Shqipe Kamberi dhe Mjellma Goranci vijnë me ekspozitë të përbashkët në Galerinë Monet

Dy piktoret e njohura Shqipe Kamberi dhe Mjellma Goranci, këtë të henë do të sjellin ekspozitën e përbashkët në Galerinë “Monet”, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë vjen si dialog mes dy piktoreve, duke shpalosur punimet e stilin e tyre në një hapësirë.

Ekspozita do të hapet këtë të hënë në Galerinë “Monet”, duke filluar nga ora 19:00./ KultPlus.com

“Dashuria e çmendur” e regjisorit shqiptar Izer Aliu, pjesë e Festivalit të Filmit të Shkurtë në Norvegji

Filmi “Dashuria e çmendur” e regjisorit shqiptar Izer Aliu do të jetë pjesë e festivalit të dytë më të vjetër të filmit në Norvegji, shkruan KultPlus.

Filmi “Dashuria e çmendur” është për një përpjekje e një njeriu të çmendur për t’i shpëtuar konformitetit të jetës së përditshme, duke trembur fqinjët e tij dhe duke pretenduar së është i çmendur. Një ditë Galen (40) i cili është personazhi kryesor vendos të largohet nga fshati dhe të bëjë të njëjtën gjë edhe në Qytetin e Madh.

Regjisori Izer Aliu është shqiptar, i lindur në Maqedoni, është rritur në Suedi dhe është shtetas norvegjez. Fëmijëria dhe adoleshenca e tij kryesisht ndodhën në Norvegji dhe Suedi. Që kur u diplomua nga Shkolla e Filmit Norvegjez në Lillehammer në vitin 2012, ai ka bërë filma në vende të ndryshme në botë, por baza ka qenë gjithmonë në Oslo.

Ai në këtë festival ka marrë pjesë edhe më parë ku edhe është shpërblyer me dy herë me çmimin “The Gold Chair” në vitin 2013 dhe 2014 si dhe dy herë me çmimin “Amanda” për filmin më të mirë të shkurtër dhe për “Best Registry”.

Festivali i filmit të shkurtër është një festival për filma të shkurtër dhe dokumentar me element garues për filmat në Norvegji dhe ata ndërkombëtar. Në kudër të festivalit po ashtu shfaqen edhe dokumentare ndërkombëtare, mbahen seminare, punëtori dhe aktivitete të tjera zbavitëse që në qendër kanë filmin.

Festivali është një vend i rëndësishëm takimi për të rinjtë, si dhe për krijuesit e filmave dhe komunitetet filmik në Norvegji. Gjatë festivalit, zhvillohen takime çdo ditë ndërmjet drejtorëve, stafit të filmit, prodhuesve, përfaqësuesve të industrisë filmike dhe audiencës. / KultPlus.com

Konkursi për filma të shkurtër ndërkombëtarë gjithashtu tërheq filmbërësit nga pjesa tjetër e botës në Grimstad kështu përmes festivalit lehtësohen kontaktet midis kinemasë norvegjeze dhe asaj ndërkombëtare. Festivali i filmit të shkurtër është festivali i dytë më i vjetër i filmit në Norvegji dhe organizohet çdo vit në Grimstad të Norvegjisë./ KutPlus.com

Dua Lipa për dy net magjeps publikun e Miamit në Florida (FOTO)

Dua Lipa për dy net radhazi ka magjepsur publikun e Miamit ku është paraqitur me dy koncerte në kuadër të turnet të saj, gjersa po vazhdon rrugëtimin e saj të koncerteve në skenat më të njohura të botës, shkruan KultPlus.

Me qindra fansa shihen duke zgjatuar duart drejt saj derisa ajo performon hitet e saj në skenë.

“Jemi ndjerë shumë me fat që performuam në një amfiteatër hapur. Dukej sikur një mini-festival i yni. Faleminderit për gjithë dashurinë”, ka shkruar Dua Lipa në postimin e saj në Instagram./ KultPlus.com

“Psycho” i Ilir Muharremit promovohet në Akademi të shkencave në Tiranë

Romani “Psycho” i krijuesit Ilir Muharremi së shpejti do të ketë një promovim në Tiranë. Më saktësisht, sipas Muharremit, “Psycho” do të ketë një promovim më 22 qershor në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Studiuesi Vilson Culaj, në një konstatim të tij, pohon se “Psycho” është sfidant për t’u kuptuar dhe i lehtë për t’u lexuar dhe që ta mbarështosh një vepër letrare me fondament, psikologjinë dhe filozofinë e jetës me gjithë kompleksitetin e saj, fiksuar në një gotë vere dhe një banakiere fiktive femër, është thjesht një mjeshtri e rrallë që buron nga një univers njohjeje empirike./ KultPlus.com

Muzeu Marubi kujton punën e fotografit Angjelin Nenshati me ekspozitë

Muzeu Marubi, në ekspozitën e radhës do të sjellë një retrospektive kushtuar punës së fotografit Angjelin Nenshati (Shkodër,1929 –2008), shkruan KultPlus.

Ekspozita |Angjelin Nenshati: Dëshmitar mes dy kohëve”, vjen si rezultat i programit të ekspozitave “Archive Reloaded” ku vëmendja është e orientuar në koleksionet e paekspozuara më parë për publikun.

Ajo orientohet në dy drejtime: në periudhën e diktaturës komuniste dhe në atë të tranzicionit të viteve ’90. Në të dyja këto periudha, në thelbin e fotografisë së tij, mbetet ngjarja të cilën ai e ndjek me interesin dhe me syrin e reporterit të mirëfilltë dhe të vëmendshëm.

Këtë pozicion të disiplinuar në marrëdhënie me momentin e pranishëm e perceptojmë gjithashtu edhe në ndryshimet e mëdha politike të vendit në vitet ’90, ku përmbysjet social-politike të lartpërmendura e transformojnë totalisht natyrën gjithnjë e më dramatike që merr ngjarja e çliruar nga inskenimi.

Ekspozita është bërë e mundur edhe falë kontributit të djemve të fotografit Angjelin Nenshati, të cilët vendosën në dispozicion të saj, imazhe nga koleksioni fotografik familjar i periudhës së pas viteve ’90.

Kjo ekspozitë restrospektive vjen e kuruar nga Luçjan Bedeni e Lek M. Gjeloshi. Ekspozita “Angjelin Nenshati: Dëshmitar mes dy kohëve”, hapet më 22 qershor duke filluar nga ora 19:00./KultPlus.com

Tirana me një teatër të ri, Veliaj sot dëgjesë me artistët

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj do të zhvillojë ditën e sotme një dëgjesë me komunitetin e artistëve për çështjen e ndërtimit të teatrit të ri.

I ftuar në emisionin “Koha për t’u zgjuar”, Veliaj deklaroi se paraditen e sotme në orën 11 ai do të bashkëbisedojë me artistët për këtë propozim që pritet t’i japë qytetarëve të Tiranës një teatër dinjitoz.

“Një shans fantastik është takimi i sot. I kemi ftuar të gjitha palët, t’i dëgjojmë të gjithë dhe ata që kanë shqetësime dhe ata që janë pro dhe ata që kanë pyetje se ndoshta jo të gjithë i dinë detajet. Kështu që ne sot në orën 10: 30 do të kemi një konsultim publik Në Tiranë”, tha Veliaj.

Ai sqaroi edhe pozicionin e Bashkisë së Tiranës në këtë çështje, teksa theksoi se bashkia do ta zhvillojë këtë pronë sepse nuk mund të kemi një ferrishte në qendër të qytetit. “Arsyeja pse bashkia është e përfshirë është sepse bashkia është një nga pronarët e tokës në tokën mbrapa teatrit. Do të thotë që bashkia me ose pa teatrin është në tagrin e vet ta zhvillojë. Unë jam ndoshta i vetmi kryetar bashkie i një kryeqyteti në rajonin tonë i cili mbas godinës së vet ka një ferrishte. Përpara kemi sheshin, një nga më të bukurit i cili po animohet, po ka jetë, po ka aktivitete, po ka koncerte. Tani e kemi bërë të gjithin të transformuar për kampionatin botëror të futbollit. Fusha sportive, hapësira për të kaluar kohën, madje edhe foto e famshme e Skënderbeut është rikthyer tani që është mbaruar edhe lulishtja mbrapa Skënderbeut. Ndërkohë që pas bashkisë ne kemi një ferrishte të madhe. Mbrapa teatrit gjithashtu magazinat e dekorit të Tiranës, një parking, ish-godina e vjetër e PD kështu që bashkia gjithsesi do ta zhvillojë këtë pronë sepse nuk mund të kemi një ferrishte në qendër të qytetit”, tha Velia.

Një udhëtim me personazhet e “The smurfs” në 60 vjetorin e filmit

Belgjika po e feston ditëlindjen e 60-të të personazheve të filmit “Smurfs”, duke u dhënë fansave mundësinë për të përjetuar jetesën në fshatin e tyre dhe për të marrë një udhëtim real nëpër pyjet dhe shpellat mistike.

Ilustruesi Pierre Culliford, i cili shkroi nën pseudonimin Peyo, arriti majat e suksesit me krijimin e këtyre personazheve simpatike në vitin 1958, pasi fillimisht i kishte shpikur ato vetëm si personazhe mbështetëse në komikun e tij të heronjve mesjetarë Johan dhe Peewit, transmeton emisioni Express në KTV.

Në “Smurf Experience”, ekspozitë kjo e hapur në Bruksel deri në fund të janarit 2019, vizitorët mund të përjetojnë një aventurë në vete duke “shkuar” në fshatin Smurf, me shtëpi me madhësi të kërpudhave, ndërsa duke “luftuar” Gargamelin, kundërshtarin kryesor të komikëve.

Teknologjitë digjitale dhe realiteti virtual përdoren në ekspozitën prej pesë milionë euro për të krijuar një ‘zhytje në botën Smurfs’, tha menaxheri i marketingut Chloe Beaufays.

Organizatorët shpresojnë të hapin ekspozitën në vendet e tjera evropiane, si dhe Shtetet e Bashkuara dhe Azi gjatë pesë vjetëve të ardhshëm.

‘Ta quash femrën gjini e dobët është shpifje’

Ta quash femrën gjini e dobët është shpifje- është padrejtësia e mashkullit ndaj femrës. Nëse me forcë nënkuptojmë forcën brutale, atëherë po, është e vërtetë që femra është më pak brutale se mashkulli. Por, nëse me forcë nënkuptojmë forcën morale, në këtë pikë gruaja është jashtëzakonisht më superiore se mashkulli…..Pa gruan, mashkulli nuk do të ishte. Nëse jo-dhuna do të ishte ligji i qënjes tonë, e ardhmja do të ishte me gruan. Kush mund ti bëjë më shumë thirrje zemrës se sa gruaja?

Mahatma Gandi

Arjeta Mala sjellë dy botë me tensione në ekspozitën në Prishtinë

Arbër Selmani

Ajo ka lindur në Pejë, dhe me punët e saj të fundit artistike mendjen e ka pasur në një tjetër pjesë të botës. Peja pati luftë e terror, sikur Kosova në tërësi, para disa dekadash, ndërsa Siria ka një luftë që ka nisur qëmoti e po vazhdon edhe sot.

Me refugjatët nga Siria dhe me pamjet e tmerrshme, Arjeta Mala tregon se ka marrë një inspirim për punimet e ekspozitës e cila u hap sonte në Galerinë e Ministrisë së Kulturës në Prishtinë. Arjeta është artiste e vizatimeve më abstrakte, dhe me anë të ngjyrave të ujit krijon edhe fytyra njerëzish por edhe lë ngjyrim të llojllojshëm në fletën e bardhë.

Ekspozita “Tensione të dukshme dhe të fshehta” u hap sonte nga artistja e cila jeton prej kohësh në Holandë, në qytetet e të cilit shtet ajo ekspozon punët e saj artistike gjithmonë të nisura pa një koncept por ndërtuar ngadalë drejt tërësisë.
“Unë kur filloj punën nuk e kam në mend një koncept, por gjithçka merr formë më pas. Punimet e kësaj ekspozite janë disa të reja e disa të ekspozuara më herët. Në një pjesë shihni edhe fytyra të njerëzve të cilat i kam marrë prej ngjarjeve në Siri dhe pamjeve të ndryshme në televizion të cilat më japin emocione dhe ndjenja të tmerrshme nga realiteti atje” tregon artistja Arjeta Mala.

Në punët e saj ajo përdorë akrilin. Punimin e parë e realizoi në moshën 8 vjeçare, gjyshin e saj duke lexuar gazetën. Më vonë një pjesë e mirë e karrierës do të ishte e lidhur me artin e kulturën, me fokus vizatimin.
“Jam e lumtur që jam në Kosovë, këtu gjithmonë është ndjenjë tjetër sepse këtu është familja, këtu janë miqtë prandaj është një ndjesi tjetër të jem në vendin tim me ekspozitë. Do të vazhdoj me ekspozita të tjera” thotë artistja për ekspozitën që ndahet në dy cikle.

Zeni Ballazhi, kurator i ekspozitës, ka shkruar se si Arjeta ka krijuar një stil të lidhjes së vetvetes me universin që e rrethon ndërmjet mundësive shprehëse dhe dinamikave sasiore të botës përreth saj. Ajo akordon intensivisht pjesën e padukshme të realitetit në një hapësirë të vetme në një mënyrë specifike që përcakton edhe individualitetin e saj.

Arjeta Mala (1964) u lind në Pejë. Ka mbaruar Fakultetin e Arteve, drejtimin e dizajnit grafik, në Universitetin e Prishtinës. Për shkak të luftës së vitit 1999, mërgon në Holandë ku edhe punon sot si artiste e lirë. Ka marrë pjesë në disa ekspozita kolektive brenda dhe jashtë vendit si në Rotterdam, Piershil, Binnenmaas, Hagë, Eindhoven, Dordrecht, Bochold, Prishtinë, etj.

Ndërkaq ekspozita personale ka realizuar në Galerinë e Ambasadës së Shqipërisë në Hagë (2017), në Piershil (2006), pastaj në Galerinë e Arteve të Komunës së Pejës (2017), në Rotterdam (2017), si dhe tani në Galerinë e Ministrisë së Kulturës (2018). Jeton dhe vepron në Holandë. / KultPlus.com

Nën kët diell ndodh gjithçka

Pier Kolond

Nën kët diell,
sot,
ndodh gjithçka.
Toka rrotullohet
pa dijtë ça po bàhet.
Lulet hapin ganxhet
e i hjedhin prap.
Burrat bàhen tapë
për me kalue kohen.
Varzat porsi yje
shesin mish të njomë,
në çdo njiqind metra.

Nën kët diell
të zbehtë
Gra me cica t’shfryme
rreken me i njomë
me jargë fmijsh të ùnshëm.
Politikanë kameleonë
i ndrrojnë bojë kmishës
simbas klientelës.
Në tv shesin buzqeshje.

Nën kët diell
të ftoftë
Makiaveli hyp në fron
Akulli shkrihet me raki
në mungesë të zjarmit.
Sy të lodhun prej ndershmnisë
(fjalë prozaike),
i kërkojnë ndihmë
gjumit hipokrit.
Akulli i shpirtit
shkrihet me urrejtje.
Zjarmi i dashnisë
ka dhànë dorheqjen.

Nën kët diell
që s’àsht ma diell;
Në kët botë të ndytë
gjithfar t’zezash shef me sy.
Ku je nisë
o njeri?!
Drita s’asht në varreza.
Qielli kjan.
Ta kputë shpirtin
vaji i tij.
Por ti zhytesh në të zeza.
E ti diell,
që s’je mà diell
pse nuk xen?
Pse rrin kot,
atje në qiell?
Ku e ke zjarmin e dikurshëm?
Cou prej gjumit
e shif me sy
Ca po ndodh këtu,
nën ty.

Në një shkollë në Prishtinë, nxënësit mbeten pa notë në histori

Të gjitha notat e nxënësve të klasës së IX -1 të shkollës fillore “Emin Duraku” të kryeqytetit janë mbyllur, por jo edhe ato të lëndës së historisë, raporton KTV.

Mësimdhënësja e kësaj lënde, Afërdita Misimi, ka vendosur që tre nxënës të mos i notojë fare, shkaku i mospjesëmarrjes së tyre në orën e saj për gjashtë muaj radhazi.

Ky veprim i ka lënë këta tre nxënës pa dëftesë, e cila tash u duhet për regjistrim në shkollën e mesme. Fakti që tash hapen konkurset për regjistrim dhe këta nxënës nuk i kanë dëftesat e tyre i ka irrituar prindërit.Prindërit kanë shkuar në këtë shkollë dhe e kanë kërcënuar mësimdhënësen e historisë, duke i kërkuar mbylljen e notës.

Arsimtarja Afërdita Misimi tha se nuk do të notojë nxënësit pasi që kanë munguar në orë.

Drejtori i shkollës, Agron Mexhuani tha se kjo çështje do të zgjidhet shpejt.

Shaqir Hoti and the Stooges, sonte në Kino Armata në Prishtinë

Sonte në Kino Armata vjen një natë e veçantë me Shaqir Hoti – Baca feat. Armend Xhaferi, Ilir Bajri, Nesim Maxhuni.

Baca Shaqë performon përveç tjerash edhe me okarinë, instrument frymor i lashtë i zbuluar në Runik të Drenicës. Okarinat prodhohen vetë nga Baca Shaqë, sipas modelit të gjetur në Runik.

Shaqir Hoti është muzicient nga Rogova e Hasit, i cili dedikoi tërë jetën e tij prodhimit dhe studimit të instrumenteve folklorike, posaçërisht okarinës ilire. Ai themeloi ansamble të ndryshme dhe ishte pjesë e orkestrës së Radio Prishtinës për shumë vite. Tani është i penzionuar dhe jeton në Prishtinë me të birin e tij, si dhe vazhdon me hulumtim dhe komponim.

Në koncertin e tij në Kino ARMATA, atij do t’i bashkangjiten në skenë Armend Xhaferi (gitarë), Ilir Bajri (tastierë) dhe Nesim Maxhuni (tupana).

Eventi përkrahet nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS) dhe Swedish International Development Cooperation Agency (Sida).

Koncerti fillon në ora 21:00.

Shqiptarja Eleni Foureira do të këndojë në Paradën e Krenarisë në Stokholm

Shqiptarja Eleni Foureira do të këndojë sivjet në Paradën e Krenarisë në Stokholm.

Foureira, e cila po bën bujë në Evropë me këngën “Fuego”, do të jetë pjesë e Paradës së komunitetit LGBT në Stokholm në muajin gusht.

EuroPride Park Stockholm është stadiumi ku do të mbahet koncerti me datë 2 gusht.

“Jam shumë e lumtur që jam e ftuar në këtë koncert dhe do ti falenderoj prapë fansat e mi të cilët më përkrahën në Eurovizion” ka shkruar Foureira.

Ajo dhe disa artistë tjerë të njohur do të jenë pjesë e koncertit, në festën e madhe në Stokholm të Suedisë. / KultPlus.com

Artemida Qarri nesër me koncert në Shkup së bashku me Orkestrën e Filharmonisë së Maqedonisë

Pianistja Artemida Qarri këtë të enjte do të interpretoj së bashku me Orkestren e Filharmonisë së Maqedonisë në Shkup, shkruan KultPlus.

Pianistja dhe Orkestra e Filharmonisë së Maqedonisë do të dirigjohen nga Sasho Tatarachevski. Në këtë koncert do të luhet vepra “piano concerto nr.2” e D.Shostakovicit.

Koncerti do të filoj nesër duke filluar nga ora 20:00 në Makedonska Filharmonija në Shkup./ KultPlus.com

Shqiptari Pajtim Statovci, shkrimtari i vitit në Helsinki

Pajtim Statovci, 28 vjeçar, është zgjedhur shkrimtari i vitit në Helsinki, Finlandë.

Statovcit për romanin e tij të veçantë “Macja ime Jugosllavia” iu dha çmimi për vitin 2014 nga “Helsingin Sanomien”, gazeta e përditshme dhe ndër më të vjetrat në Finlandë.

Vepra e tij përkthyer deri më tani në 8 gjuhë të ndryshme, raporton KosovaPress.

Për këtë është mbajtur një aktivitet, e ceremonia qendrore do të jetë premierë në vjeshtë në Teatrin Kombëtar në Helsinki.

Romani i tij i dytë, “Zemra e Tiranës” është botuar në vitin 2016, e rëndit atë sërish të pestin për çmimin shkrimtari i vitit.

Përzgjedhja është bërë nga një grup shkrimtarësh në Helsinki.

Për Statovcin kanë shkruar edhe mediat e njohura në botë kohë më parë, duke e vlerësuar si shkrimtar që premton shumë. / KultPlus.com

UNESCO fton fotoreporterët të dërgojnë fotografitë që pasqyrojnë punën e gazetarëve

UNESCO fton fotoreporterët profesional nga e gjithë bota që të dërgojnë një mostër të fotografive të tyre më të mira që ilustrojnë gazetarët gjersa kryejnë punën e tyre, shkruan KultPlus.

Fotografitë e përzgjedhura do të ndihmojnë që të ngritin vetëdijen për kushtet e punës për gazetarë dhe që të ilustrojnë aktivitetet dhe programet e UNESCO-s që kontribuojnë në mbështetjen e lirisë së shprehjes.

Fotografitë do të përzgjidhen për nga përmbajtja artistike, kreative dhe origjinale. UNESCO do të krijoj një kontratë me fotografët në blerjen e fotografive të zgjedhura, ku të drejtat jo-ekskluzive për fotografitë e zgjedhura do t’i jepen UNESCO-s.

Për informata më të hollësishme klikoni në vegzën e UNESCO-së:

https://en.unesco.org/neës/call-proposals-photographs-illustrating-journalists-doing-their-job

Piktura e Rron Qenës ekspozohet në Blanden Art Museum në Iowa (FOTO)

Një nga pikturat e Rron Qena ka zënë vend brenda hapësirës së Blanden Art Museum në Iowa të Amerikës, shkruan KultPlus.

Drejtori i këtij muzeu, Eric Anderson ka publikuar një fotografi ndërsa mban në duar pikturën e artistit kosovar.

Suksesi është arritur me ndërmjetësimin e Soma Book Station në Prishtinë, kur nga Iowa e Amerikës erdhën përfaqësuesit në Prishtinë.

“Piktura ka qenë në Soma dhe përfaqësuesit e Muzeut e kanë marrë sepse iu ka pëlqyer. Ne e kemi hapur hapësirën tonë për punën e Rronit dhe artistëve tjerë, dhe kësisoj po ndihmojmë që në të ardhmen të kemi edhe ekspozita dhe të ndihmojmë në afirmimin e artistëve tanë’ tregon për KultPlus Nol Shala nga Soma.

Veprat e piktorit Qena konsiderohen si shumë të veçanta andaj ai vitin e kaluar kishte prezantuar ekspozitën e tij “Fading”, e cila portretizonte qytetin e mbingarkuar e të ndotur të Prishtinës. / KultPlus.com

Kur thirra nënën t’i them se policia ndaloi vëllain

Shqiptar Oseku

ajo nisi të merr frymë me ndërprerje
sikur lidhte fashē pambuku mbi brinjë ëndërrash

ani bir se e lēshojnë prapë
a i ka ilaçet me vete

pastaj heshti krejt
thuase qeveria i kish caktuar
një kuotë fjalësh

(përvoja bën të veten)

i ndihej veç frymëmarrja
me ndërprerje të buta

sikur lidhte fashē pambuku mbi brinjë
të thyera

Ku ishe ti?

Frederik Rreshpja

Ku ishe ti kur dola i vetëm nën hënë?
Në ç’hënë barisnje vallë?

Ku ishe ti kur vizitova profilin tënd
Në xhamin e muzgut që krisi dhe u thye me trishtim?

Pastaj erdhi nata mbushur me mungesën tënde
Pastaj erdhi prap nata
dhe kështu ka për të qenë deri në ditën e fundit të netëve.

Zbrita tek kroi
duke mbajtur në duar vazon delikate të agimit
Pashë sytë e tu ruajtur në kujtesën e ujrave.

Lisi plak lëshoi përdhe kurorën e vjeshtës
Si një sovran që abdikon.

Ani, mua më zuri ky mallkim.
Po qysh bën pylli pa ty? Si del vjeshta?
A ndofta nuk do të ketë kurrë më vjeshtë?
Atëherë në emër të kujt do të bien gjethet?
Në emër të kujt do të vijnë shirat, mjegullat, ylberët?

Ah, zemra ime, eja vër dorë mbi stinët!

Lush Isufaj përmes librit ndriçon të kaluarën e Dukagjinit e më gjerë nëpër tre shekuj (FOTO)

Gili Hoxhaj

Një fryt i një punë të gjatë hulumtuese, shkencore e studimore u cilësua libri “Të jetosh vertikalisht”, i Lush Isufaj që u promovua sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, shkruan KultPlus.

Ky libër voluminoz i përbërë nga 703 faqe shtjellon periudha të ndryshme historike që janë zhvilluar në tri shekuj, duke ndriçuar të kaluarën që bazohet në trevat e Dukagjinit. Autori rrëfimin kolektiv të shoqërisë në histori e fillon nga familja e vendlindja e tij, Juniku. Aty janë të paraqitur disa shekuj të historisë familjare duke trajtuar tema që Kosova nuk nënshtrohet kurrë, luftën për mbijetesë dhe pavarësimi deri tek realiteti që prek temat sfiduese në kohët e sotme. Rrëfime të personaliteteve të trevës së Junikut dhe Deçanit mund të gjenden me një gjuhë të qartë në këtë libër. Përmes kujtimeve individuale, autori kapërcen në tema e rrëfime të brezave të ndryshme, duke e shpërfaqur rrëfimin kolektivë të shqiptarëve.

Agron Gashi, hapi ceremoninë përuruese duke e theksuar që ky libër përmban rrëfime të trishta, të papara dhe të lexuara më herët. Ai tha se ky libër përmban titull përfaqësues, pasi që kujton dhe dëshmon për një proces e procese historike kurse nëntitulli është kategorizues pasi që shtrihet përmes kujtimeve të dëshmisë, evokimeve personale me të dhëna të ngritura mbi përvoja të jetës dhe historisë, të përjetimeve e rrëfimeve të besueshme.

“Ky libër jete sa është histori krenare së fundmi mund të pranohet dhe mund të lexohet edhe nga ana njerëzore si i prekshëm, si libër i ndjeshëm me dilema e paradokse të kohës në të cilat ka kaluar familja e bashkëvendësit e tij. Këtu flitet për periudha historike për te cilat është folur e dëshmuar shumë por pas leximit të këtyre rrëfimeve historike e autobiografike, qoftë në trajtë të kuptimeve dhe dëshmisë e shohim më mirë me sy të mendjes e të shpirtit, të njëjtën histori të thënë më ndryshe të shkruar më ndryshe, te cilën edhe duke e lexuar duhet ta lexojmë më ndryshe”, tha në fjalën e tij Gashi.

Fjalën e redaktorit Beqë Cufaj, e lexoi avokati Getoar Mjeku. Fjala e tij titullohet “Një dokument monumental i jetës”, ndërsa thotë se autori në tërë këtë libër përpiqet që veten mos ta vë në plan të parë, cilësi e njeriut vertikalisht.

“Jemi në ata që duhet të ja japim meritën për punën e tij në shumë dekada që na bën të kuptojmë një element qenësor sot, nuk kemi pikur nga qielli dhe duhet të jemi mirënjohës ndaj paraardhësve. Të ardhmen tonë duhet ta ndërtojmë vertikalisht. Çka do që thuhet për librin që lexuesi e ka shfletuar, nga fillimi në fund, nga mesi në fillim apo nga fundi në fillim mund të jetë e tepërt sepse vetëm fakti që ky libër mund të lexohet nga cilado faqe me një frymë, nxjerrë në pah argumentin kryesor që libri është një monumental”, shkruhej në letrën e Beqë Cufajt.

Profesori Jusuf Osmani u shpreh se historia e familjes dhe vendlindjes fillon njohja e të kaluarës së gjerë e popullit. Shënimet e dokumentet ruhen dhe krijojnë historinë e një populli. Tutje ai u shpreh se Osmani me këtë libër e përmbushi obligimin moral ndaj vendlindjes së tij duke shkruar këtë monografi ne formë autobiografike.

“Historia për pavarësi nuk ka filluar sot po është i njohur me shekujt. Për pavarësi kanë rënë shumë viktima, pjesëtar të Dukagjinit e të tjerë ishin kudo dhe luftuan ndershmërisht në krah të lëvizjet atdhetare për mbrojtjen e trevave. Ky është një projekt i madh serioz dhe ambicioz, andaj kur shpalos faqet e këtij libri të bie në sy laramania e temave duke kaluar kufijtë e pjesës së Dukagjinit për çka ka shkruar autori”, u shpreh Osmani.

Vet autori Lush Isufaj u shpreh se libri është munduar që të përfshij fakte që nuk janë përfshirë në veprat e autorëve të tjerë. Ai tutje tregoi se tregimet që i ka përfshirë në librin e tij janë krejtësisht autoriale dhe të tilla frymojnë edhe në libër.

“Kam pasur fat t’i takoj një familje të madhe e cila ka qenë gjithnjë një familje e pasuruar me mysafirë të rastit, me njerëz që kanë qenë hallexhinj, kanë qenë prirës të kombit shqiptar të asaj periudhe , duke u nisur nga Hoxhë Kadri Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini e shumë të tjerë. Janë të përfshirë njerëz të ditur të asaj kohë që kanë dhënë shumë për kombin shqiptar prandaj unë duke i dëgjuar ata njerëz, unë jam brumosur dhe kam filluar si i ri t’i marr disa shënime”, tregoi autori Isufaj, duke theksuar se bisedat ka dashur gjithnjë t’i përmbledh në një libër siq është ky sot.

“Sigurisht qe unë nuk kam arrit që t’i përfshij të gjitha, kam lënë mundësinë që këto të begatohet edhe nga kolegët e tjerë pasi që historia krijohet vetëm në atë mënyrë duke lënë shënime dhe vepra, andaj krejt esenca ime ka qenë t’i shfrytëzoj thëniet e njerëzve të Junikut e rrethinës që kane qenë pjesëmarrës në ngjarje që janë shumë të rëndësishme, të cilët historiografia jonë nuk ka arritur t’i vjelë sa duhet”, tha për fund autori./ KultPlus.com

Troje, shtëpi e vetura, kjo është pasuria e Kujtim Gashit, ministrit të MKRS

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka deklaruar se posedon pasuri të paluajtshme vlera e së cilës kap shifrën 340 mijë euro, shkruan KultPlus.

Në pasurinë e paluajtshme të ministrit të Ministrisë së Kulturë, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, hyjnë dy shtëpi me truall, njëra kap vlerën 60 mijë ndërsa tjetra 140 mijë. Përveç shtëpive, ministri Gashi në Agjencinë Kundër Korrupsion ka deklaruar se posedon edhe dy troje, 1 hektarë që ka vlerë 80 mijë euro dhe 20 ari që kanë vlerën 60 mijë euro, të trashëguar poashtu nga prindërit e tij.

Të deklaruara si pjesë e pasurisë së luajtshme janë katër vetura, të cila janë deklaruar si pronësi e bashkëshortëve jashtëmartesor, vlera e të cilave është 34 mijë euro. Vetëm njëra veturë është marrë me kredi në vitin 2009, ndërsa të tjerat janë shënuar si ndërrim tek prejardhja e pasurisë.

18 mijë e 691 euro, ministri Kujtim Gashi, ka deklaruar se i ka para të gatshme në bankën së bashku me 5 mijë e 200 euro të vendosur po ashtu në bankë por në emër të fëmijëve.

Të ardhurat vjetore të ministrit të kulturës përfshijnë pagën e tij nga qeveria 1 mijë e 173 euro, pensione të prindërve 370 euro, si dhe 208 euro nga honorare dhe 1 mijë e 400 për mëditje jashtë vendit./ KultPlus.com

Qendra Multimedia

Qendra Multimedia është themeluar në vitin 2002 në Kosovë. Ajo është organizatë e pavarur kulturore e fokusuar në prodhimtari artistike, shkëmbime kulturore ndërkombëtare e publikime nga fusha artit dhe kulturës.

Fokusi kryesor i saj qëndron në dramaturgjinë dhe teatrin bashkëkohor. Qendra prodhon dhe bashkëprodhon aktivitete kulturore për të gjitha moshat dhe aktivitetet e saj kanë shtrirje ndërkombëtare. Shkëmbimet artistike me partnerë ndërkombëtarë janë një element kyç në punën e Qendrës Multimedia.

Qendra është themeluar nga një grup i artistëve të rijnë të cilët kanë synuar që të krijojnë një format alternativ të prodhimtarisë artisitike, të influencojnë politikat kulturore si dhe të përdorin artin për të adresuar çështje të ndjeshme politike e sociale.

Rr. Idriz Gjilani
7/9 – 1, Lagja Dardania
10000 Prishtina
Republic of Kosovo

[email protected]
+383 38 555 799

https://www.facebook.com/QendraMultimedia/
http://qendra.org/

Nesër mbrëma kurorëzohet me premierë ëndrra e mistershme, e bukur dhe e gjatë e Bekim Lumit

Alberina Haxhijaj

Aktorët Bujar Ahmeti, Afrim Kasapolli, Afrim Muçaj, Labinot Raci, Faris Berisha, Ylber Bardhi, Ismet Azemi, Edon Shileku, Valmir Krasniqi, Shpëtim Kastrati, Kushtrim Qerimi, Muhamed Arifi dhe Alban Rexhaj pas shumë muajve punë do të jetësojnë shfaqjen “Arturo Ui”, e cila vjen nën direktivat e regjisorit Bekim Lumi, shkruan KultPlus.

Shfaqja “Arturo Ui” është një shfaqje e krijuar mbi tekstin e dramaturgut të shquar gjerman dhe botëror, Bertoltt Brecht. Ajo pasqyron historinë e dhunshme të rrëmbimit të pushtetit ekonomik dhe politik nga gangsteri Arturo Ui (alias Adolf Hitler) dhe pasuesit e tij në vitet 30’ të shekullit XX.

Drejtori artistik i Teatrit Kombëtar, Agon Myftari, tha se kjo shfaqje është e veçantë pasi që shënon 120 vjetorin e lindjes së Bertolt Brecht-it dhe 20 vjetorin e artit dhe krijimtarisë së regjisorit Bekim Lumi.

“Po më vjen mirë që kjo vepër e madhe po kurorëzohet, nesër do të jetë një festë për Teatrin Kombëtar, do jetë një ngjarje edhe estetike edhe shoqërore e politike, e një rëndësie të veçantë. Më vjen shumë mirë që kjo premierë po ndodh kur unë e udhëheqë artistikisht këtë teatër”, u shpreh ai.

E inskenimi i kësaj shfaqje ka qenë një ëndërr të cilën regjisori Bekim Lumi e kishte pasur që kur kishte qenë në studime.

“Është një andërr të cilën e gjakon secili regjisor, mirëpo jo çdokush e ka guximin më e ngjitë në skenë këtë shfaqje sidomos jo në vitet kur i mungon përvoja. Këtë andërr e kam të kamotshme mirëpo ajo u bë realitet vetëm tani pas 20 viteve krijimtari artistike”, u shpreh ai.

Regjisori Bekim Lumi theksoi se ju është mirënjohës të gjithëve të cilët kanë besuar në të dhe e kanë përkrahur në ‘aventurën e çuditshme e të gjatë’ siç e quan ai.

“Jam i lumtur që ja kam mbërri kësaj dite edhe për kundër sfidave, përkundër sëmundjes dhe gjendjes shëndetësore që ka qenë e që vazhdon të jetë e rëndë, e që më ka munduar jashtëzakonisht shumë në provat e përditshme që kur i kam filluar. Shfaqja ka qenë një proces i lodhshëm një ecuri krijuese bukur e gjatë të cilën në fazat kur unë nuk kam qenë mirë e ka udhëhequr asistenti im Bashkim Ramadani, të cilit i falënderohem. Prandaj dua të falënderoj atë, teatrin por dhe aktorët të cilët kanë pasur durimin me më ndjek në këtë andërr të mistershme, të bukur, të gjatë dhe të randë por mbi të gjitha të bukur artistikisht, e cila pas shumë përpjekjeve po finalizohet me një premierë”, tha ai.

E pikërisht dramaturgu Bertolt Brecht, tekstin e të cilit e ka marrë regjisori Bekim Lumi, ka pasur ndikim në orientimin e regjisorit drejt dialektit gegë.

“E folmja skenike për mua duhet të jetë e folmja gegnishte mirëpo nuk e përjashtojë edhe mundësinë që të inskenoj tekste si përkthime të Nolit, apo tekste të ndryshme të cilat e kanë bukurinë dhe freskinë e gjuhës standarde. Por problemi nuk është të Noli e as të Konica e as të autorë jashtëzakonisht të mëdhenj të cilët e kanë njohur shumë mirë të folurën në gjuhën shqipe në të gjitha dialektet por të kultura e pamjaftueshëm ndoshta e publikut tonë për me u pamjaftu krejtësisht me të folmen skenike dhe te kultura e pamjaftueshëm e disave që e kultivojnë dhe e shkruajnë dramaturgjinë”, theksoi ai.

Rolin e gangsteri Arturo Ui do e sjellë aktori Bujar Ahmeti, e sipas regjisorit kanë qenë dy elemente të domosdoshme që kanë bërë atë që të ia besojë këtë rol: energjia krijuese dhe talenti që e posedon ky aktor i ri.

Aktori Bujar Ahmeti tregoi se në fillim ka pasur një frikë ndaj rolit pikërisht për shkak të gjatësisë që ka teksti, mirëpo i ka besuar punës së regjisorit.

“Për mua ka qenë privilegj që ta kem në CV-në time një rol të tillë dhe privilegj edhe më i madh që kjo shfaqje realizohet nën regjinë e Bekim Lumit. Besimi im të Bekim Lumi është shumë i madh, njëlloj si dashnia dhe pasioni me punu me atë e që gjithmonë ka qenë e vazhdueshme dhe e pazëvendësueshme”, u shpreh ai.

Premiera e shfaqjes është nesër duke filluar nga ora 21:00, ndërsa reprizat e kësaj shfaqje do të jenë në fillim të shtatorit./ KultPlus.com

Meta apel Ramës e Veliajt: Dëgjoni zërin e artistëve

Një projektligj i nxjerrë rishtazi nga qeveria Rama ka vendosur në alarm artistët, pasi sipas tyre përcakton shembjen e Teatrit Kombëtar dhe dhurimin e sipërfaqes tek privati për ndërtimin e kullave.

Nëpërmjet zërave si Robert Ndrenika dhe Mirush Kabashi, komuniteti i artistëve ka paralajmëruar “luftë” me qeverinë. Mbështetja këtë të mërkurë iu ka ardhur atyre edhe nga Presidenti Ilir Meta, me të cilin kanë pasur edhe një takim muaj më parë.

Kreu i Shtetit mbështet kërkesat e artistëve për Teatrin Kombëtar dhe i bën thirrje qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës për transparencë e dialog për këtë çështje. Meta gjithashtu apelon për të dëgjuar sugjerimet e komunitetit të artistëve.

“Presidenti i Republikës, bën thirrje për transparencë e dialog për këtë çështje dhe i bën apel Qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës, të dëgjojnë sugjerimet dhe shqetësimet e komunitetit të artistëve e të dialogojnë në dobi të ruajtjes e promovimit të vlerave e trashëgimisë historike, kulturore e kombëtare”, thotë Meta në mesazhin e tij.