Shtetet me më shumë festa zyrtare, Shqipëria 14 e Kosova 12 ditë pushim për festa

Mendoni se administrata publike në Shqipëri (sepse privati nuk lëshon pe kollaj) ka shumë ditë pushimi?! Epo, keni të drejtë nëse e krahasoni me vendet e botës si Sri Lanka, Kolumbia e Filipinet, por nëse bëhet fjalë për Europën, administrata dhe sektori privat në rastet kur e zbaton ligjin, i gëzohen më shumë ditëve pushimi në vit, si rrjedhojë e festave zyrtare.

Në një hartë të re të përpiluar nga WorldAtlas, rezulton se nga të gjitha vendet në botë, Kamboxhia kryeson listën e festave më të zakonshme me 28 festat publike të vërejtura çdo vit. Sri Lanka ndjek me 25, Indi dhe Kazakistan me 21, Kolumbi, Filipine dhe Trinidad dhe Tobago me 18, Kinë dhe Hong Kong me 17, dhe Tajlandë, Turqi dhe Pakistani me 16.

Shqipëria, sipas të dhënave të vitit 2018, ka 14 ditë pushimi zyrtare për shkak të një feste dhe bën pjesë në grupin më të zakonshëm në botë sa i përket ditëve pushim. (pra më me pak të tilla).

Në Europë, Shqipëria është ndër ato vende që ka më shumë ditë zyrtare pushimi. Greqia dhe Italia kanë përkatësisht nga 12 ditë. Mali i Zi gjithashtu ka të njëjtin numër ditësh pushimi zyrtare si Shqipëria në 14, ndërsa Kosova llogarit 12.

Një festë publike, një festë kombëtare ose një pushim ligjor janë terma që nënkuptojnë asgjë më shumë se një ditë në një vit që është lënë mënjanë të jetë një ditë joproduktive dhe që është vendosur nga sundimi i ligjit. Ka shumë vende anembanë globit që gëzojnë privilegjin për të pasur një numër të madh pushimesh. Këto festa në përgjithësi përbëjnë përvjetorin e një ngjarjeje të rëndësishme historike, ose feste fetare, ose një festë që bie në një ditë të caktuar të javës ose pas një sistemi kalendarik, si Kalendari kinez ose Lunar. Festimi i një dite të veçantë në një vend, si Dita e Fëmijëve në Turqi, gjithashtu mund të shënohet si një festë publike në një kohë tjetër se e njëjta ditë festohet diku tjetër.

Avantazhet e ditëve të pushimit kanë të bëjnë me faktin se njerëzve iu jepet më shumë kohë për të qenë me familjen si dhe për t’iu dedikuar argëtimit. Ekspertët e sjelljeve sociale thonë se ato gjithashtu shërbejnë për të rritur ndërveprimin social dhe produktivitetin. Punonjësit kanë mundësi që të çlodhen dhe më pas t’i dedikohen punës me një rendiment më të lartë.

Por, kanë edhe anën tjetër të medaljes, pasi ndikojnë në ngadalësimin e transaksioneve që mund të bëhen përmes bankave, si dhe për sektorin financiar. Financat duhet të presin për pak kohë për t’u vënë në lëvizje, megjithatë qeveritë gjejnë mënyra për të kompensuar këto ‘humbje’.

Administrata shqiptare, nga ana tjetër, që të premten e mbyll që në orën 2 punën dhe të shtunë e të diel është pushim ka një efektivitet shumë më të ulët përballë një biznesi që shpesh punon pa pushim (e shtuna për pjesën më të madhe të sipërmarrjeve private është punë) për të arritur objektivat dhe madje për të siguruar mbijetesën.

Kjo javë, që duke filluar nga e mërkuara është pushim për administratën deri në fund të javës (pasi data 30 është caktuar pushim) është një dëshmi e dy “botëve” të ndryshme ku jeton shteti dhe biznesi.

Ky është kalendari i festave zyrtare të 2018-ës në Shqipëri (i publikuar nga Banka e Shqipërisë):

1 dhe 2 Janar Festat e Vitit të Ri

14 Mars Dita e Verës

22 Mars Dita e Nevruzit

01 Prill* E diela e Pashkëve Katolike

08 Prill* E diela e Pashkëve Ortodokse

01 Maj Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve

15 Qershor** Dita e Bajramit të Madh ¹

21 Gusht** Dita e Kurban Bajramit

19 Tetor Dita e Lumturimit të Nënë Terezës

28 Nëntor Dita Flamurit dhe e Pavarësisë

29 Nëntor Dita e Çlirimit

08 Dhjetor * Dita Kombëtare e Rinisë

25 Dhjetor Krishtlindjet

Në rastet kur festat zyrtare bie në ditët e pushimit javor (e shtunë ose e diel), dita e hënë është ditë pushimi.

Data e festave të Kurban Bajramit dhe Bajramit të Madh mund të ndryshojë sipas kalendarit hënor/Monitor/./ KultPlus.com

Fëmijët e Kutelit, Lasgushit, Markos, Kokonës dhe Luarasit bashkë në një fotografi

105 vjetori i Lindjes së shkrimtarit Petro Marko ka bërë bashkë në një foto fëmijët e shkrimtarëve të njohur shqiptarë.

Një foto ku shfaqet edhe poeti Xhevahir Spahiu, bashkë me të birin, tregon dhe mirënjohjen e brezave ndaj njëri-tjetrit.

Nga e djathta në të majtë janë: Xhevair Spahiu, Arianita Petro Marko, Orges Xhevair Spahiu, Marie Lasgush Poradeci, Mirvjen Vedat Kokona, Atalanta Dhimiter Pasko (Mitrush Kuteli) dhe Petro Skender Luarasi./ KultPlus.com

Gashi: MKRS njëra nga institucionet kryesore për parandalimin e dukurive negative për të rinjtë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporti, Kujtim Gashi, ka marrë pjesë në konferencën “Toleranca & Siguria Njerëzore e të Rinjve në Kosovë” e organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Qëllimi i kësaj konference është reflektimi mbi të arriturat e vitit 2018 nga ky sektor në përkrahjen dhe fuqizimin e të rinjve në fushën e sigurisë njerëzore si dhe rolin e OSBE-së në bashkëpunimin e mëtutjeshëm me MKRS-në në fushën e sigurisë për të rinj.

Me këtë rast ministri Kujtim Gashi tha se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit mbetet edhe më tutje njëra nga institucionet kryesore për parandalimin e dukurive negative për të rinjtë, përfshirë këtu edhe luftimin e fenomenit të ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë.

“Për realizimin e suksesshëm të misionit tonë në fushën e sigurisë ne këtë vit kemi mbështetur 28 organizata në fushën e sigurisë përfshirë këtu: parandalimin e trafikimit, delikuencës, kriminalitetit, dhunës ndëretnike, promovimin e tolerancës dhe mirëkuptimit, si dhe janë mbështetur 19 qendra dhe organizata rinore në parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm, 5 prej të cilave në partneritet me OSBE-në”, tha ministri Gashi.

“Si ministri pos mbështetjes financiare që po u bëjmë organizatave rinore e qendrave rinore, ne jemi në finalizim të strategjisë së re, e cila do të jetë e përkushtuar në mekanizmat e rinisë. Jam këtu për ta konfirmuar mbështetjen si ministër, si MKRS që asnjë i ri i joni të mos jetë i prekur nga këto tema që do të trajtohen sot”, ka thënë ministri Gashi.

Ai theksoi se “inkurajoj të gjithëve që të kontribuojmë sa më shumë në avancimin e mbrojtjes dhe promovimit të një mjedisi sa më të mirë dhe më të sigurt për të rinjtë tanë si dhe të synojmë që këto rezultate të arrihen gjithmonë brenda kornizave të legjislacioneve vendore dhe ndërkombëtare”.

Ndërkaq Xhevat Bajrami, drejtor i Departamentit të Rinisë në MKRS, tha se “Këtë vit kemi mbështetur disa OJQ, për të pasur qasje në ruajtjen e ambientit ku jetojmë. Përshëndes donatorët që kanë kontribuar në ruajtjen e sigurisë”.

Ganimete Gërboci nga Departamenti i Sigurisë Publike, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, tha se siguria është një ndër shtyllat kryesore që e garantojnë kushtetutshmërinë e shtetit.

“Krahas boshteve tjera kryesore të një shteti, siguria mbetet shtylla kurrizore e ekzistencës fizike dhe garantimit të kushtetutshmërisë. Çelësi i suksesit për të rritur nivelin e sigurisë në vend është komunikimi midis institucioneve në nivel qendror dhe lokal. Bashkëpunimi ndërmjet ministrive është rritur dukshëm. MKRS-ja është ministri që ka pas vetes të gjithë rininë. ne jemi të gatshëm të ndihmojmë çdo ministri sepse qëllimet tona janë të njëjta”, ka thënë Gërboci./ KultPlus.com

Eda Zari rikthehet në Prishtinë, sjellë një “Udhëtim dimëror” në prag të festave të fundvitit

Më 1 dhjetor me fillim nga ora 20:00 në Teatrin Oda, rikthehet Eda Zari, për një koncert të radhës, shkruan KultPlus.

Eda Zari feat. Rhani Krija, Gert Kapo, Visar Kuçi, Ilir Bajri, Hayden Chisholm sjellin “Udhëtim dimëror – Spiritual Jazz – kanellë dhe verë”, në Teatrin Oda, aty ku do të lexojë Sokol Çunga.

“Një program i pazakontë përmbush dëshira të vogla nostalgjike muzikale dhe kyçet me përmasën shpirtërore në muzikë. Përmes aranzhimeve të larmishme xhaz gërshetohen melodi aq të njohura, që tingëllojnë familjare, dhe përgatisin shpirtin për sezonin e festave të fundvitit.

Dimensioni shpirtëror në muzikë është jashtëzakonisht i rëndësishëm, ndaj shkojmë muzikalisht pas në histori, për të njohur vlerën e ritualeve, festave, simbolikave.

Ritualet që ngrohin zemrën janë gjithmonë të mira. Nuk janë domosdo vetëm pikëpamjet e tradicionale fetare. Janë, bashkë me to, dhe ato rituale laike që japin shembuj, na tregojnë, së pari, si të paqtohemi dhe të festojmë të gjithë së bashku, në emër të dashurisë dhe paqes.

“Ja na erdhi viti i ri”, “Silent Night” janë këngë të njohura për çdo moshë. Pothuajse kushdo mund të këndojë nën zë e me zë duke bërë të pranishme ndjesinë e bredhave plot borë, të nuhasim biskotat e sheqerit që vijnë nga furra, të shohim dritaret e kuzhinës me avull. Dëshirojmë t’ju kënaqim, ndonëse sezoni i festave ende nuk ka filluar, duke ju sjellë përjetimin e një nate dimri me tinguj nga muzikantë të përkushtuar, dhe “Përralla nga e shkuara“!”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com

Fati i një pianoje në Gaza, si iu shpëtoi bombardimeve izraelite

E vetmja piano në Rripin e Gazës u shfaq në publik për herë të parë pas një dekadë, pas një përpjekjeje të ndërlikuar ndërkombëtare për restaurimin e instrumentit që për pak u shkatërrua nga një sulm ajror izraelit.

Rreth 300 spektatorë morën pjesë në shfaqje të dielën, ndërsa artistë japonezë dhe lokalë performuan për ta. Për shumë njerëz, kjo ishte hera e parë që dëgjonin tingujt e një pianoje të shfaqur drejtpërdrejt.

“Duke luajtur në këtë këtë piano, ndihesh sikur po luan histori”, tha pianisti japonez Kaoru Imahigashi. “Është e mrekullueshme, e kam ndjerë lutjen e paqes për shumë njerëz”, shtoi ai.

Historia e pianos shkon mbrapa në vite, duke pasqyruar në shumë mënyra historinë e Gazës.

Qeveria japoneze e dhuroi aytë rreth 20 vjet më parë, pas marrëveshjeve të përkohshme të paqes midis Izraelit dhe palestinezëve. Në atë kohë, Gaza u parashikua të bëhej Singapori i Lindjes së Mesme.

Fayez Sersawi, një zyrtar i Ministrisë së Kulturës, tha se ishte përgjegjës për marrjen e pianos, e cila u vendos në një teatër të madh në vendpushimin e sapondërtuar të al-Nawras në Gaza veriore. Ai tha se festivalet muzikore ishin një aktivitet i rregullt para fillimit të kryengritjes së dytë palestineze kundër okupimit izraelit në vitin 2000.

Në 2007, vendpushimi mbylli teatrin dhe pishinën dhe uli shumicën e aktiviteteve pasi Hamasi mori kontrollin e Gazës pas fitimit të zgjedhjeve legjislative. Më pas shumë forma të argëtimit publik, duke përfshirë bare, kinema dhe salla koncertesh u mbyllën.

Një bllokadë izraelito-egjiptiane pasuese, që kishte për qëllim dobësimin e Hamasit, si dëmtimet e rënda pas një lufte tre-javore me Izraelin në janar të vitit 2009, e mbyllën krejtësisht vendin turistik.

Piano heshti deri në vitin 2014, kur një sulm ajror izraelit gjatë një lufte të tretë me Hamasin shkatërroi sallën al-Nawras. Piano u gjet mrekullisht pa u dëmtuar tërësisht.

Pas zbulimit të pianos, përfshihet Agjencia Japoneze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar, e cila sponsorizon programet e zhvillimit në Gaza.

Ministria e Jashtme japoneze konfirmoi se një piano iu dhurua Autoritetit Palestinez më 1998. Punëtorët nga agjencia e bashkëpunimit morën numrin serial dhe kontaktuan Yamaha-n, prodhuesit e saj. Kompania konfirmoi se instrumenti ishte prodhuar midis viteve 1997 dhe 1998.

“Çdo gjë përputhet”, tha Yuko Mitzui, një përfaqësues i agjencisë së bashkëpunimit.

Grupi belg i OJQ-ve Music Fund, i cili mbështet mësimin e muzikës në zonat palestineze, dërgoi një ekspert francez në vitin 2015 për të rivendosur pianon. Një restaurues gjithashtu belg vizitoi muajin e kaluar Gaza-n dhe riktheu funksionin e instrumentit. Një koncert i kufizuar, privat, u mbajt si provë.

Të dielën në mbrëmje, të gjitha 300 vendet e sallës së teatrit në Shoqatën e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze ishin të zëna.

Kaoru, ishte pianisti që goditi me lehtësi tastierën duke u shoqëruar nga këngëtarja operistike Fujiko Hirai, e cila interpretoi një këngë popullore gjithashtu japoneze.

Nga ana tjetër, 22-vjeçarja palestineze Yasmin Elian, e cila ndoqi koncertin, tha: “më pëlqente mënyra se si ndërvepruan njerëzit”. “Kjo më inkurajon që të mësoj piano”, shtoi ajo.

Gaza ka një shkollë muzikore, “Edward Said Conservatory”, me 180 studentë. Ajo vuan nga mungesa e fondeve dhe operon në disa dhoma me qira në stacionin kryesor të ambulancës së shërbimeve të shpëtimit.

Një grup studentësh nga konservatori bashkëpunoi me artistët japonezë dhe luajti himnin kombëtar palestinez, duke tërhequr duartrokitje të mëdha nga audienca.

Ismail Daoud, një dirigjent i cili kryeson shkollën, tha se është e vështirë të sillni pianon në Gaza, por se shkolla e tij “ka nevojë të madhe për të”.

Në vitin 2009, një grup ndihme me bazë në Uashington, Anera bleu dy piano për në Gaza dhe ndihmoi në koordinimin e kalimit të tyre përmes kufirit të mbyllur të Izraelit në atë kohë.

Tani, Ministria e Kulturës ia ka dhënë konservatorit pianon japoneze – “vendit ku i përket dhe ku duhet të jetë”, tha Daoud. “Ringjallja e pianos është si ringjallja e popullit palestinez”, shtoi ai, përcjellë TeSheshi./ KultPlus.com

“Udhëtimi i fundit me Agim Qiriaqin, si vdiq në vetmi tue iu dridhë duar e kamë”

Shkruan Çun Lajçi.

Kisha xhiruar film plot tre muaj me aktorin Qiriaqi që kurrë ma parë s’e kisha takuar. Ishim ba miq dhe na dukej se gjithë jetën kishim punua s’bashku, aq shumë u përafruam me njeni tjetrin. E takova edhe në premierë, por e pata edhe mysafir n ‘Prishtinë.

Por kurrë pritë s’e kisha, ta takoj të krrusun e tue iu dridhë kokë e kamë at shtatgjatin Gim që vërtetë ishte aristokrat. Por jeta qenka aq e pamëshirshme, sa as vet s’di çka me ju thanë.

Kishim shkuar me shfaqjen “Tartufi” n ‘Tiranë dhe pas provave, diku rreth orës 11, dola me Bajrush Mjakun n ‘oborrin e Teatrit dhe çka me pa. Agim Qiriaqi po dridhej kokë e kamë dhe mezi po lëvizte.

O Zot thash, a ky qenka ai Kolonel Bunkeri me të cilin hyra e dola tre muaj ditë dhjetëra bunkerëve anë e kand Shqipnisë tue xhirua filmin e Çashkut? Mezi me njohu. E mora ngryk nga mallëngjimi. Me fliste e nuk kuptohej. Vetëm sytë i shndrisnin nga malli që me pa.

I thash Bajrushit, a ta marrim e të shkojmë për drekë në Durrës. Me gjithë qejf me tha, veç ku ta marrim një veturë. Mos u ban merak i thash, Agimi e ka Benzin, se ka qenë të unë në Prishtinë.

Por s’e di se cili prej aktorëve të Teatrit Kombëtar mu afrua e me pëshpëriti në vesh: Kolegë, m ‘tha, shumë mirë kishe me ba nëse e merr Gimin, se gati të gjithë e kane harruar.

Fatkeqësisht, kolegët e tij ikin nga ky. Por kujdes, se ky nuk mundet me vozitë se asht me alzajmer dhe do ta kesh shumë vështirë, sepse nuk e lejon kurrë me ia vozitë Benzin.

Mos u merakos i thash, se mua ma ka hatrin dhe sigurisht do t’me lejon të jem unë shoferi i tij.

Ku e ke Benzin Gimi i thash? Tue belbëzua bani me kokë në drejtim të veturës se tij. Aty e kishte, n’oborrin e Teatrit. Kishte muaj që s’kishte lëvizë nga aty. I thash, dëgjo.

Ne jemi miq të vjetër dhe tre muaj të kam vozitë me Micubishin tim t ‘vogël, a të prishet qejfi që sot të të vozis me Benzin tënd si dikur dhe bashkë me disa aktor nga Prishtina të drekojmë në plazhin e Durrësit, të hamë peshk si atëherë me polakët kur xhironim.

U mundua t’me thoshte se unë do të vozis, jo ti, por unë tu qeshë i thash: Gimi, jo se na bërtet Çashku. E kuptoj çka deshta t’i them dhe qeshi. Se gjatë xhirimeve Çashku s’kishte merak me vozitë artistët, i druhej ndonje aksidenti e pastaj vajhalli për filmin.

U futen n ‘veturë, Bajrushi mbrapa e Gimi para e unë shoferi dhe u nisa. Meqë kurrë Benz s’kisha vozitë, kisha harrua me e lëshua frenin e dorës.

Nuk e kishte si Fordi im, ai e kishte pas të kama e majt, e Agimi sa mujke i jepte me nxjerrë fjalën tue dasht me thanë shtype frenin, po kurrsesi s’i dilte fjala, e unë s’e kuptoja e vozitsha e ai i t’merumë mos po i prishet vetura diçka bërtiste.

Ma n’fund u morëm vesh dhe e shtypa frenin, por gadi u prisha me te. Bile ma kapi vollanin e deshti me dal me vozitë ai. Por ndërhyni Bajrushi dhe u qetësua. Mbërrimë të plepat, aty afër hotel Adriatikut.

Shkuam aty ku Gimi deshti dhe porositi peshk të egër e fruta deti. Pimë venë të kuqe e mua m’thoshte ti mos pi mbi nji gotë, se je shofer. Shume herë m’i puthi duart gjatë drekës.

Ke ba sevap me mua me thoshte, se prej kohës se xhirimeve këtu në plazhin e Durrësit kurrë ma s’kam qenë. Nuk rrin kush ma me mua, e lere të me gostis dikund me ndoni drekë apo darkë.

Sa e dhimbshme ishte ajo që po me tregonte aktori i madh shqiptar i qindra roleve. E mjerueshme m’u duk Shqipnia atë ditë. Të mjerueshëm edhe kolegët e mi shqiptarë. Po si iket nga nji yll filmi e Teatri për shkak të sëmundjes i thosha vetës. E ktheva në Tiranë.

Benzin prap ia parkova aty ku deshti ai. Nuk di a hyni në sallë m’e pa ‘’Tartufin’’ e kolegun Çun atë natë, sepse kur u ndamë m’tha po shkoj pak me pushua se jam i lodhun dhe m’i puthi prap duarët tue belbëzua: ma mbushe zemren plot jetë sot more kosovari im me tha.

Ajo natë futë e zezë na ndau përgjithmonë, tue ma lanë kujtimin e nji dreke e të nji filmi.

Vdiq n ‘vetmi tue iu dridhë duar e kamë. Medet që s’mujta me marrë pjesë në varrimin e tij, se fatkeqësisht isha në shesh xhirim të Guri i Zi në Shkodër, e regjisori amerikan s’ma plotësoj dëshirën kur e luta.

Nuk guxoj prej producentit me ndërpre xhirimin me tha. Unë kurrë s’e harrova drekën e fundit me Ty Agim Qiriaqi dhe Benzin tand që mbet shkret n ‘oborrin e Teatrit Kombëtar./ KultPlus.com

Hapet sot ekspozita “Kruja dhe Skënderbeu” në Muzeun Historik Kombëtar

Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, Muzeu Historik Kombëtar, Instituti i Librit dhe Promocionit dhe Bashkia Krujë sot më datë 27 nëntor me fillim nga ora 12:30 hapë ekspozitën “Kruja dhe Skënderbeu”.

Ekspozita mbledh së bashku 50 artistë të njohur, të cilët kanë trajtuar figurën e Skënderbeut në punimet e tyre.

Sot në ora 12:30, në ambientet e Hollit Kryesor në Muzeun Historik Kombëtar./ KultPlus.com

Hapet panairi tradicional “Blej Shqip”

Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Bashkimin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, organizon për nder të ditës së flamurit, panairin tradicional “Blej Shqip” 2018.

Ky panair tashmë tradicional mbahet në qendër të qytetit dhe vizitohet nga dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë e të huaj dhe ka për synim promovimin e produkteve nga të gjitha trevat shqiptare.

Panairi do të mbahet më 27, 28 dhe 29 nëntor, në Bulevardin “Nënë Tereza” dhe Sheshin “Zahir Pajaziti”, nga ora 10:00 deri në ora 24:00./ KultPlus.com

Shqipëria do të përjashtojë nga TVSH-ja librat elektronikë

Qeveria po sheh mundësinë e një ndryshimi në ligjin “Për librin në Republikën e Shqipërisë” që përfshin përjashtimin nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar të atyre që sot njihen si e-librat, apo libra që lexohen në platforma elektronike dhe jo në versionin tradicional letër. Draftligji i nxjerrë për konsultim bën dy shtesa të rëndësishme.

Ndryshimi i parë në Nenin 18/1 nënvizon se “furnizimi i shërbimeve të shtypshkronjave, shtëpive botuese, dhe materialet e ofruara në formën tradicionale dhe çdo formë tjetër elektronike të librit, pavarësisht përmbajtjes së tij, që mund të lexohet nëpërmjet pajisjeve të tjera ndihmëse përfshirë edhe platformat elektronike (e-libri), përjashtohet nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar.

Ndryshimi i dytë i rëndësishëm po i lidhur me TVSH-në tek libri sanksionohet në nenin 49 shtohen dy pika të reja 3 dhe 4 të cilat përcaktojnë se pas miratimit të këtij ligji ka nevojë për ndërhyrje në dy ligje të tjera siç është ai për TVSH-në dhe ai për prokurimin publik”./ KultPlus.com

Një muze i ri për Statujën e Lirisë në New York

Më 2019 është në plan të hapet një muze i ri për historikun e Statujës së Lirisë.

Muzeu me një sipërfaqe prej 2 mijë e 400 metrash katrore ka një panoramë të pakrahasueshme të këtij monumenti-ikonë, si dhe të lagjes së Manhatenit në New York. Muzeu, ende në procesin e ndërtimit, nderon konceptin universal të Lirisë dhe të Zonjës së Lirisë, që vizitohet çdo vit nga më tepër se 4 milionë vizitorë.

Gjatë një periudhe 62 vjeçare, nga viti 1892, deri më 1954, kjo dhuratë kolosale e Francës, e quajtur “Statuja e Lirisë që ndriçon botën”, ka mirëpritur më tepër se 12 milionë imigrantë, të cilët patën zbarkuar në ishullin pranë, Ellis Island.

Tani, atje është duke u ndërtuar muzeu i ri që nderon trashëgiminë e Zonjës së Lirisë, një vepër monumentale.

“Kur erdhëm fillimisht në ishull, u prekëm thellë. Pamë njerëz të gjunjëzuar duke qarë, për shkak të domethënies që ka ai vend për ta…Kjo na bëri të besojmë që ky është një vend me të vërtetë i veçantë, madje i shenjtë”, thotë njëri prej projektuesve të muzeut.

Çdo vit statujën e vizitojnë katër milionë e gjysmë turistë, por për shkak të kapacitetit të kufizuar, vetëm një e pesta e tyre hyjnë brenda monumentit. Me hapjen e muzeut të ri dhe kopshtit që e rrethon, të gjithë vizitorët e Ishullit të Lirisë ftohen për ta eksploruar atë. Përmes projektit që bazohet tek mjetet e reja dixhitale të komunikimit, vizitorëve do t’u jepet mundësia për dialog të hapur.

“Donim të theksonim idenë se kemi aftësinë për të ruajtur dhe mbrojtur idenë e lirisë”, thotë projektuesi kryesor i muzeut.

Secili nga vizitorët largohet me një interpretim të ndryshëm të muzeut.

“Përfaqëson përpjekjet për barazi dhe vëllazërim të të gjithë njerëzve që kanë ardhur këtu”, thotë një turiste nga Kosta Rika.

“Për t’u ndjerë të lirë, por gjithmonë duke respektuar lirinë e të tjerëve”, thotë një turist nga Spanja.

Pas një fluturimi virtual për në majën e statujës 93 metra të lartë, vizitorët hyjnë në studion e skulptorit të saj Frédéric Auguste Bartholdi, para variantit përfundimtar në Galerinë e Frymëzimit.

Atje, vizitorët mund të shohin nga afër pishtarin origjinal me peshë 1 mijë e 600 kile, që qëndroi në majë të statujës për rreth një shekull, deri në vitet 1980, kur u zëvendësua me një të ri.

Në majën e monumentit gjendesh para një panorame të horizontit të Manhatenit të Poshtëm, të Nju Jorkut. Kryearkitekti i muzeut thotë se ndërtesa dhe peizazhi që e rrethon rrezatojnë optimizëm.

“Nuk jemi përpjekur që me këtë projekt të shprehim nostalgji. Ai është konceptuar si një objekt i së ardhmes, jemi përpjekur të krijojmë një objekt frymëzues, një lloj ikone të re, gjithmonë duke respektuar ndërtesat ekzistuese”, thotë një nga projektuesit e muzeut, Nicholas Garrison.

Muzeu i Statujës së Lirisë pritet të hapet në maj të 2019-s./KultPlus.com

“Publikja Shqiptare 3 – Fraza Politike”: Si dukemi në sytë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare

Dy ditë para 106 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, në këtë vit të Skënderbeut dhe në 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, Lëvizja Vetëvendosje organizoi promovimin e librit “Publikja Shqiptare 3 – Fraza Politike”.

Kështu nis njoftimi i kësaj partie, për aktivitetin e djeshëm. Në njoftim thuhet se për rëndësinë e këtij botimi folën disa nga autorët e eseve të këtij libri, duke nisur nga studiuesi i filozofisë Elvis Hoxha, studiuesit e shkencave politike Enis Sulstarova, Hysamedin Feraj dhe Gent Carrabregu, shkrimtari dhe njëherësh botuesi i librit Krenar Zejno dhe studiuesi i historisë Durim Abdullahu. Po ashtu, mendimet e tyre për këtë punim kolektiv i ndanë me të pranishmit edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Avni Dehari dhe anëtari i Kryesisë së Lëvizjes, Arbër Zaimi.

“Publikja Shqiptare 3 – Fraza Politike” është realizuar nga Instituti Politik i Studimeve Humane në Tiranë dhe është botuar nga Shtëpia Botuese “ZENIT”. Sipas njoftimit, botimi synon riaktualizimin e mendimit politik të figurave qendrore të Rilindjes Kombëtare dhe të historisë së letrave shqipe.

“Nga Frang Bardhi deri tek Ukshin Hoti, mendimi politik shqiptar është i pandashëm nga projekti i bashkimit kombëtar në një shtet demokratik dhe anti-autoritar. Ky projekt është aktual për aq kohë sa gjendje e shqiptarëve nuk është në lartësinë e këtij vizioni politik”, thuhet në njoftim.

“Publikja Shqiptare 3 – Fraza Politike” është pjesë e një cikli të nisur në vitin 2012 me dy botime pararendëse “Publikja shqiptare 1: Ese kritike” dhe “Publikja shqiptare 2: Figurat e skandalit”. Kontribuuesit e këtij numri vijnë nga lëmitë politike, akademike dhe artistike të letrave shqipe.

“Fraza Politike” risjell mendimin e kondensuar në fraza nga disa prej figurave qëndrore në historinë e letrave shqipe përmes analizave eseistike të tyre. Si njëri nga kuratorët e këtij botimi dhe si kontribues në të, Elvis Hoxha, njëherësh anëtar i Kryesisë së Lëvizjes, u shpreh se përmes frazave politike ky botim nxjerr në pah publiken shqiptare dhe çfarë do të kishim qenë si komb në sytë e këtyre frazave.

Për Elvis Hoxhën problemi i shqiptarëve ka qenë gjithnjë mungesa e teorisë mbi historinë tonë kombëtare pasi nuk jemi mësuar ta regjistrojmë trashëgiminë e reflektimeve tonë historike. Ky botim është edhe një ftesë për projekte të tilla të ngjashme nga lëmi të ndryshme të letrave shqipe.

Në fjalën e tij, kryetari i Lëvizjes Albin Kurti theksoi rëndësinë e qasjes së këtij botimi duke thënë se ky libër është nga ata botime që i përndjek autorët dhe në të njëjtën kohë u paraprin autorëve.

“Tekstet e kësaj fraze politike nuk janë të lehta sepse janë të drejta, e duke qenë të drejta thërrasin në përgjegjësi publike për çështjen kombëtare. Të jesh shqiptar është përgjegjësi. Të qenit shqiptar është pjesë e jona, por është pjesë më e madhe se ne”, tha Kurti.

Përgjatë prezantimit, u vu në pah se ky libër është shenja e bashkimi historik të shqiptarëve për nga temat që trajton dhe shenja modeste e bashkimit gjeografik për nga autorët që kanë kontribuar në të. Autorët theksuan faktin se Shqipëria akoma nuk është plotësisht Shqipëri për sa kohë Kosova është e ndarë prej saj. Pikërisht, frazat politike janë ato që na i organizojnë marazet politike të ndarjes kombëtare. Shprehjet politike janë ato që na nxjerrin nga prehja e të qenit spektatorë të një historie që luan me fatin e shqiptarëve. Frazat politike janë ato që na hedhin në aksione politike.

“Publikja Shqiptare 3 – Fraza Politike” shënjon vazhdimësinë e mendimit politik të Rilindjes Kombëtare në funksion të bashkimit, çlirimit dhe organizimit demokratik të hapësirës tonë publike si shqiptarë; parakusht ky për stabilizimin e jetëve tona private.

Vizioni i Rilindjes Kombëtare është një projekt demokratik dhe anti-autokratik i cili mbetet për t’u përmbushur dhe që vazhdimisht thërret ndjekës bashkëkohor të tij. Shumica e Rilindasve ishin të përndjekur politik të cilët do të vazhdojnë të jenë të përndjekur deri sa projekti i tyre të realizohet në një bashkim politik dhe demokratik të shqiptarëve.

Për sa kohë projekti jonë kombëtar vazhdon të jetë i ndrydhur, pyetja nuk shtrohet se si duket Rilindja Kombëtare në sytë tanë, por se si dukemi ne në sytë e Rilindjes tonë Kombëtare./KultPlus.com

Alban Skënderaj publikon këngën e re ‘Nëntor, 26’

Këngëtari Alban Skënderaj e ka publikuar këngën e tij më të re, shkruan KultPlus.

Ky projekt muzikor mban titullin e datës së sotme ‘Nëntor, 26’ dhe vjen i realizuar me videoklip. Muzikën dhe tekstin e ka bërë vet këngëtari ndërsa producent është përsëri Alban Skënderaj së bashku me Lorenc Aliaj./ KultPlus.com

Irma Libohova, Juliana Pasha dhe Kastriot Tusha sjellin këngën “Rroftë Shqipëria”

Irma Libohova, Juliana Pasha dhe Kastriot Tusha për nder të 28 nëntorit kanë publikuar këngën e tyre të re “Rroftë Shqipëria”, shkruan KultPlus.

Pjesë e kësaj kënge janë edhe talentet e reja të Kolegjit “Turgut Özal”: Altea Ali, Anna Gjebrea, Emi Baloshi, Aleksa Ferraj, Klea Kaloshi.

Tekstin e kësaj kënge e ka bërë Irma Libohova së bashku me Anita Hoxhën ndërsa muzikën dhe orkestrimin e ka bërë Genti Lako./ KultPlus.com

‘Edhe netët më të errëta do të përfundojnë dhe dielli do të rilindë’

Më poshtë do të mund të lexoni disa nga thëniet më të bukura nga librat më të bukur:

“Edhe netët më të errëta do të përfundojnë dhe dielli do të rilindë”. – “Të mjerët”, Viktor Hygo

“Njëzet vjet më vonë nga tani ti do të zhgënjehesh më tepër nga gjërat që nuk ke bërë, se sa nga gjërat që ke bërë”. – “P.S. Të dua!”, H. Jackson Brown Jr.

“Çdo jetë njeriu ka të njëjtën vlerë dhe vlen po njësoj të shpëtohet”. – “Harry Potter dhe dhuratat e vdekjes”, J. K. Rowling

“Respekti është krijuar për të mbushur hapësirën boshe ku duhet të ishte dashuria”. – “Ana Karenina”, Leo Tolstoy

“Qëllimi nuk është të jetosh përgjithmonë. Qëllimi është të krijosh diçka që do të jetojë përgjithmonë”. – “Ditari”, Chuck Palahniuk

“Shumë njerëz janë të sjellshëm vetëm kur i sheh”. – “Të vrasësh zogun përqeshës”, Harper Lee

“Kur dikush largohet, kjo do të thotë se dikush tjetër është duke ardhur”. – “Zahiri”, Paulo Coelho

“Janë zgjedhjet tona ato që tregojnë se kush jemi në të vërtetë, më tepër se sa aftësitë tona”. – “Harry Potter dhe dhoma e të fshehtave”, J. K. Rowling

“Kur ti dëshiron diçka, gjithë universi punon duke të ndihmuar që ta arrish atë gjë”. – “Alkimisti”, Paulo Coelho

“Të gjitha familjet e lumtura ngjajnë me njëra-tjetrën; çdo familje fatkeqe është fatkeqe në mënyrën e vet”. – “Ana Karenina”, Leo Tolstoy

“Jam shumë e frikësuar, sepse jam pafundësisht e lumtur dhe një lumturi e tillë është e frikshme. Mund të jesh kaq e lumtur, vetëm kur jeta do të përgatisë për të marrë diçka prej teje”. – “Gjuetari i balonave”, Khaled Hosseini / Një Mendje e Bukur./bota.al/ KultPlus.com

Sibel Halimi: Shqiponja, mbrapa së cilës fshehim veten, turpin tonë

Takimi i dy Qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë ka qenë top lajm në të gjitha mediet e Kosovës, atyre të Shqipërisë, por edhe të rajonit, shkruan KultPlus.

Mirëpo, jo vetëm mediet kanë pasë në fokus këtë takim të dy Qeverive të mbajtuar në Pejë, të kryesuara nga kryeministrat: Ramush Haradinaj e Edi Rama, të cilët, bashkë me ministrat kanë realizuar edhe fotografi me shqiponjë.

Ky takim është vën në pah edhe nga shumë qytetarë, të cilët nëpërmjet rrjeteve sociale kanë shprehë, admirim, ironi, humor…

Sociologia Sibel Halimi, duke aluduar mbi këtë takim, ka shkruar vetëm një status.
“Shqiponja, mbrapa së cilës fshehim veten, turpin tonë!”, ka shkruar Halimi./KultPlus.com

Arbana Xharra, Blerta Deliu dhe Dhurata Sadiku në mesin e grave që mbështesin fushatën ‘Thuaj Jo Ngacmimit Online’

Në kuadër të Ditës Botërore kundër dhunës ndaj gruas/vajzave, e cila shënohet më 27 nëntor ka filluar fushata “Thuaj Jo Ngacmimit Online – Stop Cyberbulling”, fushatë e lansuar nga komuniteti Cyber Security and Privacy, që ka për qëllim ndërgjegjësimin, edukimin dhe parandalimin ndaj ngacmimit online.

Pjesë e kësaj fushatë tashmë janë bërë disa gra, deri tani duke përfshirë edhe ministren Dhurata Sadiku Hoxha, deputeten Blerta Deliu dhe gazetaren Arbana Xharra.

Kjo e fundit ka shënuar në Facebook se ka pranuar që të jetë pjesë e kësaj fushatë pasi që edhe vet ka qenë viktimë e ngacmimit online.

“Duke qenë vet viktimë e ngacmimit online, pranova të jem pjesë e kësaj fushatë vetëdijesimi”, ka shkruar Xharra.

“Miq të hapësirës kibernetike, nga 25 tetori 2018 fillojmë fushatën ndërgjegjësuese “Thuaj Jo Ngacmimit Online-Stop Cyberbulling”. Dua të falënderoj ne veçanti ambasadoren Vlora Citaku, ministren Dhurata Sadiku Hoxha, deputeten Blerta Deliu dhe gazetaren Arbana Xharra, për mbështetjen e sinqerte! Dhe të gjithë ju qe keni mirëpritur dhe mbështetur këtë fushatë! Mirëpresim që dhe ju që tanimë keni pranuar ftesën ti bashkëngjitni kësaj fushatë”, ka shkruar në Facebook Mentor Hoxhaj mengjer në Cyber Security and Privacy.

Në kuadër të aktiviteteve që do të mbahen në kuadër të kësaj fushatë do të jetë edhe trajnimi “Identifikimi, Reagimi dhe Raportimi i Ngacmimit Online”, që do të mbahet më 27 nëntor 2018 nga ora 14 00, mbështetur nga UBT./ KultPlus.com

Vuçiqi komenton foton me “Shqiponjë” të dy qeverive: M’u dukën më shumë si pula

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka komentuar mbledhjen e sotme mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.

Veç tjerash, në një intervistë për televizionin publik serb, ai foli edhe për fotografinë e delegacioneve qeveritare me simbolin e shqiponjës me duar, duke thënë se ai “më shumë më ngjan me një pulë sesa me shqiponjë”, transmeton Koha.net.

“Mua ashtu më duket, ku di unë. Po ta bënim ne atë, menjëherë do të shkonim në Hagë. Ata askund s’e mbajnë flamurin e Kosovës. A e keni parë diku në institucione të Kosovës. E kanë një Ditë të flamurit – të flamurit shqiptar”, tha Vuçiqi./ KultPlus.com

Yjet

Poezi nga Pal Ndrecaj.

Brenda mbështjellësit të madh të territ
ata janë dëshmia se ai mundet me u shpërthy
janë rasti me të provoku mu tani
dhe me të ba me mendu se edhe ti je si ata
i mbështjellë me terrin tand
dhe me të futë në konfliktin e madh
që betejat i zhvillon në zemër
me të ba dëshminë e të gjitha rivaliteteve
të atyre që shkojnë deri në fund dhe të atyre që thehen

Kjo njësoj mbron arsyen për të cilën je:
i thyeri nuk ashtë ai i munduri që fle
po ai që ringritet
edhe njiherë

I sheh yjet?
ata nuk tërhiqen./ KultPlus.com

Pianistja e kompozitorja franceze zgjedh Prishtinën për t’i dhënë fund karrierës si pianiste

Gili Hoxhaj

Sonte në Prishtinë po mbahet koncerti i radhës i Filharmonisë së Kosovës, i cili u hap me veprat e kompozitores e pianistes nga Franca, Fançoise Choveaux e cila në Prishtinë ka ardhur me ftesë të Ambasadës Franceze dhe Filharmonisë së Kosovës, shkruan KulPlus.

Instrumentistët harkorë të Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës sonte zbërthyen dy vepra të saj nën urdhrat e dirigjentit Oscar Rubilar, dirigjenti i cili zhvillimin muzikor e ka bërë në Kili, Zvicër dhe në Mbretërinë e Bashkuar. “Simfonia Indiko Op.2- për orkestër harkore”, ishte vepra e pianistes e kompozitores Françoise Cheveaux që hapi programin.

Në veprën e dytë “Concerto d’hiver- për piano dhe orkestër harkore”, Cheveaux iu bashkuar orkestrës me lojën e saj pianistike, duke nxjerrë në pah dhe më tepër virtuozitetin e saj edhe prej pianisteje. Piano e vendosur në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, është pianoja e fundit që asaj do t’i shërben për një koncert të këtij formati, e publiku i Prishtinës i fundit që shijoi lojën e saj pianistike.

Pasi që u largua nga skena me plot duartrokitje, pianistja Françoise Cheveaux u rikthye përsëri për të përshëndetur publikun e Prishtinës. Në këtë koncert, drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari njoftoi të pranishmit se pianisja Choveaux në Prishtinë po e përmbyllë karrierën e saj prej pianisteje por jo dhe si kompozitore.

“Ky është koncerti i saj i fundit për Françoise Cheveaux si pianiste por jo edhe si kompozitore”, ka thënë Jashari.

Françoise Choveaux deri më tani ka shkruar më shumë se 170 vepra muzikore për të gjitha formacionet, nga solo deri të ato me orkestër simfonike. Veprat e saj janë interpretuar në Evropë, Azi dhe Amerikë./ KultPlus.com

Në Gjilan promovohet libri “Idriz Seferi një jetë për Shqipëri”

Në Gjilan sot është bërë promovimi i librit “Idriz Seferi, një jetë për Shqipëri” i cili është monografi e përgatitur nga punimet shkencore të 20 studiuesve dhe punëtorëve shkencor të historisë, që është mbështetur nga kryetari i Komunës dhe është përgatitur nga Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” nga Gjilani.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se figura e Idriz Seferit është një mburojë gjigante e lirisë së shqiptarëve dhe emër që na obligon të punohet më shumë që ideali i shqiptarëve të jetë sipas projeksionit që heronjtë dhe të rënëve ndër breza.
“Gjilani ka tashmë shtatoren e kolosit të madh të Idriz Seferit në qendër të qytetit, i cili është një mburojë e fuqishme e lirisë së shqiptarëve. I vendosur me pamje kah lindja na lë të kuptojmë se është koha që vazhdimisht të punojmë për lirinë e shqiptarëve kudo që janë dhe bashkimin e tyre në një shtet të vetëm. Kemi dy shtete të shqiptarëve në Ballkan, por poaq jashtë këtij territori. Amaneti i dëshmorëve dhe heronjëve ishte për bashkimin e trojeve dhe duhet të gjithë shqiptarët të bashkohen për realizimin e këtij amaneti”, ka thënë kryetari Haziri.
Ai më tej ka potencuar se edhe kjo festë e Flamurit Kombëtar po i gjen shqiptarët të ndarë padrejtësisht në shumë pjesë.

“Edhe ky nëntor shqiptarët i gjen të ndarë në shumë territore dhe në dy shtete. Sot me shumë vështirësi mund të shkohet në vendlindjen e Isa Boletinit, kurse për vendlindjen e të parëve të Idriz Seferit pothuajse është e pamundur të vizitohet. Është koha që Prishtina, Tirana dhe fqinjët tanë, ta kuptojnë se bashkimi i shqiptarëve askënd nuk e pengon dhe bashkimi është i natyrshëm”, ka thënë ai.

Kurse, Fehmi Rexhepi, kryetar i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, ka thënë se libri është me një përmbajtje të veçantë të jetës, punës, luftës dhe angazhimit të madh që ka dhënë Idriz Seferi deri në vdekje.
Në anën tjetër, Naim Musliu, kryetar LHK “Ali Hadri” në Gjilan, ka thënë se ky libër ka ardhur deri në dokumentim të tij pas simpoziumit shkencor të mbajtur në marsin e vitit 2017, ku punimet shkencore të lexuara në këtë event, sot janë të botuara në këtë libër, i cili është mundësuar të shtypet me mbështetjen financiare të Komunës së Gjilanit.

Me referimet e tyre janë paraqitur edhe Nexhmedin Sejdiu dhe Blerim Haziri, të cilët kanë përmbledhur aspektin shkencor, profesional dhe përmbajtjesor të librit që sot është promovuar në kuadër të festës së flamurit kombëtar./ KultPlus.com

Dren Abazi & Zig Zag Orchestra, koncert në “Le Senghor Hall” në Bruksel

Në kuadër të festivalit “Festival Let’s Art” në një nga sallat më të vjetra të Brukselit, në “Le Senghor”, Dren Abazi & Zig Zag Orchestra do i dhurojnë publikut një program të pasur muzikorë, shkruan KultPlus.

Për dy orë sa do të zgjasë koncerti, më 15 dhjetor, publiku do të arrijë që të dëgjojë një program të pasur muzikor.

Këngëtari Dren Abazi me 8 dhjetor do të paraqitet edhe në Vjenë me një koncert në kuadër të javës shqiptare e cila po shënohet në atë vend./ KultPlus.com

Filmi “Delegacioni” vjen premierë në Kosovë në Cineplexx

Projekti filmik “Delegacioni” me skenar të Artan Minarollit dhe regji të Bujar Alimanit, u dha premierë botërore në edicionin e 34 të festivalit prestigjioz ‘Warsaw Film Festival’.

Filmi ishte pritur shumë mirë në ketë kompeticion nga ku edhe u shpërblye me çmimin e madh Grand Prix dhe fitoi edhe një çmim për humanizëm. Dy jave më pas, filmi ishte gjithashtu në kompeticion edhe në Tirana International Film Festival. Kjo ishte edhe premiera për Shqipëri, ku gëzoi një interesim të madh. “Delegacioni” në TIFF u shpall fitues i shumëfishtë, me gjithsej katër çmime. Çmimin si skenari më i mirë, çmimin e publikut, çmimin e medias dhe çmimin special të jurisë për kastën e mrekullueshme të aktorëve.

Pas rrugëtimit të suksesshëm, më 26 Nëntor filmi “Delegacioni” vjen premierë edhe në Kosovë, në Cineplexx, në ora 19:00./telegrafi.com /KultPlus.com

Komuna e Gjakovës ua ndalon arsimtarëve të mbajnë kurse private

Nëpërmjet një vendimi nga kryetari i Komunës së Gjakovës Ardian Gjini, arsimtarëve në shkollat publike në këtë komunë, iu është ndaluar mbajtja e kurseve private për nxënësit që iu japin mësim.

Sipas njoftimit nga Komuna e Gjakovës, në këtë vendim thuhet se ‘mbajtja e kurseve me pagesë për nxënësit të cilëve iu japin mësim në shkollat publike, arsimtarët e punësuar në sektorin publik, konsiderohet si shkelje e rëndë e detyrave të punës të parapara me legjislacion dhe sipas Rregullores për Institucionet Edukative dhe Arsimore të Komunës së Gjakovës’, insajderi.com

Më tutje në vendim thuhet se për arsimtarët që e ushtrojnë një veprimtari të tillë do të ndërmerren masa të parapara me ligj e që e përfshijnë suspendimin dhe përjashtimin në bazë të ligjeve në fuqi./KultPlus.com