Kitaristi Drilon Çoçaj me koncert recital në Suedi

Kitaristi kosovar Drilon Çoçaj, pas disa prezantimeve që pati në vendlindje, tashmë do të mbajë një koncert recital në qytetin e Boras të Suedisë, shkruan KultPlus.

Përpos koncertit Çoçaj ku do të mbajë masterclassin për kitaristët e shkollës së qytetit. Ndërsa në koncertin solo veprat që do t’i luaj janë nga kompozitorë të ndryshëm si Bach, Sor, Legnani dhe Ponce.

Këto aktivitete organizohen nga qytetit i Boras, shkolla e artit të qytetit dhe shoqata e shqiptarëve në Suedi If Dardania./ KultPlus.com

Will Smith zbulon titullin e këngës së Botërorit

Himnin zyrtar pritet të publikohet këtë të premte më 25 maj.

Will Smith dje e ka konfirmuar përfundimisht bashkëpunimin me këngëtaren nga Kosova Era Istrefi dhe atë amerikan Nicky Jam.

Ylli hollivudian ka publikuar një foto ku ka bërë tag Erën në postimin e tij me DJ Diplo, i cili do të punojë këngën dhe ka zbuluar gjithashtu titullin e këngës së Botërorit Rusia 2018, shkruan Telegrafi.

Kënga do të titullohet “One life to live” dhe pritet të publikohet më 25 maj. Himni zyrtar performohet në finalen e Botërorit, i cili do të shikohet nga rreth 2 miliardë njerëz.

Kjo është hera e parë që një këngëtare shqiptare arrin maja të tilla të larta suksesi./ KultPlus.com

Mysafirë vjenezë në parkun e Shelgut të Tepelenës (FOTO)

Mbrëmjen e djeshme kanë mbërritur në Tepelenë një grup shkencëtarësh nga Universiteti “BOKU” i Vjenës.

Mes natyrës së parkut të Shelgut, qetësisë që të ofron Vjosa dhe simfonisë së zogjve, shkencëtarët kanë zgjedhur të kalojnë natën me çadra, duke shijuar kënaqësitë që të fal natyra e kësaj zone.

“Kjo përpjekje e grupit të shkencëtarëve ndërkombëtarë, është në vazhdimin e iniciativës së tyre, për të kryer kërkime të karakterit shkencor në lumin, të cilin ata e konsiderojnë të fundit natyror në kontinentin europian. Kjo tregon edhe një herë që, përveç vlerave të tjera, Vjosa përbën një laborator të madh në natyrë.

Këto kërkime do të përpiqen të hedhin më shumë dritë mbi ndikimet që do të kenë dy hidrocentralet e planifikuar në Kalivaç dhe Poçem”, – shprehet Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i Ecoalbania.

Tepelena pritet të jetë stacioni i nisjes me varka i këtyre kërkimeve, të cilat do të vijojnë deri në grykëderdhjen e saj./ata

Biblioteka e qytetit në Mitrovicë pasurohet me tituj të rinj

Të martën, biblioteka e qytetit të Mitrovicës “Latif Berisha” është pasuruar me tituj të rinj të cilat i dhuroi për qytetarët mitrovicas, shkrimtari i njohur Minir Ismet (Begu) Dushi –Pasha.

Kjo nuk është hera e parë që veprimtari, Minir Ismet (Begu) Dushi – Pasha dhuron ekzemplarë të ndryshëm për bibliotekën “Latif Berisha”, sepse nga i njëjti autorë në vitin 2006 biblioteka e qytetit ishte pasuruar me shumë ekzemplarë të tjerë.

Në fjalën e tij, drejtori i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Tafil Peci, ka falënderuar letrarin Minir Dushi, për gatishmërinë e tij që të mbështes bibliotekën e qytetit të Mitrovicës më tituj të rinj letrarë, ku theksoj më pas se drejtoria e DKRS-së dhe lexuesit e qytetit u janë shumë mirënjohëse për këto libra të dhuruara.

“Ne jemi shumë mirënjohës që edhe këtë herë keni zgjedhur bibliotekën “Latif Berisha” ta pasuroni me vepra letrare, duke mundësuar kështu rritjen e fondit librar dhe pasurimin e bibliotekës me tituj të rij. Besoj që falënderuesit më të mëdhenj janë lexuesit cilët tani kanë mundësi që në duar të tyre të mbajnë ekzemplarë letrarë nga veprimtari të ndryshme”, ka shtuar ndër të tjerash drejtori Peci.

Ndërsa shkrimtari Dushi –Pasha, pasi dhuroi veprat e tij letrare, me shumë emocione foli për bibliotekën qytetit të Mitrovicës “Latif Berisha” .

Ai më tutje ka prezantuar gjashtë ekzemplarët e librit më të rinj “Shtigjet e Jetës sime”, duke theksuar se librat e tij i ka dhuruar për qytetarët Mitrovicas me shumë dëshirë dhe të gjithë adhuruesve të librit, nga thellësia e zemrës ju dëshiron lexim të këndshëm.

Ka vdekur shkrimtari Philip Roth

Në moshën 85 vjeçare ka vdekur Philip Roth, njëri nga shkrimtarët më të mëdhenj amerikanë.

Ai ka vdekur pas një sulmi në zemër shkruan New York Time. Shkrimtari amerikan ka shkruar më shumë se 30 libra gjatë karrierës së tij 50 vjeçare, transmeton Klan Kosova. Disa nga veprat e tij më të njohura janë “Ankesa e Portnoit” dhe “Letra e peshkopit amerikan”, me këtë të fundit edhe fitoi çmimin Pulitzer në vitin 1997.

Në vitin 2010 ai ka publikuar librin e tij të fundit me titullin “Nemesis”, ndërsa dy vite më pas më 2012, ai tha se do t’iu japë fund shkrimeve, sepse e ka humbur pasionin për një gjë të tillë.

Romancieri Philip Roth ka lindur më 19 mars 1933 në New Jersey. Ai është diplomuar në unversitetin Bucknell në vitin 1954. Në vitin 1959 ka fituar çmimin “National Book Award me librin Goodbye Columbus. “Ankesa e Portnoit” është libri i tij më i shitur, i botuar në vitin 1969. Roth ka marrë çmime edhe me Sabbath’s Theatre.

Disa nga veprat e tij të përkthyera edhe në gjuhën shqipe janë: “Martesë me një komunist”, “Ankesa e Portnoit”, “Del hija” dhe “Inati”./ KultPlus.com

Era në xhirime të klipit për këngën e Botërorit

Era Istrefi ka publikuar dy fotografi në Instagramin e saj që janë shkrepur gjatë xhirimeve të videoklipit të këngës zyrtare të Kampionatit Botëror që fillon në Rusi.

Kënga do të publikohet të premten dhe është në bashkëpunim me Will Smithin, aktorin që i kthehet këndimit dhe Nicky Jam.

Kënga besohet të jetë e titulluar “Live it up”.

Shpallen pesë finalistët e Çmimit Kadare, me vlerë 10 mijë euro

Çmimi Kadare, një nga eventet më të rëndësishme letrare të vitit, tashmë ka hyrë në fazën finale ku dhe ethet e garës janë shtuar.

Të martën juria ka bërë takimin e radhës, për të përzgjedhur 5 veprat që do të mund të garojnë për çmimin e madh prej 10.000 eurosh, që do të ndahet këtë fundjavë në Ditët Letrare të Razmës (25-27 maj).

“Nuk ka qenë një zgjedhje e lehtë nga e jurisë, duke qenë se këtë vit prurjet ishin të një niveli të lartë, çka tregon se vazhdimësia e traditës në prozën shqipe do të jetë e mirë, por nga ana tjetër veprat e përzgjedhura kanë ardhur pas një diskutimi të gjatë nga ana e pjesëtarëve të jurisë, si dorëshkrimet që mbartin gjithë elementët e duhur të një teksti të mirëfilltë letrar”, thotë Alda Bardhyli, koordinatore e këtij çmimi.

Mes finalistëve janë emra të njohur në letrat bashkëkohore shqipe por dhe dy autorë të rinj përsa i përket njohjes së tyre me lexuesin.

Juria e çmimit Kadare këtë vit kryesohet nga Kim Mehmeti një emër i njohur i letrave shqipe dhe në përbërje janë emra të njohur të letrave si Genciana Abazi, Ledia Dushi, Agim Baçi dhe Eni Vasili.

Finalistët:

Vera Bekteshi- Një rrugë e gjatë pa krye-roman

Virgjil Muçi-Piramida e shpirtrave-roman

Gazmend Krasniqi-Triologjia e Shkodrës-roman

Rudina Çupi-Shenjat e pikësimit-roman

Thanas Dino-Prishja ose Ndërrimi dhe ndalimi-roman

‘Unë jom Era edhe koha jeme o tu ardhë’

Era Istrefi nuk e gëzon famën e Shakirës, por nëse Shakira e ka kënduar para disa vitesh këngën e Kampionatit Botëror, Era është ajo që do të jetë këtë vit zëri kryesor për muaj të tërë në botë.

Era do të jetë këngëtarja e këngës kolonë zanore të Kampionatit Botëror Russia 2018.

Si nisi gjithçka me Erën? Disa këngë të regjistruara në Youtube si versione të saja, derisa doli me këngët e saja personale. Në fillim e njohën si motra e Nora Istrefit, ndërsa sot ajo e ka tejkaluar këtë epitet për tu bërë vetëm Era.

-Unë jom Era. – thotë vetë ajo në njërën prej këngëve të saj.

Era të premten do ta lansojë bashkëpunimin e saj për Kampionat Botëror, kësisoj duke marrë një pozitë muzikore të lakmuar prej shumë këngëtareve botërore.

E nisi në vitin 2013 me “Mani për money” ndërsa do të vazhdonte shumë shpejtë të ngjitej me hapa drejt skenës muzikore shqiptare, ndërsa me “Bon bon” tejkaloi parashikimet dhe u shndërrua në një hit evropian, për të mos thënë botëror.

Era sot nuk është emër i njohur ndoshta për të gjitha ta që do ta ndjekin Kampionatin Botëror të Futbollit, por situate nuk do të jetë e njëjtë pasi të përfundojë ky Kampionat.

“E dehun”, “13” janë dy këngë tjera të Era Istrefit. Provokimi – u quajt i tillë një videoklip që ajo e realizoi brenda një objekti fetar. Pak rëndësi ka kjo kur kujtojmë se Era edhe aty shkëlqeu, shkruan KultPlus.

Era nuk ka shumë këngë për të qenë e suksesshme sa është sot, por me pak projektet e saj muzikore ka ditur ku të godasë, cilat kontakte ti ketë rreth vetes dhe cilët njerëz ti ketë bashkëpunëtorët e saj.

“Origami”, “No I Love Yous”, “Redrum”, “Njo si ti” e “Shumë pis” janë disa prej këngëve tjera të Erës. Asnjëra nuk ka mbetur në hije, secila është hit i kohës kur u lansua.

Era nuk bën shumë zhurmë, por bombardon kur pritet më së paku.

Nicky Jam dhe Will Smith do ti bashkohen Erës në këngën e cila bën krenarë të gjithë shqiptarët. Sepse është sukses i madh që një shqiptare të jetë zëri kryesor i Kampionatit Botëror. / KultPlus.com

Revolucionarët e ri

Jurij Hudolin, përkthyer në shqip nga Fadil Bajraj

Ku jeni revolucionarë?
Masa e shpirtit tuaj nga mërzia është
anarki e kondensuar, besim pa sëmundje
empirike, ideal i samtë.

Ku jeni kamikazë, emblema errësire,
ku jeni mullixhinj të lumit të përgjakur, në
barkun e cilave gra shtatzëna janë çizmet e juaja?
Nuk ju pëlqen poezia e pastër dhe gjumi i rehatshëm?
A do t’i sakrifikoni pasardhësit tuaj ashtu siç
kanë vepruar poetët e mallkuar për shkak
të egoizmit të pakushtëzuar ndaj vargjeve të veta?

Ju jeni, revolucionarët e mijëvjeçarit të tretë,
si vdekja nën dhëmbët e lepurit,
trima me majica të shqyera nga zhgërryerjet
gjatë natë në pisllëk.
Ata që do të vijnë, të lindur pas jush, do të thonë
për eshtrat e juaj bosh:
aty nuk ka pasur njeri.

Haradinaj: Arbëreshët e Italisë kanë qenë gjithnjë burim frymëzimi për shqiptarët

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë qëndrimit në Itali, zhvilloi sot një takim të veçantë me përfaqësuesit e arbëreshëve të atjeshëm.

Haradinaj “vlerësoi lartë angazhimet e tyre të pareshtura për të ruajtur dhe kultivuar identitetin kombëtar shqiptar”, bën të ditur një njoftim nga Qeveria.

Haradinaj tha se arbëreshët e Italisë kanë qenë gjithnjë burim frymëzimi dhe fuqie për gjithë shqiptarët.

“Kosova po i bashkohet familjes së popujve evropian dhe kjo i forcon edhe më shumë lidhjet tona shpirtërore dhe kombëtare”, tha kryeministri Haradinaj.

Me qëllim të ruajtjes së kulturës dhe fuqizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe arbëreshëve në Itali, Haradinaj ftoi përfaqësuesit e organizatave kulturore arbëreshe që të vizitojnë sa më shpesh Kosovën.

“Për mua është një moment domethënës qëndrimi me ju sot. Ju e keni mbijetu ndër shekuj identitetin, gjuhën, vlerat shqiptare dhe kristiane, të trashëguara që atëherë. Dëshiroj të ju them se ne ju çmojmë shumë”, tha Kryeministri Haradinaj në një bashkëbisedim me arbëreshët e Italisë por edhe kosovarë që prej kohësh jetojnë në Itali.

Kryeministri po ashtu tha se marrëdhëniet me komunitetin arbëreshë të Italisë janë shumë të rëndësishme, dhe në këtë drejtim shqiptarët duhet t’i intensifikojnë ato, me qëllim ruajtjen e kësaj pasurie kulturore e kombëtare, por edhe kultivimin e miqësisë së ndërsjellë.

Haradinaj vizitoi edhe Kishën Katolike Abreshe Shën Thanasi dhe Kolegjin Grek, ku u njoftua për së afërmi me vlerën historike dhe kulturore të këtyre dy monumenteve nga intelektuali arbëresh Domenico Morelli. / KultPlus.com

Kosova, një prej dhjetë shteteve që duhet vizituar sipas Lonely Planet

Ekspertët dhe blogerët nga “Lonely Planet” të cilët kanë vendosur turizmin në zemrën të tyre duke informuar turistët për vendet që duhet vizituar, kanë radhitur Kosovën në vendin e katërt si një nga vendet që duhet vizituar këtë vit në kontinentin evropian.

Shkrimi i cili radhitë 10-të vendet që duhet viituar fillon me Italinë ndërsa përfundon me Shqipërinë në vendin e dhjetë. Disa vende të tjera të cilat ia vlejnë që të vizitohen sipas publikimit janë Spanja, Franca, Lituania, Sllovenia e të tjera. Në mesin e tyre është edhe Kosova, në vendin e katërt.

Kjo faqe po ashtu ka realizuar një artikull të veçantë në të cilin shpalosë bukuritë e Kosovës dhe disa nga arsyet përse duhet vizituar.

Aty zbulohen disa detaje nga historia e vendit, gjersa ftohen turistët për një vizitë në Bjeshkët e Nemura.
Shkrimi flet për kryeqytetin dhe për Gjeravicën si dhe tregon për llojet e ndryshme të ushqimit duke përfshirë edhe flijat.

Ky artikull jep këshilla se cilat vende duhet vizituar në Kosovë duke përfshirë këtu edhe ato që i sygjeron alpinistja Uta Ibrahimi. Tregon për Pejën, Grykën e Rugovës, për Prizrenin ku i kushton rëndësi edhe DokuFestit.

Në fund tregon se cilat vende e njohin Kosovën dhe vështirësitë administrative që mund të hasin turistët të cilët nga Kosova dëshirojnë të vazhdojnë për në Serbi. / KultPlus.com

Kosova me Memorial për ushtarët e rënë të KFOR-it

Qeveria e Kosovës ka filluar ndërtimin e një memoriali në Prishtinë në shenjë respekti për ushtarët e KFOR-it që kanë vdekur që nga viti 1999 kur NATO hyri në Kosovë.

Rreth 160 ushtarë të vendeve anëtare dhe jo anëtare të NATO-s kanë vdekur në 19 vitet e fundit kryesisht në aksidente. Në vitin 2006, në një aksident ajror afër kufirit Hungari-Sllovaki kanë vdekur 42 ushtarë sllovakë derisa po ktheheshin në vendin e tyre pas shërbimit në Kosovë.

“Kjo ka për qëllim dhënien ose tregimin e respektit dhe falënderimit të Qeverisë dhe popullit të Kosovës për NATO-n dhe për shtetet veç e veç që kanë kontribuar në arritjen dhe ruajtjen e sigurisë në Kosovë gjatë krejt këtyre gati dy dekadave”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë zëvendësministri i Ministrisë së Forcës së Sigurisë, Burim Ramadani.

Përurimi i memorialit do të bëhet me datë 12 qershor në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Në vitin 1999 kur lufta përfundoi, NATO kishte mbi 50 mijë paqeruajtës, ndërsa sot janë rreth 4,500.

Dua Lipa në Champions League, Era Istrefi në Kampionat Botëror

Dua Lipa do të performojë në ceremoninë e finales së Ligës së Kampionëve ndërsa Era Istrefi së bashku me Will Smith dhe Nicky Jam janë artistët që do ta këndojnë himnin e Kampionatit Botëror.

Kosovarja Era Istrefi, vetëm 23 vjeçare, do të jetë zëri i këtij kampionati botëror, duke bashkëpunuar me një artist ndërkombëtarisht të njohur si Will Smith, e duke u renditur në mesin e artistëve si Shakira, Jennifer Lopez, Anastacia e Jason Derulo.

Kampionati Botëror i Futbollit që mbahet çdo katër vjet këtë vit do të zhvillohet nga datat 14 qershor deri me 15-të korrik në Rusi, ndërsa kjo është njëra ndër ngjarjet më të ndjekura në botë, që mbledhë me miliarda shikues.

Në anën tjetër UEFA përmes një videoje të shkurtër ka paralajmëruar se ylli nga Kosova, Dua Lipa, do të performojë në hapjen e ceremonisë së finales së Ligës së Kampionëve në Ukrainë.

“Kemi një tjetër artiste që do të pushtojë skenën e sivjetme të finales së Ligës së Kampionëve. A mund t’ia qëlloni kush është?” ka shkruar UEFA në faqen zyrtare në Facebook, derisa në video shihej Dua dhe një sekuencë e këngës “New Rules”. / KultPlus.com

Shqiptarët i quan plehëra, këngëtari grek vjen me 24 maj në Shqipëri

Më 24 maj, vjen nga Greqia të japë koncert për shqiptarët një antishqiptar i tërbuar, i cili kur bie rasti të flasë për shqiptarët i quan ata “σκουπίδια” (plehëra), shkruan “Shqiptarja”.

Një fashist i deklaruar, urrejtës i të huajve, mbështetës i Agimit të Artë dhe dëshmitar okular i kontakteve të fshehta mes alienëve dhe qytetërimit antik grek.

Shqiptarët janë ftuar të financojnë vazhdimësinë e aktivitetit të këtij “artisti”, duke e paguar biletën e koncertit të tij sa frëngu pulën, ose sa shqiptari përbuzjen.

150 euro do kushtojë bileta e Notis Sfakianaqit në Tiranë, ndërsa në Greqi kushton 50 euro.

Sepse sigurisht, grekët nuk janë “σκουπίδια” dhe kanë pasur kontakte me alienët, jo si shqiptarët që janë plehra dhe kontaktin e vetëm e kanë me naivitetin. / KultPlus.com

Performanca e famshme e Eleni Foureira dhe J Balvin (VIDEO)

Eleni Foureira mund të jetë emër i ri për evropianët, por para pjesëmarrjes së saj në Eurovizion ajo ishte e njohur në Greqi e Qipro me performancat e saj të zjarrta.

Në vitin 2014, Eleni bashkë me J Balvin sollën një performanca fantastike në VMA – Mad Video Music Aëards 2014.

Performanca i ka rreth 12 milionë klikime në Youtube ndërsa në një intervistë të kaluar Eleni ka thënë se kjo është ndër këngët e saj të preferuara. Eleni është me origjinë shqiptare ndërsa i ka sjellë Qipros rezultatin më të mirë ndonjëherë në Eurovizion. / KultPlus.com

Ura

Manjola Nasi

Këtu ka një urë dhe unë e shoh veten
duke u lëkundur mbi të.
Uji, qielli, drita e pasdites, pemët,
të çarat mes gurëve, të errëta e të myshkëta,
pilivesat, puhia e vockël që krijojnë me krahë.
Buzës së lumit nuk ndihet frymë njeriu.
Ura është këtu dhe unë lëkundem brenda saj
si një fëmijë në djep, që shpreson se do të rritet.
Por jam prerja tërthore mes ish-it dhe asgjësë,
e kaluar e paleverdishme
ku zihet ngushtë e tashmja.
Premtimet e nënkuptuara vlejnë më pak se të thënat.
Ura është vetë unë dhe vetë unë jam ura.
Ajo që nisi si një vepër e zakonshme
murimi, që ura të mos shembej
më dha lirinë e ngurtë
që po desha, të mos shembem as unë
tani që kam veç gurë për të mbajtur.
Këtej s’kalon më asnjeri, po mbetet ura.

Pritet raporti i autopsisë në rastin e aktorit Art Kurti

Prokuroria Themelore në Gjakovë deri tash nuk ka asnjë pistë hetimi rreth vdekjes së aktorit 23-vjeçar, Art Kurti.

Kryeprokurori Ali Selimaj thotë se as ekzaminimi i telefonave të Kurtit nuk ka treguar ndonjë detaj i cili mund të shtynte te ndonjë pistë hetimi, që do të tregonte se ky person është vrarë.

Ekzaminimi i telefonave të aktorit të ndjerë Art Kurti, i cili u gjet i vdekur mëngjesin e 24 prillit, nuk ka nxjerrë ndonjë dyshim se i njëjti ka qenë shënjestër e dikujt apo ishte shtyrë të vetëvritet.

Megjithatë, Prokuroria Themelore në Gjakovë ende është në pritje të raportit të autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për t’i nxjerrë përfundimet nëse vdekja e Kurtit ishte vrasje apo vetëvrasje.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj, i ka thënë gazetës “Zëri” se deri tash as ekzaminimi i telefonave të Kurtit nuk ka hapur dyshime për ndonjë pistë të mundshme të hetimeve rreth vdekjes së tij.

“Prej kontakteve dhe prej numrave të telefonit nuk është zbuluar asgjë që dikush ka mundur ta privojë atë nga jeta. Deri tash nuk kemi diçka as nga telefoni, i cili është dërguar për ekzaminim, edhe pse ende nuk na ka ardhur përgjigja, mirëpo me gojë na është thënë se nuk ka ndonjë të dhënë, e cila mund të na shtyjë te ndonjë pistë që do të na tregonte se ky person është vrarë apo diçka e tillë”, u shpreh Selimaj.

Kryeprokurori Selimaj thotë se në bazë të informatave që kanë marrë nga mjeku ligjor i cili e ka kryer autopsinë e trupit të Kurtit del që gjatë shkrepjes arma nuk ishte e mbështetur në kokë.

Izmir

Poezi e shkruar nga Tinka Kurti.

Quhem Izmir
Jam fëmija imagjinar i nënës sime
emrin e mora prej një romi
dashnor i saj,
kur ishin gjashtë vjeç
nëna më tha se poezia është pështjellim fjalësh
babai më dha sallatat e ngrohta të hamburgerëve
të globalizmit
mërzinë e mësova vetë dhe iu thashë
që vuajtja s’është, pos përpëlitja e lindjes së poezisë
mendova gabim
pasthirrmat janë fjalët e vetme të vërteta
e frazat e shkruara mes luftrash
marrin vlerë pa të drejtë
lufta është e përditshmja
me zotrat e ndërgjegjës

quhem Izmir
dhe emri është një shpagim i historisë njerëzore
nëna ime humbi shumë kohë në redaktimin
e letrës së vetëvrasjes
s’e vrau as poezinë
jetoi me mallkimin që e refuzoi romin sepse ishte i zi
të dy do të ishin vrarë rrugës
sikur të kishte pirë ujë nga duart e tij
nën një mal me gështenja
ose do të bënin kurora me ujë ujëvare
dhe kurrë nuk do t’ia mësynin parajsës

quhem Izmir,
s’ka rëndësi sa vjeç
para meje ishte një Izmir tjetër
me alamet sy
me mimikë shumë të gjallë
mirësinë e mori me vete në fatin rom

quhem Izmir
nëna ime nuk bëri asnjë hap
për të flakur tutje asnjë emocion
nga dashuria për Izmirin
lotët i ngacmon me pamje të lajmeve ndërkombëtare
quhem Izmir,
jam pendesa e nënës sime

quhem Izmir
nuk më pëlqen Z-ja në emrin tim
nuk ka zonja e zotërinj në qenien time
nuk ka emocione të drunjta
ka përçmim për ata që iu frikuan fundit
ka veç kujtime si inçizime të turbullta

quhem Izmir
jam zemërgjerësia e babait tim
magjepsja e grave me sytë e zi
jam një poezi e mjegullt
rivale e festivaleve
me gjasë jam analfabet
por di që poezia është një vdekje e vogël
vargu i saj i fundit
është çasti pasorgazmik
nuk jam purgator
jam hapësira në mes dy të dashuruarve

“Më prit atje, ti pritëm edhe pak që të pikturojmë jetët tona” (VIDEO)

“Më prit atje”, është një këngë që tashmë numëron 5 vite nga publikimi e që numëron mjaft shumë dëgjues.

Zëri i veçantë i Alban Skenderajt, ka sjellë ndër vite tekste të cilat kalojnë nëpër urat e jetës se së cilit që i dëgjon. E tillë është kënga “Më prit atje”, të cilën KultPlus ua sjellë sot me tekst e videoklip.

Alban Skenderaj me këtë këngë në prill të vitit 2013 është prezantuar në Netët e Klipit Shqiptar 12.

Më prit atje, pritëm edhe pak
Të na bashkohet dhe hëna
Më prit atje, ti pritëm edhe pak
Që të pikturojmë jetët tona
E te kalojmë çdo mërzi
E të harrojmë çdo lakmi
Sepse një ditë do jemi vetëm hi

REFRENI:
Oh lëre shpirtin të flas
Po le të derdhet dashuria pa masë
Oh se do çdo njeri
E kur e do s’ka kufi
Dhe kur e ke s’ka nevojë për fantazi

Do jem me ty deri natën vonë
Derisa të shuhen dhe yjet
Do jemi bashkë edhe kur agon
Madje diellin e zgjojmë nëse duhet
E mos me thuaj nuk e di
Mendo një herë veç për tani
Sepse një ditë do të jemi vetëm hi

REFRENI 3x:
Oh lër shpirtin të flas
Po le të derdhet dashuria pa masë
Oh se do çdo njeri
E kur e do s’ka kufi
Dhe kur e ke s’ka nevojë për fantazi yeahheehh

The Guardian shkruan për Era Istrefin dhe këngën e Botërorit (FOTO)

Shqiptarja Era Istrefi bashkë me Will Smith dhe Nicky Jam, janë artistët që do e këndojnë himnin e Kampionatit Botëror që do të mbahet këtë vit në Rusi, nga datat 14-të Qershor deri më 15-të korrik.

Edhe gazeta e famshme britanike The Guardian, ka shkruar për treshen që këtë vit do e zotërojnë skenën në Kampionatin Botëror në Rusi.

Kënga e botërorit, pritet të lansohet pas 3 ditësh, me 25 maj ndërsa producent është DJ Diplo. / KultPlus.com

Kinemaja ABC shënon 18-vjetorin me premierën e filmit “Yjet e së ardhmes”

Të enjten më 24 maj Kinemaja ABC në kryeqytet feston 18-vjetorin e themelimit, shkruan KultPlus.

Kësisoj ky përvjetor shënohet me premierën e filmit të metrazhit të gjatë “Yjet e së ardhmes” të regjisorit Edmond Topi. Të pranishëm do të jenë edhe yjet e kinematografisë shqiptare si: Tinka Kurti, Reshat Arbana dhe Margarita Xhepa.

Filmi është i zhanrit komedi, muzikë sjellë në ekran Robin (40 vjeç) që është një artist i “pashpërthyer” akoma. Prej vitesh bën muzikë por ende nuk është bërë i njohur. Mendon se kjo mundësi do t’i krijohet nëse, së bashku me formacionin e tij muzikor „Zjarri“ arrin të fitojë konkursin kombëtar “ Yjet e së ardhmes”. Por asgjë s‘shkon sipas planit.

Në kastën e aktorëve bëjnë pjesë: Gazmend Paja, Tinka Kurti, Reshat Arbana, Margarita Xhepa, Luftar Paja, Elia Zaharia, Ema Andrea, Karafil Shena, Sadush Ylli… nga dita e premte 25 maj, filmi “Yjet e së Ardhmes” shfaqet çdo natë në ora 20:00.

Më poshtë gjeni programin e pritjes së mysafirëve me këtë rast:

19:00 – 19:20 – Pritja e mysafirëve
19:20 – 19:30 – Ceremonia e hapjes
19:30 – Shfaqja e filmit
21:00 – Koktej

Nicole Malachowski, pilotja amerikane që bombardoi Serbinë për 200 orë rresht

Nicole Malachoëski (The USA Air Force) është pilotja e parë “bombarduese” amerikane e cila para 19 vitesh, pikërisht më 24 mars filloi ta gjunjëzojë Serbinë. Ajo ka marrë medalje të ndryshme nderi nga Ushtria e SHBA. Ajo është shquar për përsosmëri të jashtëzakonshme në goditjen e objekteve ushtarake serbe, edhe nëpër qendra të banuara, ose afër qyteteve ku ndodheshin bazat, përcjelle KultPlus.

Me gradën “Majore”, pilotja amerikane, Nicole Malachowski, është dekoruar me medaljet e çmimet më të larta të Ushtrisë Amerikane si “Meritorious Service Medal”, “Air Medal”, “Air Force Commendation Medal”, “Air Force Achievement Medal”, si dhe medaljen “4th Fighter Wing”s”, të cilën e ka marrë si një heroinë e madhe gjatë fushatës së bombardimeve ajrore në Kosovë, për mbrojtjen e civilëve gjatë bombardimeve. Ajo është shquar për përsosmëri të jashtëzakonshme në goditjen e objekteve ushtarake serbe, edhe nëpër qendra të banuara, ose afër qyteteve ku ndodheshin bazat. Besohet se Nicole është një grua e guximshme dhe mjaft e aftë, e para femër amerikane në historinë 60-vjeçare të aviacionit që është pjesë e skuadronit bombardues luftarak “Pilotët e vdekjes”. Ajo hyn kështu edhe në analet e historisë amerikane të fluturakëve, duke u renditur e suksesshme dhe me vlera të spikatura mes pilotëve burra. Deri sot pilotja numëron rreth 200 orë fluturime bombarduese në Kosovë (mars-qershor 1999 – 78 ditë) si dhe 10 ditë në Irak (prill 2003).

Forcat luftarake-ajrore amerikane (The USA Air Force) kanë gjithsej 568 femra pilote. Nga këto vetëm 71 prej tyre shërbejnë me aeroplanët fluturakë. “Unë, thotë Nicole, do të bëj detyrën, pavarësisht se mund të jem vendosur edhe në qendër të debateve, se si ka mundësi që një femër të kryejë këtë detyrë kaq të vështirë dhe me rrezik të madh për jetën”. Pilotja amerikane, Malachoëski, ka kryer shkollën e mesme në vitin 1992 në Las Vegas. Fëmija i tretë i një familjeje të vjetër amerikane (nëna quhet Cathy dhe babai i saj Robert Ellingëood). Nicole është e martuar me pilot, edhe ai me gradën “Major”, por me origjinë ruse, i quajtur Paul Malachoëski. Nicole u rreshtua në radhët e Flotës Ushtarake Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në vitin 1996, pas diplomimit në Akademinë e Forcave Ushtarake Ajore, me nivelin B. S. në Management dhe më ulët French. Më parë se të inkuadrohej në radhët e skuadroneve bombarduese të Flotës Ushtarake Ajrore të SHBA-ve, “Bubullima e zogut” (Thunderbirds), ajo shërbeu si instruktore dhe komandante me avionët luftarakë “F-15E”, në skuadronin “494th Fighter Squadron”, në bazën amerikane në Britaninë e Madhe, “RAF Lakenheath”. Këtu Nicole mblodhi rreth 1900 orë fluturime, nga këto 1700 orë fluturime me bombarduesit “F-15” dhe “F-16”. Nicole Malachoëski, nga Çikagoja, është e datëlindjes 1974 dhe njihet në SHBA si e para femër amerikane pilote me gradën “Major” dhe e para femër amerikane e seleksionuar për të shërbyer në radhët e fluturimeve luftarake në forcat ajrore “Thunderbrids, që njihen ndryshe si “Pilotët e vdekjes” apo “Bubullima e zogut”. Fluturimin e parë në qiell të hapur e ka kryer në vitin 1996. Për piloten amerikane kanë shkruar e folur jo vetëm gazetat, revistat ushtarake, por edhe gazeta e televizione të njohura në SHBA si CNN, ABC, NBC, FOXNEËS etj.

Eksperienca

Malachoëski u trajnua në bazën ushtarake “Columbus Air Force Base”, në Misisipi, me fluturakët bombardues “F-15E” e më pas, në bazën Seymour Johnson Air Force Base në Karolinën ë Veriut. Prioriteti i saj ka qenë stërvitja me “Pilotët e vdekjes” (Thunderbird). Më tej, Nicole shërben në bazën RAF Lakenheath, në Angli dhe kthehet sërish në bazën, “Seymour Johnson Air Force Base” në Karolinën e Veriut. Ajo do të shërbejë si oficere edhe në bazën “Camp Red Cloud” në Korenë e Jugut. Nicole ka marrë pjesë në krejt fushatën e sulmeve ajrore ndaj bazave e caqeve serbe në Kosovë e Serbi, si dhe në operacionin “Liria e Irakut” (Operation Iraqi Freedom). Ajo shihet në SHBA si femra që ka bërë histori. Në muzeun e “Pionierëve të fluturimit”, hapur në Washington D.C, asaj i është rezervuar një pavijon i veçantë me fotot, videoxhirimet, shkrimet dhe kujtimet e pilotes nga Britania e Madhe, Kosova e Iraku.
Fushata e sulmeve ajrore, e cila vuri në shënjestër caqet ushtarake serbe në territorin e saj dhe në bazat e vendosura në Kosovë zgjati 78 ditë dhe përfundoi me fitoren e NATO-s. Ajo është konsideruar si lufta më e suksesshme e kohëve moderne të Aleancës Veri Atlantike, NATO.

Kosova, aty zë një vend të posaçëm, pasi atje pilotja amerikane ka kryer mëse 200 orë fluturime bombarduese gjatë fushatës së vitit 1999. Siç dihet, më 24 mars 1999, është edhe dita kur nisën sulmet ajrore kundër bazave ushtarake serbe në Kosovë dhe në territorin e Serbisë./ BEQIR SINA, Nju Jork

Orhan Pamuk: Shqiptaret dashurojnë bukur, dashurojnë fort

Gazetarja Rudina Xhunga, kishte ecur në shumë vende për t’i intervistuar 31 shkrimtarët më të mëdhenj të këtij shekulli. Përmbledhja e këtyre intervistave në librin “Shkrimtarët e shekullit” nis me nobelistin e njohur turk Orhan Pamuk, prej të cilit gazetarja kishte nxjerrë edhe opinionin e njohuritë e tij për Shqipërinë, shkruan KultPlus.

Gazetarja Xhunga, derisa në intervistën e saj nxjerrë në dritë shumë nga puna dhe mënyra e krijimtarisë të autorit Pamuk, i cili përmes gazetares Xhunga rrëfehet për publikun shqiptar, Xhunga në këtë intervistë prezantohet me prejardhjen e saj, duke i kërkuar kështu nga shkrimtari që të ndaj mendimet e tij për Shqipërinë.

Ai ishte shprehur se di për periudhën e izolimit të Shqipërisë dhe se tani Shqipëria po ecën në rrugën e demokracisë. Ai në këtë intervistë tregon se disa nga çështjet e Shqipërisë i ka përfshirë edhe në krijimtarinë e tij letrare, duke thënë se intelektualë turq e kanë ndjekur Shqipërinë gjatë periudhave të ndryshme.

Krejt në fund gazetarja Xhunga e kishte pyetur për njërin nga personazhet e librit të tij të njohur “Stambolli”, personazh i cili paraqitet si dashuria e tij e parë, e që është një shqiptare. Pamuk e kishte arsyetuar këtë personazh me një përgjigje të shkurtër.

“Dhe përfund një pyetje që ka shkaktuar shumë kuriozitet te shqiptarët. Pse është një shqipate personazh i librit “Stambolli” si dashuria juaj e parë?”, ishte pyetja e gazetares Xhunga.
“Është një shqiptare, mbase, ngaqë shqiptaret dashurojnë bukur, dashurojnë fort”, ishte shprehur Pamuk gjatë intervistës./ KultPlus.com