Tashmë ikur je

Poezi e shkruar nga Mikhail Lermontov.

Tashmë që larg, aq larg ke ikur,
Dhe u bënë vite që s’të shoh më.
Dhe shpresa ime ashtu është fikur,
Qëndroj i heshtur dhe nuk bëj zë.

Prita shumë vite duke u venitur,
Pres ende sot që s’jam më djalë.
Prita të zgjohem nga një ëndërr e fikur,
Por për mua dielli jo më s’do dalë.

Ti kurrë s’u ktheve o ëndrra ime,
Unë thjesht imazhe kam parë, e parë.
E nëse vjen ashtu papritur,
As s’kam për të qeshur,
As kam për të qarë.

Të gjitha sjelljet e “çuditshme” që ju shoqërojnë kur shkoni mik në një familje shqiptare

Në ditët e sotme sikur është zbehur paksa në familjet shqiptare zakoni për t’i shkuar për vizitë kushërinjëve, të afërmve apo qoftë edhe të njohurve.

Sot mjafton t’i marrësh në telefon, dhe të vendosni në cilin lokal do ta pini kafen.

Gjithsesi, disa zakone ne shqiptarët nuk i ndryshojmë pavarësisht modernizimit. Dhe kjo nuk ka asgjë të keqe në fakt, pasi është pjesë e traditave tona.

Me siguri ju që po e lexoni këtë artikulli keni qenë mbi 10 herë për vizitë në shtëpinë e një të afërmi tuaj, duke shoqëruar mamin ose babain.

Ndonjëherë ndoshta jeni vënë në siklet, pasi lutjet e zonjës së shtëpisë për të ngrënë e për të pirë kanë qenë të vazhdueshme.

Gjithsesi, përveç lutjeve, më poshtë mund të lexoni se çfarë ndodh kur shkon mysafir në një familje shqiptare.

1-Qerasje me çdo gjë

Ne shqiptarët, mbahemi për njerëz mikëpritës. Mund të jemi të varfër, por ama çfarë kemi në shtëpi kur na vjen dikush mysafir, e vendosim mbi tavolinë.

2-Lutjet e vazhdueshme për të ngrënë

Edhe nëse ke shkuar thjesht për vizitë, e zonja dhe i zoti i shtëpisë të luten gjithmonë për të ngrënë.

3-Nuk të lënë të ikësh edhe pse ke qëndruar 5 orë

Sa herë që ti tenton të ikësh ata do të të luten që të qëndrosh më shumë.

4-Babi thotë gjithmonë sille edhe atë gjënë që ju nuk e keni në shtëpi

Babai duke mos ditur se çfarë ka apo jo në shtëpi, thotë gjithmonë sille edhe atë, për shembull amareta. Nga ana tjetër mami bën me shenjë që nuk ka amareta.

5-Dikush ikën gjithmonë në dyqan për të blerë pije

Përpara se të vijnë mysafirët, gjithmonë dikush nga familja shkon në dyqan për të blerë pije.

6-Mysafiri nëse shoqërohet nga mamaja, ajo ia bën me shenjë që të mos hajë shumë

Kalojmë tek sjellja e mysafirit. Nëse je natyrë pa komplekse, ha çfarë të ofrohet, dhe nga ana tjetër mami ta bën me shenjë që të mos i hash të gjitha. (Mami: I ke të gjitha në shtëpinë tënde)

7-Kur të ofrojnë ndonjë karamele, të thonë “Mos ma kthe, se më kthehet fati”

Që të mos i kthesh gjërat që të urojnë, të vënë në sedër se mund t’i kthehet fati, nëse refuzon.

8-Edhe pse kë ngrënë çdo gjë dhe mezi po lëviz, i zoti i shtëpisë të thotë “Asgjë nuk hëngre, s’të pëlqeu më duket”

Pasi ha drekë ose darkë, dhe nuk mund të lëvizësh pasi ke konsumuar çdo gjë në tavolinë, ia pret i zoti i shtëpisë “Asgjë nuk hëngre, s’të pëlqeu më duket”.

9-Të lusin që të flësh aty

Nëse je për darkë, të lusin të flesh aty, të thonë “Kemi vend sa të duash”.

10-Kur bën ndonjë tentativë për të ikur, të thonë “ti shyqyr që na erdhe, do të ikësh”

Një shqiptar nuk të lë të ikësh nga shtëpia kur i ke shkuar mysafir pas një mungese të gjatë. /Class

Lovro Peretiq sërish e dërgon në Kroaci çmimin “Ehat Musa”

Maratona katërditore e koncerteve nga kitaristë të njohur botërorë dhe ajo e garës për çmimin e kitaristit më të mirë, është përmbyllur me shpalljen e fituesve.

Edicioni i katërt i Festivalit Ndërkombëtar të Kitarës në Pejë përfundoi të dielën mbrëma në teatrin e qytetit “Istref Begolli”.

Shtatë kitaristë kishin garuar për çmimin kryesor të festivalit, prej të cilëve katër kanë qenë nga Kroacia dhe tre të tjerët nga Tajlanda, Belgjika dhe Holanda. Çmimi kryesor i festivalit, që mban emrin e kitaristit të famshëm pejan, Ehat Musa, shkoi në Kroaci, sikurse edhe tri edicionet e kaluara.

Juria e përbërë nga kitaristë të nivelit botërorë, disa prej të cilëve kanë qenë edhe pedagogë në masterklasat e mbajtura si dhe koncertistë − Alejandro Cordova nga Meksika, Margarita Escarpa nga Spanja, Ehat Musa, Petrit Çeku, Thomas Offermann, Pia Gazarek Offermann dhe Julia e Christian Zielniski nga Gjermania, Monika Kranjc-Stih nga Sllovenia dhe Drilon Çoçaj nga Kosova − vlerësuan si më të mirin kitaristin 23-vjeçar nga Zagrebi, Lovro Peretiq.

Herën e parë ai kishte garuar në edicionin e parë të festivalit, kur kishte zënë vendin e dytë, ndërsa tash ai kthehet në vendin e vet jo vetëm me titullin e më të mirit dhe me një mijë euro shpërblim. Çmimi kryesor atij i ka sjellë si dhuratë edhe një kitarë klasike në vlerë prej 4 mijë e 500 eurosh, të punuar nga mjeshtri italian, Luka Milani, i cili edhe ia dhuroi kitarën personalisht, shkruan sot “Koha Ditore”.

Çmimin e dytë e mori Chuaei Leen nga Tajlanda e të tretin Vanesa Iliçiq po ashtu nga Kroacia./ KultPlus.com

Fotografitë e Dua Lipës shfaqen në sheshin e famshëm të New Yorkut (FOTO)

Dua Lipa, ylli botëror që po mahnit me zërin e saj, po pushton tashmë shumë vende të botës, ku po pritet nga mijëra fansa, shkruan KultPlus.

Imazhi i saj kësaj herë është prezantuar nga YouTube në sheshin e famshëm të New Yorkut, Time Square. Qytetarë të shumtë e vizitorë të cilët kalojnë në këtë pjesë tashmë shohin katër fotografi të yllit botëror me prejardhje nga Kosova.

Dua Lipa pritet që gjatë muajit gusht të performoj për herë të dytë në Prishtinë, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar “Sunny Hill” që do të mbledh emra të njohur të muzikës vendore e asaj ndërkombëtare./ KultPlus.com

“Kësulat” shpërblehet me çmimin “Best Documentary Feature” në HIMPFF

“Kësulat”, filmi me regji të Alan M.Troë e skenar të Jimi Tihofsit është shpërblyer me çmimin “Best Documentary Feature” në Hollywood International Moving Pictures Film Festival, kurse aktori Beilim Muçaj ka marrë çmimin si “Aktori më i mirë”, shkruan KultPlus.

Ky film është realizuar në Kosovë, në komunën e Podujevës, në fshatrat Pollog dhe Dumnicë kurse postproduksioni është bërë në Angli me bashkëpunim mes ekipit shqiptar dhe atij anglez. Në këtë film pasqyrohet jeta e dy familjeve, shqiptare dhe asaj serbe, të cilat njihen prej kohësh dhe kanë fqinjësi të denjë, në një fshat Kosove. Lufta e vitit 1999 bëhet shkas i ndarjes së tyre.

Kasta e aktorëve përbëhet nga Selman Jusufi, Bislim Muçaj, Meli Qena, May-Linda Kosumoviç, Ismail Kasumi, Fatime Sefaj, Labinot Raçi. Edhe skenaristi Tihovsi ka një rol.

Festivali Hollywood International Moving ka për mision të përkrah filmbërësit, ta njoh punën e tyre dhe t’i shpërblej ata që të jenë të inspiruar që të vazhdojnë të tregojnë storje të mrekullueshme./ KultPlus.com

Ekspozitë fotografike në Parkun e Divjakës me faunën shqiptare

Fundjava e gjeti Parkun Kombëtar të Divjakës jo vetëm me një numër të madh vizitorësh, por edhe me një aktivitet të veçantë promovues.

Në ambientet e Qendrës së Pritjes së Vizitorëve, u çel ekspozita fotografike me faunën shqiptare në përgjithësi dhe atë të zonës së Divjakës në veçanti.

Kafshët dhe shpendët të fotografuar në habitatet e tyre, u sollën përmes fotografisë nga persona të profesioneve të ndryshme, por që kanë pasion fotografinë.

Qëllimi i kësaj ekspozite në Parkun e Divjakës, ishte promovimi dhe mbrojtja e faunës në trojet shqiptare.

Pjesëmarrës ishin dhe Aurora dhe Liridani nga Kosova. Kafshët dhe shpendët e egër të fotografuar në habitatet e tyre. “Nuk ka qenë e lehtë të kapje momentin e duhur, por në fund ia ka vlejtur”, u shprehën ata. 40 fotot më të mira u ekspozuan në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, për të promovuar faunën e trojeve shqiptare. Foto të shkrepura në pyjet e Kosovës dhe të Shqipërisë.

Pelikani kaçurrel, simbol i lagunës së Karavastasë, por edhe specia më e rrezikuar për zhdukje është sjellë e fotografuar nga biologu Taulant Bino. Betonizimin e parkut dhe urbanizimin e zonave bregdetare, Bino e sheh si një ngjarje të afërt, ndaj kjo ekspozitë sjell një mesazh të veçantë, ruajtjen e ekosistemit natyror, pa të cilin nuk do të kishte jetë në planetin Tokë.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta numëron 250 specie të shpendëve dhe është një nga zonat me numrin më të madh të tyre në Shqipëri. Fotografitë në këtë park dolën për herë të parë, kurse javën e ardhshme ato do të ekspozohen në Tiranë dhe në Kosovë./ KultPlus.com

Eleni Foureira e gatshme të bashkëpunojë me këngëtarë shqiptarë

Këngëtarja me origjinë shqiptare Eleni Foureira e cila prej vitesh zhvillon karrierën në Greqi, në festivalin e fundit të muzikës Eurovision përfaqësoi Qipron, ku dhe foli për origjinën e saj shqiptare.

Këngëtarja 31-vjeçare ka lindur në Fier, ndërkohë që në vitin 1997, prindërit e saj emigruan drejt Greqisë, ku ajo u rrit dhe zhvilloi karrierën e saj.

Së fundmi ajo ka folur për emisionin “Jo vetëm modë”, ku ka zbuluar pse ka qëndruar larg muzikës shqiptare.

Ajo tha se nuk ka ndonjë arsye që e ka mbajtur larg muzikës shqiptare, thjesht ka shkuar në Greqi në një moshë shumë të vogël.

“Këtu në Greqi nisa të këndoj dhe këtu kam tashmë një karrierë. Kam qenë e gatshme dhe kam ardhur në Shqipëri sa herë jam thirrur për ndonjë koncert apo për të dhënë ndonjë intervistë”, ka thënë Foureira.

Ajo ka treguar se një vit më parë ka qenë në Tiranë dhe i është dukur shumë mirë, ndërsa ka shprehur dëshirën për të bashkëpunuar me këngëtarë shqiptarë.

Eleni ka treguar se është detyruar të fshehë identitetin e saj në Greqi, për të parandaluar sulmet raciste ndaj saj./ KultPlus.com

Rama: Teatri s’është pronë e aktorëve, vendos qeveria

Mbrëmjen e djeshme në një organizim ku ka marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama është përuruar “Turbina”, një hapësirë e re për teatrin, artin, kulturën me kushte optimale e teknologji të fjalës së fundit në Tiranë.

“Kjo skenë e re është një infrastrukturë e re për artin që nga cilësia e kushteve fare mirë mund të ishte në Paris, Londër apo Milano”, u shpreh Rama.

Kryeministri Rama tha se kjo godinë do të ketë dy salla, por nuk u ndal gjatë tek përshkrimi i kësaj strehe të re për artin, por tek akuzat që janë bërë nga opozita për projektin e qeverisë për “Rilindjen e Artit”.

“Ky është një rast i mirë për t’i vënë disa pika mbi I, ndërkohë që peripecitë tona për rilindjen e kulturës zhvillohen në një kolonë të çjerrët zanore të disave që paralelisht kanë çelur pajtimin për ardhjen e fundit të botës kulturore”, tha Rama duke iu drejtuar kritikëve për Teatrin Kombëtar dhe rivalëve të tij politikë.

Sipas Ramës kundërshtarët e tij “ngrenë volumin e pajtimit për të zezën që gjeti Teatrin dhe artin”, por nuk duhet mohuar që qeveria i ka bërë disa gjëra në këtë drejtim.

“Disa gjëra që pa ne kurrë nuk do ishin bërë i kemi bërë që çke me të. Duan apo s’duan ata që nuk dinë çka duan. Në 25 vjet u zhdukën nga faqja e këtij dheu mbi 100 trashëgimi kulturore dhe 200 i kemi gjetur në gradën e fundit. 20 operacione shpëtimi po zhvillohen në të gjithë vendin dhe 76 kantiere të tjera janë gati të hapen. Do të donim t’i bënim përnjëherë, por mundësitë tona për shkak të borxheve të mëdhaja që duhet të shlyejmë s’na lejojnë shërimin e menjëhershëm të këtyre plagëve të së shkuarës”, deklaroi Rama.

Përsa i përket çështjes së Teatrit Kombëtar, Rama theksoi se “Shqipëria nuk e pati kurrë një godinë të denjë , sepse aksush përpara nesh nuk diti apo deshi të ndërmarrë një hap të tillë”.

Kreu i ekzekutivit në një farë mënyrë theksoi se nuk pranon kompromise dhe TK do të shembet, pasi për të vendosin të zgjedhurit e popullit dhe urbanistët dhe jo artistët që e cilësojnë si pronë të tyren.

“Një teatër publik nuk është prona private apo prona ekskluzive e aktorëve të momentit, por është mjedis për publikun dhe u takon vendimarrësve dhe specialistëve të fushës që të vendosin. Ndaj debati me aktorët dhe regjisorët është i domosdoshëm si të jetë më e mirë godina, por jo a duhet a s’duhet. Në rastin tonë godina e TK nuk është pjesë e trashëgimisë së njerëzimit”, tha Rama./ KultPlus.com

Pas Sarandave, do të nisen Vlorat e Kosovës, janë gjithsej 7 mijë me këtë emër

Pak muaj më parë 40 vajza dhe gra me emrin Saranda udhëtuan bashkë nga Kosova drejt qytetit me të njëjtën emër në jug të vendit. Udhëtimi ngjalli interes kudo nëpër Shqipëri, jo vetëm për idenë interesante, por edhe sepse emrat shqiptarë sa vijnë e po bëhen më të rrallë mes fëmijëve të sapolindur.

Duke marrë shkas nga pakësimi i emrave shqiptarë mes fëmijëve, shoqata Labëria ka organizuar një aktivitet ku mes të tjerëve ka qenë i pranishëm edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Gjatë takimit tha se është duke u organizuar një udhëtim mes këtyre grave dhe vajzave drejt qytetit që u ka dhënë emrin.

“Vetëm Kosova ka mbi 7000 vajza e gra të quajtura Vlora, që po punojmë të organizojmë një ekskursion në qytetin e Vlorës, siç realizuam me 50 vajza e gra me emrin Saranda që i çuam në Sarandë” u shpreh Minxhozi.

20 mësime jete nga poeti i njohur Khalil Gibran

I cilësuar si poeti i tretë më i lexuar në botë, pas Shekspirit dhe Laozit, Khalil Gibran është ende edhe sot një margaritar i çmuar i zemrave të pastra poetike që flasin fjalë frymëzuese për dashurinë, jetën dhe mirësjelljen.

Khalil Gibran është një poet, shkrimtar dhe artist libanez. I lindur në qytetin Bsharri në Veri të Libanit të ditëve të sotme, atëherë pjesë e Perandorisë Otomane, ai emigroi në Shtetet e Bashkuara, ku studioi art dhe filloi karrierën letrare. Në botën arabe, ai njihej si një rebel politik dhe i shkrimeve. Stili i tij romantik ishte zemra e rilindjes në letërsinë moderne arabike, sidomos proza poetike. Në Liban, ai njihet ende si një hero i letrave.

Libri “Profeti” i dha famën në botën anglishtfolëse. Ai është poeti i tretë më i shitur në botë pas Shekspirit dhe Laozit.

Mësime jete

1. Ji mirënjohës për kohët e vështira, ato të kanë treguar sesa i fortë mund të jesh. “Nga dhembja kanë dalë shpirtrat më të fortë, karakteret më të mëdha janë djegur nga plagët.”

2. Sjellja e mirë është virtyt i të fortit. “Sjellja e mirë dhe të qenët njerëzor, nuk janë shenjë e dobësisë dhe dëshpërimit, por manifestojnë fuqi dhe vendosmëri.”

3. Nuk ekziston e vërteta absolute. “Mos thuaj kam gjetur të vërtetën, por thuaj kam zbuluar një të vërtetë”, thotë Khalil Gibran. “Nuk e di të vërtetën absolute. Por jam i përulur përpara injorancës sime dhe aty qëndron nderi dhe vlerësimi im.”

4. Vetëm njerëzit e vegjël përpiqen të poshtërojnë dhe të ulin të tjerët. Kush nënvlerëson është vlerëpak.

5. E keqja që të bëjnë të tjerët, harrohet më lehtë se e keqja që u bën të tjerëve. Nëse dikush të lëndon, ti mund ta harrosh plagën, por kur ti lëndon dikë, do ta mbash mend gjithmonë.

6. Mund t’i harrosh njerëzit që të bënë të qeshësh, por nuk do t’i harrosh kurrë ata me të cilët qave, ata që të qëndruan pranë në orët më të vështira. “Zemrat që bashkohen në dhembje dhe brengë, nuk do të ndahen nga gëzimi dhe lumturia. Lidhjet që krijohen në trishtim, janë më të forta se ato të kënaqësisë dhe gëzimit. Dashuria që është larë nga lotët, mbetet gjithnjë e pastër dhe besnike.”

7. Gjërat e thjeshta në jetë janë ato më të jashtëzakonshmet. “Në ëmbëlsinë e miqësisë, gjendet e qeshura dhe ndarja e kënaqësisë.”

8. Dashuria është jetë. Dhe jeta është dashuri. “Kur dashuron, nuk duhet të thuash ‘Zoti është në zemrën time’, por ‘Unë jam në zemrën e Zotit’.”

9. Bëje punën me dashuri. “Puna është pamja që merr dashuria. Nëse nuk mund të punosh me dashuri, por vetëm me neveri, lëre punën dhe ulu në portën e një tempulli dhe merr mësime nga ata që punojnë me gëzim. Nëse e pjek bukën me shpërfillje, ti po pjek bukë të hidhur, që ushqen vetëm gjysmën e urisë së njeriut. “Ata më çmendin, sepse nuk i shes ditët e mia për para; dhe unë i çmend ata, sepse mendojnë se ditët e mia kanë një çmim.”

10. Për të kuptuar zemrën dhe mendjen e një personi, mos shiko vetëm çfarë ka arritur, shiko edhe se çfarë qëllimesh ka ai. Beso tek ëndrrat, aty gjendet porta e fshehur e përjetësisë.

11. Dashuria e vërtetë nuk mund të zotërohet. Për dashurinë, mjafton dashuria. Dhe mos mendo se mund të ndryshosh drejtimin e dashurisë, nëse dashuria të sheh si të vlefshëm, ajo e ndryshon drejtimin për te ti. Dashuria s’ka dëshirë tjetër veç të vetëpërmbushet.

12. Përballu me sjelljen e keqe në mënyrë të këndshme. “Testimi i vërtetë i sjelljeve të mira, është të jetë në gjendje të përballet sa më mirë me sjelljet e këqija.”

13. Dashuria bashkon gjithçka në harmoni perfekte. Një shprehje thotë: “Nëse një njeri e njeh veten, ai njeh të gjithë njerëzimin”, ndërsa Khalil Gibran thotë: “Nëse dikush e do njerëzimin, atëherë ai di diçka për veten”.

14. Gjithnjë shiko anën e ndritur të jetës. “Optimisti sheh trëndafilin, jo gjembat; pesimisti ua ngul sytë gjembave, harron trëndafilin.”

15. Ne nuk i shohim gjërat siç janë. Ne i shohim gjërat siç jemi ne. “Pamja e gjërave ndryshon sipas emocioneve; ne shohim gjëra të bukura dhe të magjishme te to, kur në fakt magjia dhe e bukura janë brenda nesh.”

16. Dashuria e vërtetë është produkt i tërheqjes shpirtërore. Është e gabuar të mendosh se dashuria vjen nga shoqëria e gjatë. Dashuria është produkt i tërheqjes shpirtërore dhe nëse kjo tërheqje nuk krijohet në çast, nuk do të krijohet edhe nëse kalojnë vite apo breza.

17. Lër hapësirë në marrëdhënien tënde. Kur je me dikë, lër hapësirë që të fryjë erë e re mes jush. Duajeni njëri-tjetrin, por mos e kufizoni dashurinë: lejoni që ndërmjet brigjeve të zemrave tuaja, të jetë një det i gjallëruar.

18. Nëse lutesh kur bie shi, sigurohu të lutesh edhe në ditë me diell. “Ti lutesh kur ke nevojë dhe je në tension, por do të ishte mirë të luteshe edhe në gëzimin më të madh dhe në ditët më të lumtura.”

19. Kur jepesh vetë, ai është çasti kur jepesh plotësisht. “Kur jep nga pasuria, ke dhënë pak. Kur jep nga vetja, atëherë ke dhënë vërtet.”

20. Bukuria e vërtetë vjen nga brenda. “Bukuria nuk është te fytyra; bukuria është një dritë në zemër.” / KultPlus.com

Xhaka tregon nëse do të bëj shqiponjën në ndeshjen me Suedinë

Të martën do të zhvillohet dueli i 1/8 së finales në Kampionatin Botëror, ku do të përballen Suedia dhe Zvicra.

Mesfushori shqiptar nuk ka dashur të përgjigjet nëse do të festonte me shqiponjë po të shënonte sërish, shkruan albinfo.ch.

Para takimit, nuk kanë munguar provokimet. Mbrojtësi suedez Lustig tha se dëshironte që Granit Xhaka të largohej nga fusha me karton të kuq, ndërsa nuk vonoi dhe përgjigja e mesfushorit nga Kosova. “Nuk është ndeshja ime e parë dhe provokimet janë të zakonshme në duele si këto. Kam mësuar nga gabimet e së kaluarës”, është shprehur Xhaka.

Në konferencën për media, Xhaka është pyetur nëse do të festonte sërish me shqiponjë në rast të një goli eventual, por mesfushori i Arsenalit dribloi gjithçka.
Federata e Futbollit të Zvicrës nëpërmjet një përfaqësuesi të saj ndërhyri më pas në konferencën e shtypit duke thënë se do të lejoheshin vetëm pyetje në lidhje me ndeshjen.

Futbollisti shqiptar është pyetur edhe për penalltinë e humbur në Evropianin e kaluar ndaj Polonisë.

“Mund të fle normalisht edhe duke menduar këtë. Do të synojmë të mbyllim ndeshjen brenda 90 minutave por nëse çështja e kualifikimit do të vendoset me 11-metërsha, do jem nga të parët që do të marr përgjegjësinë, gjithmonë nëse ma lejon trajneri”, u shpreh futbollisti shqiptar. / KultPlus.com

Një park evropian së shpejti në Prishtinë, Shpend Ahmeti publikon pamjet (VIDEO)

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka publikuar pamjet të njërit prej parqeve që pritet të bëhet në kryeqytet.

“Parku ne Matiqan, sot është publikuar për tenderim. Ofertat hapen me 20 korrik. Sivjet parku i dyte i madh qe do te filloje ndërtimin”, ka shkruar ai në “Facebook”. / KultPlus.com

Fotografi të antropologut austriak që tregojnë Shqipërinë paskomuniste ekspozohen në shtëpinë e Kadaresë

Fotografi, antropologu e albanologu austriak Robert Pichler ka hapur ekspozitë në shtëpinë e Ismail Kadares në Gjirokastër ku ka ekspozuar fotografi të bëra në fillimin e viteve në ‘90 kohë kur sapo ishte përmbysur regjimi komunist dhe tranzicioni reflektonte një kaos social gjithandej.

Gjirokastra, Kurveleshi, fshatrat e bregdetit, zona e Çorraj janë fotografuar gjatë asaj kohe nga Pichler që atëherë sapo kishte përfunduar studimet.
Ai e vizitoi Shqipërinë për herë të parë në vitin 1989 kur ishte ende student.

“Shumë shenja janë të lidhura me kohën e komunizmit, veshja por edhe mentaliteti. Situata ekonomike ka qenë një katastrofë por nga ana tjetër njerëzit ishin shumë kureshtarë. Unë kam marrë pjesë në një pajtim gjaku, ky ka qenë një ritual për mua shumë i veçantë”, ka thënë Robert Pichler.

Në Gjirokastër ekspozita përcolli surpriza dhe emocione të veçanta pasi shumë vizitor panë të afërmit e tyre në foto që tashmë nuk jetojnë. / KultPlus.com

Ka filluar kampi ‘Mbijetesa në natyrë’ (FOTO)

Ka filluar kampi ‘Mbijetesa në natyrë’ me 40 të rinjë nga e gjithë Kosova, të cilët për një javë do të qëndrojnë në Qendrën Rekreative të Gërmisë, ku përmes aktiviteteve të ndryshme socializuese dhe edukative do të zhvillojnë shkathtësitë e tyre të mbijetesës në natyrë, të komunikimit dhe bashkëpunimit, poashtu dhe do të implementojnë projekte të punës vullnetare në një shkollë publike të Kosovës, përcjellë KultPlus.

Përmes punës dhe projekteve të tyre vullnetare, këta të rijnë synojnë të përmirësojnë hapësirat publike në shkollat publike të Kosovës dhe të kontribuojnë në përmirësimin e shoqërisë përmes qytetarisë aktive.

Kampi “Mbijetesa në natyrë” organizohet nga Organizata Kosovare për Talent dhe Arsim – TOKA dhe ka për qëllim të zhvilloj te të rinjtë pjesëmarrës kompetencat e parapara me Kornizën e re Kurrikulare të Kosovës, poashtu synon të promovoj vullnetarizmin edukativ në Kosovë si dhe të nxisë qytetarinë aktive përmes punës vullnetare.

Ky kamp financohet nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Kampi poashtu përkrahet nga organizata mjedisore ËËF Adria dhe Komuna e Prishtinës.

Kampi do të mbahet gjatë javës 1 deri më 7 korrik. Për informata shtesë, ju lutem kontaktoni Leon Gojanin: 045/540-670 | [email protected] / KultPlus.com

Bëhet hapja e teatrit “Turbina” (LIVE)

Me anë të një postimi në Facebook, kryeministri Edi Rama bën me dije se është hapur salla e re e teatrit “Turbina”.

Ky është një tjetër investim i qeverisë për artisët e dashamirët e Teatrit, Baletit, Muzikës e Arteve Pamore.

“Ngrihet sipari i Arturbinës, një hapësirë e re për teatrin, artin, kulturën me kushte optimale e teknologji të fjalës së fundit”, ka shkruar Rama në facebook. / KultPlus.com

“1000 buzëqeshje për turistët e huaj” në portin e Durrësit (FOTO)

Një pikë informacioni për udhëtarët e kroçerave dhe jahteve do të funksionojë gjatë gjithë sezonit turistik në portin e Durrësit.

Gjithçka është instaluar në sheshin pranë Drejtorisë Ekzekutive të Autoritetit Portual Durrës (APD), në kuadër të një projekti që mbështetet nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Bashkë me Info-point turistik, një instalacion me çadra shumëngjyrëshe do t’i urojë simbolikisht mirëseardhjen me “1000 buzëqeshje për turistët e huaj”, që zgjedhin të vizitojnë Durrësin dhe qytetet historikë të vendit. / KultPlus.com



Elvana, Ledri dhe John Shahu publikojnë bashkëpunimin e shumëpritur (VIDEO)

Elvana Gjata në bashkëpunim me Ledri Vulën dhe John Shahun kanë publikuar këngën e titulluar “Mike”.

Kënga është prodhuar nga Arbre Blass, e për tekstin janë përkujdesur vetë këngëtarët. Për videoklipin e këngës janë përkujdesur Supercut Studio.

Kjo këngë është ndër bashkëpunim më të pritura për këtë verë dhe pritet që të jetë hiti i kësaj vere. / KultPlus.com

Sunny Hill fillon me shitjen e biletave grupore, me çmime të reja dhe atraktive

Festivali më i madh i muzikës këtë vit, Sunny Hill vjen me llojin e ri të biletave, me çmim edhe më atraktiv sesa biletat individuale. Të gjitha llojet e biletave mundësojnë hyrje për tre net të festivalit.

Ngjarja më e madhe e muzikës këtë vit, Sunny Hill Festival, i cili do të sjell disa nga emrat më të mëdhenj të muzikës botërore aktualisht, sot ka njoftuar se ka filluar edhe me shitjen e biletave grupore.

Biletat grupore për festival nënkuptojnë blerjen e biletave për 3+ persona. Më saktë, për grupe prej 3 deri në 5 persona, bileta për një person kushton 45 euro për tre netë rresht (mesatarisht 15 euro për natë), ndërsa për grupe prej 6 personave e më shumë, bileta për një person kushton vetëm 40 euro (mesatarisht 13 euro për natë), e cila poashtu përfshin hyrjen për të gjitha netët e festivalit.

“Duke parë interesimin e madh të audiencës së huaj për Sunny Hill, ne kemi dashur që të krijojmë mundësi të reja për pjesëmarrje grupore në festival edhe për të rinjtë tanë, të cilët do të kursejnë në çmim sa herë që ata bëhen bashkë për të blerë cilindo nga opsionet e biletave grupore të festivalit. Së shpejti do të dalim edhe me biletat familjare, për t’ia mundësuar prindërve që festivalin ta përjetojnë së bashku me fëmijtë e tyre” thuhet në njoftimin zyrtar të Sunny Hill.

“Bazuar në emrat e artistëve që do të performojnë në Sunny Hill, ne jemi festivali me çmimet më të ulëta në Evropën Juglindore, dhe gjithë kjo, për t’ia përshtatur platformën tonë mundësive të tregut lokal, përkundër kërkesës që po vjen nga të rinjtë e shumtë nga vendet e ndryshme evropiane, të cilët do të jenë pjesë e Sunny Hill këtë vit”.

Përveç Dua Lipës, në Sunny Hill Festival do të performojnë edhe ACTION BRONSON, DJ #1 në botë për momentin, Stanaj, SG Lewis, Col3trane, Grace Carter, Bondax, si dhe artistët më të mirë shqiptar, sikurse Ledri Vula, MC Kresha, Lyrical Son, Dafina Zeqiri, Gjiko, Lumi B, Buta, Kidda, Oda, Jericho, Gamblemania, Asgjë Sikur Dielli, Genc Salihu, Shpat Deda, Dren Abazi dhe Zig Zag Orchestra, Gon & Sonik, Rrrron dhe Ylli Megi.

Sunny Hill Festival, do të mbahet nga datat 10-11-12 Gusht, në parkun kombëtar të Gërmisë. Për t’i parë llojet e reja të biletave apo për më shumë informata, vizitoni: www.sunnyhillfestival.com

Dafina Zeqiri sjellë këngën “Fuego” (VIDEO)

Këngëtarja Dafina Zeqiri sapo ka bërë publike këngën e saj të re “Fuego” të cilën ka më shumë se dy javë që e ka paralajmëruar.

Kënga duket të jetë mjaft ritmike. Videoklipi i këngës është drejtuar nga Off Jimmer, përderisa për tekstin e këngës janë përkujdesur Lumi B, Arber Gjikolli, Dafina Zeqiri. Poashtu edhe muzika është krijuar nga vet Dafina, ndërsa videoklipi në përgjithësi ka stil shumë verorë.

Kjo këngë nga Dafina ka ardhur gjashtë muaj pas publikimit të këngës “Ti e din” që ka shënuar njëherë edhe rikthimin e saj në estradën shqiptare pas disa përpjekjeve të vazhdueshme për të depërtuar në tregun ndërkombëtar. / KultPlus.com

Shprehjet më të bukura nga Kafka, Nietzche, Hygo dhe Marquez

Friedrich Nietzsche, “Përtej së mirës dhe së keqes”

“Është çnjerëzore të bekosh atje ku dikush mallkon.”

“Në lavdërim ka më shumë shkelje se në qortim.”

“Krishtërimi i dha helm për të pirë Erosit; ky nuk vdiq, por u kthye në ves.”

“(Për çdo parti) Një bari ka gjithmonë nevojë për një dele. Në të kundërt, do t’i duhet atij të bëhet vetë delja.”

“Të flasësh shumë për vetveten mund të jetë edhe një mënyrë për t’u fshehur.

Ku është pema e dijes, aty është gjithmonë parajsa.”

“Ajo që bëhet nga dashuria ndodh gjithmonë përtej së mirës dhe së keqes.”

“Ndjenja e tragjedisë shtohet dhe pakësohet me sensualizmin.”

“Marrëzia është diçka e rrallë te njerëzit e veçantë, ndërsa tek grupet, partitë, popujt dhe epokat ajo është rregull.”

“Femra e mirë dhe femra e përdalë do dru.”

“Pjesa e poshtme e trupit bën që qenia njerëzore të mos merret aq lehtë për Perëndi.”

“Fjalia më me cipë që kam dëgjuar: Te dashuria e vërtetë është shpirti që përqafon trupin.”

“Edhe bashkëjetesa pa kurorë u shthur… nga martesa.”

“Në sajë të muzikës, pasionet kënaqen me vetveten.”

“Nuk ka dukuri morale, por vetëm një shpjegim moral të dukurive.”

“I vura veshin jehonës dhe dëgjova lavdërime.”

“Në kushte paqeje, njeriu i luftës vërsulet kundër vetvetes.”

Franz Kafka

“Libri duhet të jetë shpata për detin e ngrirë që kemi brenda vetes.”
(Në një letër për Oskar Pollak 1904)

“Ka një sasi të pafundme shprese në univers, por jo për ne.”
(Në një letër për Milena Jesenska, 1920)

“Disa mohojnë ekzistencën e mizeries, duke treguar diellin. Ai mohon ekzistencën e diellit duke treguar mizerien.”
(Ditari)

“Gëzimi i jetës rridhte me aq pasion të zjarrtë nga gryka e tij, sa për spektatorët nuk ishte e lehtë ta përballonin tronditjen që shkaktonte.”
(Nga historia e shkurtër “Artisti i uritur”)

“Qëndro në tavolinën tënde dhe dëgjo. Madje, as mos dëgjo, vetëm prit. As mos prit, qëndro plotësisht i palëvizur dhe vetëm. Bota do të prezantojë veten e saj pa maskë, nuk do mund të bëjë gjë tjetër, ajo do të përpëlitet në ekstazë në këmbët e tua.”
(Procesi)

“Mos e përkul, mos e zbut, mos u përpiq ta bësh të logjikojë, mos e ndrysho shpirtin tënd në përputhje me modën. Përkundrazi, ndiq obsesionet e tua më të fuqishme, pa mëshirë.”
(Nga parathënia e librit me historitë e shkurtra të Franz Kafkës, shkruar nga Anne Rice.)

French poet, novelist and dramatist Victor Marie Hugo is shown in this undated photo. Hugo was born on May 22, 1802 in Besancon, France, and died in 1885 in Paris. (AP Photo)

Victor Hygo

“Pothuajse të gjitha dëshirat tona kur analizohen mirë, përmbajnë diçka tejet të turpshme.”

“Lutja është një pohim madhështor i padijës.”

“Lëvduar qoftë Perëndia që ia dha secilit lodrën e tij: kukullën fëmijës, fëmijën gruas, gruan burrit, dhe burrin qoftëlargut!”

“Dikush nganjëherë thotë: ‘Ai vrau veten se i ishte mërzitur jeta.’ Në fakt duhet të thotë: ‘Ai vrau veten se ishte mërzitur nga mungesa e jetës.”

“Inteligjenca është grua, fantazia është mëseusja e saj, kujtesa është shërbyesja.”

“Kureshtja është një nga format e zotësisë femërore.”

“Të mosbërit asgjë është lumturi për fëmijët dhe mjerim për pleqtë.”

Gabriel Garcia Marquez

“Asnjëherë mos rresht së qeshuri, as kur je i/e merzitur, dikush mund të bjerë në dashuri më të qeshurën tënde.”

“Ti mund të jesh thjesht një njeri më shumë në këtë botë, por për dikë, je vetë bota.”

“Vjen gjithmonë mëngjesi dhe jeta na jep prapë mundësinë t’i bëjmë gjërat si duhet.”

“Ndoshta Zoti do që ti të takosh disa njerëz të gabuar përpara se të takosh të duhurin, kështu që t’i jesh mirënjohës.”

“Mos qaj sepse i erdhi fundi. Buzëqesh sepse ndodhi.”/ filozofia.al

Kurrgjë s’përsëritet

Poezi nga Wislawa Szymborska, përktheu Edon Qesari.

Kurrgjë s’përsëritet,
as ka për t’u përsëritur.
Ja pse lindim pa përvojë,
vdesim pa varësì.

Qoftë dhe nxënësit më të trashë
të shkollës më të largët
s’i vënë të përsërisin
stinët e së kaluarës.

S’ka ditë që kthehet pas,
kurrë dy net të njëjta, s’ka,
as dy puthje s’përngjajnë,
as dy vështrime krejt njësoj.

Dje, kur emrin tënd
dikush shqiptoi,
m’u bë sikur një trëndafil
çeli mbi kalldrëm.

Sot, që jemi bashkë,
tjetërkund hodha sytë.
Trëndafil? Ç’të jetë vallë?
Mbase gurë, a mbase lule?

Ngaqë ti, orë e ligë,
ngre veç pyetje, ke dhe frikë.
Je – ndaj lypet të shkosh.
Do shkosh – ja bukuria.

Do ta gjejmë një mes të artë,
buzëqeshur, të përqafuar,
dhe pse jemi të ndryshëm
si dy pika uji./KultPlus.com

Bebe Rexha së shpejti sjellë videoklipin e këngës “I’m A Mess”

Bebe Rexha i është përveshur punës për të sjellë videoklipin për këngën “I’m A Mess”, shkruan KultPlus.

Këngëtarja shqiptare Bebe Rexha ka vendosur që këngës “I’m A Mess” t’i realizojë edhe videoklip.

Ajo përmes një postimi në instagram ka ndarë me miqtë e saj një foto gjatë realizimit të videoklipit duke mos treguar më shumë detaje.

I’m a mess. I’m a loser. I’m a hater. I’m a user. #ImAMess #MusicVideo

A post shared by Bebe Rexha (@beberexha) on

Kënga “I’m A Mess” deri tani ka arritur mbi 22 milion klikime në YouTube dhe është pjesë e këngëve të albumit “Expectations”./KultPlus.com

Ekspozita për konservimin e BKK-së hapi Festivalin e Arkitekturës (FOTO)

Gili Hoxhaj

Sot është bërë hapja e Festivalit të Arkitekturës në Kosovë që cilësohet si eventi më i madh i arkitekturës në vend. Në kuadër të hapjes së këtij festivali është bërë edhe hapja e ekspozitës mbi konservimin e Bibliotekës Kombëtare, shkruan KultPlus.

Përgjatë dy javëve të para të korrikut në Prishtinë do të mbahen 12 ligjërata, 6 punëtori, 5 shfaqje të filmave, 1 ekspozitë, 2 promovime të librave, 1 debat dhe 1 sallon i librit, të gjitha këto në kuadër të Festivalit të Arkitekturës në Kosovë që këtë vit vjen me temën “Witten Architecture” – “Arkitektura e Shkruar”. Ky festival i cili do të zgjat tre muaj do të vazhdoj rrjedhën e tij edhe përgjatë muajit gusht dhe shtator me 2 ekspozita të tjera, 2 punëtori dhe 3 ligjërata.

Sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës erdhi ekspozita e cila përfshinte rreth dhjetë punime e për planin e konservimit për menaxhimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani, të hartuar nga Fondacioni Kosovar të Arkitekturës (KAF), ndërsa i mbështetur nga fondacioni prestigjioz amerikan “Getty Foundation”.

Ndërtesa e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës njihet për historinë e saj unike ndërsa stili i ndërtesës është i dizajnuar nga arkitekti kroat Andrija Mutnjakovi. Në këtë ekspozitë vijnë edhe disa fotografi të arkitektit Mutnjakovic menjëherë pas përfundimit të bibliotekës dhe pak më larg vizitorët mund të shihnin dhe një dokumentar që paraqet një intervistë të realizuar me arkitektin Mutnjakovic, po ashtu në një skaj të hollit të Bibliotekës është i vendosur edhe dokumentari tjetër 20-minutësh përfshin procesin e punës në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Drejtori i Festivalit, Bekim Ramku falënderoi stafin e Bibliotekës Kombëtare për mbështetjen dhe gjithë ata që kanë ndihmuar në realizimin e planit për konservimin dhe menaxhimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

“Kemi qenë shumë me fat që e kemi fituar grantin e Getty Foundation që është më prestigjiozi që jep fonte për arkitekturën moderne. Një pjesë e madhe e fotografive janë të bërë nga arkitekti i njohur Mutnjakovic menjëherë pas përfundimit të bibliotekës dhe disa vizatime nga Fondacioni Kosovar i Arkitekturës”, u shpreh Ramku sot gjatë ceremonisë hapëse të festivalit dhe ekspozitës.

Përfaqësues i Getty Foundation, Antoine Wilmering tha se ndihet i nderuar që erdhi sot ndërsa theksoi se ndërtesa e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës është thesar për vendin.

“Kur sheh kupolat, sheh një ndërtesë moderniste. Kjo ndërtesë është e mahnitshme dhe jam tejet i kënaqur që jam këtu. Bekim dhe drejtor Gajraku urime për hapin që e keni ndërmarr në konservimin e bibliotekës dhe pas këtij hapi keni edhe shumë për të bërë dhe gjithçka fillon me hapin e parë kështu që urime dhe faleminderit që më ftuat”, u shpreh Wilmering.


Drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku u shpreh se objekti i Bibliotekës Kombëtare është një nga arritjet më kurorëzuese të arkitekturës moderne të Kosovës që ka ardhur për të plotësuar idealet e lirisë së Kosovës, për kulturën e leximit, edukimit dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të shkruar dhe të shtypur dhe të regjistruar.
“Me anë këtij projekti të përkrahur nga fondacioni prestigjin Getty Fondation dhe realizuar Fondacioni i Arkitekturës së Kosovës nën drejtimin e Bekim Ramku që ka punuar bashkë me një grup të përzgjedhur të arkitektëve, inxhinierëve, ekspertëve të dokumentimit, historianëve të arteve dhe me punëtorët e Bibliotekës Kombëtare e që kanë bërë ç ‘është e mundu për të vëzhguar , ekzaminuar këtë hapësirë të Bibliotekës”, u shpreh Gajraku.

Gajraku tha se ndihet i nderuar që në këtë ceremoni ishte edhe Antoine Wilmering, të cilin e kishte takuar më parë në Londër ndërsa e kishte ndjerë përkushtimin e tij për ta përkrahur këtë plan. Ai shtoi se ky plan ka arritur që ta kthej Bibliotekën Kombëtare në listën prioriteteve të Qeverisë së Kosovës, veçanërisht të MKRS-së.

“Unë kam kuptuar peshën time të përgjegjësisë për këtë projekt shumë më shumë pas një trajnimi dhe prezantimi të këtij plani në Londër ku kam dëgjuar se si flisnin me dije e dashuri për projektet e vjetra e flisnin edhe objektin e Bibliotekës Kombëtare si të ishte objekt i vendit të tyre. Ky plan jo vetëm që ka arritur vëmendjen e publikut por edhe ka prioritizuar Bibliotekën Kombëtare të Kosovës të Qeveria e Kosovës, veçanërisht te Ministria e Kulturës jo vetëm për ta filluar procesin e renovimit por edhe atë të konservimit”, u shpreh Gajraku sot.

Në mbrëmje me fillim prej orës 19:00 fillon cikli i ligjëratave të hapura për publikun në ambientet e Kino Armatës, me ligjëratat e Valentin Kunik, Guillame de Morsie, Ibai Rigby dhe Charlotte Malterre-Barthes./ KultPlus.com