I njohur si Tafë Kusuri, karikaturisti e artisti i njohur ndërroi jetë në vitin 2005.
Qena e nisi karrierën në Mitrovicë ndërsa vazhdoi në gazetën Rilindja. Më pas do të punonte në Koha Ditore që nga viti 1997. Stripi komik “Tafë Kusuri” më vonë do të vinte prej dorës së djalit të tij, Rron Qenës.
“Tafë Kusuri” do të përmbante situata të ndryshme nga jeta e përditshme e shqiptarëve.
Vajzat e Agimit, Vesa dhe Hana Qena, sot janë të dyja artiste, njëjtë sikur Rroni.
Qena ka qenë fëmija i nëntë në familje, me kumbarë Josip Broz Titon. Asokohe, shtimi i familjes ishte i bereqetshëm. / KultPlus.com
Këngëtarja me famë botërore, Era Istrefi ka tre ditë që e ka publikuar klipin e këngës “Prisoner”.
Por tashmë kënga ka kaluar shifrën një milion klikime në Youtube.
Siç dihet Era Istrefi së bashku me Will Smith dhe Nicky Jam, kanë shkëlqyer në performancën e tyre gjatë finales së Kampionatit Botëror “Rusia 2018”./KultPlus.com
U zvogëlua nëna dhe u tret e gjitha,
U bë si pulëbardhë e lehtë
Dhe një mëngjes pa zbardhur ende drita
Rënkoi e fluturoi mbi retë
Andej u fsheh si ylli Afërdita
Dhe ne pastaj s’e pamë, pastë ndjesë!
Veç ndodh që valë e ëndrrave të trishta
E sjell në breg te shtratit tim si shpezë. /KultPlus.com
Jennifer Lopez rikthehet në ekran të madh me një super film, “Second Act”, i cili parashihet të shënoi suksese të mëdha në arkat filmike botërore.
Lopez, ka një kohë të gjatë që nuk ka luajtur në një film, pasi kohëve të fundit është fokusuar më shumë në muzikë, kontributin në fushën e bamirësisë dhe angazhimin e saj me rol në serinë “Shades Of Blue”, përcjell Express i KTV-së. /KultPlus.com
Pas suksesit dhe pjesëmarrjes masive të audiencës gjatë koncertit të duos muzikore Shpat Deda dhe Armend Xhaferi, si dhe gjatë premierës në Gjakovë të filmit të shkurtë dokumentar “Ferdonija”, ky vikend poashtu ka një program të mbushur me aktivitete në Parkun Kulturor “Ali Podrimja” në Gjakovë.
Të premten, me fillim prej orës 21:00 shfaqet filmi artistik “Ëngjëjt janë larg” si premierë në qytetin që është realizuar shumica e filmit me regji të Gjergj Xhuvani dhe bashkë-producent Fatmir Spahiu.
Pastaj të shtune me fillim prej orës 20:00 planifikohet një ngjarje e rëndësishme me rastin e përvjetorit të 6-të të ndarjes nga jeta të një prej poetëve më të njohur të kombit tonë, Ali Podrimja. Një natë poetike ku do të lexohen poezi nga veprimtaria e madhe e shkrimtarit. Vikendi do të përfundojë të dielën me pritjen e mysafirëve nga Peja, përkatësisht Festivalit të Animacionit Anibar, të cilët do të prezantojnë programin “Anibar on Tour”.
“Jemi fatlum për veprat që ka lënë pas poeti madhështor Ali Podrimja, prandaj edhe nata poetike e planifikuar për këtë të shtune ka për qëllim të përkujtojë shkrimtarin me leximin e poezive të tij” thotë Ednor Hoti, njëri nga organizatorët. “Secili nga pjesëmarrësit, dashamirë të shkrimeve të Ali Podrimja, do të ketë mundësinë të lexojë dhe të përmend kujtimet me të, me qëllim të mbajmë gjallë ndër gjenerata gjenialitetin e tij artistik.”
Ngjarjet e këtij viti në Parkun Kulturor “Ali Podrimja” në Gjakovë përkrahen nga projekti “Culture for Change” (BE) i implementuar nga Qendra Multimedia dhe Instituti Goethe, si dhe Ministria e Kultures, Rinise dhe Sportit bashkë me Drejtorinë Komunale në Gjakovë për Rini Kulturë dhe Sport. Filma vendorë po shfaqen në partneritet me Qendrën Kinematografike të Kosovës.
Java mbyllet me shfaqjen e filmit “The Divine Order”, të dielen me 15 korrik, në bashkëpunim me Kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë. Një komedi dramatike që trajton të drejtat e grave në Zvicër në vitet e 70’. Të gjitha këto ngjarje fillojnë prej orës 21:00.
“Jemi shumë të lumtur që Parku Kulturor po kthehet në një traditë për qytetin e Gjakovës dhe adhuruesit e filmit dhe kulturës, të cilët edhe këtë vit po na ndjekin në numra impresionues. Pas më shumë se 30 ngjarjeve të organizuara vitin e kaluar, edhe këtë vit kemi nisur me shumë dinamizëm nga muaji qershor” thotë Arbër Lleshi, njëri nga organizatorët. “Këto nuk do të jenë aktivitetet e vetme normalisht, pasi planifikojmë të kemi shumë tjera deri në fund të shtatorit, me shpresën që shpejtë tentimet tona të kemi një qendër të mbyllur që funksionon tërë vitin do të jetësohen.”
Ky projekt organizohet nga OJQ “DU ART”, i përkrahur nga Komuna e Gjakovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Dokufest. Për më shumë informata kërkoni “Parku Kulturor” në rrjetet sociale./KultPlus.com
Festivali Ndërkombëtar i Animacionit ‘Anibar’ ka filluar sërish tourin e tij rreth Kosovës.
‘Anibar’ prej datës 19 Korrik ka filluar turin e saj në Kosovë, i cili synon informimin e publikut të gjerë lidhur me temën, programin dhe filmat të cilët këtë vit do të shfaqen në festival. ‘Anibar on tour’, ka përzgjedhur kryeqytetin, Prishtinën për të filluar programin e tij, për të vazhduar më pas në Gjakovë, Prizren e deri në Tiranë.
Gjatë ‘Anibar on tour’, Para dhe pas shfaqjes së filmave të pranishmit kanë mundësinë të marrin direkt informata prej stafit dhe vullnetarëve të ‘Anibar’, sikurse fletushkat me informata për programin, transportin dhe akomodimin nga qyteti i tyre përkatës për në Pejë gjatë datave të festivalit.
Gjithashtu entuziastët e filmit të animuar do të kenë mundësinë e informimit për punëtoritë, prezantimet, masterklaset dhe takimet me animatorët gjatë festivalit.
Tema e edicionit të nëntë të festivalit, është ‘5050’, e cila synon inkurajimin e grave të angazhohen në fushën e industrisë së filmit të animuar. Këtë edicion Anibar ka vendosur të nxjerrë në pah problemin botëror të pabarazisë gjinore në fushën e animacioneve.
Pjesëmarrja e grave në animacion është rritur, por gjithashtu ka ekspozuar shumë pabarazi. Sipas organizatës “Ëoman in Animation, “Gratë përbëjnë 60% të studentëve të animacionit, por vetëm 20% e animatoreve janë gra.”
Kjo ka bërë që gratë të jenë të nënpërfaqësuara në industrinë e animacionit veçanërisht si skenariste, regjisore dhe producente.
Prandaj, Anibar përmes edicionit të nëntë të festivalit do të bëjë një ndryshim duke inspiruar gratë dhe burrat në botën e animacionit për ti adresuar çështjet gjinore tani.
Festivali Ndërkombëtarë i Animacionit Anibar, edicionin e tij të 9-të e fillon më datën 13 Gusht dhe zgjatë plotë 7 ditë, afro 300 filma, 11 programe speciale, 6 punëtori, coffee and talks, prezantime, dhe afterparty çdo natë.
Në vijim gjeni oraret e prezantimeve dhe shfaqjes së filmave në disa qytete:
19/07 – Prishtinë, Miqt Pub – 20:30
22/07 – Gjakovē, Parkukultur – 21:00
24/07 – Prishtina në Kino Armata – 20:00
28/07 – Tirana ne Reja – 20:15 dhe në Qendrën kulturore Tulla – 21:30
1/08 – Prizren në Lumbardh- 20:30
Reperi shqiptar me famë botërore Gashi përmes rrjeteve sociale ka shprehur gëzimin e tij se do të mbajë koncert në Kosovë për herë të parë, kurse kthehet pas disa vitesh.
Gashi do të peformojë në Sunny Hill Festival më 11 gusht, transmeton Koha.net. Festival ky tre ditorë që do të zë vend në Prishtinë, e në të cilin do të perfomojnë shumë yje me famë botërore.
“Nuk mund të besoj se po kthehem në Kosovë pas kaq shumë vitesh. Më 11 gusht performanca ime e parë në Kosovë në Sunny Hill Festival. Shqipet e mia po kthehem në shtëpi”, ka shkruar Gashi në disa postime të ndryshme në Instagram./KultPlus.com
Sunny Hill Festival sot ka zbuluar edhe një emër të madh të skenës muzikore që do të performojë në Prishtinë.
Pas yjeve si Action Bronson, Martin Garrix e të tjerë është konfirmuar se në Prishtinë do të performojë edhe reperi shqiptar me famë botërore, Labinot Gashi i njohur me emrin artistik G4shi, transmeton Koha.net.
“Gashi nga New Yorku në Prishtinë për të ndezur skenën”, thuhet në postimin e festivalit që organizohet nga babai i Dua Lipës, Dukagjin Lipa./KultPlus.com
Në Edicionin e 24-të të San Gio Verona Video Festival, i cili mbahet nga data 23 – 27 korrik në Veronë të Italisë, në konkurrencë zyrtare do të shfaqen edhe dy filma kosovar të regjisores Lorena Sopi.
Filmi i shkurtër ‘Përjetësisht Fëmi’ /Eternally Child/ i cili deri tani është shfaqur në rreth 50 festivale ndërkombëtare dhe ka fituar 15 çmime kinematografike, si dhe filmi ‘Rreze’ /Ray/ i realizuar sipas një flete të ditarit të famshëm të Rreze Abdullahut dhe i cili në muajin maj është shfaqur premierë në Cannes Film Festival – Short Film Corner.
San Gio Verona Video Festival, konsiderohet si njëri ndër festivalet më të rëndësishme të filmit të shkurtër në Itali. I krijuar nga Carlo Rossi dhe Giorgio Trentin, ky festival ka shpërblyer dhe promovuar ndërkombëtarisht regjisoret me famë si Abas Kjarostamin, Aleksander Sokurov, Milto Manchevski, etj.
Në fjalën prezantuese të Edicionit të vitit 2018, drejtori i këtij festivali, Ugo Brusaporcoshkruan ka thënë: ‘Këtu jemi një fletë e bardhë përpara, fjalët që duhet të shkruhen në te, me filmat që ju thërrasin për t’u mbajtur mend, dhe ka shumë, 24 filma të këtij Festivali, imazhet e akumuluara që i kanë thurur së bashku me tregimet e tyre kohore, aq gjatë kohë të kaluar që nga ajo aventurë, e imazheve në lëvizje kur filmi ka filluar si magji.
Ne jemi ende me të njëjtat data, 23/27 korrik, do të jemi në Santa Marian e bukur në Chiavican. Si një moment reflektimi mbi gjendjen e kinemasë, se ky është kuptimi i festivaleve të vërteta, jo qilimat e kuqe ku kalojnë shifra të keqpërdorura, por momente në të cilat krahasojmë veten me risitë e magjishme të vizioneve të reja që quhen Kinema. Siç ndodh në çdo festë të shenjuar, sepse një Festival nuk është muze për të kapur një sponsor dhe një audiencë televizive të cilës nuk i pëlqen Kinemaja, të paktën jo Kinemaja që ai nuk e njeh, nuk e kupton, nuk e ndjen. Një audiencë që sheh njëqind kopje të Don Camillos dhe tmerrohet para Kiarostamit ose Sokurov-it. Festivali ynë, përkundrazi kërkon Kiarostamin e ri dhe Sokurovin. Ne nuk kërkojmë kopje të vazhdueshme e të afishuara si ato që i lanson Hollivudi si yje të rreme që shfaqen e shuhen për çdo ditë. Për ne janë të rëndësishme individualitetet krijuese , sikur atëherë kur erdhi Milço Mançevski, (fitues i ‘Leone d’Oro në Venecia’ në vitin 1994/ dhe u bë pjesë e vitit të lindjes së Festivalit tonë. Ai, tani ka zgjedhur për të marrë pjesë në Festivalin San Giò Verona 2018 për të hyrë në konfrontim me një botë të të rinjve dhe të moshuarve që synojnë të shfaqin vizionet dhe botëkuptimet e tyre të strukur prapa kamerës dhe jo aftësitë e tyre për të pozuar në një qilim të kuq. Gjatë përzgjedhjes së filmave, qesha dhe bërtita para veprave të mëdha si ajo e një Paolo Gallaglia-s së jashtëzakonshëm, i cili i jep një leksion kinemasë së verbër, dhe unë nuk them emra të tjerë sepse të gjithë e meritojnë një faqe të parë për të shkruar vlerën e artit të tyre. Në këtë rast po mendoj për Lorena Sopin, një 20-vjeçare nga Kosova e cila solli dy filma të pabesueshëm dhe mahnitës, një tashmë pjesëmarrës në Kanë, për Carla Andrade e harruar në shkretëtirën e Ataçama për të dëshmuar për qenien tonë sot. Mendoj për poezinë nga Aminatou Echard, e mrekullueshme në tregimin e botës së dhimbshme në një përrallë prej së cilës ka lindur si grua. Është një festival me tema të forta, ku u thuhet italianëve të cilët kanë dështuar ose nuk kanë dashur të largohen nga Istria, atyre që janë zhvendosur në Palermo në përpjekjen për të shpëtuar djemtë dhe vajzat nga një fat i shënuar në zemër Albergheria, diku prapa tregut historik të Ballarò-s. Atje ku shkojmë pa vetëdije me dy djem të rinj duke u fikur rreth në një zyrë të policisë në Ditën e Shën Valentinit, apo atje ku ju takoni frikën dhe tmerret e përgjakshme.
Festivali ynë është ky dhe më shumë, është zbulimi i imazheve të reja, disa provokuese, të tjerët të afta për të mahnitur, të gjitha me shumë emocione…’ . /KultPlus.com
Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë, ka bërë ftesë publike që edhe ju të bëheni pjesë e 7,255 vizitorëve që kanë vizituar deri tani ekspozitën “Edi Hila: Piktor i Transformimit”, në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë, hapur që nga data 24maj.
Ekspozita është kuruar nga Joanna Mytkoëska, Kathrin Rhomberg dhe Erzen Shkololli
Arkitektura e ekspozitës nga Büro Meyer-Grohbrügge
“Edi Hila: Piktori i Transformimit” është një projekt i përbashkët i Galerisë Kombëtare të Arteve, Muzeut të Artit Modern të Varshavës dhe Koleksionit Kontakt në Vjenë.
Ekspozita mund të vizitohet gjatë orareve 9:00 – 19:00, hyrja e fundit 18:30, çdo ditë, nga e hëna në të diele.
Ajo do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 29 korrik 2018.
Për çdo informacion shtesë në lidhje me guidat, apo orët e edukimit në kuadër të programit “Edukimi përmes Kulturës”, mund të kontaktoni në 04 222 60 33, ose të shkruani në [email protected]. /KultPlus.com
Mbrëmë në kuadër të PriFilm Fest në Teatrin Kombëtar të Kosovës është shfaqur filmi “Forgive Me” i regjisorit Besim Ugzamajli, shkruan KultPlus.
PriFilm Fest ka pushtuar mbrëmë skenën e madhe të Teatrit Kombëtar për të sjellë një seri filmash, të cilët erdhën një pas një. Në mesin e tyre ishte edhe premiera kosovare e filmit “Forgive Me”.
Filmi në qendër të tij ka një dramë sa familjare aq dhe shoqërore. Në fokus të tij janë dy vëllezër. Një djalë i ri, i quajtur Bujar, manipulohet nga një imam kosovar që t’u bashkohet grupeve terroriste që luftojnë në Siri. Ai i bashkohet luftës tinëzisht dhe pastaj i kërkon ndihmë vëllait të tij t’ia dërgojë në Siri edhe gruan. Por vëllai tmerrohet nga veprimet e Bujarit dhe i kërkon të kthehet në Kosovë. Në anën tjetër Bujari nuk e mendon kthimin madje e kërcënon gruan e tij se nëse nuk i bashkohet në Siri do të martohet me një grua që ka mbetur e ve nga lufta.
Mirëpo rrugëtimi për të ardhur deri të premiera nuk ka qenë i lehtë as për personazhet dhe as për ekipin, tregoi regjisori i filmit Besim Ugzmajli, i cili me të përfunduar filmi mori fjalë para publikut që ishte i pranishëm.
Regjisori Ugzmajli falënderoi të gjithë ata që ishin të pranishëm, për nderimin që i kanë bërë me pjesëmarrjen e tyre ekipit të filmit por edhe festivalit.
“Kam qenë pjesë e PriFilm Fest edhe më përpara dhe tani po rikthehem përsëri në edicionin e tij të dhjetë dhe ju uroj edhe shumë edicione të tjera këtij festivalit”, u shpreh regjisori.
Filmi Forgive me (Më fal), është realizuar me vetëfinancimin e producentëve Besim Ugzmajli dhe Agron Shala dhe më përkrahje të ekipit i cili ka besuar në film dhe në idenë e filmit.
“Kemi dashur që t’i tregojmë audiencën botërore por edhe audiencën në Kosovë një histori e cila ka kaluar vazhdimisht nëpër ne vitet e fundit”, u shpreh regjisori.
“Forgive me” deri më tani është prezantuar në disa festivale shumë të rëndësishme në botë, siç janë: Manchester Film Festival, Semana de Cine Internacional de Medina del Campo, Atlanta Film Festival e të tjerë.
“Pa dashur që ta bëjë shumë dramatike, mirëpo më duhet të them se nuk ka qenë e lehtë të merremi më këtë temë, ta dërgojmë deri në fund por as t’i qëndrojmë mbrapa pas publikimit të tij. Filmi është në mesin e rrugës së tij dhe ky është edhe festivali i 13-të që po prezantohet. Është kënaqësi që u shfaq edhe para publikut kosovar”, u shpreh ai duke theksuar se ky film i metrazhit të shkurtë e ka një rrugë të gjatë para tij.
Aktorët në këtë film janë: Agron Shala, Semira Latifi, Igballe Qena, Kushtrim Asllani, Ekrem Sopi, Sherif Bega, Orik Berani, Adrian Obertinca.
“Forgive me”, në PriFilm Fest ka ardhur në kategorinë “IN ALBANIAN” si shfaqje speciale në kuadër të festivalit dhe nuk është në garë./KultPlus.com
Përveç programeve tradicionale filmike të PriFest-it, edicioni i dhjetë ka sjellë edhe dy programe të reja duke përfshirë këtu Programin Garues të filmave Studentorë.
Pjesë e kësaj kategori është edhe filmi “Dielli”, premiera e të cilit u dha mbrëmë në kuadër të festivalit, shkruan KultPlus.
Filmi “Dielli” me regji të Mjellma Istrefit, studente e Filmit dhe Mediave Dixhitale në Universitetin Amerikan në Romë, është një projekt studentor i cili përshkruan një situatë të caktuar politike në Kosovë, parë nga këndvështrimi i regjisores.
Profesori i tregon studentëve të tij për mitin, dielli djegë gjithçka që prek, megjithatë qyteti jonë është i mbuluar nga retë, pra qytetarët ende jetojnë. Një studente është mjaft e guximshme, ja shpjegon profesorit se kjo teori nuk është e vërtetë, pasi që ajo ka parë diellin dhe është prekur nga rrezet e tij.
Profesori bindet që ajo ka të drejtë dhe vendosë t’i bashkohet për të dëshmuar se bota e ka gabim. Mirëpo kur ajo konsiderohet e çmendur dhe izolohet, a do vazhdojë ta përkrah profesori këtë kauzë?
“Ideja e filmit ka ardhur prej gjendjes në Kosovë ku ka pasur shumë protesta gjatë asaj kohe dhe askush nuk diskutonte me askënd. Ka qenë mënyra sesi unë e kam pa këtë situatë pasi që nuk merrem shumë me politikë. Pra ka qenë sesi unë e kam pa situatën, apo unë në vend të një njeriut që nuk po kupton shumë se çfarë po ndodh, mirëpo që po e dinë që po shkojmë herë në një anë e herë në tjetrën po nuk po shohim dritë në asnjërën anë”, u shpreh regjisorja.
Në film rolin e studentes e luan aktorja Trina Ukmata ndërsa profesorin aktori Shkumbin Istrefi. Regjisorja pas shfaqjes së premierës, falënderoi të dy aktorët por edhe gjithë ekipin për punën e bërë.
“E gjithë kjo punë është realizuar falë ekipit i cili ka punuar shumë dhe i jam shumë falënderues. Sigurisht një falënderim shumë i madh shkon për Shkumbin Istrefin pasi që ky skenar është shkruar dhe rishkruar 100 herë me të vetmen arsye, e kam dashur atë si aktorë në këtë film. Mirëpo, kur e ka lexuar herën e parë ai ka thonë që unë nuk aktroj në këtë film kështu që unë është dashtë ta shkruaj e rishkruaj derisa kemi arritur në këtë që e patë edhe ju sonte”, përfundoi regjisorja e re Mjellma Istrefi.
Edicioni i 10-të i PriFilm Fest po vazhdon akoma. Të gjithë të interesuarit mund të klikojnë këtu për të mësuar më shumë se cilët filma do të shfaqen sonte në kuadër të festivalit./KultPlus.com
http://prifest.org/program-2018/
PriFilm Fest solli mbrëmë premierën e filmit “Klithma” me regji të Korab Lecaj. Filmi trajton përdhunimin seksual të meshkujve shqiptarë nga serbët gjatë luftës në Kosovë, si dhe kërkon që për këto tema të bisedohet duke i ofruar përkrahje njëri-tjetrin, shkruan KultPlus.
Kanë kaluar 19-të vite pas luftës së fundit në Kosovë mirëpo, gjurmët që ka lënë pas kjo luftë janë akoma prezente. Pikërisht kjo luftë ka shërbyer si material për të realizuar edhe filmin “Klithma”, një klithmë e brendshme e shoqërisë sonë.
Sipas regjisorit të filmit, Korab Lecaj, “Klithma” shfaq një plagë që vazhdimisht ka kulluar pas lufte, por që ne si shoqëri jemi munduar ta kamuflojmë. Filmi trajton përdhunimin seksual të meshkujve shqiptarë nga serbët gjatë luftës në Kosovë.
Dini, është personazhi kryesor në këtë dramë familjare. Ai ka pasur fatin e keq që në mesin e shumë të tjerëve, është përdhunuar seksualisht gjatë luftës. E vërteta tashmë ka filluar të dalë dhe kjo gjendje e përkeqëson emocionalisht atë, duke e pasur të vështirë të përballet me gruan dhe opinionin përballë këtij realiteti tragjik.
“Ideja e filmit “Klithma” ka të bëjë me atë që ka përjetuar shoqëria jonë gjatë luftës duke pasur parasysh atë që kam dëgjuar për herë të parë, që përveç grave ka të dhunuar edhe burra gjatë luftës në Kosovë”, tregoi regjisori.
Temë kjo e cila e ka sfiduar regjisorin Lecaj artistikisht, mund të konsiderohet edhe një mal i pashkelur në kontekstin artistik prej artistëve.
“Kam provuar që në një formë t’i tregoj botës një të vërtetë që i ka ndodhur shoqërisë sonë. Dilema kam pasur në fillim mbi mënyrën sesi do të perceptohet mirëpo asnjëherë nuk kam menduar që ta ndalojë procesin. Sigurisht tema që trajtojmë në film është një temë e ndjeshme dhe e rrezikshme për ta trajtuar pasi që është edhe një temë tabu në shoqërinë tonë”, tregon tutje regjisori Korab Lecaj.
Pikërisht fakti që filmi është motivuar nga ngjarje të vërteta dhe dialogjet janë të ndërtuara nga rrëfimet e burrave që janë dhunuar seksualisht, e ka bërë këtë film edhe më shumë sfidues për regjisorin.
Mirëpo 2 vite e gjysmë punë kanë qenë të vlefshme pas premierës së filmit e cila u dha mbrëmë në Teatrin Kombëtar në kuadër të PriFilm Fest. Filmi solli personazhe të stërmbushura me emocione të cilat kërkonin që këto emocione të dilnin në pah.
Detajet e zgjedhura nga ekipi i filmit dhe regjisori silleshin përqark këtyre emocioneve. Filmi i xhiruar me kamerë në dorë dhe jo me kamerë statike, përcjelltë përmes lëvizjes së kamerës gjendjen emocionale të personazheve, njëlloj si ambienti rrethues i tyre.
“Në fillim kemi ngjyra më të ngrohta mirëpo pastaj ato zbehen dhe vijnë ngjyra më të errët, pra fillon të rëndohet raporti. Pra përveç aktrimit dhe emocionit të aktorëve jemi munduar që t’i kushtojmë rendësi çdo detaji”, thekson regjisori Lecaj.
Mirëpo regjisori Korba Lecaj i cili njoftoi se përsëri do i përvishet punës për të sjellë edhe filma të tjerë, nuk e mohoi as mundësin që këtë film ta kthej në një film të metrazhit të gjatë.
“Filmi bart mesazhin për viktimat e luftës. Nuk është zgjidhje që ta lëndosh veten dhe rrethin ku jeton, por zgjidhje është që të flasësh, të përballësh. Vet përballja në fund të filmit është mesazhi i përballjes më të vërtetën. Nuk është turp të jesh i/e dhunuar, askush nuk e zgjedh këtë. Të gjithë kemi mundur të jemi në vendin e të dhunuarve pasi që kemi kaluar nëpër një luftë. Në anën tjetër mesazhi për publikun është që nuk duhet të paragjykojnë por t’i përkrahin viktimat e dhunimeve seksuale”, u shpreh regjisori.
Marrëdhënia në mes të një qifti ku gruaja duhet të përballet me traumën që bashkëshorti i saj e ka përjetuar në luftë, vjen më së miri pikërisht përmes punës së aktores Arjola Demiri. Ajo përmes shikimit, përmes lëvizjeve dhe përmbajtjes emocionale vërteton se dhimbja në këtë film është e brendshme.
“Unë nuk e kam përjetuar luftën siç e kanë përjetuar njerëzit në Kosovë, mirëpo e kam përjetuar përmes rrëfimeve që kanë sjellë refugjatë në Shqipëri. Unë jam munduar që të kuptojë se çfarë kanë përjetuar këta njerëz në thelb, në brendësi të tyre”, u shpreh ajo.
Kujtojmë se ky ka qenë roli i parë si protagoniste për aktoren Demiri, në një film.
“Nuk kemi pasur nevojë për skena eksplicite për ta realizuar këtë film, por kemi pasur nevojë për ta shprehur dhimbjen e brendshme e që është si një brejtës që të gërryen pa e pa”, theksoi ajo.
Mirëpo ajo që e ka bërë më të lehtë realizimin e këtij filmi të shkurtër janë provat e shumta, u shpreh aktori Alban Zogaj. Ai në këtë film erdhi si Dani, shoku i ngushtë i Dinit, i cili vendos ta bëjë publike atë se çfarë u kishte ndodhur në luftë.
“Roli ka qenë i vështirë pasi që më është dashtë në një farë formë t’ia bëjë një biografi personazhit. Problemet që ai i ka pasur duke jetuar për më shumë se 15 vite pa u ballafaquar me atë që i ka ndodhur. Roli ka qenë i vështirë edhe për faktin se nuk kam pas informata shumë e as nuk kam pasur mundësin që të diskutoj me dikë që ka qenë i dhunuar, më shumë i kam imagjinuar gjërat. Sigurisht më kanë ndihmuar edhe udhëzimet e Korabit dhe të njerëzve të tjerë që kanë pasur më shumë informacione”, u shpreh ai.
Tashmë kanë mbetur edhe dy ditë nga përmbyllja e edicionit të 10-të të PriFilm Fest, festival ky i cili ka shndërruar Prishtinën në qendër të historive të ndryshme kinematografike./KutlPlus.com
Këngëtarja kosovare tashmë me famë botërore, Era Istrefi ka marr sot dekoratë presidenciale nga presidenti i vendit Hashim Thaçi, shkruan KultPlus.
Gjatë këtij takimi ata shkëmbyen dhurata me njëri tjetrin. Përveç presidentit ishte edhe Era ajo e cila i dhuroj atij një topin 2018 të WorldCup nënshkruar nga vetë këngëtarja, Will Smith, Nicky Jam dhe Ronaldinho.
“Kemi shkëmbyer dhurata sot me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçin. Ai më dha medaljen e artë dhe unë i dhashë topin 2018 të WorldCup nënshkruar nga unë, Will Smith, Nicky Jam dhe Ronaldinho. Jom shume falenderuse per perkrahjen e Kosovës/vendit te cilit jom lindë e rritë”, ka shkruar Era në instagram.
Ndërsa presidenti Thaçi është shprehur krenar për prezantimin e Era Istrefit në Kampionatin Botëror.
“Në çdo vend të botës është dëgjuar zëri i artistes sonë, Era Istrefi. Rrënjët e suksesit të saj global janë në Kosovë, të cilën e prezantoi denjësisht edhe në Kampionatin Botëror të Futbollit në Rusi. Ajo po e përfaqëson identitetin e Kosovës në botë. Për kontributin e saj në promovimin e Kosovës, sot e dekorova me Medaljen Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë”, ka shkruar Thaçi në rrjetin social facebook.
Era Istrefi është nderuar me Medalje Presidenciale Jubilare e Dhjetëvjetorit të Pavarësisë. / KultPlus.com
Këngëtarja kosovare tashmë me famë botërore, Era Istrefi ka marr sot dekoratë presidenciale nga presidenti i vendit Hashim Thaçi, mirëpo ajo kishte një moment të sikletshëm kur presidenti zgjati medaljen.
Era pas marrjes së dekoratës bëhet gati ta përqafojë presidentin e vendit mirëpo ai largohet duke marrë edhe shkresën e dekoratës dhe largohet derisa Era zgjatet për ta përqafuar dhe i thotë “a mundem me të përqaf”.
Era Istrefi është nderuar me Medalje Presidenciale Jubilare e Dhjetëvjetorit të Pavarësisë. / KultPlus.com
(Përkitazi me librin poetik “Ti a ke dhembje” (Dali ti imas bolka) të autorit nga Kosova, Lulzim Tafa, botim në gjuhën maqedone, Akademski pecat, Shkup, 2018, fq. 87)
Hristo Petrevski
Siç na sugjeron edhe vetë titulli i librit “Ti a ke dhembje” fjala është për një realizim autentik të ngjeshur me lirikë dashurie (të rrëfyer), por edhe për këngëtime dhe pasqyrime për ekzistencën, jetën, përditshmërinë…
Në mesin e preokupimeve poetike është njeriu, në këtë rast kryesore është vasha (gruaja) bashkë me emocionet, pasionet e trazuara… Poeti Lulzim Tafa shkruan në mënyrë të ndjeshme, të përjetuar, të sinqertë, të ngrohtë… Sensibiliteti dhe sensiviteti i tij transformohet dhe derdhet pothuaj në secilën poezi të librit, ku dy fytyrat kryesore femërore Teuta dhe Ajkuna (Una) janë shtylla kryesore, si zjarri dhe flaka, por edhe frymëmarrje, përmallime, ëndrra, kënaqësi, kujtime…
Duke qenë gjithnjë i ballafaquar dhe i kryqëzuar në mes jetës dhe vdekjes, autori shkruan dhe përshkruan, deklamon dhe deklaron, konstaton dhe diagnostifikon, duke e ditur, duke kujtuar dhe duke potencuar se “kur zemërohen zotërat/ lindin poetët”.
Metafora dhe metaforika (metaforiciteti) burojnë dhe shpërthejnë gati në secilin varg dhe fjalë. Tafa i zbërthen ëndrrat. I vesh dhe i zhvesh metaforat, i njeh dhe i përjetëson, i peshon dhe i mat kohën dhe hapësirën, botën dhe shekullin… Ai interesohet dhe e vëzhgon rrugën e dritës, gjithmonë duke e vrojtuar edhe anën e errët, duke e balancuar si një drejtpeshues dhe pothuajse të njëjtën kohë në mes jetës së qenit dhe të njeriut, duke i shijuar frytet, por edhe mallkimin e krijimtarisë dhe zejes së shkrimtarit. Ndaj, jo rastësisht, në një rast brenda librit të tij poeti thotë: “Zot na ruaj/ nga gjeli i keq qërren”.
Pak më tej poeti do të këndojë e nënvizojë edhe këtë varg të shkëlqyer: “Vdekja u bë/ lirikë e bukur”.
Me pasqyrime tëëmbla, të brishta dhe të buta, subtile dhe të moderuara të erotikës dhe ballafaqimin me prodhuesit dhe prodhimet e pikëllimit, ky libër është plot me përjetime, kujtime, pasqyrime,viviseksione dhe riminishenca.
Është e vërtetë dhe ka të drejtë Lulzim Tafa “Vdekja nuk mund t’ u bëjë asgjë të pavdekshmëve”. Në këtë udhë dhe në këtë përpjekje përulet dhe përfshihet edhe vetë ai me krijimtarinë e tij poetike, psikologjike, sociologjike dhe emocionale.
Nëpërmjet formave të ngjeshura poetike – të shkurtëra, të qarta, shpirtërore, koncize, esenciale dhe lapidare, të cilat ngjajnë shumë dhe na i kujtojnë madje edhe poezinë haiku, me sa duket, kjo është forma ideale e shprehjes së këtij autori i cili është kundër frazitetit dhe anakronizmit, por edhe patriotizmit të rrejshëm dhe trimërisë epike, por angazhohet për bashkëkohësinë, thjeshtësinë dhe të vërtetën.
Nëpërmjet parodisë, ironisë dhe sarkazmit ai skanon dhe gjithçka vetëskanon deri në shkallën e zhveshjes dhe lakuriqësimit, ndaj janë mahnitëse disa përplasje aktuale dhe shkëndija lakonike, siç është për shembull “Sa është i lehtë celulari/ sa i rëndëjam unë/ pa SMS-të e tua/ e dashur”.
Poeti thotë: “e kërkoj vetveten nëpër rrugë” (e cili autor nuk e kërkon – do të pyesnim dhe do të konkludonim ne), edhe në tokë, edhe në qiell, rrugëve të vjetra të mbuluara me mall, rrugëve të reja të mbuluara me dyshim…Një autor vërtet i pjekur dhe i dëshmuar me poezi e cila është domethënëse dhe e vlefshme, e menduar mirë, bashkëkohore dhe e qëndrueshme.
( Autori është Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Maqedonisë si dhe Drejtor iShtëpisë Botuese “Feniks” dhe Fondacionit “Makedonija Prezent”)
Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi ka dekoruar sot këngëtaren kosovare Era Istrefi, pas pjesëmarrjes së saj në ceremoninë e Kampionatit të Futbollit, shkruan KultPlus.
Përgjatë dekorimit nga ana e presidentit Thaçi, Era Istrefi poashtu ka bërë një dhuratë për Thaçin, e cila i ka dhuruar një top futbolli që ishte nënshkruar nga ajo dhe dy artistët pjesëmarrës të këngës zyrtare të këtij kampionati.
Më pas janë parashtruar edhe pyetje të gazetarëve, ku njëra prej tyre ishte nëse janë më të rëndësishëm politikanët e Kosovës se sa artistët që po përfaqësojnë Kosovën në vende të ndryshme të botës.
Presdienti Thaçi ka thënë se Era, Dua e Rita janë më të rëndësishëm se të gjithë politikanët./KultPlus.com
Hashim Thaçi po e dekoron momentalisht këngëtaren Era Istrefi, pas sukseseve të shumta të saj së fundmi dhe pjesëmarrjes në Kampionatin Botëror me kolonën zanore.
Për nderë të 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit, Stone Castle ka lansuar një produkt të ri në treg.
Vreshtaria dhe verëtaria ka sjellë GJERGJ KASTRIOTI – Vranac i lashtë, kushtuar heroit kombëtar.
Sophie Castriota, pasardhëse e familjes së Skënderbeut ka një mesazh brenda videoklipit që e prezanton produktin e ri, për njeriun të cilit iu tremb një perandori e tërë.
Ajo disa herë ka potencuar për dashurinë për prejardhjen e saj dhe për shqiptarët, ndërsa ka treguar se ndihet e emocionuar kur sheh sa shumë shqiptarët kanë admirim për figurën e Skënderbeut.
Vreshtaria dhe Verëtaria ‘Stonecastle Vineyards’ në Rahovec është prodhuesi më i madh i verës në Kosovë dhe ndër më të mëdhenjtë në Ballkan. / KultPlus.com
Policia e Kosovës në një komunikatë dërguar sot mediave ka përsëritur se është e përkushtuar për ruajtje të rendit dhe ligjit si dhe për mbrojtjen e pronës së qytetarëve.
Në njoftim, policia rajonale e Gjilanit u ka bërë thirrje mos të publikojnë fotografi që tregojnë vendndodhjen e tyre, pasi kjo po ua mundëson hajnave të shkojnë në shtëpi të zbrazura.
“Policia e Kosovës në Gjilan në vazhdimësi e përsërit Apelin për të gjithë qytetarët që me rastin e largimit të tyre nga shtëpitë qoftë kur shkojnë në pushime jashtë vendit apo dasma dhe ahengje të ndryshme familjare, të sigurojnë pronën dhe pasurinë e tyre , por edhe t’ mos bëjnë postime në rrjetet sociale për vendndodhjen e tyre, sepse nga praktikat e deri tanishme është vërejtur se kryerësit e veprave penale të vjedhjeve duke besuar se në shtëpi nuk ndodhet as kush, dhe këto shtëpi dhe pasuri letë mundë të jenë cak i vjedhjeve, gjithnjë kanë vepruar duke u informuar apo bazuar në këto foto apo postime të cilët familjarët i kanë bërë”, ka bërë të ditur policia.
Në një intervistë të vitit 1996, pyetjes së gazetarit: “Ju lutem një barcoletë, por një barcoletë që disi i bashkon shqiptarët?”, shkrimtari Dritëro Agolli i përgjigjet me shumë humor:
“Barcoletat janë si poezia. Ato nuk tregohen, kur kërkohen. Të thuash trego një barcoletë është njëlloj si të thuash: bëj një poezi. Madje unë deri tash barcoleta kam treguar, megjithëse jam pa dhëmbë. Kur shkova para nja dy vjetësh tek dentisti të hiqja një dhëmb , e pyeta:” në cilën parti je?” Ai më vështroi dhe më tha se pse e pyesja .
“Pyes , i thashë, se ju mjekët aq jeni politizuar , sa mund të politizoni edhe këtë dhëmbin, më shkulni bashkë me dhëmbin edhe nofullën për të më rinovuar”. Ai qeshi dhe u kënaq se ishte i Partisë Demokratike. Ishte burrë i mirë dhe nuk më mori asnjë lek . Kur ika , i thashë:” Dhëmbët janë proletarët e gojës. Këta proletarë u lodhën dhe unë nuk kam fuqi t’i udhëheq më tutje”.
Dentisti qeshi përsëri dhe ne u bëmë miq.”
Luke Baio herë lëvizë buzët në gjuhën shqipe, herë disa fjalime në gjuhën franceze. Më pas vazhdon në gjuhën spanjolle, bëhet qull i djersitur pasi përcjellë edhe trupin e tij derisa ai i jep shenjë të lëvizë në hap me ritmin e muzikës. Ai është vetëm një prej gjashtë performuesve tjerë që duhet të përcjellin secilin mes vete, trupin e tyre, muzikën në sfond, emocionet e ndryshme që vijnë prej audiencës, në sinkron me gjuhët e ndryshme trupore dhe gjuhët e ndryshme kombëtare.
Performanca e tillë erdhi mbrëmë në kuadër të HAPU – Festivalit të Artit në Hapësirë Publike. Nëpër shkallët jashtë Muzeut të Kosovës performuesit vinin në frekuenca të ndryshme, herë në disponim qesharak dhe herë duke u përsëritur si një kasetë e prishur që kërkon ndihmë për të vazhduar punën.
Gjashtë janë gjithsej performuesit në kuadër të performancës “Gjuhët e Huaja”. Performanca mbrëmë erdhi me plot gjuhë, mes tyre edhe shqipen, me zërin e Dardan Islamit që flet diçka herë artikulueshëm e herë me ndërprerje, zëri i një nëne sa shumë e do fëmijën e saj – me fjalë përkëdhelëse.
Për 55 minuta, trupat e aktorëve u shndërruan në barkë që lëvizë, pa ujë.
“Audienca në fillim nuk përfshihet shumë, por më pas në aktin e tretë e kuptojnë se kemi përfshirë edhe gjuhën shqipe dhe aty relaksohet. Ne si performues duhet të reagojmë shpejt ndaj çdo situate që krijohet. Në fillim ne nuk e dinim as se ku do të ulej audienca, por më pas e kuptuam kah janë shpërndarë ata” tregon mes tjerash Luke.
Kjo sepse performanca nisë me të gjithë të mbuluar me rroba, deri në një shikim të pastër më pas, drejtuar audiencës.
Grupi vjen nga Austria ndërsa brenda tij përmban njerëz të etniteteve të ndryshme. Ata janë mësuar të veprojnë në unison me njëri-tjetrin.
“Kemi ushtruar shumë për një performancë të tillë. E mira e saj është se kudo që shkojmë, ne shtojmë elemente të reja të vendit ku performojmë, qoftë muzikë ose ndonjë element tjetër që ne e shohim si interesant” vazhdon Luke për KultPlus.
Grupi është themeluar në vitin 2005 nga koreografi Chris Haring. Chris madje edhe mbrëmë në këtë performancë nuk qëndronte i tëri i relaksuar, duke kontrolluar muzikën por edhe duke parë se si puna e tij po vinte në jetë në kryeqendrën e Kosovës.
“Ka tre vite që po ushtrojmë dhe po e përmirësojmë “Gjuhët e Huaja” si koncept. Po krijohet kësisoj një simfoni ndërkombëtare. Ne e marrim një gjuhë ndërsa valltarët duhet të improvizojnë me atë gjuhë. Shembull: njerëzit u drejtohen bebeve, kafshëve, popullit, ndërsa valltarët duhet menjëherë të trillojnë lëvizjet e tyre, dhe mimikën e tyre” tregon koreografi Haring, duke potencuar gjithmonë dashurinë për hapësirën publike si vend ku performanca merr gjithmonë jetë në një formë tjetër dhe ku edhe publiku reagon gjithmonë me diçka të re, herë duke qeshur e herë duke u habitur sa afër valltarët vijnë drejt tyre.
Festivali i Artit në Hapësirë Publike HAPU po vazhdon edicionin e katërt deri me 21 korrik në kryeqytet. / KultPlus.com
Në plazhet buzë Adriatikut, pushuesit i janë kthyer “bukës me vete”. Kjo është një zgjedhje jo thjesht për të ulur kostot, por mbi të gjitha për të rritur sigurinë e tyre ushqimore.
Ata ndihen të pasigurtë gjatë stinës së nxehtë nga tregtimi i pakontrolluar i mjaft produkteve ushqimore nga shitësit ambulantë, por edhe “fast food”-et e lokalet e shumta në bregdet.
“Siguria ushqimore nuk është fare. Këta shitësit ambulantë njëherë… Duhet të jenë të kontrolluara edhe marketet, është verë. Gatuajmë vetë, nuk blejmë në plazh. E marrim ushqimin nga shtëpia. Nuk hamë në restorante sepse nuk dihet siguria”, thonë pushuesit.
Në qendrat shëndetësore verore të plazheve, numri i pushuesve që kërkojnë ndihmë nga mjekët është në rritje, veçanërisht gjatë fundjavave, ndaj mjekët këshillojnë një kujdes të shtuar për një higjienë sa më të lartë, veçanërisht te fëmijët.
Dorela Luku, mjeke te qendra shëndetësore e Shkëmbit të Kavajës, shprehet: “Më tepër janë fëmijë. Preken më shumë sepse nuk respektojnë rregullat e higjienës dhe parapëlqejnë ushqimet e gatshme të paketuara. Nuk është e sigurtë shitja buzë rrugës”.
Mjekët rekomandojnë që pushuesit të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore nëse konstatojnë dhimbje të forta barku dhe të vjella. / KultPlus.com
Artisti i njohur, piktori Verim Zendeli nga Negotina e Gostivarit të enjten nga ora 18:00 deri më 20:00 në galerinë MC në New York do ta hap ekspozitën e tij të njëmbëdhjetë me rradhë të cilën e titulloi “Vetmia me njerëz”. Në këtë ekspozitë do të prezentohet me 16 piktura kryesisht vaj në pëlhurë dhe me akrilik.
Në këtë cikël të pikturave që do t’i ekspozon artisti në Nju Jork, dominon portreti i femrës i kompozuar në mënura të ndryshme dhe me elemente tjera simbolike. Për më tepër rreth krijimtarisë së tij në katalogun e ekspozitës ka shkruar profesori universitar Arlind Farizi.
Kjo ekspozitë është e përkrahur financiarisht nga Ministria e Kulturës së Republikës së Maqedonisë dhe nga Komuna e Vrapçishtit.
Përndryshe Verimi në këtë galeri ka ekspozuar edhe para gjashtë vitesh si dhe në shumë vende tjera të botës edhe atë në Paris, Dizhon, Tiranë, Shkup, Prishtinë etj. Ka marr pjesë në dhjetra ekspozita grupore dhe koloni artistike ndërkombëtare dhe kombëtare.
Verim Zendeli i takon gjeneratës së re të artistëve figurativë, ku ka një bagazh të madh me aktivitete të shumta dhe me ekspozita jashta dhe brenda vendit. Në vitin 2007 diplomoi në Fakultetin e Arteve në Universitetin Shtetëror të Tetovës si dhe në vitin 2013 magjistroi në Akademinë e Arteve në Universitetin e Prishtinës te klasa e Prof. Zake Prelvukaj. Eshtë anëtar i Shoqatës së Artistëve të Maqedonisë, jeton dhe vepron si artist i lire.