Azem Shkreli, pena origjinale bashkëkohore

Azem Shkreli zë vend në krye të poezisë bashkohore shqipe. Me poezinë e tij, Shkreli përmes cilësisë së vargut, shënoi kthesën në rrjedhën e poezisë në Kosovë dhe Shqipëri, po ashtu. Tematika e gjerë e vargjeve shkreliane i këndoi heroit lirik, duke e subjektivizuar dhe solli një ndjesi të re, të mprehtë ndaj peshës së gjuhës e fjalës.

Furishëm, ai solli në poezinë e viteve pesëdhjetë këtë veçori, kur poezia ishte plot me patosin e euforisë kolektive.

Mos me t’dashtë ty është krim…

Nga Nezir Kraki

…ti je krejt çka ëndërron një mashkull me pasë. Je krejt çka kam ëndërru gjithë jetën të kem. E tash që t’kam, më duket se ende jam në ëndërr.

Je e përkryera e shëndrruar në femër.

Ti nuk e di çfarë force ke. Buzëqeshja jote, bukuria jote, freskia e syve tu, sharmi yt hyjnor, pafajësia jote, butësia jote, droja jote, janë të gjitha burime të pashterrshme lumturie. Janë burim i lumturisë sime sa herë gjendem pranë teje.

Nuk ka germa, fjalë e fjali që mund ta tregojnë atë që je ti, atë që unë shoh tek ti. Je thjesht më e bukur se çdo gjë që gjuhët mund ta përshkruajnë. Je heshtje që flet, je frymë që gjallëron trup e shpirt. Je më e thjeshta që njihet, më e veçanta që takohet, më e ëmbla që shijohet. Prandaj jam i paaftë ta sqaroj besnikërisht atë që je se, siç do thoshte poeti i madh francez René Char, si mund të tregohen gjërat e thjeshta pa u tradhëtuar?. Nuk dua ta tradhëtoj atë që je. 
***
S’kam shumë sqarime për këtë veç e di që ndjesitë e mia më të thella, më sekrete, më fisnike dhe më të rralla, kanë ardhë drejt teje dhe veç po rriten. Jam dorëzuar tashmë, s’mund t’i ndaloj më dhe as që turpërohem nga ky dorëzim. Në fakt, çuditem me veten time sepse kurrë s’kam besuar që mund t’ekzistojë një person aq i denjë, aq i thjeshtë e aq i plotë në këtë botë të vrazhdë dhe hipokrite.

Ti je ai person.

Ti nuk e di sa e rrallë je në këtë planet. Ti je sinonim i vlerave më të shtrenjta që njeriu duhet t’i ketë. Dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, je edhe sinonim i sharmit absolut që një femër mund ta rrezatojë me krejt pafajësinë e saj. Je kombinimi më i rrezikshëm i mundshëm por unë e dua rrezikun. E urrej jetën që shikohet. Vdes për momentin që jetohet.

Shpesh mendoj të të nervozoj me kast veç me e zbutë pak atë dozë të pamatshme sharmi me të cilin më pushton. Kam frikë nga vdekja e parakohshme edhe pse s’do kishte vdekje më të bukur se vdekja nga sharmi yt. 
Por s’e bëj dot. Nuk dua ta lëndoj atë buzëqeshje, ta trishtoj atë pafajësi. Dua të jem edhe unë burim lumturie për ty, ditë e natë. Atëherë, më lejo të jem regjisor i ëndrrave tua që të sigurohem se edhe mengjesin e nis me buzeqeshje.

M’lejo me t’dashtë dhe dije që…
T’du se je Ti.

Diplomati më i njohur i Serbisë, shqiptarët që i shkeli dhe njëri nga ta që ia “lëshoi”!

Nikolla Pashiqi kishte poste të larta në Serbi, përfshirë atë të kryeministrit, ndërsa edhe sot konsiderohet si politikani më i zgjuar dhe më i madh serb (me origjinë ishte vllah nga Tetova), shkruan Telegrafi.

Pashiqi, që ishte themelues i Partisë Radikale të Serbisë, një herë ishte pyetur se çfarë ishte politika për të. Ndërsa, përgjigja e tij ishte kjo: “Ti e di se çfarë është politika! Kjo është sikur kur duhet një fije kashte të ngrihet, e ajo e kap tërë Kuvendin Popullor thuajse është një tra. Dhe, kur nuk ka tra që të ngrihet, atëherë, e di ti, mbesim unë e Laza Paçu (ministër serb i Financave – v.j.) ta kryejnë punën”, ka thënë ai.

Është edhe një definicion tjetër, që e përmendin shqiptarët, që gjoja e ka thënë Pashiqi kur i biri i tij nuk “dinte” se çfarë është politika. Pashiqi atëherë pretendohet t’i ketë thotë: “Politika është kur dikush bëhet gati me ta ngul, e ti je ai që ia ngul i pari”!

Në kohën kur ai ishte kryeministër, ndodhin luftërat ballkanike dhe copëtimi i tokave shqiptare. Ai ishte në pushtet edhe kur kërcet Lufta e Parë Botërore. Dhe, është meritë e tij mbështetja që Serbia merr nga perëndimi për politikat ekspansioniste.

Ndër shqiptarët (pa fakte historike) përmendet se ishte veç një njeri që ia “nguli” Pashiqit, e ai ishte Ahmet Zogu. Për të Pashiqi kishte thënë, kështu diçka: “E mashtrova botën, e në fund ma lëshoi mjekrën një çoban i Shqipërisë”! /Telegrafi/

Muzikë me gjësendet e shtëpisë

Pas suksesit të papritur e marramendës me albumin “Dark Side of the Moon”, fama u shndërrua në problem për grupin Pink Floyd.

Duke menduar për albumin e radhës, muzikantët që eksperimentonin vite me radhë me tingujt e pazakontë, vendosën të bëjnë muzikë pa instrumente, por me mjetet që i ka çdo shtëpi.

Kështu nisi projekti “Household Objects” i grupit Pink Floyd. Për “instrumente” u përdorën gotat e verës, poçet elektrike, lapsat, gomat, gazetat, sharrat, çekanët, llastiqet.. Dhe, u realizuan temat “The Hard Way” dhe “Wine Glasses”. Kjo e dyta do të inkorporohet në pjesën e parë të këngës “Shine on You Crazy Diamond”, të albumit të radhës “Wish You Were Here”, sepse grupi heq dorë nga ky projekt jo veç i çuditshëm po edhe i vështirë. /Telegrafi/

https://www.youtube.com/watch?v=Qu3Jm03hsaY&feature=youtu.be

Epoka e realitetit virtual dhe inteligjencës artificiale: A do të mbesin aktorët pa punë!?

Në filma dhe në video-lojëra, kemi parë se çfarë mund të bëjnë “njerëzit digjitalë”. A jemi në prag të lindjes së yllit të parë virtual të botës së aktrimit?

Kur i sheh filmat hit, si “The Avengers”, është e vështirë t’i shpëtosh ndjenjës se gjërat që po i sheh janë pothuajse të tërat imazhe të krijuara nga kompjuteri – që nga efektet, skenografitë e krijesat fantastike. Ndërsa, nëse ka një gjë tek e cila mund të besosh se është 100 për qind e vërtetë, ata janë aktorët. Sot mund të kemi yje të muzikës virtuale, si Hatsune Miku, por ende jo një yll virtual të filmit.

Kjo ka të bëjë me realitetin trupor, por që nuk është më absolut. Kemi plot shembuj të asaj që është e mundur: Peter Cushing (ose imazhi i tij) që shfaqet në “Rogue One: Një Story Wars Story” më shumë se 20 vjet pas vdekjes së tij. Ose, Tupac Shakur duke interpretuar nga varri në festivalin “Coachella” më 2012.

Kemi një potencial tmerrësisht të madh të mashtrimeve – pamjet e manipuluara që mund të luajnë rol të rrezikshëm në fenomenin e lajmeve të rreme. P.sh. videoja e famshme e rreme nga Jordan Peele, që paraqet Barack Obaman, është shembull kryesor.

Por, a mundet teknologjia t’i bëjë të tepërt aktorët profesionistë?

Ashtu si shumica e shembujve të mësipërm, Tupacu virtual është njeri digjital dhe u prodhua nga kompania e efekteve speciale, “Digital Domain”. Teknologjia e tillë po bëhet gjithnjë e më e avancuar. Darren Hendler, një nga drejtorët e kompanisë, shpjegon se është si “protezë digjitale” – si një kostum që një njeri i vërtetë duhet ta vesh.

“Gjëja më e rëndësishme për krijimin e çfarëdo lloji të njeriut digjital është ta bësh atë të luajë. Dikush duhet të jetë pas tij”, shpjegon ai. “Në përgjithësi, dikush luan rolin e personit të vdekur. Dikush që do të studiojë tamam lëvizjet, grimasat dhe lëvizjet e trupit”.

Personat digjitalë dhe ata të transformuar në mënyrë digjitale, janë të zakonshëm në kinematë moderne. Shembujt e kohëve të fundit janë aktorët që rinohen, si Samuel L Jackson te “Captain Marvel” apo imazhi i Sean Young-ut në “Blade Runner 2049”. Ndërsa, të gjithë janë të vetëdijshëm për përdorimin e njerëzve digjitalë në çdo narrativë të video-lojërave moderne: aktorët që u japin karaktereve lëvizje të gjalla – faciale dhe trupore.

Hendler thekson se aftësia e interpretuesit do të ndërtojë ose shkatërrojë çdo njeri digjital, duke përdorur pak personin real e duke ia veshur atij lëkurën tjetër. Njerëzit virtualë, në anën tjetër, mund të veprojnë në mënyrë autonome, me të folurën dhe shprehjet që nxiten nga inteligjenca artificiale. Zhvillimi dhe përdorimi i tyre shpesh është i kufizuar në projektet kërkimore, prandaj nuk janë sa duhet të dukshëm për publikun. Por, ndoshta kjo së shpejti do të ndryshojë.

Fal financimit të Qeverisë së Britanisë së Madhe për Programin e Audiencës së Ardhshme, Teoria e Labirintit do të jetë zhvillimi kryesor në lojërat e realitetit virtual, bazuar në shfaqjet e BBC-së, “Peaky Blinders”. Sipas CEO-s Ian Hambleton, përdorimin i “karaktereve të inteligjencës artificiale, premton një përvojë të re”.

“Për shembull, nëse bëheni vërtetë agresiv para fytyrës së një karakteri, ata do të reagojnë dhe do të ndryshojnë jo vetëm atë që do të thonë, por edhe gjuhën e trupit të tyre e shprehjet e fytyrës”, thotë ai. “Një ‘kuti e zezë’ e inteligjencës artificiale në fund do të shtyjë para të gjitha shfaqjet”.

A mund të shohim një ditë njerëz digjitalë, estetikisht të bindshëm e të kombinuar me inteligjencën artificiale, që do të prodhojnë aktorë krejtësisht artificialë?

Kjo teorikisht mund të çojë në shfaqje pa pasë nevojë për aktorët njerëzorë. Aktori Yuri Lowenthal, puna e të cilit përfshin rolin kryesor në lojën “Spider-Man” në PS4, thotë: “Njerëzit tuaj të përditshëm nuk janë në biznesin ku vullnetarisht japin të dhënat si unë. Kur njerëzit regjistrojnë të gjitha të dhënat nga shfaqjet e mia, si dhe detajet e fytyrës e të zërit tim, si duket e ardhmja? Sa kohë do të duhet që të krijosh shfaqje nga asgjëja”?

“Kjo ende duket larg”, thotë Hendler. “Inteligjenca artificiale po rritet kaq shpejt sa është e vështirë ta parashikojmë… Do të thosha se brenda pesë apo dhjetë viteve të ardhshme, do t’i shohim gjërat që janë në gjendje të ndërtojnë versione gjysmë të besueshme të një sistemi të plotë të lëvizjes së fytyrës”.

“Zëri merret po ashtu parasysh”, thotë Arno Hartholt, drejtor i kërkimit dhe zhvillimit integrues në Institutin e Teknologjisë Kreative të Universitetit të Kalifornisë, “meqë nuk është e lehtë të krijosh në mënyrë artificiale një shfaqje të re nga pjesët e një fjalimi të aktorit të vërtetë”.

“Duhet ta bëni një si bibliotekë të shfaqjeve. Keni pra nevojë për shumë shembuj, jo vetëm për mënyrën sesi një zë tingëllon natyrshëm, por sesi tingëllon kur është i zemëruar? Ose ndoshta një kombinim i zemërimit dhe lëndimit, ose kur ka probleme me frymë, me ritmin…”, thotë ai.

Nuk është kjo punë e lehtë, siç nuk është mbledhja e një sasie të madhe të të dhënave ekzistuese të performancës sepse, siç thotë Hartholt, një varg karakteresh të luajtura nga i njëjti aktor nuk do të prodhojnë një grup të qëndrueshëm të të dhënave për të folur. Ndaj, puna e aktorit, të paktën tani është e sigurt.

Sidoqoftë, Hendler beson se avancimi i teknologjisë digjitale dhe virtuale do të bëhet më i dukshëm për publikun, madje në shtëpitë tona, brenda 10 viteve të ardhshme: “Mund ta keni një ekran të madh në mur dhe një asistent personal virtual me të cilin flisni dhe ndërveproheni: një njeri virtual që ka fytyrë dhe që lëviz rreth shtëpisë, me ju, në shtratin tënd, frigoriferin, sobën dhe lojërat që luani”.

Shumë nga këto gjëra mund të tingëllojnë çuditshëm, por elementet e saj ka kohë që po i shohim. /Telegrafi/

‘Në Fier, serbët dhurojnë libra për një shkollë serbe’

Një qytetar në Facebook ka shprehur pakënaqësinë e tij me një zhvillim të fundit në Shqipëri.

Daut Dauti me anë të një statusi ka shkruar kësisoj:

Shkollat serbe në Shqipëri?!

Këta, në këtë fotografi, janë serbë të cilët i kanë dhuruar libra një shkollës serbe në Fier! Merreni me mend, në Fier, ku nuk ka asnjë serb, ka shkollë serbe! Dhe, serbët e Serbisë organizojnë pajisjen e kësaj shkolle serbe me literaturë!

Me këtë rast ne patjetër duhet t’ia parashtrojmë një pyetje qeverisë në Tiranë: Si është e mundur që ju të lejoni shpërndarjen e materialeve në shkolla ku nuk ka serbë kur në të njejtën kohë juve nuk ju lejohet që t’a bëni të njejtën gjë në Serbi në disa dhjetëra shkolla ku ka vetëm shqiptarë?

PS
Kjo fotografi është marrë nga Facabook i njëfar Dimitrije Markoviqit (Димитрије Марковић) dhe nën fotografi është ky tekst:

Данас смо српској школи у албанском граду Фиеру уручили уџбенике и друга наставна средства, поклон Општине Чајетина и председника Милана Стаматовића

“Spider-Man Far From Home” debuton me një shumë marramendëse prej 185 milion dollarësh

Superheronjtë ishin përsëri aty që të shpëtojnë ditën, pasi që filmi “Spider-Man Far From Home” pati një shpërthim shumë të madh në biletari.

Aventura lehtë dominoi në Amerikën Veriore, me një debutim prej 185 milionë dollarësh në 4636 vende, ku u shfaq në gjashtë ditët e para në kinema.

Por edhe ky sukses, prej 93 milionë dollarësh në fundjavën hapëse, nuk mund të matet me suksesin e filmit të kaluar “Spider-Man: Homecoming”, të vitit 2017, i cili inkasoi një shumë prej 117 milionë dollarësh, shkruan KOHA Ditore.

Filmi ka vendosur disa rekorde, duke përfshirë shitjen më të madhe të biletave në një të martë (38 milionë dollarë), shitjen më të madhe të një filmi të Marvel në një të mërkurë (27 milionë dollarë) dhe shitjen e dytë më të madhe në 4 korrik (25 milionë dollarë). Po ashtu shënon hapjen më të madhe në gjashtë ditët e para për një film të Sony Pictures.

Image

“Spider-Man Far From Home”, që mbart një çmim prej 160 milionë dollarësh, është i vendosur pas ndodhive të “Avengers Endgame” dhe bën fjalë për Peter Parker, që luhet nga aktori anglez Tom Holland, i cili është në udhëtim me shkollën në Evropë. Në film paraqiten edhe karakteret Nick Fury (Samuel L. Jackson) dhe Mysterio (Jake Gyllenhaal). Po ashtu rikthehen Zendeya, Cobie Smulders, Jon Favreau dhe Marisa Tomei.

“HAPU” përmes lojës për eksplorimin e vetvetes dhe të shoqërisë

Festivali i cili hulumton hapësirat publike këtë vit do t’i kthejë ato në një fushë-lojë. Me temën “Hapu dhe luaj!” edicioni i pestë fton për të eksploruar dhe zbuluar vetveten, por edhe shoqërinë. “HAPU” për tetë ditë do të mbushë rrugët e kryeqytetit me performanca e aktivitete kulturore. Shtatë lokacione të ndryshme do të shndërrohen në hapësira për krijime artistike.

Mirëpo këtë vit përveç në kryeqytet, “HAPU” po e zgjeron fushë-lojën edhe në Fushë-Kosovë. Rruga “Dardania” dhe Stacioni i trenave në Fushë-Kosovë do të jenë dy lokacionet e reja të Festivalit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në anën tjetër, teatri “Oda”, “Shtatëmbëdhjetë”, dhe hapësirat si “NEWBORN” sheshet “Nënë Tereza”, “Skënderbeu”, “Zahir Pajaziti” e “Adem Jashari” do te jenë vendet të cilat do të shfrytëzohen këtë vit nga artistë vendorë dhe ndërkombëtarë. “Hapu” fillon në ditën e 11-të të këtij muaji.

“HAPU dhe luaj me ne, me artistët, me bashkëqytetarët”, është thirrja e sivjetshme e Festivalit. Kjo thirrje, sipas drejtorit artistik të Festivalit, Florent Mehmeti, nuk është vetëm për t’u argëtuar, mirëpo për të treguar se të luash nuk është luks.

Nëna e keqe

-nga Susan Griffin / Përktheu Shqiptar Oseku

Nëna e keqe zgjohet prej ëndërrash
jopërsosmërie duke tentuar të jetë e përsosur.
Gjithë natën ajo ka mbërthyer një tren
të rënduar nga furnizime
për në brendësi. E ka dështuar.
Fëmija që ajo adhuron
ka nisur shprehi të këqia, cigaret,
ndoshta edhe drogën. Ajo
i njeh gënjeshtrat. S’ma hedh dot
mua, kërkon t’i thotë,
nëna e keqe, gati të luajë
e të fitojë.
Por qengji që ka ikur –
foshnja e cila e ka
ngujuar – nuk dëgjon,
ajo i grah me tërë magjinë e vet
një tjetër rruge të errësirës ku
nis gjithë jeta.

Poezia “The Bad Mother” nga përmbledhja “Bending Home: Selected Poems 1967-1998”. Copper Canyon, 1988.

Restaurohet ikona “Krishti Pantokrator”, në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë

Restaurimet dhe mirëmbajtja e ikonave fetare, si pjesë e trashëgimisë kulturore e cila tregon dhe njëherë në sytë e turistëve se fetë në Shqipëri jetojnë në harmoni, po merr vëmendje çdo ditë e më shumë.

Institucionet përkatëse dhe specialistët për mirëmbajtjen e këtyre ikonave po bëjnë restaurimin e tyre për t’i bërë ato të denja për të treguar si vlerën, edhe historinë që ato mbartin.

Së fundmi ka filluar procesi i konsolidimit dhe restaurimit të ikonës “Krishti Pantokrator” në laboratorin e restaurimit të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë.

Ikona e shek. XVII me vlera të rralla artistike, ka qenë pjesë e ansamblit të ikonostasit të kishës “Shën Kristofori” në Polenë të Korçës.

Elementët stilistikë që dolën në pah pas restaurimit tregojnë se ikona duhet t’i përkasë shek. XVII. Ajo duhet të jetë punuar në një nga atelietë e rëndësishme të zonës së Korçës./Ata.gov.al

A mund ta shpëtojë Baltimore orkestrën e nivelit botëror?

Kur dhuna u përhap në krejt rrugët e Baltimores në vitin 2015 pas vdekjes së Freddie Grayt, një afro-amerikan që pësoi lëndime në boshtin kurrizor derisa po mbahej në arrest policor, muzikantët e Baltimores bën një veprim të jashtëzakonshëm duke mbajtur koncert në një stadium të boshatisur, për shkak se adhuruesve u ishte ndaluar hyrja sherri i shqetësimeve për sigurinë e tyre.

Orkestra Simfonike e Baltimores përçoi një mesazh ndryshe: Muzikantët u mblodhën në trotuar para sallës së koncerteve për të performuar vepra të Handelt, Bachut dhe Beethovenit para një audience prej qindra personash, që dëshironin një moment paqeje në kohën kur qyteti ishte mbërthyer e kurthuar nga frika e dhunës, shkruan “The New York Times”.

Muzikantët janë kthyer përsëri në të njëjtin trotuar. Më 17 qershor, menaxhmenti i orkestrës, duke cituar presionin e madh financiar, u shtrënguan t’i linin muzikantët pa paga. Ata madje i nxorën jashtë me qëllim që t’u bënin presion që të pajtoheshin me një kontratë që u garantonte më pak javë pune.

Dhe javën e kaluar pati tinguj daullesh, britma qytetarësh dhe sirena makinash që po shprehnin para sallës së koncerteve përkrahje për muzikantët që bashkuan qytetin në kohën më të vështirë të dekadave të fundit.

Dhe krejt këto veprime duken të njohura, por njëherësh ngrenë shumë dilema nëse do të mundë të mbijetojë kështu orkestra, pavarësisht se anëtarët e saj digjen që të shpëtojë institucioni i tyre. Orkestra simfonike e qytetit është parë gjithnjë si emblemë dhe shpresë që mishëron frymën kolektive dhe davarit të gjitha dallimet e mundshme të jetës së qytetit, madje i bashkon njerëzit edhe në kohë zie.

Themeluar më 1916 prej vetë qytetit, si degë e qeverisjes komunale, orkestra më vonë u organizua në linjë më tradicionale të institucioneve muzikore. Prej vitit 1982 luajti në sallën e simfonisë “Joseph Meyerhoff”, një ndërtesë në formë cilindrike me tulla jo fort larg Stacionit të Pennsylvanias, që ishte ndërtuar gjatë kohës ambicioze të zgjerimit të qytetit./Koha.net

Shtëpia me libra u ndihmon fëmijëve të lulëzojnë

Një fëmijë që rritet në një shtëpi me të pakten 80 libra do të jetë më i mirë me shkronja e numra kur të rritet. Një bibliotekë në shtëpi rrit shkathtësitë e fëmijës në lexim e matematikë më shumë se një bibliotekë shkolle. Të rritesh në një shtëpi ku çmohet dituria, çon në kërkim të diturisë gjatë gjithë jetës.

Mesatarja e numrit të librave në një shtëpi në SHBA është 114, sipas një studimi të quajtur “Kultura e dijes: si librat në fëmijëri i rrisin shkathtësitë për shkronja e numra dhe teknologji.” 114 është numër i mirë. Autorët e studimit kanë studiuar 160.000 të rritur mes viteve 2011-2015 dhe kanë gjetur se të pasurit 80 ose më shumë libra në shtëpi rezulton me nivele dukshëm më të larta të dijes në gjuhë, matematikë dhe teknologji. Studimi ka gjetur se “të rritesh në një shtëpi me bibliotekë t’i rritë shkathtësitë në këto fusha përtej përfitimeve nga edukimi prindëror ose shkollimi.”

Fëmijët e rritur në shtëpi të këtilla e që kanë kryer veç shkollë të mesme, kanë rezultuar po aq të aftë në këto fusha sa ata që kanë kryer fakultet e që janë rritur në shtëpi me shumë pak libra.

Pse të jetosh në një shtëpi me bibliotekë të ndihmon?

Studimi sugjeron se këtu ka dy faktorë. Së pari është ndikimi i rritjes në një mjedis shoqëror të dijes dhe të mësuarit, pasi “ekspozimi i adoleshentëve ndaj librave është një pjesë integrale e praktikave shoqërore që nxisin kompetencat afatgjata njohëse”. Së dyti, leximi shpesh ndihmon individët të zhvillojnë aftësitë e lidhura me të, dhe, siç thotë studimi, “Ekspozimi i hershëm ndaj librave në shtëpitë e prindërve është i rëndësishëm sepse librat janë pjesë integrale e rutinave dhe praktikave që rrisin kompetencat njohëse gjatë gjithë jetës”. Për më tepër, “Këto kompetenca lehtësojnë arritjen arsimore dhe profesionale, por ato gjithashtu hedhin themelet për aktivitete rutinë gjatë gjithë jetës që rrisin aftësitë për shkrim-leximin dhe matematikë”.

Konkluzionet e studimit duhet të jenë inkurajuese për familjet në mbarë botën që nuk janë në gjendje të ofrojnë arsim të lartë për fëmijët e tyre. Duke pasur libra në shtëpi mund t’u ndihmojë fëmijëve në aftësitë e leximit dhe të matematikës edhe pa shpenzimet për kohën në klasë.

Për ata që mund të dërgojnë fëmijët e tyre në universitet, studimi sugjeron që rritja e një fëmije në një atmosferë librash mund të jetë një parakusht për të përfituar më shumë nga arsimi i lartë dhe, sigurisht, i siguron fëmijës një shans edhe më të madh suksesi në jetë.

Burimi: weforum.org

Yll Limani lanson projektin e ri (VIDEO)

“Nuk po kalojka” është titulli i këngës më të re të Yll Limanit, të cilën e ka publikuar me videoklip.

Çifti i njohur, Armend Rexhepagiqi dhe Aida Baraku, qëndrojnë prapa kësaj kënge, të cilës ia kanë bërë muzikën, respektivisht e kanë shkruar tekstin.

Sa i përket produksionit dhe orkestrimit, është kujdesur Darko Dimitrov.

“Aida Baraku dhe Armend Rexhepagiqi, faleminderit për këtë këngë të shpirtit. Darko Dimitrov faleminderit për punën dhe durimin tënd”, ka shkruar Ylli në një postim në Instagram.

Për anën vizuale të këtij projekti është angazhuar produksioni Imagine Films. / KultPlus.com

Historia e Shefqet Kapetanit me Mbretin Zog

Mbreti shqiptar Ahmet Zogu, nga të katër vilat e tij në Shqipëri, më për qejf e kishte atë të Durrësit. Do ta ketë ndjellë magjia e detit, si kundërshti e ashpërsisë së bjeshkëve nga e kishte origjinën ai. Pak kohë para se Shqipëria të aneksohej nga Italia fashiste, pa e njoftuar Gardën, braktis vilën e zbret në plazh. Zogu nuk i shpëtoi syrit të oficerit kosovar, Shefqet Bylykbashi, me origjinë nga një familje fisnike nga Baica e Kolshit të Drenicës, i cili kishte mbaruar Akademinë Ushtarake në Romë, në drejtimin e Artilerisë në Romë.

Sipas studiuesit Bajram Mjeku, gjatë bisedës mbreti Zog i tha besnikut të tij: “Kam ba një gabim historik dhe shqiptarët s’do t’ma falin kurrë. Në vend se të lidheshim me Anglinë, gabuam e u lidhëm me Italinë”!

Më shumë se nga lajmësit e tij nga Roma, mbreti Zog kuptoi se ishin çastet e fundit kur Italia fashiste do ta okuponte Shqipërinë. Me një ushtri të armatosur dobët dhe të paorganizuar mirë, okupimi ishte i paevitueshëm.

Shefqet Kapetani në mesin e luftetarëve shqiptar

“Mbreti shqiptar sigurisht ishte në dijeni për idenë e Haxhi Zekës, që Shqipëria para se të pavarësohej, për njëzet vjet të mbetej nën protektorat anglez. Detajin e bisedës midis mbretit Zog dhe Shefqet Bylykbashit e dëshmon djali i tij, Fuat Bylykbashi”, thotë Mjeku. “Shefqet Bylykbashi gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte komandant i artilerisë në vijën kufitare Prapashticë- Preshevë, në mbrojtje të kufirit nga forcat serbe në kuadër të Regjimentit të Katërt të Ushtrisë Shqiptare, i cili komandohej nga Fuat Bej Dibra. Shefqet Bylykbashi, për të nderuar komandantin, e pagëzoi djalin e tij me emrin Fuat”.

Shefqet Kapetani me të vëllain Bajramin

Në Kosovë, Shefqet Bylykbashi njihet me nofkën Shefqet Kapetani. Një rrugë në Prishtinë mban emrin e tij. Në vitin 2010, me rastin e 100-vjetorit të lindjes, Presidenca e Kosovës, dekoroi major Shefqet Bylykbashin me urdhrin Medalja e Artë e Lirisë./ Telegrafi/ KultPlus.com

Berati prej 11 vjetësh një nga thesaret e trashëgimisë kulturore botërore

Data 8 korrik 2008 shënon një datë të veçantë për qytetin e Beratit dhe vlerave që ai përfaqëson. 11 vjet më parë në sesionin e 32 të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të mbajtur në Kanada, Berati u regjistrua si sit i Trashëgimisë Botërore.

Berati ka mbi 24 shekuj histori art dhe kulturë. Ai është një nga qytetet e rrallë që i takon agimit të njerëzimit. Berati ishte qytet kur Londra ishte fshat! Kështjella është monumenti i ndërtuar që në shek. e 4 para Krishtit.


Hyrja në UNESCO shënoi maksimumin e vlerësimit të vlerave duke i konfirmuar ato jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe ndërkombëtar.

Bërja pjesë në pasuritë botërore i dha mundësinë qytetit të promovohej si sit ndërkombëtar dhe të bëhej pjesë e guidave të ndryshme duke bëre që Berati të kthehet në destinacion turistik botëror.

“Prej 11 vjetësh qyteti i një mbi një dritareve është një nga thesaret e trashëgimisë kulturore botërore. Berati, në çdo rrugicë, një sekret..”, shprehet ministrja e Kulturës Elva Margariti. /atsh / KultPlus.com

Ismail Kadare ekskluzivisht për KultPlus: Nuk jam përzier asnjëherë në asnjë procedurë të çmimit “Kadare”

Çmimi letrar “Kadare” është një prej çmimeve më të mëdha letrare që ndahet çdo vit për një autor shqiptar. Ky është viti i pestë i krijimit të “Çmimit Kadare”. Në pesë vite më se 120 autorë kanë qenë pjesë e këtij konkursi, ndërsa janë botuar edhe vepra të rëndësishme të letërsisë bashkëkohore shqipe, vepra që kanë qenë fituese të këtij çmimi. Së fundi ka dalë që ky çmim të mos ketë përmbushur obligimet ndaj fituesve, përkatësisht ndaj Musa Ramadanit, për të cilën ka reaguar edhe vet Ismail Kadare. Në një intervistë ekskluzive për KultPlus, Ismail Kadare ka thënë se nëse nuk kryhen obligimet nga organizatorët, atëherë, mungon kryekëput serioziteti.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Së fundi është bërë publike që çmimi Kadare që ekziston tash e sa vite në Tiranë, nuk paska përmbushur obligimet ndaj shkrimtarit Musa Ramadani, i cili ishte fitues para dy viteve, e që sipas kritereve të çmimit do të duhej ti dorëzoheshin 10 mijë euro, si e pritët këtë lajm për këtë mospërmbushje, duke pas parasysh se ky çmim bartë emrin tuaj?

Ismail Kadare: Pavarësisht nga emri që mban ky çmim, mendoj se lajme të tilla nuk janë të gëzueshme për askënd.

KultPlus: Organizatorët e këtij çmimi, fillimisht kanë kërkuar aprovimin e juaj që ky çmim të bartë emrin tuaj?

Ismail Kadare: Kjo është e vërtetë përgjithësisht në raste të tilla. Me sa më kujtohet, kërkesa më është bërë, por pa u kushtëzuar nga asgjë. Mund t’ju them se nuk jam përzier asnjëherë në asnjë procedurë të tij, duke filluar nga zgjedhja e kandidaturës e gjer te çështjet financiare.

KultPlus: Po tashti, pasi po qarkullojnë këto lajme se ky çmim me emrin Kadare nuk po përmbushë obligimet, keni menduar që të kërkoni që të distancoheni nga ky emërtim?

Ismail Kadare: Të them të drejtën nuk arrij ta kuptoj këtë pyetje. Çfarë obligimi tjetër paska një çmim përveçse vlerësimit të veprës së autorit? Obligimi i jurisë dhe i entit që e jep çmimin, është që fituesi të shpërblehet me shumën e shpallur. Në qoftë se kjo nuk kryhet, mund të thuhet se mungon kryekëput serioziteti.

KultPlus: Tashmë mediet lajmëruan se obligimet nuk janë përmbushur ndaj Musa Ramadanit, keni ndonjë informatë se të njëjtën përvojë mund ta kenë pasur edhe fituesit e tjerë?

Ismail Kadare: Më vjen keq që ka ndodhur një gjë e tillë. Nuk kam informata që kjo ka ndodhur edhe me të tjerët. Gjithsesi kjo është tepër delikate dhe nuk duhet abuzuar kurrsesi, duke i detyruar autorët të kërkojnë atë se iu përket.

KultPlus: Pas këtij lajmi pat edhe reagime nga shkrimtarët e Kosovës, duke përfshirë edhe Jusuf Buxhovin, i cili ka thënë se ky është një nënçmim që Shqipëria, me emrin e Kadaresë, ia bën autorëve të Kosovës. Si ju duket ky gjykim?

Ismail Kadare: Lidhur me këtë rast të pakëndshëm që ka ndodhur me Musa Ramadanin, ai duhej të na brengoste të gjithëve. Dua të theksoj këtu se kjo nuk ka asnjë lidhje me ndonjë nënçmim të letrarëve të Kosovës. Ne e dimë fare mirë, dhe ju e dini po aq mirë sa ne, se botimi i shkrimtarëve të Kosovës në Shqipëri është pritur me shumë vëmendje dhe vlerësim. Unë vetë dhe kolegët e mi në Shqipëri kanë pasur dhe kanë lidhje miqësore me shumë autorë të Kosovës. Respekti dhe mirëkuptimi midis nesh ka qenë i ndërsjellët.

KultPlus: Nuk është hera e parë që shkrimtarët e Kosovës e kanë këtë përshtypje, që shkrimtarët dhe letërsia e Kosovës nuk vlerësohet mjaftueshëm në Shqipëri, si e mendoni këtë?

Ismail Kadare: Kjo është diçka që iu përket gjithë autorëve. Dhënia e çmimeve midis shkrimtarëve i shërben miqësisë dhe klimës letrare. Për mua ka qenë një kënaqësi marrja e çmimeve që mbajnë emrat e autorëve të Kosovës. Dua të përsëris edhe një herë se nuk kam ndërhyrë në asnjë rast për të ndikuar te juria. Për të dhënë një shembull, po ju them se zotin Musa Ramadani pata rastin ta njoh dhe të pija një kafe me të për herë të parë, pas shpalljes së çmimit./KultPlus.com

Në Tetovë përfundojnë xhirimet e filmit “Dasma e Anës”

Kanë përfunduar në Tetovë xhirimet e filmit “Dasma e Anës”, sipas skenarit të Haqif Mulliqi dhe me regji të regjisorit Sabidin Aliu.

“Dasma e Anës është një dramë tronditëse, e krijuar mbi një ngjarje të vërtetë që flet për një çift të ri që, për shkak të një sëmundjeje të rëndë, që e përcakton fatin e tyre, janë të detyruar që dashurinë e tyre ta kurorëzojnë me një dasmë si ngjarja e fundit në jetë. Filmi ngërthen në vete një romancë pasiononte dhe dramë me tone të fuqishme tragjike. “Ky është bashkëpunimi im i dytë me regjisorin tim shumë të preferuar të filmit, Sabidin Aliu, pasi që, para dy apo tre vjetësh, gjithashtu, jemi pikëtakuar në projektin “Përralla”, film që ka korrur suksese në shumë festivale ndërkombëtare. “Dasma e Anës” pasqyron një ngjarje të vërtetë për një çift që e kam njohur dhe është një tregim sa tragjik aq edhe motivues për njerëzit që dashurojnë me tërë qenien e tyre. Duke qenë se kam marrë pjesë në disa prej xhirimeve dhe se e kam shikuar pjesën më të madhe të materialeve, jam i bindur se filmi “Dasma e Anës” do të pëlqehet shumë nga publiku ynë dhe ai i huaji”, prononcoi për KultPlus skenaristi Mulliqi.

Ndërsa regjisori Sabidin Aliu, profesor në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Tetovës, shprehet me përplot entuziazëm për projektin. “Thënë të drejtën unë kam qenë i dashuruar që me leximin e parë në skenarin e profesor Mulliqit, dhe, më vjen shumë mirë që edhe juria e Agjenscionit të Filmit të Maqedonisë së veriut, skenarin e ka vlerësuar me pikë maksimale. Unë jam përpjekur që ta sajoj një kastë sa më të mirë të aktorëve, dhe pas provave në tavolinë kemi kaluar në sheshxhirime. Edhe aktorët e kanë plotësuar maksimalisht detyrën e tyre dhe na kanë lehtësuar në punë. Gjithashtu edhe pjesa tjetër e ekipit, e që është një ekip prej më të mirëve në Ballkan, ka kontribuuar që një tregim për një dashuri të këputur mes dy të rinjve ta shndërrojmë në fotografi lëvizëse. Jam i bindur se filmi do të komunikojë shumë, shumë mirë me publikun”, perfundoi regjisori Aliu.

Filmi është projekt i Shtëpisë Filmike “Vizion plus” nga Tetova e cila këtë film e ka realizuar në bashkëpunim me Fondin e Filmit të Maqedonisë së Veriut. Në rolet e tyre do të shfaqen aktorët: Afërdita Nuhiu, Sokol Monallari, Vullnet Ismani si dhe një grup i konsiderueshëm aktorësh të rinj që janë studentë të Fakultetit të Artit Dramatik të USHT-së. Drejtor i fotografisë është Albburon Mulliqi, ndërsa kostumografe Valentina Pajaziti. Këtyre ditëve materiali filmik do të dërgohet për montim dhe postproduksion në njërën prej produksioneve filmike të Shkupit i njohur dhe i respektuar për punë me sineastët e Kosovës në veçanti. Premiera e filmit “Dasma e Anës” pritet të mbahet në muajin shtator. KultPlus.com

Amerikanët kërcejnë për mrekulli valle popullore shqiptare (VIDEO)

Një video e cila po qarkullon në internet, shihen se si disa amerikanë kërcejnë valle popullore shqiptare.

Kjo ngjarje ka ndodhur në qytetin e bukur të Gjirokastrës.

Amerikanët, përpara se të kërcejnë, marrin udhëzime nga një shqiptare e cila është e veshur me veshje popullore shqiptare, për t’i pritur mysafirët nga Amerika. /GazetaExpress/ KultPlus.com

Shqiptarët bëhen bashkë, Eleni Foureira dhe Claydee sjellin këngën ‘Loquita’

Dy shqiptarët e famshëm në Greqi, janë bërë bashkë për herë të parë.

Claydee dhe Eleni Fouirera sollën me videoklipin këngën me titull “Loquita”.

Muzikën e ka bërë Claydee dhe Ted Economou ndërkaq tekstin e kanë shkruar Claydee, Eleni, Emy Perez dhe Berto Lazaropoulos.

Eleni njihet në Evropë, sidomos pas suksesit që ka pasur kur ka prezentuar Greqinë në Eurovision gjatë vititi të kaluar, ku ka marrë vendin e dytë.

Ndërsa Claydee njihet për hitet e shumta që janë dëgjuar në mbarë Evropën./KultPlus.com

Piktura që Frida e punoi pas divorcit me Diego Rivera, frymëzuese dhe e veçantë


Kjo pikturë u punua nga Frida pak pas divorcit të saj me Diego Rivera. 
Ky portret tregon dy personalitete të ndryshme të Fridës. 

Njëra është kostumet tradicionale Frida në Tehuana, me një zemër të thyer, të ulur pranë një Fride të pavarur dhe të veshur me moderne. Në qumështoren e saj, ajo shkroi për këtë pikturë dhe tha se kishte origjinën nga kujtesa e saj për një mik imagjinar të fëmijërisë. Mirëpo më vonë ajo pranoi se ajo shprehu dëshpërimin dhe vetminë e saj pas ndarjen nga Diego.

Në këtë pikturë, të dy Fridat po mbajnë duart. Ato të dyja kanë zemra të dukshme, zemra e Fridës tradicionale është prerë dhe hapur. Arteria kryesore, e cila vjen nga zemra e shqyer poshtë në dorën e djathtë të Fridës tradicionale, është prerë nga mbajtëset kirurgjike të mbajtura në prehër të Fridës tradicionale. 

Gjaku rrjedh mbi veshjen e saj të bardhë dhe ajo është në rrezik të gjakderdhjes deri në vdekje. Qielli i stuhishëm i mbushur me retë të trazuara mund të reflektojë trazirat e brendshme të Fridës.

Në 1947, kjo pikturë u ble nga Instituti Kombëtar i Institutit të Arteve të Bukura në Mexico City. Çmimi i blerjes ishte 4.000 pesos (rreth 1.000 dollarë) në atë kohë dhe 36 pesos shtesë për kornizën. Ky ishte çmimi më i lartë që Frida ishte paguar ndonjëherë për një pikturë gjatë jetës së saj. / KultPlus.com

Ndahen çmimet për Artet Pamore “Muslim Mulliqi”

Sot, në ambientet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporti, u mbajt ceremonia e çmimeve vjetore për Arte Pamore ‘Muslim Mulliqi’, shkruan KultPlus.

Kabineti i Ministrisë së Kulturës, në krye me Kujtim Gashin, pas prezantimit të jurisë filloi me ndarjen e çmimeve. Çmimi kombëtar për veprimtari jetësore iu nda profesorit të ndjerë, Agim Çavdarbasha, ndërsa çmimi për kontribut vjetor shkoi për Agim Salihun.

Ministri Kujtim Gashi, me rastin e ndarjes së çmimit për arte pamore Muslim Mulliqi  u shpreh që “Një falënderim i jashtëzakonshëm për jurinë, që ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe, në përzgjedhjen e tyre për ndarjen e çmimeve, që është më e qëlluara deri më tani, veçanërisht për çmimin për veprimtari jetësore, që iu është ndarë Agim Çavdarbashas”, që shtoi më tej se “është figura më e madhe në vendin tonë në artet pamore, dhe më plotë meritë i jepet ky çmim”.

Nga juria është thënë se, “ndarja e çmimit Muslim Mulliqi është vlerësuar përgjegjësi për të veçuar një prej shumë artistëve, të cilët e meritojnë këtë çmim, dhe në mes të shumë kandidatëve serioz, juria e përzgjedh piktorin e gjeneratës së parë, Agim Çavdarbashan. Dhe për çmimin vjetor, Juria ka vendosur për piktorin Agim Salihun, ku si artisti i gjeneratës së mesme, Agim Salihu vlerësohet si një ndër artistët më të rëndësishëm të artit pamor kosovar”.

Çmimin për vepër jetësore të skulptorit Agim Çavdarbasha e pranoi bashkëshortja e tij Sabahate Çavdarbsha, ku edhe u shpreh e gëzuar që më në fund një çmim i tillë e nderon veprën jetësore të Çavdarbashës, dhe bën thirrje që të vizitohet muzeu Çavdarbasha, për t’u parë puna e piktorit, dhe të i jepet vëmendja e merituar artit të tij.

Sabahate Çavdarbasha, përfaqësuesja e fondacionit Agim Çavdarbasha, në fjalën e saj për ndarjen e çmimit kombëtar për kontribut jetësor, u shpreh “Çavdarbasha nuk është një artist vetëm i përmasave tona, por që ka ndikim mbarë kombëtar dhe më gjerë. Besoj dhe shpresojë në bashkëpunimin mes Ministrisë së Kulturës dhe artistëve, ku si institucion do ta kenë kujdesin e të gjithë artistët dhe për trashëgiminë kulturore”.

Çmimi vjetor Muslim Mulliqi i takoj piktorit Agim Salihut, ku me këtë rast, u shpreh “ Çmimi ka një vlerë shumë të madhe për mua, për vetë faktin që shteti e ndëron artistin, dhe në këtë nderim artisti ka emocion, dhe çdo sakrificë e tij, harrohet.”./KultPlus.com

Gjithçka, gjithçka që kisha

Karin Boye
Përktheu Qerim Raqi

Gjithçka, gjithçka që posedoja

e jotja ishte më shumë se imja

çdo gjë të bukur që dëshiroja

e jotja ishte, e jotja, e jotja

Me zë të lartë me ty flisja

sa ashkush në botë s’e di

Në rrugët e pafund

ti më ishe imja vetmi

Natën kur rrija zgjuar

dhe nuk mendoja asgjë

merrja frymë, ty të ndjeja, ty

Ti më ishe çdo gjë

E pajetë është jeta

kur ty më s’ të kamë

Bota një gëzhojë e madhe

pa bërthamë.

Restaurohet ikona “Krishti Pantokrator”

Restaurimet dhe mirëmbajtja e ikonave fetare, si pjesë e trashëgimisë kulturore e cila tregon dhe njëherë në sytë e turistëve se fetë në Shqipëri jetojnë në harmoni, po merr vëmendje çdo ditë e më shumë.

Institucionet përkatëse dhe specialistët për mirëmbajtjen e këtyre ikonave po bëjnë restaurimin e tyre për t’i bërë ato të denja për të treguar si vlerën, edhe historinë që ato mbartin.

Së fundmi ka filluar procesi i konsolidimit dhe restaurimit të ikonës “Krishti Pantokrator” në laboratorin e restaurimit të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë.

Ikona e shek. XVII me vlera të rralla artistike, ka qenë pjesë e ansamblit të ikonostasit të kishës “Shën Kristofori” në Polenë të Korçës.

Elementët stilistikë që dolën në pah pas restaurimit tregojnë se ikona duhet t’i përkasë shek. XVII. Ajo duhet të jetë punuar në një nga atelietë e rëndësishme të zonës së Korçës./ATSH/KultPlus.com