Comoedia: Berlinezet e të gjitha moshave ishin të çmendura pas Aleksandër Moisiut

Nga Aurenc Bebja

Gazeta kulturore franceze, “Comoedia”, ka botuar, të enjten e 17 tetorit 1912, në ballinë, një rrëfim të veçantë për aktorin e famshëm me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiun, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë në vijim për publikun shqiptar :

“Ah ! Zonjat !

Parizianët e njohin Alexandër Moisiun. Është ai që, në pantomimin e tij oriental, të prezantuar nga Z. Reinhardt, luante, tregtarin poetik të qilimave, për të cilin të gjitha gratë e haremit bien në dashuri.

Por duket se edhe në jetën e përditshme Z. Moisi nuk është më pak i lumtur sesa në “Sumurun”. Berlinezet e të gjitha moshave janë të çmendura për të.

Javën e kaluar, artisti i ri mbajti, në një sallë të veçantë, një seancë recitimi ; kishte një turmë dhe britma entuziazmi. Në momentin kur u përul për të falenderuar publikun, një grup femrash u ngjit në skenë dhe u nxitua në drejtim të aktorit ; se cila t’i prekte më parë dorën, krahun apo faqet ; ato që nuk mundën ta përqafonin, kënaqeshin vetëm duke e prekur ; ato që nuk mundën të afroheshin, shtypnin brinjët e atyre që i besdisnin. Situata u bë aq serioze saqë Z. Moisi, të cilit po i merrej fryma, iu desht të kërkonte ndihmë. U desh ndërhyrja e policisë për të shpëtuar Z. Moisi, i cili mund të ndihet i lodhur për një kohë të gjatë nga zonjat.”

https://darsiani.com/la-gazette/comoedia-1912-berlinezet-e-te-gjitha-moshave-jane-te-cmendura-pas-aleksander-moisiut/

Ministri Gashi: Dokufest nga një festival, në një institucion i veçantë i kulturës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, organizon pritje për pjesëmarrësit e Festivalit “Dokufest”. Gjatë këtij organizimi, Ministri Gashi tha se Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër DOKUFEST është ngjarja më e rëndësishme kulturore jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë.

“Përgjatë ditëve sa mbahet festivali, qyteti i Prizrenit vërshohet nga mijëra vizitorë nga shumë vende të botës. Filmat shfaqen në disa kinema, duke përfshirë edhe kinematë nën qiellin e hapur. Ky festival është një ngjarje e cila e ka bërë të njohur Prizrenin dhe Kosovën gjithandej botës, veçanërisht tek artistët dhe te industria e filmit”, ka thënë ministri Gashi.

Ministria e Kulturës ka mbështetur fuqishëm organizimin e festivalit të sivjetshëm e cila si ngjarje kulturore po e promovon Kosovën gjithandej, duke sjellur shumë filma e artistë në Prizrenin e bukur ka thënë ministri Gashi.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporit, duke e pasë gjithmonë parasysh rezultatet e mëdha të artistëve, krijuesve dhe performuesve tanë, e veçanërisht njerëzve të filmit, të cilët po e promovojnë Kosovën në mënyrën ma të mirë të mundshme në gjithë botën, e një prej tyre është edhe ngjarja më e madhe kulturore, siç është festivali DokuFest, të cilin me plot të drejtë mund ta quajmë jo vetëm festival, por edhe një institucion i veçantë i kulturës në Kosovë tha ministri Gashi.

“Gjithmonë duke i pasë parasysh rezultatet e këtij festivali, por edhe të filmave tanë gjithandej botës, para dy tre ditësh kemi marrë vendim që buxhetin e Qendrës Kinematografike të Kosovës, i cili ka qenë diku rreth 750 mijë euro, ta rrisim për 100 përqind, me qëllimin e vetëm që gjithë njerëzit që e punojnë filmin të kenë mbështetjen e duhur të shtetit”, ka thënë Gashi

Ndërsa drejtori artistik i Dokufest-it Veton Nurkollari tha që “Dua ta shfrytëzoj këtë rast dhe ta falënderoj ministrin për lajmin e jashtzakonshëm, për dyfishimin e buxhetit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, që në përkthim do të thotë më shumë filma nga Kosova për Kosovën, më shumë njohje ndërkombëtarisht me anë të filmit dhe unë shpresoj që ai dyfishim të trefishohet, katërfishohet dhe të kemi sa më shumë suksese”, shtoi Nurkollari./KultPlus.com

Nis zyrtarisht festivali “Sunny Hill”, artistët e parë ngjiten në skenë, gjithçka gati për performancën e Dua Lipës

Ka nisur zyrtarisht nata e parë e festivalit “Sunny Hill 2018”.

Dyert e festivalit u hapën gjatë ditës në orën 14:00, ku qytetarë të shumtë kanë pasur mundësinë të shijojnë kampingun dhe hapësirat tjera kreative.

Skena e festivalit “Sunny Hill” është gati për të gjithë artistët që do të performojnë në të.
https://www.instagram.com/p/BmTmwJEBo0k/?taken-by=sunnyhillfestival
Në skenën e ngritur në parkun “Gërmia” ka filluar edhe prezantimi i artistëve.

Grupi Asgjë sikur Dielli janë ngjitur në skenë, duke performuar para publikut disa nga hitet e tyre.

Në vazhdim do të vijojë edhe paraqitje e artistëve të tjerë si: Sytë, MTNJ, Kachinari, Genc Salihu, Gipsy Groove, Offchestra, Dren Abazi & Zig Zag Orchestra, Oda, Jericho dhe Grace Carter.

Me përfundimin e këtyre performancave, vend do të zërë edhe artisti shqiptar shumë i suksesshëm në Amerikë, Albert Stanaj, i cili do të këndojë për herë të parë para publikut prishtinas.

Dhe e fundit, ajo që të gjithë presin – artistja e madhe Dua Lipa, do të dalë në skenë rreth orës 12 pas mesnate.

Lipa do të këndojë dhe performojë para fansave hitet e saj më të fundit, ndërsa shquhet si ylli i mbrëmjes së sotme./KultPlus.com
https://www.instagram.com/p/BmORPcuB8rH/?taken-by=sunnyhillfestival

Tri shqiptaret që do ta zënë ekranin e MTV Video Music Awards

Rita Ora, Dua Lipa dhe Bebe Rexha janë tri këngëtaret tona që do të marrin pjesë në mbrëmjen e madhe të ndarjes se çmimeve të MTV Video Music Awards në New York.

Mbrëmja mbahet me 20 gusht dhe tri emrat e mirënjohur presin të marrin çmime në këtë edicion të 35-të me radhë.

Dua është nominuar në kategorinë “Dance Video” me këngën One Kiss, ndërsa me me hitin IDGAF në kategorinë e ”Koreografisë”. Po ashtu ehde hiti tjetër i saj New Rules është nominuar në kategorinë e këngës më të mirë.

Rita është e nominuar në kategorinë “Dance Video” me këngën Lonely Together, dhe me po të njëjtin hit edhe për “Visual Effects”.

Teksa këngëtarja nga Shqipëria, Bebe Rexha, është e nominuar në kategorinë e “Bashkëpunimit më të mirë” me këngën “Meant to Be”, transmeton Klan Kosova./KultPlus.com

Shën Tereza në mesin e 20 grave më të rëndësishme të historisë botërore

Shën Tereza në mesin e 20 grave më të rëndësishme të historisë botërore
​Revista Historike e BBC-së, ka pyetur lexuesit e saj se cilat gra mendojnë se kanë ndryshuar më së shumti për të mirë botën.

Marie Curie është emri që u vu në pah më së shumti dhe u rendit e para në sondazhin që BBC-ja ka realizuar.

E përcjellë nga aktivistja për të drejtat e njeriut, Rosa Parks.

Së bashku të gjitha gratë u mblodhën në një listë prej 20 vetash, që lexuesit e BBC-së i konsiderojnë si gratë më të rëndësishme të historisë së njerëzimit dhe botës së civilizuar.

Shën Nënë Tereza, apo Gonxhe Bojaxhiu me orgjinë shqiptare, është e 20-ta.

Shikojeni listën e plotë nga sondazhi i BBC-së:

1. Marie Curie
2. Rosa Parks
3. Emmeline Pankhurst
4. Ada Lovelace
5. Rosalind Franklin
6. Margaret Thatcher
7. Angela Burdett-Coutts
8. Mary Wollstonecraft
9. Florence Nightingale
10. Marie Stopes
11. Eleanor of Aquitaine
12. The Virgin Mary
13. Jane Austen
14. Boudicca
15. Diana, Princess of Wales
16. Amelia Earhart
17. Queen Victoria
18. Josephine Butler
19. Mary Seacole
20. Nëna Terezë

Koncerti në Turqi, Dua Lipa listë me kërkesa për hotelin, ja çfarë kërkon këngëtarja kosovare

Këngëtarja shqiptare nga Prishtina Dua Lipa do të mbajë një koncert më 14 gusht në Antalia të Turqisë, një koncert i cili po pritet me shumë interes në këtë vend pasi është i pari që këngëtarja mban në Turqi.

Ajo që bie në sy sipas gazetës turke “Vaziyet” janë kërkesat e artistes shqiptare me famë botërore ku bien në sy ato për higjienën. Edhe pse do të jetë në një prej hoteleve më luksoze të Belekut, 23-vjeçarja ka kërkuar 50 peshqirë duarsh dhe 50 peshqirë dushi si dhe rimodelim të plotë të të gjithë dhomës, raporton “BalkanWeb”.

Një tjetër kërkesë është mjalti Manuka i freskët, vendosja e pasqyrave në të gjitha dhomat, lulet e freskëta dhe uji me arrë kokosi të cilën ajo e përdor në çdo moment të ditës. Po kështu ka kërkuar biskota të bëra me dorë, çokollatë të hidhur, mish dhe dhallë para koncertit .

Koncerti do të jetë një dhurate për fansat turq të këngëtares shqiptare të cilët në fund do të marrin edhe nga një filxhan me fotografinë e saj./KultPlus.com

Art në ambient të hapur vjen nga java tjetër me “Summer Cult”

Në fillim të javës së ardhshme, në Prishtinë do të organizohet Festivali “Summer Cult”, me pjesëmarrjen e artistëve të rinj. “Summer Cult” është një ngjarje artistike, tashmë tradicionale që organizohet në kryeqytet, në ambient të hapur.

Drejtoresha artistike e këtij projekti, profesoresha e regjisë së Teatrit, Elmaze Nura, ka thënë për televizionin publik se artistët që marrin pjesë në “Summer Cult” interpretojnë performanca teatrore, muzikore dhe realizojnë piktura.

“Qëllimi i këtij projekti është që të forcojë lidhjet e artistëve me publikun dhe t’u japë mundësi të rinjve, studentëve, talenteve në fushat e artit, të shprehin aftësitë e tyre perfomuese”, u shpreh Nura.

Gjatë dy ditëve, me 13 dhe 14 gusht në dy sheshet e Prishtinës, te “Zahir Pajaziti” dhe te sheshi “Skënderbeu”, publiku artdashës mund të shohë pjesë teatrore, të dëgjojë muzikë si dhe të përcjellë nga afër punën e piktorëve.

Arti në hapësirat publike, është i njohur në vende të ndryshme të botës dhe organizata Cult Club, me një përvojë të gjatë në aktivitetet artistike, i ka mbetur besnike konceptit të tillë të “Summer Cult”.

Kjo është hera e pestë që organizohet Summer Cult./KultPlus.com

Hapet ekspozita “Unë jam Shqiptar”

Në kuadër të Kalendarit të përbashkët kulturor ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë, Muzeu i Kosovës ka hapur sot ekspozitën fotografike “Unë jam Shqiptar” në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar.

Ekspozita e cila për tematikë ka emigrimin e shqiptarëve, përfshin materiale fotografike mbi diasporën shqiptare ndër shekuj. Ekspozita fillon në mënyrë kronologjike me fotografinë e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, si përfaqësues i epokës më të lavdishme të shqiptarëve por dhe kohës kur filluan valët e para të emigrimit shqiptar. Ekspozita përmban foto të arbëreshëve të parë me ngulimet e tyre në Italinë e Jugut, foto të arvanitasve dhe Rilindësve shqiptarë. Fotoja e emigrantit të parë në SHBA është moment i rëndësishëm në ekspozitë, duke vijuar më fotografi të shoqërive të para patriotike në Sofje, Bukuresht, Kajro, Stamboll e Vjenë. Pjesa tjetër e ekspozitës, por jo më pak e rëndësishme, prezantohet nëpërmjet fotografive nga personalitetet e suksesshme shqiptarë në vendet e emigrimit të tyre.

Në hapje të ekspozitës ka marrë pjesë edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili e vlerësoi ekspozitën si një sjellje para nesh të një kujtese të vuajtjes dhe historisë së dhimbshme që ka përjetuar populli shqiptar nëpër periudha të ndryshme të historisë.

Ministri Gashi tha se “Si Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në vijimësi jam duke e ndjekur ecurinë e zbatimit të aktiviteteve që rrjedhin si obligim nga Protokolli i Bashkëpunimit për Kalendarin e Përbashkët Kulturor që kemi nënshkruar në muajin qershor dhe sot dua të rikonfirmoj përsëri këtë mbështetjen time në këtë drejtim por edhe të falënderoj institucionet e të dy vendeve tona për angazhimin e treguar në këtë proces.

Ekspozita e Muzeut Historik Kombëtar të Republikës së Shqipërisë, që hapet sot në Muzeun e Kosovës trajton një përmbajtje kuptimplote dhe të njëjtë si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë, siç është diaspora shqiptare. Ekspozita të tilla, janë dëshmi e një hapësirë shumë të madhe që ekziston për të thelluar bashkëpunimin dhe realizimin e aktiviteteve të përbashkëta në të ardhmen“, ka thënë ministri Gashi, duke shtuar se ky aktiviteti i cili po organizohet në kuadër të Kalendarit tregon se bashkëpunimi mes Republikës së Kosovës dhe të Shqipërisë në fushën e kulturës është në drejtimin e duhur dhe ky bashkëpunim do të avancohet edhe më tutje./KultPlus.com

“Triumph”, përveç emocioneve dhe krenarisë, solli edhe Lorik Canën në DokuFest

Alberina Haxhijaj – Prizren
Photo by Tughan Anit

Mbrëmë në kuadër të DokuFesti-të është dhënë premiera e dokumentarit “Triumph” i cili në qendër të tij ka lojtarët e kombëtares shqiptare dhe rrugëtimin e tyre në Kampionatin Evropian 2016, të gërshetuar së bashku me historinë dhe kulturën shqiptare, shkruan KultPlus.

Dhjetëra adhurues të filmit por edhe të sportit janë bërë mbrëmë së bashku në ambientin e hapur në Kino Lumbardhi për të parë premierën kombëtare të dokumentarit “Triumph”.

Filmi në fokusin e tij ka lojtarët e kombëtares, shumica e të cilëve janë fëmijë të imigrantëve të cilët kanë lënë Kosovës si pasoje e luftës që ka ndodhur, apo kanë lënë Shqipërinë si pasoje e varfërisë dhe sistemit komunistë të atëhershëm. Të rritur në vende të tjera, ka qenë Shqipëria dhe fanellat kuq e zi që i kanë bërë së bashku këta shqiptarë.

Pikërisht kjo histori dhe bashkimi i këtyre të rinjve ka nxitur edhe regjisorët Kreshnik Jonuzi dhe Luftar Van Rama që të bëjnë një dokumentar për kombëtaren.

“Mendova se sa mirë do të ishte sikur të arrija që të bëja një dokumentar për ekipin kombëtar, kjo ishte pas ndeshjes së parë me Portugalinë. E menduam këtë pasi që tek lojtarët unë dhe Luftari e shihnim vetën tonë, historinë tonë. Edhe ne jemi rritur në Amerikë duke pasur gjithmonë shumë dashuri për Shqipërinë. Lojtarët ishin njerëz të cilët janë nga vendet e tjera por që janë bërë së bashku për të bërë diçka më shumë për popullin e vet”, tregon Kreshnik Jonuzi.

Gjersa Jonuzi flet kuptohet se ai nuk është rritur në trojet shqiptare. Mirëpo, ai duke zgjedhur me kujdes fjalët në gjuhën shqipe në mënyrë që të mos gabojë në formulimin e fjalive, zgjedh fjalët më të bukura që i di dhe flet me shumë dashuri për shqiptarët.

“Emocionet e lojtarëve ishin interesant por nuk e menduam se ky dokumentar do i interesonte gjithë botës derisa ndodhi shfaqja e dronit në Beograd. Ajo ishte si vetëtimë dhe e thirra Luftarin dhe i thash: Ne duhet me e bo deri në fund këtë dokumentar dhe prej asaj natë nuk kemi shikuar asnjëherë prapa”, tregon regjisori duke e konsideruar këtë moment edhe pikën më dramatike të dokumentarit.

Më 14 tetor në vitin 2014, Shqipëria dhe Serbia u përballën në stadiumin e Partizanit në Beograd. Pikërisht kjo ndeshje shënon edhe kulminacionin e dokumentarit. Në këtë ndeshje nuk u lejua që të merrnin pjese tifozët shqiptarë ndërsa ata serb brohorisnin “Vritni, vritni, shqiptarët” dhe “Kosova është Serbi”. Gjatë ndeshjes pati incidente të shumta por kulmi arriti kur në stacion përmes dronit u valëvit flamuri i Shqipërisë etnike i cili kishte në njërën anë fotografinë e Ismail Qemailit e në tjetrën atë të Isa Boletinit, ndërsa poshtë shkruhej “Autoktonë”. Mjaftoi kjo për të nxitur akoma më shumë situatën në stadium ku me pas tifozët sulmuan edhe lojtarët shqiptarë.

Por përveç kësaj pjese çdo gjë brenda dokumentarit për 88 minuta, sa edhe zgjatë ai, të bënë që të mos i ndash sytë nga ekrani. Kjo ndodh pasi që dokumentari përveç që tregon atë që ka ndodhur gjatë ndeshjeve, shfaqë edhe emocionet dhe mendimet e lojtarëve. Ai shfaq shakat e tyre gjatë udhëtimeve, luftën e tyre në fushë për të arritur fitoren, dashurinë që kanë për njëri-tjetrin por edhe historitë e tyre personale që u bënë pjesë e këtij rrugëtimi.

“Kemi gjetur shumë mbështetje te ekipi pasi që na ndihmonin të bënim atë që ne kishim dëshirë. Prej që kemi filluar kemi xhiruar sa më shumë që kemi pasur mundësi pasi që nuk e dinim se çfarë do nxjerrim”, u shpreh Jonuzi.

Filmi sjellë histori të ndryshme duke prekur aspektet kulturore, politike dhe historike. Sipas Kreshnik Jonuzit, filmi po ashtu tregon sesi shqiptarët arrijnë diçka që para 20 vite as që kanë pasur mundësi ta imagjinonin dhe pikërisht kjo sipas tij duhet që të jetë një shtytje përpara që të punojmë edhe më shumë që pas 20 viteve të arrijmë akoma më shumë.

Filmi “Triumph” është shfaqur edhe në Varshavë, Dallas, Berlin, e vende të tjera mirëpo sipas regjisorit Luftar Von Rama, këtij filmi i kishte munguar një premierë në trojet shqiptare.

“Është shumë interesant pasi që ne pamë emocione të njerëzve nga e gjithë bota dhe ata ishin çuditur se sa emocionues ishte historia dhe sesi ky vend që shumica e tyre nuk e dini as që ekzistonte, kishte një histori të tillë. Të gjithë ata njerëz në fund kanë brohoritur për ne dhe kjo është pjesa më e mahnitshme e kësaj historie dhe jemi shumë të lumtur që jemi këtu”, u shpreh ai.

Dokumentari është bërë me vetëfinancim kurse regjisorët janë ndihmuar edhe nga komuniteti i shqiptarëve në Amerikë për të realizuar këtë film. I pranishëm në premierën kombëtare në Prizren ishte edhe ish-kapiteni i kombëtares, Lorik Cana.

Ai diskutoi me publikun dyshimet që kishin pasur gjatë këtij rrugëtimi dhe sesi nuk kishin menduar se do të arrinin aq sa kana rritu. Mirëpo sipas tij pikërisht kjo arritje do të shërbej si shtytje që çdo herë të kërkojnë më shumë.

“Është për tu duartrokitur mënyra sesi regjisorët kanë arrit t’i përçojnë mesazhet. Ata kanë qenë me fat që kanë arritur të pranohen brenda ekipit kombëtar në të cilin ne jemi të izoluar, jo sepse nuk dëshirojmë që të shfaqemi por sepse duhet të jemi të përqendrua në detyrën tonë. Ata kanë pasur mundësi që ti ndajë këto momente dhe ta arkivojë një histori të sportit dhe të vendit tonë dhe kjo e bënë këtë mundësi të jashtëzakonshme dhe për mendimin tim kjo është bërë shumë, shumë mirë”, theksoi Cana i cili pranoi edhe një dhuratë nga tifozët Kuq e Zi të Prizrenit.

Në ‘Triumph’, bëjnë pjesë personazhe si Lorik Cana, Gianni DeBiasi, Paolo Tramezzanni, Shkëlzen Gashi, Blendi Fevziu, Dritan Shakohoxha, e të tjerë./ KultPlus.com

Hapet konkursi për çmimin “Artistët e së nesërmes” 2018

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë shpall të hapur konkursin për çmimin “Artistët e së nesërmes” 2018 për artistët e rinj të Kosovës deri në moshën 35 vjeçare.

Ky çmim i rëndësishëm i pavarur organizohet në bashkëpunim me Residency Unlimited (RU) në Nju Jork.

Afati i fundit për aplikim është 10 shtator 2018.
Rezultatet e konkursit do të shpallen më së voni deri më 20 shtator 2018.

Fituesi/ ja i/e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018 do të shpërblehet me qëndrim dy mujor në Nju Jork, SHBA, në programin rezidencial për artistë të Residency Unlimited (http://residencyunlimited.org/), gjatë periudhës prill/maj 2019, dhe ekspozitë personale në kuadër të programit vjetor të ekspozitave të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë të vitit 2019.

Nëse obligimet tjera e pamundësojnë artistin/ en të marrë pjesë në programin rezidencial, gjatë kohës së specifikuar për qëndrim në SHBA, ata duhet të konsiderojnë të aplikojnë në edicionet e tjera.
Artistët që punojnë në fushën e artit bashkëkohor, që përfshijnë punën në pikturë, skulpturë, grafikë, vizatim, instalacion, fotografi, video, mediat e reja dhe art performues inkurajohen të aplikojnë.
Artistët nuk mund të aplikojnë me punë në artet aplikative, dizajn, teatër, vallëzim dhe film artistik.

Procesi i Aplikimit
Aplikimi për çmimin “Artistët e së nesërmes” 2018 bëhet nëpërmes regjistrimit online, duke e plotësuar Formularin e aplikimit, dhe duke dërguar dokumentacionin e kërkuar nëpërmes Formularit të aplikimit, që gjendet në web faqen e Stacion – Qendra per Art Bashkëkohor Prishtinë.

E drejta për t’u zgjedhur
Çmimi “Artistët e së nesërmes” është i krijuar për artistët e rinj deri në moshën 35 vjeçare. Në konkursin për çmimin “Artistët e së nesërmes” 2018, mund të marrin pjesë artistët individual dhe artistët që punojnë në grup, puna e të cilëve i plotëson kriteret e çmimit “Artistët e së nesërmes”. Programi i qëndrimit rezidencial mund të pranojë vetëm një artist për secilin shtet, brenda një viti.

Aplikuesit për çmimin “Artistët e së nesërmes” duhet të kenë qenë aktiv si artist në Kosovë gjatë së paku 3 viteve të fundit, të kenë 3-5 projekte – vepra referencë, dhe të kenë marrë pjesë në ekspozita të organizuara në institucione të artit, si galeri, qendra arti, muze, ose të kenë krijuar punë në hapësira publike.

Artistët që nuk kanë nënshtetësi kosovare duhet të jenë të njohur për kontributin e tyre në zhvillimet në skenën e artit në Kosovë në 3 vitet e fundit, dhe zhvillimi i tyre artistik duhet të ketë lidhje të konsiderueshme me Kosovën.

Artistët emigrantë duhet të jenë pjesë të komunitetit artistik të vendit dhe që kanë ekspozuar rregullisht në Kosovë së paku gjatë 3 viteve të fundit.

Juria ndërkombëtare do të zgjedhë tre finalistët që do të prezantojnë punën e tyre në ekspozitën e finalistëve të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018, që do të hapet në muajin tetor 2018.
Finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018 do të përzgjidhen në bazë të shqyrtimit të portfolios së tyre artistike, arritjeve dhe ekspozitave të mëparshme dhe potencialit të demonstruar.

Fituesi/ ja e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018 do të përzgjidhet në bazë të shqyrtimit të portfolios së tij/ saj artistike, projekteve dhe veprave të artit të ekspozuara në ekspozitën e finalistëve, arritjeve dhe ekspozitave të mëparshme, bashkëbisedimit me jurinë dhe potencialit të demonstruar.

Juria do të shpallë fituesin/ en në mbylljen e ekspozitës të tre finalistëve të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018, që do të mbahet me 5 dhjetor 2018 në Klubin e Boksit në Prishtinë.

Anëtarët e Jurisë të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018 janë Charles Esche, Jelena Vesić, Adrian Deva, Erëmirë Krasniqi dhe Renaud Proch.

Çmimi dhe Konteksti Ndërkombëtar
Çmimi “Artistët e së nesërmes” është një projekt unik që u ofron artistëve të arteve pamore nën moshën 35 vjeçare mundësinë të krijojnë vepra të reja, të jenë pjesë e një procesi specifik edukativ, të kenë takime dhe prezantime për një juri ndërkombëtare, mundësi që të marrin pjesë një ekspozitë të përbashkët me finalistët e tjerë në Stacion – Qendrën për Art Bashkëkohor Prishtinë, por edhe të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të përjetojnë dinamikën e skenës artistike të Nju Jork-ut, për dy muaj qëndrimi në Residency Unlimited, dhe pas kthimit nga SHBA të kenë ekspozitë personale në Stacion- Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë.
Qëllimi i çmimit Artistët e së Nesërmes, i organizuar në Kosovë nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, është që të ofrojë mbështetje artistëve të rinj dhe të lehtësoj vazhdimin e punës së tyre duke i zhvendosur ata nga një rol margjinal në një rol qendror në shoqëri.

Çmimi “Artistët e së nesërmes” është pjesë e programit të çmimeve për artistët e rinj pamor – YVAA (Young Visual Artists Awards) – që është një rrjet i dhjetë çmimeve të ngjashme nga Evropa Qendrore dhe Lindore, dhe i cili u themelua në vitin 1989 në Çekosllovaki nga Kryetari Vaclav Havel, Wendy Luers dhe artistët disidentë, që kishin për qëllim përkrahjen e ngritjes dhe zhvillimit të artit bashkëkohor dhe shoqërisë civile.

Qëllimi i Kryetarit Havel, organizatorëve dhe themeluesëve të Çmimeve YVAA ishte të shpërblejnë artistët e rinj me një rezidencë artistike në SHBA, dhe për t’i ekspozuar ata në botën jashtë vendeve të tyre dhe për të theksuar rolin e kulturës në demokratizimin e shoqërisë dhe rolin e kulturës në shoqërinë civile. Ata themeluan një garë transparente dhe të hapur vjetore, që vlerësohej nga juritë e pavarura dhe që ndërroheshin, pa nepotizëm dhe favorizim. Ky mision themelues dhe kjo kornizë programore, për të përkrahur artin bashkëkohor, për të njohur dhe shpërblyes ekselencën artistike, për të ngjizur shkëmbimin kulturor dhe për të ndërtuar kapacitetin e institucioneve të pavarura të artit dhe shoqërisë civile, janë edhe udhërrëfyes për Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë për organizmin e çmimit “Artistët e së nesërmes”.

Në vitin 2015, Residency Unlimited (RU) u angazhua si organizator i programit YVAA dhe nikoqir i programit rezidencial në Nju Jork. Në shtator të vitit 2015, Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë është ftuar për të marrë përsipër organizmin dhe udhëheqjen e çmimit “Artistët e së nesërmes” në Kosovë, duke filluar me edicionin e parë të vitit 2016.

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë synon të rrisë potencialin dhe ndikimin e çmimit “Artistët e së nesërmes” në zhvillimit e gjithmbarshme në artin bashkëkohor, në tërë territorin e Kosovës.

Çmimi “Artistët e së nesërmes” në Kosovë për herë të parë u organizua në vitin 2002. Në edicionin e parë fitues ishte Tahar Alemdar. Në edicionet me radhë fituesit e çmimit ishin: Jakup Ferri (2003), Kadër Muzaqi (2005), Fitore Isufi-Koja (2006), Fatmir Mustafa (2007); Bekim Glloku (2008), Miranda Thaqi (2009), Loreta Ukshini (2010), Astrit Ismaili (2011), Majlinda Hoxha (2012), Artan Hajrullahu (2013), Doruntina Kastrati (2014), Arbërore Sylaj and Dardan Zhegrova (2016).
Finalistët e çmimit “Artistit e së nesërmës” 2017 ishin: Merton Maloku, Jetullah Sylejman dhe Enesa Xheladini.
Meriton Maloku është fitues i çmimit “Artistit e së nesërmës” 2017.

Mbështetësit kryesor të “Artistëve të së nesërmes” 2018 janë: Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, Trust for Mutual Understanding (TMU), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës dhe Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) zyra në Prishtinë. Lista e plotë e donatorëve dhe partnerët bashkëpunues do të shpallet me kohë. /KultPlus.com

Nevojitet koordinim më i madh për avancimin dhe fuqizimin e rinisë në Kosovë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka zhvilluar takim me zyrtarët rinor të Komunave të Kosovës.

Ndër temat e takimit kanë qenë qasja e re e MKRS-së për t’i koordinuar aktivitetet rinore në vitin 2019, avancimin i infrastrukturës rinore dhe ndryshimi i kornizës ligjore për të rinjtë, konkretisht ligjin dhe strategjinë për rini. Muaji i Rinisë dhe temat tjera që prekin rininë dhe që kanë për qëllim fuqizimin e rolit të të rinjve në Kosovë.

Ministri Gashi i ka falënderuar zyrtarët rinor nëpër Komuna për përkrahjen që kanë për të rinjtë. Ministri tha se MKRS-ja do të jetë mbështetësja e tyre e vazhdueshme në interes të avancimit dhe fuqizimit të të rinjve anekënd Kosovës.

Ministri i porositi të pranishmit për të rritur edhe më tej koordinimin dhe komunikimin për një sektor më të fuqishëm dhe më vendimmarrës të rinisë në Republikën e Kosovës./KultPlus.com

Dua Lipa thotë: Kush është më i forti, ‘Afrim Roboti’ (VIDEO)

Dua Lipa, emri më i madh në muzikën aktuale në Angli, ka ardhur në Kosovë për koncertin e saj në kuadër të Sunny Hill Festival.

Ajo është duke i shijuar këto ditë në Kosovë, ku mbrëmë kishte organizuar edhe një ndejë private me miq dhe familjarë.

Gjatë kësaj ndeje ajo ka kënduar e vallëzuar më këngë të ndryshme shqiptarë, përfshirë atë “Kuq e Zi” nga Elvana Gjata e Flori Mumajesi, me këngë nga Era Istrefi, Greta Koci e Bim Bimma.

Ky i fundit me të parë këtë video, e ka shpërndarë në facebook, i lumtur që artistja e famshme shqiptare ka kënduar këngën e tij bashkë me shoqet e saj.

“Tell em @dualipa Bless u! Keep shining “, ka shkruar Bim Bimma në facebook. / KultPlus.com

Prishtinës i shtohet edhe një shkollë moderne nga shtatori i vitit 2018 (FOTO)

Kryetari Shpend Ahmeti bashkë me nënkryetarin Selim Pacolli, Drejtorin e Arsimit Jonuz Salihaj dhe disa asambleistë vizituan sot përfundimin e punimeve në objektin e shkollës fillore dhe të mesme të ulët në lagjen “Arbëria”.

Shkolla që do të mbajë emrin “Mehmet Gjevori” në përbërje ka gjithsej 12 dhoma mësimi, prej të cilave 2 dhoma mësimi për nivelin e arsimit parafillor, 10 dhoma mësimi për nivelin e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët dhe 4 dhoma për kabinete, kuzhinën dhe hapësirat të tjera përcjellëse sipas kërkesave dhe standardeve bashkëkohore.

Drejtoria e Arsimit pas analizës dhe vlerësimit të përgjithshëm mbi demografinë e popullsisë në lagjet apo zonimin ku shtrihen shkollat fillore, si: SHFMU “Meto Bajraktari”, SHFMU “Qamil Batalli” dhe SHFMU “Faik Konica”, konstatoi se numri i nxënësve në këto shkolla është i madh nëpër paralele prandaj rreth 17 paralele nga viti i ri shkollor 2018/19, do të transferohen në shkollën e re në lagjen “Arbëria”.

Për të siguruar një transferim të lehtë i gjithë ky proces do të realizohet në koordinim të plotë me drejtuesit e shkollave dhe organet e brendshme të shkollës.

Poashtu, javën e ardhshme do të bëhet edhe prezantimi i draft projekteve konceptuale i pesë objekteve shkollore që do të ndërtohen me programin PFI në bashkëpunim me Bankën Botërore./KultPlus.com

Dua Lipa: Do të kemi edhe shumë sende për të cilat mburremi me vendin tonë (FOTO)

Dua Lipa e cila ka dy ditë që ka ardhur në Prishtinë, po vazhdon me aktivitetet e saj, për të në sjellë në mbrëmje një performancë që do të mbahet mend, shkruan KultPlus.

Dua Lipa sonte do të performojë në Festivalin Ndërkombëtar “Sunny Hill”, i cili është themeluar nga babai i këngëtares, Dukagjin Lipa. Dukagjin e Dua Lipa sot janë mirëpritur edhe nga i pari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili i ka dhuruar këngëtares së njohur “Çelësin e qytetit”.

Dua sapo ka shpërndarë disa fotografi nga ky moment ku poshtë tyre ajo shkruan që është e nderuar që i pari i Komunës Shpend Ahmeti i ka dhuruar “Çelësin e qytetit” dhe se ndihet krenare që mund të kontribuoj për ardhmërinë e rinisë, kulturës e arteve në Kosovë./ KultPlus.com

Dua Lipa dhe Shpend Ahmeti përshëndesin me ‘shqiponjë’

Ylli botëror, Dua Lipa ka dy ditë që po qëndron në Prishtinë, ndërsa publikun këtu e ndajnë edhe pak orë nga performanca e saj, shkruan KultPlus.

Dua Lipa është figura kyçe e Festivalit Ndërkombëtar “Sunny Hill”, i cili është themeluar nga babai i këngëtares, Dukagjin Lipa. Dukagjin e Dua Lipa sot janë mirëpritur edhe nga i pari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili i ka dhuruar këngëtares së njohur “Çelësin e qytetit”.

Ahmeti sapo ka postuar edhe një fotografi me Dua Lipën, ndërsa kanë krijuar simbolin e shqiponjës.
“Gati për sonte”, shkruhet në postimin e Ahmetit.

Ready for tonight #sunnyhill #prishtina

A post shared by shpend ahmeti (@shpend34) on

Kjo është hera e dytë që Dua Lipa performon para publikut prishtinas./ KultPlus.com

Ç’është ky shi që bie?

Miranda Haxhia

Ç’është ky shi që bie?
në muret e burgut lëshohen rrëkeza
Ku, në pranga ati ndrydhi jetën
luhatet në lamtumirë të prishet foleza…

Bulëza malli mbulojnë fytyrën e gruas
Kur bijtë ia ndan oguri i fatit të keq
Nuk është shi që bie me rrebesh
Pa fund për pesëmbëdhjetë vjet.

Janë lotët, malli, dhimbja, dashuria
Kurajë për t’u ngritur përsëri
Mikja ime e mbajtur fort nga dashuria
Fshij lotët e ndale atë shi.

‘Një muaj’, melodia e Muharrem Qenës dhe gruaja e verbër në mëshirë të fatit

Alberina Haxhijaj

Në kuadër të këtij edicioni të Festivalit DokuFest është dhënë premiera kombëtare e filmit “A month” me regji nga Zgjim Terziqi, shkruan KultPlus.

Zgjim Terziqi ka qenë duke shkruar një skenar krejtësisht tjetër para se t’ia fillonte realizimit të filmit “Një muaj”.

Mirëpo tregimi i vërtetë i një gruaje të verbër pa shtëpi, që jeton me paktin e katër motrave të saj për ta mbajtur atë në shtëpitë e tyre përkatëse nga një muaj secila, ka zgjuar kureshtjen e tij si regjisor. Dëshira për ta parë këtë histori në ekran solli edhe filmin e tij “Një muaj”.

Filmi tregon jetën e Anës, një e verbër e cila çdo muaj ndërron shtëpinë, duke vizituar herë njërën motër e herë tjetrën, disa prej të cilave nuk është se shfaqin dashuri dhe interes për të. E Ana në pamundësi për tu kujdesur për veten shihet duke ua dorëzuar motrave nga 120 euro nga asistenca e saj për kujdesin që i ofrojnë.

“Në momentin kur e kam dëgjuar këtë rrëfim kam menduar se kisha pas dëshirë me e pa si film dhe kur diçka kam dëshirë me e pa atëherë nëse nuk e ka bo dikush tjetër duhet me e bo unë”, thekson regjisorin Terziqi.
Ana (Makfire Miftari) është një person i qetë dhe e cila nuk flet shumë, ajo qetësinë e gjen duke dëgjuar radion, ndërsa shpirti i saj i dëlirë ndriçon kur në të dëgjon këngën “A thua”, nga Muharrem Qena. Kjo këngën çdo herë zgjon emocione te Ana, diçka të tillë mund të shohim kur ajo së bashku me motrën e saj Ajshen (May-Linda Kosumovic), këndojnë në veturë këtë këngë pasi që radioja e Anës është dëmtuar.

Ajshja është motra e vogël e cila bart një dashuri shumë të madhe për Anën dhe është njëkohësisht e vetmja që brengoset për të. “Do gjejmë një zgjidhje”, i thotë ajo Anës, para se ajo të largohet për të kaluar muajin tjetër te motra e saj Valbona. Aty tensioni që vërehet në mes të Anës dhe burrit te Valbonës, Enverit (Luan Jahës), sjellë një rrjedhë tjetër në film.

“Mirëpo Ana e filmit është e kundërt me personin në jetën reale, ajo është aktive, flet më shumë mirëpo mua më emocionojnë karakteret të cilat janë më naive”, tregon regjisori Zgjim Terziqi.

Aktorja Makfire Miftari e cila e sjellë mahnitshëm dhe e mishëron rolin e Anës shprehet se ka qenë e lehtë për të që ta sjellë këtë rol pasi që i ka kushtuar shumë kohë përgatitjes dhe hulumtimit të rolit.
“Unë gjatë gjithë kohës jam bërë gati për këtë rol, pasi që na zakonisht gjithë jetën tonë e kalojmë duke u bërë gati për role. Kam qenë e gatshme, e përgatitur dhe kam lexu shumë edhe pse e kam pasur skenarin në një kohë shumë të shkurtë, pesë apo shtatë ditë por kam qenë e gatshme dhe kjo e ka bërë të lehtë”, u shpreh ajo.

Filmi mbaron me pamjen e Anës duke dëgjuar këngën e saj të preferuar në një radio të re, një tregues që ndoshta pavarësisht luftës së Anës, tregon se ajo ia ka arritur që ta gjejë lumturinë që e kërkonte. / KultPlus.com

‘Mirë se vjen në Serbi’, përgjigjet i dashuri i Dua Lipës

Isaac Carey nuk mund ta shoqërojë të dashurën e tij Dua Lipa në çdo koncert, megjithatë herë pas here është përkrah saj.

Në koncertin e saj të radhës në Kosovë Isaku nuk kishte si të mungonte. Ata kanë postuar disa fotografi gjatë udhëtimit në avion, por një koment dashakeq ka ndryshuar për pak atmosferën.

Ndërsa Isaac kishte shkruar në përshkrimin e fotografisë vendodhjen “Prishtinë”, një vajzë ka komentuar “Mirë se vjen në Serbi”. Pa u zgjatur shumë në debatin që e kanë vijuar më gjatë komentuesit e tjerë, i dashuri i Duas i ka shkruar thjesht: “Gjeografia nuk është pika jote më e fortë”.

Dua Lipa e merr Çelësin e Qytetit nga kryetari Shpend Ahmeti

Këngëtarja kosovare Dua Lipa sot është takuar në Prishtinë me kryetarin Shpend Ahmeti.

Dua kësisoj ka marrë edhe Çelësin e Qytetit, një mirënjohje që u ndahet personaliteteve nga Prishtina për kontributin e tyre në art dhe kulturë, brenda e jashtë Kosovës.

Dua po qëndron këtyre ditëvë në Prishtinë për një koncert të radhës, sonte në kryeqytet.

“Prej fillimit keni qenë afër meje. Faleminderit për këtë mirënjohje, ndihem mirë” ka thënë Dua kur morri këtë mirënjohje.

Shpend Ahmeti ka thënë se e falënderon Duan që po e vendosë Prishtinën në hartën botërore me koncertet dhe me sukseset e saj, shkruan KultPlus.

“Ky është fillimi i një bashkëpunimi për përparimin e artit dhe kulturës në Kosovë, së bashku” ka treguar në fund për media Dua Lipa.

Kënga e fundit e Dua Lipës, One Kiss, po bën bujë në botë dhe është shndërruar në një hit veror. / KultPlus.com

‘Gratë në Kosovë s’janë të sigurta në punë e shkollë, tash as në familjet e tyre’

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka thënë se gratë në Kosovë përveç që nuk janë të sigurta në punë dhe shkollë, tash s’kanë siguri as në familjet e tyre.

Ajo ka shtuar se Pjetër Nrecaj iu shtua numrit të vrasësve në Kosovë, për shkak që këtë e lejoi sistemi, transmeton KTV.

“Pjetër Nrecaj iu shtua numrit të vrasësve në Kosovë. Ky kriminalitet që vret gratë mundësohet nga një sistem që lejon këto vrasje mizore, thirrjet për ndihmë përfunduar në vesh të shurdhër”, ka thënë ajo.

Jahjaga këto komente i bëri për shkak se ditë më parë Pjetër Nrecaj vrau bashkëshorten dhe vajzën e tij në Brekoc të Gjakovës.

“Gratë në Kosovë nuk janë të sigurta në punë dhe shkollë, e tash as në familjet e tyre. Edhe sa jetë duhet të shuhen për të marrë përgjegjësi sistemi, ku ka mbetur betimi i gjyqtarëve e të tjerëve në drejtësi”, ka thënë Jahjaga. / KultPlus.com

Policia jep detaje për masat në trafikun e Prishtinës për shkak të ‘Sunny Hill Festival’

Për shkak te festivalit Sunny Hill i cili do të mbahet në parkun e Gërmisë që nga sot deri me datën 12.08.2018, Drejtoria Rajonale e Policisë –Prishtinë, ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura si dhe ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të përcaktuar lirimet, kufizimet, bllokimet e plota apo të pjesshme të segmenteve të caktuara rrugore në kryeqendër dhe jashtë saj, me qëllim të rregullimit të qarkullimit rrugor dhe drejtimit të trafikut, në mënyrë që të krijohet rrjedhshmëri normale në trafik si dhe një ambient i qetë dhe i sigurt, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Meqenëse në këtë festival do të marrin pjesë këngëtarë me renome botërore , pritet se përveç qytetarëve të kryeqendrës, parkut të Gërmisë, t’i drejtohen edhe qytetarë nga vende të tjera, transmeton Koha.net.

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës , për të evituar bllokadat në rrugë, kolonat e gjata të automjeteve, aksidentet eventuale, për të mundësuar një transport publik të qytetarëve në suaza të normales, do të veproj në të gjitha rrugët të cilat lidhen me rrugën kryesore që lidhë qytetin me parkun e Gërmisë, duke formuar pikat e kontrollit me qëllim të ndalimit dhe udhëzimit të automjeteve, si dhe vendosjen e rregullit përgjatë atyre rrugëve.

Në këtë kontekst, policia do të ndaloj dhe ri drejtoj të gjitha veturat përveç atyre të banorëve të lagjeve që lidhen më parkun Gërmia (Sofali, Tauk Bahqe), autobusëve të Trafikut Urban, automjeteve të Emergjencës, të Hortikulturës, KRM “Pastrimi”, Drejtorisë së Inspeksionit të Prishtinë, KFOR-it, EULEX-it si dhe veturave të PK-së, të cilat janë të angazhuara në këtë operacion.

Ndalja dhe ridrejtimi i të gjitha veturave do të bëhet në:

Kryqëzimin e rrugëve “1 Tetori”, “Nazim Gafurri” dhe “Ymer Lutfi Paçarizi”; (Kryqëzimi Velani)

Kryqëzimin e rrugëve “Nazim Gafurri”, “ Xhavit Ahmeti” dhe “ Dr. Lec Gradica”; (Kryqëzimi te ish rruga Bledi)

Kryqëzimin e rrugëve “Dr. Shpëtim Robaj” me atë të Sofalisë në drejtim të Pishinës dhe parkut “Gërmia”.

Operacioni në fjalë ka filluar të implementohet që në orët e hershme të datës 10.08.2018, andaj për të përballuar sa më lehtë rrethanat që do të paraqiten me këtë rast në qarkullimin rrugor, kërkojmë ndihmën, besimin dhe mirëkuptimin e gjithë qytetarëve dhe veçanërisht lusim qytetarët e kryeqytetit që të shmangin lëvizjet e tyre drejt parkut Gërmia me vetura. / KultPlus.com

Dua Lipa këndon ‘Kuq e Zi’ në Prishtinë (VIDEO)

Këngëtarja Dua Lipa po i shijon ditët e saj në Kosovë.

Lipa, emri më i madh në muzikën aktuale në Angli, ka ardhur në Kosovë për koncertin e saj në kuadër të Sunny Hill Festival.

Në Instagram, shoqet e saj por edhe vetë ajo kanë postuar momente ku Dua këndon në shqip dhe vallëzon me këngë të ndryshme shqipe, përfshirë këngë të Elvana Gjatës e Era Istrefit. / KultPlus.com

Arrestohen aktivistë të Vetëvendosjes, shkruanin parulla kundër dhunës ndaj grave

Vetëvendosje ka konfirmuar se mbrëmë janë arrestuar shtatë aktivistë të saj, të cilët shkruanin parulla kundër dhunës ndaj grave.

“Policia e Kosovës, e paaftë dhe e dështuar për t’i mbrojtur gratë nga dhuna dhe vrasjet ka arrestuar mbrëmë pas mesnate shtatë aktiviste e aktivistë deri sa po shkruanin parulla në Gjakovë mbi vrasjen e grave. Parulla ‘Gratë dhunohen, policia injoron’ është tregues për përkushtimin e institucioneve ndaj vetë qytetarëve të saj. Institucionet flenë kur duhet të kryejnë punën e tyre dhe tregohen syçelë për t’i penguar aktivistet që kërkojnë drejtësi”, thuhet në një postim të Vetëvendosjes në Facebook, përcjell Koha.net.

VV thotë se aktivistët e arrestuar janë: Arlinda Gashi, Guxim Krasniqi, Uran Hasani, Kujtim Hasani, Ndriçim Berberi dhe Gerolld Nikoliqi.

“Parullat janë shkruar edhe te Gjykata Themelore në Gjakovë dhe ne e mbajmë përgjegjës komplet sistemin e drejtësisë për këto vrasje. Shteti jo vetëm që nuk bën asgjë t’i parandalojë por as pasi ndodhë krimi veprojnë sipas drejtësisë. Ne nuk mund të presim e shohim se si emrat e grave rrisin listat e vrasjeve. Prandaj sot në Gjakovë protestojmë për drejtësinë, për jetën, kundër dhunës, kundër mizogjinsë, kundër diskriminimeve”, thotë VV. / KultPlus.com

‘Jemi verbue shpirtnisht, na mungon dashunia’

At Zef Pllumi ka shkruar:

“Hapni sytë e shikoni realitetin me sy, shihni se jemi vendi ma i mbrapambetun i Europës e konkurojmë edhe për botën. Pse?… Mjerisht duket se tash shumë kohë ne nuk na punon logjika si tjerëve: i thurim lavde vedit për mbrapambetjen tonë, turpet i quejmë ‘virtyte të larta të kombit’. Jemi verbue shpirtnisht pse na mungon mendja e kthjelltë e inteligjenca për me pa se ku jemi; na mungojnë vullneti e trimnia për me thanë të vërtetën . . . Shka na mungon ne që mos të jemi si europjanët tjerë? Toka, jo; dielli e deti, jo. Na mungon mendja e mentaliteti e, mbi të gjitha dashunia. Nuk na sjell lavdi lashtësia, në qoftë se nuk jemi të qytetnuem. Nuk na sjell lavdi origjina, në qoftë se jemi të përçamë dhe mendojmë si t’i bajmë vorrin vëllaut.”

Zef Pllumi (Bogë, 1924 – Romë, 2007) qe frat françeskan, publicist e shkrimtar. Me prirje përgatitore për kah historia para se të ndërmerrte kalvarin, me të arritur lirinë merr ndër duar frerët kulturorë të trashëgimisë françeskane.