Ermal Meta: Çdo ditë kur zgjohem, zgjohem me ndjenjën që po filloj nga e para

Është një prej artistëve më të arrirë shqiptarë, por ai edhe më tutje vazhdon të qëndrojë me të dy këmbët në tokë. Me një kujdesë të madh dëgjon pyetjet,  përderisa po me kaq kujdesë përgjigjet në intervistën e fundvitit të dhënë ekskluzivisht për KultPlus. Ermal Meta, shqiptari që triumfoi festivalin më prestigjioz në Itali, ka rrëfyer për KulPlus që nga kujtimet e fëmijërisë, atëherë kur edhe e la Shqipërinë e deri te dëshira e tij të performojë në Kosovë. Ai ka folur edhe për rolin e nënës së tij në karrierën e tij muzikore, sikurse edhe për tri ngjitjet e tij në skenën e Sanremos.  

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Ju ikët nga Shqipëria kur ishit shumë i vogël, me çfarë fotografie e kujton Shqipërinë, atëherë kur edhe ike nga ky vend?

Ermal Meta: Atëherë kur u ngjitëm në traget, kjo është gjëja që mbaj në mend prej atëherë.  Shikoja atë shkumën e bardhë që krijohet nga qarja e detit, dhe shikoja atë shkumë se si e linim prapa, dhe në të njëjtën kohë, përderisa shihja shkumën e bardhë, mbaj në mend që Shqipëria më zvogëlohej, zvogëlohej pak nga pak, deri sa nuk e pashë më. Këtë kujtim e kam shumë të fortë.

KultPlus: Shqipëria e atëhershme ishte e vështirë dhe kujtimet mund të mos jenë të bukura, mgjithatë, a mund të na tregosh anën e bukur të asaj kohe?

Ermal Meta: Shokët, fëmijët e asaj periudhe janë pjesa më e bukur e asaj kohe. I mbaj në mend shumë mirë shokët e fëmijërisë, me shumë mall. Sepse kur ika, ika sikur kur ikë era me shiun, dhe nuk pata kohë që të përshëndetem me ta, edhe pse i takova disa vite më vonë.

KultPlus: Kurse tashti, Shqipëria është e bukur sepse me të vërtetë është e bukur, apo tashmë ju jeni në një pozitë tjeter dhe nuk e shihni pjesën e errët të Shqipërisë?

Ermal Meta: Çdo vend ka errësirë dhe ka dritë. Edhe Shqipëria vazhdon ti ketë që të dyja anët, sikurse çdo vend i botës. Shqipëria në këtë moment është me një gjendje më të mirë se sa në vitet e 90-ta, atëherë kur ika unë. Ka shumë gjëra që mund të përmirësohen por është goxha më mire se sa para 20 viteve.

KultPlus: Do ta doje edhe më ndryshe Shqipërinë?

Ermal Meta: Çdo gjë do kohën e vet.

KultPlus: Ne intervistat e mëhershme është thënë që je kthyer shumë rrallë në Shqipëri, kurse tashti vizitat janë shtuar dukshëm, çfarë ka ndryshuar me këto vizita?

Ermal Meta: Mund të jetë një koincidencë. Erdha sepse bëra koncertin, pastaj u ktheva prap për Festivalin e Këngës në RTSH.  Dhe jam shumë i nderuar edhe për koncertin e qershorit, por edhe për kthimin tim në festival, nuk kam asnjë arsye për të mos u kthyer në Shqipëri.

KultPlus: Flasim për Sanremo, Sanremo konsiderohet të jetë një dashuri e shqiptarëve dhe një festival që është shijuar vetem nga ekranet bardh e zi. Pastaj ishte Anna Oksa, Elsa Lila, po triumfi më i madh ishte suksesi i juaj. Si e përshkruani krejt këtë rrugëtim?

Ermal Meta: Hera e parë kur u ngjita në skenën e Sanremos,  ishte viti 2016, dhe unë luaja në kitarë me një grup, nuk këndoja, dhe edhe ajo ngjitje me kitarë në atë skenë të madhe ishte mjaftueshëm,  dhe në të njëjtën kohë isha jashtëzakonisht i emocionuar, sepse Sanremo jo vetëm për shqiptarët por edhe për italianët është një pikëarritje që e synojnë të gjithë artistët. Edhe unë as që e kuptova që e arrita atë magji të asaj skene, mbase ishte edhe fat, sepse, atëherë nuk kisha edhe shumë eksperiencë, kisha pak talent por jo shumë eksperiencë.

Për dallim prej herës së parë që nuk e kuptova shumë mirë rëndësinë e ngjitjes së parë në skenën e Sanremo, hera e dytë ndodhi në vitin 2010, dhe mbaj mend se ishte një gjë e tmerrshme, sepse kisha shumë emocione. Pastaj kur u ktheva herën e tretë, isha më i sgurtë dhe më i qetë, ku edhe fitova.

KultPlus: Keni përmbushë ëndrrën me Sanremo, apo është shumë herët të flasim për ëndrra?

Ermal Meta: Ëndrrën me Sanremo e përmbusha sepse e fitova, por unë, çdo ditë kur zgjohem nga gjumi, zgjohem me ndjenjën se po filloj tani nga e para, nuk e ndjej vetën të përmbushur, të arrirë, sepse kam edhe shumë për të bërë.

KultPlus: E konsideron vetën të famshëm?

Ermal Meta: Nganjëherë po, nganjëherë jo.

KultPlus: Çfarë do të thotë fama për ju, të ngulfatë apo është një privilegj të jeshë i famshëm?

Ermal Meta: Fama është shumë e ndryshme nga suksesi, janë dy gjëra të ndryshme, shumë njerëz mund të të njohin për të famshëm, por mbase nuk mendojnë mirë për ty, kurse suksesi është gjë tjetër, sukses është atëherë kur e bën mirë punën tënde, kur je i mirë në kreativitetin tënd. Kur përmbyllet suksesshëm çfarëdo gjëje që ke luftuar, që ke punuar.

KultPlus: Muzika që krijoni, dallohet për një shije të hollë, kujt ia dedikon këtë ndërtim tuajin në këtë shije mizikore?

Ermal Meta: Mamaja ime është violiniste dhe prej saj e kam kultivuar muzikën, pastaj jam lidhur ashtu, gjithmonë e kam ndjerë muzikën në një mënyrë shumë të fortë. Sapo me erdhën mundësitë formova një bend, qysh kur kam qenë 15 vjet, ku edhe kam punuar në këtë drejtim.

KultPlus: Njëherë pata lexuar që ke falënderuar mamanë tuaj që të ka mësuar të mos bindesh, na shpjego më shumë, cili ishte Ermali i pabindur?

Ermal Meta: Po është e vërtetë. Mënyra se si më ka mësuar ajo, unë asnjëherë nuk e pranoj se çdo gjë është e shkruar, unë mendoj se fati jemi ne, dhe ne jemi ata që e ndërtojmë të ardhmen tonë.  

KultPlus: Mendon që kjo karakteristikë e mosbindjes është tipike e shqiptarëve?

Ermal Meta: Këtë nuk e di, është karakteristikë e imja. 

KultPlus: Dhe krejt për fund, na trego diçka për Kosovën, a keni qenë ndonjëherë dhe a planifikoni të prezantoheni me ndonjë koncert?

Ermal Meta: Nuk kam qenë ndonjëherë në Kosovë, kam shumë shokë që më kanë folur shumë mirë për Kosovë, po nuk kam qenë ndonjëherë. Mbase do të vij me ndonjë koncert, me shumë dëshirë./KultPlus.com  

Kushtrim Hoxha: Duhet të keni një ëndërr, unë kam sakrifikuar shumë për të realizuar ëndrrën time


Të kesh ëndrra të mëdha dhe të punosh për realizimin e tyre, do të thotë që t’i beson në fuqinë tënde në radhë të parë dhe në atë që ai që punon edhe shpërblehet. Një mision të tillë ka ndjekur edhe aktori kosovar Kushtrim Hoxha. Si shumë të tjerë, edhe Kushtrimi u largua nga Kosova drejt SHBA gjatë kohës së luftës në Kosovë, por jo si shumë të tjerë, ai punoi fort dhe e shfrytëzoi këtë rast për të arritur edhe ëndrrat e tij, vazhdimin e studimeve për aktrim. Hoxha, aktori i cili karrierën e tij e filloi me disa shfaqje në Teatrin Kombëtar të Kosovës, Teatrin Dodona, Teatrin e Gjakovës, dhe shumë teatro regjionale dhe festivale të ndryshme ndërkombëtare, ai vazhdoi suksesshëm rrugën e tij si aktor, duke u bërë kështu pjesë e shfaqjeve, filmave e serialeve të famshme, kryesisht në Neë York. Rolet ndërkombëtare të aktorit kosovar, duke përfshirë këtu serialin e famshëm amerikan “Elementary”, “BlueBloods”, “Person ofinterest”, si dhe “The Americans”, bën që zëri i Kushtrimit të dëgjohet dhe emri i tij të lartësohet, për të fituar kështu edhe role të reja. Deri më tani vetëm në SHBA, Hoxha numëron më shumë se gjashtë role në seriale televizive, dy filma dhe rreth 12 role në teatër. Për të shpalosur më shumë rreth sfidave, sukseseve, mundësive dhe jetës si aktor në SHBA, Kushtrim Hoxha me një modesti të jashtëzakonshme që e karakterizon, në një intervistë për KultPlus rrëfen këtë periudhë interesante, sa të vështirë aq edhe të suksesshme për të.


Jeta Zymberi

KultPlus: Qysh në fëmijëri keni filluar të merreni me aktrim, por shkollimi juaj në degën e aktrimit në SHBA ju ka bërë një aktor profesionist, fillimisht karrierën e nisët në Kosovë por e vazhduat në SHBA, si e përshkruani këtë kapërcim?

Kushtrim Hoxha: Ka qenë rrugëtim interesant . Studimet e mia të aktrimit kanë filluar në Akademinë e Arteve në vitin 1996 për tri vite deri në vitin 1999, unë kam qenë në vitin e tretë të aktrimit kur ka filluar lufta në Kosovë dhe unë kam përfunduar si refugjat në SHBA. Në Amerikë për fat të keq nuk mi pranuan vitet e mëparshme të fakultetit që kisha bërë në Kosovë , kështu që mu desh të filloj edhe njëherë nga fillimi në Universitetin e North Carlines në Greensboro ku pas 4 viteve, në vitin 2003 diplomova, pastaj jam kthyer në Kosovë deri në vitin 2012, kur jam pranuar për Master në Universitetin e San Diegos dhe Teatrin Old Globe, dhe nga ajo kohë jetoj në USA.

KultPlus: Ju tashmë numëroni disa role të rëndësishme ndërkombëtare, por cili rol është më domethënës për ju?

Kushtrim Hoxha: Çdo rol është i rëndësishëm për mua edhe ne çdo rol që e luaj gjej diçka të re që më intrigon. Në Amerikë rolet që kam pasur në seriale televizive nuk është se janë role të mëdha dhe që kanë një thellësi të jashtëzakonshme, mirëpo unë mundohem që edhe në ato role të bëj më të mirën që mundem. Mund të them se për çdo rol të ri që marr mundohem të jap maksimumin dhe të mishërohem me personazhin që luaj.

KultPlus: Rrugëtimin tuaj ndërkombëtar në aktrim po e vazhdoni suksesshëm, cilat janë projektet me të cilat është angazhuar Kushtrimi së fundmi?

Kushtrim Hoxha: Para pak ditësh kam përfunduar një film të metrazhit të shkurtër, filmi quhet ‘Jane’ nga një regjisor i ri shumë i talentuar Joey Schëeitzer. Momentalisht nuk kam ndonjë angazhim tjetër, mirëpo vazhdoj të marr pjesë në audicione dhe shpresoj në projekte të reja dhe sfiduese.

KultPlus: Të jesh aktor në Kosovë dhe SHBA, padyshim që është një ndryshim i madh, por ku e sheh të metën më të madhe të aktrimit në Kosovë?

Kushtrim Hoxha: Nuk shoh ndonjë të metë të aktrimit në Kosovë, përkundrazi unë mendoj që aktorët e Kosovës janë aktorë shumë të mirë duke marr parasysh në kushtet në të cilat punojnë. Kohët e fundit ka pasur një ngritje të madhe të cilësisë në filma, apo teatër, projekte që kanë vënë në pah shumë aktor/e të talentuar. Në anën tjetër unë mendoj që është shumë më vështirë të jesh aktor në Neë York se sa në Kosovë. Puna e aktorit për fat të keq është e njëjtë gjithkund në botë, është punë shumë e vështirë, jo të gjithë aktorët që studiojnë për aktrim përfundojnë si aktorë. Në NY ku unë jetoj, janë vetëm të regjistruar diku 150 mijë aktorë, mirëpo shumë prej tyre edhe nuk arrijnë të punojnë për shkak të konkurrencës së madhe dhe përfundojnë duke bërë punë të tjera që sigurojnë ekzistencën.

KultPlus: Karriera juaj është më shumë e fokusuar në SHBA, por nuk mungoni as në projektet shqiptare, ju kishit rolin kryesorë te filmi “Nëntor i Ftoftë”, si është të punosh me regjisorët shqiptarë?

Kushtrim Hoxha: Po kam pasur fatin të jem pjesë e filmit “Nëntor i ftoftë” , ka qenë privilegj për mua të marr ftesë për këtë rol dhe kënaqësi e veçantë të punoj me regjisorin Ismet Sijarina, i cili ka bërë një punë të mrekullueshme me filmin, producentin/ aktorin Fatmir Spahiu, partneren time në film Adriana Matoshin, dhe gjithë ekipën e këtij filmi. Marrë parasysh buxhetin e ulët që ka pasur filmi dhe kushtet në të cilat punohet filmi në Kosovë, atëherë unë besoj që regjisori dhe producenti ja kanë arritur të bëjnë një film të mrekullueshëm me të cilin morëm pjesë në disa festivale shumë të mëdha dhe u prit shumë mirë.

KultPlus: Po me këtë rol, ju u bëtë edhe fitues i çmimit ‘Aktori më i mirë’ në Festivalin e Filmit të Bosforit në Stamboll, a e keni pritur këtë çmim

Kushtrim Hoxha: Jo nuk e kam pritur se do të fitoj sepse në konkurrencë kam pasur aktorë me shumë më tepër eksperiencë se sa unë, aktor fantastik, kështu që ka qenë një befasi e këndshme. Për mua ka qenë me rëndësi që filmi ka pasur rrugëtim të mirë, dhe kemi pasur një tregim të viteve të 90-ta, tregim që është dashur të tregohet, një testament për gjeneratat e ardhshme që nuk kanë qenë të lindur në atë kohë. Mirëpo, edhe ky çmim nuk është meritë e imja por e gjithë ekipit të filmit pa dallim, që më kanë ndihmuar ta punoj rolin.

KultPlus: Keni xhiruar përkrahë yjeve të njohura të filmit, si është të punosh me ta dhe çfarë mendimi kanë ata për shqiptarët?

Kushtrim Hoxha: Ka pasur raste kur disa nga aktorët dhe regjisorët kanë dashur të dinë më shumë kush jam dhe nga vij, në raste të shumta nuk është se dinë shumë për Kosovën, unë gjithmonë flas me krenari dhe jam i hapur për biseda interesante rreth vendit prej nga vij.

KultPlus: Ju gjithashtu keni qenë aktiv edhe në muzikë, a keni në plan ndonjë projekt të ri muzikor?

Kushtrim Hoxha: Për fat të keq nuk është se jam marr me muzikë kohën e fundit, kam shumë tekste e këngë që mund t’i punoj, mirëpo ende nuk e kam gjetur kohën e duhur. Shpresoj në një të ardhme të afërt të punoj një këngë te re.

KultPlus: Cili është mesazhi i Kushtrimit për të gjithë të rinjtë shqiptarë që synojnë tregun ndërkombëtarë?

Kushtrim Hoxha: Nuk e di saktësisht përgjigjen për këtë pyetje, mund të cek vetëm disa gjëra nëpër të cilat unë kam kaluar, kam sakrifikuar shumë, kam punuar shume, kërkohet një disiplinë e jashtëzakonshme , duhet të jesh i gatshëm të ballafaqohesh me refuzime, mirëpo gjëja më e rëndësishme është të bësh punën që e do me dashuni e respekt, t’i duash dhe respektosh njerëzit që të japin përkrahje e të mësojnë, dhe të kesh një ëndërr. Të tjerat vijnë vet.

KultPlus: Si do ta përshkruani vitin që po lëmë pas me disa fjalë?

Kushtrim Hoxha: Ka qenë një vit interesant me ngritje e zbritje, mirëpo në përgjithësi një vit pozitiv. Shpresoj që në vitin 2019 të ketë më shumë dinamikë, punë, projekte interesante dhe paqe dhe dashuri për të gjithë. /KultPlus.com

Alban Muja: Në Bienalen e Venecias, vepra do të flasë për rrugëtimin e Kosovës dhe popullit të saj

Arbër Selmani

Nuk ka muaj të vitit që Alban Muja nuk është i pranishëm në ndonjë ekspozitë nëpër Evropë, e shpesh edhe jashtë saj. Nëse jo ai fizikisht i pranishëm, puna e tij është e ekspozuar në galeri arti, në muze, në ekspozita kolektive e shpeshherë personale. Artist i njohur nga Kosova por një shpirt artistik që i përket botës, Alban Muja këtë vit është përzgjedhur për përfaqësimin e Kosovës në Bienalen e Venecias, për 2019-tën. Në këtë intervistë të fundvitit, Albani na tregon më shumë për këtë paraqitje të rëndësishme artistike, për karrierën e tij, për artin në Kosovë por edhe për Fakultetin e Arteve – institucionin ku edhe vetë ka ligjëruar për një kohë. Djali që krijoi “Palestinën” dhe “Tibetin”, dhe punët tjera artistike që janë shfaqur në Kosovë e jashtë saj, zbulon më shumë në këtë intervistë për KultPlus.

KultPlus: Po e nisim me atë se çka po bën momentalisht Albani? Ku është arti i Albanit, si dhe inspirimi brenda kokës së Albanit, kah anon?
Alban Muja:
Ka një kohë që jam në Paris, dhe këto ditë janë të fundit të një projekti që po e bëj këtu. Jam në një institucion që pret shumë artistë të mediumeve të ndryshme nga mbarë bota për residenca dhe çmime të ndryshme artistike. Është ‘Cite International des Arts’, institucioni kryesor për residenca artistësh në Francë dhe ndër institucionet më të mëdha në botë për residenca. Unë jam këtu pas një nominimi nga dy kuratorë francezë nga Muzeu i Artit Modern i qytetit të Parisit, Odile Burluraux dhe Jessica Castex, të cilat vitin e kaluar kishin bërë një udhëtim dhe kanë takuar artistët nga rajoni dhe kishte ardhë kësisoj edhe nominimi i tyre me emrin tim.

Nominimi ishte siguruar për një listë të gjerë artistësh. Pastaj komiteti i ‘Cite International des Arts’ më kanë zgjedhur mua dhe disa artistë nga vendet e ndryshme të botës për këtë residencë e cila në rastin tim është përkrahur edhe nga Ambasada Franceze në Prishtinë.

Pra nga nominimi e deri tek këto ditët e fundit në Paris është një projekt i tërë francez ku përfshin edhe një projekt timin që është në realizim e sipër në bashkëpunim me artistët tjerë në residencë. Por ajo çka është më e mira, jemi duke diskutuar se si një program i tillë me ju nda më shpesh artistëve nga Kosova, pasi këtu në ‘Cite’ shumica e shteteve por edhe institucionet e artit kanë studiot e veta ku i dërgojnë artistët, gjë që shpresojmë që në një të ardhmë të afërt, ku edhe jemi duke punuar në këtë drejtim, të ndodhë që edhe artistët kosovarë të kenë një studio të veten dhe të kenë mundësi që të kalojnë në Paris disa muaj kohë si formë e studimit dhe hulumtimit të ndonjë projekti që ata propozojnë.

Fotografia: Fadil Berisha

KultPlus: Këtë vit, një ndër sukseset më të mëdha tuat është përzgjedhja të përfaqësosh Kosovën në Bienalen e Venecias? Na trego më shumë çka do të ndodhë, me çka do të paraqitesh atje dhe sa ka rëndësi kjo arritje për karrierën e Albanit?
Alban Muja:
Padyshim, nominimi im për ta krijuar Pavijonin e Kosovës në Biennalen e 58-të të Venedikut është një privilegj por edhe përgjegjësi e madhe, pasi siç e dimë Bienalja e Venedikut është eventi më i rëndësishëm i artit në botë, ndoshta edhe i kulturës në përgjithësi. Çdo artist e pret këtë rast, pasi është eventi i vetëm kur artisti nuk e prezanton vetëm emrin e tij por edhe shtetin nga vjen. Si i tillë, ky moment e shton edhe më shumë peshën dhe përgjegjësinë që të kemi një prezantim sa më dinjitoz. Mos të harrojmë se shteti ynë është një shtet i ri dhe i vogël, shumë shpesh edhe i kontestuar, dhe kjo më bën edhe më të përgjegjshëm që prezantimi im, përkatësisht i Kosovës të jetë në nivel. Gjithsesi, kur i shtohet këtu edhe fakti që prezantimet paraprake të Kosovës kanë qenë mjaft dinjitoze, shpresojmë edhe ne të vazhdojmë me suksese!

Sa i përket projektit, së bashku me ekipën e Pavijonit jemi ende në proces e sipër. Por ajo çka kemi kujdes, së bashku me Arta Aganin, e cila është komisionere e pavijonit, është të bëjmë një ekipë sa më profesionale dhe në ekipë kemi ftuar si kurator Vincent Honore, një kurator i rëndësishëm në skenën e artit botëror që të kurojë pavijon tonë. Honore me eksperiencën që ka në disa prej institucioneve më të rëndësishme të artit në Europë, si në ‘Palais de Tokyo’ në Paris dhe ‘Tate Modern’ në Londër, së bashku me asistenten e tij Anya Harrison, po ashtu kuratore e angazhuar mjaft, ndër të fundit angazhimi i saj dhe i kuratorit Honore në MoCo (Montepellier Contemporary), do të ndihmojnë që Pavijoni të marrë formën e duhur. Por sikur thashë më parë, ne si shtet i vogël dhe i ri gjithsesi duhet të fokusohemi t’i tregojmë botës së artit të kaluarën tonë duke mos dashur ta ekzagjërojmë por asnjëhërë duke e fshehur të kaluarën dhe rrugën tonë deri tek ky prezantim i yni që vjen pikërisht njëzetë vjet pas çlirimit të Kosovës.


Germans are a bit scared of me / 2013

KultPlus: Meqë po flasim për një paraqitje ndërkombëtare, a është arti kosovar sipas teje një promoter i mirë në diplomacinë kulturore?
Alban Muja:
Artistët vizuel në Kosovë që nga koha e okupimit kanë qenë mjaft aktivë në skenën e artit bashëkohor botëror dhe besoj me të drejtë mund të quhen promoterë të fortë në diplomacinë kulturore. Gjithsesi edhe artet tjera kanë një ngritje të mirë viteve të fundit dhe besoj që ajo po shihet edhe me prezencën e artistëve kosovarë në eventet më të rëndësishme sot të artit dhe kulturës së botës. Shpesh, nëse flasim për artet vizuele, ndoshta nuk komunikon me masën gjithmonë, por kanë një komunikim me një skenë të rëndësishme që nuk është vetëm e artit. Unë ende besoj që nuk ka promoter më të mirë për një shtet se arti dhe kultura, pa harru edhe sportin, andaj përkrahja duhet të vijë jo gjithmonë vetëm nga fondet publike, por edhe nga ato private pasi besoj që edhe ata duhet të jenë konsumues dhë përkrahës të rregullt të artit.

KultPlus: Sa ka marrë mbështetje Albani nga institucionet shtetërore për Bienalen e Venecias, duke marrë parasysh përmasat e Bienales?
Alban Muja:
Gjithsesi, pjesëmarrja e Kosovës që nga aplikimi deri te sigurimi i hapësirës që është një punë shumë, shumë e madhe, është shtetërore, pasi siç e përmenda është eventi i vetëm i këtij lloji ku nuk prezantohet vetëm artisti por edhe shteti. Andaj sikur edhe aplikimi dhe konfirmimi për pjesëmarrje por edhe buxheti kryesor vjen nga Ministria e Kulturës. Mund të them që nga nominimi im kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë si me ministrin Kujtim Gashi edhe me Ministrinë në përgjithësi. Kjo nuk do të thotë që nuk mund të kemi përkrahje edhe nga institucionet tjera si ato shtetërore dhe private, e që besoj do të kemi, por barrën kryesore në të gjitha shtetet sikurse edhe te ne e mbanë Ministria e Kulturës, që nga inicimi i pjesëmarrjes së Kosovës, në atë kohë në vitin 2013 nga Memli Krasniqi, që ishte një vendim shumë i mirë dhe i mirëpritur nga artistët në përgjithësi. Nuk ka event më të madh të artit në botë, për të promovuar artin dhe kulturën e një shteti, e kjo neve na duhet më së shumti.

HOTel
2014-2016 Installation

KultPlus: Dihet se Bienalja është edhe garuese. Pretendon Albani ta krijojë një Pavijon që mund të ketë vëmendjen dhe sytë e kritikëve?
Alban Muja:
Ajo çka po provojmë së bashku me ekipin është që të kemi një prezantim sa më dinjitoz, besoj ajo kërkohet nga ne dhe ky është fokusi ynë kryesor. Ne jemi të vetëdijshëm që të gjitha shtetet, madje ato shtete që kanë buxhet milonësh, dërgojnë artistët apo projektet më të mira që kanë për momentin. Andaj duke qenë të vetëdijshëm për këtë, nuk është që kam menduar shumë në këtë drejtim, pasi është mirë të jemi realist dhe të fokusohemi në atë çka mundemi dhe kemi mundësi t’i sjellim ne botës së artit. Dhe ky është qëllimi ynë i vetëm, pra të sjellim para audiencës së madhe dhe kritikëve një prezantim sa më të mirë, të një projekti që do flasë kryekëput për rrugën tonë si vend dhe si popull deri më tani.

KultPlus: Si artist tash e disa vite aktiv brenda e jashtë Kosovës, ku e sheh sot artin kosovar? Ku janë problemet dhe përparësitë në fushën e artit dhe kulturës në Kosovë?
Alban Muja:
Besoj që artet vizuele në Kosovë, sidomos artistët i kanë paraprirë zhvillimeve në përgjithësi në Kosovë me prezencën e tyre në skenën e artit botëror, andaj shpesh skena e artit e Kosovës edhe pse e vogël ka pasur një rëndësi të veçantë jo vetëm në rajon por edhe më gjerë, nëse shohim kushtet por edhe problemet në përgjithësi, që nga edukimi por edhe konsumimi i artit në vendin tonë. Edukimi në art në përgjithësi duhet të jetë shtylla kryesore, gjë që nuk ka ndodhë deri më tash mjaftueshëm, edhe pse besoj që ka iniciativa, si ato nga individë tek institucionet publike por edhe te institucionet private të edukimit.

Besoj që në të ardhmen duhet patjetër të fokusohemi te edukimi, pastaj investimi më i madh në burime njerëzore e deri te hapësirat e artit si ato publike por edhe ato private. Patjetër që vendit tonë i duhet në të ardhmen e afërt një Muze Arti, modern dhe bashkëkohor, pasi ka çka të tregohet, por para se një gjë e tillë të ndodhë duhet investime tek të rinjtë, pasi siç e dimë vendit tonë i mungojnë disa hallka të artit, përveç artistëve. Që nga kritikët dhe historianët e artit, besoj që duhet investim në të ardhmen e deri tek galeritë komerciale dhe koleksionistët, gjë që nëpër vendet tjera nuk mungojnë. Ne fatkeqësisht thuajse nuk kemi ose kemi shumë pak kritikë apo historianë të artit, asnjë kurator që ka këtë punë primare, dhe tregu i artit thuajse është inekzistent. Për të gjitha këto, përveç edukimit, ne nuk duhet të presim që çdo herë të inicohet nga fondet publike por edhe me iniciativë private.


My Name Their City / Miloti

KultPlus: Cilët janë artistët e preferuar të Albanit, në fushën e artit pamor?
Alban Muja:
Shpesh mendoj se kush janë artistët që unë i pëlqej, ka shumë, por më shumë ka vepra, andaj është e vështirë të them emra, pasi jam i sigurtë që do harroj shumë. Por ajo çka shpesh shoh në hapësira ekspozuese janë veprat, pasi jo çdo vepër e ndonjë artisti të preferuar mund të më pëlqejë. Zakonisht më pëlqejnë ato vepra tek të cilat nuk përfundon diskutimi aty brenda hapësirës ekspozuese apo ato vepra që ‘marrin’ me vete çdo gjë për disa sekonda. Arti ka ndryshu, siç ka ndryshu edhe qasja ndaj artistëve andaj vepra nuk duhet të jetë komforte por të ngritë debat për fenomene të ndryshme shoqërore.

KultPlus: Para se të përfundojmë, një pyetje rreth Fakultetit të Arteve në Kosovë, ku keni dhënë mësim… A është ky Fakultet në nivelin e duhur, meqë shpesh është objekt i sulmeve të ndryshme nga qarqet akademike dhe artistike.
Alban Muja:
Thënë të drejtën ka një kohë që nuk kam folë e nuk kam dashtë të merrem me Fakultetin e Arteve, pasi që nuk ka ndryshuar mendimi im sikur atëherë kur kam punuar për dy vite në këtë institucion, madje ku edhe e pata bashkëinicu dhe e kam shkruar vetë një program të ri që sot çka e di vazhdon të ecë disi.

Mendimi im është dhe sot pak a shumë i njëjtë: Fakultetit të Arteve i cili është institucion publik dhe paguhet me taksat tona, i duhet një reformim total. Atëherë pata thënë që ndoshta duhet me e mbyllë për një kohë deri sa të rishikohen disa gjëra, sidomos programet dhe stafi, tash po provoj me qenë më i butë dhe po them i duhet reformim, me të vetmin qëllim që mos të marrim gjeneratat e reja në qafë. Nuk them që nuk ka pasur iniciativa, por problemi është i thellë pasi shpesh lëndët janë ndërtuar për profesorët dhe jo për studentët dhe të tilla raste janë shumë. E di që ka një udhëheqje të re që një kohë dhe e di që është tentuar për një reformim, por një gjë e tillë nuk e di a ka ndodhur, pasi problemi është i grumbulluar në dy dekadat e fundit, së paku. Duhet të rishikohen programet dhe stafi akademik, nëse një gjë e tillë nuk ndodhë, besoj që është e vështirë për të ndryshuar pozitivisht. Gjithsesi, besoj në gjeneratat e reja që një ditë do të ngrisin zërin në këtë drejtim.

Fotografia: Matteo Fieni

KultPlus: Dhe për fund, planet e Albanit për vitin e ardhshëm, pos Bienales?
Alban Muja:
Gjithsesi angazhimi kryesor për momentin dhe deri sa të hapet Bienalja e Venedikut në muajin Maj, është projekti për këtë ekspozitë. Ka disa oferta dhe propozime sikurse edhe disa ekspozita, por të gjitha do shqyrtohen dhe do vlerësohen pas Biennales pasi si natyrë pune e kam pasur çdo herë problem me kry një punë të dytë para të parës, përveç pjesëmarrjes në disa ekspozita me vepra të punuara më herët. Gjithsesi, besoj dhe shpresoj që angazhimet nuk do të ndalen, pasi ka disa projekte të reja që i kam punuar dhe që besoj që duhet ekspozuar apo ndarë me publikun.

Urime Viti i ri 2019.

Ron Fehmiu, nipi i Bekim Fehmiut i cili e pret rolin e madh në gjuhën shqipe

Alberina Haxhijaj

Uran (Ron) Fehmiu, i njohur në botën e aktrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si Ron Fehmiu, në intervistën e dhënë për KultPlus tregon se si është larguar nga Kosova dhe ka ecur drejt tokës së panjohur dhe ëndrrës së paeksploruar. Nipi i Bekim Fehmiut na ka dhënë pak copëza përshkrimi nga jeta e tij në SHBA. Ai ka shpalosur rolet e tij, dëshirat dhe kujtimet që ka për Kosovën të cilën e ka lënë pas. Këshillat të cilat e kanë përcjellë Ronin mund të vlejnë për çdo të ri që ëndërr e ka aktrimin. Për këtë fundvit, një dhuratë tjetër e KultPlusit është edhe kjo intervistë poshtë.

KultPlus: Gjithmonë ka kuriozitet për fillimet. Si lindi dashuria juaj për aktrimin dhe si e kujtoni gjithë këtë rrugëtim?

Ron Fehmiu: Në vitin 1993 kam regjistruar Artet e Mediave, dega regji filmi. Kurse aktrimi për mua filloi shumë vonë, në vitin e dytë të studimeve në University of South Carolina. Atë vit e mora klasën e parë të aktrimit. Mbas kësaj vazhdova të merrja klasët e aktrimit dhe në vitin 1998 u shpërngula nga Karolina Jugore në New York. Aty vazhdova të marr leksione për aktrim në Stella Adler Conservatory of Acting. Në vitin 2001 u pranova në Actors Studio Drama School, ku e përfundova magjistraturën apo “MFA”.

KultPlus: Keni lindur në Kosovë, çfarë kujtoni nga Kosova dhe sa ishte i vështirë fillimi juaj në Amerikë?

Ron Fehmiu: Linda në Prishtinë dhe kam mjaft kujtime të mira nga fëmijëria në Kosovë, deri në vitin 1988 kur edhe problemet politike dhe jeta në Kosovë u vështirësua. Kjo ishte edhe arsyeja që e lëshova Kosovën në vitin 1990 dhe shkova në Londër. Aty qëndrova një vit dhe pastaj erdha në SHBA, në Columbia të Karolinës Jugore. Këtu i përfundova edhe 2 vitet e fundit të shkollës së mesme.

Edhe pse fillimi ishte pak i vështirë në Amerikë, mbasi kisha ardhur vetëm dhe gjithë familja ishte në Kosovë, unë u adaptova shumë shpejtë.

KultPlus: Kur jemi te Kosova, ju jeni po ashtu nipi i Bekim Fehmiut, një ndër aktorët më të mëdhenj shqiptarë që pati famë kudo nëpër botë. Si e kujtoni figurën e Bekimit?

Ron Fehmiu: Bekimin apo “Daja Beko” siç e thirrsha unë, gjithmonë e kujtoj fillimisht si dajë. Më kujtohet gjithmonë koha që e kalonim me të si fëmijë, kur vinte në vizitë në Prishtinë. Ishte një dajë shumë i dashur me të gjithë nipërit dhe mbesat. Pastaj, Bekimin e kujtoj si person me pasion të madh për artin, sidomos aktrimin. Nuk kujtoj vetëm talentin e tij por edhe punën jashtëzakonisht të madhe që ka bërë e që i ka ndihmuar për të arritur sukseset e tij.

KultPlus: Sa ka qenë e vështirë të krijoni një trashëgimi tuajën duke e pasur emrin e Bekim Fehmiut para jush?

Ron Fehmiu: Mendoj se pesha e mbiemrit Fehmiu do ishte shumë me tepër një çështje pozitive apo negative nëse do kisha provuar që të realizoj një karrierë si artist në Kosovë apo në Evropë. Natyrisht do të ishte një standard i pamundur që të arrihej. Mirëpo këtu në SHB nuk ishte një faktor.

Ron Fehmiu si diplomati kosovar Abdyl Duriqi, në Madam Secretary (CBS) 2018

KultPlus: Ekziston ndonjë këshillë e cila ju ka shoqëruar gjatë gjithë këtyre viteve dhe nuk ju ka lënë që të dorëzoheni?

Ron Fehmiu: Këshillën të cilën e mora nga profesoresha ime në Actors Studio, Barbara Poitier- kushërira e parë e aktorit Sydney Poitier- të cilën ajo e kishte marrë nga Elia Kazan. “Çdokush që është aktor apo artist ka diçka të rëndësishme për të thënë”.

KultPlus: Keni arritur që të fitoni disa role edhe në kinematografinë amerikane, cilat janë sfidat me të cilat jeni përballuar apo përballeni?

Ron Fehmiu: Është një biznes i vështirë të depërtosh, por është shumë e rëndësishme të dini se kush jeni si aktor dhe të mos futeni në fantazitë artistike. Puna është punë dhe ju duhet të jeni të gatshëm të bëni atë edhepse nganjëherë nuk e përfaqëson fushën e plotë të aftësive artistike.

KultPlus: Sa është e vështirë sot që të jeni një aktor?

Ron Fehmiu: Sot është shumë më e vështirë sesa për aktorët e gjeneratës së dajës. Sikur tha aktori i madh F. Murray Abraham në një seminar që unë e takova: Biznesi ka ndryshuar aq shumë që nga vitet e 70’ dhe 80’. Kur ai ishte një aktor i ri në New York, aktorët kishin mundësi që të punonin në reklama dhe seriale pa problem kur kishin nevojë për punë. Por sot, edhe në reklama edhe në seriale luajnë aktorë të mëdhenj të filmit. Në atë kohë nuk kishte mundësi që dikush si Al Pacino të bënte reklama televizive për Jeep Cherokee apo të ishte pjesë e serialeve televizive sikurse ndodhë sot.

KultPlus: Keni interpretuar përkrahë yjeve të njohura, si është të punosh me ta?

Ron Fehmiu: Çdo individ është unik, secili personalitet është i ndryshëm. Kjo ndonjëherë do të të ndihmojë edhe në vendin e punës apo në set të xhirimeve. Kam punuar me aktorë që insistojnë të jenë ylli i shfaqjes dhe kanë dëshirë që të frikësojnë aktorët e ri apo më të vegjël se ata. Mirëpo po ashtu kam punuar edhe me të tjerë që bëjnë çmos që i gjithë ekipi gjatë xhirimit të ndihet i barabartë dhe nuk kanë nevojë që të luajnë me egon e tyre.

Ron Fehmiu si mafioz rus, në serialin “Bored To Death” (HBO) 2009

KultPlus: Cili do të ishte mesazhi juaj për aktorët në Kosovë apo për studentët në Universitetin e Prishtinës të cilët ëndërrojnë një karrierë në aktrim, jashtë Kosovës?

Ron Fehmiu: Punoni me gjërat bazë si dhe ushtroni teknika gjatë gjithë kohës edhe kur nuk jeni duke përgatitur ndonjë rol. Aktori duhet të jetë çdo herë në formë njësoj sikur një pianist, kitarist apo këngëtar i cili gjithmonë ushtron. Është mirë të keni ëndrra dhe ambicie të mëdha por gjithmonë rrini me këmbë në tokë për shkak të realitetit të ashpër të ShowBizit. Siç edhe thotë një thënie e vjetër në Hollywood kjo është “Show-Biznes dhe jo Show-Art”

KultPlus: Çfarë është duke punuar për momentin Uran Fehmiu? Po në kohën e lirë që u mbetet, çfarë ju pëlqen që të bëni?

Ron Fehmiu: Tash mbas sezonës së festave fillojnë sezonat e reja për vitin 2019 dhe shpresoj që të kem audicione edhe për këtë vit. Në anën tjetër kohën e lirë e kaloj në fitnes, luaj tenis dhe vozis biçikletën nëpër gjithë qytetin e New York-ut. Po ashtu një pjesë të kohës e kaloj me qenin tim “Bruno” i cili është një “Wheaten Terrier Irlandez”. Ai kur ishte i ri ka qenë model nëpër reklama të ndryshme por u përpoq që të kalonte në aktrim. Mirëpo, ky biznes është shumë i vështirë edhe për një qen fotogjenik siç është ai.

KultPlus: A mendoni që të riktheheni në Kosovë, ndoshta me ndonjë rol ?

Ron Fehmiu
: Po, do të kisha shumë dëshirë që të aktroj në gjuhën shqipe. Është vetëm çështje kohe dhe nëse projekti i duhur do të paraqitet.

KultPlus: Si do ta përshkruanit vitin që po e lëmë pas me disa fjalë?

Ron Fehmiu: Ishte një vit shumë aktiv për mua. Kam punuar në Marvel “Daredevil” serialin në Netflix dhe në Serialin “Madam Secretary “ në CBS. Për Vitin e Ri uroj për paqe dhe stabilitet, tërheqje të forcave të errëta të cilat janë shfaqur këto dy vitet e fundit në SHBA e Evropë. / KultPlus.com

@credits Fadil Berisha, New York 2018

Marigona Qerkezi, sopranoja e cila bëri që flamuri i Kosovës të ngritet në Rusi e Spanjë

Gjithçka nisi qysh në fëmijëri, në kohën kur secili është në fazën e ëndrrave për ndërtimin e profesionit për të ardhmen, e që shpesh gjithçka mbetet aty për të marrë tjetër kuptim me zhvillimin dhe formimin e personalitetit. Por, për Marigona Qerkezin ëndrra e fëmijërisë mori jetë tutje. Ndonëse ishte vetëm 6 vjeç kur për herë të parë shkeli në skenë, hapat e saj nuk u ndalën asnjëherë, ajo vazhdoi fuqishëm në rrugën e saj prej artiste, duke bërë kështu që zëri i saj të jehojë në skena të mëdha botërore. Për të zbuluar më shumë rreth këtij rrugëtimi, ëndrrave, emocioneve skenike, dhe roleve të saj të shumta, sopranoja Marigona Qerkezi në një intervistë për KultPlus na sjellë gjithë rrugëtimin e saj prej artisteje.

Jeta Zymberi

KultPlus: Karriera juaj ka filluar qysh në moshën 6 vjeçare, atëherë kur edhe kishit paraqitjen e parë skenike, por tashmë ju keni arritur të depërtoni suksesshëm në skenën ndërkombëtare dhe të shkelni shumë skena të mëdha, si e përshkruan këtë rrugëtim?

Marigona Qerkezi: Udhëtimi im artistik ka filluar në Slloveni, në Lubjanë, ku pata paraqitjet e para skenike si 6 vjeçare dhe pastaj në Zagreb, ku poashtu fillova edukimin muzikor për flaut. Jam me fat që qysh nga ajo moshë aq e vogël, kam pasur performanca të vazhdueshme dhe jam mishëruar me skenën ndërkombëtare hap pas hapi, gjë që kontribuoi në rrugëtimin tim i cili rrodhi natyrshëm dhe sukseset vinin një pas një.

KultPlus: Depërtimi në botën e artit jashtë trojeve shqiptare gjithmonë konsiderohet i vështirë, kjo për arsye të konkurrencës së madhe, sa ishte vështirë për ju dhe çka ju ndihmoi më së shumti për të arritur këtu ku jeni sot?

Marigona Qerkezi: Në rastin tim ishte ndryshe, sepse sukseset e korrura në skenën ndërkombëtare për vite me radhë, sa herë që kisha ftesa, i shfaqja edhe përpara publikut të dashur në trojet tona. Sukseset erdhën si rezultat i punës në kontinuitet dhe mundësive që krijoheshin nga rasti në rast, audicionet e shumta që i kam bërë, si dhe konkurset.

KultPlus: Sot në pozitën në të cilën ndodheni, si i kujton prezantimet tuaja të para në skena ndërkombëtare?

MarigonaQerkezi: E kujtoj me shumë dashuri koncertin e parë në jetën time, në Lubjanë (Slloveni) ku edhe fillova shkollimin dhe rrugëtimin tim. U prezantova si soprano dhe interpretova në përcjellje të korit. Është performanca e parë dhe e paharrueshme për mua! Një tjetër performancë shumë e rëndësishme, kësaj radhe si soliste në flaut, është ajo në Moskë (Rusi) si 15 vjeçare, ku interpretova krahas muzicientëve nga e mbarë bota, si dhe automatikisht krahas emrit tim, u vu flamuri i Republikës së Kosovës, kur dihet që edhe sot e kësaj dite Rusia ende nuk e njeh shtetin tonë. Një rast tjetër është ai i debutimit tim në Gran Teatre del Liceu – Teatrin e Operës në Barcelonë me rolin Madama Cortese, përsëri në një shtet si Spanja, e cila nuk e njeh Kosovën.

KultPlus: Ishit edhe gjysmëfinaliste e garës së madhe operistike Operalia, si ishte kjo përvojë për ju?

Marigona Qerkezi: Ishte kënaqësi të përzgjidhesha dhe pranoja komplimente nga i madhi Placido Domingo, pikërisht prej mijëra konkurrentëve nga e mbarë bota. Pata kënaqësinë dhe nderin të këndoja përpara tij si dhe jurisë shumë prestigjioze të Operalias, që krijoi mundësi të reja për mua, të cilat do të publikohen me kohë.

KultPlus: Cilin prej roleve e konsideroni si më të rëndësishmin në karrierën tënde?

Marigona Qerkezi: Duhet patjetër ta veçoj rolin tim të parë, me të cilin debutova si 22 vjeçare në Operën Mbretërore të Omanit, pra rolin e Mbretëreshës së Natës nga Flauti Magjik i Mozartit, i cili ka një rëndësi të veçantë jo vetëm pse është roli im i parë, por edhe për vështirësitë dhe peshën artistike që bart me vete. Gjithashtu, një vend tëveçantë ka roli i Lucias nga opera Luciadi Lammermoor e Donizettit.. një rol i jashtëzakonshëm!

KultPlus: Cila mbetet ëndrra juaj më e madhe e parealizuar ende?

Marigona Qerkezi: Kam shumë ëndrra e plane për të cilat punoj dhe shpresoj që do të mund t’i realizoj një e nga një.

KultPlus: Keni ndarë skenën me shumë artistë botërorë, por cili është artisti me të cilin ëndërroni të interpretoni bashkë në një skenë?

Marigona Qerkezi: Kam pasur fatin që deri tani të bashkëpunoj dhe të ndaj skenën me plot artistë botërorë, të cilët, përpara vetëm mund të jua lexoja emrat apo t’i dëgjoja në incizime. Natyrisht kjo listë e artistëve është e gjatë, dhe ka ende shumë e shumë prej tyre me të cilët do të dëshiroja të bashkëpunoja.

KultPlus: Falë talentit tuaj dhe zërit magjik, ju keni arritur të prekni shumë skena në vende të ndryshme të botës, por cilin teatër botëror e keni peng dhe ëndërroni që një ditë aty të dëgjohet zëri juaj?

Marigona Qerkezi: Përveç skenave ku deri më tani kam interpretuar (Slloveni, Kroaci, Rusi , Mal të Zi, Itali, Gjermani, Holandë, Kosovë, Amerikë, Japoni, Oman, Turqi, Maqedoni,Portugali, Shqipëri, Angli, Spanjë) gëzohem që çdo vit kjo listë po zgjerohet dhe dalëngadalë kam depërtuar në skena të ndryshme, dhe uroj që të arrij të interpretoj edhe në shumë prej tyre.

KultPlus: Jeni edhe fituese e disa çmimeve, sa ndikojnë çmimet në ngritjen e një artisti?

Marigona Qerkezi: Çmimet dhe vlerësimet nga njerëz të mëdhenj të artit padyshim më kanë dhënë shtytje dhe motivim për të vazhduar të punoj dhe përkushtohem edhe më fort. Është satisfaksion shumë i madh kur përzgjidhesh nga mijëra konkurrentë nga e mbarë bota, kalon nga një fazë në tjetrën, e natyrisht, aq më shumë kur triumfon e kurorëzohesh me çmim, përshembull mund të theksoj këtu 6 çmimet ndërkombëtare operistike të fituara përbrenda një viti.

KultPlus: Për momentin çfarë është duke bërë Marigona?

Marigona Qerkezi: Sapo kam mbaruar performancen te rolit Gilda nga opera Rigoletto e Verdit, rol të cilin e debutova në Teatrin e Operas në Cagliari (Itali) ditë më parë dhe u prit shumë mirë nga publiku dhe kritika. Tani kam ndarë pak kohë që t’i kaloj festat bashkë me familjen, si dhe paralelisht, duke qenë jashtëzakonisht me fat që të kem nënë – profesoreshën time të solo këndimit, Merita Junikun, të punoj me të për projektet e reja të cilat më presin në vitet që po vijnë.

KultPlus: A ju kanë ofruar role të reja dhe cilat janë ato?

Marigona Qerkezi: Kam shumë angazhime të cilat më presin gjatë viteve në vijim, por shumicën prej tyre ende nuk mundem t’i publikoj. Po përmend një nga to: momentalisht jam fokusuar në thellimin e përgatitjes së rolit Donna Anna nga opera DonGiovanni e Mozartit, të cilin do ta debutoj së shpejti në Tokyo New National Theater – Operan e Tokyos, Japoni. Në të njëjtën kohë, po përgatitem për plot projekte dhe role të reja të cilat do i shpalos me kohë.

KultPlus: Ndonëse karriera juaj tashmë po zhvillohet kryesisht jashtë trojeve shqiptare, ju asnjëherë nuk jeni shkëputur tërësisht nga Kosova ku ktheheni për koncerte e pjesëmarrje të ndryshme, por a do të mbani së shpejti ndonjë koncert në Kosovë?

Marigona Qerkezi: Pavarësisht që kam performuar në shumë vende të botës, Kosova zë një vend të veçantë për mua, dhe çdo herë i pranoj me  shumë kënaqësi ftesat për të performuar për publikun tim të mrekullueshëm, natyrisht komfor mundësive për realizim dhe agjendës time profesionale.

KultPlus: Si do ta përshkruaje vitin që po lëmë pas?

Marigona Qerkezi: Një vit i pasur me shumë aktivitete artistike. Këtë vit realizova një ëndërr që të performoja në skenë operistike me rol të dyfishtë, atë të solistes në flaut, dhe si soprano në të njëjtën shfaqje ‘’IlViaggio a Reims’’ nga Rossini në 4 Teatro prestigjioze Italiane. Ishte premierë absolute e parealizuar asnjëherë më parë në histori, e vlerësuar edhe nga mediat. Diçka shumë e veçantë. Po ashtu mu shtua edhe një çmim special që e fitova në Konkursin Ndërkombëtar Operistik në Portofino, me juri prestigjioze nga Moska,Tokyo, Brukseli, Amsterdami, Firenze etj, të kryesuar nga drejtori i Operas Shtetërore të Vjenës. Veçoj koncertin në Pallatin Mbretëror në Torino, debutimin e Gildas në Cagliari…Koncertin Jubilar tëAsLiConëComo, ku u ftova si një nga ish-fitueset e çmimit të tyre, çmim ky i cili më hapi shumë dyer në botën operistike ndërkombëtare…, janë këto vetëm disa nga eventet që shënojnë vitin që po lëmë pas.
Ju faleminderit për intervistën dhe po shfrytëzoj rastin ti përshëndes të gjithë lexuesit e KultPlus dhe të ju uroj festat e fundvitit! / KultPlus.com

Të jesh amerikan dhe të doktorosh për çiftelinë shqiptare

Gili Hoxhaj

Jo vetëm shqiptarët kanë në dhomat e tyre të varur çiftelinë. Amerikani Jeff Charest e ka pasur një të tillë qysh prej vitit 1992. Ai madje di t’i bije mjeshtërisht asaj. Interesimi i tij për këtë instrument, nuk mbaron këtu. Shumë nga studimet e tij në master kanë qenë të lidhura me këtë instrument, i cili ka një fokus të veçantë në temën e doktoratës së tij në Univeritetin Cardiff në Mbretërinë e Bashkuar .

Shumë të zakonshme e cilëson kontaktin e tij të parë me çiftelinë, për të cilën thotë se ndoshta ka qenë fati i tij që ta ketë në duar. Ndonëse ky instrument e kishte tërhequr qysh në fillim derisa po thellohej më shumë në të, dita ditës e kishte bindur veten se “ky është një instrument që ia vlen të merresh tërë jetën me të”. Tash e gati tri dekada, ai çiftelinë e bart me vete pothuajse kudo që udhëton.

Çiftelia e parë nga pazari i Shkodrës

Kur babai i tij, kishte vizituar Shqipërinë në vitin 1992, çiftelinë që e kishte hasur në pazarin e Shkodrës, e kishte menduar si dhuratën ideale për të birin, i cili ishte dhënë pas instrumenteve të  vendeve të ndryshme e tingujve që ato prodhojnë. Kishte kaluar një kohë e Charest, nuk dinte as si quhej ky instrument e as si tingëllonte, derisa një ditë do të haste në një CD me këngë çiftelie. Dukë dëgjuar video të rapsodëve më të njohur, e  duke studiuar më pas këtë instrument në universitetin anglez, ai ka mësuar t’i bije në mënyrë profesionale atij. E gëzojnë fort fjalët  e mira të shqiptarëve kur e  dëgjojnë lojën e tij në çifteli. Çiftelinë më profesionale e cilëson atë që është e ndërtuar në Prishtinë. Për ta plotësuar imazhin e një rapsodi shqiptar, Jeff Charest shpesh vendos edhe plisin, e tund kokën varësisht nga prekja e telave. Këmbën e djathtë e lëvizë varësisht prej tingujve që i nxjerrë prej çiftelisë.

Duke qenë se studimet e tij e kanë lidhur fort me Shqipërinë e Kosovën, thotë se mezi  po e pret momentin që t’i vizitojë. E veçon Prizrenin për të cilin thotë se e di që në shekullin e kaluar ka qenë kryeqendër e shqiptarëve, ku është mbajtur edhe “Lidhja e Prizrenit”. Charest ka një listë të rapsodëve që i dëgjon e i pëlqejnë, në mesin e tyre veçon Dervish Shaqën, Ndue Shytin dhe Fatmir Makollin, ndërsa thotë se do donte t’i binte çiftelisë derisa këndon Mhill Krasnqi.Ka edhe disa këngë të cilat i don fort dhe e di historinë e tyre. Ai thotë se shpreson që kur të mësojë më shumë fjalë në gjuhën shqipe, do të jetë në gjendje edhe të këndojë me këngë çiftelie.

“Babai im derisa kishte ecur në pazarin e Shkodrës, e kishte parë këtë instrument me dy tela që i ishte dukur interesant. Ai ma kishte dërguar atë në Kaliforni, atje ku unë jetoja. Menjëherë kam qenë tërësisht i dhënë pas këtij instrumenti qoftë edhe në mënyrën se si dukej. Nuk e kisha as idenë se si quhej, atëherë interneti ishte në hapat e parë, shumë para se Ëikipedia apo YouTube të ekzistonin. Kështu nuk dija as si tingëllonte ky instrument”, tregon Charest. Që nga atëherë, ai kishte hulumtuar për disa vite për këtë instrument por pa rezultat, derisa në një enciklopedi instrumentesh kishte hasur në emrin e më pas kishte gjetur disa CD që përmbanin këngë çiftelie të incizuara përgjatë viteve 1978 – 1986. Duke dëgjuar  këto këngë në CD, ai kishte mësuar si t’i binte asaj. Ai thotë se ndihet keq që akoma nuk e di gjuhën mirë që të këndojë  këto këngë ndërsa thotë se shpreson që këtë të jetë në gjendje që ta bëjë në të ardhmen.

“I bëja disa gabime atëherë pasi që përdorja gabimisht telat. Më pas në vitin 2011, kam gjetur një shitës online në e-bay që e shiste çiftelinë nganjë ndërtues çiftelish në Prishtinë, kështu që e blevanjë  të re, njëtë ndërtuar në mënyrë profesionaledhe mëpas  fillova të përdorë videot e YouTubes për të mësuar më shumë këngë dhe melodi, duke identifikuar këngëtarët dhe instrumentistët më të mirë të këtij instrumentisti”, thekson Charest.

Përveç çiftelisë, ai kur kishte vizituar Tiranën kishte blerë edhe një sharki, për të cilën kishte thënë se nëse nuk e blinte në atë ditë, do të ndihej pishman për tërë jetën.

“Tani i kam katër çiftelia, dhe jam duke mësuar të luaj edhe në sharki dhe në tambure. Kam edhe një  tip më të rrallë të një instrumenti me tela, që më kanë thënë se luhet vetëm në Korçë dhe ai është “mandolina” por që unë nuk kam gjetur më shumë informacione për  të. Po e mësoj edhe lahutën dhe “the doubleflute” i cili mendoj që quhet “culedyjare” në Shqipëri dhe dvojnice në gjuhën sllave”, tregon studiuesi e instrumentisti amerikan Jeff Charest.

“Dua t’ua kthejë njerëzve vëmendjen tek instrumenti i çiftelisë”

Jeff Charest, dashurinë për muzikën e kishte hetuar qysh herët e i ishte dedikuar më shumë asaj në adoleshencë derisa jetonte në New York. Gjithnjë ka qenë i fasionuar në instrumente të ndryshme dhe me gjërat e ndryshme që njeriu mund të krijojë me tingullin, andaj dhe kishte blerë instrumente të vendeve të ndryshme.  Fillimisht kishte kënduar në rrugët e Berkeleyt në San Francisco, ndërsa thotë se kudo që kishte udhëtuar me vete kishte marrë kitarën e çiftelinë.

“Fillimisht e  mësova  veten të luaja me kitarë dhe ndoqa disa mësime të pianos për një kohë. Më pas vendosa të eksploroj muzikën nga vende të ndryshme të botës, fillimisht muzikën indiane, pastaj atë kineze dhe greke. Pastaj isha muzikant i një kafeneje të stilit maroken në San Francisco dhe kontribuova në disa në disa këngë të një CD-je me muzikë kineze”, tregon Charest. Ai dikur e kishte kuptuar se këtë rrugë nuk mund ta ndiqte si autodidakt dhe kishte nevojë të lidhej me një komunitet më të gjerë akademik.

“Ndoqa studimet themelore  në Universitetin e Kalifornisë në SantaCruzz dhe studimet pasuniversitare në Cardiff në Britaninë e madhe. Dhe ja ku jam”, tregon Charest për rrugëtimin e tij muzikor.

Arsyeja përse kishte zgjedhur që teza e doktoratës së tij të lidhej me çiftelinë është sepse e cilëson fort të veçantë dhe se askush jashtë rajonit nuk i ka kushtuar ndonjë rëndësi këtij instrumenti dhe  kulturës muzikore të Shqipërisë së Veriut dhe Kosovës.

“Dua  t’ua kthejë  vëmendjen njerëzve në këtë instrument, në historinë dhe muzikën e tij. Jam shumë I interesuar edhe në lidhjet që ky instrument ka me vendet e tjera të Ballkanit, me Iranin, Turqinë dhe Azinë qendrore, por çiftelia është zhvilluar në një mënyrë shumë origjinale që është unike shqiptare”, tregon Charest.

Teza e masterit të tij ka qenë e fokusuar në muzikën e çiftelisë dhe akordet e moloditë e ndryshme që ajo prodhon. Tani në studimet doktorale po hulumton për historinë e saj  dhe lidhjet e lashta mitologjike të cilat thotë që shfaqen në këngë si “Aga Imeri”,  e cila tregon se  personazhi kryesor luan çifteli në burg dhe merr vëmendjen e vajzës së mbretit që më vonë e liron nga burgu.

“Mendoj se ekzistojnë disa shembuj mitologjik që lidhen me këtë instrument dhe instrumente të tjera me dy tela të gjatë”, shprehet instrumentisti amerikan.

Charest tregon se gjithnjë ka qenë kurioz për kulturën dhe historinë shqiptare, ndërsa shënimet e babait të tij nga vizita e tij në Shqipëri e kishin inspiruar edhe më tutje që të mësojë për Kosovën e Shqipërinë.

“Derisa unë jam rritur në vitet e 80-a atëherë siç e dini Shqipëria, ka qenë një vend i izoluar komunist  për të cilin vështirë që mund të dije diçka. Megjithatë, unë jam ndjerë integruar dhe e kam ndjerë njëfarë lidhje me këtë vend, ani pse nuk dija shumë për të. Babai nga udhëtimi atje kishte marrë disa shënime  dhe kjo më inspiroi që të mësoja më shumë për Shqipërinë dhe Kosovën”, tregon Charest për KultPlus.

Shqipërinë e ka vizituar vetëm një herë, në vitin 2015. Atje  kishte marrë pjesë në Festivalin Folklorik Kombëtar në Gjirokastër. Charest tutje tregon se shumë shpejt planifikon që të  vizitojë Shqipërinë dhe vendet e rajonit.

“Do të doja të kthehem dhe të kaloj më shumë kohë në Shkodër dhe Krujë, do të doja  shumë të vizitoja dhe Kosovën. Dëgjojë shumë gjëra të mira për Prizrenin dhe Prishtinën. Brenda disa javësh, ne do të përfundojmë doktoraturën dhe unë e miku im do të vizitojmë Shqipërinë, Kosovën,  Maqedoninë dhe Malin e Z”, thekson ai.

“Aga Imeri”

“Mirë tue hangër Aga mirë tue pije, mirë tue bije Aga me çifteli”  janë fjalët që Charest i shkruan ashtu sic i ka dëgjuar e lexuar. Versionet e ndryshme të kësaj kënge që japin një histori të tërë të besnikërisë shqiptare, Charest është duke i hulumtuar e duke i analizuar së fundmi dhe kjo ka bërë që të kuptojë edhe më mirë dialektin geg’ të gjuhës shqipe dhe të largohet pak nga gjuha standarde të cilën kishte filluar ta mësoj fillimisht.

“Kam ditur më shumë fjalë në gjuhën shqipe. Tani jam më i mirë në gramatikë se sa që jam me leksik. Jam përpjekur ta mësoj vetën me gjuhën shqipe derisa po jetoja në Kaliforni, më pas e kam ndërprerë për shkak të angazhimeve. Çuditërisht, kërkimet e mija për temën e doktoraturës e kanë bërë edhe më të vështirë  ta mësojë gjuhën në nivel të duhur por prapë vazhdoj të provoj. Tani për tani, jam duke hulumtuar disa versione të këngës së Aga Imeri, kështu që dialektin gegë të shqipes  e lexoj më mirë sesa gjuhën standarde. Kur ta përfundoj studimet, të paktën mund të mësoj që të flas përsëri normalisht gjuhën shqipe”, tregon tutje Charest.

Fotografia: Gareth Jarvis

Jeff Charest: Veten e cilësoj si ambasador muzikor të shqiptarëve

Duke qenë se tash e një kohë merret me këtë instrument, tingullin e tij shpesh e kishte prezantuar në lojën e tij rrugëve të Amerikës. Ai thotë se tanimë veten e cilëson si një lloj ambasadori muzikor dhe thotë se shpreson që akoma dhe më tutje do të vazhdoj këtë mision që ia ka caktuar vetës.

“Në Amerikë kam luajtur mjaft shumë me çifteli. Njerëzit që e dëgjonin dhe e shikonin atë befasoheshin, shumica e amerikanëve hamendësonin  se është instrument indian i quajtur sitar. Shumë njerëz e cilësuan si një zë të mrekullueshëm, të egër dhe të pastër njëkohësisht. Tani në Mbretërinë e Bashkuar kur luaj është zakonisht para një audience të caktuar. Jam shumë i lumtur që plot shqiptarë këtu ndihen të kënaqur kur më dëgjojnë teksa luaj në çifteli dhe më thonë se i bie shumë mirë. Kam punuar aq shumë në të përgjatë viteve. E shoh veten si një lloj ambasadori muzikor dhe shpresoj të punoj me organizatat kulturore në Shqipëri dhe Kosovë dhe në Evropën Perëndimore dhe Amerikë për të promovuar interesimin në çifteli dhe muzikën që ajo prodhon”, tregon Charest.

Charest: Do të doja ta takoja Ndue Shytin dhe Fatmir Makollin

Ai ka një listë të këngëtarëve e instrumentistëve që i dëgjon vazhdimisht.

Instrumentistët e këngëtaret që i pëlqejnë më së shumti janë: Ndue Shyti, Fatmir Makolli, Rexhep Hajrizi, Esat Gashi, Sali Mani dhe Esat Ruka. Përvec burave, ai thotë se dëgjon edhe disa këngëtare shqiptare, Drane Gegan, Remzije Osmanin, Merita dhe Aferdita Veselin.

Këngët që ai i dëgjon më së shumti janë meloditë e Ndue Shytit, ndërsa veçon edhe këngët “Hajredin Pasha”, “Moj e mira Bregut Cemit”, “Ganimete Terbeshit”, “ Në Qendër të Fshatit”.

“Do të doja të takoja Ndue Shytin,  kurse nga një gjeneratë më e re do të doja të takoja Fatmir Makollin”, thotë Jeff.

Ai krejt në fund tha se ndihet tejet i lumtur që ka gjetur çiftelinë, për të cilën thotë se ia ka ndryshuar krejtësisht jetën dhe të cilën thotë se dëshiron ta prezantojë tek një numër sa më i madh i njerëzve.

“Jam shumë i lumtur që ky instrument dhe muzika e tij jeton akoma, çiftelia ka bërë një ndryshim shumë të madh në jetën time dhe jam i lumtur që t’ua jap atë Shqipërisë dhe Kosovës duke shpërndarë atë tek shqiptarët dhe të huajt”, është mesazhi i fundit i JeffCharest. / KultPlus.com

Urimi i fundit që presidenti Rugova e bëri në vitin 2005

Blerta Kllokoqi – Rugova ka postuar në Facebook urimin e fundit të Presidentit Rugova që e bëri me 31 janar të vitit 2005, sa ishte gjallë Presidenti.

Këtë urim, e reja e presidentit e ka shpërndarë në murin e saj në Facebok së bashku më një fotografi të përbashkët të Familjes Rugova’. Ja urimi i presidentit Rugova më vitin 2005:

Zonja dhe zotërinj,

Viti në të cilin po shkelim do të jetë një vit i progresit më të madh të Kosovës, një vit më efikas, më veprues i institucioneve tona për një zhvillim më të hovshëm ekonomik dhe për një mirëqenie të qëndrueshme për të gjithë qytetarët. Njëherësh do të punojmë së bashku… do të bëjmë përpjekje të kultivojmë marrëdhënie të mira me fqinjët tanë me interes të ndërsjellë.

Në planin e brendshëm do të punojmë më fuqishëm në mbrojtjen dhe integrimin e grupeve etnike apo minoriteteve në shoqërinë dhe në shtetin e Kosovës….një Kosovë e pavarur demokratike e integruar në BE, në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA, çfarë do të hapte perspektiva të reja për zhvillimin ekonomik dhe do të bënte Kosovën anëtare të kombeve të lira të botës së lirë.

Qytetarë të nderuar,

Në këtë orë gëzimi i kujtojmë me krenari të gjithë ata që ranë për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës. Do të bëjmë një angazhim më të madh për ndriçimin e fatit të të zhdukurve.

Zonja dhe zotërinj,

Në këtë natë gëzimi, urime të përzemërta u shprehim Kosovarëve në SHBA dhe në vendet e Europës, që po ndihmojnë progresin e vendit tonë.

Qytetarë të dashur,

Në këtë natë gëzimi t’i bëjmë bashkë dëshirat, vullnetin e mirë dhe veprimet për një Kosovë me prosperuese, më të fortë e më të lumtur.

Me fat Viti i Ri 2006.Gëzuar.Zoti Ju bekoftë.

Zoti i bekoftë miqtë e Kosovës.

Zoti e bekoftë Kosovën tonë të çmuar.

Ju falemnderit.

Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova (30 dhjetor 2005)

Riad Ymeri: Kosovarët që synojnë karrierë në operë, duhet ta lëshojnë Kosovën

Alberina Haxhijaj

Tenori Riad Ymeri, pjesëmarrësi i ‘Akordeve në Kosovë’ i cili arriti suksese në Kosovë por edhe në Shqipëria ka ndarë me KultPlus sukseset që po arrin edhe në Amerikë. Publiku i New York-ut po mahnitet nga zëri i tij i cili solli në jetë role të rëndësishme si Rodolfo nga “La boheme”, Don Jose nga “Carmen” apo Cavaradossi nga “Tosca”. Mirëpo përtej kësaj, në këtë intervistë, Riad Ymeri ka biseduar edhe për problemet që ka lënë pas në Kosovë e që ekzistojnë akoma. Kosova ka talente, rruga është e vështirë, mirëpo sipas tij, për të arritur suksese në karrierë e veçanërisht në operë, duhet lënë Kosovën.

KultPlus: Tashmë emri juaj, Riad Ymeri, shënohet përkrah yjeve të njohura të muzikës klasike. Si lindi dashuria juaj për muzikën dhe si e kujtoni gjithë këtë rrugëtim?

Riad Ymeri: Muzika ishte pjesë e traditës në familje. Thuajse të gjithë anëtaret e familjes kishin lidhshmëri me muzikën. Babai im Ramadan Ymeri ishte këngëtar i muzikës popullore dhe kishte një hit madje “Oh! çik e çak moj po del vera”. Ai gjithashtu ishte edhe valltar në ansamblin “Shota” për shumë vite. Nëna ime kishte kënduar në fëmijëri dhe kishte fituar çmimin e parë me këngën “Mami” në festivalin e njohur “Akordet e Kosovës”. Unë gjithashtu isha pjesë e Akordeve se bashku me motrën time në fëmijëri. Pra, unë e kisha muzikën pjesë të përditshme dhe ishte në shpirtin tim. Më vonë nuk kisha shumë interesim dhe lidhja e vetme me të ishte shkolla e mesme. Dashuria u rikthye në fakultet, kur regjistrova solo këndimin dhe më shumë entuziazëm ju qasa kësaj forme të bukur të artit, operës.

KultPlus: Jeni larguar nga Kosova pas shumë sukseseve që keni arritur. Keni interpretuar po ashtu edhe me Filharmoninë e Kosovës dhe në festivale të ndryshme. Si e kujtoni karrierën tuaj në Kosovë?

Riad Ymeri: Karriera ime në Kosovë ishte e bujshme dhe e bukur. Mu dha rasti qysh në fillimet e mija të këndoj në koncerte të ndryshme me piano por edhe me orkestër. Siç e thatë edhe ju kam pasur rastin të performojë me dhjetëra herë me Filharmoninë e Kosovës. Madje edhe në interpretimin e rrallë të operës komikë “Rita” të Gaetano Donizettit. Isha pjesëmarrës në shume festivale vendore por interpretova edhe jashtë si dhe në produksione televizive. Të gjitha këto me dhanë një emër para publikut kosovar. Publik për të cilët kam shumë respekt, ishin gjithmonë me ne duke i stërmbushur sallat në ditët e nxehta por edhe në të ftohtë.

KultPlus: Ju ka mbetur ndonjë gjë peng që do kishit dashur ta bëni sa keni qenë këtu?

Riad Ymeri: Nuk është se kam diçka që më ka mbetur peng. Si mundet me më mbetë peng perfomanca në një sallë famoze ose në ndonjë shtëpi operistike apo kompani, kur asnjërën nga këto nuk i kemi në Kosovë. Fatkeqësisht! Atje kemi Sallën e Kuqe, Filarmoninë e Kosovës, dhe shume talentë! Po të ishim këtu në New York apo diku në Evropë, ndoshta do më kishte mbetur diçka peng. Mirëpo përkundër kësaj, e pres një rilindje të komunitetit artistik-operistik, të bëhet diçka, çfarëdo qoftë ajo, që organizon, prodhon dhe mirëmban formën e operës si vlerë artistike me të cilën shteti jonë bëhet ngadalë pjesë e shoqërisë së civilizuar evropiane. Me vlera të tilla shkojmë pa viza në Evropë.

KultPlus: Ju po ashtu keni debutuar edhe në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, në Tiranë. Si ishte ajo eksperiencë?

Riad Ymeri: Në Tiranë kam debutuar në vitin 2011 me “Flautin Magjik” të Mozartit. Pas saj, unë këndova për dy vite në mbi dhjetëra prodhime operistike të huaja dhe vendore. Atje jam shpërblyer edhe me një çmim prandaj Tirana dhe Teatri i Operës më dhanë mësime dhe kujtime të veçanta në udhëtimin tim të bukur dhe të vështirë. Pres me padurim të kthehem prapë.

KultPlus: Jeni mjaft i angazhuar tani edhe në Amerikë. Si i kujtoni ditët e para në Amerikë dhe sa ka qenë i vështirë depërtimi në skenën ndërkombëtare?

Riad Ymeri: Në Amerikë pata një fillim të lehtë pasi që fitova dy çmime në një konkurs shumë të fortë të këngëtarëve lirik. Pastaj pasuan artikuj, dy agjencione,  koncerte dhe shfaqje të ndryshme. Fitova dy bursa për të bërë specializimet apo siç i quajnë këtu ‘Vocal and Artistic Refinment’, si dhe arrita të realizoj programe me artistë të mëdhenj të kohës. Vështirësia këtu qëndron se ka shumë konkurrencë. Sigurisht kisha ato rëniet edhe konfuzionet pasi që është luftë e pamëshirshme për të arritur në një kryeqendër siç është skena e New York-ut. Por,nëse punon ke fat dhe përkushtim atëherë me talent dhe punë mund t’ia dilni. Vetëm mos harroni të jeni edhe të qëndrueshëm dhe të keni shumë durim.Tani sa jemi këtu te talenti, unë e ritheksoj se Kosova ka shumë talent dhe rezultatet mund të jenë të mira kudo në botë vetëm nëse janë të përkushtuar dhe të përgatitur.

KultPlus: Sa është e vështirë sot që të jeni një tenor?

Riad Ymeri: Puna e tenorit ka shumë kërkesa dhe të shpenzon shumë kohë. Këtu në New York është gati e pamundur të kesh kohë të lirë për diçka. Vendi është shumë i madh dhe jeta është shumë dinamike. Mirëpo, njerëzit përshtaten dhe i koordinojnë gjërat duke ndjekur rrugët që i dërgojnë tek ëndrrat. Njëjtë është edhe për mua. Kishte shumë netë që flija vetëm 4 orë pasi që rrija duke studiuar dhe përgatitur mirë rolet, audicionet apo garat. Kishte edhe shume ‘JO’ por nuk u dëshpërova. Përkundër, ajo më dha më shumë motiv që të punoj, mos t’i përsëris gabimet, të jem i sinqertë dhe tu përshtatem rregullave të këndimit. Pikërisht sfidat që i kam pasur deri tani mi kanë sjellë sukseset.

KultPlus: Keni pasur mundësinë që të interpretoni edhe në Kosovë por tani edhe në Amerikë me shtëpi operistike të njohura. Sigurisht ky është një ndryshim i madh, mirëpo ku mendoni se janë mangësitë e muzikës klasike në Kosovë?

Riad Ymeri: Na mungon Opera e Kosovës. S’ka buxhet për të. Ka klasë të këndimit operistik në Fakultetin e Arteve, por nuk ka një operë, ose ndonjë kompani nën ombrellën e MKRS-së. Opera do kishte lulëzuar në Kosove, sikur edhe ato institucione që i kemi e që e bëjnë një punë të këndshme brenda mundësive. Madje edhe me sakrifica.

Me nivelin e parë dhe pas akademik të klasës së kantos në Kosovë mund të depërtosh, të jesh kandidat për pranim në Juilliard School of Music në NYC, ose të depërtosh në Evropë në majat me të larta. Por krejt këto vijnë deri tani me lëvizje individuale. Ne vet, si shoqëri nuk po e kultivojmë këtë fryt, ashtu siç edhe jemi bërë të famshëm që pas luftës nuk kultivojmë më as bujqësinë, në një tokë aq të plleshme …- kështu pra është realiteti, ne nuk po i shfrytëzojmë, madje as të mirat që na i ka falë Zoti. Pastaj për sallën që akoma na mungon, nuk do të flas pasi që me gjasa do e bëjnë një. Ne duhet ti përkrahim ato institucione që i kemi dhe të krijojmë edhe ato që na mungojnë, kështu do i bënim nder vetës dhe kulturës tonë kombëtare.

KultPlus: Keni interpretuar përkrahë yjeve të njohura të muzikës klasike, si është të punosh me ta dhe çfarë mendimi kanë ata për shqiptarët?

Riad Ymeri: Unë kam punuar shumë me të huaj të famshëm, deri të legjendat siç është Samuel Ramey. Tani, shqiptarët këtu njihen përmes Saimir Pirgut, Ermonela Jahos, Inva Mulës…përmes artistëve botëror që i kemi. Sa i përket komunitetit artistik, gjegjësisht, botës operistike, këtu më shumë njihen bullgarët që janë të njohur, sepse e kultivojnë operën dhe kanë këngëtarë shumë të mirë të cilët i kanë dhënë botës por edhe Amerikës, shumë emra të shquar dhe legjenda të artit operistik. Kurse ne kemi disa të tillë në skenën ndërkombëtare dhe po rritemi.

Më vjen mirë që ngadalë të gjithë së bashku po fillojmë që ti tregojmë botës që ne vetëm mund ti kontribuojmë qytetërimit evropian dhe perëndimor. Mua me vlerësojnë shumë ata me të cilët kam punuar dhe punoj dhe kam bërë një prezantim të mirë të kulturës tonë. Më së shumti më vjen mirë kur më pyesin se ku e kam kryer shkollën. Me kënaqësi ju them: Në Kosovë, në klasën e Merita Junikut, në New York, pastaj nga pak në Shqipëri dhe Austri.

KultPlus: Cili do ishte mesazhi juaj për tenorët në Kosovë apo për studentët në Universitetin e Prishtinës të cilët ëndërrojnë një karrierë jashtë Kosovës?

Riad Ymeri: Pasi që ne nuk e kemi një operë e as nuk flitet që të bëhet bile, ne duhet të lëshojmë vendin nëse synojmë karrierën. Atje s’ke ku të ushtrosh profesionin tënd. Mirëpo nëse vendosin me dal jashtë për me u avancu në muzikë, ju them se rruga është e gjatë, me plot ëmbëlsi dhe ithtësi. E tillë është edhe arti operistik, duhet të studiosh shumë, të shpenzosh shumë kohë me të,  ndoshta për një sekondë të mrekullueshëm. Duhet që të përgatiten shumë këtu hyjnë: këndimi, studimi, dëgjimi i artistëve botëror, studimi i gjuhëve muzikore, udhëtimi jashtë vendit, sepse tek ne jeta muzikore është shumë e varfër dhe është vështirë për tu pasuruar duke ndjekur koncerte të formave të ndryshme… Do marrë kohë,  mirëpo ia vlen të ndjekësh rrugët e vështira për realizimin e ëndrrës që keni dhe që e din se ia vlen.

Riad Ymeri së bashku me Iris Karlin

KultPlus: Çfarë është duke punuar për momentin Riad Ymeri, dhe çfarë bënë ai në kohën e lirë që i mbetet?

Riad Ymeri: Tani ishte periudha e festave, isha i zënë shumë me aktivitete. Kam pasur shumë aktivitete me komunitetin shqiptar. Performova në Këshillin Bashkiak të New York-ut. Interpretova himnin kombëtar me rastin e 28 nëntorit. Performova në rastin historik të rikthimit të eshtrave të patriotit Mid’hat Frashërit këtu në NYC dhe me 28 nëntor tek Ambasada e Shqipërisë në Washington DC.


Vitin e përmbylla me shfaqjen e fundit si Rodolfo (roli kryesore) në operën e njohur La Boheme të Giacomo Puccinit, me Amore Opera NYC. Produksioni madje ishte edhe i sugjeruar nga New York Times Guide si e para nder pesë koncertet dhe shfaqjet operistike për ti parë gjatë festave. Një shfaqje kjo e cila rezultoi shumë e suksesshme.

Kurse kohën e lirë dhe Vitin e Ri do e kaloj me familje.  Ata janë arsyeja që s’kam pranuar as oferta për këtë kohë pasi që kam dashur të kaloj festat në ngrohtësinë familjare, me bashkëshorten Leonorën  dhe vajzën 6 muajshe që quhet Mâra.

KultPlus: A mendoni që të riktheheni në Kosovë me ndonjë koncert?

Vazhdimisht me shkruajnë nga Kosova dhe Shqipëria. Më mungon të performuarit në Kosovë por edhe në Shqipëri, pasi që kam shumë kujtime të mira. Planifikoj të vij në vitin 2019, por nuk kam akoma ndonjë datë. Sigurisht do ju lajmëroj më kohë.

KultPlus: Si do ta përshkruani vitin që po lëmë pas me disa fjalë?

Riad Ymeri: Si çdo vit tjetër, edhe ky solli diçka dhe mori diçka!

Ishte një vit shumë i suksesshëm, e fillova në janar me operën “Macbeth” të Giuseppe Verdit, ku pata rolin e tenorit Macduff dhe e përfundova si Rudolfo ne “La Bohemen” e Puccinit. Këndova në Carnegie Hall, New Jersey State Opera, pata shumë koncerte me orchestra të ndryshme si Camerata Orchestra NY, interpretova si solist-tenor në Simfoninë e 9-të të Bethovenit, duke performuar me Richmond County Orchestra ku edhe jemi prezantuar në TV Spectrum në NY, pastaj me Asian Cultural Symphony of US e shumë të tjera.

Mirëpo sa i përket performancave për komunitetin shqiptarë në NYC, një nga me të rëndësishmit për mua ka qenë organizimi dhe performimi në koncertin bamirës për Bekim Lumin. Jam tejet krenar që shumë artistë të njohur shqiptarë u bënë së bashku për të ndihmuar një tjetër artistë të madh. Përkundër kësaj Bekim Lumi na ka lënë dhe do i mungon skenës artistike dhe të gjithë neve…

Mirëpo mbi gjithë sukseset e arrira në punë në vitin 2018, Zoti na solli mua dhe Leonorës një mrekulli në jetën tonë, Mârën./ KultPlus.com

Albian Gagica: Dizajnimi i emblemave të Ushtrisë së Kosovës nuk krahasohet me asnjë çmim

Duke qenë fëmijë i viteve të 80-ta dhe adoleshent i viteve të 90-ta, termi ushtri dhe polici për çdo fëmijë të asaj periudhe ka nënkuptuar traumë. Njësoj ishte edhe për Albian Gagicën, i cili është rritur në Prishtinën e okupuar, sikurse që ka përjetuar edhe masat e dhunshme duke ia përjashtuar edhe prindërit nga puna. Albian Gagica është artisti që ka dizajnuar emblemat për Ushtrinë e Kosovës. Duke iu referuar vuajtjeve të shqiptarëve të Kosovës, ai ka treguar për KultPlus se as që e kishte imagjinuar qe Kosova një ditë do të kishte ushtrinë e saj, sikurse që nuk e kishte menduar që pikërisht ai do të jetë artisti që do të krijojë emblemat, krijim që sipas tij nuk mund të krahasohet me asnjë çmim.  

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Ju jeni krijuesi i emblemave të Ushtrisë së Kosovës, çfarë ndjesie të ka sjellë vendimi kur keni kuptuar se emblemat e juaja do të përdoren në një institucion të shumëpritur nga kosovarët?

Albian Gagica: Simbolet e Ushtrisë së Kosovës janë dizajnuar në vitin 2009,  nga produksioni INIT në Prishtinë, ku unë kam qenë bashkëpronar dhe drejtor kreativ. Pos meje, në këtë projekt kanë dhënë kontribut edhe bashkëpunëtorët e mi: Taki, Alush Gashi, Pleurat Spahiu e Mumi. Pos shume projekteve të dashura e me vlerë që i kemi punuar për gati 15 vjet në INIT, dizajnimi i simboleve të Ushtrisë së Kosovës, padyshim se mbetet njëri nga projektet më të veçanta dhe më të vlefshme për ne.

KultPlus: Si fëmijë, padyshim që e keni përjetuar tmerrin si të gjithë kosovarët, duke mos poseduar asgjë shtetërore, e kishit menduar se ndonjë ditë, pikërisht puna e juaj do të kurorëzonte Ushtrinë e Kosovës, e para e këtij lloji në historinë e saj?

Albian Gagica: Natyrisht që jo. Si fëmijë, në vitet e 80-ta,  e adoleshent në të 90- tat, besoj,  si shumica e gjeneratës sime më shumë kemi qenë të fokusuar të mendojmë si ta tejkalojmë krizen politike e masat e dhunshme të asaj kohe se sa të endërrojmë për të ardhmen. Pos tjerash, atëherë as në fund të mendjes nuk e kemi pasur mundësinë që në të ardhmen ne të identifikohemi me diçka tjeter prej shqiptarëve të Shqiperise.

KultPlus: Duke pas parasysh se shumica e djemve të gjeneratës suaj është dashur të largoheshit nga Kosova, për shkak të mos shërbimit në ushtrinë e atëhershme jugosllave, çfarë ndjesie të sillte termi ushtri?

Albian Gagica: Fatkeqësisht, si pasojë e okupimit shumë vjeçar nga pushteti serb, për kohë të gjatë termet ushtri e polici për çdo shqiptar të Kosovës kanë ngjallë frikë e mllef. Edhe unë e familja ime kemi qenë të diskriminuar e të prekur nga kriza politike, të dy prindërit e mi kanë qenë të larguar nga puna në atë kohë. Për mua ka qenë fat në fatkeqësi që në atë kohë kam ardhur në Amerike si ‘exchange student’ dhe kam pase fatin të kem një edukim cilësor. Megjithatë, menjëherë pas perfundimit të studimeve në vitin 2000, jam kthyer në Prishtinë.

KultPlus: Sa stres ju ka sjellë krijimi i këtyre emblemave, duke kërkuar më të mirën dhe më simboliken?

Albian Gagica: Ka pasë stres e ngarkesë,  natyrisht si çdo punë tjetër, mirëpo më së shumti ka qenë përgjegjësi e jashtëzakonshme,  sepse ka qenë nder e privilegj të krijojmë identitetin dhe simbolet e Ushtrisë tonë. Ne nuk jemi fokusuar vetëm në simbole të bukura, por gjithashtu edhe në domethënien e tyre. Jemi munduar të dizajnojmë simbole të cilat ushtarët tanë i mbajnë me krenari. Pastaj ka pasë rregulla të caktuara që kemi pasë obligim që ti kemi parasysh.  Meritë shumë e madhe i takon gjeneral Agim Cekut,  i cili ka qenë këmbëngulës që në këto simbole,  në emblemën kryesore të jetë shqiponja.

KultPlus: Keni paraqitur disa simbole, mund të na shpjegosh më shumë për përmbajtjen e këtyre emblemave?

Albian Gagica: Jane gjithesej 12 simbole.Emblema kryesore dhe 11 njësitet. Të gjitha e kanë vetëtimën si pikë identifikuese,  sepse ushtria reagon shpejt dhe furishëm njësoj si vetëtima. Emërtimet e njësiteve i ka bëre FSK-ja, ndërsa ne i kemi dizajnuar.

KultPlus: Si dizajner, keni të numëruara disa çmime por edhe shumë pjesëmarrje në ngjarje të ndryshme ndërkombëtare sa i përket fushës së dizajnit, do ti rreshtoje me peshën e emocionit që ta ka dhënë kjo e fundit?

Albian Gagica: Dizajnimi i simboleve të Ushtrisë së Kosovës nuk krahasohet me asnjë punë që e kam punuar deri tash, me asnjë çmim apo ekspozitë në të cilën kam marr pjesë. Është e vetmja punë që më bën krenar, jo vetem mua e familjen time, por të gjithë njerëzit që më njohin e shpresoj edhe ushtarët që i bartin çdo ditë.

KultPlus: Po dizajnet tjera, cilat i vlerësoni me një rëndësi të madhe në karrierën tuaj?

Albian Gagica: Sa i përket punës që e kam bërë në Kosovë do ta veçoja edhe llogon e Qendrës Kinematografike të Kosovës. Është simbol me rëndësi pasi që shihet nga audienca të ndryshme në botë në çdo film që prodhon Kosova. Pastja, llogo e Hamam Jazz Bar, fitues i një çmimi në Londer, Fonti Illiria që është në “type it” muze në Spanje…

KultPlus: Pas këtij suksesi, e mendoni se do ta kapërceni këtë arritje, apo mund të synoni edhe diçka më të madhe?

Albian Gagica: Nuk besoj që ka diçka që e kapërcen këtë arritje. Për mua personalisht do të mbetet më e veçanta dhe më e dashura. Ndoshta me dizajnu flamurin e Kosovës./KultPlus.com

Teuta Sahatqija: Përmes pikturës arrita ta rinjoh vetveten

Gili Hoxhaj

Teuta Sahatqija njihet shumë për aktivitetin e saj politik, por shumë pak për pasionin e saj për pikturën. Teuta Sahatqija për më shumë se dy vite shërben si Ambasadore e Kosovës në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York. Kur ishte nisur për këtë mision, asnjë prej pikturave në shtëpinë e saj, nuk përmbante vulën e emrit të saj.

Teuta Sahatqija Foto: Gili Hoxhaj/ KultPlus.com

Ani pse Sahatqija është rritur duke e parë autoportretin e babait të saj në mur dhe ky talent i trashëguar nuk është se i kishte kaluar krejt pa vërejtur, ajo e kishte fundosur shumë larg listës së prioriteteve të saj. Po të kthehej në kohë, as ajo nuk do të mund të paramendonte se emri i saj do të zinte vend në ndonjë prej pikturave në banesën e saj.

Tani,  në banesën e saj në Prishtinë, ajo numëron më shumë se dhjetë piktura të punuara, ndërsa dyfishin e tyre e ka lënë në New York.Tavolina kryesore në dhomën e saj atje, është ajo e pikturimit, kjo bën që shpesh ngrënien e ushqimit ta zhvendosë në një qosh të kuzhinës.

Sahatqija pasi është kthyer për festat e fundvitit në Kosovë, menjëherë të nesërmen është nisur për në dyqan të pajisjeve për pikturim, prej nga ka dalë me disa pëlhura dhe ngjyra të akrilit, të cilat tashmë i ka zotëruar për të përkthyer motivin e saj në pikturë.

Ajo deri tani numëron një numër të mjaftueshëm të punimeve që mund ta përthekojnë një ekspozitë,  madje ata që veçse i kanë parë punimet e saj edhe ia kanë kërkuar një të tillë. E lumtur që arti i ngulitur në zemrën e saj, tashmë ka gjetur rrugën e vet të depërtimit përmes pikturës, Teuta Sahatqija thotë se nuk do të ndalet e në mendje ruan dhe shumë motive të cilat presin të zbarkojnë në pikturë.

Në dhomën e saj të pritjes në Prishtinë, binte në sy një pikturë që rrezatonte ndriçim. Këtë pikturë Sahatqija e kishte punuar para tri ditësh, si dhuratë dhe dedikim për bijën e saj (Hana Sahatqija), të cilën e konsideron si një burim të pashtershëm të energjisë, dhe në qiellin e saj nuk ka asnjë re e cila mund ta pengojë rrezatimin e kësaj energjie. Pak më larg  sytë t’i rrëmbente koloriti i kufizuar në lule, pamjen e të cilave Teuta Sahatqija e kishte marr në parkun botanik të Bronx-it, ndërsa u kishte dhënë formë në Kosovë.


Teuta Sahatqija Foto: Gili Hoxhaj/ KultPlus.com

Në një intervistë për KultPlus, Sahatqija tregon për rrugëtimin e saj me pikturën, pasioni për të cilën daton qysh herët, por krijimtaria e të cilit ka nisur së fundmi. Ajo tregoi se si fëmijë gjithnjë ishte shquar për vizatim dhe pikturë, por jo vetëm, çdo punim i saj në fushën e artit kishte përfunduar mes lëvdatave. Përkundër kësaj, piktura dhe arti nuk kishin qenë as në listën e ngushtë të përzgjedhjes së saj për studime, ku ajo kishte qenë e përcaktuar mes fizikës dhe elektromagnetikes. Pasi obligimet shtoheshin e situata në Kosovë përkeqësohej, piktura në sytë e Sahatqiut ishte gjithnjë e më larg, si një luks gati se i paimagjinueshëm.

“Në shkollë jam shquar për pikturë dhe çdo gjë që ka pasur me art, punimet me maketë, punimet artistike. Babai ka pikturuar bukur edhe pse nuk ka qenë me profesion piktor, e ka një autoportret në shtëpinë tonë dhe ndoshta janë edhe gjenet dhe mbjellja e asaj dëshirës për pikturë. Më vonë kur u punësova, u martova dhe linda fëmijë, ishin gjërat e tjera prioritet, pra nuk ishin gjërat që më pëlqejnë mua. Ishte një kohë e vështirë, e rritjes së fëmijëve, atëherë kur Kosova po kalonte në periudha të vështira dhe piktura për mua ishte një luks i paimagjinueshëm”, shpjegon Sahatqija për KultPlus.

New Yorku, aty ku lindi piktura e parë e Sahatqiut

Për dallim nga e kaluara, ajo thotë se gjatë qëndrimit në New York, ka pasur një kohë krejtësisht tjetër që i ka dhënë asaj mundësinëpër të dëgjuar më shumë zërin e brendshëm të saj, gjë që ka rezultuar në gjetjene vetvetes. Qëndrimi larg familjes, përkundër ditës së ngarkuar, Sahatiqiut i kishte lenë shumë zbrazëti mbrëmjeve dhe fundjavave.

“Dita ime ndonëse ishte shumë e ngarkuar me punë, në misionin e Kosovës dhe aktivitetet e panumërta që i bëjmë atje, përsëri e shtuna dhe e diela ishin tepër të gjata. Ishte kohë kur arrita ta rinjohë vetveten, në atë kohë nisa të pikturoj. Kjo më krijonte një kënaqësi shumë të madhe, një plotësim të vetvetes dhe ishte një kohë kur kjo dëshirë personale që dikur ishte fundosur shumë thellë diku, nisi dalëngadalë të zë vendin e vet në listën e prioriteteve të rëndësishme të jetës time”, tregon ajo.

Dy barka pranë lumit e kishin rrëmbyer në dëshirën e saj për t’u dhënë një vend atyre në një letër të rëndomtë me ngjyra tempero. Aspak e sigurte në kualitetin e saj, Sahatqija kishte marrë guximin për t’ua treguar kolegëve. Reagimi i tyre kishte qenë goxha mosbesues në fillim, por mjaft inkurajues në vazhdimësi.

“I pikturova dy barka në ujë, me male dhe si me ‘marre’ ua tregova diplomatëve tanë në mision, bile ishte si qesharake kur i shikuan dhe më thanë “ambasadore, hajde tash sinqerisht tregona se kush e ka bërë këtë. E kisha shumë të vështirë që t’i bind, e shikonin dhe më thonin “shumë bukur, shumë bukur po tash tregona të vërteten. “Diplomatët nga New Yorku mundohen të më ndihmojnë sa më shumë, qoftë kur shohin ndonjë ngjyrë apo pamje. Të them të drejtën unë nuk kisha guxim t’i publikoja. Një ditë ambasadorja Çitaku, një mike shumë e mirë e imja e shoh që i ka postuar pikturat e mija në Facebook dhe kishin marr mjaft shumë komente pozitive, më pas fillova dhe unë postimin e tyre”, tregon mes buzëqeshjes ambasadorja.

Piktura e parë e Teuta Sahatqiut

“Balerina e kuqe” dhe “Lulja e verdhë me sfondin e kaltërt”, ishin pikturat që u rreshtuan pas pikturës së parë të Sahatqiut. Duke e parë që me ngjyrat temper nuk po arrinte t’u jepte formën dhe dimensionet objekteve që pikturonte, me sygjerimin e njërës nga koleget, fillon e blen piktura të gatshme, në të cilat ushtrohet të pikturoj në kanvas me ngjyra akrili dhe të vajit.

“Pasi i përfundova ato piktura e kuptova që më s’kam nevojë për asistencë dhe që tani isha mësuar ta përdorë pëlhurën dhe ngjyrat akril dhe ato të vajit. Atëherë vendosa që këtë pasion që  arriti të shpërthejë menjëherë, ta vazhdojë me ngjyra akrili. Fillova të blejë ngjyra, brusha, thikat e paletës dhe kështu ndodhte që brenda ditës ta përfundoja nga një pikturë, sidomos të premteve, po ashtu të shtunat dhe të dielat ishin ditë shumë produktive, ku gjatë vikendit i kisha deri në tri piktura të reja”, pohon tutje ajo. Kur asaj i drejtohen me epitetin “artiste”, ajo mendon se është shumë fjalë e madhe për të.

“Shpesh miqtë më thonë ti je një artiste, u them “jo,jo artiste është një fjalë shumë e madhe”,  nuk mund t’i them vetës artiste, por jam një njeri që kam dëshirë të pikturojë, që e dua artin por artiste është fjalë shumë e madhe”, tregon ajo.

Teuta Sahatqija Foto: Gili Hoxhaj/ KultPlus.com

Gjallëria e ngjyrave të natyrës e lidhja e fortë me Prizrenin

Teuta shpesh niset me një koncept të pikturës por i cili nuk e përcakton versionin e fundit të saj, madje një natë kishte larë për pesë herë brushat e duart, dhe për pesë herë ishte kthyer tek e njëjta pikturë duke e transformuar deri në versionin final, kur ajo e kishte ndjerë të kompletuar. Ky transformim nëse shikohej që nga piktura e parë dukej sikur një ecje në stinë. Deri atëherë në pikturat e saj kishte zënë vend të theksuar natyra me ujin, lulet, gjethet por jo dhe mali. Një natë kishte vendosur që t’i japë ngjyrë malit në një nga pikturat e saj. E kënaqur me pikturën,  kishte larë duart, brushat, e më pas ishte kthyer përsëri tek piktura. Mali i rrethuar me tokën e qiellin, i ishte dukur i zbrazët.  Kjo kishte bërë që Sahatqija t’i zhyt përsëri brushat në ngjyra dhe t’ia shtoj pikturës dhe një lis. Ishte ndarë e kënaqur nga kjo ndërhyrje dhe përsëri kishte larë duart e brushat. Kur ishte kthyer përsëri për ta parë pikturën, i ishte dukur që akoma diçka po mungon, më pas degëve ia kishte shtuar gjethet e gjelbërta. Pasi larja e duarve e brushave, i kishte sjellë një pushim, ajo ishte kthyer edhe për dy herë për t’i shtuar ndriçimin dhe për t’i dhënë lisit e degëve  ngjyrat e vjeshtës. Kështu nëse shikohej veç versioni i fundit i kësaj pikture, fokusi i saj tek mali mbetej i padallueshëm. Për këtë arsye, Sahatqija i kishte dhënë një vend të veçantë në pikturat e tjera.

“Mali im i kaltër”

Kur një ditë kishte vendosur ta pikturonte një mal, kishte derdhur ngjyrën e verdhë, ngjyrën e gjelbër dhe të portokalltën. Asnjërën se kishte përdorur. Donte të përfitonte nga mundësia që i dhuronte arti, që mali i saj të mos i ngjante asnjë mali të botës, andaj kishte pikturuar një mal me ngjyrë të kaltër.

E lindur në Prizren thotë se e ruan fort dashurinë për këtë vend,  e rritur shumë afër “Lidhjes së Prizrenit”, ajo ka një lidhje të veçantë edhe me lumin. Në njerën nga pikturat që kishte ngrirë një pamje shumë pranë shtëpise, ku kishte vizatuar urën e gurit dhe pranë kishte vendosur edhe dy llampa ndriçuese, në përpunim tek qielli e malet e Koritnikut, ato ia kishin fshehur perëndimin, kështu që kishte vendosur t’i sakrifikojë për hir të pamjes së këtij perëndimi.

“Kështu doli ura e Prizrenit. Një artiste më tha “Sa bukur e paske bërë këtë harkun, mos më thuaj që nuk ke pikturuar më herët se po e shoh harkun”, dhe i thash “unë jam inxhiniere, këto forma për mua nuk janë problem””, tregon mes të qeshurave Sahatqija. Edhe kur lumi e mali është krejt produkt i imagjinatës së saj, ajo gjithnjë ka një lidhje me Prizrenin e kujtimet e saj të fëmijërisë.

“Kudo që është lumi dhe mali, e shoh Prizrenin, i shoh malet e Sharrit, kujtimet e fëmijërisë”, thotë Sahatqija.

Një seri me pamje nga New Yorku dhe një me pamje nga Prizreni

Teuta Sahatqija gjatë kohës sa po qëndron në New York, atje ku edhe ka gjetur brenda vetës këtë art të shpirtit, thotë se planifikon ta krijojë një seri me ndërtesat e ndryshme të New Yorkut. Ndryshe nga pikturat në natyrë, ndjek një praktikë tjetër kur pikturon ndërtesat, kjo pasi që do t’i qëndrojë besnike parametrave të tyre. I ishte dashur një muaj,  për të përmbledhur guximin për të pikturuar ndërtesat pranë ballkonit të saj, të cilat i kishte vizatuar paraprakisht.

“Si njohëse e mirë e gjeometrisë nuk ishte problem t’i bëjë gjithë dimensionet me laps në pëlhurë, por kur erdhi tek përkthimi me ngjyra, aty nuk e kisha guximin, sepse ishin aq shumë detaje, aq shumë dritare dhe më ka mbetur e vizatuar me laps për më shumë se një muaj. Çdo ditë e shikoja por nuk kisha guxim ta ngjyrosja. Më pas i bëra edhe dy skica në letër, edhe ato me dimensione të sakta ashtu siç janë. Një ditë i erdhi koha, i mora ngjyrat, i mora brushat dhe i pikturova”, shpjegon Teuta Sahatqija për gazetën KultPlus.

Profesioni i saj prej inxhiniere, kishte bërë që të paraqiste me saktësi ndërtesat, ashtu siç i shihte, por më pas i kishte rikujtuar vetës se piktura nuk e kërkonte medoemos këtë.

“Kjo është art dhe nuk do duhej të duken të gjitha njësojë”, nëse dua të duken të gjitha njësojë atëherë e bëj një fotografi”, shprehet ajo.  Pamjen nga ballkoni i saj në New York, ajo e kishte sjell në dy versione, një në mesditë dhe tjetrin në perëndim të dielli.

‘Tash më ka mbetur ta pikturojë edhe natën pasi që New Yorku edhe natën është një eksperiencë e jashtëzakonshme me gjithë ato ndërtesa dhe ai koloriti i dritave”, thotë Teuta. Ajo për KultPlus shpjegon se planifikon t’i vendos në pikturë edhe shumë pamje të tjera të New Yorkut, për të krijuar një seri të pikturave nga ky vend, por krahas kësaj synon të krijojë dhe një seri të pikturave nga Prizreni.

“Në plan e kam edhe një seri prej Pirzrenit. Të dy vendet me ujë, me ura vetëm se New Yorku nuk i ka malet e Prizrenit”, thotë Teuta.

Piktura si rinjohje e vetes e burim i pakufishëm i kënaqësisë

Piktura e saj tenton të shpjegojë se energjia e shpirtit është ajo që e triumfon çdo trup. Kështu në pikturën e saj përpiqet ta paraqes këtë shpërthim ngjyrash. Duke qenë se një pjesë e madhe e jetës së saj i është dedikuar politikës, ajo thotë se atë e sheh si pjesë të ndarë nga pikturat e saj.

“Është një kohë tjetër, ku në asnjërin prej motiveve të mija nuk shihet diçka prej politikës, në fakt shihet ai admirim dhe dashuria ime për natyrën, për lëvizjen, për lojën me ngjyra dhe forma. Nuk mendoj që ka dicka nga jeta ime e mëhershme politike”, tregoi Sahatqija për KultPlus.

Pikturat e saj flasin për një kohë tjetër dhe duke qenë të tilla kanë nxjerrë një Teutë tjetër. Në disa fjalë ajo e përshkruan pikturën si një kapitull të ri në jetën e saj në rrjedhën e të cilin ajo e ka zbuluar brendinë e saj.

“Piktura për mua ka qenë një rigjetje e vetvetes, një shikim brenda të cilin për një kohë shumë të gjatë nuk e kam pasur. Ka qenë një rinjohje me një Teutë tjetër. Piktura për mua është burim i pakufishëm i kënaqësisë, i një shprehjeje përmes ngjyrave i asaj botës së brendshme dhe shpërndarjes se energjisë pozitive përmes ngjyrave dhe komunikim me njerëzit përmes ngjyrave. Janë aq shumë dimensione të cilat krejt së bashku e përbëjnë kënaqësinë e pikturës për mua”, tha krejt në fund Teuta Sahatqija./ KultPlus.com

Roli i nënës në ‘Këngën e Rexhës’ është jetësuar në Vjenë nga artistja nga Kurdistani, pa e kuptuar asnjë fjalë të tekstit

Gili Hoxhaj

Në fillim të marsit 2018, Kisha “Shën Ndou” në Prishtinë ishte mbushur plot me audiencë.

Krejt sy e vesh ata dukeshin në mes të programit, së bashku me Korin e Filharmonisë së Kosovës, e nën tingujt e violinës së Festim Fanajt kur kishin filluar të zhyteshin në zërin e thellë të Luan Durmishit. Përballë tyre ishte dirigjenti që vepron në Londër, Marsio Da Silva. Këtë interpretim më të veçantë e pat bërë përjetimi i publikut që po dëgjonte “Këngën e Rexhës”, e cila erdhi nën aranzhimin e kompozitorit Hajrullah Syla.

Kur vepra mbaroi, publiku dukej sikur kishte gjetur prehje në interpretim e zor ishte shkëputur nga kjo qetësi, për të vazhduar me duartrokitje të fuqishme. Luan Durmishi nuk po e interpretonte këtë vepër për herë të parë. Para dhjetë vitesh e kishte përjetuar një eksperiencë fort të veçantë derisa e kishte kënduar para një publiku krejtësisht tjetër në Austri, që nuk dinte asnjë fjalë të veprës. Nuk ishte vetëm publiku ai që nuk e kuptonte tekstin e saj, por edhe vetë këngëtarja që kishte vendosur të interpretonte përkrah Durmishit.  

Drejtoresha e teatrit “Lalish”, Nigar Hasib, përsipër kishte marrë rolin e nënës së Rexhës. Kishte përfunduar në skenë pa e ditur tekstin por duke e ndjerë e transmetuar fuqishëm atë. Kjo kishte ndodhur në saje të respektimit të rregullave të teatrit, ku artisti që përballet me tekste të vendeve të tjera, e transmeton atë vetëm përmes impulseve, lëvizjeve të trupit të cilat nxjerrin në pah fuqinë e zërit. Kështu Nigar e kishte interpretuar copëzën muzikore pa kuptuar as edhe një fjalë të saj, pa e ditur aspak historinë veprës, përkundër që gjatë provave e kishte ndjerë se vështirë po i rezistonte asaj. Përkundër këtyre, publiku e solistja e kishin shoqëruar veprën me një intensitet emocionesh, derisa publiku kishte përfunduar mes lotësh. Kështu e kujton tenori Luan Durmishi performancen që e cilëson si një nga eksperiencat më të veçanta të karrierës së tij.

Depërtimi i Durmishit në Lalish Theater Labor në Vjenë

Lalish Theater Labor në Vjenë është një teatër bashkëkohor, krejtësisht jokonvencional që merret me traditën dhe eksplorimin e kulturave të qytetërimeve të ndryshme, përmes të cilave gjen artistë të atyre vendeve që ata i konsiderojnë si përfaqësuesit më të denjë të kulturave vendore, derisa kjo arrihet përmes një punëtorie seleksionuese. Pas kësaj, artistët ftohen në teatër për të bashkëpunuar në krijimin e performancave muzikore. Pasi një pjesë e këtij teatri kishin vizituar Kosovën, kishin përzgjedhur Durmishin për të përfaqësuar Kosovën në projektin e tyre ‘’Drei Brucken’’, ku ishin të përfshirë  Kosova, Ukraina dhe Irani.

“Artistët nga Irani, për shkak të problemit të lëvizjes, nuk kishin pasur mundësi të jenë pjesë e projektit dhe vendi i tretë është zëvendësuar me Vjenën, konkretisht me bashkëthemeluesit e këtij teatri, artisten me prejardhje nga Kurdistani, Nigar Hasib dhe Shamal Amin, dy udhëheqëset e këtij teatri”, tregon Durmishi.

Ajo çka e bën edhe më të veçantë këtë teatër është “rregullorja” se në çdo ballafaqim me kulturat e vendeve botërore, nuk duan të dinë se çka thotë teksti në fjalë i një monologu ose kënge. Kur një artist i një vendi të caktuar sjellë tekst në fjalë ose tekst notal në fjalë, në këtë teatër përmes eksperimentit laboratorik deri te vënia e performancave në skenë, punohet vetëm përmes impulseve, lëvizjeve të trupit të cilat nxjerrin në pah fuqinë e zërit, emocionin real përmes të cilit praktikisht kuptohet domethënia e tekstit. 

Rrugën për atje, Durmishi e kishte marrë me një bagazh veprash të kulturës shqiptare, në mesin e të cilave ishte edhe “Kënga e Rexhës”. Ai kishte interpretuar këtë këngë në provat eksperimentale para bartësve të teatrit e kolegëve nga Ukraina. Interpretimi e vepra i kishte goditur të gjithë, veçmas Nigar Hasib, e cila njihet si një artiste e këngëtare e përmasave të mëdha që ka marrë në botë epitetin e divës së këtij teatri.

“Te nesërmen, drejtori i teatrit – Shamal Amin, artist dhe antropolog i jashtëzakonshëm më thotë se Nigar ka vendosur të performojë vetëm me ty, në njërën pjesë të performancës “Këngën e Rexhës” në duet. Natyrisht që për mua ishte tejet privilegj të performoja vetëm me Nigar Hasib ”, shpjegon tutje për KultPlus tenori Durmishi.

Për Nigar Hasib, “Kënga e Rexhës” mbetet vepra që e ka emocionuar nga gishtërinjtë e këmbës e deri tek flokët

Durmishi tregon se e kishin ndërtuar veprën në mënyrë spontane përmes lëvizjeve të trupit dhe gjatë provave derisa ai këndonte “Këngën e Rexhës” në formën e tij origjinale (accapella), Nigar lëshonte tinguj të çuditshëm nga trupi i saj. Gjatë kësaj kohe, ajo e kishte ndjerë se nuk po mund t’i qëndronte rezistente kësaj storje dhe kishte bërë përpjekje që për herë të parë t’i thyente rregullat e teatrit.

“Më thotë “rregullat shpesh ja që thyhen. Nëse jo tash gjatë krijimit tonë të kësaj performance, atëherë pas përfundimit të katër shfaqjeve tona, dëshiroj shumë ta di se çka thotë teksti nga fillimi deri në fund”. Unë refuzoj natyrisht t’i tregoj domethënien e tekstit gjatë eksperimentit dhe i premtoj që në fund të shfaqjes së fundit do t’i tregoj saktësisht se çka është storja e këngës”, tregon tutje tenori kosovar.

Kjo performancë ka mbetur fort e ngulitur në mendjen e Durmishit, i cili e kujton në detaje. Ai thotë se Nigar, aq magjishëm e kishte sjellë rolin e nënës, duke nxjerr nga trupi i saj tinguj ofshame të një nëne ‘’shqiptare’’ pa e ditur tekstin, por në fakt duke e ditur që bëhet fjalë për një tragjedi dhe një vajtim mortor. Ashtu siç e kujton Durmishi, interpretimi i tyre i përbashkët kishte përlotur edhe audiencën.

“Unë gjatë performancës tonë isha i ballafaquar për herë të parë me mrekullinë e artit dhe për mua ai moment, ata tinguj të Nigarit që të rrëqethnin të gjithë trupin, ato lëvizje të trupit të saj që tregonin dhimbjen për “djalin” e saj të vdekur, ajo audiencë e tëra gati e përlotur nuk do të shlyhen kurrë nga memoria ime artistike”, rrëfen Durmishi.

Kurse artistja Nigar Hasib kishte cilësuar ‘Këngën e Rexhës’ si veprën që e ka emocionuar më së shumti në karrierën e saj duke thënë se çdo tingull e kishte ndjerë nga gishtat e këmbëve e deri tek flokët.

“Zëri për këtë teatër është më tepër se artikulim i fjalëve apo pasues i teksteve të mësuara përmendësh”

Përvojën e tij në këtë teatër, Durmishi e cilëson si një ndër eksperiencat më të rëndësishme në karrierën e tij, ndërsa tregon për veçantitë e këtij teatri, tek i cili i kushtojnë shumë rëndësi zërit. Pushteti i artistit në skenë është i definuar në zërin e tij. Durmishi për KultPlus tregon se vetëm në këtë teatër e ka parë ballafaqimin me pushtetin e zërit të artistit. Zëri për këtë teatër është më tepër se artikulim i fjalës apo pasues i teksteve të mësuara përmendësh.

“Zëri për ta është pjesa më e rëndësishme e performuesit, duke e konsideruar se kryesisht teatri tradicional euro-amerikan duke qenë i lidhur ngushtë me tekstin e shkruar dramaturgjik, rolin e zërit e ka kufizuar gati krejtësisht, duke e vënë në shërbim të dialogjeve verbale me përmbajtje apo domethënie të caktuar, përmes aktorëve apo përgjithësisht artistëve performues të këtij teatri”, tregon tutje tenori Luan Durmishi.

Në këtë mrekulli të këtij teatri qëndrojnë dy ‘’bardet primitiv’,  Nigar Hasib dhe Shamal Ami, të cilët janë bartësit kryesor të Tetarit “Lalish” dhe të cilët përmes ekspeditave etnologjike dhe antropologjike në kulturat dhe qytetërimet e hershme vazhdojnë t’i gjurmojnë misteret e humbura të zërit njerëzor.

Durmishi tregon se në teatrin “Lalish” zëri nuk është vetëm diçka që dëgjohet, por ai edhe ‘’shihet’’ dhe si i tillë vepron. Nigar Hasib thotë “zëri për sy e jo sallë për vesh’’.

Në këtë teatër artistët nuk luajnë role. Aty askush nuk imiton dhe kopjon askënd. Ata janë të gjithë vetja e tyre. Në këtë teatër nuk ka role kryesore e as dytësore. Aty secili është rol kryesor. Aty secili është autor, regjisor dhe aktor.

“Mund të themi se në këtë teatër brenda një shfaqjeje, secili ashtu siç e ka rrëfimin apo historinë, e ka edhe shfaqjen e tij  dhe paraprakisht në këtë teatër, kështu ndërtohet gjithçka nga fillimi deri në fund. Kjo është magjia e teatrit “Lalish””, tregon Durmishi.

Durmishi ndihet i lumtur që këtë interpretim ai ia ka falur edhe publikut të Prishtinës, ani pse në një format krejtësisht tjetër.

“Natyrisht ndjesia gjatë interpretimit tim si solist me “Këngën e Rexhës”  ishte pothuajse e njëjtë dhe ajo u pa në reagimin dhe sytë e publikut, por e ndryshme si koncept, sepse interpretohej  prej një mediumi dhe formati krejtësisht tjetër të artit, atij të muzikës klasike”, tregon ai.

Durmishi thotë se ajo çfarë i karakterizon performancat e tij artistike është emocioni. Ai thotë se është produkt i studimeve edhe të dobëta edhe atyre superiore, por në fund emocionin e fort dhe te sinqertë, nuk ka lejuar që ta shkatërrojë askush.

“Ti mund të kesh shkollime të dobëta dhe brilante gjatë studimeve gjithkund në botë, por emocionin ose e ke, ose nuk e ke. Interpretimi i një artisti në çfarëdo lloj medium te artit nëse nuk transmeton emocion, rrezikon gjithmonë ta humbasësh publikun, për arsyen sepse publiku është shumë i sinqertë kudo” tregon ai.

Luan Durmishi është tenor multidimensional, themelues dhe udhëheqës i Orkestrës “Rexho Mulliqi” dhe anëtar i korit të Filharmonisë së Kosovës. / KultPlus.com

Enkelejda Shatri: Luftoj me njerëzit që të dalin nga monotonia e ngjyrave të errëta

Pothujase shumica e dizajnerëve të Kosovës kanë dalë nga Akademia Evolucion që udhëhiqet nga disenjatorja shqiptare Enkelejda Shatri.  E njëjta tash e 15 vite ka edhe atelenë e saj, në të cilën edhe vishen shumë figura të rëndësishme të Kosovës, dhe jo vetëm. Në intervistën e fundvitit të dhënë për KultPlus, ajo ka treguar për fillet saj në këtë biznes, e cila ka shpjeguar se krejt këtë punë e ka nisur e vetme. Ajo poashtu ka folur edhe për dizajnerët e tjerë kosovarë, e cila ka specifikuar edhe faktin se nëse mund të krahasohen me dizajnerët e jashtëm. ”Ashtu sikurse në jetë,  ndjejmë frikë, kërkojmë guximin, japim dashuri për të mbërritur te suksesi”, ka thënë mes të tjerash Shatri.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Enkelejda Shatri, ky nuk eshtë vetëm emri dhe mbiemri i juaj që tregon identitetin tuaj, por është edhe brendi juaj në fushën e dizajnit që e prezantoni tash e shumë vite.  Prapa këtij emri çka të kujton më shumë përgjatë gjithë këtyre viteve, frikë, guxim, dashuri, sukses apo dhimbje? 

Enkelejda Shatri: Ashtu sikur e thatë edhe ju, emri dhe mbiemri im nuk janë vetëm identiteti im por edhe brendi im që unë e prezantoj prej 14 vjetësh. Dhe ky brend është produkti i një pune dhe dedikimi të madh. Karriera dhe profesioni janë pjesë e pandashme e jetës dhe përditshmërisë së një njeriu. Ashtu sikurse në jetë,  ndjejmë frikë, kërkojmë guximin, japim dashuri për të mbërritur te suksesi, por ndonjëherë shkojmë drejt ndonjë dështimi të ndonjë procesi i cili shoqërohet me dhimbje. Por tek unë, më shumë ka prodominuar guximi i përzierë me dashurinë dhe pasionin për punën, të cilat më kanë çuar drejt suksesit.

KultPlus: Me sa njerëz e keni nisur fillimisht punën, apo keni qenë krejt vetëm? 

Enkelejda Shatri:Kam qënë krejt e vetme dhe kam pasur një presion të madh në vetvete të cilin e kam përjetuar vet. Edhe pse s’më ka munguar mbështetja nga familja ime, sidomos nga Faiku, burri im. Të punuarit vet më ka mësuar shumë procese dhe më ka ndihmuar të krijoj një siguri në vetvete përsa i përket profesionit. Por kjo periudhë ka qenë vetem 4-5 muaj, sepse, pastaj lindi nevoja të rris stafin për shkak të kërkesës së madhe nga klientela.

KultPlus: Kurse tashti, përpos atelesë tuaj keni arritur të ngritni në këmbë edhe shkollën e dizajnit  Akademinë Evolucion, dhe puna në përgjithësi në Ballkan është e vështire deri te prekja e suksesit, të besohet, apo të duket një ëndërr? 

Enkelejda Shatri: Ështe e vërtetë që në Ballkan  të ndërtosh një biznes është e vështirë, sepse nuk ke asnjë ndihmë, përpara 13 vjetësh ekzistonte edhe një pengesë tjetër të bërit biznes nga një femër. Unë nuk jam njëri që ëndërroj. Dhe zakonisht nuk më duket asnjë gjë ëndërr, sepse cdo gjë që e kamë bërë në jetë ka ardhur nga një punë shumë e madhe. Të  ndërtoje një shkollë të artit dhe të dizajnit përpara 13 viteve nuk mund të them që ka qenë tabu, por profesionet që mesohen dhe studiohen në Akademi, si Dizajni i Modës, Dizajni i Komunikimit dhe ai Enterier kanë qënë të pakonceptueshme nga opinion në përgjithësi,  që mund të studjoheshin në nivelin bachelor dhe aq më shumë master. U desh shumë mund, përkushtim, ide të reja dhe punë në grup me profesorë dhe studentë për të mbërritur suksesin e Akademisë. Pra, deri sa nuk ka qenë e lehtë të ndërtohet emri  dhe suksesi i Akademisë,  nuk mund të them që më duket si ëndërr,  përkundrazi, kur e bëj një rezyme të 13 viteve Akademi në mendjen time,  them që sfidat më kanë shkundur dhe nuk më kanë lënë të përjetoj një ëndërr.

KultPlus: Në dukje jeni një grua me shumë stil, një grua që reflekton siguri, forcë dhe kreativitet, ndodhë që edhe kjo grua e fuqishme ndonjëherë të ndihet e dobët, e lodhur? 

Enkelejda Shatri: Shprehjen e lodhur nuk e pranoj kurrë. Edhe pse nuk e mohoj që në ndonjë kohë të caktuar jamë ndier e lodhur,  por jo nga puna por nga shumë situata që jam gjendur përballë tyre,  dhe që u desh ti kapërceja. Ndërsa sa i përket dobësisë,  se kuptoj mirë si shprehje (po e them në mënyrë figurative). Të gjithë njerëzit kanë dobësi,  mendoj unë. Por unë i di dobësitë e mia dhe kam mësuar ti menaxhoj ato.

KultPlus: Shumë fytyra publike në Kosovë dhe më gjerë vishen me brendin tuaj, pse mendoni që janë të pasionuar pas krijimeve tua? 

Enkelejda Shatri: Njerëzit VIP ose fyryrat publike siç ju i quani,  blejn dhe stilohen tek unë për shumë arsye. Por të mos harrojmë një gjë që ata jane pjesa që më së shumti eksperimentojnë dhe që në të njëjtën kohë tek çdo stilist kërkojnë diçka ndryshe. Kjo është arsyeja pse veshin veshje të stilizuara tek unë dhe te dizajnerët e tjerë.

KultPlus: I bën të duken njerëzit më shumë me ngjyra,  apo me ngjyra të errëta? 

Enkelejda Shatri: Në shumicën e rasteve luftoj me njerëzit që të dalin nga monotonia e ngjyrave të errëta,  sepse ato shpesh herë  reflektojnë negativisht në jetën dhe përditshmërinë e tyre. Kjo është një këshillë që e japin edhe psikologët. Unë jam një person i qeshur dhe i dua ngjyrat,  dhe për këtë arsye ja sygjeroj edhe klientelës të eksperimentojnë në ngjyra dhe në forma. Në shumicën e rasteve ndihem mirë,  kur edhe ata ndihen mirë,  pas ndryshimeve që kanë bërë në ngjyra dhe stil.

KultPlus: E ndjen se tashmë fustanat tuaj kanë një identitet, apo luani edhe më me stile? 

Enkelejda Shatri:  Varet shumë nga momentet e mia kur dizajnoj dhe dedikimi i koleksioneve. Të them të drejtën kam menduar që në dizajnet e mia unë luaj me stil dhe forma,  por nga kritikat e marra  deri tani,  në dizajnet e  mia vihet re një identitet në disa elemente.

KultPlus: Në Kosovë tashmë ka shumë dizajnerë që veprojnë,  secili sipas shijes dhe mënyrës së vet, të pëlqejnë dizajnerët kosovarë? 

Enkelejda Shatri:  Mendoj që këtë pyetje nuk duhet të ma bëni,  sepse një përqindje  e madhe e dizajnerëve në Kosovë janë produkt i Akademisë që unë e drejtoj. Duke filluar nga Valdrin Sahiti, Flora Loshi të cilët janë edhe profesorë në Akademine Evolucion,  por edhe Drenusha Xharra, Fjolla Nila e shumë e shumë të tjerë që kanë formuar brendet e tyre,  ose që punojnë për brende të tjera. Dhe si rrjedhojë e kësaj, normalisht që më pelqejnë, dhe  për suksesin e tyre më bëjnë krenarë,  mua dhe Akademinë Evolucion. Por të mos harroj pa përmendur që në Kosovë ka shumë dizajnerë të rinjë që janë shumë të talentuar por për shkak të mungesës së financave ata punojne për brende ose kompani të tjera dhe nuk mund të punojnë për emrat e tyre. Të them të drejten më vjen keq për ta,  sepse nuk kanë mundësi të shprehin kreativitetin e tyre,  por jam e bindur që edhe shumë emra të rinj dhe të suksesshëm do të shihni në treg. Këtë e them me bindje,  sepse e njoh kapacitetin dhe kreativitetin e tyre. Mendoj,  që shteti duhet të bëjë më shumë për ta, sepse është një fushë ku ka mundësi të zhvillohet një industri e madhe në këtë drejtim dhe në të njetën kohë ndihmon në ulje të papunësisë.

KultPlus: Po nëse do të bëje një krahasim me dizajnerët e botës, ku e vlerësoni vetën dhe kolegët tuaj në këtë paralele? 

Enkeljda Shatri: Nuk dua të krahasoj vetën,  sepse unë jam një person që mbështillem nga modestia,  por mund të flas për dizajnerët e tjerë në Kosovë. Një pjesë e madhe e tyre ecin në të njëjtin hap tashmë me dizajnerët në botë,  edhe pse nuk është një kohë e madhe që ata janë në treg. Mund të them që në 10 vjetët  e fundit kanë marë një hov të madh. Në këtë industri ka shume dizajnerë që janë shumë të mire, si në dizajn edhe në teknikë. Produktet e tyre shiten jo vetëm në Kosovë por edhe jashtë saj,  deri në kontinentet më të largëta.

KultPlus: Me cilën veshje dhe në cilin rast je ndjerë në atë pikë, sa ta lakmosh edhe vetën? 

Enkelejda Shatri: Ups,…Një pyetje që më bën të mendohem shumë. Nuk do të flas për veshjet të cilat janë bërë publike në media dhe janë përfolur. Por do të përmend një rast që mua më ka bërë të ndihem mirë. Në fillimet e punës sime, kur një kliente, të cilen edhe sot pas 15 vjetesh e kam kliente, më  solli një material të bardhë,  që unë nuk do ta përdorja për veshje por vetëm për çarçaf, dhe më kerkoi një veshje për një gëzim familjar. E kuptova arsyen e saj, kishte frikë të punonte me material të shtrenjtë, sepse unë sapo kisha filluar punën dhe nuk më njihte mirë. Por unë punova shumë në atë veshje, si nga dizajni edhe nga dekori,  sa që ajo mbeti e fascinuar dhe me të vërtetë e veshi po atë fustan në atë festë.

Megjithatë,  unë jam ende në kërkim të asaj ndjenje që ju po e citoni, pra ta lakmoj vetëveten. Nuk e di a do të vijë një moment që të lakmoj veten. Dhe besoj që kjo është normale për çdo artist, i cili ndihet mirë për punën kreative që bën, por kërkon shumë punë, dhe perfeksioni dhe kulminacioni nuk ekziston.

KultPlus: Mendimi i kujt fë frikëson? 

Enkelejda Shatri: Vetëm i klientelës. Ajo është kritika më e vlefshme.

KultPlus: Keni trashëguar nga dikush këtë dhunti, apo jeni surpriza e familjes? 

Enkelejda Shatri: Surpriza e familjes kam qenë vetëm në moshen 10 vjeçare,  kur fillova të punoj dhe eksperimentoj në këtë profesion. Por unë e kam trashëguar dhe e kam edukuar veten time me këtë profesion prej gjyshes sime të ndjerë,  e cila ka qenë një rrobaqepëse,  po edhe një dizajnere shumë e mirë. Prandaj,  une nuk jam surprizë e familjes,  dhe jam shumë e lumtur që e kam trashëguar këtë dhunti nga gjyshja ime, ku personalitetin dhe punën e saj edhe sot vazhdoj ta adhuroj.

KultPlus: Dhe për fund, me cfarë do të prezantohet Enkelejda Shatri përgjatë vitit 2019? 

Enkelejda Shatri: Planet e vitit 2019 veç sa kanë filluar,  dhe nga përvoja e mëparshme kam mësuar një gjë, të mos flas për planet, port ë flas vetëm një ditë përpara se të kurorëzohen,  sepse,  shpesh herë ka dalë diçka që ma ka vështirësuar punën. Kështu që edhe për KultPlus-in,  prezantimet për planet e mija për vitin 2019 do të jenë një surprizë e këndshme./KultPlus.com

More Raça: Duhet të merremi me gratë, sepse ato janë të diskriminuara në këtë shoqëri

Arbër Selmani

More Raça është një regjisore e re e cila merret me gruan në dimensione të ndryshme. Filmat e saj trajtojnë gruan shqiptare, përditshmërinë e saj, dhunën ndaj saj, syrin e alivanosur të plot grave shqiptare, pafuqinë e tyre në shoqërinë patriarkale. Filmi i saj i fundit – “Ajo”, sjellë prapë gruan. Morea, as në të 30-tat e saj, tanimë ka marrë disa çmime dhe ka rrëmbyer vendin e saj në programe të ndryshme rreth regjisorëve e kinematografëve të rinj. Në këtë intervistë të fundvitit për KultPlus, Morea tregon pse ky obsesion me gjendjen e gruas në Kosovë, projektin e ri për filmin e metrazhit të gjatë dhe hobin e saj, sportin.

KultPlus: Do ta nisim këtë intervistë me filmin e fundit “She” (Ajo). Një realitet i hidhur shqiptar. Na trego pse kjo temë, dhe pse kaq e lidhur Morea me tema që kanë të bëjnë me gratë?

More Raça: Këto janë tema të cilat më intrigojnë nga vetë fakti se gratë përballen me probleme të rënda jetësore në shoqërinë tonë. Mendoj se ne duhet të merremi me tema të tilla të cilat për subjekt dhe kryefjalë kanë gruan në shoqërinë tonë, shoqëri ku gruaja është shumë e diskriminuar.

KultPlus: Po ky film ka qenë afër edhe nominimit për Oscar? Cfarë përgjegjësie është kjo për Morenë si regjisore?
More Raça: Filmi është përzgjedhur si një nga nëntë finalistët në festivalin prestigjioz Manhattan Short Film Festival, kështu edhe ka fituar të drejtën për aplikim në ceremoninë Oscars 2019, ku futen filmat më të mire të vitit. Për mua si regjisore është një sukses i madh, pasi në këtë ngjarje kanë konkurruar mbi 4 mijë filma nga e gjithë bota dhe një tregim shqiptar si filmi “She” ka arritur të triumfojë suksesshëm.

Aurita Agushi dhe Diella Valla në “AJO”

KultPlus: Në anën tjetër, presim debutimin tënd në filmin e metrazhit të gjatë? Kur do të ndodhë kjo tek Morea?
More Raça: Filmin me metrazh të gjatë do të fillojmë ta xhirojmë së shpejti, në fillim të muajit prill dhe gjithsesi që ky do të jetë impenjimi dhe angazhimi im më i madh dhe absolutisht kryesor gjatë vitit 2019-të.

KultPlus: Përpos si regjisore, çka janë të tjerat aktivitete, qefe dhe hobe të kohës së lirë në jetën e Moresë?
More Raça: Hobi im është noti, prandaj Morea pos si regjisore ka dëshirë të merret edhe me not. Kam filluar të merrem me not që nga mosha e re pasi mami im është trajnere noti dhe më ka nxitur e motivuar të merrem me këtë sport që është shumë i mirë dhe i padiskutueshëm për shëndetin e njeriut.

KultPlus: Sot ka plot regjisorë të rinj, madje edhe të moshës tënde të cilët kanë suksese? A ka mbështetje institucionale sa duhet për zhvillimin e regjisorëve të rinj, marrë parasysh sukseset e tyre?
More Raça: Regjisorët kanë mbështetje, çdo vit shihet që po përmirësohen edhe kushtet për zhvillimin e kinematografisë në vend andaj edhe këto rezultate nuk janë të rastësishme, vijnë padyshim nga puna e mirë e krijuesve kosovarë por edhe nga mbështetja institucionale që sigurisht pritet të jetë edhe më e madhe, pasi realizimi i projekteve serioze kinematografike ka një kosto të lartë financiare.

KultPlus: Berlinale Talents – na trego pak për këtë sukses tjetër, si aplikove dhe çfarë nënkupton kjo për karrierën e Moresë, inkuadrimi në këtë program të rëndësishëm të Berlinales?
More Raça: Është një nderë dhe sukses i madh përzgjedhja në Berlinale Talents 2019 – një program që u kushtohet talenteve të reja dhe i cili ndihmon shumë në karrierën e pjesëmarrësve. Ky është një sukses për krejt filmbërësit në Kosovë. Pranimi im në një event kaq të madh botëror ku konkurrenca është shumë e madhe, me rreth 4 mijë regjisorë e artistë që aplikojnë vit pas viti, tregon që ka filmbërës të mirë dhe me potencial, të cilat do të luajnë rol në kinematografinë e Evropës në vitet e ardhshme dhe do t’i japin risi regjisë filmike.

KultPlus: Cilët janë regjisorët nga bota të cilët i pëlqen Morea?
More Raça: Disa nga regjisorët e mi të preferuar janë Abbas Kiarostami, Jafar Panahi, Jane Campion, Andrea Arnold, Debra Granik dhe Haifa Al Mansour.

Në filmin “AJO” luajnë Aurita Agushi, Sunaj Raça, Diella Valla, Florist Bajgora dhe Bekim Mulaj.

KultPlus: Dhe për fund, cilat janë planet për vitin 2019? 
More Raça: Siç e thashë, këtë vit do të jem tërësisht e fokusuar në filmin tim të parë të metrazhit të gjatë.

Jonida Maliqi: “Ktheju tokës” do të këndohet në shqip, ka një porosi që vetëm në gjuhën shqipe ka kuptim

“Ktheju tokës”, është kënga me tekst dhe kompozim të Eriona Rushitit e cila rrëmbeu çmimin e parë në Festivalin e Këngës në RTSH, këngë e cila u interpretua nga këngëtarja e mirënjohur Jonida Maliqi. Me një distancë të madhe nga ky festival, këtë vit Jonida i është kthyer kësaj skene të madhe për të marë dritën jeshile që pikërisht me këtë këngë ta përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion. Për emocionin e kësaj kënge, për emocionin e skenës së madhe dhe për pritjet në Eurovizion, Jonida Maliqi ka treguar për KultPlus, sikurse që ka treguar edhe për vendimin që ajo do të këndojë në gjuhën shqipe.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Jeni triumfuese e edicionit të 57- të të RTSH-së, vetë fakti që keni konkurruar tregon se e keni dashur këtë çmim, por a e keni ndjerë që me të vërtetë do ta fitoni!

Jonida Maliqi: Që kur e dëgjova për herë të parë nga ish pedagogia ime Eriona Rushiti, ndjeva që kjo këngë ka shumë emocion brenda. Një emocion që nuk të lëshon, por rritet e rritet gradualisht. Që me dëgjimin e parë me çoi menjëherë në skenën e festivalit, pra dukej që nuk ishte një këngë për videoklip, apo këngë albumi, por një këngë që këkonte një skenë të madhe për t‘u dëgjuar. Dhe kur filluan provat në Sallën e Pallatit të Koncerteve, aty ndjeva se kjo këngë po merrte përmasat e një fitueseje, përsa i takon madhështisë që ajo ka.  

KultPlus: Festivali i RTSH- së, supozohet të jetë një festival që për fituesin, gëzimi zgjatë shumë pak, për shkak se menjëhereë fillojnë ethet e Eurovizionit, me çfarë emocioni jeni? 

Jonida Maliqi: Në fakt emocionin e fitores e ndjej tek njerëzit që më urojnë, tek intervistat e shumta, e gjej më së shumti tek njerëzit e familjes dhe sa herë që takohem me Erionën (autoren) dhe Enis Mullaj (orkestruesin). Sapo takohemi, themi na u realzua dëshira, por sa punë që kemi përpara. Kemi filluar të ndajmë detyrat se me cilën punë do merret secili dhe komunikojmë shumë shpesh për idetë e reja. Kemi një grup në whatsapp ku dërgojmë edhe çdo video të re që del me këngën “Ktheju tokës”, sepse gjenden shumë të tilla sot në youtube.

KultPlus: Pastaj, shqiptarët janë dëshmuar sikurse në futboll apo në muzikë, të kryqëzojnë përfaqësuesit, nëse nuk arrijnë suksesin e pritur, si i vleresoni këto komente, sa ndikojnë negativisht tek artistët, sportistët? 

Jonida Maliqi: Unë jam shumë e mbushur emocionalisht me këngën. Dhe kjo është ajo që më duhet. Me thënë të drejtën jam shumë e surprizuar nga reagimet e shumë komentuesve dhe fansave të Eurovizionit. Shprehen të gjithë me superlative. Një nga 4 komente thotë “Masterpiece”. Janë ca komente negative nga ne shqiptarët , por që nuk më shqetësojnë. Cdo kush është i lirë të zgjedhë e të dëgjojë këngët e veta të preferuara.

KultPlus: Në anën tjetër, ju keni vendosur të prezantoheni në gjuhën shqipe, pse ky vendim, sepse mendon që kënga tingllon më mirë në gjuhën shqipe, apo më shumë ka peshuar patriotizmi? 

Jonida Maliqi: Ne që te tre,unë , Eriona dhe Enisi kemi vendosur që atë ditë që fituam që kënga duhet të mbetet në shqip, për vetë mesazhin që ajo ka. Për ne nuk ka kuptim që të përcjellim një mesazh ku i themi çdo shqiptari  që të kthehet në tokën e tij dhe këtë t’ia themi në gjuhë të huaj. Plus që gjuha jonë ka shumë fuqi në bashkëtingëllore , ashtu siç është edhe vet kënga e fuqishme. Unë e këndoj me kaq shumë dashuri në gjuhën time.

KultPlus: Kthehemi të kënga, çfarë ndikoi që të vendosësh për këtë tekst dhe kompozim të Eriona Rushitit? 

Jonida Maliqi: Rastësia. Megjithëse nuk jam e mendimit që gjërat ndodhin rastësisht, por mua as që më kishte vajtur mendja që të merrja pjesë në festival. Ishte Eriona që ma propozoi dhe duket që ia vlejti. Cfarë ndikoi? Unë jam natyrë shumë e ndjeshme artistikisht. Sapo dëgjova notat e para të këngës u rrëqetha. Dhe kur një vepër artistike e çfarëdo gjinie arrin të të emocionojë nuk ke çfarë pret më. Rrëmbeje! 

KultPlus: Keni bashkëpunuar edhe më herët me këtë kompozitore? 

Jonida Maliqi: Jo. Është hera e parë. E kam dashur që kur kam qenë e vogël. E shihja në ambientet e Liceut Artistik dhe më pëlqente shumë për stilin e një vajze moderne për kohën. Më pas më ka dhënë mësim, dhe në fakt kur dola për t”u takuar me ish pedagogen, dola për këto arsye: të një simpatie që buronte edhe nga vitet e mëparshme ia kisha dëgjuar këngët e Semi Jaupaj “Veç lotët”, apo dy këngët e Festina Mejzinit dhe më kishin pëlqyer shumë. Por unë nuk u takova për të thënë ”Po”. Por “zysha” ma rrëmbeu zemrën me këngën që më propozoi.

KultPlus: Nese nuk do të ishe ne garë, cilën këngë të këtij edicioni e kishe menduar si favorit per Eurovizion?

Jonida Maliqi: Të gjitha më pëlqyen. Por kënga e vendit të dytë dhe të tretë mbeten të favorizuarat e mia. Edhe kënga e Mirud, sigurisht. 

KultPlus: Megjithatë, shqiptarët edhe më nuk po tregojnë sukses të madh në Eurovizion, jeni optimiste që të ndryshoni renditjen e Shqiperisë në këtë garë? 

Jonida Maliqi: Ne nuk jemi një shtet i madh, aq sa për të arritur të influencojmë në marrëdhëniet gjeopolitike. Por pjesëmarrjet tona atje kanë treguar se më një zë të fuqishëm, apo me një këngë të bukur nuk mbetesh pa u vlerësuar, apo pa lënë gjurmë. Është ende herët, pasi akoma nuk janë shpallur këngët pjesëmarrëse të Eurovision 2019. Ne jemi vendi i parë që e kemi shpallur dhe me aq sa kam parë, kënga është pritur mjaft mirë, si një këngë origjinale dhe autentike.

KultPlus:Dhe krejt në fund, përpos fitores në RTSH, me çfarë e karakterizoni vitin 2018?

Jonida Maliqi: Me këtë surprizë të bukur të fundivitit, por jo vetëm kaq. Pas tre vitesh, unë në muajin maj u shfaqa për publikun shqiptar me një këngë dhe videoklip të titulluar “Në errësirë”. Ishte një bashkëautorësi muzikore me Briz Musarajin (Tull Production) dhe tekst të Olti Currit. /KultPlus.com

Diana Qerimi: Jo të gjithë mund të vishen sipas trendit, fillimisht vjen personaliteti i njeriut


Krijimi i veshjeve është një art në vete, aty bashkohen shumë elemente duke filluar nga prerjet, ngjyrat, materialet e të gjitha këto duke u munduar të kombinohen për trupin dhe karakterin e një personi të caktuar. Por, kur dizajneri arrin në atë pikë sa për të veshja të marrë tjetër kuptim duke u kombinuar kështu edhe me personalitetin e njeriut, atëherë ai dizajner ka hyrë tërësisht në botën e këtij arti krijues shumë të veçantë. Në këtë pikë tashmë ka arritur edhe disenjatorja Diana Qerimi e cila suksesshëm po e vazhdon rrugën në botën e artit të bukur, e nga ku po sjellë veshje të cilat ndonëse konsiderohen si më të thjeshta për nga dukja, ato janë magji në vete. Të thjeshta por të realizuara me shumë detaje e ngjyra të kombinueshme, veshjet e Dianës arrijnë të tërheqin gjithmonë vëmendje. Dizenjatorja Qerimi në një intervistë për KultPlus ka shpalosur më shumë rreth këtij arti, trendeve të fundit, mënyrës së krijimit, por ajo flet edhe për punën e kolegëve të saj dhe konkurrencën.

Jeta Zymberi

KultPlus: Keni arritur të identifikoheni në mesin e shumë dizajnerëve dhe të cilësoheni si më e mira, sa ka qenë e vështirë të arrini në këtë pikë?

Diana Qerimi: Sigurisht që konkurrenca të bën që asnjëherë mos të dorëzohesh dhe gjithmonë të kesh vullnet për të sjellë gjëra të bukura dhe ndryshe prej të tjerëve. Por gjithashtu shkakton edhe lodhje e cila veç kur e shikon suksesin në fund tejkalohet.

KultPlus: Cilat janë pikat tuaja më të forta si dizjanere?

Diana Qerimi: Unë si dizajnere i kushtoj rëndësi të madhe prezantimit të koleksioneve që unë sjell, edhe gjithmonë kujdesem që vajzat që e pëlqejnë punën time të kenë çdo sezonë koleksione të reja nga brendi DQ.

KultPlus: Çka ju diferencon prej kolegëve?

Diana Qerimi: Për momentin e kam përshtypjen që në përgjithësi po i kushtojnë rëndësi shumë fustaneve ekstravagante (me gurë, rruza e pupla), ndërsa unë po mundohem që sa më shumë të ju ikë këtyre kreacioneve, meqë unë edhe njihem pak më shumë me thjeshtësinë e përkushtimin në detaje e ngjyra.

KultPlus: Ju tashmë si një dizajnere me përvojë, a keni arritur në pikën që sapo të shihni klientin për të cilin do të krijoni të ju vijë edhe ideja se çfarë do të krijosh. Sa është e rëndësishme që veshja t’i përshtatet njeriut edhe me personalitet dhe sa e praktikoni ju këtë gjë?

Diana Qerimi: Asnjëherë nuk mundesh që me shikim të parë të dish saktësisht se çka dëshiron klienti sepse jo gjithmonë pamja e jashtme është ajo çka e paraqet dhe prezanton klientin. Sigurisht që diskutojmë rreth personalitetit të asaj se qysh ajo ndihet më mirë e pastaj flasim edhe për detajet se qysh do t’i dalë edhe trupi më shumë në pah. Gjithmonë mundohem që pjesët më të mira të ja vë në pah dhe ato jo të përshtatshmet të fshihen në mënyrë që si përfundim gjithçka të duket perfekte dhe të nxjerrim bashkë më të mirën e mundshme. E kam shumë me rëndësi  që çdo vajze me ju përshtatë veshja me personalitet.

KultPlus: A ndodhë që klienti të ju inspirojë për kreacione?

Diana Qerimi: Po, shumë shpesh kam kliente me energji super pozitive që më japin vullnet dhe kreativitet për të punuar e mandej ato detaje edhe i përsëris e i përpunoj për koleksionet e ardhshme.

KultPlus: A mendoni që njeriu duhet të vishet sipas trendeve të fundit edhe nëse nuk i shkon për stili, apo secili duhet të vishet sipas stilit të tij dhe t’i qëndrojë besnik asaj që i shkon më shumë?

Diana Qerimi: Jo të gjithë njerëzit mund të vishen sipas trendit, fillimisht vjen personaliteti dhe pastaj trendi. Por gjithashtu mund të them që njeriu me karakterin e tij ka aq shumë fuqi, që sjellin risi të vazhdueshme në trendet botërore.

KultPlus: Cili është trendi i këtij viti?

Diana Qerimi: Këtë vit kemi me u kënaq tu shiku ngjyra të shumta duke e veçuar ngjyrën portokalli të ndezur, materialet me print dhe kombinimin e shumë materialeve në një veshje.

KultPlus: Cilin kreacion tuajin do ta veçonit dhe pse?

Diana Qerimi: Nga të gjitha kreacionet do të veçoja koleksionin “INSECT COLLECTION“, kjo për arsye se gjithçka ka filluar aty.

KultPlus: Për cilin artist botëror do të dëshironit të krijoni veshje?

Diana Qerimi: Do të doja shumë të krijoja veshje për artisten Rihanna sepse gjithçka që ajo vesh e bën të duket edhe më unike me prezantimin e saj. Kjo do të ishte një dëshirë e madhe e imja.

KultPlus: Puna juaj është shumë inspiruese për të tjerët, po ju nga inspiroheni?

Diana Qerimi: Inspirimin shumicën e kohës e marr kur udhëtoj, në gjërat e bukura që i shoh e i prek, po gjithashtu edhe në trendet e fundit.

KultPlus: Nuk jeni e fokusuar vetëm në një linjë të rrobave, kreacionet tuaja janë pothuajse gjithëpërfshirëse, po ku e gjeni ju veten më shumë?

Diana Qerimi: Mundohem që secila vajzë të gjej pak a shumë veten në veshjet e mia, qoftë ato të përditshme ose ato solemne. Unë shpeshherë kam vullnet më të madh për të krijuar sende të përsëritshme ndoshta që e kam vetëm një periudhë të caktuar e të shkurtër që mundem me i kriju ato.

KultPlus: Cili është mendimi juaj për kolegët, sa e vlerësoni punën e tyre?

Diana Qerimi: Jam shumë e lumtur që vendi jonë ka krijuar kaq shumë artistë e dizajnerë, sigurisht që e mira e kësaj është që secila vajzë e gjen veten te njëri prej neve.

KultPlus: Cili prej dizajnerëve shqiptarë vlen sipas jush?

Diana Qerimi: E vlerësoj artin e secilit që mundohet me paraqit në mënyrën e vet.

KultPlus: Cila është arritja jote më e madhe deri më tani?

Diana Qerimi: Arritja më e madhe është kur shoh kaq shumë vajza që e adhurojnë punën që unë bëj.

KultPlus: Cila është ëndrra jote më e madhe?

Diana Qerimi: Ëndrra ime është që brendi DQ të ketë depërtimin ndërkombëtar e të sjellë çdo vit sfilata të përmasave ndërkombëtare.

KultPlus: Me pak fjalë, si do ta përshkruani vitin që po e lëmë pas?

Diana Qerimi: Viti 2018 ka qenë një vit me shumë punë e përkushtim, shpresoj edhe viti 2019 të vijë me shumë punë e suksese të reja. / KultPlus.com

Fjolla Besimi, artistja që fotografinë e transkripton si frymë

Gili Hoxhaj

Fjolla Besimi është një emër i ri në fushën e artit pamor, por fotografia e saj është lehtë e identifikueshme. Ajo ecën në një kohë tjetër përmes ngjyrave. Tek njeriu, ajo depërton më lehtë përmes portretit e detajeve. Pamjeve u jep shpirt në ngjyra aspak të ndezura. “Të ndezësh me ngjyra të shuara” është fjalia që e ka frymëzuar në çdo shkrepje, është kryefjalë prej nga lindë secila fotografi e saj. Dëshira për të e ka përcjellë qysh herët, ndërsa e lidh me pasionin e saj për të pikturuar në libra, ose duke fotografuar me telefon çdo gjë që i shfaqet. Edhe pse shkollimi i saj s’lidhet aspak me artin, ajo kishte besuar fort në atë që donte e ëndrrën e kishte ndjekur edhe derisa studionte për diçka tjetër. Sot përmes një kamere profesionale, ajo lëvizë në shumë qytete të Kosovës e jashtë saj dhe përmes fotografisë përpiqet të përçojë energjinë që ndjen e merr prej të tjerëve. Fotografja Besimi, fotografinë e transkripton si frymë, pa të cilën thotë që s’ndihet vetja, e nuk e ndjen as gjallërinë e jetës. Për të, fotografia ka qenë një dritë që i ka dëftuar rrugën drejt vetes.

“Jeta, din me qenë një udhëtim hyjnor, rrugë e shtruar me kubëza t’lumtunisë, ushëtimë e lumenjve, fllade t’lehta t’pranverës. Por, ajo nuk është çdo herë e tillë, ndonjëherë Dielli humbet, e lumenjtë bëhen vërshime, flladet tajfune e kështu me rradhë. E n’kto ditët me mjegull e errësirë, secili prej neve e gjen një dorë mu kapë, një dritë për me ta dëftu rrugën drejt vetes, kështu unë e gjeta fotografinë, e prej atëherë s’i kemi lëshue duart”, thotë Fjolla Besimi në një intervistë për KultPlus.

‘Pa të s’ndihem unë,

e nëse s’ndihem unë s’ndihem e gjallë,

pra po e transkriptoj atë si frymë’, thotë mes fjalëve ajo.

Fjolla Besimi, e lindur në Prizren, ku ka kaluar pjesën më të madhe të jetës, tregon se edhe dashuria e saj për t’iu dedikuar fotografisë, fillimisht është përballur me mjaft paragjykime të cilat kryesisht kanë qenë të aspektit gjinor. Ata që e kanë rrethuar, lidhjen e saj me fotografinë, e kanë parë si mundësi të varfër sa i përket aspektit financiar.

“Një çikë e rritur në shoqëri patriarkale, ku përditë  rrethohesha me fjalët se “ti je çikë, so për ty kjo” , “hajt moj se sja ka pa kush hajrin artit”, ”kap shko n’ekonomi qaty shtine kryt me ni bankë a jep msim najku se ki me met pa bukë”, fjalë që me i dëgju në moshën 18 vjeçare t’i kanë qitë përtokë andrrat për jetën qysh don me e jetu ti se le mo arti”, rrëfen Besimi.

Fjolla Besimi

Me paratë e bursës blen kamerën e parë profesionale

Ajo nuk ka studiuar për artin, por thotë që i mbetet pengu më i madh në jetë. Megjithatë, studimet në Fakultetin Ekonomik dhe përkushtimi i saj në studime, ia kishin hapur dyert drejt fotografisë. Bursat që fiton nga këto studime, ia përmbushën asaj nevoja që ta blejë kamerën e parë.

“Ndoshta ndër gjërat që më së shumti ja kom parë “hajrin” fakultetit, kanë qenë bursat, të cilat mi kanë përmbushur nevojat financiare për me e ble kamerën e parë (edhe me i ba’ prindërit krenarë me mesataren e çikës haha), gja të cilën e dijmë të gjithë që s’kushton pak. Kjo mundem të them se ka qenë hendeku ma i madh shtytës që e kam kalu drejt rrugës së fotografisë. Po hapat e parë kanë qenë n’kohërat e aparateve me film, ku i shkrepja nëpër rrugë e përfundojsha me do t’bërtitme”, tregon mes të qeshurave Fjolla.

Fotografja 23 vjeçare tanimë ka pasur punët e saja të ekspozuara në shumë ekspozita, si kombëtare e ndërkombëtare, e po ashtu u shpërblye me çmime të ndryshme në konkurse e gara të shumta të fotografisë.

Ndër eksperiencat e saj fotografike veçon projektin, “Vajzat e fuqishme të Ballkanit” të organizuar nga BE dhe qendra “Artpolis” në Prishtinë, ku ishte mentorja përfaqësuese e Kosovës në trajnimin disa mujor të vajzave të reja të cilat kanë qenë fillestare në fushën e fotografisë. 

Ajo ishte fituese e vendit të tretë në garën nacionale të Shqipërisë me emrin “Colours of Albania” e organizuar dhe kuruar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, po ashtu fituese e vendit të dytë në “Green Art Festival” dhe shumë herë finaliste në garën e fotografisë Kundër Korrupsionit nga KDI, Eko Kosova. Ajo së fundmi ka qenë pjesëmarrësja më e re në moshë në ekspozitën e Konkursit Ndërkombëtar të Fotografisë “Fokus”.

Fjolla Besimi: Për të ecur nuk të duhen një batalion këpucësh por vetëm  një apo dy palë të forta

Në kalendarin e Fjolla Besimit, zor që gjen një ditë të  pashënuar me aktivitet për fotografinë.  Ajo gjatë këtij viti ka krijuar edhe projektin e saj më të rëndësishëm të titulluar “The balcony of thorns” (Ballkoni i gjembave). Përmes fotografive të shkrepura në Kishnicë, përmes një personazhi të vetëm që shpesh duket si joreal, ajo paraqet një rrugë të përballjes me ankth, ëndrra e frikë. Për ta sjellë në këtë format këtë fotosesion, Besimit i ishte dashur një vit kohë.

“The Balcony of thorns”

Përkundër se fotografia e saj është dëshmuar edhe me çmime, e gjithë kërkesave për t’i memorizuar momentet më të mira të atyre që ia kërkojnë, ajo për KultPlus thotë se akoma e cilëson veten në hapat e parë të saj pasi që çdo hap i ri, ia dëshmon që ka edhe shumë të tjerë për t’i kaluar. Për ta ndjekur ëndrrën e vetme, e jo dhe me shumë përkrahje, Besimi thotë se të ecësh në rrugë nuk të duhet një batalion këpucësh, por vetëm një palë apo dy të forta që i besojnë këmbënguljes tënde.

“Kam pasë njerëz që më kanë përkrahë e vlerësu prej fillimeve të mia, e që ju jam më shumë se falënderuese. Por ka pasë ditë që m’kanë vra kambët shpesh, kam ecur edhe zbathur ndonjëherë gjatë rrugës, gja që ka bo që unë me e vlerësu veten dhe punën time, e që tash t’vrapoj”, kështu e përshkruan rrugëtimin e saj fotografja.

Fjolla Besimi është nga ato fotografet që beson se sado e saktë që është teknika në fotografi, nëse nuk arrin të përçojë ndjenjë mbetet vetëm një shkrepje. Inspirimin, ajo e sheh si paketë brenda secilit, e cila mbushet vazhdimisht nga ato që i has çdo ditë, si të tilla të palosura në sirtarin e mendjes janë në kërkim të momentit e shkëndijave.

“Mundem me thanë se ndër përbërësit kryesorë të puzzle-ve t’mija kanë qenë vendet, ngjarjet dhe njerëzit( njerëzit e afërt, artistët e fotografisë, kalimtarët e rrugës e të tjerë), ndaj edhe fotografoj për ta, për njerëzit, me njerëzit”, thotë Fjolla.

Fotografitë e Fjolla Besimit karakterizohen me detaje.

Ai që e shikon fotografinë e saj nuk i nevojitet dhe shumë përpjekje për t’i kërkuar ato. Besimi i sjellë afër, kështu ua shton më tepër rëndësinë. Në këtë formë, ato nuk shpalosin rëndësinë e një ceremonie, por rëndësinë e momenteve që lidhen me atë ceremoni. Ajo për KultPlus thotë se është e bindur se detajet janë përbërësit kyç të cilët e ndërtojnë jetën, e ndihet e lumtur që puna e saj është bërë e identifikueshme falë tyre. Shpesh duket sikur fotografitë e saj i tregojnë njerëzit e kohës së sotme në një kohë tjetër, pasi që pamjet e saj u ngjasojnë pamjeve të ngrira në shekullin e kaluar, që shpesh janë parë përmes një ekrani me ngjyra më të zbehta. Atë frymë, fotografja Besimi e sheh si një thesar që nuk duhet tretur në modernizmin e ditëve të sotme.

“Kam shumë simpati ndaj viteve 30-ta deri 90-ta, andaj edhe stili im rrnon në frymën e fotografisë filmike/kinematike e sidomos e përshtatur me pamjet dhe ngjyrimet e këtyre viteve. Duke shtuar ngjyrat, grain-in, veshjet, mundohem të jem sa ma afër kësaj fryme që e shoh si thesar që nuk duhet tretur në modernizmin e egër të ditëve të sotit (t’mos harroj me cekë se asht komplet çështje shijesh haha). Por jam e lumtur që kam pas vetes një ushtri të njerëzve që mendojnë si unë e ndihen si unë kundrejt kësaj teme”, tha ndër të tjera Fjolla për KultPlus.

“Të ndezësh me ngjyra të shuara”

Atë gjithnjë e ka tërhequr spektri i ngjyrave të shuara, ndaj fjalia “të ndezësh me ngjyra të shuara”, mbetet ndër fjalitë ma frymëzuese që ka përcjellë fotografinë e saj. Përkundër atyre që i shohin si ngjyra fort të errëta e të vdekura, për fotografen ky spektër për të përfaqëson ngjyrat që të pushojnë sytë.

Në fotografitë e saj, natyra zë një pjesë të madhe të saj por ajo kurrë nuk vjen si tërësi, në fokus të saj ka personazhe që ndërveprojnë me të a me njëri-tjetrin. Ky ndërveprim thotë se e reflekton emocionin të cilin Besimi përmes fotografisë e trason tek të tjerët. Shpesh këto personazhe i paraqet edhe në monumentet e vjetra dhe këtë e sheh si mënyrë për të rizgjuar një pjesë të historisë apo jetës që dikur ka ekzistuar në atë objekt.

“Thanë t’drejtën fotografia e natyrës, pa njerëz në to, prezanton llojin e fotografisë që zgjon në mua më së paku interesim. Kështu kur njerëzit bashkëpunojnë me hapësinen rreth tyre, ajo merr kuptim dhe koncepti ndërthuret në emocion, kështu vjen tek unë, e përmes fotografisë time mundohem ta shpreh tek të tjerët. Gjithmonë kam pasë simpati për monumentet e vjetra, hapsinat e braktisuna, vendet e harruara, këto të fundit kanë qenë një pikë frymëzuese”, tregon tutje Fjolla.

Fotografi e frymëzim fjalësh

Thonë se “Fotografia flet sa 1000 fjalë”, por Fjolla Besimi shpesh zgjedh që të mos komunikojë vetëm përmes fotografisë. Asaj i shton mesazhe e fjalë poetike që lidhën me të.

“Sado që fotografinë e kam udhërrëfyese t’shpirtit, poezia m’ka përkujtu shumë shpesh emrat rrugëve”, e kam shkru këtë në një postimin e një poezije ditë më parë e mu kujtu tash, që mendoj e perputhë pyetjen tande shumë. Poezitë edhe shkrimet m’kanë shoqëru qysh e vogël, e kështu shkrimet e shkurta që shumë shpesh ua bashkangjes fotografive, burojnë prej energjisë që ma japin ata njerëz, e sidomos kur fotografoj dashninë, çiftet, inspirohem shumë. Ndihem me fat që fotografoj dashninë edhe shpeshherë ajo lë vend dhe për disa vargje për me e kompletu atë”, shpjegon Fjolla.

Për këdo që i futet fushës së fotografisë dhe nuk ka guximin e mjaftueshëm për të shprehur veçantitë si ato të Fjollës, Fjolla Besimi ka një mesazh.

“Me qenë vetja dhe me punu shumë”, s’mendoj që një artist i ri ka nevojë për më shumë këshillë se kaq .Puna i hapë shtigjet rrugëve që janë shkruar të vijnë tek ti”, tha krejt në fund Fjolla Besimi. / KultPlus.com

Art Lokaj: Mesazhi im për prindërit kosovarë, t’i përkrahin fëmijët e tyre në çdo rrugëtim

Alberina Haxhijaj

KultPlus ju sjellë intervistën e realizuar me aktorin e ri por shumë premtues, Art Lokaj. Arti ka shpalosur kujtime nga xhirimet e tij të para, dashurinë që ka marrë gjatë xhirimeve në Kosovë dhe sfidat të cilat po i hasë tani në Amerikë. Viti 2018 ka qenë një vit i cili ka sjellë ndryshime të shumta në jetën e Art Lokajt. I vogël por i roleve kryesore, Arti mishërohet lehtësisht me çdo rol që i ofrohet. Për këtë fundvit, po e sjellim Artin në këtë formë.  

KultPlus: Si lindi dashuria e Artit për aktrimin?

Art Lokaj: Në rolin e parë që e kam marrë. Isha 6 vjeç në filmin “Rooftop story” të regjisorit Gazmend Nela. Aktori Xhevdet Doda në një takim të rastësishëm me mamin (Arbana Xharrën) gjatë DokuFest-it në Prizren, i tregon se në një projekt filmik po e kërkojnë një djalë 6 vjeçar dhe e pyet mamin se sa vjeç janë fëmijët. Me dërgoi mami në audicion pas disa ditësh dhe e fitova rolin. Ka qenë hera e parë për mua dhe më shumë gëzohesha për ditët e xhirimit për stafin me të cilët kisha shumë afërsi. Mbaj mend skenat kur duheshim që t’i përsëritnim, ishte e lodhshme. Kam pasur një skenë ku unë kam pasë të pijë ujë dhe sa herë kthehej skena unë pija dhe dikur mu fry barku shume sepse e kisha tepruar.

KultPlus: Jeni rritur në mes të sportit, aktrimit dhe gazetarisë, profesione të familjarëve tuaj. Si ndikoi kjo tek ju dhe cila fushë mbetet më e preferuara për ju?

Art Lokaj: Sporti në fillim, futbolli ndoshta për shkak se babi (Andin Lokaj) ishte tërë kohën në televizion, edhe qysh të vegjël kemi nisë bashkë me vëllain Andin të luajmë. Gazetaria më pëlqen sepse shkoja shpesh tek mami në redaksi dhe më pëlqente era e letrës së gazetës dhe më bënte përshtypje sa shumë shkronja ishin të radhitura nëpër faqe. Kur nisa me aktrim mami më thoshte se i kam ngjarë gjyshit, aktorit Selman Lokaj. Unë mendoj se talentin e kam trashëguar nga familja dhe se ky do të jetë profesioni im.

KultPlus: Jeni në fillim të karrierës suaj në aktrim. Si do e përshkruanit këtë fillim, çfarë e karakterizon atë?

Art Lokaj: Unë kam luajtur në disa filma të shkurtër por edhe dy të metrazhit të gjatë. Më pëlqen arti i aktrimi se futesh në rol sikurse je në një botë tjetër dhe vet ti në një trup të huaj.

Më pëlqen gjithçka rreth aktrimit, prej skenarit kur nisi ta mësoj, e deri tek puna me staf, është kënaqësi e madhe të punosh me njerëz të filmit, me të gjithë jo vetëm aktorët, por edhe stafi teknik edhe vozitësit të gjithë kanë qenë shumë të mirë me mua dhe dua ti falënderoj secilin.

KultPlus: Jeni me moshë shumë të re, mirëpo keni arritur që përgjatë punës suaj të keni përkrah regjisorë të njohur. Sa ka ndikuar kjo tek ju?

Art Lokaj: Unë kam pasur fatin të punoj me regjisoren Lendita Zeqiraj, ajo ka luajtur një rol të madh në fillimin e karrierës sime.

Lendita më ka dhënë rolet kryesore në dy projektet e saj filmike, “Gardhi” i  metrazhit të shkurtër dhe “Aga” – film i metrazhit të gjatë. Falë punës së saj të mrekullueshme unë kam marrë pjesë në festivale të mëdha në Amerikë. Ndërsa në filmin ‘Aga’ i cili ende nuk është shfaqur ka qenë një eksperiencë mahnitëse, kisha një mbështetje të madhe të Lenditës. Isha disa muaj me ta deri natën vonë, hanim bashkë, luanim në pauzë, nuk do ta harroj kurrë atë përvojë. Dua të përmend edhe Basri Lushtakun me të cilin kemi luajtur në këtë film, ai më ka trajtuar sikur djalin e tij jo vetëm gjatë xhirimeve. Po ashtu me Rosafa Çelajn ka qenë eksperiencë shumë e mirë. Unë të gjithë këta i konsideroj më shumë se kolegë, këta janë familje për mua.

KultPlus: Deri tani keni qenë pjesë e disa filmave duke përfshirë këtu  “Gardhi”, “Aga’s House” dhe “Rooftop Story”. Çfarë mësuat gjatë këtij rrugëtimi dhe sa ka ndryshuar Arti përgjatë këtyre projekteve filmike?

Art Lokaj: Unë kam mësuar shumë dhe më është dhënë mundësia që të shfaqem nëpër kino, nëpër festivale të mëdha të filmit, nëpër botë të krijoj miq e kolegë të mrekullueshëm. U jam shumë mirënjohës dhe suksesin tim gjithmonë do të ia dedikoj të gjithë atyre që më mbështetën. Unë e dua aktrimin sepse loja në film edhe në teatër më bën të lumtur. E dua botën e aktorëve. 

KultPlus: Tashmë po synoni edhe një karrierë filmike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si mund ta përshkruani gjithë këtë eksperiencë?

Art Lokaj: Unë kam pasur disa audicione, në më të rëndësishmin atë për rolin në “Madam Secretary” u njoftova me aktorin Eric Stoltz, i cili edhe më përzgjodhi nga audicioni. Pasi kisha eksperiencën nga Kosova e mësova tekstin shpejt dhe isha i vetmi në audicion pa letër përpara. Kur u futa në dhomën e audicionit më pyetën se ku e kam skriptën, u thash se e kam memorizuar. Ata me kërkuan të shkoj sërish ditën tjetër, isha shumë i lumtur. Kam pasur shfaqje në teatër të New York-ut po ashtu kam marrë pjesë edhe në një garë të madhe në Chicago. Aty jemi prezantuar me monolog para agjentëve dhe kompanive të ndryshme. Shtatë nga kompanitë me kërkuan të takohesha bashkë me mamin, na morën të dhënat për projektet e tyre të ardhshme. 

KultPlus: Rrugëtimin tuaj ndërkombëtar por edhe atë kombëtar në aktrim po e vazhdoni suksesshëm, cilat janë projektet në të cilat jeni angazhuar së fundmi?

Art Lokaj: Ndërkohë jam duke punuar edhe me mësues privat për zë dhe teatër sepse në New York ku jemi të vendosur ka shumë mundësi të mira për në Broadway. Tash kam nisur mësimet private për zë dhe aktrim në teatër me Rance W Wright.

KultPlus: Cili është mesazhi i juaj për moshatarët tuaj të cilët dëshirojnë po ashtu të bëhen aktorë…
Art Lokaj:
Unë kam mesazh për prindërit e tyre, sepse ne si fëmijë e dimë çka na pëlqen por ka shumë rëndësi që të na mbështesin prindërit. Mami jo vetëm që më ka shtyrë nga fillimi por ajo merret me të gjitha edhe me përgatitjet e mia para audicioneve, me monologjet, me udhëtime, me takime. Më flet çdo ditë për rëndësinë e punës, disiplinën e leximit, më jep vullnet duke më rikujtuar suksesin që mund ta arrij nëse punoj me përkushtim. Pra kam mesazh për prindërit, ti përkrahin fëmijët e tyre, fëmijët tuaj…

KultPlus: Dhe për fund, Art, si do ta përshkruani vitin që po lëmë pas me pak fjalë fjalë?

Art Lokaj: Jo shumë i lehtë por shumë i suksesshëm për fillimin e karrierës sime. Jam duke zbuluar sa shumë të jep befasi e kënaqësi aktrimi. Më pëlqen se në Amerikë ka diversitet të kulturave, të gjitha këto së bashku po i sjellim në teatër e në film. Pra ishte një vit që më ka sjellë ndryshime të mëdha. / KultPlus.com

Festa në Tiranë, ja këngëtarët që do të ndezin sheshin ‘Skënderbej’

Tirana do ta presë sot ardhjen e Vitit të Ri 2019 në sheshin “Skënderbej”. Me rastin e ndërrimit të viteve, Bashkia e Tiranës ka përgatitur disa surpriza, duke nisur nga koncerti me këngëtarët më të njohur të muzikës shqiptare, e deri te shfaqja e mrekullueshme e fishekzjarreve që do të nisë me numërimin mbrapsht në orën 24:00.

Festa do të nisë në 22:30 të mbrëmjes me Koncertin e Vitit të Ri, ku do të performojnë këngëtarët e njohur si Evi Reçi, Ardit Çuni.

Alban Nimani , West Side Family, Eneida Tarifa, Eranda Libohova, Sidrit Bejleri, Flor Mumajesi, Klajdi Haruni & Bruno DJ si dhe performance e shkëlqyer e DJ Vinit.

Spektaklit nuk do t’i mungojnë as kërcimet fantastike të Tan Bramës dhe grupit të tij.

Kësaj atmosfere do t’i shtojë magjinë e saj spektakli i fishekzjarrëve, i cili do të kulmojë në çastin e ndërrimit të viteve. /KultPlus.com

Dhurata

Poezi nga Ilire Zajmi.

Për fundvit mos më bli unazë diamanti
parfum me erë jasemini
biletë për një udhëtim ëndrrash
dua të më dhurosh Kohën
pak kohë të marr frymë
një grimcë kohe të buzëqesh
të mbyll sytë e të udhëtoj në një tjetër botë
më nevojitet pak kohë
të arratisem të qaj ngeshëm të shoh qiellin e përflakur
mjegullnajën sipër qytetit pa shpirt
se di si u katandis koha ime
në rrugët e pista gotat e zbrazura kafeneve të mykura
në pako cigaresh muhabete të panjohurish.
Nëse do të më bësh një Dhuratë
më fal pakëz kohë
një orë një minutë pak sekonda vetëm një çast
të bëhem njësh me gazin e një fëmije
të puth me buzët e etura të një të dashuruare
jam mbretëreshë e shfronësuar bjerrakohëse
mos më sill as lule as libra
në do të më dhurosh diçka më dhuro pak kohë.
E nëse s’e gjen askund për ta blerë
grabitja atyre që shesin gjakun me këste trupin me fajde
vidhjau atyre që iu tepron së shijuari bota nga mërzia
atyre që vrasin miza e pështyjnë veten në pasqyrë
nëse do të më japësh frymë më dhuro Kohën
Ajo është gjithçka që vdekatarët kanë. /KultPlus.com

Personat e mëdhenj që humbën jetën në 2018

Këngëtarja Aretha Franklin, astrofizikanti Stephen Hawkin, ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan dhe shefi i kuzhinës, Jowl Robuchon figurojnë në listën e personaliteteve të mëdhenj që humbën jetën gjatë vitit 2018.

Janar

7: France Gall, 70 vjeç, interpretuese e shumë hiteve nga vitet 60 deri në vitet 80, e njohur veçanërisht me hitin e saj “Poupee de cire poupee de son”.

15: Dolores O’Riordan, 46 vjeçe, këngëtarja e grupit irlandez “The Cranberries”.

20: Paul Bocuse, 91 vjeç, konsiderohet si “papa i gastronomisë franceze”.

20: Ingvar Kamprad, 91 vjeç, themeluesi i rrjetit të dyqaneve të mobiljeve suedeze IKEA.

Shkurt

13: Henrik De Danemark, 83 vjeç, bashkëshorti me origjinë franceze i mbretëreshës Margrethe II e Danimarkës.

18: Idrissa Ouedraogo, 64 vjeç, regjisori nga Burkina Faso, fitoi çmimin e madh të jurisë në festivalin e Kanës në 1990 për “Tilai”.

21: Billy Graham, 99 vjeç, predikues evangjelist amerikan, bashkëbisedues i privilegjuar i presidentëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për disa dekada.

24: Sridevi, 54 vjeç, konsiderohet si njëra nga aktoret më të mëdha të Bollywoodit.

Mars

10: Hubert De Givenchy, 91 vjeç, legjenda e modës franceze.

14: Stephen Hawking, 76 vjeç, astrofizikant britanik, i njohur për punimet e tij mbi universin. I prekur nga sëmundja Charcot, është shndërruar në ikonë pas publikimit në 1988 të “Një histori e shkurtër e kohës”.

Prill

2: Winnie Mandela, 81 vjeç, ikona e luftës antiapartheid gjatë 28 viteve kur bashkëshorti i saj, Nelson Mandela, ishte i burgosur.

13: Milos Forman, 86 vjeç, prodhues filmash çeko-amerikan. Ka fituar dy herë Oscarin e regjisorit më të mirë, në 1976, për “One Flew Over The Cuckoo’s Nest” dhe në 1985 për “Amadeus”.

17: Barbara Bush, 92 vjeç, zonja e parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga 1989 deri në 1993, është njëra nga dy gratë e vetme që dhe është martuar me një president amerikan (Georges H.W. Bush) por dhe që ka lindur një president amerikan (George W. Bush).

20: Avicii, 28 vjeç, DJ i famshëm suedeze, emri i tij i vërtetë është Tim Bergling.

Maj

7: Maurane, 57 vjeç, emri i saj i vërtetë është Claudine Leuypaerts, këngëtare belge.

14: Tom Wolfe, 88 vjeç, shkrimtar amerikan, shpikësi i gazetarisë së re dhe autor i bestsellerit ndërkombëtar “The Bonfire Of The Vanities”.

22: Philip Roth, 85 vjeç, gjigant i letërsisë amerikane, autori i “Portnoy dhe kompleksi i tij”, “The Task” dhe “American pastoral”, shpesh i përmendur për çmimin Nobel, por asnjëherë s’e ka fituar.

Qershor

5: Kate Spade, 55 vjeç, emër i madh i modës amerikane, e njohur për çantat e saj të krahut.

8: Anthony Bourdain, 61 vjeç, shef kuzhine, amerikan, i njohur për emisionin e tij televizive “Parts Unknown” ku eksploronte specialitetet kulinare në të gjithë botën.

18: XXXtentacion, 20 vjeç, reper amerikan, i vrarë në Florida.

20: Édouard-Jean Empain, 80 vjeç, baron e biznesmen belg. Rrëmbimi i tij në Francë ndodhi në 1978.

Korrik

5: Claude Lanzmann, 92 vjeç, kineast, filozof dhe gazetar francez, autori i librit madhështor “Shoah” në 1985.

Gusht

6: JOËL ROBUCHON, 73 vjeç, shef kuzhine që ka pasur numrin më të madh të yjeve në botë (32 yje në pikën më të lartë të karrierës së tij).

11: V.S. Naipaul (Vidiadhar Surajprasad Naipaul), 85 vjeç, shkrimtar britanik, fitoi çmimin Nobel për Letërsinë në 2001.

16: Aretha Franklin, 76 vjeçe, këngëtare legjendare amerikane, e quajtur po ashtu “Mbretëresha e Soulit”.

18: Kofi Annan, 80 vjeç, ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, me origjinë nga Gana, fitoi çmimin Nobel për Paqen në 2001.

25: John McCain, 81 vjeç, senator republikan, i konsideruar si hero i luftës të Vietnamit, kandidat për zgjedhjet presidenciale në 2008.

Shtator

6: Burt Reynolds, 82 vjeç, yll i Hollywoodit nga vitet 1970 deri në vitet 1980.

12: Rachid Taha, 59 vjeç, këngëtar algjerian, figure emblematike e rokut francez gjatë viteve 80.

27: Tara Farès, 22 vjeçe, modele dhe ndikuese e famshme në rrjetet sociale, e vrarë në Bagdad.

Tetor

1: Charles Aznavour, 86 vjeç, një monument i këngës franceze dhe përfaqësues i diasporës armene në botë.

6: Montserrat Caballé, 85 vjeçe, soprano spanjolle e njohur për teknikën e saj “pianissimo”.

12: Pik Botha, 86 vjeç, shef i diplomacisë i Afrikës së Jugut gjatë aparteidit.

15: Paul Allen, 65 vjeç, bashkëthemeluesi i Microsoftit me Bill Gatesin në 1975 dhe vizionar i informatikës.

15: Arto Paasilinna, 76 vjeç, shkrimtar finlandez, i famshëm për librin e tij “Lepuri i Vatanenit”.

22: Gilberto Benetton, 77 vjeç, njëri nga themeluesit e firmës italiane Benetton.

Nëntor

12: Stan Lee, 95 vjeç, legjendë e personazheve ikonike si Spider-Man, Hulk dhe X-Man.

26: Bernardo Bertolucci, 77 vjeç, gjigant i kinemasë italiane, regjisori i “Tango e fundit në Paris” dhe “Perandori i fundit”.

30: George Herbert Walker Bush, 94 vjeç, presidenti i 41-të amerikan (1989-1993).

Dhjetor

3: Albert Frère, 92 vjeç, sipërmarrës i njohur në Belgjikë, ish-drejtori i holdingut GBL.

8: Lioudmila Alexeeva, 91 vjeçe, ish-kundërshtare e regjimit sovjetik dhe militante për te drejtat e njeriut në Rusi.

28: Amos Oz, 79 vjeç, shkrimtari i famshëm izraelit, mbrojtës i fuqishëm i paqes me romanin autobiografik “A Tale of Love and Darkness” (Një histori dashurie dhe errësire) që njohu një sukses botëror./atsh /KultPlus.com

Fansat ia dërgojnë një video emocionuese, përlotet Bebe Rexha

Këngëtarja me famë botërore e origjinë shqiptare, Bebe Rexha, ka publikuar një video emocionuese.

Rexha ka postuar në Instagram një video, të cilën ia kishin përgatitur disa nga fansat e saj.

Në atë video, disa fansa të flaktë të këngëtares kanë treguar dashurinë që kanë për këngëtaren.

“Nuk mund të gënjej. Po qaj. Nuk mund të besoj që unë bëj muzikë dhe ju kam juve njerëz. Ju më bëni të vazhdoj, ju jeni drejtuesit e mi, ju më jepni diçka për të jetuar. Faleminderit që më jepni kuptim në jetën time”, ka shkruar këngëtarja 29 vjeçare. /KultPlus.com

Viti i Ri, festa që kremtohet në të gjithë botën

Viti i Ri është festa e urimeve dhe dëshirave më të mira, shoqërimit, argëtimit, ngritjes së dollive, tryezave të begatshme dhe shkëmbimit të dhuratave të ndërsjella.

Kësaj feste njëkohësisht dhe në mënyrë të njëjtë i gëzohen të gjitha brezat: fëmijët, të rinjtë, si dhe të moshuarit, sikur ata që presin dhuratat, ashtu edhe ata që me kënaqësi i përzgjedhin dhe i dhurojnë ato.

Kremtimi i Vitit të Ri është një ndër traditat më të vjetra rituale e shprehur gati tek të gjithë popujt e botës, pa marrë parasysh racën, fenë, kombin dhe përkatësitë e tyre të ndryshme. Disa hulumtues mendojnë se kremtimin e festës së Vitit të Ri, më së pari e kanë aplikuar kinezët, ndërsa një grup tjetër mendon se kjo traditë zanafillën e vet e ka nga romakët e vjetër.

Sipas dëshmive ekzistuese materiale të zbuluara deri tani, është vërtetuar se festën e Vitit të Ri më 1 Janar, së pari herë, në mënyrë festive dhe rituale, e kanë kremtuar romakët e vjetër dhe për ta kjo festë ishte simbol i fillimit të jetës së re plot shpresa të mira për të ardhmen.

Edhe pse popujt e kremtojnë këtë festë me besim në një fillim të ri dhe më të begatshëm, asaj nuk i gëzohen të gjithë në datën e njëjtë, sepse disa popuj e aplikojnë kalendarin Lunar (llogaritja sipas rrotullimit të Hënës), kurse disa të tjerë atë Solar (llogaritja sipas rrotullimit të Diellit).

Në krahasim me kalendarin solar, i cili është fiks dhe i pandryshueshëm me 365 ditë, ata popuj që kalendarin e tyre e përcaktojnë sipas ciklit Lunar (të hënës) ardhjen e Vitit të Ri çdo vit, nuk e kremtojnë në ditën e njëjtë, sepse sikur dihet, ciklet e hënës janë të ndryshueshme dhe momenti i ndërrimit të mot moteve kremtohet me fillimin e hënës së re, gjegjësisht në muajin shkurt të vitit tonë kalendarik .

Vitin e Ri Lunar, sot më tepër si festë tradicionale popullore e festojnë në Kinë, Indi, Japoni, Vietnam, si dhe në disa shtete të tjera të Lindjes, dhe atë paralelisht, së bashku me kremtimin e Vitit të Ri Solar, të përllogaritur sipas kalendarit Gregorian.

Për kinezët, Viti i Ri Lunar është festa e pranverës. Ajo konsiderohet si kremte më e madhe nacionale, e cila shënohet me pompozitet të madh. Në Japoni kjo festë kremtohet me tryeza të begatshme plot me specialitete të rralla tradicionale, e në mesnatën e ndërrimit të motmoteve jehojnë 108 të rëna të kambanave nga të gjitha tempujt budistë anë e kënd vendit. Simbolika e 108, nënkupton si vërejtje dhe porosi për largimin e 108 mëkateve të mundshme të njeriut në jetë.

Edhe populli hebre Vitin e Ri e kremton në mënyrë madhështore, sepse ajo edhe sipas mësimeve religjioze, konsiderohet si festë shpirtërore, me të cilën shënohet përvjetori i fillimit të krijimit të Botës. Tek këta data e kremtes është e ndryshueshme për shkak të aplikimit të kalendarit të kombinuar lunar – solar.

Edhe një gjë është karakteristike tek kremtimi çifut i Vitit të Ri: ata në çastin e ndërrimit të motmoteve, kanë vërtet një tryezë të pasur, por në dallim me popujt e tjerë, ajo është e shtruar vetëm me gjëra të ëmbla, pra tryeza e tyre e pasur është e begatshme vetëm me ëmbëlsira.

Në viset e ngrohta të gjysmësferës jugore të rruzullit tonë, Viti i Ri kremtohet në stinën e verës, pa borë dhe mrekullia dimërore me të cilat jemi mësuar në viset veriore, por kjo, aspak nuk e zvogëlon madhështinë e pompozitetit të kremtimit të saj.

Në shumë vende dhe shtete të botës është tradita që Viti i Ri të kremtohet në mënyrë kolektive. Nuk janë të pakta qytete të ndryshme të metropoleve të mëdha botërore, ku banorët e tyre, para çastit të ndërrimit të mot moteve masivisht dalin në qendër të qytetit.

Kjo formë e kremtimit të Vitit të Ri, tanimë është tradicionale në shumë kryeqytete të shteteve të Europës dhe Botës, sikurse është: Parisi, Londra, Roma, Madridi, New York, Moska, Meksiko, Kajro, Tokio … etj .

Viteve të fundit, rregullimi dhe stolisja festive e qyteteve me drita, bredha dhe figura të “baba-dimrit” si dhe dalja masive e popullatës nëpër qendra dhe sheshe të qyteteve, aplikohet në mënyrë madhështore në të gjitha sheshet kryesore të qyteteve të Shqipërisë.

-Ritet, besimet në ditën e pritjes së Vitin e Ri

Natën e ndërrimit të mot moteve gjatë pritjes së Vitit të Ri, popuj të ndryshëm të Botës i karakterizon një spektër i gjerë dhe i larmishëm i riteve, besimeve dhe bestytnive të ndryshme, që janë krijuar si shprehje e dëshirave për: pastrim, largimit të demonëve dhe shpirtrave të këqij, kërkimin e fatit dhe lumturisë, jetës më të pasur dhe më të begatshme…etj. Shumë prej këtyre veprimeve janë të ruajtura dhe kultivohen tradicionalisht edhe sot e kësaj dite.

Tradita kubane për natën e ndërrimit të mot moteve praktikon ngrënien e 12 sardeleve, të një lloji peshku. Besohet se kjo ndikon në rritjen e fatit dhe lumturisë gjatë 12 muajve të vitit të ri pasues. Në Filipine është tejet e rëndësishme që në tavolinën festive familjare gjatë pritjes së Vitit të Ri , të sigurohet sa më shumëllojshmëri ushqimesh. Me këtë akt besohet se viti që vjen do të jetë aq i pasur dhe i begatshëm, sa është e pasur vetë sofra festive e asaj mbrëmjeje.

Në traditën e popujve gati të të gjithë botës fëmijët e lindur më 1 janar, konsiderohen si fëmijët më fatlumë në botë.
Puthja në mesnatë nuk është vetëm shprehje e momentit euforik të kremtes, por ajo shpreh edhe konfirmimin e bekimit të miqësisë dhe të afërsisë me atë person, edhe gjatë 12 muajve të vitit që po na vjen.

Njeriu i parë, i cili do t’u hyjë në shtëpi pasmesnate, besohet se ai gjatë tërë vitit pasues do të jetë një person fatsjellës për ju dhe besnikërisht mund të mbështeteni në të.

Preferohet që ndonjë punë apo veprim që ju ka mbetur në gjysmë ta përfundoni pikërisht në ditën e ndërrimit të mot moteve. Ky veprim do t’u sjellë shumë fat dhe punë të mbarë në të gjitha ndërmarrjet tuaja, gjatë tërë vitit të ardhshëm.

Nëse dëshironi që viti i ardhshëm të jetë i lumtur dhe me fat, atë në asnjë mënyrë nuk duhet ta prisni me borxhe. Tentoni që para ardhjes së Vitit të Ri t’i paguani të gjitha borxhet që i keni, sepse kështu viti që vjen do t’u sjellë fillim të mbarë në të gjitha fushat e jetës.

Të gjithë portofolët tuaj këtë mbrëmje mos i lini të zbrazëta, por i mbushni me monedha, sepse kështu besohet se viti i ardhshëm do t’Iu përcjellë më shumë begati dhe pasuri./k.s/ /a.g/ KultPlus.com

Një Vit i Ri i Armend Rexhepagiqit (VIDEO)

2018-ta po merr fund sonte, por jo edhe këngët e Armend Rexhepagiqit dhe vargjet e mahnitshme brenda këtyre këngëve.

Këtë mëngjes të 31 dhjetorit po e sjellim një këngë që lidhë dashurinë dhe festën.

“Një Vit i Ri” e Armend Rexhepagiqit është këngë e para dy dekadave, por gjithmonë aktuale në këtë ditë kur reflektohet mbi dashuritë e humbura dhe mundësitë e së ardhmes.

Poshtë po e sjellim këngë, një incizim të sajin të moçëm dhe tekstin e këngës së Armendit, duke e nisur këtë ditë me nostalgji. / KultPlus.com

Një milion yje shkëlqejnë, ecim ngadalë, ti më shikon
ky vit që kalojë ne na ndau e na largojë,
dhe nuk e di ç’të them tani,
për ne të dy s’ka ardhmëri
lotët të shkëlqejnë…Të dua

Përshpëris ato ditët tona,
fluturuan drejtë harrimit.
Të lodhur të frikësuar
të lënduar nga dënimi.
E ti po shkon…

Një vit i ri, një dashuri e madhe pa kufi
Një vit i ri, mbeti një lot buzëqeshje në fotografi
Unë do të gjejë do të krijojë në ndonjë tjetër vit të ri
Me ty do t’vallëzojë e di, me ty unë do t’vallëzojë

Të dua…

Një vit i ri, një dashuri e madhe pa kufi
Një vit i ri, mbeti një lot buzëqeshje në fotografi
Unë do të gjejë do të krijojë në ndonjë tjetër vit të ri
Me ty do t’vallëzojë e di, me ty unë do t’vallëzojë

Akullnaja më e madhe në Itali është gati të zhduket

Akullnaja e Fornit, e cila ishte një nga më të mëdhatë në Itali është në zonën Valtellina, në Lombardi, dhe është gati të zhduket.

“Në hapësirën e pak më shumë se një shekull ka humbur gati gjysmën e sipërfaqes së saj”, shprehet Claudio Smiraglia, profesor në Universitetin e Milanos.

Në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë ka pas qenë mbuluar një sipërfaqe prej rreth 20 kilometra katrorë, por sot shtrihet më pak se 10 kilometra katrorë.

Nëse nuk do të ndryshojë klima, nga fundi i shekullit akullnaja do të reduktohet në copa të vogla akulli.

“Zhdukja progresive e akullnajës Forni dhe shkatërrimi konsekuent i rezervave ujore malore që ka ndikime negative në biodiversitetin dhe popullatat në drejtim të rrymës, për ekonominë – nuk është e qartë efekti i vetëm i ndryshimeve klimatike në vendin tonë”, tha ai.

Për të dëshmuar ndikimin e ndryshimit të klimës, në Itali dhe në të gjithë planetin, “Greenpeace Italia” ka organizuar një ekspozitë fotografike që do të jetë e hapur për publikun deri më 10 mars, 2019, në Muzeun e Romës në Trastevere./oranews/ KultPlus.com