Aliçka: Ismail Kadare ishte guximtar

Shkrimtari i njohur Ylljet Aliçka i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24”, duke folur për figurën e Ismail Kadaresë në 84-vjetorin e tij të lindjes, i pyetur nëse shkrimtari i madh ishte një disident, ai tha se di se ishte kurajoz.

Alicka shtoi se çdo njeri, çdo shkrimtar përpiqet për veten dhe për familjen, ndërsa shtoi se talenti i tij doli në dritë dhe falë Kadaresë, letërsia shqiptare njihet sot në Europë e botë.

Unë di se ka qenë kurajoz. Sigurisht që cdo njeri, cdo shkrimtar do punoj për veten, për familjen. Ka qenë i mençur për t’u promovuar. Falë talentit të tij, ai i ka sjellë dobi Shqipërisë dhe shoqërisë shqiptare.

Ai diti që të sensibilizojë opinionin ndërkombëtar. Kadare luajti në atë hapësirë të vogël, në atë strukturë. Fenomeni Kadare sot është shumë i njohur. Kadare donte lirinë në atë kohë dhe realisht ia doli të njihej, të njihej botërisht”, deklaroi Alicka. /KultPlus.com

21 vjet nga masakra në Rogovë të Hasit

Sot bëhen 21 vjet nga masakra që është kryer nga forcat armike në fshatin Rogovë të Hasit, ku ranë në pritë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por nga vrasjet nuk u kursyen as shumë civilë të fshatit.

Në datat 27, 28 dhe 29 janar të vitit 1999 në këtë fshat ranë dëshmorë 21 persona.

Aty heroikisht dhanë jetën: Agim Zeneli, Luan Smajli, Agron e Sejdi Rama, Pren e Meme Lleshi, Agush Gjoci, Valon Gashi, Bahtjar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çeta, Kasim Shala, Hamdi Berisha, Gezim Ademi, Haxhi Lypjani, Gasper Karaçi, Ilir Merturi, Naim Gashi, Naim Dreshaj, Sahit Krasniqi dhe Vesel Avdyli.

Për të nderuar dëshmorët, sot në ora 10:00 në Rogovë të Hasit mbahet tubim përkujtimor dhe homazhe te “Varrezat e dëshmorëve”.

Po në këto data por në fshatrat Bishtazhin dhe Goden ranë dëshmorë edhe nëntë të tjerë.

Prandaj, nën patronatin e Komunës së Gjakovës dhe organizatave të dala nga lufta e UÇK-së mbahet edhe akademi përkujtimor në nderim të këtyre 30 dëshmorëve.

Akademia mbahet në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë me fillim prej orës 12:00. / KultPlus.com

Sot 21 vjet nga rezolutat që detyruan Beogradin të ndërpriste të gjitha veprimet luftarake në Kosovë

Masakra e Reçakut përfundimisht e përjashtoi mundësinë e një marrëveshjeje për paqe në bisedime të drejtpërdrejta shqiptaro-serbe, siç ishte propozuar për disa vite me radhë.

Pas kësaj masakre u rrit aktiviteti diplomatik në relacionin Uashington-NATO-Bruksel-Grup i Kontaktit, ku dhe të gjithë kishin arritur pajtimin se ideja për organizimin e një konference duhej të kishte prioritet ndaj politikës së ultimatumeve.

Më 29 janar 1999 Grupi i Kontaktit, i takuar në Londër në Pallatin Lancaster House, në afërsi të Pallatit Mbretëror St.James, doli me deklaratën historike për mbajtjen e Konferencës në Rambuje, dhe miratoi parimet e panegociueshme, mbi të cilat duhej të ndërtohej Marrëveshja Kalimtare për Kosovën.

Më 30 janar Këshilli i NATO-s e ripërtëriu vendimin e marr në tetorin e vitit të kaluar, duke vendosur kështu kornizë diplomatike për Konferencën.

Fryma e deklaratës së Grupit të Kontaktit nuk la vend dyshimi në vendosmërinë për të gjetur një zgjidhje e për të negociuar para pranverës. Është gati ultimatum, do të shprehej në librin e tij Paskal Milo.

Në Beograd natyrshëm deklarata e Grupit të Kontaktit nuk është pritur mirë. Shqipëria zyrtare nëpërmjet ambasadorit të saj në Francë, Luan Rama kishte kërkuar nga këshilltari i posaçëm i Vedrinit, i ngarkuari për Kosovën, që Shqipërisë t’i jepej statusi i vëzhguesit, gjë që nuk u pranua.

Si arsyetim, këshilltari Fushe do të deklarojë se nuk do të ketë vëzhgues të tjerë nga Ballkani, dhe se në Rambuje nuk do të ketë konferencë ndërkombëtare si ajo e Parisit për Bosnjën.

Vendosmëria për ndërhyrje ushtarake Grupi i Kontaktit i përkrahur nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, bashkë me NATO-n tanimë ishin pjesë e lojës. Qeveria amerikane në veçanti kishte filluar të bënte trysni për aksion të mundshëm ushtarak për ta ndalur represionin në Kosovë.

Kërcënimi i përdorimit të forcës në raport me Kosovën nga SHBA-ja ishte bërë që nga viti 1992.

“Në rast të konfliktit në Kosovë, i cili do të shkaktohej nga veprimi i Serbisë, SHBA-ja do të ishte e gatshme të përdorte forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në vetë Serbinë”, i kishte shkruar kryetari i atëhershëm, George Bush, Sllobodan Millosheviqit, kërcënim ky që u përsërit nga administrata e Bill Clinton.

Kurse Javier Solana, sekretari i përgjithshëm i NATO-s kishte deklaruar se Aleanca, në përpjekjet e veta për ta përkrahur bashkësinë ndërkombëtare që të arrihej një marrëveshje e negociuar, kishte “….rishikuar planifikimin ushtarak për një vistër mundësish që të ndalej dhuna dhe të krijoheshin kushtet për negociata. Këto e përfshijnë edhe përdorimin e forcave tokësore e ajrore, e posaçërisht një vistër të gjerë opsionesh për përdorimin vetëm të forcës ajrore. Këto sigurojnë që NATO-ja të mund të vepronte me shpejtësi dhe në formë efikase po të shfaqej nevoja”.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së, kishte miratuar edhe rezolutat 1160 (1998), sipas së cilës Beogradi duhej të ndërpriste të gjitha veprimet luftarake, si dhe 1199 (1998), që ishin të bazuar në kapitullin e VII të Kartës së OKB-së. Një rezolutë e cila merret duke u mbështetur në Kapitullin e VII të Kartës së OKB-së, çmohet si hap i parë drejt masave më të ashpra të ndërmarra nga KS, të cilat mund të shkojnë deri tek intervenimi ushtarak.

Në bazë të kapitullit VII të Kartës së OKB-së, keqësimi i gjendjes në Kosovë u cilësua si “rrezik për paqe dhe siguri në rajon”. Edhe ministri i Jashtëm rus Ivanov, votoi pro Rezolutës 1199, çka nënkupton një tërheqje nga pozicioni i saj i fortë në mbështetje të Beogradit.

Para opinionit publik, si justifikim rusët do të theksojnë se kjo rezolutë do të shërbejë si impuls për dialog të drejtpërdrejtë midis Beogradit dhe Kosovës. / KultPlus.com

“Pak përtej vetmisë, është personi që doni”

Dino Buxati (Dino Buzzati Traverso), është ndër shkrimtarët italianë më të frytshëm dhe më të rëndësishëm të shekullit XX. Kronist dhe korrespodent special për “Corriere della Sera”, fill pasi mbaroi universitetin, ai ishte gjithashtu piktor, dramaturg, skenograf, ideator kostumesh dhe poet.

Në vitin 1958, fitoi çmimin “Strega” me koleksionin “Gjashtëdhjetë histori”,  një përzgjedhje e tregimeve më të mira të botuara në tre koleksionet e mëparshme “Shtatë lajmëtarët” të vitit 1942, “Frika nga Sacala” e vitit 1949 dhe “Rënia e Balivernës” e vitit 1954. Autori i “Shkretëtira e Tartarëve”, “Rënia e Balivernës” dhe “Barnabo i maleve” fitoi famë falë anës së shqetësuar dhe fantastike të veprës së tij, e cila ndërton një urë të çuditshme dhe mjaft shqetësuese midis kësaj bote, tonës, dhe “tjetrës”.

Sidoqoftë, fantastikja e tij asnjëherë nuk shkëputet nga realja, ajo është e rrënjosur në banalitetin e përditshëm, që zakonisht, nuk duket të jetë i kontaminuar nga ankthi dhe i imponuar nga demonët. Me një shkrim të qartë, plot me alegori e metafora, falë teksteve surrealiste, Buzzati ka fituar emrin e “Kafka italian” dhe ishte ndër kritikët më thumbues të moralit dhe etiketimeve borgjeze. Romani “Shkretëtira e Tartarëve” konsiderohet shembulli më i lartë i narracionit ekzistencialist italian. Me gjithë lehtësinë për të shkruar dhe fantazinë karakteristike të tij, shpeshherë Buzzati është shprehur se ai ishte viktimë e një keqkuptimi të madh: “Unë jam një piktor, që, si hobi, gjatë një periudhe paksa të zgjatur, për fat të keq, kam qenë edhe shkrimtar, edhe gazetar. Nga ana tjetër, bota beson se është e kundërta dhe “nuk “mund” t’i marrin seriozisht” pikturat e mia. Gjithsesi, për të nuk kishte asnjë dallim midis pikturës dhe shkrimit, sepse që të dyja aktivitetet kishin të njëjtin qëllim: të rrëfente histori.

Të duash duhet të kuptosh

Thënia “Pak përtej vetmisë, është personi që ju doni”, mund të interpretohet në shumë mënyra. Për të dashuruar, njeriu duhet të jetë i gatshëm të braktisë zonën e rehatisë, duhet t’i hapet jetës, madje të hidhet edhe në krahët e rrezikut. Ose, për të dashuruar, së pari duhet të hapni vend në jetën dhe në menaxhimin e jetës së përditshme, për t’i dhënë vendin që i takon të dashurit apo të dashurës tuaj. Gjithashtu, mund të themi se për të dashuruar duhet të jeni të gatshëm ta kuptoni tjetrin, të braktisni siguritë që keni ndërtuar për të qëndruar lart, të mohoni atë që jeni, në mënyrë që të takojmë tjetrin në tjetërsinë dhe diversitetin e tij ose të saj, të lundroni nga porti i sinqertë i vetmisë për të na treguar të vërtetën e asaj që jemi: burra ose gra të papërsosur, të brishtë dhe të frikësuar, qenie që kërkojnë vazhdimisht të jenë të dashur.

Autori i tregimeve të shumta të shkurtra, shumica e tyre fantastike, të romaneve, të pjesëve teatrale, por edhe i poezive, tregimeve për fëmijë dhe librete operash, Buzzati vdiq më 28 janar 1971, duke lënë një vepër letrare që ishte ndër më të rëndësishmet e shekullit XIX. Nga një zhanër në tjetrin, nga metrazhi i gjatë deri te metrazhi i shkurtër, vepra e Buzzati është një magji e përhershme, një ushtrim i mrekullueshëm në ngjizjen letrare.

Nëse futeni në veprën e tij, e cila duket si një kështjellë e pushtuar nga fantazmat, duhet të dini që keni një takim me marramendjen: magjistari i përtej alpeve nuk ka asnjë të ngjashëm me shpërqendrimin, ndërthurjen e probabiliteteve, lëkundjen e sigurisë, tronditjen e themeleve të realitetit. Sa për heronjtë e parapërlqyer, ata janë të familjarë të fantazmave që nuk reshtin së kapërcyeri pasqyrat, duke hapur kat më kat portat e të mbinatyrshmes dhe fantastikes, të pazakontës dhe misterit. /KultPlus.com

Emil Lafe, akademiku që ‘unifikoi’ gjuhën shqipe

“Rezoluta e Kongresit të Drejtshkrimit mbetet edhe sot akti më i rëndësishëm përfaqësues kombëtar, që shpall dhe sanksionon unitetin e kulturës shqiptare dhe shtetin kulturor shqiptar, përtej kufijve, mbi bazën e një gjuhe letrare kombëtare të njësuar ose të shqipes standarde. Ajo Rezolutë me moton “Një komb – një gjuhë letrare kombëtare”, i sfidoi kufijtë e imponuar dhe gjendjen politike, duke shprehur vullnetin e përbashkimit të shqiptarëve rreth flamurit të një gjuhe letrare të përbashkët për shkollën, për letërsinë, për shkencën dhe kulturën shqiptare. Ky është kuptimi i vërtetë i veprës së Kongresit të Drejtshkrimit, këtu qëndron rëndësia e tij historike kombëtare e kulturore. Njëkohësisht këtu qëndron edhe arsyeja e kundërshtimeve që i janë bërë e i bëhen. Kongresi i Drejtshkrimit, i organizuar nga Universiteti i Tiranës, ishte vepër kolektive e shkollës shqipe dhe e inteligjencës shqiptare këtej e andej kufijve shtetërorë. Në përgatitjen dhe suksesin e tij morën pjesë dhe kanë merita studiuesit më në zë të gjuhës shqipe dhe krahas tyre edhe mjaft studiues të rinj, njerëz të letrave, veteranë e veprimtarë të shquar të arsimit kombëtar”.

Profesor Emil Lafe në konferencën përkujtimore me rastin e 40-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës shqipe.

Related image

(Foto nga Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës shqipe)

Vepra e profesor Emil Lafes i përngjan një yllësie për nga misioni, forca e ndikimit dhe vlerat shkencore. Kjo yllësi e ka ndriçuar mbarë arealin shqiptar dhe e ka mbrojtur nga terri përndarës dialektor, që nxit përçarje e kokëçarje të panevojshme. Gjuha është simboli më i qenësishëm i identitetit dhe i lashtësisë së një kombi, andaj sfida e formimit të gjuhës letrare të njësuar ka qenë një ndër pikat më të rëndësishme të programit të Rilindjes Kombëtare shqiptare, si kusht dhe shenjë vendimtare e pavarësisë së vendit.

Përgjatë viteve u bënë përpjekje të ndryshme për zgjidhjen e çështjes gjuhësore, por angazhimi vendimtar nisi pas çlirimit të vendit, ku u ndërmor puna konkrete për hartimin e rregullave drejtshkrimore (1948, 1951, 1956) dhe u hartua për herë të parë fjalori shpjegues, i mbështetur në dy variantet letrare, Fjalori i gjuhës shqipe (1954), i hartuar nga Instituti i Shkencave.

Profesor Emil Lafe është një ndër pasuesit dhe përçuesit më të denjë të ideve iluministe në Shqipëri. Ai, së bashku me prof. Eqrem Çabejn, prof. Mahir Domin dhe prof. Androkli Kostallarin, dhe me kontributin e shumë delegatëve të tjerë anë e kënd shqiptarisë, i dolën në krye sfidës më të madhe kombëtare, pikërisht njësimit të shqipes letrare përmes hartimit të rregullave të drejtshkrimit të saj.

I pasionuar pas punës shkencore, i dashuruar pas gjuhës shqipe, njohës i mirë i dialekteve të shqipes, profesor Emili mbetet shëmbëlltyra e gjuhëtarit serioz, me kompetencë shkencore dhe konsekuent në pikëpamjet e veta, në harkun kohor të gjashtë dekadave. Qysh në moshën 21-vjeçare kur u emërua asistent pedagog në katedrën e gjuhës shqipe, ai i ngjiti shkallaret e suksesit falë përkushtimit dhe aftësisë së tij.

Emri dhe veprimtaria e profesorit janë të lidhur pazgjidhshmërisht me problemet e zhvillimit të gjuhës shqipe letrare, me përvijimin dhe zbatimin e trajtave normative të saj dhe me qëndrimet parimore për ruajtjen e gjuhës letrare të njësuar shqipe. Për t’u thelluar në këto kahe zhvillimore, profesorit i janë dashur shumë vite pune për njohjen e dialekteve të ndryshme dhe tipareve e veçantive fonetike, gramatikore e leksikore të të dy dialekteve bazë të shqipes: gegërishtes dhe toskërishtes. Në mënyrë sipërfaqësore, disa mendojnë se hartimi i rregullave të drejtshkrimit u diktua nga numri i përfaqësive krahinore dhe nuk marrin për bazë rrethanat e tjera kulturore e historike, si dhe diskutimet disavjeçare për projektet e rregullave drejtshkrimore të botuara në vitin 1967 apo Konsultën Gjuhësore të Prishtinës, të mbajtur një vit më vonë, pikërisht në prill 1968.

Profesor Emili është anëtar i komisionit hartues të rregullave të drejtshkrimit (1967), delegat dhe njëherësh, sekretar i Komisionit Organizues të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972) dhe një nga zërat më aktivë në fushën e gjuhësisë për problemet e sfidat me të cilat përballet gjuha shqipe sot.

Image result for kongresi i drejtshkrimit

Ai është njeri shumë i përpiktë si në shkencë, ashtu edhe në jetën e përditshme. Në mënyrë kronometrike, organizon punën e çdo dite, duke programuar punën hulumtuese me atë organizative të revistës shkencore dhe konferencave që bashkërendon herë pas here. Për të, koha është aseti më i çmuar, ndërsa korrektësia është tipari më i dallueshëm i tij. Ai e çmon fjalën dhe kurrë nuk abuzon me të. Njeri i besës, fisnik e dinjitar, fjalëpak dhe përcaktues i prerë i çdolloj situate, ai vetvetiu i imponon respekt çdokujt, madje edhe atyre që nuk bien dakord me mendimet e tij.

Zëri i tij i qashtër e kumbues, i ngjyrosur me notat e intonacionit të shqipes ia përvijon më tej gjallërinë dhe ekspresivitetin e mendimit. Natyra e tij paqësore, qëndrimi i njerëzishëm dhe bashkëpunues, ia shtojnë më tepër hijeshinë e madhështinë profesorit, i cili është i gatshëm të të përgjigjet në çdo rast për problematikat që lidhen me gjuhën shqipe.

Numri i tij i telefonit dhe adresa e postës elektronike janë pika referuese e gazetarëve dhe studiuesve të rinj, të cilët e dinë gjithnjë se do të gjejnë një përgjigje të padiskutueshme nga profesori, i cili nuk bezdiset asnjëherë kur bëhet fjalë për çështje të gjuhës shqipe. Në shumë raste, ai ka marrë përsipër, vullnetarisht, organizimin e takimeve ndërgjegjësuese, sqaruese për problemet e gjuhës në media, por edhe në sfera të tjera shoqërore. Shumë herë i këshillon dashamirësisht të njohurit e vet për mënjanimin e gabimeve që shpërfaqen në komunikimet publike. Reagime të tilla i vijnë natyrshëm, sepse siç e përdor vetë në përcaktimin e kolegëve të vet të nderuar, ai nuk është nga ata që bëhen urë e vig të shkojë sipër i mirë e i lig.

Image result for emil lafe

Kontributi 60-vjeçar në fushën e gjuhësisë

Profesor Emil Lafe lindi në Vithkuq të Korçës më 27 qershor të vitit 1938, ku i ati gjendej me shërbim si kryetar i komunës. Ai rrjedh nga një familje e thjeshtë me ndjenja atdhetare dhe arsimdashëse. Dashurinë për gjuhën shqipe dhe përkushtimin për punën i kultivoi qysh në vitet e para të jetës nga prindërit e tij. Ishte fëmijë shumë kureshtar dhe kërkues ndaj vetes. Për shkak të transferimeve të herëpashershme të të atit, fëmijëria dhe rinia e tij kalan nëpër qytete të ndryshme shqiptare: Kukës, Prizren, Berat, Lushnjë, Durrës, Vlorë, ku kreu gjimnazin (1955)

Më 1959 u diplomua në degën e gjuhës shqipe dhe të letërsisë në Universitetin e Tiranës. Po atë vit, u emërua asistent në katedrën e gjuhës shqipe të këtij Fakulteti, e cila kishte si objektiv kryesor përgatitjen e mësuesve të gjuhës shqipe për shkak të kërkesave të shumta që kishte vendi. Për përgatitjen e këtyre mësuesve u aktivizuan figurat më të dalluara të kohës, mes të cilëve edhe profesor Emili. Ndonëse i ri në moshë, ai spikati me formimin e tij. Prej emërimit në punë si pedagog, ai ka hartuar leksionet dhe ka lekturuar disa lëndë gjuhësore në Universitet. Për studentët, ai mbetet profesori serioz, kërkues, por tejet i drejtë në vlerësime.

Në periudha të ndryshme përgjatë karrierës së tij akademike, ai ka qenë profesor i ftuar në Universitetin e Napolit, të Sant-Peterburgut, të Leçes, të Pekinit, të Beogradit etj.

Image result for emil lafe

(Profesor Emil Lafe në Universitetin e Pekinit)

Energjinë dhe kohën më të madhe ia mori puna në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë, ku qe për periudha të ndryshme përgjegjës i sektorit të kulturës së gjuhës, të terminologjisë, të gramatikës dhe dialektologjisë, gjithashtu anëtar i këshillit shkencor, anëtar i redaksisë së revistës “Studime filologjike”, kryeredaktor i revistës “Gjuha jonë” etj. Gjatë kësaj periudhe, ai u përfshi në veprën më madhore të kombit shqiptar, pikërisht në njësimin e gjuhës letrare shqipe. Ai ishte anëtar i komisionit që punoi për hartimin e projektit të ri të drejtshkrimit, duke u bërë pjesë e diskutimeve shkencore shumëvjeçare dhe duke studiuar në thellësi trajtat gjuhësore dhe shtrirjen e tyre. Përveçse si delegat në Kongresin e Drejtshkrimit, ai mori pjesë në përgatitjen e dokumentacionit të Kongresit, në cilësinë e sekretarit të Këshillit organizues të Kongresit të Drejtshkrimit.

Bashkautor në vepra themelore normative të gjuhës shqipe: “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” (1973), “Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe” (1976), “Gramatika e gjuhës shqipe” (1976, me disa ribotime), “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe” (1980), “Fjalor i emrave gjeografikë të Republikës së Shqipërisë” (1982).

Në vitet 1999-2008 ka qenë drejtor i Qendrës së Enciklopedisë Shqiptare në Akademinë e Shkencave. Në këtë detyrë, ai la një tjetër gjurmë të ndritshme në sferën e kulturës së gjuhës shqipe, duke drejtuar projektin për “Fjalorin enciklopedik shqiptar” në tri vëllime. Ai është autor i shumë zërave dhe redaktor i përgjithshëm i tij (vëll. 1 e 2 – 2008, vëll. 3 -2009).

Është autor i një vargu punimesh dhe artikujsh të botuar në shtypin shkencor të vendit e të huaj, ku spikat kontributi i tij për probleme të kulturës së gjuhës, për leksikologjinë, për historinë e gjuhës dhe gjuhësinë krahasimtare, si dhe profile për personalitete të kombit shqiptar.

Opusi i shkrimeve dhe studimeve të tij nuk është vetëm gjuhësia, por edhe personalitetet kombëtare që kontribuuan për zhvillimin e saj, gjë që tregon karakterin e tij mirënjohës dhe fisnik, që nuk flet kurrë për sukseset e veta, por që nuk lë rast pa folur për sukseset e kolegëve, profesorëve dhe njerëzve të tjerë me vlera në fushën e shkencës.

Përgjatë viteve 1988-1989 ka kryer një kualifikim në Institutin e Gjuhësisë të Universitetit e Bonit me bursën “Humboldt”. Më 1982 fitoi gradën shkencore “doktor”, ndërsa më 1994 titullin “profesor”. Profesori ka organizuar dhe ka marrë pjesë në dhjetëra konferenca, simpoziume e kongrese shkencore brenda e jashtë vendit.

Ai është Kryetar i Shoqatës së Gjuhësisë Shqiptare, anëtar i kryesisë së Akademisë Shqiptare të Arteve dhe të Shkencave, anëtar i redaksisë së revistës “Perla” nga themelimi (1996) dhe kryeredaktor (2013 e në vijim).

Falë vlerave të spikatura profesionale, ai është lauruar me Çmimin e Republikës të shkallës së parë, dekoruar dy herë me Urdhrin “Naim Frashëri” (i bronztë dhe i artë). Me përvojën e tij të pasur e të gjatë në çështjet e gjuhësisë, ai vijon të konsiderohet si një nga gjuhëtarët më kompetentë dhe si një mbrojtës parimor e i vendosur i gjuhës letrare kombëtare shqipe, një dhe e pandarë për gjithë shqiptarët, kudo që janë./redaktori.net// KultPlus.com

MKRS-ja shpall konkursin për mbështetjen e projekteve kulturore

Me shtatëqind mijë euro, Ministria e Kulturës pritet që këtë vit t’i përkrah projektet artistike të skenës së pavarur të vendit.

Të martën, zyrtarisht Ministria e Kulturës, ka hapur konkursin për mbështetje financiare publike për projektet kulturore të viti 2020.

Jehona Shyti nga departamenti i Kulturës në MKRS, e ka konfirmuar për KTV-në se me anë të këtij konkursi Ministria fton organizatat joqeveritare dhe individët, programi i të cilëve është i fokusuar në fushën e kulturës që të aplikojnë për mbështetje, raporton “Express” i KTV-së.

Konkursi për mbështetjen financiare të projekteve kulturore do të jetë i hapur deri më 17 shkurt të këtij viti.

Shuma mbështetëse financiare për projektet e organizatave joqeveritare mund të jetë maksimum deri në njëzet mijë euro, ndërkohë për individët deri në pesëmijë euro.

Mënyra e vlerësimit nga ana e MKRS-së rreth përkrahjes financiare të projekteve kulturore në vazhdimësi është kritikuar nga skena e pavarur kulturore.

Ministri në detyrë, Kujtim Gashi, vitin e kaluar kishte deklaruar se projektet e pavarura kulturore nga ky konkurs kanë mbështetje të madhe financiare.

Buxheti i Ministrisë për përkrahjen e skenës së pavarur ka rënë vazhdimisht.

Në 2019, projektet e kulturës nga skena e pavarur ishin mbështetur me afro një milion euro, ndërsa gjatë vitit 2018 buxheti arrinte gati 1.5 milionë.(Koha Ditore) /KultPlus.com

Enkel Demi: Do doja të ftoja në darkë Kutelin dhe Markezin

Në ceremoninë e ndarjes së Çmimeve Kombëtare të Letërsisë për vitin 2018, Tom Kuka (Enkel Demi) fitoi sivjet çmimin e “Romanit më të mirë” me librin me titull “Gurët e Vetmisë”

Tom Kuka vjen në një rrëfim mbi librat i vendosur në rolin e lexuesit.

Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?

Me gjasë “100 vjet vetmi”, por pse jo “Jeta sipas Garbit”, “Autostrada e Jugut” dhe nuk e lë dot jashtë “Pedro Paramar”. Qenka ora e torturës me këtë intervistë…

Cilat janë për ju tregimet më të parapëlqyera të të gjitha kohërave?

Tregimet e Çehovit, Mopasanit, Migjenit, Enerst Koliqit dhe e shumë e shumë të tjerëve që nuk më vijnë në mendje tani.

Cilët ndër ata që merren me letërsi artistike, eseistë, kritikë, gazetarë apo poetë, quani si shkrimtarët më të mirë sot për sot?

Edhe këtu kam një listë të gjatë emrash, por do të veçoj:

Liridon Mulaj, Elvira Dones, Mira Meksi, Andreas Dushin, Ledia Dushin, Mimoza Hysën, Virgjil Muçi, Blendi Fevziun, Ben Blushin, Diana Çuli, Preç Zogajn, Besnik Mustafaj, Bashkim Hoxha, Entela Tabaku – Sorman, Arbër Ahmetaj, Agron Tufa dhe plot e plot të tjerë. Kjo është një listë e shkruar me vrik, por nuk është një klasifikim nga i pari tek i fundit.

Çfarë gjinie letrare ju pëlqen të lexoni? Dhe çfarë nuk lexoni?

Roman, tregimi, poezi, më rrallë kujtime dhe letërsi politike. Më tërheqin librat e verdhë, por jo gjinia thriller. Jam shumë i interesuar për romanin historik dhe letërsinë që e ka bazën aty si fjala vjen “Çifutka e Toledos” apo “Bota e djeshme”.

Çfarë librash mund të na befasojnë po t’i gjejmë në raftet tuaja?

Nuk e di sa do ju befasonte një botim i vjetër i Patër Fishtës që nis me poezinë “I Dbuemi” apo “Kanunet e Drishtit”?

Kush është heroi ose heroina juaj imagjinare e parapëlqyer?

Jam në dilemë mes Kostandinit dhe Mujit, por heroina ime tragjike është Ajkuna.

Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj? Cilët ishin librat dhe autorët tuaj të parapëlqyer?

Kam qenë një lexues shumë më i mirë se jam sot, kur ankohem më së shumti për kohën që më marrin gjërat e tjera. Me ëndje lexoja letërsinë e llojit Zhyl Vern apo nja dy romane si “Vrasje në anije” dhe “Gjuetarët e gorillave”.

A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër?

Po, kur kam lexuar “Gjeniun” e Teodor Drajzerit. Ishte i ndaluar, por edhe në shtëpi i kishte dalë fjala se ishte libër erotik. Nuk e di se ku ia gjenin erotizmin, por një arsye më shumë për ta lexuar ishte. E mbaja të fshehur në furrën e shporetit që nuk ndizej, sepse ishte pranverë.

Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë ky që jeni sot, cili do të ishte ai?

“Frymë të vdekura” dhe Gogoli në përgjithësi ka ndikuar shumë tek unë.

Nga librat që keni shkruar, cilin parapëlqeni më shumë ose është më kuptimplotë për ju?

Nuk e di sinqerisht kë duhet të ndaj. “Ora e ligë” teknikisht është sipas mendjes sime libër shumë më i arrirë. Në këndvështrimin artistik i kam për zemër të gjithë.

Po qe se do t’i kërkonit presidentit të lexonte një libër, cili do të ishte ai?

Presidentit tonë do i rekomandoja “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, kurse kryeministrit pa asnjë hezitim “Apokalipsin” në Bibël.

Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave. Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar?

Do të ftoja Markez dhe Kutelin që t’i njihja bashkë. Të tretin Heminguejin që ta njihja vetë.

Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë: për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer, por nuk e bëtë? A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar?

Mendoj se “Banda e fëmijëve” e Savianos mund të ishte pak a shumë kështu. Ka një subjekt dhe linja të arrira, por letërsi jo shumë të lartë, gati-gati kronikë gazetareske.

Unë po e nisa një libër e lexoj deri në fund dhe kjo nganjëherë më revolton, sidomos kur më japin ndonjë shkrimtar limonatë.

Kë do të donit të shkruante historinë e jetës suaj?

Nuk jam aq megalloman. Pastaj, mendoj se jeta ime nuk ka ndonjë gjë kaq të veçantë sa ia vlen të shkruhet.

Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?

Tek shkrimtarët shqiptarë dhe realizmi magjik.

Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende?

Shumë të këtillë, veçanërisht nobelistë të viteve të fundit, të cilët shpesh nuk gjej kohën e duhur.

Çfarë keni ndërmend të lexoni tjetër?

Kjo është koha që po e shpenzoj me autorët shqiptarë të ditëve tona. Dëshiroj t’i lexoj të gjithë./ Gazeta Liberale / KultPlus.com

Kur

Poezi nga Leonard Cohen

Kur heshtja duket aq e zhurmshme
dhe ti ndjen se vetëm je
ki besim dhe kthehu tek unë
të premtoj aty më ke.

Kur maja të duket e lartë
dhe zbritja është i vetmi kthim
zgjati duart dhe thirrmë
për ty jam gjer në amshim.

Kur dyert janë mbyllur
dhe ti ndjen trishtim
unë do të të kthej buzëqeshjen
do të bëj të ndjesh gëzim.

Kur të kesh humbur çdo fuqi
dhe të jesh duke rënë
unë do të të ngre dhe jap shpresë
Të ndihmoj të qëndrosh në këmbë.

Dhe kur më në fund të vijë dita
që i lumtur buzë detit të ecësh
kur unë të ndjehem vetëm
shpresoj që ti të më presësh.

Por deri sa ajo ditë të vijë
dhe deri sa ti dritën të gjesh
dëgjoje zemrën, beso në mua
përjetë këtu do më kesh! /KultPlus.com

Astrit Ismaili, me operetën ‘MISS’ në Amsterdam e Lozanë

Puna më e re artistike e artistit Astrit Ismaili është më e veçantë dhe unike se tjerat.

Bëhet fjalë për një operetë e cila është kompozuar për tu performuar më pas nga tre performues.

Vetë Astriti, bashkë me Ivan Cheng dhe Magdalena Mitterhofer janë pjesë e kësaj operete.

“Kjo performancë i eksploron tri referenca nga e kaluara. E para, lulen e parë dhe evoluimin botanic prej bimës në lule, Cicciolina – dikur një porno-star dhe më pas një këngëtare por edhe politikane nga Hungaria, dhe Miss Kosova – një figurë gjysmë fiktive e cila është ndërtu duke u bazu në tranzicionin e Kosovës si pjesë e Jugosllavisë e deri te Pavarësia e saj” tregon për KultPlus Astrit Ismaili.

Astriti vikendin e kaluar e performoi operetën e tij në Amsterdam, pjesën e parë nga opereta “MISS”.

“Pjesa e parë e operetës u shfaq në festivalin Les Urbaines në Llozanë të Zvicrës në dhjetor, ndërsa ishim edhe në Amsterdam në Galerinë Rozsenstraat Rose is a Rose is a Rose. Interesimi i publikut në të dyja rastet ka qenë i madh” tregon Ismaili.

“Tri referencat nuk kanë lidhje me njëra tjetrën por çka i bashkon janë situatat në të cilat kreativiteti përdoret si mjet për tu ballafaquar me kufizime e limite” tregon Astriti.

Po bëhet gati edhe një turne nëpër Evropë për të shfaqur e performuar këtë operetë.

Astrit Ismaili, artist nga Prishtina, është i njohur për artin e tij provokues dhe shpesh të fuqishëm në kauzat pas tij. Astriti viteve të fundit më shumë është aktiv jashtë Kosovës. Ai e morri çmimin ‘Artistët e së Nesërmes’ ndërsa punët e tij artistike janë shfaqur në Beograd, Stamboll, Zvicër, Holandë e në shtete tjera. / KultPlus.com

Trebicka: Disa bëjnë filma e bëhen regjisorë vetëm sepse kanë para

Aktori i mirënjohur shqiptar Alfred Trebicka, i ftuar në një prej emisioneve televizive ka komentuar mbi filmat e kohëve të fundit në Shqipëri, duke mbajtur një qëndrim skeptik. Trebicka shprehet se, disa njerëz që vijnë nga hiçi, bëjnë filma, bëhen skenaristë, regjisorë apo aktorë, vetëm sepse kanë disa mjete financiare.

Të tillë persona, ai i quan sharlatanë dhe shprehet se, për të bërë një film nuk është e mjaftueshme që të kesh mjete financiare, por nivel i lartë arsimor, kulturor e artistik.

Trebicka nuk shprehet me emra konkretë, por kinematografia shqiptare është ‘pushtuar’ kohët e fundit nga filmat e Ermal Mamaqit dhe Bes Kallakut.

Pjesë marrë nga intervista:

  • Pse Alfred Trebicka, mund të refuzojë një rol?

Alfred Trebicka: Refuzuar domethënë, unë mund të them se në princip nuk e dua, nuk e kam refuzimin. Por, sigurisht që kam refuzuar. Kam refuzuar kur nuk më ka bindur, në rastin e filmit, skenari dhe regjisori.

Kjo ka ndodhur në disa raste, me regjisorë të rinj. Kanë ardhur me dëshirën e mirë për të bashkëpunuar dhe i kam pranuar.

Për shembull, kam bashkëpunuar me Ergys Metën, që e vlerësoj në kinema ose Joti Heillin. Nuk është se, nuk njoh refuzimin. Por, kur marr një skenar që nuk më duket skenar dhe shoh që personi që do ta ekzekutojë, sipas tij, nuk ka atë formimin elementar të një njeriu. Këtu, po ndodh një fenomen i pakëndshëm, në atdheun tonë të dashur. Po dalin njerëz pa asnjë lloj formimi pas asnjë… edhe thonë që jam kineast. Ore, kineast është fjalë shumë e madhe! T’i thuash dikujt që je kineast, duhet ta pyesësh veten mirë. Ka një mori komponentësh domethënë, që duhet t’i ketë një person për t’u quajtur kineast.

  • Ka shumë njerëz që vetëshpallen

Alfred Trebicka: Po, vetëshpallen, se nuk dua të përmend edhe emra tani, se s’është etike. Se edhe romanët e kam thënë që nuk dua të përmend emra. Po i shohim dita-ditës, një film nga ky, një film nga ai. Edhe ti thua “ore, kush është ky që bën skenarin vetë, bën regjinë vetë, bën edhe rolin vetë?”.

  • Është e pamundur domethënë?

Alfred Trebicka: Të paktën nga historia e kinemasë sa jam arsimuar, sa jam kontakuar, them me vete nëse ka art më të vështirë për t’u ekzekutuar është arti i kinemasë. Është një art kompleks, është një art që s’ka të bëjë vetëm me, jo se është i lehtë kinemaja. Por ka të bëjë me filozofi, mendim, janë një mori komponentësh. Dhe një njeri që vjen nga asgjëja dhe thotë që do bëj një film.

  • E keni fjalën, për filmat që prodhohen kohët e fundit në Shqipëri?

Alfred Trebicka: Edhe vetëshpallen pastaj njerëzit, thonë “unë jam regjisor, jam kineast, se unë e njoh tregun”. Këtu janë keqkuptuar njerëzit. Se të bërit film, nuk është vetëm çështje tregu. Ka kapur tregun ky, di se çdo tregu. Cili treg? Cili treg? Për cilin treg flasin? Unë si profesionist, do t’i quaja sharlatanë. Sharlatanë të këtij arti të madh, siç është kinemaja. Trumbetojnë, kanë disa mjete financiare që unë as nuk hyj në ato dhe as më intereson fare. Mund të kesh aftësinë për ta gjetur këtë, por deri këtu. Në nivelin profesional: Ndalu Beg, se ka hendek!

  • Domethenë, jeni skeptik me këta?

Alfred Trebicka: Jam skeptik dhe për njëfarë kohe, kam heshtur, por ka rënë një moment që është e pamundur sepse janë bërë si gripet apo viruset e frikshme. Dhe kur dëgjoj brezin e ri që flasin në vijimësi, filmi i këtij, filmi i këtij, them: O zot, ku po shkojmë, ku po na çon kjo rrugë?

Kam dëgjuar që kanë mbetur të zhgënjyer pasi kanë shkuar për ta parë dhe u kam thënë, nxirrini vetë konkluzionet, pasi kur të dalë trap, të kuptosh çfarë është. /Konica.al//KultPlus.com

Shqipëria, në gjysmëfinalen e dytë të Eurovizionit

Është mbajtur sot në Holandë shorti i radhitjes së këngëve në Eurovision Song Contest 2020.

Shqipëria, gjegjësisht Arilena Ara me këngën e saj “Shaj” do të performojë në gjysmëfinalen e dytë, ne pjesën e dytë të natës, me 14 maj.

Këngët që performojnë në pjesën e dytë dhe të fundit të gjysmëfinaleve gjithmonë kanë një përparësi dhe duket sikur ky pozicion u sjellë atyre fat të mirë.

Në të njëjtën gjysmëfinale me Shqipërinë do të jenë edhe 17 shtete të tjera, përfshirë këtu Serbinë, Greqinë, Bullgarinë e Zvicrën. Prej 18-të këngëve, vetëm dhjetë shkojnë në finale në fund të natës pasi dëgjohen e shijohen të gjitha performancat.

Eurovizioni këtë vit mbahet në Roterdam të Holandës. / KultPlus.com

Michael Putland, fotografi që fotografoi legjendat muzikore që nga vitet e 60-ta (FOTO)

Michael Putland ka drejtuar lentat e aparatit të tij fotografik drejt yjeve më të jashtëzakonshëm të muzikës, kurse tani është rikthyer për të kujtuar momentet e realizimit të fotografive.

Michael Putland kishte vendosur që të linte fotografimin pasi që nuk po arrinte të gjente punë, mirëpo çdo gjë ndryshoi kur ai mori punën e tij të parë për një revistë muzikore, të fotografonte Mick Jagger. Pasi që ishte larguar nga shkolla në moshën 16-të vjeçare, atij i është dashur kohë që të gjente një punë. Pikërisht seti i fotografimit që ka realizuar së bashku me Jagger ka shënuar fillimin e karrierës së tij 50-të vjeçare.

“Pasi që fillova të punoj për një revistë, kompanitë, zyret e shtypit dhe artistët filluan që të më njohin. Kështu filloi karriera ime, isha me shumë fat”, ka treguar ai për Anothermag.com.

Një ekspozitë e re e quajtur “Ka qenë një udhëtim i mrekullueshëm”, është hapur në Galerinë Vassie në Amsterdam. Ekspozita është një udhë-përshkrim i punës së fotografit. The Rolling Stones, Bob Marley, Bryan Ferry, Patti Smith, Debbie Harry, Mick Jagger, Led Zepplin, Michael Jackson, Prince dhe të tjerë, të gjithë këta yje të muzikës janë fotografuar nga Putland, i cili edhe ka qenë nëpër turne së bashku me disa prej tyre. Ai kujton se gjëja më e vështirë atëherë ishte se realizimi i fotografive ishte me film dhe jo digjital.

“Për shembull, natën e parë të koncertit në kuadër të turneut të grupit The Rolling Stones isha në Vjenë, realizova fotografitë për koncert, bërë nja set fotografish për media për Mick, dhe mëngjesin tjetër unë isha në aeroplan rrugës për tu kthyer në Londër. Shkoja drejt e në studio dhe realizoja fotografitë, Atëherë i shtypnin i pastronin ato dhe kishte disa procedura. Pastaj merrja veturën dhe shkoja në aeroport gati për të udhëtuar për natën e tretë”, ka thënë Putland.

Fotografitë e realizuar nga Putland karakterizohen për spontanitetin e tyre: Leonard Cohen duke buzëqeshur, cigarja në dorë, në një dhomë hoteli, Mick Jagger pa maicë duke ngritur dorë para qindra fansave, është e qartë së ai është një ekspert për të kapur momente të paçmueshme.

Ai ka treguar sesi kishte shkuar për të fotografuar, fotografen Lynn Goldsmith, për një revistë e cila dëshironte që të tregonte arritjet e disa fotografeve. Dhe meqenëse ajo kishte qenë duke fotografuar Patti Smith, duke biseduar ai kishte përfunduar duke i fotografuar të dyja.

Kurse fotografinë ku shihen Bob Marley, Mick Jagger dhe Peter Tosh, realizuar në vitin 1978, ai e ka konsideruar si një fotografi realizuar në parajsë. Mick Jagger ka qenë shumë i lodhur pas koncertit dhe ai mori një birrë në dorë mirëpo nuk pati vend për tu ulur. Bob dhe Pete i bënë një vend për tu ulur pranë tyre, kurse unë isha shumë i lumtur që isha aty me aparatin tim.

Një fotografi tjetër për të cilën ai është i njohur, është edhe ‘Ladies Tea Party’, në vitin 1980. Po ashtu edhe fotografia e Gene Simmons nga grupi Kiss. Michael Putland ka qenë duke realizuar një set fotografik për Gene Simmons në vitin 1977 dhe në momenti kur dëshironte që të shkrepte fotografinë, afër tij ishte shfaqur një zonjë që punonte në spital. / KultPlus.com

Goran Bregoviç do ta sjellë Ballkanin në zemër të Evropës

Në edicionin e tij të 14-të, Balkan Trafik edhe sivjet do të sjellë një copëz Ballkani në Bruksel.

Balkan Trafik këtë vit do të mbahet nga 23-26 prill, në Bruksel, në qendër të Evropës. Deri tani disa performues janë konfirmuar për pjesëmarrës në këtë festival.

Goran Bregović & his Wedding and Funeral Big Band do të këndojnë në Bruksel në datë 25 prill. Goran Bregović, i lindur në Sarajevë, është një ndër këngëtarët më të njohur të ish Jugosllavisë, pjesë edhe e Bjelo Dugmes dikur.

Zdob și Zdub, grup nga Moldavia, poashtu do të këndojë në këtë organizim, me datë 24 prill, shkruan KultPlus.

VK concerts, La Madeleine, Cinema Palace dhe Grand Place në Bruksel janë katër lokacionet ku do të mbahet festivali që synon të përfaqësojë këtë pjesë të Evropës para qytetarëve në Bruksel dhe Belgjikë. Këtë vit, në proces me Balkan Trafik është përfshirë edhe Ambasada e Kosovës në Bruksel.

Këtë vit, në festival do të ketë edhe koncerte, filma, vallëzim, letërsi, tabela diskutimi e panele, gastronomi, teatër dhe poashtu art të rrugës. Së shpejti do të dihet edhe për shqiptarët që do të jenë pjesë e këtij festivali. / KultPlus.com

Kolegji Universum po merr pjesë në takimin e koordinatorëve të projekteve Erasmus+ në Bruksel

Kolegji Universum po merr pjesë pjesë në takimin e koordinatorëve të projektit Erasmus+ “2020 Grant Holders Meeting” në Bruksel. Projektet Erasmus+ të ngritjes së kapaciteteve në fushën e arsimit të lartë mbështesin modernizimin, aksesin dhe ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë në vendet partnere. 

Aktualisht Kolegji Universum është duke implementuar 6 projekte të financuara nga Komisioni Evropian. Kjo i kontribon shumë ngritjes së kapaciteteve të brendshme te Kolegjit Universum përmirësimit të cilësisë, zhvillimit të kurrikulave, zhvillimit profesional të stafit përmes trajnimeve dhe vizitave në universitetet partnere, si dhe përmirësimin e teknologjisë përmes paisjeve të reja në laboratore dhe salla.

Me 6 projekte Erasmus+ Capacity Building dhe mbi 114 marrëveshje Erasmus+ për shkëmbim, Kolegji Universum mbetet lider i pa diskutueshëm në Kosovë në fushën e ndërkombëtarizimit. Deri tani Kolegji Universum ka dërguar 135 studentë për shkëmbim semestral me bursë të plotë në 114 universitete në 26 shtete tē BE-së. Shiko fotot e studentëve përfitues https://www.universum-ks.org/studentet-erasmus/


Për më shumë informata ndiqni në facebook & instagram, kontaktoni në [email protected] apo telefononi në +383 44 144 062.  /KultPlus.com

(Shkrim i sponsorisuar nga Universum)

“Përjetësisht i ri dhe kundër botës së të rriturve”

Kanë kaluar dhjetë vjet nga vdekja e një prej shkrimtarëve më të portretizuar dhe enigmatikë të shekullit XX. Mirëpo, shpirti i Salingerit (dhe i personazheve të tij) vazhdon të drithërojë botën shpirtërore të gjithsecilit prej nesh. I famshëm jo vetëm për mënyrën e të shkruarit, por edhe për natyrën e tij të fshehtë, J. D. Salinger është autori i romanit të famshëm të vitit 1951: “Roje në thekërishten buzë greminës”. Natyra autobiografike e romanit u shndërrua në zërin e një gjenerate të tërë të rinjsh përballur me zhgënjimet e shoqërisë. Edhe pse libri u shndërrua menjëherë në bestseller, nuk e bindi Salingerin të botonte një roman tjetër.

Në vitin 1953, në kulmin e suksesit të librit “Roje në thekërishten buzë greminës” (The Catcher in the rye), Jerome David Salinger filloi të shkëputej dalëngadalë nga bota. Në të vërtetë, ai braktisi Nju Jorkun për t’u transferuar në qytezën Cornish, Nju Hampshir. Këtu, në rrjedhën e viteve, ai do të shkëputet gjithnjë e më shumë nga jeta publike, për t’i dhënë fund një herë e mirë botimit të romaneve dhe tregimeve, edhe pse vijonte të shkruante pandërprerë. Ja, pikërisht në mungesë, lind edhe miti.

Dhjetë vjet pas vdekjes, J. D. Salinger mbetet një mister i madh. Përse shkrimtari, që, mbi të gjitha, arriti të përjetësojë vetë zemrën e adoleshencës, befas, ndaloi së botuari? Përse bëri gjithçka, për t’u fshehur? Madje, për të flet edhe Papa Piu XIII në “Papa i ri”, kur emëroi Salingerin, së bashku me figura të tjera artistike emblematike të modernitetit, nga Kubrik në Daft Punk deri te Banksy, të githë kishin të përbashkët të jetuarin ose të jetuarin në fshehtësi dhe larg syrit të botës, pikërisht në këtë privim këndvështrimi ata gjetën çelësin e suksesit në një shoqëri që është përkundrazi soditëse dhe oruelliane. Megjithëse, te Salinger kjo zbrazëti nuk duket se shfaqet më shumë në terma magjepsës, sesa te krijimi i vetëdijshëm i një miti: nga ana tjetër, mungesa salingeriane lëviz jashtë çdo dinamike praktike. Më shumë se mungesë, kemi të bëjmë me arratisje, çfarë për më tepër, është një nga fjalët që përshkruan më së miri adoleshencën, me të gjitha keqkuptimet dhe iluzionet e saj të çmendura.

Salingeri, njëlloj si Holden Kolfildi, si Freni Glas, protagonistja e “Freni dhe Zoe”, e cila është gati-gati, nëse shprehemi në gjuhë artistikë, motra e madhe  e Holdenit, njëlloj si gati të gjithë personazhet e tij, ndoshta jetoi në rrethanat e një arratisjeje shumëvjeçare nga hipokrizia, që gjithashtu mund të quhet, duke e zbutur disi tonin, kompromis, çka nuk është tjetër veçse thelbi i botës së të rriturve. Bota e të rriturve është hipokrite dhe ky është fakt: kushdo që e ka lexuar “I riu Holden” e di. Poetika e Salingerit na sjell ndërmend universin e Piter Panit. Për shkrimtarin amerikan, rritja, bota e të rriturve, jo vetëm që është e shëmtuar, madje-madje e pazakontë, por është etikisht dhe ekzistencialisht është e gabuar. Gati kriminale. Bota e të rriturve është një kondensim i gënjeshtrave, të cilat duket se është e pamundur t’i kundërshtosh, nëse dikush dëshiron ta mbajë të pastër e të paprekur shëndetin mendor. Atëherë ekziston një kufi përtej të cilit arrijmë pashmangshmërisht në vulgaritetin e një jetese të rreme dhe jo të mirëfilltë. Gjithsesi, ekziston edhe e para e këtij kufiri: Salinger është në thelb një idealist. Idealizmi i tij nuk është toposi klasik romantik i magjepsjes së fëmijërisë kundër melankolisë së jetës së rritur. Kemi të bëjmë me një çështje përtej gënjeshtrës, e fashave në sy: fëmijë, adoleshentë, të cilët për Salinger janë vetëm fëmijë më të mëdhenj dhe më të zemëruar, i shohin gjërat ashtu siç janë; përkundrazi, të rriturit i takojnë, duke i shtrembëruar ato për përdorimin dhe konsumin e tyre. Personazhet e Salingerit duket sikur janë bllokuar gjithnjë e përgjithmonë në atë trampolinë, që është një harresë, një prag, por edhe një mallkim. Në të vërtetë, Holdeni dhe gjithë të tjerët vuajnë. Vuajtja e tyre është epika e një rebelimi të përgjakur. Dhe atëherë fëmijët, adoleshentët e përjetshëm, të çmendurit, pothuajse të gjithë protagonistët e Salingerit, mund të kategorizohen në këto tre tipologji – shtigje të vërteta narrative të arratisjes nga korrupsioni i botës. Çmenduria dhe fëmijëria, me të gjitha çuditë e tyre, mbeten, pikërisht sepse ato janë të pakuptueshme për racionalitetin e rremë të botës, reflektimi i vetëm i dritës për t’iu dhënë hua syve të dikujt. Diversiteti dhe rebelimi janë njësi që duhet të ruhen, sigurisht nuk janë defektet që duhet të tejkalohen. Pra, Salingeri është një situatë e rebelimit të përhershëm, i cili mund të shprehet vetëm në formën e tragjedisë: në fakt, bota përreth ekziston, gjykon dhe të mbyt.

Po ashtu, Salinger ishte veteran, njëlloj si Sejmuri. Mori pjesë në Luftën e Dytë në Evropë dhe pa me sytë e tij kampet e përqendrimit. Pra, si ta ruajmë paprekur atë shkëlqim të çmendur rinor, kur tmerri më i madh, i ekspozuar në gjithë lakuriqësinë e tij, ishte para tij? Si të pajtojmë të mirën ekstreme që acaron shpirtin e një fëmije me një spektakël kaq të hidhur, me shkatërrimin e trishtuar të botës? Salinger, duke kërkuar ekuilibrin, iku, u fsheh nga të tjerët, në një lojë të vazhdueshme fshehjeje dhe kërkimi me botën.

Krijimtaria salingeriane duhet të vihet në qendër të debatit për gjeneratën e të rinjve të sotëm, së bashku me filmat bashkëkohorë, këngë dhe romane që flasin qartazi për të. Tekste si “I riu Holden” dhe “Freni dhe Zoe” kanë një vlerë universale të pavarur nga koha. Të rinjtë e sotëm jetonë absolutisht në një gjendje salingeriane, bllokuar në një adoleshencë të përjetshme, nga e cila nuk duam të dalim dhe ku realiteti është i pamjaftueshëm për të na mbajtur të burgosur. Ëndrrat që përplasen me ashpërsinë e botës, idealja që lufton me realitetin, pastërtia me kompromisin. Një histori e vjetër ngulitur në kujtesën kolektive nga salinger: tregimet e tij nuk janë romane të formimit, siç është zakon të thuhet, si romane të mosformimit, të palëvizshmërisë ekzistenciale. Salinger mëson, në mënyrën e Piter Panit dhe për këtë arsye kundër çdo domosdoshmërie morale, kundër çdo mendimi të të rriturve dhe studiuesve, se kjo dëshirë për të ndaluar dhe kurrë nuk rritet, kjo dëshirë për refuzimin e adoleshencës, nuk është domosdoshmërisht një shenjë e papjekurisë. Në të vërtetë, a nuk është krejt e kundërta?/Konica.al// KultPlus.com

“Ky libër ka humbur arsyen për të ekzistuar”

Shkrimtari Paulo Coelho ka fshirë draftin e librit për fëmijë për të cilin po punonte me Kobe Bryant, duke thënë se pa yllin e madh të basketbollit, ky libër ka humbur arsyen për të ekzistuar.

Shkrimtari best-seller brazilian njoftoi të hënën se kishte qenë duke shkruar një libër fëmijësh me Bryantin, një adhurues i librit të Coelhos “Alkimisti”.

Dhe pas vdekjes së legjendës së NBA pas një aksidenti me helikopter të dielën, bashkë me vajzën dhe shtatë të tjerë, Coelho tha se do ta fshinte pjesën për të cilën kishin punuar së bashku deri tash në libër.

“Ti ishe më shumë se një lojtar i madh, i dashur Kobe Bryant. Kam mësuar shumë nga koha që kalova me ty,” tha Coelho. “Do ta fshijë drafin menjëherë, ky libër e ka humbur kuptimin.”

Novelisti ndau një shkëmbim që kishte pasur me Bryantin gushtin e kaluar, kur 5 herë kampioni i NBA, kishte kërkuar që të shkruanin një libër së bashku. /The Guardian/.

“Kur të duash,” ia kishte kthyer Coelho.  /KultPlus.com

Mbërrin vazhdimi i “Captain Marvel”

Filmi “Captain Marvel” ishte një hit i madh për Disney dhe Marvel, megjithëse personazhi nuk është shfaqur në asnjë film më parë, ai gjithsesi arriti t’i fitojë mbi 1 miliard dollarë në të gjithë botën dhe personazhi i tij është bërë një personazh i preferuar për shumë adhurues të botës së filmit Marvel.

Megjithatë, kur Marvel e paralajmëroi Fazën e vet të 4 – e cila përfshin filma dhe seriale që Marvel planifikon t’i publikojë gjatë vitit 2020 dhe 2021 – Captain Marvel 2 nuk ishte në listë. Dhe si duket kjo po ndodh, sepse filmi pritet të dalë në vitin 2022.

Image

Marvel raportohet se synon ta angazhojë Megan McDonnell për ta krijuar skenarin. Ajo është pjesë e ekipit të skenaristëve të serisë së Disney+ WandaVision dhe duket se janë të kënaqur me punën e saj kur planifikojnë t’i japin asaj një detyrë kaq të madhe, shkruan KOHA Ditore. Duke pasur parasysh që filmi i parë i kishte gjashtë skenaristë, presim që McDonnell nuk do të jetë e vetmja që do të punojë në skenar.

Anna Boden dhe Ryan Fleck e kanë bërë regjinë e filmit të parë, por kthimi i tyre nuk pritet pasi që Disney dhe Marvel po planifikojnë ta angazhojnë një regjisore të re për këtë detyrë, por ende nuk dihet kë.

Brie Larson do të kthehet në rolin kryesor të Carol Danvers/Captain Marvel. Filmi i parë u zhvillua gjatë viteve 1990, kur u eksplorua historia e saj, vazhdimi do të duhej të vendosej në kohën e sotme. Deri më tani nuk dihet se cila është saktësisht koha “e tanishme” apo nëse do të vendoset para apo pas filmave “Infinity War” dhe “Endgame”. Të gjitha detajet presim t’i zbulojmë në muajt e ardhshëm. /KultPlus.com

Mimoza Rudaj, vajza shqiptare imazh i brendit ‘Zebra Fashion’

Vajzat shqiptare duket sikur kanë një element të veçantë në vete. Këtë po e dëshmojnë sukseset e tyre të vazhdueshme, shkruan KultPlus.

Përveç muzikës, sportit e aktrimit, ato po tregohen të suksesshme edhe në botën e modelimit.

25-vjeçarja Mimoza Rudaj, e lindur dhe rritur në Zvicër, po tregohet goxha e suksesshme në këtë fushë, duke pozuar për brendet e njohura si ‘Zebra Fashion’ dhe ‘Vogele Shoes’.

Dashuria e saj për fotografinë duket sikur ka lindur bashkë me të. Qysh në moshën 13 vjeçare ajo ka rënë në sytë e brendeve të njohura të cilët edhe i kanë bërë ftesë për reklamë. ‘Yendi Chicoree & Schild’, brendi i njohur zviceran zgjodhi për imazh pikërisht këtë vajzë shqiptare.

Por, nuk shkoi larg dhe Mimoza nisi studimet, çka e bëri të shkëputet nga bota e modelizmit.

Por, gjatë kësaj kohe, ëndrra e saj duket sikur kishte marr përmasa më të mëdha. Pas një pauze disa vjeçare, ajo i rikthehet pasionit të saj më e fuqishme dhe e përmbledhur si asnjëherë më parë.

https://www.instagram.com/p/B6N0KN4lbCE/

Për KultPlus, sot kur ajo edhe feston ditëlindjen, ka ndarë disa gjëra për lexuesit.

“Jam një femër me shumë energji, më pëlqejnë udhëtimet, dua ta vizitoj botën dhe të mbledh eksperienca dhe kujtime të bukura. Gjatë vitit i realizoj rreth 3 udhëtime jashtë Evropës, ndërsa nëpër Evropë janë të panumërta. Por përveç udhëtimeve, pjesën tjetër të kohës e shfrytëzojë shumë edhe për gardëroben, jam e fiksuar pas shopingut”, ka treguar Mimoza.

Karriera në Zvicër është e vështirë, por Mimoza po ia del mjaft mirë.

“Të bësh karrierë në Zvicër është shumë e vështirë. Por, falë rrjeteve sociale kam arritur të krijoj kontakte me brende të njohura botërore. Bashkëpunimi me brendin ‘Zebra’ ka lindur pikërisht prej Instagramit, ku edhe i kanë parë fotografitë e mia e më kanë dërguar ftesë.”

Gjatë bisedës tonë, ajo ka folur edhe për Kosovën, vendin që zë një vend të veçantë në zemrën e saj.

“Kam shumë kujtime të mira nga Kosova dhe e vizitoj vendin tim dy deri tri herë në vit. Shëtis gjithë botën, por nëse nuk kthehem edhe në Prishtinë nuk ndihem e përmbushur. Shpesh e sjell edhe shoqërinë time në Kosovë të cilët janë mahnitur nga mikpritja dhe shoqëria që kanë gjetur këtu.”

Mimoza, në të ardhmen ëndërron të bashkëpunojë me ‘Calvin Klein’ dhe ‘Dior’.

Por, nuk e përjashton mundësinë për ndonjë bashkëpunim të mundësh në Kosovë i cili deri më tani nuk ka ndodhur. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/B7IySLqltQA/

Premierë historike e “Exil”-it nga Visar Morina në Sundance Film Festival

Filmi ‘Exil’ nga Visar Morina pati premierë të jashtëzakonshme dhe u prit me vlerësim të lartë nga publiku dhe kritikët në Sundance, fesivalin më të madh të filmave të pavarur në SHBA. Ky është një moment historik për filmin dhe kinematografinë kosovare.

Filmi rrëfen tregimin e Xhaferit, një inxhinier i kimisë me origjinë nga Kosova, i cili ndjehet i diskriminuar dhe i ngacmuar në vendin e punës, gjë që e zhytë atë në krizë të identitetit.

“Po ta shikosh në përgjithësi, unë jam vetë i huaj dhe edhe pse kam shtetësi gjermane; dhe nuk ndodh në asnjë mënyrë që të jesh i huaj në Evropë e të mos kesh ndonjëherë mendime si të Xhaferit” thotë regjisori, i cili u arratis në Gjermani me familjen e tij kur ishte 15 vjeç gjatë sundimit të terrorit në Kosovë në kohën e Slobodan Miloshevicit. “Disa nga detajet e filmit vijnë nga përvoja ime dhe e familjes sime.”

‘Exil’-i është bashkëprodhim në mes të Komplizen Film Gjermani, Ikonë Studio Kosovë dhe Frakas nga Belgjika i financuar nga Ministri për Kulturë dhe Media, Film- und Medienstiftung NRW, German Federal Film Fund, Belgium Film Tax Shelter, Medienboard Berlin Brandenburg, Qendra Kinematografike e Kosovës, Eurimages, dhe German Federal Film Board.

“Exil”-i poashtu sjell një kastë briliante të aktorëve, si: Sandra Hüller, Mišel Matieviq, Astrit Kabashi, Valentina Dubovci, Flonja Kodheli, Getuart Hajrizaj, Ameli Kabashi./KultPlus.com

Cineplexx organizon eventin Family Night me çmim special të biletave

Cineplexx sjell premierën e filmit Playing with Fire, për të cilin do të organizojë një event Family Night në të dy kinematë.

Për këtë premierë më 30 janar, Cineplexx organizon eventin “Family Night” me një ofertë speciale të biletave, të cilat mund t’i bleni për vetëm 3 EUR për grupe nga 3-5 persona. Biletat tashmë kanë dalë në shitje, dhe ato mund ti bleni çdo ditë në të dy kinematë, në Prishtinë dhe Prizren.

Instagram embed linku: https://www.instagram.com/p/B7tp4ebqqZ5/?utm_source=ig_web_copy_link

Filmi flet për një grup zjarrëfikësish të cilët pasi i shpëtojnë tre fëmijë në një mision, hasin në probleme të ndryshme të shkaktuara nga këta fëmijë problematikë.

Filmi vjen nën regjinë e andy Fickman, ndërsa në rolet kryesore luajnë John Cena, Judy Greer, Keegan-Michael Key.

Përveç premierës së këtij filmi, Cineplexx organizon edhe eventin Family Night prej orës 18:00, ndërsa ofertë promocionale e këtij filmi do të jetë çmimi prej 3 EUR për grupe personash nga 3 deri në 5 persona.

Për më shumë Cineplexx në bashkëpunim me Raiffeisen Bank Kosova sjell një super ofertë për biletat e këtij filmi. Për çdo biletë që paguani me Gold dhe Bonus Cards, merrni 1 tjetër FALAS.

Biletat mund t’i blini çdo ditë prej orës 15:00 në Cineplexx. Për më shumë rreth eventit, klikoni këtu mund t’i gjeni në webfaqën e Cineplexx. (lidheni me kete link: https://www.cineplexx-ks.eu/Content.Node/ks/events/_items/Playing_with_Fire_-_Family_Night.sq-KS.php /KultPlus.com

Nji lule vjeshte

Poezi nga Gjergj Fishta

N’atë rrahe t’dekne mbrenda vorrit t’errshem
Tash pluhën jé. Ata dy sŷ t’janë errun,
Ku qiella prirej me sá hana e diella
Terthores s’eper m’sharte vrejn t’njerzimit!
T’janë sosun fjalët e ambla e plot urtí,
E ai zâ t’âsht kputë, i cilli bite m’zemër
Si kumbë liret t’tingllueshme, qi prej s’largut
Ndihet tue rá, kur dora e prekë e msueme!
Ehu! po; “deka, qi baras m’derë t’pellazvet
Trakllon, si m’trinë t’kolibavet,” ku i vorfni
Me lot njomë buken, tý edhe ajo ke dera
T’traklloi, e ti kalove porsi voesa
E natës kalon, kur dielli vjen me shndritun
Mbi kobe t’dheut.
Sot përmbi vorr t’kanë bijtun
Hithat e madergona! ’I kryq dullijet,
Qi e pershpirtshme nji dorë t’a vu te kryeni,
Nder to ka hupë, as tjeter send trishtimin
E vorrit nuk t’a zbutë, posë va’it t’trishtueshem
Të hutit t’natës, qi neper curra t’malit
Dhimbshem në rreze t’hanës rrin tue gjimue! . . .
Njai grumbull gursh, qi m’vorr t’randon përsypri,
Vetë gjaksorit t’pashpirt, qi mbyti nierin,
Lugat i duken, n’hikë kah t’bjen nget vorrit,
Edhe t’përqethët atë botë i shkon n’për zęmer.
Po, a thue, krejt deka n’asgjâsend t’përpîni
E, posë se do kocijsh edhč ’i grusht pluhen,
Nuk t’la tjeter? Jo! N’pręhen t’Amëshuemit
Pjesa ma e mira e jotja ka flutrue
Me gzue n’dritë t’qiellvet, ku pushon dishiri
I nierit t’drejtë, si drita m’sŷ kthiellun.
Po, po, se përtej vorrin shpirti i nierit
Gjallon per jetë! Njeky mendim i ambël
Deken e zbutë e vorrin bân t’pelqyeshem,
Kúr zęmren fa’i s’e grisë. Prej ktij mendimi
As vetë per tý s’lotova shum, kúr ndjeva
Se diqe: se n’mâ t’miren lule t’motit
E lae ti ketë shkretí, ku shuen e Drejta
E Paudhnija, ku sundon mizore;
Ku i zhyemi m’vese sod me dorë dhunuese
Vesin shinon me Theta t’zí, e selija
M’rrashta t’përgjakshme t’njerzvet m’kambë, ku mbahet.
Ehu? po, se shpirti i yt, kulluet si rrezja
E diellit, qi perfton lulet e erandshme,
Kúr bora dęhet, s’mujt me e bajtë qelbsinen
E randë t’ktij sheklli t’zi; por fletët i rrahi
Kah jeta e dytë, ku Njai qi rruzullimin
N’themel e dridhë veç me ’i vetimë t’qerpikut:
Amshon n’lumni shka Atij t’i ket përgjá.
S’kje toka, jo, për ty kje qiella!
E tash, qi vetë jam tue ravisë kto karta,
Ti, kushedi, n’per vrrije t’amëshueme
Shkon tue kërkue për lila e drandofille,
Qi s’dijn me u veshkë e ndreqë me ta kunora,
Për me u lulzue mandej ndër t’zjarrtat valle,
Qi neper vrrije rrijn tue kndue t’Parrizit:
Ku, fletët e arta bashkë kryqzue me Engjuj,
Kndon Zotit lavde n’për ylbera t’qiellit:
A, marrë krejt n’t’pám t’s’hyjnueshmes faqe t’Zotit,
Porsi m’pasqyrë t’kulluet skjyrton shestimin
E rruzullimit, vu prej s’eprës Mende,
E cilla n’t’kenun sendet thirri t’tâna
Prej hijevet t’kthellueshme t’asgjâsendit,
Kur bâni Ajo furín me heshtë t’thellimit,
E me ’i fuqi t’pamatne prapi terrin
E pakthellimit, qi atje n’t’skajshmet megje
T’ktij sheklli ndihet mnershëm tue gjimue,
Kah për ledhe plandoset t’rruzullimit,
E atŷ, n’atë dritë plot ambelcim dashtnijet,
Qi porsi lum i kjartë prej Atit t’Dritvet
Gjithkah dikohet neper verë t’Parrizit,
Shpirtent e lum krejt m’rreze tu’ i pershi,
T’kthiellta ti i prirë t’vërtetat, t’cillat Hyji
Desht t’muzta nierit ma ia lânun t’shkrueme
Nder fletët t’hyjnueshme t’t’amëshuem Ungjillit.
Oh! sá e sá herë, kur n’mbrame shuen natyra,
E tjetër s’ndihet, veç se rryma e prronit,
Qi përmallshem gurgllon n’per rrajë e curra,
Un, lodhë mbi letra t’t’dijshemvet t’kahmotit,
Mbas t’cillvet fjalën rrij tue lmue shqyptare,
Dal në dritsore me kundrue shatorren!
Qi i Lumi t’kthielltë ia vuni rruzullimit,
E kqyri hyjt, qi, thue, se njaq sŷ Zotit
Flakojn mbi dhé — kushdi, për me felgrue
Nierin, qi egrue mâ fort prej mnerës s’territ
Përbluen punë t’mbrapshta: — e atë botë mendoj për ty.
E, ku ta shoh mâ t’flakshmen tue xhixhllue
Nji hýll, atŷ selín’ un’ tham me vedi,
Ti do ta kesh, e sŷt m’atë hýll pa da
I nguli, e m’bâhet si me t’pá. Me emën
Un t’thrras atëbotë n’per terr. Nji váj bylbylit,
Qi përmallshem ndër gemba rrin tue kjá
Fatin e vet, e ndoshta, zojt e dashtun,
Jehonë m’i bahet t’grishunit; e m’duket
Se bisedoj me ty! . . . Nuk dekka i miri,
Jo kurr; e sidomos nja’, i cili ‘i zęmër
E lęn mbrapa m’e ankue. Prej vorrit t’errshem,
Gjumin e dekës ku ai ban, na i flet mendimit,
Ambel edhč na nzitë kah punët e mbara,
E n’mende t’onë gjallon. — Kur Aleksandri
Prej Bregut t’Matës ngallnjyes u kap ke vorri,
Ku shuen idhnimi i Prisit t’Mirmidonvet,
Qi atje nën Shé vorfnoi me aq djalë Ekuben,
Iu ndez atŷ flakë zęmra kah lumnija.
Mbi njatë vorr, po, u betue me ngulë flamurin
N’skâj t’dheut, e prej selís’ me i zhdrypun mbretent;
E atëherë përpara tij tânë bota shuejti.
Mue edhč, qi sheklli e nji dishir lirijet
T’thepisne raven m’ia kanë shtrue gjallimit,
Mue, po, edhč zęmra mbi vorr tand t’përvujtun
M’ndezet kah punët e mbara e kah burrnija.
Përmbi vorr t’and, po, xâ të fortë me e mbajtun
Besen e dhânme — e miqasín e zânme;
Për Fé e per Atme n’ball me i dalë rrezikut:
Të ligshtit doren me ia njitë e t’fortin
Mos me e gledhue; kur t’jét me u thânë e drejta,
Mos me i shmangë sŷt’ prej cakut, n’t’cillin mendja
Dishron me u kapë, as kurr mos me u ligshtue
Ndër sá t’vishtira, qi t’na sjellin motet.
Po, po! se pre’ atij vorri kam me shkepun
Hovin kah punët e mdhana. Ai kryq dullijet,
Mneren e vorrit qi t’a zbutë, ai qanderr
Ka me m’kęnë ndër salvimet: Engjlli i Zotit,
Qi rojës besnik fuqít t’i pruen mizore,
Gjumin e dekës në vorr mos me t’turbllue,
Dér qi të shkimen n’qiellë e hâna e dielli
E t’ngele moti e sheklli mbarë t’rroposet,
E t’vije dita e gjyqit t’rruzullimit,
Ai ka për t’m’kęnun Zâna. E atëherë pa u tutun
Zhgjetat e prehta e t’zjarrta kah me i prehun,
Qi kundra vesit do t’ia lshoj njerzimit:
Atë herë un kangët kam me i ndertue kreshnike,
Me t’cillat botës un do t’ia lâ të shkrueme
Se shka viejn armët besnike n’dorë t’Shqyptarit.
E me kangë t’mija ’i përmendar t’madhnueshëm
M’vorr tand kam për t’ndërtue, të cillin moti
Me fletë të ngrita kot ka për t’ a rrahun;
Pse, si curr, qi n’mjes t’detit rreh tallazi,
Edh’ ai njashtu do t’jesë ndër gjire t’motit
Qi bumbullojn mbi faqe t’rruzullimit.
E atë herë prej bjeshkvet kanë me u djergun Zânat
E me të njoma vjollca e drandofille
Vorrin kanë me t’vallue, e kanë me rritun
Me shum kujdes per qark selvija t’blerta;
E shtektarit mundqar, qi n’ato hije
Ka me xânë vend, me ndalë pak gjâ t’dihamet,
Kanë me i kallzue se sa pjesë qiellet vrani
Deka n’atë vorr. E atë botë i largë shtektari
Të lehtë dhén ka me t’urue, e t’paqta e t’buta
Shinat e borën: e, kur n’male t’veta
T’dredhojë ke stani, fmís’ ka me i kallzue
Shka ndjeu për tý. E fmija e tij aso bote
Emnin t’ and kanë për t’kndue, e vrrini e bjeshka
Gjithmonë i ri, tue njehë furít e mnershme,
Ambel prej emnit t’ and kanë me jehue.
Me maje t’briskut kanë me shkrue mbi lisa
Me shkrola t’njohtne veç e prej barivet:
Kanë me u rritë lisat, përse spata as ręja
S’e prekin landen, ku âsht ravisë aj emen:
E tu’u rritë lisat kanë me u rritun shkrolat;
E kshtu ma t’kjarta mbas disá qindvjetve
Nipat mâ t’vonët kanë me i këndue, e emni
Sa t’bjere dielli tokës ka me t’u kndue.

“Njeriu në jetë ka nevojë për një filxhan shkencë, një shishe kujdes dhe një oqean durim”

Ismail Kadare është shkrimtari shqiptar më i njohur botërisht. Ai ka arritur të fitoi shumë nderime anekënd botës, madje u kandidua disa herë edhe për “Nobel”. Romancier, poet, eseist, përkthyes. Letërsia e Kadaresë vazhdon të lexohet me ëndje nga shumë lexues gjihtkund në botë.

Sot, Kadare ka mbushur 84-vjet dhe KultPlus ju sjell disa nga thëniet e tij të vlefshme.

Më poshtë mund t’i lexoni dhjetë thënie të Kadaresë që kanë mbetur gjatë në mendjen e shumë lexuesve dhe adhuruesve të tij.

– Popujt, librat e tyre të mëdhenj, me gjak zakonisht i kanë larë. – Ata që shpikën shpejtësinë reaktive, larg Atdheut sigurisht do kenë qenë ndonjëherë!

– Armiku mbetet armik, edhe i vdekur qoftë.

– Ka gjithmonë kohë që njerëzit të bëjnë diçka për popullin e tyre.

– Gjuha më e mirë se gjithçka tjetër jep shpesh dritën ose mjerimin e një kohe.

– Të falësh nuk do të thotë të harrosh.

– Ne mund të jemi gjithçka, veç një gjë nuk jemi: ajo që kujtoni ju.

– Dëgjo… Është shumë e vështirë të diskutosh në mbretërinë e idiotëve.

– Letërsia autentike nuk përputhet me diktaturat. Shkrimtari është armiku natyror i diktaturave. /KultPlus.com

Ky është vendimi i Komunës së Prishtinës për Liqenin e Badovcit

Seanca e cila u iniciua nga Partia Demokratike e Kosovës kaloi me polemika dhe e zhurmshme mes asamblistëve opozitarë kundrejt ekzekutivit. Me 24 vota për, 1 kundër dhe me 2 abstenime kuvendarët komunalë të Prishtinës votuan për propozimin e planit zhvillimor komunal për zonën 1.2.3, për mbrojtjen në pjesën e Badovcit deri në nxjerrjen e dokumenteve të reja të planifikimit në këtë zonë, planin zhvillimor komunal, hartën zonale.

Po ashtu me 27 vota për, 2 kundër dhe me një abstenim u votuan edhe rekomandimet për mbrojtjen e liqenit, me kërkesë që komuna e Prishtinës në bazë të akteve ligjore në fuqi të anulojë kushtet ndërtimore të lëshuara në pjesën e liqenit të Badovcit 26/12/2019. Të fillojnë procedurat që zonën përreth liqenit të Badovcit e cila nuk është e përfshirë në peizazh të mbrojtur të bashkohet me peizazhin e mbrojtur me parkun regjional të Gërmisë.

“Loti i të varfërit, plagë për shoqërinë”

Ese nga Rigona Sefa

Më thuaj, si mund të jetosh në paqe kur vendi ynë është i mbushur përplot me njerëz që janë të ulur në qoshe të trotuareve duke kërkuar lëmoshë për të mbajtur shpirtin gjallë?

A mundet ndërgjegjja juaj të jetë e qetë kur një njeri i moshës tënde jeton në mjerim e i nëpërkëmbur nga jeta?

Kjo pjesë e shoqërisë çdo ditë e përjeton tmerrin më të madh që mund ta përjetojë një njeri, e këtë gjë ne nuk e dimë sepse nuk e kemi përjetuar. Pra varfëria është gjendje në të cilën mungon një sasi e caktuar jetike e pasurisë materiale e përveç kësaj mungon edhe pjesa më e rëndësishme që mund ta plotësojë një njeri siç është lumturia. Shkaqet që na sjellin deri tek kjo mungesë si shpirtërore ashtu edhe materiale janë të ndryshme si p.sh: padrejtësia e një sistemi social, papunësia, korrupsioni, krimi i organizuar ekonomik e shumë e shumë faktorë të tjerë…

Më së miri këtë varfëri që ka kapluar vendin tonë mund ta dëshmojnë statistikat në të cilat sipas AKS ( Agjencisë kosovare për statistika) në bashkëpunim me Bankën Botërore në vitet 2012-2017 rezulton se 18% e popullsisë janë nën kufirin e varfërisë ndërsa 5.1% nën kufirin e varfërisë së skajshme. Por çfarë mund të bëjmë ne si shoqëri për ta zbutur varfërinë ndonëse nuk mund ta zhdukim tërësisht atë?

Një ndër metodat më të mira për uljen e varfërisë është integrimi dhe arsimimi i këtyre fëmijëve në shoqërinë tonë, sensibilizimi i shoqërisë për t’iu japur shpresë me ndihmën tonë këtyre familjeve që njohin vetëm dëshpërim, lotë e frikë për të ardhmen.

Në vendin tonë shumica e këtyre personave janë të përbuzur e të fyer, e ne si shoqëri duhet ta parandalojmë këtë sepse një gjë e tillë mund të shpie deri tek vetëvrasja. Atëherë, pse ne të mos e bëjmë ndryshimin, të zhdukimin pabarazinë e t’i trajtojmë të gjithë njëjtë pavarësisht mjeteve monetare që ata posedojnë. Atëherë pse ne të mos bëjmë diçka që një fëmije t’i ndalen lotët e t’i kthehet buzëqeshja e humbur me vite, një nëne e një babai t’i ndalen dhimbjet që iu ushtrojnë trysni çdo mëngjes kur hapin sytë e çdo mbrëmje kur dëshirojnë të flenë mbi lagështirën që shkakton sëmundje.

Ejani, të gjithë së bashku të bëjmë një familje të frymoi lirshëm e pa frikë për të ardhmen, t’i ndihmojmë për realizimin e ëndërrave të tyre që është dëshira e madhe për një kulm mbi kokë e stomakun të mbushur plotë.

“Shumë persona flasin për të varfërit, por pak flasin me ta” – Nënë Tereza /KultPlus.com

Kjo ese ishte në mesin e dhjetë eseve në kuadër të punëtorisë “Pen For Culture” organizuar nga OJQ “ProPlus” dhe mbështetur nga Amasada Amerikane në Kosovë.