Albin Kurti, politikan i njohur dhe aktivist i dëshmuar, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, do të jetë mysafir i KultPlus Caffe Gallery, të premten me datë 17 janar 2020, prej orës 19:00.
Albin Kurti lindi më 24 mars 1975 në Prishtinë. Kurti ishte edhe anëtar i Këshillit Organizativ të Protestave Paqësore dhe të pa dhunshme studentore për lirimin e objekteve universitare të uzurpuara me dhunë nga regjimi i Milosheviçit. Ai ishte njëri ndër udhëheqësit e protestës historike studentore më 1 tetor 1997 e cila u shtyp brutalisht nga policia e Milosheviçit.
Në KultPlus Caffe Gallery, me Albin Kurtin do të flasim mbi kulturën dhe trajtimin që spektri politik në Kosovë në këto dy dekada të pasluftës i ka bërë kësaj fushe të zhvillimit të vendit. Diskutimi do të fokusohet edhe në artin dhe kulturën në programet e partive politike në Kosovë, si dhe në seriozitetin që këto subjekte politike e tregojnë me komunitetin artistik në Kosovë.
Në këtë bashkëbisedim me redaktorin e KultPlus – Arbër Selmanin, do të jenë edhe Saranda Bogujevci dhe Yll Rugova.
KultPlus Caffe Gallery ju fton në këtë ngjarje, e hapur për komunitetin artistik në Kosovë, një tjetër tentim i gazetës online për art dhe kulturë KultPlus për të inicuar debate konstruktive dhe të artikuluara mbi skenën e artit dhe kulturës në vend.
”Vite ma përpara, aty nga viti 1993, më patën ra në dorë do albume të vjetra fotografish nga Polonia…dhe aty më pat qillue me pa fotot e tyne për herë të parë…ajo që më bani me shtangë nga habia ishte veshja e tyne me tirqe”, shkruan Ilir Seci përmes rrjetit social.
Ngjashmëni e pagabueshme, tirqit e bardhë me gajtana të zi në dy anet, forma identike, deri edhe zbukurimet e njajta në dy anët e xhepave. Albumi ishte polonisht, nji gjuhe që nuk e njihja dhe me të parin rast që mu dha, e dveta Profesorin e madh Ramadan Sokoli rreth këtyne fotove… Profesori qeshi e me tha : -“Ah paske pa fotot e Goraleve, malësoreve të Polonisë dhe Sllovakisë, ata jetojnë në zonën kufitare mes këtyne dy shteteve… Janë ilirët tanë që mbetën si punë xhepash etnike në ato male derisa u sllavizuan gradualisht, por që me fanatizëm kanë ruejtë veshjen si dhe etnopsikozen e tyne para-sllave. Shekujt e influencës sllave kanë ba punën e vet por veshja dhe doket e tyne dëshmojnë qëndresën e tyne ndaj sllavizimit. Kanë shumë doke të ngjashme me ne, sidomos vallet e tyne janë kopje e valleve malësore tonat.”
Profja më habiti ma shume e ma shtoi kureshtjen…
Në vitin 2001 erdha në SHBA dhe puna e parë qe bana ishte me punue në një fabrikë ashensorash në Bronx, ngjitë me Stadiumin e skuadrës së famshme të bejsbollit “Yankee”, në krah temin qilluen disa polake punëtore të vjetër aty. Si e kanë zakon ata që kanë shumë kohë në një vend pune, njani prej tyne kishte vendosë nje kalendar nga vendlindja…ishte kaledari me foto te Goraleve, tana fotot ishin nga ajo krahinë malësore e Polonisë. Punëtori i vjeter që kishte vendosë kalendarin aty ishte Goral. Për nji vit që punova aty pata kohë me e pyetë ngeshëm shokun e punës Goral, ai për fat qilloi kuvendtar e më përgjigjej pa përtue aspak.
-“Na nuk jemi njisoj me polakët e tjerë” – më pat thanë Goralsi, – “Na kemi qenë aty kur erdhën këto fiset që krijuen Poloninë, sllavët erdhën me valë e ishin shumë, na mos me u perzie me ta mësyme Malet ku gjetëm strehe e mbojtje.”
Ajo që më tha ky zotnia në punë, si vendas nga zona e Malësorëve Gorale, më bani me iu futë nji kërkimi të palodhun rreth tyne, anglishten e njihja e iu hyna bibliotekave me rradhë. Ndër gjanat e para që mësova mbi Goralët ishin dy :
-Njëna ishte se antropologu ma i madh i botës Carleton S. Coon nga matjet e kafkave dhe përmasat trupore nuk i klasifikonte Goralët te Sllavët dhe e dyta ishte se Goralët ishin pa me sy të keq nga polakët sepse mbas pushtimit të Polonisë dhe Sllovakisë nga nazistët gjermanë, Goralëve iu ishte ba nji tjetër trajtim nga nazistët sepse nazistet nuk i kishin konsiderue sllavë Goralët. Goralët e shkretë për veti as ishin përfshi në fushata naziste as kishin ndërmarrë ndonjë sulm ndaj bashkëvendasve, por gjithsesi polakët ishin mbushë inat pse gjermanët nuk i kishin masakrue edhe ata njisoj…
Nga leximet mësova se ata jetonin kryesisht në Beskidet e famshme…Pse janë të famshme Beskidet? Profesor Çabej emnin e Maleve “Beskide” e ka shpjegue nga emni “Bjeshkë” dhe kjo teori ka marrë konsideratën dhe respektin e autoriteteve të etimologjisë kudo në botë.
Normalisht që sllavët do e kundërshtojnë këtë gja si kanë kundërshtue çdo gja tjetër, por vetëm sa e shtyjë pranimin e kësaj të vërtete sepse deri më sot nuk kanë arritë me gjetë tjetër shpjegim për atë emën…Gjuhëtarët normalë dhe ata neutralë sot e pranojnë botnisht : “Origjina e emrit “Beskydy” nuk asht vërtetue përfundimisht. Ashtë sugjerue nji origjinë Thrakiane ose Ilire, (për citim të nevojshëm), megjithatë, asnjë teori nuk ka mbështetje të shumicës midis gjuhëtarëve. Fjala shfaqet në emna të shumtë malesh në të gjithë Karpatet dhe trevat fqinje të Ballkanit, si në Bjeshkën Shqiptare. Emni Sllovake “Beskydy” i referohet Maleve Polake Bieszczady, e cila nuk asht një sinonim për të tanë Beskids, por një gamë e vetme, që i përkasin Beskids Lindore. Sipas një teorie tjetër gjuhësore, ajo mund të jetë e lidhur me gjermanishten e Mesme të ulët gjermane, “beskēt”, që do të thotë “ujëmbledhës”. Historikisht, termi asht përdore për qindra vjet për me përshkrue vargmalin që ndan Mbretninë e vjetër të Hungarisë nga Mbretëria e vjetër e Polonisë. Në 1269, Beskidët njiheshin me emrin Latinisht “Beschad Alpes Poloniae” (përkthehet si: Malet Beskid të Polonisë)” –
Kuptohet që famëkeqja “Korrektëse Politike” ka me ushtrue presionin e vet edhe mbi këtë çashtje, si e ka ushtrue mbi tana çashtjet e tjera të kësaj natyre por tanë faktet flasin kjartë – Goralët nuk jane Sllavë…Emnin “Gorale” – shqip – “Malësorë” ua kanë dhanë polakët që u banë shumicë mbasi morën vendin, por kjo s’do me thanë që janë domosdoshmenisht sllavë…
-“A ka me u marrë kush ndonjiherë si duhet me këtë çashtje?” – kjo asht pyetja e duhun…Sepse ky subjekt meriton studim te fellë e meritor kur kemi parasysh se tek doket e zakonet e këtyne malësorëve beskidë, te instrumentet e tyne muzikore, janë konserveu disa nga elemetet ma të lashta iliro-trake, si Fustanella dhe Gajdja, (Bagpipe), që i kena vetëm na..
Megi Doçi është shpallur shënuesja më e mirë në botë për vitin 2019, transmeton KultPlus.
Duket se viti 2020 ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme për futbollisten e Vllaznisë dhe të Kombëtares Kuqezi të topkëmbës së vajzave, Medi Doçi.
Është e ditur se për të dytin vit radhazi ajo është renditur si golashënuesja më e mirë në botë.
Ajo ka shënuar plot 85 gola, më shumë se kushdo tjetër në rruzullin tokësor dhe për rrjedhojë, ka merituar për të dytin vit me radhë titullin simbolik të “golashënueses më të mirë në botë” edhe për vitin 2019, duke përsëritur kësisoj suksesin e një viti më parë.
Duhet theksuar se shoqëria spanjolle “Futebol Feminino Alternativo” ka qenë ajo që për të katërtin vit radhazi organizon një studim të tillë për futbollin e femrave duke analizuar më shumë se 60 kampionate nga e mbarë bota dhe duke bërë një renditje të shënueseve më të mira.
Doçi ka lënë në vendin e dytë me vetëm një gol më pak, futbollisten e Barcelonës Kristina Freda, ndërkohë që në vendin e tretë është e renditur futbollistja e Apolonisë Kesjana Goro me 71 gola.
Padyshim që ky është një sukses i jashtëzakonshëm për futbollisten e Vllaznisë dhe të kombëtares shqiptare, sepse të renditesh dy vite radhazi golashënuesja më e mirë në botë, padyshim që është një vlerësim shumë i madh, por ky ka ardhur falë golave dhe paraqitjeve të shkëlqyera që ka bërë.
Ndërkohë, edhe prania e Goros në 10-shen e të parave të botës është një fakt pozitiv për Kampionatin Kombëtar të Futbollit për Femra, që duhet theksuar se ka njohur rritje./albinfo/ KultPlus.com
Sot përkujtohet 89-vjetori i ndarjes nga jeta të atdhetarit të shquar Mihal Grameno (1871- 1931). Mihal Grameno është një ndër figurat e atdhetarizmit shqiptar, publicist, shkrimtar dhe veprimtar i lëvizjes patriotike e demokratike.
Mihal Grameno lindi në Janar të vitit 1871 në Korçë. Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes. Në moshë të re emigroi në Bukuresht të Rumanisë, ku u lidh me shoqërinë patriotike shqiptare “Drita”, njoftoi Muzeu Kombëtar.
Në vitet 1907-1908 iu bashkua çetës së Çerçiz Topullit dhe së bashku me luftëtarët e çetës kombëtare luftuan në Shqipërinë e Jugut për çlirimin kombëtar. Në vitin 1909 mori pjesë në Kongresin e Manastirit.
Gjatë viteve 1915-1919 jetoi në Amerikë, punoi për lëvizjen e atdhetarëve shqiptarë të atjeshëm. Më pas vazhdoi veprimtarinë si publicist duke mbrojtur idealet demokratike.L
Mihal Grameno është një ndër novelistët e parë të letërsisë sonë. Kështu përmendim novelat e tij “Oxhaku” (1909), “E puthura” dhe “Varri i Pagëzimit”.
Ai shkroi dy veprat: komedinë “Mallkimi i gjuhës shqipe” (1905) dhe dramën historike “Vdekja e Pirros” (1906), të cilat trajtojnë tema patriotike. Gjithashtu, Mihal Grameno drejtoi gazetat “Lidhja orthodhokse” (1909-1910) dhe “Koha” (1911-1926). Vdiq në Korçë më 1931. / KultPlus.com
Akademia e Arteve dhe Shkencave në Shtetet e Bashkuara ka bërë të ditura nominimet e filmave në 24 kategori për çmimet Oscar, për të nderuar përkushtimin e bërë në fushën e filmit më 2019. Në kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar në garë është edhe filmi maqedonas “Honeyland”.
Ky film i cili po pretendon çmimin
Oscar, në vete thur një histori që sillet rreth shqiptarëve e turqve, ku flet për
dy gra të cilat jetojnë në një shtëpi guri, pa energji elektrike dhe pa ujë,
por që kujdesen butësisht për bletët.
Ato tregojnë se si kanë mbet të vetme në këtë fshat, pasi që fshati është braktisur nga shqiptarët dhe turqit, që kanë jetuar më herët në këtë pjesë. Në këtë film janë përfshirë Hatixhe dhe Nazife Muratova, të cilat edhe kanë ndarë momentet e tyre.
Kujtojmë se filmi Joker është nominuar në 11 kategori, duke përfshirë atë për filmin më të mirë, aktorin më të mirë dhe për tetë çmime tjera. Tre filmat tjerë: The Irishman, 1917 dhe Once Upon a Time… in Hollywood, kanë secili nga 10 nominime. Në kategorinë për filmin më të mirë janë nominuar projektet: Ford v. Ferrari, The Irishman, Jojo Rabbit, Joker, Little Women, Marriage Story, 1917, Once Upon a Time … in Hollywood dhe Parasite. Në kategorinë e aktorit më të mirë janë nominuar: Antonio Banderas, për rolin e tij në filmin, Pain and Glory, Leonardo DiCaprio, për rolin në filmin, Once Upon a Time … in Hollywood, më pas Adam Driver në filmin, Marriage Story, Jonathan Pryce, në filmin, The Two Popes, dhe Joaquin Phoenix për rolin që ka në filmin, Joker. Për rolin e aktores më të mirë, në garë për të fituar Oscar janë: Kathy Bates për rolin në filmin, Richard Jewell, Laura Dern në Marriage Story, Scarlett Johansson në filmin, Jojo Rabbit, Florence Pugh për rolin që ka në filmin, Little Women, dhe Margot Robbie, për rolin e saj në filmin, Bombshell. Në kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar në garë janë filmat: Corpus Christi, Honeyland, Les Miserables, Pain and Glory dhe Parasite. Edhe këtë vit, sikurse në të kaluarin, çmimet do të ndahen nga aktorët, pasi nuk do të ketë nikoqir. Ceremonia e 92-të e ndarjes së këtyre çmimeve do të mbahet më 9 shkurt në Llos Angjelles në Teatrin Dolby. Kanali televiziv, ABC do ta transmetojë këtë ngjarje, e cila vitin e kaluar është ndjekur nga 29.6 milionë persona/REL / KulPlus.com
Akademia e Arteve dhe Shkencave në Shtetet e Bashkuara ka bërë të ditura nominimet e filmave në 24 kategori për çmimet Oscar, për të nderuar përkushtimin e bërë në fushën e filmit më 2019.
Filmi Joker është nominuar në 11 kategori, duke përfshirë atë për filmin më të mirë, aktorin më të mirë dhe për tetë çmime tjera.
Tre filmat tjerë: The Irishman, 1917 dhe Once Upon a Time… in Hollywood, kanë secili nga 10 nominime.
Në kategorinë për filmin më të mirë janë nominuar projektet: Ford v. Ferrari, The Irishman, Jojo Rabbit, Joker, Little Women, Marriage Story, 1917, Once Upon a Time … in Hollywood dhe Parasite.
Në kategorinë e aktorit më të mirë janë nominuar: Antonio Banderas, për rolin e tij në filmin, Pain and Glory, Leonardo DiCaprio, për rolin në filmin, Once Upon a Time … in Hollywood, më pas Adam Driver në filmin, Marriage Story, Jonathan Pryce, në filmin, The Two Popes, dhe Joaquin Phoenix për rolin që ka në filmin, Joker.
Për rolin e aktores më të mirë, në garë për të fituar Oscar janë: Kathy Bates për rolin në filmin, Richard Jewell, Laura Dern në Marriage Story, Scarlett Johansson në filmin, Jojo Rabbit, Florence Pugh për rolin që ka në filmin, Little Women, dhe Margot Robbie, për rolin e saj në filmin, Bombshell.
Në kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar në garë janë filmat: Corpus Christi, Honeyland, Les Miserables, Pain and Glory dhe Parasite.
Edhe këtë vit, sikurse në të kaluarin, çmimet do të ndahen nga aktorët, pasi nuk do të ketë nikoqir.
Ceremonia e 92-të e ndarjes së këtyre çmimeve do të mbahet më 9 shkurt në Llos Angjelles në Teatrin Dolby.
Kanali televiziv, ABC do ta transmetojë këtë ngjarje, e cila vitin e kaluar është ndjekur nga 29.6 milionë persona/REL / KulPlus.com
Në vitin 1964, Jean-Paul Sartre u nderua me Çmimin Nobel në letërsi, për punën e tij plot ide të mbushur me frymën e lirisë në kërkim të së vërtetës, duke ushtruar ndikim shumë të gjerë në epokën tonë. Shumë njerëz u çuditën, kur Sartri e refuzoi çmimin, duke thënë se ai gjithmonë i ka mohuar nderimet zyrtare dhe se një shkrimtar nuk duhet ta lejojë veten që të shndërrohet në institucion.
Ne po ju sjellim disa nga aforizmat më të famshëm që sot e kësaj dite janë aktuale. – Jeta nuk ka kuptim në momentin që ju humbisni iluzionin e të qenit të përjetshëm. – Çdo gjë, çdo gjë do të ishte më mirë se agonia e mendjes, kjo dhimbje që të gërryen, por që nuk dhemb kurrë mjaftueshëm.– Ferri janë njerëzit e tjerë. – Ne nuk dimë çfarë duam dhe përsëri jemi përgjegjës për atë që jemi. – Çdo gjë është zbuluar përveç faktit se si jetojmë. – Çdo gjë që ekziston është lindur pa arsye, përzgjatet në gjendje të dobët dhe vdes rastësisht. -Ne duhet të zbulojmë pasionin tonë përpara se ta ndjejmë atë. – Zoti është mungesa. Zoti është vetmia e njeriut. – Njeriu është një pasion i kotë. – Njeriu është i dënuar për të qenë i lirë, sepse sapo hidhet në botë, ai është përgjegjës për çdo gjë bën. – Fjalët janë pistoleta të mbushura. /KultPlus.com
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka reaguar ndaj shqetësimeve të ngritura për ndërtimet te Liqeni i Badovcit. MMPH’ja thotë se nuk ka kompetenca të lëshojë leje ndërtimore, po ashtu thekson se nuk është dhënë pëlqimi për ndërtim në atë zonë e cila është e mbrojtur.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka njoftuar se as kompanitë ndërtimore e as pronari i tokës nuk kanë aplikuar për Pëlqim Mjedisor.
“MMPH nuk ka kompetenca që në këtë rast të lëshoj leje ndërtimore. Gjithashtu në bazë të gjitha të dhënave që kemi në MMPH, ju sigurojmë se as kompanitë në fjalë dhe as pronari i tokës, nuk ka aplikuar dhe nuk është pajisur me Pëlqim Mjedisor nga MMPH-ja”, bën të ditur MMPH’ja.
Ministria e Mjedisit thekson se çfarëdo zhvilli,i i planifikuar në afërsi të Liqenit të Badovcut duhet të jetë në përputhje me legjislacionin dhe kriteret e parapara.
Po ashtu, bëhet e ditur se vetëm pas nënshtrimit të procedurave ligjore, mund të konstatohet se a mund të realizohet ndonjë projekt në atë zonë.
“Sipas kompetencave tona si ministri, përveç pjesës së Planifikimit Hapësinor ne gjithashtu jemi përgjegjës edhe për zonat e mbrojtura dhe në rastin konkret, Zonën e Mbrojtur Ujore të Liqenit të Badovcit, sipas Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Nr. 16/127 të datës 24.04.2013”, thekson MMPH’ja.
MMPH’ja bën të ditur se ka dërguar një shkresë për të kërkuar informata nga Komuna së Prishtinës.
“Dëshiroj të ju siguroj juve dhe të gjithë qytetarët e vendit se inspektorati i MMPH-së dhe Departamentet tjera përgjegjëse brenda MMPH-së do të jetë aktive në këtë çështje dhe do të kujdesen që të mos ndodhë asnjë veprim i cili mund ta cenoj zonën e mbrojtur të Liqenit te Badovcit dhe kualitetin e ujit nga kushdo qoftë”, thekson MMPH’ja.
Përmes një njoftimi KP’ja ka bërë të ditur se kompania nuk ka aplikuar për leje, vetëm për kushtet ndërtimore.
“Kompania në fjalë nuk ka leje ndërtimi dhe ende nuk ka aplikuar për leje ndërtimi. Kompania në fjalë ka aplikuar për kushte ndërtimore të cilat i paraprijnë aplikimit për leje. Në këtë procedurë është qe disa vite. Në Kushtet Ndërtimore i thuhet se para se të aplikojë për leje në Komunën e Prishtinës, duhet të aplikojë për pëlqimin për vlerësimin mjedisor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të cilën ende nuk e ka bërë”, theksohet në njoftim./GazetaExpress/ KultPlus.com
Uilliam Xhejms është i mirënjohur për punën e tij mbi filozofinë e fesë dhe atë të pragmatizmit, duke kërkuar të zbulojë sesi duhet të veprojë dikush, kur nuk ka njohuri të së vërtetës përfundimtare.Xhejms ishte njëri ndër mendimarët kryesorë të fundshekullit XIX-të dhe nga shumë konsiderohet si filozofi amerikan më me ndikim.
Libri i tij “Parimet e psikologjisë” ndihmoi për një transformim rrënjësor të mënyrave se si mund të konceptoheshin dhe interpretoheshin dukuritë psikologjike gjatë shekullit të 20-të.
Xhejms mendoi që të shkruajë librin “Parimet e psikologjisë” për dy vjet, por në fakt, koha e shkrimit të librit i kushtoi rreth 12 vjet. Karriera e tij profesionale, pas botimit të librit, ishte në rritje dhe Xhejms mori titullin “Profesor” në filozofi më 1895 dhe katër vjet më vonë edhe titullin “Profesor” në psikologji. Libri “Parimet e psikologjisë” pati sukses, sepse edhe gjuha e përdorur ishte mjaft e përpunuar dhe e qartë për publikun. Megjithatë, disa kritikë e quajtën këtë libër me epitetin jo sistematik. Ky epitet erdhi nga fakti se, ndonjëherë, Xhejms nuk ndiqte në libër rregullin e përshkrimit konvencional të çështjeve të paraqitura.
Disa nga parimet e psikologjisë kanë të bëjnë me ndergjegjen, mendimet, e njeriun në tërësi. Xhejms pohon se çdo mendim ka tendencën të jetë pjesë e një ndërgjegjeje personale. Në çdo ndërgjegje personale mendimi është gjithmonë në lëvizje të vazhdueshme. Për Xhejmsin mendimi duket se është në lidhje me objekte të pavarura nga vetja, njeh dhe kryen funksionin e njohjes. Gjithashtu mendimi nga objektet pranon disa pjesë dhe refuzon pjesë të tjera, dmth, në mënyrë konstante zgjedh ndërmjet tyre.
Suksesi i botimit të parë e shtyu atë drejt botimit të librit “Psikologjia, një kurs i shkurtër”, më 1892. Libri shërbeu si tekst mësimor për studentët dhe botimi i tij i solli Xhejms një rritje të të ardhurave financiare. Interesant ishte fakti se James asnjëherë, gjatë punës kërkimore në psikologji, nuk e përshkroi punën në laborator si një element parësor të kërkimit psikologjik, por e konsideroi atë si diçka jomotivuese.
Idetë që Xhejms shprehu në psikologji ndikuan që, në fundin e shekullit të 19-të, të konsiderohet, në qarqet shkencore të kohës, si një nga udhëheqësit filozofikë të ShBA-së./KultPlus.com
Groucho Marksi ishte një komedian, shkrimtar dhe yll televiziv. Një mjeshtër i zgjuarsisë së shpejtë, ai konsiderohet gjerësisht një nga komedianët më të mëdhenj të Amerikës.
Ai bëri 13
filma artistikë me vëllezërit e motrat e tij – Vëllezërit Marx, nga të cilët
ishte i linduri i tretë. Ai gjithashtu pati një karrierë të suksesshme solo, më
së shumti si prezantues.
Pamja e tij
dalluese, e transferuar nga ditët e tij në vaudeville, përfshinte gjëra të
tilla si: një sjellje e ekzagjeruar e shtrembëruar, syze, cigare dhe mustaqe e vetulla
të trasha. Këto tipare të ekzagjeruara rezultuan në krijimin e një prej maskave
më të reja dhe më të njohura të risive, të njohura si syzet Groucho: një maskë
me një copë të përbërë nga syzet me brirë, një hundë të madhe plastike,
vetullat dhe mustaqet.
KultPlus sot ju sjellë disa nga thëniet më të njohura të Groucho Marksit:
– Pas një burri të suksesshëm gjendet gjithmonë një femër, pas saj e shoqja
-Kur na ftuan për darkë dhe na thanë se do të na bënin të ndiheshim si në shtëpinë tonë, nuk imagjinoja së nënkuptonin t’u lanim pjatat.
-Ose ky njeri ka vdekur, ose ora ime është ndalur
-Natyrisht që në jetë ka shumë gjëra më të rëndësishme se paraja, por kushtojnë shumë shtrenjtë
-Nuk dua të bëhem pjesëtar i një grupi që pranon tipa si puna ime,
-Këto janë parimet e mia e nëse nuk të pëlqejnë kam edhe të tjera
-Se mos më tradhton me një femër tullace, sepse nuk kam gjetur asnjë flok në xhaketën tënde
-Mendoj që televizori është shumë edukativ. Sa herë që dikush e ndez, shkoj në dhomën tjetër e lexoj një libër.
-Po ta rris rrogën vetëm që pastaj të të vijë akoma më keq kur të t ‘pushoj nga puna
– Herën e fundit që kam qenë tek doktori më ka dhënë aq shumë ilaçe saqë, pasi kam shëruar, kam qenë i sëmurë për gjithë muajin. / KultPlus.com
Qendra Social-Edukative “Don Bosko”, në Prishtinë, me rastin e Festës së Ditës së Shkollës, shpall konkurs letrar për esenë më të mirë, për nxënësit e shkollave të mesme të komunës së Prishtinës. Ky konkurs ka për qëllim nxitjen e nxënësve për të shkruar dhe njëkohësisht për ta ngritur vetëdijen e tyre lidhur me rëndësinë e temave aktuale.
Kriteret
lidhur me esenë
– Eseja
duhet të jetë origjinale, e papublikuar më parë (çdo plagjiaturë shpie te
eliminimi i menjëhershëm i esesë).
– Eseja realizohet në kohë reale në “Don Bosko”, më 28 janar 2020, në orën
13:00.
– Eseja duhet të ketë karakter letrar dhe jo më e gjatë se 600 fjalë.
– Eseja duhet të ketë ide të qarta, strukturë të mirë të fjalisë dhe
drejtshkrim.
Afatet
Në Konkurs mund të aplikohet, duke plotësuar formularin elektronik që gjendet në webfaqen e Qendrës Social-Edukative “Don Bosko”:
Regjistrimi
mbyllet, më 27 janar 2020, në orën 12:00.
Qendra Social-Edukative “Don Bosko” gjithashtu, më 5 janar 2020, në orën 12:00, në sallën e konferencave të shkollës, organizon Tryezë të Rrumbullakët, në kuadër të së cilës bëhet edhe shpallja e Eseve fituese dhe ndarja e çmimeve. Në këtë tryezë marrin pjesë 10 finalistët e garës letrare, këshilli i nxënësve të shkollave të mesme të Prishtinës dhe ekspertë të fushës. Ndarja e shpërblimeve për tri vendet e para bëhet, gjatë Festës së Ditës së Shkollës, më 7 shkurt 2020, në orën 11:00. / KultPlus.com
“Halili dhe Hajria” është një vepër baleti tërësisht shqiptare, e para në skenën e baletit shqiptar.
Ishte 13 janari i vitit 1963, kur kompozitori Tish Daija, baletmaestri Panajot Kanaçi, dirigjenti Mustafa Krantja e një grup i madh artistësh, vunë në skenë baletin “Halili dhe Hajria”.
Interpretuesit e parë në rolin e Halilit, kanë qenë Xhemil Simixhi, Kristaq Rada dhe Llaqi Nako dhe në rolin e Hajries: Ganimet Vendresha (Simixhi) Zoica Haxho, ndërsa në rolet e tjera përmenden emrat e Luan Shtinos, Miltiadh Papës, Agron Aliajt, Skënder Jazexhiut, etj.
Në vitin 1983, kjo vepër rivihet në skenë. Krahas emrit të Llaqi Nakos, në rolin e Halilit, radhitet edhe ai i Ilir Kernit, ndërsa në rolet e tjera Albana Sulejmani, Pëllumb Agalliu, Hajdar Shtuni, Ludmill Çakalli, etj.
Më 12 dhjetor 1973 u luajt për të 150-n herë, ndërsa në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit dhe jashtë saj u luajt mbi 250 herë.
Në turnetë në Greqi, Itali, Turqi, Francë, ka pasur sukses të padiskutueshëm. Në Francë është vënë në skenë nga një trupë franceze, më pas edhe në Prishtinë. / KultPlus.com
Lagjja buzë Liqenit Akumulues të Badovcit për ndërtimin e secilën është bërë bujë mediatike dhe qytetarët kanë reaguar në çdo formë, po vazhdon të jetë temë aktuale edhe sot. Kundër ndërtimit të saj, sot ka reaguar edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, shkruan KultPlus.
Sipas tij, asnjë kompani nuk ka marrë leje nga Komuna e
Prishtinës për ndërtimin e kësaj lagje dhe se uji i pijshëm në Prishtinë nuk do
të rrezikohet.
KultPlus ju sjell reagimin e
plotë të Ahmetit:
Liqeni i Badovcit është pasuri shtetërore në pronësi të
Shtetit të Republikës së Kosovës sikurse edhe çdo resurs tjetër ujor. Vendimet
për mbrojtjen e Liqenit/Ujit dhe masat tjera mbrojtëse i merr niveli qendror –
sepse i kanë edhe përgjegjësitë edhe kapacitetet të bëjnë vlerësime të tilla.
Komuna e Prishtinës është përgjegjëse për leje ndërtimore sipas dokumenteve
planifikuese që i ka në fuqi, dokumentet kryesore të të cilave janë aprovuar
nga Kuvendi Komunal i Prishtinës në vitin 2013.
Kompania në fjalë nuk ka leje ndërtimi dhe ende nuk ka
aplikuar për leje ndërtimi. Kompania në fjalë ka aplikuar për kushte ndërtimore
të cilat i paraprijnë aplikimit për leje. Në këtë procedurë është qe disa vite.
Në Kushtet Ndërtimore i thuhet se para se të aplikojë për leje në Komunën e
Prishtinës, duhet të aplikojë për pëlqimin për vlerësimin mjedisor në
Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të cilën ende nuk e ka bërë.
Në vitin 2015, Komuna e Prishtinës ka propozuar rritjen e territorit
të Gërmisë nga 900 hektarë në 2000 hektarë dhe ka marr statusin e pasazhit të
mbrojtur sipas Ligjeve në fuqi. Një pjesë e pasazhit është rreth Badovcit. Në
vitin 2016 në bashkëpunim me Qeverinë e Çekisë kemi arritur që të fillojmë
trajtimin e ujërave të zeza përreth liqenit. Ujëra të tilla nuk derdhen më në
liqenin e Badovcit.
Prishtina ka ujë të pijshëm 24 orë në ditë që nga viti 2017, dhe kjo në asnjë mënyrë nuk bën dhe nuk do të rrezikohet. / KultPlus.com
Artisti Shkamb Jaka po vjen me ekspozitën e parë personale, shkruan KultPlus.
“DisDeKodim”
është emri me të cilin Jaka e ka emërtuar punën e tij që po e përmbledhë përmes
kësaj ekspozite.
Punimet e Jakës
janë një ndërthurje e asaj që është natyrale, virtuale dhe të stadeve të
ndryshme të mendjes. Me bashkimin e këtyre të triave, ai krijon disa rrugë të
koduara që mund t’ju dërgojnë juve, si shikues, në vendet ku ai ka qenë
mendërisht dhe fizikisht.
“I
përballuar me kaosin dhe të gjitha problemet sociale të pashmangshme,
inkorporimi i tyre është i pranishëm në punën time. Unë mundohem të eksploroj
sjellje të ndryshme njerëzore, mënyra të të menduarit, të eksperimentoj me
trurin dhe trupin, duke i thyer të gjitha këto në pjesë, duke i bërë ato të
përshtaten së bashku , e pastaj duke i krahasuar ato me botën virtuale. Duke
dematerializuar dhe rimaterializuar këto, vijnë vizualizimet se si do të duket
piktura dhe çfarë do të përmbajë”, tregon Jaka për KultPlus.
Sipas tij, aranzhimi
i objekteve abstrakte do ta fusë shikuesin në këtë hapësirë konfuzioni, kështu
që ata duhet të bëjnë një dekodim të veprës për të përjetuar auren e plotë pas
saj. E gjithë kjo deri më tani e ka shtyrë Jakën të mendoj se sa të ngjashëm
janë realiteti dhe virtualiteti, megjithatë duke qenë shumë kontradiktorë.
Ekspozita do të hapet sonte, më 13 janar, në ora 19:00, tek Menza Ramiz Sadiku. / KultPlus.com
Ilirët ishin fise të lashta Indo-Evropiane, të cilët jetuan në një pjesë të Ballkanit perëndimor dhe brigjet e gadishullit italian rreth vitit 260 p.e.s. Pak është bërë e ditur nga sundimtarët e tyre, por studiuesit thonë se tani kanë dëshmi të pallateve të para të njohura të mbretërve ilirë, shkruan Daily Mail.
Hulumtimi vjen nga antikiteti i Evropës Juglindore, nga qendra e hulumtimeve të Universitetit të Varshavës, i cili ka qenë duke studiuar zonën që nga viti 2000. Arkeologët zbulojnë dy vende që i takojnë mbretërisë së lashtë Indo-Evropiane në Malin e Zi, ata besojnë se mund t’i takojnë mbretit Ballaios dhe mbretëreshës Teuta, sundimtarëve të lashtë të ilirëve
Ilirët ishin një grup i fiseve të lashta Indo-Evropiane, të cilët jetuan në një pjesë të Ballkanit perëndimor dhe brigjet e gadishullit italian rreth vitit 260 p.e.s. Pak është bërë e ditur nga sundimtarët e tyre, por studiuesit thonë se tani kanë dëshmi të pallateve të para të njohura të mbretërve ilirë, shkruan Daily Mail.
Arkeologët gjetën dy pallatet në Mal të Zi, të cilat i përshkruajnë si një “zbulim të madh dhe kryesor”. Hulumtimi vjen nga antikiteti i Evropës Juglindore, nga qendra e hulumtimeve të Universitetit të Varshavës, i cili ka qenë duke studiuar zonën që nga viti 2000.
Profesori Piotr Dyczek, i cili udhëhoqi studimin, tha se “Të gjitha të dhënat që ne kemi marrë tregojnë se ne kemi zbuluar një kompleks pallati të sundimtarëve të Rhizon-it (Risan). “Këto janë struktura e para të këtij lloji të zbuluara në zonën e Ilirisë, të cilat mund t’i përkasin mbretit Ballaios(Ballai) dhe Teutës. “Deri më tani ne nuk e kemi ditur as që ekzistojnë struktura të tilla”.
Mbreti Ballaios ishte një mbret ilir i Ardianëve. Edhe pse një bollëk i monedhave të argjendit dhe bronzit janë gjetur më parë, ky hulumtim është i pari që zbulon një pallat, ku ai mund të ketë jetuar. Pas vdekjes së mbretit Ballaios, besohet se Mbretëresha Teuta mori përsipër udhëheqjen e perandorisë ilire./KultPlus.com
Intervistë me Clare Azzopardi, shkrimtare, përkthyese e letërsisë dhe ligjëruese letërsie në Universitetin Malta Junior College.
Bisedoi:
Mimoza Hasani Pllana
Mimoza
Hasani Pllana: Veprat tuaja të
shkruara në gjuhën malteze janë
përkthyer në disa gjuhë. Çfarë do të thotë për ju kur vlerësohen, përkthehen
dhe pëlqehen tekstet tuaja nga lexuesit e huaj?
Clare
Azzopardi: Një libër i përkthyer sjell një rrëfim, personazhe dhe kulturë si të
përthyer në pasqyrë. Ai krijon një marrëdhënie në mes të autorit dhe
përkthyesit dhe gjithashtu ndërton një dialog të hapur në mes të kulturave dhe
gjuhëve. Përkthimi pasuron letërsinë e vendeve dhe ndihmon autorin/përkthyesin
të lexoj.
M.:
Përveç se jeni autore, keni përkthyer
edhe tekste letrare nga anglishtja dhe italishtja në gjuhën malteze, sa sfidues është ky
proces?
C.A.:
Natyrisht se është sfiduese, por edhe shpërblyese gjithashtu. Është një
shkëputje nga shkrimi, më duhet të them një pushim intensiv dhe përmirësues, si
në përjetimin e dy gjendjeve. Kohët e
fundit kam përkthyer vetëm libra për fëmijë (nga gjuha angleze dhe italiane në
gjuhën malteze), kryesisht libra me vizatime. Disa prej këtyre librave janë
shumë sfiduese për shkak të fjalëve me rimë, pastaj ritmit dhe muzikalitetit të
tekstit. Zakonisht janë tekste të shkurtëra, kështu që nëse humbas ritmin këtu
dhe aliteracionin atje, shumë lehtë mund të përfundoj në një tingëllim/kuptim
mishmash.
M.:
Cilat teknika të përkthimit përdorni?
C.A.:
Në veçanti asnjë. Unë kurrë nuk kam studiuar mbi përkthimin, andaj për mua
përkthimi është një proces intuitiv, por që nuk do të thotë që nuk bëj ndonjë
kërkim/studim. Përkundrazi, duhet të bëjmë kërkime dhe bashkëpunime me
përkthyesit e tjerë nëse duam të kemi një përkthim të mirë dhe të besueshëm.
M.:
Për aq sa kemi njohuri letërsia shqipe në
gjuhën malteze përfaqësohet fare pak, për të mos thënë aspak. A do të thotë kjo
se mungon intersimi për letërsië shqipe, apo mungon komunikimi?
C.A.:
Me aq sa kam njohuri unë një autor shqiptar ka qenë i ftuar në Festivalin
Mediteran të Maltës, por nuk jam e sigurt nëse ndonjë autor maltez ishte ftuar
ndonjëherë në Shqipëri. Unë besoj se Immanuel Mifsud ka një libër që është përkthyer dhe botuar atje, ky është i vetmi
që njoh. Nuk them se është mungesë interesimi, më shumë është mungesë njohurishëx
dhe mungesë fondesh, ndoshta, e mbi të gjitha mungesë komunikimi. Nuk jam në
një pozicion shumë të mirë që të përgjigjem në këtë pyetje. Për një kohë të
gjatë kam qenë pjesë e këshillit organizativ të Festivalit Mediteran të Maltës,
por tani nuk jam më dhe zgjedhja e autorëve nuk varet nga unë.
M.:
Puna juaj letrare është vlerësuar me
çmime për shkrim dhe redaktim, sa ju motivojnë vlerësimet e tilla?
C.A.:
Po edhe jo. Nuk shkruaj për të marrë çmime. Unë shkruaj sepse dua të shkruaj.
Kur vjen ndonjë çmim e mirëpres, por nuk dua të bëjë bujë të madhe për të.
Shpërblimet/çmimet më të mira asnjëherë nuk janë titujt, por lexuesit e mi, si
të rinjë ashtu edhe të moshuar, të cilat nuk janë më të gjata se disa fjalë ose
fjali, të cilat i pranoj me dashuri.
M.:
Duke qenë se shkruani letërsi për fëmijë
dhe të rritur, cili është zhanri juaj më i preferuar?
C.A.:
Unë shkruaj më shumë për fëmijë. E dua librin me fotografi/ilustrime më shumë
se gjithçka. Ndoshta, sepse kjo më jep mundësinë për të bashkëpunuar me
ilustrator, kam patur bashkëpunime të mrekullueshme në të kaluarën. Shkrimi për
të rritur zgjatë më shumë dhe është më i kërkuar, por unë besoj se është më
mirë t`i kultivosh të dyja.
M.:
Cili është komunikimi juaj me komunitetin
e shkrimtarëve shqiptarë, a keni marrë pjesë ndonjëhere në seminare, konferenca
gjuhësore dhe filologjike në Kosovë apo Shqipëri?
C.A.:
Jo, ose më sakt jo akoma. Shpresoj të marrë pjesë në të ardhmen.
Clare Azzopardi, është
shkrimtare për fëmijë dhe të rritur. Është udhëheqëse e departamentit të gjuhës
malteze në Universitetin Malta Junior College dhe për shumë vite ka qenë
anëtare aktive e Inizjamed, një OJQ misioni i së cilës është promovimi i
letërsisë në Maltë dhe jashtë. Me Inizjamed, ajo ka qenë bashkëorganizatore e
festivaleve dhe punëtorive të letërsisë, shpesh në bashkëpunim me Literature
Across Frontiers (LAF). Puna e saj është përkthyer në disa gjuhë dhe ajo është
prezantuar në një numër përmbledhjeh përfshirë
Transcript, In Focus, Cúirt Skald, Words Without Borders dhe Novel of
the World. Shfaqja e saj L-Interdett Taht is-Sodda (Merlin Publishers) është
botuar në gjuhën frënge (Éditions ëThéâtrales) dhe në gjuhën arabe (IACT).
Azzopardi ka botuar 2 libra me tregime të shkurta për të rritur, ku të dyja
kanë fituar Çmimin Kombëtar të Librit për Letërsi. Përmbledhja e saj e fundit
është botuar në gjuhën kroate (VBZ), gjuhën hungareze (Noran Libro) dhe gjuhën
arabe (Sefsafa Publishers). Clare Azzopardi ka marrë pjesë në një numër
festivalesh dhe më 2015 ajo është përzgjedhur pjesë e Zërave të Rinj të Europës
(Europe’s New Voices). Ajo sapo ka publikuar novelën e saj të për të rritur
Castillo (Merlin Publishers) dhe momentalisht është duke punuar në novelën e
saj të re. Clare Azzopardi është fituese e disa çmimeve në letërsi.
Intervista u shkëput nga libri: Shtegtimi i shqipes në Europë. Autore: Mimoza Hasani Pllana. Botues: OLYMP, Prishtinë, 2019./KultPlus.com
Shtatorja e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti- Skënderbeu që parashihet të vendoset në një bulevard me emrin e njëjtë në Ulqin, do të jetë e gjatësisë 1.5 metra e vendosur në një bazament prej 3.5 metrash.
Ministria e Kulturës i ka dhënë leje komunës së Ulqinit që kjo shtatore të jetë vetëm 1.5 metra, ka bërë të ditur kryetari Loro Nrekiqi për mediumin “Vijesti”, transmeton Koha.net.
Me projektin e arkitekti ulqinak Shpëtim Malaj, në shtatoren e heroit kombëtar do të shkruhet emri i tij, data e lindjes dhe e vdekjes.
Afati për vendosjen e shtatores është muaji mars i këtij viti, derisa fondet për ndërtimin e shtatores janë siguruar nga shoqatat “Simon Filipaj“ dhe “Don Gjon Buzuku”.
Shtatorja e Skënderbeut do të jetë replikë e asaj në Tiranë dhe Prishtinë, përveç se me dimensione më të vogla. / KultPlus.com
Interesimi i Eqrem Çabejt për letërsinë arbëreshe, ka qënë një nga shfaqjet e obsesionit të tij të madh filologjik e shkencor në përgjithësi, për të zbritur dhe hulumtuar drejt rrënjëve të etnosit kulturor shqiptar.
Në këto ngulime historike, ai shihte mundësinë për të hetuar e depërtuar nëpër dukuri, deri diku të ngurtësuara, të konservuara në rrjedhë të shekujve, të cilat lejojnë që prej këtej të rindërtohen nivelet më të hershme të trungut, d.m.th.. të vatrës amtare, në rrafshin gjuhësor e historiko – kulturor.
Ndërkaq, këto ngulime historike, japin mundësinë që të shfaqin edhe një mori shtresash kulturore – nën ndikimin e realitetit vendas, gjegjësisht atij italian, e në përgjithësi kulturës latine.
Kështu, kjo njësi kulturore arbëreshe, fitoi statusin e një rilindjeje impresionuese, brenda hirit të vet e brenda kulturës së madhe italiane. Si e tillë, ajo mbërriti autoritetin, që, krahas mbartjes së gjithçkaje prej origjinës, të merrte mbi vete edhe misionin dhënës drejt saj, d.m.th. të shfaqej me atributet mirëfilli të ndikimit – për atje nga ku lindi e u shkëput, në rrethana tragjike të njohura. Jo rastësisht, një nga esetë mjaft sintetike e të përkora të Çabejt, titullohet “Vatra dhe bota në poezinë e De Radës” (1964), publikuar me rastin e 150-vjetorit të lindjes së poetit nga Maqi.
Pikërisht në këtë dimension të dyfishtë e shqyrton Çabej fenomenin e kulturës arbëreshe, e posaçërisht rrjedhën e saj letrare. Kjo letërsi, dëshmoi që të përcjellë e qarkullojë drejt letërsisë shqipe, modele të praktikave krijuese perëndimore, në mënyrë të natyrshme dhe me funksion emancipues për të.
Pra, letërsia arbëreshe, në shumë aspekte, rezultoi të ishte: bijë e letërsisë mbarëshqipe, por njëherazi, të ishte edhe limfë ushqyese e ripërtëritëse për të.
Kontaktet e drejtpërdrejta të Çabejt me letërsinë arbëreshe, nisin qysh në verën e vitit 1932, atëherë kur ai filloi të mblidhte material për tezën e tij të doktoraturës në Horën e Arbëreshëve (Siçili), tezë kjo, që siç pohon dr. Hermann Őlberg, e mbron shkëlqyeshëm në Vjenë më 1933, përpara komisionit të përbërë nga albanologë të shquar si: P. Kretschmer, N. Jokl dhe K. Patsch.
Njoftime me interes për tezën e tij doktorale “Studime italo-shqiptare”, na jep studiuesi i njohur arbëresh prof. Françesko Altimari, i cili, ka patur rastin që ta konsultojë dorëshkrimin e Vjenës, të përbërë nga 145 faqe, ndarë në 5 kapituj. Ndonëse ky është një studim i rrafshit kryesisht gjuhësor, ka rëndësi të nënvizohet ndjeshmëria që nis të ravijëzohet te Çabej i ri – për letërsinë arbëreshe, fillimisht për tekstet folklorike të këtij komuniteti, të cilat, i përfshiu në një kapitull më vete.
Në vitet e mëvonshme, në kontekstin e problematikës së studimeve të tij letrare, letërsia arbëreshe do të bëhet një objekt i pandashëm e i rëndësishëm studimi dhe interpretimi.
Nga pikëpamja kronologjike, studimet e Çabejt për letërsinë arbëreshe, do të zgjasnin për aq kohë sa ai iu përkushtua studimeve letrare në tërësi, d.m.th. nga fillimi i viteve ’30 e deri aty nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore.
Në këto studime, ai, jo vetëm se formulon një mori tezash, të cilat edhe sot e kësaj dite, mbeten jo vetëm të paqortueshme, por edhe impresionuese dhe mjft intriguese për t’u shtjelluar nëpër studime të gjera të pritshme. Kjo vjen, pasi studimet e tij, veç të tjerash, e kanë të dukshme një frymë eseistike, d.m.th., që transmetojnë e çlirojnë si në reaksion zinxhir, mjaft sinteza e domethënie, të cilat, ngjajnë të koncentruara gati në nivel postulatesh e strukturash programatike për studime të mëtejme.
Çabej ka meritën që letërsinë arbëreshe, e ka hetuar si një strukturë natyrale, brenda sistemit të letërsisë shqipe, duke i njohur asaj elementet e përbashkëta, pozitën dhënëse e marrëse me të, por njëkohësisht edhe elementet dalluese, të ardhura si pasojë e rrethanave specifike historiko-letrare, në të cilat ajo letërsi u krijua.
Për këtë studiues, poezia italo-shqiptare (arbëreshe) është lëndë ballkanike e derdhur në formë romane; autorët e saj në rrafshin estetik, janë të drejtuar në themel nga Perëndimi. Sipas kësaj teze, bëhet dallimi mes kësaj letërsie dhe pjesës tjetër të letërsisë romantike shqipe. Madje, arrihet të bëhet dallimi i saj, edhe kundruall letërsive romantike të gjuhëve ballkanike, ku ai pajtohet me pikëpamjen e aplikimit në to – të të ashtuquajturit romantizëm realist.
Me këtë romantizëm realist, ai ka parasysh faktin që, për rrethana specifike, në letërsitë romantike të popujve ballkanikë (përfshirë natyrshëm edhe atë shqiptar) , u zhvillua fort tendenca nacional-politike në to, ku shkrimtarët, morën shpesh përsipër misionin e edukatorit dhe të misionarit të lirisë, duke u bërë me artin e tyre zëdhënës të drejtpërdrejtë të lëvizjeve nacionale e sociale të kohës e të vendeve të tyre. Kurse në poezinë arbëreshe, ai vren specifikisht: kultin e individit në kontrast me shoqërinë, kultin e ndjenjës, të mallit të larguar, të jetës si në ëndërr, të gruas, ndjenjën religjioze dhe idealizmin mistik, ironinë romantike…
Sipas kësaj teze, zbulohet e nënkuptuar ideja e guximshme se letërsia arbëreshe, kishte atributin dhe privilegjin që të përcillte, jo vetëm në trungun e letërsisë shqipe, por edhe në kontekstin e letërsive ballkanike, elemente prej puroromantizmit perëndimor. Dhe kjo përcaktohet si tipar dallues i saj, por edhe si vlerë e shtuar në kontekstin e letërsisë shqipe.
Pra, këtë veçori thelbësore të kësaj letërsie (arbëreshe), studiuesi e çmon si një element të rëndësishëm pasurimi dhe jo veçimi apo tëhuajtësimi, mes saj dhe mbarë letërsisë shqipe. Karakterin integrant të kësaj rrjedhe letrare – me trungun amtar letrar, Çabej as e ka shtruar ndonjëherë për diskutim, me gjithë specifikat që i njeh asaj, si një realtet letrar i krijuar në rrethana specifike.
Madje, pozita e saj themelore konverguese e jodiverguese – në raport me letërsinë shqipe, është mbështetje e rëndësishme e tezës tjetër të tij, pikërisht e asaj të periodizimit të letërsisë shqipe – mbi bazën e qarqeve kulturore-letrare, ku qarku italo-shqiptar, gjegjësisht letërsia arbëreshe, vlerësohet si faktor i ndjeshëm konvergues në mbërritjen e rezultantes së Letërsisë Kombëtare (Nacionale) të shek. XIX-të. Teza e E. Çabejt për periodizimin e letërsisë shqipe mbi bazë qarqesh kulturore, vazhdon edhe sot që të mbetet mjaft e vlerësuar për karakterin gjithëpërfshirës, sistematik e historik të saj.
Sigurisht, duke mbetur ky periodizim, një nga modelet e klasifikimit të letërsisë shqipe, krahas modeleve të tjera të mëvonshëm, të ndërtuara sipas kritereve të gjinive, rrymave, shkollave letrare etj.
Ndonëse në studimet e tij letrare Çabej preferon që të jetë një shqyrtues kryesisht i prirjes teorike dhe i sintezave integrale, d.m.th. pa synuar që të ndjekë aq analiza mirëfilli tekstore, gjithsesi, në shkrimet e tij kritike, janë të pranishme edhe mjaft qëndrime e vlerësime mbi autorë e vepra konkrete.
Pra, brenda sintezave, ndihen qartazi veprat dhe dukuritë konkrete letrare që merren përsispër të shqyrtohen. Kështu, p.sh. sipas tij, vepra të tilla të njohura si “Këngë të Milosaut” e De Radës dhe “Kënga e sprasme e Balës” e Gavril Darës, janë nga poemat më të bukura të romantizmit shqiptar dhe poema “Te dheu i huaj” e Zef Skiroit, është deri diku, përpjekja për të krijuar epin nacional të shqiptarëve të Italisë. Për kryeveprën e De Radës, ndryshe nga pikëpamjet e disa studiuesve të tjerë, ai hedh idenë se mozaicizmi (pra struktura mozaike e veprës), sintetizmi dhe njëfarë errësire që krijohet prej tyre, janë të lidhura me karakterin tipik romantik të veprës, e cila, si një vepër me koncepsion novator, i shmanget përshkrimit kronologjik të ngjarjeve dhe ku nuk ka paraqitje realiste njerëzish me mish e eshtra…, siç do të shprehej studiuesi.
Sipas tij, këtu kemi heronj romantikë, që e shkojnë jetën si endërrimtarë. “Ata rrojnë në kontrast me botën e ashpër dhe thyhen tek ky kontrast. Në këtë, poeti i mbeti besnik vetvetes. Edhe në vizatimin e këtyre, De Rada na del një pjellë vërtet e shkollës romantike. Karakteret janë cilësuar errët e me pak vija. Poeti është larg nga të paraqiturit e heronjve me konture të caktuara mirë …”
Poetët arbëreshë i vlerëson si tipikë romantikë, ku figurat e krijuara prej tyre, janë pasqyrë e unit subjektiv. “Këto figura, vetë përgjithësisht, nuk i përshtaten dot botës, por të ndjekura nga fati kombëtar, ose nga ndonjë fat tjetër, ose të shtyra nga demoni i tyre vetë, ata vdirren në jetë.
Pesimizmi i përshkon të gjitha këto vepra. Edhe vetë jeta në këto koloni plot me tradita të përmallshme, të themeluara në një mjedis të huaj e larg nga vendi i të parëve, i shtyn këta poetë edhe më fort në rrugën e pesimizmit romantik. Ndjenjat e natyrës së Italisë Jugore, përshkrimi i jetës së katundit shqiptar, që ndodhet në këtë vend, u jep këtyre veprave tërheqjen e veçantë të tyre …”.
Në përcaktime të tilla, është e vështirë të gjesh boshe për t’i plotësuar, apo ca më tepër, vështirë se të gjesh fraza të përgjithshme. Në mënyrë tejet sintetike – por qartazi, shtrohet pikëpamja mbi tipare të një letërsie, e cila, si të thuash, ka dy burime kulturore si ajo është krijuar dhe i drejtohet dy nivele lexuesish. Kësisoj, ajo kërkon që të vlerësohet si një krijimtari jo eklektike, por tepër origjinale, pra, ajo artikulohet dhe mbetet një krijimtari e pasur artistike: multikulturore dhe njëherazi multifunksionale.
Këtu kemi vërtet vështrimin e kësaj rrjedhe letrare si një fenomen sui generis, që nxit e fton studiuesit për hulumtime nëpër aspekte të patrajtuara sa dhe si duhet. Në një kuptim më të gjerë, përcillet vlerësimi se letërsia shqipe, krahas vështirësive të njohura të saj, ka patur shansin e madh që në fillimet e veta, pra, të ngjizjes si letërsi e mirëfilltë, të kishte pranë edhe një gjymtyrë të vet natyrale – letërsinë arbëreshe.
Ajo letërsi, me pozitën e saj specifike, arrinte që të përcillej për në Shqipërinë ballkanike, të pushtuar nga perandoria otomane, më shumë se vetëm si letërsi e më shumë se vetëm si kulturë.
Është në formimin dhe sistemin e punës së këtij studiuesi vështrimi krahasimtar i dukurive dhe i proceseve që merr për objekt shqyrtimi. Vihet re se ky koncepsion e kjo metodikë krahasimtare, realizohen së brendshmi, brenda krijimtarisë së një autori, brenda sistemit të letërsisë arbëreshe dhe brenda tërë makrosistemit të letërsisë shqipe.
Madje, duke kaluar edhe në krahasime më të gjera, me letërsitë ballkanike dhe ato evropiane. Është mjaft prezent edhe krahasimi i jashtëm, d.m.th. hetimi i ndërlidhjeve të letërsisë me faktorët gjeohistorikë dhe etnokulturorë në përgjithësi, duke shfaqur simpatinë ndaj interpretimit kontekstual, idhtar i të cilit mbeti deri në fund, madje edhe në fushë të gjuhësisë, ku ai realizoi nivelet më të larta të aktivitetit të tij shkencor.
Princip të krahasimit, ai ka hetimin e elementeve të përbashkëta dhe të ndryshme/dalluara mes tyre. Këtu kemi parasysh psh përcaktimin e Serembes si poetin tipik romantik evropian të melankolisë dhe të larguar nga bota reale; vlerësimin e Skiroit si të fundmin romantik dhe me përpjekjen e spikatur për të shpërthyer caqet e dialektit arbëresh (duke tentuar drejt një koineje gjuhësore); apo përcaktimet rreth poetëve të tjerë arbëreshë, që rrinë në hije të poezisë popullore dhe përcjellin në poezi kohën e parë të vendit – nga ku u shpërngulën stërgjyshërit e tyre.
Dhe duke mos e harruar kurrë ata vendin e të parëve të tyre, me endërrën e madhe e të pandalur, për t`u kthyer një ditë atje, qoftë edhe përmes kujtimeve – të ruajtura fort në rite e të derdhura në letërsi. /KultPlus.com
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është duke u përballur me mungesë të stafit akademik në disa fakultete, ku në rast të mosplotësimit me kuadro rrezikohet edhe mbyllja e tyre.
Por një gjë e tillë është mohar nga zyrtarë të Rektoratit të UP-së, të cilët pohuan se janë duke hapur konkurse për rekrutim të stafit në fakultetet ku ka mungesë të tyre, shkruan sot gazeta Zëri.
Ndër problemet e shumta me të cilat po vazhdon të përballet Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është edhe mungesa e kuadrove profesionale në disa programe të studimit.
Ndër fakultetet me mungesë të theksuar të stafit akademik në UP janë: Fakulteti i Inxhenierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK), Fakulteti i Bujqësisë dhe i Veterinarisë dhe Fakulteti i Mjekësisë.
E për njohësit e çështjeve të arsimit në vend mungesa e kuadrove profesionale në UP nuk është risi. Në këtë gjendje ky universitet, sipas tyre, është duke u ballafaquar tash dy dekada. /KultPlus.com
Me nisjen e gjysmëvjetorit të dytët të vitit shkollor, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka apeluar te prindërit dhe arsimtarët nëpër shkolla që të arrijnë të bëjnë zvogëlimin e peshës së çantave të rënda që bartin fëmijët.
IKSHPK ka thënë se “menaxhimi i zvogëlimit të peshës së çantave të rënda parandalon të gjitha deformimet e boshtit të kurrizit te nxënësit e shkollave fillore!”
Ky institut po ashtu ka bërë thirrje që të gjithë pjesëmarrësit në trafik të shtojnë kujdesin gjatë lëvizjes në rrugë.
Problemi i çantave të mbingarkuara të nxënësve të shkollave fillore është i pranishëm qe një kohë në vend, me prindërit që shpesh janë ankuar, por që ende s’është gjetur një zgjidhje nga ana e autoriteteve mësimore. / KultPlus.com
Me moton “Një komb-Një gjuhë”, komuniteti shqiptar në Gjenevë të Zvicrës zhvilloi dje një aktivitet kulturor, ku u prezantua kultura, veshjet e identiteti kombëtar i ruajtur në breza.
Duke qenë se komuniteti shqiptar në Gjenevë i organizuar në shoqata dhe organizata të ndryshme të Zvicrës, bashkërisht kanë shënuar një event kulturor me vlera kombëtare. Për nder të këtij eventi gjithëkombëtar, krahas programit kulturo artistik, janë zhvilluar edhe aktivitete tjera përcjellëse, me këngë e poezi të ndryshme, duke u angazhuar shumë të rinj të viseve të ndryshme shqiptare, e që përkohësisht jetojnë dhe punojnë në Zvicër.
Shumë mërgimtarë u mblodhën në këtë event ku nuk munguan vallet dhe këngët shqipe dhe shumë prej tyre u mahnitën me organizimin e kësaj mbrëmje. Ata u shprehnin se nuk është vonë kurrë të këndohet dhe të festohet për shqiptarët, e në veçanti për flamurin kuq e zi. /Albinfo.ch. / KultPlus.com
Lagjja buzë Liqenit Akumulues të Badovcit duhet të pengohet me çdo mjet nga qytetarët.
Pas luftës mafia ndërtimore zaptonte, populli heshtte. Frika ishte e madhe, sepse mafia ndërtimore ishte e armatosur dhe e përkrahur nga edhe komandantët e UÇK-së të etur për pasurim të shpejtë dhe grabitje të madhe. Pas luftës mafia ndërtimore mund të vriste edhe njerëz. Gjatë përpjekjeve të tij për të vendosur disa rregulla elementare urbane, në Prishtinë u vra Rexhep Luci, arkitekt dhe Drejtor i Departamentit të Planifikimit Hapësinor, Rindërtimit dhe Zhvillimit në Komunën e Prishtinës.
Gati njëzet vjet kanë kaluar nga ky krim. Vrasësit jetojnë të lirë. Por shoqëria e Kosovës nuk është më ajo e vitit 2000 apo 2001. Njerëzit tani kanë guxim të kundërshtojnë projekte ndërtimore të pamenduara mirë. Projekte që potencialisht rrezikojnë ambientin. Projekte që u vjen duhmë e keqpërdorimeve.
Këto ditë dhjetëra qytetarë janë mobilizuar në kundërshtimin e një projekti që është planifikuar nga një firmë e quajtur «4M Group» me financues ndërmarrjen ndërtimore «Kawa Group». Projekti planifikohet të realizohet buzë Liqenit të Badovcit. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e drejtuar nga një argat i Behgjet Pacollit, ka dhënë një pëlqim në të cilin thuhet se mund të ndërtohet në zonën përkatëse te Liqeni i Badovcit.
Këtu fillon krimi. Po të kishte sistem efektiv të drejtësisë, ministri që lëshon këso letrash së paku do të hetohej. Të pajisur me këtë letër të ministrit, investitorët dhe projektuesi mund të shkojnë te komuna e Prishtinës dhe të kërkojnë leje për ndërtim. Në dy dekadat e fundit shpeshherë administrata e kësaj komune ka lëshuar leje të dyshimta ndërtimi dhe nga ky «biznes» kanë përfituar pothuaj të gjitha partitë, «luftarake» dhe «paqësore».
Tani për tani situata është kështu: Plani Rregullues Urban, i cili e ka fuqinë e ligjit, thotë se zona në lindje të Prishtinës, aty ku «4M Group» dhe «Kawa Group» duan të ndërtojnë, nuk është tokë ndërtimore. Për aq kohë sa ligji nuk ndryshon, në këtë zonë është e ndaluar të ndërtohet. Ka disa arsye përse nuk duhet të ndërtohet aty. Krejt Kosova, e sidomos Prishtina ka nevojë urgjente për ruajtjen e burimeve të ujit dhe vendeve ku akumulohet uji. Liqeni i Badovcit nuk është liqen i natyrshëm, por liqen akumulues i ujit, pra rezervuar uji!
Në një reagim të tij aspak bindës arkitekti Përparim Rama, shef i «4M Group», thotë se edhe pranë Liqenit të Zürichut dhe Gjenevës ka shtëpi të ndërtuara. Këtu ai e huq komplet kontekstin dhe kjo është shqetësuese për dikë që nëpër mediat jokritike kosovare e prezanton veten poshtë e lartë si «arkitekt të suksesshëm nga Londra». Liqenet e Zürichut dhe Gjenevës (ka edhe shembuj të tjerë) janë liqene si pjesë e qyteteve e vendbanimeve, nuk janë pellgje për akumulim uji. Badovci, ndërkaq, është pellg për akumulim uji, andaj është me rëndësi jetike për banorët e Prishtinës dhe rrethinës. Pothuaj po aq i rëndësishëm për banorët e Prishtinës është gjelbërimi përreth Liqenit të Badovcit. Nuk është se Prishtina mund të krenohet aq me hapësira gjelbëruese.
Përkundër propagandës e reklamave të bujshme, «4M Group» nuk shquhet si studio që ka realizuar ndonjë projekt të madh. Projekti i «40-katëshit» në Prishtinë, ku ka qenë i përzier edhe pronari i «4M Group», praktikisht ka dështuar dhe është modifikuar e shndërruar në një grumbull ndërtesash pa koncept dhe si i tillë nuk harmonizon me hapësirën urbane.
Pronarët e firmave ndërtimore dhe politikanët lokalë në Kosovë shpeshherë përpiqen t’i shesin opinionit projekte të caktuara (jo vetëm arkitektonike) me argumentin se filani «është nga Londra», «nga Zvicra», «nga Gjermania». Lavdërimet e tilla mund të kenë shpesh bazë profesionale, por nganjëherë janë vetëm tullumbace – si ato me «spitali grek», «spitali gjerman», «klinika zvicerane» e kështu me radhë.
Para disa vitesh një arkitekt kosovar me banim në Zvicër me rrahje gjoksi po më tregonte se është angazhuar nga komuna e Prishtinës për të kryer punë të mëdha. Njëherë më ftoi në një panair të ndërtimit dhe arkitekturës në Zürich, ku edhe ashtu e kisha ndërmend të shkoja. Arkitekti tha: «Do të jenë aty edhe nënkryetari i Prishtinës dhe shefi i urbanizmit». Kur shkova në panairin në fjalë, arkitekti ynë i famshëm kishte humbur pa gjurmë. Nuk u lajmërua as në telefon. Projektet e tij të mëdha kanë mbetur sot e atë ditë – fjalë goje.
Larg asaj që edhe shefi i «4M Group» të jetë i tillë, por fakt është që deri më tani nuk është shquar për ndonjë projekt të madh e serioz arkitektonik. Fokusi i tij është enterieri. Dhe kjo është krejt në rregull për të dhe biznesin e tij. Por Liqenin e Badovcit le ta lë të qetë, sepse projekti i tij është i pamenduar dhe e dëmton jo vetëm natyrën. Rezistenca qytetare kundër këtij projekti duhet të vazhdojë. Po ashtu sa edhe kritikat kundër ministrit skandaloz të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Gjithsesi, në këtë betejë duhet të kyçet edhe drejtësia e Kosovës. Nuk jemi më në vitin 2000. /KultPlus.com
Janë bërë më shumë se dy vjet prej kur një nga dy ndërtesat e Muzeut Etnologjik në Prishtinë nuk është e qasshme për vizitorë.
E rrethuar si vendpunishte, asaj i ka ngelur vetëm skeleti. Ashtu do të jetë edhe gjatë këtij dimri. Sa i përket vitit të kaluar, Ministria e Kulturës kishte ndarë vetëm 30 mijë euro për restaurimin e nisur qysh në vjeshtën e vitit 2017, e që ishte ndërprerë në fund të atij viti. Më pas zyrtarët ministrorë kishin ardhur në përfundim se ajo shumë nuk ishte e mjaftueshme dhe gjatë gjithë vitit nuk është punuar fare. Por në bazë të planifikimeve aktuale, nëse gjërat nuk ndërrojnë pas miratimit të buxhetit nga qeveria në ardhje, puna në kompleksin “Eminxhiku” do të nisë pas përmirësimit të kushteve meteorologjike. Por se kur do të jetë krejtësisht në dispozicion të vizitorëve – monumenti që është renditur ndër 12-të muzetë më të mirë në Evropë, nga e përditshmja britanike “The Guardian”, nuk dihet ende.
Drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Vjollca Aliu, ka thënë se projekti është gati dhe është miratuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, por me 30 mijë euro nuk mund të nisej puna. Planet e MKRS-së ishin që gjatë rishikimit të buxhetit të vitit të kaluar të shtoheshin mjete për “Eminxhikun”, që ndodhet në atë që njihet si “Prishtina e Vjetër “. Por në korrik kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, kishte dhënë dorëheqje dhe nuk ishte bërë rishikimi i buxhetit. MKRS-ja kishte bërë një kërkesë për shfrytëzimin e fondeve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, por nuk ishte aprovuar.
Për dy muaj punë në fund të vitit 2017 muret e brendshme të objektit ishin zhveshur deri në skelet. Dyshemeja është larguar krejtësisht, përderisa ndërtesa mbahet në këmbë vetëm nga shtyllat e drunjta. Edhe qerpiçët janë larguar nga muret e brendshme. Tjegullat e kulmit janë larguar, e mosdepërtimi i ujit të reshjeve atmosferike bëhet i mundur nëpërmjet izolimit me llamarinë. Përderisa nga brenda objekti ka mbetur vetëm në shtylla, mureve të jashtme u është larguar llaçi deri në thupra. Puna e nisur më 17 tetor është ndërprerë në ditën e 30-të të dhjetorit. Sapo kishte nisur ndërhyrja qe konstatuar se ky objekt − njëri prej dy kryesorëve, ku zë vend Muzeu Etnologjik − rrezikonte të shembej.
Shpejt ishte konstatuar se gjatë ndërhyrjes kishte dalë 70 për qind punë më shumë sesa ishte paraparë me projekt. Ministria e Kulturës në buxhetin e paraparë për vitin 2017 kishte projektuar 80 mijë euro për ndërhyrjet në dy objektet e kompleksit. Për vitin 2018 ishin planifikuar 50 mijë euro.
Sali Shoshi udhëheq degën në Kosovë të organizatës suedeze “Trashëgimia kulturore pa kufij”. Kjo organizatë merret edhe me restaurim e konservim të monumenteve. Në tetor ai i kishte thënë gazetës se kur një ndërhyrje e tillë niset pa plan e pa afate kohore është për keqardhje.
“Është dështim menaxherial. Kanë mbetur në fazën fillestare dhe po flasim për njërin prej monumenteve që rekomandohet nga mediat ndërkombëtare për vizita”, kishte thënë ai.
Në anën tjetër, në një artikull të botuar të premten, e përditshmja britanike “The Guardian” ka dhënë profilet e 12 muzeve nga Reykjavíku në Prishtinë, një shpalim interesant nga dinozaurët dhe vikingët e deri te Mozarti. E sipas vlerësuesve të “The Guardianit”, Muzeu Etnologjik në Prishtinë renditet përkrah muzeve të njohur si “Palazzo Massimo” në Romë, M9 në Venecie apo Muzeu i Shkencave Natyrore në Bruksel. Por derisa hyrja në muzeun e Brukselit kushton 7 euro, në Romë 10 apo në Vjenë 14 euro, në Muzeun Etnografik në Prishtinë është falas. /KultPlus.com