Qendra Kombëtare e Librit, funksionale prej muajit shkurt

Qendra Kombëtare e Librit do të kryesohet nga Alda Bardhyli.

E zgjedhur nga ministrja e Kulturës, studiuesja e konsideron sfidë profesionale këtë nismë, që ka në qendër letrat shqipe. Nëpërmjet platformës së saj, si kryetare e qendrës, Bardhyli dëshiron të ketë sa më shumë ndërgjegjësim për rritjen e numrit të leximit të letërsisë shqipe, si brenda dhe jashtë vendit.

“Mendoj se të qenit në krye të një institucioni kombëtar është një sfidë e bukur profesionale, që kam besim se do të jetë e suksesshme. Unë besoj shumë në rritjen e ndërgjegjësimit të leximit, besoj që libri, letërsia, mbetet e vetmja liri me të cilën mund të shkojmë tek edukimi, tek vazhdimësia. Këto nuk mund të vijnë ndryshe, veçse nëpërmjet politikave të librit. Platforma ime ka të bëjë me librin dhe autorët shqiptarë. Në fokus të kësaj qendre do të jenë të gjitha politikat që mbrojnë autorët dhe botuesit, në mënyrë që libri të marrë vëmendjen e duhur” – ka thënë ajo, për mediet, shkruan Konica.al

Qendra e Librit do të jetë  në funksion gjatë muajit shkurt edhe vëmendja, nuk do të jetë vetëm tek autorët dhe bibliotekat në Tiranë.

“Muaji shkurt do të finalizojë këtë proces që ka nisur prej disa javësh. Ekipi që do t’i bashkëngjitet do të ketë në qendër të vëmendjes, jo vetëm bibliotekat në Tiranë, por edhe ato në rrethe. Do të zhvillojmë politika zhvillimi, duke i dhënë status autorit shqiptar, por edhe do të ringjallim letërsinë e atyre autorëve, që janë pjesë e letërsisë sonë, por për të cilët nuk është folur sa duhet deri tani. Janë shumë iniciativa, të cilat me dëshirën që libri të jetë arma kryesore ku mbështetet një shoqëri, mendoj se qendra do arrijë t’i kryejë”.

Teksa na rrëfen se në qendër të ekipit që do të merren librin, do të ketë profesionistë, të botimeve dhe bibliotekave në rrethe, shton se nuk do të mungojnë bashkëpunimet me organizatat e huaja. Ndërsa, puna e parë e Bardhylit si kryetare, nis në Qendrën Kombëtare të Librit në Francë

“Mendoj që ta bëjmë edhe sa më prezent letërsinë shqipe jashtë vendit, duke ndihmuar përmes koperimeve me organizata të huaja, edhe më tej për të përçuar kulturën tonë shpirtërore. Puna ime e par,ë do të nisë më një vizitë në Qendrën Kombëtare të Librit në Francë. Ky është modeli më i mirë, ku mendoj se modeli shqiptar duhet të mbështetet. Është shumë e rëndësishme, që gjuha edhe kultura shqiptare të përçohet edhe në kulturat e tjera”.

Bardhyli, ka theksuar se: “Buxheti minimal, prej vetëm 10 milionë lekësh, është një start i mirë, për të nisur një punë që është në shërbim të librit edhe të trashëgimisë sonë shpirtërore”.

Qendra Kombëtare e Librit është në varësi të Ministrisë së Kulturës. / KultPlus.com

Andy Warhol, gjeniu që modeloi artin

“Në të ardhmen, të gjithë do të jenë të famshëm për 15 minuta” – thoshte shpesh duke qeshur.

Andy Warhol një prej legjendave të artit të pikturës dhe themeluesve të Pop Artit i cili nuk i harroi kurrë ligjet e krijimit sipas të bukurës dhe idealit artistik,

Për Andyn, një artist ishte dikush që prodhon gjëra që njerëzve në fakt, nuk i hyjnë fare në punë. E megjithatë, është gjithmonë mirë t’u dhurosh diçka njerëzve.

Çuditërisht nuk donte të bëhej piktor. Dëshira e kahershme e tij ishte të bëhej balerin. Por jo një balerin dosido. Një balerin i Tip-Tap.

Sa herë gazetarët e pyesnin jepte gjithmonë përgjigje interesante. Përgjigje-këshilla nga të cilat në fund pyesje veten përsëri: “A duhet besuar ky njeri?”

Si mund të ishte aq i ditur? Si vallë orientohej nga disa të dhëna të hulumtimit të përhershëm që e karakterizonin nga njëra anë e realitetit (të jetës njerëzore), e nga ana tjetër të lidhjeve të pandara e të brendshme të mendimit estetik dhe praktikës artistike.

Andy nuk udhëtonte kurrë pa aparatin e tij fotografik. Kudo ku shkonte, aparati ish pjesë e pandarë. I pëlqente të vërtiste kureshtjen sikundër vërtiten sytë. Ngado!

Ai e dinte sekretin e jetës. Atë që ne vazhdojmë komplikojmë ndërsa është kaq e thjeshtë :

“Të kesh gjithmonë diçka për të parë është një arsye për t’u çuar në mëngjes.”

Thoshte se Pop-Arti , ishte një mënyrë për të dashur gjërat.

Ky artist i rrallë dinte dhe donte shumëçka.

Pa e vrarë mendjen për njerëzit.

Kur e pyesin një ditë: “Po njerëzit, çfarë mendojnë njerëzit për ty?” – përgjigjet:

“Shumë kritikë dhe shumë njerëz kanë menduar gjithmonë se isha ASGJË si person dhe ASGJË si artist. E kjo nuk ndihmon aspak në konceptin e ekzistencës. Por pastaj kuptova se vetë ekzistenca nuk është asgjë dhe u ndjeva mirë. Pse do thoni? Sepse jam i sigurt se njerëzit nëse do të shiheshin në pasqyrë nuk do të shihnin ASGJË.

Njerëzit thonë se janë pasqyrë.

Por nëse një pasqyrë shihet në pasqyrë, çfarë gjen?”

Reklamat ishin një tjetër pasion i tij i madh,m. Sidomos riprodhimi i Coca-Cola-s, për të cilën ai kishte një tjetër përgjigje kur e pyesnin “Përse?”.

“Sepse, më pëlqen shumë Amerika. Të blesh është më Amerikane se të mendosh.”

Në pothuaj gjithë punët e tij, specifikisht Marilyn Monroe, mund të shquajmë bërthamën e ndërgjegjes së vet të cilën ai e përshtat dhe rindërton duke aktivizuar mendimin dhe nevojën; që bashkë nuk bëjnë asgjë tjetër veçse realizojnë njohjen dhe drejtimin e duhur për një krijim të strukturuar estetik-artistik.

Thuajse tërë jetën e shkoi në hotel, sikundër shumë prej artistëve me famë Oscar Wilde, Gabrielle Bonheur (Coco Chanel), Ernest Hemingway apo Salvador Dali.

Ai zgjodhi “Hotel Chelsea” në New York. Muret e të cilit mbase duhet të fshehin gjithçka rreth dashurive të tij të mëdha apo seksit të shfrenuar me Steve Jobs.

I ardhur nga Pittsburgh, bir i dy prindërve sllovakë pasi përfundoi studimet në fund të viteve ’40 në “Carnegie Institute of Technology” talenti i tij spikati menjëherë në New York duke punuar për revistat prestigjoze Vogue dhe Glamour.

Uria për të zbuluar dhe eksperimentuar gjithçka që nga shtresat më të ulëta, të varfra deri tek ato mondane do të ishin rezultati i një hapësire të re kërkimi për artin e tij

“Arti duhet konsumuar”. Filozofi të cilën e zbatoi dhe në jetën e vet, nga Andy i ndrojtur tek ai snob e plot vese.

Megjithatë, dashuria më e madhe se ajo për pikturën, skulpturën apo regjisurën ishte ajo për të ëmën, Julian një grua bionde që e nxiti të birin të vizatonte që fëmijë duke i qëndruar gjithmonë pas.

Fjalët e fundit të saj ishin “Më premtoni që do kujdeseni për Andyn.”

Gjendja e rënduar shpirtërore pas humbjes e pengoi Andyn të merrte pjesë në varrim dhe as nuk u tregoi miqve për vdekjen e saj.

Një ndërhyrje kirurgjikale i mori jetën artistit në moshën 59-vjeçare, pak pasi kishte përfunduar veprën profetike “Last Supper”, frymëzuar nga “Darka e fundit” e Leonardo da Vinci-t. Ndërsa gjeniu i Pop Art la pas një perandori ekonomike dhe një trashëgimi të çmuar.

Profetike edhe fjalët e tij: “Nëse doni të dini gjithçka për mua, duhet veç të shihni sipërfaqen e tablove të mia, të filmave të mi, e të vetes sime. Unë jam aty. Pas nuk ka asgjë.”konica.al// KultPlus.com

“Sa shumë m’ka marr malli për një kangë të vjetër” (VIDEO)

KultPlus, sot po e sjellë “Kanga e ashikëve” nga Jericho interpretuar nga vokalisti Petrit Çarkaxhiu.

Kjo këngë e publikuar në maj të vitit 2016-të, është një ndër këngët më të veçanta që ka grupi Jericho, i formuar në vitin 1997.

Muzika dhe teksti nga Petrit Çarkaxhiu, aranzhmani JERICHO, vokal & ritem Kitare Petrit Çarkaxhiu, kitara e pare Leonard Canhasi, bas kitare Suad Jamini, bateri Visar Rexha, kavall Shaqir Hoti, cifteli & sharki Afrim Sadiku dhe lodër Shaqe Hoxhaj.

Kjo këngën vjen e shoqëruar nga një videoklip mjaft interesant me dy aktorët shqiptar Sylejman Lokaj dhe Fisnik Zeqiri.

Sa shume m’ka marr malli
Për ni kange te vjeter
Ni kavallit zonin t’ja nigjoje
E t’i knoj dashnise si ashik i vjeter
Fjal’t e hakit t’i kujtoje
Neper hallka t’nalta burrat tuj kendue
Emrin tond shume tu e permen
N’kete dynja garip jon ashikat e tu
Afer vetit bonju ven
Ftyrat sikur hana naten kur rrezon
Nuri zbardhi zemren, neve drite na bon
Fal i kofsha kti rahmeti, oj fare e dashnise
Bone Zot zemren teme venin e lumnise
Dul sabahi e na agoi shkrete
Shkun ashikat zemrat na lan vet
Hajde sonte t’rrijme bashke more vlla
Për hater t’ashkit sofren ta shtrojme na
Me muhabet naten ta bojme sabah
Se prej dynjas kush don me ik
Me emer t’hakit bohet ashik

Nesër do të promovohet libri “Qytetet e Ilirisë” i Gani Mehmetajt

Nesër me 30 janar 2020, në orën 12.00 në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, do të promovohet libri “Qytetet e Ilirisë” i Gani Mehmetajt. Për librin do të flasin Shaban Arifaj, ish- redaktor i njohur RTK-së, i cili do të jetë udhëheqës i promovimit dhe Dr. Femi Cakolli, studius letrar e pastor, shkruan KultPlus.com

“Qytetet e Ilirisë” prezanton 23 qytete shqiptare me një të kaluar të lavdishme nga Nishi, Shkupi, Prizreni, Ulpiana, Artana, Gjakova. Shkodra, Ulqini, Lezha, Kruja, Preza, Kanina, Gjirokastra, Pogradeci deri në Korçë.

Shumica e këtyre qyteteve kanë vazhdimësi nga parahistoria, antika, mesjeta e deri në ditët e sotme, disa të tjera pas periudhave të lavdishme në parahistori e në antikë u shuan në mesjetë. Qytete ilire shquheshin për organizim shtetëror, për objektet monumentale, kështjellat e sigurta, amfiteatrot, faltoret pagane, kishat paleokristiane etj.


Autori qytetet e Ilirisë i sheh nga prizmi i sotëm, e shpalon të kaluarën, duke bërë njëkohësisht edhe krahasimet në mes të asaj që ishin dikur, peshën që e kishin për ilirët e Ilirinë, peshën që e kishin për arbërorët dhe rëndësinë që e kanë sot për shqiptarët.


Libri i tipit të udhë përshkrimit, meqë autori ka shtegtuar gjatë nëpër këto qytete e krahina ka ilustrime me fotografi, rrëfime të vendasve, kronika të para dymijë vjetësh etj. ër disa nga këto vende e kështjella është ditur pak ose aspak: Kështjella e Jerinës,

Kështjella e Lekës, Kështjella e Mbretit, Suka e Cermjanit, që ishin fortifikata malore me garnizone ushtarake dardane.
Libri “Qytetet e Ilirisë” e botoi shtëpia botuese “Titanic”, ilustrimet janë me ngjyra, ndërsa mund ta gjeni në libraritë e qytetit “Dukagjini”, “Artini” “Buzuku dhe në kioskat e Sheshit “Nëna Terezë”. /KultPlus.com

Lansohet traileri i shumëpritur i videoklipit më të ri të Dua Lipës (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare ka lansuar trailerin e shumëpritur të videoklipit më të ri “Physical”, shkruan KultPlus.com

 Kujtojmë që ylli i muzikës pop, ka arritur të fitojë nominim në kategoritë, “Kënga më e mirë në botë” dhe “Kënga më e mirë britanike”, për hitin e saj të fundit “Don’t Start Now”, për çmimet “NME” në arenën “O2 Academy Brixton” në Londër. 

https://www.youtube.com/watch?v=tdJSVA_eIvU&fbclid=IwAR1w-iPgrxqt4JdDalGMdcTZ4lah4ieyIxdjK2jDRyJO-qDnv3UtnoB2VZE

 

Mbahet “Flaka e Janarit” 2020 në Kamenicë

Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Kamenicë ka organizuar “Flaka e Janarit” 2020, shkruan KultPlus.com

Programi  i “Flakës së Janarit” 2020 ka filluar me ligjeratë nga mësimdhënësit e historisë në shkollat fillore të Kamenicës për historikun e Flakës së Janarit.

Më pas është mbajtur një Ekspozitë e artit pamor si dhe një orë letërarë  në Shtëpin Muze të Kadri Zekës, në Poliçkë ku shkrimtarë të rajonit kanë lexuar poezi.

Me këto aktivitete është përmbyllur “Flaka e Janarit” 2020 në Kamenicë. /KultPlus.com

Promovohet libri “Ibush Jonuzi dhe minatorët grevistë të Trepçës 1988-1989”

Sot në Vushtrri u promovua libri “Ibush Jonuzi dhe minatorët grevistë të Trepçës (1988-1989)” të autorit Hilmi Saraçi, transmeton Koha Ditore.

Ky libër është një monografi për jetën dhe veprimtarinë e Ibush Jonuzit dhe minatorët grevistë të Trepçës (1988-1989), i cili është shkruar pikërisht me rastin e 30-vjetorit të grevës së urisë të minatorëve të Trepçës.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se libri do të shërbejë si një dëshmi për rrugën e gjatë dhe të mundimshme që ka pasur populli i Kosovës për liri dhe për pavarësi si dhe rolin e minatorëve si një dëshmi e sakrificës së madhe.

“Nëse shohim historinë e lirisë së popujve të ndryshëm do të gjejmë se historia e lirisë së popullit të Kosovës dhe e pavarësisë tonë është një histori tepër unike dhe aspiruese dhe është detyrë e neve gjeneratës së re ta dokumentojmë gjithë përpjekjen mbinjerëzore e sidomos nga vitet 1989, 1990 kur edhe është bërë themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe krijimi i idesë së shtetit të Kosovës”, u shpreh Tahiri.

Ndërsa protagonisti kryesor i librit, Ibush Jonuzi i falënderoi të gjithë ata të cilët kontribuuan në botimin e librit. /KultPlus.com

“Objekt” në mes të akullit, misteri në Antarktik

Google Earth prej kohësh po zbulon objekte të ndryshme nëpër gjithë botën, por zakonisht shfaqen ato më të pazakonshmet që inspirojnë teoricienët e konspiracionit siç është rasti i Antarktikut.

Kësaj radhe një përdorues i Google Earth, pretendon se ka lokalizuar diçka që ngjan me një ndërtesë gjigante nën akullin e Antarktikut. Si dëshmi për pretendimet e tij, ka publikuar dëshmitë vizuale në YouTube.

Në videon e publikuar më poshtë në një moment shfaqet një objekt gjigant që del nga akulli.

“Është shumë i madh, simetrik dhe duket si një ndërtesë edhe pse mund të jetë një copë e madhe e akullit”, thuhet përbri videos së publikuar.

Megjithatë ekspertët pretendojnë se është thjesht një copë e madhe e akullit me një formë të pazakontë/TCH / KultPlus.com

Gëte, simboli i universalitetit të kulturës evropiane

Nga: Dorian Koçi

Përvjetori i lindjes së Gëtes, këtij vigani të mendimit europian, është gjithmonë një përvjetor që të shtyn të kërkosh lidhjet e krijimtarisë së tij me kulturën e vendit apo të rajonit. Kjo gjë, në fakt, është kurthi që bien të gjithë studiuesit, pasi kur përpiqen të nxjerrin në pah të veçantat, ata gjejnë universalitetin e dijeve të tij. Gëte ishte shumë i apasionuar nga kultura e lashtë dhe e re e Ballkanit, por ai simbolizonte dhe shpirtin racional gjerman. “Im Anfang war die Tat” (Në fillim ishte vepra), një përkthim i lirë i versës së parë të ungjillit sipas Gjonit, (1:1),  “në fillim ishte fjala” që Gëte e vendos në gojën e Faustit, kur e vë këtë të fundit në dramën “Faust” të përkthejë Ungjillin sipas Gjonit (Vargu. 1237). Kjo frazë u kthye në moton e filozofisë së tij, që në fakt shkundi Gjermaninë e shekullit të XVIII dhe gjithë Europën.

Gëte i njohu tërthorazi shqiptarët nëpërmjet krijimtarisë së Lord Bajronit, të cilin e admironte dhe kishte letërkëmbim të rregullt. Gëte e kondideronte Bajronin si një nga poetët që do i mbijetonte gjithmonë kohrave. Adhuronte talentin poetik të Bajronit, për të cilin shkruante se “kur krijonte arrinte gjithçka dhe mund të thuhet me bindje se frymëzimi atij i zëvendësonte të menduarit thellë. E ndjente vazhdimisht nevojën për të krijuar dhe gjithçka që krijonte, gjithçka që buronte prej zemrës së tij ishte e mrekullueshme. I krijonte veprat si gratë që krijojnë fëmijët e bukur: pa menduar dhe pa ditur qysh. Ai është talent i madh i lindur, dhe nuk di njeri tjetër me fuqi poetike më të madhe. Për perceptimin e së jashtmes dhe për aftësinë e depërtimit në të kaluarën ai është po aq i madh sa edhe Shekspiri”. (Gëte, Vepra të zgjedhura, Volumi 4).

Gëte i kish përpirë të gjitha veprat e Bajronit dhe, në bisedë me sekretarin e vet Ekerman, ai pranonte se përshkrimet poetike të tij ishin shumë afër realitetit:

“Edhe tek Bajroni – thashë unë – gjej shpesh pjesë krejtësisht të drejtpërdrejta, të cilat na japin vetëm pasqyrimin e sendit dhe na zgjojnë ndjenjat e brendshme, sikundër bën pikërisht dhe vizatimi i një piktori të mirë; veçanërisht i pasur me pjesë të tilla është “Don Zhuani”.”

“Po, – pranoi Gëtja – atje Bajroni është me të vërtetë i madh; herë–herë jeta reale jepet prej tij me një lehtësi që të duket si improvizim. Te “Don Zhuani” këto pjesë nuk më kujtohen, por te poemat e tjera ato kanë mbetur në mend, veçanërisht skenat detare, ku kohë më kohë një valë vezullon tej; aq mirë është bërë kjo, sa të duket se po nuhat edhe ti ajrin e detit. (Gëte, Vepra të zgjedhura, Volumi 4).

Një nga poemat e tjera ku ka skena të mrekullueshme të përshkrimit të detit është dhe “Udhëtimet e Çajld Haroldit”, poemë e cila e bëri të famshëm Bajronin në 1812-n. Sigurisht, përveç pjesëve të përshkrimeve detare, Gëte kish lexuar edhe 160 vargjet e Këngës II, ku përmes një ligjërimi orientalist flitet për shqiptarët.

Adhurimi i tij për Byronin ishte një adhurim intelektual dhe pa komplekse, kur ndër të tjera do të shprehej:  “M’u desh një përfaqësues i kohëve të reja poetike dhe kush mund të ishte tjetër veç atij që, pa dyshim, duhet parë si talenti më i madh i shekullit? Për më tepër Bajroni nuk është as ithtar i antikitetit, as i romantizmit, ai është mishërimi i kohës sonë. Një i tillë m’u desh dhe për synimin tim artistik më shkonte si jo më mirë natyra e tij, gjithmonë e pakënaqur dhe karkateri i tij luftarak, që edhe e çoi të vdesë në Mesolongji. Të shkruash një monografi për Bajronin nuk është aspak një punë e volitshme dhe e këshillueshme; por ta nderosh në ndonjë rast dhe të tregosh meritat e tij të shumta, kjo është një gjë që unë do të vazhdoj ta bëj gjithmonë.” (Gëte, Vepra të zgjedhura, Volumi 4).

Kjo lloj modestie dhe inkurajimi për shkrimtarët e tjerë, është shumë e rrallë për kohën, sepse Gëte, ashtu si shkruajti për Bajronin, me të njëjtin adhurim shkroi edhe për Volterin dhe Shilerin.

Gëte shquhej për një lloj modestie në trajtimin e hierarkive kulturore në Europë, duke dëshmuar që ai, mbi të gjitha, ishte një intelektual kozmopolit dhe qytetar i “polisit” të mendimit. Ja si shprehej për kulturën gjermanike të kohës së vet dhe vendin e saj në lidhje me kulturën antike.

“Ne (d.m.th., gjermanët) me të vërtetë kemi arritur në thuajse këto njëqind vjetët e fundit të lëvrojmë siç duhet kulturën tonë. E megjithatë, duhen edhe nja dy-tre shekuj që kultura jonë kaq shumë e lëvruar të arrijë të bëhet kulturë e të gjithëve. Deri përpara këtij çasti, të gjithë do jenë thjesht barbarë”.

Gëte ishte mendjehapur edhe ndaj kulturës lindore dhe formave të ndryshme poetike të lëvrimit të kësaj kulture. Ai njihte mirë Rumiun, Sadiun dhe Hafizin. Nën ndikimin e poezisë orientale shkroi një divan perëndimoro-oriental (1819-1827).  Gëte e admironte shumë Hafizin, i cili ishte edhe një simbol i shpeshtë humanizmi në poezinë e tij. Në vargjet e “Ribashkimi”, Gëte shkruan për Hafizin:

“Hafiz, me ty të jem kam mall,
Në garë! Gaz e dhimbje mal
Të shkulën, ne u bëjmë ballë!
Të dua e të pi ngaherë
Si ti, se ç’krenari e rrallë.”

(Halil Ibrahimi, Gëte, Islami dhe poezia)

Në këtë mënyrë ai ishte bashkëkohës në mendim me  Bajronin që shkroi “Oriental Tales” në 1816-n dhe Pushkinin që shkroi për “Baçevasarajin” në Krime, në vitet 1821-1823. Orientalizmi, si rrymë e mendimit  në Evropë, fillon ndoshta që në kohën e kryqëzatave dhe romancave mesjetare. Në periudha të ndryshme ka patur interesa dhe qëndrime të ndryshme ndaj Orientit dhe Orientalizmit, por ai u bë i njohur gjatë Romanticizmit, sepse Orienti ishte një formë sublime e tij. Romantizmi gjerman ka konfliktin e jetës së brendshme të individit, dramën e njeriut kundrejt mjedisit. Gëtja i madh, duke mbështetur filozofinë e Herderit, për kulturat popullore si një vllazëri universale, shpiku termin “Letërsia botërore”, ku përkatësia etnike e poetëve nuk kishte rëndësi absolute. Gëtja, që admiroi Bajronin, megjithatë qe ai që tha se “klasike unë quaj të shëndoshën, romantike të sëmurën”. Në të vërtetë, Fausti i Gëtes është ravizuar si një kryehero romantik. (Moikom Zeqo: “Bajroni dhe shqiptarët”.)

Shkrimtari egjiptian Taha Husein, disa herë kandidad për çmimin Nobel në letërsi, thotë: “Divani nuk është thjesht një ngjarje e rëndësishme në historinë letrare të Gëtes së madh; ajo është një ngjarje me rëndësi në historinë e letërsisë europiane” ( Halil Ibrahimi, Gëte, Islami dhe poezia). Përcaktimi i Husein është nga më të saktit përreth lidhjeve të Gëtes me qytetërimin lindor. Për këtë çështje është debatuar shumë ku admirimit të Gëtes për letërsinë lindore i është veshur dhe dëshira e tij për të njohur në detaje Islamin. Në fakt kjo dëshirë shkonte deri në kufijtë e njohjes dhe subjektet e tij orientaliste ishin më tepër në frymën e relativizmit kulturor, që mbizotëronte si diskurs në krahasimet lindje-perëndim në Europën e asaj kohe. Prej esesë së njohur të Michel de Montaigne (Mishel dë Montanje) “Kanibalët”, në Europë ishte krijuar një atmosferë që admironte qytetërimet e tjera jashtë kontinentit, duke kritikuar vetë qytetërimin europian, si shkatërrues dhe të mbizotëruar nga lufta. Kështu, p.sh, dhe Volteri ka shkruar për qytetërimin kinez me fjalët më të mira, duke vlerësuar strukturën sociale, arritjet e hershme në teknologji dhe përkushtimin e tyre ndaj filozofëve, Konfucit. Gjithsesi, këto tekste të frymëzuara nga të famshmet “Letrat Jezuite”, nuk ishin gjithmonë për Kinën. Nëse shohim me kujdes aspektet e kulturës që ai lavdëron, mund të shikojmë se ai i zgjodhi ato saktësisht për të evidentuar problemet në këto fusha në vendin e vet, në  Francë. Nuk mund t’i shpëtojë syrit të thjeshtë të lexuesit aluzioni se Kina është e zhvilluar sepse respekton filozofët, një respekt dhe admirim që Volteri dëshironte ta shihte dhe në Francë. Po kështu dhe Montesque ku shkruajti “Letrat Persiane” në vitin 1721, për të krahasuar ligjet dhe sistemin e drejtësisë në Francë, ku kërkoi nëpërmjet satirës në mendimin e dy të huajve dhe vendin ideal të parimeve universale të drejtësisë e gjeti jashtë kontinentit të vet.

Gëte nuk ishte nënvlerësues ndaj traditës. Një nga shkrimtarët që ai adhuronte ishte Shekspiri. Në bashkëbisedimin me sekretarin e tij, Ekerman, do të shprehej:

“Makbethi është, për mendimin tim, pjesa më e mirë e Shekspirit, në kuptimin e plotësimit të kërkesave të skenës. Por nëse doni të njihni shpirtin e tij të lirë merrni e lexoni “Troilin dhe Kresidën”, ku ai ka trajtuar sipas mënyrës së vet subjektin e “Iliadës” (Gëte, Vepra të zgjedhura, Volumi 4).

Në një moment tjetër do të shprehej për veprën e Shekspirit: “ai na shërben mollë të arta me tabaka argjendi. Duke studiuar veprat e tij edhe ne bëhemi me tabaka të argjenda, por e keqja është se mund të vëmë mbi të vetëm patate.” (Gëte, Vepra të zgjedhura, Volumi 4).

Kjo modesti për veprën e vet letrare, në fakt, është e tepruar, sepse ai na ka dhuruar vepra-mollë që mund të rrinë shumë mirë në tabakatë e argjendta të Shekspirit.

Ky është 270-vjetori i lindjes së Gëtes, një përvjetor që do të shënohet në gjithë botën. Ndikimi i Gëtes në mendimin shqiptar ka qenë i pamatë, pasi me veprën e tij janë marrë një sërë figurash të shquara të kulturës sonë, si: Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Hilë Mosi, Fan Noli, Lasgush Poradeci, Skënder Luarasi, Sejfulla Malëshova, Krist Maloki, Lazër Shantoja, Zef Simoni, Vangjel Koça, Branko Merxhani, Shevki Selenica, Aleks Buda, Hasan Mekuli, Klara Kodra, Shpëtim Çuçka, Pertef Kruja, Fatos Arapi, Petraq Kolevica, Pashko Gjeçi, Arshi Pipa, Petro Zheji, Bujar Doko, Robert Shvarc, Perikli Jorgoni, Aristidh Ristani, Visar Zhiti, Vehbi Bala, Jorgo Bllaci, Anila Omari etj.

Kohët e fundit në Prishtinë është botuar një libër i studiueses dhe pedagoges së gjermanistikës në Universitetin e Prishtinës, Albuelena Blakaj, “Gëte dhe receptimi i tij në kulturën shqiptare”, shkurt 2018. Sipas saj, ky libër e ka zanafillën nga eseja që titull fillestar kishte: “Gëte shqiptar”.

“Ky titull shprehte dëshirën time të përvetësimit të plotë letrar e kulturor, por jo edhe realitetin. Megjithatë, duhet të ndihemi të gëzuar që shkrimtari i madh, universal, shkrimtari i “njeriut të emancipuar”, është edhe i shqiptarëve, ashtu siç është i tërë botës së civilizuar, i kulturave që e kanë kapërcyer gardhin e ngushtë kombëtar dhe janë bërë pasuri e të gjithëve.” (Koha.net. Gëte, edhe i shqiptarëve).

Ky konstatim i shkon më tepër për shtat krijimtarisë dhe personalitetit të Gëtes, pasi asnjë më tepër se ai nuk e plotëson figurën e intelektualit kozmopolit të përbotshëm që mbizotëroi me krijimtarinë e vet, në mendimin europian në fund të shekullit të XVIII dhe në fillim të shekullit të XIX në Europë. Kjo veprimtari e larmishme e personaliteteve të kulturës sonë, për sa i përket figurës së Gëtes, sidomos gjatë periudhës së letërsisë së Rilindjes Kombëtare, Pavarësisë dhe në vitet 50’-60’ të shekullit të shkuar, duhet analizuar për të kuptuar se sa ka shërbyer për të kumtuar tharmin e veprës së Gëtes, por edhe për të përqasur vlerat universale të qytetërimit europian në atë shqiptar. /KultPlus.com

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Ekspozohen në Tiranë botimet e para të Kadaresë

Përmes një ekspozitë janë shpalosur botimet e para të veprave origjinale të Ismail Kadaresë, kjo me synimin që të shqyrtohet evolucioni i publikimeve të autorit. Në këtë mënyrë edhe është shënuar në Tiranë 84-vjetori i lindjes së shkrimtarit.

Ekspozita “Ekskurs në botimet dhe në edicionet e para të autorit 1954 – 2018” u hap të martën në Kalanë e Tiranës dhe do të qëndrojë aty në dispozicion të publikut deri më 31 janar. Rindërtimi i kësaj diakronie të gjatë kohore të procesit krijues e botues kërkon të hedhë dritë mbi stadet e botimeve të autorit, të vrojtuara këto në kontekste të ndryshme politiko-kulturore nga regjimi diktatorial deri në demokracinë liberale.

Sipas kuratores së ekspozitës, Ana Shkreli, ekspozita “Ekskurs në botimet dhe në edicionet e para të autorit 1954-2018” është para së gjithash një ekspozitë që në kremtimin e 84-vjetorit të Ismail Kadaresë mëton të shqyrtojë evolucionin e publikimeve të autorit dhe të hedhë dritë mbi stadet e botimeve, të vrojtuara këto në kontekste të ndryshme politiko-kulturore. “Ky projekt paraqet vështirësi jo të vogla për shkak të vëllimit të madh të veprave të shtypura, por dhe për evolucionin atipik të shkrimeve të Kadaresë ndër vite, të shënjuara nga ribotime, të cilat bartin ndryshime tekstore me rëndësi artistike dhe stilistike. Afërmendsh këto ndryshime shprehin vullnetin përfundimtar të autorit, tashmë i lirë nga censura e autocensura. Veçse duhet thënë që secila prej veprave, e pikasur në edicionin e vet të parë, i jep dorë lexuesit të ndërmend jo vetëm një hartë më të mirë të procesit krijues të Kadaresë, por sidomos, duke shqyrtuar diakroninë e këtyre edicioneve në shtratin e vet politiko-kulturor, mund të dalin në sipërfaqe të dhëna mbi disa zgjedhje të autorit, të cilat vështirë të kenë qenë fryte rastësore”, shkruan ajo në konceptin kuratorial.

Vizitorit të kësaj ekspozite, i gjendur përballë evolucionit kontekstual të korpusit parak, ka gjasa t’i vijnë vetiu do pyetje, të cilat mund t’ia mprehin shqisën e pikasjes së këtyre përkimeve. Gjithashtu në mendjen e vizitorit do të ravijëzohen temat kryesore, që kanë ndjekur autorin po aq sa dhe janë ndjekur prej tij, si prania e vijueshme e dinozaurit të gurtë të Gjirokastrës, metafora shekspiriane, shkrimet e angazhuara letrare ose eseistike mbi Kosovën e plot motive të tjera. “Pasuria letrare e shfaqur rrok një periudhë prej 6 dekadash e po ashtu ajo ngërthen edhe katër stade të rëndësishme të kulturës së botimeve shqiptare: atë të pasluftës, periudhën e Revolucionit Kulturor, postnëntëdhjetën dhe së fundi modelin e industrisë së botimeve, i cili u përgjigjet përherë e më shumë rregullave të një tregu të lirë. Vështirë se ndonjë autor tjetër të jetë përfaqësues sa Kadareja i këtij rrugëtimi artistik të publikimit shqip. Për vizitorin do të mjaftojë qoftë dhe një vështrim i pjerrtë mbi grafikën e botimeve për të pikasur fill pasqyrimin e periudhave të ndryshme historike në editorinë shqiptare”, thuhet më tutje në konceptin kuratorial.

Përmbledhje poetike të hershme si “Përse mendohen këto male” paraqiten nga ballina me një ligjërim artistik prej pllakati, ndërsa “Dasma”, për shembull, e botuar së pari në formë libri nga shtëpia botuese “Rilindja” e Kosovës, ballina e së cilës është realizuar nga piktori i shquar Rexhep Ferri, dëshmon menjëherë dallimin e madh mes shkollës jugosllave dhe traditës shqiptare të periudhës, që u takon arteve pamore. Gjithashtu në disa prej librave vizitori do të gjejë të evidentuara ballinat e disa artistëve të rëndësishëm që i kanë punuar, si: Safo Marko, Zef Shoshi, Ksenofon Dilo, Ardian Karakashi e të tjerë, punime këto mirëfilli artistike me përkushtim profesionistësh, të cilat i japin artit grafik libror dinjitetin e nevojshëm të një elementi paratekstual. Duke u shtyrë më tej në kronologjinë e eksponateve, ajo çka bie fort në sy edhe grafikisht është djerrimi dhe shterpja e këtyre ballinave, si edhe tkurrja e thuajse çdo elementi stilistizues në to.

Shkreli shkruan se pas viteve ’90-a na pret një periudhë e harlisur jo vetëm sa u takon përfaqësuesve të ndryshëm botues të Kadaresë (nga Naim Frashëri, te Fayard, Çabej e më pas Onufri), por në kërkimet e bëra për mbledhjen dhe në renditjen e këtij korpusi vumë re se botimet fill pas ’90-s janë dhe më të vështirat për t’u gjurmuar.

Libri në vetvete në këtë ekspozitë sillet si simbol i disa kthesave të rëndësishme të kulturës sonë, por pavarësisht të gjithave koleksioni ynë është fotografia fëmijërore e gjithë asaj forme të mirërritur jete, që ka krijuar Ismail Kadareja. / KultPlus.com

Aktorja e njohur e quan Kobe Bryant përdhunues, “shpërthejnë” komentet

Aktorja Evan Rachel Wood ka marrë komente pafund pasi e quajti basketbollistin Kobe Bryant “përdhunues”, vetëm disa orë pas vdekjes së tij.

“Ai ishte një hero në sport. Ai ishte gjithashtu një përdhunues”, shkruante aktorja 32-vjeçare e serialit të njohur “Westworld ”në Twitter të dielën.

‘Dhe të gjitha këto të vërteta mund të ekzistojnë njëkohësisht”,  vijon ajo, pak pasi u dha lajmi për vdekjen e legjendës së basketbollit në një aksident me helikopter, së bashku me vajzën e tij 13-vjeçare, Gianna, dhe shtatë persona të tjerë.

Postimi i saj shkaktoi një zemërim të menjëhershëm, duke theksuar se legjenda nuk u ndoq asnjëherë penalisht në lidhje me akuzat e sulmit seksual të bëra ndaj tij pothuajse 17 vjet më parë nga një punonjëse 19-vjeçare në një hotel në Colorado.

Aktorja tjetër, Kyla Pratt i shkroi Wood-it se ajo ka “admiruar” punën e saj, si “në kamera ashtu edhe jashtë saj”, por ajo vijonte: “Por ky postim? Si guxon?”.

Kobe Bryant dhe avokatja e tij gjatë çështjes së sulmit seksual

Wood u përpoq të qetësonte situatën të hënën, duke kërkuar “mirësi dhe respekt për të gjithë”.

“Të dashur, ky nuk ishte një dënim apo festë. Ishte një kujtesë që të gjithë do të kenë ndjenja të ndryshme dhe ka vend për të gjithë që të pikëllohemi së bashku në vend që të zihemi”, shkroi ajo, duke thënë se “të gjithë kanë dalë të humbur”. /KultPlus.com

“Hajt se veç vajzë është”

Ese nga Getoar Gashi

Po e filloj esenë me këtë nëntitull që e kam shkëputur prej një blogu S’bunker. Ndoshta për shumicën e lexuesve kjo thënie duket qesharake, por për fat të keq është një e vërtetë e hidhur.
Pabarazia gjinore ka ekzistuar gjithmonë dhe vazhdon të jetë e pranishme edhe në ditët e sotme. Faktikisht njerëzit lindin njësoj dhe rrjedhimisht ashtu do të duhej të vazhdohej jeta edhe më pas. Por në momentin që kuptohet gjinia e fëmijës, gjërat ndryshojnë tërësisht.
Si dukuri negative vërehet në shumë vende të botës, por natyra kosovare sikur është më e pamëshirshme ndaj viktimave të këtij fenomeni. E kur themi viktima, është fjala pikërisht për gruan. Për këtë gjë, burim kryesor mund të konsiderohet shoqëria patriarkale që ka mbizotëruar kohë të gjatë në shoqërinë tonë. E si rezultat i kësaj shoqërie, ballafaqohemi edhe me problematikën e raportit ndër breza. Me këtë mund të kuptojmë që dallimi në mes të vajzave dhe djemve fillon që nga planet e prindërve për ta, duke u bazuar në idenë që “vajzat janë për shtëpi të huaja” dhe nga këtu konsiderohet si qytetare e dorës së dytë.
Po lindi vajza e dytë në familje, lëre që nuk do të ketë urim për lindjen e fëmijës, por edhe do të ngushëllohesh.
Mund të tingëllojë ekstreme por në Kosovë, djali në raport me vajzën gëzon mbështetje me të madhe të prindërve, sa i përket investimit financiar dhe moral. Nga kjo rezulton që për vajzën kosovare, edukimi dhe karriera janë gjithmonë një hap më prapa se sa për djemtë. Madje ekziston mendimi që kapaciteti për sukses profesional varet nga gjinia.
Si problematikë tjetër mund të konsiderohet ndarja e trashëgimisë mes fëmijëve. Sipas disa kërkimeve, një përqindje e vogël e grave trashëgojnë pasurinë në mënyrë të barabartë me vëllezërit. Disa prej tyre heqin dorë nga trashëgimia familjare duke u lënë pjesën e tyre vëllezërve, e disa as që mund të heqin dorë sepse mundësia për trashëgimi nuk i është dhënë fare. Si arsyetim i gjithë kësaj, konsiderohen zakonet të cilat burojnë nga Kanuni i Lekë Dukagjinit. E gjithë kjo, në praktikë, do të thotë diskriminim i gruas në familje dhe si rrjedhojë, gruaja detyrohet të fillojë gjithçka nga zero, pa asnjë mbështetje, në mënyrë që të arrijë qëllimet e saj ose e kundërta, të jetë e varur financiarisht gjithmonë nga dikush tjetër, e në shumicën e rasteve nga bashkëshorti. Pra, gjithmonë një hap prapa, sepse edhe në këtë rast gruaja shihet në disavantazh kundrejt burrit, pasi që burri ka trashëgimi nga familja e tij.
Pabarazia mund të haset edhe në zgjedhjen e profesionit. Disa punë të caktuara janë pothuajse të ndaluara për gratë, kështu duke bërë ndarje të punëve në bazë të gjinisë.
Por në raste ekstreme, gruaja nuk lejohet të punoi në profesionin e saj sepse duhet të kujdeset për fëmijët dhe shtëpinë. Por në të njëjtën kohë, edhe burrat apo djemtë hezitojnë të kryejnë punë të caktuara, duke mos marrë në konsideratë fare dëshirën apo talentin për atë punë dhe vetëm për arsye të mentalitetit të shoqërisë sonë.
Pra si përfundim pabarazia gjinore është luftuar gjithmonë dhe vazhdon të luftohet, por për të vërejtur rezultat më të theksuar, duhet që të kemi një edukatë të shëndoshë që në fëmijëri, nga familja, e duke u zgjeruar kështu edhe në shoqëri. /KultPlus.com

Kjo ese ishte në mesin e dhjetë eseve në kuadër të punëtorisë “Pen For Culture” organizuar nga OJQ “ProPlus” dhe mbështetur nga Amasada Amerikane në Kosovë.

Jeleku shqiptar që iu dhurua Edith Durhamit, në galerinë e Londrës

Jeleku shqiptar që iu dhurua Edith Durhamit ekspozohet në galerinë “Two Temple Place” në Londër.

Të shtunën është hapur ekspozita “Unbound: Visionary Women Collecting Textiles”, me veshje tradicionale të grave gjatë shekullit XX nga Ballkani e deri tek ato aziatike.

Pjesë e kësaj ekspozite është edhe jeleku shqiptar me qëndismat ngjyrë ari, dhuratë e popullit të Beratit më 1918 për Edith Durham. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 19 prill.

Është një jelek i punuar mjeshtërisht me qëndismat ngjyrë ari që enden mes ornamenteve floreale. Aq fort i kishte pëlqyer, sa udhëpërshkruesja angleze, Edith Durham, do ta vishte atë sipër një fustani të lehtë. Kjo veshje e femrave kishte qenë dhuratë e popullit të Beratit më 1918 për anglezen që asokohe kishte fituar namin e “mbretëreshës së maleve”. Sipas studiuesve, jeleku dëshmon për një nivel të lartë të mjeshtërive artizanale shqiptare. Jeleku pa mëngë dhe i qëndisur me fije ari ishte një veshje e aristokracisë së lartë beratase, transmeton kohanet.

E ky jelek shqiptar është vetëm një nga veprat e paraqitura në ekspozitën me tekstile nga Ballkani e Azia. Në ekspozitën që është hapur të shtunën në “Two Temple Place” në Londër, tekstilet e mbledhura gjatë shekullit XX nga shtatë gra, kanë marrë statusin e veprave artistike. /Koha Ditore///KultPlus.com

Galeria londineze ekspozon jelekun shqiptar që iu dhurua Edith Durhamit

Letër dashurie e Oscar Wilde për Lord Alfred Douglas

Një nga dashuritë e zjarrta të Oscar Wide ishte Lord Alfred Bruce Douglas, një poet dhe gazetar britanik, pak i njohur, përveçse për zhurmën rreth marrëdhënies së tyre. Kjo dashuri e pamundur për kohën jetoi pak, por zjarrmërisht, sepse gjithçka u zbulua dhe u publikua në një odise gjyqësore, që përfundoi me burgosjen e Wilde.
Janar 1893, Babbacombe Cliff

Kjo është letra që Oscar i shkroi, pasi lexoi një nga sonetet e Lord Alfred.

Djaloshi im!
Soneti yt është aq i këndshëm. Është mrekulli që ato buzët e tua të kuqe petal-trëndafilta janë krijuar, sa për çmendurinë e muzikës dhe këngës, aq edhe për marrëzinë e puthjes. Shpirti yt i praruar shëtit mes pasionit dhe poezisë. Jam i sigurt se Hiacinthi, që Apolloni deshi çmendurisht, ishe ti edhe atëherë në Greqinë e vjetër.
Përse rri vetëm në Londër; pse nuk shkon në Salisburi? Shko, të lutem, të qetësosh duart në muzgun gri me gotikën përreth dhe eja pranë meje kur të duash. Këtij vendi të bukur i mungon veç ti, por si fillim shko në Salisburi.
Me dashuri të përjetshme, si gjithnjë,
I yti, Oscar

Shqipëroi: Dritan Kiçi

Reperi i njohur amerikan: Vdekja e Kobe Bryant ishte e planifikuar, mos i besoni askujt

Reperi i njohur amerikan, Silento ka bërë një postim kontrovers në rrjetet sociale pas vdekjes tragjike të Kobe Bryant.

Kobe Bryan vdiq të dielën pas një aksidenti tragjik me helikopter, ku pos tij dhe vajzën 13-vjeçare, Gianna, vdekjen gjetën edhe shtatë persona tjerë.

Shumë njerëz kanë qenë duke folur dhe shkruar në mediat sociale për të komentuar vdekjen e legjendës së NBA-it.

Por, reperi i njohur i hitit “Watch Me Nae Nae”, Silento, po qëndron larg nga pjesa tjetër, pasi ai bëri një postim të çuditshëm në Twitter.

“Vdekja e Kobe Bryant ishte një vrasje e planifikuar, ashtu sikurse u përpoqën të më vrisnin mua”.“Unë i ika kurthit. Mos i besoni askujt, kjo është një industri e madhe dhe e fëlliqur”, ka shkruar Silento.

Komenti nuk është pritur aspak mirë nga ndjekësit dhe përdoruesit e tjerë të cilët e kanë kritikuar për këtë veprim.

“Pak përtej vetmisë, është personi që doni”

Dino Buxati është ndër shkrimtarët italianë më të frytshëm dhe më të rëndësishëm të shekullit XX. Kronist dhe korrespodent special për “Corriere della Sera”, fill pasi mbaroi universitetin, ai ishte gjithashtu piktor, dramaturg, skenograf, ideator kostumesh dhe poet.

Në vitin 1958, fitoi çmimin “Strega” me koleksionin “Gjashtëdhjetë histori”,  një përzgjedhje e tregimeve më të mira të botuara në tre koleksionet e mëparshme “Shtatë lajmëtarët” të vitit 1942, “Frika nga Sacala” e vitit 1949 dhe “Rënia e Balivernës” e vitit 1954. Autori i “Shkretëtira e Tartarëve”, “Rënia e Balivernës” dhe “Barnabo i maleve” fitoi famë falë anës së shqetësuar dhe fantastike të veprës së tij, e cila ndërton një urë të çuditshme dhe mjaft shqetësuese midis kësaj bote, tonës, dhe “tjetrës”.

Sidoqoftë, fantastikja e tij asnjëherë nuk shkëputet nga realja, ajo është e rrënjosur në banalitetin e përditshëm, që zakonisht, nuk duket të jetë i kontaminuar nga ankthi dhe i imponuar nga demonët. Me një shkrim të qartë, plot me alegori e metafora, falë teksteve surrealiste, Buzzati ka fituar emrin e “Kafka italian” dhe ishte ndër kritikët më thumbues të moralit dhe etiketimeve borgjeze. Romani “Shkretëtira e Tartarëve” konsiderohet shembulli më i lartë i narracionit ekzistencialist italian. Me gjithë lehtësinë për të shkruar dhe fantazinë karakteristike të tij, shpeshherë Buzzati është shprehur se ai ishte viktimë e një keqkuptimi të madh: “Unë jam një piktor, që, si hobi, gjatë një periudhe paksa të zgjatur, për fat të keq, kam qenë edhe shkrimtar, edhe gazetar. Nga ana tjetër, bota beson se është e kundërta dhe “nuk “mund” t’i marrin seriozisht” pikturat e mia. Gjithsesi, për të nuk kishte asnjë dallim midis pikturës dhe shkrimit, sepse që të dyja aktivitetet kishin të njëjtin qëllim: të rrëfente histori.

Të duash duhet të kuptosh

Thënia “Pak përtej vetmisë, është personi që ju doni”, mund të interpretohet në shumë mënyra. Për të dashuruar, njeriu duhet të jetë i gatshëm të braktisë zonën e rehatisë, duhet t’i hapet jetës, madje të hidhet edhe në krahët e rrezikut. Ose, për të dashuruar, së pari duhet të hapni vend në jetën dhe në menaxhimin e jetës së përditshme, për t’i dhënë vendin që i takon të dashurit apo të dashurës tuaj. Gjithashtu, mund të themi se për të dashuruar duhet të jeni të gatshëm ta kuptoni tjetrin, të braktisni siguritë që keni ndërtuar për të qëndruar lart, të mohoni atë që jeni, në mënyrë që të takojmë tjetrin në tjetërsinë dhe diversitetin e tij ose të saj, të lundroni nga porti i sinqertë i vetmisë për të na treguar të vërtetën e asaj që jemi: burra ose gra të papërsosur, të brishtë dhe të frikësuar, qenie që kërkojnë vazhdimisht të jenë të dashur.

Autori i tregimeve të shumta të shkurtra, shumica e tyre fantastike, të romaneve, të pjesëve teatrale, por edhe i poezive, tregimeve për fëmijë dhe librete operash, Buzzati vdiq më 28 janar 1971, duke lënë një vepër letrare që ishte ndër më të rëndësishmet e shekullit XIX. Nga një zhanër në tjetrin, nga metrazhi i gjatë deri te metrazhi i shkurtër, vepra e Buzzati është një magji e përhershme, një ushtrim i mrekullueshëm në ngjizjen letrare.

Nëse futeni në veprën e tij, e cila duket si një kështjellë e pushtuar nga fantazmat, duhet të dini që keni një takim me marramendjen: magjistari i përtej alpeve nuk ka asnjë të ngjashëm me shpërqendrimin, ndërthurjen e probabiliteteve, lëkundjen e sigurisë, tronditjen e themeleve të realitetit. Sa për heronjtë e parapërlqyer, ata janë të familjarë të fantazmave që nuk reshtin së kapërcyeri pasqyrat, duke hapur kat më kat portat e të mbinatyrshmes dhe fantastikes, të pazakontës dhe misterit./Konica.al /KultPlus.com

Në Ferizaj po organizohet kuizi online i fëmijëve për bursa, apliko tani

A dëshironi që fëmija juaj të testoj njohuritë e tij në fushën e teknologjisë dhe të shpërblehet me bursë për të ndjekur kurset më atraktive të programimit, animacionit dhe robotikës në Qytetin e Ferizajit?

Universum Digital Academy ka lansuar kuizin online për të gjithë fëmijët që dëshirojnë të testojnë njohuritë e tyre në teknologjisë dhe të hyjnë në garë për përfitim të BURSAVE deri në 50%, për pjesëmarrje në Kurset e Universum Digital Academy. FITO 50% BURSE, BËHU PJESË E KURSEVE MË ATRAKTIVE TË UNIVERSUM DIGITAL ACADEMY. Linku i kuizit https://bit.ly/2GrkRYK

E rëndësishme është që përfitues do jenë të gjithë pjesëmarrësit! Përqindja e bursës që do fitoni varet nga përgjigjet e sakta që do jepni poashtu ju fitoni 10 pikë bonus për çdo shok/shoqe që e referoni të jetë pjesë e kuizit.

Universum Digital Academy ofron kurse 1 vjeçare të programimit, animacionit dhe robotikes për fëmijë të moshës 6-18 vjeç.Ndërsa mësojnë, fëmijët ndërtojnë mini-lojëra, zgjidhin enigma, krijojnë projekte kodimi dhe kompletojnë misione, kreativiteti është një nga aftësitë më të rëndësishme që ata zhvillojnë. Plotëso kuizin tani https://bit.ly/2GrkRYK
PROGRAMI I AKADEMISË MBËSHTETET NË PROJECT-BASED LEARNING (PBL)

Për më shumë informata rreth kuizit dhe kurseve nga Universum Digital Academy kontakto [email protected] apo +383 45 652 166;/KultPlus.com

Shkrimtari britanik kërkon bojkotimin e monedhës së re: I mungon një presje

Shkrimtari britanik, Sir Philip Pullman, i ka shpallur luftë monedhës së re, e cila do të lëshohet në përdorim me rastin e largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian. Megjithatë, kundërshtimi i tij nuk lidhet aspak me politikën.

Ai është i zemëruar pse në mbishkrimin e një monedhe metalike mungon e ashtuquajtura “presje e Oksfordit”. Në këtë monedhë shkruhet “Paqe, mirëqenie dhe miqësi me të gjitha kombet”.

“Presja e Oksfordit” përdoret nga disa gjuhëtarë edhe para lidhëzës “dhe” kur përshkruhet një varg i gjërave apo dukurive. Megjithatë, shumica nuk e përdorin presjen në këto raste dhe çështja ka qenë shpesh pjesë e debateve të gjuhëtarëve.

Kjo monedhë do të futet në qarkullim më 31 janar, në datën kur pritet largimi zyrtar i Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Futja e monedhës në qarkullim ishte planifikuar fillimisht për 31 tetor të vitit të kaluar, por një vendim i tillë ishte anuluar pas shtyrjes së procesit të Brexit-it për shkak të dështimit për miratimin e marrëveshjes me BE-në në kuvendin britanik. / KultPlus.com

Zgjeba ime

Poezi nga Dije Demiri-Frangu

Të thërras për t’ më vënë në gjumë o përderës i keq
E gur në shpinë më bëhesh e kmesë mbi qafë
Zgjeba që je kotari që je
Pështjellur me përgjumjen time
Si gojë e madhe ujku
Si lozë ferre të keqe
Edhe i thonjtë m’i heq
Që në mëngjes
Të më varësh vath në vesh

“Ky popull, edhe me i shtie opangën në gojë, s’bërtet”

Zef Pllumi qe frat françeskan, publicist e shkrimtar. Me prirje përgatitore për kah historia para se të ndërmerrte kalvarin, me të arritur lirinë merr ndër duar frerët kulturorë të trashëgimisë françeskane.

I pagëzuar Prenkë, lindi më 28 gusht 1924, i biri i Gjergj Tomës dhe Luke Mrisë, u lind nga e ëma në një zabel në tëbanin e tyne në bjeshkë. Malësorët që kishin rënë me kohë në ultësirë venin të veronin në bjeshkë për t’iu shmangur verës pranë zonave bregdetare të pabonifikuara. Fisi i Prenkës kishte tëbanin në Qafë të Tëthores së Bogës, mes Shkrelit dhe Shalës – bajrak ky i fundit ku ishte nip. Xhaxhai i Prenkës, Pashko Toma, ishte i pari i shtëpisë dhe burrë i shquar në ato male si plak, kuvendar e bukëdhanës. Gjatë fëminisë takoi P. Gjergj Fishtën dhe P. Anton Harapin që i kishin ardhur miq te tëbani i tyre ndër bjeshkë. Shtati dhe prania imponuese e të parit dhe çehrja prej asketi e të dytit lanë mbresat të cilat i përcjell te libri autobiografik “Saga e fëmijnisë”. Gjatë atij takimi xhaxhai u thotë fretënve se djaloçi kishte shprehur dëshirën të bëhej frat. Dëshirë kjo e ftilluar në librin e lartpërmendur, që kishte marrë shkas prej një takimi të mëparshëm me P. Bona Gjeçajn. Me atë rast P. Harapi i jep një medaljon të Shën Françeskut që mbante në qafë, duke i thënë që ta ruante me shumë kujdes në mënyrë që kur të shkonte në Kolegjin Françeskan të paraqitte atë medaljon.

Më poshtë po sjellim këtë thënie të Zef Pllumit që është aktuale gjithmonë:

“Ky popull, edhe me i shtie opangën në gojë, s’bërtet” /KultPlus.com


Sa krenar u ndjeva në shtëpinë e Fan Nolit

Nga: Van Christo

Kur qeshë fëmijë, jetoja në Roxbury dhe kujtimet e të dielave në kishën e Shën Gjergjit, fillojnë në moshën 7-vjeçare. Nëna ime, Frosina, më kumtoi se do më merrte me vete në meshën e Pashkëve në mesnatë.

Kisha, asokohe, ndodhej në rrugën “Emerald”, në anën jugore të Bostonit. Kur pyeta se pse ime motër, Jolanda, nuk do të vinte me ne, mëma tha vetëm se ajo ishte, përnjëmend, e vogël. Kjo më bëri të ndihem i veçantë, pasi, asohere, besoja se qeshë me të vërtetë i rritur.

Pasi mëma më shtroi për të fjetur rreth orës gjashtë të asaj nate, në një karrige tek koka e shtratit ajo ndehu teshat më të mira; këmishë e kravatë të karfosura si s’ka më mirë, pantallonat e hekurosura teh, dhe këpucë të zeza lustrafine.

Kur u zgjova nga gjumi ime më kërkoi të vishesha, pasi për pak do niseshim për në kishë. Rrallëkush në lagjen tonë kishte makinë, kështu që na u desh të ecnim disa blloqe deri në rrugën “Tremont”, ku ishte stacioni i automobilave. Më kujtohet si sot dora e mëmës tek shtrëngon timen në nxitim e sipër përanash mejhanesh, derisa më në fund arritëm tek stacioni. Pas robtimit të rrugës deri në South End, më në fund, zbritëm pranë rrugës “Emerald ku ndodhej kisha e Shën Gjergjit asokohe, dhe ime më’ më tërhoqi përmes tre a katër blloqesh të tjera derisa arritëm dhe u futëm në ndërtesë nëpërmjet dy palë shkallësh të thikëpërpjeta.

Kur u futëm brenda, teksa mëma siguroi qirinjtë, nuk mund të mos pikasja se të gjithë qëndronin në këmbë, përjashto një radhë stolash të zbrazët në atë anë të kishës ku uleshin të moshuarit. Gjithashtu vrojta se të gjithë ishin pajisur me teshat më të mira. Pashë një prej moshatarëve të lagjes, Naqin, gjithashtu karfosur si për, siç e quanim ne, të dielë, dhe, more, mund të na e shihje në sy hijeshinë e asaj nate! Por shpejt u lodha nga të ndenjurit në këmbë.

***

Megjithëse nuk mund ta shihja mirë një mesalt ishte ulur në diçka që ngjante me një kuti katrore në të dy anët e altarit, ku Fan Noli këndonte meshën në shqip shoqëruar nga dy psalme, teksa ai hynte e dilte në një dhomë të brendshme duke tundur një enë metalike varur në tre zinxhirë prej nga duhmonte temjani erëmirë. Çfarë do të thotë kjo, thashë me vete. Pastaj, për habinë time të mirë, vrojta se një prej koristeve ishte “xhaxha” Llambi Misho, i cili ia “kthente” Fan Nolit me shumë shend.

Më kujtohet tek mendoja se Llambi këndonte me zë shumë më të lartë se koristi tjetër. Mesha dhe kori shpejt u bënë të mërzitshme dhe kthehesha në të dy anët duke kërkuar me sy ndonjë prej bashkëmoshatarëve të tjerë shqiptarë. Herë pas herë, mëma do më shkundte në sup për të më mbajtur të përqendruar në atë që ndodhte përballë meje. Fillova të ankohesha se isha i lodhur nga qëndrimi në të njëjtin vend, por ajo vetëm më shesh-sheshte. Pas një farë kohe gjindja filluan të ndiznin qirinj, gjë e cila më gjallëroi së tepërmi. Ime më’ u përkul për të ndezur qiriun tim, duke me treguar si ta mbaja.

Befasisht, një pjesë e dritave u fikën kështu që shkëlqimi i qirinjve sundoi duke krijuar një atmosferë sipërane, dhe më pas të gjitha dritat u shuan dhe kisha u zhyt në errësirë të plotë duke e lartësuar dridhëritjen e qirinjve. E mbajta frymën për një çast dhe pastaj nduka pallton e sime mëje duke e pyetur se pse u fikën të gjitha dritat. “Pusho”, tha ajo “sepse Krishti është këtu”. Gjithë frikë hodha sytë përreth; në fillim nga kupa e ngrehinës, dhe më pas, ngadalë, gjithë tavanin, e në fund në të gjitha anët. Pas pak e nduka përsëri pallton e mëmës dhe pyeta në pëshpërimën e pëshpërimave “po ku është, nuk e shikoj dot?” /KultPlus.com

“Mos kurse para për ditën e martesës së saj, shpenzoi ato në shkollimin dhe edukimin e saj”

Rrite dhe edukoje vajzën tënde aq të aftë dhe të fortë, sa të mos shqetësohesh fare se më kë do të martohet ajo.

Në vend që të kursesh para apo edhe të futesh në borxhe për ditën e martesës së saj, më mirë shpenzoji ato para në shkollimin dhe edukimin e saj.

Në vend që t’i thuash që të mësojë të bëjë atë e këtë se do ikësh në “derë të huaj”…në vend që t’ia fiksosh në tru që ajo duhet të mësojë punët e shtëpisë vetëm sepse do shkojë te burri e aty do luajë edhe rolin e “shërbyeses”, më mirë fiksoja në tru që pastërtia apo gatimi janë të domosdoshme në jetën e gjithsecilit dhe duke i mësuar ajo s’do varet nga askush që të ushqehet.

Në vend që ta përgatisni për martesën, shumë më mirë do ishte ta përgatisnit për veten e saj…po qe e përgatitur për veten, ajo do jetë në gjendje të përballojë gjithçka tjetër pa pranuar nënshtrimin.

Dhe më e rëndësishmja, në vend që ta mësoni të sakrifikojë veten e saj, të falë tradhtitë apo dhunën, të durojë për fjalët e botës, mësojeni të dashurojë veten e saj fillimisht, mësojani vetrespektin!

Mos i shkatërroni jetët e vajzave tuaja për tekat e juaja, për disa zakone që gjithmonë e kanë parë gruan shumë më poshtë se burrin, mos i shkatërroni sepse iu intereson më shumë për fjalët e botës, se sa për lumturinë e vajzës suaj.

Nëse vajza juaj pëson nga keqprindërimi juaj, askujt s’do i dhembë më shumë se sa juve, andaj mos i rrisni vajzat tuaja me idealet e kanunet me të cilat iu kanë rritur juve, mos ‘merrni hak’ tek vajzat e juaja, për mundësitë që nuk ua dhanë kurrë juve!

Mos iu thoni, “Unë kam duruar, duro dhe ti!” / Femër / KultPlus.com

“Muzika është jeta ime, jeta ime është muzika”

Wolfgang Amadeus Mozart ka lindur me 27 janar të vitit 1756. Ai është biri i Leopold dhe Maria Pertl Mozart. Babi i tij kishte filluar që t’ia mësonte notat në piano vajzës së tij Maria Anna të cilën e thërrisnin Nannerl, gjersa Mozarti një tre vjeçar i shikonte duke imituar notat që ajo krijonte. Kështu ai filloi që të tregojë shumë shpejtë aftësitë e të kuptuarit të zërit, tonalitetit dhe ritmit. Babi i tyre përpiqej që ti mësonte që të dy më shumë për muzikën duke i afruar me të si një mënyrë e argëtimit, mirëpo duke mos lënë anash mësimet. Kështu që të dy fëmijët u treguan të suksesshëm në këtë drejtim madje Mozarti filloi që të kompozoj në moshën 5 vjeçare duke treguar aftësi mahnitëse në klaviçembal dhe violinë.

Kurse në vitin 1762, babi i tyre mori Nannerl, në atë kohë 11 vjeçare dhe Mozarti 6 vjeçar performuan në oborrin mbretëror në Bavari, në Munich ku edhe filluan paraqitjen e tyre të cilat pastaj vazhduan si një lloj turne nëpër Evropë. Në këtë mënyrë Mozarti filloi që të takojë shumë muzikantë dhe performues të ndryshme në mesin e të cilëve ishte Johann Christian Bach i cili pati një ndikim të madh në punën e Mozartit. Mirëpo karriera e motrës së tij përfundon në kohën kur ajo arrin moshën për tu martuar, pasi që, në atë kohë konsiderohej se ajo nuk duhet që të shfaqet më në publik, gjersa Mozarti vazhdon karrierën edhe jashtë Austrisë së bashku me babin e tij.

Disa nga veprat e tij janë: operan “La Finta Giardiniera”, “Idomeneo, Mbreti i Kretës“,“Martesa e Figaros“ (1784), “Don Zhuani“ (1787), “Flauti magjik”, si dhe sonata të ndryshme për violinë, për piano, kuintete, pastaj simfoni të ndryshme, sonata, si dhe muzikë kishtare.

Mozarti ishte gjithë kohën i zënë duke kompozuar, duke dhënë mësime, duke organizuar koncerte apo duke mbyllur pagesa për punët e tij. Menjëherë pasi puna e tij shitej, blerësi i saj mund ta kopjonte e ta shiste duke fituar para nëpërmjet saj, pa shkuar asnjë kacidhe në xhepat e autorit (E drejta e autorit akoma nuk ishte e njohur në Austri deri 30 vjet pas vdekjes së tij). Për këtë arsye Mozarti i ruante manuskriptet e tij duke mos përfunduar pjesët për piano në mënyrë që të nxirrte fitime prej tyre. Kjo mund të jetë dhe arsyeja pse në një pjesë të veprave të tij mungon pjesa për piano.

Në 1782-shin, kundër dëshirës të së atit, Mozarti martohet me motrën e vogël të ish të dashurës së tij, Kostancën. Pas martesës, Mozarti shkon në Vjenë, ku për një farë kohe gëzon sukses me veprat e tij. Ndërkohë marrëdhëniet e tij me të atin dhe motrën ishin ftohur, kështu ai u përjashtua edhe nga testamenti i të atit të tij.

Kompozitori i famshëm gjatë karrierës së tij është përballur shumë me probleme financiare. Ai i ndodhur në gjendje shumë të vështirë ekonomike filloi të merrte hua. Letrat që ka lënë ai janë zemërcopëtuese, pasi që në to ai lutej për të marrë të holla hua nga njerëzit. Në 1789-ën Mozarti udhëtoi në Berlin e më pas në Frankfurt duke shpresuar për një pozitë më të mirë, por asgjë. Bashkëpunimi me Emanuel Schikaneder, pronarin e një teatri në zonën e klasës së mesme të Vjenës, dhe trupën e tij, solli në skenë operan “Flauti magjik”, që u bë menjëherë popullore e i dhuroi Mozartit një shije të fundit të suksesit.

Më poshtë disa thënie të njohura të Mozartit:

Muzikë nuk janë notat, por heshtja midis tyre.”

“Muzika është jeta ime, jeta ime është muzika.”

“Të flasësh bukur e rrjedhshëm është art shumë i madh, por është art po aq i madh edhe të dish çastin kur duhet të reshtësh së foluri.”

“Duhet t’i besojmë Zotit dhe të ngushëllohemi me idenë se e mirë është çdo gjë që bëjmë sipas vullnetit të të Gjithëfuqishmit, sepse Ai e di çfarë është e vyer dhe e dobishme për lumturinë tonë të përkohshme e për shpëtimin e përjetshëm.”

“Zotin e kam gjithmonë para syve. Njoh plotfuqishmërinë e Tij dhe i druhem zemërimit të Tij, por nga ana tjetër njoh edhe mëshirën e dashurinë që Ai ka ndaj krijesave të Veta.”

“Dashuri, dashuri, dashuri, ky është shpirti i gjeniut” /KultPlus.com