Të pinin birrë femrat në klubet e pista plot pijanecë dhe spiunë, nuk bëhej fjalë

Shkruan: Edison Ypi

Birra e diktaturës nuk kishte lidhje me shuarjen e etjes. Ishte sapun për fytin, tretëse yndyrash, dhjamrash, sgrasator i marrinave gastronomike që shqiptari hidhte në stomak.

Nuk mund të pije birrë sa të doje. Sepse birrë s’kishte. Por edhe sepse ngjallje dyshime; Ku i gjen paret ky që pi gjithato birra ?!
Ndonjë birrë më të rrallë e pinin vetëm qytetarët. Një birrë kushtonte sa një ditë pune në kooperativë. Fshatar duke pirë birrë ishte po aq e mundur sa dhe diversant në mes të ditës në Sheshin Skënderbej.

Të pinin birrë femrat në klubet e pista plot pijanecë dhe spiunë, nuk bëhej fjalë. Birra për gurmazin dhe stomakun ishte si Kanoçja për sytë dhe mendjen; Arratisje në një bote iluzore, pa mbledhje kolektivi, tejkalime plani, parada militare, arrestime, purga, pëshpërima për pushkatime.

Birra ishte një “Pelë Troje” futur tinëzisht prej borgjezisë ndërkombëtare për të përçarë rradhët e klasës puntore, e cila, duke pirë birrë harronte revolucionin proletar mbarëbotëror. Për birrën shqiptarët dinin se bëhej prej uji dhe elbi, asgjë tjetër.

Prej të rrallëve që arrinin ta “çanin ferrën” vinin habere se “jashtë shtetit” birrën e pinin më së shumti gjermanët. Birrë pinin edhe monarkofashistët grekë të cilëve pas pak do tu derdhnim plumb në gojë. Gjithato birra me shishe dhe kanoçe që shiheshin nëpër reklama dhe filma, pinte edhe qeflia Italia. Në Çeki dhe Poloni uji kishte dalë jashtë përdorimit prej kohësh. Atje birrën ta sillnin me rubinetë në shtëpi.

Efektet afrodiziake të birrës i shprehte më së miri pohimi; Filania i ka këmbët si shishe birre. Me anë miqsh e stërmiqsh që i gjente ku ishin e ku s’ishin, dhëndërri siguronte dasëm me birrë dhe akull me bollëk. Dhëndrrit nuk duhej me ja prish. Një herë martohet burri.

Më e bukur se nusja, më interesante se dhëndrri, më shpërthyese se ahengu, birra ishte mbretëresha e dasmave. Nuk do kënaqemi kushedi se sa në dasmën e filanit, thoshin, se ai një cop gomar është, ama do pimë birrë sa do shqepemi.

Në ditën kur “birrë kishte”, nëpër gurmazët e shqiptarëve gurgullonte birra që shplante zgjyrat dhe yndyrat nga buzët te zorrët. Thartirat e neveritshme që vinin pasditeve nga stomaku e përpjetë, s’ishin problem. Gjatë ditëve kur “birrë s’kishte”, birra harrohej.

Shqiptari duke gjerbur birrë ishte një spektakël më magjepsës se Aleksandër Mosiu me në dorë kafkën e Hamletit. Duke kthyer birrën, shqiptarit i kërciste gurrmazi glluk-glluk si lavaman i bllokuar, pasuar nga një gromësimë e zgjatur si ofshamë Ferri.
Birra shërbente edhe si monedhë apo mjet këmbimi në natyrë. Pyetja; Me sa birra do më qerasësh për nderin që të bëra ? ishte më se e zakonshme.

Kur rrallëherë për arsye që askush nuk i merrte vesh birra çfaqej me bollëk, thuhej për filanin apo fistekun; Pasi piu pa lujt venit dy arka birrë, doli bëri një shurrë kali plot me shkumë dhe dredha nga oborri në përrua. Shkulja e tapës metalike me dhëmbë, nuk çudiste askend. Me dhëmbë thërrmonin dhe hanin qelqet. Si dhe pse ndodhte kjo, një Zot e di.

Pështymat, cikrrat, qurret, gëlbazat, derdhjet, pjerdhjet, rrjedhjet, vjelljet, që shqiptarëve u dilnin nga të gjitha brimat e trupit për shkak të kequshqyerjes, ishin një spektakël makabër përtej çdo aftësie përshkruese me tekst, penel, daltë, pentagram. Duke shplarë heraherës gurrmazin nga këto tmerre me birrë skadente, shqiptarët mbijetuan me dhjetra vite. Deri kur erdhi birra. Por iku etja.

“Shfaqja që shkon keq” nga Bashkim Ramadani vjen premierë në teatrin Dodona

“Shfaqja që shkon keq” nga Henry Lewis, Jonathan Sayer e Henry Shields, ka rënë në duart e regjisorit Bashkim Ramadani i cili me një kastë të gjerë aktorësh i janë përkushtuar punës për të sjellë një shfaqje që në natën e premierës të shkojë ashtu siç është më së miri, shkruan KultPlus.

Regjisori Bashkim Ramadani

Shfaqja zhvillohet në premierën e shfaqjes së dramës misterioze “Vrasje në shtëpinë e Havershamëve” e shkruar nga Suzi H.K. Braidsuell, e vënë në skenë nga Shoqata Dramatike e Universitetit Politeknik të Kornleit.

Një trupë amatore e cila së fundmi ka hasur në një vepër e cila në vete përmban po aq personazhe sa ka edhe vetë trupa aktorë është zgjidhja ideale për të bërë një shfaqje nga e cila pritet sukses i madh.

Në shfaqje bëhet fjalë për një njeri i cili gjendet i vdekur në dhomën e tij të gjumit në mbrëmjen e fejesës së tij dhe me këtë rast bën të dyshuar çdonjërin, e dyshimet padyshim do bien tek ata që e “donin”. Shpërfaqje e dashurisë së fshehtë, tradhti e intrigë do ishin ndër temat kryesore që kjo shfaqje do i prezantonte publikut të saj. Por aty ku pritshmëritë janë të mëdha çdo herë mund të pritet edhe dështimi. Drita që ndalen dhe ndizen vend e pavend, rekuizita e skenografi që mungojnë e prishen, personazhe që u bie të fiket, janë ndër problemet me të cilat ballafaqohet kjo trupë aktoreske e cila di vetëm një gjë, “Shfaqja duhet të shkojë deri në fund PATJETËR”.

Kasta e aktorëve të kësaj shfaqje përbëhet nga: Mikel Markaj, Leonit Maloku, Kaltrinë Zeneli, Gani Morina, Edlir Gashi, Alban Rexhaj, Armend Zeqiri.

Premiera e shfaqjes vjen përpara publikut në teatrin Dodona, më datë 13 korrik në ora 20:00.
Asistent regjie e shfaqjes është Armend Zeqiri, skenografia nga Dhurim Ismaili, kostumografia nga Agnesa Malushaj, mjeshtër ndriçimi – Skender Latifi, ndërsa dizajni i posterit është Mentor Berisha. / KultPlus.com

Publikohet kënga më e re e MC Kreshës me Lyrical Son (VIDEO)

Dy reperët më të njohur shqiptarë, MC Kresha dhe Lyrical Son sapo kanë publikuar këngën më të re të titulluar “Mafia shqip”, shkruan KultPlus.

Në këtë këngë janë të inolvuar të gjithë artistët e rinj të labelit të PINT-ave. Tekstit i kësaj këngë është shkruar nga Lyrical Son dhe MC Kresha./ KultPlus.com

Grace Jones, Sevdaliza e LP në mesin e emrave në EXIT në Serbi

Sonte në Serbi fillon EXIT Festival.

Festivali i njohur këtë vit ka një numër të madh artistësh të njohur që do të ngjiten në skenat e ndryshme të festivalit në Novi Sad.

Grace Jones është në mesin e pjesëmarrësve në festivalin që do të zgjasë deri me 15 korrik.

Migos, David Guetta, Ziggy Marley, Fever Ray, LP, Alice Merton, Nina Kraviz, Richie Hawtin, Adam Beyer b2b Ida Engberg, Maceo Plex, Solomun, Amelie Lens, Ben Klock, Jax Jones, Ofenbach, Mahmut Orhan, Carl Craig, Tale of Us, Sevdaliza, Burak Yeter, Madball, Brujeria, Ofenbach, Slapshot, Dog Eat Dog, Slaves, Idles, Asphyx, Bombers dhe artistë tjerë do të vijnë në festivalin që nisë sonte.

Festivali do të mbahet në Kalanë Petrovaradin. / KultPlus.com

Kënga nga Kroacia dhe gazi në Parlamentin e Kosovës (VIDEO)

Një këngë e këngëtares kroate mund ta përkthekojë mirë realitetin e një kohe në Parlamentin e Kosovës.

Kënga “Gas gas” nga Severina, e realizuar para disa vitesh, mund të asocojë me skenat e gazit lotsjellës në Parlamentin e Kosovës, për të cilat askush nuk garanton se nuk do të gjejnë përsëritje në këtë ndërtesë.

E meqë Kroacia këtë vit po shënon historinë duke qenë finaliste e ndoshta edhe fituese e Kupës së Botës në Futboll, ia vlen të kujtohet kënga e këngëtares kroate që kërkon më shumë gaz, jo lotsjellës.

Për një kohë të gjatë në seancat e Parlamentit të Kosovës bëhej e pamundur mbajtja e procesit shkaku i gazit lotsjellës, shkruan KultPlus.

Në Twitter ka pasur disa raste kur njerëzit kanë nxjerrë paralele mes këngës ‘Gas gas’ dhe situatës që u krijua për disa muaj në mesin e parlamentarëve të zgjedhur të vendit. / KultPlus.com

Era Istrefi niset për në Moskë (FOTO)

Këngëtarja nga Kosova, Era Istrefi është zëri që ka shoqëruar gjithë kampionatin botëror me këngën “Live it Up”, që ka qenë himn i këtij kampionati që po zhvillohet në Rusi , shkruan KultPlus.

Ajo do të interpretoj live në finalen e madhe të 15 korrikut, ku do të luaj Franca me Kroacinë. Era Istrefi tashmë ka njoftuar se është nisur drejt Moskës. Ajo ka postuar disa fotografi në Instagram ndërsa ka shkruar “Destinacioni i radhës Moska”. / KultPlus.com

Sezoni turistik vjen me aktivitete të larmishme në të gjitha qendrat urbane (VIDEO)

Aktivitete të shumta kanë gjallëruar qendrat urbane dhe fshatrat nga veriu në jug me festat e traditës, festat e kulinarisë dhe festat e muzikës, duke i dhënë ngjyra fantastike këtij sezoni.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Kryeministri Edi Rama shpërndan një video me pamje nga disa prej qyteteve të Shqipërisë gjatë këtij sezoni tursitik.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje të aktiviteteve të shumta që këto dy muaj kanë gjallëruar qendrat urbane dhe fshatrat nga veriu në jug me festat e traditës, festat e kulinarisë, festat e muzikës duke i dhënë ngjyra fantastike këtij sezoni, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Kryeministri Rama.

Me dashtë, asht mos me rrejtë mâ

Nga Anna de Noailles

Me dashtë, asht mos me rrejtë mâ.
Kurrfar dredhiet, nuk asht e nevojshme
Kur krahu i ngrohtë shtërngon
Trupin e pakapshëm që na ka pëlqye.

– Beso n’zanin tem që andrron e kndon
E që ndërton parajsen tande.
A do ta dije ti që jam e keqe
Po mos ta kisha thanë un?

– Dobsisht e keqe, në mendje,
E për me gjetë hera-herës
Kte vetmi kuptimplote
Që e kam mohue duke të dashtë !

Përktheu: Eva Hila

Shqipëri-Japoni, bashkëpunim në fusha të ndryshme kulturore e humanitare

Shqipëria dhe Japonia po bashkëpunojnë në fusha të ndryshme kulturore dhe humanitare.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Tokio, përveç takimeve institucionale me ministritë dhe ente të rëndësishme të autoriteteve japoneze, ka në fokus të veçantë promovimin e traditave dhe kulturës shqiptare.

Për këtë arsye, ambasadori i Shqipërisë në Japoni, Gjergj Teneqexhiu priti në zyrën e tij Shuji Kogi, Sekretar i Përgjithshëm i EU Japan Fest një organizatë joqeveritare, e cila merret me koordinimin e aktiviteteve kulturore ndërkombëtare.

Gjatë këtij takimi u diskutua për mundësinë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme kulturore dhe humanitare mes dy vendeve.

Gazetarja e KultPlus, Gili Hoxhaj shpërblehet për artikullin më të mirë në “Garën e Kritikëve të Rinj” (FOTO)

Laboratori i Inovacioneve të UNICEF, në bashkëpunim me organizatën PEN, ka mbajtur sot garën për “Kritikët e rinj” si pjesë e Programit PONDER që synon fuqizimin e të rinjve përmes shkrim-leximit kritik, medial. Ky është edicioni i dytë i kësaj gare prej së cilës kanë dalë tre fitues gjithsej. Gara ka paraparë çmime për storie kritike me shkrim, video dhe fotografi.

Gazetarja e KultPlus, Gylymser Hoxhaj (Gili Hoxhaj) është shpërblyer për artikullin më të mirë në Garën e Kritikëve të Rinj, shkruan KultPlus.

Uresa Ahmeti dhe Gylymser Hoxhaj kanë qenë dy nga të shpërblyerat në kategorinë e artikujve më të mirë që prekin tema tabu. Ahmeti është shpërblyer për shkrimin “How does eve Ensler challange taboo in the Vagina Monologues?” kurse Hoxhaj me shkrimin “Abortet e pasigurta, një kapitull i heshtur kosovar”.

Që të dyja fitueset thanë se kanë zgjedhur këto tema pikërisht sepse kanë dashur të trajtojnë të drejtën e gruas dhe pozitën e saj në shoqërinë kosovare.

Sovran Ndrecaj është shpërblyer në kategorinë e fotografisë më të mirë, me fotografinë që prek barazinë gjinore.
Çmimet janë ndarë nga juria e përbërë nga Donjeta Demolli, Leonora Aliu dhe Bardhi Bakija. Juria vlerësuese ka theksuar se selektimi në këtë garë ka qenë shumë i vështirë, ndërsa janë të lumtur që rinia e Kosovës po arrin që me sens kritik t’i prek aspektet më negative të kësaj shoqërie.

Konkursi ka përfshirë edhe një kategori për videon më të mirë, por që asnjë nga videot nuk i ka plotësuar kushtet për
selektim.

Gjatë eventit, zëvendës-shefi i zyrës së UNICEF në Kosovë, James Mugaju, deklaroi se zyra e UNICEF në Kosovë në bashkëpunim të ngushtë me misionin e OSBE-së në Kosovë dhe OJQ PEN janë duke e mbështetur këtë program për shkak se besojnë që nëse investohet në aftësitë e mendimit kritik, do të ketë më shumë të rinj me aftësinë për të filtruar mesazhet në rrjetet sociale.

Laboratori i Inovacionit në UNICEF për dy vite është pjesë e programit Ponder dhe përmes trajnimit direkt të 300 të rinjve pa dallim gjinie apo etniteti, ka përcjellë 70 pjesëmarrës të programit në zhvillimin e tyre profesional, përmes ofrimit të punës praktike në platformat mediale në tërë Kosovën; ka ofruar mentorim dhe monitorimit drejt suksesit të 22 të rinjve që janë punësuar në media.

Përves çmimeve fituese, të gjithë të rinjtë të cilët kanë aplikuar në këtë garë tani më kanë hyrë në rrjetin e kritikëve të rinj, dhe si të tillë përmes kësaj gare do të publikohet puna e tyre në platformën Ponder – www.ponder-ks.org, e që ka për qëllim rrjetëzimin e të rinjve që ndajnë interesa të ngjashme, dhe që duan të zhvillojnë mendimin kritik dhe të bëhen qytetarë aktiv në shoqërinë e tyre./ KultPlus.com

145 vite nga lindja e Shtjefën Gjeçovit

Frati françeskan dhe dhe shkrimtari i njohur shqiptar, Shtjefën Mëhill Konstandin Gjeçovi (Gjeçi)-Krzeyiu, lindi më 12 korrik të vitit 1873. Ai ishte veprimtari i shquar i lëvizjes atdhetare, etnografisë, arkeologjisë, shkruan KultPlus.

Kryevepra e tij, Kanuni i Lekë Dukagjinit, është përmbledhja më e përmendur e ligjit zakonor shqiptar. I kopsitur në 1263 nene, nisi të botohej së pari tek “Albania” e Konicës më 1897-98 dhe më pas në organin e shtypit të françeskanëve që nga dalja e Hyllit më 1913 gjer më 1924. Gjatë lëvizjes së shpeshtë ndër famullitë e Veriut prej Kurbinit deri në Rrafshin e Dukagjinit, ai mblodhi normativën e rendit dokesor.

Pa llogaritur artikujt e shumtë “Përralla popullore”(1903),”Doke e zakone vdekjeje”(1907), “Mënyra e jetesës në Malci” (1908), ”Doke e zakonesh dasmash”(1910-1911), “Vaje “ në raste vdekjesh (1917-1920). Një pjesë e dorëshkrimeve humbën me vdekjen e tij.

Botimi i Kanunit u arrit më 1933, mbas vdekjes së mbledhësit, me një parathënie të P. Fishtës. U përkthye më vonë nga mikesha e shqiptarëve dhe e Eqrem bej Vlorës, baronesha Marie Amelie von Godin pjesë-pjesë, e me ndihmën e etënve françeskan. Punim i cili bëri të mundur që më 1936 Universiteti gjerman i Drezdenit i dha doktoratën postum P. Gjeçovit për vleftën e Kanunit. Në italisht u përkthye nga P. Pal Dodaj në bashkëpunim me Giuseppe Schirò dhe u botua nga Akademia e Arteve dhe Shkencave në Romë më 1941. / KultPlus.com

Përveç Erës, edhe kjo këngëtare shqiptare do të këndojë në natën finale të Botërorit (FOTO)

Era Istrefi konfirmoi pjesëmarrjen e saj në natën finale të Kupës së Botës ku do të këndojë përkrah Will Smith dhe Nicky Jam.

Por, ndërkohë që të gjithë po presim performancën e saj “live” në natën finale të Botërorit 2018 në Rusi, në datën 15 korrik, mësohet se një tjetër artiste shqiptare do të performojë përkrah Erës dhe është këngëtarja e cila vodhi zemrat e mijëra fansave në Rusi, Arilena Ara.

Nëpërmjet postimit të saj në Instagram, ajo ka zbuluar se do të këndojë në Moskë më 15 korrik në finalen e Kupës së Botës 2018./ KultPlus.com

Arkitekti i Teatrit të ri Kombëtar projekton komisariatin modern në Nju Jork

Arkitektit të njohur danez, Bjarke Ingels, i cili është edhe autor i projektit të Teatrit të ri Kombëtar, i është besuar projektimi i komisariatit të ri të policisë në Bronks të Nju Jorkut, i cili ka nisur të ndërtohet.

Lajmin e ka dhënë revista “Contract Magazine”, e cila gjithashtu thekson se e dizenjuar nga arkitekti i njohur me famë botërore, Bjarke Ingels dhe Studio BIG, komisariati i ri në Bronks do të jetë një strukturë e madhe moderne, që do të përfundojë në pranverën e vitit 2021.

Kryebashkiaku Veliaj ka postuar lajmin në Twitter, duke hequr një vijë paralele mes asaj që ndodh në SHBA dhe debatit në Shqipëri për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, dy projekte të realizuara nga i njëjti arkitekt me famë botërore.

“Habi e madhe si nuk u çua me rrokopujë e gjithë Policia e NYC të mos lejonte ndërtimin e komisariatit të ri, siç sillen disa me Teatrin e Ri”, shkruan Veliaj në Twitter.

Bjarke Ingels është autor i shumë projekteve të mëdha në gjithë botën, përfshirë edhe një nga kullat binjake në Nju Jork. /KultPlus.com

Mësuesja nga Luzerni: Kosova ka natyrë si Zvicra

Pak metra ngjitje, atëherë shikimi yt zgjerohet dhe sheh një panoramë të lirë magjepsëse. Mbi majë ka akoma borë, mes tjerash edhe lopë në livadhet e harlisura alpine. “Është vërtet si tek ne,” thotë Katharina. Ajo është mësuese dhe viteve të kaluara ka pasur shumë nxënës nga Kosova, të cilët e krahasonin shpesh natyrën helvete me vendin e tyre të origjinës. Ajo nuk mund ta besonte, ku tash si pensioniste ndodhet në trekëndëshin kufitar Kosovë-Shqipëri-Mali i Zi. Nxënësit kishin pasur të drejtë. Me një përjashtim: një xhami në lartësinë mbi 1100 metra mezi gjendet në Zvicër.

Grupi i eksploruesve zviceranë kanë pasur mundësi të njihen me natyrën e egër dhe romantike në fshatin Drelaj, pjesë e luginës së Rugovës. Gjatë turës 15 ditore ata kanë vizituar edhe Serbinë dhe Maqedoninë.

Pjesë e grupit janë edhe Heini Conrad dhe Elisabeth Kaestli, e para ka punuar gjashtë vjet me projekte nga Helvetas në Prishtinë, e dyta si gazetare ka shkruar artikuj dhe libra për banorët e Bosnjës, Serbisë dhe Kosovës.

Çfuqizohen paragjykimet

Veçanërisht e ngrohtë ishte mikpritja në hotelin Shqiponja, lartë mbi luginën e Rugovës. Osman Shala dhe familja e tij kanë përgatitur për grupin zviceran: kajmak, qumësht të freskët, perime nga kopshti dhe natyrisht fli, përcjell albinfo.ch.

Grupi zviceran ka vizituar edhe Pejën, ku tregon për manastirin e Deçanit dhe qytetit. Në qytet ata takojnë shumë shqiptarë që menjëherë shfaqen me respekt kur dëgjojnë dialektin zviceran të gjermanishtes. “Kam qenë edhe unë në Zvicër. Atje janë vitet më të bukura të jetës sime,” thonë disa shqiptarë të cilët kanë takuar grupin zviceran.

Ajo që u ka bërë përshtypje është edhe një porsche ose bentley e parkuar me regjistrime zvicerane në Pejë.

Ditët e fundit të grupit zviceran në Kosovë ata i shijuan në hotelin me kushte zvicerane në Graçanicë. Pas kthimit të tyre në Zvicër, ata njëherë nuk duan të bëjnë asgjë. “Kaq shumë përshtypje, kaq shumë informacione. Njëherë duhet ti tresim,” thotë 90 vjeçarja Edith e cila ishte pjesë e këtij eksplorimi.

Nëse fiton Kroacia, kush këndon në festë?

Kroacinë e kemi në fokus kësaj here më shumë se asnjëherë. Kjo sepse do të jetë historike një fitore eventuale e saj në Kampionatin Botëror të Futbollit.

Kroacia po futet në hartë, do të thoshte dikush, në hartën e futbollit botëror.

E nëse fiton Kroacia, me kë do të festojnë kroatët? Kroatët njihen si një popull i dhënë pas muzikës dhe folklorit, me këngëtarë që i kanë dhënë me vite muzikës jugosllave dhe më pas edhe muzikës ballkanase vlera, ndonjëerë edhe antivlera.

Shija në muzika është relative, aq sa është edhe muzika në Kroaci.

Po e zëmë se fiton Kroacia në finalen e këtij Kampionati Botëror, dhe një koncert i madh pason menjëherë në Sheshin e qytetit. Kush do ta kallte atmosferën?

Nina Badric
46 vjeçare, Nina Badric mbetet ndër këngëtaret më të njohura nga Kroacia. Ajo ka konkuruar disa herë për të përfaqësuar Kroacinë në Festivalin Evropian të Këngës – Eurovizion, ndërsa këtë gjë e realizoi në vitin 2012-të kur nuk u fut në finale. Këngët e saj janë hite, derisa ajo ka provuar edhe disa role të vogla filmike. Ajo është mbështetsë e Bashkimit Demokratik Kroat.

Severina
Zjarri i Kroacisë është Severina. Një këngëtare e njohur jo vetëm në Kroaci por edhe në mbarë Evropën, Severina vazhdon të jetë një këngëtare aktive në muzikë dhe krahas disa skandaleve nëpër media, një emër që ende di të sjellë hite. Nëse fiton Kroacia në Botëror, ka mundësi që Severina do të rikthehet në trendin muzikor evropian me hitet e saj, nëse Evropiani ka ndikim edhe në industrinë muzikore. Edhe ajo e përfaqësoi Kraocinë në Eurovizion, me këngën “Moja Shtiklla”.

https://www.youtube.com/watch?v=LsyD_-5j8Z8

Tony Cetinski
Është padyshim këngëtari më i njohur momentalisht në Kroaci dhe në pjesën e dikur Jugosllavisë. Tony Cetinski ka lindur në Pula ndërsa ka nisur të këndojë në moshën 15 vjeçare. I ka rreth 15 albume muzikore që nga viti 1990 kur është aktiv në muzikë. Me apo pa fitoren e Kroacisë këtë të diele, Cetinski mbetet një prej emrave më të njohur të muzikës moderne në Kroaci. / KultPlus.com

“Lexoj deklarata nga disa patriotë, gazetarë, shkrimtarë, poetë e budallë” (VIDEO)

KultPlus ju sjell këngën “Shfletoj gazetën” nga grupi Minatori. Kënga veçohet për tekstin dhe tematikën që shpalosë, përmes tingujve që të rrëmbejnë.

Me vendim të prerë një expresso ekzekutoj
e shfletoj gazetën, dhe për ty mendoj
shëtis nëpër tituj askund nuk është gjetë
në Prishtinë, në Kosovë, askund në planet.

Pse shkove ti …

Lexoj deklarata nga disa patriot
gazetar, shkrimtar, poet e budallë
vuajtjet e tyre për komb janë pandarë
kur të folsh me ta të duket vetja shka

Pse shkove ti…

Ndalem te kalendari historik
dhe me nga pak droj dhe nga pak frikë
asgjë sot për botën nuk është vendos
në këtë ditë as Titaniku s’është fundos

Pse shkove ti…

Datë e parëndësishme sot asgjë s’paska ngjarë
në këtë ditë as John Kennedy nuk është vra
as Neil Armstrongu sot s’ka shkel në hënë
e për çudi sot kurrkujt s’ja paskna … atë nanë

Pse shkove ti…

Lexoj prognozën meteorologjike
borë, shi, diell, të reshura politike
Krejt çka di dhe çka është me rëndësi
sot ti nuk je këtu sot shkove ti

Pse shkove ti…

Opsione për Kosovën, sa të duash menjëherë
ta mbështjellin, paketojnë si një hamburger
zgjidhje për Kosovën sa të duash si në korrent
Kosova Republikë, Pavarësi, Kosova Kontinent

Pse shkove ti…

A ka shpërthye ndonjë bombë sot në qendër të Bombajit
naj raptish i sert a u përvlu në xhygym të çajit
Hitleri a boni sot vetëvrasje në Berlin
apo ra bomba atomike n’Hiroshim

Pse shkove ti…

Sot shkove ti athua askush nuk mbet
sikur dikush ma vodhi këtë qytet
sot dielli lindi dhe do të perëndoj
mos mendo se më more në qafë
se për ty do të masturboj.

Pse shkove ti…/KultPlus.com

“Shota” nga Aarau e ndez atmosferën në Gjermani

Edhe një herë, festivali veror i Komisionit Ndërkombëtar që është vendosur në Lörrach, ka treguar diversitetin kulturor.

“Mirësevini” është varur mbishkrimi në skenë, në sheshin e tregut dhe në gjuhë të tjera duket më i vogël. Është një festival ndërkombëtar veror dhe Lörrach tregon anën e tij të larmishme. 16 tenda qëndrojnë rreth tregut që ofrojnë kënaqësitë e kuzhinës dhe oferta kulturore është e ndryshme. Disa njerëz qëndrojnë gjatë gjithë ditës, ku kontinentet takohen në mënyrë aq paqësore. Për shumë të tjerë, kuzhina shpesh e panjohur dhe kontributet artistike janë një ndryshim në rutinën e blerjeve.

Kryebashkiaku Jörg Lutz flet për karakterin familjar të këtij festivali veror. Në fakt, dikush e njeh veten edhe përtej kufijve të gjuhës. Yvonne Eyhorn, që organizon Festën e Komisionit Ndërkombëtar, zakonisht iu drejtohet grupeve dhe qiramarrësve të mirënjohur gjatë përgatitjes së festivaleve verore. “Ju e dini që mund të mbështeteni, gjë që e bën punën më të lehtë”, thotë ajo. Oferta nuk mund të jetë më e madhe. Tashmë disa tenda janë dyfish të okupuara. Pastaj nën një tendë është vendosur “Amnesty International” me një qendër të arsimimit profesional, të shkollës ruse në Lörrach. Caritasi gjithashtu është i përfaqësuar.

Për Yvonne Eyhorn festivali ndërkombëtar i verës është më shumë se një meny ekzotike me një zgjedhje në mes të Dolmades (fleta hardhie të mbushura me venë) dhe Nasi goreng (një lloj orizi indonezian). Festivali është gjithashtu politik dhe jo vetëm sepse tërheq vëmendjen për të përndjekurit nëpër vende të tjera. Përkundrazi, disa tenda më tepër mbështesin në mënyrë aktive projekte në vende përtej Evropës – si Namaste, një shoqatë e të shurdhërve që ndihmon në Nepal dhe që për shumë vite është njëra ndër mysafiret më të rregullta të festivalit veror.

Është festivali i 28-të i verës. Margarete Kurfess, këshilltare e të Gjelbërve, kishte qenë iniciatroja e kësaj feste. “Në fillim, gjithçka ishte shumë më modeste”, pohon ajo për “Badische Zeitung”, përcjell Albinfo.ch. Nuk kishte program kulturor dhe festivali zhvillohej vetëm çdo dy vite. Tani është një nga simbolet e Lörrachit dhe për programin kulturor kërkohen aktorë edhe përtej kufijve kombëtarë, gjë që nuk është aq e vështirë në Lörrach. Kurfess qëndron për djalin e saj në tendën e “Fufu Culture”, një shoqatë e themeluar në vitin 2016 me qëllim të përmirësimit të mundësive arsimore të popullatës në Togo. Fufu është një ushqim kryesor i Afrikës Perëndimore. “Edhe arsimi është i tillë”, thotë përfaqësuesi i djalit të saj, për këtë arsye ai themeloi klubin.

Gudrun Schubert i Fondacionit Schubert-Durand është krenar për çdo grua, çdo vajzë, të cilën mund ta integrojë atë në botën gjermane të punës. E mbushur me gëzim, ajo tregon për gratë që kanë arritur sukses edhe përkundër sfidave të tyre. Mbi të gjitha, fondacioni kujdeset për gratë që kanë të drejtën e qëndrimit, por që nuk marrin fonde shtetërore. Refugjatët nga Afganistani i përkasin asaj. Kryebashkiaku Lutz është i lumtur për këtë sepse “këta njerëz qëndrojnë këtu”.

Festa është gjithashtu një matës i integrimit. Në komunitetin katolik italian ka ëmbëlsira nga karrotat me një filtër kafeje gjermane, ndërsa eritreasit janë përkudjesur që klubi i tyre të vendoset në Stetten dhe jo në Loerrach. Pra, tashmë ekziston gjurma e ndjeshmërisë historike në qytet.

Kryebashkiaku i Lörrach në fjalimin e tij të hapjes thotë se diversiteti kulturor e pasuron qytetin. Programi kulturor magjeps, sjell një prekje të botës në Lörrach dhe Lörrach është duke bërë mirë. Përzierja e folklorit dhe e vallëzimit modern dhe e popit, edhe nxehtësinë e verës e bën të durueshëm. Kur Ben Meech, Kilja Bird Buira dhe Thiombane Beuz paraqiten muzikën e tyre, thjesht nuk ka rëndësi se nga ku ata vijnë dhe përse ata bëjnë muzikë të mrekullueshme. Një tjetër moment i mrekulueshëm është edhe shkolla e valleve shqiptare Shota nga Aarau, në kostume shumëngjyrëshe. Të rinjtë e moshës 16 deri në 30 vjeçare e prezantojnë trashëgiminë kulturore të Shqipërisë dhe i ftojë të gjithë vizitorët në një suitë të përbashkët të vallëzimit. Një moment emocional mbresëlënës.

‘Ne mund të bëhemi Kroacia, prandaj edhe identifikohemi me të aq shumë’

Sead Zimeri

Pse jemi aq shumë entuziastë për ekipën kombëtare të Kroacisë, prej qytetarit e deri te kryeministri i Shqipërisë? Në shumë aspekte Kroacia është ajo që duam të bëhemi, është aty ku ne duam të jemi, është shpresa se një botë tjetër është e mundshme, është ëndërra jonë. Po ashtu ajo shënjon pakënaqësitë tona, dështimet tona si komb. Kroacia nuk do të fitonte pa një rilindje të gjithanshme kombëtare, por arritja e saj në futboll ka dimensione simbolike përtej futbollit. Një komb i vogël e mundi Anglinë e ndoshta do ta mund edhe Francën në finale, dy shtete të zhvillluara dhe me ekipe të suksesshme kombëtare. Kroacia është ëndërra, plotësisht e realizueshme, që po të kemi vullnetin dhe dëshirën edhe pse jemi një komb i vogël mund të fitojmë kundër të madhit, të fuqishmit dhe të suksesshmit. Ne mund të bëhemi Kroacia, prandaj edhe identifikohemi me të aq shumë. Identifikimi me Kroacinë është identifikimi me ëndërrat dhe shpresat tona, me potencialin tonë, me dëshirën për t’u bërë ata që nuk jemi sot.

Publikohen filmat e animuar të realizuar nga nxënësit e Vushtrrisë dhe Therandës

Nxënësit e shkollës “Liria” dhe “Bajram Curri” pas kursit për animacion kanë realizuar dy filma të animuar, shkruan KultPlus.

Gjatë muajit qershor nxënësit e shkollës “Liria” në Stroc të Vushtrrisë dhe nxënësit e shkollës “Bajram Curri” në Nishor të Therandës kanë vijuar kursin për animacion në teknikën “stop motion”.

Pas kursit, nxënësit kanë prodhuar 2 filma të shkurtër të animuar mbi të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe respektin e solidaritetin./KultPlus.com

Realizmi i këtyre dy filmave është mbështetur nga projekti “Kultura për ndryshim”./KultPlus.com

Dom Simon Jubani, legjenda e qëndresës dhe e lirisë

Me rastin e 7 vjetorit të vdekjes
Nga Pjeter Logoreci

Po afrohet, ndër ditët në vijim, pesvjetori i vdekjes së Dom Simon Jubanit, burrit të lavdishëm që me lëvizjet e veta bëri histori, e që ka mbetur i pashlyer në kujtesën e cdo shqiptarit. Mbasi e njihja nga afër dhe na lidhte miqësia, e ndjej si detyrim shpirtëror e qytetar që me këtë shkrim ta perkujtoj këtë gjigand të lirisë, demokracisë e të besimit në Zotin.

Sa herë që vizitoja qytetin tim të lindjes, gjatë daljeve të mija në qytet, duke kaluar para katedrales, kontaktin e parë me njerzit me rastiste që ta kisha me Dom Simonin, i cili sapo hapeshin dyert e katedrales, ndodhej aty për ti sherbyer besimtareve të shumtë që vinin posaqërisht për te. Mund të them që, vitet e fundit ai ishte i pakënaqur, i zhgënjyer dhe i vrarë shpirtërisht, jo nga vuajtjet e burgut apo nga shtrembërimet që vërente në ndërtimin e demokracisë së brishtë në vend, por nga kolegët dhe drejtuesit e kishës në Shkodër. Në ato kohë, shtëpia e tribunit të lirisë e të besimit, Dom Simon Jubanit, ishte bërë një vend i rëndësieshëm për shumë besimtarë që vinin nga të katër anët e vendit, edhe nga besimet e tjera, për të biseduar e marrë bekimin e dishepullit të atdheut e të fesë. Sic duket popullariteti i Dom Simon Jubanit, mbrenda dhe jashtë vendit, takimi i tij (si i pari klerik shqiptar) me papën në Vatikan, por edhe qëndrimi i tij kritik ndaj paaftësisë dhe mosnjohjes së problemeve tona (shqiptare) nga drejtues joshqiptare të klerit, i verboj këto të fundit të cilët “gjetën shkelje” për të “marre masa” ndaj heroit të kombit, të demokracisë e të kishës.

Shpirti dhe sedra e Dom Simonit, që nuk arritën ti thyenin 26 vite të vështira burgu nën diktaturën më të egër të globit, u goditën nga padrejtësia e vendimit të pamerituar nga drejtuesit e arqipeshkvisë së Shkodrës, …për ti hequr atij të drejtën e ushtrimit të disa shërbimeve fetare …., goditje që la një plagë të thellë e të pashërueshme tek ai. Atij që në strofullën e bishave kriminale të diktaturës, në burgun famëkeq të Burrelit, kremtonte meshën shenjtë për të gjithë të burgosurit pa dallim feje, ju mohua e drejta që të shërbente në altarin e kishës. Edhe pse i gjymtuar nga makinacionet e “eprorve”, popullariteti i tij ndër njerzit e thjeshtë u rrit pa masë, mbasi cdokush ishte i bindur në personalitetin dhe karakterin e tij të drejtë. Drejtësia mund të vonojë por jo të humbasë.

Kush ishte Dom Simon Jubani?


… Linda në Shkoder me 5 mars 1927. Prindët e mi, Zefi dhe Cilja i falën kishës dhe atdheut një martir intelektual, Dom Lazer Jubanin, helmuar me arsenik nga policia sekrete komuniste me 1982…. – shkruan ai në librin e tij autobiografik “BURGJET E MIA”….., si dhe Simonin e Kinin.
Dom Simoni, filloren e bëri në shkollën franceskane si dhe (pas mbylljes së saj) në gjimnazin e shtetit në Shkoder. Mbasi mbaron në Tiranë kursin për radiologji, fillon të punojë si radiolog në spitalin ushtarak të kryeqytetit. Në kohën e konfliktit me Greqinë, ai mobilizohet ushtar dhe dërgohet në front. Pas tre vitesh shërbimi ushtark kthehet në Shkoder dhe fillon të punojë në Sanatoriumin e qytetit si radiolog, ndërsa , ….sic shprehet ai:…. për ta mbajtë trupin në formë, fillova sportin që më pëlqente aq shumë: atletikën e lehtë e më pas edhe futbollin. Më pranuen menjëherë si anëtar i ekipit të Vllaznisë e, ma vonë, edhe të ekipit kombëtar të futbollit….

Për kënaqësinë e tij, në vitet 1957 (si gjakon) e 1958 (si prift) merr urdhërat e meshtarisë dhe dërgohet në Mirditë si famullitar, me qëllim të rindertojë besimin dhe kishat e shkatrrueme nga dhuna komuniste.
“…Por çka më pëlqente mue, …shkruen ai, ….nuk i pëlqente komunistave, të cilët më vunë prangat e më banë me u nisë për një rrugë të gjatë e të mundimshme (drejt burgut të Burrelit), ku u mbylla për 26 vjet me rradhë, tue lanë kudo gjurmë gjaku….. Në Burrel kam krye “Universitetin e Burgut Komunist”. Mësova me shkrue e me folë Latinisht, Greqisht, Italisht, Frengjisht, Anglisht që ma vonë më shërbyen me i ba miq Shqipnisë në tanë rruzullin toksor, tue i tregue se cka ka ndodhë në vendin tem, tue fitue kshtu epitetin “ Profeti”….

Për sa i përket jetës së tij, vuajtjeve në burg, ai shprehet:….Nëse ndonjë piktori do ti tekej me pikturue simbolikisht jeten teme, do ti duhej me ble nji kalë bojë të zezë….
Ai u lirua nga burgu në sajë të perestrojkës dhe zhvillimeve politike në botë, me 13 prill 1989, së bashku me shumë klerikë të tjerë, duke i mbetur “borgj” Komitetit Qendror, 14 vite burgu. Të gjitha ato që e kanë njohur Domin, e dijnë që dita më e zezë e jetës së tij nuk ishte dita e arrestimit, por dita e vdekjes së nënës, e cila përjetoj për së gjalli vdekjen e të birit Dom Lazër Jubanit (të helmuem nga sigurimi) dhe zingjirët e roberisë së djalit të vogël Simonit.

Me kthimin e tij në liri, ai nis përpjekjet dhe bën një aktivitet të dendur për të rifilluar ushtrimin e lirë të fesë. Si rezultat i këmbënguljes dhe kurajos së tij qytetare, arrin që me 4 nandor 1990 të kremtojë Meshën e Parë publike në varrezat e Rrmajit të qytetit të Shkodres, në praninë e 200 – 300 besimtareve. Kjo meshë u pasua nga ajo e 11 nandorit, ku edhe pse nën represionin e terrorin e egër që ushtroj sigurimi dhe policia e rregjimit komunist, morën pjesë të gjithë qytetarët e Shkodres, pamvarsisht nga besimi. Kush nuk e kujton këtë ditë të shënuar për lirinë e besimit dhe të fjalës, ku Dom Simoni, edhe pse bëlbëzonte fizikisht, mbajti një fjalim të mirëpregatitur programatik që do të thyente heshtjen 23 vjecare.

Për kontribut të cmueshem mbarëkombëtar, Univesiteti i San Franciskos në Kaliforni në vitin 1991, i akordon titullin dhe diplomen “Doctor Honoris Causa” në shkencat humane me motivacionin: PROTAGONIST I NJE EPOKE SE RE NE SHQIPERI…
Më vonë, në vitin 1996-të, shteti i Miciganit e nderoj me një diplomë të posacme me motivacioni: NISMETAR I LIRISE SE FJALES DHE SHTYPIT…

Sic shkruan ai në shenimet e tija: … jam i pari shqiptar, që pas Perestrojkes, së bashku me shumë përsonalitete të tjera botnore (senatorë, kongresmenë, ministra, Andreottin, mbretin e Belgjikës), jam thirrë në audiencë nga Papa Gjon Pali i dytë në Vatikan. Jam i pari klerik pa kurrfarë grade që ftohet dy herë nga administrata amerikane në Washington, një herë nga parlamenti rus, një herë nga Spanja, Izraeli, Egjypti, Turqia, shumë herë nga Franca, Italia, Belgjika, Gjermania, ndërsa kam refuzue me vizitue Kinen, Taivanin, Meksiken, Argjentinen…

Gjatë punës së tij baritore, ai krijoj famullinë katolike të Spitenit, Kaftallit si dhe qendrën (fetare, kulturore, shëndetsore, sportive) të Kalivacit… Per me ruejte pamvarsine e mendimit, nuk kam pranue grada – tregon ai – … nuk pranova kurrë që prej altarit të kishës të bajshe politike, që ti bajsha thirrje popullit të votonte për partinë në pushtet… Unë baj pjesë në partinë e të vorfënve, të masakruemve, të viktimave të së djeshmes e të së sotmes…

Kush lexon librin e tij autobiografik BURGJET E MIA, mund të krijojë një ide të plotë rreth botës së mbrendëshme shpirtërore e punës së pashoqe që Dom Simon Jubani bëri për shoqërinë dhe popullin shqiptar. Edhe pse kurdoherë,…për guximin, idealizmin, atdhetarinë dhe qëndresën; ai për miqtë dhe popullin e thjeshtë… ishte një hero, …pat ndonjë keqdashës (edhe nga rradhët e kolegëve) që e etiketoj “i marri”…
Me kërkesën e popullit të Shkodres, me 4 nandor 2010, Bashkia e qytetit i akordoj titullin e shumë merituar – QYTETAR NDERI I SHKODRES – .
Dom Simoni vdiq në moshën 84 vjecare me 12 korrik 2011, duke na lënë pas një trashëgimi të pasur arritjesh nga puna e tij si dhe kujtimin e një figure të pashoqe simbol i vuajtjes dhe qëndresës nga terrori i diktaturës komuniste. Për kalvarin e vuajtjeve, sakrificat, vetmohimin e tij, për atdheun dhe kishën katolike, mendoj që ai duhet ti shtohet listës së martireve të kishës shqiptare.
LAVDI KUJTIMIT DHE VEPRES SE TIJ.

Ministri Gashi takon artistin shqiptar me famë botërore, Sislej Xhafa

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot në takim në kabinetin e tij, artistin e njohur Sislej Xhafa.

Në këtë takim, ministri Gashi shprehu mirënjohje për Xhafën dhe tha: “Jam i nderuar që sot pres në takim artistin e njohur Sislej Xhafa. Duke marrë pjesë në ekspozita dhe bienale të ndryshme ndërkombëtare, Xhafa e vendosi Kosovën në hartën ndërkombëtare të artit bashkëkohorë”.

Gjatë këtij takimi përveç tjerash u bisedua edhe rreth artit dhe arkitekturës së vendit tonë dhe rreth artistëve të vendit të cilët me punën e tyre kanë arritur suksese edhe jashtë vendit.

Ministri Gashi, në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për punën dhe aktivitetin e tij, gjatë këtij takimi i dhuroi Sislej Xhafës simbolin e “Hyjneshës në Fron”.

Ndërkaq, artisti Xhafa tha se ndihet i lumtur që ndodhet këtu. Ai falënderoi ministrin Gashi për pritjen e tij dhe theksoi se është i gatshëm që të bashkëpunojë edhe në të ardhmen./ KultPlus.com

“10 mijë buzëqeshje” për turistët e huaj në Shqipëri

Turistët e huaj që mbërritën në portin më të madh të vendit u pritën nga instalacioni “10 mijë buzëqeshje” i realizuar në kuadër të projektit “Smile Albania”, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.

Një pjesë e tyre u njohën me fletë-palosje dhe guida turistike, teksa niseshin për vizita drejt qyteteve historike të vendit tonë. Një projekt që ju la një ndjesi mjaft të këndshme turistëve.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi dhe kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, vizituan kroçerën “Gemini”, me të cilën mbërritën në port 699 turistë nga Turqia.

Klosi dhe Dako u pritën nga Drejtori i përgjithshëm Ekzekutiv i APD, Afrim Bakaj, i cili i njohu me disa nga ndryshimet pozitive në kalatën 5, ku ankorohen anijet e mëdha turistike.

Ministri Klosi vlerësoi përgatitjet në kuadër të projektit “Smile Albania”, një instalacion i të cilit është realizuar edhe në hyrje të Terminalit perëndimor.

Në mjediset e kroçerës “Gemini”, ministri Klosi dhe kryebashkiaku Dako u pritën nga kapiteni dhe drejtues të anijes, që vlerësuan veçanërisht mikpritjen në portin më të madh të vendit tonë, shkruan ata.

Klosi u njoh me itineraret e anijes turistike, duke kërkuar më shumë lundrime drejt porteve të vendit tonë. Ai shtoi se sitet turistike në disa nga qytetet historike po vizitohen nga mijëra turistë të huaj./ KultPlus.com

Laert Vasili, aktori më i mirë evropian për veprën e Kadaresë

Laert Vasili është vlerësuar me çmimin “Actor of Europe” në Festivalin Ndërkombëtar të teatrit “Actor of Europe”, i cili prej 16 viteve radhazi zhvillohet në zonën e Liqenit të Prespës, nën motivin “Liqenet pa kufij”.

Juria e festivalit në mënyrë unanime ka vlerësuar interpretimin e aktorit shqiptar duke e shpallur si më të mirin e këtij edicioni. Vasili interpretoi gjatë ditëve të festivalit pjesën Agamemnon Inferno bazuar në esenë “Përpara banjës” të Ismail Kadaresë. Ky është një çmim i rëndësishëm për botën e teatrit. Në të shkuarën me këtë çmim janë vlerësuar aktorë si Bruce Meyers, Rade Srebexhia etj.

Vasili dramatizoi tregimin e Kadaresë duke e interpretuar në skenë, për tu shndërruar në personazhin më të duartrokitur të festivalit. Tregimi “Përpara banjës” i Ismail Kadaresë, jep një vizion të ferrit të Agamemnonit që u gjend përsëri jashtë vaskës dhe u nis drejt saj, ashtu si miliona herët e tjera, për të përjetuar me ritme të ndryshme copëzën e fundit, gjithsej njëzet e dy sekonda, të jetës së tij. Ky është një tregim me gjetje nga më befasueset brenda vetëm dy faqeve të botuara për së pari në përmbledhjen e tij me tregime “Ëndrra mashtruese”.

”Një tregim, që më kishte bërë përshtypje dhe që mendoja se duhej nxjerrë në pah, për shkak se nuk e kishte marrë vëmendjen e lexuesit; kjo për një arsye të cilin kisha kohë që e sillja nëpër mend e që kishte të bënte me një lloj fenomeni: vepra monumentale të këtij autori marrin edhe vëmendjen që u takon krijimeve të tjera të të njëjtit autor (ku qarkullojnë motive të ngjashme dhe po ato personazhe), duke mos i lënë këto të fundit të bëjnë jetë të mëvetësishme. Kështu, diptiku “Vajza e Agamemnonit”, “Pasardhësi” mund të kenë ndikuar që jo të gjithë lexuesit shqiptarë të kenë parasysh tekstin “Përpara banjës”, por: Tre shkrimtarë francezë kanë shkruar në gjuhën e tyre tri tekste narrative remix (remiks)- rikrijime, interpretime, rikombinime, përshtatje të këtij teksti të Kadaresë, një ushtrim, një pastish, variacion i së njëjtës temë, zhanri, subjekti. Kjo është një mënyrë shpalimi e letërsisë, që kohët e fundit, po përdoret në letërsinë e përbotshme, por që në studimet tona nuk është e njohur. Pra, në bazë të një vepre të një shkrimtari, – të tjerë shkrimtarë bëjnë remiks.

Në këtë rast, kemi për bazë tregimin e një shkrimtari shqiptar, atë të Kadaresë, kurse remikset janë të tre shkrimtarëve francezë” shkruan Viola Isufaj. Laert Vasili është aktor e regjisor i njohur fitues i një sërë çmimesh ndërkombëtare i njohur për tërheqjen e tij ndaj antikitetit grek./ KultPlus.com

Krijimet e Zuhair Murad janë një masterklasë aristokrate

Modelja e famshme Alessandra Ambrosio hapi në Paris koleksionin Vjeshtë/Dimrit 2018/2019 të Zuhair Murad, duke shënuar herën e parë që ajo ka ecur për një kreator libanez.

37 vjeçarja ishte e para, në një veshje të zhytur në stilin Tudor, pelerinë dramatike e guximshme kombinuar me rrip të zi. Pëlhura e trashë, e zezë, ishte e qëndisur me motive ari, të kuqe dhe të bardhë me lule, duke i dhënë një ndjesi mbretërore. Pamja u kompletua me një diademë të vogël ari dhe çizme të shkurtra që përshtateshin mahnitshëm, shkruan revista Teuta./KultPlus.com