëthemeluesi i saj është i paditur për një sërë rastesh të keqtrajtimeve seksuale duke përfshirë edhe përdhunimin.
Producenti i ka hedhur poshtë akuzat duke thënë se asnjëherë nuk ka kryer marrëdhënie seksuale pa pajtimin e palës tjetër.

Weinstein është akuzuar nga femra shumë të famshme në Hollywood, ndërsa numri i tyre është me dhjetëra./ KultPlus.com

Bosnja anulon vendimin për ta nderuar shkrimtarin turk Orhan Pamuk

Shkrimtari Orhan Pamuk, laureat i Nobelit, i cili është një kritik i zëshëm i presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, u propozua për t’u nderuar për shkrimin e skenarit për luftën në Bosnjë.

Por qyteti i Sarajevës ka braktisur planet për ta bërë Orhan Pamuk-un një “qytetar nderi” të kryeqytetit të Bosnjë-Hercegovinës, ndërsa kritikët thonë se kjo u bë nga frika e ofendimit të Turqisë.

Pamuk ishte nominuar për t’u nderuar nga botuesi dhe libraria vendore Buybook, e cila sugjeroi që laureati i Nobelit të bëhej “qytetar nderi i Sarajevës” ndërsa po planifikonte të vizitonte qytetin këtë pranverë duke punuar në skenarin për Bosnjën gjatë luftës. Sipas drejtorit të Buybook, Damir Uzunoviq, ndërsa komisioni i këshillit fillimisht votoi shtatë me zero për ta bërë autorin turk një qytetar nderi, një votim i dytë e kishte refuzuar kandidaturën e Pamuk duke votuar, katër me tre.

“Shpjegimi i komisionit të këshillit ishte se Orhan Pamuk nuk bëri asgjë ose pothuajse asgjë për qytetin e Sarajevës. Disa anëtarë nga partia qeverisëse vlerësuan se dekorimi i zotit Pamuk mund të shkaktojë zemërimin e qeverisë aktuale të Turqisë. Ata shfrytëzuan këtë mundësi për të dërguar një mesazh te Pamuk … se ai nuk është i mirëpritur në Sarajevë”, tha Uzunoviq.

“Ne kemi deklaruar se Orhan Pamuk është një nga shkrimtarët më të rëndësishëm bashkëkohorë dhe se asnjë nga laureatët aktualë të Nobelit kurrë nuk ka ardhur në Sarajevë. Pamuk është shkrimtari më i lexuar dhe më i famshëm në Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe si botues i tij ekskluziv për BeH, ne e kemi ftuar Pamukun të vizitojë disa herë Sarajevën”.

Pamuk është një figurë e diskutueshme në Turqi, ku ai është përballur me burg për “fyerjen e gjërave turke”. Sipas Agencisë Franceze të Lajmeve, e cila për herë të parë raportoi për vendimin, Bakir Izetbegoviq, i cili kryeson partinë në pushtet të SDA, është i afërt me presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan.

Samir Fazliq i partisë opozitare ‘Nasha Stranka’ i tha AFP-së se rezultati i dytë i votimit ishte për shkak të “kundërshtimit të politikës së presidentit turk Erdogan” nga Pamuk dhe “frikës….nga Erdogani”.
Zyra e Kryetarit të Bashkisë së Sarajevës nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Ndryshimi i mendimit për Pamuk u kritikua gjithashtu nga Partia Social Demokratike (SDP) e opozitës në Bosnjë-Hercegovinë. “Këta zotërinj në pushtet u zgjodhën të ishin etërit e qytetit të Sarajevës, por ata sillen si foshnje të një fshati të vogël të Erdoganit”, tha zëdhënësi Malik Garibi.

“Unë jam i sigurt se Turqia është vendi ynë miqësor dhe se turqit janë një popull miqësor për ne, kështu që unë jam i sigurt se edhe ata do të zbrapsen nga gjeste të tilla, ashtu si do të bënte çdo mik i mirë. Një mik do të na ngriste dhe nuk do të lejonte që ne të gjunjëzohemi para tij”, tha Garibi.

“Shpresoj që Orhan Pamuk të bëhet qytetar nderi i qytetit tonë. Librat e mëdha që ai ka shkruar e bëjnë atë një nga turqit më të famshëm dhe një nga shkrimtarët më të mëdhenj në histori dhe ne do të nderohemi që ta kemi atë si bashkëqytetar. Këto trazira politike janë të përkohshme dhe me siguri do të kalojnë, por shkrime të tilla mahnitëse do të vazhdojnë të ekzistojnë shumë kohë pasi të gjitha këto projekte politike janë harruar. Të dyja, shkrimet e Sarajevës dhe Orhan Pamuk janë pjesë të mrekullueshme të historisë njerëzore dhe sigurisht se do të qëndrojnë atje së bashku, ndryshe nga autoritetet aktuale të qytetit dhe vendimet e tyre të turpshme”.

Ai shtoi se SDP do të kërkonte që çështja “të zgjidhet” nga këshilli i qytetit”, por kam frikë se tashmë është tepër vonë dhe se qyteti është tashmë i turpëruar, dëmi i reputacionit të Sarajevës është bërë sapo lajmi i tillë mori dhenë”./ KultPlus.com
Marrë nga “The Guardian”.

Sulmohet Konsullata e Kosovës në Francë dhe vidhet flamuri (FOTO)

Në fundjavë është sulmuar Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Strasburg të Francës.

Aty nga shtiza është vjedhur edhe flamuri i Kosovës si dhe është shkatërruar stema e shtetit, njofton Klan Kosova.

Këtë e ka bërë të ditur, Konsulli i Kosovës, Edon Cana përmes një postimi në Facebook.

“Gjatë vikendit është sulmuar Konsullata Përgjithshme në Strasburg dhe është vjedhur Flamuri i Republikës dhe është shkatërruar Stema e Shtetit”.

“Simbolet e Shtetit të Kosovës i pengojnë armiqve tanë!”.

“Duke i falënderuar autoritetet franceze për mbështetjen e tyre jemi të bindur se mbas forenzikës së bërë sulmuesit shpejt do të gjinden”, ka thënë Cana./ KultPlus.com

Edhe një kryevepër e Picassos në ankand

Piktura e njohur si “Gruaja me beretë dhe fustan me kubëza” është prezantuar tashmë në prag të ankandit të madh.

Një kryevepër e piktorit të madh spanjoll, Pablo Picasso do të dalë në shitje për herë të parë në një ankand të shtëpisë Sotheby’s me 28 shkurt në Londër. Piktura e njohur si “Gruaja me beretë dhe fustan me kubëza” është prezantuar tashmë në prag të ankandit të madh. Dhe vepra e Picassos pritet që të jetë oferta kryesore e këtij ankandi dhe pritet të shitet miliona dollarë.

James Mackie, drejtor i departamentit për impresionizëm dhe art modern në shtëpinë e ankandeve e përshkoi këtë vepër si kryeveprën më të madhe të vitit 1937 të krijuar në kohën shumë të rëndësishme të zhvillimit të artistit.

“Mendoj se është njëra prej veprave më të mira të vitit 1937 dhe ishte vit i rëndësishëm i karrierës së Picassos. Ishte viti kur ai krijoi edhe Guernican. E kjo është Marie Therese Walter, muza e tij e artë në vite që do të pasonin. Kjo pikturë është bërë me fuqi të jashtëzakonshme” tha ai.

Edhe një vepër tjetër e Picassos, “Le Matador” po ashtu është në shitje në këtë ankand dhe pritet të shitet deri në 18 milionë funta./ KultPlus.com

Dua Lipa viziton xhaminë në Abu Dhabi (FOTO)

Këngëtarja Dua Lipa ka vizituar një nga xhamitë në Abu Dhabi, me ç’rast ka bërë edhe disa fotografi e mbuluar me shami.

Ajo ka publikuar disa fotografi në rrjetet sociale, ndërsa thotë e ka parë xhaminë më të bukur në Abu Dhabi, transmeton Koha.net. Fotografitë i ka bërë Pixie Levinson.

“Para koncertit në Abu Dhabi vizituam xhaminë më të bukur. Isha e nderuar, faleminderit”, ka shkruar ajo në Facebook./ KultPlus.com

Adem Demaçi sot mbush 82 vjet, përurohen dy libra për të

Simboli i rezistencës kombëtare Adem Demaçi sot mbush 82 vjet. Me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë.

Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me Republikat e tjera të Jugosllavisë.

Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai quhet edhe Nelson Mandela i Evropës.

Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga 1990 deri 1995.

Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998/1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së.

Ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007). Sot, njerëzit e rezistencës kombëtare identifikohen me emrin e Adem Demaçit, sepse ai me punën e tij dhe me veprën e tij, u bë simbol i unifikimit për ruajtjen e kombin shqiptarë, mbi pesë dekada.

Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij, është një personalitet i përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare.

Ai ka shkruar romanin “Gjarpijtë e Gjakut” i cili u ndalua nga regjimi ish-komunist. Ai e pa dritën vetëm pas viteve nëntëdhjeta.

Me rastin e 82-vjetorit të lindjes së veprimtarit Adem Demaçi, përurohen librat e përgatitur nga Selatin Novosella “Viti i Adem Demaçit” dhe “Demaçi- njeri i lavdisë”.

Promovimi i librave bëhet në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në ora 12.00./ KultPlus.com

Dy zanoret e para të Alfabetit ‘Vithkuqi’ të Naum Bredhit

Këto janë dy zanoret e para të Alfabetit të Vithkuqit.

Alfabeti i njohur i Naum Veqilharxhit, i vitit 1844, i ka këto shkronja në këtë formë, të bukura e të cilat përcjellin emocionin e veçantë, në formën e tyre origjinale.

Edon Muhaxheri, artisti që punoi me këtë alfabet dhe e zbuloi atë pasi e kishte harruar koha e historia, i ka sjellë këto dy zanore për ti ndarë ato me miqtë e tij në rrjetet sociale.

Alfabeti në fjalë ka qenë i dëshiruar prej shqiptarëve, por me vdekjen e Veqilharxhit në vitin 1854, dhe për shkak të mungesës së fondeve për ndërtimin e shtëpive të veçanta botuese, alfabeti u zhduk, shkruan KultPlus.

Alfabeti në origjinal ka 33 shkronja ndërsa është i lashtë dhe vështirë i integruar në gjuhën e sotme shqipe. Megjithatë, Muhaxheri disa herë ka treguar se ai ka dashur që ta vendosë këtë alfabet në hartën e trashëgimisë kulturore shqipe, dhe ka pasur një pasion të madh gjatë hulumtimit të alfabetit.

Ekspozita e tij ka qenë e hapur në Prishtinë dhe madje edhe në Washington, ku vjen alfabeti dhe e tërë ekspertiza e Muhaxherit mbi këtë zbulim fantastik. / KultPlus.com

Lirim Ramosaj, shpallet “Mister Zvicra Romande 2018” (FOTO)

Në mesin e 11 djemve garues, djaloshi nga Carrabregu i Deçanit arriti të triumfoj duke u kurorëzuar me vendin e parë të këtij spektakli.

Lirim Ramosaj është shpallur mashkulli më i bukur në spektaklin “Mister Zvicra Romande 2018”. Në teatrin “De Beaulieu” në Lozanë të Zvicrës, të shtunën me 24 shkurtë është mbajtur spektakli i “Mister Zvicra Romande” i cili është spektakli më i njohur për kantonet frëngjisht -folëse në Zvicër, shkruan albinfo.ch.

Në mesin e 11 djemve garues, djaloshi nga Carrabregu i Deçanit arriti të triumfoj duke u kurorëzuar me vendin e parë të këtij spektakli.

Në kategorinë e femrave, “Miss Romande 2018” ka fituar vajza 20 vjeçare Margaux Matthey. Lirimi është 23 vjeçar me profesion automekanik.

Të dy fituesit janë shpërblyer me nga një orë të shtrenjtë dhe me një darkë në një hotel ekskluziv në Lozanë.

Le valaisan Lirim Ramosaj, elu Mister Suisse Romande 2018, pose pendant le passage en lingerie lors de la soiree de la finale de Miss et Mister Suisse Romande 2018, ce samedi 24 fevrier 2018 a Lausanne. (KEYSTONE/Valentin Flauraud)

Në vitin 2014, kurorën e më të bukurës së këtij spektakli e kishte fituar, shqiptarja Sindi Arifi.
La genevoise Margaux Matthey et le valaisan Lirim Ramosaj, elus Miss et Mister Suisse Romande 2018, posent lors de la soiree de la finale de Miss et Mister Suisse Romande 2018, ce samedi 24 fevrier 2018 a Lausanne. (KEYSTONE/Valentin Flauraud)

Dua Lipa me koncert edhe në Dubai, mrekullon audiencën (VIDEO)

Këngëtarja e njohur Dua Lipa së fundi ka mbajtur një koncert në Dubai,e cila ka mrekulluar audiencën e atjeshme, shkruan KultPlus.

Në këtë koncert shihen të kenë kënduar edhe të pranishmit, e cila me këngët e saj ka krijuar një atmosferë të ngrohtë.

Dua Lipa është duke u shndërruar një yll botëror, pasi që, koncertet e saj po zgjojnë interesim të madh në të gjitha anët e botës.

Dua Lipa së fundi u shpërblye me dy cmime në Brit Awards, cmime këto që vulosën edhe njëherë suksesin e Dua Lipës. /KultPlus.com

Hashim Thaçi ua dhuron prindërve librin për t’i shikuar fotografitë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka shfrytëzuar të dielën e kësaj fundjave për t’i takuar prindërit e tij.

“Pata kënaqësinë t’ua përcjelli një dhuratë prindërve nga gazetarët anglezë të biografisë sime. Edhe nëna dhe babai u intervistuan gjërësisht për këtë libër nga autorët”, ka shkruan Thaçi.

Mbase presidenti thotë se prindërit e tij nuk patën mundësinë ta mësonin anglishten, por i kujtuan momentet e gëzimit e të hidhërimit, siç u është referuar ai. Por presidenti duket harroi se as vetë nuk qëndron aq mirë me gjuhën angleze.

“Ata nuk kanë pasur mundësinë të mësojnë anglishten por sot patëm arsye t’i rikujtojmë momentet e gëzimit dhe pikëllimit të familjes sonë, të shprehura në fjalë dhe fotografi në këtë libër”, ka përfunduar Thaçi. / KultPlus.com

Ekspozita e Eliza Hoxhës udhëton për në Tiranë

Ambasada e Kosovës në Tiranë, në kuadër të organizimeve me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar, sjell në Tiranë ekspozitën personale të Eliza Hoxhës “Midis ëndrrës dhe realitetit”.

Ekspozita e Eliza Hoxhës, këngëtare e njohur e pedagoge në Universitetin e Prishtinë, sjell copëza nga përpjekjet e shqiptareve të Kosovës në rrugëtimin e realizimit të ëndrrës për Kosovën shtet.

Po ashtu edhe momente lirie, ngazëllimi dhe entuziazmi në ditët e çlirimit, pavarësisë, por edhe sfidat me të cilat sot përballet shteti i Kosovës, si çështja e të pagjeturve, grave shqiptare të prekura nga dhuna seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, e deri tek mungesa e lirisë së lëvizjes.

Ekspozita do të mbahet në Muzeun Historik Kombëtar të Shqipërisë më 26 shkurt nga ora 19:00 dhe do të qëndrojë e hapur deri më 28 shkurt. / KultPlus.com

Nëse duart e mia do të këputnin gjethet

Poezi nga FEDERICO GARCÍA LORCA

Unë shqiptoj emrin tënd
netëve të errëta,
kur yjet vijnë të pinë
në burimin e hënës,
kur degëve të fshehta
dremitin gjethnajat.
E unë ndihem si një zgavër
tingujsh pasioni dhe muzike.
Sahat i çmendur që këndon
orët e vdekura që kanë ikur.

Unë shqiptoj emrin tënd
këtë natë të errët pus,
dhe emri yt më tingëllon
më i largët se asnjëherë.
Më i largët se të gjithë yjet,
më i përvajshëm se shiu i butë.

A do të të dua përsëri,
siç të desha dikur?
O zemër, sa paske gabuar!
Nëse mjegulla davaritet,
ç’pasion tjetër më pret?
A do të jetë i butë e i kulluar?
Ah, sikur gishtat e mi, o hënë,
të këputnin dot gjethet e tua!

(Përktheu nga spanjishtja Bajram Karabolli)

Eugent Bushpepës po i bëhet më e vështirë konkurrenca në Eurovizion (VIDEO)

Shqipëria ka qenë shteti i parë që ka zgjedhur këngën përfaqësuese për Eurovision Song Contest 2018.

Dhjetori i vitit të kaluar nxori Eugent Bushpepën si përfaqësuesin e Shqipërisë në Eurovizion.
Që nga ajo kohë, shtete të tjera kanë zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Eurovizion.
Pra, Eugentit po i shtohet konkurrenca dhe këngët tjera janë të fuqishme, secila me veçantinë e saj, shkruan KultPlus.

Greqia ka dalë të jetë një këngë e fuqishme që po pëlqehet, njëjtë edhe sikur Italia, me këngëtarin shqiptar Ermal Meta dhe me Fabrizio Moron në duet.

Edhe Çekia e ka zgjedhur këngën e saj përfaqësuese, një këngë ritmike dhe tipike për Eurovizion.

Armenia do të vendosë sonte në mbrëmje se cila këngë do ta përfaqësojë shtetin në garën më të madhe të muzikës në Evropë, që përcillet nga miliona njerëz nga mbarë bota. Franca, Gjermania, Spanja, Malta, Serbia, të gjitha kanë zgjedhur këngët e tyre përfaqësuese.

Eurovizioni mbahet me 8,10 dhe me 12 maj në Lisbonë të Portugalisë. Për Shqipërinë, shpresojmë kalimin në finale por edhe një rezultat të fuqishëm, pse jo brenda në dhjetëshen më të mirë. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=ZuZoTKTbwUA

Letra e Stefan Zweig para se ta vriste veten

76 vjet më parë vrau veten në Brazil shkrimtari Stefan Zweig bashkë me të shoqen.

Para vdekjes Zweig shkroi këtë letër:

“Përpara se të ndahem nga jeta me vullnet të lirë dhe me mendje të kthjellët, shtyhem të përmbush një detyrë të fundit: të falenderoj nga zemra këtë vend të mrekullueshëm, Brazilin, që më dha mua dhe punës sime një pushim shumë të mirë e mikpritës. Nga dita në ditë kam mësuar ta dashuroj më shumë këtë vend dhe askund nuk do ta kisha rindërtuar më me dëshirë jetën nga e para, pasi për mua bota e gjuhës sime ka perënduar dhe atdheu im shpirtëror, Evropa, po shkatërron vetveten. Por pas gjashtëdhjetë vjetësh nevojiten forca të veçanta për të filluar edhe njëherë nga e para. Kurse forcat e mia janë dërrmuar nga vitet e gjata të shtegtimit nëpër botë. Kështu që më duket e drejtë ta mbyll në kohën e duhur dhe me një qëndrim të drejtë një jetë, për të cilën puna shpirtërore ka qenë gjithmonë gëzimi më i kulluar dhe liria personale, mirësia më e madhe e kësaj toke. Përshëndes të gjithë miqtë e mi! Uroj që ata të kenë fatin të shohin përskuqjen e agimit pas natës së gjatë! Unë, si shumë i paduruar që jam po u paraprij!”

New York Times: Lexuesit e gjithë botës habiten pse Kadare nuk e merr çmimin ‘Nobel’

“Lexuesit e Ismail Kadaresë habiten çdo vit kur komiteti i çmimeve të Nobelit shpallin fituesin. Shkrimtari më i madh shqiptar fitues i çmimit Man Booker International, Çmimit të Jeruzalemit dhe shumë çmimeve e nderimeve të tjera tashmë është 82 vjeç”.

Kështu fillon shkrimi i gazetës së njohur amerikane, New York Times, kushtuar shkrimtarit të njohur shqiptar Ismail Kadare.

Cynthia Haven, e cila është kritike e letërsisë, i ka bërë një analizë romanit “Vajza në ekzil, Requiem për Linda B” ose siç është titulli në gjuhën shqipe “E penguara”, përkthyer në anglisht nga John Hodgson, e botuar në shqip në vitin 2009, shkruan nytimes, transmeton Telegrafi.

Ndërkaq, ajo çfarë veçon kritikja Haven është gjuha shqipe, e bërë ndërkombëtare përmes librave të këtij shkrimtari, ndërsa ndalet dhe tek jeta e tij nën regjimin komunist.

Pastaj, ‘E penguara’ është një roman ku flitet për nostalgjinë e Tiranës. ‘Kafe Flora’, kryqëzimet e rrugëve rreth sheshit “Skënderbe”, kopshtet e Akademisë, në ish-pallatin mbretëror, gjethet e rëna parkun përballë hotel “Dajtit”.

Kjo nostalgji epokash të përziera për kryeqytetin e vendit, merr një ngjyrim të skajshëm dramatik kur jepet nëpërmjet vizionit të një vajze që e ka të ndaluar të shkelë në kryeqytet.

Sipas Kadaresë, “Libri flet për një njeri të penguar. Zakonisht në traditën e letërsisë botërore pengesën e krijon fati, këtu është përshkruar një pengesë e një tipi të ri më të vonshëm se fati, pengesa e shtetit. I kushtohet të gjithë vajzave shqiptare që kanë pësuar internimin dhe jo një emri, apo një tjetri. Vajzat shqiptare kanë thithur brengën shqiptare”.

Ky libër ka marrë vëmendjen e medieve ndërkombëtare që pas përkthimit të tij në gjuhën angleze.

Në fund të kësaj historie Kadare lejon personazhet e tij të shkelin natyrën dhe vdekjen, duke i bërë jehonë gjurmëve të Orfeut. Eurydice e Rudian-it i tregon atij udhëtimin e saj tjetër për të ardhur tek ai – të ftohtit, qenve dhe telit me gjemba që shtrihet kudo. Është një përfundim që ndriçon faqet e fundit si një flakë që shkëlqen me alabastërm, shkruan Cynthia Haven… / KultPlus.com

Nëna Vera, shembulli dhe inspirimi i Rita Orës

Rita Ora është një nga këngëtaret më të famshme në botë për momentin dhe ka miliona ndjekës që mundohen ta imitojnë, por njëra prej tyre e imiton më shumë se të gjitha.

Bëhet fjalë për Verën, nënën e 27-vjeçares nga Kosova, e cila nga fotot duket qartë që e ndjek shumë modën.

Gjithashtu, Rita ka deklaruar se nëna e saj është truri pas suksesit muzikor. Në vitin 2009, kur Rita ishte e panjohur, kishte mundësinë për të përfaqësuar Britaninë në Eurovizion, por Vera e këshilloi që të mos e bënte këtë, por të merrte pjesë në një event muzikor lokal. Aty, një drejtues i një studioje e vlerësoi talentin e Ritës dhe kështu nisi rrugëtimi i suksesshëm i saj në botën e spektaklit.

Origjina e Rita Orës, nga një qytet i madh i Shqipërisë

Rita Ora njihet në gjithë botën si këngëtare shqiptare me origjinë nga Kosova. Por së fundmi Kopi Kyçyku, biografi i gjyshit të saj Besim Sahatçiut ka treguar se origjina e saj e vjetër është nga Kazazët e Shkodrës.

Sipas tij, orëndreqës të njohur, paraardhësit e Rita Orës kanë shkuar në Pejë të Kosovës, ku mbizotëronte kultura dhe tregtia turke dhe mbiemri u mbeti në këtë gjuhë Sahatçiu. Rita Ora tashmë e mban mbiemrin në gjuhën e saj shqipe, si artiste e njohur me famë botërore.

“Familja Sahatçiu e ka origjinën nga familja Kazazi e Shkodrës. Më shumë se 100 vjet më parë ata shkuan përtej Drinit dhe mbetën andej, por ruanin komunikimin. Kur u ndanë tokat e Shqipërisë më 1913-n, ata mbetën përfundimisht jashtë kufirit. Pra, këta i shkëputën lidhjet me Shkodrën dhe më pas shkuan edhe në Prishtinë, ushtruan zejen e orëndreqësit që në atë kohë përdorej turqisht Sahatçiu. Tani Rita Ora e ka bërë mbiemrin në shqip, një fjalë që dhe ne, dhe shumica e botës e kemi marrë nga latinët. Shumë të dhëna i plotësova nga intervista e të shoqes Besës, e cila u bëri një përshkrim me shumë modesti, por me shumë vërtetësi.”, shprehet Kyçyku në një intervistë për “Shqiptarja.com”.

Ai shton më tej se familja e babait të Ritës është edhe familje tradicionale, edhe moderne.

“Fëmijët e Besnikut janë edukuar dhe kanë edhe një artiste moderne në familje, siç është Rita Ora, por edhe ajo është shumë e thjeshtë në komunikim, shumë e dashur dhe e edukuar.
Familja Sahatçiu (Ora) i përshtaten shumë mirë jetës në Angli. Gratë e kësaj familjeje janë zonja të vërteta shqiptare. Po ashtu edhe fëmijët e Bekimit, xhaxhait të Ritës janë të edukuar. Besniku ka mbaruar dy fakultete, një për anglisht dhe një për ekonomi. Ndërsa Rita, mbesa ka edhe një motër tjetër Elenën, që merret me biznes dhe një vëlla Donin që është i vogël, rreth 17-18 vjeç.”, tha ai.

Ju nuk e njihni Elena Gjikën

Në moshën 10 vjeçe fliste 9 gjuhë , kurse në moshën 14 vjeçe filloi përkthimin e “Iliadës” së Homerit nga gjermanishtja. Në moshën 16 vjeçe ekspozoi pikturat e saj në Dresden. Studioi në Vjenë e Dresden dhe specializoi në Firence. Jetoi në Rumani, Rusi, Zvicër, Francë, Greqi, Turqi dhe Itali. Është femra e parë që u ngjit në maje të bjeshkës më të lartë të Evropës – Mont Blanc në vitin 1860. Kjo ishte Eleni Gjika, me rrënjë shqiptare, e njohur edhe me emrin artistik Dora D Istria.

Njëra ndër femrat më të ngritura të Evropës, në kohën e saj, Elena Gjika u lind në Bukuresht në vitin 1828 nga prindërit shqiptarë. Ajo u bë e njohur gati në tërë Evropën si shkrimtare, feministe, kompozitore, piktore, udhëpërshkruese – femër me një inteligjencë brilante. Ajo ishte revolucionare, kryengritëse, rebele, me shumë ide politike e sociale para kohës se vet. Mbajti korrespondencë të rregullt me De Radën dhe Gjuzepe Garibaldin. Është ndoshta i pari personalitet intelektual që hodhi idenë mbi një federatë ballkanike ku do të hynin të gjitha vendet e Ballkanit.

Princesha Elena Gjika ishte e afirmuar si shkrimtare, publiciste dhe shkencëtare e një niveli botëror. U bë veçanërisht e njohur me veprën “Femeile in Oriente” (“Gratë e Orientit”, Paris, 1860). Shkrimet i publikonte në 6 gjuhë evropiane.

Ajo asnjëherë nuk i harroi rrënjët shqiptare. Gjika u mor shumë me afirmimin e çështjes kombëtare shqiptare dhe kontribut të madh dha veçanërisht në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Ishte një studiuese e zjarrtë e folklorit shqiptar dhe u bë me famë për studimet e saj në shumë lëmi të kulturës dhe veçanërisht me studimet “La nationalité albanaise d’après les chants populaires” (“Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore”, 1866), “Les ecrivains albanais de l’Italie Méridionale” (“Shkrimtarët shqiptarë të Italisë Jugore”, 1867), “Gli albanesi in Rumenia” (“Shqiptarët në Rumani”, 1873) etj.

Dora D’Istria bëri pjesë në shoqërinë gjeografike më të famshme të Evropës, atë të Parisit. Ajo arriti të zbulojë universin femëror nëpërmjet udhëtimeve të saj të shumta. Në vitin 1867 u bë qytetare nderi e Athinës. Ky titull përpara saj iu dha vetëm Lord Bajronit. Biografia dhe krijimtaria e Elena Gjikës janë shumë të pasura e interesante. Ndaj, sado qe do të lexoni për te, akoma diçka mbetet e panjohur. Për këtë arsye themi: Ju nuk e njihni Elena Gjikën. Akoma keni për të mësuar e zbuluar nga jeta e saj.

Në kohën kur Gjika pushtoi majën më të lartë të Evropës, atje nuk ekzistonin kushtet e sotme për ngjitje. Kjo ekspeditë e saj, sot merr edhe kuptim simbolik.

Elena Gjika vdiq në vitin 1888 në shtëpinë e sajë në Firence, Itali. Një rrugë e Firences mban emrin e saj. Aty gjendet edhe pllaka në të cilën është theksuar origjina e saj shqiptaro-rumune. / KultPlus.com

A është Anton Çetta ‘Nderi i Kombit’?

NDUE DEDAJ

Ndodh një vrasje në mes të Tiranës, për gjakmarrje, për më tepër e një oficeri policie, njeriu të rendit dhe ligjit, teksa gjykata kishte dhënë vendim me burg për vrasjen, për të cilën do shtihej si shpagim mbi njeriun me uniformë. Rast i ngjashëm me atë të pastorit në Shkodër dy vjet më parë. E mendja të shkon fill e te njeriu mit i pajtimit: Ah, sikur të ishte gjallë Anton Çetta! Mbase nuk do të kishte ndodhur kjo e ajo gjëmë. Habitesh se si në rrethana të caktuara historike mblidhet aq shumë fuqi te një njeri i vetëm. Aq shumë pushtet moral. Mbase më tepër se në të gjitha institucionet e shtetit së bashku, sigurisht kur shteti nuk është fuqiplotë e kësisoj i duhet njeriut të bëhet institucion. Anton Çetta është rasti unik i pajtimtarit ndër shqiptarë. Më 1990 ai ishte vetë zëri i Kosovës dhe Kosova mishërim i idealit të tij. Është njëqindvjetori i Pavarësisë dhe është normale të “kokrrohen” një nga një ata që janë balli i kombit në njëqind a një mijë vjet.

Po a është zyrtarisht Anton Çetta një i tillë? A është dekoruar ky tribun me urdhrin e lartë “Nderi i Kombit”? Kanë kaluar njëzet e dy vjet nga misioni i tij i paarritshëm, ku ai ishte protagonist (i një protagonizmi historik), por që nuk ia njihte meritat vetes, ashtu si dhe bashkëpunëtorët e tij të shquar, akademiku Mark Krasniqi, misionari Dom Lush Gjergji, avokati Bajram Kelmendi etj. “Studentët dhe studentet e Universitetit të Prishtinës ishin ata që i kryen pajtimet”, na thoshte një vit më vonë, me 1991, Anton Çetta, kur patëm rastin fatlum të takoheshim me të në Shqipëri. Ai dhe gjithë ekipi i tij pajtimtar, në shkrime e emisione televizive, kanë falënderuar ata që e pranuan faljen e gjakut. Por nga ana tjetër ata që falën dhe ata që u falën nuk dinë se si të shprehën për atë mision kombëtar dhe prijësit e tij. Është padyshim një nga ngjarjet e shënuara të njëqindvjetorit të Pavarësisë. Askush deri më sot nuk ka arritur të mbledhë 500 mijë vetë, sa këta misionarë të pashembullt, në vendin e quajtur “Verrat e Llukës” në Kosovë. Asnjë ushtri, asnjë parti, asnjë ngjarje tjetër kombëtare s’i ka bërë dot bashkë kaq shumë njerëz, çka tregon fuqinë e jashtëzakonshme të pajtimit ndër shqiptarë. Gjysmë milioni njerëz nuk i ka mbledhur në tubim asnjë udhëheqës shqiptar, cilido të ketë qenë, kryefirmëtar i Pavarësisë, mbret i shqiptarëve, diktator komunist, lider demokracie, këndej dhe andej kufirit, në mos vetëm Gjergj Kastrioti pesëqind vjet më parë.

Kur niste aksioni i pajtimeve, strukturat politike-policore serbe shkruanin në raportet e tyre se ky do të dështonte, pasi shqiptarët nuk e kishin në traditë faljen. Dhe kuptohet që ai mision kombëtar nuk do të kishte atë jehonë dhe atë peshë po të mos shihej dhe si një betejë morale me dashakeqësinë serbe, gjykuar mbase jo si sot, por në rrethana të tjera, kur Millosheviçi përgatiste gjenocidin dhe shfarosjen e shqiptarëve. “Babai i pajtimit” e quan Ramiz Kelmendi, Anton Çettën dhe të duket se nuk ka titull përtej këtij. Pajtimtarë të njohur kosovarë, në studiot e RTK-së, rrëfenin plot histori të dhimbshme. Një vajzë ishte betuar para të atit, kur ai po jepte shpirt nga plumbi që kishte marrë në arë, se do t’ia merrte gjakun!… Por ndërhyrja kishte qenë aq e fortë dhe, kur ajo vendosi ta falte gjakësin, shkoi pranë varrit të të atit bashkë me grupin misionar dhe iu drejtua atij, se po e falte për hir të Kosovës. Por nëse në Kosovë asokohe ndodhi mrekullia e gjakfaljes brenda një kohe aq të shkurtër, nuk ngjau e njëjta gjë në Shqipëri, në vitet e tranzicionit. Ngase këtu mungonte një Anton Çettë, i cili kur dëgjonte zëra “intelektualë”, se mjaft kemi bërë për vendlindjen, thoshte se gjithçka ka kufi, masë, cak, por jo ajo që ne duhet të bëjmë për Atdheun. Kjo është dhe urtësia më proverbiale e tij. Dhe ata që ia hynë demek punës për pajtimet nëpër malësitë veriore në Shqipëri duhej të mendoheshin se po “mateshin” me Anton Çettën, dhe sikur ta kishin me gjithë shpirt dhe jo sa për të mbijetuar shoqatat e tyre, që shpesh do t’iu nxihej faqja nga pazaret e gjakut.

https://www.youtube.com/watch?v=dlmJbA5G2JA

Pajtimi i Kosovës me 1990 është ndër faqet më të ndritura shqiptare të shekullit të 20-të. Ai nuk është një gjë në kohën e kryer. Ai dhe sot është një model komunikimi e mirëkuptimi. Shihni kronikat apo videot e kohës të shihni sa i përkorë është fjalori, sjellja, gjestet e Anton Çettës e të tjerëve, dhe njëherësh sa i rënduar është fjalori i politikës, gjestet, batutat, ironitë, përplasjet e ndërsjella të shefave politikë. Epo nuk janë e njëjta gjë, mund të thotë ndokush, politika dhe pajtimi. Sigurisht që ka dallim mes tyre, porse ajo politikë që ftoh, acaron, ndan, përçan, përjashton, rebelon, është regresive. Politika receptimin dhe leximin e parë ka miradien, të marrët vesh, të qenët mision. Por ky është keqkuptimi ynë me demokracinë. Prandaj ta kishim këtë vigan të urtisë jo vetëm për gjakmarrjen dhe pajtimin mes njerëzve të thjeshtë, por dhe për ujditë e sotme politike. Presidenti dhe Kryeministri (të dy të së djathtës) takohen sa për sy e faqe në Ditën e Europës në ceremoninë e organizuar nga ambasadori i BE-së. Dy politikanë të lartë (të së majtës) rrinë disa vjet në “hasmëri” politike, gjersa darkojnë në Gjirin e Lalëzit. E prapë na vjen të themi: sikur të ishte gjallë ai, burri simbol i pajtimeve, mbase ata të dy e ata të dy do të kishin folur më parë. Baca Anton do të kishte hyrë mes tyre, si atëherë, duke zgjatur dorën e pajtimit. Kryekrejet, mes të djathtëve e të majtëve. Demokratëve e socialistëve. Berishës e Ramës. Lidershipeve politike përherë të acaruara e në sherr njëzetvjeçar. Do ta niste kuvendimin urtë e butë, si kështu, more “bijtë” e politikës, po ne s’jemi në gjak, jemi vllazën, more të (pa)mjerë. Do të kishte hyrë dhe në mes të politikanëve të rinj të Kosovës kur ta donte puna. Apo ngaqë punët shpesh nuk na venë mbarë, e vetmja gjë që na ka mbetur është ajo shprehja asgjëthënëse: “Ah sikur të ishte ky apo ai shpëtimtar!…” Dhe se e dimë se punët e një populli, kombi, mirëqeverisjeje nuk bëhen me “sikur”. Sidoqoftë do të na i thoshte ca të vërteta Baca Anton, dhe nga ato që ai nuk i kishte për zanat (xetë e politikës), që fare mirë po i thonë të tjerë, Sarkozi në ditën e tij të fundit në “Elize”, Merkel me zgjedhjen e Presidentit gjerman etj.

Por le të kthehemi te “Nderi i Kombit”, diku i dhënë me bujari e diku i munguar. A është ky titull, apo një tjetër i ngjashëm, që jepet dhe nga Presidentja e Kosovës? Pasi kombi është në të dy shtetet, pa folur dhe për shqiptarët në trojet e tjera etnike? Shqiptarët më në fund në njëqindvjetorin e Pavarësisë do të kenë një abetare të përbashkët, po a mund t’i kenë dhe titujt kombëtarë të përbashkët? E figura si Anton Çetta do të ishin mbase më të përshtatshmet për një gjë të tillë. Të mos harrojmë, e kaluara nuk i kishte të ndara figurat e mëdha. Shtjefën Gjeçovi lindi në Kosovë, por shërbeu dhe atje dhe këtu. Korifenjtë e kombit e kulturës nuk kanë as pasaportë, as kufij. Bile dhe njerëz të shquar të huaj si albanologu i madh, At Zef Valentini, që sapo u dekorua në Tiranë me urdhrin “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”. Ndërkaq, meqë jemi fokusuar në Kosovë, a janë të shenjuar për tituj nderues të lartë, në këtë 100-vjetor solemn, dhe Ibrahim Rugova, Ukshin Hoti, Azem Shkreli?…

Dëgjojmë të bëhen dekorime në vazhdimësi, ndonjëherë dhe për figura “anonime”, duke u bërë shkas për batuta, si një rast ku njëri nga drejtuesit e djeshëm u përfol për shpalljen dëshmor të gjyshit, që kishte pas vdekur nga kafshimi i qenit të tërbuar dhe jo në luftën kundër shkjaut, siç pretendohej. Zor të mbërrihet te figurat e kombit, pa hequr dorë nga gjyshi, daja, kushëriri… patriot (i rrejshëm). Se pas dekoratave të rrejshme, vijnë monografitë e rrejshme, monumentet dhe bustet e rrejshme. Një soj Shqipërie historike e rrejshme. E pafalshme kjo veçanërisht në një jubile si ky, kur më shumë se kurrë duhet të shmangen dekoratat militante, krahinore, nderbërëse dhe të maturohet panteoni kombëtar.

Sa për Anton Çettën, do të na kishte hije të kishim dhe një titull nderi a medalje me emrin e tij fisnik. / KultPlus.com

Në platformë, pranë meje ka dashnore

Poezi nga Michel Houellebecq

Ky burrë në platformën përballë ka mbërritur në fund të rrugëtimit;
Dhe unë nuk është se jam më në fillim.
Pse ndjej kaq keqardhje për të?
Pse saktësisht?

Në platformë, pranë meje, ka dashnore
Që nuk e shohin burrin
(pseudo-dashnore-ai është tashmë qeros)
Por ata po puthen gjithsesi;
Duket se ata besojnë tek një botë për të dy
Një botë ndryshe nga ajo e burrit,

E atij burrit përballë
Që po rri në këmbë e po mbledhë bagazhet e tij –
Përfundimisht në fund të rrugëtimit;
A e di ai që Jezu Krishti vdiq për të?

Ai ngrihet në këmbë, mbledhë bagazhet e tij,
Çapitet deri në fund të platformës
Dhe atje, duke përfituar nga ajo qoshja e shkallëve,
Zhduket.

Filmi ‘Touch Me Not’ fiton Ariun e Artë në Berlinale

“Touch Me Not”, një film për intimitetin dhe seksin që tronditi disa shikues me skena eksplicite, fitoi Ariun e Artë për filmin më të mirë në ceremoninë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, të 68-in me radhë, të shtunën.

Regjisorja rumune, Adina Pintilie, tha se nuk ka pritur të fitojë çmimin për filmin e saj, i cili gërsheton realitetin dhe trillimin derisa ndjek disa karaktere që kërkojnë intimitet por në të njëjtën kohë edhe i frikësohen, raporton Reuters.

Ariu i Argjendtë për regjisorin më të mirë shkoi për amerikanin Wes Anderson për “Isle of Dogs” – një film i animuar për një qytet japonez që depërton qentë e tij në një deponi bërlloku gjatë përhapjes së një sëmundjeje të qenve, shkruan Koha.net

Anthony Bajon mori çmimin për aktorin më të mirë për rolin e tij si një i varur nga droga që provon të heq shprehinë me ndihmën e besimit në “La Priere” (Lutja) e Cedric Kahnit.

Ndërsa Ana Brun u shpërblye me çmimin aktorja më e mirë për rolin e saj në filmin “Las herederas” (Trashëgimtaret).

Çmimi për skenarin më të mirë iu nda Manuel Alcalas dhe Alonso Ruizpalaciosas për “Museo” (Muzeu) për studentët që vjedhin artefakte nga Muzeu Nacional i Antropologjisë në Mexico City.

Filmi “Twarz” i regjisores polake Malgorzata Szumowska – për një burrë që bën transplant të fytyrës pas një aksidenti – u shpërblye me çmimin e jurisë Ariu i Argjendtë.

Çmimet u ndanë nga një juri prej gjashtë personash e udhëhequr nga regjisori gjerman Tom Tykwer. Në festival, i cili mbahet nga 15 deri më 25 shkurt, po shfaqen rreth 400 filma. Nga ta, 19 garuan për çmimin e Ariut të Artë.

Ndërkaq, edhe filmi me rrëfim e aktorë nga Kosova ka dalë fitues në “Berlinale”. Produksioni holandez “Kiem Holijanda” nën regji të Sarah Veltmeyer me Andi e Florist Bajgorën dhe Arbresha Grabovci-Nixhën në role kryesore, të premten mbrëma ka marrë “Ariun e Kristaltë” për filmin më të mirë të shkurtër në programin “Generation 14 plus”.

“Berlinale” është një prej festivaleve më të vjetra dhe më prestigjioze në botë. / KultPlus.com

Mixha Ramë i këndon dashurisë, në Televizionin e Prishtinës (VIDEO)

Mixhën Ramë plot gjenerata e kemi përjetuar me anë të kasetave të kaltra katrore.

Zëri i Mixhës Ramë është zëri që e kujtojmë shpesh.

https://www.youtube.com/watch?v=aEYe3Zq7L4o

Fitim Domi mbetet ende ndër artistët më të mirë që ka pasur Kosova. Domi i cili ka punuar disa vite në Kosovë si redaktor në programet artistike në Radio Prishtinë, ndërroi jetë në vitin 2014-të.

Pikërisht nga Radio Prishtina dhe TVP vijnë edhe këto pamje të Mixhës Ramë, duke kënduar “M`thuaj dashni” dhe një këngë tjetër. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=y8H9pccioQ0

Kush tjetër veç Elvana Gjatës e bindi Pirro Çakon të rikthehet në muzikë…

Kishte vendosur që të hiqte dorë, por nuk ia kishte thënë askujt. Nuk e bëri publike, sepse nuk ishte i bindur. Ishte një dëshirë e brendshme që sa e bindtte për ta lënë muzikë, aq edhe e thërriste për t’u rikthyer. E nisi me shumë fat, qysh në vitin e largët ’88, kur “E duam lumturinë” fitoi Festivalin dhe 30 vjet më vonë, Pirro është po ai: nuk është mësuar të qëndrojë në mesatare. Ai ka triumfuar dhe këtë nuk e vë më askush në dyshim.

Kishte 5 vjet që nuk prodhonte më muzikë, por kërkesës së Elvanës dhe dëshirës për të bashkëpunuar me të nuk mund t’i thoshtë Jo. Aq më tepër, nëse bëhej fjalë për një koncert si ai i atyre përmasave që kishte menduar këngëtarja e njohur e skenës shqiptare. Ishte koha e duhur. Pirro e di se, edhe pse ai nuk kishte menduar se ky rikthim do të vinte në një moment të tillë, këngët e tij u mirëpritën, u duartrikitën, u pëlqyen shumë: “Ndoshta kishte ardhur koha të thoja fjalën time”, – thotë ai për bashkëpunimin e fundit me Elvana Gjatën.

Elvana ishte një arsye e fortë për t’y rikthyer, por nuk ishte e vetmja. Siç tregon Pirro, edhe dikush tjetër kishte kohë që i lutej të vazhdonte të krijonte muzikë: “Unë e kisha mbyllur me muzikën. Kështu kisha menduar, por gjërat erdhën në mënyrë të atillë që më bënë të kuptoj se tani ishte momenti. Ndoshta i vetmi person që më bindi të rikthehem ishte edhe mamaja ime, sepse ishte i vetmi person që besonte tek unë.”

https://www.youtube.com/watch?v=zRCJ2ql4czw

Edhe pse tha në koncertin e saj se “unë sërish do largohem”, Pirro nuk është i bindur as për këtë. E pranon hapur që suksesi është joshës dhe të bën që të vijosh më tej. Ka në plan edhe disa këngë të tjera për veten, por dëshiron t’i bëjë tani, shpejt, duke përfituar nga kjo kohë: “Thashë që do largohem prapë, por me suksesin të vjen edhe dëshira. Po e jetoj pozitivisht këtë periudhë dhe ndoshta po i jap mundësinë vetes. Kam dëshirë për një album…”

… Sepse e ka harruar veten duke kënduar. Ky është momenti më i mirë. Suksesi i Elvanës, edhe një herë vulosi atë që Parashqevia parandjeu 30 vjet më parë. / KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës, gati për koncertin e radhës

Filarmonia e Kosovës po vazhdon me koncertin e radhës, ku nesër orkestra e saj simfonike do të përformojnë bashkë me dy artistë, njëri nga Britania e Madhe dhe tjetri nga Kosova.

Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, në fjalimin e tij të mbajtur në konferencën para mediave, tha se ky koncert do të jetë më i veçantë se koncertet e kaluara duke përformuar dirigjenti britanik Alexander Walker, i cili vjen për herë të parë në Kosovë dhe në orkestrin simfonik të Filarmonisë së Kosovës, raporton Kosovapress.

Risia tjetër për publikun kosovar, Jashari thotë se do të jetë një vepër monumentale e kompozitorit romantik Johannes Brahms, koncerti për piano numër një.

Ai shtoi se aktori kryesor i këtij koncerti do të jetë pianisti i njohur kosovar, Misbah Kaçamaku , i cili ka bërë një punë të madhe për përgatitjen e kësaj vepër komplekse për solistë që zgjatë rreth 50 minuta.

Pas përfundimit të provave me orkestrin simfonik të Filarmoninë së Kosovës, regjisori Alexander Walker nga Britania e Madhe tha se instrumentalistët kanë një entuziazëm dhe luajnë me zemër, gjë që nuk është e zakonshme në vendet me nam që kanë shumë eksperiencë.

Pianisti kosovar, Misbah Kaçamaku, tha se ndihet si në shtëpi të vetë.

Koncerti që do të mbahet nesër dhe do të jetë i zakonshëm sipas planit vjetor të Filarmonisë, por që do t’i ketë disa risi që për publikun kosovar shfaqen për herë të parë. / KultPlus.com