‘Unë jam Shqiptar’

Muzeu i Kosovës në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar, në kuadër të Kalendarit të përbashkët kulturor ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë, do të sjellin ekspozitën me titull “Unë jam Shqiptar”, përcjellë KultPlus.

Në këtë ekspozitë përfshihen materiale fotografike mbi diasporën shqiptare ndër shekuj.

Ekspozita fillon në mënyrë kronologjike me fotografinë e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, si përfaqësues i epokës më të lavdishme të shqiptarëve por dhe kohës kur filluan valët e para të emigrimit shqiptar.
Ekspozita përmban foto të arbëreshëve të parë me ngulimet e tyre në Italinë e Jugut, foto të arvanitasve dhe Rilindësve shqiptarë.

Fotoja e emigrantit të parë në SHBA është moment i rëndësishëm në ekspozitë, duke vijuar më fotografi të shoqërive të para patriotike në Sofje, Bukuresht, Kajro, Stamboll e Vjenë.

Pjesa tjetër e ekspozitës, por jo më pak e rëndësishme, prezantohet nëpërmjet fotografive nga personalitetet e suksesshme shqiptarë në vendet e emigrimit të tyre.

Ekspozita do të jetë e hapur nga data 10 gusht deri më 31 gusht, duke filluar nga ora 10:00 deri 18:00 , nga dita e martë deri të dielën.
Në hapje të ekspozites do të ketë koktej rasti dhe do të performoj grupi muzikor “Don’t listen to your neighbors”./KultPlus.com

Shkumbin Istrefi: Shteti mundet me pritë, ndërsa pensionistët nuk presin, sepse vdesin

Aktori i njohur kosovar Shkumbin Istrefi, ka reaguar përmes një statusi në Facebook rreth një çështje të ndjeshme në lidhje me fondet pensionale të bllokuara. Sipas tij një shtet normal duhet të reagoj ndaj kësaj çështje me prioritet, shkruan KultPlus.

Më poshtë mund ta lexoni reagimin e plotë të aktorit:

“Nje shtet i cili mendon per popull, ne situaten kur fondet pensionale jane te bllokuara ne Serbi, kish vepru keshtu:
Ia kish dhane popullit pensionet e bllokuara nga fondi i vet, dhe ne kuader te negociatave me Serbine kish kerku me u kthy ai fond. Kjo eshte me prioritet se shume “investime” te tjera”, ka shkruar Istrefi. /KultPlus.com

A mundet të gjesh sot një politikan që do të shkrinte pasurinë për shqiptarët?

Nga Marin Mema

A mundet të gjesh sot një politikan që do të shkrinte pasurinë për shqiptarët? Qoftë edhe një pjesëz të vogël nga ato dengje të pafundme që disa kanë mbledhur…

Sigurisht që jo sepse politika është kthyer për shumicën në mjet përfitimi që s’ka asnjë lidhje me dëshirën e vërtetë për të zhvilluar vendin e për ti dhënë frymëmarrje të gjithë pasurive që ai ka.

Kjo është e vërteta që këlthet e që çdokush prej nesh e ka provuar mbi shpinën e tij. Ndaj nuk ka interes të përkujtohen siç duhet patriotët, rilindasit, figurat e mëdha të kombit sepse në fakt ata risjellin në vëmendje një periudhë tërësisht të ndryshme, një kohë kur mbi të gjitha qëndronte kombi, ndryshe nga sot, kur i njëjti komb shikohet për ta rrjepur./KultPlus.com

Historia e patreguar: Si britanikët nuk e bombarduan Teatrin në 1944-ën

Studiuesi Erald Kapri ka publikuar një histori të pa treguar më parë rreth Teatrit Kombëtar. Ai ka bërë të njohur faktin se britanikët kishin refuzuar urdhrin e Mehmet Shehut për të bombarduar qendrën historike të Tiranës në 1944 në luftën përballë gjermanëve.

Kapri shkruan:

Kjo është një histori e patreguar për Teatrin Kombëtar.

Në betejën e Tiranës, Mehmet Shehu e rrethoi kryeqytetin me 3 mijë forca partizane dhe për 3 javë u zhvilluan luftime në periferi të saj. Pranë tij ishte Majori Britanik Oliver i cili koordinonte sulmet ajrore dhe për 10 ditë, mbi 240 bomba u hodhën nga aviacioni britanik, nga Sauku në Vlorë.

Forcat gjermane nuk e lëshonin qendrën e Tiranës dhe i frustruar nga pamundësia e marrjes së qendrës së saj, Mehmet Shehu kërkon bombardimin e zonës historike të Tiranës. Shtabi gjerman ndodhej tek pallati i Princeshave, trupat e tjera mbanin ministritë dhe Bulevardin.

Majori Britanik e refuzoi dhe nuk pranoi të bombardojë qendrën e Tiranës, duke shpëtuar me vetëdije zonën historike të Tiranës. Mëngjesin e datës 17 nëntor 1944, kur gjermanët ishin tërhequr, Majori Oliver bëri këtë foto të qendrës së Tiranës në tarracën e Hotel Dajtit.

Edhe pse luftimet ishin të ashpra, ajo nuk u prek dhe Teatri, në të djathtë të fotos, nuk ka asnjë shenjë plumbi dhe u ruajt në gjendje optimale. Kjo histori duhet të na shërbejë për të vlerësuar ato që kemi, dhe Teatri Kombëtar është një ndër to, që duhet “konservuar” dhe ruajtur me fanatizëm./KultPlus.com

Pikturat shkëmbore të Spilesë (FOTO)

Pikturat në shkëmbin e Spilesë ndryshe njihet nga vendasit edhe me emrin “Shpella e shkruar”.

Ajo paraqet një skenë gjuetie ku katër kalores me qentë e tyre ndjekin (drerët). Figurat janë paraqitur në siluete, të bëra me ngjyrë të bardhë. I takojnë si kohë, fillimit të epokës së hekurit. Kompozimi i figurave të njerëzve së bashku me figurat e kuajve dhe qenërve, ka një domethënie dhe japin qartë dhe bukur stilizimin e tyre.

Në realizimin e tyre me mjetet e përdorura, dëshmohet se është një krijim që i takon një kohe të vetme dhe se në të nuk mund të dallojmë periudha të ndryshme kohore. Datimi i pikturave prehistorike, përgjithësisht ka vështirësitë e veta kur bëhet fjalë për realizime të artit shkëmbor. Piktori i lashtë i vizatimit të tyre, duket se ka qenë i ushtruar në pikturimin e skenave të tilla. Ai i ka punuar ato në sipërfaqen e sheshtë të shkëmbit, disa metra mbi tokë. Kjo skenë e dëshmon se banorët e kësaj zone janë munduar që, nëpërmjet pikturës, të paraqesin jetën e tyre të përditshme.

Për datimin e pikturës së Trenit në epokën prehistorike, veç të dhënave që janë publikuar më parë, ka rëndësi kronologjike të dorës së parë vendosja dhe kompozimi i figurave sipas pjerrësisë që formon faqja e shkëmbit. Siç dihet, vendosja e pikturave në përshtatje me vendin, është një element karakteristik i Artit të epokës prehistorike , kohë së cilës i takon edhe piktura shkëmbore e Trenit (Spilese). Është shpallur monument kulture në vitin 1973./KultPlus.com

Burimi: Bashkia Devoll

“Eja rregullojmë shtëpinë, se mos vjen njeri”, 10 shprehjet që nuk u thuhen fëmijëve

Nga Klodiana Beshku

Disa shprehje nga jeta e përditshme, të cilat nuk do të doja t’ia thosha fëmijës sim.

Shoqëria shqiptare ka nevojë të ndryshojë; krahas nevojës për një sistem vlerash të riunifikuar, ajo ka nevojë edhe për një ndryshim të mentalitetit.

Sipas studiuesve të shkencave sociale, mentaliteti është më i vështiri për t’u ndryshuar, e këtë sidomos psikologët e dinë mirë.

Duke qenë se, siç do të thoshte Giddens-i, janë fjalët ato që kthehen në mendime, mendimet në vlera, vlerat në sjellje, sjelljet në norma e normat në kulturë, ndonjëherë mund të fillojë ndryshimi nga vetë përdorimi i ligjëratës me fëmijët tanë, nëpërmjet dekonstruktimit të zhargonit të përditshëm.

Në këtë mënyrë do të kishim një shoqëri më pak konfliktuale, me një sistem të homogjenizuar vlerash, ku antivlerat nuk do të ishin virtyte të “të fortit”, ndërsa vlerat tipare karakterizuese të “të dobëtit”.

(Një reflektim dekonstruktivist)

Është interesant fakti sesa mund të thotë për një individ mënyra e të shprehurit apo ajo e të shkruarit.

E njëjta gjë ndodh edhe me shoqërinë apo me grupet shoqërore.

Ka disiplina të shumta, si për shembull sociolinguistika, psikologjia konjitive, konstruktivizmi e strukturalizmi të cilat, të aplikuara si qasje në disiplina të ndryshme, mund të thonë shumë gjithashtu për një shoqëri apo popullsi të caktuar.

Në këtë drejtim arsyetonte qysh përpara një shekulli Faik Konica, i cili vërente se “Shqiptarët kur i lë treni, kurrë nuk thonë u vonuam, por na iku”.

Nën këtë vazhdë mund të gjejmë shumë syresh, si për shembull: “Po ha bukë” (e jo drekë ose darkë), togfjalësh i cili mund të jetë formuar si rezultat i vakteve të varfra e me bazë bukën e përditshme të popullit tonë.

Ka shumë shprehi të kësaj natyre, të cilat bashkëjetojnë me ne e na janë bërë aq të mirëqena, sa shpeshherë nuk i vëmë re fare.

Në përdorimin e përditshëm ka shumë të tilla, të cilat të ngërthyera në përdorimin e përditshëm, nuk janë vetëm subjekt anekdotash e batutash, po mund të ndikojnë sadopak në formimin kulturor të fëmijëve tanë.

Nëse shoqëria shqiptare do t’i adresohej një psikologu, një psikologu të zotë ama, kam përshtypjen time imagjinare se ai, pasi t’i bënte një analizë frojdiane pacientit-shoqëri, do t’i thoshte se duhej të kuptonte më mirë raportin me prindin-shoqëri.

Nisur nga ky reflektim, mund të thuhet se prindërit shqiptarë u kanë përcjellë fëmijëve të tyre, shpesh me naivitet e pa dashje, disa thënie të cilat mund të jenë kthyer më pas në vargonj të ndërgjegjes të gjithsecilit prej nesh, duke krijuar individë të vrazhdë, të ngrysur, intaçinj, ziliqarë e ambiciozë deri në anulimin e tjetrit.

Janë disa thënie të jetës së përditshme, të cilat unë do të mundohesha t’ia evitoja së thëni fëmijës tim, pikërisht për nivelin e lartë të manipulimit kulturor e individual që ato fshehurazi mbartin, si për shembull:

1. “Shikoje filanin/filanen, vajzën e filanit/filanes se sa mirë është me mësime, sa mirë sillet/vishet/kërcen/pikturon/i bie një vegle muzikore etj.”

Ky lloj krahasimi nuk nxit, ose më mirë jo vetëm nxit fëmijën për të vepruar ashtu siç duhet, por e vendos fëmijën në një konkurrencë të vazhdueshme, e cila nuk është gjithnjë e shëndetshme.

Fëmija nuk mësohet t’i bëjë këto veprime për të qenë i realizuar me veten, por për të dalë “i pari” në garën e padukshme në të cilën e ka vendosur prindi, pra në të ardhmen për të tjerët.

Risku është se, nëse dikush ia kalon, ai do ta vendosë veten përsëri në garë me dikë tjetër e do të mbetet keq e i palumtur nëse nuk e fiton garën.

Ky krahasim i vazhdueshëm, besoj, ka bërë atë që në shoqërinë shqiptare të ekzistojnë togfjalësha të tillë si: “u bë ky që erdhi nga andej apo nga këtej” apo u bë kjo që “deri dje ishte e bija/i biri i filanit (i një njeriu të thjeshtë)”.

Si pasojë, ndodh që në shoqërinë shqiptare të mos besohet a vlerësohet arritja nëpërmjet “ashensorit social”, produkt i globalizmit të epokës aktuale, por të mbetemi peng i paragjykimit apo inatit të ngushtë personal ndaj çdo arritjeje apo suksesi të tjetrit.

2. “Të mbajmë në rregull shtëpinë se mos vjen njeri”, “të vishesh e të mbahesh se mos takojmë njeri”, “të sillesh me edukatë se mos të sheh njeri” etj.

Bëhet fjalë për këshilla shumë të vlefshme e të dobishme, por këtë “njeriun” si nuk e pamë ndonjëherë?!

“Njeriu” është një nocion abstrakt i cili më konkretisht do të përkthehej:

“Ki mendjen se ç’mund të thonë të tjerët për ty”.

E kështu, “të tjerët” kthehen në vetë-veten dhe ndarja bëhet gjithnjë e më e vështirë.

Ti jeton për të tjerët, vepron për të tjerët, ke sukses që ta shohin të tjerët, krijon familje që të jesh në rregull me të tjerët.

Presioni social i vazhdueshëm bën që, edhe pasi t’i kesh realizuar qëllimet që i ke vënë vetes (për të tjerët), përsëri të mos jesh asnjëherë plotësisht vetvetja: fasada dhe maska bëhen po aq të rëndësishme sa vetja.

Shoqëria shqiptare është plot me individë, të cilët edhe në moshë të pjekur sforcohen të mos tregojnë qoftë edhe një dobësi të vogël në publik, pasi vigjilenca e tyre, e stërvitur mirë qysh në fëmijëri, nuk ua lejon këtë.

Në epokën e rrjeteve sociale apo të “selfie”-ve, të kësaj shpikjeje të re të njerëzimit, e cila na lejon t’i tregojmë botës atë se si ne duam që ajo të na shohë ajo, bëhet akoma e më i dukshëm ky transformim psikologjik.

3.“Mos qaj, çunat nuk qajnë, vetëm gocat qajnë. Pse, gocë je ti?!”

Nuk besoj se ka shprehje e cila të mund të ushqejë më shumë maskilizmin e vrazhdë shqiptar sesa kjo.

Një fëmijë, djalë, i vogël ose i rritur qoftë, nuk mund të përlotet, nuk mund të humbasë, nuk mund të dështojë në jetë.

Vetëm vajzave mund t’u ndodhë kjo.

Si rrjedhojë, ndodh që meshkujt shqiptarë mospërlotjen e kanë si tregues të burrërisë së tyre, ndërsa çiltërsinë e të sjellurin me kulturë e quajnë dobësi, një dobësi e cila “u shkon” vetëm femrave.

Presioni shoqëror ndaj meshkujve shqiptarë vepron fort, shpesh më fuqishëm se ndaj femrave, ndonjëherë deri në pikën që, për t’i konfirmuar vetes “burrërinë” e tyre, ata arrijnë deri në dhunë fizike ndaj femrës, derisa ta shohin atë të qajë, në fund të fundit, siç i takon.

4. “Mos dil se vajzat e mira nuk dalin, vajzat e mira nuk kthehen vonë, vajzat e mira gatuajnë për vëllain/babain ose bëjnë punët e shtëpisë”.

Te këto shprehje nuk janë për t’u kritikuar dhe aq këto këshilla apo porosi të cilat ushqejnë ndarjen stereotipike gjinore mes femrave/meshkujve, aq sa mund të vihet në dyshim togfjalëshi “vajzë e mirë”.

Kush e vendos kur është e mirë një vajzë?

Sipas cilave rregulla mund të jetë e mirë një vajzë?

Kujt i duhet një vajzë e mirë?

Vajza është e mirë atëherë kur ajo është në përputhje me kornizat shoqërore?

Po një vajzë e përkushtuar ndaj vetes apo shoqërisë, nuk është e mirë?

Një shkencëtare, studiuese, aktore, muzikante apo revolucionare, e cila nuk gatuan apo pastron, nuk është e mirë?

Një femër e pamartuar, e divorcuar, e rimartuar, e cila ka refuzuar t’i shërbejë një mashkulli për gjithë jetën pa marrë asgjë në këmbim, mos vallë nuk është e mirë?

Në vend të vendosim kategori të tilla abstrakte, përse të mos promovojmë “njeriun e mirë” e jo “vajzën e mirë” apo “djalin e fortë”?

5. “Mos ia jep këtë lodër atij fëmijës tjetër se e thyen, mos ia lër biçikletën tënde se ai/ajo e prish, mbaje fort këtë gjënë tënde se është e jotja”.

Unë do të doja që, në të kundërt, t’i mësoja fëmijës sim konceptin e “të ndarit” me të tjerët.

E para për arsyen se të mirat materiale nuk mbeten të tilla përjetë, ato prishen, oksidohen, thyhen e copëtohen për shkaqe të ndryshme, shpesh edhe natyrore, si rrjedhojë, pasi të mbetesh pa këtë të mirë materiale, ke mbetur edhe pa shokun/shoqen të cilit ia refuzove atë.

Në këtë botë ka gjasa të mbetesh pa disa të mira shpirtërore, të cilat janë shumë të lira, kushtojnë pak, por të bëjnë të lumtur.

E dyta, për një arsye shumë të thjeshtë: Nëse njerëzit që të rrethojnë nuk kanë ose nuk janë të lumtur, as ti vetë nuk mund të jesh plotësisht i lumtur.

Kjo ngjan si puna e të bardhëve të pasur në Kongo, të cilët jetojnë në shtëpi luksoze pak metra nga lagjet e varfra kongoleze afrikane.

Ata nuk mund të ndajnë asgjë me fqinjët e tyre, përkundrazi, jetojnë me frikë prej tyre gjatë gjithë kohës.

6.“Ti je më i miri/e mira, më i zgjuari/e zgjuara, më i bukuri/e bukura në kopsht/shkollë/farefis apo mëhallë”.

Unë kam përshtypjen se ky lloj etiketimi veçse e bën fëmijën të krijojë një imazh të shtrembëruar për vetveten dhe kur ky imazh nuk përkon me atë që të tjerët mund të kenë për të në të ardhmen, mund të gjenerojë një sërë problemesh.

Me këtë nuk dua të them se fëmijës duhet t’i mungojë vetëbesimi apo nuk i duhet ushqyer ai, por ky vetëbesim duhet të jetë i ekuilibruar e me masë.

Në vendin tonë ka një numër të madh individësh të cilët janë të bindur se shumica e atyre që i njohin i kanë zili, i urrejnë apo nuk bëjnë gjë tjetër veçse merren me ta.

Për këtë, mjafton një sondazh me sy të lirë në rrjetet sociale.

Mjafton të vëresh me kujdes pohimet në lidhje me veten nga individë të publikuara në muret private.

Më e bukura është se këto lihen të hapura enkas që t’i shikojnë “ziliqarët”.

7.“Jepja lodrën vëllait/motrës se është më i/e vogël ose hapi rrugë vëllait/motrës se është më i/e vogël”.

Shoqëria shqiptare është një shoqëri tejet emocionale e pak racionale.

Me thënie të kësaj natyre veçse ushqehet më tepër përdorimi i “zemrës” në vend të “mendjes”, duke zgjeruar fushën e aplikimit të emocionalitetit në vend të racionalitetit në shoqërinë tonë.

Do të ishte më mirë, ndoshta, që më të voglit t’i “hapej rrugë” nëse ai kishte të drejtë, jo sepse është thjesht “më i vogël”, po kështu edhe më të madhit apo më të “fuqishmit”.

8.“Dëgjoje vëllain/motrën se është më i madh ose bëj atë që të thotë ai/ajo”.

Këtë thënie nuk e gjykoj të drejtë për të gjitha arsyet e shprehura në pikën më sipër, por gjithashtu kësaj i shtohet edhe një argument tjetër në disfavor të përdorimit të saj; ai i nënshtrimit ndaj autoritetit, edhe nëse ky autoritet nuk është legjitim apo abuzon me pushtetin e tij.

Kjo thënie, e ngulitur në shoqërinë shqiptare qysh nga fëmijëria e hershme, nuk është dhe aq naive sa duket.

Ajo mbart një sërë derivatesh të tjera të tipit: do të bëhet kështu se kështu them unë, babai ka gjithnjë të drejtë, e si rrjedhim xhaxhai apo daja etj.

Në një shoqëri patriarkale, autoritariste e bajraktare, përdorimi i këtyre shprehive duhet të dalë jashtë përdorimit për arkaizëm e dëmtim të personalitetit.

Argumentimi i përse-së ndoshta do të ishte një alternativë më e mirë në këtë rast.

9.“Mësuesja/mësuesi të vuri katër ose të la roja e shkollës jashtë orën e parë”.

Kjo është paksa si puna e trenit të Konicës.

Mendoj se në shprehje të tilla duhet të zëvendësohen medoemos foljet në trajtën pësore të tipit: “Ti more katër ose ti mbete jashtë orën e parë”.

Në këtë mënyrë diskursi bëhet me realist dhe te fëmija përcillet ideja se ai është vetë farkëtar i veprimeve të veta dhe pasojat si rrjedhojë e veprimeve ose mosveprimeve të tij bien vetëm mbi të.

Kjo do të reflektohej më pas te qytetarët e nëpunësit e ardhshëm të kësaj shoqërie, të cilët do të ishin më të përgjegjshëm në veprimet e tyre.

10.“Kë do më shumë, mamin apo babin?”

Për mendimin tim kjo është pyetja më e vështirë që mund t’i bëhet një fëmije të vogël dhe njëkohësisht pyetja më absurde që mund t’i bëhet një fëmije pak më të rritur, i cili mund të ketë tendencën që të përgjigjet ashtu siç mund t’i volitet më mirë për momentin.

Kjo pyetje ngulit te fëmija idenë e pabarazisë sipas së cilës, prindërit mund edhe të mos i duash njësoj e në të ardhmen edhe vetë njerëzit mund të mos jenë të barabartë.

Duke qenë se zakonisht duhet më shumë ai që sjell më shumë dhurata në shtëpi apo ai që rri më pak me fëmijën dhe si rrjedhojë e argëton atë më shumë (në rastin shqiptar këtë rol e luan kryesisht babai), fëmija mund të mësojë të preferojë gjithnjë fitimtarin, argëtuesin, njeriun e zotë, liderin, sesa të nënshtruarin, përkujdesësin dhe njeriun që të rri më pranë./ Psikologjia/ KultPlus.com

“One Kiss” e Dua Lipës një nga më të dëgjuarat në Tomorrowland

Një nga festivalet më të mëdha në botë “Tomorrowland” ka përfunduar, me shumë yje që kanë performuar në këtë festival të muzikës elektronike.

“Edmtunes” ka bërë përmbledhjen e top dhjetë këngëve që janë dëgjuar më së shumti në këtë edicion të festivalit.

E në mesin e tyre është e “One Kiss” e Dua Lipës dhe Calvin Harris, që zë vendin e katërt.

Në vendin e parë është “Losing It” e Fisher, kurse vendin e dytë e zë DJ i mirënjohur Avicii që javë më parë ndërroi jetë. “Levels” është kënga e tij që zë vendin e dytë, kurse në të tretin është “Epic (Garmiani Remix)” nga Sandro Silva & Quintino.

Dhe pas Dua Lipës e Calvin Harris, renditet në vendin e pestë Don Diablo me “Momentum”.

Top dhjetë këngën më të dëgjuara janë:

Fisher – ‘Losing It’
Avicii – ‘Levels’
Sandro Silva & Quintino – ‘Epic (Garmiani Remix)’
Calvin Harris & Dua Lipa – ‘One Kiss’
Don Diablo – ‘Momentum’
Tiësto & Dzeko ft. Preme & Post Malone – ‘Jackie Chan’
Axwell ? Ingrosso ft. Kristoffer Fogelmark – ‘More Than You Know’
Avicii ft. Aloe Blacc – ‘Wake Me Up’
Kid Cudi ft. MGMT – ‘Pursuit Of Happiness (Steve Aoki Remix)’
Yeah Yeah Yeahs – ‘Heads Will Roll (A-Trak Remix.

Mozaikët në Bazilikën e Linit, destinacioni që nuk duhet humbur

Pak ditë më parë u zbulua për vizitorët ambienti i Baptisterit, i cili shërben për pagëzimin e kandidatëve të bashkësisë kishtare ndërsa vet ministrja e kulturës, Mirela Kumbaro e ka konsideruar një destinacion që nuk duhet humbur. Sipas saj, muaji gusht është edhe muaji i mozaikëve.

Ministrja shkruan në Facebook, “Moos e humb. Sapo kemi zbuluar mozaikun e mrekullueshëm të Bazilikës së Linit në Pogradec. Është super”.

Këtë vit turizmi kulturor ka marr më shumë përparësi pasi turistët e huaj nuk po vizitojnë më vetëm bregdetin por dhe sitet arkeologjike si një atraksion historik dhe kulturor.

Në qendër të tij ndodhet vaska e pagëzimit në formën e një luleje katërfletëshe dikur e veshur me pllaka mermeri. Në këtë ambient dominon motivi i pjergullës.

Për të gjithë vizitorët , ambienti i cili do të jetë i vizitueshëm është pastofori, ambient polifunksional i cili shërbente për ruajtjen e teksteve ungjillore dhe sendeve të shenjta të përdorimit liturgjik.

Gjatë zbulimit të mozaikëve së bashku me specialistët e IMK-së, Gon Islami, dhe arkeologen Froseda Angjellari, ishte i pranishëm dhe profesori i Historisë së Artit dhe Muzeve në Universitetin e San Franciskos, Nathan Dennis./ KultPlus.com

Për të bukurën pa shtrat

Poezi nga Valdete Andoni

Kur ajo vdiq
burrat që e deshën
nuk ishin në përcjellje
U panë vetëm gratë e tyre
buzëpafshira
Dyzetë ditë më pas, në mesnatë
të martuarve
diçka e ftohtë, diçka e bardhë
u hyri nga dritarja në shtrat
dhe perdet u mekën si fustane nusesh
Nëntë muaj, asnjë ditë më pas
Zoti u fali atyre nga një vajzë
Me buzët dhe sytë e të vdekurës./KultPlus.com

Shfaqja “Gjymtimi” pjesë e Festivalit të Martin McDonagh

Shfaqja “Gjymtimi” e Teatrit Shqiptar me regji të Qëndrim Rijanit është përzgjedhur në programin e Festivalit Ndërkombëtar të Martin McDonagh në Perm të Rusisë.

Regjisori i shfaqjes “Gjymtimi”, Qëndrim Rijani në një intervistë të mëhershme kishte thënë se teksti i McDonagh paraqet pasqyrim të realitetit të pranishëm edhe në këto hapësira, me të gjitha mangësitë dhe problematikat, me të gjitha gëzimet dhe hidhërimet.

Rolet e kësaj shfaqje i interpretojnë aktorët e njohur të Teatrit Shqiptar, si: Adem Karaga, Amerins Nokshiqi dhe Luran Ahmeti. Në tekstet e McDonagh është i shprehur brutaliteti, si një prej formave më të njohura./ KultPlus.com

Dokumentari për Paul Walker, zbulon lidhjen e veçantë me të bijën

Të afërmit dhe njerëzit më të dashur të Paul Walker flasin për aktorin që humbi jetën në mënyrë tragjike nga një aksident në 2013, në një dokumentar për jetën e tij.

Ata tonë se 40-vjeçari e adhuronte vajzën e tij Meadow, e cila ishte vetëm 15 vjeç kur i ati ndërroi jetë, transmeton tch.

“Ai e adhuronte të ishte baba. Ishte mjaft krenar për të”, ka rrëfyer i vëllai, Cody në një intervistë për “People”.

Vajza e tij adoleshente shkoi në Kaliforni për të qenë me të atin një vit para tragjedisë, pasi u rrit me të ëmën në Hawaii pasi ata të dy ishin shumë të lidhur. E ëma e Paul, Cheryl, flet për gëzimin që ndjente duke ndihmuar çdo ditë të mbesën në shkollën e kërcimit.

Paul e shoqëronte gjithmonë të bijën dhe ajo ishte shumë e ëmbël, thotë Cody, dhe mëngjesin e vdekjes së tij më 30 nëntor 2013 ata kishin ngrënë mëngjes bashkë, dhe e kishin lënë që do dilnin më vonë për dekorimet e pemës së Krishtlindjeve./ KultPlus.com

Sonte nis “The Summit Fest”, edicioni i katërt i festivalit të muzikës elektronike

The Summit Fest fillon sonte me edicionin e katërt në parkun e Gërmisë në Prishtinë, më saktësisht në hapësirën e njohur si ‘Te koshat’, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Për dy net, më 3 dhe 4 gusht, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë t’i kalojnë orët e mbrëmjes me muzikë elektronike, e cila nuk do të ndalet deri në mëngjesin e ditës së nesërme.

Leart Zeqa, organizator i këtij festivali nga kompania Modus tha, “këtë vit ‘The Summit Fest’ ka filluar të punohet shumë muaj më parë në mënyrë që gjithçka të jetë ashtu siç kemi planifikuar dhe në mënyrën më të mirë të mundshme. Kemi një lineup shumë të gjerë dhe shumë të mirë me të cilin jemi marrë qe një kohë të gjatë që t’i kemi në data e festivalit”.

Më tutje thuhet se do të ketë DJ shume të njohur të muzikës techno siç është: Thomas P. Heckmann (headliner), i njohur si Drax që është legjenda i technos viteve 90, pastaj Mattia Tranni (Analog Live) nga Italia, Joron Luka nga Holanda, Keikari (Modular Live) nga Franca, dhe Eliss (Hybrid Live) nga Kosova.

Kurse më 4 gusht (të shtunën) do të performojnë: Noneoftheabove (Hybrid Live) (headliner) nga Gjermania, Deformation Boolennee d_b (Live) nga Franca, Hodone & Ostflux (Live Act) nga Franca e Kosova si dhe Sting Stang dhe Stratos nga Kosova.

“E veçantë në këtë edicion është fakti se për efektet vizuele do të kujdesen artistët nga Gjermania Sebastian Kökoë dhe Kevin Paschold nga kompania 29 Nov. Films lider në këtë fushë, që do të sjellin koncepte artistike vizuele në skenën e madhe të “The Summit Fest”, diçka që nuk kemi pas rast të shohim më parë në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

The SUMMIT Fest, mbështetet nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës, Ambasada holandeze në Kosove dhe ICK.

Biletat mund të blihen në hyrje të festivalit duke filluar nga ora 20:00./ KultPlus.com

ProCredit Bankë vazhdon të përkrahë rrugëtimin e DokuFest

DokuFest, ngjarje përvitshme kulturore që mbush plot rrugët e Prizrenit, është shndërruar në ngjarjen më të madhe kombëtare. Ky festival e ka vendosur Kosovën në agjendën e shumë mysafirëve nga mbarë bota që shijojnë ditët plot diell e aktivitetet në bukuritë e Prizrenit.

Në këtë edicion do të shfaqen mbi 260 filma në kategori të ndryshme, nëpërmjet programeve garuese dhe atyre speciale. As edhe këtë vit, nuk do të mungojnë përformancat, punëtoritë dhe panelet e ndryshme, që synojnë ta shndërrojnë Prizrenin në pasqyrë, përmes temës së “Reflektimit”.

Një nga shtyrësit më të fuqishëm të këtij rrugëtimi, pa dyshim që është banka e madhe ProCredit Bankë, e cila vazhdon të besoj fuqishëm në vlerat që posedon ky festival, e në vlerat e artit e kulturës në përgjithësi.

ProCredit Bankë vazhdon besnikërinë ndaj festivalit edhe këtë vit, si nga hapat e parë të rrugëtimit, duke e mundësuar ngritjen e këtij festivali dhe duke mundësuar idealizimin e qëllimeve të tij.
Artistë të huaj që i përkasin jo vetëm fushës së kinematografisë por edhe me gjerë, kur flitet për Kosovën, atë e njohin pikërisht përmes këtij festivali.

Magjia e mbrëmjeve në Kala, në Marash, në Kino Lumëbardhin do të vazhdoi edhe këtë vit për të shtatëmbëdhjetin vit me radhë, duke filluar nga sot kur edhe do të filloi ky festival, më 3 gusht për të vazhduar deri më 11 gusht.

ProCredit Bank, është një ndër bankat që i jep shumë hapësirë ngjarjeve të mirëfillta kulturore në vend e kjo është dëshmuar jo vetëm me DokuFest-in, por edhe me shumë ngjarje të tjera që ka organizuar ProCredit./KultPlus.com

Së shpejti nis restaurimi i Mësonjëtores së Parë Shqipe

Sot nëpërmjet një njoftimi në rrjetin social Facebook, Instituti i Monumenteve të Kulturës, ka treguar se shumë shpejt do të nis restaurimi i Mësonjëtores së Parë Shqipe, shkruan KultPlus.

Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit do të restaurohet godina e Mësonjëtores së Parë Shqipe, sot Muzeu Kombëtar i Arsimit.

“Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar projektin për: “Restaurimin e Mësonjëtores së parë shqipe”, Korçë. Projekti i hartuar nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Korçë parashikon restaurimin e elementëve konstruktivë të objektit. Instituti i Monumenteve të Kulturës mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje, e cila kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore”, thuhet në njoftim.

Kjo ndërhyrje konstruktive vjen për të kuruar këtë godinë historike, të klasifikuar si Monument Kulture të Shkallës së Parë./ KultPlus.com

‘Jam i lodhur duke parë fytyra femrash të rrethuara nga botox’

Pasazhe nga Charles Bukowski

Padyshim Bukowski është një nga shkrimtarët dhe poetët më “autobiografikë” në historinë e letërsisë. Si romanet apo tregimet, ashtu dhe poezitë e tij nuk janë gjë tjetër, veçse një transformim në formë letrare të jetës së autorit, përshkruar “me një vërtetësi prej një njeriu që s’ka asgjë për të humbur”.

E ndonëse forma autobiografike haset shpesh në prozë, në poezi, sidomos në varg të lirë, ajo është tepër e vështirë dhe kërkon virtuozitet të jashtëzakonshëm. Këtë virtuozitet e gjejmë kudo në poezitë e Bukowskit, që nuk ngurron të kthejë në varg biseda cubash në cepin e rrugës, sherre grash të lodhura nga jeta apo shkëlqimin që has në sytë e maces së tij. Megjithatë, ekziston një veçanti në formën autobiografike të autorit. Padyshim, gjithçka frymëzohet nga ndodhi të jetës së tij, por në këtë pikë vlen të ngremë pyetjen: cili është Charles Bukowski, autor? Që në fillim të veprës së tij, Bukowski krijon personazhin e tij artistik: Henry Chinaskin, ose Henkun, siç e thërrasin miqtë. Një personazh shumë i ngjashëm dhe i frymëzuar nga vetë autori, por dhe shumë i ndryshëm për sa i përket karakterit të tij shpërthyes. Këtë ndryshim e ka spikatur fillimisht miku dhe biografi i autorit, Neeli Cherkovski, i cili i referohet Henkut letrar si një personazh-mjet për të fshehur dobësitë e Charls-it. Histori që në të vërtetë mbylleshin me një përshëndetje të thjeshtë, në prozën apo poezinë e autorit përfundojnë me rrahje të përgjakura, që shpëlahen me birrë, verë, uiski (gjithmonë të cilësisë më të ulët), ose të vjella. Ky transformim i realitetit s’është gjë tjetër veçse një pasqyrim i vuajtjeve shumë më të thella, se ato të shkaktuara nga të rrahurat. Bukowski vuan thellë dhe pamundësia e tij për të rënë dakord me jetën e rezervuar për të dhe të ngjashmit e tij, nga shoqëria, vjen e përshfaqur përmes grushteve, shkelmave, zemërimit. Për mendimin tim, ky është dhe këndvështrimi nga i cili duhen perceptuar skenat e dhunshme që shoqërojnë gjithmonë rrëfimin e tij. Henku ka diçka të frymëzuar nga Hemingway-dhe Bukowski bëri gjithçka që cilësitë e tij të dukej se i përkisnin vetë autorit. Ketë sforcim ai e shpreh dhe në poezinë “Zogu i kaltër” ku i kërkon kësaj brishtësie të personifikuar në zogun e kaltër, të mos dalë në sipërfaqe, pasi kështu do të rrezikonte shitjet e autorit të suksesshëm në Europë. Por “zogun e kaltër” nuk ngurroi ta sillte në dritë biografi i tij në botimin “Hank a life”. Zbulimi i Cherkovski-t mbi këtë ndërtim fiktiv të alteregos së autorit, u bë dhe shkaku i cenimit të miqësisë së tyre, e cila për këtë arsye u ftoh gjatë viteve të fundit të jetës së autorit.
^^^
“Nuk kërkoj kurrë të përmirësohem ose të mësoj diçka, qëndroj ekzaktësisht siç jam. Nuk jam ai që mëson, jam një që shmang. Nuk kam dëshire të mësoj, ndjehem përsosmërisht normal në mënyrën time të çmendur. “
“Po çfarë shmangni?”
“Për t’u bërë si të tjerët.”
^^^
I dua vetmitarët, ata ndryshe, ata që nuk i takon kurrë.
Ata të humburit, të shkuarit, shpirtshkatërruarit.
Ata me shpirtin në flakë…
^^^
‎”Patëm vendosur të çonim ilaçe në Afrikë…por tek të gjitha shkruhej: Pas buke!”
^^^
Jam i lodhur duke parë fytyra femrash të rrethuara nga botox. Gjinj të tejmbushur, të copëtuar nga konkurrenca, prapanica të ekspozuara, taka dhe truke kozmetike, gjeste të vështira për gratë e lirshme, tashmë të padallueshme edhe nga ato të zanatit…

Dëshiroj të shikoj femra me feminitetin e tyre, me sjellje të butë, me buzëqeshje plot hir, lëvizje joshëse , me fjalë të ëmbla dhe të sigurta në të njëjtën kohë. Me mendime origjinale dhe të reja. Dëshiroj të shikoj femra të pavarura, jo skllave të burrave që sakrifikojnë dinjitetin e tyre. Femra me zemra prej akulli të shkrirë, shoqe dhe mike të meshkujve, të lira dhe të sinqerta
^^^
6 këshilla nga Bukowski se si ta jetoni një jetë të mrekullueshme

Ai nuk është ndonjë ‘guru’ i mirë, mirëpo nuk mund ta mohojmë që e ka jetuar një jetë plotësisht të shfrenuar pasi që ashtu ka dashur dhe asnjëherë nuk i kanë interesuar mendimet e të tjerëve.
Pavarësisht se çfarë jete ka jetuar ai, ju mund ta jetoni jetën që dëshironi nëse i dëgjoni këshillat e tij.

Më poshtë sjellim për ju 6 këshilla nga Bukowski se si ta jetoni një jetë të mahnitshme:

1) “Gjeni diçka që e dashuroni dhe lëreni të ju vrasë”
Shumë shpeshherë brengosemi me vendimet të cilat i marrim se a do t’i pëlqejnë familjarëve apo shoqërisë. Mirëpo, harrojeni atë gjë dhe jetoni jetën tuaj, prandaj gjeni diçka që dashuroni të bëni dhe bëjeni atë deri të vdisni.
2) “Jeta është aq e mirë sa ju e leni të jetë”
Mos i bëni presion vetvetes pasi që ju merrni nga jeta atë që ju e vëni së pari aty. Dhe ndonjëherë, krejt çfarë duhet për një jetë të lumtur është një perspektivë e mirë.
3) “Disa njerëz asnjëherë nuk sillen si të çmendur. Çfarë jete të tmerrshme e jetojnë…”
Mos harroni të silleni si të ‘shfrenuar’ së paku një herë. Jeta është shumë e shkurtë të qëndroni gjithmonë normal.
4) “Ndonjëherë ju zgjoheni nga gjumi dhe mendoni se nuk mund të ja dilni mbanë – por pastaj filloni të qeshni kur i kujtoni të gjitha ato rastet kur jeni ndjerë njëjtë”
Të gjithë jemi ndjerë kështu, së paku një herë.
5) “Më së shumti rëndësi ka se sa mirë ecë ti përgjatë zjarrit”
6) “Të gjithë ne do të vdesim, çfarë cirku. Kjo gjë duhet të na bëjë ne ta duam njëri-tjetrin por nuk na bën. Ne jemi të terrorizuar dhe të rrafshuar nga gjërat e pa rëndësishme”
Kjo po që është e vërtetë dhe shumë e rëndësishme që ta mbani mend. / KultPlus.com

CENTURY CITY, CA – NOVEMBER 4: Charles Bukowski attends the screening of “Barfly” on November 4, 1987 at the Cineplex Odeon Cinema in Century City, California. (Photo by Ron Galella, Ltd./WireImage) *** Local Caption *** Charles Bukowski

Sonte hapet në Ulqin ‘Panairi i librit 2018’

Qendra e Kulturës Ulqin në bashkëpunim me Organizatën Turistike – Ulqin si dhe Instituti i Librit – Tiranë, organizojnë “Panairin e Librit 2018”, të 18-in me radhë.

“Panairi i Librit 2018” do të hapet sonte, më 3 gusht, në orën 20:00, në Plazhin e Vogël – Shëtitore.

Si risi e edicionit të 18-të mund të cekët numri i ekspozuesve prej 50 shtëpive botuese dhe librarive në gjuhën shqipe dhe malazeze.

Ndër të tjera, mbrëmja e dytë dhe e tretë e kohëzgjatjes së Panairit do t’i ofrojë publikut të gjerë mbrëmje autoriale kushtuar shkrimtarëve Pavle Goranoviq nga Mali i Zi (04.08.2018., 21:00 h) dhe publicistit Namik Dokle nga Shqipëria (05.08.2018., 21:00 h), në ambientet e Hotelit “Palata Venecia”./ KultPlus.com

Fotografi e veçantë e gruas arbëreshe me dy fëmijë

Janë emërtuar si arbëreshë, pasi në kohën kur u larguan nga Shqipëria, ajo quhej Arbëri.

Arbëreshët u vendosën në Itali në shekujt e pesëmbëdhjetë dhe trembëdhjete, pas vdekjes së heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe pushtimit gradual të Shqipërisë dhe të gjithë Perandorisë Bizantine nga turqit osman.

Por edhe pse të larguar 600 vjet më parë, ata nuk e kanë harruar vendin e të parëve dhe ruajnë të gjalla, traditat e tyre të pasura si gjuhën, veshjet dhe ritet e doket që kishin në mëmëdhe.

Po sjellim një fotografi të një gruaje Arbëreshe me dy djemtë e saj./ KultPlus.com

Ansambli “Dibra” fitues i edicionit të pestë të Festivalit “Oda e Llapushës”

Mbrëmë në Malishevës, ka përfunduar edicioni i pestë i festivalit folklorik “Oda e Llapushës”, i cili është mbajtur dy net rresht. Fitues i festivalit është shpallur Ansambli “Dibra” nga Peshkopia, e cila sipas jurisë profesionale, kishte paraqitjen më të mirë në këtë festival.

Festivali mbarëkombëtar i festivalit folklorik “Oda e Llapushës”, është mbajtur për herë të pestë radhazi dhe nga tani është shpallur edhe festival tradicional, ku ansamblet, grupet dhe rapsodët, janë paraqitur me pikat e tyre nga pasuria e folklorit nga të gjitha trevat shqiptare.

Në këtë edicion, janë paraqitur mbi 40 ansamble, grupe dhe rapsod, ndërsa festivali në këtë vit është përcjellë edhe me disa risi, duke filluar nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, e cila, sipas zëvendësministrit të kësaj ministrie, Rexhep Mazreku, ka premtuar se festivali, i cili tashmë është tradicional, do të mbështetet edhe nga ministria, ndërsa sipas zëvendësministrit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Çerkin Dukolli, nga viti i ardhshëm, Posta e Kosovës, do të editoj pullën postare “Salih e Feriz Krasniqi”, që i dedikohet edhe festivali “Oda e Llapushës”, pasi tashmë ka filluar kjo iniciativë dhe propozimi me materialet përcjellëse, është dorëzuar për miratim.

Në festivalin “Oda e Llapushës” janë ndarë nëntë çmime dhe fituesit e çmimeve janë: çmimi i diasporës: SHKA “Iliria”-Gjermani, çmimi grupi më i kompletuar i festivalit: Ansambli “Shotë Galica”-Drenas, çmimi i publikut: Ansambli “Vaçe Zela”-Lushnje, çmimi i karrierës: këngëtarja Saime Memaj nga Laçi, çmimi “Beqir Gashi” për debutantin më të ri: Elvana Gashi-Stragovë e Kaçanikut, çmimi veterani i folklorit: Zymer Kryeziu, Vendi i tretë: Nuredin e Gëzim Bytyçi, vendi i dytë: Ansambli “Shqiponjat e Dukagjinit” dhe vendi i parë që mbanë emrin e ikonave të folklorit “Salih e Feriz Krasniqi”: Ansambli “Dibra” nga Peshkopia. Çmimin për vendin e parë, e ka ndarë nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha.

Juria profesionale, e cila i ka vlerësuar ansamblet, grupet dhe rapsodët, ishte e përbërë nga profesionistët dhe njohësit më të mirë të folklorit në vend, prof.Dr. Zymer Neziri, prof.Dr. Adem Zejnullahu dhe Mr. Izet Duraku./ KultPlus.com

Afrim Demiri merr çmimin e parë në Manifestimin Poetiko-Letrar “Malli poetik i Kosovës”

Poeti Afrim Demiri, u shpërblye me çmimin e parë në Manifestimin Poetiko-Letrar “Malli poetik i Kosovës”, edicioni i shtatë, që u mbajt në Fushë Kosovë, shkruan KultPlus.

Poeti këtë shpërblim e cilëson si ngushëllim poetik për humbjen e hershme të mikut të tij Bekim Lumi, që sipas Demirit ishte lexuesi i parë i kësaj poezie.

Këtë njoftim e ka bërë poeti nëpërmjet rrjetit social Facebook, ku po sjellim të plotë shkrimin e tij bashkë me poezinë:

Ky shpërblim vije si një ngushëllim poetik, për humbjen e hershme të mikut Bekim Lumi, i cili ishte lexuesi i parë i saj dhe e cila kaloi nëpër laboratorin e tij redaksional dhe kritik. Bekim ty, si një Skenderbegas I devotshëm që ishe, ta përkushtoj këtë shpërblim si falënderimin më të madh shpirtëror, për frymëzimin dhe nxitjen artistike dhe estetike që ma dhuroje, në çdo moment pranie me Ty. Të lutem, dëgjoje marshin Skenderbegas si vije deri tek ti!

Një lutje e moçme 550 vjeçe

Mos i tremb
sorrat me shpatë
Moti janë mallkue
të krokasin sipër parzmores
Sate

Fali siç I falje
pabesitë

Dil nga lëkura e bronztë
Udhës së Kombit kthehu
Mos e hiq përkrenaren bricjapi
ta dish bajlozët nuk dalin ma
veç prej detit

Saherë që hataja
troket në pragjet tona
Kreshpëro me jelat e gjogut tand
si bisht komete

Zbrit nga qielli Arbëror
hidhe shikimin matanë
pashë Diell e Hanë
Shtegto me hirin tand
Princor

Gjamën e kambanave
për ty
ndigjoje
Dhe lutjen tonë
besoje

Maj, 2018

Shqipëria ndalon përdorimin e telefonit në shkollë

Në vitin e ri shkollor që nis në shtator, nxënësit në Shqipëri nuk do të lejohen të mbajnë telefon gjatë orës së mësimit.

Urdhri i firmosur nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla ndalon rreptësisht përdorimin e tyre gjatë procesit mësimor si nga nxënësit ashtu dhe nga mësuesit.

Urdhri hyn në fuqi menjëherë dhe pritet që të zbatohet në vitin e ri arsimor që fillon më 17 shtator. Në vendim qartësohet ndalimi gjatë procesit mësimor, gjatë orëve të mësimit por jo në pushime dhe aktivitete të tjera, transmeton atsh.

Vetëm tre ditë më parë, Parlamenti francez miratoi me shumicë unanime ligjin për ndalimin e përdorimit të telefonave në shkolla. Sipas ligjit të miratuar, ndalimi i përdorimit të telefonave do të bëhet në arsimin parashkollor, fillor dhe në shkollat e mesme./ KultPlus.com

Botohet pas 62 vitesh një tregim i Hemingway

Një tregim i Ernest Hemingway do të publikohet për herë të parë pas 62 vitesh.

“A Room on the Garden Side”, u shkruajt në vitin 1956 dhe do të publikohet këtë javë në numrin 55 nga “Strand Magazine”, një revistë letrare.

Ky tregim zhvillohet në Paris, në hotelin “Ritz” gjatë Lutës së Dytë Botërore dhe tregohet nga Robert, një lloji personifikimi i shkrimtarit që edhe pseudonimin e ka të njëjtë me atë “Papa”.

Roberti dhe miqtë e tij pinë verë, citojnë Bodlerin dhe flasin për tregtinë e pisët të luftës.

Hemingway është frymëzuar shpesh herë nga lufta, si për shembull “Lamtumirë armë” (1929) dhe “Për kë bie këmbana” (1940).

Ai vetë ka punuar si shofer ambulance në Luftën e Parë Botërore dhe ishte edhe ushtar edhe korrespondent lufte gjithnjë gjatë konfliktit të parë botëror./ KultPlus.com

Plava e Gucia, një ftesë për t’i vizituar

Vetëm 3 orë rrugë larg nga Tirana, Plava e Gucia ofrojnë pamje të jashtëzakonshme dhe një mundësi të shkëlqyer për të pushuar ndryshe në këtë sezon veror.

Në përfundim të vizitës së tij në Plavë e Guci, Presidenti Ilir Meta sjell pamje të këtyre viseve të jashtëzakonshme bashkë me ftesën për t’i vizituar ato sa më parë.

“Në përfundim të vizitës sime të mrekullueshme në Plavë e Guci nuk mund të mos ju përshëndesja me një video të përgatitur aq mjeshtërisht nga fotografi i shquar shqiptar, Alex Selimaj. I ftoj të gjithë ata që nuk e dinë, se rruga nga Tirana në Vermosh është e shkëlqyer dhe ju mundëson që për rreth 3 orë të shkoni në Plavë e Guci, për të parë këto vise të jashtëzakonshme, të pakrahasueshme dhe hyjnore”, shprehet Presidenti./ KultPlus.com

Shembet një pjesë e Murit të Madh kinez pas shirave të dendur

Një pjesë e sapo rinovuar e Murit të Madh kinez është shembur pasi javëve të dendura të shiut në rajonin verior, transmeton BalkanWeb.com.

Mendohet se shkak janë riparimet e fundit në strukturën shekullore.

Seksioni i dëmtuar është ngjitur me vendin historikisht të të rëndësishme Pass Yanmen në qarkun Dai dhe është mbyllur që nga data 22 korrik dhe autoritet lokale të turizmit po marrin masa emergjente për ta riparuar.

Kritikët janë shprehur se projektet e rinovimit në pjesë të ndryshme të Murit të Madh e kanë dobësuar themelin e strukturës, duke e bërë më të ndjeshëm ndaj erozionit dhe kolapsit./KultPlus.com

20 shtete marrin pjesë në Eurovisionin e fëmijëve

Këtë vit është shënohet numri më i madh i vendeve pjesëmarrëse në këtë garë, shkruan KultPlus.

EBU ka zbuluar shtetet që do të marrin pjesë në edicionin e 16-të të Junior Eurovision Song Contest. Një rekord prej 20 shtetesh do të ngjiten në skenën e kësaj ngjarje të muzikës, e cila këtë vit do të mbahet më 25 nëntor, në Minsk të Bjellorusisë.

Më parë ishte thënë se Ukraina dhe Qipro nuk do të marrin pjesë, mirëpo është pikërisht pjesëmarrja e Ukrainës e cila e dërgon në 20-të numrin e pjesëmarrësve.

Në këtë edicion po ashtu rikthehen Azerbajxhani, Izraeli dhe Franca pas pjesëmarrjes së parë dhe të vetme në vitin 2004. Këtë vit do të jenë edhe dy vende që do të marrin pjesë për herë të parë, Kazakistani dhe Uellsi.

Lista e plotë:

01. Shqipëria
02. Armenia
03. Australia
04. Azerbajxhani
05. Bjellorusia
06. Franca
07. Maqedonia
08. Gjeorgjia
09. Irlanda
10. Izraeli
11. Italia
12. Kazakistani
13. Malta
14. Polonia
15. Portugalia
16. Rusia
17. Serbia
18. Holanda
19. Uellsi
20.Ukraina./ KultPlus.com