Shfaqja “Prehëri i gjyshes” nga Vesa Qena me regji të Melihate Qenës do të prezantohet në Festivalin Ndërkombëtar të Kukullave në Tiranë, shkruan KultPlus.
Kjo shfaqje
në këtë festival do të prezantohet nën ombrellën e teatrit “Dodona”, ku në këtë
shfaqje me rolet e tyre luajnë aktorët: Avni Hoti, Roza Berisha Fejzullahu,
Avdi Azemi e Valdet Rama.
Kjo shfaqje do të prezantohet më 7 maj, prej orës 18:00 në Teatrin e Kukullave në Tiranë. /KultPlus.com
Shtypi s’duhet të jetë pasqyra e kafeneve, vëndi i fjalimeve të zbraztë. Duhet të jetë shkolla e moralizimit, kopështi i një jete morale, shkolla e së vërtetave politike dhe shoqërore, predikimi për zhvillim mendor dhe shpirtënor, e një disipline vullnetare e një rregulle të inspiruarë prej amorit dhe dashurisë, duke kupëtuarë drejt dhe vërtet interesin tënë.
Me këtë mënyrë gazetarit i bie mbi supat barra më e madhe; roli i tij është i komplikuarë, se duhet të jetë, tër n’atë kohë, edhe një mjek që shëron smundjenë, edhe një meshtar që përkujdesetë për shpirtin, edhe një avokat që i mbron të drejtat, edhe një gjykatës që i ndan gjyqin.
Dotë më pyes dokush: Po cili është feneri që duhet t’i ndritnjë udhën dhe gjykimin e një gazetari, cili është kriteri me të cilin do të gjejë udhën e vërtetë në këtë dedalë kaqë të përdredhurë?
Do të them: Ndërgjegja e tij, ajo ndërgjegje që duhet të prijë çdo patriot, çdo akt të patriotizmësë, me një amor mistik të këti trualli që i themi Shqipëri, të këti populli që e quajmë Shqipëtar.
Në qoftë se nuk’e ké këtë dritë në zemrët tënde, në qoftë se nuk ndjen një dashuri, një dhembshuri të pakuzuarë për vëllezërit dhe truallin e tyre, ahere largohu nga gazeta: hiq bëhu bakall ose më mirë: bëhu kasab. / KultPlus.com
Në HANDIKOS
fëmijët me aftësi të kufizuara tashmë kanë mundësi që aktivitetet e tyre
rekreative t’i realizojnë edhe në parkun e lodrave në oborrin e HANDIKOS. Parku
është i qasshëm për fëmijë me aftësi të kufizuara pa dallime.
Kjo është mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në partneritet me Save the Children përmes projektit ‘Ngritja e mirëqenies sociale për fëmijë me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre’ si dhe nga Fondacioni LDS Charities./KultPlus.com
Dua Lipa po punon për sjelljen e projekti të ri muzikor.
Këngëtarja me origjinë shqiptare njoftoi fansat për lajmin e mirë me anë të një postimi në Instagram.
Dua u shpreh se është shumë e emocionuar dhe nervoze.
“Këtë foto e realizova vetëm disa muaj para publikimit të albumit tim të parë. Tani unë po numëroj ditët mbrapsht për t’ju sjellë juve një projekt të ri muzikor. Jam shumë nervoze dhe e emocionuar për këtë kapitull të ri. Shpresoj t’ju pëlqejë po aq sa edhe mua. Ju premtoj se po punoj shumë për t’ju sjellë diçka të veçantë. Ju dua shumë dhe faleminderit për gjithçka,”-shkroi Dua në postimin e shoqëruar me një foto të sajën, transmeton Koha Jonë.
Këngët e 23-vjeçares kanë rezultuar shumë të suksesshme në tregun muzikor ndërkombëtar dhe këtë vit u shpërblye me dy çmime Grammy për punën e saj.
Vajzat shqiptare kanë përfshirë tregun e muzikës botërore. Secila më e suksesshme se tjetra, ato po befasojnë botën me talentin e tyre. Por, ajo që po i bën krenarë shqiptarët është fakti se ato kudo që shfaqen e potencojnë me krenari faktin që janë shqiptare.
Një tjetër vajzë që po synon ty hyjë kësaj ‘valle’ është edhe këngëtarja 20
vjeçare Albina Shyti e cila njihet me emrin artistik Albi.
Prindërit e saj kishin emigruar për në Danimarkë gjatë kohës së luftës në Kosovë. Albina ka lindur dhe është rritur atje dhe tashmë ajo është duke punuar shumë që zëri t’i dëgjohet në botë. Një vajzë e thjeshtë por me shumë talent, ajo është bërë pjesë e X Factor në Danimarkë, ku arriti të fitojë famë dhe të marrë epitetin si vajza me sytë Disney.
Por, Albi nuk e ka ndërmend të ndalet. Ajo tashmë ka sjellë këngën e parë për
tregun ndërkombëtarë.
Kënga titullohet “Sayonara”, për muzikën e së cilës ajo ka
vendosur të bashkëpunoj me një ndër producentët më të njohur kosovar, Donat
Prelvukaj, i njohur si Cricket.
Këngës i është realizuar edhe videoklipi nga
Kristoffer Just.
Me një paraqitje të thjeshtë por tejet
simpatike, Albi na vjen shumë e këndshme në këtë videoklip i cili pritet të ketë
shumë sukses.
Edicioni i 9-të Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë – polip fillojnë këtë të premte më 10 maj, në Prishtinë, në ora 19:00, në modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës.
Këtë vit polip fokusohet në nocionion e ujdisë letrare dhe botëkuptimeve
rreth saj si një proces negiciator artistik që u mundëson shkrimtarëve e
artistëve ballkanikë që (vetëm) me veprat e tyre të shpërthejnë kufijtë e t’i
plasojnë vlerat letrare në pjesët e “zhvilluara” të botës.
Rreth 40 shkrimtarë e artist të stripit e romanit grafik, nga rreth 20
shtete të ndryshme të botës, do të marrin pjesë sivjet në këtë edicion të
radhës të festivalit polip dhe në edicionin debutues të Festivalit Ndërkombëtar
të Romanit Grafik – GRANFest, i cili poashtu fillon këtë të premte. Ndër
mysafirët e shumtë, sivjet do të vijnë edhe: Besnik Mustafaj nga Shqipëria,
Sreten Ugricic nga Serbia, Tom Kaczynski nga Amerika, Lindita Ahmeti nga
Maqedonia, Tanja Raich nga Austria, Olga Grjasnowa nga Azerbejxhani e shumë të
tjerë.
„Procesi i marrëdhënieve është i pandalshëm. Festivali polip sivjet po i
mbush dhjetë vjet që nga edicioni i parë në 2010, i organizuar nga dy grupe të
pavarura letrare nga Beogradi dhe Prishtina. Ai tashmë i ka tejkaluar kornizat
rajonale“, thuhet në editorialin e sivjetshëm të festivalit.
Këtë vit, përveç mbrëmjeve të leximit, polip sjell edhe diskutime mbi
letërsinë e artet. Në panelin e parë “Epoka e opinioneve” që mbahet të shtunën
do të diskutojnë të ftuarit Melinda Nadj Abonji, Olga Grjasnowa, Besnik Mustafaj
e Robert Prosser. Po të njëjtën ditë mbahet edhe paneli i radhës, “Ujdia
letrare – Rruga revolucionare” me të ftuarit Veton Surroi e Sreten Ugriciq, me
moderator Sasha Iliq.
Në panelin e tretë të dielën do të flitet mbi temën “Informata kreative kundër
asaj manipulative” me të ftuarit Fumio Obata, Dave McKean, Sarah Hehir, Ville
Ranta, Tom Kaczynski e Marcello Quintanilha, kurse moderohet nga Gani Jakupi.
Paneli i fundit “Paralelni polis – një koncept disident që e ndjek të
tashmen” mbahet poashtu të dielën dhe diskuton me të ftuarit Alida Bremer, Lena
Dorn, Marek Šindelka e Shkëlzen Maliqi, kurse moderohet nga Matteo Colombin.
Ndërsa të shtunën, nga ora 20:00, mbahet një „Homazh për Bekim Lumin“, në
të cilin, aktorë kosovar do të lexojnë për herë të parë poezitë ende të
pabotuara të regjisorit tashmë të ndjerë Bekim Lumi.
polip e GRANFest këtë edicion kanë organizuar edhe programin plotësues në
Prishtinë, Prizren e Graçanicë ku do të organizohen orë leximi, ekspozita të
novelës grafike e
sesione diskutimi mbi letërsinë e krijimtarinë letrare.
Për të informata më të detajuara dhe programin e plotë ju lutem vizitoni linkun: http://qendra.org/1696/KultPlus.com
Rreth 330 gra të dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë, nga gati 1000 sa kishin aplikuar, u është njohur statusi i personit të dhunuar gjatë luftës. Të gjitha ato gra, të cilave u është njohur ky status, do të marrin një pension në vlerë prej 230 eurove
Vetëm nga organizata joqeveritare “Medica Kosova” në Komisionin për Njohjen e Statusit të Viktimave të Dhunës gjatë Luftës deri më tani janë dorëzuar 90 aplikacione, prej të cilave vetëm 31 janë miratuar. Kështu ka bërë të ditur për “Zërin” Veprore Shehu, udhëheqëse e kësaj organizate.
Sipas saj, edhe pse viktimat e dhunës seksuale marrin si pension 230 euro, as kjo shumë e asnjë tjetër nuk do të mundë t’i mbulojë dhimbjet e tyre.
“Mbi 90 raste janë dorëzuar deri më tani ku 31 janë miratuar nga ana e Komisionit, ndërsa tjerat janë akoma në proces. Viktimave në momentin kur u është njohur statusi po në të njëjtin muaj edhe kanë shkuar i kanë marrë pensionet. Ato pensione i kanë për tërë jetën. Ne kishim dashur që 400 euro të marrin gratë në pension njëjtë si familjarët e dëshmorëve, mirëpo në krahasim me pagesat e veteranëve e të viktimave civile të luftës konsideroj se kjo është një vlerë solide. Nuk ka vlerë që mund t’i mbulojë dhimbjet e këtyre grave, megjithatë kjo njohje i bën viktimat të kuptojnë se shteti është me to dhe se meritojnë një kompensim si të gjitha kategoritë tjera të luftës”, ka thënë ajo.
Libohova, qyteti i ndodhur rreth 11 km në juglindje të Gjirokastrës, me një bukuri natyrore magjepsëse dhe monumente me vlera kulturore, falë programit kombëtar të Rilindjes Urbane, po kthehet në një atraksion turistik për qytetarët vendas e të huaj.
Falë investimeve të kryera në Libohovë tashmë qyteti të ofron një panoramë të re, të transformuar dhe të rijetësuar në rrugët dhe objektet me rëndësi historike.
”Për të gjithë ata që e njohin Libohovën, ndryshimi që ka pësuar kjo fole e bukur në juglindje të Gjirokastrës është i pastër si drita e diellit. Për këdo që nuk e di se si ishte Libohova 4 vjet më parë duhet të vijë e të takojë njerëzit e mençur e fjalëpak, t’u shohë punën që s’ndalet, t’i shijojë tokës prodhimet, malit aromat, e kalasë t’ia ndjejë hijen e rëndë. Pas Rilindjes urbane dhe rurale, agroturizmi është perspektiva e zhvillimit”, shprehet deputetja e Partisë Socialiste Mirela Kumbaro.
Në qendër te Libohovës ndodhet rrapi shumëshekullor mbi 560 vjeçar, një monument i rrallë i natyrës, i cili është i rrethuar nga rrepë të tjerë. Ata i japin qytetit gjelbërimin dhe bukurinë këtij vendi.
Gjithashtu bien në sy, në qendër të qytetit, sarajet e bejlerëve të Libohovës. Kalaja e Libohovës, me katër kulla shumëkëndëshe nëpër qoshet dhe murin që rrethon një sipërfaqe të gjerë, është një fortesë me përmasa të konsiderueshme. /a.a/ KultPlus.com
Qershori do të jetë një muaj shumë atraktiv për adhuruesit e teknologjisë, inovacionit dhe mjeteve të ndryshme të komunikimit.
Doku.Tech, që çdo vit organizon festivalin e vetëm të teknologjisë në
Kosovë në partneritet me fondacionin ‘Share’, Beograd dhe’DokuFest’, sapo ka
lansuar eventin, që shpalos të gjitha detajet rreth edicionit të 6-të, të
quajtur “ Digitizing the Human, Humanizing the Digital”.
Konferenca do të mbahet me 8 dhe 9 qershor në Termokiss, Prishtinë dhe
përveç se do të sjellë folës inspirues nga e mbarë bota, do të ketë edhe
punëtori të ndryshme rreth teknologjisë, në mënyrë që pjesëmarrësit të kenë
mundësinë të fitojnë aftësi praktike rreth temave të shqyrtuara gjatë
konferencës.
Regjistrimi për Doku.Tech është i hapur për të gjithë. Pjesëmarrësit që
regjistrohen tani, do të jenë të parët që njoftohen për të gjitha risitë rreth
festivalit përfshirë emrat e folësve, emrat e kompanive të teknologjisë që do
të jenë prezent, aktivitetet dhe së fundmi muzikantët dhe DJ-të e ndryshëm që
do t’i sjellë edicioni i -6-të i DokuTech.
Për t’u regjistruar FALAS në konferencën më të madhe të teknologjisë, klikoni KËTU. / KultPlus.com
Aplikimet për Çmimin e Arkitketurës “KARL GEGA” janë hapur për të gjithë arkitektët dhe studiot e arkitekturës botërore, duke mos u kufizuar vetëm në hapësirën shqipfolëse.
Kjo është hera e parë e organizmit të këtij çmimi dhe synon të jetë tradicional, duke u organizuar çdo dy vite.
Çmimi organizohet nga Media Ndërtimi dhe juria do të jetë vendore dhe ndërkombëtare. I gjithë çmimi do të këshillohet nga arkitekti i njohur botëror Përparim Rama. Për të aplikuar në këtë çmim janë caktuar shtatë kategori, ku njëra prej tyre do të përmbajë çmimin kryesor.
Kategoritë janë: Çmimi i Projektit të Vitit, Çmimi për Hapësirën Publike më të mirë, Çmimi për Dizajnin e Shtëpisë më të mirë, Çmimi për Objektin më të mirë të banimit, Çmimi për Dizajn Inovativ, Çmimi për Dizajnin më të mirë në enterier dhe Çmimi për Dizjanin më të mirë të së Ardhmes.
Pjesëmarrja në çmim është me pagesë, mirëpo karakteri i këtij çmimi nuk është përfitues. Të hollat e mbledhura do të ndahen tek fituesit, kurse pjesa e mbetur do të shkojë në llogari të studentëve që do të zgjidhen për të pasur një bursë.
Çmimi do të jetë i hapur për aplikime gjerë më 30 shtator 2019. Gjithashtu do të ketë edhe bileta për Gala Mbrëmjen e ndarjes së çmimeve për ata që nuk konkurrojnë apo edhe për studentë me çmime më të lira.
Këngëtarja e njohur botërore, Adele, dje (e diel, 5 maj) e ka festuar ditëlindjen e 31-të. Ajo e ka festuar ditëlindjen e saj të parë që prej ndarjes nga bashkëshorti Simon Konecki dhe njëkohësisht paralajmëroi edhe albumin e ri.
Përmes një postimi të publikuar në llogarinë e saj Instagram, këngëtarja ka folur për jetën e saj përgjatë këtyre viteve.
“Unë jam 31 vjeçe… faleminderit Zot. 30 ishin shumë të vështira. Nuk ka rëndësi sa gjatë jemi këtu, por jeta është e komplikuar ndonjëherë”.
“Kam ndryshuar shumë në vitet e fundit të martesës dhe jam duke ndryshuar sërish. 31 do të jetë e madhe dhe jam duke munduar të kaloj vetëm në veten time”.
“Bëhu e mire me veten tendë, me njerëzit, ne jemi të gjithë humanë. Mëso të duash së pari veten tënde…”, ka shkruar ndër të tjerash Adele.
Kujtojmë që në vitin 2015, këngëtarja e lansoi albumin e saj të suksesshëm, ndërsa tani nuk ka zbuluar detaje më të hollësishme rreth albumit të radhës. /Telegrafi/ KultPlus.com
Iniciativa për ta shuar Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore është konkretizuar edhe me një Projektligj. Është projektligji për plotësimin e ndryshimin e Ligjit për trashëgimi kulturore, në të cilin parashihet që KKTK-ja do të pushojë së ekzistuari e stafi administrativ të vendoset në kuadër të Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës.
I hartuar nga Ministria e Administratës Publike, Projektligji ka për bazë koncept-dokumentin për valën e parë të racionalizimit dhe vendosjes së vijave të llogaridhënies për agjencitë të cilat funksionojnë në Kuvendin e Kosovës. Ky dokument përfshin edhe tetë agjenci të tjera që veprojnë nën ombrellën e Kuvendit, e të cilat pritet të kalojnë nën përgjegjësinë e Qeverisë.
Krejt kjo do të jetë në kuadër të procesit të reformës së Administratës Publike, që është edhe detyrim i një kontrate në nënshkruar nga Qeveria e Kuvendi me Komisionin Evropian.
Sipas Projektligjit, me hyrjen e tij në fuqi pushon mandati i anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore dhe ky organ i Kuvendit të Kosovës shpërbëhet. Ndërsa, sa i përket stafit administrativ të KKTK-së, Projektligji përcakton se ata vazhdojnë ta kenë statusin e nëpunësve civilë dhe transferohen në Departamentin për Trashëgimi Kulturore në Ministrinë e Kulturës.
Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, sipas Ligjit aktual për trashëgimi, është organ i Kuvendit të Kosovës, i cili rolin kryesor e ka të vlerësojë asetet e trashëgimisë kulturore që janë në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përkohshme, nëse ato kanë vlera që të jenë pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme.
Të gjitha kompetencat e KKTK-së do të transferohen në Departamentin e Trashëgimisë Kulturore në MKRS.
Por stafi ekzekutiv i KKTK-së është duke kundërshtuar shuarjen e organit ku punojnë. / ndertimi info / KultPlus.com
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur një delegacion të arbëreshëve të Italisë.
Në takimin e mbajtur me ta, ai ka përgëzuar për ruajtjen e traditave dhe kulturës shqiptare.
“Ndjehem shumë i nderuar dhe i privilegjuar që t’u drejtohem motrave dhe vëllezërve të gjakut dhe gjuhës sonë. Atyre që u bënë pishtar i ruajtjes dhe zhvillimit të vlerave kulturore mbarëshqiptare për më se 6 shekuj. Shqiptarët e çdo kohe dhe të çdo brezi, kudo që janë, ndihen krenarë me ju dhe kanë çfarë të mësojnë nga jeta, puna dhe vepra juaj, sepse ju jeni rrënjët tona të mirëfillta, origjinale, gjeneza dhe fillesa jonë”, u shpreh ai.
Kreu i shtetit ka thënë se arbëreshët janë shëmbëlltyra dhe modeli i shqiptarëve pa ndikimin e pushtimit 500 vjeçar otoman.
“Ju jeni fija e pashkëputur dhe e mirëfilltë e qytetërimit shqiptar. Keni ruajtur gjuhën e të parëve tanë, traditat, besimin, kulturën autoktone, mbi të gjitha perlat folklorike: rapsoditë dhe vallet. Rapsoditë dhe vallet arbëreshe kanë qenë dhe mbeten perla unike të kulturës shqiptare. Ato i kanë kapërcyer kufijtë e Italisë së Jugut dhe këndohen kudo ndër shqiptarët, në dasmat dhe gëzimet e tyre”, ka thënë ai.
Presidenti Thaçi i ka thënë delegacionit arbëresh se si në të kaluarën, ashtu edhe sot, në kishat tuaja ruhen shenjat shqipe.
“Nga ju dolën figura të mëdha që u bënë frymëzimi i kombit dhe më gjerë. Arbëreshët kanë qenë gjithmonë një faktor pozitiv në Itali. Keni kontribuar në jetën politike dhe kulturore të Italisë. Ta përmendim këtu Françesko Krispin, i cili ka luajtur një rol të madh në lëvizjen për bashkimin e Italisë. Ai u bë kryeministër i vendit dhe ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Xhuzepe Garibaldit. Po kështu një shembull i pjesëmarrjes së arbëreshëve në sferën politike italiane është edhe Antonio Gramshi e shumë figura të tjera”, shtoi ai.
Sipas Thaçit, Arbëreshët i kanë dhënë kuptim lëvizjes më të rëndësishme politike dhe kulturore shqiptare Rilindjes Kombëtare, në krye me kolosin e letërsisë Jeronim De Rada, i cili është themelues i letërsisë moderne shqipe.
“Ne sot jemi krenarë për kontributin që ju vazhdoni të jepni në atdheun tuaj të dytë, në Itali. Vlerat e padiskutueshme intelektuale dhe kulturore të arbëreshëve kanë qenë një faktor i rëndësishëm në pozicionimin e Italisë krah vendeve që përkrahin vlerat demokratike dhe lirinë e popujve, duke bërë që Italia të rreshtohet ndër të parat vende që njohën Pavarësinë e Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi.
Thaço theksoi se populli shqiptar do t’i jetë përjetësisht mirënjohës punës dhe veprës së arbëreshëve të Italisë. / koha.net / KultPlus.com
Kënga “Shingjergjat Po Sillen” e kënduar nga zëri emocionues dhe shumë i veçantë i Plator Gashit.
Këngën nëpër vite e kanë kënduar Hashim Shala, Rexhep
Hajrizi e të tjerë mbledhës të foklorit shqiptar ndër vite.
Po e sjellim poshtë edhe tekstin e këngës bashkë me videon e
zërit kaq të ëmbël të Platorit, sot në ditën e Shëngjergjit. / KultPlus.com
SHINGJERGJAT PO SILLEN
Shingjergjat po sillen, mor djalë Shingjergjat po sillen, mor djalë Vjeshtat po përcillen medet-o Vjeshtat po përcillen medet-o Qajo guja e gat, mor djalë Qajo guja e gat, mor djalë M’i këputi dy kraht medet-o M’i këputi dy kraht medet-o Qajo guja e shkurt, mor dajë Qajo guja e shkurt, mor djalë M’i këputi dy gujt medet-o M’i këputi dy gujt medet-o. / KultPlus.com
Sot mbushen dy dekada nga vrasja e filozofit, sociologut, akademikut, gazetari dhe politikanit të doktoruar, Fehmi Aganit. Ai u vra nga forcat kriminele serbe.
Agani ishte gjithashtu nënkryetar shumëvjeçar i LDK-së dhe deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Me këtë rast, Kryesia e LDK-së sot do të bëjë homazhe dhe të
vendosë kurora lulesh te varri i tij, në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.
Figura e Aganit la gjurmë të pashlyeshme në historinë e
pavarësisë së Kosovës, fushën e arsimit dhe mendimit shkencor.
Fehmi Agani, njëri nga themeluesit dhe udhëheqësit e Lidhjes
Demokratike, u vra afër Lipjanit, nga serbë me uniforma dhe të armatosur.
Më 6 maj 1999, Agani, së bashku me familjen e tij, tentoi të
linte Kosovën me tren.
Në kufirin me Maqedoninë, treni u kthye mbrapsht. Diku afër
Fushë Kosovës, policia ndaloi trenin dhe urdhëroi të zbrisnin të gjithë. Dëshmi
të ndryshme të botuara në shtyp thonë se Agani u mor ose në një autobus së
bashku me burra të tjerë shqiptarë, ose i vetëm me policët brenda një makine
private. Kufoma e tij u gjend të nesërmen buzë një rruge gjithë baltë, pranë
Lipjanit.
Për nder të profesor Aganit tashmë është ngritur përmendorja
e tij në oborrin e Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë.
Që nga vitet 60-ta kur ishte paraqitur me argumentim e së drejtës së Republikës së Kosovës e deri me vrasjen e tij, Agani e kishte vënë gjithë krijimtarinë e tij në shërbim të projektimit, të argumentimit dhe të realizimit të këtij qëllimi. / KultPlus.com
Qendra Ndërkombëtare e Kulturës dhe Artit “Changsha Meixihu” , e projektuar nga arkitektët e Zaha Hadid-it, në Kinë, tashmë është afër përfundimit.
Imazhet më të reja tregojnë më detajisht se si duket ky kompleks kulturorë 115 metërsh katror.
Objekti i vendosur pranë liqenit Meixi në Changsha, të Kinës, përmbanë një teatër, një muze të artit bashkëkohor dhe një hapësirë që mund të përdoret për qëllime të ndryshme, transmeton Ndërtimi.info.
“Duke i nderuar vlerat e funksionalitetit, elegancës dhe inovacionit, Qendra Ndërkombëtare e Kulturës dhe Arteve të Liqenit të Changshas, Meixi synon të bëhet nyja e re kulturore dhe qytetare për qytetin e Changshas, si dhe destinacion global kulturor”, kishte deklaruar studio e arkitekturës në përshkrimin e objektit.
Fotot zbulojnë se pjesa e jashtme e secilës ndërtesë në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës dhe Artit Changsha Meixihu ka përfunduar, duke paraqitur detajet e fasadave mahnitëse, me ngjyrë të bardhë.
Pjesa kryesore e kompleksit është teatri i madh, i cili do të jetë “vendi më i madh i performancës në qytet” dhe do jep shfaqje për rreth 1 mijë e 800 njerëz.
Ndërkohë, teatri i vogël ka kapacitet maksimal për 500 ulëse.
Objekti tashmë ka është ndër projektet më unike të qytetit Changshas./Ndërtimi.info/ KultPlus.com
Me veshjen kombëtare shqiptare, me flamuj kuq e zi dhe me tortë me simbolin e shqiponjës, dhjetëra fëmijë shqiptarë iu gëzuan faktit të hapjes së klasës së tyre të re në Itali.
Ashtu siç ishte paralajmëruar, në Bressanone të Italisë është hapur një klasë shqipe. Shkolla shqipe në Trento ka njoftuar se më shumë se 200 nxënës janë regjistruar.
“Me klasën që inauguram sot në Bressanone, kaluam 200 nxënës të regjistruar. Faleminderit të gjithëve, mësues, nxënës dhe sponsorizues”, thuhet në njofimin e shkollës.
Ky hap konsiderohet i rëndësishme për fëmijët e familjeve shqiptare, ndërsa tani, ata i kanë të gjithë mundësitë për të mësuar dhe ruajtur gjuhën amtare. Regjistrimi në këtë klasë ka qenë për fëmijët e moshave 6 deri në15-vjeçare dhe gjithçka është bërë falas. /BalkamWeb / KultPlus.com
Sot mbushen 614 vjet nga lindja e Heroit të kombit Gjergj Kastriotit-Skënderbeut – figura më e shquar në historinë e shqiptarëve, i cili njihet si themelues i shtetit mesjetar-shqiptar.
Ai u lind më 6 maj të vitit 1405 dhe vdiq më 17 janar 1468. Ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit, që ishte marrë peng si nizamë pas thyerjes së të atit nga Sulltan Murati më 1421 dhe u dërgua në oborrin e Sulltanit në Adrianopojë. Atje, zgjuarsia dhe shkathtësia e çuan Gjergjin në shkollën e sulltanit (içogllanëve) që përgatiste komandantë e nëpunës.Natyra i kishte dhënë dhunti mendore e fizike.
Atje mori emrin Iskënder (Aleksandër). Pas mbarimit të shkollës, Gjergj Kastrioti “(Skënderi)” kreu detyra ushtarake në Ballkan e në Azinë e Vogël, duke u dalluar për trimëri dhe për këtë arsye iu dha titulli bej që do të thotë princ ose fisnik, pra Skënderbeg do të thotë Aleksandri princ ose fisnik.Ai nuk e harroi vendin e tij dhe priste me padurim rastin të kthehej në tokën që e lindi. Me vdekjen e të atit, ai shpresonte t’i zinte vendin, por në fakt sulltani e emëroi sanxhakbej jashtë tokave shqiptare.Skënderbeu nuk hoqi dorë nga ideja për t’u kthyer në Shqipëri në fronin e të atit, deri në vitin 1443 kur ai u nis kundër Janosh Huniaditnën komandën e bejlerbeut të Rumelisë.
Më 3 nëntor 1443 në afërsi të Nishit, u ndeshën dy ushtritë. Ushtria osmane u shpartallua dhe u tërhoq në panik. Skënderbeu filloi të zbatonte planin e kryengritjes, së bashku me 300 kalorës shqiptarë e me të nipin Hamza Kastrioti, u kthye në Dibër, ku populli e priti si çlirimtar.
Mori masa për përforcimin e rrugëve nga mund të vinin osmanët, dhe prej andej iu drejtua Krujës. Me një ferman të rremë shtiu në dorë qytetin e garnizonin dhe kështu më 28 nëntor 1443 u shpall rimëkëmbja e principatës së Kastriotëve. Mbi kështjellën e Krujës u ngrit flamuri me shkabën e zezë dykrenare i Kastriotëve.Kryengritja u përhap shpejt në viset e tjera dhe feudalët e tjerë u ngritën gjithashtu. Gjatë dhjetorit, Shqipëria e Mesme dhe e Veriut u spastruan nga forcat osmane, u çliruan njëra pas tjetrës kështjellat e kësaj zone.
Skënderbeu ishte organizatori i Kuvendit të Arbërit, në të cilin u zgjodh si prijës i Lidhjes Shqiptare të Lezhës. Ai u martua me të bijën e Gjergj Arianitit, Donika Arianitin për të forcuar lidhjet e tij me principatat e tjera.Në janar të vitit 1468, Skënderbeu u sëmur gjatë zhvillimit të një Kuvendi të thirrur nga ai, në të cilin ishin të ftuar të gjithë princat shqiptarë.Vdiq më 17 janar 1468 në Lezhë, ku edhe u varros. Shqiptarët humbën prijësin e lavdishëm që i udhëhoqi për 25 vjet rresht.E shoqja me të birin emigruan, sikurse edhe një pjesë e parisë shqiptare, për në Itali. Rreth përkrenares ekziston ideja se e ka mbajtur për nder të Pirros së Epirit, pasi edhe ai ka mbajtur po të njëjtën përkrenare.
Epoka e Skënderbeut e shekullit XV dhe vetë figura e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut ndikoi fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve dhe për rritjen e vetëdijes kombëtare të tyre. Të frymëzuar prej tyre, intelektualë të shquar shqiptarë, i pasqyruan e i përjetuan ato në vepra historike monumentale, në të cilat nisi jetën e vet historiografia shqiptare.Historia tregon se për shumë kohë shqiptarët e mbajtën të fshehtë lajmin e vdekjes së Skënderbeut, por edhe kur e dëgjuan as vetë turqit nuk e besonin se ai kishte vdekur.Shqiptarët e fituan edhe një betejë pa Skënderbeun, betejën e Kirit, udhëhequr nga Lekë Dukagjini. Por pas 10 vjetësh, kur turqit nisën sërish pushtimin, e gjetën varrin e Skënderbeut dhe morën eshtrat e tij, duke i përdorur ato si hajmali për t’u dhënë forcë dhe fitore, ashtu sikundër ai ishte i gjallë. /indeksonline / KultPlus.com
Libri shoqërohet me parathënie nga shkrimtari Ismail Kadare “Qëndrimi ndaj hebrenjve ka qenë dhe vazhdon të jetë një çështje globale, planetare. Kjo, për arsyen e qartë se ndërgjegjja e njerëzimit mbarë është vënë në provë. Historia shqiptare ka një pikë takimi tepër të ndjeshme me këtë dramë botërore.
Qëndrimi ndaj hebrenjve, më saktë, mbrojtja e tyre, nga një popull me histori të zymtë, si i yni, që e nderon, në kuptimin më të madh të kësaj fjale. Është kjo një nga arsyet që libri i shkrimtares dhe studiueses Monika Stafa «Hebrenjtë në Shqipëri» zgjon një interes të veçantë”.
Kështu shprehet shkrimtari i njohur Ismail Kadare në parathënien e librit “Hebrenjtë në Shqipëri”, të gazetares Monika Stafa, botimet “Onufri”. Sipas tij, “Në Shqipëri hebrenjtë, siç dihet tashmë historikisht nuk janë mbrojtur nga një pjesë e popullit dhe janë diskriminuar nga pjesa tjetër, nuk ka qenë problem i njerëzve të kulturuar që mund ta kenë bërë këtë gjë për arsye emancipimi dhe pjesa e paditur e popullit ka bërë disa herë të kundërtën siç qëllon shpesh”.
“Nuk kanë qenë ndikuar nga rrymat politike, nuk ka asnjë dallim në qëndrimin ndaj hebrenjve mes katolikëve shqiptare mes ortodoksëve shqiptarë dhe myslimaneve shqiptarë. Kjo tingëllon pak e habitshme, madje idilike por është e vërteta. Kur erdhi ora e provës së madhe, të tre këto ndarje fetare kanë qenë në një qëndrim kryekrejet të barabartë ndaj hebrenjve. Nuk kanë lozur rol regjimet politike.
Shqipëria si në periudhën otomane, ashtu më pas kur fitoi pavarësinë dhe u bë një republikë, e më vonë një mbretëri ballkanase, ndonëse arkaike, qëndrimet ndaj hebrenjve nuk i ka ndryshuar, d.m.th., zyrtarë dhe popull, administratë dhe shoqëri, komunistë dhe antikomunistë, nacionalistë dhe internacionalistë”, shkruan Kadare. Libri është fryt i një punë disa vjeçare kërkimore dhe shkencore i studiueses Stafa.
“Hebrenjtë në Shqipëri janë një komuniteti jo pak i rëndësishëm në mjedisin shqiptar, një mjedis harmonik në lidhje sa i përket minoriteteve. Teza vjen si një studim i mirëfilltë shkencor, larg miteve të ngritura deri më tani për arsyet e shpëtimit dhe mbrojtjes së hebrenjve prej rrezikut shfarosës gjatë udhëve të historisë, me theks të veçantë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Libri synon të hedhë dritë mbi ekzistencën e këtij komuniteti dhe arsyet e bashkëjetesës së harmonishme me shqiptarët. Qytetarë nga e gjithë Europa me shtetësi të ndryshme, por që i përkisnin kombësisë hebraike gjetën shpëtim e mbrojtje në Shqipëri, duke e parë atë si një rast “sui generis” në mes gjithë atij kontinenti që kërcënohej prej terrorit nazist.
Vlerësimi i sfidave me të cilat Shqipëria u përball në një prej periudhave më të vështira që hebrenjtë e huaj dhe ata vendas po kalonin në Europë (1933-1944), përbëjnë bazën analitike dhe kërkimore të këtij studimi. Fokusimi në marrëdhëniet e tyre me autoritetet vendore/ lokale dhe popullin shqiptar zë peshën më të madhe në studim, për vetë rolin që këto të fundit luajtën në shpëtimin e tyre ndaj rrezikut shfarosës nazist”, thotë Stafa. Sipas saj, në fokus të tij, ky libër ka pasur 5 çështje për t’u trajtuar, në pesë kapituj të ndryshëm.
Pjesë e punimit janë edhe parathënia, hyrja, konkluzionet dhe bibliografia. “Studimi është ndërtuar kronologjikisht mbi dy fazat më të rëndësishme historike dhe me ndikim të dukshëm në historinë e këtij komuniteti: faza e parë ka të bëjë me periudhën e Mbretërisë Shqiptare, për të vijuar me atë të Luftës së Dytë Botërore. Në tërësinë e tij libri synon t’u japë përgjigje disa pyetjeve.
Përse hebrenjtë iu drejtuan Shqipërisë, sapo u shpall doktrina famëkeqe “Final Solution”? Çfarë mundësish ofroi Mbreti shqiptar Ahmet Zogu dhe autoritetet qeverisëse të vendit ndaj tyre? Si vijoi ardhja e hebrenjve gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste dhe përse ajo ndoqi një politikë survejimi dhe jo ndëshkimi ndaj tyre?
Cili ishte qëndrimi i qeverive kolaboracioniste ndaj hebrenjve të rrezikuar që erdhën prej Jugosllavisë, Bullgarisë, Rumanisë e Maqedonisë? Si ishte sjellja e shqiptarëve ndaj hebrenjve, kur vendi u pushtua nga Gjermania? Cilat janë veçoritë dalluese të Shqipërisë në raport me vendet e tjera, që i dorëzuan autoriteteve pushtuese gjermane listat me hebrenj?
Përse me hebrenjtë e Shqipërisë në kushtet e një terrori të pashembullt në vendet europiane u ruajt një sjellje shembullore dhe rasti Shqipëri u shënjua si një ndër rastet më të paprecedent në historinë e popullit që kërcënohej për zhdukje masive? Çfarë ndodhi me ta gjatë luftës dhe pas saj? Hebrenjtë në Shqipëri në vitet 1933-1946, është një çështje sa e studiuar, po aq edhe e pathelluar.
Shënime të përzgjedhura mbi këtë komunitet gjenden në librin “Shqiptarët dhe hebrenjtë në shekuj”, një libër me kërkime të mëhershme mbi këtë komunitet, të studiuesit Apostol Kotani. Kërkimet e tij kanë filluar aty rreth viteve 1968 për shkak të një kërkese që atij iu bë nga autoritetet e kohës. Në fakt, kërkimet e tij mbetën në letër.
Ato asnjëherë nuk u botuan derisa ai iu rikthye atyre sërish pas rënies së Murit të Berlinit në vitin 1991. Ky fakt nuk ishte i panjohur, por hapja e arkivave e pasuroi më shumë kërkimin mbi hebrenjtë në Shqipëri. Shumëllojshmëria e të dhënave të tyre ndihmoi shumë në profilizimin e studimeve rreth këtij komuniteti dhe kontributin që ai kish dhënë në shumë procese historike të shqiptarëve.
“Asgjë prej atyre që shkruhej në librat e historisë apo që thuhej publikisht gjatë viteve të komunizmit, nuk mund të krahasohej me atë që shkruhej në ato dokumente. Përpara syve tanë po shpalosej një faqe tjetër e historisë, krejtësisht e panjohur prej nesh, jo vetëm për fatin e hebrenjve apo të popujve të tjerë, por dhe të vetë shqiptarëve”, thotë Stafa./gazeta-shqip.com/ KultPlus.com
Në emisionin “Talk” të KTV-së, këtë javë e ftuar ishte Sevi Hasani. Ajo në emision ka treguar për rrugëtimin e saj nga mospranimi në Universitetin e Prishtinës e deri te shkollimi në Londër dhe punësim në Zvicër.
Hasani, përkundër përgatitjes për testin pranues në Universitetin e Prishtinës në drejtimin Ekonomik, nuk është pranuar, ani pse ishte ndër më të mirat në fushën e matematikës.
Por ajo nuk është dorëzuar. Me ndihmën e prindërve dhe familjarëve në vitin 2011 regjistron drejtimin Ekonomi/Biznes në Universitetin Westminster, Londër, të cilin e mbaron me sukses pikërisht pas 3 vjetëve studimi në mesin e 30 studentëve më të mirë.
Hasani shprehet se “ishte fat në fatkeqësi” sepse asnjëherë nuk e kishte menduar që rrugët e jetës do ta dërgonin pikërisht në Londër.
Në pyetjen se a është e përballueshme kosto e studimeve për plotë 3 vjet, Hasani është përgjigjur: “pa ndihmën e familjes nuk do t’ia dilja e vetme, mirëpo edhe kam punuar punë të ndryshme për t’i përballuar shpenzimet dhe kam jetuar jetë studentore, pa luks”.
Ndiqeni rrugëtimin e saj të plotë në linkun në vazhdim./koha.net/ KultPlus.com
Në ditën e tretë të qëndrimit të tyre në Prishtinë, arbëreshët e Italisë kanë bërë homazhe sot tek varri i presidentit Ibrahim Rugova. Bashkë më zëvendëskryeministrin Dardan Gashi ata janë pritur edhe në familjen e presidentit Rugova.
Ata janë
informuar për jetën dhe kontributin që presidenti i ndjerë ka dhënë për
pavarësinë e Kosovës.
Bashkëshortja e presidentit, Fana Rugova ka thënë se ata kanë lidhje të veçantë me arbëreshët dhe se janë të lumtur që po i presin në shtëpi.
Njëri nga arbëreshët tregoi se kishte marrë pjesë ne një interviste me Rugovën dhe se e mban mend atë si njeri paqësorë. Zëvendëskryministri i Kosovës Dardan Gashi, është zotuar se do vazhdoj të mbajë dhe fuqizoj lidhjet me arbëreshët e Italisë./ KultPlus.com
(Sprovë poetike e luftëtarëve për Heroin Salih Çekaj)
1 Bacë, Luft’tarët asgjâ nuk i ndan prej ândrrës tânde Siç nuk i ndan nga atdheu Nga majat e nalta me borë Të cilave sa ma nalt u ngjitemi Aq më shumë i afrohemi lirisë I afrohemi Zotit
2. T’gjitha na e kujtojnë Kosharen Netët e ftofta të dimnit 1998 Kur besojshim Fort besojshim e punojshim Për ata gurë kufini të mbulum me borë Kur kanë me u coptu grima grima E atë rrotullim kanë me e ndëgju T’part’ tanë Lê e dek Me mallin për Shqipni Me mallin për Kosovë
3. Mote t’ujkut ishin, kur N’emën t’lirisë N’emën t’Republikës Qysh kish thanë edhe Perëndija Paralajmëru prej teje Tri dekada ma herët Kur në pushtim Folshim -Kur të vijë një ditë paqja Athua kush kish me qenë Heroi ynë
E sot, Po t’kishim thanë: -Veteran, Je heroi ynë Na kishe qortu Me atë zânin e butë E burrninë e pjekun shumë herë Bâ na kishe me hesht Ose me fol për tjetër temë Si dikur Kur folshim me mall Kosove Me gotat e mbushuna mërzi
Tash që i je kthyer qiellit Tokës tanë i je kthye Maleve Na vjen me i râ kokës Qysh nuk ta përbim’ secilin mendim Secilën fjalë Atë mendimin e gjanë E trimninë e urtakut
Bacë, Na lejo me t’thanë sot e mot -Je heroi ynë Trimi që na frymëzon Trimi i vijave t’Republikës …30 vjet para
3. Mendjet dhe trimnitë Të gërshëtume me nji person t’vetëm Kombet i kanë pas t’rralla E ne i kishim gjatë shekujve Tuj e kërku lirinë
Secili shekull E frymëzonte tjetrin Ta nxojmë, prej Gjergjit Gjergj Kastriotit Abdyl Frashërit, edhe Hasan Prishtinës, Bedri Pejanit, edhe Marie Shllakut, Edhe n’fund Sali Çekajt Luftëtarit E mendjendritunit Dimension i burrit Uragan i prajshëm Atë trimin që i ka udhëheq të gjithë herojt’ Me amanetin e vetëm -Ruajeni lirinë./ KultPlus.com